• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRESIDENTI BUJAR NISHANI KTHEN NE KUVEND AKTIN NORMATIV PER NEPUNESIN CIVIL

November 8, 2013 by dgreca

-Presienti i Republikës Bujar Nishani kthen për rishqyrtim në Kuvend aktin normativ të shumë debatuar nga politika për Nëpunësin Civil. “Me dekretin nr. 8383, datë 8.11.2013, në mbështetje të nenit 85, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani, ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend, ligjin nr. 161/2013 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr.5, datë 30.9.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, citon zyra për shtyp e Presidentit.

Njëkohësisht, Presidenti Nishani u është drejtuar deputetëve të Kuvendit me arsyet e kthimit për rishqyrtim të ligjit në fjalë.
ARSYET
Arsyet e kthimit të ligjit nr. 161/2013 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr.5, datë 30.9.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil””” 

Të nderuar deputetë,

Në seancën plenare të datës 17 tetor 2013, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 161/2013 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr.5, datë 30.9.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”””. Ky ligj është paraqitur për shpallje më datë 21 tetor 2013. Në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës, kam vlerësuar se ky ligj duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit, mbështetur mbi arsyet dhe argumentet e poshtë përmendura.
Arsyeja kryesore për të cilën vendosa të mos e shpall këtë ligj dhe t’ia kthej Kuvendit për rishqyrtim, bazohet në respektimin e parimit shumë të rëndësishëm të hierarkisë së normës juridike. Si akt me fuqi juridike të posaçme, ligji zë vendin më të lartë (pas Kushtetutës) në hierarkinë e akteve ligjore, ndaj si i tillë ai duhet ndryshuar apo shfuqizuar vetëm nëpërmjet një ligji tjetër, dhe aspak, në gjykimin tim, nëpërmjet një akti normativ. Krijimi i precedentëve të tillë, do të vinte në pikëpyetje rendin juridik dhe shtetin e së drejtës.
Në këto kushte, një akt normativ i qeverise, pra i njerit prej pushteteve nuk duhet që të modifikoje apo ndryshoje një ligj i cili është miratuar me shumicë të cilësuar, po ashtu nuk mund të shprehet rreth çështjeve të hyrjes apo jo në fuqi të një ligji kaq specifik si ligji nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, të miratuar në maj me konsensus të gjërë parlamentar.
Neni 101 i Kushtetutës së RSH, në vlerësimin tim, duhet interpretuar stricto sensu, pra vetëm si përjashtim, i cili i jep Këshillit të Ministrave të drejtën për të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për të siguruar marrjen e masave të përkohshme. pasi vetë masat që parashikohen në keto akte normative duhet të jenë të përkohshme. Gjithesesi,edhe në rast se një ligj rishihet me anë të një akti normativ të Këshillit të Ministrave, mbetet taksative detyrimi i këtij të fundit të vrojtojë plotësimin e 3 kushteve: nevoja, urgjenca dhe marrja e masave të përkohshme. Plotësimi i këtyre 3 kushteve duhet te jetë kumulativ pasi mungesa e plotësimit të qoftë të njerit prej tyre, e kthen nderrmarjen e një akti normativ nga Qeveria në një veprim antikushtetues.
Nëse do ti hidhej një vështrim përvojës së vendeve të tjera, lehtësisht do të vërehej se aktet normative nxirren për të përballuar situata konkrete të cilat kërkojnë një ndërhyrje legjislative të menjëhershme apo kur ka boshllëk ligjor i cili duhet plotësuar po në mënyrë të menjëhershme. Në rastin konkret, Këshilli i Ministrave për të ndyshuar ligjin .152/2013, “Për nëpunësin civil”, përdori instrumentin e aktit normativ, duke iu referuar nenit 101 të Kushtetutës se Republikës dhe duke paraqitur një situate emergjence dhe nevoje. Në gjykimin tim si President i Republikës, 2 Këshilli i Ministrave gjatë kohës që kishte në dispozicion, duhej dhe duhet të përgatiste dhe nxirrte aktet nënligjore në zbatim të ligjit nr.152/2013, dhe jo të vinte në pikëpyetje qëndrushmërinë e ligjit duke e ndryshuar me akt normativ. Veprim ky që rezulton të jetë në shkelje të pikës 2 të nenit 81 të Kushtetutës, i cili ndër të tjera sanksionon se ligji për statusin e funksionarëve publikë, bën pjesë në grupimin e ligjeve që duhen miratuar me një shumicë të cilësuar prej tre të pestave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Akti normativ që ka fuqinë e ligjit dhe që nxirret nga Këshilli i Ministrave, kur miratohet nga Kuvendi sic eshte ky me dt 17 tetor 2013, shëndrrohet në ligj, pra bëhet ligj jo vetëm në kuptimin material por edhe atë formal, ndërsa para miratimit nga Kuvendi, është thjesht një ligj në kuptimin material. Dallimi midis aktit normativ me fuqi ligjore dhe ligjit, qendron vetem në proceduren e ndryshme të ndjekur për miratimin e tyre, ndërsa nga pikepamja e përmbajtjes nuk ka asnje ndryshim mes tyre.
Ky akt normativ pasi u miratua me 17 tetor nga parlamenti, mori fuqinë de iure e një ligji, pra fuqia që ligji gëzonte në mënyrë të përkohshme, me miratimin nga Kuvendi të aktit normativ u be një fuqi e përhershme, pavaresisht afatit 6 mujor që është lënë për shtrirjen e efekteve të ligjit. Për më tepër, akti normativ modifikoi dispozitat kalimtare te një ligji të miratuar me konsensus të gjërë të paleve.

Të nderuar deputetë,

Në rastin e miratimit të aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr.5, datë 30.9.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil””, vlerësoj se është shkelur edhe pika 4 e nenti 84 të Kushtetutës e cila parashikon marrjen e pëlqimit nga Presidenti i Republikës për hyrje në fuqi menjëherë të ligjit i cili miratohet për të përballuar një masë të jashtëzakonshme apo në rast nevoje e urgjence. Fakti që Presidentit të Republikës nuk i është parashtruar një kërkesë e tillë, provon se miratimi i aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr.5, datë 30.9.2013, i Këshillit të Ministrave, nuk ishte aspak një masë e jashtëzakonshme, një rast nevoje e urgjence. Por pyetja normale lind: a është paraqitur raporti që përligj shpenzimet financiare mbi buxhetin e shtetit dhe gjendjen ekonomike financiare? A është zgjidhje e drejte dhe e duhur shtyrja e efekteve të ligjit edhe për 6 muaj, nderkohe që kemi një ligj i cili tashme ka 7 muaj që eshte miratuar në parlament dhe ka hyre në fuqi që prej një muaji? A mund të jete argument i vlefshem “koha e pamjaftueshme për të bere rregullime ligjore” ndaj një ligji i cili eshte i miratuar jo me larg se para 7 muajsh dhe diskutimet mbi të cilin kanë vazhduar mbi disa vite madje të mbeshtetura dhe nga asistenca e partnerëve tanë ndërkombetarë?! Me besim se do të kem mirëkuptimin tuaj në rishqyrtimin e këtij akti,

Me respekt, PRESIDENTI I REPUBLIKËS BUJAR NISHANI

Filed Under: Featured Tagged With: aktin normativ, kthen ne kuvend, presidenti Nishani, te nepunesit civil

KONGRESI I PARË I ALFABETIT NË MANASTIR BASHKOI KOMBIN DREJTË PAVARËSISË

November 7, 2013 by dgreca

Nga Prof. Dr. Vebi XHEMAILI/*

Menjëherë pas shpalljes së  Kushtetutës, ku faktori shqiptar luajti një rol të rëndësishëm në jetën konstitucionale të Perandorisë Osmane, nisën përsëri kërkesa dhe konsultime midis rretheve atdhetare për thirrjen e një mbledhje mbarë kombëtare, ku do t’u jepej zgjidhje problemeve arsimore por do të shqyrtoheshin edhe probleme tjera të kohës. Vendosja  e një alfabeti unik u përgatit gjatë kohë nëpër shoqëritë shqiptare u gatua gjerë e gjatë,  shpeshherë midis rilindësve tanë pati edhe polemika tejet të ashpra, pasi bëhej luftë për vendin e parë  se cili alfabet duhet të dominojë në trevat shqiptare. Këto tone polemizuese vazhduan për një kohë të gjatë, pasi duhej kaluar “vija” midis jugut, veriut dhe asaj turke-arabe. Ky tranzicion shqiptar dhe përzierja e pushtetit turk, së bashku me kishën greke, kishin lënë pasoja të rënda në mentalitetin e vetë shqiptarëve, pasi shumica shqiptarëve në këtë kohë nëpër shtëpitë e tyre flitnin me kurajë gjuhën turke, bile disa krenoheshin me turqishten dhe fare nuk donin të dëgjonin për gjuhën e nënës, e cila duhej të ishte si gjuhë zyrtare në Shqipëri. Pas vdekjes së Skënderbeut, gjuha shqipe ishte në margjina të vetë intelektualëve dhe nëpunësve shqiptarë, që flitnin vetëm turqisht dhe krenoheshin me  këtë gjuhë aziatike. (V.Xh.) Për fat të keq të popullit, nëpunësit shqiptarë, apo më mirë thënë, klasa sunduese politike shqiptare e cila luftonte për të mbrojtur interesin e Perandorisë,  kurrë nuk e përdorte gjuhën e nënës, as edhe në biseda private sa për t’i bërë qejfin pushtetit dhe administratorëve turq. Në të shumtën e rasteve edhe këta nëpunës dhe ushtarakë, identifikoheshin me ata, si osmanlinj, duke e  harruar kombin dhe origjinën e vet.

Por, falë rilindësve historiku i kombit dhe Flamuri i Skënderbeut nuk u lanë në harresë, ashtu siç dëshironte politika asimiluese  turke. (V. Xh).

Rilindësit aktualizuan gjithnjë e më shumë këtë çështje kombëtare, problemi shqiptar për gjuhën u aktualizua deri në organet më të larta të pushtetit, aktual turk. Rol të rëndësishëm kanë luajtur disa shoqëri e shoqata të ndryshme kombëtare gjatë epokës së Rilindjes. Ky problem jetik ndër shqiptarë do të përfshijë edhe revistat dhe gazetat e ndryshme të kohës. Në këto momente tejet kritike për kombin shqiptar, kur administrata turke favorizonte vetëm ata qytetarë që deklaroheshin osmanlinj, atdhetarët shqiptarë i thanë jo kësaj politike antikombëtare dhe morën  iniciativën për mbajtjen e Kuvendit mbarëkombëtar në Manastir. Në këto kthesa të mëdha historike, kur ishte në pyetje mbrojtja e identitetit kombëtar, rol historik ka luajtur Klubi Shqiptar i Manastirit “Bashkimi”. Ky klub ndër të parët  ngriti zërin lart, duke i dalë zot kombit brenda dhe jashtë Shqipërisë, u bë një ndër klubet më të rëndësishme që luajti rol të veçantë  në formimin  e klubeve të tjera dhe në zhvillimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare  në periudhën e regjimit xhonturk.[1] Prandaj, shumë shpejt mori mbështetjen edhe të klubeve të tjera në tërë Shqipërinë etnike dhe të diasporës shqiptare.

Thirrja e këtij Kongresi historik u bë në qendrën diplomatike të shqiptarëve në Manastir, prej 14-22 nëntor 1908. Në Kongres morën pjesë përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore: intelektualë e personalitete të dalluara të Lëvizjes sonë kombëtare, numri i mysafirëve arrinte në më shumë se 300 veta, por nga ata që përfaqësonin të katër vilajetet ishin 50 përfaqësues, prej tyre kishin të drejtë vote 32 ku bënte pjesë edhe Emin bej Shkupi dhe 18 përfaqësues të tjerë pa të drejtë vote, një ndër ta pa të drejtë vote ishte edhe Rog Berisha që vepronte në Shkup.[2]

Në Kongres kishin përfaqësues edhe shoqëritë shqiptare nga Egjipti, Stambolli, Selaniku, Italia, Bullgaria, Rumania dhe Amerika. Sipas raportit të konsullit rus I. Zhivnojevit, në Kongres morën pjesë së bashku myslimanë, katolikë dhe ortodoks nga të gjitha trojet e Shqipërisë Etnike.[3] Në Kongres merrnin pjesë edhe ushtarakë me grada të larta; si gjeneral Fadil Pasha, Zija Pasha dhe valiu i Vilajetit të Manastirit, Hivzi Pasha dhe udhëheqës të çetave shqiptare; Çerçiz Topulli dhe Mihal Grameno.[4] Në këtë Kongres nuk ishte i pranishëm atdhetari i palodhshëm i çështjes kombëtare, Dervish Hima, i cili nuk mundi të marrë pjesë, pasi që turqit e rinj mbanin të burgosur në Selanik, me akuzë se ka kërkuar  ndarjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, shpalljen e autonomisë së Shqipërisë dhe zyrtarizmin e shkollave dhe përdorimin e gjuhës shqipe.[5]

 

 

Kongresi i Manastirit u hap në mënyrë solemne më 14 nëntor 1908. Në seancën plenare, Kongresin e ka udhëhequr dhe përshëndetur Fehim Zavalani, kryetar i Klubit të Manastirit, ku ishin të pranishëm mbi 400 veta, mysafirë dhe përkrahës të Kongresit.[6] Sipas të dhënave më të reja historiografike dhe dëshmive nga terreni, Kongresin e ka përshëndetur edhe myftiu nga Tetova, Rexhep Nuredin Voka, i cili në këtë kohë ka qenë aktiv edhe në Klubin politik “Bashkimi” të Manastirit.[7] Ky nga viti 1900 mbante lidhje të ngushta me familjen Qiriazi, para se të emërohet myfti në Manastir, për të mësuar shkrimin dhe leximin e gjuhës shqipe.[8]

Nga Manastiri merrte pjesë si delegatë edhe Selahedin Beu[9], sëbashku me Gjergj Qiriazin,  ky i fundit ishte edhe anëtar i Komitetit të Fshehtë Shqiptar për lirinë e Shqipërisë, themeluar në Manastir, në vitin 1905. Në këtë Kongres, Qiriazi ishte zgjedhur për nënkryetar, po ashtu këtë post e mbante edhe në klubin “Bashkimi”. Shtëpia  e tyre ishte qendër e Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e Shqipërisë, ku mblidheshin patriotët më të shquar të kohës, si Bajo Topulli, kolonel Halit Berzeshta,  Fehim Zavalani e të tjerë.

Në prag të Kongresit, Rexhep Voka tashmë ishte personalitet i njohur politik, pasi kishte marrë pjesë si përfaqësues i  Tetovës, në Kuvendin e Ferizajt, më 23 korrik 1908. Në këtë Kuvend, Rexhep Voka kishte mbrojtur fuqishëm lëvizjen xhonturke, duke favorizuar “Hyrijetin” dhe ishte shprehur haptazi kundër absolutizmit të Sulltan Abdyl Hamitit. Nga kjo kohë, në qarqet xhonturke, Rexhep Voka gëzonte autoritet të madh si përkrahës i ideve liberale. Ky në saje të qëndrimit pro lëvizjes xhonturke, u emërua në postin më të lartë fetar, myfti i Vilajetit të Manastirit.[10] Ky vilajet, në atë kohë  përfshinte Manastirin si qendër, me disa qytete të tjera të Shqipërisë Lindore, ku bënin pjesë  edhe 2200 fshatra.[11]

Seanca solemne u mbajt në sallën e klubit politik “Bashkimi” të Manastirit.  Në orët e pasdites kishte filluar  seanca plenare e Kongresit, ku delegatët për mirëmbajtjen e punës së Kongresit, me vota të fshehta zgjodhën kryesinë e punës. Delegatët zgjodhën kryetar Mid’hat Frashrin, delegat i klubit të Selanikut dhe Janinës[12], për nënkryetar Luigj Gurakuqin dhe Gjergj Qiriazin nga Manastiri, për sekretar Hil Mosin, Toma Abrahamin dhe Nyzhet Vrionin.[13]

Është me rëndësi të theksohet se Kongresi mbajti gjashtë seanca të mbyllura, tejet sekrete. Më së shumti, këto seanca u mbajtën në hotelin “Liria” të Themistokli Gërmenjit, ku ishin vendosur shumica e delegatëve. Edhe pse Kongresi ishte i monitoruar nga  pushteti i atëhershëm, delegatët arritën të diskutonin në këto seanca edhe për çështje politike. “Në këto seanca u morën vendime të rëndësishme politike në lidhje me statusin juridik-shtetëror të Shqipërisë”.[14] Pjesëmarrësit njëzëri u zotuan se këto vendime me peshë kombëtare nuk do të publikohen, por do të ruhen në sekretin më madh nga vetë anëtarët.[15]

Në ditët e para të mbledhjeve të kongresit dominuan diskutimet rreth zgjidhjes së çështjes së alfabetit unik të gjuhës shqipe. Rexhep Voka, pasi ishte  myfti i Vilajetit të Manastirit, u bë nikoqiri dhe përkrahësi kryesor i Kongresit për alfabetin arab[16]. Rexhep Voka bashkë me Fehim bej Zavalanin ishin nikoqirë  dhe drejtuesit kryesorë të këtij Kongresi. Të dy lexuan referate; Fehim beu lexoi referatin e tij me titull: “Përhapja e civilizimit dhe shkencës në Shqipëri”, ndërsa Rexhep Voka më 19 nëntor, mbajti kumtesën e tij me temë: “Dobitë e bashkimit të të gjithë shqiptarëve dhe bashkëpunimi i tyre me Komitetin xhonturk.[17]

Në ditën e tretë delegatët e zgjodhën komisionin për çështjen e alfabeti.[18] Siç dihet, që në fillim zgjidhja e këtij problemi dominues ndeshi në vështirësi, sepse ende fuqishëm ndiheshin ndarjet krahinore, të cilat luftonin për dominim lokal mbi pjesët e tjera të Shqipërisë. Disa veprimtarë shkuan aq larg sa që tentuan të tregonin alfabetet e tyre të shkruara deri në atë kohë, përpiqeshin me dhe pa argumente të tregonin për lashtësinë e alfabetit të tyre. Ata synonin që alfabeti i tyre të zgjidhet prej Kongresit si alfabet i vetëm i gjuhës shqipe.[19] Por, pas një kohe u qetësua paksa situata, filluan diskutimet koncize dhe të qenësishme nga ana e një pjese të delegatëve të shquar, siç ishin Hil Mosi, Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta e të tjerë. Në këtë situatë për qëllime kombëtare  që ti kontribuojë unitetit  në punën e Kongresit doli në foltore Gjergj Fishta, delegati i shoqërisë “Bashkimi” nga Shkodra. Në diskutimin e tij rreth alfabetit të shoqërisë së përmendur të Shkodrës  tha: ”Unë s’kam ardhur këtu që të mbroj asnjërin nga alfabetet por kam ardhur që të bashkohem me ju dhe do ta pranoj atë alfabet të cilin do ta caktojë Kongresi si më të dobishëm për të mirën e popullit tim”. Këto fjalë bindëse të Gjergj Fishtës lanë përshtypje te delegatët e Kongresit. Pas mbarimit të fjalës së tij delegati i Shkupit, Hafëz Ibrahim efendiu u lëshua drejt tij dhe me dy duar e përqafoi fuqishëm me lot në sy. Ky shembull vëllazëror midis shqiptarëve pa dallim feje e kishte forcuar edhe më fortë unitetin e të gjithë delegatëve në sallë në  ruajtjen e frymës kombëtare të Kongresit.[20]

Në këtë kongres, Parashqevi vepron si sekretare e komisionit të alfabetit që mblidhej në shtëpinë e Qiriazëve në Manastir.[21] Ishte nënkryetare e Klubit “Bashkimi” dhe njëherësh u zgjodh  edhe nënkryetare e Kongresit të Manastirit. Me këtë rast, mes tjerash pat thënë: ”Ky kongres të na nxjerrë faqebardhë dhe me një vëllazëri dhe bashkim të pandarë”.[22]

Konsulli rus, atmosferën e punës në Kongres e përshkruan në mënyrë tejet objektive, pasi diplomacia ruse ishte  e interesuar për të pasur ndikimin e saj në këtë Kongres. Ky, për delegatët deklaron: “Ata, delegatët, në seancat e Kongresit merrnin pjesë me veshje kombëtare, sipas krahinave që prezantonin”. Delegatët e Kuvendit, edhe në mbledhjet e hapura, nuk fshehin  urrejtjen e tyre kundër Turqisë dhe haptazi kritikonin politikën asimiluese të qeverisë turke, e në veçanti me nxjerrjen e ligjit për zgjedhje, “e cila përpiqej me të gjitha mënyrat të asimilojë dhe çrrënjos vetëdijen nacionale të shqiptarëve, duke i ndjekur edhe për gjuhën e tyre”.[23]

Në Kongres u fol edhe për marrëdhëniet shqiptare-greke, ku u konstatua se Greqia po bën me të madhe propagandë kundër kulturës dhe historisë shqiptare. Ajo në Jug të Shqipërisë i trajton shqiptarët për grekë, posaçërisht më lehtë e kishte të asimilojë shqiptarët e besimit ortodoks. Patriotët  shqiptarë të cilët i kundërviheshin kauzës greke, ajo kundër tyre organizonte atentate, duke  vrarë edhe Mitropolitin e Korçës, Fotisin.[24] Shumë delegatë të Kongresit, në diskutimet e veta deklaruan se Greqia po bën haptazi masakrime të papara në territorin e Epirit. Për ta qetësuar atmosferën në Kongres, sipas raportit të konsullit rus, ndërhyri udhëheqësi i Kongresit, Mithat  Frashëri, duke ndërprerë oratorët shqiptarë, ku prekej armiqësia kundër grekëve.[25] Makineria e propagandës greke, në atë kohë vepronte me të njëjtin intensitet edhe kundër vllehve. Këta, për të shpëtuar nga terrori grek u bashkuan me shqiptarët, në luftë të përbashkët kundër terrorit dhe politikës asimiluese greke.[26]

Në atë kohë shqiptarët përveç vllehve, edhe me bullgarët kanë mbajtur marrëdhënie të mira miqësore. Në kongres u folën fjalë miradije për politikën e mirëkuptimit të shtetit bullgar. Sipas konsullit rus, Bullgaria e ndihmonte lëvizjen shqiptare në Vilajetin e Kosovës dhe të Manastirit, ku sipas tyre, Bullgaria kishte interesin e vet politik-strategjik. Ajo duke përkrahur kërkesat e atdhetarëve shqiptarë për Autonomi, shpresonte se do ndërpritej rruga e serbizimit dhe e përhapjes së influencës serbe në luginën e Vardarit. Po ashtu, Bullgaria nëpërmjet nacionalizmit shqiptar mbronte nga Jugu, depërtimin e fuqishëm të helenizimit-ortodoks grek drejt Shkupit dhe Manastirit, që në atë kohë këto dy qytete shqiptare ishin qendra diplomatike dhe administrative të Perandorisë Turke. Prandaj, bullgaria kërkonte aleatë kundër armiqve të përbashkët; Greqisë dhe Serbisë. Kjo ishte një ndër arsyet më kryesore pse diplomacia bullgare ndihmonte atdhetarët shqiptarë në luftën e tyre nacionale për autonomi në disa rrethe të Prilepit, Ohrit, Strugës dhe Manastirit.[27]

Pasi u dorëzuan ftesat në mënyrë zyrtare nga Klubi “Bashkimi” i Manastirit më 14 shtator 1908,[28] xhonturqit në këtë kohë mbanin të burgosur atdhetarin e flaktë të autonomisë shqiptare, Dervish Himën, në burgun e Shkodrës. Me përhapjen e lajmit për mbajtjen e Kongresit mbarëshqiptar, xhonturqit nga frika e masave shqiptare e transferojnë  Dervish Himën në burgun e Selanikut, më 31 tetor 1908. Ata fshehurazi  e nisën rrugës tokësore, natën, nga Shkodra për në Selanik.[29] Hima, më 17 nëntor duhej të dilte para gjyqit, mirëpo, si shënon gazeta “Korça”, kishte kaluar një muaj prej asaj dite “e puna e tij nuk kishte marrë fund, as për të mirë e as për të keq’’.[30]

Dervish Hima, kur gjendej në burgun e Selanikut, pat deklaruar: “Ne kërkojmë që Turqia të na pranojë si komb të veçantë dhe kërkojmë decentralizimin e vendit”.[31] Sipas raporteve të diplomacisë austriake, Dervish Hima,  aty kah  fundi i janarit 1909, u lirua nga burgu.[32]

Në të njetën kohë kur mbahej kongresi i të gjithë shqiptarëve në Manastir xhonturqit, për të frikësuar popullon shqiptar sulmuan me topa dhe dogjën kullat Isa Boletinit  më 21 nëntor 1908. Turqit  sulmuan me 18 topa dhe 5 kompani, ndërsa kullat e Isës mbroheshin vetëm me 14 vullnetarë, beteja zgjati tërë ditën, nga ushtarët e Isës u vranë tre veta dhe u plagosën 5, ndërsa nga pala turke ka pasur shumë më shumë të vrarë, por pala turke nuk ofron të dhëna.[33]

 

* Profesori i Universitetit Shteteror te Tetoves, Prof. Dr, Vebi Xhemaili,  eshte bashkepunetor i Gazetes Dielli.NE FOTO: Ndërtesa e Kongresit në Manastir

 



[1] Historia e popullit shqiptar…, f. 391; Nexhat Abazi, Zhvillimi i shkollave.., f.196.

[2] Raporti i konsullit italian nga Manastiri, dërguar kontit de Visari; nga Shkupi merrnin pjesë tre  delegat; me të drejtë vote ishin të dërguar nga Klubi i Shkupit, Emin Beu dhe Hafëz Ibrahim Efendiu. Ndërsa Rok Berisha po ashtu përfaqësues nga Shkupi  bënte pjesë në grupin e delegatëve pa të drejtë vote, së bashku me Parashqeva Qiriazin, Abdyl Yipn, Lef Nosin Çerçiz Topullin e tjerë; Grup autorësh, Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, Instituti i Studimeve Pedagogjike, Tiranë 2003, f. 175.           

[3] Raport i konsullit rus nga Manastiri, më 14 nëntor 1908; Stjepan Antoljak,  Prillog historijatu albanaca za svoj alfabet, “Gjurmime albanologjike’, nr. 1, Prishtinë, Prishtinë, 1969, fq. 46-48; Historia e Shqipërisë, vëll. II. 1908-1912…f. 10-11.

[4] Po aty,  raport nga Manastiri.Poashtu në këtë Kongres ka marrë pjesë edhe i riu Rauf Fico, që më vonë ka luajtur një rol të rëndësishëm në diplomacinë shqiptare, veçanërisht kur ishte i emëruar në Beograd. Pati disa takime me studentët shqiptarë dhe disa krerë të nacionalizmës shqiptare që vepronin në Jugosllavinë e para luftës, në ngritjen e nacionalizmës shqiptare dhe luftën e tyre për çlirim dhe bashkuim kombëtar. 

[5] Manol Pandevski, Politiçkite partii…, vep. e cit. f. 287; Shukri Rahimi, Shkaqet e konfliktit në mes lëvizjes shqiptare dhe Turqve të Rinj, “Jehona”, Shkup 1968, nr. 6, f. 143.

[6]Shaban Demiraj, i Kongresi i Manastirit…, 87. Në këtë kohë përmendet vetëm një Rexhep Hoxha. Por nuk thuhet asgjë për biografinë e tij. Si ka mundësi të përshëndes Kongresin një person që në atë kohë nuk ka pasur ndonjë funksion shtetëror apo fetar. Ndërsa ky, Rexhep Hoxha ishte  i lindur në Prilep, që  në kohën e Kongresit ka qenë Profesor i Medresesë në Stamboll, e quajtur “Medrese Fatihut”. Shi, Hasan Kaleshi, Disa aspekte të luftës për alfabetin shqip në Stamboll, “Gjurmime albanologjike”, nr. 1, Prishtinë, 1969, f. 106.

[7]Hasan Kaleshi, Neki problemi izuçavanja kulturne istorije Pologa za vreme turskog perioda,“ Bigorski nauçeno-kulturni sobiri”, Gostivar 1971, f. 182.

[8]HHStA, PA XXXVIIi/390, Raport i Konsullit Kral nga Manastiri, më 15.07.1900); Konsulli austriak në raportonte: se Gjergj Qiriazi i cili kishte një librari të “Bible society: ”Në shkurt të vitit 1900 gjatë muajit ramazanit, në dyqanin e tij kishte hyrë një hoxhë që duke u ruajtur e kishte pyetur nëse kishte libra shqip; ai mori ato që lejoheshin, ungji, psallme, etj, dhe meqë ai kërkonte ndonjë gjë tjetër, iu dha së fundmi me kujdes edhe një abetare, sepse ai mund të ishte një agjent sekret, siç ndodh shpesh tani. Hoxha pyeti nëse dikush mund ti mësonte alfabetin dhe u gëzua kur u ftua që të vinte çdo ditë për të mësuar nga pak me vëllain e të zotit të dyqanit. Me një zell djaloshar ai u fut punës dhe mësoi kaq mirë sa që pas disa leksionesh  ai mundte që të lexonte shqip  në mënyrë të mjaftueshme. Shumë shpejtë ai zuri miqësi me patriotët lokalë dhe iku nga Manastiri me një pako të vogla librash (për shkak të mungesave), libra që në shumicë ishin fetarë dhe të krishterë. Ky njeri është Rexhep Çudi  Hoxhë nga Tetova.

[9] Rauf Fico, Shtetar dhe diplomat i shquar shqiptar (monografi), Tiranë 2007, f. 182.

[10] Natalyie Clayer, Në fillimet nacionalizmit shqiptar, Tiranë 2009, f. 561-562.;

[11] Feti Mehdiu, Vilajeti i Manastirit  në Kamus Al-A’Lam, “Gjurmime albanologjike”, Prishtinë 1983, f.240. Në atë kohë vilajetit të Manastirit përfshinte këto qytete;  Manastir,  Prilep,  Florinë, Ohër, Korçën, Starova  Kolonja, Elbasanin, Peqin, Strugë,  Dibër, Mat, Dibra e Poshtme, Krahina e Rrekës,  Kërçova me gjithsejtë  2 220 fshatra. 

[12] Gazeta “Dituria”, nr.3, v,1908, f.41.

[13] “Leka”, nr. VIII-XII, 1937, f. 35.

[14] Manol Pandevski, Politiçkite parti…, vep. e cit. f. 287.

[15] Po aty,  raporti i njëjtë.  Mahir Domi, Alfabeti i gjuhës shqipe  dhe Kongresi i Manastirit, Tiranë 1972, f.. 35.

[16] Reshat Nexhipi, Prespa dhe Manastiri nëpër shekuj, Kërçovë 2003, f.152.

[17] “Bashkimi i Kombit” (nacionallno Edinstvo), Shkup 2001, f 20; Ali Vishko, ndante mendimin se ky ka qenë nikoqir kryesor në Kongres në bazë të pozitës fetare që ka pasur në atë kohë. Në fillim poashtu ka qenë shumë i afërt me të gjithë veprimtarët që vepronin në Manastir dhe Shkup. Tetovë, deklarata e tij në dhjetor 2002.

[18] Stjepan Antolak, Prilog historiatu borbe albanca za soj alfabet, “Gjurmime albanologjike”, nr. 1 Prishtinë 1969, f. 48.

[19] Stavro Skendi, vep. e cit, f. 370-371; Shaban Demiraj-Kristaq Prifti, Kongresi i Manastirit Tiranë 2004,  f. 76.

[20] Stavro Skendi, vep. e cit, f. 371.

[21] Gjergj Qiriazi, vëlla i Sevastisë dhe i Parashqevës. Motrat Qiriazi pas luftës jetuan të izoluara në Tiranë nga pushteti komunist,  Sevastia vdiq në vitin 1949 dhe u varros vetëm nga katër gra. Pasi pushteti e kishte shpallur si armike të pushtetit komunist.

[22] Milto Sotir Gura, Kongresi i Manastirit për alfabetin shqip, (nga kujtimet e Mihajll Gramenos), “Bashkimi i Kombit”, Tiranë 12 gusht 1944.

[23] A.M. Shkup, Raport i konsullit  rus nga Manastiri, më 14 nëntor 1908.

[24] Po aty, raporti i njëjtë.

[25] Po aty. Qysh në fillim të Kongresit Mithat Frashëri, Abdyl Ypi, Ferid Ypi, ndanin mendimin  se në këtë Kongres të Alfabetit të shqyrtohet  vetëm çështja e alfabetit jo edhe probleme të tjera të karakterit politikë.

[26] Po aty.

[27] Po aty, raporti i njëjtë.

[28] Nexhat Abazi, Zhvillimi i arsimit…, f.196.

[29]  Raport i konsullit. astro-hungarez  nga Selaniku, nr. 2852, 27 dhjetor 1908.  

[30] ‘’Korça’’ nr.2, 24 dhjetor 1908.

[31] ”Konstituciona Zarja”,1/23, Selanik, më 15 nëntor 1908.

[32] Raporti i konsullit austro-hungarez nga Shkodra, nr. 5, 3 janar 1909.

[33] Raport i konsullit rus nga Manastiri, dërguar ambasadorit rus në Stamboll N.V. Carikov. 24 nëntor 1908. 

Filed Under: Featured Tagged With: bashkoi Kombin drejt pavaresise, Kongresi i Manastirit, Tetove, Vebi Xhemaili

PD të hënën në shesh, Paloka: Shqipëtarët s’mund të jenë peng i Ramës për 2000 lekë

November 7, 2013 by dgreca

Partia Demokratike do ti rikthehet traditës së protestave të hënën e javës së ardhshme. Kreu i grupit parlamentar, Edi Paloka, tha protesa e PD është më tepër një thirrje ndaj qytetarëve shqiptarë për ti vënë fre vjedhjes së votës.

“Ky është fundi i demokracisë, fundi i pluralizmit. Nëse çdo qytetar shqiptar nuk e ndjen se ky është një alarm për të ardhmen e tyre, nëqoftëse çdo shqiptar mendon se me 2000 lekë, 5000, apo dhe 100 euro, pasi çmimi ka variuar në 23 qershor nga zona në zonë. Nëqoftëse mendojnë se me 100 eur o në katër vjet do vazhdojnë të jenë skllevër të Edi Ramës, ky është fundi i të gjithëve. Të hënën do kemi një protestë simbol para Kryeministrisë për këtë akt të rëndë, është më tepër një thirrje për të gjithë qytetarët shqiptarë që të reagojnë ndaj këtij akti kaq të rëndë. Është për të ardhmen tonë, nuk është një shaka e radhës e Edi Ramës” tha ai.

Paloka tha se kjo përqasje e opozitës nuk është pengesë për integrimin. Përkundrejt situatës së tensionuar në politikën shqiptare, ai kërkoi nga BE të mos neglizhojë dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë në dhjetor.

“Qëndrimi ynë nuk ka asnjë lidhje me PS, siç nuk kanë faktet asnjë lidhje me atë që bënte Rama në atë kohë. Rama bllokoi parlamentin, organizonte greva urie pa patur provën më të vogël për vjedhje votash, ne jemi para një fakti publik dhe megjithatë kemi organizuar një protestë, por kemi kërkuar dhe një mocion si grup parlamentar ku të gjithë bashkarisht në Parlament të bëjmë një rezolutë dhe ti kërkojmë BE dhënien e statusit Shqipërisë për vendin kandidat. Ëhstë mazhoranca dhe Edi Rama që po bëjnë çdo përpjekje për të bërë që ky status të mos merret. Ne jemi komplet në llogoren e kundërt. Ne na takonte sot të ishim në rrugë gjithë ditën, gjithë muajin, mbase dhe gjithë vitin apo katër vitet për këtë që ka ndodhur. Por se kemi të bëjmë me një ngjarje të tillë për integrimin e Shqipërisë ne kemi këtë pozicion, i kërkojmë BE që me gjithë këto që po ndodhin të mos lënë anash statusin për Shqipërinë” u shpreh Paloka.

I pyetur lidhur me shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në vendin tonë, ai tha se PD nuk ka ende një qëndrim zyrtar. E megjithatë ai u deklarua kundër, pasi sipas tij Kryeministri Rama është në kundërshtim të plotë me veten, sakohë që vetëm një muaj më parë anuloi ligjin për importin e mbetjeve në vend.

“Ne skemi një qëndrim ende zyrtar për këtë. Personalisht mund të them se për një vend me kushtet ku jemi ne , pozitën ku jemi ne, aq më tepër me një mazhorancë që jo më larg se para një muaji anuloi importin e mbetjeve në Shqipëri mendoj që është aburde që ne të pranojmë shkatërrimin e armëve kimike në atë sasi, ndërkohë që ka mjaft vende të tjera që mund ta bëjnë” përfundoi kreu i grupit parlamentar të PD.

 

Filed Under: Featured Tagged With: ed paloak, ne shesh, PD te ehnen

LAJM I MIRE: BURIM I RI NAFTE NE SHPIRAG-1300 fuçi ne 24 Ore

November 6, 2013 by dgreca

Berisha: Lajm shumë i mirë për ne, Shpirag 2 burim i ri nafte në Shqipëri

Ish-kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur lajmin e kompanisë “Shell-Petromanas” për gjetjen e një burimi të ri nafte të cilësisë së lartë në pusin Shpirag 2. Ndërsa përgëzon kompaninë, Berisha shpreson në identifikimin e burimeve të tjera në mënyrë që vendi jonë me fushen naftembajtese me te madhe ne kontinent, te behet nje nder vendet kryesore ne prodhimin e hidrokarbureve ne Europe .

“Te dashur miq, nje lajm i madh i mire vjen nga kompania Shell-Petromanas. Pas tre vitesh studimi te gjithanshem dhe shpimi te sukseseshem te pusit Shpirag 2 konfirmohet gjetja e nje burimi te rendesishem te ri nafte te cilesise se larte (nafte e lehte) me nje kapacitet fillestar 1300 fuçi ne 24 ore. Ky investim prej 60 milione eurosh u be ne nje zone ne te cilen nje gjigand nafte kishte shpenzuar me pare, por pa sukses, rreth 100 milone dollare.Studimet me mjetet e teknologjise me te larte dhe veçanerisht teknologjia tejet e avancuar e shpimit te pusit beri te mundur suksesin e rendesishem. Kompania parashikon nje seri shpimesh te tjera me optimizem real ne zonen e Shpiragut dhe rreth saj.
Duke falenderuar me mirenjohje te thelle dhe uruar perzemersisht drejtuesit, inxhinieret, tekniket dhe punetoret e Shell-Petromanas per kete sukses qe gezon te gjithe shqiptaret le te urojme qe burime te tjera nafte dhe gazi te gjenden dhe Shqiperia, qe ende ka fushen naftembajtese me te madhe ne kontinent, te behet nje nder vendet kryesore ne prodhimin e hidrokarbureve ne Europe. Urime!!” shkruan Berisha në fb.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Berisha Sali, burim anfte ne Shpirag, Lajm i mire

DASH uron Kosovën për zgjedhjet e pushtetit komunal

November 5, 2013 by dgreca

Departamenti i Shtetit dje nxorri një deklaratë në të cilën thuhet se Shtetet e Bashkuara përshëndesin Republikën e Kosovës për zgjedhjet e saj historike të 3 nëntorit. Në deklaratë më tej thuhet se pavarësisht kërcënimeve dhe dhunës që synonte bllokimin e procesit demokratik, populli i veriut të Kosovës ushtroi të drejtën e tij për të zgjedhur përfaqësuesit legjitim për herë të parë në shumë vite.Departamenti i Shtetit përshëndeti angazhimin e qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë për nxitjen e pjesëmarrjes së votuesve për t’i mundësuar popullit të Kosovës që të zgjedh udhëheqësit e tyre në mënyrë demokratike. Organizimi i suksesshëm i këtyre zgjedhjeve është një aspekt i rëndësishëm i zbatimit të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Departamenti i Shteti i bëri thirrje të gjitha palëve që të sigurohen që faza e ardhshme e procesit zgjedhor të zhvillohet në mënyrë paqësore, të lirë dhe të drejtë.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë sulmet në veri të Mitrovicës që dëmtuan zgjedhjet në Kosovën veriore dhe u kërkojnë autoriteteve relevante të Kosovës që të hetojnë dhe të sjellin para drejtësisë përgjegjësit e incidenteve. Ne nuk duhet të lejojmë që dhuna e disa personave të hedh  hije mbi arritjen e rëndësishme që këto zgjedhje përfaqësojnë”, thuhet në fund të deklaratës së Departamentit të Shtetit.

Vëzhguesit e BE-së: Zgjedhjet ishin demokratike

Me gjithë incidentet në veri të Kosovës vëzhguesit thanë se zgjedhjet ishin të mira dhe demokratike.

Misioni i Bashkimit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve tha se votimet e së dielës për pushtetin komunal ishin një hap pozitiv përpara për demokracinë në Kosovë.Në raportin paraprak për zgjedhjet e së dielës thuhet se ato ishin me rëndësi të posaçme sepse për herë të parë mbaheshin në të gjithë Kosovën sipas ligjeve të saj. Ndonëse ky proces ende nuk ka përfunduar, ai paraqet një hap pozitiv përpara për demokracinë.
Misioni e vlerëson procesin e votimit si të mirë apo të kënaqshëm në shumicën e vendvotimeve të vëzhguara, me gjithë incidentet e dhunshme në veriun e Mitrovicës, ku grupe të personave të maskuar shkatërruan disa nga vendvotimet.
Shefi i Misionit, Roberto Gualtieri tha se në pjesën më të madhe të Kosovës, dita e zgjedhjeve ka kaluar në mënyrë të qetë dhe paqësore.
“Natyrisht, unë i dënoj sulmet në Mitrovicën e veriut. Ky ishte sulm ndaj të drejtës themelore të njerëzve për t’i shprehur dëshirat e tyre përmes fletëvotimeve. Megjithatë, fakti që njerëzit kanë dalë për të votuar dëshmon se ata që donin ta sabotonin procesin kanë dështuar”, tha ai
Vëzhguesit e Bashkimit Evropian thonë së disa elemente të procesit zgjedhor do të kërkojnë më shumë vëmendje në të ardhmen. Ata nënvizojnë saktësinë e listave të votuesve, posaçërisht rastet e shpeshta të pranisë së personave të vdekur në lista si dhe çështjen e votuesve me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit.
Procesi i regjistrimit të votimit jashtë Kosovës ishte i vështirë dhe nuk ishte i favorshëm për votuesit dhe as gjithëpërfshirës. Megjithatë, janë bërë përpjekje për ta rritur pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhje. Gratë kishin përfaqësim tejet të ulët edhe në organet zgjedhore edhe në kandidim për kryetare të komunave.
Vëzhguesit e Bashkimit Evropian do të qëndrojnë në Kosovë deri në përfundimin e tërë procesit zgjedhor, ndërsa raporti përfundimtar me rekomandimet për zgjedhjet e ardhshme, do të publikohet në fillim të vitit 2014.
Misioni do të vëzhgojë edhe raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash që pritet të mbahet më një dhjetor.
Vlerësime të ngjashme paraqitën edhe vëzhguesit e rrjetit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, ENEMO, sipas të cilëve zgjedhjet janë administruar në mënyrë efikase dhe në mjedis të qetë në pjesën më të madhe të vendit.
Shefi i këtyre vëzhguesve Zlatko Vujiçiç, tha se pati dështim  në krijimin e mjedisit të qëndrueshëm për zgjedhje në veri.
“Dështimi për të garantuar sigurinë, kombinuar me situatën komplekse politike, ka ndikuar që një numër i votuesve të mos kenë mundësinë lirisht të ushtrojnë detyrën e tyre në komunën e Mitrovicës së Veriut”, tha ai.
Sipas vëzhguesve të ENEMO-s votimi familjar ka mbetur sfidë, së bashku me votimin me ndërmjetësim në një masë më të vogël, ndërsa institucionet kanë dështuar në sigurimin e përfaqësimit të barabartë gjinor.
Në orët e pasdites, përfaqësuesit e mekanizmave të Bashkimit Evropian dhe diplomatët e vendeve  anëtare të BE-së, u bënë jehonë gjetjeve të vëzhguesve evropian, duke nënvizuar se zgjedhjet e së dielës janë një element i rëndësishëm në forcimin e rrugës evropiane të Kosovës.
Mbi 30 mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtarë ishin angazhuar gjatë zgjedhjeve të se dielës, gjatë të cilave sipas tyre, janë shfaqur probleme të vjetra që nuk ushtrojnë ndikim përcaktues në proces.(VOA)

Filed Under: Featured Tagged With: DASH uron, Kosoven

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 818
  • 819
  • 820
  • 821
  • 822
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT