• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ne Arizona u kremtua solemnisht gjashtevjetori i pavaresise se Kosoves

February 20, 2014 by dgreca

Koncerti festiv kushtuar shenimit te pervjetorit te pavaresise se Kosoves, u karakterizua me nje performance te shkelqyer te kengetareve te mirenjohur nga Kosova,Shkurte Fejza dhe Nysret Mulliqi/

NGA LULZIM MULLIQI/Te organizuar nga komuniteti shqiptar i qytetit Phoenix”Shqipe e Arizones”,shqiptaret e shtetit te Arizones,kremtuan solemnisht,6-vjetorin e pavaresise se Kosoves.Manifestimi kryesor u mbajt ne ambientet e “American Banquet Pallace”ne 19 ave,Thunderberd te qytetit te Phoenix-it,me pjesemarrjen e nje numri te konsiderueshem te shqiptareve nga Kosova,Shqiperia,Maqedonia dhe Mali i Zi.Ne kete manifestim kushtuar pervjetorit te gjashte te pavaresise se Kosoves merrnin pjese shqiptare jo vetem nga Arizona,por edhe nga shtete te tjera si nga Kalifornia,Minesota,Nevada etj.Shenimi i pervjetorit te pavaresise se Kosoves,tashme eshte bere nje tradite e mire edhe per komunitetin shqiptaro-amerikan te shtetit te Arizones,per ta kremtuar ate ne menyre sa me dinjitoze dhe madheshtore.Keshtu gjashte vjet me pare,me 17 shkurt,2008 ne Parlamentin e Kosoves u mbajt nje seance solemne,me e rendesishmja per popullin e saj,ku te zgjedhurit e popullit shpallen krijimin e shtetit te pavarur dhe sovran te Kosoves,qe ishte edhe nje kurorezim i idealeve dhe sakrificave te vashdueshme te popullit te Kosoves per liri dhe pavaresi.Ne kremten e ketij komuniteti te organizuar enkas per 6-vjetorin e pavaresise se Kosoves ishte pergatitur edhe nje program i larmishem kulturo-artistik per te gjithe te pranishmit.Moderatori i mbremjes e hapi kete program festiv duke shprehur mireseardhje per te gjithe te pranishmit,kengetaret,mysafiret dhe te ftuarit e tjere.Ai me pas  ftoi ne skene kengetarin e mirenjohur nga Kosava,Nysret Muqiqin i cili kishte ardhur enkas per t’i argetuar bashkekombasit tane ne kete dite te rendesishme per Kosoven dhe shqiptaret ne pergjithesi.Kengetari,Nysret Muqiqi ne fillim te fjales se tij i pershendeti te gjithe bashkeatdhetaret tane,duke theksuar se pas heronjeve, deshmoreve dhe martireve te kombit,ju diaspora shqiptare e Amerikes jeni me meritoret ne realizimin e lirise dhe pavaresise se Kosoves.”Ju edhe pse jetoni larg atdheut tuaj,me respekt dhe perkushtim te madh i ruani traditat,gjuhen e bukur dhe kulturen e lashte shqiptare”theksoi ai.Me pas kengetari ,Nysret Muqiqi filloi me interpretimin e kengeve atdhetare si kenge kushtuar pavaresise se Kosoves,kenga e flamurit,kenga e Hajredin pashes etj,te cilat zgjuan interesim ne mesin e mergimtareve tane.Zeri i embel,karakteristik dhe melodik i tij shpertheu me duartrokitje dhe ovacione te shumta ne fund te interpretimit virtuoz te tij.Ky koncert festiv i pervjetorit te pavaresise se Kosoves sikur u gjallerua,u freskua dhe mori harene kur para bashkeatdhetareve tane u shfaq,Shkurte Fejza,nje nga kengetaret idhull te shqiptareve te te gjitha viseve tona etnike,te cilet ate e adhurojne pafundesisht.Kengetarje e mirenjohur ,Shkurte Fejza kishte perzgjedhur kenget me te bukura atdhetare nga repertori i saj i pasur per ti argetuar bashkeatdhetaret tane ne kete koncert festiv.Zeri i saj i embel  melankolik dhe karakteristik kumboi fuqishem ne skene kur filloi t’i kendoj kenget e preferuara nga te gjithe shqiptaret si kenga:Mbahu nene,mos ke frike,se ke djemte ne Amerike,pastaj kenge per memedhene,oj,Kosove,oj nena ime,faleminderit Amerike!etj.Pastaj komunikimi midis saj dhe spektatorit ishte mjaft i ngrohet dhe vellazeror,me kete rast  e gjithe salla kendonte shqip,madje edhe duartrokitjet flisnin vetem shqip ne kete feste te paharruar te komunitetit shqiptaro-amerikan te Arizones.Ndersa ne pauzat e krijuara gjate koncertit ajo ka takuar adhurues te shumte te saj ,te cilet deshironin te kishin nga nje fotografi ne kujtim te kesaj feste me kengetaren tone te madhe dhe legjenden e muzikes shqiptare,Shkurte Fejzen.Gjate gjithe ketij koncerti festiv,kengetarje jone e mirenjohur,Shkurte Fejza eshte percjellur me duartrokitje frenetike nga te gjithe te pranishmit ne salle si nje shenje mirenjohje dhe respekti per kenget e bukura qe ajo i dhuroi publikut.Nderkaq,kengetarja jone e madhe cila njihet qe me pasion u ka kenduar trimave,heronjeve dhe martireve te kombit,si dhe bashkimit tone kombetar eshte shprehur se festa e pavaresise se Kosoves dhe festa e flamurit mbeten festat me te dashura per kengetaren,mbase ne kete pervjetor ajo ishte angazhuar neper koncerte te shumta muzikore.Angazhimet e saj kane nisur nga data 14 shkurt,duke performuar ne Toronto te Kanadase,pastaj ne SHBA,si ne: Nju jork,Cikago dhe se fundmi ne kryeqytetin e Arizones-ne Phoenix.Vlene te permendet se kengetares se mirenjohur,Shkurte Fejzes,vitin e kaluar iu eshte akorduar cmimi ” Mjeshter e Madhe ” me motivacionin per arritje dhe suksese te larta ne fushen e krijimtarise muzikore ,nga Presidenti i Republikes se Shqiperise,Bujar Nishani.Kenga dhe zeri interpretues i Shkurte Fejzes do te mbetet ikone e muzikes shqiptare,ajo per 40 vite me radhe mbetet njera nga kengetaret me te sukseshme dhe me brilante te skenes muzikore shqiptare ne pergjithesi.

Filed Under: Featured Tagged With: gjashtevjetori, Ne Arizona, u kremtua

Agim Vinca nderohet me çmimin “Azem Shkreli”

February 20, 2014 by dgreca

Nga Jolanda LILA/

Në një ceremoni të organizuar në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sporte, ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte, Memli Krasniqi ka ndarë çmimet e letërsisë, ku pos Agim Vincës, me çmime janë shpërblyer edhe: Drenusha Zajmi-Hoxha, Sabit Rrrustemi ,Adem Gashi, Merxhan Avdyli, Flamur Maloku i Izet Sylaj.Agim Vinca është shpallur fitues i çmimit “Azem Shkreli”, çmim i ndarë për vepër jetësore, e ndarë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte, në mesditën e së premtes. Ky çmim është ndarë me vendim të jurisë profesionale në krye me Osman Gashin, ndërkaq, çmimin për vepër jetësore e ka ndarë i pari i MKRS-së, Memli Krasniqi, i cili, sikurse Agim Vincës dhe fituesve të tjerë në kategori të ndryshme u ka uruar për shpërblimet.

Në këtë ceremoni, më të mirët në letërsi kanë dalë: në kategorinë e romanit, Drenusha Zajmi-Hoxha, për romanin “Krrokama”, në kategorinë e poezive juria ka vendosë që këtë çmim ta ndaj për dy autorë: Sabit Rrrustemi për përmbledhjen me poezi “Murale shpirti”, dhe Adem Gashi për veprën “Nuk ka kthim lejdi”. Kurse në kategorinë e kritikës poashtu juria ka ndarë këtë çmim për dy autorë: Merxhan Avdyli për “Dritësime letrare”, dhe Flamur Maloku për librin “Polisemia e Veprës”. Ndërkohë, në këtë vit është ndarë edhe çmimi për përkthimin më të mirë, çmim që i është ndarë Izet Sylaj, për romanin e përkthyer Mathias Wnard.
Fituesi për vitin 2013 në çmimin Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”, Agim Vinca, u shpreh të jetë i kënaqur me marrjen e këtij çmimi që mbanë emrin e njërit nga shkrimtarët më me zë në Kosovë, Azem Shkrelit.
“Librat e Azem Shkrelit i kam lexuar qysh se isha fëmijë, nën dritën e llambës në vendlindjen time. Qysh atëherë ende më kujtohet disa nga vargjet e poezisë së tij. E them sinqerisht se Azemi është një nga shkrimtarët që më ka ngjallur dashuri për letërsinë. Veprat e tij ende vazhdojnë t’i rezistojnë kohës. Të marrësh një çmim të tillë, aq më shumë në prag të përvjetorit të gjashtë të Pavarësisë së Kosovës, idenë e të cilës e frymëzuan pikërisht njerëzit e penës, shkrimtarë dhe intelektualë është nder dhe krenari, por edhe një ndjenjë ngadhënjimi”, u shpreh Vinca.
Nga ana tjetër, Ministri i Ministrisë së Kulturës, Memli Krasniqi, duke iu uruar suksese për këto çmime laureatëve të sivjetshëm, ka deklaruar se të shkruash në këtë kohë është goxha sfiduese, sepse teknologjia është duke e sfiduar në vazhdimësi letrën.
“Ajo që neve na bën të lumtur si ministri dhe mua personalisht si ministër është fakti që në këto vite ne kemi bërë përpjekje të rëndësishme që kemi arritur të institucionalizojmë vlerësimin dhe respektin për artistët dhe krijuesit përmes çmimeve vjetore për letërsi dhe në fusha të tjera kulturore”, u shpreh ministri Krasniqi, duke shtuar më tutje se “Libri po ballafaqohet me sfida por ne viteve të fundit jemi munduar që bashkërisht, duke gjetur edhe përkrahjen e nivelit më të lartë qeveritar, që të rrisim mbështetjen për librin. Këtë vit kemi vazhduar trendin e rritjes së fondit të librit, duke e rritur në 100 mijë euro fondin për botimin e titujve të rijnë”. Kurse, Osman Gashi, udhëheqësi i jurisë profesionale, i ka propozuar Ministrisë së Kulturës që të vazhdojë të ndajë këso çmime edhe në vitet e ardhshme.
“Jam shumë i sigurte që prurjet e sivjetme kanë qenë jashtëzakonisht të mira dhe ne si juri kemi pasur kënaqësi t’i lexojmë dhe vlerësojmë ato shkrime konkurrente. Ne si juri propozojmë që të vazhdohet me ndarjen e këtyre çmimeve edhe në të ardhmen”, tha ai. Për ndarjen e çmimeve në letërsi pos Osman Gashit në juri kanë qenë të përfshirë edhe Binak Kelmendi, Sabile Keçmezi – Basha, Adem Zejnullahu dhe Bagzad Baliu.  Çmimi për vepër jetësore ka edhe vlerën monetare prej 5 mijë eurove, kurse çmimet pasuese nga 2.500 euro.

Fjala e Prof.Agim Vincës në ceremoni:

Familjarë të Azem Shkrelit,
Zoti Ministër i Kulturës,
Miq dhe kolegë!
E ndiej veten të nderuar që më jepet Çmimi “Azem Shkreli” jo vetëm pse është çmimi më i lartë letrar në Kosovë, por edhe për shkak se mban emrin e shkrimtarit ndaj veprës së të cilit kam ushqyer gjithmonë një konsideratë të veçantë, poetit, prozatorit, dramaturgut dhe publicistit Azem Shkreli.
Librat e Azem Shkrelit i kam lexuar qysh si fëmijë, nën dritën e llambës, në vendlindjen time. Isha ende nxënës i shkollës fillore kur më ranë në dorë Bulëzat (1960) dhe Karvani i bardhë (1961) e, pak më vonë, edhe Engjujt e rrugëve (1963). Qysh atëherë i mbaj mend vargjet: “Gëzimi, thonë, nuk matej kur jam le/ Nji natë fresku me hanë./ Nana n’krye tim s’ka ba kurr be – / Paç mbet pa nanë./ Me ‘i tubë delesh n’sukë heret jam rreshkë,/ Kur isha ende vocrrak./ Shtëpinë e kam atje ndër curra, n’bjeshkë,/ Dhe kangën e gurit mbi prak”. Me këto vargje hapet poemthi Këngë për vete, në të cilin subjekti lirik, malësori i ri poet, që zbret në qytet, shpalos botën dhe unin e tij pa kurrfarë kompleksi: “N’qytet kam ardhë me ‘i gjysë opinge. E dij/ N’përulje s’mundem m’u kotë./ Lavdet ua fali tjerëve. Mos me pi/ Betue jam – në gotë./ Zotnit s’i njof. As s’lodhem pse Krishti s’rruhet./ (Ferrin me mëkate kam m’e fikë!)/ E kur zgërdhihet jeta, ndojherë – duhet/ Venë Khajami, nji pikë!/”, për ta përmbyllur, pak a shumë, rrëfimin me një porosi, që peshon rëndë, sa gurët e vendlindjes: “Prej këshillës s’nji miku mbaj mend dy urti:/ N’këndove – këndo për jetën./ Poetët duhet ta kenë nji perëndi/ Dje tjetër s’ka: T’VËRTETËN”.
Sado të thjeshta, në mos edhe naive që mund të duken sot këto vargje, të shkruara në fillimet krijuese të poetit, ato shprehin frymën e artit poetik të Azem Shkrelit, por edhe thelbin e misionit të poetit: të kënduarit për jetën dhe të besuarit në një nga vlerat e saj më sublime: Të Vërtetën.
Volteri i madh thoshte se E vërteta, Liria dhe Virtyti janë tri gjëra për të cilat e vlen të jetohet dhe të luftohet, ndërsa bashkëkombësi i tij më i ri, Romen Rolani, nënvizonte se puna krijuese është “gëzimi i jetës” dhe se të krijosh do të thotë “ta vrasësh vdekjen”. (Créer, c’est tuer la mort).
E them sinqerisht se Azem Shkreli është një nga shkrimtarët tanë, të këtij krahu, që tek unë ka ngjallur dashurinë për letërsinë: dëshirën për të lexuar dhe dëshirën për të shkruar. Dhe tok me këtë dëshirë, sa të bukur, aq edhe të vështirë, edhe pasionin për fjalën, ndjenjën, mendimin, por edhe për heshtjen e bukur, heshtjen që flet, që është e kundërta e fjalamanisë dhe llomotitjes. E, Azem Shkreli, poeti i E di një fjalë prej guri dhe Nga Bibla e heshtjes, si rrallë ndonjë krijues tjetër yni, mund të shërbejë si shëmbëlltyrë nga ky aspekt. Përgjegjësia ndaj fjalës në përgjithësi dhe ndaj fjalës së shkruar në veçanti është një nga mesazhet më të fuqishme të veprës së tij.
Azem Shkrelin e kam njohur fillimisht nëpërmjet librave, por më vonë do të më lidhë me të një miqësi e gjatë dhe e frytshme ndër vite e dekada. Sa e sa ndeja e biseda, sa e sa udhëtime nëpër Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, pjesëmarrje në manifestime kulturore, në tribuna publike, në orë letrare, në promovime librash, në aksionin e madh për pajtimin e gjaqeve etj.
Dua të veçoj me këtë rast një episod, që nuk e kam evokuar në kujtimet që kam shkruar për të.
Unë jam bërë anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës në kohën kur Azem Shkreli ishte kryetar i saj. Sapo kisha botuar librin tim të dytë me poezi, Bregu i mallit (1975), recensentë të të cilit kishin qenë Fahredin Gunga e Azem Shkreli, kurse redaktor Anton Pashku. Asnjëri nga ata fizikisht nuk është më në mesin tonë, por vepra e tyre dhe standardet që krijuan, vazhdojnë t’i rezistojnë kohës. Në recensionin e shkurtër, me të cilin mbështeste botimin e librit, Azemi, ndër të tjera, shkruante: “Mendoj se ka në të vargje të bukura, lirikë të hollë, motive dhe ide interesante. Mund të përmenden edhe kualitete të tjera të kësaj poezie”. Kaq mjaftonte nga ai, nga pena e tij, që libri të botohej. E të botoje libër në atë kohë, aq më tepër duke qenë krijues i ri e i panjohur, nuk ishte punë e lehtë, ndërsa të anëtarësoheshe në Shoqatën e Shkrimtarëve atëbotë ishte më vështirë se të hysh sot në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Por edhe më nder, gjithsesi.
Dhe ja tek jemi sot, pas kaq shumë vitesh. Ai në amshim me Aliun, Dinin e të tjerë, kurse unë Laureat i Çmimit që mban emrin e tij –  për Vepër Jetësore.
Të marrësh një çmim si ky, aq më shumë në ditën e Pavarësisë së shtetit tënd, idenë e të cilit e frymëzuan para së gjithash njerëzit e penës, shkrimtarët dhe intelektualët, është nder dhe krenari, por edhe një ndjenjë ngazëllimi e rezignimi bashkë. Thuhet se çmimet letrare zakonisht kanë kuptim në moshë të re, sepse nxisin energjitë dhe vullnetin për punë krijuese. Me një fjalë janë stimuluese. Te unë dhe kolegët e mi që me këtë çmim janë nderuar para meje dhe tek ata që do të nderohen më pas, ky çmim mund të jetë stimulues në një kuptim tjetër: për rrumbullakimin e veprës dhe përfundimin e projekteve, që presin dorën dhe mendjen e krijuesit. Njeriu, pavarësisht nga mosha, gjithmonë mendon se veprën e vet më të mirë do ta krijojë në të ardhmen. Po të mos ishte kjo bindje, as që do të kishte kuptim puna krijuese.
Çmimet letrare, sikurse edhe mirënjohjet e tjera publike, as nuk e rrisin dhe as nuk e ulin vlerën e një vepre (në kuptimin e opusit krijues), por ato e kthejnë për një çast vëmendjen e publikut kah ajo; i bëjnë jehonë asaj. E kjo s’është pak dhe as e parëndësishme në kohën tonë, kur njerëzit janë tjetërsuar në masë të madhe prej vlerave shpirtërore, që janë të përhershme e tejkohore, duke i zëvendësuar shumë herë ato me vlera të përkohshme e efemere. Më kot qortimi i poetit: “Sa poshtë paskam rënë duke u ngjitur këtij Olimpi të rrejshëm” dhe besimi, qoftë edhe iluzor, se botën do ta shpëtojë bukuria: “Mësojeni kohën të mos i hajë të vetët/ Ç’u shemb shëmtie do ta ngrenë poetët”.
Dhe, krejt në fund, më lejoni që, siç është zakon në këso rastesh, të bëj edhe disa falënderime.
Falënderoj së pari nominuesin, Shoqatën e Shkrimtarëve “Jakup Ceraja” nga Mitrovica, e cila më ka propozuar për Çmimin “Azem Shkreli” për Vepër Jetësore, duke e shoqëruar propozimin e saj me një arsyetim të denjë për adresën që i drejtohej;
Falënderoj Jurinë, e cila, në një konkurrencë të fortë, u përcaktua për mua, duke vlerësuar punën dhe krijimtarinë time;
Falënderoj Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe njeriun që është në krye të saj, ministrin Memli Krasniqi, i cili, tok me stafin e tij, kanë dëshmuar se dinë t’i çmojnë vlerat që janë krijuar në Kosovë në të kaluarën, në kushtet e robërisë e të censurës dhe që vazhdojnë të krijohen në liri e pa censurë në Republikën e Kosovës, e cila këto ditë shënon 6-vjetorin e lindjes së saj si shtet.
Njëherësh shfrytëzoj rastin t’i përgëzoj kolegët e mi fitues të çmimeve për veprat më të mira letrare nga fusha e poezisë, e prozës, e kritikës letrare dhe e përkthimit letrar të botuara gjatë vitit 2013 dhe t’u uroj suksese të reja në të ardhmen.
Ju falemnderit për durimin dhe mirupafshim në raste të tjera të ngjashme!

 

Filed Under: Featured Tagged With: agim Vinca, Azem Shkreli, cmimi, Jolanda Lila

POLITIKA GREKE NË BALLKAN

February 20, 2014 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

Këtë javë, zëvendës Kryeministri dhe Ministri i jashtëm i Greqisë,  Zoti Evangelos Venizelos po bën një turne në kryeqytetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kapacitetin e tij si President i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian.  Zoti Venizelos, sipas Ministrisë së jashtme greke, vizitoi të hënën Beogradin ku u takua me udhëheqsit më të lartë të Serbisë, dhe një ditë më vonë ai qëndroi në Podgoricë për takime me udhëheqsit malazezë.  Ai gjithashtu vajti në Sarajevë dhe u ndalua edhe në Prishtinë për një vizitë të shkurtër ku u takua me Kryeministrin, Zotin  Hashim Thaçi dhe me Ministrin e Jashtëm, Zotin Enver Hoxhaj. Nga Prishtina, zyrtari i lartë grek shkoi në Shkup ku zhvilloi takime me udhëheqsit e atij vendi, përfshirë edhe kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Zotin Ali Ahmeti.   Nga Shkupi ai udhëtoi për në Tiranë ku, sipas Ministrisë së Jashtme greke,  ai do të takohet të premten me udhëheqsit më të lartë të shtetit dhe të qeverisë shqiptare, përfshirë Kryeminstrin Edi Rama, “vetëm për vetëm”, ose “kokë më kokë”, sipas njoftimit të Ministrisë së jashtme greke, e që do të pasohet me takime të tjera përfshirë Ministren për Integrimin Europian, Klajda Gjosha, presidentin, Zotin Bujar Nishani,  kryeparlamentarin, Zotin Ilir Meta dhe Kryetarin e Partisë Demorkatike në opozitë, Zotin Lulëzim Basha.    Në njoftimin e Ministrisë greke të Punëve të Jashtme theksohet gjithashtu  fakti se në agjendën e  zyrtarit të lartë grek në Kryeqytetin shqiptar është edhe darka ku “do të  marrë pjesë Kryepeshkopi  Anastasios i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë”, thekson njoftimi i Ministrisë greke. 

 

Duhet pritur për të parë se cilat janë përfundimet e vizitës së Zotit Venizelos në Tiranë, por nga ato që janë njoftuar deri tani nga vizitat e kësaj jave në kryeqytete të tjera të Ballkanit, politika e jashtme greke karshi  këtyre vendeve, sidomos karshi Serbisë dhe shqiptarëve, është e njëjta si gjithmonë, kryesisht në favor të Serbisë dhe jo në favor të shqiptarëve.  Në Prishtinë, ai u deklarua se është në favor të integrimit të Kosovës, por dihet se Greqia  është njëra prej pesë vendeve të Bashkimit Europian (BE) që nuk e njehpavarësinë e Kosovës, por ai njëkohësisht tha se vendi i tij nuk do e pengojë Kosovën në rrugën e saj drejtë integrimeve euro-atlantike, ndërsa ai nuk u prononcua se si presidente e BE-së për gjashtë muajt e ardhëshëm, Greqia nuk do e ndihmojë Prishtinën drejtë integrimit europian.   As nuk e pengon as nuk e ndihmon!

 

Ndërsa në Beograd, aty ku edhe e filloi turneun e tij, sipas medias vendase, Zoti Venizelos në takimet e tija me udhëheqsit serbë, tha se Athina do të bëjë çdo gjë të mundur për të ndihmuar Serbinë drejtë integrimit europian, megjithëse, Zoti Venizelos, si president i Këshillit të Ministrave të jashtëm të BE-së, e di se një prej kërkesave themelore të BE-së për pranimin e Serbisë është pikërisht normalizimi i marrëdhënjeve të saj me Kosovën.  Në të vërtetë për sa kam mundur të shoh në shtyp, nuk kam parë se në bisedimet e tija në Beograd te jetë  përmendur kund fjala ”Kosovë”, megjithëse ka  mundësi të jetë censuruar nga vet media.  Gjatë vizitës së tij në Beograd, Zoti Venizelos ra dakord me udhëheqsit e serbë, se Serbia nuk ka mik më të madh se Greqinë në Bashkimin Europian dhe njëkohsisht ata theksuan investimet e mëdha që Greqia ka derdhur në Serbi gjatë viteve.  Ata njëherazi njoftuan marrveshjen për një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, gjatë këtij viti.

Ndërkaq, revista e njohur britanike, The Economist njofton sot se akuzat për zbulim korrupsioni në sektorin publik grek vazhdojnë duke thënë se kësaj radhe akuzat i drejtohen Ministrisë së Jashtme të Greqisë, e cila sipas  The Economist, ka keqpërdorur fondet e dhëna grupeve jo qeveritare greke që veprojnë jashtë vendit, kryesisht në rajonin e Ballkanit.  Sipas revistës  britanike shumica e këtyre enteve jo qeveritare nën umbrellën e organizatës “Ndihma Helene”, u themeluan me aprovimin e ish kryeministrit  Xhorxh Papandreu, nga viti 2000 deri më 2008.  Revista Economist thotë se dyshohet se disa prej këtyre fondeve mund të kenë shkruar drejtë mbrojtjes dhe strehimit të kriminelit  të luftës serbo-boshnjakut  Radovan Karaxhiq, kur ai ndiqej nga forcat e NATO-s për tu arrestuar për krime lufte.  Revista britanike shkruan, për atë që ishte e qartë gjatë luftërave në ish- Jugosllavi se, “aktivistë të Pasokut (Partia e Papandreut) ishin mbështetës të fortë të serbëve gjatë shpërbërjes së Jugollavisë.”, ndërsa shton revista se, “gjatë kohës që Andreas Papandreu (I ati i Xhorxh Papandreut) ishte kryeministër i Greqisë, partia Pasok furnizoi regjimin e Slobodan Millosheviqit me ndihma financiare dhe teknike, dhe se deri në arrestimin e tij, Karaxhiqi pritej me krah hapur nga zyrtarët grekë në Athinë.   Revista The Economist thotë se Xhorxh Papandreu përgnjeshtron të ketë bërë ndonjë gjë kundër ligjore.

Duke u bazuar në historinë e re dhe të vjetër të Ballkanit, politika e jashtme greke ka nevojë për një ushtrim vullneti më të mirë dhe për një transparencë  më të madhe në marrëdhënjet me vendet Ballkanit Perëndimor, por sidomos ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, nëqoftse me të vërtetë Athina dëshiron që — siç tha edhe vet Zoti Venizelos — të çojë përpara përspektivat europiane dhe euroatlantike për rajonin. Atëherë kjo duhet të bëhet për të gjitha vendet e rajonit pa përjashtim, si një hap i rëndësishëm  që e kërkon koha tashmë, për stabilitetin dhe paqën në rajon dhe në kon tinetin europian.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, ne Ballkan, Politika Greke

“Gruaja që sfidoi fatin”

February 20, 2014 by dgreca

– Një ekspoze e shkurtër për autorin Pjetër Meta dhe monografinë e tij të fundit “Gruaja që sfidoi fatin” /
Nga KUJTIM DASHI/
Me autorin Pjetër Meta, më kanë njohur dy miq të përbashkët, gazetari e publicisti në zë, i ndjeri Marash Hajati dhe Mëhill Ndrepepaj, shoku e kolegu im me të cilin punonim vite më parë në ShB “Erik”. Pjetri në atë kohë donte t’i jepte fund kalvarit të një romani historik me titull homonim “Fundi i kalvarit”, të shkruar rreth tridhjetë më parë e të mbajtur kaq gjatë ndër duar, dhe më “gjeti” mua për redaktor.
Romani u botua dhe është mirëpritur nga opinioni, nga lexuesit e atyre trevave, veçanërisht nga njohësit e periudhës që pasqyron. Libri është frymëzuar dhe u bën jehonë qëndresës së rrallë të malësorëve të Nikaj-Merturit e të Dukagjinit, kundër ekspeditës ndëshkuese të Shefqet Turgut Pashës, në korrik të vitit 1910, i cili synonte të shtronte këto treva e deri në Shkodër. Romani u botua në korrik 2010 me rastin e 100-vjetorit të kësaj ngjarje.
Sipas gjykimit tim, romani ka vlera të mirëfillta letraro-artistike e historike dhe do të jetë një referencë për një periudhë të gjatë kohore. Dominancat politike e letrare të këtyre viteve, mbase dhe ndonjë paragjykim që shfaqet aty-këtu për këto autorë që vijnë në letërsi nga fusha të tjera e disi vonë, nuk i kanë dhënë ende vendin që meritonte kjo vepër.
Ndërkohë që përgatitej romani për botim, Pjetri më fliste dhe për një libër tjetër, që po shkruante për një shok e mik të ngushtë të tij dhe mjaft popullor në atë trevë, i cili ishte ndarë afro dhjetë vjet më parë nga jeta e që quhej Pal Kokrri. Ka patur një humor të shkëlqyer, të pakrahasueshëm, therës. Ende edhe sot e kësaj dite kujtohet me admirim jo vetëm në Tropojë, por dhe përtej saj, në tërë Verilindjen e Kosovë. Shumë thënie të tij janë kthyer si sentenca humoristike, që e ruajnë edhe sot e kësaj dite vlerën e freskinë e tyre si në çastin e parë, kur janë thënë, ruajnë origjinalitetin, mençurinë e mendjemprehtësinë e njeriut që i artikuloi për herë të parë ato, të Palit, më tregonte miku im. “Tefa” i Tropojës, i pata thënë me të qeshur.
Fryt i këtij bashkëpunimi miqësor autor-redaktor ishte monografia me titull “Ka thënë Pal Kokrri (Neçaj)”, e cila u botua në 2011-ën.
Monografia është e veçantë, pasi aty është derdhur dashuria e pastër, nderimi i madh, dhimbja e thellë, obligimi për ta “zbuluar” dhe “rikthyer” njeriun e shtrenjtë te bashkëvendasit që e deshën, që e mbështeten, që ua mahitoi zemrat, por dhe që i ruajtën me fanatizëm deri më sot historitë gazmore, batutat e thëniet e tij inteligjente, origjinale, të guximshme, antikonformiste, stigmatizuese, plot kripë e humor, larg banalitetit e vulgaritetit. Kësisoj bibliotekës së botimeve “për Nikaj-Mertur” iu shtua një libër me vlerë me një lëndë të pasur e autoktone humori.
Në fakt, edhe mua si gazetar e shkrimtar, Pjetri më ka bërë një “nder” jo të vogël, pasi, përveç bashkëstudentëve të mi e të njohurve të tjerë nga kjo zonë, më lidhi më mirë me këtë krahinë e njerëzit e saj, me historinë, traditat e kulturën e pasur të tyre.
Në këtë ekspoze të shkurtër, dua të vë në spikamë, se Pjetri jo vetëm se është një dashamirës dhe ndjekës i vëmendshëm e i pasionuar i letërsisë artistike e asaj dokumentare, por dhe një autor prodhimtar, serioz e këmbëngulës.
Pak a shumë kështu ngjau edhe me “Gruaja që sfidoi fatin”. Kjo është një monografi, e cila i ka bërë trysni të vazhdueshme Pjetrit për të dalë në jetë dhe, tashmë, atë fatmirësisht e kemi në dorë. Në të vërtetë, brenda një libri, janë dy të tillë, ku ndërthuren dy fate njerëzore, ai që i kushtohet Drane Jakes dhe tjetri Bardhe Prekës. Titulli është mjaft sinjifikativ, njëra grua që sfidoi diktaturën komuniste dhe tjetra fatin e hidhur e të rrallë njerëzor.
Po , kemi dhe një sfidë tjetër në letërsinë dokumentare. Atë e bën autori Pjetër Meta, i cili projektorin e tij nuk e drejton nga ish-nomenklaturat partiake e pushtetore, me të cilat çuditërisht dhe në mënyrë periodike sikur t’i sinkronizonte njeri, tash 22 vjet janë të mbushura faqet e medias së shkruar dhe as me libra grafomanësh që shkruajnë rëndomtësisht e pa hesap për fise e fshatrat e tyre pa ndonjë nevojë e vlerë publike, për puse, gardhe e plot fantazira, po e drejton projektorin te njerëzit e thjeshtë, te malësorët e bota e tyre dhe, sidomos te gratë heroina të kësaj treve, që hoqën picirin nga persekucioni i diktaturës, duke dhënë fakte e dëshmi tronditëse e, shpesh herë, të pabesueshme.
Rrallë herë, këto kohët e fundit, kam ndeshur në këtë zhanër kaq shumë dramacitet sa në këtë libër, sidomos në pjesën e parë të monografisë “Një grua më e fortë se fati”, kushtuar Drane Jakes, madje do të thosha që në këtë tipologji vështirë se mund t’i gjej dot shoqe. Nganjëherë të duket sikur po lexon fragmente sa nga epika legjendare dhe ajo historike, pikërisht nga po ato vende, ku thuhet se janë ngjizur. Ngjarjet, karakteret e jeta e përshkruar ta përforcojnë këtë hamendësim, aq sa shumë gjëra me të cilat njihesh të duken si zbulime, që s’t’i ka dhënë asnjë libër historie, gjeografie e ndonjë tjetër.
Me siguri, përveç banorëve të asaj treve e disa lexuesve që kanë patur rast të njihen me këtë vepër që ka dalë kohëve të fundit, shumëkush mund të mos jetë në dijeni të jetës së kësaj burrëreshe fisnike nga Fierza e martuar në Nikaj-Mertur. Po ka qenë mjeshtëria e Pjetër Metës që e ka nxjerrë nga anonimati, apo mjegullsia a e zakonshmja e jetës, e ka skalit portretin dhe jetën e Drandes, qëndresën e saj heroike në vendinternimet jo të pakta të saj nga njëri vend te tjetri, marrjen përsipër të barrës së mbajtjes së familjes, pas arratisjes së Vuksanit, të shoqit, kurajon, guximin, stoicizmin dhe sakrificat e panumërta e shpesh të pashëmbullta të saj, që e bëjnë të veçantë e të admirueshme këtë grua që po i afrohet shekullit. Dhe, në këtë rast, dua të nëpërmend një fakt unikal, besoj të padëgjuar as në leximet tona e as në libra dhe, për shumëkënd e pabesueshme.
Për Dranden e të afërmit e saj është një dhëmbje e madhe, e pakrahasueshme qoftë edhe përmendja e këtij fakti, pas 60 vjetësh, po lexuesi mendoj se duhet ta dijë: kjo grua ka bërë një akt të rrallë e të padëgjuar, që vetëm një Drande Jake mund ta bënte: ka çvarrosur djalin e saj që i vdiq në internim, në Turan të Tepelenës dhe e varrosi aty dhe, për rreth 80 ditë, e mbajti djalin e vdekur në palë të jorganit me të gjitha përkujdesjet e një nëne të madhe, në Turan fillimisht, e pastaj në rrugëtimin e gjatë derisa e solli në vendlindje, në Nikaj-Mertur, bashkë me dy vajzat Zojen e Lenën si dhe djalin Nikën, që për fat, i shpëtuan gjallë.
Historia e Drande Jakes, e përshkruar në këtë libër me një vërtetësi e realizëm tronditës, në njëfarë mënyre është në miniaturë vetë historia e Shqipërisë në pesë dekadat e fundit, sidomos e të persekutuarve politikë në vitet e para të pasinstalimit të pushtetit popullor. E mbijetimit, po dhe e triumfit. Dhe, nëse jeta e saj e, për rrjedhojë libri, ka një hapy-end (fund të lumtur) kjo i dedikohet parasëgjithash kësaj gruaje heroine të heshtur, që siç thuhet në veri zakonisht, dijti ta mbajë fort mirë timonin e jetës së saj e të familjes dhe t’ia dalë mbanë në tallazet e travajet e jetës, në sajë të geneve të origjinës së saj, po dhe njerëzve që pati për krah dhe e mbështetën në mënyra e kohë të ndryshme, ku Nikë Vuksanit (babai i këngëtarit të njohur Gëzim Nika), i biri, është dhe vetë një figurë po aq interesante dhe e goditur në libër.
Për mendimin tim autori Pjetër Meta me Drande Jaken jep një kontribut të çmueshëm duke e pasuruar galerinë e personazheve të botës shqiptare e të letërsisë së saj me një figurë madhore, nga më interesantet dhe pak ose rrallë herë të ndeshur në letrat shqipe.
Siç e kam biseduar edhe me autorin subjekti i “Gruaja që sfidoi fatin” preston shumë jo vetëm për film dokumentar, por edhe artistik dhe le të shpresojmë që kineastët tanë t’i qasen kësaj teme e personazhi, duke lënë mënjanë tema të vockla që riciklohen e që thithin fonde të mëdha.
Pak më sipër përmenda moshën e kësaj heroine, që po i afrohet shekullit, saktësisht është 98 vjeçe…Le të shpresojmë se ndokujt do t’i zgjohet interesi. Të paktën ta intervistojnë live, para se…
“Bardhe të fali zoti jetën/me tipare burri/Në çdo fatkeqësi/Më e fortë se guri”, shkruan autori në aperturë të pjesës së dytë të librit “Gruaja që sfidoi fatin”. Dhe këto vargje, pjesë të epitafit mbi varrin e Bardhe Prekes në Nikaj-Mertur, shprehin si të thuash thelbin apo kuitesencën e jetës së kësaj gruaje qëndrestare të rrallë në fatkeqësi të jetës, që shoqe mund të ketë veç veten. Fati e goditi rëndë, madje shumë rëndë, derisa iu shua e tërë familja, por brenda vetes gjeti forca për të mbijetuar, paçka se në kushte të tjera, krahasuar me Drande Jaken. Edhe Bardha pati mbështetjen e madhe të autorit të librit, Pjetër Meta.
Në mbyllje të këtyre shënimeve, desha të vë në dukje edhe gjestin fisnik, altruist e me mirënjohje të thellë të “djalit” të Bardhes, Aleks Përpalajt (djali i Pjetër e Age Metës), i cili bëri të mundur gjithçka, ngritjen e varreve atje në Nikaj-Mertur, botimin e këtij libri, që e tejkalon dukshëm historinë familjare. Nderim për këta bij që jo vetëm nuk i harrojnë prindërit e atdheun, po i nderojnë atje ku punojnë dhe kontribuojnë në mënyra të ndryshme për vendin.

Tiranë, shkurt 2014

Filed Under: Featured Tagged With: fatin, Gruaja qe sfidoi, Kujtim Dashi

FLAMUJT E MELANKOLISË

February 20, 2014 by dgreca

  Një keqkuptim pansllav i lirisë/

NGA REXHEP KASUMAJ/ BERLIN/

1.

Një grusht qytetarësh nga vënde të ish-hemisferës sovjetike demonstroi në udhët e stadiumet e tyre, në Bratisllavë, Pragë e Varshavë, kundër pavarësisë së Kosovës. Nuk pamë të ketë ndodhur kështu në sheshe metropolësh të tjerë në Holandë a Gjermani, Zvicër a Suedi dhe asnjëherë e askund në Europën e vjetër. Vlerësimi fillimtar i tyre, pasuar nga dy-tri fjalë shtjelluese, ishte: si dhe përse ringrihej kjo kulturë dhe ndjesi e përceptimit negativ të lirisë: të rezervuar për një palë dhe të papërkitshme për një palë popujsh të tjerë. Dhe, në fakt, ç’ishte  sentimenti i çuditshëm pansllav, fragment i të cilit rezulton të jetë dhe ky afsh solidarësie me serbë? Sigurisht, ruajmë besimin se ato kjenë ca grupime margjinale, ose mëkëmbje e mbetje qarqesh revanshiste neokomuniste (si në vitet e britmave të vetmuara për Millosheviqin), apo dhe hjekësi agjenturash të ruso-serbëve të sprapsur e disfatuar. Po nëse, ndërkaq, pretendojnë shpërthimin autokton e të vetvetishëm, aherë manifestimet e tyre, do të sipërshfaqnin një marrëdhënie problematike të trefishtë: pra, me lirinë, pastaj me Europën dhe, së fundmi, me ata vetë.

Për zymtësinë e parë, ndoshta, ka një shpjegim. Dashni të zjarrtë mes kombesh, si mes njerëzish, nuk ka e nuk kishte ndonjëherë. Janë prore ineresat që i çojnë në afrimitet akut e kohëshkurtër apo natyral e të gjithmonshëm.

Mandej, keqkuptimi i dytë i këtij pejsazhi histerik të Lindjes është Europa mbarë. Ajo, padyshim, është asimetrike (Stefan Kornelius S.Z.) në kultin e punës a shkallën zhvillimore, përkushtimin idealist a shpirtësinë e trashëguar…Por e tillë nuk duhet të jetë me pasionet njeriut për t’ardhmen e përbashkuar të saj. Por këta, me sa duket, vuajnë pikërisht komlekset e anës së keqe të asimetrisë. E, për pasojë: kjo na qenkësh,  Shtëpia e përbashkët që ata ëndërrojnë e konceptojnë? Kombe në renditje tabelare? Me aftësi shtetërore dhe pa të tillë, domethënë kombe më të poshtëm nënshtetërorë? Nuk është e papritshme, ndaj, që një intelektual i tyre, Henryk Brokeri mohimtar, përtall identitetin dhe greminos vetë idenë e Europës. Kurse një tjetër, po nga ky nënqiell, ish-Presidenti çek Klaus, ndihet i frikësuar nga një bashkësi e shtrënguar kontinentale dhe pledon për një aleancë voglanësh që do të mbroheshin prej saj! Po prej kujt? Shih paradoksin ironik: prej botës atllantike që i çliroi nga vargojtë e diktaturës dhe kolonializmi moskovit.

Dhe mosmarrëveshjen e tretë, më të zorshmen, ata e kanë me veten e tyre! Do të kujtojmë një thënje gati profetike që sikur hedh gjithnjë dritë mbi këtë kaos të ndërgjegjes nacionale, po dhe njerëzore përgjithësisht. Kur gjeneralë të Wehrmachtit kaluan tokën çeke, prefekti i atëbotshëm i Pragës do të thoshte, figurshëm bukur dhe pashlyeshëm saktë, fjalinë proverbiale: “Me gjermanët si invadorë humbim lirinë, kurse me rusët ne humbim shpirtin”! Apo mbase, ende më lektural vjen evokimi i Valesës së paharruar, që në intervistën për një gazetë perëndimore në mesvitet e 80-ta të stuhishme, jepte me humor të zi tabllonë e rrojtjes në mëshirën e “internacionalizmit proletar” të bllokut dhe traditën e grykësisë gllabëruese ruse ndanë të gjithëve në fqinjësinë e saj, e më tutje rrokullisë. Një traditë e shndërruar, tevona, në stil, mënyrë e kod të sjelljes imperiale të tyre. Dhe, i pyetur për bashkëpunimin me sovjetët, ai pohon me një elokuencë të hollë sarkastike: “Kemi bashkëpunim të shkëlqyer, siç i ka hije miqëve. Ne atyre u japim sheqer, kurse ata ne na marrin vaj”! Që këtej, më qartë në brutalitetin e saj cinik, nuk mund të pikturohej mneri i qizmes dhe revanit barbar të ariut të panginjur stepor. A nuk shprehte ai kësodore një përjetim kolektiv të bashkëkombësve të tij? Si transformohej, prandaj, urrejtja e ligjshme për gjakun e pushtimin, në admirim për to? A mund të luftoje okupimin dhe, madje, rrethimin gati të përjetshëm rus dhe, më pas, në një kohë e rast të dytë, të hymnizosh shtypjen, armët dhe etnocidin serbian mbi shqiptarët, që kanë poaq dhe mentorësinë ruse? Përse pra, ky sindrom, kjo psikologji e anëmbajtjes ndanë projektit dhe praktikës së krimit, që fundi i shekullit do ta identifikonte me Serbinë, sikurse dikur, mesi e vijimi i tij, shenjëzohej me ariozofinë e tmerrshme nacional-socialiste apo “sovranitetin e kufizuar” të protektorit vëllamadh, që do vrisnin, prenin e poshtëronin atdhetë e tyre? Aherë e atë kohë, që s’është fort moti, kur jo vetëm vdekja dhe kampet e saj bënin plojë, po dhe në rrafsh frymësie, teoritë e varietetit të racave si paravan i seleksionizmit mortor, do ti shpallnin sllavët inferiorë, pa zotësinë dhe të                                                                                                                        drejtën jetës egalitare.

Nga ky përvijim, rrjedhon të jetë konservuar dhe nënshtresa plasaritëse, tashmë, mbareuropiane. Sipas një silogjizmi të kulluar, rrjeshtimi proserbian, shpie tek portat e Kremlinit, për të mbyllur rrethin në një llogore të hapur kundër Europës! Gjallojnë, kësisoji, akoma ato tri Europat e moçme  subidentitare – gjermanike, latine e sllave – në përpjekjet e tyre latente për dominancë, mbi të cilat, kjo e sotmja komunitare, s’është veçse një pelhurë që posa hekuroset sërish zhubroset, derisa një ditë të shohim me pikëllim pllakën përkujtimore në varrezën e saj?!

Perandoritë janë, mbase, të doemosshme. Këtë dilemë shtronte, disi në formë pyetjeje e sfide mendimore, Herfried Münkler (në librin e mrekullueshëm “ Imperien”), natyrisht, jo në kuptimin hegeljan se gjithçka reale është e arsyeshme, por në atë historik: si përskajuese të sigursë e paqes, anipse shpesh të padrejtë. Madje dhe Meternich, po nga ky kundrim, ishte dalzotës i sajesave të mëdha shtetërore në Rendin e atëbotshëm të tij. Tek mësoja për brohorimat e dishrimit të egër në bulevardet e provincializmit politik, ca pyetje të ngjashme do të shtroja dhe unë. Athua ishte aq e mirë e përthekuese Perandoria e kuqe për këta popuj? E tillë që tani të ketë lënë pas afektin e varësisë prej saj? Jo vetëm si binjakëri shpirtërash, po dhe nëvojë mëkimi e rehatimi politik? Dhe prirjen iracionale të vetëvuajtjes për të qenë lumturisht të sunduar? A ishte ajo, që këtej, një instancë drejtimi e frenimi, vitaliteti e sendërtimi për ata që, ja, nuk e përvetësojnë dot kurrësesi universalitetin e lirisë?

Mirëpo, megjithë ngucjet e pamira nga oborret e tyre, dhe disa supozime të sipërthëna që nuk janë të papërfillshme, nuk imitojmë kurrë marrëzinë humbamane. Dhe nuk e bëjmë aspak për bonafiditet formalist, por pse, njëmendësisht, është i huaj përçmimi biologjist i popujve, qoftë dhe i atyre natyrorë, si fillesë e ligë e darvinizmit etnik. Votrat e tyre kanë kaluar kalvar të vërtetë mbijetese me gjak e lot dhe janë farkues të mëdhenj të fateve e qytetnisë europiane. Ndaj behte e befta: si ishte i qasshëm ky relikt apo ribulëzim i skemave e sferave të arkivuara interesore me vëllazërinë e përflakur sllave në mes? E, rrjedhimisht, dhe i pashmangshmi elaborim i kontekstit socio-politik të tij.

2.

“Humbja e shpirtit” që parandjente prefekti i atdhetar i Pragës, duhej të ushqente analogjinë e kundërt (tek çekët me Republikën e tyre, thuajse të paemër): jo thirrjen histerike për amnestinë e krimit të testamentuar, por bashkëndjesinë e humbjes së shpirtit shqiptar nga okupimi i lodhshëm serb. Pastaj, a nuk përgjason një copë udhe komuniste e lënguar paralelisht dhe, veçanërisht, fataliteti gjeopolitik (i polakëve, mes kudhrës gjermane e çekanit rus) me fatalitetin e njëjtë të vendshtrirjes së tokave arbnore midis serbëve e grekëve që kanë grabitur e rrudhur hapsinë e tyre? E pse jo, dhe madhësia a madhështia modeste (bie fjala e sllovakëve anonimë) do të duhej të përnxiste, njëlloj mirëkuptimi për aspiratën liridashëse të një nacioni, poashtu të vogël e të lashtë.

Mirëpo, me sa duket, smira e zezë dhe afeksioni i rindezur e i habitshëm sllavoman, kanë errësuar arsyen e zogorisë që deklamoi vullnet të panatyrshëm kundër lirisë, kësaj përmase të lindur njeriu dhe vlere të shejtnuar të Europës së re!

Porse, vetëjetesës sovrane e të lirë të shqiptarëve, nuk mund t’ia prejnë udhën flamujt e melankolisë gjithësllave. Atë e kanë në dorë vetë shqiptarët: për ta bërë ose për ta humbur!

Berlin, Shkurt 2104

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Falmujtt e melankolise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 731
  • 732
  • 733
  • 734
  • 735
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT