• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ISHA MËSUES

March 7, 2021 by dgreca

-nga Visar Zhiti- Gazeta Dielli*

Në nderim të mësuesve të mi dua të kujtoj e të tregoj dhe unë…

Isha mësues në një fshat të largët të Kukësit, kur më arrestuan. Në sallën e gjyqit, kur më dënuan me 10 vjet burg per poezitë e mia, midis të pranishmëve të shumtë si spektatorët në teatër, kishte dhe kolegë të mij, një pjesë me dolën dhe dëshmitarë, por një tjetër, mësues dhe ai, mik imi, më bëri një shenjë fshehurazi, vendimtare per mua, tundi grushtin nga larg, “qëndro!”, deshi të më thoshte, e kam shkruar, dhe ashtu bëra, por ata që më mallëngjyen së tepërmi ishin nxënësit e mij, rreshti i tyre në krye, kokëulur nga dëshpërimi, nuk desha t’i zhgënjej, ata më frymezuan të arrij të them fjalën time të fundit në gjyq: 

…isha mësues, na krahasojnë me pishtarët e dritës, që krahas flakës, kanë dhe tym. Për të hequr tymin, mos shuani flakën… 

Më hodhën prangat dhe më çuan në burg. Atje gjeta dhe mësues të tjerë, pedagogë, profesorë, etj, shtynim vagonat me mineral si skllevër. 

Mësues e kisha patur dhe babanë, edhe atë e kishin dënuar. Edhe xhaxhai im mësues ishte, kur e vranë si nacionalist fitimtarët, me të marë pushtet. Dhe të birin e tij s’e lanë të bëhej mësues. Dhe vëllanë tim të madh e pushuan si mësues…

Në burg njoha dhe poetin Havzi Nelaj, mësues kishte qenë dhe ai dhe e varën në mes të Kukësit si armik. 

Të vrasësh mësuesit e tu? E tmerrshme!…

Vazhdonte tradita, mësues dhe burg.

Dhe 7 Marsi ishte shpallur si Festa e Mësuesit. Sepse në 7 Mars 1887 ishte hapur shkolla e parë shqipe në Korçë. Kryemësuesin e saj, Petro Nini Luarasin, do ta helmonin shovenët grekë. Në të gjithë perandorinê turke vetëm gjuha shqipe ishte e ndaluar… 

E përkujtonim dhe në burg 7 Marsin, ashtu mjerueshëm me njëri-tjetrin. Dhe thoshim se dhe mësueset e para, qe erdhen nga SHBA, Motrat Qiriazi, për të hapur shkollat e para të vajzave në Shqipëri, u persekutuan nga regjimi komunist. 

   Më të vjetrit në burg, që dinin më shumë, nga ata që qenë diplomuar universiteteve të botës, tregonin se shkollat shqipe ishin hapur dhe më herët, me shekuj, në Veri. Pse s’i kujtonin, apo kishin qenë shkolla katolike? 

Edhe universitet kishte patur, do të kerkonim të dhënat më vonë, kur të liroheshim dhe perandoria komuniste do të binte. Ja, “Universitas Studiorum Dyrrhachium, Albanian, Universiteti i Studimeve të Durrёsit, – vazhdon anglisht teksti – was a theological university, (Dyrrhachium), Albania… Medieval Kingdom of Albania…. – Shih, Mbretëria Mesjetare e Shqipërisë! – The university was established in 1380, and then transferred to Zadar in 1396…”, pra, gati 1000 vjet më parë universitet në Durrësin tonë, që 16 vjet më vonë do të shpërngulej në Zagreb, në Kroaci.

Pse s’kujtohen fakte të tilla? Pse kjo harresë e rënde, mpakje tronditëse e historisë? Kemi arsim të hershëm, pse e rrënojmë? Pse? Siç dhe shihet, në vendin ku burgosnin dhe vrisnin mësues, qoftë dhe një në fshatin më të humbur, jo më pastaj elitën, mund të ndodhë çdo e keqe…

Të besojmë te më e mira. Te institucioni i mësuesit! T’i kthehet forca dhe rëndësia kombëtare. Profesor Çabej thoshte se “mësuesi” nuk është profesion, por mision. Mësues ka qenë dhe Naimi, shkruante libra shkollorë, edhe De Rada, dhe Shenjtja jonë Nënë Tereza… Dhe Eda ime per mësuese studioi e punoi. Ne ashtu e nisëm, me atë pasion…

Le të bëhen të gjitha ditët “Ditë të mësuesit”, të dijes dhe dashurisë…

Filed Under: Histori Tagged With: Isha mesues, Visar Zhiti

Histori civilizimi

March 4, 2021 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/Njerëzit mund të jenë 1.8 milion vjet të vjetër. Por ne dimë se 500,000 vjet më parë ata gatuanin mishin në zjarr.
Rrënojat më të vjetra që janë zbuluar datojnë 10 mijë vjet pes., ose afërsisht 12 mijë vjet më parë, në Gobekli Tepe, në Turqinë moderne. Ka figurina të gdhendura dhe piktura shpellash edhe më të vjetra.
10,000 pes: Bujqësia u zbulua në Lindjen e Mesme. 
8,000 pes: Bujqësia u shfaq në Kinë. 
7,000 pes: Bujqësia mbërriti në Evropë. 
6000 pes: Qytetet më të hershme ishin Jericho dhe Catal Huyuk. 
3,000 pes: Qytetërimet e para komplekse u krijuan në Luginën Indus, Sumer, dhe Egjipt.
1,200 pes: Fundi i epokës së bronzit.
323 pes: Aleksandri i Madh vdiq.  
Periudha helenistike merr hov; kultura dhe fuqia helene zgjerohen deri në Lindjen e Mesme. 
229 pes: Fillojnë Lufrat Ilire – Romake.  
27 pes: Krijohet Perandoria Romake. 
476 : Bie Perandoria Romake Perëndimore. 
1453: Merr fund Perandoria Romake Lindore.
1480: Shteti i Arbërit bie plotësisht nën pushtimi Osman. 
1776: Revolucioni Amerikan. 
1940: Lufta e Dytë Botërore. 
1948: Fillon Lufta e Ftohtë. 
1989: Diktatura komuniste bie. 
2019: Shpërthen Pandemia Kovid. 
2021: Jeta vazhdon e pa sigurt me maska. 
Pra, fillimisht historianët mendonin se viti 3,000 pes vërtet shënonte fillimin e Qytetërimit. Pastaj u zbulua Gobekli Tepe dhe gjithçka ndryshoi. Gobekli, ndërtuar rreth vitit 10,000 pes – është më shumë se 3 herë më e vjetër se civilizimi më i vjetër. Struktura në Gobekli Tepe ishte po aq e vjetër për Sumerianët dhe Egjiptianët e parë sa është për ne sot.
Nga Sumeria antike deri tani është më pak se gjysma e historisë. Çfarë ndodhi nga viti 10,000 pes – 3,000 pes? Historianët nuk kanë asnjë fjalë për të thënë. Për më tepër, çfarë ndodhi nga viti 500,000 deri 10,000 pes? Përsëri, asnjë ide. Mund të ketë pasur civilizime të përparuara, luftëra masive, teknologji të reja – nuk dimë gjë. Mund të ketë pasur epoka të shumta bronzi. Kjo është kohë e mjaftueshme që Njerëzimi të arrijë standardet e sotme dhe pastaj të bjerë përsëri në jetën primitive. Njerëzit kanë qenë aq të përparuar sa jemi ne sot (ose më të përparuar) dhe pas një kolapsi të madh janë kthyer në gjendje primitive. Ky është super spekulim (nuk ka asnjë provë) dhe super e pamundur. Historia është studim i përvojës njerëzore, dhe një pjesë e mirë e saj ka qenë fatkeqësisht brutale. Nga e gjithë kjo periudhë, njeriu di vetëm 1 përqind, ndërsa 99 përqind e saj mbetet e panjohur. 

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi, Histori civiliximi

Gënjeshtra bëhet dhe ligj anti-Zot

February 9, 2021 by dgreca

Alfons Grishaj/ Kjo fjalë është trajtuar në shekuj nga filozofë, shkrimtarë, doktorë psiko-analistë etj.dhe çdo herë ka pasur një trajtë të re.Philetas of Cos, says: “What I am now saying is false. Is what he says true or false? If it’s true, it is false; if false is true (Modern Philosophy, Roger Scruton, P.- 402)Tek varri i këtij shkrimtari poet ka një epitaf: “Philetas of Cos am I, Twas the liar who made die and the bad nights caused thereby.”Në shoqërinë e dyzuar civile ,gënjeshtra shihet si mjet justifikimi, si grimcë romantike, trajtë humori, mjet përfitimi, mjet jetese, por që në thelb nuk ka asgjë pozitive, sepse, sjell humor shterpë (si të një “mikut” tim…), zhgënjim, pabesi, vuajtje…deri dhe krim.Disa hiqen sikur bëjnë bëma patriotike, por në prapavijën e këtyre bëmave është interesi dhe plaçkitja, dhe kur koha ia zhvesh qëllimin, ata quhen genjështarë !!!Ka njerëz që gënjeshtrën e bëjnë të vërtetë dhe të vërtetën gënjeshtër.Sot gënjeshtra na paraqitet me eufemizma:1-Gënjeshtra quhet “zbukurim!”.2- Shëmtia, “Bukuri e egër!”. 3- Dhuna, “Demonstrim paqësor!” 3- Vrasja, “Konflikt natyror!” 4- Plaçkitja, “Djersë arti!” 5-Polici,“Gjeneral!” 6-Nevojtorja, “Shkarkim poetik!” 7- Shkrepsja, “Televizor me ngjyra!” 8-Kastraveci, “Shkop magjik!” 9-Bukuria, “Aksident natyre!” 10- Grindaveci, “Llafolog modern!” 10- Shkarravina, “Posmodernizëm!”. 11- Nallbani, “ Qëndistar!”. 12- Çobani i dhive, “Kritik letrar”.13- Mashtruesi ordiner , “Vizionar!”.14- Gomari, “ Kalë i rracës arabe!” etj…etj )Do të sjell tre ilustrime të thjeshta për të definuar kur gënjeshtra bëhet krim, kur e vërteta quhet gënjeshtër, dhe kur ajo bëhet ligj:1-Kur pushtetari e kthen gënjeshtrën në pabesi dhe krim: Në fëmijërinë time pata lexuar një libër të vogël që quhej “Simboli Al”. Mendohej që njeriu i parë që zbuloi metalin e butë të aluminit jetoi në kohën e perandorisë romake. Zbuluesi zanatçi bëri një kupë prej alumini e luçidoi dhe ia dërgoi dhuratë perandorit të Romës. Kur Perandori e pa, u mahnit, metal i lehtë, i bukur, i paparë më parë. I premtoi zbuluesit që do ta mbante afër dhe të punonte nën mbikqyrjen e tij, por e gënjeu. Ai, pasi e vrau, ia shkuli zemrën nga gjoksi, e mbushi kupën e lehtë dhe të shkëlqyer me të duke e groposur së bashku zbuluesin dhe misterin Al. Perandori mendonte që shpikësi i metalit do bëhej i famshëm dhe më i pasur se ai dhe mbase do i rrezikonte një ditë fronin, prandaj dhe e gënjeu mjeshtrin me fjalë të bukura deri sa i mori jetën, duke varrosur dhe shpikjen e tij.(a)- Një herë e një kohë, në spitalin e burgut Tiranë u njoha me një person me emrin Ali. Pas një informacioni të gënjeshtërt(nga një “mik”, anëtar partie), Aliu kish vrarë gruan në mënyrë mizore. Pas krimit ai u arrestua dhe u dërgua në psikiatri në pavionin 7 të burgut. Që nga dita e arrestimit, ai nuk fliste dhe nuk hante. Sillej si një skizofren katotonik. Të gjitha përpjekjet e mjekëve për ta bërë të fliste nuk patën dobi. As presionet dhe seancat e elektroshokut nuk ndikuan që ai të hapte gojën. Kishin kaluar rreth 35 ditë që nuk kishte futur gjë në gojë përveç ujit. Një natë çohet nga shtrati dhe afrohet pranë krevatit tim. Lëviza pak jastëkun e vendosa pas shpine duke u ngritur ndenjur:- Vlla çfarë nevoje ke ?- Un’ nuk i besoj asnjenit në kët spital përveç teje…se dhe ti je i heshtun si un, – filloi “vrasësi” dhe vazhdoi më tej, – un’ kam vra grun se m’tha nji shok partie qi gruja jeme ka shku me drejtorin. Nuk ia fali vetit, prandaj jam tue u fik ngadal. Por çka m’dhem ma tepër asht se kur isha tue e kput në kmes, ajo m’ tha: “Ali, po m’vret kot se kurr n’ jet nuk t’ kam trathtu, e Zoti e vraft at’ qi t’ka rrejt se dhe sot qi po m’ vret… prap të du!”. Aliu u ndal për disa sekonda… fshiu lotët prej syve dhe vazhdoi. – Ajo ka pasë dhimbje ka pas dhimbje të madhe…, para se me dekë … theu dhe nji dru sa dora jeme tue u kap për të. Nuk m’ hjeket prej syve kur isha tue e pre në kmes, prap ishte e bukur … O Zot…! Sa do t’ ket vuejt… e un prap jetoj?! Unë nuk e shikova me çudi, sepse jeta më kishte mësuar ta jetoja kohën dhe vendin si filozof! Isha i ftohtë si akulli i mëngjezit në acar. Por në atë kohë, kjo akullnajë që më pat rrethuar nuk më pengonte që të isha logjik dhe i pajisur me një fantazi pa limit. Qe koha e paradokseve, kur krimi shtetëror ishte në çdo qelizë të jetës. Me anë të autosugjestionit ia pata ndaluar vetes sentimentalizmat, duke çimentuar flegmatizmin tim.E parafytyrova këtë skenë sikur të isha i pranishëm.Dhe pse isha i ftohtë, më theri në shpirt duke parë vdekjen e dhimbshme të asaj nuseje të re si shtojzovalle, që sikur të ishte Alfred Hitchcok nuk do ishte në gjendje të ma sillte aq të gjallë figurën e saj sa ma solli nënqenia ime. U çova në këmbë duke i thënë:- Ali ke bërë një mëkat të madh! Nuk e di… nuk e di…por ti nuk je budallë … që me vra me thashetheme të rreme njeriun më të dashur? A mos vallë ky miku jot anëtar partie, e ka ngacmu gruan tënde për vete dhe ka pas frikë se po të tregon ty e prandaj të futi në këtë qorrsokak, sepse tek unë nuk ka pikë kuptimi tjetër…? – Jo more burr, se e kam shok! – U përgjigj ai. Nuk munda me e dëgju më, sepse m’u duk se ishte dhe viktimë e indoktrinimit. Në atë kohë po të dyshoje tek“shokët” e Partisë qe dhe krim, kur vetë Partia e Punës ishte nëna e krimit. -Shko të lutem tek shtrati e mundohu të mbledhësh veten, – iu drejtova, duke i lënë të kuptojë se biseda jonë kish kryer. Aliu m’i nguli sytë e lodhur, uli kokën duke çapluar tek shtrati i vet. Më vështroi dhe njëherë sikur do të hetonte çfarë mendoja dhe pa u shtrirë u mblodh kruspull, duke humbur në botën e pendimit, dyshimit… apo, mbase mendonte sedo ish mëmirë të ndëshkonte gënjeshtarin se gruan e tij…?! Nuk pata dëshirë ta zgjasja bisedën. Biles as të nesërmën, as ditën tjetër nuk i fola. Kisha dëgjuar e jetuar shumë ngjarje të vështira, por kjo më dukej krejt pa kuptim. Siç duket ajo qe biseda më e shkurtër e jetës, por që m’u ngulit thellë deri më sot, e të cilën vendosa ta ndaj me lexuesin.Pas dy ditësh, Aliu u çua në këmbë me hodhi një vështrim…(sikur do më thoshte lamtumirë…) dhe me ato pak fuqi që i kishin mbetur u gjuajt me kokë në qoshe të murit, duke dhënë shpirt!E dija se do të vdiste, por nuk e kisha menduar se ajo qe zgjidhja e tij më e shpejtë. Agronit, shokut tjetër të dhomës,me të përjetuar atë skenë me gjak,i ra të fikët. Ia mbylla sytë dhe u luta për të dhe të shoqen…, dy shpirtëra, viktimë e monstrës gënjeshtër. U luta që ta falnin njëri-tjetrin dhe të bashkoheshin në amshim! Kur erdhën policët dhe “doktorët” u shprehen pothujse njësoj: “ Një qen më pak!” Unë i korigjova:-Jo! Një shpirt më pak që i shpëtoi jetës së gënjeshtërt…! Qenjtë porsa erdhën!. Ato fjalë më kushtuan pak, por asnjëherë nuk u pendova. Tash unë jam i sigurt që çifti i sakrifikuar nga fabrikimi i gënjeshtarit (anëtarë partie) është nën kujdesin e Zotit, dhe gjithashtu besoj se gënjeshtari i truar do ta ketë kaluar një ferr mbi tokë dhe ende digjet në flakët e ferrit, sepse atje ku ka përfunduar, nuk ka parti që ta mbrojë!2-Kur Injoranti dhe shpirtligu e quan të vërtetën, gënjeshtër :Në vitin 1917, në Fatima të Portugalisë, Virgjëresha Mariu shfaqet tre fëmijëve:Lucia dos Santos, Francisco dos Santos dhe Jacinta Marto. Ajo uparaqitet e madhërishme e rrethuar me aureolë më brilante se vetë dielli. Virgjëresha Mari kish veshur një mantel të qëndisur anash me ar dhe mbi duart e mbledhura në gjoks i shndrisnin rruzaret. Ajo i kërkoi fëmijëve që ta donin Trininë e Shenjtë dhe të luteshin përditë me rruzare për të pushuar lufta dhe të kthehej paqja në botë.Kalvari i fëmijëve filloi në momentin që Jancinta i tregoi prindërve… Dhe pse besimtarët shkonin në Kishë dhe besonin në Jezu Krishtin, tregimin e fëmijëve e morën si gënjeshtër. I vetmi që i besoi fëmijët ishte Father Ferreira. Lucia u zgjodh nga Zoja e Bekuar si përçuesja e porosive . Shenjtorja Mari i kërkoi Lucias që të mësonte për të lexuar dhe shkruar për të kuptuar misionin e shenjtë që ajo do të përçonte. Megjithatë shumë njerëz përfshirë dhe Ipeshkvin , Kryetarine Bashkisë…, i quanin fëmijët gënjeshtarë. Lucia nuk dorëzohej : “ Zonja që kemi parë është e vërtetë! ”Duke parë mosbesimin e njerëzve , Lucia i kërkoi Nënës së Krishtit të bënte një mrekulli sepse njerëzit nuk i besonin dhe i quanin gënjeshtarë. St.Mari u premtoi fëmijëve një mrekulli. Lucia u tregoi “besimtarëve” dhe jobesimtarëve që Engjëlli që fliste me ta do të bënte një mrekulli.Me 13 Tetor 1917, u mblodhën në Fatima mbi 70 000 mijë vetë. I pranishëm ishte dhe Kryetari i Bashkisë(që ishte dhe mosbesuesi më i madh i fëmijëve) së bashku me Ipeshkvin, i cili i“torturoi” fëmijët me pyetje dyshimi. Sepse ai mendonte sesi ishte e mundur që Zoja nuk i qe shfaqur atij, njeriut të devotshëm të Kishës, por i ishte shfaqur fëmijëve?! Me 13 Tetor “dilema” mori fund. Atë ditë ishin mbledhur gazetarë, fotografë, reporterë. Mrekullia ndodhi…, dielli lëvizi në pozicione të ndryshme ku dukej sikur do e përpinte tokën. Disa u lebetitën, disa u gjunjëzuan duke u lutur, disa ia dhanë vrapit! Pra, u desh të ndodhte “Mrekullia e Diellit” që njerëzia të besonin fëmijët, që deri atë ditë vuanin mbi supet e tyre epitetin “gënjeshtarë”, dhe nga të “tillë”, u kurorëzuan me lule!Kur ishim të vegjël, prindërit na mësonin se gënjeshtra është e shëmtuar… se i kishte këmbët e shkurtëra. Ndërsa mësues dhe mësuese ndëshkonin duart e fëmijëve me shkop, kur fëmijët nuk justifikonin të thënat sipas logjikës të rriturit,apo kur tek “zojusha” apo “zoti”, tingëllonte gënjeshtër, si në rastin e ngjarjes në Fatima. Me këtë lloj ndëshkimi primitiv, mësuesit përpiqeshinta ndalonin me dhunë fenomenin që dëmtonte në rritje e sipër formimin psikomotor të fëmijës, (sepse ata nuk e kuptuan kurrë se dhuna është gënjeshtra e paqes), kur në të shumtën e rasteve ndodh e kundërta: fëmijët që ballafaqohen me dhunën fitojnë instiktivisht refleksin negativ të dhunës.3-Kur politikani e bën gënjeshtrën ligj anti-ZotPara se të zgjidhej President, Joe Biden, e quante firmosjen orderave të pakonsultuar(konsensual) ekzekutiv, diktat! Ndërsa vetë ai, në dhjetë ditë firmosi 25 të tillë dhe pse presidentët e mëparshëm nuk e kalonin numrin (6) gjashtë. Ndër këto urdhëra ekzekutiv…“lulëzoi” një më i shëmtuari në historinë e njerëzimit, ai që meshkujt transgender të mund të garojnë me femrat në kampionatet e tyre. Asnjëherë nuk më ka shkuar ndërmend një shëmti e tillë, një gënjeshtër diabolike ku i jep fund natyrës së seksit femër, të drejtës saj natyrale për të treguar aftësitë fizike në sporte të ndryshme. Shkencërisht dhe bioligjikisht, mashkulli është fizikisht disa herë më i fortë se femra, ndërsa teologjikisht jepet shpjegimi se Krijuesi e bëri femrën nga brinjët e mashkullit dhe jo nga toka siç e bëri mashkullin. Parë nën optikën e ligjeve hyjnore, femra, nëna e njerëzimit (siç bëri dhe Nëna e Krishtit, kur gjunjëzoi mbi shtatëdhjetë mijë vetë në Fatima, dhe pse përdori fuqinë hyjnore dhe bëri një mrekulli të tillë, nuk mund të bëhet kurrë Krisht!) është bërë për të qenë e ndryshme nga mashkulli. Kështu sado e fuqishme të jetë natyra muskulare e femrës, ajo mbetet në raport me mashkullin gjithnjë fluide… pjalmi i jetës! Po si mund ta quaj këtë “krater-ligj” që më ka prekur thellë në ndërgjegje e shpirt: çmenduri… shpirtligësi… hanrakllëk…? Ky është ligji degjenaritiv…më anti-njerëzori në historinë e njerëzimit dhe emëroi me bindje të plotë e quaj: Ligji anti-Zot!Në jetën time i kam takuar të gjitha llojet e sojit njerëzor dhe përvoja më ka bërë të konstatoj që më i shëmtuari dhe më i ndyri është… gënjeshtari!

Filed Under: Histori Tagged With: alfons Grishaj, Genjeshtra, Ligj-anti-Zot

Shkollat shqipe në Mërgatë- Konferenca tre-ditore e AADLC mbi metodat e mësimit në distancë

February 1, 2021 by dgreca

Nga Marjana Bulku – Nju Jork /

Konferenca virtuale mbi metodat e mësimit online organizuar nga Drita Gjongecaj, drejtuese e Albanian American Dual Language & Culture dhe shkolla shqipe “Children of the eagle” zhvilloi në tri të shtuna radhazi një serial trajnimesh mes mësuesve profesionistë të disa shteteve të Amerikës, Gjermanisë, Anglisë, Belgjikês, Suedisë, Italisë, Turqisë, Greqisë ku spikati interesimi i lartë, komunikimi i ndërsjellë dhe përfitimi reciprok.

Dita e tretë e kësaj konference u hap nga ideatorja dhe organizatorja e kësaj veprimtarie, zonja Drita Gjongecaj, e cila përmblodhi në mënyrë konçize  dy takimet e mëparëshme dhe shpalosi prezantuesit e takimit të tretë të rradhës. Hegland  Doçi, mësues i arsimit të mesëm në Nju Jork prezantoi detaje të reja të Platformës Google Forms, hartimin e pyetsorëve, dhe përfitimet praktike të këtyre formave gjatë të mësuarit online.

Mësuesja Holta Ahmataj, drejtuese metodike në arsimin publik Nju Jork, shtjelloi platformën Google Meet, kombinime me aplikacionin jam board çka u ndoq me interesim nga ndjekësit e shumtë. Nuk munguan pyetjet dhe sqarime të hollësishme.

Takimi u ndoq nga mësues dhe jo vetëm, deri në Kanada ku nuk munguan vlerësimet dhe përshëndetjet e Dr. Ruki Kondaj, presidente nderi e Shoqatës së Bashkësisë shqiptaro-kanadeze.

Aida Haziri shtjelloi në mënyrë praktike platformën Zoom përmes shembullit dhe materialeve nga gjeografia duke iu qasur vendeve dhe njohurive mbi trevat tona amë (Kosova).

Ky seminar tërhoqi vemendjen aktive të rreth 100 pjesmarrësve të cilët u njohën me platforma bashkëkohore, metoda dhe mbi të gjitha me kolegë nga tërë bota duke konsoliduar kështu rrjetëzimin mes mësuesve profesionistë çka duket një nevojë dhe domosdoshmëri e kohës. 

Ky set trajnimesh solli një përmasë cilësore kushtëzuar nga pandemia por derivuar nga serioziteti, përkushtimi dhe profesionalizmi i Drejtueses Drita Gjongecaj dhe stafit me të cilin ajo bashkëvepron prej pesë vitesh në Nju Jork. 

Mesazhet e pjesmarrësve ishin të panumërta, mësues në pension, mësues të rinj, folën e chatuan duke vërtetuar vlerat e gjithanshme që ky komunikim solli. Mjaft prekëse ishin përpjekjet e mësuesve të Greqisë, (mësuese Kristinës e cila ndonëse në pension nuk ndalet së edukuari me shqipen), të cilët krahas dëshirës për t’ju mësuar gjuhën shqipe shqiptarëve që lindin dhe rriten atje, ndeshen me problematika unike të cilat e kanë të nevojshme vëmendjen njerëzore dhe atë institucionale.

Konferenca tre ditore virtuale mbi metodat e mësimit online të gjuhës shqipe është pjesë e Seminarit mbi perspektivat e mësimdhënies së gjuhës shqipe në Diasporë që Drita Gjongecaj, Albanian American Dual Language & Culture dhe shkolla “ Children of the eagle” zhvillon për tri vite me rradhë.

Takimin e mbylli zonja Gjongecaj e cila falenderoi ndjekësit duke ju siguruar atyre edhe çertifikimin mbi pjesmarrjen në këto tre seanca edukimi metodologjik me kaq shumë vlera dhe efektive.

Filed Under: Histori Tagged With: AADLC, Drita Gjongecaj, Konference 3 ditore, Marjana Bulku

“Një jetë…disa Histori “-DR.ANNA KOHEN

January 24, 2021 by dgreca

Marjana Bulku:Doktoreshë Anna  kohen , jeta juaj ka kaluar përmes Shqipërisë, çfarë ka mbetur e paharruar  në kujtesën tuaj nga ai vend ?
Ana Kohen :Unë kam lindur edhe jam rritur në Shqipëri .Kujtimet  më  të bukura janë ato të fëmijërisë, jeta jone si jehudi  në Vlore, shoqet dhe shokët e shkollës së mesme. Por vetëm  kur u largova nga ai vend kuptova se zemrën time unë e lashë në Shqipëri.Si pa kuptuar ai vend kuptova se kishte  qenë dashuria ime e parë e cila nuk harrohet   dot kurrë edhe sot e kësaj dite.
Marjana Bulku :Gjuha shqipe mbeti kaq e gjallë dhe e pastër  tek ju? Si ia dolët të mos e harroni atë as në Amerikë?
Në fakt gjuhën shqipe e kisha harruar sepse gjithmonë flisnim greqisht në familje dhe siç dihet familja është baza e çdo lloj zhvillimi dhe kultivimi gjuhësorKur u ktheva në Shqipëri pas shumë vitesh , pata rastin të jepja leksione në degën  e stomatologjisë  të Universitetit të Tiranes . Aty e ndjeva të nevojshme  që të kisha ndihmën e një përkthyesi nga greqishtja.Në vitin 1990-të  pas  shumë përpjekjesh arrita të sjell në Amerikë gjithë familjen time prej 37 vetash të cilët jetonin ende në Shqipëri . Duke komunikuar me ta  fillova  ta  ripërdor edhe ta përmirësoj  dukshëm   përdorimin  e gjuhës shqipe .Më vonë  , pasi u zgjodha   kryetare e AAWO Motrat qiriazi, fillova ta përdor  më lirshëm gjuhën shqipe kuptohet nga takimet e shumta me shqiptarët .
Marjana Bulku :Ju i doni shqiptarët , e keni vërtetuar këtë me vepra , pse i do  shqiptarët kaq shumë Ana Kohen?!
Ana Kohen :Prindërit  e mi  kishin ardhur nga Janina e Greqisë në Vlorë  . Gjate luftës  ata u strehuan  në Fshatin Trevllazer ku arritën  që të mos zbulohen dhe arrestohen  nga nazistët gjermanë.Këtë fat nuk e pati familja e mamasë  time e cila jetonte në Janinë të Greqisë , ata për fat të keq u shfarosën në Kampet e Përqëndrimit.Kjo e ka dhe shpjegimin e pyetjes tuaj brenda , prandaj unë nuk kam se si të mos i dua shqiptarët në sajë të të cilëve ne ekzistojmë .
Marjana Bulku :Doktoreshë, humanistë , aktiviste në jetën e komunitetit shqiptaro-amerikan çfarë tjetër do ta bëjë të paharruar për ne shqoptarët Ana Kohenin? 
Ana Kohen: Unë i dua njerëzit prandaj dhe trajtoj të gjithë njerezit me respek dhe dashuri , kjo është shkak pse unë jam mjeke në profesion ose ndoshta edhe pasojë e profesionit .
Marjana Bulku:Motrat Qiriazi , Nju Jorku, Florida , projekte të shumta me në qendër familjen, gruan ,fëmijën, çfarë e ushqen kaq fort humanizmin tuaj; profesioni , apo shpirti juaj tërësisht human?
Ana Kohen:Nuk ka qene e lehtë  per mua që të drejtoj organizaten “Motrat Qiriazi “ për më shumë se  25 -vjet . Vetë  historia e familjes time më ka mësuar që ta vlerësoj humanizmin edhe gjithmonë të përpiqemi  të ndihmojmë njerëzit  në nevoje .Që kur isha e vogël  gjithmonë i kam ndihmuar shokët  dhe shoqet   e shkollës  . Mbaj mend një herë kur duke dashur ta ndihmoj me çdo kusht një shok të klasës  i tregova në provimin e frengjishtes. Si pasojë  mësuesi më nxorrri jashtë  nga klasa .Ky konsiderohej një turp për një studente të shkëlqyer .Dëshira për t’ju shërbyer  njerëzve Ishte një nga arsyet kryesore në zgjedhjen e profesionit tim.
Edhe unë kam kaluar  një periudhë  të vështirë në vitet e para të emigracionit. Kêshtu  i kuptoja vështirësitë që kalonin shqiptaret pasi kisha kaluar edhe vetë nëpër to.Nuk mohoj që edhe familja ime ishte një shembull për mua , historitë e saj natyrshëm na kishin imponuar modelin e vet.
Marjana Bulku:Modeli juaj njerëzor, profesional dhe estetik  ka frymëzuar kaq shumë miqtë sidomos ato që ju njohin nga afër , çfarë mesazhi ke për ata që pak ju njohin dhe duan të ndjekun udhën tuaj altruiste?
Sa herë  të keni mundësi  ndani njohuritë  tuaja me të tjerët!Dhuroni sipas mundësisë tek organizatat që ndihmojmë  komunitetin tuaj por edhe njerëz të tjerë në nevojë .Gjithmonë përpiquni të ndihmoni njëri-tjetrin edhe jo të armiqsoheni . Trajtoje me dashuri jo vetëm mikun por edhe armikun. Tregoju që ti ke një zemër më të madhe se ata që nuk të duan, apo të kanë zili.  Vitet kalojnë  shpejt e kur të plakesh dhe ta pyesesh vehten: Çfarë kam bërë  unë në jeten time…(?!) do të ndjehesh mirë kur din se i ke dashur edhe i ke ndihmuar gjithë njerëzit , përndryshe  do ndjehesh shumë keq. Por do jetë  vonë.
Marjana Bulku : Si ndjehet Ana Kohen gjyshe , na përshkruaj një ditë nga jeta juaj brenda asaj që konsiderohet e paprekshmja Mbretëri ; Familja ? 
Unë jam bërë gjyshe në moshë të re nga fëmijët e burrit .Fëmijët tanë na kanë  dhuruar dy nipa dhe një mbesë  Vajza jeton në Florida shumë afër nesh  duke na dhënë kënaqësi  që ta kemi gjithmonë pranë mbesën e ta shijojmë rritjen e saj. Alana më kujton veten  time kur isha femijë  dhe rrija gjithë ditën  pas gjyshes time e ajo kujdesej  për mua me aq shumë ashuri . Ajo përpiqet të më imitojë   dhe e quan veten  Mini NonaGjyshi shkon  në ballkon  edhe pi cigare Ajo e din që unë shqetësohem më shikon  dhe  më pyet: -“Where is Papu? Let me go and check on him.
Oh, Papu you are smoking. Please stop , is not good for you.
Than she comes back inside and tell me. Nona, Papu is smoking and he does not listen to me. 
I will become a dr like  nona, but Papu are you going to be alive when I finish school?”
Kur unë sëmuren ndonjëherë , ajo shqetesohet edhe me një pamje serioze më pyet:Nona, when are you going to die? Well I don’t know, only god knows.Oh, but after that the only thing left is for you to go to heaven correct?Yes.Ne të dyja kuptohemi me sy , ajo din të dallojë kur diçka nuk shkon ,marrdhënia ime me Alanën plotëson kohën kur unë rrisja time bijë, midis karrierës profesionale dhe angazhimeve ne humbasim kohën më të artë të jetës atë të rritjes së fëmijëve.Megjithatë unë dua të pohoj që kam punuar shumë për të qenë mama, bashkëshorte , grua në karrierë në të njejtën kohë dhe gjithmonë pyes veten :-A ia kam dalë ?!

Filed Under: Histori Tagged With: Dr. Anna Kohen, Marjana Bulku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 216
  • 217
  • 218
  • 219
  • 220
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT