• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Robert Gjonaj (Donovic) rizgjidhet në këshillin e qytetit të Livonias, në Michigan

November 4, 2021 by s p

Nga Rafael Floqi

I riu shqiptaro amerikan “Robert Donovic (Rob  Gjonaj) rizgjidhet në Këshillin e qytetit të Livonias,Michigan, duke marrë shumicën e votave. Puna e tij derë me derë me zgjedhësit edhe kësaj here ia vlejti. Mjaft bashkatdhetarë dhe mbështetës tij ishin grumbulluar të martën në darkë në OneUnderBanquet Hall në Livonia në darkën e fitores. Kjo fitore ishte me diferencë më të madhe nga të gjithë të zgjedhurit, pa u numëruar ende votat me postë dhe abstenimet, duke marrë gjithsej 12,402 vota.

 “Ne, ia dolëm. Ne fituam rizgjedhjen!!! Faleminderit Zotit, familjes, ekipit dhe Livonias. Ne e arritëm këtë së bashku!” reagoi shqiptaro -amerikani Robert Gjonaj, pasi mori vesh rezultatin e fitores te tij, si i rizgjedhur në  Këshillin e Qytetit të Livonias. 

Në një shënim në Facebook Roberti i cili është dhe anëtar i Gardës së Michiganit, i cili gjatë vitit te kaluar e ka ndjekur edhe aktivitetin politik lokal te qytetit të tij Livonias ku banon,  nga Iraku viaSkype, duke marre pjesë në  mbledhjet e këshillit që nga kazerma, kur të nesërmen në mëngjes i duhej të merrej si ushtar me zhvendosjen e trupave me helikopterët amerikanë në Lindjen e Mesme, në Irak, Kuvajt dhe Katar.

“Ishte një luftë e ashpër elektorale thotë aktivisti dhe mbështetësi i tij, Mark Gjokaj. Roberti kaloi tri netët e fundit të fushatës, duke fjetur vetëm tre orë dhe duke shkuar derë më  derë. Ishte një ndeshje e vërtetë politike, jo vetëmme kundërshtarin e Partisë Demokrate, por edhe me Partinë Demokrate të shtetit të Michigan-it,  e cila për këtë vend në Këshillin e këtij  qyteti kishte vënë në dispozicion 10 mijë dollarë, vetëm e vetëm që Roberti të mos rizgjidhej. Por ky djalosh shqiptar me angazhimin e tij, ia doli mbarë. Në takimin e fitores kishte krahas zgjedhësve të tij amerikanë dhe mjaft shqiptarë të zonës e më gjerë, ku krahas Markut, shquheshin ish- kandidati për kongresistnë 2016 për Michiganin, XhonGoci, kryetari i shoqatës së re Jehona e Malësisë në Michigan, VilsonSinishtaj dhe mjaft të tjerë.

“Nesër është dita e zgjedhjeve në Livonia!”, pat shkuar ai të hënën në Facebook. “Është surreale të jesh këtu, afër ditës së zgjedhjeve. Unë kam qenë shumë me fat që kam kaq shumë njerëz që më mbështesin, vullnetarë, që dhurojnë dhe votojnë për mua. Mundohem t’u them të gjithëve “Faleminderit”, por është pothuajse e pamundur, t’ua them të gjithëve që kanë qenë aty për mua. Familjes sime, miqve të mi, bizneseve familjare lokale, amerikanëve, shqiptarëve, të huajve, kolegëve, të gjithëve që më kanë mbështetur dhe mbështesin  mua, ju vlerësoj sinqerisht të gjithëve”.

Ai është modest për atë që ka arritur dhe shton “Mund të them sinqerisht se kemi bërë gjithçka që mundëm, i lamë të gjitha, tejkaluam pengesat, takuam dhe ndërtuam miqësi të shkëlqyera dhe ndihmuam shumë njerëz të mirë. “ thotë  ky djalosh shqiptar i angazhuar,në radhët e Rinisë Republikane, për të cilin vlerat e familjes janë përparësi.

“Unë kërkoj dy gjëra pat shtuar ai  në një fjalor që ndryshon nga ai i luftës aktuale politike “ 1. Thuaj një lutje për të gjithë kandidatët që konkurrojnë, madje edhe konkurrentët e mi. 2. Votoni për mua. Oh, dhe një gjë tjetër! 3. Mësojini Luanët të luajnë futboll” , shton ai jo pa humor, duke iu referuar faktit që ekipi i Detroit “ Lions “është në fund të klasifikimit.

Në një intervistë në fillim të fushatës me ALBTV USA,  Roberti u shpreh se si qëllim të tij për qytetin e tij këtë legjislaturë kishte “ eliminimin e godinave të vjetra të rrënuara, “blait” të atyre që të vrasin syrin, në qytetin e tij me një partneritet, publik privat, duke pasur dhe rezultate të dukshme në këtë drejtim.  Në ndryshim nga parullat e së majtës radikale për denigrimin e forcave të rendit  e shprehur me parullën  “defund the police”, Roberti është përpjekur për të krijuar lehtësira në qytetin e tij, për punësimin e punonjësve të rendit dhe zjarrfikësve edhe në këto kohë të vështira. 

Qëndrimi mbështetës për oficerët tanë të policisë dhe zjarrfikësit në Livonia është me rëndësi të madhe për Robertin, dhe këto nuk janë vetëm fjalë fushate. Ai vet ka dhënë shembullin e tij. Pas shërbimit në ushtrinë amerikane dhe kontributin në komunitet për disa kohë, shqiptaro-amerikani Robert Gjonaj, dy vjet më  parë vendosi të vazhdojë misionin e tij, duke kandiduar për herë të parë në këshillin e qytetit të Livonias, Michigan, SHBA. Duke u bërë kështu kandidati më i ri në moshë në Këshillin e Bashkisë në Livonia. Edhe pse i ri, ai ka shërbyer në forcat e armatosura dhe si oficer rezervë i policisë. 

Robert Gjonaj, Jim Jolly, Laura Toy, dhe Scott Morgan fituan të gjithë vende për Këshillin e Qytetit të Livonias në Zgjedhjet e Përgjithshme të 2 nëntorit 2021. Ishin shtatë kandidatë që konkurronin për katër vende. Donovic mori 16% të votave.  Donovic u zgjodh për herë të parë në 2020.

“Një komunitet i sigurt është një komunitet i fortë, i cili ndihmon në tërheqjen e zhvillimit inovativ që është në përputhje me karakterin e Livonias. Nga na tjetër, sipas sitit të tij të zgjedhjeve “Rob dëshiron të punojë me zyrtarët e qarkut dhe departamentin  të Departamentit të Punëve Publike për të ruajtur cilësinë e rrugëve të qarkut dhe qytetit në Livonia dhe për të forcuar infrastrukturën e qytetit.”

Roberti të thotë se ishte rritur për të qenë një shërbëtor i komunitetit si djali i një familje emigrantësh. Vullneti dhe pasioni për profesionin e kanë shtyrë shqiptaro-amerikanin të guxojë edhe më shumë. “ Unë do të punoj me gjeneratat e ndryshme me të moshuarit, me brezin e ri ( millenials), për të plotësuar nevojat e tyre në kuadër lokal,  thotë ai, i cili ka bërë një punë të palodhur derë më derë. Ai këtë punë e vlerëson dhe si një nder për komunitetin shqiptar në Amerikë.

“Sinqerisht, është nderi më i madh i jetës sime,” shprehet ai. “Unë duhet të shërbej në komunitetin në të cilin jam rritur, në komunitetin që unë dua dhe gjithashtu i shërbej vendit ku familja ime emigroi vetëm 30 vjet më parë. Duke u rritur si fëmijë, gjithmonë kam ëndërruar të isha pjesë e ushtrisë amerikane.”

Vjet pavarësisht se kishte një diferencë prej shtatë orësh me vendin ku ishte caktuar me shërbim, Rob vazhdoi të ishte pjesë e mbledhjeve të këshillit virtualisht pasi mbledhjet që zakonisht zhvillohen në orë 19:00, ndërsa për Rob në Irak qe ora 2 e mëngjesit. Në fillim të vitit të kaluar këshilli i qytetit miratoi një urdhëresë që lejonte pjesëmarrjen në distancë në takimet për anëtarët e këshillit që po shërbejnë në ushtri. Donovic tha se ai nuk ishte në dijeni të ndonjë anëtari të mëparshëm të këshillit të Livonia që mund të ketë qenë në detyrë ndërsa njëkohësisht ishte në detyrë aktive ushtarake, por tha se situata e tij nuk është unike.

Roberti është i pasionuar për ruajtjen e ndjenjës së fortë të komunitetit në Livonia, përmes organizatave të komunitetit, duke përfshirë programet e artit dhe muzikës, dhe të parqeve  të qytetit, duke siguruar që ne të vazhdojmë të tërheqim familje të reja dhe t’i joshim mijëvjeçarët që të zgjedhin Livonia-n si vendin për të bërë shtëpinë e tyre. Roberti  punoi me shoqatat e lagjeve për të krijuar dhe mbajtur programe cilësore për angazhimin qytetar së  të rinjve dhe qytetarëve të moshuar. “Tani , tha ia gjatë intervistës me ne , ka shumë njerëz që më  njohin mua,  më çojnë, e-maile apo vijnë në Këshillin e qytetit për të takuar për shqetësimet e tyre, pasi ata besojnë tek unë”.

Prindërit e Robertit kanë emigruar në Shtetet e Bashkuara nga Malësia në vitet 1980. Familja e tij u vendos qysh në fillim në qytetin e Livonia-s.Michigan, duke punuar e fituar sa për të hapur edhe një restorant familjar, i cili më vonë do të “ndizte” ambiciet e Rob si një sipërmarrës.  Ai dhe tre vëllezërit e tij të vegjël hynë në sistemin e Shkollave Publike Livonia, ku ai ndoqi Shkollën Fillore Johnson, Shkollën e Mesme “Frost” dhe mbaroi shkollën e mesme “Churchill” në 2010. Rob është një anëtar i ushtrisë, një ushtar këmbësorie, një oficer policie rezervë dhe djali i prindërve emigrantë që erdhën në Michigan në vitet 1980. Familja e Robit vazhdoi të fillonte një biznes familjar, ku ai do të punonte, kur nuk po luante futboll të ligës së vogël për Livonia Orioles ose për ChurchillChargers. Rob ndoqi Shkollat Publike Livonia që kur ishte student në Johnson Elementary përmes SchoolcraftCollege. Ai aktualisht shërben në Komisionin e Arteve të qytetit dhe është Zëvendës President i Zhvillimit të Komunitetit për Livonia Jaycees. Rob është anëtar i Dhomës lokale të Tregtisë, Rotary AM dhe LionsClub. Duke ndjekur rrugën e familjes së tij, Rob filloi biznesin e tij të vogël duke u përqendruar në zhvillimin e pronës. Detyra e kompanisë së tij është shit-blerja e pronave, banesave private dhe ato komerciale, rinovimi i tyre dhe vënia e tyre në treg. Përveç zotërimit të biznesit të tij, Donovic është menaxher i biznesit në restorantin e familjes së tij, “Darka e Qetë” që gjendet në Redford, Michigan.

“Për mua është krenari të shërbej edhe zgjedhësve shqiptarë në Livonia, pasi familjet tona erdhën pa asnjë gjë në xhep dhe sot janë intelektualë, juristë mjekë dhe kemi dhe të zgjedhurit tanë në rrafsh lokal dhe më lart. Tani është koha dhe unë e shoh këtë më shumë jo si avancim vetjak por si shërbim ndaj komunitetit tim.”  Dikush që e ngacmon pse s’e ka ndërruar mbiemrin që reflekton periudhën e ish Jugosllavisë, ai të shton disi me turp, kam dashur ta bëj këtë, por nuk mundem tani, pasi jam regjistruar me këtë mbiemër në Ushtrinë Amerikane”.

Për të treguar patriotizmin e tij, të sinqertëka një fakt interesant, vitin e kaluar në prag të 28 Nëntorit se kur ndodhej në Irak, Roberti më dërgoi fotografinë më  flamurin shqiptar para një helikopteri amerikan që po e shihni. Me kë  je aty e pyesim? Me një shok tim amerikan , i cili më  pyeti se flamuri i cilit  vend është ai. Është flamuri i vendit tim. Në Irak takova mjaft shqiptarë që punonin si kontraktorë, që sa panë flamurin erdhën e më  takuan. Unë jam krenar se jam shqiptar, unë jam krenar që jam amerikan, shton ai .

Fakti që shumë përfaqësues të komunitetit shqiptaro- amerikan ndodheshin të martën mbrëma në ata takim në mbështetje të Robertit e tregon se edhe shqiptarët kërkojnë një brez të ri aktiv në politikën amerikane, ndoshta pa shumë zhurmë si disa kandidatë, por me pasion besim dhe këmbëngulje e patriotizëm si Roberti.

Filed Under: Featured Tagged With: Rafael Floqi

Kosova mbështetje të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës

November 4, 2021 by s p

-Kryeministri Kurti priti në takim Zëvendës Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit, Molly Montgomery, u shpreh mirënjohës për vlerësimin e Presidentit Biden, që vazhdimi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe arritja e një marrëveshjeje duhet përqendruar në njohjen reciproke/

PRISHTINË, 4 Nëntor 2021- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Mbështetja e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partneriteti i shumanshëm, u vlerësuan lart nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takimin me Zëvendës Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit, Molly Montgomery.

Znj. Montgomery theksoi marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën, e veçanërisht lidhjen e fortë personale që Presidenti Biden ka me Kosovën.

Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ajo falënderoi Kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës për bashkëpunimin  dhe mbështetjen në çështjen e strehimit të qytetarëve afganë.

Kryeministri Kurti tha se kjo ndihmë ishte obligim humanitar yni dhe se ne duam t’i qëndrojmë në krah ShBA-ve, aleatit tonë strategjik.

Ai e falënderoi për mbështetjen e dhënë për Forcën e Sigurisë së Kosovës për pajisje dhe trajnime, si dhe shprehu vullnetin për bashkëpunim të mëtejmë. Po ashtu e njoftoi për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, ku përfshihet edhe ndarja e mbi 100 milionë eurove për ushtrinë.

Kryeministri Kurti u shpreh mirënjohës për vlerësimin e Presidentit Biden, që vazhdimi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe arritja e një marrëveshjeje duhet përqendruar në njohjen reciproke.

Gjithashtu, u bisedua për situatën e mirë në menaxhimin e pandemisë COVID-19, mbarëvajtjen e procesit të vaksinimit dhe administrimin e rreth 1.6 milionë dozave.

Kryeministri Kurti falënderoi ShBA-në për ndihmën në procesin e sigurimit të vaksinave kundër Covid-19.

Duke ritheksuar aleancën e palëkundur me ShBA-në, Kryeministri shprehu përkushtimin e Qeverisë për të zgjeruar bashkëpunimin edhe më tej në fushën e edukimit, agrikulturës dhe investimeve.

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, USA

EMIGRACIONI POLITIK SHQIPTAR NË SHBA PAS LUFTËS SË DYTË BOTËRORE DHE RAPORTET E TIJ ME EMIGRACIONIN E VJETËR

November 3, 2021 by s p

Prof. dr. Hamit Kaba

Instituti i Historisë/Akademia e Studimeve Albanologjike

Tiranë, 3 nëntor 2021

  1. Mbërritja e emigracionit politik shqiptar në SHBA

            Historia e emigracionit politik shqiptar nuk fillon me periudhën e pasluftës së Dytë Botërore. Kjo ishte valë e dytë. Vala e parë e emigracionit politik shqiptar duhet kërkuar në periudhën pas dështimit të Lëvizjes së Qershorit të udhëhequr nga Noli. “Në dhjetor 1924, ka theksuar Ali Këlcyra, pothuajse 1200 intelektualë nacionalistë shqiptarë shkuan në mërgim, për të protestuar përpara botës kundër ardhjes në pushtet të Zogut, i mbështetur nga shtetet fqinje e në mënyrë të veçantë nga Jugosllavia”.[2]  

Vala apo faza e dytë e tij fillon në mbarim të LDB dhe vazhdon deri në rënien e regjimit komunist në vitin 1991. Të ikurve do t’u shtoheshin të tjerë shqiptarë të arratisur nga vendi i tyre për shkak të ndjekjeve, persekutimeve e dënimeve, pakënaqësisë së krijuar nga  ndryshimi i sistemit dhe reformat radikale të qeverisë komuniste. Është e vështirë të japësh një numër të saktë të arratisurve nga Shqipëria pas LDB, por ata janë me mijëra. Pas ndarjes shqiptaro jugosllave të vitit 1948, 5000-8000 shqiptarë të tjerë u larguan nga Shqipëria në drejtim të Jugosllavisë. Ministria e Jashtme e Shqipërisë në vitin 1975 do ta llogariste numrin e emigracionit politik në rreth 10000 -12000 persona.[3]

Numri i emigrantëve politikë shqiptarë në SHBA në vitet 1945-1954 ishte i kufizuar. Për arsye të afrisë tokësore me Shqipërinë, lehtësirave për tu larguar nga Shqipëria dhe situatës ndërkombëtare të atyre viteve të larguarit shkuan kryesisht në vendet fqinje, si Italia, Greqia, Turqia e Jugosllavia pas vitit 1948. Shumica e tyre u vendos në kampet e refugjatëve në Itali, nën kujdesin e UNRRA-s, Kombeve të Bashkuara, autoriteteve vendase dhe shërbimeve të inteligjencës anglo-amerikane. Rehabilitimi i tyre u krye relativisht shpejtë. Periudha e viteve 1944-1948 mund të konsiderohet si faza e organizimit të emigracionit politik shqiptar. Krijimi i Komitetit ‘Shqipëria e Lirë’ në gusht 1949 e deri në mbarim të operacioneve anglo-amerikane për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri në vitet 1953-54, shënon fazën e dytë dhe më intensive të tij. Vitet 1944-1954, në biografinë e emigracionit politik shqiptar janë më të rëndësishmet. Si padashje, ai u gjend në syrin e ciklonit të zhvillimeve dhe konfrontimeve të mëdha ndërkombëtare ndërmjet dy kampeve armiqësorë,  nga njëra anë Demokracitë Perëndimore, ndërsa nga ana tjetër të Bllokut të Vendeve Komuniste. Emigracioni politik shqiptar u bë pjesë e lojës së madhe të shahut politik të mëdhenjve. Shumë shqiptarë të arratisur u përfshinë në operacionin Rollback, të planifikuar e realizuar nga autoritetet britanike e amerikane në vitet 1949-1953-54. Përfundimi pa sukses i këtij operacioni i veniti shpresat e të larguarve për t’u kthyer në Shqipëri. Shpresat u lëkundën, por nuk u shuan. Pas kësaj fillon një fazë tjetër, më e qetë, më monotone për emigracionin politik shqiptar, ku forcës ia zunë vendin propaganda dhe fjalët.

Në vitet 1944-1948 në SHBA u fut një kontingjent i pakët shqiptarësh të arratisur. Zyra Amerikane e Emigracionit e cilësonte këtë kontingjent ‘si ish-bashkëpunëtorë të fashizmit, të futur kontrabandë kinse nga CIA dhe nga Departamenti i Shtetit’. [4] Pas krijimit të ‘Komitetit Shqipëria e Lirë’ dhe zhvendosjes së qendrës së tij nga Parisi në New York, kufijtë e SHBA u hapën më tepër për emigracionin politik shqiptar. Krahas krerëve të tij u futën edhe një numër tjetër shqiptarësh të arratisur në këtë vend. Në vitin 1949 mbërriti nga Egjipti në Amerikë ish-imami i Vlorës Vehbi Ismaili, i cili krijoi të parën Shoqatë të Myslimanëve Shqiptarë në SHBA.[5]

Duke filluar me vitin 1948 e në vazhdim qeveria amerikane nxori disa akte ligjore që favorizonin futjen e disa kategorive personash, duke përfshirë edhe emigrantët politikë në këtë vend. Ndër ta do të përmendnim ligjin për Personat e Shpërngulur të vitit 1948, Akti i Ndihmës për Refugjatët i vitit 1953, Akti për Personat e Shpërngulur i vitit 1957, Akti i korrikut të vitit 1970 etj.[6] Akti më favorizues dhe nxitës për emigrantët politikë evropianë dhe shqiptarë mbetet ai i vitit 1960, i cili lejoi hyrjen pa kufizim të refugjatëve politikë nga Evropa Lindore e Qendrore. Shifra ekzakte për emigrantët politikë të futur në territorin amerikan është e vështirë të gjendet, sepse ata figurojnë të regjistruar së bashku me bashkatdhetarët e tyre të ardhur nga Kosova dhe territoret e tjera të ish-Jugosllavisë.

  • Veçori dhe ngjashmëri ndërmjet  emigracionit të vjetër dhe emigracionit të ri

Pa u ndalur në historinë e shkëlqyer të emigracionit shqiptar në SHBA me ‘Vatrën’ e deri diku organizatën ‘Shqipëria e Lirë’ të periudhës së para LDB, të cilat kanë shërbyer si ura lidhëse ndërmjet SHBA dhe Shqipërisë dhe si mbrojtëse të çështjes kombëtare, unë do të përqendrohem tek dallimet dhe tiparet e përbashkëta të tyre. Studiuesi i njohur me origjinë shqiptare në Departamentin e Shtetit (DSH), Stephen Peters, ka vënë në dukje disa tipare të emigracionit politik shqiptar në SHBA, dhe ndikimin e tij në bashkësinë shqiptare të  komunitetit të  vjetër. “Me pak përjashtime, përmend ai, përbërja e emigracionit të vjetër shqiptar ishte me bazë fshatare dhe me stok bujku, ndërsa ardhja e tyre në Amerikë kishte shkaqe të padiskutueshme ekonomike” [7]. Por edhe origjina e  elitës së  shqiptarëve të Amerikës, përmend Peters,  me emra të tillë, si: Sotir Peci, Noli, Konica, Dako, motrat Qirjazi, Kostandin Çekrezi, Anastas Pandele, Vasil Marku e Kristo Thanas, përveç Faik Konicës, ishte pothuajse e njëjtë me atë të popullit të thjeshtë. Ata ndikuan tek shqiptarët e thjeshtë të Amerikës, duke i iluminuar e edukuar ata me shpirtin e patriotizmit, me  ndjenjën e identitetit kombëtar dhe punës në interes të  atdheut.

Por gjendja e emigrantëve të vjetër ndryshoi në mënyrë radikale pas mbërritjes së emigrantëve të rinj. Të ardhurit ishin nacionalistë shqiptarë të larguar pas vendosjes së pushtetit komunist në Shqipëri, e të akuzuar prej tij si ish kolaboracionist e kriminelë të luftës. Kontingjenti fillestar i të ardhurve do të shtohej e pasurohej nga koha në kohë, me të tjerë persona, të larguar nga Shqipëria për shkak të represionit komunist. Refugjatët politikë dalloheshin nga emigrantët e para luftës nga pikëpamja e arsimimit dhe profesionalizmit. Të parët në përgjithësi vinin nga fshati dhe ishin analfabetë. Ata punonin në punë të zakonshme në sektorin e shërbimeve e në prodhim në fabrika e uzina. Fëmijët e tyre rrallë studionin në universitete dhe në degët e ndryshme të dijes. Në këtë kuptim ata ndjeheshin inferiorë ndaj kontingjentit të ardhur pas Luftës.  Pjesëtarët e emigracioni politik të pasluftës ishin arsimuar e përgatitur në shkollat kombëtare shqiptare, ndërsa shumica e tyre ishte specializuar e trajnuar në universitetet evropiane.

Të vjetrit, sikurse edhe refugjatët politikë kishin pikëpamje të ndryshme politike, por sidoqoftë tek të dy palët mbizotëronin interesat kombëtare. Kontingjenti i të ardhurve  i përkiste një spektri të gjerë politik, por mungonte krahu i majtë ekstrem. Brenda tij kishte elementë të majtë me pikëpamje socialdemokrate. Në një studim të Ministrisë së Jashtme të Italisë të vitit 1954, Abaz Ermenji e Vasil Andoni – dy figurat drejtuese të Ballit Agrar, konsideroheshin si ‘nacionalistë-komunistë. [8] Ndryshe nga të vjetrit, të ardhurit kishin patur pozita të rëndësishme në sistemin legjislativ, ekzekutiv, gjyqësor, parlamentar dhe në biznesin privat në Shqipëri.  Disa të tjerë, ndonëse nuk ishin marrë me politikë, kishin qenë të spikatur në fushat e tyre. Mund të thuhet pa droje se shqiptarët që mbërritën në Amerikë pas LDB kanë ndikuar në rritjen e vlerave intelektuale e profesionale të komunitetit shqiptaro-amerikan. Ky tipar është vënë re në fusha të tilla si mjekësia, arsimi, letërsia etj. Figura si Stavro Skëndi, Isuf Luzaj etj., jepnin mësim në universitetet më të mira amerikane.  

Një tjetër dallim i rëndësishëm ndërmjet emigracionit të vjetër dhe të ri të pasluftës ishte edhe aspekti gjeografik. Përpara vitit 1944 pjesa më e madhe e shqiptarëve të Amerikës kishin ardhur nga Shqipëria Jugore, ndërsa shumica e të ardhurve të rinj, i përkisnin Shqipërisë Veriore e Qendrore. ‘Mjaftë prej tyre, përmend, Stephen Peters, ishin nga Malësia e Madhe, me tharm të fort e të qëndrueshëm malësori-trashëgimtarë të vërtetë të Skënderbeut. Me ardhjen e këtyre gegëve të fortë, vijon ai, komuniteti shqiptaro-amerikan u bë më përfaqësues dhe më i balancuar se ç’kishte qenë më parë.[9] Të ardhurit i forcuan e pasuruan më tej cilësitë e mira të komunitetit shqiptar në botën e re, të njohur si njerëz punëtorë, të papërfshirë në veprime të paligjshme e kriminale.

Por refugjatët politikë ndikuan edhe në një aspekt tjetër mbi komunitetin shqiptar. Me luftën e tyre politike ata ndikuan gradualisht jo pak në largimin e një lloj afeksioni ndaj qeverisë komuniste në Shqipëri. Ky fenomen vihet re sidomos tek ‘Vatra’ dhe  figurat drejtuese të saj si Qerim Panariti, por edhe Noli etj. ‘Vatra’ pas vitit 1958 e humbi simpatinë e qeverisë komuniste.

Pjesë e emigracionit politik të ardhur nga Shqipëria, ishin edhe një numër jo i vogël  minoritarësh shqiptarë, të cilët hynë në SHBA më herët se të tjerët. Një pjesë e konsiderueshme e tyre gjetën ngushëllim tek Federata Amerikane Panepirote. Ata u solidarizuan me drejtuesit e kësaj organizate në kërkim të territoreve të Shqipërisë Jugore, të njohura nga Greqia me termin ‘Vorio Epir’. Emigracioni politik shqiptar në Amerikë nuk u bashkua me këto teza. Ai mbeti deri në fund kundërshtar i regjimit komunist në Shqipëri, por nuk u bë preh e politikave të fqinjëve të Shqipërisë. Në vitin 1960, kur festohej 15 vjetori i OKB-së në New York shkoi edhe kryeministri i atëhershëm i Shqipërisë, Mehmet Shehu. Shkuarja e tij u prit me protesta nga emigracioni politik shqiptar dhe nga Federata Amerikane Panepirote, por nga pozita të ndryshme. Të parët e akuzonin për politikën represive dhe izoluese të Shqipërisë, të dytët kërkonin bashkimin e territoreve të Jugut me Greqinë. Emigrantët politikë shqiptarë u ndeshën me Panepirotët. Si rezultat, policia e New York-ut mori masa dhe caktoi orare të ndryshme për të demonstruar kundër delegacionit shqiptar në KB.

 Mund të shtrohet pyetja a ka pasur flirtime me kërkesat antishqiptare të fqinjëve të Shqipërisë dhe e kanë ushtruar ata presione mbi emigracionin shqiptar që gjendej në vendet e tyre? Sigurisht që ka pasur, por ato nuk kanë përbërë asnjëherë prirjen e emigracionit politik shqiptar, pavarësisht nga akuzat e qeverisë komuniste. Veçanërisht  i ekspozuar ka qenë emigracioni shqiptar i larguar nga Shqipëria pas ndarjes së Shqipërisë me Jugosllavinë në vitin 1948. Qeveria jugosllave hapi kufijtë dhe 5000 deri në 8000 refugjatë politikë shqiptarë sipas burimeve italiane u larguan ilegalisht në drejtim të Jugosllavisë. Të drejtuar e instruktuar nga Dushan Mugosha rreth 250-300 ishin mbledhur në Prizren dhe kishin zgjedhur Këshillin Ekzekutiv të Komitetit të Prizrenit.[10] CIA ishte kishte dijeni të plotë të aktivitetit të tyre, por ajo pothuajse e abandoni këtë forcë, për shkak të dyshimit se ata mund të përdoreshin nga Tito jo vetëm për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës, por edhe për të copëtuar Shqipërinë.

  • Mosmarrëveshjet në gjirin e emigracionit të vjetër e të ri në SHBA

Komuniteti i vjetër shqiptar ishte përfaqësuar kryesisht përmes dy shoqatave të njohura: ‘Vatrës’ dhe ‘Shqipërisë së Lirë’, të krijuar nga Kostandin Çekrezi në dhjetor 1941. Pas largimit të Çekrezit nga drejtimi në maj 1945, SHL u afrua gjithnjë e më shumë me qeverinë e Tiranës. Këtë konstante me pak përjashtime ajo e ruajti deri në vitet 70-80. Ndërsa ‘Vatra’ evoluoi gradualisht, duke u larguar nga afeksioni për qeverinë komuniste, duke i hapur rrugën pranimit në të emigrantëve politikë në gjirin e saj. Përfshirja në  gjirin e ‘Vatrës’ të këtij kontingjenti erdhi pas dy modifikimeve që iu bënë statutit të saj në shtator 1958: Së pari, ‘Vatra’ nuk duhet të kishte marrëdhënie me ato shtete me të cilat SHBA nuk kishin marrëdhënie diplomatike, d.m.th nuk duhet të kishte lidhje me Shqipërinë. Së dyti, në shtator 1958 Kuvendi i ‘Vatrës’ ndryshoi statutin e saj, duke miratuar një klauzolë, sipas së cilës në të mund të pranoheshin ‘të gjithë bijtë e racës shqiptare’.[11] Liberalizimi i statutit përmes këtij neni krijonte mundësinë që në të hynin të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga bindjet e tyre politike. Pavarësisht nga ky ndryshim, përfshirja e elementëve të arratisur nga Shqipëria në degët e Vatrës e ca më pak në drejtimin e saj ishte një proces i vështirë, për shkak të kundërshtimit të disa prej anëtarëve të vjetër të ‘Vatrës’, propagandës së qeverisë komuniste dhe Misionit Shqiptar në Kombet e Bashkuara. Ndryshimet e bëra u pritën keq nga qeveria shqiptare e cila pas kësaj kohe e konsideroi ‘Vatrën’ dhe drejtuesve të saj, si Qerim Panariti [editor i gazetës ‘Dielli’ dhe sekretar i saj] si njerëz në shërbim të reaksionit dhe DSH. Të pakënaqur ishin edhe me Nolin. Për të ndryshuar situatën u punua fort që në zgjedhjet e ardhshme të ‘Vatrës’ të mbështetej kandidatura e  Peter Prifti.

Nga njohja e deritanishme e dokumentacionit mund të themi se marrëdhëniet e ‘Vatrës’ me emigracionin politik në SHBA nuk u përmirësuan aq sa shpresohej. Dera u çel përgjysmë. Në aktivitetet përkujtimore kushtuar  ‘Vatrës’,  gazetës ‘Dielli’, apo përvjetorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit morën pjesë disa nga intelektualët më të shquar, që i përkisnin emigracionit politik. Në seminarin ndërkombëtar të nëntorit të vitit 1969 kushtuar ‘Vatrës’ kumtuan edhe disa personalitete të shquara të kulturës shqiptare, përfaqësues të emigracionit emigracioni politik në Amerikë dhe jashtë saj, si: Martin Camaj, Zef Valentini, Namik Resuli, Ernest Koliqi, Hasan Dosti, Ragip Frashëri [djali i Mehdi Frashërit], Stephen Peters, etj. [12] Në kumtesën e tij me titull: “Fan Noli, përlëvdues epiko-lyrik i burrnis shqiptare”, Ernest Koliqi do të shprehej: “Gabimet ase në datsh të thuesh fajet qi Fan Noli ka mujtë me ba, nuk i a zbresin vlerën tri veprave të pashoqe qi ai kreu, pasojat e mira të cilave edhe sot ndiehen në rrjedhë të historisë shqiptare e janë: themelimi më 1909 i fletores ‘Dielli’, praeludium i themelimit të Shoqatës pan-shqiptare ‘Vatra’ në Boston, më 1912 në bashkëpunim me Faik Konicën, – pranimi shpëtues i shtetit shqiptar në Lidhjen e Kombeve më 17 dhetuer 1920, e krijimi i Kishës orthodokse autoqefale shqiptare. Edhe po të pranojmë për hypothezë se Fan Noli pat njolla, vazhdon më tej Koliqi, këto tri vepra të shkëlqyeshme krejt ia shlyejnë”.[13]

Shenjat e afrimit ndërmjet emigracionit të vjetër e të ri në SHBA ishin vënë re në fillim të viteve 60. Në 50 vjetorin e shoqërisë ‘Vatra’, të kremtuar në Boston në vitin 1962, Ali Këlcyrën, një nga krerët me emër e disi ekzotik të Ballit Kombëtar e kishin ulur në tavolinën kryesore, pranë Fan Nolit. Të dy ishin personalitete të njohura dhe personazhe me stazh të gjatë si emigrantë. Bashkëpunëtorë në Lëvizjen e Qershorit dhe pas mbarimit të luftës jo më miq si dikur.  Pjesëmarrësit në atë kremtim, ndiqnin me sy e kureshtje bisedën e gjallë të Nolit me Këlcyrën. Noli duke e ndjerë kërshërinë e tyre u ngrit dhe foli para të gjithëve, ashtu siç ai dinte të fliste, duke përcjellë mesazhe të rëndësishme: “Në Greqinë e vjetër, u tha Noli të pranishmëve, lufta bëhej me armë, por edhe me fjalë-logos. Një luftë e tillë u zhvillua mes oratorit më të shquar, Demostenit dhe një tjetër oratori të shquar-Eskinit. Puna ishte, vazhdoi më tej Noli, nëse duhej t’i binin Filipit të Maqedonisë apo jo. Demosteni donte luftë, kurse Eskini ishte kundër. Luftën me logos e fitoi Demosteni dhe Eskinin e syrgjynosën në një ishull të Persisë. Në atë ishull Eskini hapi një shkollë oratorie. Një ditë u lexoi dishepujve të tij fjalimin që kishte mbajtur kundër tezës së Demostenit. Ata u habitën aq shumë saqë i thanë: Po ti u mbajte këtë fjalim athinasve dhe ata të syrgjynosën? Dhe Eskini u përgjigj: Ah, ta dëgjonit atë makaranë tjetër se ç’u tha e do ta kuptonit arsyen. Këtë mesele, e përfundoi Noli fjalën e tij, i tregova mikut tim këtu pranë  [Ali Këlcyrës], pasi ai më tregoi ç’kishte bërë e ç’kishte folur në Shqipëri”.[14]  


[1] Kjo kumtesë është mbajtur në Konferencën mbi emigracionin politik në Shqipëri, të organizuar nga Autoriteti i Hapjes së Dosjeve dhe Instituti i Historisë më 26 shkurt 2020.

[2] The National Archives (më tej: TNA), FO 371/48106, Intervistë e Ali Këlcyrës, Bari, February 7, 1945.

[3] Historia e Popullit Shqiptar, Akademia e Shkencave, Instituti i Historisë Vëllimi IV, Tiranë: Toena, 2009, f. 270.

[4] Sarah L. Olson, “U.S. Immigration of People of Albanian Nationality 1913-1983”, Immigration Seminar, December 2, 1985, në: Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë (më tej: AMPJ), Viti 1985, Dosja 1155.

[5] AMPJ, Viti 1959, Dosja 522, “Mbi Kolloninë Shqiptare në SHB të Amerikës”. Relacion i përgatitur nga Reis Malile-Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në OKB, 22.1.1959, f. 33.

[6] Sarah L. Olson, “U.S. Immigration of People of Albanian Nationality 1913-1983”, Immigration Seminar, December 2, 1985, në: Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë (më tej: AMPJ), Viti 1985, Dosja 1155.

[7] Stephen Peters, ‘Characteristics, contributions and responsibilities of Albanian-Americans,. In: Internatinal Seminar of Pan-Albanian Federation “VATRA”, New York: November 1969, p.96.

[8]

[9] Stephen Peters, ‘Characteristics , contributions and responsibilities of Albanian-Americans,. In: Internatinal Seminar of Pan-Albanian Federation “VATRA”, New York: November 1969, p.97.

[10] NARA,Roll 1, File 767.867, Internal Affairs of Albania 1955-1959, ‘The Albanian Qeuestion Today’, Rome, Jyly, 6, 1954, p.10.

[11] AMPJ, Viti 1959, Dosja 522, “Mbi Koloninë Shqiptare në SHB të Amerikës”. Relacion i përgatitur nga Reis Malile-Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në OKB, 22.1.1959, f. 10.

[12] Internatinal Seminar of Pan-Albanian Federation “VATRA”, New York: 28-29-30 November, 1969, pp 284.

[13] Ernest Koliqi, “Fan Noli, përlëvdues epiko-lirik i burrnis shqiptare”, në: Internatinal Seminar of Pan-Albanian Federation “VATRA”, New York: 28-29-30 November, 1969, p. 165.

[14] Ilda Qato, Emigracioni politik shqiptar në vitet 1944-1954, Lushnjë: janar 2012, f. 3.

Filed Under: Featured Tagged With: Prof. dr. Hamit Kaba

ZGJEDHJET LOKALE NË KOSOVË, SHANS PËR QYTETARËT, TEST PËR INSTITUCIONET DHE TREGUES PËR DEMOKRACINË

November 2, 2021 by s p

Editorial nga Elmi BERISHA/

Zgjedhjet lokale të 17 Tetorit në Kosovë ishin një sukses kombëtar dhe rajonal. Sukses për politikën, për qytetarët, për shtetin e së drejtës, për institucionet e të gjitha palët e përfshira në këtë proces zgjedhor. Zgjedhjet e lira, demokratike, të gjithëpranuara dhe të ndershme janë baza e demokracisë së një shteti. Zgjedhjet lokale të 17 Tetorit në Kosovë treguan edhe një herë pjekurinë e zgjedhësve, performancën e lartë të institucioneve menaxhuese zgjedhore dhe demokracinë gjithnjë e më të konsoliduar. 166 kandidatë garuan për kryetarë në 38 komuna të Kosovës dhe 5 mijë kandidatë të tjerë, garuan për deputetë të kuvendeve komunale, ku rreth  1.9  milionë qytetarë kanë pasur  të drejtën  votës në një proces për tu lavdëruar përsa i përket standarteve të realizuara. Vëzhguesit e BE dolën në deklaratë të përbashkët ku u shprehën se Kosova është shembull për rajonin në organizimin e zgjedhjeve, kjo të bën të ndjehesh krenar për ecjen e shëndoshë të institucioneve dhe mbi të gjitha të sjelljes qytetare të votuesve e subjekteve politike. Qasja e elektoratit ndaj ofertës politike ishte shumë interesante. Zgjedhjet në Kosovë për disa vite janë kthyer në një leksion jo vetëm në trevat shqipfolëse, por edhe në krejt Ballkanin e më gjerë. Këto zgjedhje dëshmuan një klasë politike gjithnjë e më të përparuar e të emancipuar për ofertën politike që u ofruan qytetarëve, për debatin politik, për diskursin publik mediatik, emancipimin në paraqitjen dhe ballafaqimin e vlerave por mbi të gjitha për pranimin e rezultatit të dalë nga zgjedhjet. Zgjedhjet në Kosovë na dhanë një leksion dhe një mentalitet të ri dhe të fortë shumë dimensional zgjedhor. Gjithmonë Kosova ka pasur një traditë qytetare dhe kulturë politike në organizimin e zgjedhjeve në vend. Që në vitet 2000 filluan të bëheshin zgjedhje të një frymë që kemi sot, edhe pse kishin problem të administrimit. Rugova dhe fryma rugoviane kanë qenë model frymëzimi, orientimi, qytetarie dhe për modelin që kemi sot ka filluar të punohet nga Presidenti Rugova që dy dekada më parë. Doktor Rugova ndërtoi filozofinë e udhëheqjes së shtetit modern. Zgjedhjet e suksesshme nuk duhet të na shkaktojnë vetkënaqësi por një obligim për të rritur standartet e zgjedhjeve e mbi të gjitha, zgjedhjet të prodhojnë liderë me platforma të qarta shtetformuese, menaxheriale në përmbushje të frymës së Kushtetutës, ligjeve të shtetit të Kosovës me qëllim Integrimin në Bashkimin Europian. Zgjedhjet me standarte të larta janë një garanci për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe demokratik të shtetit të Kosovës. Zgjedhjet lokale të 17 Tetorit në Kosovë u vëzhguan nga rreth 25 mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtarë nga të cilët 200 vëzhgues ishin nga Bashkimi Evropian dhe ambasadat e vendeve të ndryshme në Kosovë të cilat ndjekin hap pas hapi procesin e përparimit, zhvillimit dhe kryerjes së reformave demokratike dhe konsoliduese në shtetin e Kosovës me qëllim integrimin në Bashkimin Europian. Zgjedhjet përcaktojnë të ardhmen e një shteti dhe kohezionin e një shoqërie demokratike. Zgjedhjet lokale të 17 Tetorit ishin specifikisht të suskesshme pasi koha e shpejtë e zhvillimit të fushatës, kushtet e pandemisë globale dhe situatë e përgjithshme ku Kosova po shkëputet nga pushteti tradicional drejtë elementëve e liderëve të rinj të shtetit e politikës në Kosovë. Ky ballafaqim parti-elektorat-qeverisje, dhanë mësim të madh demokracie përsa i përket: fushatës së forcave politike e kandidatëve të pavarur, pakicave e minoriteteve, procedurën e votimit dhe pjesëmarrjen e gjërë nga diaspora, garën e lirë, pranimin e rezultatit, administrimin e votës së lirë në kohë rekord, incidentet e papërfillshme dhe të izoluara etj përbëjnë një sukses të madh dhe një hap të fortë përpara në konsolidimin e shtetit, votës, qytetarëve dhe pushtetit të dalë nga vota e lirë dhe demokratike. Zgjedhjet lokale në Kosovë ishin një shans i përfituar për qytetarët pasi ata votëbesuan të zgjedhurit që kanë shërbyer dhe ndëshkuan atë që nuk ka qenë i denjë për ti përfaqësuar. Zgjedhjet lokale apo parlamentare në një shtet të caktuar si fillim janë një test i fortë për institucionet e shtetit të së drejtës. Zgjedhjet lokale apo qëndrore qofshin ato, janë një ngjarje shumë e rëndësishëm për jetën e qytetarëve të republikës. Qytetarët votuan me qytetari maturi e pjekuri për kualitetin e jetës së tyre, votuan për udhëheqësinë që përcaktoi se si do të jetë jeta në komunën ku ata jetojnë e punojnë. Kosova na dha një leksion të pastër demokracie, kulture politike, ndërgjegjësimi qytetar dhe shtetformimi që e dëshmon vit pas viti. Zgjedhjet në Kosovë ishin një ballafaqim model forcash politike. Fushata zgjedhore mes partive politike, përgatitjet parazgjedhore edhe pse në kushte shumë të vështira pandemie, votimi në tërësi si proces, deklaratat politike përgjatë fushatës elektorale e sidomos pas përfundimit të procesit janë shenja pjekurie për tu pasur vërtetë zili. Suksesi në menaxhimin e këtij procesi delikat zgjedhor, janë një bazë dhe garanci edhe për fushatat dhe zgjedhjet që vijnë. Administrimi i votës sidomos nga diaspora dhe pranimi i rezultatit në kohë të menjëhershme ndihmoi në rritje të besimit te vota, te institucionet dhe mbi të gjitha legjitimoi vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë. Është një ndjesi krenarie dhe suksesi në rritje kur sheh Kosovën që në këto kushte të suksesit zgjedhor hap një faqe të re në rrugëtimin e saj europian dhe konsolidimit të shtetit demokratik. Kosova tregoi një kulturë demokratike të lartë edhe pse mosha e institucioneve të reja ka pak më shumë se një dekadë drejtë konsolidimin të vazhdueshëm. Lidershipi politik i Kosovës na dha leksion por ajo që mbetet për tu lavdëruar është mërgata shqiptare në çdo cep të globit që merr pjesë në vendimmarrjen politike të shtetit dhe të ardhmen e qytetarëve në Kosovë. Mërgata si një fuqi ekonomike, politike, lobuese dhe mbi të gjitha kërkuese ndaj politikës në vendlindje, po sjell një model të fuqishëm organizmi dhe pjesëmarrjeje aktive. Kosova përjetoi një process ndryshimi të elitave drejtuese dhe politike çka e ka sjellë Kosovën në një realitet të ri politik në ra[ort me veten, me aletatët ndërkombëtar SHBA dhe BE. Zgjedhjet Lokale në Kosovë përbëjnë një model të ri zhvëllimor që duhet të merret si shembull për specifikat, standartet dhe rezultatet e arritura. Zgjedhjet e lira e të ndershme, standardet dhe liderët e përfaqësimit qytetar që dalin nga ky proces janë e ardhmja e sigurtë për qytetarët, institucionet dhe shtetin e Kosovës.  

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha

“Dielli” i Vatrës mori rrugën për tek abonentët e tij besnikë

November 1, 2021 by s p

Nga Sokol Paja/

Gazeta “Dielli” si Organi Zyrtar i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA mori rrugën për në çdo cep e në çdo skaj të mërgatës shqiptare që jeton e vepron në Amerikë dhe Kanada. U shpreh vlerësim të posaçëm, falenderim të përzëmërt dhe mirënjohje të veçantë të gjithë bashkëpunëtorëve të këtij numri. Gazeta po rritet çdo ditë falë mbështetjes e vëmëndjes suaj.Jam i privilegjuar që bashkëpunojnë me “Diellin” mendjet më të mprehta, penat më të shkëlqyera dhe më të arrira të botës shqiptare që nga “Zëri i Amerikës”, mediat potente në Tiranë e Prishtinë, Akademikë, kërkues shkencorë në Fakultete dhe Njësi Kërkimi, analistë e kritikë letrarë, përkthyes, poetë, historianë, diplomatë, personalitete absolute të shkencës, ekspertë të ekonomisë, turizmit, arkivistikës, dhe kibernetikës, veprimtarë, humanistë e patriotë që na mbushin zemrën me gëzim e shpirtin me hare prej sukseseve e veprave të mira. Sukseset dhe arritjet e bijëve e bijave tona në mergatë pasqyrohen imtësisht në këtë numër. Shqiptarët në mergatën e Amerikës dhe Kanadasë e jo vetëm përbëjnë një krenari kombëtare.Gazeta “Dielli” ka në fokus komunitetin shqiptar në Amerikë, Kanada e kudo ku jetojnë e punojnë shqiptarë që me suksesin e tyre lartësojnë e krenojnë kombin tonë. Gazeta “Dielli” ka në themel historinë, kulturën, gjuhësinë, albanologjinë, arkeologjinë, median, shkencat politike, marrëdhëniet ndërkombëtare, data, ngjarje dhe figura të shquara të kombit shqiptar. Qëllimi i gazetës është informimi i saktë, promovimi i talenteve dhe personaliteteve të botës shqiptare në mërgatë, promovimi i suksesit dhe thithja e mendimit intelektual në gazetën Dielli, ruajtja e gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën e Amerikës dhe Kanadasë, gjithashtu të jetë si një urë lidhëse mes shqiptarëve të mërguar dhe Atdheut mëmë Shqipërisë, Kosovës dhe viseve shqipfolëse.Faleminderit dhe mirënjohje për të gjithë ju që mbështesni gazetën më të vjetër të botës shqiptare, gazetën “Dielli” që nga 15 Shkurti i vitit 1909.Faleminderit që na besoni.Faleminderit që na ndiqni.Faleminderit që na mbështesni.Faleminderit që bashkoheni me ne.

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • 71
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • Dy kryeqytete, një komb
  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve
  • Experience History: Ambassador William Walker’s inaugural visit to the Saint George Orthodox Cathedral and the Fan Noli Cultural Center
  • 𝑺𝒉𝒆̈𝒏𝒅𝒆𝒕𝒊 𝒊 𝑺𝒊𝒔𝒕𝒆𝒎𝒊𝒕 𝑻𝒓𝒆𝒕𝒆̈𝒔 – 𝑩𝒂𝒔𝒉𝒌𝒆̈𝒃𝒊𝒔𝒆𝒅𝒊𝒎 𝒎𝒆 𝑱𝒖
  • NICOLAE IORGA, HISTORIANI ME I MADH RUMUN DHE ZBULUESI I SHKRIMIT TE PARE NE GJUHEN SHQIPE
  • Doktrina Wilsoniane dhe mbijetesa e shtetit shqiptar – nga shpëtimi i Shqipërisë te e drejta historike e Kosovës për vetëvendosje
  • Zarfi që sfidoi censurën në Shqipërinë komuniste
  • Albanian Night @ Yankee Stadium
  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT