Partia Demokratike do ti rikthehet traditës së protestave të hënën e javës së ardhshme. Kreu i grupit parlamentar, Edi Paloka, tha protesa e PD është më tepër një thirrje ndaj qytetarëve shqiptarë për ti vënë fre vjedhjes së votës.
“Ky është fundi i demokracisë, fundi i pluralizmit. Nëse çdo qytetar shqiptar nuk e ndjen se ky është një alarm për të ardhmen e tyre, nëqoftëse çdo shqiptar mendon se me 2000 lekë, 5000, apo dhe 100 euro, pasi çmimi ka variuar në 23 qershor nga zona në zonë. Nëqoftëse mendojnë se me 100 eur o në katër vjet do vazhdojnë të jenë skllevër të Edi Ramës, ky është fundi i të gjithëve. Të hënën do kemi një protestë simbol para Kryeministrisë për këtë akt të rëndë, është më tepër një thirrje për të gjithë qytetarët shqiptarë që të reagojnë ndaj këtij akti kaq të rëndë. Është për të ardhmen tonë, nuk është një shaka e radhës e Edi Ramës” tha ai.
Paloka tha se kjo përqasje e opozitës nuk është pengesë për integrimin. Përkundrejt situatës së tensionuar në politikën shqiptare, ai kërkoi nga BE të mos neglizhojë dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë në dhjetor.
“Qëndrimi ynë nuk ka asnjë lidhje me PS, siç nuk kanë faktet asnjë lidhje me atë që bënte Rama në atë kohë. Rama bllokoi parlamentin, organizonte greva urie pa patur provën më të vogël për vjedhje votash, ne jemi para një fakti publik dhe megjithatë kemi organizuar një protestë, por kemi kërkuar dhe një mocion si grup parlamentar ku të gjithë bashkarisht në Parlament të bëjmë një rezolutë dhe ti kërkojmë BE dhënien e statusit Shqipërisë për vendin kandidat. Ëhstë mazhoranca dhe Edi Rama që po bëjnë çdo përpjekje për të bërë që ky status të mos merret. Ne jemi komplet në llogoren e kundërt. Ne na takonte sot të ishim në rrugë gjithë ditën, gjithë muajin, mbase dhe gjithë vitin apo katër vitet për këtë që ka ndodhur. Por se kemi të bëjmë me një ngjarje të tillë për integrimin e Shqipërisë ne kemi këtë pozicion, i kërkojmë BE që me gjithë këto që po ndodhin të mos lënë anash statusin për Shqipërinë” u shpreh Paloka.
I pyetur lidhur me shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në vendin tonë, ai tha se PD nuk ka ende një qëndrim zyrtar. E megjithatë ai u deklarua kundër, pasi sipas tij Kryeministri Rama është në kundërshtim të plotë me veten, sakohë që vetëm një muaj më parë anuloi ligjin për importin e mbetjeve në vend.
“Ne skemi një qëndrim ende zyrtar për këtë. Personalisht mund të them se për një vend me kushtet ku jemi ne , pozitën ku jemi ne, aq më tepër me një mazhorancë që jo më larg se para një muaji anuloi importin e mbetjeve në Shqipëri mendoj që është aburde që ne të pranojmë shkatërrimin e armëve kimike në atë sasi, ndërkohë që ka mjaft vende të tjera që mund ta bëjnë” përfundoi kreu i grupit parlamentar të PD.