• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Verior dhe jugor ose gegë dhe toskë

June 15, 2022 by s p

Ndriçim Kulla (Nderi i Kombit)

Në fakt Shqipëria nuk ka qenë e ndarë në toskë dhe në gegë në shekujt e fundit, por që shumë kohë më parë. Nuk shpjegohet se përse besnikëria ndaj klanit dhe fisit çonte në hakmarrje, e cila ishte personale. Në të vërtetë kjo besnikëri mund të conte në gjakmarrje që është një gjë tjetër. Edhe vendbanimet e toskëve dhe gegëve historikisht nuk kanë qenë ashtu siç thuhet në këtë studim, pra Gegëria më malore se Toskëria. Gegëria dhe Toskëria në shekuj, pra kur nuk ishin vendosur akoma kufijtë shtetërorë në 1912, nuk ishin ato që kanë qenë brenda kufijve të shtetit shqiptar pas vitit 1912. Vetëm që prej vitit 1912 kur u krijua shteti shqiptar, kufijtë e të cilit shkonin përmes tokave shqiptare, mund të thuhej se Gegëria brenda kufijve të shtetit shqiptar ishte më malore se Toskëria. Deri në 1912 Gegëria nuk mund të quhet aspak më e izoluar gjeografikisht se Toskëria. E izoluar nga kush? Pasi kanë bërë këtë panoramë, autorët e studimit na thonë se:

      Pas pavarësisë së arritur më 1912, toskët filluan të zhvillonin një klasë të mesme, e cila luajti një rol kryesor në përpjekjet për krijimin e një shoqërie bashkëkohore. Në 1925, Ahmet Zogu e kufizoi influencën e toskëve dhe filloi të siguronte besnikërinë e fiseve gegë.

Që klasa e mesme toske luajti një rol me rëndësi në zhvillimin e vendit, kjo është e vërtetë, por kjo ndodhi edhe për arsye se Zogu, pasi mori pushtetin në 1924, për 15 vjetët e ardhshëm që e sundoi vendin si President i Republikës dhe si Mbret, i dha shumë akses në qeverisje dhe në administratë klasës së mesme toske. Të gjithë kryeministrat dhe shumica e ministrave të kësaj periudhe ishin toskë. Po kështu ishin kryetarët e parlamentit, shumica e ambasadorëve etj. Sa për besnikërinë e fiseve gegë Zogu e siguroi me mënyra të tjera, kryesisht duke iu dhënë paga mujore si oficerë rezervë bajraktarëve të tyre.

Ndonjë studiues, madje edhe antropolog ka dashur që ndarjen toskë-gegë ta paraqitë edhe si racorë. Kështu ka bërë antropologu Eugene Pittard, i cili ka shkruar:

     Lumi i Shkumbinit, me valet e tij të murme i ndan shqiptarët në dy grupe: Në veri janë gegët, në jug janë toskët. Mes këtyre grupeve ka ndryshime dialektore. Një analizë antropologjike do të zbulonte ndoshta dhe ndryshime etnike. Kam bërë për këtë gjë krahasime, duke përdorur sidomos veçoritë e treguesit cefalik. Kam gjetur se gegët jane pak më të gjatë dhe më pak brakicefalikë se toskët.  

Edhe nëse e marrim të vërtetë atë që thotë Profesor Pittard, gjë që është shumë e dyshimtë, kjo nuk do të thotë asgjë. Sepse mund të gjesh brenda të njëjtit komb, ndryshime të tilla nga zona në zonë, për nga gjatësia dhe treguesi cefalik (përmasat e kafkës). Njerëz shtatlartë gjen shumë edhe mes toskëve, ashtu siç gjen shumë njerëz të shkurtër mes gegëve. Ithtarët e tezës së ndarjes racore mes toskëve dhe gegëve kanë kaluar deri në absurd, siç është rasti me Duncan. Heaton Armstrong, i cili në 1914 erdhi në Shqipëri si sekretar Princ Wied-it. Duncan Heaton Armstrong shkruan për përshtypjen racore që i bënë shqiptarët:

Çfarë përzierjeje njerëzish dhe kostumesh ishin mbledhur në shesh për të na pritur ne! Malësorë të gjatë nga Veriu, me koka të gjata të ngushta dhe flokë të verdhë, toskë nga Jugu, më të shkurtër dhe të hollë, çehreja verdhacake e të cilëve dhe kokët e rrumbullakta tregonin tiparet greke ose turke në gjakun e tyre dhe së fundi turma e evgjitëve me lëkurë shumë të errët!  

Sipas z. Heaton Armstrong koka e rrumbullakët na qenka një ekskluzivitet grek dhe turk! Sa për biondët ata i gjen si midis gegëve ashtu dhe midis toskëve. Përshkrime të tilla si ky më lart ishin sigurisht dashakeqe ndaj shqiptarëve.

Të tjerë autorë të huaj, që janë dhe njohës të mirë të Shqipërisë, kanë vënë re se ndarja toskë-gegë nuk është aspak e thellë dhe armiqësore dhe se ndarja gjuhësore toskë-gegë nuk shkon përtej ndarjes të rëndomtë dialektore që është në të gjitha gjuhët. Noel Malcolm shkruan:

     Dallimet gjuhësore ndërmjet gegëve dhe toskëve janë të dukshme, por jo aq të mëdha sa të pengonin komunikimin e ndërsjellë; në shumë aspekte dallimet nuk janë më të mëdha se ndasitë që ekzistojnë ndërmjet Skocisë dhe Jugut të Anglisë. 

Kjo vërtetohet edhe nga fakti që autorët e mëdhenj toskë apo gegë, poetët dhe shkrimtarët, nuk kanë pasur kurrë vështirësi për t’ u lexuar nga popullsia tjetër. Gjergj Fishta me poemën e tij epike “Lahuta e Malcis” ka qenë shumë i lexuar në Jugun tosk deri në kohën kur u ndalua nga regjimi komunist dhe më pas do të ishte përsëri shumë popullor, sa midis gegëve aq edhe midis toskëve, pas vitit 1990 kur “Lahuta e Malcis” ka njohur shumë botime. Në gjysmën e romaneve të Ismail Kadaresë, një shkrimtar tosk, ngjarjet zhvillohen në Gegëri. A do të mund të kishte ndodhur një gjë e tillë nëqoftëse midis dy zonave dhe dy popullsive do të kishte një ndarje kaq të madhe dhe madje armiqësi, siç pretendojnë disa autorë të huaj?

Por gjithashtu ka edhe autorë të huaj, nga njohësit e mirë të Shqipërisë, të cilët e kanë parë krejt ndryshe dallimin toskë-gegë. Jacquez Bourcart, një studiues francez që më pas u bë anëtar i Akademisë së Shkencave të Francës, i cili qëndroi në Shqipëri në vitet 1917-1920 me Ushtrinë e Francës, dhe vizitoi si Jugun ashtu dhe Veriun e Shqipërisë, e gjeti ndarjen krahinore dhe gjuhësore të Shqipërisë më të vogël se në Francë. Ai shkruan në librin e tij “Shqipëria dhe shqiptarët”:

Shpesh herë nga studiues të ndryshëm kundërvihen dy dialektet e shqipes, ai geg dhe ai tosk, të cilët mendohet se u përkasin dy tipeve etnikë të ndryshëm, atij të veriut dhe atij të jugut të Shqipërisë. Por ky dallim, i paraqitur në trajtën e sipërpërmendur, është mjaft i thjeshtëzuar. Në të vërtetë, në një vend ku rrugët e lidhjeve midis viseve janë mjaft të vështira, krahinat e ndryshme kanë ruajtur tiparet e tyre të veçanta, doket e zakonet si dhe dialektet e tyre. Ndërkaq mund të themi se në të vërtetë vërehen më shumë ndryshime midis dialektit të Dibrës dhe atij të Mirditës, që janë krahina gjeografikisht mjaft afër njëra-tjetrës, sesa midis dialektit qytetar të Korçës dhe atij të Shkodrës. Sidoqoftë autori i këtyre rradhëve mundi të udhëtojë, i vetëm dhe pa përkthyes, në tërë Shqipërinë e Veriut dhe u mor vesh për bukuri duke folur vetëm dialektin tosk të Korçës. Në fund të fundit mund të thuhet se uniteti gjuhësor i Shqipërisë është më i ndijshëm se ai i Francës. Dhe do të jetë shumë e lehtë që ky unitet të përsoset më tej, pasi shkollat të kenë përhapur përdorimin e një gjuhe të përbashkët letrare, për shembull dialektin e Elbasanit, i cili është ndërmjetës midis toskërishtes dhe gegërishtes.

Akademiku francez Bourcart ka sjellë këtu argumentin më të mirë kundër atyre që e zmadhojnë ndarjen toskë-gegë, duke thënë se me terrenin që ka Shqipëria ndarja toskë-gegë në fakt duhet të kishte qenë shumë më e thellë se ç’ është. Nënkuptohet se fakti që nuk ka ndodhur kështu tregon për lidhjen e fortë mes tyre.

Një nga rilindasit më të mëdhenj shqiptarë në librin e tij “Këndonjëtorja”, që ishte një tekst për fëmijet e shkollave, në  pjesën “Istori e Shqipërisë dhe e Shqipëtarëvet”, e shikon ndarjen mes Toskërisë dhe Gegërisë si ndarjen mes zonave të mëdha të Ilirisë së Lashtë, që sipas tij ishin tre: Toskëria, Gegëria dhe Maqedonia. Sipas Naim Frashërit, nga këto tre krahina dolën tre mbretëri të lashta:

Shqipërija në kohërat e vjetëra qeverisej herë me pleqësi, herë me mbretëri. Mbretërit’ e Shqipërisë shumë herë ndaheshinë më tri: të Maqedhonisë, të Toskërisë dhe të Gegërisë. Nga mbretërit’ e Maqedhonisë më me emër është Aleksandr’ i Math që ka mbretëruarë mi gjith’ afëro faqet të dheut që dihej aherë. Nga mbretërit’ e Toskërisë ka qënë Pirrua i Math, me shumë emërë, që ka mundurë romasitë. Nga mbretërit’ e Gegërisë më me emërë është mbretëresha Tefta dhe Gençoja që kanë lëftuarë burrërisht me romasitë.  

Sipas kësaj teze, trevat e sotme toske dhe gege, në të dy anët e kufirit shtetëror, nuk janë gjë tjetër veçse mbetjet e këtyre tre mbretërive të lashta. Nuk marr përsipër të shprehem për vërtetësinë ose jo të kësaj teze, sidomos sa i përket Maqedonisë (në atë kohë Maqedonia nuk kishte popullsi sllave), por ajo që bie në sy janë lidhjet e shumta martesore mes familjeve mbretërore të këtyre mbretërive.

Në vitin 1997, televizionet dhe gazetat e mëdha ndërkombëtare që erdhën në Shqipëri për të raportuar për trazirat në vend, e gjetën më të thjeshtë që ta shpjegonin atë që po ndodhte në Shqipëri si një konflikt toskë-gegë, ku Jugu tosk ishte ngritur kundër Presidentit Berisha që ishte verior, geg. Këto media thoshin se Presidenti Berisha pritej me armë kur tentonte të shkonte të bënte fushatë zgjedhore në Toskëri, në jug të Lumit Shkumbin, por nuk e shpjegonin faktin se përse djali i Mbretit Zog, pretendenti i fronit mbretëror Leka Zogu, i cili zhvillonte paralelisht fushatën zgjedhore për referendumin për formën e regjimit, udhëtonte lirisht në Jug për të bërë fushatë për kauzën e tij. Edhe Leka Zogu ishte geg si Berisha. Madje Leka Zogu fitoi 30% të votave në Jug, më shumë se PD e Berishës. Kjo gjë nuk duhet të ndodhte nëse kjo pjesë e popullsisë së Shqipërisë i urrente gegët. I njëjti Sali Berisha, shumë vite më pas fitoi zgjedhjet parlamentare, duke marrë në Jug koalicioni partiak i drejtuar prej tij më shumë se dyfishin e votave që mori në 1997. Sali Berisha do të kishte marrë edhe më tepër vota në Jug në 2005, nëse Leka Zogu nuk do të kishte marrë pjesë në zgjedhje me një forcë politike të vetën, të quajtur Lëvizja për Zhvillim kombëtar, e cila mori rreth 4% të votave të elektoratit të Jugut. Pra të dy këta liderë gegë, Berisha dhe Zogu morën rreth 50% të votave në Jug në këto zgjedhje. Sali Berisha nuk do të behej Kryeministër në 2005 pa votën masive të Jugut dhe kjo gjë u përsërit edhe në 2009. Pas tetë vjetëve në pushtet, ishte normale që Berisha të humbte shumë vota si në Jug dhe në Veri. Sali Berishës nuk duhet t’ i mohohet as nga kundërshtarët e tij merita që provoi me karrierën e tij politike se nuk qëndron teza se politika shqiptare zhvillohet sipas ndarjes toskë-gegë. Sa për të tjerat, secili ka mendimin e tij. Nëqoftëse ia njohim urtësinë sovranit, domethënë popullit, atëherë sovrani tosk ka treguar një mençuri të madhe duke mos e refuzuar një lider geg, ashtu siç mund të thuhet e njëjta gjë edhe për sovranin geg, sa iu përket liderëve me origjinë toske. Të dy vëllezërit sovranë, ai tosk dhe ai geg, i kanë dhënë me këtë një mësim të mirë elitës politike, e cila e shikon politikën si konflikt të pandërprerë.

Me këtë dy vëllezërit sovranë, ai tosk dhe ai geg, i kanë dhënë në mënyrën e tyre përgjigje pyetjes “Kush jemi ne shqiptarët?” Ne jemi toskë dhe gegë, që përbën një larmi vlerash të ndryshme, gjuhësore, etnografike (veshje, zakone, art), domethënë një pasuri kulturore. Ne jemi shqiptarë, pastaj toskë dhe gegë. Pastaj, për t’ ju përgjigjur edhe atyre studiuesve që gjejnë dhe një ndarje racore mes shqiptarëve, ndërmjet nesh shqiptarëve toskë dhe gegë ka edhe të gjatë dhe të shkurtër, biondë dhe zeshkanë, të hollë dhe të trashë, kokërrumbullakët,  kokëgjatë dhe kokëgjerë, të zgjuar dhe budallenj, gjeni dhe mediokër, të mençur dhe të çmendur, me zë të trashë dhe me zë të hollë, të bukur dhe të shëmtuar. Nëse për këtë arsye përbëjmë dy raca, atëherë nuk ka asnjë komb në Europë që t’ i përkasë një race të vetme, se të tillë gjen kudo.

Filed Under: Fejton Tagged With: Ndricim Kulla

DARKA GALA E 110 VJETORIT TË VATRËS, NDERIME E HOMAZHE PËR DALIP GRECËN, ZEF BALAJN, DR.GJON BUÇAJN E PRESIDENT BUJAR NISHANIN

