• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mirupafshim motër

October 8, 2013 by dgreca

Kushtuar motrës s’ime, Drita Pelingu/

Nga Reshat KRIPA/

Ike motra ime, ike në mes të duartrokitjeve të qindra admiruesve të tu. Ike kur e kishe plotesuar detyrën tënde të një artisteje të madhe të skenës. Ti ike por unë, vëllai yt  i vogël, (eh çfarë them edhe unë, vëllai yt i vogël që po arrin të tetëdhjetat), dua të shkruaj dy fjalë për ty, për kujtimet e mia. Megjithatë, për ty unë isha gjithmonë  një vëlla i vogël, sikur të isha ende një fëmijë dhe me të vërtetë unë mbeta një fëmijë përpara figurës tënde të ndritur.

Duartrokitjet që të përcollën për në banesën e fundit më sillinin para syve ato që  ushtonin në skenat shqiptare kur interpretoje rolet e Irës, Klariçes, Luiza Milerit, Gertrudës, Kornelias, Budes, Mukadesit, Hallës dhe mbi të gjitha atë të Zojcikës rol që e kishe mbi gjithë të tjerët. Këto duartrokitje ishin shpërblimi që admiruesit e tu të shumtë të jepnin në çastin e përcjelljes tënde për në mbretërinë e përjetëshme.

Në mes të duartrokitjeve të admiruesve para syve më dilte jeta ime. Më dilnin ato vite të fëminisë sime të herëshme kur ti, ende e re, deklamoje para nesh skena nga dramaturgjia botërore. Ati ynë, kur të dëgjonte, thoshte se ti do të bëhesh një njeri i madh dhe, me të vërtetë, ti u bërë e madhe.

Por, mbi të gjitha, më dilnin para syve ato vite të turbullta, kur unë zgjodha rrugën nëpër gërxhe e shkrepa dhe kur ti ishe gjithmonë pranë meje për te më kthyer përsëri në gjirin e familjes, për të më kthyer përsëri në jetë. Ti nuk kishe mundësi të vije të më takoje, pasi ashtu ishin konditat e kohës, por ti ishe gjithmonë pranë meje. Unë e ndieja praninë tënde. Ishin kohë të vështira. Familja jonë jetonte në kondita të një mbijetese të tmershme. Por mua nuk më mungonte asgjë dhe kjo në saj tënden. Nuk mund t’i harroj kurrë pakot që më dërgoje me prindërit tanë ku në secilën prej tyre do të gjeja shënimin: “vëllait tim të vogël që e dua shumë”.

Vitet rrodhën. Po afrohej koha që të kthehesha në gjirin e familjes. Në një pako që ti kishe dërguar ishte një kostum krejt i ri. Doje që unë të kthehesha si një dhëndër. Në xhepin e xhaketës një fotografi të një fëmije që nuk ishte më shumë se një vjeç. Nga pas saj një shënim: ”Po të dërgoj fotografinë e Orës që sa herë të të marrë malli ta puthësh e përqafosh”. Ishte fotografia e mbesës  time të bukur. Kur e pashë, për herë të parë, më rrodhën disa pika lot nga sytë.

Erdhi, më në fund, dita që do të kthehesha në gjirin e familjes. Isha shumë larg qytetit të lindjes. Nuk mundesha të kthehesha brenda ditës atje. Ku të shkoja? Direkt nga skëtera erdha tek ty. Në hyrje të shtëpisë pashë të nderuarin doktor Kërçikun, në shtëpinë e të cilit banonte ime motër, që zbriste shkallët së bashku me zonjën e tij të nderuar. Më vështroi me habi dhe më pyeti:

–         Ku shkoni?

–         Te motra, Drita – iu përgjigja.

Një shkëndijë shkrepi në sytë e doktorit

–         Drita, Drita. – thërriti dhe u kthye mbrapa – sihariq, sihariq.

Ti  dole  nga  dhoma  e   habitur   dhe   më   vështrove.  Fillimisht  nuk   më   njohe.

Kishim  mbi pesë vjet pa u parë. Por kur më pe veshur me kostumin që më kishe dërguar, lëshove një klithmë dhe më rrëmbeve në krahët e tu duke derdhur lot të nxehtë. Edhe mua më shpëtuan lotët. Atë çast nuk do ta harroj kurrë deri sa të mbyll sytë.

Po si munde t’i bëje gjithë këto për një vëlla rebel që ishte ngritur  kundra  sistemit  në  të cilin jetohej? Sepse në krah kishe një bashkëshort ideal, një luftëtar të vërtetë të lirisë  që kurrë nuk i braktisi parimet fisnike për një Shqipëri demokratike. Ishte pikërisht ky fisnik i rrallë që, megjithë shtrëngesat e kohës së errët, gjente rrugët e duhura për të jetuar pa u përlyer nga intrigat e pështira të kohës. Ai i përkiste atyre burrave që nuk të ndërhyri kurrë në marrëdhëniet e tua familjare, sido që të ishin ato dhe që nuk druhesh të vinte në familjen tonë në një kohë kur atë sistemi e kishte mbuluar me njolla të errëta

Por ti vuaje, e dashur motër. Vuaje ti, por vuanim edhe ne, pasi ishim pikërisht ne shkaku i vuajtjeve të tua. Ti asnjëherë nuk e shfaqe këtë hidhërim. Duhesh të kalonin dyzet vjet, deri sa të vinte viti 1986 kur shteti shqiptar do të kujtohesh të të jepte titullin “Artiste e Merituar”. Megjithatë unë i falënderoj ata që u bënë shkak që ti të merrje atë titull. Nuk e di se kush janë por, sidoqoftë, i falënderoj. Falënderoj gjithashtu Shoqatën “Ismail Qemali” për titullin me të njejtin emër që të akordoj në vitin 1996, Presidentin Mejdani për titullin “Mjeshtre e Madhe e Punës”, Presidentin Topi për titullin “Nderi i Kombit” dhe bashkinë e Vlorës për titullin “ Nderi i Qytetit”. Një falënderim të veçantë i drejtoj Bordit Drejtues të Institutit Amerikan  të Biografive për zgjedhjen e s’ime motre ndërmjet 500 personaliteteve më në zë të botës. Thellësisht faleminderit të gjithëve!

Ti motër, megjithë fatkeqësitë që të ranë përsipër vitet e fundit, nuk u theve asnjë herë. Kishe një ëndërr. Doje t’i jepje fund jetës në skenë dhe ashtu ndodhi. Ti i dhe fund duke interpretuar “Përjetësisht dashuria”, një pjesë e regjizorit të njohur Mihal Luarasi. Ishte drama e fundit që interpretove, vetëm disa muaj para se të shuhesh jeta jote.

Ti ike motër, ike nëpërmjet duartrokitjeve. Në homazhet e tua morën pjesë gjithë qytetarët e vendit tënd, pa marrë parasysh nëse ishin të djathtë apo të majtë. Morën pjesë funksionarë të atyre që, deri më dje, ishin në krye të shtetit, por morën pjesë gjithashtu edhe të atyre që sot janë në pushtet. Kjo sepse ti u përkisje të gjithëve. Sepse ti ëndërroje për një Shqipëri me të vërtetë demokratike ku njeriu të ishte mik me njeriun. A do të bëhet ndonjë herë Shqipëria e tillë? Sa do të dëshiroja! Por, a do të vijë ajo ditë? Nuk e di. Nuk jam në gjendje t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Kush të mundet le të përgjigjet

Mirupafshim, motra ime! Mirupafshim në botën e përjetëshme

 

Filed Under: Featured Tagged With: mireupafshim moter, RDrita Pelingu

Edhe një “takim konstruktiv”

October 8, 2013 by dgreca

Ka përfunduar në Bruksel takimi i radhës ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, i cili nga të dyja palët është cilësuar si konstruktiv dhe i suksesshëm.

Nga Valona Tela/
Duke folur para gazetarëve në Bruksel, Thaçi është zotuar se institucionet e Kosovës do të respektojnë marrëveshjen për lëvizje të lirë me Serbinë, pa qasje diskriminuese ndaj askujt.
Vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë, gjatë kohës kur në vend zhvillohet fushata për zgjedhjet e 3 nëntorit, kanë qenë temë e deklaratave kontradiktore të zyrtarëve kosovarë, ditëve të fundit.
Disa ministra të Qeverisë Thaçi kanë thënë se asnjë zyrtari serb nuk do t’i lejohet hyrja në Kosovë përgjatë 30 ditëve fushatë; të tjerë kanë thënë se ndalesa vlen vetëm për kryetarin e Qeverise serbe, Daçiq.
Këto paqartësi, të cilat në Beograd janë komentuar në forma të ndryshme, kanë bërë që  Daçiq të kërcënojë me heqjen dorë nga dialogu me Prishtinën.
Por, e gjithë situata është shtensionuar të hënën mbrëma në Bruksel me deklaratën e kryeministrit Thaçi, i cili ka thënë se “në rast të ndonjë kërkese për të vizituar Kosovën, institucionet do të marrin vendimin meritor në përputhshmëri me kushtet, rrethanat që mund të krijohen”.
“Lufta e ftohtë ka mbaruar; ne jemi për bashkëpunim, për fqinjësi, komunikim, lëvizje të lirë dhe pa qasje diskriminuese”, ka thënë Thaçi.
Ai po ashtu ka theksuar se zgjedhjet lokale të 3 nëntorit janë test i rëndësishëm evropian për Kosovën. Thaçi ka thënë se pret që të gjithë të marrin pjesë në këtë proces, përfshirë edhe serbët e pjesës veriore, ku për herë të parë do të mbahen votimet që organizon Republika e Kosovës.
I kënaqur me takimin e së hënës është shprehur edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili nuk ka hezituar të thotë se kjo “ka qenë një nga ditët më të suksesshme të dialogut”.
“Kemi diskutuar për çështje që për kohë të gjatë kanë qenë aktuale dhe kanë paraqitur pengesë në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, përkatësisht në organizimin e zgjedhjeve lokale në Kosovë. Shpresoj që ajo për të cilën jemi pajtuar, të realizohet deri në fund të javës dhe me këtë të krijohen kushte për zgjedhje të ndershme lokale”, ka thënë Daçiq, për të shpjeguar se çështja kryesore në këtë rrafsh është ajo e regjistrimit të votuesve.
“Regjistrimi i atyre votues që kanë dallime në listat tona dhe të Prishtinës. Bëhet fjalë për më shumë se 10-12 mijë njerëz, të cilëve do t’iu njihet e drejta të regjistrohen në listat zgjedhore në katër komunat në veri. Kur bëhet fjalë për zgjedhësit jashtë Kosovës, jemi marrë vesh që përmes mekanizmave specifikë të krijojmë kushtet që sa më shumë njerëz të kenë të drejtë vote”, ka thënë Daçiq.

Takimi Thaçi-Daçiq është zhvilluar si rëndom me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton. Zëdhënësja e ndërmjetësueses, Maja Kocijançiq, ka thënë se takimi ka qenë i dobishëm dhe i rëndësishëm.

Filed Under: Featured Tagged With: Edhe një “takim konstruktiv”alona Tela, Takimi, Thaci-dacic

Nobel për fizikën shkon në Belgjikë dhe Britani

October 8, 2013 by dgreca

Çmimi Nobel për fizikën për vitin 2013 iu dha belgut Francois Englert dhe britanikut Peter Higgs.Komisioni i Çmimit Nobel i shpalli fituesit e çmimeve sot në Stokholm. Fizikanët Englert dhe Higgs u zgjodhën për “zbulimin teorik të një mekanizmi që kontribuon për të kuptuar origjinën e masës së grimcave elementare nënatomike”.

Dy shkencëtarët janë të njohur për zbulimin e grimcës Higgs, e quajtur edhe “grimca e Zotit” sepse vërteton një koncept bazë të fizikës së grimcave, që besohet se bën të mundur ekzistencën e vetë atomeve.
Shpallja e fituesve sot u bë me një orë vonesë, diçka e pazakontë për të cilën nuk u dha ndonjë sqarim.

Filed Under: Featured Tagged With: belgut Francois Englert, britanikut Peter Higgs, Nobel Fiziken

Çmimi Nobel për mjekësinë për vitin 2013

October 7, 2013 by dgreca

Dy amerikanë dhe një gjerman fituan çmimin Nobel për mjekësinë për vitin 2013. Të tre fituesit punojnë në universitete amerikane.

Amerikanët James Rothman dhe Randy Schekman dhe gjermani Thomas Sudhof u nderuan për studimin e tyre lidhur me organizimin e sistemit të transportit të qelizës.
Fituesit u shpallën sot në Stokholm.
Çmimi për mjekësinë është i pari mes çmimeve prestigjioze Nobel që jepen çdo vit.
Profesor Rothman është kreu i departamentit të biologjisë së qelizës në Universitetin Yale.
Schekman është profesor në departamentin e biologjisë molekulare dhe qelizore në Universitetin Berkeley të Kalifornisë. Ai është gjithashtu studiues në Institutin Mjekësor Howard Hughes.
Profesor Sudhof është gjithashtu studiues tek Instituti Howard Hughes dhe pedagog i fiziologjisë molekulare dhe qelizore në Stanford.

Filed Under: Featured Tagged With: Nobel ne mjeksi

Nderim për patriotin Tashko Ilo

October 7, 2013 by dgreca

Personaliteti që rrugëtoi në Korçën e vitit 1908 duke

sjellë me vete këngën “Reth flamurit të përbashkuar”/

 Shkruan:Niko Kotherja/

Studiues/

Një ndër figurat patriotike që ka shpalosur veprimtarinë e vet në dobi të çështjes së atdheut është edhe Tashko Anastas Ilo, për të cilin po botojmë disa shënime biografike.

Në një dokument të vitit 1959, lexojmë: “(…)  Tasi Iloja ose Anastas Iloja (plaku) duhet të ketë vdekur nga viti 1880 dhe se Tashko Ilon e la në bark të sëmës dhe ky u lint pas vdekjes së babajt (…) dhe për këtë shkak djalit që lindi, ja vunë emrin Anastas (emrin e babajt) dhe i thërresin Tashko.”

Emrin e babait të Tashkos, Anastasit, na e përmend  prof. Petraq Pepo në një studim të tij më 1981. Bëhet fjalë për vitin 1866, kur qytetarët e Varoshit të Korçës i dërgojnë Dhimigjeondisë së këtij qyteti një Kanonizëm mbi detyrat që anëtarët e saj duhet të respektojnë.

Personalitetin e tij Tashko Ilo e formoi në luftë për mbrojtjen e çështjes amtare, duke bashkëpunuar në rradhë të parë me vëllain e tij, atdhetarin Spiridon Ilo, e më pas me mëmëdhetarë si Hilë Mosi, Themistokli Gërmenji, Mihal Grameno, vëllezërit Tërpo, Dhimitër Zografin, Asdrenin, etj. Emigroi në Rumani, ku u lidh me rrethet patriotike shqiptare. Fillimisht Tashko anëtarësohet në shoqërinë “Shpresa”. Më pas e shohim si veprimtar të shoqërisë “Dituria”. Këtu lidhet me mjaft patriotë shqiptarë dhe mban letërkëmbim të pasur me ta. Në koloninë shqiptare të Bukureshtit forcon miqësinë me patriotin shkodran Hilë Mosi dhe bashkë me të, Tashko Ilo është i pari që sjell nga Bukureshti në atdhe partiturën e parë të himnit të ardhshëm kombëtar shqiptar dhe fillon ta shpërndajë atë në rrethet muzikure shqiptare. Kjo datohet që në vitin 1908 (“Vepra” Lasgush Poradeci. Tiranë, 1990, faqe 356-373). Mbërritja e tyre në Korçë i dha shtysë krijimit të shoqërisë muzikore “Banda e Lirisë”. Një vit më vonë, më 1909, Tashkon e gjejmë në ballë të punëve me karakter kombëtar në Rumani, nga ku ndihmon me të holla botimet shqipe. Emrin e tij e lexojmë në “Radhoj i emrave ndihmëtarë” në shtyllat e gazetës “Korça”, në botimin e përkthimit të Kosta Jani Trebickës “Genovefa”, më 1908, etj.

Tashko Ilo Korça, me përshëndetje të ngrohta vëllazërore, përcjell lajmin e shpalljes së pavarësisë dhe nga Bukureshti, ku punon si tregëtar, krenohet me vëllain e tij Spiridonin, i cili më 28 nëntor 1912 firmonte lindjen e shtetit të parë shqiptar në Vlorën heroike si delegat i Korçës. “Çdo 28 nëntor, Tashkoja vishej me kustum të ri dhe kravatë të re të kuqe dhe në mëngjez, me dorë në zemër, këndonte himnin kombëtar”- tregon Sanda Ilo, bashkëshortja e tij.

Në korrik 1914, bashkë me Themistokli Gërmenjin, Spiridon Iloja largohet nga Korça për në Vlorë, më pas për në Durrës (ku takon princ Vidin) për të përfunduar në Rumani e për të bujtur te Tashkoja, ku që të dy punojnë papushuar për çështjen shqiptare. Po në vitin 1914, Marigo Posio, kjo grua patriote, kushërirë e parë e vëllezërve Ilo, u shkruan atyre për ndihma financiare në favor të muhaxhirëve të Shqipërisë së jugut, të cilët u detyruan të braktisin vatrat e tyre për shkak të mizorive helene. Ushtritë shoviniste greke kishin vërshuar në tokat shqiptare dhe digjnin me helmin e zemrës dhe me zjarrin e pushkës gjithçka shqiptare që u dilte përpara. Edhe këtë herë Tashkoja e Spiridoni nuk i kursyen ndihmat. Në vitin e parë të Luftës së Parë Botërore ata ndihmuan vëllezërit e tyre në anë ekonomike e morale. Ata, për të kërkuar ndihma, iu drejtuan dhe kolonisë shqiptare të Bukureshtit e në përgjithësi shqiptarëve të Rumanisë. Në këtë kohë të trazuar, Tashkoja ve kurorë me zonjushën e nderuar Aleksandra Petro Ilo, e rritur në daja i saj, patrioti Dhimitër Mole. Aleksandra, ose Sanda e Tashkos siç njihej vite më vonë në Korçë, ishte një intelektuale që zotëronte 6 gjuhë të huaja e që gjithë jetën e saj iu përkushtua organizimit të shoqërive që i shërbenin emancipimit të gruas shqiptare. Ajo ishte nga të parat nxënëse të shkollës shqipe të vashave në Korçë dhe veprimtare e shoqërive patriotike në Rumani.

Në janar 1916 Tashkoja ka qënë nga themeluesit e shoqërisë muzikore e letrare “Lyra”, e përbërë nga shqiptarët e kolonisë  së Bukureshtit. Në statutin e kësaj shoqërie lexohet emri i tij si kontrollor i kësaj shoqërie (AQSH. “Statut al Societatei Muzica Literara ‘Lyra’”, fondi 99, dosja 112, faqe 8.)

Tashko Ilo në çdo moment të vështirë ka qënë pranë popullit të tij dhe ka mbrojtur me forcë interesat e kombit. Synimet shoviniste të shteteve fqinje, për copëtimin e vendit, ai i luftoi me po atë zjarr si dhe pushtuesit otomanë dikur. Ai luftoi energjikisht vendimet e padrejta të Konferencës së Paqes së Parisit në vitet 1919-1920, e cila rishkelte paturpësisht interesat e popullit tonë.

Edhe më pas Tashko Ilo nuk e ndërpreu aspak veprimtarinë përparimtare e atdhetare duke mos lënë pas dore punën si tregëtar.

Në gazetën “Koha”, datë 9 korrik 1921, lexojmë: “Arritën në Korçë nga Rumania me anë të Sërbisë z.Tashko Ilo me zonjën e tij.” Pas këtij viti ata vendosen përfundimisht në Korçë .

Nga viti  1921 Ilo ishte anëtar i shoqërisë “Vatra e Shqipërisë” në Korçë dhe si i tillë ka marrë diplomë ndihme në shenjë mirënjohje ndaj ndihmave të tij monetare kundrejt kësaj shoqërie. Gjithashtu shënohet si inisiator i shoqërisë anonime “Maliq”, shoqëri kjo që ka zhvilluar veprimtari patriotike. Anëtarët e saj u interesuan për ngritjen e nivelit të jetës kulturore dhe arsimore, etj.

Në vitet 1935-1936, me bashkëshorten, ndërmerr për here të fundit një udhëtim në Greqi, Rumani, Turqi e Jugosllavi ku takon dhe njëherë bashkatdhetarët, shokët e miqtë e tij, duke u lënë, si gjithmonë, porositë e një patrioti të shquar.

Më 1939, prefekti i Korçës, Agathokli Xhitom e fton patriotin Tashko Ilo të kontribuojë në mensën e nxënësve të varfër, kërkesë e cila mirëpritet nga Tashkoja dhe që sot dokumentohet në dosjen e materialeve të tij.

“Nga dëshira e madhe e Tashkos – tregon bashkëshortja e tij, Sanda – ne shkuam edhe në Vjenë, ku pamë armët e trimit tonë kombëtar, Skënderbeut.”

Pas vitit 1944, çifti Ilo nuk u vështrua me sy të mirë nga pushteti popullor, sepse ata admironin vendosjen e monarkisë në Shqipëri. Atyre iu shtetëzua shtëpia dhe Tashko e Aleksandra Ilo u strehuan mbi 15 vjet në familjen Kotherja.

Tashko Anastas Ilo, veterani i shquar i lëvizjes për çlirim kombëtar dhe ai që solli për herë të parë partiturën e himnit në Shqipëri, vdiq në gjendje të vajtueshme shëndetësore e mendore në vjeshtën e vitit 1964, aspak i respektuar nga regjimi i kohës, duke mbijetuar në harresën e madhe dhe indiferentizmin dashakeq, duke mos përfituar as titullin e veteranit të lëvizjes kombëtare dhe asnjë shënim që të flasë për veprimtarinë e tij patriotike.

Bashkëshortja e tij Sanda, vdiq në shtëpinë e ish-shtetëzuar më 17 dhjetor 1984, shtëpi kjo që është lënë me testament për zhvillimin e qytetit të Korçës. Sot shtëpia është pronë e Bashkisë së Korçës dhe sot e kësaj dite, kjo shtëpi e ndërtuar në vitin 1928 me material shqiptar, ka dy fasada: pjesën qytetare dhe atë fshatare. Kjo godinë që ndodhet më poshtë se shtëpia e patriotit Themistokli Gërmenji dhe që ka zbukuruar aq shumë kartolina e fotografi, me krenari mban mbi portën e saj pllakën me gërmat “T. T. I. 1928” që do të thotë “Tashko Tasi Ilo 1928”.

Shtëpia e patriotit Tashko Ilo në Korçë.

Filed Under: Featured Tagged With: Niko Kotherja, Tashko Ilo

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 829
  • 830
  • 831
  • 832
  • 833
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT