• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Filmi kosovar “Kali” fiton çmimin e parë në në Gjermani

June 15, 2015 by dgreca

Filmi i shkurtër kosovar “Kali,” prodhuar nga “Koperativa”, me skenar të Alban Ukajt, regji të Alban Ukajt dhe Yll Çitakut, me producent Arian Rexhepin dhe subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, me përkrahje nga Fondi Hartefakt, fitoi çmimin e parë në festivalin 20minmax në Ingolstadt të Gjermanisë.

20minmax është festival ndërkombëtar i filmit të shkurtër dhe çdo vit sjell krijime filmike të metrazhit deri 20-minutësh nga e tërë bota. Çmimin e parë e ndan Audi, meqë Ingolstadt është qyteti i markës së njohur të veturave.

“Kali” trajton ngjarjen e vitit 1997, kur mijëra studentë protestuan kundër regjimit shtypës të kohës, nëpër rrugët e Prishtinës. Në mesin e protestuesve janë edhe tre shokë adoleshentë, të cilët pas protestës e gjejnë veten në një situatë të paimagjinueshme.
Filmi u shfaq premierë në Kosovë me 18 maj në Kino ABC në Prishtinë, ndërsa deri tani është shfaqur edhe në Ozu Film Festival në Modena (Itali).
Shfaqjen e filmit për vitin 2015 e kanë konfirmuar edhe Dokufest, si dhe Festivali i Filmit dhe Kulinarisë në Pogradec./KosovaPress/k

Filed Under: Featured Tagged With: cmim te pare, Filmi kosovar, Kali, ne Gjermani

KUR TRUPAT E NATOS HYNE NE KOSOVE

June 13, 2015 by dgreca

Kosovës po i ndodhte liria dhe paqja para 16 viteve, NATO nisi të hynte në 12 qershor 1999 ora 05 e 17 minuta/

– Kuvendi i Kosovës për 12 Qershorin – Ditën e Paqes, seancë festive dhe koncert i Filarmonisë-

Nga: Behlul Jashari/

PRISHTINË,  12 Qershor 2015.- Kuvendi i Republikës së Kosovës  shënon sot 12 qershorin, Ditën e Paqes, me seancë festive dhe me koncert në të njëjtën sallë të Filharmonisë së Kosovës, ku po marrin pjesë liderë insitucionalë e politikë, si dhe ambasadorë e të ftuar të tjerë.

“Kjo është ngjarje e veçantë në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës, një koncert festiv i Filharmonisë së Kosovës në nderim të 12 qershorit”, tha në çelje të seancës festive-koncertit, kryeparlamentari Kadri Veseli.

“12 qershori është një ditë sublime për popullin e Kosovës, por edhe për vlerat e paqës dhe humanizmit. 12 qeshori është dita e triumfit të lirisë njerëzore mbi shtypjen dhe tiraninë”, theksoi Verseli.

“Të nderuar të pranishëm, vlerat sublime më së miri shprehen me gjuhën e artit, prandaj sot, në këtë vend, në vend të fjalimeve politike le të flasë arti”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës e më pas nisi koncerti festiv i Ditës së paqës.

Ligj për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës përcakton 12 qershorin ndër ditët memoriale. Në vitin historik 2008, dekretimi i  këtij ligji, të miratuar në Kuvend në 21 maj, si dhe i 40 ligjeve tjera të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 qershorit të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, e cila është miratuar nga Kuvendi në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt.

Në Kosovë para 16 viteve nisi të ndodhte liria dhe paqja: Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 qershorin historik 1999. Në atë orë e ditë të lume tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët hynin në Kosovë.

Ishte ora kur nga kolona e tankeve të forcës më të madhe planetare, NATO-s, që kalonin kufirin e Kosovës nga Maqedonia në Bllacë-Han të Elezit, po jepja në ATSH lajmin e madh për të gjithë shqiptarët dhe botën.
Ishte ora kur liria po vinte e po iknin forcat serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë, dhe që po linin pas luftën me një bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, rreth 6 mijë të zhdukur,  shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër 1 milion të dëbuar – shumica  drejt Shqipërisë…

Kosovës i vinte era tokë e djegur, ua kishin vënë flakën mëse 400  fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive…

Drejt Kosovës, qyteteve, fshatrave e shtëpive të tyre të shkretëruara e të djegura ishin nisur më këmbë refugjatët e kampit afër kufirit në Bllacë, Maqedoni. Ata njerëz, që dukeshin më të gëzuarit e gjithë botës, në qytezën kufitare kosovare Hani i Elezit binin në gjunjë, puthinin tokën e atdheut të tyre dhe tanket e misionit humanitar e shpëtimtar  të NATO-s, të cilat po u hapnin rrugën për kthimin e madh dhe lirinë e përjetshme. “Është më shumë se ëndërr, është më shumë se gëzim”, shpreheshin në atë mëngjes të dëbuarit që po ktheheheshin në shtëpitë e tokën e tyre.

Forcat serbe kishin ikur nga kufiri dhe po largoheshin nga Kosova, por kishin lënë prapa zonat e minuara, dhe dukej se për këtë zgjatnin me orë kontrollet te Ura e Kashanit mbi lumin Lepenc e te tuneli i afërt në Grykën Kaçanikut.

Në atë Grykë, forcat kriminale të Milosheviçit kishin lënë prapa edhe grafite në faqe shkëmbinjësh: “Kosova zemra e Serbisë” e “Serbia deri në Durrës”, e që shkonin edhe shumë larg, “Serbia deri në Tokio”,  “ Serbia deri në Sidnei”…Gazetarët nga gjithë bota, me të cilët në kolonën e tankeve të para të NATO-s në Kosovë isha bashkë me korrespondentin nga Shkupi të gazetës kosovare Rilindja, Bedri Sadiku, ato grafite i shikonin si një çmenduri dhe qeshnin, fotografonin, filmonin, raportonin…

Por, përtej këtyre grafiteve të përçudshme, si një përgjigje dhe ralitet se çka është Kosova u shfaq imazhi i Flamurit Kombëtar Shqiptar i ngritur si fluturim shqiponje dykrenare e si në majën më të lartë të festimeve në gjithë botën në qytetin e Kaçanikut, ku në 7 shtator 1990 ishte shpallur Republika e Kosovës dhe miratuar Kushtetuta e saj në një mbledhje historike të Kuvendit, në kushte të rënda dhe plot rreziqe okupimi. Nga Kaçaniku, nëpër Fushën e Pajtimit, në orët e pasditës, kolona e NATO-s mbërriti në qytetin e Ferizajt, mbi të cilin nga larg shiheshin re tymi.

“Forcat serbe edhe sot po e djegin Ferizajn, duan ta djegin të tërin para se të ikin. Ende nuk kanë ikur të gjitha”, tregonin shqiptarët e mbetur atje.

Ata kishin dalë për të pritur e përshendetur NATO-n me lulet që i vënin mbi tanke e shtronin rrugën, dhe me brohoritjet: “NATO, NATO”, “Kosova, Kosova”, “NATO – Kosova e Lirë”. Kishin dalë në mikprijen e madhe, me falënderimin e mirënjohjen e gjithëmonëshme.

Fëmijëve anëve të rrugës që përshëndesnin me valëvitje duarsh e plot gëzim ushtarakë të NATO-s u shpërndanin bombone (ëmbëlsira). Një vajzë, nxënëse e shkëlqyer e fillores, po shtrëngonte bombonin në grusht te zemra dhe thërriste shumë e lumtur: “Do ta ruaj tërë jetën për kujtim”.  Ishin ata fëmijtë që kishin përjetuar tmerret, e me muaj të tërë as s’kishtin parë ëmbëlsira e ishin përballur edhe me urinë në mungesë të bukës. Tregonin se kishin jetuar me shumë frikë të fshehur nëpër bodrume…

Ndërkohë që kolona kishte marshuar edhe më tej, pas ndonjë ore edhe fushat rreth qytetit të Lipjanit u mbushen tanke të NATO-s, të cilat para mbrëmjes arritën deri afër Prishtinës, por hyrja në kryeqytet dukej mbeti për të nesërmen…

“Po shkojmë në Prishtinë, të shohim si duket në natën e fundit të okupimit”, thanë disa nga gazetarët nga anë të ndryshme të botës, të cilëve iu bashkova, edhepse e dija se të shkohet para se ta marrë kontrollin NATO rreziku ishte shumë i madh, kishte shumë rreziqe nga të cilat mëzi isha larguar…

Vetëm para pak më shumë se një muaji, në 6 maj 1999, i larguar nga kryeqyteti, duke raportuar nga kufiri jugor i Kosovës, kisha dhënë lajmin në ATSH “Shqiptarët në Prishtinë – mburojë e gjallë”.

Kisha raportuar se “Shumë banorë të Prishtinës po mbahen peng dhe po përdoren nga serbët si mburojë e gjallë. Ata janë detyruar të qëndrojnë në shtëpitë dhe banesat pranë vendeve ku janë fshehur armë dhe mjete të mekanizuara ushtarake si dhe nëpër objekte që
mund të bombardohen nga NATO-ja…Shumë familje janë detyruar të qëndrojnë për disa ditë me radhë pranë postes së re të Prishtinës, në lagjen Dardania, thonë
dëshmitarë okularë që kaluan kufirin Kosovë-Maqedoni. Shumica e të ardhurve janë femijë dhe gra, ndërsa burrat janë marrë nga forcat serbe. Gra nga rajoni i Llapit tregojnë për më se 200 te rinj e burra shqiptarë që i kanë ndarë nga familjet
dhe i kanë marrë në rrugën midis Obiliqit dhe Prishtinës. Të deportuar nga fshati Hade i Obiliqit, tregojnë per ekzekutimin e 13 shqiptarëve. Mijërat e të dëbuarve gjatë 24 orëve të fundit janë kryesisht nga rajonet e Llapit, Prishtinës, fshatrat e Ferizajt dhe të Lipjanit”.

Kishim mbërritur në kryeqytet, Prishtinë, para mbrëmjes së 12 qershorit, duke kujtuar edhe largimin pasi në mbrëmjen e 24 marsit 1999  në kushte të pamundshme të ndërprerjes së linjave telefonike dhe dritave, me lidhje satelitore që e mundësoi vëllai Demë Jashari nga Zvicëra, nga banesa plot edhe me refugjatë në qytetin në luftë e në shtetrrethim, derisa shkallëve të ndërtesës në lagjen Ulpiana dëgjoheshin rrapllimat e zërat e forcave serbe, kisha raportuar  për ATSH-në e Radio Tiranën për goditjet e para të aviacionit të NATO-s e të nesërmën në mëngjes për “qytetin fantazmë” e masakrat e reja të forcave serbe në shtëpitë e shqiptarëve gjatë natës…

Në atë mbrëmje të 12 qershorit të para 16 viteve, në Prishtinë shihej se rreziku ishte edhe më i madh se që ishte paramenduar, në të gjitha anët kishte breshëri armësh. Kudo kishte policë, ushtarë, paramilitarë serbë, të gjithë të armatosur, shumë prej tyre edhe të dehur. Paramilitarët e Arkanit i ndoqën gazetarët ende pa hyrë në hotelin në qendër apo të sapohyrë, dhe nëpër një rrëbesh shiu që largoi njerëzit nga rruga po iknim me shpejtësi, me automjetin që udhëtonim…

Kisha dhënë edhe lajmin e parë të rikthimit në Prishtinë… Po ku ta kalonim natën, kur ende nuk mund të shkoja në banesën time ku kishin hyrë forcat serbe…

Shkojmë drejt adresës së telefonatës së 6 majit nga Prishtina, që u bë lajm…“Ai lajm na dha shpresë shpëtimi”, u shprehën me falënderim të ngujuarit atje, që na dhanë çelësin e një banese të boshatisur.

Në lajmin e 6 majit të para 16 viteve, natyrisht, në rrethanat që ndodheshin të ngujuarit në Prishtinë, mes forcave kriminale, nuk përmenda burimin, telefonatën nga posta e re e Prishtinës që ishte bërë mes rreziqesh, po duke iu referuar “burimeve të ATSH-së” tregova çka po ndodhëte, që “bota ta marrë vesh”…

Në të gjitha anët në Prishtinë breshëritë e armëve vazhdonin edhe gjatë mbrëmjes së ditës kur nisi lira, edhe gjatë gjithë natës që po e kalonim në një banesë të shqiptarëve të dëbuar. Nata e fundit e forcave serbe në kryeqytetin e Kosovës ishte plot tmerre dhe ankthe, kishte disa shqiptarë të vrarë në shtëpitë e tyre, edhe shumë djegie e plaçkitje…Kishte edhe plumba qorr që binin, të shkrepur nga shumë armë serbe.

Në  ditën e 13 qershorit 1999, në mëngjes, qielli mbi Prishtinë mbulohej nga helikopterët e NATO-s, ndërsa kolna e tankeve dhe makinerive tjera ushtarake shihej tek zbriste rrugës nëpër një kodrinë nga ana jugore dhe mbushte sheshet dhe rrugët e kryeqytetit të Kosovës.

Nga këto pamje, në ATSH në Tiranë shkonte lajmi: “NATO po e merr kontrollin në Prishtinë dhe po detyron forcat e Milosheviçit të largohen…”

Erë shkrumbi e shtëpive e obekteve tjera të djegura ndihej në Prishtinë. Forcat serbe i kishin vënë flakën edhe selisë së Zyrës së SHBA – përfaqësisë së  parë të një shteti nga 6 qershori 1996 që shënonte vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta, si dhe selisë së Presidencës dhe institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht.

Dyqanet dhe klubet ishin të mbyllura dhe të plaçkitura…

Në 13 qershor 1999, forcat e NATO-s hynë në Kosovë edhe nga Shqipëria, duke kaluar kufirin nëpër Morinë-Vërmicë, drejt Prizrenit…
Pas një nate që e përshkruaja “plot rreziqe dhe e tensionuar, me të shtëna të shumta armësh të serbëve dhe me provokacione kundër shqiptarëve dhe forcave paqësore”,  vazhdoja raportimet nga Prishtina në ATSH: “Kosova qysh dje dhe sot është e lirë në shumë pjesë të saj. Kurrë nuk janë parë njerëz më të gëzuar se sot me hyrjen triumfale të forcave të NATO-s në Kosovë dhe kryeqytetin e saj, Prishtinë. Në Prishtinë qysh sot, NATO po vendos kontrolle…”

Pasditen e 13 qershorit 1999, me korrespondentin e Zërit të Amerikës,  Isak Ramadani, që erdhi nga Shkupi në Prishtinë duke sjellë edhe numrin special të gazetës tradicionale kosovare Rilindja të botuar atje me raportimet për ngjarjen historike të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë,  kalova edhe një herë rrugën nga kishin hyrë forcat e para të NATO-s një ditë më parë. Edhe Rilindja në ballinë kishte te kryetitulli orën që kasha raportuar në ATSH: “Dje në orën 5.17 – Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”.

Dhe, vazhdoja raportimin në ATSH: “Sot duket krejt e çliruar pjesa e Kosovës nga kufiri me Maqedoninë, përgjatë rrugës që të çon në Han të Elezit, Kaçanik, Ferizaj, Lipjan e deri në kryeqytet. Në Kaçanik, Han të Elezit dhe në lokalite të tjera takuam dhe ushtarë të UÇK-së që kthenin jetën dhe rregullin.
Flamuri shqiptar – flamuri i lirisë valonte në kulmin e ndërtesës 12- katëshe në qendër të qytetit të Kaçanikut, mbi kulmin e shkollës tetëvjeçare ‘Jusuf Gërvalla’ në fshatin Nikaj dhe lokalitete të tjera.
Në vendkalimin kufitar në Bllacë ndërmjet Kosovës dhe Maqednisë sot nuk ka më flamuj serbë, të cilët janë hequr. Në kufi figurojnë marinsat amerikanë”.

Kështu ishte 16 vite më parë…

Dhe, 16 vjet pas 12 qershorit historik 1999,  Kosova feston Ditën e Lirisë – Ditën e Paqes, kur NATO nisi marshin shpëtimtar me forcat tokësore, pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe.

Në 16 vjetorin e lirisë,  Kosova me pavarësinë e shpallur në 17 shkurtin historik 2008 është e njohur nga 109 shtete anëtare të OKB-së dhe drejt të gjitha njohjeve ndërkombëtare…

Filed Under: Featured

Ilir Ikonomi- një portret te gazetës austriake per Isa Buletinin, 104 vjet më parë

June 10, 2015 by dgreca

-Gazetarët e huaj e quanin privilegj të bisedonin me Isa Boletinin. Një korrespondent, i cili e kishte takuar Isën në kullën e tij në Boletin, na jep një përshkrim të shkurtër që e gjeta në gazetën e Vjenës, Neue Freie Presse, të 6 prillit 1911. Në atë kohë, malësia e Mbishkodrës ishte përfshirë nga revoltat kundër xhonturqve. Përpara kësaj, revoltat kishin tronditur Kosovën dhe emri i Isa Boletinit përmendej në gazetat e mëdha. Vendosa ta përkthej këtë artikull, sepse korrespondenti e përshkruan Isën thjesht dhe pa ato fjalët e mëdha që lexojmë shpesh për të.
___________
Në kohën e regjimit të Abdyl Hamitit, Isa Boletini jetonte në kullën e tij pranë fshatit Boletin dhe për të arritur atje, duhet të ecje nëpër një shteg fare të ngushtë. Kulla ishte e ndërtuar me gurë të mëdhenj, deri në një metër të gjerë dhe ngrihej mbi një kodër, në këmbën e së cilës rrjedh lumi Ibër. Kanatat e dritareve ishin prej pllakash të trasha hekuri dhe krejt kulla kishte një pikë vëzhgimi, prej nga mund të shihje si në pëllëmbë të dorës vendin rreth e qark. Nga kjo fortesë, Isa Boletini vëzhgonte gjithçka dhe, kur kërcënohej nga ndonjë rrezik, mjaftonte të shtinte një herë me pisqollë në ajër, që shqiptarët të rrëmbenin armët.
Për mendësinë tonë, Isa Boletini mund të konsiderohet si një grabitës ose vrasës, por për shqiptarët ai është njeri me një mision të shenjtë, i cili nuk ka bërë tjetër përveçse detyrën si shqiptar, sepse ka marrë hakun e të vëllait, kunatit dhe disa të afërmve të vrarë.
Isa Boletinit i ndalohej hyrja në Mitrovicë, e megjithatë të paktën dy herë në javë njerëzit kishin rast ta shihnin zotërinë nga Boletini në rrugët e qytetit, hipur mbi kalin e tij arab. Mbante jelekun e shkurtër tipik shqiptar të qendisur me fije ari, ndërsa në brezin e gjerë ngjeshte një pisqollë të madhe me dorezë argjendi. Në qafë varte një martinë, edhe kjo plot me stolisje argjendi. Vazhdimisht rrethohej nga 40-50 burra, që të gjithë të armatosur deri në dhëmbë, disa që ecnin në këmbë e të tjerët mbi kuaj.
Në Mitrovicë turqit kanë një garnizon ushtarak, por askush nuk guxonte ta shqetësonte këtë burrë të respektuar.
Një ditë të bukur, Isa Boletini u bë mik me Sulltan Abdyl Hamitin, i cili i dhuroi një mulli dhe i caktoi një pagë mujore prej 50 lirash. Isa jetoi ca kohë në paqe me rrogën e qeverisë turke, por me rivendosjen e Kushtetutës në vitin 1908, të ardhurat e tij u shterën me shpejtësi, sepse qeveria nuk e paguante më dhe mulliri iu mor.
Mund të kuptohet kësisoj se përse Isa Boletini nuk është shumë miqësor me regjimin e ri turk. Ai nisi një propagandë antiturke dhe u shpall i jashtëligjshëm. Disa batalione turke shkuan për të sulmuar kullën e tij, mirëpo u sprapsën me humbje të rënda. Pas kësaj, kulla u rrafshua me top, por Isa Boletini kishte ikur dhe thuhet se ishte plagosur rëndë. Ai u tërhoq në pronat e veta në Pejë dhe kur filluan revoltat e shqiptarëve doli përsëri në skenë si luftëtar. Pas shtypjes së revoltave, Isa u tërhoq në Mal të Zi, por hyri disa herë në territoret shqiptare për të përgatitur kryengritjen. Të gjitha përpjekjet e turqve për ta dobësuar fuqinë e tij dështuan.
Isa Boletini është 45 vjeç, ka trup të gjatë dhe të derdhur, fytyrë të zbehtë dhe sy të zinj e melankolikë. Kur flet për familjen e tij, që është vrarë thuajse e gjitha për lirinë shqiptare, ai trishtohet dhe bie në mendime. Ka një djalë, të cilin e do shumë dhe e ngushëllon në heshtje.

Filed Under: Featured Tagged With: Ilir Ikonomi, Isa Boletini, New Freie Presse, portret

MESAZH DORJAN GRECES PAS DASMES SE MREKULLUESHME….

June 8, 2015 by dgreca

Nga Asllan BUSHATI/*
I dashur Dori, do të më falësh për stilin e pasqyrimin jo me nivel të shkrimit të më poshtëm, jo se nuk dua, por se unë nuk jam as gazetar dhe as gjuhtarë si Babai Juaj Dalip Greca në përshkrimin e ngjarjeve të bukura si ajo e dasmës tënde që përjetuam sonte në Rockleigh Country Club. Ai sigurisht që din shumë më mirë se unë ti përdori format gazetare dhe figurat letrare për t’i pasqyruar ngjarjet bukur , këndëshëm e me stil. Koha i ka gedhendur bukur shkrimet e tij në shumë faqe të shtypit të shkruar shqiptar, por vecanërisht në faqet e “Diellit”, me të cilat ne krenohemi.Por sot unë duke përdorur shprehje e fjali të zhargonit të përditshëm (ndoshta dhe të konsumuara), do te përpiqem të përciellë vetëm disa ndiesi të mijat dhe të disa vatranëve që morën pjesë në dasmën tuaj dhe të Kristinës.
Po e filloj nga organizimi i dasmës i cili me një fjalë të vetme mund të quhet thjeshtë –perfekt,. Ai nisi me ftesat e nisura që para gjashtë muajsh duke na thënë me kohë se”s’ka justifikim për mos pjesëmarrje”, ftesa të cilat ishin nga më të mirat që kemi patur rastin të shohim .Por jo vetëm kaq, ishte zgjedhur për dasëm një lokal i shkëlqyer, në një vend shumë të bukur dhe piktoresk. Na pritët hijshëm,me kultur dhe duke gërshetuar mirë traditën me qytetarinë , kulturën tonë shqiptare me kulturën e Amerikës. Dalipi e Xhemilja, motrat tuaja dhe Ju, familja Bardhecaj, Kristina e dashamirët e tyre, na pritën buzëgas e me ndienjë të thellë respekti në hyrje të restorantit dhe në cdo tavolinë , të cilën do ta ruajmë të pa harruar.
Ushqimi ishte i klasit të lartë si në sallën aperitive ,në restaurant dhe në pjesën vijuese për fruta e ëmbëlsira. Muzika e gërshetuar bukur live e me DJ, nga Kelmendi e në Camëri, nga Kosova e në Gjirokastër, nga Korca e në Lushnje, nga Ulqini e në Dibër, në një harmoni të plotë mbarshqiptare. Atmosfera e dasmës dhe muzika na bënë që për disa orë ,të harrojmë hallet e jetës kurbetqare dhe të mbushim zemrat me copëza gëzimi atdhetar. Në urimet per ju u ngritën dolli e shëndete nga Puka:Gjon Bucaj e Zef Balaj me bashkeëshortet; nga Kosova Agim Rexhaj e Marjan Cubi me bashkëshortet,; nga Mirdita Zef e Albert Pernocaj;nga Luma, Halit Daci e Mithat Gashi me familje;Idriz Lamaj me bashkeshorten Alma, Leke dhe Pashko Gojcaj nga Hoti shqiptar,Teki Gjonzeneli me bashkeshorten Filnlanda, Petrit Spiro me Enxhin, avokati shume i njohur shqiptar Ylber Dauti, Tana Vila nga Tirana, Vedat Kulla me Veren vajzen dhe dhendrrin,Sokol Prenjo Imeraj,Adem Belliu i TV KUTURA SHQIPTARE me te gjithe familjen,Nazo Veliu me Veiz Belliun dhe mbesen Kamila, nga Camëria,Perparim Likollari nga Permeti me Violeten, vajzen Blerina dhe dhendrin amerikan Maxhid, lushnjaret e shumte qe kishin ardhe edhe nga Kanadaj, presidentja e Komunitetit Shqiptar ne Kanda Aida Lumi Bejte em bashkshortin Arben, Viktor Haxhiu dhe Lindita, Kristaq Papa dhe Pavlina, Kristaq Foto dhe Entela, Dr. Irida Hasalla me Dr. Ermal Molla, Mereme Dervishi(Nezaj) me djalin Dritan dhe nusen Enkeleda, Luan Korershi me Mozen,fqinjet dhe kusherirat e Dalipit, Lavdije dhe Natasha, me bashkeshortet Zenel Hasalla dhe Arben Bilbili dhe femijet,krushqit e Dalipit nga Delvina Abaz dhe Donika Shehu, shoket dhe shoqet e tua, qe i dhane “zjarr” valleve, …dhe rrjeshti s’ka të ndalur por vazhdon me të gjitha trevat shqiptare.
Të dyja familjet, Greca e Bardhecaj na kënaqën e na gëzuan, Dori e Kristina na lumturun në atë amient të këndëshëm dhe në një local luksoz. Po të kisha mundësi shprehjen e më poshtëme do ta shkruaja mbi gurë (që të mos fshihej kurrë), në një faqe shkëmbi ku të thuhej:”U trashëgofsh Dorian Greca”. Por me qënëse nuk kam mundësi ta bëj një gjë të tillë, do ti lutem editorit të Diellit të ma botojë atë në on line dhe në print, që të mbetet si një dëshmi e datës 7 Qershor 2015,në mënyrë që vatranët dhe breznitë e ardhëshmë shqiptaro- amerikane të mund të bëjnë një dasëm të tillë kaq të pa harrueshme dhe ku shprehet me fakte se feja e shqiptarit është shqiptaria.
Urojmë (fjala jonë në vesh të perendisë), që Doriani e Kristina të trashëgohen, të kalojnë jetë të lumtur dhe fëmijët e tyre të bëhen shqiptaro-amerikanë të zot, për vehten e tyre dhe komunitetin. Bëfshin dasma si kjo e Dorit dhe e Kristinës.
Të thashë Dori që në fillim se nuk kam dell për gazetari,por sido që të jetë, miqt e mi vatranë dhe unë me familjen time të urojmë e të pëqafojmë shumë.

*Nënkryetari i Vatrës

Rockleigh Country Club. 7 Qershor 2015
Shenim: Keto radhe u shkruan shpejt e shpejt pas kthimit nga dasme qe u be ne Nju Xhersi,ora duhet te kete qene 2 e nates.Koha nuk qe e mjafte sepse me priste udhetimi me aeroplan drejt Tiranes, udhetim qe e kisha shtyre per shkak te dasmes tende Dorjan! Te trashegohesh!

Filed Under: Featured Tagged With: asllan Bushati, dasma, Dorjan Greca, mesazh

Votoni opozitën

June 7, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Unë e di që një vështrim përkitas, pas këtij titulli, do shkaktojë të qeshura. Mbase jo të forta, por ironike. Megjithatë, shqiptarët duhet të votojnë opozitën. Kandidatët e saj vetëm për një qëllim. Tu thonë politikanëve se ka ardhur koha dhe duhet medoemos të punojnë bashkërisht. Në një sistem plural, nuk ka merita të njëanshme. Por – o janë merita të klasës politike, ose hiç.
Diku nga fundi i ndeshjes së mbrëmshme, mes Barcelonës dhe Juventusit, u hodh në internet një video publiçitare me kryetarin aktual të Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha.
Duke fjetur në një sofa të butë, në një dhomë gjysmë hije. Pra relaksuese.
Kjo po i kënaq shqiptarët. Të cilët vazhdojnë të mburren me finesat e humorit, sportivitetin e Kryeminstrit. Liderit të Rilindjes etj. Babain e ri që kur e pyesin për të birin. Bën aludime të çuditshme, fëmija, kurioziteti, kopshti zoologjik etj. Nga ana tjetër u gri duke na ngritur krahësh fëmijët e provincës. Duke shpërndarë selfie. Ai që i është mbushur mendja se është gaztori dominant, aktual i skenës shqiptare. Njeriu, që jo për hatër të gjatësisë i shikon njerëzit nga sipër. Por mendjembushur se i di të gjitha. Me siguri absolute. Madje me superkëmbëngulje në krijesat e tija që kanë dalë të shpërndajnë miell nëpër rrgjimet periferike të një vendi të lodhur. Por jo të shfrenuar. Ai që i mori qeverisjes së djeshme skandalet. Ato që ua kujtonte shqiptarëve nga mëngjesi deri në darkë. Dhe po kështu tani, ua servir për arritje me tolerancë zero ndaj dekriminalizimit, spastrimin e administratës etj. Pra elementët e skandaleve nga partia e skandaleve, Lsi.
Po i kthehem këtij spoti, për shkak të përqëndrimit me shumicë të fushatës. Në atë drejtim, që quhet gallatë. Gallatë me tjetrin që kemi përballë. Ndërkohë lihen pas dore probleme që kanë të bëjnë me komunikimin midis një bashkiaku dhe qytetarit. Pra probleme administrative. Marrëdhënie administrative, shërbime, pagesa taksash dhe kushte ndihmuese për bizneset lokale, etj.
Ta sajosh një njëri në divan, duke fjetur ashtu me veshje zyrtare. Ndërkohë tu thuash votuesve se dua votën tuaj për kandidatin tim. Se kështu do tu jap fonde. Të ndreqni rrugët, të përmisoni jetesën etj. Eshtë tallje.
Nuk është vështirë të kuptosh lojën e të mëdhenjëve në pozitë, me qytetarin e parë të një qyteti në opozitë. Diku e fitojnë, diku jo. Po edhe kur e fitojnë ato janë fitore që ta shpifin. Kur nuk e fitojnë krijojnë filmavideo të tipit Basha në kanape, duke gërhitur. Si e si të kënaqin perversitetin e tyre për të mundur kundërshtarin.
A ka aty të tillë. Oh, me përditshmëri. Por po të them vetëm një, ty shef i Rilindjes. Fitorja e Berishës ndaj teje. Me qëndrën e Tiranës. Tashmë aty gjallon një kokërr fasule e gjelbër që edhe ajo ta shpif. Janë ndryshe qëndrat e kryeqeteve të botës.
Disa ditë më parë analiste të krahut të majtë me të drejtë jepnin dy shqetësime kryesore. Konsumimin e tepruar të Kryeministrit në një fushatë lokale.
E vërtetë. Një fatalitet rigoroz këto njëzet e pesë vitet e fundit.
Eshtë fushatë lokale, jo e talljes me njëri-tjetrin.
Një tjetër analist jepte shifra. Konkrete. Ku të binte kokës fakti që 14% e investimeve publike bëhej nga buxheti. E imagjinoni vet se sa çfarë distance ka 14 nga 100. Pjesa tjetër nga kreditimet bankare të huaja. Pjesa tjetër e investimeve vjen nga donacionet, nga lypja jashtë. Nuk është e domosdoshme të jesh ekonomist të kuptosh jo buzën, por greminën ku po hallakatemi si vend.
Megjithatë, kandidatët e pushtetit u thonë qytetarëve se më votoni mua që të rregullojmë këtë apo atë. Ashtu si Hasani i Kavajës, u mburr me stadiumin e ardhshëm dhuratë nga Kryeministri. Në të njëjtën kohë kur qyteti diskuton akoma ujin e pijshëm. Projekti i tij në këtë mandat të dytë, është stadiumi, jo uji.
Turp e faqja e zezë, sikur me gisht të dorës të shposh aty, në fushat e Kavajës, ujë del. Po ujë nuk ka.
Votoni opozitën shqiptarë. Tu thoni pushtetarëve se jeni ju ata që e zgjedhin qytetarin e parë.

Filed Under: Featured Tagged With: Ilir Levonja, votoni opoziten

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 647
  • 648
  • 649
  • 650
  • 651
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT