• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HISTORIA E SHKURTËR E NJË KARTOLINE TË VOGËL

July 17, 2017 by dgreca

1 dasmaNGA EUGJEN MERLIKA/

12 korrik 1942, 75 vjet më parë….. Në bashkinë e Barit kryhej ceremonia e martesës së një çifti të ri. Dhëndërri ishte 27 vjeçar e quhej Petrit Merlika, ingjinjer elektrik, i diplomuar në Universitetin e Grenoblit, në Francë. Nusja quhej Elena Gjika, 22 vjeçare, që prej një viti profesoreshë e letërsisë, gjuhëve klasike e filozofisë në liceun klasik të Barit. Dhëndërri ishte djali i parë i Kryeministrit Mustafa Kruja, ndërsa nusja ishte bija jetime e gazetarit atdhetar Sotir Gjika. 1 cifti

Dëshmitarët, nga ana e dhëndërrit, ishin ministrat Mark Gjomarkaj e Shuk Gurakuqi, ndërsa nga ana e nuses ish konsulli shqiptar në Bari e mik i vjetër i dy familjeve, Gjovalin Kamsi dhe ministri i ekonomisë i Qeverisë Kruja, Kostandin Kotte. Historia e lindjes së këtij çifti kishte të pazakontën e saj, për kohën dhe Vendin në të cilin jetonin dy përbërësit e tij. Nuk ishte një lidhje dashurie spontane, e lindur në sallat e studimit të universiteteve, apo në sheshet e qyteteve italiane, por një njohje e drejtuar nga prindërit e dy të rinjve, si pasojë e një përsiatje të gjatë të tyre në rrjedhë të viteve.1 Leter

Mustafa Kruja e Sotir Gjika ishin miq e bashkëpuntorë. Qe ndërhyrja e Sotir Gjikës, atëherë gazetar i së përditëshmes “Corriere delle Puglie”, në mjediset e Konsultës të vitit 1917, që bëri të mundur lirimin nga burgu e internimi që vuante Mustafa Kruja, si pasojë e një dënimi të dhënë nga Esat Pashë Toptani e, i kaluar për zbatim, autoriteteve italiane. Më pas Mustafai u bë kryeredaktori i gazetës “Kuvendi”, të cilën Sotir Gjika e drejtonte në Romë. Ky bashkëpunim vazhdoi deri në dhjetor 1918, kohë kur Mustafai u kthye në Shqipëri, për të marrë pjesë në Kongresin e Durrësit.

Atëherë u ndërpre dhe bashkëpunimi veprues mes atyre dy personazheve të jetës kulturore e politike të Shqipërisë së fillimit të shekullit të 20. Sotiri vazhdoi veprimtarinë e tij publiçistike, ndërsa Mustafai atë politike. Me mbylljen e gazetës “Kuvendi”, Sotiri u shpërngul përfundimisht në Bari, aty ku ishte qëndra e së përditëshmes”Lajmëtari i Puljes”, në krahinën jugore përballë Shqipërisë, e cila ishte dhe ajo e origjinës së bashkëshortes së tij, Angela Lilly Quarta. Ndërsa Mustafai pati peripecitë e tij në vorbullën e politikës shqiptare, në parlamentin e parë e, më pas, në mërgim në Shumadinë jugoslave, mbas dështimit të kryengritjes së Elez Isufit e Zija Dibrës.

U takuan përsëri, tashmë së bashku me familjet, në Krishtlindjet 1924, kur Zogu u kthye në Shqipëri dhe politika kundër zogiste mori rrugën e mërgimit të gjatë, duke filluar me zbarkimin në Bari e Brindisi të Italisë. Aty në Bari lindi djali i katërt i Mustafait, Besimi, ndërsa Sotiri kishte një djalë e një vajzë, Aleksandrin dhe Elenën. Mustafai me familje nuk qëndroi gjatë në Pulje, u shpërngulën në Zara të Dalmacisë, atëherë territor italian. Gjatë një udhëtimi në Shqipëri, më 1923, i dërguar nga gazeta për të hetuar mbi vrasjen mizore të Gjeneral Telinit, Sotiri pësoi një ftohje të rëndë, e cila brënda katër vitesh i mori jetën, në moshën 38 vjeçare.

Vitet kalonin, por kontaktet mes dy familjeve ruheshin dhe sa herë që Mustafait i binte rruga të vinte në gadishull, ai nuk linte rast pa parë familjen e mikut të ndjerë. Gjatë këtyre vizitave ai vinte re dhe rritjen e fëmijëve, sidomos të vajzës së Sotirit, Elenës. Instikti prindëror për të patur një nuse të shkolluar e të fisme për djalin e tij, merrte konture gjithënjë e më të përcaktuara në mëndjen e tij.

Erdhi 1939, pushtimi i Shqipërisë, ikja e Zogut, dhe Mustafai u kthye me gjithë familjen në Shqipëri, duke lënë jashtë djemtë që vazhdonin studimet. I madhi, Petriti, ishte student i Universitetit të Grenoblit, në fakultetin e ingjinjerisë elektrike. Tani vizitat në shtëpinë e së vesë së Sotirit u bënë më të shpeshta, e Mustafai vuri re me kënaqësi se vajza e mikut të tij ishte bërë një zonjushe e bukur që vazhdonte Universitetin e Napolit. Atëherë shpresa e vakët që kishte përcjellë vitet e tij të mërgimit, ajo e një martese të djalit të tij me vajzën e Sotirit, mori shembëlltyrën e një projekti, të cilin ai u zotua plotësisht në vetvete t’a sendërtonte. Bisedoi me të venë e mikut në lidhje me të e gjeti mirëkuptimin e duhur. Atëherë projekti hyri në rrjedhën e tij të zakonëshme, me njohjen e pëlqimin e ndërsjelltë të të rinjvet.

Nga kjo njohje e deri në martesën e 12 korrikut 1942, koha kaloi shpejt. Martesa qe kurorëzimi i një ëndërre të re, të lindur në hapësirën e një ëndërre të vjetër. Sigurisht nga qielli pati bekimin e babait të larguar përgjithmonë, por që gëzohej sepse bija e tij po kthehej të ndërtonte çerdhen e saj në atdheun e tij, për të cilin ai punoi deri në çastet e fundit të jetës. Po të gjitha këto dëshira të lindjes së jetës së re do të përballeshin me një realitet të vrazhdë, deri në mizori, që ishte lufta e dytë botërore dhe fundi i saj me ardhjen e komunistëve në pushtetin e Shqipërisë.

Gjatë luftës çifti i ri  jetoi larg politikës aktive. Mustafai ishte aq shumë i zhgënjyer nga politika saqë i kishte ndaluar familjarëve të tij pjesëmarrjen në të, e ishte munduar të adresonte fatet e tyre në drejtimin e profesioneve. Kështu edhe Petriti, së bashku me dy shokë të tij të shkollës, Petrit Daklin dhe Ismail Topçiun, themeloi një ndërmarrje elektrike e, deri në fundin e luftës, pati veprimtarinë e tij private. Elena qëndronte në shtëpi, ku ndihmonte babain e saj të dytë të vazhdonte punën e tij të vyer me Fjalorin, e ku kujdesej edhe për djalin, Eugjenin, që lindi mbas më pak se dy vjet martese.

Me krijimin e Qeverisë komuniste ndërmarrja u mbyll dhe Petriti mbeti pa punë. Qenë pak muaj papunësie, gjatë të cilëve ai ndonjëherë vente e bisedonte me shokët e tij mbi gjendjen e Vendit. Ishte koha e pregatitjes së zgjedhjeve të reja ku, zyrtarisht, “mund” të paraqiteshin edhe parti të tjera veç F.N.Ҫ. Në një nga ato biseda u trajtua ky vështrim i gjëndjes politike dhe u fol mbi mundësinë e krijimit të një partie të ligjëshme të opozitës. Pak kohë mbas kësaj bisede, Petriti u thirr në Ministrinë e Punëve Botore, ku Ministri Spiro Koleka i njoftoi emërimin në një Degë të posaçme të saj, e cila merrej me llogaritë e ndërmarrjeve italiane që kishin investuar në Shqipëri para dhe gjatë luftës. Detyra ishte mjaft delikate, por Petriti e përballoi me mjaft sukses, duke u munduar t’i linte sa më pak detyrime Shtetit shqiptar kundrejt ndërmarrjeve italiane.

Por ndërsa ai vazhdonte punën e tij intensive në ministri, një ditë të marsit 1946 u arrestua nga Skënder Kosova, njëri prej kuadrove më mizorë të hetuesisë në kohën e tij. Arrestimi befasoi edhe vetë Ministrin Koleka, i cili ndërhyri personalisht tre herë për lirimin e tij, por pa dobi. Në akuzën me të cilën u përball, veç emrit të Mustafa Krujës, ishte biseda e zhvilluar muaj më parë me shokët e tij. Ajo i kushtoi gjyqin e dënimin me 15 vjet privim lirie e punë të detyruar. Ajo kartolinë e vogël që nga një anë ka të pikturuar një peisazh dimri e nga tjetra një frazë drejtuar gruas së tij, është një relike e asaj periudhe të jetës së asaj familje.

Ajo kartolinë ka në vetvete dashuri, dhimbje, mall, por edhe shpresë, kjo e fundit mjeti më i mirë për të përballuar fatkeqësitë e për të mbijetuar edhe atëherë kur jeta normale përbën një mirazh të paarritshëm, edhe atëherë kur vdekja quhet si shpëtim nga e keqja. Ajo mbetet dëshmi e njërit prej miljona çasteve në të cilët kaluan mijëra vetë në Shqipërinë  e regjimit komunist, dëshmi e një drame të fuqishme që luhej në shpirtin e njërit prej tyre, të ndarë përdhunshëm nga dashuritë njerëzore pa i bërë askujt as të keqen më të vogël. Ajo shpreh edhe diçka tjetër veç dashurisë, vlerësimin e besimin tek gruaja shqiptare që, n’ata vite të tmerrshme, dha provën më madhore të gjithë historisë shqiptare, atë të qëndresës familjare e të virtutit vetiak që triumfoi edhe mbi fuqinë e verbër të diktaturës, duke ruajtur vlerat më të mira morale. Edhe Elena, marrësja e asaj kartoline, e flijoi jetën e saj në odisenë e gjatë të kampeve të përqëndrimit, pa çuar kurrë nëpër mend as vetëtimthi, se me një firmë mbi një dokument shkurorëzimi, mund të shpëtonte njëherë e përgjithmonë nga “skëterra shqiptare” e mund të kthehej në Vendin e saj të lindjes, ku kishte familjen e saj e perspektivën e një jetë krejtësisht të ndryshme.

Nuk e dij se si ajo minikartolinë ka dalë nga burgu në dhjetorin e vitit 1946 e se si është ruajtur për më shumë se gjysëm shekulli, në peripecitë e pafund të shpërnguljeve nga një kamp përqëndrimi në tjetrin. Mbas asaj kartoline, n’ato pak fjalë të ngrohta e të sinqerta, qëndron jeta e tre njerëzve. Prandaj ajo kthehet në një relike e mund të shërbejë si e tillë në një muzeum, duke i u folur, me heshtjen e saj, vizitorëve për një kohë plot tragjedi e drama të njohura e të panjohura, që u përplasën mbi kryet e dhjetra mijra njerëzve të pafajshëm, duke shkatërruar të gjithë jetën e tyre. Ajo kartolinë evokon një ndjenjë të madhe, dashurinë, që mbetet ndoshta arma më e fuqishme në përballimin e së keqes, të mizorisë së një pushteti e të një sistemi që ishte ngritur mbi bazën e urrejtjes e të largimit nga Perëndia dhe mësimet e saj.

Korrik 2017

Filed Under: Featured Tagged With: e nie karoline te vogel, Elena Gjika, Eugene Merlin, historia

DY YJE TE NDRITUR MBI SHKUMBIN….

July 17, 2017 by dgreca

…. GENC LEKA E VILSON BLLOSHMI/

 dy poetet

ME RASTIN  40 VJETORIT TE NDARJES NGA JETA/

1 poetet e pushkatur

Nga Agim Xh. Dëshnica/

1 agim deshnica

Ju udhëtarë, ndërsa shkoni rrugës për Librazhd, ndaluni pak pranë përmendores së Gencit e Vilsonit,  hidhni lule e kujtoni me nderim poetët demokratë të lirisë, pasardhësit e denjë të mësuesve atdhetarë. 

Si çdo ditë, në mëngjes herët, edhe më 17 korrik 1977, gra e vajza me drapër në dorë, tek zbrisnin, për në arat e kooperativës së Bërzheshtës mbi  Librazhd, s’kishin dëgjuar, krisma armës në mesnatë,  as nuk dinin se në hijen e malit të Zgarës, ishin pushkatuar dy mësuesit e rinj, Genc Leka e Vilson Blloshmi! Kur kujtohen të dy poetët, shpaloset faqe maleve, bukuria e blertë e Librazhdit, dëgjohet jehona e poezive të paharruara, këngët si vaje të Bërzeshtës, isot e kabatë për vallen e vdekjes me dridhma shtatesh të Rrajcës, në livadhet e përzhitura nga vapa e korrikut.

Në rrjedhat e kohës nga brezi në brez, kujtesa e ngjarjeve të dikurshme, mbart pamje me ngjyrime  mjegullash, ndryshe nga e vërteta e hidhur. Historia e trishtuar e viteve, para e pas luftës, flet, sesi  komisarët me yll të kuq në ballë, tjetërsuan jetën, në qytet e fshat, rrëmbyen tokat e bukës, pronat, shtëpitë, hotelet, teatrot. kinematë e dyqanet, rrënuan e mbyllën xhami, kisha e teqe. Edhe në kohë paqeje, vrasjet e burgosjet vazhduan. Nga shtati i masakruar i poetit Dom Lazer Shantoja, pas sharrimit mizor të gjymtyrëve, u pushkatua çfarë kishte mbetur gjallë.. Më pas vijoi pushkatimi i poetëve Manush Peshkëpia, Trifon Xhagjika, i muzikantit të ri Gramoz Omari, varja barbare në litar e poetit Havzi Nelaj. Nëpër burgje, humbën jetën nga torturat poetët e shkrimtarët Vinçenc Prennushi, Bernardin Palaj, romancieri i parë shqiptar Ndoc Nikaj, dramaturgu klasik Et’hem Haxhiademi e shumë të tjerë. Aso kohe Lidhja e shkrimtarëve, botonte poemat “Enverit” “Me ty Stalin!”, “Strategu i fitoreve Stalini” etj. Pas pushkatimit pa gjyq të 21 burrave fisnikë dhe dijetares Sabiha Kasimati pranë Urës së Beshirit, një turmë e zhurmëshme, u mblodh para Legatës Sovjetike duke brohoritur për Stalinin, Enverin e Bashkimin Sovjetik.

Një përfytyrim i rrejshëm rreket të tregojë, edhe sot, sikur në atë sistem të çoroditur, gjthçka shkonte vaj. Veçse në orë të caktuara ditën, madje, edhe natën qytetarët mbanin radhë për bukë, kos e me raste për një a dy pula, të heshtur e të përulur para shitësit në dyqanet e shtetit. Një filozof gjerman shkruan se edhe populli gabon, madje është fajtor, meriton qeverinë që mban mbi shpinë. Shtetëzim, burgim e pushkatim-fjalë tmerri. Vendim për shembje ndërtesash monumentale – çmenduri  sekretarësh  në komitetet e partisë në qendër e në rrethe. Për të ndalur sadopak dorën e tyre rrënimtare, studiuesit më në zë, botonin hera-herë shkrime  për formimin  e kombit  shqiptar, për kulturën, vlerat etnografike e nd֝ërtimore. E megjithatë zjarri i luftës kundër feve, kanuneve e zakoneve, të trashëguar brez pas brezi, mbahej i ndezur nga poetët e shkrimtarët real.socalistë, të cilët ngrinin lavde për një të krisur me emrin Enver. Mburnin heronjtë e sigurimit të cilët për të mbuluar dështimet në ekonomi, me porosi të partisë, sajonin grupe armiqsh e sabotatorësh.

 Në vitet 70, kur ekonomia e përqendruar po   tronditej në themel, partia vendosi përsëri, të vriste njerëz. Ndaj si ujku në pergjim priste rastin te kapte gjahun e parë. Nisi me poetët, shkrimtarët dhe artistët e lirisë në burgje, kampe pune, e miniera.  Në vitin e zi 1977, u dënuan në kundërshtim me ligjet,   dy poetët  e rinj, me fat tragjik, Genc Leka 32 vjeç e Vilson Blloshmi 29 vjeç, për vargjet, ëndërrimet e  shpresat e tyre djaloshare. Këta poetë të mohuar, e të pambrojtur nga askush, u rrezikuan jo vetëm nga dëshmitarët e rremë, por edhe nga ekspertët e letërsisë, për realizimin e skenarit vrastar me “grupin e sabotatorëve” në Kooperativën e Bërzheshtës. Skenari fillonte me një mushkë të mbytur, diku në punë e sipër. Në vijim u sajuan akuzat:  “zjarrvënës e vjedhës”. Sipas partisë e sigurimit ato “akte sabotimi synonin rrëzimin e pushetit popullor!!”

Për dënimin e tyre, u hartua një plan i gjerë masash nga Komiteti i Partisë së Librazhdit me urdhër të sekretarit të parë, druvarit Sotir Koçollari, bashkë me gjykatën, prokurorinë, hetuesinë, drejtorinë e policisë etj. U ngarkuan me detyra të veçanta  kryehetuesi Selim Çaka me një lukuni hetuesish. Në akuzën e sajuar u renditën shpifje nga më të ndryshmet: “krim e sabotim  në bujqësi, axhitacion e propaganda.” Të gjitha bashkë morën pamjen e një litari të përgjakur nga historia tragjike e fisit të blloshmëve me zanafillë nga lufta vëllavrasëse e vitit 1944, zgjatimi hakmarrës në kohë paqeje, shpallja “kulak”, një nofkë e ngjashme me emrin skllav e së fundi, caktimi i “grupit të tetë sabotatorëve.” Në përfundim u dënuan me pushkatim dy më të rinjtë, Genci e Vilsoni “kryetarë e udhëheqës grupi.”, “Fajet”  e “krimet” e tyre më të rënda, ishin krijimi i poezive dhe përkthimet  nga Volteri, Viktor Hygo, Edgar Po, Alfred De Myse, Bodler, Rembo, Shatobrian, Maksim Gorki etj. A ka ligj në botë për vrasje  poetësh, të cilët krijojnë poezi e kënaqen vetë me to? Dokumente për dënimin e tyre ishin ditaret, fletoret e shënimeve dhe letërkëmbimi me të afërmit e dashur, ku poetët shkruanin poezitë, mendimet  për letërsinë, artin e kulturën. Hetuesit pa shkollën përkatëse shqyenin sytë dhe me anën e torturave shtazarake përpiqeshin t’i detyronin të pandehurit, të pranonin “fajet, krimet dhe “veprimtarinë armiqësore.” Pengësë e pakalueshme, për ata, që morën përsipër detyrën e caktuar nga sekretari i parë i Komiteti të Partisë, ishte vetëm një, Vilsoni i paharruar që mbante emrin e nderuar të presidentit shpëtimtar amerikan. Hetuesit-xhelatë, me britma e sharje, ua përplasnin kokën nga muri në mur, i qëllonin me grushta e shkelma, ku të mundnin. Vilsonit ia thyhen  krahun, por ai qendroi i patundur, shkëmb-vigan. Të tjerët, gjatë torturave të padurueshme, u lëkundën, pranuan disa nga fajet e paqena.

Krejt ndryshe janë zhvilluar ngjarjet në kohën e Monarkisë së përfolur, me Migjenin mësues në shkollat e shtetit, kur poeti  i trishimit, botonte lirshëm poezi e shkrime kritike, si “Hidhet e përdridhet” (me nënkuptime kundër Mbretit.), “Poema e Mjerimit”, “Molla e Ndalueme,” “Legjenda e Misrit.“ “Bukën tonë falna Zot”, ndërsa poetët mësues  Gencin e Vilsonin, i vranë për krijime të pabotuara.

 Ne fillimet e demokracisë, njërëz të politikës e të kulturës, u munduan më kot të shfajsoheshin me frikën e diktaturës, heshtën  për librat e botuar dikur, por për çudi, as sot nuk po e marrin veten, përpiqen të harrohet gjithçka nga e kaluara me shprehje të tilla “se ashtu ishin ligjet në monizëm.” Ndërkohë të tjerët për pak desh u fshinë nga kujtesa e kombit. Gjithsesi, ndihen të qetë në ndërgjegje ndaj shkruajnë  për të vërtetat e asaj kohe të mallkuar, kur ndalohej mendimi ndryshe, kur vriteshin poetët e lirisë për vargje kushtuar natyrës e dashurisë njerëzore.

Siç ndodh zakonisht me poetët, në moshë të re, me anën e poezive, Genci e Vilsoni shprehnin gjendjen  shpirtërore ndaj fatit të mbrapsht, për humbjen e të drejtave studimore, mendimin e heshtur kundër padrejtësive: largimi nga arsimi, në minierë e bujqësi, punëtorë në pyje dhe ushtri. Ajo lojë hetuesish, ishte në kundërshtim me faktet  e ekspertizës  ekonomike  e juridike. Megjithatë tërë ato fakte pafajësije, u fshinë me vendosmëri nga sekretari i parë i cili kryente verbërisht detyrat e caktuara nga lartë, sipas parimit komunist: “të vrasim njerëz për të mbajtur pushtetin.” Kjo detyre u plotësua, edhe me ndihmën e njerëzve të kulturës nga Tirana. Faktet janë kokëfortë, nuk merren me nderime ndaj askujt, qofshin dhe profesorë, të cilët nuk bënë asgjë për të shpëtuar poetët me argumentin e fuqishëm, se poezitë, as ishin botuar as të shperndara dorazi.. Gazetarja Çul…e tmerruar nga sigurimi, tejkaloi detyrat, duke qëmtuar, edhe me hamendje vargjet e Gencit kushtuar dashurisë. Prof. N.J. për poezitë“ Vjeshtë”, “Rrethi i hënës”, “Harabelat”,  gjykon: “Vilsoni ka thënë se që të bëhesh njeri i afirmuar, duhet të studiosh dhe në gjuhë të huaj. Ai ka bërë përkthime nga autorë dekadentë, si: Lamartin, Shatobrian, Rembo, Bodler etj. Ka nxjerrë shënime me përmbajtje reaksionare si “s’ka gjë më të bukur se ajo që nuk shërben për asgjë”, ka nxjerrë citime nga Gorki “nuk ka njeri më egoist se i sëmuri”, ose nga Naim Frashëri “mos u bëj mjaltë se të hanë mizat” – citime që i shërbejnë ideologjisë së tij”. Bara më e rëndë ra mbi mësuesin e poetin K. Petritit, me poezinë e Vilsonit  “Saharaja”. Sado, u orvat me disa e trajtime, me po ose me jo, të paqarta apo të errëta, nuk mundi t’ia dilte mbanë për shkak të hetuesve të egër, të cilët me klithma, kërcënonin, se për idealin komunist mund të hidhnin në erë, malet dhe vetë Shqipërinë.

Pra, ishin, profesorët të cilët duke kryer detyrën e letrarit bashkëkohor, shqyrtuan poezitë intime e përkthimet e bukura të poetëve. Ishin ata që poshtëruan veten me fyerjet ndaj poetëve të mëdhej europianë. Ishin, pra ata që lehtësuan punën e hetuesve, dhe rënduan më tej gjendjen për shpëtimin e Gencit e Vilsonit.

Dokumenti i vendimit të jashtëligjshëm, me vdekje, u miratua nga kryetari i Gjykatës së lartë, Aranit Çela dhe Kolegji i Apelit, ndërsa Presidiumi i Kuvendit Popullor, nuk e pranoi lutjen për faljen e jetës. I fundit, ministri i brendshëm, urdhëroi me shkrim policinë e Librazhdit për ekzekutimin larg qytetit. Qarkullon dhe një dëshmi nga një pjesëtar i togës së pushkatimit. Në moshë të thyer, i munduar nga ankthi i padurueshëm i heshtjes, si në një rrëfim, ai tregon për çastet e fundit të jetës së dy poetëve Genc Leka e Vilson Blloshmi. Para pushkatimit, kryehetuesi kriminel, iu qas buzëgas Vilsonit. Mesa kuptohej pas torturave ç’njerzore ai kërkoi poshtërimin e tij, edhe në çastet e fundit të jetës, bashkëpunimin me organet e sigurimit. Kundërshtimi këmbëngulës i poetit të lirisë, qe i menjëhershëm. Pas pak u dha komanda, ”zjarr!” Gjithçka mbaroi. Krismat nga hija e malit të Zgarës u përzihen me zhurmën e rrjedhës së Shkumbinit e jehonën maleve, ku poetët të pandarë ndrijnë si yje lart në qiell, ndërsa vepra e tyre e bukur jeton në mendjen e zemrat e rinisë. 

Kur diktatori i pashpirt, u zhduk nga kjo botë, degjohej gaz-hidhët në festivale, kënga e vdekur “Lule për xhaxhin Enver” nga barinjtë e dhive, “bilbila me lule mbi qeleshe…”

Nxënësit në shkolla, kudo në Shqipëri, presin të kthehen mësuesit e vërtetë, t’u mësojnë, si krijohen poezitë e lirisë. Tashmë poetët, Genci e Vilsoni,  ligjërisht janë jo vetëm të pafajshëm e Martirë të Demokracisë, por dhe Nderi i Librazhdit, e Nderi  i Kombit.

Dy nga  poezitë e dënuara të Gencit:

KUJTIMI YT

“Kujtimi yt më hodhi këtë natë

Në thellësinë e brengave pa fund…

( Ah! ëndërr e kaltër,  këputur për mes)

Dhe nis mendimi  rrugën më të gjatë.

Shtegun e blertë kur nuk e gjen gjëkund

Vezulluar  prapa mbrëmjes e çdo mëngjes.”

 

  POEZIA E FUNDIT

“O hënë pse dole, moj kaq e trishtuar

Mos vallë për mua po mban zi?

…

Ç’më fsheh ashtu me sy të lotuar,

Mos m’u sos jeta dhe unë s’e di?

Po dhe në vdeksha, jeta s’ka të mbaruar

Dhe pse sot po shkruaj  të fundmen poezi.

Nga dosja e Vilsonit:

 Në dosjen e Vilsonit u gjetën  shënime  me shqipe të pasur, arsyetime të thella, ligjërime prej shkrimtari, me vlerë për ata që studiojnë gjuhen e letërsinë shqipe:

“Në vitin 1966 mbrojta shkollën e mesme pedagogjike. Ishim 208 maturantë. Nga të 208-ët vetëm unë u ndava: nuk m’u dha e drejta për të ushtruar profesionin si arsimtar. Me sa duket, kjo lidhej me të kaluarën jo të mirë të familjes sime. Në vitin 1972 kam shkruar një poezi. E kam bërë në ditët kur po hapej viti i ri shkollor; isha i dëshpëruar, mbasi me kohë kisha kërkuar që të ushtroja profesionin si arsimtar dhe kjo e drejtë nuk më jepej. Në ato rrethana kam shkruar poezinë:

“Nëse nuk munda brengës t’i bëj ballë

Zjarr përsëri unë kam në shpirt të djegur

Nëse më i vdekur jam nga çdo i gjallë,

Mirë pra, m’i gjallë jam se çdo i vdekur.”

Jam thyer para dëshirë sime, para dëshpërimit tim. Kohët shkonin dhe unë vazhdoja të punoja në prodhim. U bëra pesimist. Nuk jam llogaritur mes njerëzve dhe shokëve me të cilët bashkë mbaruam shkollën, por u llogarita midis klasave të vdekura, mes njerëzve të vdekur. Në poezinë më sipër unë kam dashur të them se jam më i gjallë se të vdekurit.

Shënimet në ditarin tim japin mbresa nga jeta e përditshme, shprehje të nxjerra nga studimi i autorëve të ndryshëm të letërsisë së huaj, ngjarje dhe ndodhi të jetës sime, të jetës shoqërore. Me shprehjen se njerëzit mbajnë ndonjëherë emra falsë, dua të them se njerëzit ndryshe hiqen e ndryshe janë. E kam shkruar këtë si vlerë njohëse për njeriun, ose dhe për ndonjë njeri konkret.

Ndryshe nga shokët e mi të shkollës, të cilët kanë disa vjet që e ushtrojnë profesionin e mësuesit jeta ime është monotone, e mërzitshme dhe pa asnjë gëzim. Ata janë arsimtarë, unë punoj në minierë. Ky trajtim nuk më pëlqen dhe më duket i padrejtë. Perspektiva ime është e një njeriu të pafat në jetë. Ç’farë kam bërë? I ri jam, forcat nuk më mungojnë, por nuk kam qetësi, ndërgjegjja nuk më lë të qetë. Kulmi i dëshpërimit arrin atje ku unë them më mirë të mos kisha lindur sesa linda në një jetë që më vret e më brengos. Unë kam një natyrë të keqe, kjo është natyra e trishtimit, unë mërzitem shpesh. Në jetën e përditshme e kam për natyrë që të mos i bëj keq askujt. Gjithmonë vrisja mendjen: ç’do bëhej më vonë, madje, duke qenë i brengosur, rrija zgjuar, i mërzitur, i dëshpëruar, sa arrija ta bashkoj mbrëmjen me mëngjesin…”

Pra, në dëshpërim  e sipër poeti përfytyronte veten në një botë të ngjashme me Saharanë:

 Saharaja, larg është Saharaja,

Saharaja shkëmb e rërë e gurë,
Që ka shok veç emrin e saja

Dhe ngaqë s’sheh ëndrra, s’sheh as drurë.

Saharaja s’di të ëndërrojë.
Ajo bluan gurë në mënt’ e sajë…
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot të qajë,

.Saharaja nuk ka miq e shokë
Saharaja është një copë tokë,
Thonë se dhe natën nuk shkon mirë.

Natës s’i pëlqen në Sahara,

S’i pëlqen të ketë veç gurë për shtrojë;

Fjalë e dashuri e njerëz s’ka;

Shkretëtirës shket e shkrepë
Kur hynë dielli e kur hesht thëllimi
Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë…”

                    ———–

 

Nga Viktor Hygo:

                    EKSTAZE 

 

Një natë plot me yje, pranë dallgëve isha vetë.

As dhe një re në qiell, as dhe një vel mbi det.

Më larg nga bota jonë vështrimi zhytej thellë.

Dhe pyjet mbarë, dhe malet, natyra pa mbarim

Sikur po pyesnin ngjanin, me të turbullt murmurimë

Dallgët e detit, zjarret edhe qiell.

 

Edhe të lartë yje, legjiona me mijë

Me zë të lartë e të ulët me mijëra harmoni   

Thoshin duke përkulur  atë kurorë të zjarrtë.

Dhe dallgët blu  q’asnjë s’mund, t’i drejtojë, t’i ndalë,

 Thoshin duke mbështjellë shkumën mbi shkulm e vale:

Ky është Zoti, Zoti i lartë.

                            * * *

Në kujtim e peng nderimi, shkruesi i këtyre rradhëve u ka kushtuar poezinë “Dy yje mbi hijen e malit.”

 

DY  YJE  MBI  HIJEN  E  MALIT*

Në hijen e malit, në përvëlim korriku,

shkretëtira bijtë e nënave mbuloi,

bylbylat  e pyjeve, poetët e freskisë rinore,

poetët e bukur të qiellit, guximtarët e lirisë.

 

Me klithma  e flakë vrastare

në terr mizor,

shkretëtira e tërbuar mori hak,

kundër ajrit, kundër lirisë,

kundër dritës,

kundër ëndrrave, kundër këngëve.

Heshtja e thellë sundoi

veç një çast!

Jehona  e dhimbjes së malit

fluturoi gjithkund!

 

S’është aq lehtë me vra poetë

në hijen e malit,

s’është aq  lehtë me vra poetë,

të ndalësh rrjedhat e mendimit,

të zhdukësh shpirtin, të fikësh ditën,

s’është aq lehtë me vra poetë,

krimin ta fshehësh nën dhe!..

 

Nga zemra e tyre,

këngët e gjakosura, thirrjet për liri,

me flatrat e shqipes,

kryengritëse u ngritën lart,

murlanin e fjetur zgjuan,

zëmërimin ndaj tiranisë.

 

U rrafshuan dunat e sfilitjes,

në shkretëtirë  zhegu  u shua,

pluhuri gri  u tret.

U tund piramida në themel,

muret e ngujimit ranë.

 

Fryma e kohës i shkundi retë ujëplota,

u zbut dheu, ngriti kryet bari i njomë,

plasën gonxhet, shpërhyen lulet,

mbi blerim e hijeshi.

 

Frymë e kohës me psherëtimë,

tymin shpërndan nga hija e malit,

gjurmë krimi, njolla gjaku zbulon.

 

Në oborre shkollash,

vështrojnë ndër lot malin e trishtuar,

rrëzimin e gjetheve në vjeshtë.

Pse vonojnë mësuesit,

pse s’po vijnë poetët

Genci e Vilsoni?

 

Shkumbini shkumëzon

dredhon ndër  gurë  e kthesa,

zëra valësh zhurmërojnë,

kërkohen poetët.

Oshëtima nga hija e malit

çohet  në qiell.

 

Dilni e shihni,

mbi  rrethin e hënës

vezullues dy yje  të qetë,

dy yje të bukur,

dy yjet e ndritur të zgjimit.

             

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Agim Xh Deshnica, DY YJE TE NDRITUR MBI SHKUMBIN...., Genc Leka& Vilson Blloshmi

Klement Tinaj, kandidat për Guvernator i Kalifornisë

July 16, 2017 by dgreca

4 Tinaj sfondNga Ermira Babamusta/
1 KlementKlement Tinaj ka filluar turneun e tij të fushatës politike për kandidaturën e guvernatorit të Kalifornisë. Tinaj shpalli kandidaturën në prill 2017. Në San Diego Tinaj u takua me të moshuarit te Qendra “Senior Citizens of Encinitas” ku fokus ishte shëndetësia për amerikanët e Kalifornisë. Ndërsa në klinikën ushtarake “New Chico VA Outpatient Clinic” është takuar me veteranët dhe ushtarët amerikanë.4 Tinaj sfond

“Jam shumë i kënaqur me grupet rinore dhe vullnatare që janë krijuar në Kaliforni për të mbështetur kandidaturën time. Kam një ekip të mrekullueshëm dhe së bashku po sjellim një frymë të re për rininë dhe familjet e Kalifornisë,” tha Klement Tinaj.3 Tinaj

Platforma e Klement Tinaj përqendrohet në ekonomi dhe papunësia, sistemi i edukimit, transporti, imigracioni, shëndetësia, trafikimi njerëzor, strehimi dhe banimi, mjedisi, etj. Tinaj thotë që ai është krenar si një imigrant shqiptar i ardhur në Amerikë. Jeta e tij publike e ka angazhuar në kotribut shoqëror nëpërmjet Akademisë së tij shkollore që ka hapur dhe Fondacionit Klement Tinaj për të luftuar varfërinë.

“Dua të jem zëri dhe ndryshimi për banorët e Kalifornisë dhe prioritet kam klasën punëtore, edukimin, përmirësimin e shkollave, të tansportit, të ndërtoj rezervuare ujërore dhe shkollim falas për studentët e Kalifornisë”, premton kandidati Demokrat Klement Tinaj (www.klementtinajforgovernor.com).

“Kalifornia e ka shmangur dhënien e pushtetit pakicës dhe udhëheqësve të rinj, të rinj, të cilët janë të gatshëm të ndërmarrin veprime në komunitetet tona. Unë dua të jem ai lider i ri me një vizion dhe zë të fuqishëm që do të luftojë për liri, drejtësi dhe barazi. Në të dy shkollat e mia ne kemi ndaluar diskriminimin, kemi siguruar të drejta të barabarta, kemi festuar diversitetin dhe kemi ofruar arsim cilësor në të gjitha fushat. Kjo është arsyeja që stafi im më shtyu të siguroja të njëjtën arsim cilësor në të gjitha 58 qarqet në Kaliforni dhe të siguroja të njëjtat të drejta për të gjithë Kaliforniasit,” shtoi Klement Tinaj.

Klement Tinaj po viziton vendlindjen Shqipërinë këtë muaj, para se të kthehet në Kaliforni ku do vazhdojnë turneun dhe fushatën politike deri në 2018.

Filed Under: Featured Tagged With: Ermira Babamusta, Kalifornia, kandidat per Guvernator, Klevis Tinaj

ERLISA KULLA, MYSAFIRE TEK DIELLI:RRUGETIMI DREJT SUKSESIT

July 16, 2017 by dgreca

Intervistë me 15 vjeçaren shqiptare Erlisa Kulla, fituese e çmimit të parë në konkursin kombëtar “Pyet Gjyshërit” organizuar nga Instituti  për Demokraci, Media dhe Kulturë/2 erlisa intervGazeta DIELLI- Prejardhja e Erlisës?

Erlisa Kulla – Babai im, Gjergji Kulla, është nga fashti Zëmblak i rrethit të Korçës, ndërsa mamaja ime është me origjinë nga fshati Bitinckë i rrethit Devoll nga fisi Lame. Deri në vitin 2000 familja ime ka jetuar në Zëmblak. Në vitin 2000 familja ime u zhvendos në Tiranë. Babai im është inxhinier elektrik dhe ka një kompani për tregtimin e materialeve elektrike. Nëna ime është mësuese matematike dhe punon në shkollën e mesme të Vorës dhe në vitin 2011 ka dalë një nga mësueset më të mira në Shqipëri. Familja ime përbëhet nga: gjyshërit, prindërit dhe vëllai më i madh.Unë kam lindur më 10 qershor 2001 në Tiranë.

1 Erlisa Kulla

 

DIELLI – Shkollimi?

Erlisa Kulla – Në moshën 3-vjeçare kam shkuar në një kopësht ku kam marrë mësimet e para. Që në kopësht prindërit e mi evidentuan dëshirën dhe talentin tim për të pikturuar. Në moshën 6-vjeçare, pa hyrë ende në klasën e parë, fillova të ndiqja një kurs pikture. Si gjithë moshatarët e mi, më pas fillova klasën e parë në shkollën publike 9-vjeçare “Gjon Buzuku”. Në klasën e pestë u transferova në shkollën 9-vjeçare jopublike “Albanët”. Në këtë shkollë mbylla studimet e mia të ciklit 9-vjeçar. Shkollën e mesme po e vazhdoj në gjimnazin “New York High School” në Tiranë. Në të gjitha vitet e shkollimit tim, që në arsimin parashkollor, ciklin e ulët, të lartë, e tani në të mesëm, rezultatet e mia kanë qenë të shkëlqyera dhe në të dyja shkollat e fundit kam arritur të fitoj bursë të plotë mësimore falë arritjeve të mia akademike.1 ekspozita ne muze

Ne Foto:Vizitore ne ekspoziten e Erlisa Kulla ne Muzeun Kombetar ne Tirane/

DIELLI -Aftësitë ekstrakurrikulare të Erlisës?

Erlisa Kulla – Jam e talentuar në pikturë dhe në 8-9 qershor 2016 kam hapur një ekspozitë personale në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Gjithashtu kam aftësi të mira muzikore dhe praktikoj kitarën. Në shkollën “Albanët” kam qenë aktive në aktrim dhe kërcim.

Gjatë kohës që studioja në shkollën “Albanët” një karakteristikë e rëndësishme e kësaj shkolle ishin projektet që organizoheshin dy herë në vit. Temat ishin të ndryshme dhe unë kisha hapsirë të demostroja aftësitë e mia si lidere grupi dhe gjithashtu gjatë kësaj kohe u aftësova në përdorimin e kompjuterit i cili tashmë është miku im më i mirë.

DIELLI- Formimi  në picture, si erdhi?….

Erlisa: Sikur përmenda dhe më sipër, që në vogëli kam ndjekur kurse pikture, dhe ende vazhdoj t’i ndjek. Në shkollën “Albanët organizoheshin çdo vit aktivitete të ndryshme ku përfshiheshin ekspozita e konkurse pikture ku unë kam fituar gjithnjë vëndin e parë. Në vitin 2012 kam marrë pjesë në konkursin e parë jashtë shkollor me titull “Tirana…më e mirë” organizuar nga shoqata Zemra e Tiranës ku fituar Çmimin Qytetari i Vogël. Në maj të këtij viti u bëra pjesë e një konkursi online të Primo Albania në të cilin fitova çmimin e parë për grupmoshën time. Pika më kulminante në “karrierën” time si piktore është ekspozita ime personale e pikturës e titulluar “Ngjyrat e botës sime”.

 

DIELLI – Mund të na tregoni diçka për konkursin “Pyet Gjyshërit”

Erlisa Kulla – Ishte një ditë e nxehtë mesgushti kur mamaja ime më tregoi për konkursin “Pyet gjyshërit”. Unë, mami dhe gjyshi im nga mami ishim duke pushuar në plazhin e Golemit. Ajo e kishte gjetur atë rastësisht në Facebook dhe mund të them që ishte nxitësja kryesore që unë të bëhesha pjesë e këtij konkursi të organizuar nga IDMK-Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë. Fillimisht u njoha më imtësisht me atë çfarë përfaqësonte dhe kërkonte ky konkurs. Kërkohej një reflektim personal për diktaturën (një periudhë e pajetuar nga mua) pasi të pyeteshin gjyshërit të cilët e kishin jetuar dhe e kishin vuajtur këtë kohë. Produkti përfundimtar duhet të ishte një video 4 minuta në formën e një Digital Storytelling. Biseduam gjatë me mamin e cila jo vetëm e ka jetuar atë periudhë por e ka vuajtur pasi rridhte nga një familje e persekutuar, dhe për këtë arsye i ishte mohuar e drejta e studimit të lartë.

Në fillim pyeta veten: Ç’është Digital Storytelling? Pas kërkimesh të shumta në internet fillova të krijoj një ide më të qartë të asaj që duhej të paraqisja. Menjëherë mendova: intervistë me gjyshin. Duke qenë se gjyshi ka qenë muzikant në atë kohë, mendova se do të kisha informacion të mjaftueshëm për të treguar realitetin artistik të asaj kohe. Por mendova se një intervistë e thjeshtë do të ishte krejt e zakonshme, aspak kreative. Përse të mos kombinoja aftësitë e mia në pikturë dhe në teknologji? Gjithashtu vendosa që mënyra e trajtimit të ishte më gjithëpërfshirëse si në tematikë (jo vetëm muzika) edhe në njerëzit që do e gjenin veten aty (jo vetëm gjyshi im); doja që të tingëllonte therëse dhe goditëse edhe në kohën e sotme.  Pas kapërcimit të vëshirësisë për zgjedhjen e tematikës, ishte momenti për konkretizimin e ideve.

Ishte mami ajo që ndezi një shkëndijë në imagjinatën time: treni. Vetëm kaq më duhej dhe i thashë: “Stop mami, tani e vazhdoj vetë.” Në mëndjen time filloi të ravijëzohej një histori 50 vjeçare e një kombi të tërë. Edhe pse kjo periudhë ishte e pajetuar për mua mund të them se perceptimin për të e kam shumë të hershëm, kjo përmes rrëfimeve të dhimbshme dhe të paimagjinuara (ndonjëherë më dukeshin qesharake) të gjyshes time nga mami. Ajo ka qenë shumë e vuajtur pasi që në moshën 3-vjeçare i vdes e ëma dhe në moshën 9-vjeçare përjeton burgosjen e të atit për shkak se kishte ndihmuar kushurinjtë e tij të arratiseshin. Shpeshherë i kërkoja të më tregonte përralla dhe unë qaja teksa dëgjoja historitë e saj, për të kuptuar më pas që ato nuk ishin përralla. Edhe përse ajo nuk jeton më, historitë e saj më shërbyen si një bazë e fortë për të krijuar historinë time.

Duke pasur një ide të qartë dhe një bazë të mirë informacioni nisa punën time. Për të treguar një histori më duheshin personazhe të cilët vetë kishin historinë (background-in) e tyre. Vendosa që nga historitë e gjyshes të nxirrja tipare të caktuara të komunizmit të cilat do të përfaqësoheshin nga këto personazhe.

 

DIELLI – Po si?

 

Erlisa- Një udhëtim me tren dhe… stacione. Pikërisht stacionet do të pasqyronin elementet e përditshmërisë në komunizëm nëpërmjet personazheve. Fillimisht bëra një listë të elementeve që do të paraqiteshin në çdo stacion.

DIELLI-Po kur ky udhëtim të mbaronte?

Erlisa- Çdo gjë do të paraqitej me anë të vizatimeve në formën e një videoje të animuar Stop Motion e cila kishte vështirësitë e veta pasi kërkonte durim, saktësi dhe përqëndrim të madh. Në këtë mënyrë realizova rreth 120 vizatime të cilat po të bashkoheshin në sekuenca të vogla, jepnin idenë e lëvisjes (animimit). M’u desh të punoja rreth dy javë 6-7 orë në ditë. Për të fituar kohë i kërkova ndihmë vëllait që të më ndihmonte me skanimin e çdo vizatimi. Erdhi momenti kur këto vizatime duheshin montuar. Programi me të cilin vendosa të punoja (Adobe Premier Pro CC), ishte shumë i komplikuar dhe i panjohur për mua, por gjatë gjithë kohës kërkoja në internet për ta mësuar si ta përdorja. Një vështirësi tjetër ishte edhe zgjedhja e kolonës zanore. Doja diçka më shumë tërheqëse se sa të trishtueshme dhe në fund vendosa për melodinë ekzistuese të videos e cila është një melodi me kitarë. Kur e dëgjova për herë të parë pata një mori ndjesish, nga trishtim në shpresë, dhe mendova se do të ishte më se e përshtatshme.

Doja që me anë të videos time të jepja një emocion të fortë dhe një reflektim të qartë të asaj çfarë vërtet përfaqësonte ajo kohë. Kur dyert e trenit të hapeshin, njerëzit do të mund të shikonin efektet e komunizmit tek një njeri i thjeshtë, fshatar, këngëtare, shkrimtar, familje e internuar, votues, nxënëse apo ushtar. Në secilin prej stacioneve shumëkush që e ka përjetuar atë kohë mund të thotë: “E di çfarë do të thotë të jesh në vendin tënd.” Në fund të këtij udhëtimi të gjithë personat e pranishëm zbresin të lumtur nga ky udhëtim i padëshiruar me shpresën se ky tren nuk do të kalojë më kurrë. Ngela shumë e kënaqur me produktin final pasi videoja ime përmbante të gjitha ato çfarë ky konkurs kërkonte: një histori që përfshinte risi, kreativitet dhe reflektim.

Pas dërgimit të videos time në zyrat e IDMC erdhi momenti të prisja për ditën e shpalljes së çmimeve. Dija vetëm që në juri do të kishte personalitete të shquar të fushave të ndryshme në Shqipëri; Fatos Lubonja (analist), Eno Popi (moderator ne Top Channel), Persida Asllani (drejtoreshë e Biblotekës Kombëtare), Zamir Kokonozi (pedagog në Akademinë e Arteve), Leo Çashku (producent në Akademinë “Marubi”). Ishte një kënaqësi e madhe për mua që puna ime do të vlersohej nga njerëz me këndvështrime të gjera e me botëkuptime të formuara, të cilët tregoheshin kritikë seriozë për kohën e kaluar diktatoriale.

Mund të përmend faktin se kisha një frikë të brendshme se si puna ime do të pritej pasi ishte këndvështrimi i një vajze vetëm 15-vjec për një kohë krejtësisht të panjohur për të, të bërë të prekshme vetëm nga tregimet e gjyshërve, dhe mundësitë e gabimit apo keqinterpretimit ishin të shumta. Duke qenë një temë tepër delikate, i druhesha komenteve të njerëzve lidhur me mënyrën e paraqitjes dhe të perceptimit, por jam vërtet e lumtur që kam marrë komente shumë pozitive, të ndjera e prekëse. Në fund gjithë kjo punë e lodhshme u kurorëzua me çmimin e parë në ceromoninë e shpalljes së çmimeve më 27 tetor 2016, ku u ndjeva më e vlerësuar se kurrë.

Qëllimi i punës sime nuk ishte vetëm paraqitja e komunizmit si një periudhë shumë e errët e shoqërisë shqiptare por goditja e karakteristikave negative të tij, si për shembull; burokracia, servilizmi, lufta e klasave, padrejtësia, kulti i individit etj. Kjo kujtesë të shërbejë si një mënyrë për të reflektuar për gabimet e së shkuarës, prej të cilave vuajtjet e një populli të tërë nuk patën të sosur.

Në fund të videos do të lusja secilin prej shikuesve, që e kanë përjetuar ose jo komunizmin, t’i bënin një pyetje të thjeshtë vetes: “A do të doja unë të isha (sërisht) udhëtar i këtij treni?”

 

ERLISA FITOI çmimin e pare të këtij konkursi në rang kombëtar! Urime Erlisa!

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Erlisa Kulla, fituesja e commit te pare

Kosovë-Shugurohet Katedralja Nënë Tereza

July 15, 2017 by dgreca

1 Imzot Troshani-Papa Françeku emëron Kardinalin shqiptar Imzot Ernest S. Troshani të Dërguar të Veçantë për kremtimin e shugurimit/

2 Ipeshkevia

-Ipeshkvia e Kosovë shpall programin e shugurimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë/

1 Katedralja ok-Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik/

-Në 16 gusht 2016 një delegacion i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra në Ipeshkvinë e Kosovës u prit plot përzemërsi, repekt e vlerësim nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji,  ku u theksua se Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, ka kontribuar për mëse 9 vite  me afër 2 milionë dollarë/

1 Behluli Dom Lushi

SPECIALE- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 15 Korrik 2017/ Papa Françeku ka emëruar Kardinalin shqiptar Imzot Ernest S. Troshani, të Dërguarin e Tij të Veçantë për kremtimin e shugurimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, u njoftua nga Vatikani – Selia e Shenjtë sot në nesditë, në orën 12:00.

Në të njëjtën orë në Prishtinë lajmin e gëzueshëm e përcolli Mons. Lush Gjergji, Vikari Gjaneral i Ipeshkvisë së Kosovë, në një konferencë shtypi në Rezidencën e Ipeshkvisë, pranë Katedrales Nënë Tereza, ku ishte edhe korrespondenti i Gazetës DIELLI. Me këtë rast u bë edhe përurimi i Stemës së Festës së Shugurimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë.

Ipeshkvia e Kosovë shpalli sot Programin e Shugurimit të Katedrales Nënë Tereza, që do të jetë në 5 shtator 2017, ditën e 20 vjetorit të kalimit në amshim të Shenjëtëreshes Shqiptare. Kremtimi solemn i Meshës së Shugurimit do bëhet në mesditë, nga ora 11:00.

Kremtimi fillon me hapjen e Ditëve të Nënë Terezës, në ditëlindjen e saj dhe ditën e bekimit të gurthemelit të Katedralës, në 26 gusht. Në këtë ditë, nga ora 18:00, në Katedrale do ketë do ketë takim lutjeje dhe meditimi me Nënë Terezën.

Në 2 shtator bëhet hapja solemne e aktiviteteve kuturore e shpirtërore treditëshe të festës. Në 3 shtator në orën 11:00 zhvillohet meshë në Katedrale, ndërsa në 4 shtator  në ora 18:00 – Mesha, Lutja e Mbrëmësores me Lutjet e Nënë Terezës në Kishën e Shën Ndout në Prishtinë.

Në Këshillin Organizativ janë: Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, Vikari Gjaneral Mons. Lush Gjergji, Kancelari Don Shan Zefi, Famullitari i Katedrales Don Fatmir Koliqi, Sekretari i Ipeshkvit Don Meriton Dedaj, Drejtori i Caritasit Don Vitor Sopi, Ekonomi Don Kastriot Idrizi, Dekani Don Lenc Sopi.

Don Zefi ka shpjeguar simbolikën e Stemës së realizuar nga i riu Lin Halili.

“Në Stemë, Katedralja brenda dy krahëve të Shqiponjës simbolizon Popullin dhe Kishën që ka lind Shën Nënë Terezën, e cila qëndron në ballë të Katedrales, duke bekuar Vendin, Popullin dhe Kishën e vet”, u shpreh ai.

E njohur në botë si Nënë Tereza, shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu e lindur në 26 gusht 1910 në Shkup, është shpallur e shenjtë nga Papa Françesku në 4 shtator 2016 në Vatikan.

Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik.

“Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”, shprehej gjatë ceremonisë Presidenti Rugova.

Katedralja nisi të ndërtohet derisa shënohej në Kosovë edhe 600 vjetori i lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

 

Në ditën e 16 gushtit 2016, një delegacion i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, në Ipeshkvinë e Kosovës  dhe në Katedralen Nëna Terezë në Prishtinë u prit plot përzemërsi, repekt e vlerësim nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji.

Në këtë takim në verën e para një viti, edhe nga ana e delegacionit të Vatrës edhe nga ana Ipeshkvit u theksua se Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, ka kontribuar për mëse 9 vite  me afër 2 milionë – 1.800.000 dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar.

Me delegacionin e shqiptarëve të ardhur nga SHBA, ishin Agim Rexhaj, zv/kryetar i Vatrës, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen e  fondeve për ndërtimin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, si dhe Laura Rexhaj, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj.  Gjatë gjithë kohës isha edhe unë – korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës.

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Gjergji falënderoi dhe vlerësoi lart të gjitha kontributet dhe njoftoi delegacionin e Vatrës me të gjitha punët e kryera në Katedralen Nënë Tereza, gurthemelin e së cilës e vuri Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe këtë të gjithë e kujtonim gjatë bisedës.

Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji vlerësoi lart organizimin dhe kontributet e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra,  të gjithë vatranëve.

“E vlerësoj veçantë mënyrën e organizimit tuaj, të Vatrës, nga të gjitha trojet shqiptare së bashku…Vatra është edhe vatër e të mirave dhe kontributeve të mëdha për kombin”, u shpreh Ipeshkvi i Kosovës.

Presidenca e Kosovës ka vite që ndanë dekoratën Medalja Humanitare Nëna Terezë, që u jepet personave që kontribuojnë në çështjet humanitare…

 

KARDINALI SHQIPTAR TROSHANI I DËRGUAR SPECIAL I PAPA FRANÇESKUT PËR SHUGURIMIN E KATEDRALES NËNË TEREZA

 

Në Vatikan, sot, në orën 12:00, Selia e Shenjtë ka lajmëruar se Papa Françeku ka emëruar Kardinalin shqiptar Imzot Ernest S. Troshani, të Dërguarin e Tij të Veçantë për kremtimin e shugurimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, i cili do të jetë më 5 shtator 2017. Lajmin e ka publikua edhe gazeta zyrtare e Selisë së Shenjtë “L’Osservatore Romano”.

Ipeshkvia e Kosovës, e prirë nga bariu i saj Imzot Dodë Gjergji, me moton “Vjet në Romë – sivjet në Prishtinë”, pati lajmëruar se në njëvjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës, do të shugurojë Kishën Katedrale, e cila i kushtohet bijës së popullit dhe kishës sonë, shenjtëreshës së dashurisë. Këtë ngjarje të madhe festive tani i jep solemnitet edhe më të madhe Papa Françesku duke e emëruar të Deleguarin e Tij të Veçantë, Eminencën e Tij Kardinal Ernest S. Troshani.

 

Kush është Kardinali Ernest Troshani?

Ernest Simoni Troshani lindi më 18 tetor 1928 në Troshan, fshat pak kilometra larg Shkodrës, në një familje thellësisht fetare. Në moshën dhjetë vjeçare hyri në kolegjin e françeskanëve, në Troshan, duke nisur kështu, udhën e studimeve, që do ta formonte si meshtar. Në vitin 1948, në kulmin e persekutimit nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës, edhe kuvendi i fretërve u plaçkit dhe u shndërrua në vend torturash për të burgosurit, ndërmjet të cilëve, pothuajse të gjithë vëllezërit e vegjël shqiptarë të Shën Françeskut. Ishte 20 vjeç kur, duke dalë prej kuvendit, u caktua nga regjimi si mësues në fshatra të humbura mes malesh, ku  nisi ta shndërrojë detyrën e mësuesit, në vepër misionare dhe ungjillëzuese. Atëherë e morën ushtar: pas dy vjet shërbimi të rëndë (1953-55), përfundoi fshehurazi studimet e teologjisë  e, më 7 prill 1956, u shugurua meshtar në Shkodër. Për t’iu bindur  Ipeshkvit, u inkardinua në dioqezë, ndonëse zemra e tij mbeti për gjithë jetën françeskane.

Më 24 dhjetor, pas Meshës së Krishtlindjes, u arrestua e u mbyll në një birucë, në burgun e Shkodrës. Si u dënua me vdekje, dënimi iu kthye në 25 vjet punë të detyruar. Ndërsa kryente dënimin, u bë atë shpirtëror e pikë referimi për  bashkëvuajtësit.

Më 22 maj 1973 u dënua përsëri me vdekje, me akuzën se po përgatiste kryengritjen për rrëzimin e regjimit. Dëshmitë në favor të  tij e shpëtuan nga plumbi, por jo nga puna e detyruar. Punoi kështu 18 vjet me radhë, nga të cilat 12 në minierë. U lirua më 1981, por vijoi të shikohej si armik i popullit  e, si i tillë, u detyrua të merrej, për bukën e gojës, me pastrimin e gjirizeve të qytetit.

Ditën, pastrues i gjirizeve, natën pastrues i shpirtrave, ai vijonte shërbimin shpirtëror, atje ku ndërronte një jetë a ku lindte një jetë e re. E kështu, deri në rrëzimin e regjimit, më 1991. Që asokohe vijoi të shërbejë si meshtar në një mori fshatrash, duke punuar për pajtimin e gjaqeve e duke vijuar dëshminë ungjillore. Dëshmi, që e preku thellësisht Papën Françesku, kur vizitoi Tiranën, më 21 shtator 2014. Papa Françesku e ka krijua kardinal më 19 nëntor 2016. Troshani është kardinali i dytë i shqiptarëve, pas Kardinal Mikel Koqiqi.  (Nga Jetëshkrimi i Kardinalit i lexuar pas lutjes së Engjëllit të Tënzot të datës 09. 10. 2016.).

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Katedralja, Kosovë-Shugurohet, Nene Tereza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 499
  • 500
  • 501
  • 502
  • 503
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT