“Ne do ta sundojmë botën me buzëqeshje e punë të pareshtur”/U bënë 3 vjet që Atjon Zhiti, student i filozofisë, iku për në Qiell, fare i ri, kur kishte mbushr 19 vjeç, por prania e tij është ndjerë e gjallë mes miqve të shumtë të tij, shoqeve dhe shokëve studentë kudo, jo vetëm në Tiranë, por dhe në universitete të tjera në Itali, në Milanon ku ai studionte, në universitete të Europës dhe të Amerikës, etj, etj, se ndërkaq ai ishte dhe antar i Parlamentit Rinor Europian dhe puonte që “Europa të gjente Europë dhe në Shqipëri” siç i pëlqente të thoshte.
3 vjet. Që si në një asisacion idesh, na bëjnë të mendojmë për një si trini të tij të pandashme, ndjesish dhe bëmash. Ka 3 botime befasuese, me jehonë, një libër me ese, të vlerësuara së tepërmi nga lexuesit dhe kritikët, një album të shkëlqyer me piktura, vegime fëminie dhe të adoleshencës, për të cilin mori dhe një çmim së fundmi në Paris, dhe e treta: mos është kalendari i tij me piktura dhe citate të tij, në tre gjuhë, shqip, italisht e anglisht? Apo koncerti, kushtuar atij, me piano dhe violinë në një kishë të famshme të Romës, ku u recituan pjesë nga shkrimet e tij? Atjoni i kishte rënë dhe flautit, ishte dhe notar i shkëlqyer, angazhohej me filmin… Ç’të themi për veprën e tretë të Atjonit, apo botimet që kanë me ilustrime të tij? kë të zgjedhim? Më mirë të veçojmë buzëqeshjen e tij, një kryevepër madje, engjëllore, që dinte ta jepte aq çiltërsisht aq sa besonte në atë që thoshte se “ne do ta sundojmë botën me buzëqeshje e punë të pareshrur”. Pra, BUZËSHEJA, PUNA, VAZHDIMËSIA… Mahnitëse! Dhe kjo e bënte dhe serioz, dhe guximtar, dhe të trishtuar, por gjithmonë të bukur. Atë e dashuronin dhe ai dinte të dashuronte.
Që kur ishte 3 vjeç iu botua një vizatim dhe shkruajti dhe një gazetë e huaj.
Student arriti të botojë 3 esetë e para. Madje dolën dhe në median me përtej Shqipërisë e Kosovës, por mbarë shqiptare, së pari në VOAL në Zvicër, në Itali e Angli e deri në SHBA, te “Dielli”.
Gjithashtu përktheu tre autorë, një poete italiane, me vajzën e së cilës u miqësua shumë, përktheu poezi inedite nga një emër i çuditshëm, ideator shqiptar që rrinte me ideatorë të Europës së Bashkuar në kampin e internimit në Ventotenne në Itali, Zai Fundo, që e masakruan në luftë. Duheshin poezitë e tij e për një antologji që po përgatiste i ati me autorë të pushkatuar, lajmëtarë të Europës e ato u gjetën vetëm në italisht. Së fundmi Atjoni u mor me përkthimin e një prej poetëve më të mëdhenj sot në botë, Adonis, përsëri ndihmonte të atin për një përmbledhje të tij.
Në emër të Atit, të Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, amen! .
3 ishin dashuritë e Atjonit, dëshmon një shok i tij nga Kosova: vajzat, atdheu, udhëtimet e s’dihej kush ishte e para, të treja të para..
Atjoni humbi jetën në një aksident rrugor, pas një feste, 3 vjet më parë dhe motorin nuk e ngiste ai, por djalli i shfaqur si një shok i shokëve të tij, që s’dihet ku është tani…
Tragjedi e rëndë për prindërit e tij dhe për të gjithë ata që e duan dhe ai vazhdon t’i dojë hyjnisht. Atjoni përsëri sjell dritë agimesh nga lart, të atij agimi që nuk e arriti dot, për të cilin po nxitonin për ta parë se si vërshonte mbi det. Deti i madh i dhëmbjes…
Me dëshirën që Atjoni të vazhdojë të jetë i pranishëm në DIELLI këto si terncina të vogla, thënie nga Atjoni dhe ç’kanë thënë për të, nga ne, miq të Atjonit, të Edës dhe Visarit.
3 pjesëza nga traktatet e Atjonit
1.A JEMI GATI PER ATE QE DUAM?
Kur isha fëmijë
Një ditë vere do të më ndodhte diçka, e cila do ngelej gjithmonë e gërvishtur në kujtesën time. Isha “mysafir” në shtëpinë e një miku të tim eti dhe, papritshmërisht, na ndodhi që një harabel a diçka e ngjashme të përplasej në dritaren, nga e cila po vështronim mendimet tona. Zogut të vogël i ishte thyer krahu dhe, po prapë papritshmërisht, zbulova se një nga pasionet e tashmë mikut tim e jo vetëm të tim eti, ishte ornitologjia dhe detyrimisht dinte gjithçka mbi zogjtë e se si të kuronte krahun e atij. Si çilimi më dukej pabesi e madhe ndaj natyrës që një krijesë kaq e brishte të mos lihej e lirë mbas kurave dhe me insistimin e kokëfortit ngulmoja në çrobërimin e tij, aty në çast dhe pa e ditur mora mësimin e parë mbi vendin tim.
Me një çiltërsi e thjeshtësi të hatashme mu shpjegua se do të ishte mizori t’i jepej liria në atë gjendje atij zogu të pambrojtur dhe i pamundur për t’i përmbushur nevojat vetes. Më përpara se liria, duhej ndihma, kurimi dhe kujdesi, mbështetja e plotë si paralirí ose si pjesë e lirisë utilitare. Këtë po e ndjeja si fëmijë, por si më i rritur, e kam të qartë se liria e vendit tim është e para dhe më e çmuara.
Po a jemi gati për atë që duam?
Plani i madh: sundimi i botës me buzeqeshje dhe punë të pashtershme për të mirën e njeriut,
BOTA NUK ËSHTË E RRUMBULLAKËT PËR TË GJITHË…
..Duke u endur nëpër Qytetin tim ngelesh gojëhapur, sheh gjithçka, disa herë je i mahnitur dhe në shumicën e rasteve të tjera i vrerosur ndaj mahnitjes karshi shëmtisë, shëmtisë jo vetëm konkrete. Tirana të josh, por si hije ka një bishë që e ka ngërthyer e nuk e lë të lirë dhe është po e njëjta hije që përçudnon atdheun…
Një problem që shkaktohet nga çka shkakton. Rrethi vicioz i qytetërimit tiranak. Baltë, lypsarë, tym, mizerje, kafshë, kalldrëm, arsim, politikë, po prapë kafshë, mjegullnajë kokash, mendime shterpe, art steril, dergjje.
Padyshim që shteti i tillë meriton një lloj asgjësimi dhe çdo element i tij përbërës, pra qeveria, opozita, shtetarët, shtetasit (prej indiferentizmit), institucionet. Drejtësia është ai princip ku çdokush bën vetëm ato gjëra që prej natyre e ligji është thirrur të bëjë. Kur çdo qytetar dhe çdo “klasë” u përmbahet funksioneve të veta në mënyrën më të mirë të mundur, atëherë jeta e shtetit kryhet në mënyrë perfekte dhe kështu kemi pikërisht shtetin e së drejtës. Me këtë kalim mendoj se bëhet i qartë kaosi i shoqërisë sonë, ku tradicionalisht thirreshin për të kryer punë të tjera ata që duhej të përmbushnin detyra të tjera, ku shumëkush nuk bënte punën e tij, ku askush bënte punën e askujt.
KUR U SHPIK 1+1: MIZORIA QË LULËZON NGA DOBËSIA
Pse korrupsioni është sistem? Sistem deri në atë pikë që seleksionohen të korruptuarit dhe diskriminohen të ndershmit duke i vendosur në konditat që të mos dëmtojnë me të paparashikueshmen dhe antisistematiken ndershmëri të tyre. Ka një arsye nistore, besoj. Që nuk është pak e vërtetë për të qenë një zbulim i momenteve të fundit. Korrupsioni është një krim ndaj kolektivit, një plagë ndaj të mirave të saj materiale dhe jo. Gjithsesi. Jepet rasti që shoqëria jonë që prej hapjes së tregut të lirë është kthyer në një konglomerat privatësh dhe partikolarësh ku pasioni civil nuk ka zënë rrënjë. Kush e bën sot politikën në atdhe? Kampionët e moralit të thyer ose të çalë dhe interpretuesit e modernitetit shqiptariot. Në hipotezën më të mirë ata janë teknikë pa vizion, më shpesh adept punësh që njohin tejmirë rrjetën e relatave që u kanë lejuar të pushtojnë poste dhe fuqi. Shkencat shkojnë para, sepse nuk gabojnë dy herë në të njëjtën mënyrë po ashtu si dhe njerëzimi. Ky qëndrim i ndërgjegjshëm kritik kundrejt vetë ideve tona është diferenca reale midis qenieve me dije dhe qenieve pa shtylle kurrizore. Qeniet me dije gabojnë, por në një mënyrë ndryshe nga jokurrizorët, qeniet me dije janë vazhdimisht të eksituara nga dëshira për të gjetur një gabim tek teoria e vet; me dëshirën për ta asgjësuar sa më shpejt. Ndërkohë jokurrizori vdes bashkë me teorinë e tij të gabuar. Fasada është e bukur plot shpresë, rrënjët janë të njëjtat, të kalburat
3 citate nga “Kalendari 2018” i Atjonit:
– Të bësh të kthehen gjërat në shërbim të lumturisë së njeriut.
– Kërkimi është zhveshje… Që konflikti të mos jetë torture, por vuajtje intelektuale, mundësisht gëzim. Lumturia është detyrë, por të mos ndjehet si e tillë…
– Dashuria për dije është e pakohë dhe e tillë do të jetë. Nuk do pranoj çka nuk më pëlqen, por do të mundohem të njoh gjithçka, kohë nuk kam për paragjykime, tabu, etj.
3 THËNIE për Atjonin si djalë:
– Atjoni ishte djali që çdo prind do të donte ta kishte të vetin…
Sebastiano Grasso- Poet, President i PEN Clubit, Milano, Itali
– Nuk kam takuar një të ri kaq të mirë, kaq fisnik dhe kaq të dashur në Shqipëri se Atjoni.
Robert Elsie
Albanalog kanadez, jeton në Gjermani
– E kam ende të gjallë buzëqeshjen e tij të çiltër, kokën e bukur plot kaçurele të zinj, tek vraponte galerive të Muzeut të Arteve në Vjenë, për të kapur dhe kuptuar gjithçka mahnitëse të atyre tablove të mjeshërve të mëdhenj, që po vizitonim së bashku. I them këto se nuk është diçka e zakonshme për një fëmijë të moshës së tij ai pasion dhe ajo kureshtje, për të mësuar njëherësh dhe sa më shpejt gjithçka.
Kjo fytyrë e bukur engjëllore…
Helena dhe Ismail Kadare
3 THËNIE
për Atjonin piktor:
Atjoni i vogël e ka kuptuar dhe vizatimi i tij është një “strategji politike” e madhe, shumë më serioze dhe konkrete se ato të udhëhequra me forcën e armëve.
Giampaolo Mattei
Një lojë tensionesh dhe harmonish kromatike befasuese të krijuara me kokëshkrepjen dhe guximin tipik për temperamentet krijues. Këto tablo dhe vizatime të arrira janë dëshmitare të heshtura të energjisë, lirisë dhe dëshirës së natyrshme fëminore për të komunikuar.
Gëzim Qendro
Kapja e universit në të gjitha dimensionet. Kjo është fabula e pikturës së tij. I mbërthyer nga ky detaj artistik… ajo tingëllon përtej moshës dhe me tendenca të dukshme ndaj artit modern, abstraksionit apo minimalizmit… Për të fluturuar drejt së pamundurës, përjetësisë…
Gëzim Tafa
3 THËNIE për Atjonin e shkrimeve:
– Në shkrimet e Atjonit ka filozofi, jo si diçka abstrakte, por të lidhur me politikën, jo në kuptimin e politikës sot, por si te grekërit e lashtë, pjesë e jetës, ndërkaq të lidhura aktualitetin…
Mauro Geraci- Antropolog, kritik arti, studiues i letërsisë shqipe, Itali
– …libri të Atjonit – testamenti i Tij për Shqipërinë, një testament që do t’u drejtohet bashkëmoshatarëve të Tij më fatlume. Ai do të jetë si Ungjilli për ta, mbasi në të janë të gjithë elementët e projektit të Tij për Vendin… Ai projekt do të jetë fari ndriçues i brezit të Tij. Kështu Ai do të jete i pranishëm përherë jo vetëm në kujtesën, por edhe në jetën e përditëshme të popullit të vet, apo më mirë, të pjesës së tij më të mirë…
Eugjen Merlika- Studiues, Itali
– Atjoni e iluminonte poezinë, sepse ai vetë ishte pothuajse një poeme magjike…
Adonis-poet me njohje botërore
Si epilog:
Atjoni qoftë i bekuar tek Zoti dhe sjelltë bekime pa fund…!
Skënder Buçpapaj-nga një letër e tij