• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DIPLOMAT ORIGJINALE TE BALSHAJVE NGA SHEKULLI XIV QË RUHEN NË ARKIVIN SHTETËROR TË DUBROVNIKUT

September 16, 2021 by s p

Ilustrimi 1 -Diploma e 30 nentorit 1373 – recto.jpg
Ilustrimi 2 -Diploma e 30 nentorit 1373
Vula e Gjergj Balshes ne diplomen e vitit 1373.jpg

Diploma e Gjergj Balshës e lëshuar me 30 nëntor të vitit 1373 është origjinale dhe ruhet në Arkivin Shtetëror të Dubrovnikut, në fondin: Wiena 1022 [1014; nr. 118]. – Teksti i diplomës është i shkruar në 13 rreshta.- Ndërsa në anën e pasme (verso) të diplomës është i shënuar ky tekst në latinisht: Pouelia pactorum comitis Ragusii cum domino Georgio de Balsa fatia in MCCLXXIII.

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Në arkiva evropiane ruhet një lëndë burimore-dokumentare e pa botuar ose pjesërisht e botuar për mesjetën shqiptare, botimi i si cilës sipas metodave bashkëkohore shkencore të editimeve kritike mundëson plotësimin e boshllëqeve për periudha të caktuara, veçanërisht për gjysmën e dytë të shekullit XIV dhe gjysmën e parë të shekullit XV.

Këto burime e dokumente janë të shkruara në gjuhët e kohës, të cilat ishin në përdorim zyrtar, me të cilat komunikonin zyrtarisht personalitete të jetës politike, shoqërore e kulturore shqiptare me ato evropiane e më gjerë.

Dinastia e Balshajve ishte njëra prej dinastive më të njohura shqiptare në shekujt XIV –XV. Nga kancelaria e tyre që vepronte në disa gjuhë, e që për fat të mirë na janë ruajtur një numër i konsideruar dokumentesh të lëshuara nga kjo kancelari, kemi vendosur të botojmë të shoqëruara me faksimile, të transkriptuara [tejshkronjëzuara] në sllavishte të vjetër, të përkthyera në shqip dhe të shoqëruara me komente përkatëse sa më përmbajtësore duke shmangur për aq sa është e mundur “detajet e lodhshme” të diplomatikës, sfragjistikës, heraldikës, sigjilografisë e paleografisë.

Lëndë burimore-dokumentare e pabotuar ose pjesërisht e botuar për Balshajt, dhe në përgjithësi për mesjetën shqiptare gjendet në shumë arkiva evropiane, por në sasi të konsiderueshme sidomos në arkivat e Dubrovnikut. Botimi i kësaj lënde dokumentare është nxjerrë nga Arkivi Shtetëror i Dubrovnikut dhe i përket gjysmës së dytë të shekullit XIV. Të gjitha diplomat janë shkruar në sllavishte mesjetare – cirilikë – dhe janë lëshuar nga kancelaria e Balshajve në periudhën kohore 7 janar 1368 – 3 nëntor 1395. Botimi i këtyre burimeve sipas metodave bashkëkohore shkencore të editimeve kritike mundëson plotësimin e boshllëqeve për këtë periudhë të caktuar të historisë së Shqipërisë. Gjuha sllave me alfabet cirilik praktikohej nga kancelaritë e fisnikërisë shqiptare mesjtare krahas gjuhëve të tjera, duke treguar kështu aftësi komunikuese diplomatike me qendra të ndryshme evropiane dhe ato fqinjësore.

15 diploma që ruhen në Arkivin Shtetëror të Dubrovnikut janë ato që dëshirojmë t’u prezantojmë studiuesve e historianëve shqiptarë, medievistëve në veçanti, e lexuesit të gjerë. Të gjitha këto diploma janë të shkruara në letër, gjysmë karton dhe që të gjitha janë të vulosura. Ndërsa kur jemi te vulat, duhet të theksojmë se duke i botuar  faksimilet e tyre në gjendjen aktuale, mendojmë se sjellim një kontribut të veçantë për njohjen e tyre, edhe pse janë në gjendje pothuajse të gjitha të dëmtuara, të thyera dhe me pjesë të humbura. Te vulat, ka një të veçantë shumë domethënëse: të pesëmbëdhjetë diplomat që kemi në dorë, janë vulosur me nëntë lloje vulash të ndryshme, po ashtu është e rëndësishme të theksohet se të gjitha vulat janë të shtypura në letër dhe janë nga dylli. Asnjë nga vulat nuk është e varur dhe nuk ka përbërje plumbi, metali apo floriri, gjë e zakonshme kjo për kohën, por e ritheksojmë: të gjitha janë nga dylli. Vetëm nga Arkivi Shtetëror i Dubrovnikut mund të identifikojmë pra nëntë lloje vulash që ka përdorur kancelaria e Balshajve për periudhën në fjalë. (Më shumë hollësi për këtë do të japim kur të merremi me shqyrtimin e vulave, tipet, dimensionet e tyre, përmbajtjen e teksteve, shenjat e heraldikës dhe elementet e tjera shoqëruese). 

Për fillim, kemi zgjedhur të botojmë diplomën e 30 nëntorit të vitit 1373. Kjo diplomë prezantohet për herë të parë  në këtë formë të plotë para studiuesve, historianëve dhe specialistëve të shqiptarë, por edhe lexuesit të gjerë, dhe këtë: me faksimile, me transkriptim [tejshkronjëzim] në alfabetin cirilik, e përkthyer në shqip e komentuar dhe e shoqëruar me një studim përkatës. Deri më sot ajo është botuar nga këta studiues sllavë: P. Karano-Tvrtković, Srpski spomenici, 78–79, nr. 64; F. Miklosich, Monumenta Serbica, 183–184, nr. 173; T. Smičiklas, Diplomatički zbornik XIV, 554, nr. 429; Lj. Stojanović, Povelje i pisma I–1, 106–107, nr. 107; P. Đorđić, Istorija srpske ćirilice, 347, nr. 145; B. Šekularac, Dukljansko–zetske povelje, 163–166; S. Rudić, SSA 8, 102–103, ku në të gjitha këto botime ka lëshime dhe gabime të natyrave të ndryshme. Ne jemi përpjekur t’i korrigjojmë ato, gjithnjë duke u mbështetur në origjinalin e diplomës e jo duke bërë përshkrim të përshkrimeve. Nuk kemi shënuar asnjë autor apo botim qoftë edhe të pjesshëm shqiptar, për shkak se të gjitha citimet e bëra, jo vetëm të kësaj diplome por edhe tek të tjerat, janë me shumë gabime, duke qenë se këta autorët shqiptarë nuk e kanë njohur sllavishten, e aq më tepër nuk kanë pasur njohuri për paleografinë sllave mesjetare dhe leximin cirilik.

Diploma e Gjergj dhe Balshë Balshës e lëshuar me 30 nëntor të vitit 1373 është origjinale dhe ruhet në Arkivin Shtetëror të Dubrovnikut, në fondin: Wiena 1022 [1014; nr. 118]. Teksti i diplomës është i shkruar në 13 rreshta. Diploma është e shkruar në sllavishte të vjetër, me grafema cirilike me elemente të glagolicës, me ngjyrë të zezë, me shkrim të imët, në kursiv, që vende-vende lexohet me vështirësi, sikurse mund të vërehet edhe nga ilustrimet që po botojmë [shih ilustrimet: 1 e 2]. Ajo ka qenë e palosur horizontalisht në dysh, ndërsa vertikalisht në tre pjesë të barabarta. Nga palosja ajo është e dëmtuar, po për fat të mirë teksti mund të lexohet pa problem edhe pse janë të dëmtuar rreshtat 1, 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11 e 12. Ndërsa për shkak të vulës, diploma në anën e djathtë, lart, është errësuar në rreshtat 2, 3, 4, 5 e 6, por që edhe aty mund të lexohet pa problem. Diploma është e shkruar në letër – gjysmë kartoni dhe ka dimensione: 30cm x 22,5cm. Ajo është e ruajtur me kujdes dhe sot ndodhet në gjendje relativisht të mirë. Ndërsa në anën e pasme (verso) të diplomës është i shënuar ky tekst në latinisht: Pouelia pactorum comitis Ragusii cum domino Georgio de Balsa fatia in MCCLXXIII. Poashtu kemi edhe tre shënime të tjera: an 1373, N°118 dhe 1014 që janë signaturat e vjetra të kësaj diplome (shih ilustrimin nr. 2). Një element mjaft domethënës është se të gjitha diplomat e lëshuara nga kancelaria e Balshajve për Raguzën /Dubronvikun/, që ne njohim, janë të shkruara në letër–gjysmë kartoni. Nëse analizojmë këtë fakt, atëherë mund të nxjerrim një përfundim se nga mesi i shekullit XIV (1360) e deri në fillim të shek. XV (1405) në të gjitha kancelaritë e fisnikëve shqiptarë, por edhe atyre të shteteve fqinje, diplomat janë shkruar në letër, pra jo në pergamenë, edhe pse nuk përjashtojmë mundësinë e përdorimit të pergamenës në raste të veçanta. Po të shikojmë edhe diplomat e Kastriotëve, (Gjonit e Gjergjit-Skenderbeut), Dukagjinëve dhe Aleksandrit të Vlorës, etj, nga periudha në fjalë, të gjitha janë të shkruara në letër–gjysmë kartoni.

Përsa i përket shkrimit, siç ishte zakon i kohës, ajo ka shkurtesa të shumta, të cilat i kemi zbërthyer në transkriptim [tejshkronjëzim]. Në kllapa të vogla “()”kemi vënë grafemat që mungojnë në fjalët përkatëse sipas leximit të sotëm të sllavishtes, ndërsa në kllapa të mëdha katrore “[]” kemi vënë grafemat e shkurtesave të fjalëve që ishte praktikë e kohës, kurse në kllapa të drejta “||” kemi vënë numrin e fillimit të rreshtit të tekstit të diplomës. Në transkriptim [tejshkronjëzim] kemi ruajtur të gjitha shenjat e interpunktimit të kohës. Nuk është bërë asnjë ndërhyrje apo përmirësim i ndonjë grafeme apo fjalë: gjithçka është lënë siç është në origjinal.

Në fund të shekullit XIX është bërë një restaurim i thjeshtë i kësaj diplome, ku janë vënë 4 pjesë letre të bardhë që diploma të mos grisej apo dëmtohej edhe më shumë. Diploma është e vërtetuar me vulë dylli të kuq, të rrumbullakët, e cila është ngjitur në letër, në fund, në anën e djathtë poshtë tekstit. Vula është shumë e dëmtuar dhe në gjendjen aktuale ka vetëm disa copëza dylli çfarë e bën të pamundur leximin e tekstit që ishte në vulë, tani aty dallon dy apo tre grafema [shih ilustrimin 3]. Shkak i dëmtimit të vulës, është zhvendosja e shpeshtë e këtij dokumenti në relacionet: Dubrovnik-Vjenë-Beograd-Dubrovnik. Këtë dokument e ka shkruar logofeti Vitko, siç mund të vërehet në fund të dokumentit. [Logofeti kryesonte zyrën e kancelarisë së princit-sundimtarit, e cila hartonte dokumente shtetërore, si diplomat, traktatet ndërkombëtare, letrat zyrtare e private të sundimtarit, mbante korrespondencën diplomatike me shtetet tjera, kujdesej për të gjitha llojet e akteve, drejtonte financën, etj.]

Për herë të parë, kjo diplomë është botuar në vitin 1840. Ajo ka njohur ribotime të shumta, po asnjëherë korrekte dhe me gabime të shumta. Transkriptimi [tejshkronjëzimi] i diplomës origjinale me signaturë: Wiena 1022 [1014; nr. 118] është shumë i vështirë jo vetëm për studiuesit dhe historianët, që nuk janë specialist të paleografisë sllave, sidomos asaj cirilike dhe glagolike, por edhe për ata që kanë përvojë të gjatë në transkriptime [tejshkronjëzime] të këtij lloj shkrimi. Shkurtesat e shumta dhe grafia e imtë dhe në disa raste, shenjat e veçanta të logofetit, vështirësojnë edhe më shumë transkriptimin [tejshkronjëzimin]. Kjo diplomë që ka karakterin e një dokumenti publik mban në vetë të gjitha karakteristikat e dokumenteve të kësaj epoke historike. Po fillojmë analizimin sipas radhës: 

Në fillim është i shënuar invokacioni simbolik, pason invokacioni verbal dhe datimi. Invokacioni simbolik, i paraqitur me shenjën e kryqit, tregon nënshtrimin e pushtetit real të Balshajve ndaj atij kishtar, duke treguar besnikërinë absolute ndaj kishës. Invokacioni verbal, që përdoret në këtë dokument, është karakteristikë e shpeshtë e përdorimit te dokumentet e tilla sllave. Me këtë, i rritej vlera dokumentit duke dëshiruar që të arrihej qëllimi për destinimin e tij. Në këtë rast, është i shprehur në formën: Në emër të Atit, Birit e Shpirtit të Shenjtë. Pas invokacinit verbal vjen datimi i dokumentit, gjë që në këtë dokument përbën një rast të veçantë. Zakonisht, në këtë kohë, datimi shënohet në fund të tekstit (që në rastin tonë në këtë diplomë edhe është shënuar, pra kemi dublim të datës së lëshimit të diplomës) kësaj radhe, e kemi në fillim të dokumentit dhe tregon datën e shkrimit, në formën: më 30 nëntor të vitit 1373 nga lindja e Krishtit. Te datimi kemi kemi dy momente interesante që duhen veçuar: a) logofeti ka shënuar vetëm vitin njëmijë me shkronja si tërësi, ndërsa numrat e tjerë i shënon me grafema sipas praktikës së kohës, kjo formë datimi është karakteristikë te të gjitha diplomat e lëshuara nga kancelaria e Balshajve në gjuhën sllave, dhe momenti i dytë b) grafemat të cilat janë ekuivalent i numrave të datave, logofeti i ka shënuar me një “X” sipër secilës grafemë.

Menjëher në vijim është intitulacioni që është i shkurtër fare: Unë Gjergj Balsha. Pastaj në vijim Gjergji ju rikonfirmon duborvnikasve miqësinë e vjetër e cila ishte sipas tij e lashtë: miqësinë e vjetër që kishin të parët e mi me të tyret. Nuk mund të saktësojmë se çfarë saktësisht ka menduar Gjergji me “të parët e mi”? A ka menduar në vëllain e tij më të madh Strazimirin dhe të atin Balshën apo në gjyshërit e tij. Nëse është kjo e dyta atëherë Gjergji tregon se familje e dinastisë së tij ka rrënjë të lashtë fisnikërie. Kurse dispozicioni, si pjesa më e rëndësishme e aktit diplomatik, e cila në vete ngërthen objektin moral dhe atë material, që i dedikohet pranuesit, na paraqitet në formën ku Gjergji ju betohet dubrovnikasve: para Shën Mërisë, në Kishën e tyre të madhe, në Kryqin e Shenjtë dhe në reliktet e Shën Vllahut dhe gjërat e tjera të shenjta të cilat ndodhen në kishën e tyre, që unë jam mik i tyre së bashku më vëllain tim Balshën dhe nipin tim, Gjergjin e ri, për të vazhduar pastaj me një pohim shumë interesant dhe tepër të veçantë që pothuajse nuk ndeshet asnjëherë tjetër në diploma të ngjashme të kohës: nëse dikush nga ata humbet diçka në territorin tim ose në sundimin tim, unë Gjergji, nëse nuk do mund të gjej fajtorin që t’ia dorëzoj fisnikërisë dubrovnikase, unë do ju paguaj dëmin, dhe në pjesën e fundit të dispozicionit Gjergji pohon: derisa të jam zot i kësaj toke bregdetare që është përreth Dubrovnikut – të më paguajë taksa fisnikëria dubrovnikase, dhe nëse unë nuk munden që asnjë punë të bëj për ta, ata nuk duhet të më paguajnë taksa, që realisht paraqet pretendimet e tij për të krijuar një perandori të ngjashme me atë të perandorit serb Dushanit, në mos më të madhe. Kurse në ekspozicion (narracion) janë sqaruar rrethanat aktuale për vendimin e shkrimit të një akti të tillë diplomatik: Me urdhër të zotit Gjergj, shkroi logofeti Vitko në Dubrovnik më 30 nëntor, dhe si pjesë të fundit kemi përfundimin ose eshatokolin. Përforcimi zakonisht fillon me simbol, që në këtë rast ne kemi kryqin dhe dëshmitarin e diplomës Dragash Kosaçiq. Edhe këtu është një moment i veçantë, sepse në këtë kohë praktikohej që dëshmitar të jenë më shumë se një. Diploma nuk ka nënshkrim autograf të Gjergj Balshës, po ka vulën e tij. Nënshkrim nuk kemi në asnjërën prej 15 diplomave që kemi në shqyrtim. Vula ishte e mjaftueshme si dëshmi e autoritetit që e lëshon dhe si e tillë në kancelarinë dubrovnikase ajo kishte një peshë mjaft të madhe. Në diplomë krahas Gjergjit shënohen edhe vëllai i tij Balsha II dhe nipi i tij Gjergji ri. Gjergji i ri ose Gjergji II Balsha ishte djali i Strazimirit dhe Jerinës. Jerina ishte vajza e Progon Dukagjinit. Ndërsa Gjergji II ishte i martuar me Helenen, vajzën e princit serb Lazar Brankoviqit, me të cilin kishte një djalë me emrin Balshë. Është me rëndësi të saktësohet se kush ishte dëshmitari Dragash Kosaçiqi? Sipas burimeve arkivore, Dragashi gjatë viteve 1373-1374 ishte protovestiar – përkatësisht udhëheqës i oborrit dhe i financave të sunduesit – në rastin tonë i Gjergj Balshës. Dragashi ishte me origjinë nga Kotorri dhe në disa raste të tjera e gjejmë si dëshmitarë në diploma të sundimtarëve të ndryshëm në Arkivin Shtetëror të Dubrovnikut. Ndërsa logofetin Vitko e gjejmë vetëm në këtë diplomë dhe për të nuk kemi të dhëna të tjera.

Përveç elementeve të përmendura, këtij akti diplomatik, i mungojnë edhe disa pjesë standarde apo klishe, të cilat i ndeshin në diplomat të ngjashme nga e njëjta periudhë. Këto mungesa nuk e zvogëlojnë rëndësinë dhe autenticitetin e kësaj diplome.

DIPLOMA E GJERGJ DHE BALSHË BALSHËS, DUBROVNIKUT – PËRKTHIMI SHQIP:

Në emër të Atit, Birit e Shpirtit të Shenjtë. Amen.

Unë Gjergj Balsha, më 30 nëntor të vitit 1373 që nga lindja e Krishtit. 

Kur erdha në Dubrovnik [gjeta mikpritjen, m.a.] dhe miqësinë e vjetër që kishin të parët e mi me të tyret, konfirmoj dhe vendos me ta besimin e betimin dhe iu gjunjëzohem atyre para Shën Mërisë, në Kishën e tyre të madhe, në Kryqin e Shenjtë dhe në reliktet e Shën Vllahut dhe gjërat e tjera të shenjta të cilat ndodhen në kishën e tyre, që unë jam mik i tyre së bashku më vëllain tim Balshën dhe nipin tim, Gjergjin e ri; dhe kushdo nga fisi im – do të ruajë, mbrojë e ndihmojë qytetin tuaj, Dubrovnikun dhe qytetarin tuaj gjithandej ku sundoj deri ku mund të arrij [pushteti im, m.a.]. Dhe prapë ju premtoj vëllezërve të mi fisnikë dubrovnikas që nëse dikush dëshiron t’i bëj keq Dubrovnikut ose pushtetit të tij, do të ruaj dhe do t’i ndihmoj ata [dubrovnikasit] dhe pushtetin e tyre dhe tregtarët e tyre të cilët kalojnë nëpër sundimin tim. Dhe nëse dikush nga ata humbet diçka në territorin tim ose në sundimin tim, unë Gjergji, nëse nuk do mund të gjej fajtorin që t’ia dorëzoj fisnikërisë dubrovnikase, unë do ju paguaj dëmin. Dhe doganat të cilat nuk vlenin për fisnikërinë dhe tregtarët dubrovnikas në kohën e perandorit Stefan, nuk do të jenë as nën sundimin tim e as të vëllait tim Balshës, as të nipit tim, Gjergjit të ri. Dhe nëse dikush bëhet perandor i serbëve dhe i fisnikëve dhe tokës serbe, fisnikët dubrovnikas nuk janë të detyruar të më paguajnë taksa që shkruaj. Dhe derisa të jam zot i kësaj toke bregdetare që është përreth Dubrovnikut – të më paguajë taksa fisnikëria dubrovnikase, dhe nëse unë nuk munden që asnjë punë të bëj për ta, ata nuk duhet të më paguajnë taksa.

Dhe këtë me hir e dashuri Dragash Kosaçiq.

Me urdhër të zotit Gjergj, shkroi logofeti Vitko në Dubrovnik më 30 nëntor.

Filed Under: Featured Tagged With: Balshajt, Prof.Dr Musa Ahmeti

“BALLKANI I HAPUR” ALLA VUÇIQ/RAMA PËR RUSINË KUNDËR EVROPËS DHE AMERIKËS ËSHTË REALITET JO KONSPIRACION

September 16, 2021 by s p

-Edhe zogjët e malit e dijnë se urrejtje, shovinizëm dhe fashizëm ka me bollëk në Serbi, jo në Dardani

Nga MA. AGIM ALIÇKAJ *

         

Sjelljet barbare të Serbisë ndaj shqiptarëve jan realitet, jo konspiracion 

         Për krimet makabre serbe ndaj kombit shqiptar mund të shkruhen qindra libra, mund të xhirohen qindra filma dhe nuk do të mjaftojnë. Këto krime, dallohen posaçërisht me urrejtje të thellë dhe shfryerje të epsheve shtazarake, përfshirë djegjet dhe varrosjet për së gjalli, masakrimet e foshnjeve, prerjet e gjymtyrëve dhe dhunimet e viktimave të pambrojtura civile në prezencën e familjarëve të tyre. Po të jetonte Edi Rama kudo në Dardani, do t’i përjetonte ato krime vetë edhe në familjen e tij. Torturimi i tyre do të shoqërohej me muzikën e Goran Bregoviqit. Dhe nëse do të mbijetonte, ai do të fliste ndryshe për kriminelët serb.

         Fati i Edi Ramës dhe i përkrahësve të tij që shovinistët serb i konsiderojnë vëllazër, është se midis Shqipërisë dhe Serbisë gjindet Dardania e shumëvuajtur por heroike. Dardania është kështjellë e pamposhtur, gjithmonë në mbrojtje të vetes, nënës Shqipëri dhe Trojeve tjera etnike shqiptare.

        Serbia nuk do të kërkoi falje për krime dhe nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës kurrë, përderisa brenda kombit shqiptar do të gjej Rama, Thaqa dhe Mustafa ndërsa jashtë tij Grenella, Mogherine dhe Lajçaka. Tipat e tillë e mbajnë të gjallë shpresën dhe dëshirën e shovinstëve serb për zhdukjen e të gjithë shqiptarëve nga faqja e dheut, grabitjen e tokave të tyre dhe dalje në deti. Meqë kjo gjë më nuk është e mundur, këta tipa pa karakter, e marrin në qafë edhe vetë Serbinë, duke e mbajtur me shpresa të kota dhe duke mos parë kurrë ditë të bardhë. Urrejtja për tjerët është njëra ndër sëmundjet më të rënda shpirtërore të një kombi.       

         Të gjitha krimet çnjerzore me shekuj ndaj shqiptarëve Serbia i ka arsyetuar me gënjeshtra dhe propagandë mashtruese të udhëhequr në mënyrë shumë perfide nga shteti, kisha ortodokse dhe akademia e shkencave serbe. Kështu ia ka arritur qëllimit të paraqitet si viktimë ose të barazohet me viktimën. Nuk thotë kot politikani serb Dobrica Çosiq, se “rrena është virtyti më i lartë i popullit serb e cila e ka shpëtuar Serbinë shumë herë gjatë historisë”. Çfarë mund të pritet nga një shtet primitiv dhe i pashpirtë i cili është në gjendje t’i vras edhe fëmijët e vet për t’i fajësuar dhe masakruar fshatrat shqiptare?!

          E vetmja strategji për ta mundur shtetin abnormal serb është që të kërkohet  përgjegjësi për të kaluarën me propozime paqësore për të ardhëmen. Lëshimet dhe kompromiset nuk ndihmojnë. Serbisë i duhen thyer dhëmbët që të mos kafshojë më dhe s’ka tjetër. Krimet e luftës nuk harrohen kurrë dhe nuk mund t’i falë askush, derisa Serbia nuk kërkon falje, nuk i dorëzon kriminelët e luftës dhe nuk i kthen trupat e të pagjeturve të cilët e dijnë fort mirë ku janë. 

         Shiqoni popullin hebrenj, edhe 76 vjet nga mbarimi i luftës, e përkujtojnë gjenocidin ndaj tyre dhe vazhdojnë t’i ndjekin kriminelët e luftës për t’i dënuar.

-Magjepsja e Edi Ramës me shovinistin Vuçiq dhe nënshtrimi ndaj tij është realitet, jo konspiracion

         Mënyra më efikase e nënshtrimit të kombit shqiptar gjatë historisë nga Serbia fashiste, ka qenë rekrutimi i spiunëve dhe shërbëtorëve të tyre duke përdorur metoda të ndryshme shantazhi me afera të ndryshme korruptive, imorale dhe kriminale. Paralelisht, ka vepruar me bashkësinë ndërkombëtare me gënjeshtra dhe propaganda mashtruese për t’ju ikur kritikave dhe presioneve me pengesa dhe pasoja të mundshme.

         Edi Rama është magjepsur dhe rekrutuar nga shovinisti serb Vuçiq gjatë bisedimeve të tyre të fshehta. Arsyet e vërteta dhe metodat e përdorura nga ai do të mësohen më vonë. Arsye shtesë në rastin e Ramës është arroganca e pakontrolluar, karakteri i tij i ulët dhe dëshira për tu bërë i rëndësishëm në klubin e diktatorëve pas dështimeve të tij në raport me botën demokratike. Vuçiq ia lëmon atij shpinën duke i thënë se “është lider shumë i zoti i mençur dhe bashkëkohorë”, se kamarad Putini “e çmon shumë” atë, se Serbia “i don shumë shqiptarët s Shqipërisë” por ka problem me këta të Dardanisë të cilët “janë shumë të prapambetur dhe urrejtës të popullit të shumëvuajtur serb”.

         Populli shqiptar i Dardanisë dhe Trojeve tjera etnike nuk e urren popullin serb. I urren vetëm kriminelët dhe shovinistët e shtetit serb, kishës serbe dhe akademisë së tyre të shkencave, tri institucionet më barbare që ka njohur civilizimi evropian. Populli shqiptar ka qenë gjithmonë në mbrojtje të shtëpive dhe familjeve të veta, kurrë nuk ka kryer ndonjë akt terrorizmi në Beograd, kundër popullit të pafajshëm. Prandaj, akuza e ndyer e Edi Ramës për kinse urrejtje dhe fashizëm është pa kurrëfarë baze dhe ofendim për mbarë kombin shqiptar. 

         Sidomos është ofendim për familjet e mijëra viktimave të pafajshme që e kanë përjetuar terrorizmin serb. Thonë se Rama është piktor/muzikant dhe din me i ra trokaçës si ogiqi, por pa tufë prapa. Dhe nuk është as i mençur dhe as i lexueshëm. Përndryshe do të mësonte për barbarizmin serb me shekuj kundër shqiptarëve, duke i lexuar shkrimet, jo të shqiptarëve, por të tjerëve dhe vetë serbëve.  Dhe do ta kuptonte se fashistë të vërtetë janë Serbia me Vuçiqa, bashkë me përkrahësit e tyre si ai.

         Meqë krimet serbe ndaj shqiptarëve nuk i bëjnë përshtypje, nuk e ka të qartë as mënyrën e veprimit të tyre. Pasi që ta shtrydhin dhe shfrytëzojnë mirë do ta hudhin si një rrogzinë në plehun e historisë. Për këtë nuk është as i pari dhe as i fundit. Sikur shumë shqipfolës tjerë para tij, kur ta kupton do të jetë shumë vonë. Por, kombi shqiptar nuk ka kohë për të pritur derisa shovinistët serb ta fundosin Ramën. Atë, dhe politikanët tjerë anti-kombëtar si ai duhet luftuar tashti dhe me të gjitha mjetet demokratike dhe diplomatike. 

         Kjo është detyrë parësore e popullit të Shqipërisë, posaçërisht e anëtarëve atdhedashës të Partisë Socialiste. Ata duhet të ja nalin turrin Edi Ramës. Kjo është në interes të partisë së tyre, të popullit të Shqipërisë dhe të mbarë kombit shqiptar. Ardhmëria e kombit tonë është me vendet demokratike perëndimore, me Amerikën, jo kurrsesi me vendet e prapambetura diktatoriale të kontrolluara nga hegjemonizmi rus.

         Përpjekjet e tij dhe të lakejve të të tij për tu treguar shumë të përparuar, për bashkëpunim dhe “fqinjësi të mirë” dhe për një të ardhme kinse më të mirë me shtetin kriminal Serb dhe vasalët e tij pro-rus, jan naive, nënçmuese, por edhe shumë të rrezikshme. Qeverisja e re e Republikës së Kosovës është mirë që ta injorojë atë plotësisht duke mos ia përmendur emrin fare, që ai ta kuptojë se për ta ai është një kurrkushi.     

          Në të njejtën kohë, iniciativat dhe veprimet anti-kombëtare të Edi Ramës në bashkëpunim me Serbinë siç është “Open Ballkan” duhet të analizohen mirë, të spjegohen dhe të hidhen poshtë me fakte dhe në mënyrë të përhershme. Pretendimi se kundërshtimi i këtij projekti famëkeq nga Kryeministri Kurti bazohet në konspiracion është fantazi e nji injoranti me mendje të turbulluar dhe shpirt të shitur. Pa hyr në detale, vetëm fakti se me këto bisedime tentohet të rehabilitohen krimet serbe dhe Kosova konsiderohet pjesë e Serbisë mjaftojnë për ta hudhë në mbeturina.

         Një gjë është e sigurt, projekti serbo-rus “Open Ballkan” do të dështojë sepse është i parealizueshëm, kundër shqiptarve dhe popujve tjerë të Ballkanit si dhe kundër interesave strategjike evropiano-amerikane. I dështuar 100% del edhe Edi Rama me veprimet e tij anti-kombëtare. Ambicja e tij e sëmurë për tu bërë lider me zor është duke e çuar hapur drejt tradhëtisë. Nëse vazhdon kështu do të mbetet i mallkuar përgjithmonë dhe do ta sigurojë vendin e parë në murin e turpit dhe tradhëtisë kombëtare. Tradhëtar nuk të bëjnë tjerët por veprat e tua të liga. Ramën nuk mund ta shpëton as kryetradhëtari Baton Stanishiqi, dhe as zonjushat e nderuara Vlora Çitaku dhe Kimete Berisha.

-Shqipëri oj nëna ime, ndonëse jam i trazuar, dashurinë tënde kurrë zemra se ka harruar 

         Shumica e shqiptarëve të Dardanisë dhe të gjitha Trojeve etnike janë të trazuar nga veprimet antinjerëzore dhe antikombëtare të Kryeministrit Rama. Por, gjaku nuk bëhet ujë. Dashuria për nënën Shqipëri dhe vëllazërit shqiptar ka qenë dhe mbetet e paprekëshme e pandryshueshme dhe e përjetëshme. Por, edhe më të trazuar dhe të mllefosur janë shumë shqiptarë të Shqipërisë. Kjo është e qartë nga reagimet e ndryshme të shumë patriotëve të vërtetë nga të gjitha viset e shtetit shqiptar, me qëndrime politike dhe përkatësi fetare të ndryshme, të cilët nuk i mungojnë nënës Shqipëri. Kam nderin të njoh shumë prej tyre të cilët më bëjnë krenar se jam shqiptar.

         Isha për vizitë në Shqipërinë tonë të bukur historiko-kulturore turistike dhe pata fatin të mos dëgjoj askund Goran Bregoviqa dhe muzikë shoviniste serbe. Dëgjova dhe u kënaqa me muzikë të bukur shqipe nga të gjitha Trojet shqiptare. Në një restorant në Velipojë kur desha të paguaj me Euro, kamarieri më tha se është më mirë të paguaj me Lek dhe shtoi “ Derisa t’i mbajmë  të pahajrit si Edi Rama nuk na pranon Evropa”.

         Ne shqiptarët reagojmë dhe veprojmë shpesh për inat të tjerëve që shumë herë del gabim. Kësaj radhe shpresoj ta përdorim inatin për të mirë. Dëshiroj t’i ftoj të gjithë shqiptarët, kudo që janë, që për inat të Vuçiqave dhe Ramave, të afrohen dhe ta dojnë më shumë njëri tjetrin, të rinjt të martohen më shumë me njeri-tjetrin, të punojnë dhe bashkëpunojnë në çdo lëmi me njëri tjetrin, pavarësisht nga shtetet dhe qeverisjet tona. Mos lejoni të na përçajnë. Kombi ynë ka mangësi dhe ka të shitur e tradhtarë, por është komb i lashtë e i ndritur, me vlera të larta kulturore dhe njerëzore. Edhe kombet tjera kanë brënda tyre gjithëfarë mahlukati.

         Për ata që, për  çfarëdo arsye,  e nënçmojnë dhe  mohojnë kombin e vet, dëshiroj të jua përcjell porosinë e babait tim Arif Aliçkaj, nga koha kur isha student në Kroaci. “Ngoje babën djali jam. Mun të jetojsh çdokun dhe mun të bohesh i zoti. Mun ta nryshojsh dukjen dhe fenë. Po nji gjo s’munesh  me e bo kurrë. Nuk mun ta ndryshojsh faktin se ke le dhe je shqiptar, nga nona Zyher dhe baba Arif. Mos e harro dhe mos e moho kurrë prejardhjen dhe kombin tond se e mohon vetveten. Se bohesh kurrkushi, e qon jetën si kurrkushi dhe vdes si kurrkushi.” 

         Përfundimisht, nuk ka pse të mos krenohet një komb që nga gjiri i vet ka nxjerrë personalitete botërore si Gjergj Kastrioti-Skenderbeu dhe shënjtorja Nëna Tereze, simbole të qëndresës, trimërisë, bujarisë dhe mirësisë njerëzore.

*Anëtarë i Kryesisë së Ligës Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës

Filed Under: Featured Tagged With: Agim Aliçkaj, Shteti kriminal serb

Kosnett: Nuk ka dallime mes Administratës Trump dhe asaj Biden në qasjen ndaj Kosovës

September 14, 2021 by s p

Ardita Zeqiri/ kallxo.com

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se qëndrimet mes Administratës së presidentit Trump dhe asaj të presidentit Biden nuk janë shumë të ndryshme në qasjen e tyre ndaj Kosovës. Kosnett në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se edhe pse metodat kanë qenë të ndryshme, strategjia amerikane për Kosovën nuk ndryshon. “Nuk do të thosha se pajtohem që qëndrimet janë krejtësisht të ndryshme. Qartazi qasja, metodat e dy qeverive, të dy administratave amerikane kanë qenë mjaft të ndryshme, por nëse e shihni strategjinë e përgjithshme amerikane, qasjen e përgjithshme amerikane ndaj Kosovës, ajo nuk ka ndryshuar shumë përgjatë viteve, varësisht se kush është në Zyrën Ovale”, ka thënë Kosnett. Ai ka potencuar se qëllimet e ShBA-së për Kosovën kanë mbetur të njëjta. Tutje ambasadori theksoi edhe faktin që Biden ka pranuar marrëveshjen e Uashingtonit që u nënshkrua në kohën e Administratës Biden. Kjo, sipas Kosnett, u bë pasi vendi i tij dëshiron të shohë Kosovën me lidhje të forta ekonomike me fqinjët e saj. “Qëllimet tona të përgjithshme amerikane për Kosovën mbesin të njëjta: paqe, drejtësi, prosperitet.. Mendoj se p.sh. shumë njerëz u befasuan kur administrata e Bidenit, e cila i ndryshoi shumë nisma të politikës së jashtme të administratës paraprake, zyrtarisht i pranoi zotimet e Uashingtonit si të vetat sepse ne besojmë se përpjekjet për forcimin e lidhjeve ekonomike të Kosovës me fqinjët e saj, përfshirë edhe Serbinë, janë shumë të rëndësishme për ardhmërinë ekonomike të Kosovës”, shtoi tutje ai.

Filed Under: Featured Tagged With: Kosnet, kosova, USA

ANGELA MERKEL: BE DUHET TË MBAJË FJALËN

September 14, 2021 by s p

PANORAMA

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka folur për shtyrjen e procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në një konferencë për mediat gjatë vizitës së saj në Tiranë, Merkel u shpreh se ku shtetet anëtare të BE-së vërejnë që një vend kandidat ka plotësuar kushtet për integrim, atëherë nuk duhet të bëhen pengesë për të hapur procesin e integrimit në BE.

Sipas saj, kjo është e kuptueshme që do të sjellë zhgënjim tek shtetet kandidate.

“Bashkimi Europian, shtetet anëtare do të duhet që nga njëra anë të thonë se kush janë kushtet për të përmbushur apo për të nisur procesin e anëtarësimit. Në rastin e Shqipërisë e kemi thënë qartë se çfarë duhet të ndryshojnë në sistemin e drejtësisë apo në pika të tjera, dhe në momentin që këto kushte duhet të plotësoheshin, BE duhet të mbante fjalën e vetë dhe jo të nxirrte kushte të tjera. Kjo sjell zhgënjim dhe unë e kuptoj këtë zhgënjim. Edhe në Gjermani kemi nevoj për miratimin e Parlamentit. Parlamenti im i lexon të gjitha raportet e BE për përmbushjen e kushteve. Më duhet të them, që në momentin që konstatohet se kushtet janë plotësuar atëherë, duhet të mbahet fjala se përndryshe do të ketë zhgënjim” – tha Merkel.

Filed Under: Featured Tagged With: Angela Merkel, Integrimi Europian, shqiperia

Merkel interesim për programin, vendimet dhe synimet e Qeverisë së Kosovës

September 14, 2021 by s p

Dielli

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi Kancelaren e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel/-Kancelarja Gjermane Merkel u interesua për programin e qeverisë, vendimet dhe synimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kryeministri Kurti konfirmoi përkushtimin e qeverisë për realizimin e planeve për reforma në drejtësi, duke theksuar se në Kosovë tashmë ka një kulturë të re të qeverisjes që udhëhiqet me shembuj/

TIRANË, 14 Shtator 2021-Gazeta DIELLI/ Raportet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë, si dhe bashkëpunimi rajonal brenda agjendës së Bashkimit Evropian, ishin në qendër të takimit të sotëm ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Kancelares së Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel.Në takimin e përbashkët me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kancelarja Merkel u interesua për programin e qeverisë, vendimet dhe synimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës.Kryeministri Kurti konfirmoi përkushtimin e qeverisë për realizimin e planeve për reforma në drejtësi, duke theksuar se në Kosovë tashmë ka një kulturë të re të qeverisjes që udhëhiqet me shembuj.Ai foli për nevojën për investime në Kosovë dhe synimin e zbatimit të sistemit dual të arsimit sipas modelit gjerman, si një prej shtyllave kryesore të zhvillimit ekonomik.Gjatë takimit u bisedua për marrëdhëniet e ngushta bilaterale, përafrimin e reformave të Kosovës me Bashkimin Evropian, Procesin e Berlinit, dialogun me Serbinë, situatën në rajon si dhe për rëndësinë e nxitjes së bashkëpunimit rajonal.Procesi i Berlinit u vlerësua nga kryeministri Kurti si mjaftueshëm i gjerë dhe i thellë që të mos ketë variante të tjera alternative.Duke biseduar mbi gjendjen aktuale të përballjes me pandeminë COVID-19, kancelarja Merkel shprehu gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në sigurimin e më shumë vaksinave.Duke uruar mbarësi në punë dhe suksese në qeverisje, kancelarja Merkel theksoi se shteti gjerman do të vazhdojë të shfaq kujdes ndaj Kosovës.Paraprakisht, kryeministri Kurti ishte në drekën e përbashkët me kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor, të ftuar nga kancelarja Merkel, ku theksoi stabilitetin institucional në Kosovë dhe zhvillimin ekonomik dhe demokratik.Kryeministri Kurti ritheksoi se fondet e Bashkimit Evropian duhet të jenë të ndërlidhura me vlerat e BE-së, që janë të domosdoshme në mënyrë që të ketë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor: sundimi i ligjit, demokratizimi, përballja me të kaluarën dhe reciprociteti i të drejtave të pakicave.

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, Angela Merkel

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 80
  • 81
  • 82
  • 83
  • 84
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT