• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA FESTOI PESË VJETORIN E SHENJTËRIMIT DHE FESTËN E NËNË TEREZËS SI SHENJTE

September 5, 2021 by s p

Sokol Paja

New York, 5 Shtator 2021- Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA organizoi një ceremoni madhështore në nderim të pesë vjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës dhe festën e saj (5 Shtator) si Shenjtore e Kishës Katolike dhe e Kombit Shqiptar. E ftuar speciale në këtë ceremoni nderimi e festimi ishte PhD Ines Murzaku, profesore e Historisë Kishtare, Drejtoreshë e Programit të Studimeve Katolike dhe Themeluese e Departamentit të Studimeve Katolike në Universitetin Seton Hall në New Jersey. Ceremoninë e nderimit e hapi kryetari i Federatës Vatra z.Elmi Berisha i cili u ndal te simbolika e jashtëzakonshme që ka Nënë Tereza shqiptare në botën universale të vlerave dhe rëndësinë që ka për botën që kombi shqiptar ka nxjerrë një Shenjte dhe një njeri të jashtëzakonshëm, një grua dhe nënë universale. Presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj dhe Sekretarja e Përgjithshme zonja Nazo Veliu u ndalën te mishërimi, mesazhet e paqes, dashurisë, universalizmit dhe vlerat e Nënë Terezës për kombin tonë dhe mbarë popujt e botës.  Prof. Ines Murzaku shpalosi për të pranishmit fakte të reja dhe një interpretim të fakteve rreth impaktit të Nënë Terezës në historinë e kishës katolike dhe historinë e kombit shqiptar. Nënë Tereza na fton të gjithëve që të bëjmë punë të vogla por me dashuri të madhe. Ky është modeli i shërbimit, përkushtimit, devotshmërisë dhe përshpirtshmërisë që Nënë Tereza kishte ndaj njerëzve në nevojë. Prof. Murzaku në fjalën e saj ndër të tjera tha se: “Mënyra e vogël e Nënë Terezës, gjërat e zakonshme të jetës, kur bëhen me dashuri të jashtëzakonshme, shndërrohen në diçka të jashtëzakonshme. Nënë Tereza u bë një nga avokatet më të zjarrta të të drejtave të njeriut, e cila për të, filloi me të drejtën për jetë, më themelore ndër të drejtat e njeriut. Për Nënë Terezën, Jezusi u identifikua me të varfërit, margjinalët, lebrozët, të palindurit dhe të vegjlit. Sipas Prof. Ines Murzaku mbrojtja e fuqishme e Nënës për jetën nga ngjizja deri në vdekjen natyrore ishte një çështje dinjiteti njerëzor dhe e të drejtave të njeriut, e cila ishte thellësisht kristologjike dhe kristocentrike – burrat, gratë, fëmija i palindur janë krijuar për gjëra të mëdha: të duan dhe të duan, dhe Jezu Krishti është si themeli ashtu edhe burimi i të gjitha të drejtave. Sipas Prof Murzakut Nënë Tereza ishte themeluese e një urdhëri fetar që shërben në 133 vende, pesë kontinente dhe ka 4,500 rregulltare. Nënë Tereza ishte një grua e fortë me një vision të qartë, që mundi të artikulojë thjeshtë, pa shumë llafollogji por me shumë vepra. Nënë Tereza ishte një grua figurë, që diti të përballojë kritikat me veprime, përulje. Nënë Tereza ishte grua  e përmbajtur që kishte dhuntinë e dëgjimit, fjalëpaktë. Nënë Tereza ishte një grua e komunikueshme. Nënë tereza ishte një grua mistike dhe teologe. Ajo ushtronte teologji aktive, vitrytet teologjike: besimi, shpresë, dashuri. Sipas Prof Murzakut dashuria dhe bamirësia shkojnë krah për krah – bamirësia është dashuria e Zotit, në të cilën dikush merr pjesë në veprimet e Zotit, ose merr shijen e dashurisë si dashuria e Zotit. Nëse motoja e Nënë Terezës zbatohet për bamirësinë, Nëna bëri gjëra të vogla me dashuri të madhe, duke i dashur ata që u shërbeu dhe duke imituar dashurinë vetëmohuese dhe sakrifikuese të Krishtit. Nënë Tereza e donte Zotin mbi të gjitha për hir të tij dhe e donte njerëzimin për hir të Zotit. Nënë Tereza luftoi për periferikët, për të gjithë ata që nuk kishin mundësi të mbroheshin, që nuk kishin zë, ajo i solli problemet e tyre në qëndër, i bëri centrale. Nënë Tereza ishte Ambasadorja më e mirë e të varfërve, sepse ajo ishte një me ta. Ka shumë që flasin për të varfërit por nuk janë një me ta. Nënë Tereza lufoi për të ndërtuar paqe midis njerëzve, një paqe që ajo me thjeshtësinë e saj e shikonte si të mundshme kur kjo paqe fillonte në familje, hartoi harten e paqes, ose paqja simbas Nënë Terezes. Nënë Tereza nuk dallonte apo nuk shërbente me dallime feje, ideje, apo ideologjie. Sipas Prof Ines Murzakut, Nënë Tereza nxori tetë parime praktike në jetë: PARIMI 1: Kini një ëndërr të madhe, artikulojeni qartë. Krijoni një vizion që është i thjeshtë. Thuajeni fort me fjalë dhe veprime në çdo moment të mundshëm. PARIMI 2: Mos kini frikë nga kritikat – përballojini ato me sinqeritet dhe besim – kushdo gabon, por ai që përparon përfiton nga kritikat. PARIMI 3: Prisni, dëgjo me vëmendje. Mos thuani fjalën e fundit në fillim. PARIMI 4: Dyshimi është pozitiv. Pyetni pa pushim por jo të pyesni për të pyetur të tërhiqni vëmëndje. PARIMI 5: Zbuloni gëzimin e disiplinës – Disiplina mund t’ju sjellë gëzim dhe sukses. PARIMI 6: Komunikoni në një gjuhë që njerëzit e kuptojnë. PARIMI 7: Kushtojini vëmendje pastruesit, portierit – të gjithë kanë vlera e nga ato vlera mund të mësoni. PARIMI 8: Përdorni fuqinë e heshtjes – Qetësoni mendjen dhe dëgjoni, heshtja është e shëndetshme” – përfundoi leksionin e saj për të pranishmit PhD Ines Murzaku, profesore e Historisë Kishtare, Drejtoreshë e Programit të Studimeve Katolike dhe Themeluese e Departamentit të Studimeve Katolike në Universitetin Seton Hall në New Jersey.

Filed Under: Featured Tagged With: agim Rexhaj, Elmi Berisha, Ines Murzaku, Nazo veliu, Nene Tereza, Sokol Paja, Vatra

SHËNIM NË PËRKUJTIM TË 5 VJETORIT TË SHENJTËRIMIT TË NËNË TEREZES

September 5, 2021 by s p

Nga Ndue  BACAJ

Si sot 5 shtator të vitit 1997 nga planeti Tokë u shua një yllë mbi yje që sillte dritë, paqe, harmoni e shpresë për jetën. U shua nga kjo botë e përkohëshme për t’u ngjitur lart në Qiell, në atë Botë të amshueme që pushojnë shpirtërat e pafund të njerëzve që përcuallën mijëra e mijëra vite, të mjeruara e lumturuara. U shua Nënë Tereza, duke na lënë si kujtim veprat e saja të kryera për njerëzit në nevojë thuajse në çdo cep të globit tonë, duke na lënë në këtë tokë trupin të cilin e kishte marrë përkohësisht, ndërsa shpirti i saj e ka vendin në Parajsën që rrinë Engjëjt. E ne veten tani e kuptojmë se Nënë Tereza nuk kishte qenë një njeri i kësaj toke, por kishte qenë një Engjëll i vërtetë që vetë Zoti ja kishte falë përkohësisht kësaj bote halleshume. Është fat i paçmuar për Racen tonë Iliro-Shqiptare që vetë Krijuesi zgjodhi bijën tonë për ta shenjtëruar, pasi në trupin e saj kishte dërguar shpirtin e shenjtë, duke e bërë shenjtore të kësaj bote ndoshta në zgrip të besimit se Zoti e kishte “harruar” njerëzimin që e kishte falur vetë… si shëmbëlltyrën e tij. Zgjedhja e bijës sonë Nënë Tereza për ta bërë shenjtore nuk kishte qenë e rastësishme, pasi nga Raca jonë ndër dy-mijë vitet Kristianizëm, i kishim falur këtij besimi jetdhënës rreth 600 shenjtorë e martirë, që gjaku dhe veprat e tyre janë në themelet e këtij besimi e qytetërimi, frutet e të cilit i gëzojnë edhe ata që nuk e duan sot në shekullit XXI. Gjithsesi kur besimi dhe qytetrimi Kristian i Europës ishte në zgrip në shekullin XV, vetë Krijuesi bëri emër që po nga raca jonë të lindë “Mesia” Gjergj Kastrioti, i cili me shpatën e shenjtë mbrojti qytetrimin dhe besimin e Arbërisë dhe vetë Europës plakë… Siç e thamë më sipër, përsëri nga raca jonë në shekullin e XX lindi një Shenjtore tjetër, fama dhe shenjtëria e së cilës u shpërnda në të gjithë Botën. Ajo lindi në vitin 1910 në një lagje të Shkupit nga prindërit shqiptarë Kolë e Dranne Bojaxhi, dhe emri i saj si krijesë e brishtë e kësaj bote kishte qenë GONXHE, dhe këtë emër e mbajti derisa kjo gonxhe çeli lulen e shenjte, që pas thirrjes shpirtërore nga vetë Jezu Krishti, kjo bijë e racës sonë ju përkushtua me sakrifica besimi e ndjejave njerzore, për të sjellë shpresë tek të dëshpëruarit, për të sjellë jetë tek ata që po vdisnin, për të sjellë shërim tek të sëmurët, për të sjellë besim tek të paorinetuarit. Nënë Tereza këtë emër e mori gjatë misionit të saj të bamirësisë, tek motrat Loreto e pastaj krijoi misionin e saj që e përhapi në 123 vendet e botës, ku India e Largët ishte epiqendra e deri në atdheun e saj të sapo çliruar nga diktatura komuniste. Misioni i shpresës së bamirësisë së Nënë Terezës ishte aq i madh sa e njohën jo vetëm shtete e qeveri, por edhe vetë Vatikani. Misioni i Nënë Terezës zgjati mbi 60 vite, kohë që e bëri të thirrej bijën tonë Moter, Nënë e më në fund Shenjëtore, të të gjithë botës. Bota e civilizuar jo vetëm ja njohu veprat e bamirësisë e mëshirës për njerëzit në nevojë, por e vlerësoi Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe mbi të gjitha Çmimin NOBEL për Paqe me 1979,  ndërsa mjerisht shteti komunist në ato kohë e anatemonte dhe nuk e lejonte të vinte as tek varret e njerëzve të saj të dashur në Tiranë (Nënës e Motrës). Shqip “Ne” duke i mbyllë dyert bijës sonë, Nënë e Botës e paqes dhe bamirësisë , ne i mbyllëm vetvehtes shpirtin e Shenjtë që Zoti kishte dërguar mbi ne… Gjithsesi Nënë Tereza na fali ne shqiptarëve, sepse e dinte se nuk jemi ne populli që e përbuznim e mbyllnim dyert, por ishin djajtë e kuq që na kishin kapur për fyti (ndoshta si sprovë nga vetë Krijuesi). Nënë Tereza lutej për të gjithë popujt e botës që vuanin nga mjerimi, skamja, padrejtësia si dhe sëmundjet e Epidemitë, dhe ndër lutjet më të fuqishme duket se kishin qenë edhe ato për popullin e saj shqiptar që lëngonte nga epidemia e kuqe. Zoti duket se i dëgjoi lutjet e bijës sonë Nënë Tereza, dhe bëri emër që lëngata e kuqe të rrëzohet nga froni sundimtar, duke na futur në rrugën e pluralizmit, lirisë e demokratisë dhe besimit në Zot, dhe në vlerat tona të mohuara për dekada. Në pak vite që i kishin mbetur mbi këtë tokë bijes sonë të Shenjtë Nënë Terezës, ne e nderuam e respektuam si asnjë popull tjetër në botë, ndërsa bija jonë hyjnore na fali e na njohu si “GJININË” e saj, shpesh mëkatare jo për fajin tonë… Me 5 shtator 1997 i madhi Zot thirri pranë vehtes në Qiell bijën tonë Nënë Tereza, së bashku me shpirtin e Shenjtë që vetë ja kishte dërguar për dhjetëra vite… Fatësisht vetë selia e shenjtë me anë të ish Papës Famëmadh Gjon Pali II falenderoi kombin tonë për këtë bijë të shenjtë që i dhamë kësaj bote halleshume, ku ndër të tjera do të thoshte: “… Edhe në kohën e Izolimit të plotë të Shqipërisë kjo rregulltare e përvuajtur ishte ajo që përçonte emrin e atdheut tuaj në mbarë Boten. Në personin e Nënë Terezës Shqipëria është nderuar gjithmonë, pasi ky ishte misioni i saj dhe i gjithë atyre ndjekësve të vërtetë të Krishtit dhe Apostujve të tij që përhapnin dashurinë dhe jetën mbi dhembshurinë e kësaj bote. Për këtë ju falenderoj sot (Ju shqiptarëve) në emër të Kishës Katolike, që i falët botës këtë bijë të madhe të tokës e popullit tuaj…” Vatikani me 19 tetor 2003 nisi proçesionin e Shenjtërimit të Nënë Terezës, procesion  që “kulmoi” me firmosjen e dekretit të shenjtërimit të Nënë Terezes  me daten 4 shtator 2016 nga Papa Francesku, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes saj (5 Shtatori), që njihet edhe si dita e festës së saj.  Është me vlera të thuhet se, në shtetin e Nju Jorkut (USA), Senati dhe Asambleja e këtij shteti kanë shpallë  (në 2017) , 4 shtatorin  festë zyrtare që  do njihet  si të gjitha festat e tjera të veçanta. Neper  Botë në përgjithësi e në trojet etnike Shqiptare në veçanti filluan t’i kushtojnë shumë vepra arti e emërtime të ndryshme, ku spikat ndertimi  i Katedrales kushtuar Shenjtores Terezë në Prishtinë (Kosovë) , shugurimi i të cilës u bë me 5 shtator 2017 , me rastin e 20 vjetorit që Nënë Tereza ndërroi jetë. Vlenë të shënohet se në Shkodër para disa viteve  pas shumë vështirësive (që suallen disa  gjykime me mendësi   antieuroperëndimore) , u bë e mundur që në qendër të qytetit të kemi “truporen” e saj , e cila me sa duket do të zëvendësojë për Shkodrën e Malësinë Zojën e Shkodrës, të larguar nga rreziku i aziatikëve (turko-osman) që në vitin 1467… Nënë Tereza , sot Shën Tereza na ka lënë të shkruar edhe qindra shkrime e vargje me fjalë shpirti, të cilat i perkasin filozofisë toksore e hyjnore, ku me këtë rast mendova të citoj atë me titull Himni i jetës:

“ Jeta është bukuri, admiroje.

Jeta është një shans, kape.

Jeta është lumturi, shijoje.

Jeta është ëndërr, bëje realitet.

Jeta është sfidë, përballoje.

Jeta është detyrë, kryeje.

Jeta është lojë, luaje.

Jeta është e çmuar, kujdesu për të.

Jeta është pasuri, ruaje.

Jeta është dashuri, dhuroje.

Jeta është mister, zbuloje

Jeta është premtim, plotësoje.

Jeta është trishtim, kaloje.

Jeta është himn, këndoje.

Jeta është betejë, pranoje.

Jeta është aventurë, rrezikoje.

Jeta është lumturi, meritoje.

Jeta është jetë, mbroje”.

Duke i ardhur fundi këtij shënimi të vogël, me rastin e 5 vjetorit të madhnueshëm të shenjtërimit të Nënë Terezes, mendova të kujtoj fjalët domethënëse të shkruara nga dora e saj në gjuhen shqipe, Oslo, 10 dhjetor 1979: “Unë gjithmon e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shumë i luti Zotin që Paqja e Tij te vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjith botën. Lutim shumë për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve. M. Teresa Bojaxhiu”

Faksimile e letres së shkruar nga Nënë Tereza, dhe publikuar nga Ministria e Jashtme , Oslo 10 dhjetor 1979.

Ndersa edhe unë si autor i këtij shenimi përkujtimor, kam një lutje për Shë Terezen, shenjëtorns tonë:

“SHENJTA TEREZA LUTU PËR NE MËKATËNOR TË KTHEHEMI NË SOFRËN EUROPERËNDIMORE TË LARGUAR PREJ KOHËSH PADREJTËSISHT DHE PA DËSHIRËN E SHUMICËS SË SHQIPTARËVE…. Lutu Shenjtorja jonë të na kthehet Shenjtëria, paqja dhe Harmonia, aq të nevojshme për të gjetur rrugën e begatisë e mirëqënies… LUTU.” 

Malësi e Madhe, 4-5 shtaator 2021

Filed Under: Featured Tagged With: Ndue Bacaj, Nene Tereza, Vatikani

MENDIMET, MREKULLITË DHE SHENJTËRIMI – VEPRA TË DASHURISË DHE LUMTURISË NJERËZORE DHE HYJNORE QË NDIKUAN NË SHENJTËRIMIN E SHËN NËNË TEREZËS

September 5, 2021 by s p

ARGJIRA UKIMERI 

SHTATOR 2021 – PRIZREN 

 “Zoti jem, po më vjen keq me gjithë zemër për gjithë mëkatet që kam ba, se kam bjerrë parrizin, kam meritue ferrin, por ma fort se t’kam fye Ty, o e mira e pambarueme që kaq fort m’ke dashtë. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të nap fjalën, me ndihmën tënde, mos me t’fye ma kurrë”. – Ishte kjo lutja që çdo herë Shën Nënë Tereza i drejtohej Zotit Hyj. 

Person i dashtun për të gjithë, Ndihma e saj për të sëmurët, nevojtarët, të pastrehët, hapja e shkollave dhe zhdukja e analfabetizmit, ndikuan që e gjithë bota të njehë shpirtin human të Shën Nënë Terezës. E ndikuar nga forca e Shkrimeve të Shenjta, Dashuria e Hyjit dhe ndikimi i tij në Terezën me shtatë-shkurtër por me një zemër të madhe, arriti të thyej autoritetin e heshtjes globale ndaj varfërisë, dhe skamjes që mbizotëronte atë kohë në mbarë globin. Në mënyrë lunatike, Shën Nënë Tereza përmes veprave pozitive, edhe njherë u tregoi të gjithëve që përmes përkrahjes, vullnetit jemi më afër Zotit. Mbi të gjitha “ZOTI ËSHTË DASHURI”

MREKULLIA DHE LUMNIMI I NËNË TEREZËS

Më 5 shtator 1997, vdiq Gonxhe Bojaxhiu. Pas vdekjes së saj, Selia e Shenjtë në Vatikan filloi procesin e lumnimit të Nënë Terezës. Ky process, është hapi i dytë që të drejton kah Kanonizimi. Mu për këtë çështje (Lumnimin), u emërua Kolodiejchuk – Postulator nga Dioqeza e Kalkutës. Pas emërimit të tij, Kolodiejchuk u shprehë kështu: “Ne nuk kemi pse të vërtetojmë se ajo ishte e përsosur. Ose nuk bëri ndonjë gabim.  Ai duhej të dëshmonte se veprat dhe vyrtytet e Nënë Terezes ishin heroike. Poashtu, Kolodiejchuk përgatiti dhe dorëzoi 76 dokumente, të shkruara në 35.000 faqe. Të gjitha këto dokumente, bazoheshin në intervista të ndryshme, dhe kishte gjithësej 113 dëshmitarë. Këtyre të fundit u kërkohej që të përgjigjeshin në 263 pyetje të ndryshme. Vatikani, me shumë kujdes i studioi të gjitha kritikat e botuara dhe të pabotuara, që u shkruan për jetën, veprën dhe  mrekullitë e Shën Terezës,  Hitchen dhe Chatterie, botuan një libër krtik për Nënë Terezën, ku edhe në gjykatë kundërshtuan çdo gjë që kishte të bënte me këto çështje. Mirëpo, akuza dhe pretendimet e ngritura u hetuan nga KONGREKACIONI PËR KAUZAT E SHENJËTORËVE. 

Ndërsa grupi i caktuar për këto çështje, nuk gjeti asnjë pengesë të vetme për Kanonizimin e Nënë Terezës. Kështu që, ky Kongrekacion lëshoi edhe obstetrin e saj NIHIL, më 21.04.1999. Edhe disa shkrimtarë të tjerë katolik, kundërshtuan ashpër Kanonizimin e Gonxhes, duke e quajtur një SHENJË KUNDËRSHTIE. Duke anashkaluar kritikat, dhe duke u bazuar në fakte dhe argumente, një komunitet i veçantë mjekësor vendosi që të njohë të gjitha mrekullitë e Shën Nënë Terezës. TË GJITHA MREKULLITË E SAJ, JANË DËSHMI E NDËRHYRJES HYJNORE – ishte shprehur KOLODIEJCHUK. 19.10.2003 – ishte koha kur ANJEZË GONXHE BOJAXHIU – u lumturua. Sot mbarë rruzulli tokësor, ndihet i bekuar nga personaliteti i saj HYJNOR.  

KANONIZIMI

Kanonizimi si process në vete, kërkon një document, një dëshmi të një apo më shumë mrekullive, që vijnë nga ndërhyrja e atyre që do të bëhen Shenjëtor të ardhshëm.  Shën Nënë Tereza, ishte shembulli më i mirë i dashurisë, dhembshurisë, përvujtërisë dhe ndihmës për mbarë njerëzimin. Shpirti i saj human, dhe ndihma që iu dha njerëzve në nevojë, pasqyron rolin dhe rëndësinë e femrës në shoqëritë njerëzore. E tillë ishte Nënë Tereza, që përveç përkrahjes morale dhe shpirtërore, arriti që të shëroi shumë njerëz të tillë në mbarë rruzullin tokësor. Shumë të sëmurë u shëruan nga veprat dhe dora e saj. Më poshtë, do të përmendin vetëm disa prej tyre, që dërguan Nënë Terezen drejtë Kanonizimit, Lumnimit dhe Shenjtërimit të saj.

E njohur ndërkombëtarisht, për veprat e saj Nënë Tereza bëri mrekulli. Rasti i parë ishte një grua nga Bengali – Indi. Gruaja me emrin Monica Besra, kishte që vuante nga një tumor në bark rreth 17 cm. Pas shumë shërbimeve mjekësore dhe gjëra të tjera që kishte provuar familja e saj, asgjë nuk funksiononte. Mirëpo, Monica po vdiste pak nga pak nga sëmnudja. Më 5 shtator, në përvjetorin e parë të vdekjes së Nënë Terezes, një motër mori medaljen e Marias. 

Kjo ndodhi për shkak që gjatë funeralit të Nënë Terezës  (ia kishte prekur trupin e saj) dhe e vendosi në stomakun e Monicas dhe bëri një lutje të thjeshtë: “Nënë, sot është dita jote. Ti i ke dashur të varfërit. Bëj diçka për Monican”. E gjithë kjo ngjarje ndodhi në orën 17, pasdite. Ndërsa në orën 1 në mesnatë, Monica u ngritë që të shkoi në banjë. Aty zbuloi që barku i saj ishte i rrafshtë. Lidhur me këtë mrekulli, janë konsultuar gjithësej 11 mjekë. Vetëm njëri prej tyre ishte Katolik.

  • Ishte viti 2008, kur Shën Nënë Terezës iu njohë dhe mrekullia e dytë. Shën Nënë Tereza kishte shëruar një Brazilian që vuante nga disa turmore në tru. Marcilio Haddad Andrino, kishte deklaruar që mjekët nuk ia kishin dhënë asnjë shpresë të vetme për shërimin e tij nga sëmundja. E vetmja shpresë për të jetuar ishte Fernanda – gruaja e tij. Kjo lutej vazhdimisht. Pas lutjeve të shumta, gruaja beson që ishte ndërhyrja e Nënë Terezës në shërimin e burrit të saj, në kohën sa ishte nën kujdesin intensive.  Me lutjet e shumta që drejtoi Fernanda për bashkëshortin e saj dhe ndërmjetësimin e Nënë Terezës, tregohet edhe një mrekulli e saktë për motrën dhe bijën tonë – që sot është Shenjëtore për mbarë njerëzimin.  

Vlen të përmendet që, më 17.12.2015, Zyra e Shtypit në selinë e Shenjtë konfimrohet që Papa Françesku njohu mrekullitë e Nënë Terezës 1. Shërimin e Gruas nga India dhe 2. Shërimin e burrit nga Brazili – që të dy vuanin nga Tumoret. Mrekullitë së pari erdhën në vëmendjen e posulacionit. Kjo ndodhi kur ATI I SHENJTË, ndodhej në Brazil në korrik të vitit 2013, kur festohej DITA BOTËRORE E RINISË. Pas kësaj ngjarje, u dhe një hetim tjetër po në Brazil në 19-26.06.2015, që më pas u transferua në Kongrekacionin për Kauza të Shenjëtorëve, ku u lëshua një dekret. Përmes këtij dekreti u pajtua dhe u pranua që hetimet të përfundojnë.  Kanonizimi i Shën Nënë Terezës u bë në një ceremony në Sheshin Shën Pjetri në Romë me datë 04.09.2016. Kjo ngjarje u dëshmua nga dhjetrëa mijëra njerëz. Përfshirë këtu 15 delegacione qeveritare, mbi 1500 njerëz nga Italia, dhe mijëra njerëz ga e gjithë bota. E tërë kjo ngjarje interesante u transmetua edhe nga mediumet më të mëdha botërore.

Poashtu, në qytetin e lindjes së Nënë Terezës, festohej pambarimisht. Ndërsa në Indi, në një Meshë të veçantë u festua kanonizimi i saj nga Minsionarët e Bamirësisë në Kalkulta. Më poshtë do të shohim disa nga këto mendime:

  • Presidenti Pratibha Patil, për Nënë Terezën tha kështu: “E veshur me një sari të bardhë me një kufi blu, ajo dhe motrat e Misionarëve të Bamirësisë u bënë një simbol i shpresës për shumë njerëz – të moshuarit, të varfërit, të papunët, të sëmurët, të sëmurët përfundimisht dhe ata të braktisur nga familjet e tyre!
  • Kardinali i njohur Paskal, dha mendimin e tij: S’ mund të jetë një popull i vogël, derisa ka dhënë një person aq të madh sikur Nënë Tereza. Gonxhe Bojaxhiu, u bë urë ndërlidhëse e njohjes së Shqipëtarëve dhe Botës. 
  • Papa Gjon Pali II (Carol Voytilla), për Shën Nënë Terezën u shprehë kështu: “MADHËSHTINË E SAJ E SHIKOJMË NË AFTËSINË E SAJ PËR TË DHËË PA MARRË ASGJË, PËR TË DHURUAR – DERI NË DHIMBJE” GJITHË JETA E SAJ ISHTE UNGJILLI I GJALLË. 
  • Ish presidenti i SHBA-ve BILL CLINTON, duke u mbështetur në punën, dëshirën dhe çdo gjë tjetër që bëri Nënë Tereza, shprehu dëshirën dhe dashurinë mbi popullin shqiptar. Në qershor të vitit 2002, për Nënë Terezën tha kështu:  “NËNË TEREZA, ISHTE E PARA QË MË BËRI TA DUA KOMBIN SHQIPTAR. TANI NDIHEM SHUMË KRENAR PËR KËTË. KËTU E PLOTËSOVA NJË DETYRIM MORAL NDAJ SAJ DHE NDAJ VLERAVE TË LIRISË” NDIHEM SHUMË KRENAR PËR NJË NËNË KAQ TË MADHE” 
  • Ish sekretari i përgjithshëm i UN Javier Perez de Cuellar, shprehet: Përkushtimi i saj gjatë gjithë jetës për kujdesin e të varfërve, të sëmurëve dhe të pafavorshëmve ishte një nga shembujt më të lartë të shërbimit për njerëzimin. “Ajo është Kombet e Bashkuara. Ajo është paqe në botë,  mua që ta lë Atë të ketë një dorë të lirë. “
  • Papa Benedikti XVI, Nënë Terezën dhe jetën e saj, e kishte përmendur 3 herë në veprën e tij DEUS CARITAS EST (ENCIKLIKA E PARË E TIJ). Në pikat kryesore të kësaj vepre shkruhet kështu: NË SHEMBULLIN E TEREZËS SË BEKUAR TË KALKUTËS, KEMI NJË ILUSTRIM TË QART TE FAKTIT SE KOHA E KUSHTUAR ZOTIT NË LUTJE, JO VETËM QË NUK E PRIVON NGA SHËRBIMI EFEKTIV DHE I DASHUR NDAJ FQNJËVE TANË, POR NË FAKT  ËSHTË JË BURIM I PASHTERSHËM I KËTIJ SHËRBIMI. Poashtu, ATI I SHENJTË shkruan kështu: “VETËM LUTJA MENDORE DHE LEXIMI SHPIRTËROR, MUND TA KULTIVOJNË DHURATËN E LUTJES SONË”
  • Ndërkaq, historiani dhe profesori i njohur amerikan, Douglas Brinkley tregon kështu: QYSH NGA KOHA E KONSTANTINIT TË MADH, E DERI NË DITËT E SOTME, PËRVEÇ NËNË TEREZËS, GADISHULLI BALLKANIK NUK KA ASNJË PERSONALITET ME RËNDËSI KAQ TË MADHE, DHE NJË PERSON MË TË SHQUAR

SHËN ANJEZË BOJAXHIU – LUTU PËR NE TË GJITHË

Filed Under: Featured Tagged With: Argjira Ukimeri, Nene Tereza, shenjtorja shqiptare

NESËR NË VATËR “DY FESTA NË NJË DITË”: PESË VJETORI I SHENJTËRIMIT DHE FESTA E NËNË TEREZËS SI SHENJTE

September 4, 2021 by s p

Dielli/


Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA do të organizojë nesër ditën e Dielë më 5 Shtator ora 11:00 AM në Selinë Qëndrore të Vatrës me adresë: 2437 Southern Blvd, Bronx, NY 10458, një ceremoni festive me rastin e pesë vjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës, dhe festën e saj (5 Shtator) si Shenjtore e Kishës Katolike dhe e Kombit Shqiptar nga Papa Françesku në Vatikan. E ftuar speciale në këtë ceremoni nderimi e festimi do të jetë Ines Murzaku, profesore e Historisë Kishtare, Drejtoreshë e Programit të Studimeve Katolike dhe Themeluese e Departamentit të Studimeve Katolike në Universitetin Seton Hall në New Jersey. Prof. Murzaku do shpalosë për të pranishmit fakte të reja dhe një interpretim të fakteve rreth impaktit të Nënë Terezës në historinë e kishës katolike dhe historinë e kombit shqiptar. Vatra fton të gjithë komunitetin shqiptar në USA dhe më gjërë që të bëhet pjesë e një ceremonie madhështore festimi e nderimi në respekt dhe vlerësim të shqiptares së madhe, Shenjtores së Kombit tonë Nënë Terezës, për të festuar “Dy Festa në Një Ditë”.Pjesëmarrja juaj na nderon.

Filed Under: Featured Tagged With: PhD.Ines Murzaku, Vatra

Shën Nëna Tereze: jeta, porosia, trashëgimia dhe risia

September 4, 2021 by s p

Don Lush GJERGJI

                     (5 – vjetori i shenjtërimit)

  1. Jeta

Gonxhe Bojaxhiu u lind në Shkup më 27 gusht 1910 nga prindërit shqiptarë katolikë Kolë Bojaxhiu dhe Drane, lindur Bernaj – Bojaxhiu, me prejardhje nga Prizreni dhe Novosella e Gjakovës. 

Shkollën fillore – katër vitet e para – i kreu pranë famullisë së “Zemrës së Krishtit”, ndërkaq vitet tjera dhe gjimnazin në shkolla shtetërore. 

Në moshën 18  vjeçare vendosi t’i shërbente plotësisht Zotit, Kishës, njeriut, përmes jetës rregulltare të “Motrave të Loretos” që vepronin në Kalkutë. Dhe atje bëri studimet universitare histori – gjeografi, dhe për pak kohë punoi i infermiere, pastaj si profesoreshë dhe drejtoreshë e shumë shkollave të mesme në Kalkutë. 

Në vitin 1946 braktisi rregullin për t’iu kushtuar tërësisht “të varfërve ndër më të varfër”. 

Në vitin 1950 themeloi motrat “Misionaret e Dashurisë”, pastaj “Vëllezërit Misionarët e Dashurisë” (1963), “Bashkëpunëtorët e Nënës Tereze”(1969), “Misionaret e Dashurisë – dega kontemplative” (1976) dhe “Vëllezërit e Fjalës – dega meshtarake” (1977).

Mori gati të gjitha shpërblimet më të larta kishtare dhe shekullare; edhe atë Nobel për Paqe (1979). 

Mbarë bota e çmoi dhe nderoi me titullin më të lartë dhe më të ëmbël: Nëna e Dashurisë.

Si në jetë, ashtu edhe në vdekje dhe salikim, si në lumturim, ashtu edhe në shenjtërim, mblodhi dhe bashkoi mbarë botën pa asnjë dallim dhe  përjashtim.

U kthye në “Shtëpinë e Atit” apo ndërroi  jetë më 5 shtator 1997. Qe lumturuar nga Papa Shën Gjon Pali II (19 tetor 2003), ndërsa u shenjtërua nga Papa Françesku më 4 shtator 2016.

Në jetën dhe veprën e Nënës Tereze kemi tri faza kryesore jetësore që mund t’i dallojmë dhe t’i quajmë edhe me tri emërtime: Gonxhe Bojaxhiu (1910 – 1928), Motra Tereze e Loretos (1929 – 1950) dhe Nëna Tereze – Misionare e Dashurisë (1950 – 1997).

Këto tri periudha jetësore kanë tri qëndrime apo orientime, përcaktime themelore që përputhën me tri virtyte hyjnore: FEJA, SHPRESA dhe DASHURIA.

Për Nënën Tereze feja ishte kërkim, shpresa veprim, ndërsa dashuria flijim dhe dhurim.

Ajo ka folur pak, por ka vepruar shumë, mbi të gjitha ka dëshmuar fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë, si dy shtylla të forta dhe të pathyeshme për jetë dhe për veprimtari. 

  1. Porosia

“Sa më pak kemi, aq më shumë japim, sepse e japim vetveten.”

“Dashuria mjekon  vetminë.” 

“Nëse i gjykojmë të tjerët, nuk kemi kohë për t’i dashur.”

“Shumë njerëz flasin për të varfër, por pak kush flet me të varfër.”

“Buzëqeshja kushton pak, por dhuron shumë.”

“Mos e kërkoni Zotin në toka të largëta. Ai është afër jush, në ju.”

“Varfëria më e keqe është mungesa e kujdesit dhe dashurisë.”

“Dita e djeshme ka kaluar, e nesërmja s’ka ardhur ende. Ne kemi vetëm: sot. Të fillojmë.”

“Vepra të vogla me dashuri të madhe.”

“Zoti është bukë. Zoti është dashuri. Zoti është gjithnjë.”

“Jezusi në Eukaristi është i njëjti edhe në çdo njeri, vëlla apo motër.”

“Nëse nuk jeton për të tjerët, nuk jeton fare.”

“Jepe pjesën më të mirë të vetvetes, zemrën, dashurinë.”

“Duaje jetën domethënë jeto dhe vepro me dashuri dhe për dashuri.”

“Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën.”

“Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim.”

“Veprat e dashurisë janë vepra të paqes.”

“Nëse dëshiron ta ndërrosh botën, ndërroje vetveten.”

“Dashuria mjekon dhe shëron gjithçka.”

“Gërbula e botës perëndimore është vetmia.”

  1. Trashëgimia

Ajo dha gjithçka, mbi të gjitha vetveten dhe Zotin, nëpërmes dashurisë flijuese dhe dhuruese.

Ja disa ndër thesaret e saj për ne dhe për gjithë njerëzimin:

“Pa falje nuk ka as dashuri.”

“Dhurata më e bukur: falja.”

“Njeriu më i rrezikshëm: rrenacaku.”

“Mbrojtja më e mirë: optimizmi.”

“Fuqia më e madhe: feja.”

“Gjëja më e bukur në jetë: dashuria.”

“Nevoja më e madhe: Zoti.”

“Rreziku më i keq: vetmia.”

“Mundësia më e madhe: bashkimi.”

“Tjetërsimi më i keq: dyfytyrësia.”

“Dëshpërimi më i madh: zbulimi që mikun e ke armik.”

“Mësimi më i mirë: fëmija.”

“Suksesi më i madhe: e vërteta dhe dashuria.”

  1. Risitë

Nënë e dashurisë universale, si është Zoti krijues  dhe shpëtimtar i çdo njeriut; si është jeta, dhuratë dhe mundësi për çdo njeri; si është dashuri, burimi gëzimi, lumturie dhe  pavdekësie, amshimi. 

Gjithnjë kam studiuar dhe hulumtuar për rrënjët, burimin, zanafillën e këtij përkushtime dhe dashurie kaq prekëse dhe tërheqëse për mbarë botën. Përfundimi im është ky: janë dy burime unike që e kanë përgatitur dhe dhuruar atë gjithë botës:
• tradita dhe përvoja kombëtare ilire, arbërore dhe  shqiptare, që mbështetet në këtë parime të shenjta dhe domethënëse: “Bukë, krip dhe zemër”, dhe: “Shtëpia është e Zotit dhe mysafirit”;” Mirë së të ka pru Zoti!”…


• si dhe përvoja dhe jeta e dashurisë së krishterë në familje dhe në bashkësi famullitare, kur Jezusi identifikohet me çdo njeri: “Çka do bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjlit, e bëtë për mua” (Mt 25, 40).
• Ajo ishte Dashuria në veprim, siç e kam definuar unë, që ka dy burime të pashtershme për Nënën Tereze: Zotin – Dashuri dhe vëllain apo motrën Njeri. Askush në historinë e njerëzimit, as në atë të krishterimit, nuk kishte nisur dhe zbatuar një vepër të tillë pa kurrfarë përjashtimi kombëtar, fetar, gjinor, kastor, shoqëror, dhe vetëm ajo kishte arritur që t’i bashkonte të gjithë, hinduistët, budistët, myslimanët, të krishterët, ateistët, gnostikët, me fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë.

Kontemplative – aktive, gjithnjë dhe gjithçka  me Zotin, për Zotin, si dhe me njeriun dhe për njeriun, pa i ndarë apo përjashtuar kurrë nga jeta dhe veprimtaria. Ky “dualizëm” – Zoti dhe Njeriu apo Njeriu dhe Zoti – kanë krijuar te Nëna Tereze harmoninë e mrekullueshme nëpërmes fesë dhe dashurisë gjithnjë në kërkim dhe në veprim. 

Papa Françesku për Nënën Tereze në Shkup ndër të tjera tha :  “Uri për bukë, uri për vëllazëri, uri për Zotin. Si e njihte kaq mirë Nëna Tereze këtë uri, ajo që ka dashur që jetën e saj ta themelonte në dy shtylla: Jezusi i mishëruar në Eukaristi dhe Jezusi i mishëruar në të varfër. Dashuri që marrim dhe dashuri që dhurojmë. Dy shtylla të pandashme që e kanë karakterizuar ecjen e saj, e kanë lëvizur, edhe ajo me dëshirë për ta shuar etjen dhe urinë e Tij. Ka shkuar te Zotëria dhe në të njëjtën kohë ka shkuar te vëllai i nënçmuar, i padashur, i vetmuar dhe harruar; ka shkuar te vëllai dhe e ka gjetur fytyrën e Krishtit… “ (Shkup, 7 maj 2019).

Shenjtëresha e Jetës dhe Dashurisë: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne”; sidomos mbrojtjen e jetës së fëmijëve të pa lindur, njerëzve të dëbuar dhe të përjashtuar, të varfërve ndër më të varfër, të gërbulurve, të moshuarve, të atyre që gjithnjë pësojnë dhe fare nuk jetojnë, por vuajnë dhe pësojnë. Jeta pa dashuri është vetëm barrë, peshë, kryq, sepse kuptimi i jetës dhe veprimtarisë është Dashuria.

Vuajtja bekim e jo mallkim, duke ia gjetur kuptimin në vuajtjen e motivuar dhe të ofruar, në bashkë-ndarje me Jezusin dhe me çdo njeri. Solidariteti, edhe më tepër, dashuria në veprim është mjekimi universale për çdo të keqe në botë.

Ajo thoshte kështu: ”Të varfrit na japin ne shumë më tepër, na dhurojnë mundësinë që konkretisht ta duam dhe ta shërbejmë Jezusin i cili pëson në ta. Ata na japin falënderimin… Paqja do të vijë në botë nëpërmjet të varfërve. Të varfrit janë të detyruar të jenë të tillë, ndërsa ne jemi të varfra për dashuri ndaj Jezu Krishtit dhe për t’i kuptuar deri në fund ata që nuk kanë asgjë duke jetuar si ata dhe me ata… Jepni duart tuaja për shërbim të varfërve, zemrën tuaj për t’i dashur të varfrit. Dashuria e vërtetë është gjithmonë flijim dhe dhurim”.

Dhurim falas dhe në tërësi, si risia e pestë e Nënës Tereze, me dashuri dhe për dashuri, me hare dhe me falënderim. Ajo shpeshherë thoshte kështu: “Nëse nuk mund të bësh asgjë për të tjerët, atëherë së paku buzëqeshu, sepse kjo nuk të kushton asgjë, por jep shumë. Gëzimi duhet të jetë një ndër thesaret e jetës sonë… Kështu më thoshte Nëna Loke: ”Gonxhe Gjyli, bija ime, ose bëje këtë punë me zemër, ose mos e bëj aspak!” 

Dhe vazhdon kështu: ”Unë ju kam thënë motrave përgjegjëse për bashkësitë tona: Bota është plot mjerime, vuajtje, pikëllime. Ne duhet të dalim në botë për ta pakësuar vuajtjen, për të qenë rrezja e Dashurisë së Zotit. Ata që vuajnë duhet të gjejnë në ne Ungjillin ngushëllues… Çdoherë kur e takoni Jezu Krishtin në të varfër, buzëqeshini. Nëse nuk doni t’i buzëqesheni Jezusit në të varfër, më mirë mos dilni fare ose kthehuni së shpejti në kuvend…”.

Dhe ja, prapë mrekullia e dashurisë dhe e shenjtërisë: Më e varfra e botës, Nëna Tereze, më së shumti i ka ndihmuar të varfrit e botës, jo vetëm në anën materiale, por edhe më tepër në atë shpirtërore, sepse është dhuruar falas dhe tërësisht, me gëzim dhe me dashuri të plotë Zotit nëpërmes njeriut.

Çfarë risie sjell Nëna Tereze për ne shqiptarët dhe për mbarë njerëzimin? Atë që Shën Nëna Tereze ka thënë në kohë dhe në hapësira të ndryshme; atë që ajo na ka lënë si testament – amanet shpirtëror; atë që ajo ka mbjellë në ndërgjegje, shpirt, mendje, zemër dhe në jetën tonë, që të jemi bijtë dhe bijat shpirtërore të Nënës sonë të madhe.

Prandaj, dëshira ime është kjo: që mbarë populli Shqiptar, sidomos ajo pjesa që nuk ka pasur mundësi ta shihnin, dëgjonin, përjetonin për së afërmi, tani nëpërmes teksteve, fotografive, dorëshkrimeve burimore, botimeve, leximeve dhe meditimeve, ta njohim Shenjtëreshën e Jetës dhe të Dashurisë, Bijën, Motrën, Nënën tonë, tashmë edhe Shën Nënën e mbarë njerëzimit, me këto synime dhe qëllime:

Për ta njohur atë si ishte vërtet dhe është, sidomos në lidhje me Popullin dhe Kishën tonë; 

Për ta nderuar dhe falënderuar për dëshmi të mrekullueshme të historisë, lashtësisë, autoktonisë sonë ilire, arbërore dhe shqiptare, që na ngriti edhe ne në piedestalin e Nobelit dhe të Shenjtërisë; veçmas me ata të vuajtjes, pësimit, mjerimit, vetmisë, mungesës së kujdesit dhe të dashurisë;

Për ta imituar, së paku në  mirësi dhe dashuri, në rrethe tona personale, familjare dhe shoqërore ose siç do të na thoshte ajo me gojën dhe zemrën e saj: “jepe pjesën më të mirë të vetvetes” dhe “vepra të vogla me dashuri të madhe”;

Për ta krijuar kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, si dy shtylla jete dhe veprimi,  sipas parimi: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi edhe ne”.

Për t’iu lutur dhe kërkuar ndihmën dhe ndërmjetësimin e saj te Zoti, për të tashmen dhe të ardhmen tonë sa më të mirë dhe të lumtur.

Me një fjalë: unë jam munduar që me shkrime dhe botime të mia në 17 vëllime,  Gonxhen tonë, tash Shën Nënën Tereze, t’ia kthej Kishës dhe Popullit tonë Shqiptar, duke e paraqitur dhe mishëruar në fjalë, porosi, takime, afrime, bashkime, mendime, porosi, fotografi, dorëshkrime. 

Dhe për çdo njeri të mendjes së hapur e zemrës së mirë, ajo tashmë është një model jete dhe veprimi, një frymëzim feje dhe dashuri, një ndërmjetëse e fortë dhe e dashur, për hapat tanë jetësorë në të tashmen dhe në të ardhmen.  

Kjo trashëgimi, dhuratë, si shpërblim flijimi dhe martirizimi shekullor, si dëshmi e krishterimit ndër ne, e Ungjillit dhe traditës tonë, duhet gjithnjë të përkujtohet dhe kurrë të mos harrohet, sidomos në 5 – vjetorin e shenjtërimit të saj. Për këtë Nëna jonë Tereze ishte dhe do të mbesë “Ungjilli i gjallë”, të cilit ajo i besoi dhe e zbatoi me përpikëri dhe shumë dashuri, risia ungjillore,  “Misionarja e Dashurisë”, Nëna e botës së mjerimit, e tash Shenjtëresha e  Jetës dhe Dashurisë. 

Ne shqiptarët, bijtë dhe bijat e saj shpirtërore, jemi trashëgimtarë të kësaj historie dhe mrekullie, feje dhe dashurie, vëllazërie gjithë-njerëzore, për krijimin e bashkimit në dallime, mozaikut tonë historik dhe aktual.  

Shën Nëna Tereze lutu për Popullin  tonë Shqiptar, si dhe për mbarë botën!

 Prishtinë,  5 shtator 2021                                                        Don Lush GJERGJI

.

Filed Under: Featured Tagged With: 5 vjetori i shenjterimit, don Lush Gjergji, Nene Tereza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 85
  • 86
  • 87
  • 88
  • 89
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE
  • ALBANIAN HERITAGE BOOKSHELF INITIATIVE
  • Stuhitë “Bomb Cyclone”: Kur natyra teston kufijtë e shoqërisë moderne
  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT