• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Meta:Keqardhje për votën e Shqipërisë kundër mikut tonë më të madh!

December 22, 2017 by dgreca

Letër e Presidentit Meta dërguar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump/

1 Meta Leterilir-meta-720x479

Tirane, 22 dhjetor 2017/

I nderuar Zoti President,

Ju falënderoj shumë për urimet e përzemërta që më dërguat me rastin e kremtimit të 105-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së vendit tim!

I vlerësoj jashtëzakonisht shumë mesazhet Tuaja inkurajuese, veçanërisht për marrëdhëniet tona të forta, të mishëruara në partneritetin strategjik e dëshiroj, me këtë rast, të shpreh sërish mirënjohjen për mbështetjen e vyer që Ju dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i jepni Shqipërisë në rrugën e reformave, në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës e kontrollit të kufijve, sfida që lidhen ngushtë me sigurinë kombëtare të vendit tim, të rajonit të Ballkanit dhe të pellgut të Mesdheut.

Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë për miqësinë e fortë që SHBA i ka ofruar Shqipërisë dhe shqiptarëve për më shumë se një shekull dhe Ju siguroj se Shqipëria do të vijojë të jetë aleat e partner besnik në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ekstremizmit të dhunshëm, si dhe do të kontribuojë gjithmonë për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore. Si anëtare në NATO, Shqipëria do të vijojë të jetë aleate aktive, kudo ku kërkohet kontributi i saj.

I dashur President Trump,

Dëshiroj të shpreh keqardhjen e madhe për votën e Shqipërisë dje në OKB kundër aleatit dhe mikut tonë më të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo votë është marrë pa asnjë konsultim paraprak me institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe as me Kuvendin e Shqipërisë dhe nuk pasqyron qëndrimin dhe vullnetin e popullit dhe kombit shqiptar, i cili nuk harron dhe nuk do të harrojë asnjëherë mbështetjen e SHBA në momentet më të vështira të ekzistencës së tij.

Do të kërkoj personalisht shpjegime dhe sqarime për këtë qëndrim dhe vendim të qeverisë që bie ndesh me marrëdhëniet e partneritetit tonë strategjik dhe interesat tona kombëtare.

Me urimet më të mira për festën e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri 2018, për shëndetin e lumturinë Tuaj dhe të familjes Tuaj, për më shumë begati, zhvillim e përparim për Shtetet e Bashkuara dhe popullin amerikan, Ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!

Me respekt,

Ilir Meta

Filed Under: Featured Tagged With: derguar Presidentit Trump, keqardhje, Leter e Presidentit Meta, per voten kunder

Kantautori Vlashent Sata shkëlqen në Nju Jork

December 22, 2017 by dgreca

1 ok VlashentMbrëmjen e së Enjtes të 20 Dhjetorit 2017, në Scandinavia House – Park Avenue, Manhattan, koncerti i kantautorit, pedagogut në Paris, Vlashent Sata, ka arritur të bëjë për vete shqiptaro-amerikanët.Një koncert i shkëlqyer, kur artisti shqiptar me performancë pariziene, nga minuta e parë ka qenë në rezonancë me sallën e mbushur plot dhe ka lënë “peng” shpirtin e tij për spektatorin e përzgjedhur me ftesa nga konsullata e Kosovës në Nju Jork dhe me kontribut nga Studio e Fadil Berishës.1 ok Teuta

Mbrëmjen koncertale e ka celë konsullja e përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork, zonja Teuta Sahatciu.

1 agimiKantautori pas një vetëprezantimi origjinal,ia ka nisë koncertit me këngën “Këmbëzbathur”, duke udhëhequr orkestrën unike(që ishte nga kënga e pare deri tek fundit tepër e unifikuar) fillimisht duke luajtur në kitarë e më pas në piano.Koncerti rrjedh ëmbël në shtratin që nga “Këmbzbathur”, “Celesh”, “E di unë”, “Djemtë e Balonave”, “Lule-Lule”,” Bab”, “Kasollja”, “Në Botën Tonë”, “Embël”, “Hana”, deri tek kënga e fundit”Erdhi dita”.

Gjatë të gjithë koncertit Vlashenti komunikon me sallën jo vetëm me këngën por edhe me rrëfimet e tij emocionuse rreth jetës dhe karrierës së tij.

Edhe në bisedën që zhvilloi në fund të koncertit me TV Kultura Shqiptare dhe Gazetën Dielli, kantautori, u shpreh se ndjehej I lumtur, që bashëkatdhetarët e tij e kishin duartrokitur nxehtësisht.

Vlashent Sata ka nisë të fluturojë në krahët e muzikës që në moshën 5 vjecare, tek lunate në piano dhe e regjistronte i ati… Edhe pse është larguar nga Shqipëria sapo kishte përfunduar Liceun Artistik, ai nuk I ka munguar spektatorit shqiptar në Tiranë e Prishtinë. Pas përfundimit të Liceut ai studio për piano në Francë me mjeshtra francezë si Romano Pallottini e Denis Pascal.

Ai ka rrëfyer se vjen nga një familje artistësh: I ati I tij, Loro Sata,që është mentari dhe udhëheqësi I tij në botën e magjishme të muzikës,këngëtar lirik, ka qenë nxënës i Lukë Kaçajt, një nga basët më të mëdhenj që ka njohur konservatori i Moskës në vitin ‘68. Motra e Vlashentit Mariena, është violinë e parë në orkestrën simfonike të Bilbaos në Spanjë, ndërsa motra tjetër Reksi ka mbaruar për violonçel dhe kanto klasike dhe ka qenë pjesë e Operës së Liezhit, në Belgjikë.

Formatin e lartë muzikor dhe talentin Vlashenti e shpalosi gjatë koncertit e mbrëmjes magjike në Scandinavia House – Park Avenue, Manhattan.

Koncertin e ndoqi dhe kryetari I Vatrës, Dritan Mishto, zv. Kryetari Agim Rexhaj me zonjën Laura, anëtarët e kryesisë Zef Balaj dhe Besim Malota, koordinatori I medias Dritan Haxhia e të tjerë.(dalip Greca)

Filed Under: Featured Tagged With: koncert, Konsullata e Kosoves, Vlashent Sata

TRINIA E ATJONIT

December 21, 2017 by dgreca

2 ok Atjon “Ne do ta sundojmë botën me buzëqeshje e punë të pareshtur”/1 Atjon 3U bënë 3 vjet që Atjon Zhiti, student i filozofisë, iku për në Qiell, fare i ri, kur kishte mbushr 19 vjeç, por prania e tij është ndjerë e gjallë mes miqve të shumtë të tij, shoqeve dhe shokëve studentë kudo, jo vetëm në Tiranë, por dhe në universitete të tjera në Itali, në Milanon ku ai studionte, në universitete të Europës dhe të Amerikës, etj, etj, se ndërkaq ai ishte dhe antar i Parlamentit Rinor Europian dhe puonte që “Europa të gjente Europë dhe në Shqipëri” siç i pëlqente të thoshte.

3 vjet. Që si në një asisacion idesh, na bëjnë të mendojmë për një si trini të tij të pandashme, ndjesish dhe bëmash. Ka 3 botime befasuese, me jehonë, një libër me ese, të vlerësuara së tepërmi nga lexuesit dhe kritikët, një album të shkëlqyer me piktura, vegime fëminie dhe të adoleshencës, për të cilin mori dhe një çmim së fundmi në Paris, dhe e treta: mos është kalendari i tij me piktura dhe citate të tij, në tre gjuhë, shqip, italisht e anglisht? Apo koncerti, kushtuar atij, me piano dhe violinë në një kishë të famshme të Romës, ku u recituan pjesë nga shkrimet e tij? Atjoni i kishte rënë dhe flautit, ishte dhe notar i shkëlqyer, angazhohej me filmin… Ç’të themi për veprën e tretë të Atjonit, apo botimet që kanë me ilustrime të tij? kë të zgjedhim? Më mirë të veçojmë  buzëqeshjen e tij, një kryevepër madje, engjëllore, që dinte ta jepte aq çiltërsisht aq sa besonte në atë që thoshte se “ne do ta sundojmë botën me buzëqeshje e punë të pareshrur”. Pra, BUZËSHEJA, PUNA, VAZHDIMËSIA… Mahnitëse! Dhe kjo e bënte dhe serioz, dhe guximtar, dhe të trishtuar, por gjithmonë të bukur. Atë e dashuronin dhe ai dinte të dashuronte.

Që kur ishte 3 vjeç iu botua një vizatim dhe shkruajti dhe një gazetë e huaj.

Student arriti të botojë 3 esetë e para. Madje dolën dhe në median me përtej Shqipërisë e Kosovës, por mbarë shqiptare, së pari në VOAL në Zvicër, në Itali e Angli e deri në SHBA, te “Dielli”.

Gjithashtu përktheu tre autorë, një poete italiane, me vajzën e së cilës u miqësua shumë, përktheu poezi inedite nga një emër i çuditshëm, ideator shqiptar që rrinte me ideatorë të Europës së Bashkuar në kampin e internimit në Ventotenne në Itali, Zai Fundo, që e masakruan në luftë.  Duheshin poezitë e tij e për një antologji që po përgatiste i ati me autorë të pushkatuar, lajmëtarë të Europës e ato u gjetën vetëm në italisht. Së fundmi Atjoni u mor me përkthimin e një prej poetëve më të mëdhenj sot në botë, Adonis, përsëri ndihmonte të atin për një përmbledhje të tij.

Në emër të Atit, të Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, amen!  .

3 ishin dashuritë e Atjonit, dëshmon një shok i tij nga Kosova: vajzat, atdheu, udhëtimet e s’dihej kush ishte e para, të treja të para..

Atjoni humbi jetën në një aksident rrugor, pas një feste, 3 vjet më parë dhe motorin nuk e ngiste ai, por djalli i shfaqur si një shok i shokëve të tij, që s’dihet ku është tani…

Tragjedi e rëndë për prindërit e tij dhe për të gjithë ata që e duan dhe ai vazhdon t’i dojë hyjnisht. Atjoni përsëri sjell dritë agimesh nga lart, të atij agimi që nuk e arriti dot, për të cilin po nxitonin për ta parë se si vërshonte mbi det. Deti i madh i dhëmbjes…

   Me dëshirën që Atjoni të vazhdojë të jetë i pranishëm në DIELLI këto si terncina të vogla, thënie nga Atjoni dhe ç’kanë thënë për të, nga ne, miq të Atjonit, të Edës dhe Visarit.

 3 pjesëza nga traktatet e Atjonit

 1.A JEMI GATI PER ATE QE DUAM?

Kur isha fëmijë

Një ditë vere do të më ndodhte diçka, e cila do ngelej gjithmonë e gërvishtur në kujtesën time. Isha “mysafir” në shtëpinë e një miku të tim eti dhe, papritshmërisht, na ndodhi që një harabel a diçka e ngjashme të përplasej në dritaren, nga e cila po vështronim mendimet tona. Zogut të vogël i ishte thyer krahu dhe, po prapë papritshmërisht, zbulova se një nga pasionet e tashmë mikut tim e jo vetëm të tim eti, ishte ornitologjia dhe detyrimisht dinte gjithçka mbi zogjtë e se si të kuronte krahun e atij. Si çilimi më dukej pabesi e madhe ndaj natyrës që një krijesë kaq e brishte të mos lihej e lirë mbas kurave dhe me insistimin e kokëfortit ngulmoja në çrobërimin e tij, aty në çast dhe pa e ditur mora mësimin e parë mbi vendin tim.

Me një çiltërsi e thjeshtësi të hatashme mu shpjegua se do të ishte mizori t’i jepej liria në atë gjendje atij zogu të pambrojtur dhe i pamundur për t’i përmbushur nevojat vetes. Më përpara se liria, duhej ndihma, kurimi dhe kujdesi, mbështetja e plotë si paralirí ose si pjesë e lirisë utilitare. Këtë po e ndjeja si fëmijë, por si më i rritur, e kam të qartë se liria e vendit tim është e para dhe më e çmuara.

Po a jemi gati për atë që duam?

Plani i madh: sundimi i botës me buzeqeshje dhe punë të pashtershme për të mirën e njeriut,

 BOTA NUK ËSHTË E RRUMBULLAKËT PËR TË GJITHË…

..Duke u endur nëpër Qytetin tim ngelesh gojëhapur, sheh gjithçka, disa herë je i mahnitur dhe në shumicën e rasteve të tjera i vrerosur ndaj mahnitjes karshi shëmtisë, shëmtisë jo vetëm konkrete. Tirana të josh, por si hije ka një bishë që e ka ngërthyer e nuk e lë të lirë dhe është po e njëjta hije që përçudnon atdheun…

Një problem që shkaktohet nga çka shkakton. Rrethi vicioz i qytetërimit tiranak. Baltë, lypsarë, tym, mizerje, kafshë, kalldrëm, arsim, politikë, po prapë kafshë, mjegullnajë kokash, mendime shterpe, art steril, dergjje.

Padyshim që shteti i tillë meriton një lloj asgjësimi dhe çdo element i tij përbërës, pra qeveria, opozita, shtetarët, shtetasit (prej indiferentizmit), institucionet. Drejtësia është ai princip ku çdokush bën vetëm ato gjëra që prej natyre e ligji është thirrur të bëjë. Kur çdo qytetar dhe çdo “klasë” u përmbahet funksioneve të veta në mënyrën më të mirë të mundur, atëherë jeta e shtetit kryhet në mënyrë perfekte dhe kështu kemi pikërisht shtetin e së drejtës. Me këtë kalim mendoj se bëhet i qartë kaosi i shoqërisë sonë, ku tradicionalisht thirreshin për të kryer punë të tjera ata që duhej të përmbushnin detyra të tjera, ku shumëkush nuk bënte punën e tij, ku askush bënte punën e askujt.

KUR U SHPIK 1+1: MIZORIA  QË LULËZON NGA DOBËSIA

 Pse korrupsioni është sistem? Sistem deri në atë pikë që seleksionohen të korruptuarit dhe diskriminohen të ndershmit duke i vendosur në konditat që të mos dëmtojnë me të paparashikueshmen dhe antisistematiken ndershmëri të tyre. Ka një arsye nistore, besoj. Që nuk është pak e vërtetë për të qenë një zbulim i momenteve të fundit. Korrupsioni është një krim ndaj kolektivit, një plagë ndaj të mirave të saj materiale dhe jo. Gjithsesi. Jepet rasti që shoqëria jonë që prej hapjes së tregut të lirë është kthyer në një konglomerat privatësh dhe partikolarësh ku pasioni civil nuk ka zënë rrënjë.                           Kush e bën sot politikën në atdhe? Kampionët e moralit të thyer ose të çalë dhe interpretuesit e modernitetit shqiptariot. Në hipotezën më të mirë ata janë teknikë pa vizion, më shpesh adept punësh që njohin tejmirë rrjetën e relatave që u kanë lejuar të pushtojnë poste dhe fuqi.                                           Shkencat shkojnë para, sepse nuk gabojnë dy herë në të njëjtën mënyrë po ashtu si dhe njerëzimi. Ky qëndrim i ndërgjegjshëm kritik kundrejt vetë ideve tona është diferenca reale midis qenieve me dije dhe qenieve pa shtylle kurrizore. Qeniet me dije gabojnë, por në një mënyrë ndryshe nga jokurrizorët, qeniet me dije janë vazhdimisht të eksituara nga dëshira për të gjetur një gabim tek teoria e vet; me dëshirën për ta asgjësuar sa më shpejt. Ndërkohë jokurrizori vdes bashkë me teorinë e tij të gabuar.                             Fasada është e bukur plot shpresë, rrënjët janë të njëjtat, të kalburat

 3 citate nga “Kalendari 2018” i Atjonit:

– Të bësh të kthehen gjërat në shërbim të lumturisë së njeriut.

 – Kërkimi është zhveshje… Që konflikti të mos jetë torture, por vuajtje intelektuale, mundësisht gëzim. Lumturia është detyrë, por të mos ndjehet si e tillë…

 – Dashuria për dije është e pakohë dhe e tillë do të jetë. Nuk do pranoj çka nuk më pëlqen, por do të mundohem të njoh gjithçka, kohë nuk kam për paragjykime, tabu, etj.

3 THËNIE për Atjonin si djalë:

– Atjoni ishte djali që çdo prind do të donte ta kishte të vetin…

Sebastiano Grasso- Poet, President i PEN Clubit, Milano, Itali

– Nuk kam takuar një të ri kaq të mirë, kaq fisnik dhe kaq të dashur në Shqipëri se Atjoni.

                                                               Robert Elsie

                                             Albanalog kanadez, jeton në Gjermani

– E kam ende të gjallë buzëqeshjen e tij të çiltër, kokën e bukur plot kaçurele të zinj, tek vraponte galerive të Muzeut të Arteve në Vjenë,  për të kapur dhe kuptuar gjithçka mahnitëse të atyre tablove të mjeshërve të mëdhenj, që po vizitonim së bashku. I them këto se nuk është diçka e zakonshme për një fëmijë të moshës së tij ai pasion dhe ajo kureshtje, për të mësuar njëherësh dhe sa më shpejt gjithçka.

Kjo fytyrë e bukur engjëllore…

Helena dhe Ismail Kadare

 

3 THËNIE

për Atjonin piktor:

Atjoni i vogël e ka kuptuar dhe vizatimi i tij është një “strategji politike” e madhe, shumë më serioze dhe konkrete se ato të udhëhequra me forcën e armëve.

Giampaolo Mattei

Një lojë tensionesh dhe harmonish kromatike befasuese të krijuara me kokëshkrepjen dhe guximin tipik për temperamentet krijues. Këto tablo dhe vizatime të arrira janë dëshmitare të heshtura të energjisë, lirisë dhe dëshirës së natyrshme fëminore për të komunikuar.

Gëzim Qendro

Kapja e universit në të gjitha dimensionet. Kjo është fabula e pikturës së tij. I mbërthyer nga ky detaj artistik… ajo tingëllon përtej moshës dhe me tendenca të dukshme ndaj artit modern, abstraksionit apo minimalizmit… Për të fluturuar drejt së pamundurës, përjetësisë…

Gëzim Tafa

 3 THËNIE për Atjonin e shkrimeve:

 – Në shkrimet e Atjonit ka filozofi,  jo si diçka abstrakte, por të lidhur me politikën, jo në kuptimin e politikës sot, por si te grekërit e lashtë, pjesë e jetës, ndërkaq të lidhura aktualitetin…

Mauro Geraci- Antropolog, kritik arti, studiues i letërsisë shqipe, Itali

  – …libri të Atjonit – testamenti i Tij për Shqipërinë, një testament që do t’u drejtohet bashkëmoshatarëve të Tij më fatlume. Ai do të jetë si Ungjilli për ta, mbasi në të janë të gjithë elementët e projektit të Tij për Vendin… Ai projekt do të jetë fari ndriçues i brezit të Tij. Kështu Ai do të jete i pranishëm përherë jo vetëm në kujtesën, por edhe në jetën e përditëshme të popullit të vet, apo më mirë, të pjesës së tij më të mirë…

Eugjen Merlika- Studiues, Itali

– Atjoni e iluminonte poezinë, sepse ai vetë ishte pothuajse një poeme magjike…

Adonis-poet me njohje botërore

Si epilog:

Atjoni qoftë i bekuar tek Zoti dhe sjelltë bekime pa fund…!

                                                                        Skënder Buçpapaj-nga një letër e tij

Filed Under: Featured Tagged With: TRINIA E ATJONIT, ZHITI VISAR

Kryetari i Vatres, Z. Dritan Mishto, darke pune me z. Mark Gjonaj

December 20, 2017 by dgreca

Ne date 19 Dhjetor 2017, Kryetari i Federates Panshqiptare te Amerikes Vatra z. Dritan Mishto zhvilloi nje darke pune me te sapozgjedhurin anetar te Keshilli Bashkiak te New Yorkut z. Mark Gjonaj.Darka e punes ishte tet a tet.
2 Dritani Marku
Te dy zyrtaret diskutuan zhvillimet me te fundit ne komunitet, Shqiperi, Kosove, Mal te Zi, Maqedoni e kudo qe jetojne shqiptaret.
U vleresua momenti historik i ndryshimeve pozitive ne  Vater dhe lidershipi nga nje fryme e re profesionale dhe patriotike e cila garanton sukses per pritshmerite e larta te mbare botes shqiptare per Federaten Vatra.
Vend te vecante ne bisedime pati pozicioni I Federates Panshqiptare Vatra duke evidentuar rolin e Vatres si drejtuese morale, shpirterore dhe e pazevendesueshme e diaspores shqiptare ne Shtetet e Bashkuara dhe ne mbare boten.
Bashkebiseduesit gjeten dakortesi te plote per bashkepunimin ne te ardhmen.
Z. Mark Gjonaj eshte anetar I Federates Panshqiptare te Amerikes Vatra dhe ai eshte krenar per kete fakt, ashtu sic edhe Federata Vatra eshte krenare per suksesin e anetarit te saj.

Filed Under: Featured Tagged With: dritan Mishto, Kryetari i Vatres, Mark Gjonaj, takim

Ja kush është strategjia e re e SHBA

December 20, 2017 by dgreca

Eksluzive per Dielli-n Nga Shefqet&Herion Kërcelli/Fillimi i strategjise.presidenti Trump duke folur para marinareveDetyra e parë e qeverisë sonë është shërbimi për njerëzit e saj, për qytetarët tanë – për t’i shërbyer nevojave të tyre, për të siguruar jetën e tyre, për të ruajtur të drejtat dhe për të mbrojtur vlerat e tyre.-Presidenti Donald J. Trump/

strategjia e re e SHBA

Një strategji e re e Sigurisë kombëtare në një epokë të re:Më pak se një vit pas marrjes së detyrës, Presidenti Donald J. Trump, shpalosi një Strategji të re të Sigurisë Kombëtare, e cila përcakton një drejtim strategjik pozitiv për Shtetet e Bashkuara dhe rikthen përparësitë e pikat e forta të SHBA në botë.

  • Strategjia e Sigurisë Kombëtare 2017, bazohet në 11 muajt e veprimtarisë presidenciale për të rivendosur respektin  e Shteteve të Bashkuara brenda dhe jashtë vendit.
  • Kjo strategji i mundëson Shteteve të Bashkuara të mbrojnë interesat e tyre jetike kombëtare dhe mbështetet në katër interesa vitale kombëtare, ose “katër shtylla” :
  1. Mbrojtja e atdheut, popullit amerikan dhe mënyrës amerikane të jetës;
  2. Promovimi i prosperitetin amerikan;

III. Ruajtja e paqes nëpërmjet forcës;

  1. Përparimi i ndikimit amerikan.

– Strategjia adreson sfidat dhe tendencat kryesore që ndikojnë në qëndrimin e SHBA në në botë, duke përfshirë:

– Fuqitë revizioniste, si Kina dhe Rusia, që përdorin teknologjinë, propagandën dhe shtrëngimin, për të formuar një botë antitetike ndaj interesave dhe vlerave tona;

-Diktatorët rajonalë që përhapin terrorin, kërcënojnë fqinjët e tyre dhe prodhojnë armë të shkatërrimit në masë;

-Terroristë xhihadistë që nxisin urrejtje dhe dhunë kundër të pafajshmëve në emër të një ideologjie të keqe dhe organizatave kriminale ndërkombëtare, që prodhojnë drogë dhe dhunë në komunitetet tona.

-Strategjia shpreh qartësisht dhe parimisht konceptin e Presidentit për cështjet e sigurisë së SHBA.

– Është realiste, sepse pranon rolin qendror të pushtetit në politikën ndërkombëtare, pohon se shtetet e forta dhe sovrane janë shpresa më e mirë për një botë paqësore dhe përcakton qartë interesat tona kombëtare.

– Është parimore, sepse është e bazuar në avancimin e parimeve amerikane, që përhapin paqen dhe begatinë anembanë globit.

I-MBROJTJA E VENDIT, {HOMELANDIT}:

Përgjegjësia themelore e Presidentit Trump është të mbrojë popullin amerikan, atdheun dhe mënyrën amerikane të jetës.

– Ne do të forcojmë kontrollin e kufijve tanë dhe do të reformojmë sistemin tonë të imigracionit për të mbrojtur atdheun dhe për të rivendosur sovranitetin tonë.

– Kërcënimet më të mëdha ndërkombëtare për atdheun janë:

-Terroristë xhihadistë, të cilët kryejnë vrasje mizore, shtypje dhe skllavëri dhe përdorin rrjete virtuale për të shfrytëzuar popullatën e pafajshme, duke i frymëzuar dhe komplotuar ata drejtpërdrejt.

– Organizata kriminale ndërkombëtare, të cilat i furnizojnë komunitetet tona me drogë dhe dhunë, duke i dobësuar aleatët dhe partnerët tanë dhe duke korruptuar institucionet e tyre demokratike.

– SHBA do të parandalojë kërcënimet në burimin e tyre: ne do të përballemi me këto kërcënime përpara se të arrijnë në kufijtë tanë, ose të shkaktojnë dëm për njerëzit tanë.

– Do të dyfishojmë përpjekjet tona për të mbrojtur infrastrukturën tonë kritike dhe rrjetet digjitale, sepse teknologjia e re dhe kundërshtarët e rinj po krijojnë dobësi të reja.

-Ne po vendosim një sistem të shtresuar të mbrojtjes nga raketat për të mbrojtur Amerikën kundër sulmeve të raketave.

  1. PROMOVIMI I PERSPEKTIVËS AMERIKANE:

Një ekonomi e fortë e mbron popullin amerikan, mbështet mënyrën tonë të jetës dhe fuqinë amerikane.

-Ne do të rinovojmë ekonominë amerikane për të mirën e punëtorëve dhe kompanive amerikane, e cila është e nevojshme për të rivendosur fuqinë tonë kombëtare.

-Amerika nuk do të tolerojë abuzime kronike të tregtisë dhe do të ndjekë marrëdhënie ekonomike të lira, të drejta dhe reciproke.

– Për të pasur sukses në këtë konkurrencë gjeopolitike të shekullit  XXI-të, Amerika do të udhëheqë në kërkimin shkencor, teknologjinë dhe inovacionin. Ne do të mbrojmë bazën tonë të inovacionit të sigurisë kombëtare nga ata që vjedhin pronën tonë intelektuale dhe shfrytëzojnë padrejtësisht inovacionin e shoqërive të lira.

– Amerika do të përdorë dominimin e saj të energjisë, për të siguruar që tregjet ndërkombëtare të mbeten të hapura dhe se përfitimet e diversititetit dhe qasjes së energjisë, të nxisin sigurinë ekonomike dhe kombëtare.

III. RUAJTJA E PAQES PËRMES FORCËS:

– Një Amerikë e forcuar, rinovuar dhe rinovuar do të sigurojë paqen dhe do të pengojë armiqësinë.

– Ne do të rindërtojmë forcën ushtarake të Amerikës për të siguruar që ajo të mbetet e pakalueshme.

– Amerika do të përdorë të gjitha mjetet e rezervat shtetërore në një epokë të re të konkurrencës strategjike – diplomatike, informative, ushtarake dhe ekonomike – për të mbrojtur interesat tona.

– Amerika do të forcojë aftësitë e saj në fusha të shumta – përfshirë hapësirën dhe cyber – dhe do të rigjallërojë aftësitë që janë lënë pas dore.

– Aleatët dhe partnerët e Amerikës e lartësojnë fuqinë tonë dhe mbrojnë interesat tona të përbashkëta. Ne presim që ata të marrin përgjegjësi më të madhe për trajtimin e kërcënimeve të përbashkëta.

– Ne do të sigurojmë që ekuilibri i energjisë të mbetet në favor të Amerikës në rajonet kyçe të botës: Indo-Paqësor, Europë dhe Lindjen e Mesme.

  1. INTERESAT AMERIKANE NË BOTË:

Si një forcë pozitive në të gjithë historinë e saj, Amerika do të përdorë ndikimin e saj për të avancuar interesat e saj nëpërmjet të cilave përfiton gjithë njerëzimi.

– Ne do të vazhdojmë të rrisim ndikimin tonë jashtë shtetit për të mbrojtur popullin amerikan dhe për të promovuar begatinë tonë.

-Përpjekjet diplomatike dhe zhvillimore të SHBA do synojnë rezultate më të mira në të gjitha fushat – dypalëshe, multilaterale dhe në fushën e informacionit – për të mbrojtur interesat tona, për të gjetur mundësi të reja ekonomike për amerikanët dhe për të sfiduar konkurrentët tanë.

-Amerika do të kërkojë partneritete me shtete që nxisin ekonominë e tregut të lirë, rritjen e sektorit privat, stabilitetin politik dhe paqen.

-Ne mbrojmë vlerat tona – duke përfshirë sundimin e ligjit dhe të drejtat individuale – që nxisin shtete të forta, të qëndrueshme, të begata dhe sovrane.

  • Politika e jashtme synon prezantimin e SHBA në botë si një forcë pozitive, që ndihmon në vendosjen e paqes, prosperitetit dhe zhvillimin e shoqërive të suksesshme në mbarë globin.

Filed Under: Featured Tagged With: Shefqet&Herion Kërcelli, strategjia e re e SHBA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 455
  • 456
  • 457
  • 458
  • 459
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT