• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SOT DITËLINDJA, “DIELLI” U BË 109 VJEÇ

February 15, 2018 by dgreca

Peter-prifti-300x139

-Peter R. Prifti: VATRA DO MBYLLET, DIELLI U SHUA, SA HERE I KEMI DEGJUAR KETO FJALE…?/

1 Dalipi & Presidenti Nishani

 Ne Foto: Presidenti i Republikes, Shkelqesia e Tij, Bujar Nishani duke i dorezuar Editorit te Diellit, dekoraten”Nderi i kombit” per Gazeten e kohes se Rilindjes”DIELLI” i Vatres./

Newspaper Dielli, Janar 2018 faqe 1

NGA DALIP GRECA*/
Gazeta më e vjetër e Botes Shqiptare, që vazhdon të botohet në Amerikë, Dielli,mbetet një monument i gjallë i gazetarisë shqiptare dhe i kulturës tonë Kombëtare, që sjell 109 vite histori të shqiptarëve të Amerikës. Në Gjoksin e Diellit ka shumë histori, ka dhe një cmim të tretë në konkursin e shpallur nga Organizata COMMON COUNCILL FOR AMERICAN UNITY, ku morën pjesë 1000 gazeta që botoheshin në Amerikë në gjuhë të huaja. Dielli konkuroi me Editorialin e shkruar nga editori i asaj kohe, Qerim Panariti, nje nga dishepujt e Nolit. Presidenti i Shqiperise, Shkelqesia e Tij, Bujar Nishani, i akordoi Diellit dekoraten e  larte”Nderi i Kombit”.
***
Gazeta më e vjetër e Botës Shqiptare, me emrin simbolik “Dielli” sot ka ditëlindjen, të Enjten, me 15 shkurt mbushi plot 109 vjet. Gazeta”Dielli” u themelua në Boston prej Shoqërisë atdhetare Besa-Besë dhe ka si ditëlindje datën 15 shkurt 1909. Më 11 mars 1912, mbasi shoqëritë shqiptare të Amerikës vendosën që të federohen në Vatër (dita zyrtare e themelimit të Vatrës 28 prill 1912, dita e njohjes nga Shteti i Massachusetts, 10 qershor 1912) Dielli u bë pronë e Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra dhe nisi të dalë dy herë në javë. Me 18 Nëntor 1914, Gazeta nisi të botohet tri herë në javë dhe më 9 nëntor 1915 u bë e përditshme nen drejtimin e Kostë Çekrezit. Natyrisht është kjo koha më e artë e Vatrës dhe gazetës së saj Dielli. Historishkruesit e Vatrës dhe të Diellit e kanë bërë tashmë publik faktin se Dielli erdhi si nevojë shpirtërore dhe informuese për shqiptarët e Amerikës në një kohë të vështirë.
Mëkëmbsi i Mit’hat Frashërit, i shumëdturi Hasan Dosti, është shprehur se “Vatra” dhe “Dielli” na zgjuanë iden’ e zjarrit e të dritës, që do të thotë flakë patriotizmi dhe rreze kulture. Këtyre simbolizmave u janë përgjegjur edhe realitetet”.
Kronika e lindjes së Diellit, është e njohur: Me mbylljen e gazetës “Kombi” të Sotir Pecit në Boston me 10 Janar1909, diktohej nevoja e një tribunë kombëtare për të luftuar për të drejtat e Kombit shqiptar, ndërkohë që ishte mbyllur tashmë dhe Albania e Faik Konicës. Kur qe hapur Kombi me 6 qershor 1906 numri i shqiptarëve sipas regjistrave të kohës ishte rreth 7 mijë,ndërkohë që kur u mbyll gazeta e Pecit, numri i shqiptarëve së paku kishte shkuar në dhjetë mijë. Pa gazetën Kombi emigrantët shqiptar kishin mbetur si në shkretëtirë, në terrin e padijes e mosinformimit. Nevoja për një gazetë u bë më emergjente kur xhon turqit burgosën Dervish Himën sepse i gjetën Flamurin e Shqipërisë në gji dhe asnjë gazetë në Shqipëri nuk guxoi që të shkruante e ta mbronte atdhetarin nga frika e represionit turk. Atëhere Konica në Londër dhe Noli në Boston ranë në ujdi për botimin e një gazeta shqip në Amerikë. Deri në atë kohë dy patriotët nuk njiheshin përsafërmi me njëri-tjetrin, por ishin të njohur në distancë duke lexuar shkrimet e njëri-tjetrit në shtypin e kohës si dhe nga letërkëmbimi. Me përpjekjet e të dy kolosëve të mendimit shqiptar të asaj kohe u ndez ky kandil kombëtar, siç e cilëson ish editori Refat Gurrazezi, kandil që ndriçon ende edhe sot në SHBA falë kontributit të shqiptarëve të Amerikës.
Ende nuk dihet se kush e pagëzoi gazetën me këtë emër simbolik në kohën e errësirës otomane për Shqipërinë. Dihet se emri i Vatrës ka për Kumbar Konicën.Është e dokumentuar kjo në një artikull të botuar në gazetën Dielli me rastin e 10 vjetorit të themelimit të Vatrës, në numrin special, ku Konica dëshmon:”Për emrin, formën federale, Kanunoren, rregulloren, dhe shpiriten e parë të VATRËS, jam responsible (përgjegjës) unë. Po e drejta është që Vatra, të cilën un’ e lashë çilimi shtatë muajëshe, u rrit, u madhua, u bë një forcë nga Fan Noli dhe Vatranët e Amerikës, me 1915-1919 dhe në atë zhvillim unë s’kam patur asnjë pjesë (Faik Konica-Dielli, 31 mars 1922)
Në shkollën e Diellit kanë kaluar shumë gazetarë. Editor i parë i Diellit prej Shoqërisë Besa-Besë u emërua Faik Konica, por e vërteta është se 29 numrat e parë të gazetës i drejtoi Fan Noli, më pas erdhi nga Londra Faik Konica dhe e mori në dorë Diellin. Në historinë e Vatrës është shkruar se editor i parë i Diellit ishte Fan S. Noli, ndërkohë që në numrin e parë të Diellit qe botuar ky shënim:”Kjo gazetë do të botohet prej shoqërisë Besa-Besë, e cila do të bëjë mbledhje të përgjithshme me 15 të marsit(1909), në Boston për të zgjedhur një direktor.Gjersa të vijë direktori i kësaj flete, Dielli do të dalë një herë më dy javë, pastaj do të nisë të dalë për javë me rregull.”
Faik Konica mbërriti në Boston me 9 tetor 1909. Refat Gurazezi shkruan në Historinë e Vatrës se ”Kur doli nga “Inverna” ish veshur me kostum Kombëtar dhe i mbajti veshur disa ditë, jo vetëm aq, por s’desh t’i hiqte dhe i lutej Fan Nolit që të vishej edhe ai si prift me kamilaq të lartë dhe të shëtitjin tok nëpër rrugët e Bostonit. Më në funt e bindën shokët që i hoqi ato petka dhe veshi rroba të vendit.Më 22 të tetorit Konica mori drejtimin e Diellit.”

DIELLI DHE PROGRAMI KOMBËTAR

“Dielli ishte ungjilli i shqiptarëve të Amerikës, të cilët të mbledhur rreth Vatrës, e kthyen atë në një busull orientuese në kohë të trazuara, kur kombi shqiptar përjetonte çastet e vështira të egzistencës. Do të mjaftonte shfletimi i programit të kësaj gazete për të gjykuar mbi misionin, orientimin, guximin dhe arritjet në fushën e atdhetarisë, shtetësisë dhe natyrisht të gazetarisë shqiptare.
Dielli ka meritën historike se shtroi para shqiptarëve programin Kombëtar, i cili paraqet edhe kthjelltësinë Kombëtare dhe orientimin kombëtar të atyre që e hartuan atë program. Ka dy mendime për autorin e programit, një pjesë mbrojnë idenë se e shkroi Noli, një pjese këmbëngulin se sitli është i Konicës, balanca anon nga i pari. Në programin Kombëtar të Diellit kërkohej njohja e Kombësisë shqiptare prej qeverisë turke; njohja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, Arsim Kombëtar në shqip, kërkohej zhvillim ekonomik, ndërtim rrugësh, kërkohej përcaktimi i kufijëve kombëtar që të përfshinin Vilajetet e Kosovës, Shkodrës, Janinës dhe Manastirit dhe këmbëngulej fort për qeverisje të vendit prej shqiptarëve përmes një Parlamenti Kombëtar.Programi i Diellit kërkonte lirinë dhe të drejtat e Kombësisë shqiptare prej guvernës turke, por pa u ndarë nga Perandoria,duke patur të përbashkët veç ushtrinë, punët e luftës dhe punët e jashtme.
Gazeta Dielli luajti rol të rëndësishëm në përgatitjen e lëvizjeve kryengritëse të viteve 1910-1912 dhe duket se kjo ishte arsyeja që Perandoria e ndaloi hyrjen e saj në Shqipëri, por u përdor një reng për ta futur gazetën sërish në Portat e Perandorisë dhe në Shqipëri, u përdor emërtimi”Dielli dhe Flamuri”. Aty nga gushti 1912 Dielli u la i lirë pasi Qeveria e Qamil Pashës vendosi ta njohë autonominë e Shqipërisë, gjë që nuk u konkretizua sepse shtetet e Ballkanit i shpallën luftë Turqisë në tetor 1912.
Që në kryeartikullin e parë të Konicës në Dielli me 29 tetor 1909, u shfaq mendimi për krijimin e një shoqërie të fortë Kombëtare, rreth së cilës të mblidheshin të gjithë shqiptarët e Amerikës. Konica e drejtoi Diellin deri në mars 1910, më pas për ca kohë Diellin e nxori komisioni i Besa-Besën , por ai nuk vazhdoi më gjatë se fundi i prillit, Konica e rimori Diellin si editor në fillim të majit deri në korrik. Gazeta nuk doli për 3 muaj. Është koha kur Konica nxjerr Trumbeta e Krujës në St. Louis.

NOLI, KONICA DHE EDITORËT E TJERË QË DREJTUAN DIELLIN

Gazeta “Dielli” qe me fat sepse që në numrin e parë trashëgoi erudicionin e Fan Nolit, stilin e tij informativ, ironik e sarkastik; dhe më pas edhe përvojën e vyeshme e stilin polemizues, por dhe plot elegancë të Faik Konicës, Kristo Dakos, Kostë Çekrezit, Bahri Omarit, Rafat Gurrazezit,Qerim Panaritit, Nelo Drizarit, Xhevat Kallajxhiut, ish drejtorit të gazetës Demokratia e Gjirokastrës, Athanas Gegës etj. Mbi të gjitha Faik Konica, i mbiquajturi ”babai i gjuhës shqipe” sillte me vete shkollën e madhe të Albania-s, ç’ka shërbeu në rritjen e standardeve të profesionalizmin të mëtejshëm të Diellit.
Duke shfletuar koleksionet e Diellit, bindesh se secili prej editorëve i dha ngjyrën e stilit dhe të shpirtit të vet gazetës së shqiptarëve të Amerikës. Lënda që rrjedh në faqet e Diellit i ngjanë një përroi malor që rrjedh rrëmbyshëm, pa u ndalur; në të është përjetësuar jo vetëm historia e shqiptarëve të Amerikës, por e gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë. Aty është kombi shqiptar, aty është shteti shqiptar, pasi qe fat për Vatrën që lindi para shtetit dhe e orientoi shtetin, që foshnje.
Gurazezi, hartuesi i së parës Histori të Vatrës, shkruan se si Noli ashtu dhe Konica patën mosmarrëveshje me komisionin e Besa-Besën që nxirrte gazetën. Në kohën kur Noli vazhdonte studimet në Harvard, nuk e braktisi gazetën që e kishte krijuar vetë. Edhe pse ishte i ngarkuar me studimet dhe punët e kishës ai gjente kohë të drejtoi Diellin edhe për nëntë muaj, tetor 1910- qershor 1911. Pas Nolit ishte Efthim Natsi, që e mori përsipër barrën e drejtimit të Diellit për dy herë, por me periudha të shkurtëra kohore. Pas tij ishte Kristo Floqi editor i Diellit nga tetori 1911 deri në korrik 1912. Konica edhe pse e la Trumbetën e Krujës dhe iku nga St. Louisi, nuk u mor për ca kohë drejtëpërsëdrejti me Diellin dhe aso kohe lëshoi një batutë, që i zemroi ata që merreshin me Diellin ”Nuk e lexoj më Diellin pasi kam frikë se harroj shqipen” pat thënë Faiku, por në fakt iu afrua prapë Diellit dhe bashkëpunoi me të ngushtësisht, duke u rikthyer edhe si editor i gazetes rilindase.

Sipas nje studimi te realizuar nga Editori i Diellit ne vitet 1994-2009, poeti dhe studiusi Anton Cefa, 29 numrat e parë të Diellit i nxori Fan S. Noli, ndërkohë që nga 22 tetori 1909 gazeta doli nën drejtimin e Faik Konicës, që u thirr nga Londra. Përveç Nolit dhe Konicës, Diellin e kanë drejtuar pena dinjitoze, intelektualë të shquar, atdhetarë të përkushtuar si: Kristo Floqi, Kostë Çekrezi, që e bëri gazetën të përditshme( 7 nëntor 1914), Andon Frashëri, Bahri Omari(1916-1919), Aqile Tasi, Refat Gurrazezi, Nelo Drizari,Peter Tikco, Qerim Panariti, Peter Prifti, Dr.Athanas Gegaj , Xhevat Kallajxhiu, Dr. Eduard Liço, Prof. Arshi Pipa, Anton Çefa etj.
Prej 9 vitesh Dielli drejtohet nga Kryeredaktori  Dalip Greca, duke patur një cikël të stabilizuar botimi në print të përmuajshem dhe të përditshëm Online, ndërkohë dhe që çdo 28 Nëntor publikohet numri special me më shumë se 100 faqe.

Mirenjohje per te gjithe Editoret e Gazetes Dielli!


*Editor i DIELLIT, Prej gusht 2009

***

VATRA DO MBYLLET, DIELLI U SHUA, SA HERE I KEMI DEGJUAR…?

Shkroi: PETER R. PRIFTI*/

“Vatra e mbaroi qëkuri misionin e saj historik.”!

“Vatra dhe Dielli po i ngrysin ditët.”!
Sa herë, vallë, na kanë dëgjuar veshët fjalë si këto?
Fjalë të këtilla për Vatrën dhe Diellin janë pëshpëritur poshtë e lart me vite e me dekada. E megjithatë, Vatra dhe Dielli janë gjallë dhe sot e kësaj dite. I kanë përgënjeshtruar të gjitha predikimet e vdekjes së tyre. Si për inat të pesimistëve, kanë refuzuar të tërhiqen dhe të zhduken nga skena e botës shqiptare.
Jetëgjatësia e Vatrës dhe organit të saj – të dyja tashmë në dekadën e tetë të jetës së tyre – është më tepër se kureshti. Ajo paraqitet si një “mister” që të çudit, dhe që kërkon shpjegim. Por, po të rrish e të mendosh pak, nuk është vështirë të kuptosh pse Vatra dhe Dielli kanë arritur një moshë kaq të lashtë.
Pa dyshim, arsyeja numër një është shërbimi madhështor që i bëri atdheut Vatra gjatë 12 vjetëve, që kur u themelua më 1912 dhe deri më 1924. Me punën e shkëlqyer që bëri në atë periudhë, Vatra rrëmbeu zemrat dhe mendjet e shqiptarëve dhe u fut thellë në shpirtin e tyre, madje kaq thellë sa nuk mund ta harronm as brezi i imigrantëve të parë që e krijoi atë shoqatë, as brezat që pasuan 20, 40 dhe 60 vjet më vonë, deri në ditët tona. Vatra dhe Dielli u bënë fanar i shkëlqyer që ndriçonte rrugën e shqiptarëve në atë periudhë të artë, dhe trumbetë e fuqishme që ndizte zemrat e tyre flakë me ndjenjat e atdhedashurisë. Oshëtimat e asaj trumbete nuk heshtën, nuk u tretën në hapësirë, por tingëllojnë edhe sot në veshët e shqiptarëve.
Jeta e Vatrës është paralele me jetën e Shqipërisë moderne. Të dyja kanë një moshë. Prandaj, kur kujton apo bisedon për Vatrën, shqiptari dashur pa dashur e lidh emrin e saj me kombin shqiptar, me vendin e origjinës së tij. Dhe, sikundër ai dëshiron që të rrojë Shqipëria, po ashtu dëshiron – ndofta pa e kuptuar dhe ai vetë – të rrojë edhe moshatarja e saj, Vatra. Kjo ndjenjë fisnike i ka nxitur shqiptarët ta mbajnë gjallë këtë shoqatë famëmadhe për më se 80 vjet.
Kur kujton apo bisedon për Vatrën dhe Diellin, shqiptari, gjithashtu, kujton menjëherë emrat e nderuar të Fan Nolit, Faik Konicës si edhe të veteranëve të tjerë që themeluan Vatrën dhe punuan natë e ditë për Shqipërinë. Prandaj, respektin dhe admirimin që ka për Nolin dhe Konicën, ai e ndan me Vatrën, që është krijesa e tyre dhe thesari që u lanë trashëgim shqiptarëve. Këtë trashëgim shqiptarët e kanë ruajtur si amanet, dhe kjo ka ndihmuar për t’ia zgjatur jetën Vatrës nga një brez te tjetri.
Shqiptari e sheh Vatrën jo si një shoqatë të thjeshtë, por si një institut, apo monument historik. Si e tillë, ajo qëndron përmbi interesat lokale, të kufizuara dhe kalimtare të këtij ose atij grupi. Ndonëse është marrë me politikë – se me politikë u angazhua edhe Skënderbeu dhe Ismail Qemali – ajo shihet gati si simbol kombëtar, që përfaqëson dhe bashkon të gjithë shqiptarët, pa dallim. Ja një tjetër arsye që shpjegon jetëgjatësinë e Vatrës dhe DIELLIT.
Dielli është regjistri më i vjetër i jetës kolektive të shqiptarëve të Amerikës. Në faqet e tij është shkruar gati gjithë historia e tyre, që kur zbarkuan imigrantët e parë dhe deri te imigrantët e fundit. Vetë ky fakt i lidh ata me Diellin dhe Vatrën në një mënyrë intime, të ngrohtë, pak a shumë ashtu siç lidhen njerëzit me shokë e miq të vjetër dhe të paharruar. Edhe ky fakt ka lojtur rol në jetëgjatësinë e Vatrës.
Ka edhe një arsye tjetër që shpjegon misterin e lashtësisë së pashembullt të Vatrës. Ky është faktori semantik apo gjuhësor që ka të bëjë me vetë emrin e Vatrës dhe të organit të saj. Fjala “Vatra” tingëllon bukur në vesh, mbasi na sjell para syve imazhc të këndshme e të dashura si oxhakun e shtëpisë, zjarrin e ngrohtë, rrethin familjar, zakonet e mikpritjes dhe bujarisë. Po ashtu fjala “Dielli” na tërheq si një magnet, sepse “diell” do të thotë dritë, energji e pasosur, jetë e gjallëri. “Vatra” dhe “Dielli” janë emra të goditur, që i kanë tërhequr shqiptarët qysh nga fillimi i shekullit 20 dhe deri te pragu i shekullit 21, ku kemi arritur.
Nga diskutimi i sipërm del se jetëgjatësia e Vatrës dhe Diellit, sado e çuditshme që duket në sipërfaqe, nuk është mister i pazgjidhshëm. Vatra dhe Dielli kanë rrojtur dhe rrojnë mbasi ato janë të lidhura ngushtë qoftë me jetën e jashtme, kolektive të shqiptarëve (është fjala për punët e mëdha që kanë bërë nëpërmjet Vatrës), qoftë me jetën e tyre të brendshme, me ndjenjat shpirtë- rore dhe emocionale, me krenarinë dhe nostalgjinë për të shkua- rën, me gjithë historinë e tyre në Amerikë.
* Peter R. Prifti, ishte editor I Diellit dhe sekretar I VATRES. Ky artikull u botua DIELLI, Nju Jork, numri janar-shtator 1994.)

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Dielli 109 Vjec, ditelindja, peter R Prifti

NJU JORK- EKSPOZITA:”BREATHING NEW LIFE”-FRYMEMARRJA E JETËS SË RE”

February 14, 2018 by dgreca

1 Teuta

U ÇEL NË NJU JORK EKSPOZITA:”BREATHING NEW LIFE”-FRYMEMARRJA E JETËS SË RE”/

2 agimi

-FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKËS, SPONSORE E AKTIVITETIT, VLERESOHET ME MIRENJOHJE-/

1 Me Teuten Vatranet

NGA DALIP GRECA/*

Në vijim të veprimtarive që po organizohen në Nju Jork në drejtimin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës, të Martën me 13 Shkurt në mbrëmje, u çel, në mjediset e Konsullatës së Kosovës në Nju Jork, ekspozita fotografike e dy fotografëve të njohur kosovarë  Shkëlzen Rexha dhe Arben Llapashtica. Ekspozita, me pamje nga paslufta, nga historia, natyra, zejet, veshjet, traditat, titullohej “Breathing New Life”- Frymëmarrja e Jetës së re.

Në prani të një numëri të madh pjesmarrësish, diplomatë dhe drejtues të komunitetit shqiptar,- Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, zonja Teuta Sahatçija, bëri një retrospektivë të asaj çfarë kishte ndodhë në kohën e Millosheviçit, në vitin 1989, kur Parlamenti i Kosovës ishte mbyllë, po ashtu shkollat, dhe institucionet e tjera.Artistët, mësuesit, inxhinierët e mjekët i flakën nga puna, apartejdi u vendos në Kosovë për një dekadë. Natyrisht nuk ishte koha e artit dhe artistëve. Ishte koha për të rezistuar e për të mbetur gjallë. Këto vite do të kujtohen si vitet më të errëta të historisë në qendër të Evropës.

Diplomatja Sahatçija tha se Serbia synonte të shfaroste shqiptarët e Kosovës. Veprimi i përbashkët i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, NATO-s dhe botës progresive, së bashku me ndihmën e madhe dhe të vazhdushme të Diasporës, i dha fund asaj çmendurie, në mbyllje të shekullit 20-të.

Sot,theksoi Konsullja e Përgjithshme , Kosova është shtet i lirë dhe feston 10 vjetorin e pavarësisë. Është koha për festim, koha për shpresë, është koha edhe për artistët.

Më pas kryediplomatja e Kosvës në Nju Jork, tregoi se si Misioni i Kosovës në Nju Jork, po e shënon këtë përvjetor  të veçantë me një axhendë shumë ambicioze. Pas koncertit të fëmijëve të shkollave, që nisi në Alba Life, veprimtaritë vijuan me turneun e futbollit, me pas me një diskutim shumë të veçantë në nivel të lartë folësish dhe pjesmarrësish, për rrugën e Kosovës drejt Pavarësisë,për të vazhduar me ekspozitën “Breathing Neë Life”.

Duke iu referuar ekspozitës ajo ndër të tjera tha: Nëpërmjet lenteve të dy fotografëve të njohur kosovarë Shkelzen Rexha dhe Arben Llapashtica, kjo ekspozitë synon të paraqesë vendet e bukura të Kosovës, arkitekturën, kulturën, ngjarjet, zanatet praktike, emocionet, mesazhet, shpresat dhe shumë më tepër.

Ajo theksoi se e kishte ndjekur prej shumë vitesh punën artistike të Shkëlzen Rexhës e Arben Llapashticës dhe se ishte dëshmitare e rritjes kreative dhe artistike të tyre.Ajo iu referua një fotoje të famshme të Shkelzenit, realizuar në pjesën e vjetër të Gjakovës, mbuluar me dëborë, me kullën e Sahatit në qendër, që simbolizon lëvizjen e përjetshme dhe jetën. Xhamia e vjetër në të djathtë dhe kisha e vjetër e Shën Anthony të Padovës si dhe katedralja e re katolike, në të majtë të kullës së Sahatit, ka një simbolik të fuqishëm artistik të harmonisë së natyrës dhe harmonisë fetare, të zakonshme mes shqiptarëve që ndajnë 3 besime fetare. Kjo foto, tha ajo, u zgjodh nga Misioni ynë, si motivi i vitit të kaluar për sezonin e festave dhe jam e sigurt se shumica e Misioneve në Nju Jork e kanë atë në dhomat e tyre.

Duke iu referuar artistit tjetër, Arben Llapashtica, ajo tha se Arbeni,  nuk ka nevojë për ndonjë ekspoze të veçantë, pasi puna e tij e bëri të njohur dhe të vlerësuar në Kosovë dhe jashtë kufijve të saj. Fotot e tij fiksuan dhe regjistruan lëvizjen, muzikën, emocionet. Profesionalizmi i tij për zgjedhjen e këndeve dhe dritave mbi Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Kështjellën e Novobërdës, Xhaminë e Ferizajt dhe Kishën Ortodokse, që ka të njëjtin terren, e bën atë mjeshtër të profesionit të tij.

Këta dy artistë po ndërtojnë kronikat e Kosovës duke shënuar bukuritë dhe zhvillimet me të cilat ballafaqohet shteti ynë i ri, tha Sahatçija. Duke i falenderuar artistët, ajo e përfundoi fjalën e saj:Jemi të nderuar të kemi këta dy artistë të mirënjohur mes nesh për të festuar së bashku ditëlindjen e  10-të të Shtetit të Kosovës në Nju Jork.

Konsullja e Përgjithsme e Kosovës falenderoi sponsorët e kësaj ekspozite, duke thënë se: Kjo Ekspozitë nuk do të realizohej pa ndihmën bujare të Diasporës sonë dhe dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për të falënderuar:

Harry Bajraktari, Cafo Boga, Federata Pan Shqiptare Vatra, Shoqata Shpresa, Restorani Alora për kontributin e tyre.

Në fund për sponsorët u shpërndanë Mirënjohje. Mirënjohja për Federatën Panshqiptare të Amerikës iu dorëzua zv/Kryetarit të Vatrës, z. Agim Rexhaj, i cili në emeër të kryetarit të Vatrës, z. Dritan Mishto, uroi 10 vjetorin e Pavarësisë,falenderoi organizatorët e veprimtarisë dhe dy artistët.

*Per me shume fotografi shkoni ne Facebook

 

Filed Under: Featured Tagged With: "BREATHING NEË LIFE"-FRYMEMARRJA E JETËS SË RE", dalip greca, Ekspozita

17 të vdekur në një shkollë të mesme të Floridës

February 14, 2018 by dgreca

-Kush eshte Nikolas Cruz, personi i dyshuar si autor i incidentit të tretë më të rëndë me armë zjarri në mjedise shkollore në historinë e Shteteve të Bashkuara/

Autoritetet thonë se 17 persona kanë humbur jetën në një shkollë të mesme në Floridën jugore dhe se personi që dyshohet se qëlloi me armë zjarri është arrestuar.Policia u vu në alarm pas të shtënave brenda shkollës Marjory Stoneman Douglas në Parkland, që ndodhet në një zonë të qetë nënurbane në veriperëndim të qytetit Fort Lauderdale, dhe nisi kërkimin për personin e armatosur, ndërkohë që dhjetra nxënës e mësues qënronin të ngujuar brenda klasave.

12 veta u vranë brenda shkollës ndërsa 3 të tjerë jashtë saj. Dy persona vdiqën në spitalet e zonës.

Të shtënat filluan menjëherë pas mbarimit të mësimit. Policia njoftoi se e kishte arrestuar personin e dyshuar, i cili është identifikuar me emrin Nicolas Cruz.

Zyrtarët thanë se nuk kishin qenë në dijeni të ndonjë kërcënimi që mund të ishte bërë para ngjarjes.

Policia dhe punonjësit e ndërhyrjes së shpejtë rrethuan zonën dhe pamjet televizive tregonin nxënësit që dilnin nga klasat duke u larguar me të shpejtë nga vendi i ngjarjes.

Presidenti Trump dërgoi përmes Twitterit ngushëllimet e tij për familjet e viktimave. “Asnjë fëmijë, mësues apo çdokush tjetër nuk duhet të ndihet kurrë i pasigurtë në një shkollë amerikane,” shkruante ai.

PO KUSH ESHTE VRASESI?

Nikolas Cruz, personi i dyshuar si autor i incidentit të tretë më të rëndë me armë zjarri në mjedise shkollore në historinë e Shteteve të Bashkuara, po pëshkruhet si një djalë i ri me probleme, i cili ishte përjashtuar nga shkolla për probleme disiplinore. Sherifi i komunës Browards, Scott Israel pohoi se 19-vjeçari ishte përjashtuar nga shkolla e mesme Marjory Stoneman Douglas në qytetin Parkland të Floridës, por shtoi se nuk ishte në dieni të hollësive. Victoria Olvera, nxënëse në vit të tretë në këtë shkollë tha se Cruz ishte përjashtuar vjet, pasi ishte zënë me të dashurin e një vajze me të cilën ishte shoqëruar më parë. Joshua Charo, i cili e kishte pasur në klasë 19-vjeçarin Cruz, tha se ai ishte përjashtuar për zënka fizike dhe sepse kishte ardhur në shkollë me plumba në çantë. Shefi i Arsimit për komunën Broward, Robert Runcie tha se nuk ishte në dieni se Cruz ishte parë si kërcënim në shkollë, por mësuesi i matematikës, Jim Gard tha për gazetën Miami Herald se i kujtohej një email që kishte marrë nga drejtoria e shkollës ku mësuesit…

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: 17 të vdekur, në një shkollë të mesme, të Floridës

GJON MILI U SHUA DITËN E SHËN VALENTINIT

February 14, 2018 by dgreca

MJESHTRI I MADH I FOTOGRAFISË, GJON MILI ISHTE VATRAN/

1 Gjon Mili ok*34 VJET NGA SHUARJA E GJON MILIT, MJESHTRI TË MADH TË FOTOGRAFISË BOTËRORE , VATRANIT QË PUNOI mË SHUMË SE NJË DEKADË NË RADHËT E VATRËS/

2 Gjon Mili

*Mjeshtri i madh i fotografisë Botërore, vecanërisht asaj artistike, shqiptari i shquar Gjon Mili, erdhi në SHBA më 1923, i sponsorizuar nga dajua i tij, Kocho Chekani. Ai ra në kontakt me Faik Konicën dhe vatranët e tjerë sapo shkeli në Amerikë./

1 Mili Konica

Ne Foto: Delegate te Kuvendit te Vatres me 1926.Gjon Mili, lart- ne kembe, i pesti, me dore mbi supin e Faik Konices./

*E kujtojmë me rastin e 14 Shkurtit, ditës së ndarjes nga jeta, atë që i dha emër Kombit Shqiptar përmes fotografisë.
* Gjon Mili ishte për një mandate arkëtar I Federatës VATRA.
Nju Jork, 14 Shkurt- Si Sot 34 vite të shkuara, ndërroi jetë mjeshtri më i madh i fotografisë, veçanërisht asaj artistike, dhe i pari përdorues i flashit elektronik në fundvitet ‘30,(1937) shqiptari me famë botërore, Gjon Mili.
Ai u shua pas një sëmundje të rëndë të mushkërive, që për shkak të rëndimit nuk arriti ta kapërcente. Dha shpirt në Courtland Garden, në Stamford, Connecticut. Shërbimet mortore u kryen në Manhattan, qendra metropolitane e famshme në të gjithë botën, veçanërisht për galeritë dhe muzetë, ku Mili kishte shkëlqyer, duke punuar gati katër dekada për revistën e njohur”LIFE”.
Atë të premte shkurti të vitit 1984, në shtëpinë mortore Frank E. Campbell, në 81 Street dhe Madison Avenue, ne Manhattan-NY, kishte fare pak shqiptarë. Vlen të përmendet mikja e tij, zonja e Vatrës, kryetarja degës së për Nju Jork –Nju Xhersi dhe zëvendës/kryetare e Federatës, gazetarja dhe Shkrimtarja Nexhmije Zajmi, që ishte një nga shqiptarët e pakta që nuk i ishte ndarë deri në çastet e fundit të jetës.
Po përse u ndodhën aq pak shqiptare rreth arkivolit të mjeshtrit, ndërkohë që në dekadën e parë të ardhjes së tij në Amerikë, i riu Gjon Mili kishte shpenzuar shumë kohë për çështjen Kombëtare dhe qe me aq krenari e kishte përdorur emrin e vet shqiptr GJON?!
Mili, i inkuadruar në rradhët e Vatrës sapo shkeli ne SHBA, ishte një ambasador energjik i çështjes Shqiptare. Nga viti 1923 e deri në mesin e viteve ’30, atë e gjejmë nëpër shumë veprimtari të Vatrës, herë si vatran i thjesht, herë si arkëtar i përgjithshëm i Federatës Vatrës, herë veprimtar i Kryqit të Kuq Shqiptar, herë kryetar apo sekretar i mbledhjeve të Vatrës, konkretisht i degës 42 në Pitsburgh në PA, herë si reporter, herë shoqërues i artistëve të famshëm amerikanë- miq të Shqipërisë, që jepnin koncerte nëpër shtete të Amerikës me repertor shqiptar etj.
Në specialen që ka botuar Dielli jeni njohur me detaje të jetes se Gjon Milit, kujtimet e tij për të atin, që siç shkruante Mili- ishte me sjellje prej aristokrati te lindur, por që u nda nga jeta shpejt(1917), duke e lënë jetim Gjonin adoleshent, për nënën e tij Viktori, që kishte studiuar për mësuese, për martesën me ndërmjetës të prindërve te tij, për xhaxhanë Hristo-n, për motrën Costanca e vëllanë Vasil, për dajon Kocho, që e sponsorizoi udhëtimin e tij në SHBA, për njohjen me Faik Konizën dhe vatranët, miqësia me kryetarin e Vatrës dhe editorin e mesviteve ’20, Aqile Tasi, letërkëmbimi me Kryetarin e Vatrës të viteve ’60 Kristo Thanas, kontributi në gazetën Dielli etj…

Ish nenkryetar i federates Panshqiptare te Amerikes, Sergio Bitici, i tha gazetes Dielli: Me rastin e funeralit te Gjon Milit, ne Joseph Campbell Funeral Home, me 1984, kane qene  Vetem tre Shqiptar, te tre prej Vatres. Nexhmije Zaimi, Tonin Mirakaj dhe Sergio Bitici.
Nexhmija, kujton Sergio,  na tha se Gjon Mili, ne vitet tridhjeta ka organizuar vallet popullore, ne Panairin Boteror, i mbajtur ne Flushing, Queens,NY. Ajo gjithashtu me ka thene se Gjon Mili kishte nje emer te gjate Rumun prandaj eshte
Konsultuar me Faik Konitzen per nderrimin e emrit me nje emer te bukur dhe me karakteristik Shqiptar. Konitza ia rekomandoi emrin Gjon.Gjon Mili ka patur burs nga Vatra, por vitet e fundit te jetes se tij nuk ishte ne terma te mira  me Vatren. As Nexhmija nuk e dinte arsyen, por ajo, sadoqe ishte Vatrane e dedikuar, mbante anen e Gjonit.

Le te jene keto pak radhe KUJTESE per Mjeshtrin e Madh…(d greca)

 

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, GJON MILI, u shua me 14 Shkurt

ISMAIL KETA, 3 HERE KAMPION BOTE NE KIK BOKS, VIZITOI VATREN

February 14, 2018 by dgreca

Në mesditën e 13 shkurtit 2018, erdhi  për vizitë në Selinë Qëndrore të Federatës Panshqitare të Amërikës Vatra  në NY,  tri herë kampioni i botës ne kikboks, bashkatdhetari i nderuar Ismail Keta.  Ai u prit nga Kryetari i Vatrës Zoti Dritan Mishto, antari i Kryesisë  Zef Balaj, Financieri i Vatrës Marjan Cubi, Editori i Diellit Dalip Greca,  antari i Këshillit Drejtues  Cezar Ndreu dhe ish i burgosuri politik i rregjimit totalitar Pëllumb Lame.

1 Keta qesh1 ok Ismail Tavola1 ne kembe1 Ismail Dritan11 Pellumb Ismailo1ademi filmon1 dritani keta1 dalipi flet1 asllan Ismail1 zef Ismail1 Ismail Dritan11 a ok ne Kembe

Për ti larguar emocionet e forta  që Ismaili përjetoi  që në hyrje të sallës pritjes, Kryetari i Vatrës Z. Dritan Mishto, pasi e njohu me të pranishmit i tha :”I nderuar Ismail, ke ardher ne shtëpinë tënde dhe  në tavolinën e karrigen tënde se Vatra është e të gjithë shqiptarëve. Ne krenohemi me arritjet tuaja në sportin e kikboksit dhe jemi të nderuar me praninë tuaj fizike sot në Vatër. Do të dëshironim të dëgjonim  nga goja juaj se si arritët të bëheni kaq i suksesëshëm?”

Ismaili, në clirim e sipër  nga emocionet, theksoi se  gjyshi i tij ka qenë e mbetet një idhull  për te. Ai  në një farë forme ,-thotë Ismaili, ka qenë  mësimdhënësi  i  parë  për  formimin moral e atdhetar, por edhe pikë referimi në sukseset  e mëtutjeshme  në jetë. Nëpërmjet odës burrave, gjyshi  më mësoi se burri për nderë, karakter dhe burrëri nuk duhet të ndalet. Kam patur prirje për të mësuar historinë e Kombit tonë që në fëmijëri se  sic thashë , gjyshi më fliste me shumë dashuri që nga luftërat e Skënderbeut, luftërat kundër fqinjëve grabitqar, për udhëheqës e heronj të Kombit, madje edhe për Vatrën të cilën po e vizitoj sot me shumë dashuri. Pra e thënë shkurt në formimin e karakterit të fortë ka ndikuar familja dhe oda e burrave.

Në formimin tim sportive (është pak për të qeshur, por do ta them pa doreza),kanë ndikuar si piknisje dy filma artistik fillimisht “Spartaku” dhe më pasi “Roki”, nisur nga të cilët, fillova të mendoj se edhe unë mund dhe  duhet të bëhem i fortë si kata heronj filmash. Për të realizuar këtë ëndërr rinore mora një pjesë të një sendijeje të vjetër (ndenjëse) zetori, adoptova dorezat  duke i mbushur me lesh dhije dhe fillova të stërvitem intensivisht.  Por kjo nuk ishte e mjaftueshme sepse nuk kasha  shkollë  të formimi sportiv, e thënë ndryshe nuk njihja teknikat e  përsosjes dhe performancës sportive.  Kështu mora rrugën e mërgimit për në Gjermani  ku i  gjeta të gjitha ,  vend të cilin e dashuroj, se më bëri  njeri të nderuar e respektuar nga shoqëria  dhe sportist tri herë kampion bote  në sportin e kikboksit.

Në vazhdim Kryetari i Vatrës Zoti Mishto i tha Ismailit se edhe këtu në komunitetin shqiptro-amerikan, kemi shumë të rinj që kanë dëshirë te merren me sport dhe konkretisht me kikboksin;  cfarë ndihmese mundeni  Ju   të na jepni me përvojën tuaj të madhe?

Si hap i parë- vazhdoi  Ismaili, kam ardhur këtu në Amerikë  të bisedoj me drejtuesit më të lartë të këtij sporti dhe me trajnerët më të mëdhenj botëror  që kanë stervitur Muhamet Ali dhe Tayson, për mundësinë e një ndeshje të vëllait tim Xhetan Keta në ringjet më prestigjoze të botës.  Xhetani është një sportiest shumeë i talentuar dhe i përmasave botërore. Shpresoj se kjo do të bëhet e mundur në një kohë prej tre-katër muajsh, kështu rinia shqiptaro-amerikane e vatranët e rinj do të kenë mundësinë të  shohin  me sytë e tyre  një evendiment kaq të madh. Hapi tjetër në vijim, mund të kontaktojmë me fëmijët shqiptar që ndjekin shkollat e gjuhës e historisë  shqiptare për të cuar tek ata  frymën e të marrurit me sport dhe së fundi  ne në bashkpunim me Vatrën mund të shikojmë në të ardhme edhe mundësinë e ngritjes së ndonjë shkolle të vecantë të kikboksit këtu në Amerikë.

Kryetari i Vatrës Dritan Mishto,  Zef Balaj, Marjan Cubi,  Dalip Greca, Cezar Ndreu, Pëllumb Lamaj dhe unë, e falenderuam përzerërsisht sportistin e përmasave botërore dhe  atdhetarin e mirënjohur Ismail Keta për prezantimin e ideve të tij për të ardhmen dhe e siguruam se Vatra dhe komunitetit ynë do ta mbështes  fort ate ne bërjen realitet të ketyre ideve shumë të vlefshme.

Në vazhdim Zoti Keta shprehu dëshirën që  në se ishte e mundur  të njihej më gjërë me historinë e Vatrës në këto 106 të jetës së saj dhe programet për të ardhmen. Me shumë këaqësi  ja plotësuan këtë dëshirë , të cilën si shenjë kujtimi të paharruar për vizitën në Vatër, ai e filmoi për tu cmallur me të  dhe për tju a  treguar edhe familjarëve e miqve të tij  se sa punë e kujdesëshme dhe e madhe bëhët këtu për dashurinë për atdheun dhe shqiptarinë. Në të njejtën kohë edhe ne patëm mundesinë të njohim më nga afër jo vetëm tri herë kampionon botëror të kikboksit, por edhe atdhetarin shumë të nderuar e të respektuar Ismail Keta.

ASLLAN  BUSHATI

Filed Under: Featured Tagged With: 3 here kampion, asllan Bushati, ismail keta, vizite ne Vater

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 442
  • 443
  • 444
  • 445
  • 446
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT