Prof. dr. Hamit Kaba
Instituti i Historisë/Akademia e Studimeve Albanologjike
Tiranë, 3 nëntor 2021
- Mbërritja e emigracionit politik shqiptar në SHBA
Historia e emigracionit politik shqiptar nuk fillon me periudhën e pasluftës së Dytë Botërore. Kjo ishte valë e dytë. Vala e parë e emigracionit politik shqiptar duhet kërkuar në periudhën pas dështimit të Lëvizjes së Qershorit të udhëhequr nga Noli. “Në dhjetor 1924, ka theksuar Ali Këlcyra, pothuajse 1200 intelektualë nacionalistë shqiptarë shkuan në mërgim, për të protestuar përpara botës kundër ardhjes në pushtet të Zogut, i mbështetur nga shtetet fqinje e në mënyrë të veçantë nga Jugosllavia”.[2]
Vala apo faza e dytë e tij fillon në mbarim të LDB dhe vazhdon deri në rënien e regjimit komunist në vitin 1991. Të ikurve do t’u shtoheshin të tjerë shqiptarë të arratisur nga vendi i tyre për shkak të ndjekjeve, persekutimeve e dënimeve, pakënaqësisë së krijuar nga ndryshimi i sistemit dhe reformat radikale të qeverisë komuniste. Është e vështirë të japësh një numër të saktë të arratisurve nga Shqipëria pas LDB, por ata janë me mijëra. Pas ndarjes shqiptaro jugosllave të vitit 1948, 5000-8000 shqiptarë të tjerë u larguan nga Shqipëria në drejtim të Jugosllavisë. Ministria e Jashtme e Shqipërisë në vitin 1975 do ta llogariste numrin e emigracionit politik në rreth 10000 -12000 persona.[3]
Numri i emigrantëve politikë shqiptarë në SHBA në vitet 1945-1954 ishte i kufizuar. Për arsye të afrisë tokësore me Shqipërinë, lehtësirave për tu larguar nga Shqipëria dhe situatës ndërkombëtare të atyre viteve të larguarit shkuan kryesisht në vendet fqinje, si Italia, Greqia, Turqia e Jugosllavia pas vitit 1948. Shumica e tyre u vendos në kampet e refugjatëve në Itali, nën kujdesin e UNRRA-s, Kombeve të Bashkuara, autoriteteve vendase dhe shërbimeve të inteligjencës anglo-amerikane. Rehabilitimi i tyre u krye relativisht shpejtë. Periudha e viteve 1944-1948 mund të konsiderohet si faza e organizimit të emigracionit politik shqiptar. Krijimi i Komitetit ‘Shqipëria e Lirë’ në gusht 1949 e deri në mbarim të operacioneve anglo-amerikane për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri në vitet 1953-54, shënon fazën e dytë dhe më intensive të tij. Vitet 1944-1954, në biografinë e emigracionit politik shqiptar janë më të rëndësishmet. Si padashje, ai u gjend në syrin e ciklonit të zhvillimeve dhe konfrontimeve të mëdha ndërkombëtare ndërmjet dy kampeve armiqësorë, nga njëra anë Demokracitë Perëndimore, ndërsa nga ana tjetër të Bllokut të Vendeve Komuniste. Emigracioni politik shqiptar u bë pjesë e lojës së madhe të shahut politik të mëdhenjve. Shumë shqiptarë të arratisur u përfshinë në operacionin Rollback, të planifikuar e realizuar nga autoritetet britanike e amerikane në vitet 1949-1953-54. Përfundimi pa sukses i këtij operacioni i veniti shpresat e të larguarve për t’u kthyer në Shqipëri. Shpresat u lëkundën, por nuk u shuan. Pas kësaj fillon një fazë tjetër, më e qetë, më monotone për emigracionin politik shqiptar, ku forcës ia zunë vendin propaganda dhe fjalët.
Në vitet 1944-1948 në SHBA u fut një kontingjent i pakët shqiptarësh të arratisur. Zyra Amerikane e Emigracionit e cilësonte këtë kontingjent ‘si ish-bashkëpunëtorë të fashizmit, të futur kontrabandë kinse nga CIA dhe nga Departamenti i Shtetit’. [4] Pas krijimit të ‘Komitetit Shqipëria e Lirë’ dhe zhvendosjes së qendrës së tij nga Parisi në New York, kufijtë e SHBA u hapën më tepër për emigracionin politik shqiptar. Krahas krerëve të tij u futën edhe një numër tjetër shqiptarësh të arratisur në këtë vend. Në vitin 1949 mbërriti nga Egjipti në Amerikë ish-imami i Vlorës Vehbi Ismaili, i cili krijoi të parën Shoqatë të Myslimanëve Shqiptarë në SHBA.[5]
Duke filluar me vitin 1948 e në vazhdim qeveria amerikane nxori disa akte ligjore që favorizonin futjen e disa kategorive personash, duke përfshirë edhe emigrantët politikë në këtë vend. Ndër ta do të përmendnim ligjin për Personat e Shpërngulur të vitit 1948, Akti i Ndihmës për Refugjatët i vitit 1953, Akti për Personat e Shpërngulur i vitit 1957, Akti i korrikut të vitit 1970 etj.[6] Akti më favorizues dhe nxitës për emigrantët politikë evropianë dhe shqiptarë mbetet ai i vitit 1960, i cili lejoi hyrjen pa kufizim të refugjatëve politikë nga Evropa Lindore e Qendrore. Shifra ekzakte për emigrantët politikë të futur në territorin amerikan është e vështirë të gjendet, sepse ata figurojnë të regjistruar së bashku me bashkatdhetarët e tyre të ardhur nga Kosova dhe territoret e tjera të ish-Jugosllavisë.
- Veçori dhe ngjashmëri ndërmjet emigracionit të vjetër dhe emigracionit të ri
Pa u ndalur në historinë e shkëlqyer të emigracionit shqiptar në SHBA me ‘Vatrën’ e deri diku organizatën ‘Shqipëria e Lirë’ të periudhës së para LDB, të cilat kanë shërbyer si ura lidhëse ndërmjet SHBA dhe Shqipërisë dhe si mbrojtëse të çështjes kombëtare, unë do të përqendrohem tek dallimet dhe tiparet e përbashkëta të tyre. Studiuesi i njohur me origjinë shqiptare në Departamentin e Shtetit (DSH), Stephen Peters, ka vënë në dukje disa tipare të emigracionit politik shqiptar në SHBA, dhe ndikimin e tij në bashkësinë shqiptare të komunitetit të vjetër. “Me pak përjashtime, përmend ai, përbërja e emigracionit të vjetër shqiptar ishte me bazë fshatare dhe me stok bujku, ndërsa ardhja e tyre në Amerikë kishte shkaqe të padiskutueshme ekonomike” [7]. Por edhe origjina e elitës së shqiptarëve të Amerikës, përmend Peters, me emra të tillë, si: Sotir Peci, Noli, Konica, Dako, motrat Qirjazi, Kostandin Çekrezi, Anastas Pandele, Vasil Marku e Kristo Thanas, përveç Faik Konicës, ishte pothuajse e njëjtë me atë të popullit të thjeshtë. Ata ndikuan tek shqiptarët e thjeshtë të Amerikës, duke i iluminuar e edukuar ata me shpirtin e patriotizmit, me ndjenjën e identitetit kombëtar dhe punës në interes të atdheut.
Por gjendja e emigrantëve të vjetër ndryshoi në mënyrë radikale pas mbërritjes së emigrantëve të rinj. Të ardhurit ishin nacionalistë shqiptarë të larguar pas vendosjes së pushtetit komunist në Shqipëri, e të akuzuar prej tij si ish kolaboracionist e kriminelë të luftës. Kontingjenti fillestar i të ardhurve do të shtohej e pasurohej nga koha në kohë, me të tjerë persona, të larguar nga Shqipëria për shkak të represionit komunist. Refugjatët politikë dalloheshin nga emigrantët e para luftës nga pikëpamja e arsimimit dhe profesionalizmit. Të parët në përgjithësi vinin nga fshati dhe ishin analfabetë. Ata punonin në punë të zakonshme në sektorin e shërbimeve e në prodhim në fabrika e uzina. Fëmijët e tyre rrallë studionin në universitete dhe në degët e ndryshme të dijes. Në këtë kuptim ata ndjeheshin inferiorë ndaj kontingjentit të ardhur pas Luftës. Pjesëtarët e emigracioni politik të pasluftës ishin arsimuar e përgatitur në shkollat kombëtare shqiptare, ndërsa shumica e tyre ishte specializuar e trajnuar në universitetet evropiane.
Të vjetrit, sikurse edhe refugjatët politikë kishin pikëpamje të ndryshme politike, por sidoqoftë tek të dy palët mbizotëronin interesat kombëtare. Kontingjenti i të ardhurve i përkiste një spektri të gjerë politik, por mungonte krahu i majtë ekstrem. Brenda tij kishte elementë të majtë me pikëpamje socialdemokrate. Në një studim të Ministrisë së Jashtme të Italisë të vitit 1954, Abaz Ermenji e Vasil Andoni – dy figurat drejtuese të Ballit Agrar, konsideroheshin si ‘nacionalistë-komunistë. [8] Ndryshe nga të vjetrit, të ardhurit kishin patur pozita të rëndësishme në sistemin legjislativ, ekzekutiv, gjyqësor, parlamentar dhe në biznesin privat në Shqipëri. Disa të tjerë, ndonëse nuk ishin marrë me politikë, kishin qenë të spikatur në fushat e tyre. Mund të thuhet pa droje se shqiptarët që mbërritën në Amerikë pas LDB kanë ndikuar në rritjen e vlerave intelektuale e profesionale të komunitetit shqiptaro-amerikan. Ky tipar është vënë re në fusha të tilla si mjekësia, arsimi, letërsia etj. Figura si Stavro Skëndi, Isuf Luzaj etj., jepnin mësim në universitetet më të mira amerikane.
Një tjetër dallim i rëndësishëm ndërmjet emigracionit të vjetër dhe të ri të pasluftës ishte edhe aspekti gjeografik. Përpara vitit 1944 pjesa më e madhe e shqiptarëve të Amerikës kishin ardhur nga Shqipëria Jugore, ndërsa shumica e të ardhurve të rinj, i përkisnin Shqipërisë Veriore e Qendrore. ‘Mjaftë prej tyre, përmend, Stephen Peters, ishin nga Malësia e Madhe, me tharm të fort e të qëndrueshëm malësori-trashëgimtarë të vërtetë të Skënderbeut. Me ardhjen e këtyre gegëve të fortë, vijon ai, komuniteti shqiptaro-amerikan u bë më përfaqësues dhe më i balancuar se ç’kishte qenë më parë.[9] Të ardhurit i forcuan e pasuruan më tej cilësitë e mira të komunitetit shqiptar në botën e re, të njohur si njerëz punëtorë, të papërfshirë në veprime të paligjshme e kriminale.
Por refugjatët politikë ndikuan edhe në një aspekt tjetër mbi komunitetin shqiptar. Me luftën e tyre politike ata ndikuan gradualisht jo pak në largimin e një lloj afeksioni ndaj qeverisë komuniste në Shqipëri. Ky fenomen vihet re sidomos tek ‘Vatra’ dhe figurat drejtuese të saj si Qerim Panariti, por edhe Noli etj. ‘Vatra’ pas vitit 1958 e humbi simpatinë e qeverisë komuniste.
Pjesë e emigracionit politik të ardhur nga Shqipëria, ishin edhe një numër jo i vogël minoritarësh shqiptarë, të cilët hynë në SHBA më herët se të tjerët. Një pjesë e konsiderueshme e tyre gjetën ngushëllim tek Federata Amerikane Panepirote. Ata u solidarizuan me drejtuesit e kësaj organizate në kërkim të territoreve të Shqipërisë Jugore, të njohura nga Greqia me termin ‘Vorio Epir’. Emigracioni politik shqiptar në Amerikë nuk u bashkua me këto teza. Ai mbeti deri në fund kundërshtar i regjimit komunist në Shqipëri, por nuk u bë preh e politikave të fqinjëve të Shqipërisë. Në vitin 1960, kur festohej 15 vjetori i OKB-së në New York shkoi edhe kryeministri i atëhershëm i Shqipërisë, Mehmet Shehu. Shkuarja e tij u prit me protesta nga emigracioni politik shqiptar dhe nga Federata Amerikane Panepirote, por nga pozita të ndryshme. Të parët e akuzonin për politikën represive dhe izoluese të Shqipërisë, të dytët kërkonin bashkimin e territoreve të Jugut me Greqinë. Emigrantët politikë shqiptarë u ndeshën me Panepirotët. Si rezultat, policia e New York-ut mori masa dhe caktoi orare të ndryshme për të demonstruar kundër delegacionit shqiptar në KB.
Mund të shtrohet pyetja a ka pasur flirtime me kërkesat antishqiptare të fqinjëve të Shqipërisë dhe e kanë ushtruar ata presione mbi emigracionin shqiptar që gjendej në vendet e tyre? Sigurisht që ka pasur, por ato nuk kanë përbërë asnjëherë prirjen e emigracionit politik shqiptar, pavarësisht nga akuzat e qeverisë komuniste. Veçanërisht i ekspozuar ka qenë emigracioni shqiptar i larguar nga Shqipëria pas ndarjes së Shqipërisë me Jugosllavinë në vitin 1948. Qeveria jugosllave hapi kufijtë dhe 5000 deri në 8000 refugjatë politikë shqiptarë sipas burimeve italiane u larguan ilegalisht në drejtim të Jugosllavisë. Të drejtuar e instruktuar nga Dushan Mugosha rreth 250-300 ishin mbledhur në Prizren dhe kishin zgjedhur Këshillin Ekzekutiv të Komitetit të Prizrenit.[10] CIA ishte kishte dijeni të plotë të aktivitetit të tyre, por ajo pothuajse e abandoni këtë forcë, për shkak të dyshimit se ata mund të përdoreshin nga Tito jo vetëm për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës, por edhe për të copëtuar Shqipërinë.
- Mosmarrëveshjet në gjirin e emigracionit të vjetër e të ri në SHBA
Komuniteti i vjetër shqiptar ishte përfaqësuar kryesisht përmes dy shoqatave të njohura: ‘Vatrës’ dhe ‘Shqipërisë së Lirë’, të krijuar nga Kostandin Çekrezi në dhjetor 1941. Pas largimit të Çekrezit nga drejtimi në maj 1945, SHL u afrua gjithnjë e më shumë me qeverinë e Tiranës. Këtë konstante me pak përjashtime ajo e ruajti deri në vitet 70-80. Ndërsa ‘Vatra’ evoluoi gradualisht, duke u larguar nga afeksioni për qeverinë komuniste, duke i hapur rrugën pranimit në të emigrantëve politikë në gjirin e saj. Përfshirja në gjirin e ‘Vatrës’ të këtij kontingjenti erdhi pas dy modifikimeve që iu bënë statutit të saj në shtator 1958: Së pari, ‘Vatra’ nuk duhet të kishte marrëdhënie me ato shtete me të cilat SHBA nuk kishin marrëdhënie diplomatike, d.m.th nuk duhet të kishte lidhje me Shqipërinë. Së dyti, në shtator 1958 Kuvendi i ‘Vatrës’ ndryshoi statutin e saj, duke miratuar një klauzolë, sipas së cilës në të mund të pranoheshin ‘të gjithë bijtë e racës shqiptare’.[11] Liberalizimi i statutit përmes këtij neni krijonte mundësinë që në të hynin të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga bindjet e tyre politike. Pavarësisht nga ky ndryshim, përfshirja e elementëve të arratisur nga Shqipëria në degët e Vatrës e ca më pak në drejtimin e saj ishte një proces i vështirë, për shkak të kundërshtimit të disa prej anëtarëve të vjetër të ‘Vatrës’, propagandës së qeverisë komuniste dhe Misionit Shqiptar në Kombet e Bashkuara. Ndryshimet e bëra u pritën keq nga qeveria shqiptare e cila pas kësaj kohe e konsideroi ‘Vatrën’ dhe drejtuesve të saj, si Qerim Panariti [editor i gazetës ‘Dielli’ dhe sekretar i saj] si njerëz në shërbim të reaksionit dhe DSH. Të pakënaqur ishin edhe me Nolin. Për të ndryshuar situatën u punua fort që në zgjedhjet e ardhshme të ‘Vatrës’ të mbështetej kandidatura e Peter Prifti.
Nga njohja e deritanishme e dokumentacionit mund të themi se marrëdhëniet e ‘Vatrës’ me emigracionin politik në SHBA nuk u përmirësuan aq sa shpresohej. Dera u çel përgjysmë. Në aktivitetet përkujtimore kushtuar ‘Vatrës’, gazetës ‘Dielli’, apo përvjetorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit morën pjesë disa nga intelektualët më të shquar, që i përkisnin emigracionit politik. Në seminarin ndërkombëtar të nëntorit të vitit 1969 kushtuar ‘Vatrës’ kumtuan edhe disa personalitete të shquara të kulturës shqiptare, përfaqësues të emigracionit emigracioni politik në Amerikë dhe jashtë saj, si: Martin Camaj, Zef Valentini, Namik Resuli, Ernest Koliqi, Hasan Dosti, Ragip Frashëri [djali i Mehdi Frashërit], Stephen Peters, etj. [12] Në kumtesën e tij me titull: “Fan Noli, përlëvdues epiko-lyrik i burrnis shqiptare”, Ernest Koliqi do të shprehej: “Gabimet ase në datsh të thuesh fajet qi Fan Noli ka mujtë me ba, nuk i a zbresin vlerën tri veprave të pashoqe qi ai kreu, pasojat e mira të cilave edhe sot ndiehen në rrjedhë të historisë shqiptare e janë: themelimi më 1909 i fletores ‘Dielli’, praeludium i themelimit të Shoqatës pan-shqiptare ‘Vatra’ në Boston, më 1912 në bashkëpunim me Faik Konicën, – pranimi shpëtues i shtetit shqiptar në Lidhjen e Kombeve më 17 dhetuer 1920, e krijimi i Kishës orthodokse autoqefale shqiptare. Edhe po të pranojmë për hypothezë se Fan Noli pat njolla, vazhdon më tej Koliqi, këto tri vepra të shkëlqyeshme krejt ia shlyejnë”.[13]
Shenjat e afrimit ndërmjet emigracionit të vjetër e të ri në SHBA ishin vënë re në fillim të viteve 60. Në 50 vjetorin e shoqërisë ‘Vatra’, të kremtuar në Boston në vitin 1962, Ali Këlcyrën, një nga krerët me emër e disi ekzotik të Ballit Kombëtar e kishin ulur në tavolinën kryesore, pranë Fan Nolit. Të dy ishin personalitete të njohura dhe personazhe me stazh të gjatë si emigrantë. Bashkëpunëtorë në Lëvizjen e Qershorit dhe pas mbarimit të luftës jo më miq si dikur. Pjesëmarrësit në atë kremtim, ndiqnin me sy e kureshtje bisedën e gjallë të Nolit me Këlcyrën. Noli duke e ndjerë kërshërinë e tyre u ngrit dhe foli para të gjithëve, ashtu siç ai dinte të fliste, duke përcjellë mesazhe të rëndësishme: “Në Greqinë e vjetër, u tha Noli të pranishmëve, lufta bëhej me armë, por edhe me fjalë-logos. Një luftë e tillë u zhvillua mes oratorit më të shquar, Demostenit dhe një tjetër oratori të shquar-Eskinit. Puna ishte, vazhdoi më tej Noli, nëse duhej t’i binin Filipit të Maqedonisë apo jo. Demosteni donte luftë, kurse Eskini ishte kundër. Luftën me logos e fitoi Demosteni dhe Eskinin e syrgjynosën në një ishull të Persisë. Në atë ishull Eskini hapi një shkollë oratorie. Një ditë u lexoi dishepujve të tij fjalimin që kishte mbajtur kundër tezës së Demostenit. Ata u habitën aq shumë saqë i thanë: Po ti u mbajte këtë fjalim athinasve dhe ata të syrgjynosën? Dhe Eskini u përgjigj: Ah, ta dëgjonit atë makaranë tjetër se ç’u tha e do ta kuptonit arsyen. Këtë mesele, e përfundoi Noli fjalën e tij, i tregova mikut tim këtu pranë [Ali Këlcyrës], pasi ai më tregoi ç’kishte bërë e ç’kishte folur në Shqipëri”.[14]
[1] Kjo kumtesë është mbajtur në Konferencën mbi emigracionin politik në Shqipëri, të organizuar nga Autoriteti i Hapjes së Dosjeve dhe Instituti i Historisë më 26 shkurt 2020.
[2] The National Archives (më tej: TNA), FO 371/48106, Intervistë e Ali Këlcyrës, Bari, February 7, 1945.
[3] Historia e Popullit Shqiptar, Akademia e Shkencave, Instituti i Historisë Vëllimi IV, Tiranë: Toena, 2009, f. 270.
[4] Sarah L. Olson, “U.S. Immigration of People of Albanian Nationality 1913-1983”, Immigration Seminar, December 2, 1985, në: Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë (më tej: AMPJ), Viti 1985, Dosja 1155.
[5] AMPJ, Viti 1959, Dosja 522, “Mbi Kolloninë Shqiptare në SHB të Amerikës”. Relacion i përgatitur nga Reis Malile-Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në OKB, 22.1.1959, f. 33.
[6] Sarah L. Olson, “U.S. Immigration of People of Albanian Nationality 1913-1983”, Immigration Seminar, December 2, 1985, në: Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë (më tej: AMPJ), Viti 1985, Dosja 1155.
[7] Stephen Peters, ‘Characteristics, contributions and responsibilities of Albanian-Americans,. In: Internatinal Seminar of Pan-Albanian Federation “VATRA”, New York: November 1969, p.96.
[9] Stephen Peters, ‘Characteristics , contributions and responsibilities of Albanian-Americans,. In: Internatinal Seminar of Pan-Albanian Federation “VATRA”, New York: November 1969, p.97.
[10] NARA,Roll 1, File 767.867, Internal Affairs of Albania 1955-1959, ‘The Albanian Qeuestion Today’, Rome, Jyly, 6, 1954, p.10.
[11] AMPJ, Viti 1959, Dosja 522, “Mbi Koloninë Shqiptare në SHB të Amerikës”. Relacion i përgatitur nga Reis Malile-Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në OKB, 22.1.1959, f. 10.
[12] Internatinal Seminar of Pan-Albanian Federation “VATRA”, New York: 28-29-30 November, 1969, pp 284.
[13] Ernest Koliqi, “Fan Noli, përlëvdues epiko-lirik i burrnis shqiptare”, në: Internatinal Seminar of Pan-Albanian Federation “VATRA”, New York: 28-29-30 November, 1969, p. 165.
[14] Ilda Qato, Emigracioni politik shqiptar në vitet 1944-1954, Lushnjë: janar 2012, f. 3.