-Kundër asgjesimit të armëve kimike siriane, në tokat shqiptare-/
Shoqata e Arsimtarëve të Shqipërisë është njohur, përmes organeve të shtypit të shkruar dhe atij elektronik, se ka kërkesë për asgjësimin e armëve kimike siriane, në tokat e Republikës së Shqipërisë?!
Duke parë nga afër shqetësimin e përgjithshëm të mësuesve e nxënësve, pedagogëve e studentëve dhe gjithë prindërve shqiptarë, ne shprehimi me vendosmëri kundër këtij veprimi të mundshëm, pasi është në kundërshtim të hapur me jetën e tyre. Pra, Shoqata jonë deklaron se bashkohet me zërin e mbarë shqiptarëve, që në asnjë mënyrë të mos lejohet, që vendi ynë të bëhet një “Hiroshimë e dytë”, siç e parashikojnë dhe specialistët tanë më të mirë të kësaj fushe. Sepse kështu do të rrezikohet seriozisht jeta e banorëve shqiptarë, të sotëm dhe të atyre, që do të vijnë në të ardhmen.
Për sa më sipër, ndër të tjera, theksojmë se Shqipëria nuk i ka kushtet, mundësitë as mjetet e përshtashme për ta kryer asgjësimin e armëve kimike siriane në tokat e saj. Meqenëse një gjë e tillë është e domosdoshme, mendojmë se ka shtete të tjerë, që mund ta kryejnë këtë proces shkatërrimi, për të cilët kanë dijeni edhe Bashkimi Europian, SHBA, Rusia, Kina etj. dhe OKB-ja.
Me këtë Deklaratë, ne u drejtohemi të gjitha organeve tona të larta, shtetërore e ligjvënese, që ta kundërshtojnë menjëherë dhe në asnjë mënyrë mos ta pranojnë kërkesën e ndokujt, për asgjësimin e armëve kimike vdekjeprurëse e shkatrrimtare siriane, në tokat e Republikës së Shqipërisë.
Për kryesinë e Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë:
Sekretar i Përgjithshëm Kryetare
/ Prof. Murat Gecaj / d.v. / Yllka Beçi / d.v.
Tiranë, më 11 nëntor 2013