June 14, 2022 by s p

Sokol Paja/

Darka solemne e 110 vjetorit të Federatës Vatra u kthye në një darkë vlerësimesh, homazhesh e nderimesh për kontributorë të shquar e patriotë të flaktë të shqiptarizmës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nën prezantimin brilant të Dr. Pashko Camaj dhe Kristina Camaj, këngëve e valle nga grupi “Rozafati” me koreografe Angjelina Nika “Mjeshtër i Madh” dhe muzika e drejtuar nga Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh” së bashku me ekipin e tij të talentuar: Barnana Dini, Greta Tafa, Kristina Marku, Arbërie Hetemi, Ernest Muhaxheri. Darka festive filloi me një minutë heshtje në nder të President Bujar Nishanit dhe tre vatranëve e patriotëve të shkëlqyer që u ndanë prej nesh papritur: Zef Balaj, Dr. Gjon Buçaj dhe Dalip Greca. “Vatra është historia dhe identiteti kombëtar shqiptar në Amerikë. Vatra është organizimi më i vjetër patriotik, kulturor dhe atdhetar në mërgatën përtej Atlantikut. Vatra është regjistri historik, pasuria dhe vazhdimësia kombëtare e përpjekjeve për atdheun dhe shtetin shqiptar. Vatra është përbashkuese e kontributeve të çmuara e të pa harruara të shqiptarëve për Shqiptarinë e fortë, të pavarur, të zhvilluar e krenare krahas qytetërimeve, popujve e shteteve të tjera” tha në fjalën prezantuese Dr. Pashko Camaj. Pask këndimit të himneve kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Shqipërisë, Dom Ndue Gjergji nga Kisha Zoja Pajtore në Michigan bekoi darkën duke bekuar mbarë popullin shqiptar me cilësitë e tij të jashtëzakonshme që vetë Zoti i ka falë. Elmi Berisha, Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra në fjalën e mirëseardhjes u ndal te roli i jashtëzakonshëm që ka luajtur Vatra në formimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar e sidomos të liria e Pavarësia e Kosovës. Vatra në 110 vite ka bërë gjithçka për çështjen kombëtare dhe vazhdon edhe sot fuqinë e saj në dobi të çështjes dhe të mirës së kombit shqiptar, tha ndër të tjera z.Berisha. Z.Ilir Meta, Presidenti i Republikës së Shqipërisë në ditëlindjen e Vatrës deklaroi: “Federata Pan-Shqiptare “Vatra” eshte historia më e suksesshme e organizimit të shqiptarëve jashtë vendit. Përmes veprimtarisë patriotike, kombëtare dhe diplomatike, “Vatra”, që ditën e parë u bë promotore e lëvizjeve kombëtare dhe e shpalljes së pavarësisë, për të patur më pas ndikim të jashtëzakonshëm në ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të Shqipërisë. Gjatë diktaturës komuniste “Vatra” ishte shtëpia e shqiptarëve ku diskutohej për fatet e kombit, për lirimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, por edhe për lirinë e shqiptarëve në ish-Jugosllavi e sidomos për Kosovën. 110 vite nga themelimi i saj, pozita e kombit tonë është më e mirë se ndonjëherë më parë dhe për këtë ka meritat dhe kontributet e patjetërsueshme edhe “Vatra”. Secili ‘vatran’ dhe shqiptar i SHBA meriton mirënjohje të veçantë për kontributin e dhënë për çështjen shqiptare” citoi ndër të tjera Presidenti Meta. Z.Përparim Rama, Kryetar i Komunës së Prishtinës në fjalën e tij deklaroi: “Hapësira shqiptare po ndërvepron, lidhjet shpirtërore po thellohen dhe komunikimi po intensifikohet e po shpeshtohet dita-ditës. Megjithatë, ne që jemi në Ballkan, gjithmonë mbetemi me njëfarë ndjesie se nuk po bëjmë sa duhet, se na presin edhe shumë punë, se urat lidhëse mes nesh munden e duhen me qenë më të shumta, se prirjet divergjente disi do të na shpërbëjnë. Prandaj ju, të nderuar bashkatdhetarë, anëtarë të federatës Vatra, duke qenë me seli në një kryeqendër aq të rëndësishme të globit, me tagrin që jua jep historia dhe emrat e mëdhenj të kombit tonë që Vatrën e themeluan dhe e udhëhoqën, ju e gëzoni edhe autoritetin moral që ta përhapni frymën tuaj përbashkuese e mbarëshqiptare edhe në Ballkan e në gjithë botën. Ne, si Kryeqytet i Kosovës, lidhjet me Vatrën duam me i mbajtë të përzemërta dhe gjithmonë e më të forta, sikurse me çdo organizëm tjetër mbarëshqiptar” tha ndër të tjera z.Rama. Z. Mark Gjonaj ish-Këshilltar në Bashkinë New York dhe Natalia Fernandez vlerësuan rolin e Vatrës dhe të komunitetit shqiptar në Amerikë si një komunitet model dhe që gëzon respektin më të madh nga amerikanët në shoqëri dhe institucione. David Phillips, Columbia University New York në rrëfimin e tij shpjegoi për të pranishmit lidhjen e tij te veçantë me popullin shqiptar dhe detaje të udhëtimit të tij të parë në Kosovë para 30 viteve. Gazetari Blendi Fevziu u ndal te figura e Kristo Dakos dhe roli i tij i jashtëzakonshëm në Vatër dhe mërgatën shqiptare të Amerikës, Deputeti i PD Belind Këlliçi foli për sfidat e Partisë Demokratike si forcë zhvilluese dhe përfaqësuese e shqiptarëve, ndërsa Ruki Kondaj aktivistja nga Kanadaja foli rreth rëndësisë së Vatrës dhe komunitetit shqiptar në Kanada. Mbrëmja vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit me këngë e vallë duke e kthyer ditëlindjen e 110-të të Vatrës në një festë të paharueshme edhe në dekadat që do vijnë. Vatra e Dielli shprehin mirenjohje e falendrim per patriotet qe u bashkuan ne feste, organizatat, shoqatat e çdokend qe dha kontribut qe kjo feste te jete thjeshte e pa harruar.

Filed Under: Fejton

Themelimi i Gjykatës speciale: padrejtësi në emër të drejtësisë

June 9, 2022 by s p

Dr. Skender Lutfiu/

Themelimi i Gjykatës speciale ka qenë ndër veprimet më të padrejta dhe kësisoj të gabuara që ka ndërmarrë diplomacia ndërkombëtare në raport me Republikën e Kosovës dhe me shqiptarët në përgjithësi. Që nga ideja e saj e deri tek vendimi për themelimin e saj dhe ratifikimi në Kuvendin e Kosovës më 2015 e kanë përcjell parregullsi dhe probleme që vështirë mund të rikuperohen në periudhën e tanishme, ngase jo vetëm që po mbahen të arrestuar në Hagë krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të institucioneve kryesore të vendit, por ndaj dy prej tyre (Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit), tashmë është shqiptuar dënimi me nga 4 vjet e gjysmë heqje lirie (burg).

Së pari, ideja e krijimit të Gjykatës speciale është totalisht e gabuar, për shkak të disa arsyeve. Njëra ndër to ishte se ka ekzistuar një gjykatë që është marrë me krimet e kryera në ish Jugosllavi, dhe ka qenë e pa nevojshme të krijohet një tjetër. Për më tepër, ideja e Gjykatës Speciale është e gabuar edhe për faktin se është një etnike, pra është krijuar vetëm për të dënuar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si e tillë, është e pa drejtë dhe kësisoj e papranueshme. “Arsyet” për krijimin e saj janë po ashtu të pabazë. Kjo sepse, Raporti i Dick Martit, “gjetjet” e Carrla Del Pontës për krimet e kryera nga shqiptarët etj, janë vërtetuar se janë të inskenuara dhe me qëllim devijimin e fakteve dhe të vërtetës historike. Pretendimet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka kryer krime ndaj popullsisë civile serbe dhe të minoriteteve të tjera në Kosovë janë dëshmuar se janë të pa vërteta. Në asnjë moment dhe rrethanë, asnjë dokument apo urdhër çoftë i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, apo shtabeve të zonave operative, nuk është gjetur ku është dhënë urdhër për vrasjen e civilëve në Kosovë. Pra, asnjë vrasje gjatë dhe pas luftës në Kosovë nuk është kryer me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Rastet sporadike që kanë ndodhur janë të palidhura me njëri-tjetrin, ngase janë kryer për motive personale. Është e kuptueshme që në periudhat e trazirave të mëdha mund të kryhen krime nga individ me motive të ndryshme si vrasje për hakmarrje, për prona, etj. Por, këto krime duhen gjykuar si raste individuale dhe jo si krime me bazë etnike. Madje, kryerësit e tyre duhet të dënohen nga gjykatat vendore, pse jo edhe nën mbikëqyrjen e gjyqtarëve ndërkombëtar. Por, është krejtësisht i papranueshëm dhe i pajustifikueshëm themelimi i një gjykate një etnike, me qëllim dënimin e kryerësve të krimeve të pretenduara me bazë etnike. 

Së dyti, vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale është vepër e agjenturave serbo-ruse, të cilat kanë gjetur mbështetje tek individ të caktuar edhe brenda organeve të drejtësisë ndërkombëtare. Qëllimi i tyre është krijimi i një perceptimi ndërkombëtar se në Kosovë në vitet e Luftës (1998-1999) nuk kanë kryer krime forcat ushtarake dhe policore serbe me direktivat e institucioneve politike të Beogradit, por ushtarët e UÇK-së, me qëllim destabilizimin e Jugosllavisë së mbetur. Pra, një lloj përpjekje për të balancuar krimet e shtetit të Serbisë ndaj civilëve shqiptarë, me luftën çlirimtare që kanë zhvilluar UÇK. Kjo ushtri çlirimtare ka buruar nga gjiri i popullit, si rezultat i shtypjes sistematike të Serbisë përgjatë gjithë shekullit XX, që arriti kulmin me suprimimin e Autonomisë së Kosovës (23 mars 1989), dhe dhunën dhe terrorin shtetëror përgjatë viteve 90-të dhe në veçanti në vitet 1998-1999.

Është mjaftë kontradiktor fakti se si ka mundësi, që të krijohet një gjykatë një etnike dhe përfaqësuesit e një lëvizjeje çlirimtare të arrestohen, të mbahen dhe të dënohen, duke u mbështetur në skenarë dhe “fakte” të pa vërtetuara, ndërsa të mos dënohen të gjithë krerët e shtetit dhe të organeve të drejtësisë, ushtrisë dhe policisë serbe që kanë kryer krime ndaj civilëve shqiptarë. Vetëm brenda dy viteve të luftës kanë vrarë dhe ekzekutuar mbi 13 mijë civilë, ndër të cilët foshnjë disa muajshe dhe pleq mbi 90-vjeç, pastaj gra dhe vajza e djemë të rijnë anekënd Kosovës. Janë kryer rreth 400 masakra masive, janë dhunuar mbi 20 mijë gra e vajza të reja shqiptare, janë rrënuar qytete e fshatra të tëra në gjithë Kosovën, janë shkatërruar objektet dhe monumentet kulturore, arsimore e religjioze etj. Pra dëmet janë të pa llogaritshme. Pa diskutim që Serbia ka kryer krime deri në shkallën e gjenocidit, kulturocidit e urbocidit. Të gjitha këto janë kryer me direktivat e politikës së shtetit serb, që politikën e tij e ndërton mbi të “arriturat” e Akademisë së Shkencave të Serbisë dhe Klerit Ortodoks Serb. Këto dy institucione brenda dy shekujve (shek. XIX dhe XX) kanë hartuar mbi 25 projekte, elaborate e memorandum antishqiptare, zbatimi i të cilave është dëshmia më e fortë që Serbia në mënyrë institucionale ka kryer gjenocid mbi popullsinë shqiptare të Kosovës, si e tillë.

Pra, lufta që është zhvilluar në Kosovë në vitet 1998-1999, nga drejtësia ndërkombëtare me ose pa qëllim trajtohet njëanshëm. Duhet theksuar faktin se në Kosovë shqiptarët morën armët dhe dolën në male për të luftuar regjimin e Sllobodan Milosheviqit, i cili në vitet 90-të e kishte shndërruar Kosovën në një koloni të Serbisë. Ndërsa, Serbia në Kosovë kishte qëllim të qartë: 1. Spastrimin etnik, që e realizoi në vitet e luftës ngase u dëbuan me dhunë mbi një milion shqiptarë (gjysma e popullsisë së përgjithshme) dhe 2. Popullimin e Kosovës me elementin sllav me qëllim ndryshimin e strukturës etnike, për të fituar më pas të drejtën historike për ta mbajtur Kosovën nën tutelën e saj.

Së treti, arsyet e ratifikimit të Gjykatës speciale në Kuvendin e Kosovës (gusht 2015) janë dëshmia më e mirë se shqiptarët në Kosovë nuk kanë frikë nga asnjë lloj gjykate apo drejtësie për faktin se ndjehen ashtu siç janë të pastër sa i përket krimeve të pretenduara. Prandaj, për të dëshmuar se janë të hapur dhe të sigurt në shumicë kanë votuar themelimin e Gjykatës Speciale, ndonëse që të gjithë e dinin se kjo gjykatë është e pa nevojshme dhe për më tepër e pa drejtë. Duhet të shtohet fakti se shumë nga krerët kryesor të UÇK-së ishin pjesë e Kuvendit të Kosovës, të cilët e votuan këtë gjykatë, që natyrshëm kuptohet si fakt, se ishin të bindur për veprimet e tyre dhe të UÇK-së se nuk janë kryer krime ndaj popullsisë civile në Kosovë gjatë luftës nga asnjë prej strukturave të këtij formacioni ushtarak, që në analet e historisë bashkëkohore shqiptare ka hyrë si formacioni më i suksesshëm, për faktin se arriti të çliroj (në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar (NATO-n)) Kosovën pas 87 vjet robërie nga Serbia.

Shkruar nga Dr. Skender Lutfiu, bashkëpunëtor shkencor për shek.XX në Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë dhe asistent i angazhuar në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Filozofik-Departamenti i Historisë.

Filed Under: Fejton

Gjykimi i njeriut mbi baze te perkatesive te tij kolektive joindividuale

June 7, 2022 by s p

Ergys Mertiri/

Nje nga argumentet me te shpeshte dhe me idiote mbi vlerat e presidentit te ri eshte, ai qe lidhet me profesionin e tij. Sipas shume komentuesve ne media, qofshin politikane apo gazetare, eshte gje e mire qe presidenti vjen nga rradhet e ushtarise sepse ushtaraket jane te prirur te jene patriote dhe te perkushtuar ne permbushjen e detyres.

Nese e marrim per baze kete lloj antropologjie popullore mbi profesionin e ushtarakut, mund ta zgjerojme tipizimin edhe me cilesi te tjera te ushtarakut. Mund te themi psh. qe ushtaraku priret te kete mungese te individualitetit, prirje per te qene i nenshtruar, per te mos menduar perballe urdherit, per te qene i rrepte dhe i pandjeshem, etj.

Kjo prirje kultivohet nga vete jeta ne ushtri, si psh. te jetuarit me uniforme, nenshtrimi ndaj hierarkise, disiplina e rrepte ushtarake, formalizimi i marredhenies ne zinxhirin e komandes dhe te sjelljes ceremoniale, sic jane psh. rreshtoret: Togaaa rreshtohu! Gatiii tu! Paraaaa marrsh! Nje dy, nje dy, nje dy!

Te gjitha keto priren te kultivojne sjellje te formalizuara, refleksive, te cilat dobesojne racionalitetin, individualitetin, butesine, tolerancen, deshiren per liri etj. Pervec kesaj, ka te dhena plot mbi problemet shoqerore ne jeten ushtarake neper reparte sic jane: dhuna, bulizmi, crregullimet psikike etj.

Po te nisemi nga profesioni, ndoshta bilanci midis avantazheve dhe disavantazheve te ushtarakut mund te mos na dilte mire, dhe kete mund ta themi per cdo profesion.

Nuk ka argument me pa kuptim sesa gjykimi i njeriut mbi baze te perkatesive te tij kolektive joindividuale. Si ne cdo perkatesi te tille, edhe ne cdo profesion, ka njerez te mire ka dhe te keqinj, ka te afte ka dhe te paafte, ka te ndershem ka dhe te pandershem, ka te zgjuar dhe te trashe, ka me karakter dhe pa karakter. Te jesh ushtarak, nuk ka asnje perparesi per rolin e Presidentit nga te qenit mesues, mjek, inxinier, jurist, diplomat, etj.

Te folurit me klishe banale te tilla eshte jo vetem pasoje e mungeses se argumentit, por edhe nje menyre per te perjashtuar arsyen nga bindjet.

Filed Under: Fejton Tagged With: Ergys Mertiri

“Marigoja“ e Bostonit

June 2, 2022 by s p

Namik Selmani/

-Tregim-

Pasi kishin dërguar lule të freskëta dhe ishin përulur me nderim te varri i Fan Nolit dhe Faik Konicës, grupi i delegacionit të drejtuar nga Kryeministri i Kosovës zoti Albin Kurti, ambasadori i Kosovës në SHBA zoti Ilir Dugolli etj bënë takimin me shqiptarë të Kosovës të Shqipërisë të dy tre brezave në Kishën  e Shën Gjergjit të Bostonit ku dikur ka meshuar Fan Noli dhe ka hapur dyert Federata Panshqiptare VATRA. Ishte kësaj radhe Shoqata “Kosova” që kishte organizuar takimin e zotit Albin Kurti.

Kur ishin mbaruar fjalimet përshëndetëse  të Atë Theofan Koja, të zotit Albin Kurti ishin bërë fotografitë e rastit, në drejtimin e zonjës Neka Doko përgjegjsja e misionarja  e Bibliotekës “Fan Noli” nisi një procesion jo i zakonshëm që nuk kishte lidhje me ritet e zakonshme fetare.

Që nga viti 2012 që ishte dhe viti I 100-vjetorit të Pavarësisë në mjediset e Bibliotekës “ Fan Noli” ajo ka ngritur dhe një Qender Kulturore ku kryhen mjaft aktivitete me grupmosha për edukimin patriotik, po ajo ditë maji ishte krejt e veçantë për të.

Ballë entuziazmit që kishte sjellë fjalimi i kryeministrit Kurti dhe I Atë Theofan Kojës, ra pak qetësi Një qetësi sublime që ta japin flamujt aq më tepër kur ti je pjesë e emigrimit e flamuri është pjesë e identitetit tënd kombëtar

Të gjithë e kuptonin se ishte më shumë se kaq.

Pranë altarit u shpalos një flamur krejt i ndryshëm në dezainj nga ato që kemi parë e shohim zakonisht. Kjo ishte e papritura e parë. Me dhjetra duar të pjesëmarrësve u drejtuan nga ai dhe zonja Neka me qetësinë, maturinë e kulturën që ka nisi të rrëfejë. Me një zë pak të dridhur.  Ishte në rolin e një cicëroneje mjaft të aftë të shqiptarizmit, tregoi historinë etij . Kishte majft emocion

Kujtonte vitin pak të largët 2008 kur ajo ishte një ndër organizatoret e meshës së 100-vjetorit të Meshës së parë shqipe. Rrëfente për gruan qëndistare që askush nuk ia ka mësuer emrin. Regjsori, poeti Fuat Memelli nxitonte që të fiksonte momentin.

Pas librave, fotografive, dukej se flamuri 114-vjeçar është krenaria e Kishës, e mbarë shqiptarëve të Bostonit dhe Amerikës. Pa dyshin dhe vlerë e historisë së kombit tonë.

2.

Këmbanat e gëzuara të kishës së Shën Gjergjit më 22 mars të vitit 1908 ishin nga më të gëzuarat e atij qyteti të vjetër të mençur. Që do të bëhej në shekullin që do të vinte “Kryeqyteti i shqiptarëve” Po bëhej mesha e parë e në krye të saj ishte ai i madhi, i urti, vizionari, diplomati i ardhshëm politikani, oratori,  përkthyesi, poeti studiuesi Fan Noli. Ishte vetëm 26 vjeç e të gjithë e besonin në atë që do bënte. Në atë që po jetësonin në vite e që më vonë do të bëhej vatra e shqiptarizmit.

Patjetër veç flamurit amerikan duhet dhe identiteti i kombit, të cilit iu përkisnin.

Duhej një flamur I madh, i bukur, dallues qoftë edhe nga kombet e tjera që kishte Bostoni.

 E këtu do të dilte krah burrave një grua që mbeti anonime në historinë e kishës e të shqiptarizmit.  Po e quajmë Elvira këtë grua që kurrë nuk ia ditën emrin.

Kishte ditë që e dinte atë datë-festë për kishën e mbarë shqiptarinë në Boston e në mbarë Amerikën Nuk ishte vështirë që në dyqanet e Bostonit të gjeje një copë të kuqe të zgjedhur për të bërë një flamur.

Po cilën shqiponjë do të vendoste në këtë cohë kaq të madhe?

Pa dyshim nuk do të kishte mbaruar një shkollë pikture ër ta bërë një gjë të tillë

Historia e mëvonshme na tregon se ajo kishte pyetur burrat patriotë të Korçës për flamurin që kishte bërë Shoqata e Shqiptarëve të Bukureshtit në Rumani

Me ditë të tëra “ Marigoja“ bostoniane e ka qëndisur si shqiponjën krejt të veçantë nga të gjithë flamujt që janë bërë edhe në këto 114 vite më pas.

Në atë ast duke e parë duke e prekur unë dhe tërë ata shqiptarë që kishin ardhur nga Njy Jorku, nga Kosova, nga Shqipëria e ishim bashkuar në një kishë ku valëviteshin flamuri amerikan ai i Shqipërisë dhe  i Kosovës, përfytëronin punën disaditore të asaj zonje emigrante të parat që vinin  në Boston. Sytë e saj do të kenë qenë të mbushur ne kaltërsinë e diellin e brigjeve amtare, këngët e kurbetit që këndoheshin te Lëndina e Lotëve apo dhe këtu në shtëpitë e ulta të Bostonit.

Pa dyshim dhe Himnin e Flamurit me një tekst që vinte po nga një poet që jetonte në Rumani.

Nuk tregojnë kronikat se çfarë i tha për flamurin atë ditë Fan Noli. Nuk dimë të ketë shkruar për të në veprat e tij. As për atë grua ptriote që me të hollat e saj po I bënte Kishës një nga dhuratat nmë të vyera që edhe sot mbetet relikja më e bukur.

Për 100 vite me radhë flamuri shoqëroi ceremoni të shumta në festat fetare, në mortet e mërgimit, në Festat e Flamurit.

 Në 30 vitet e fundit mjaft udhëheqës e personalitete të larta të Shqipërisë të Kosovës, Maqedonsë së Veriuit, Malit të Zi etj janë njohur me të e kanë prekur kanë medituar me një peng vitesh që nuk ia mësuan dot emrin asaj gruaje të mirë që e qëndisi atë. Edhe miqtë amerikanë janë befasuar nga kjo punë arti dhe patriotizmi.

.. Dhe erdhi 22 marsi I vitit 2008

Drejtoresha e Bibliotekës së pasur noliane pranë Kishës së Shën Gjergjit  zonja Neka Doko që vjen nga Berati ku Noli dikur gati  100 vite më parë, më 1922  do të themelonte Kishën Autoqefale Shqiptare, kishte përgatitur një të papritur mjaft të bukur dhe emocionuese.

Atë ditë ceremona bëhej  nën kujdesin e madh të Peshkopit Atë Artur Liolin një vazhduesi te denjë të Fan Nolit. Bashkë me meshën e 100-vjetori iu folën shqiptarëve të asaj feste të vërtetë kombëtare dhe fetare historinë e flamurit.

Disa ditë më parë zonja Neka me një mision të ri, si një vazhduese e denjë e mentarisë noliane,  po dhe për ta bërë më të njohur punën e asaj qëndistareje anonime, shkoi në disa studio dhe bëri pastrimin e tij. Një lloj restaurimi pas një shekulli jetë në këtë kishë. në këtë qytet. Ishte bekimi i së ardhmes dhe një amanet i pashkruar i gruas anonime.

Duart e saj që kishin shfletuar libra të mjaft gjuhëve, atë ditë kishin marrë misionin e përkëdheljes së flamurit në emër të qindra e mijëra  nënave emigrante të Amerikës.

Akoma dhe sot kujtohen fjalët e përndritura të Atë Liolinit atë ditë:

“Në botën dhe kohën që ne jetojmë duhet kuptuar fort mirë që dialogu, ndjesa, mirësjellja, autokritika dhe gjakftohtësia janë shumë të rëndësishme për vetë njeriun. Jo vetëm fetare, shpirtërore e hipotetikisht kanë edhe rezonanca vitale në shoqëri e në qeverisje. Shërimi që vjen me përulësi ndihmon jo vetëm kur falet tjetri, por forcon urtësinë për të tjerët, i jep njeriut perspektivë për të ardhmen”.

Atë ditë ishte Shoqata Shqiptaro-Amerikane MASSBESA nikoqire e aktivitetit.

…Duke folur me të pas përcjelljes së delegacionit të Kosovës, emocionet na dërguan në kohët e shkuara, po dhe në ato që vijnë. Na dukej ende se kishim zgjatur duart te ai flamur. Na dërguan dhe në Njy Jork kur në ato çaste bëhej varrimi i dy shqiptarëve të shquar të Federatës Panshqiptare VATRA ish-kryetarit të Shoqatës VATRA dr. Gjon Buçaj dhe të ish-kryeredaktorit të gazetës “Dielli” Dalip Greca që ndërruan jetë këto ditë. Një minutë zi para atij flamuri ishte kujtesë e bukur.

3.

…Neka na thotë se së shpejti flamuri do të jetë me një paraqitje tjetër më sublime. Diçka me teknikën luvriane e të muzeve më të mirë e më të mëdhenj të botës.a

Ai do na zgjojë Noliadën për të cilën kemi e do të kemi nevojë në shekuj.

Dhe ka të drejtë. Përvjetori i Pavarësisë besoj se do e realizojë këtë gjë. Mbase dhe shpirti i larësuar i gruas nikoqire qëndistare patriote do jetë më i qetë në botën e përtejme.

Me dëshirën e saj dhe tonën që të mbesë pjesa më e vyer e shqiptarizmit.

Nuk u dëgjuan këmbanat në atë ditë maji, po “këmbanat” e kujtesës për atë grua për flamurin, sikur dëgjoheshin në çdo zemër të atyre që u bënë dhe pjesë të kësaj historie të bukur.

Filed Under: Fejton Tagged With: namik Selmani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 91
  • 92
  • 93
  • 94
  • 95
  • …
  • 116
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT