• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Si u identifikua flamuri me të cilin u varros Ismail Qemali?

February 2, 2019 by dgreca

Dokumente dhe letërkëmbime të vitit 1933/

Nga Gëzim Llojdia/

1.

Flamuri me të cilën u varros plaku i Vlorës është gjendur 8 vjet më parë .Këtë e vërtetojnë  Dr. Ariola Prifti dhe Prof. Dr. Frederik Stamati.Prof Stamati një restaurator i njohur  ka dhën edhe intervista dhe ka publikuar edhe shkrim me këtë rast.

Dr. Ariola Prifti thotë:”.Me datë 2 dhjetor 2011 u zbulua në fondin etnografik të Qendrës së Studimeve Albanologjike flamuri me të cilin u varros Ismail Qemali!Flamuri  gjendej në një kuti të fondit. Duke u shtyrë më tej në kohë Dr A.Prifit shprehet:”Në darkën e  10  shkurtit 1919 luftanija italiane “Alpino” solli në Skelë të Vlorës arkivolin me trupin e pa jetë  të njeriut të madh.Në atë kohë Vlora ndodhej nën pushtimin italian. U vendos që Ismail Qemali të varrosej në Kaninë, në varrezën familiare të familjes Vlora, me që në   qytet nuk kishte mundësi urbanistike. Komanda italiane, që i a kishte frikën rebelimit, urdhëroi që në ceremoni të mos përdorej asnjë flamur shqiptar. Kjo ishte poshtëruese për ndjenjat e një populli, patriotizmi i të cilit mbushte  grykën e pushkës. Këshilli bashkiak i Vlorës këmbënguli në përdorimin e simbolit shqiptar. Komanda italiane e kuptoi mirë ultimatumin atdhetar dhe lejoi që gjatë ceremonisë arkivoli të mbulohej me flamurin shqiptar. Dhe ashtu  u bë. Arkivoli u mbulua me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë. Më tej Dr A.Prifti shprehet se ku u gjetë flamuri:Këtë  flamur i a kishte dhuruar Ismail Qemalit duka i Monpasiesë në mars të vitit 1913, kur ai bëri një vizitë në Vlorë. Në ato ditë flamurin e mbante me vete djali i madh i Ismail Qemalit, Et’hem Bej Vlora.Cermonia e varrimit u bë me 12 shkurt 1919. Ishte e mërkurë. U mbajtën dy fjalime mbresëlënëse  nga Jani Minga dhe nga Qazim Kokoshi. Mbas heshtjes u ekzekutua himni mbretëror italian. Pastaj kortezhi i gjatë u nis për në Kaninë. Ishte ora dhjetë. Karroca ku ndodhej arkivoli tërhiqej nga gjashtë kuaj. Anash ecnin me ngadalë dy rreshta  ushtarësh. Banda ushtarake ekzekutonte melodinë e përmortshme “Jone” të kompozitorit italian Petrella. Kortezhi prihej nga dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga “Djelmoshat e Vlorës”, të shoqërisë me po këtë emër.  Kurorat ishin gjithë lule, nderim dhe dashuri nga populli i Vlorës, nga shkollat, nga shoqëria “Djelmoshat e Vlorës” dhe nga gazeta “Kuvendi”. Mbas këtyre vinte “Shoqëria djaloshare”. Pastaj ecte banda ushtarake qe luante marshin funebër. Mbas bandës ushtarake ishin ushtarët e regjimentit 86 dhe reparti i mitralierëve italianë. Mbas këtyre ecte karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq dhe shqiponjën e zezë, e nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh. Mbas karrocës ecte grupi i hoxhallarëve dhe mbas tyre të tre djemt e Ismail Qemalit. Pastaj gjenerali Settimo Pacentini, kundëradmirali Lrubetti, autoritet ushtarake dhe civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë. Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit, të cilin flamur e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në “Sheshin e Flamurit” me 28 nëntor 1932. Mbas kësaj Et’hem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar.Në Arkivin e Shtetit ruhen disa dokumente që vërtetojnë ngjarjen.

2.

            Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1933, dosja 173.

 “MBRETNIJA SHQIPTQRE

Prefektura mbretnore

                 Vlonё

Nr. 172

Vlonë me 21. Kallnuer. 1933

            P.T.

Ministris Aresimit TiranË

Këtu ngjitun kemi nderin me Ju paraqite proces-verbalin e mbajtun me rastin e marrjes në dorëzim té Flamurit qé ashte ngritun për té parën here né Vlonë, prej Patriotit Ismail Qemalit. Gjithashtu në pako të veçantë dhe po me këtë shkresé dërgohet edhe Flamuri në fjalé. Shtojmë se me gjithqë Z. Etéhem Vlora pretendon se ky Flamur ashte ngritur për té parén here né ndërtesën Qeveritare me dorën Atit tij, por nga sa kemi hetue ky Flamur ashte ngritur me të vërtet mëm 28 Nanduer 1912, por jo né ndërtesën Qeveritare, por né Zyrën e doganave né Vlone.Lutemi me na njoftue marrjen né dorëzim.

                                                                                                             Prefekti

                                                                                                                  A.  Nepravishta”

Shkruar me dorë:

“T’i dërgohet ky

flamur Bibliotekës”

Nën këtë shënim, është një tjetër, që konfirmon marrjen e flamurit në dorëzim:

“asht këtu në bibliotekën t’onë”

(firma)

28/10/33

Vijojnë disa vula dhe firma dhe në fund:

“Marrë në dorëzim me 29-X-933”.Po paraqesim edhe proces-verbalin shoqërues:

                                            “Proces-Verbal

Sot mé 28 Nanduer 1932, ditën e Hënë, me rastin e transferimit të eshtravet të shënjtorit tëéKombit té ndjerit Ismail Qemalit nga Kanina né Pemendoren kujtimore té ngrehun prej N.M. Tij Mbretit dhe në pranie të Përfaqësuesit té N.M.Tij Mbretit Shkëlqesisë së tij Gjeneral Leon De Gjilardi dhe të shkëlqesave të tyne Z.Z. Hil Mosi, Ministër i Arsimit, Milto Tutulani, Ministër i Drejtësisë dhe té Prefektit té Vlonés Z. Abedin Nepravishta, Zoti Ethem Bej Vlora, i biri  i té ndjerit Ismail Qemal pér kujtim Kombëtar i dorëzoj Prefektit të Vlonés Flamurin Kombëtar té cilin mé 28 Nanduer 1912 ati i tij Eroj i Kombit i ndjeri Ismail Qemal e ngriti né qytetin e Vlonës tue prokllamuar indinpendencën e Shqipnisë pas shumé shekujsh rrobnije.Kété Flamur té shenjté Prefekti i Vlonës ja dorëzoj Ministrit té Arësimit Shk. tij Z. Hil Mosi për t’a dépozituar né Muzeun Kombétar né Tirané.

Për sa ma nalté u redaktua ky Proces-Verbal i mbajtun në katër kopje dhe i nënëshkruem prej të gjithëve që  përmendën ma sipër.

Ministri i Arësimit               Ministri  i Drejtësisë               Përfaqësuesi i N.M.Tij

        Hil Mosi                           Milto Tutulani                             Mbretit

                                                                                         Gjeneral Leon De. Gilardidrejt

 

I biri i té djerit                                    Prefekti i Vlonës

Ismail Qemal                                       A. Nepravishta

Etem Vlora”       

 

Nga shkresa e mëposhtme, e firmosur nga vetë ministri i arsimit Mirash Ivanaj, vërtetohet se flamuri i u dorëzua Muzeut Kombëtar. E citojmë:

Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1933, dosja 173.

“ Ministri E Arsimit

Nr. Prot. 1208. Dërgohet Flamuri Komtar i ngrehun për herë të parë në Vlonë.

Drejtorisë së Muzeut Komtar, Tiranë

Këtu ngjitun i dërgojmë asajë Drejtorije kopjen e process-verbalit të mbajtun me 28 Nanduer 1932 mbi flamurin komtar qi asht ngreh për herë të parë nga i ndjeri Ismail Qemali në Vlonë.Për njiherit me këto shkresa ju dërgojmë dhe kët flamur historik për t’a ruejtun me kujdes në muzeun komtar.

                                                                                    Ministr’i Arsimit

                                                                                       Mirash Ivanaj (firma)

Nisur me 6/XI/1933”

Kështu, në bazë të këtij dokumenti, Shqipëria u bë me flamur kombëtar. Por kjo nuk ishte e vërtetë. E vërtetojnë mohimet që i u bënë faktit të servirur nga dëshmitarët e atyre ngjarjeve, që detyruan autoritetet e kohës të bënin verifikime të shumta, për të sqaruar të vërtetën. Mirëpo patriotizmi vulosi mendimin. Për shumë kohë u besua se flamuri i pavarësisë ndodhej i ruajtur në Muzeun Kombëtar. U desh kohë që ngatarresa të shpështillej, por kjo është çështje që nuk lidhet me këtë shkrim, aq më tepër që është sqaruar.

 

“M.A.

Nri 402/749

Flamuri i Vlorësë

                                              Mënistërijës’ së Arësimitë

                                                                                                   Q y t e t

Bashkë me shkresën’ Nri 1208 të së 6s’ së këtij muaji, të shoqëruarë me verbalin’ e endur’në Vlorë më 28 të Vjeshtës’ së Tretë 1932. Muarëm’ në dorëim:

Flamurin’ kombëtar që shtolli në Vlorë vetë Ismail Qemal Vlora, mbë 28 të Vjeshtës së Tretë 1912.Ky flamur zu vëndin’ në rjeshtën’ e kujtimevet’ t’ tjerë, me vlejë të jëstorijëtë, që ruhen’ në Tiranë,  9 Vjesht’ e Tretë 1933

                                                                                       Drejtori

                                                                                 (Firma dhe vula )

Ngjitur’ pas kësaj’ dorë-dëftesa

e jonë Nri C. 208”

Dokumenti: AQSH, Fondi 195, viti 1936, dosja 62.

                                                 “Flamuri i Vlorësë

 

 

Për punën, e flamurit’ kombëtar që valoj në Vlorë për here të pare ditën’ e të lëҫiturit’ të Shqipërijsë mbë krye të vehtë, Zoti Et-hem Bej Vlora, bir i të ndjerit Iamail Qemal Bej Vlora, pati mirësijën’ të shtronjë këta kujtime:

1)      flamuri upat nga shtëpija e Zotit’ Syreja Bej Vlora. (Shënim nga F.Stamati: fjalët, “nga shtëpija e Zotit’ Syreja Bej Vlora”, janë të shuara me një vijë përsipër).

2)      Pëlhura e flamurit’ qe e leshtë dhe shkaba e shtampuarë; nuk’ mban mënt të ketë pasur,’ theka o kravatë.

3)      Të madhët’ të tijë, gjer sa mund të caktohet’ me të maturë syri, munt të qe afëro 0 m. 80 për së gjati, dhe 0 m. 50 për së gjëri.

Sa për fundin ‘ e këtij, flamuri Zoti Et-hem Bej Vlora ësht’ i mejtimit’ se flamuri nuk’ ka qënë shdukurë, po se ndodhet’ i ruajturë në Shqipërijë, ndër duar’ që do të kujtohen’ ndofta  ndonjë  ditë t’i a falin’ Muzejës’ Kombëtare.

Tiranë, 10 shkurt 1936”

            Më poshtë, në të majtë, është vula e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, si dhe firma, ndërsa në të djathtë, firma e Ethem Bej Vlorës. Poshtë ka një shënim:

(a)     Zoti Et-hem Bej Vlora ndreqi me dorën’ e vehtë:

“nga shtëpija e Zotit’ Xhemil Bej Vlora”.

            Ёshtë me interes edhe një dokument tjetër:

Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1936, dosja 62. Po e citojmë:

                                                 “Flamuri i Doganës’ së Vlorësë.

Me shkresën’ e Mënistërijës’ së Arësimitë Nri 1208 të së 6s’ së Vjeshtës’ së Tretë 1933, i udorëzua Muzejës’ Kombëtare një flamur i trajtuarë prej dy fijesh pëlhure të leshtë, 1 m. 45 i gjatë dhe 0 m. 95 i gjërë, me shkabën’, me dy krerë dhe me krahë të shtallurë mbë të përpjetë, pa theka dhe pa kravatë.

Pas shkresës’ që i përsillte Muzejës’ Kombëare këtë flamurë, janë mpështeturë:

1)      një verbal me ditë  28 të Vjeshtës ‘ së Tretë 1932, në të cilin’ kan’  vënë duarëtë:

Përfaqësi I L. Madhërijës’ së Tijë Mbëretitë, Gjeneral Leon de Ghilardi,

Ministri i Arësimitë, Hil Mosi,

Ministri i Drejtësijësë, Milto Tutulani,

Zoti Et-hem bej Vlora, përfaqësi i Fëmijës’ së të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë, Prefekti i Vlorësë, A. Nepravishta.Në këtë verbal është shënuar se flamuri i dhuruar  Muzejës’ Kombëtare është mu ay  që pati ngriturë në Vlorë me dorën’ e vehtë i ndjeri Ismail Qemal Beu, të 28në të Vjeshtës’ së tretë 1912.

2)      një shkresë e Prefekturës’ së Vlorësë, Nri 172 me ditë 21 Jenar 1933, në të cilën’, ndër

3)       t’jera, është shënuarë se si pas kërkim’ e hetimeve të bërë nga Prefektura e Vlorësë, ky flamur nuk ‘ ka qënë ngritur’ kurrë mbi ndërtesën’ qëverritare as ditën’ që ulëҫit të krye-mbë-vehtët’ të Shqipërijésë as mëë  pas, po ka valuarë vetëm për një kohë të gjatë mbi godinën’ e Doganës’ së detitë  të Vlorësë.

Për të kthillurë këtë pikë ukërkuanë hollësija nga Zoti Et-hem Bej Vlora, i cili pati mirësijën’ të apinj’ këta shënime:

1)      flamurin’ që  i udorëzua Muzejës’ Kombëtare, i a fali të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë Duku i Monpansierit’, kur pat’ ardhurë në Vlorë, nga Marsi i vitit’ 1913.

2)      qëverrija e Shqipërijësë e përdori për Doganën’ e Vlorësë, mbi ndërtesën’ e së cilësë valoj gjer ditën’ që Ismail Qemal Beu hoqi dorë nga Kryesija e Qëverrijësë.

3)      mbë t’ ularguarë nga Vlora  Ismail Qemal Beu, kërkoj të ketë si kujtim një nga flamuret’ të Qëverrijësë; usgjoth ky flamur dhe i udorëua Zotit’ Et-hem Bej Vlora, i cili e pati me vehte gjatë kohës’ që bashkë me t’ anë undodhën’ ndëpër Evropë.

4)      ditën’ që i ndjeri Ismail Qemal Vlora ndërroj jetë në Perugia të Italijësë (25 Jenar 1919) Zoti Et-hem Bej Vlora mbuloj trupin’ e t’et me këtë flamur.

5)      kur upru i vdekuri në Vlorë dhe uvendos në sallën’ e fllugërijës’ së përmortëshme, që pati navaturë Kumanda e Ushtërijës’ Italjane, prapë ky flamur under mbi arqivolin’ e të vdekuritë.

6)      gjatë përsjellës’ së trupitë nga Vlora në Kaninë, arqivoli qe mbuluarë me po këtë flamur.

7)      edhe ditën’ që eshtërat’ të të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë umbartën’ nga Kanina në Vlorë, për t’ ukallurë në varrin’-monoment, që ngrehu Qëverrija Mbëretërore e Shqipërijësë, ky flamur qe nderur’ mbi arqivolin’ edhe gjatë rrugësë edhe gjer sa  mori funt shërbesa e të kalluritë, pas së cilësë Zoti Et-hem Bej Vlora u a dorëzoj  Përfaqësvet’ të Qëverrijësë Mbëretërore, si kujtim për t’ uruajtur’ në Muzejën’ Kombëtare.

Tiranë, 10 Shkurt 1936”.Më poshtë, majtas,  është firma dhe vula e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, ndërsa djathtas firma e Et-hem Bej Vlorës.

3.

 Si u rajtën dokumentacionet.Dr.A.prifti shprehet:” Në vitin 1946 materialet e Muzeut Kombëtar i kaluan Institutit të Shkencave. Në vitin 1957, kur u krijua Universiteti i Tiranës, mori jetë edhe Instituti i histori-gjuhësisë, i cili pati në vartësi të vet edhe Muzeun arkeologjik-etnografik, si edhe fondin etnografik. Në këtë fond kaluan edhe flamujt, që ndodheshin dikur në Bibliotekën dhe  Muzeun Kombëtar. Mirëpo nuk pati asnjë dokument për historinë e tyre. Kështu, ata mbetën enigmë. Edhe i ndjeri Rrok Zojsi, themeluesi dhe shefi i etnografisë dhe i fondit etnografik, e kishte me të dëgjuar se dikush i kishte dorëzuar flamujt pa dhënë ndonjë sqarim për ta, duke thënë: merrini dhe ruaini edhe këta! Punonjësja më e vjetër e fondi etnografik Znj. Pandora Plaku, kujton edhe në ditët e sotme porosinë e Rrok Zojsit për kujdesin ndaj ketyre flamujve dhe punën që ka bërë ajo me kolegët e saj për t’i mbrojtur këta flamuj nga infeksionet e insekteve dhe nga dëmtime të tjera.Ishin tetëmbëdhjetë. Puna për identifikimin e tyre filloi dhjetë vjet më parë. Me 2 dhjetor 2011 i erdhi rradha këtij. Se si ndodhi mund ta tregojmë ndonjë herë tjetër.Flamuri është i plotë, por ka dëmtime të shumta. Ngjyra e kuqe është zbehur nga veprimi i diellit.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Gezim Llojdia, Ismail Qemali, Si u identifikua flamuri me të cilin, u varros

“JALTA 1945”, KANCERI EUROPJAN

February 2, 2019 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/1 Yalta

Pa kulturen e vjeter Europjane Përendimore, Botës i mungon Dielli…

Diplomati i nderuem amerikan Henrry Kissinger asht i pari historian që tek libri i Tij “Diplomacia”, ka shkrue të verteten e mnershme të Teheranit dhe Jaltes së 1945, tue i tregue rinisë botnore diagnozen e saktë të “Kancerit Europjan”, që perjetsisht e ka shkatrrue kontinentin ma të kulturuem dhe të vjeter të njerzimit perparimtarë: Europen!

Asnjë Shqiptar Atdhetar nuk u pajtue me vendimet e Jaltës, perveç tradhtarëve dhe atyne tregtarëve të vjeter të pakteve të Pashiqit, Titos, grekofonëve e sllavokomunistëve të formuem nder podrumet e homoseksualëve të Beogradit e të Moskës stalinjane të 1927.

Kush e shiti Shkodren në 1913, kush e shiti Vermoshin e Ohrin në 1924, kush e shiti një Shqipni të tanë në 1941 – 44, pa perfundue Lufta e Dytë Botnore, kur fashizmi e nazizmi kishin falimentue plotsisht n’ Itali dhe Gjermani… E në të gjithë Europen?!

Bash atëherë kur Ballkani po coptohej diten per diell e naten per hanë…?! Shqipnia si per qejfin e sllavëve rrethues, në zonat Jugore ishte zhytë në gjak e vllavrasje nga lufta civile.

  1. Kissinger shkruen: “Si rezultat , Bashkimi Sovjetik pati mundësi ta kthente pushtimin ushtarak në një rrjet regjimesh satelite” Diplomacia, faqe 441.

“Dy vitet e para pas luftës, vetëm Jugosllavia e Shqipëria vendosën diktatura komuniste. Pesë vendet e tjera, që më vonë u bënë satelitë sovjetikë: Bullgaria, Çekosllovakia, Hungaria, Polonia dhe Rumania patën qeveri koalicioni, në të cilat komunistët ishin më të fuqishem.” “…Kominformi quajti ‘demokraci të reja’ Jugosllavinë, Poloninë, Çekosllovakinë dhe Shqipërinë…” H. Kissinger “Diplomacia” faqe 443.

Shka ngjau në këta shtete per 50 vjetë, ju tregon “Historia e pastudjueme”! Bazat e “Historisë së Vertetë të Shqipnisë” i keni tek “Vetvrasja e Një Kombi” Kol B. MIRAKAJ!

1945KRIJOHET “PËRANDORIA E SË KEQES” ME MILJONA SKLLAVË…

■9 NANDOR 1989 MBI PLLAKAT E BETONIT TË MURIT BERLINIT RRAHIN FLETËT PLLUMAT E PAQES… REAGAN, PAPA GJON PALI II, HELMUT KOHL E GORBAÇOV JANË SHPETIMTARËT E PËRJETSHËM TË NJERZIMIT…DHE TEHERANIT E JALTËS I ERDHI FUNDI …NË SHQIPNI JO!

Edhe sot zani burrnor i Presidentit Ronald Reagan vazhdon me ushtue në Berlin: “Zotni Gorbaçov, hape këtë portë!.. Zotni Gorbaçov … Zotni Gorbaçov, rrëzoje këtë mur!”…

Kishte kalue një gjysë shekulli që miljona e miljona njerëz e kishin harrue fjalen “LIRI” !

Ajo trokiste nder dyertë e Europës, e barbarët në Shqipni kerkonin “prangat e reja”!

Harruene sa miljon njerëz binin me fjetë pa frikë se i troket dera natën… Sa miljon qej ujq nuk shkyejnë ma njerëz… Sa miljon ml. tel me ferra nuk rrethojnë ma njerëzimin…

Sa miljon vetë nuk mendojnë ma veç me ngranë … Miljona e miljona vetë ndër shekuj… do të kujtojnë me respekt Ata Burra Shteti që janë Shpëtimtarët e Njerëzimit nga komunizmi barbar, vrasës, gjymtues, rrenues, varrmihës. e gjakatar në gjithë Botën!

Sa njerëz fituen të Drejtën me kenë “njeri”… Sa piramida nuk lahën ma me gjak Rinije… Në kërkim të Lirisë… Sa kampe pune shfarosje e interrnimi u shpërthyen njëherë e përgjithmonë… Sa burgje mbetën vetëm qendra muzeale vuejtjesh, urije e mjerimi…

Sa qendra torturash nuk u lejuen ma me vazhdue shfarosjen…. Sa kriminelë mbetën pa vra njerëz për kënaqësi …e terror… Sa familje u çveshën nga rrobat dalluese të “luftës së kllasave”… Sa mija e mija njerëz fillue me harrue fjalën “frikë” nga sigurimi… Sa miljon vetë nuk kanë frikë me lutë Zotin… Sa miljon njerëz nuk janë ma të interrnuem… E sa mija e mija fëmijë e pleq nuk vdesin urije e t’ etshem per ujë në kampet e shfarosjes…

Kur stafeten e qeverisjes shqiptare e mori diktatori anadollak Ramiz Alia, qendrimin e tij e mbështeti pa asnjë mëdyshje edhe Nexhmije Hoxha, të cilët së bashku hapne “pusin e demokracisë”, me vrasje e barbarizma nder piramida, vjedhje e shperdorime, demokrat të balsamosun, agjenta sllavokomunistë polumbarë në Detin Jon, vorreza boshe greke, shpartallues të qendresës kufitare nder Malet e Veriut, Ambasada pa Ambasador… Vneshta droge, trafikanta e terroristë në pakte e antarsime në “Konferencat Islamike”, me votime të hapta antiamerikane… Dhe në favor të turpit “Rilindjes komuniste”!

Narkotrafikantët e qeverisë “shqiptare” të pasuesve sllav, vazhdojnë mos me i shkelë “parimet e drogës dhe të homoseksualëve” antishqiptarë të Pazarit të vjeter të Tiranës!

Mbas 75 vjetë terrorizem e imoralitet, Moskës i kujtohet agjenti Ramiz Alia…Francesve Ahmet Muhtar Beg Zogolli, mik i Pashiqit, Grekëve Edi Rama… Ndersa, vend të parë pranë Millosheviqit ka katili Enver Hoxha, që nder 1 miljon e 200000 Shqiptarë ka vra e zhdukë ma shumë se Stalini e kushdotjeter… në Shekullin e “Kancerit Europjan 1945”.

■Mos e harroni thanjen: “Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit.” HISTORIA PO PERSËRITET !..

            Melbourne, 2 Shkurt 2019.

Filed Under: Histori Tagged With: “JALTA 1945”, Fritz radovani, KANCERI EUROPJAN

Le Petit Journal:Mbreti Zog, shpëtimtar i atdheut shqiptar

January 31, 2019 by dgreca

MBRETI ZOG, PASARDHËS I SKËNDERBEUT DHE SHPËTIMTAR I ATDHEUT SHQIPTAR (PARIS-MIDI, 1935)/1 ZoguNga Aurenc Bebja*, Francë – 31 Janar 2019/

“Paris-Midi” ka botuar, të enjten e 27 qershorit 1935, në faqen n°5, shkrimin e gazetarit të “Le Petit Journal”, Roger Crouquet, dedikuar Mbretit Zog, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

1 Le Roi Zog

Mbreti Zog, shpëtimtar i atdheut shqiptar

 Ai ka realizuar të gjithë programin e tij në një vend të rigjeneruar që dominon në një anë të Adriatikut, « deti Italian », shkruan Roger Crouquet (Le Petit Journal) :

 “Para luftës, Shqipëria, një vend i varfër dhe i paarsimuar, jetonte në një gjendje kolapsi, duke vuajtur gjithashtu në një mjerim të egër. Turqia e Sulltanit kishte lënë shenjën e saj me pushtimin e gjatë dhe qytetërimi nuk kishte depërtuar fare deri në atë kohë në këtë territor të largët, pa lidhje komunikimi me vendet fqinje.

 Por një njeri u shfaq, pasardhësi i këtij Skënderbeu, heroit kombëtar, i cili, nga maja e kështjellave shqiptare, mbajti larg për një kohë të gjatë jeniçerët e Konstandinopojës. Ky burrë, i ri, plot idealizëm dhe i vetëdijshëm për realitetet e jetës, duke dashur vendin e tij mbi të gjitha, donte t’i jepte atij lirinë dhe t’i sillte dobitë e qytetërimit. Program i bukur që më në fund do të gjente realizimin e tij.”

Filed Under: Histori Tagged With: 500 vjetori i Skenderbeut, Aurenc Bebja, Mbreti Zog, Pasardhes, SKENDERBEUT

In Memoriam Shoah – Takim me Z.Johanna Jutta Neumann…

January 27, 2019 by dgreca

In Memoriam Shoah – Takim me Z.Johanna Jutta Neumann që i dëshmoi botës se moralin e Europës e shpëtuan shqiptarët /

1 Elida Neumann

Nga Elida Buçpapaj/

Kur hymë ne, takimi kishte nisur. Në sallë dëgjohej vetëm zëri i saj me një jehonë kumbuese.

Zëri i Johanna Jutta Neumannit, një zonje 84 vjeçare e cila i ka mbijetuar Holokaustit falë Besës të Shqiptarëve.

Ne e njihnim shumë mirë këtë zonjë që ka lindur në Hamburg, të cilën prindërit e sollën në Shqipëri për t’i shpëtuar çmendurisë të nazizmit.

Johanna Neumann jeton prej 1946 në SHBA dhe ajo nuk është ndalur kurrë së treguari për Kodin e Nderit të Shqiptarëve.

Dhe sot kur ne jemi duke përjetuar krizën e besimit dhe krizën e identitetit, duke pyetur njëri-tjetrin, jemi ne a s’jemi, të dëgjosh „live“ zonjën Neumann se si flet me entuziazëm për adn e shqiptarëve, është padyshim diçka e rrallë.

Ne si gazetarë e kemi ndjekur aktivitetin e kësaj gruaje të vogël nga shtati e cila arrin t’i paraqesë shqiptarët në SHBA dhe në botë më mirë se askush.

Prania e saj në Bazel, i dedikohet hapjes të ekspozitës me fotot e fotografit hebreo-amerikan Norman Gershman.

Gershman një tjetër hero.

Fotot e mbledhura në Shqipëri, Gershman i përdori në librin ku mbështet edhe filmi i tij “Besa, Muslimanët që shpëtuan Hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore”.

E ka fjalën për Shqiptarët.

Si motiv të filmit Gershman e ka përgjigjen ndaj pyetjes së pamundur – nëse ka njerëz në rruzullin tonë që do ta jepnin jetën e tyre për një të huaj: „Po, ka, thotë Gershman, Shqiptarët do ta bënin“.

„Për Shqiptarët, nuk ka të huaj, ka vetëm Miq, dhe Miku është i shenjtë“. Këto janë fjalët që dëgjojnë vizitorët zviceranë nga goja e zonjës Johanna Jutta Neumann. T’i thuash ausländerit – Mik – është diçka e jashtëzakonshme. Shqiptarët i thonë. Të paktën i kanë thënë, në një kohë të pamundur. Sepse tani edhe kur është fjala për njeriun e afërt i venë pikpyetjen ka apo nuk ka leverdi!

Ekspozita për Besën – do të rrijë e hapur në Basel deri më 22 maj e pastaj do të qarkullojë në qytetet kryesore të Zvicrës, si Bernë, Zürich, Lausanne, Biel etj. Për një vit. Deri në marsin e vitit 2015.

Ndërsa prania e Johanna Jutta Neumann ishte një mrekulli e Zotit. Si ju tregova, kur hymë në sallë, zëri i saj kumbonte. Ajo është një grua 84 vjeçare, që nuk e tregon moshën, ose më mirë të themi, që  e sfidon kohën. Të pranishmit dëgjonin të mahnitur bëmat e shqiptarëve, se si ata rrezikonin edhe jetën e tyre dhe të familjeve për t’i shpëtuar hebrenjtë. „Duhej humanizëm dhe kurajo“, u tha Johanna, kur e pyetën se si ishte e mundur. Dhe ajo vazhdon, vazhdon e nuk ndalet, duke buruar lumë fjalësh  mirënjohje për kodin e nderit të shqiptarëve. „Në Europë, hebrenjtë i spiunonin pa të keq, për pak flori, apo për aspak, ndërsa tek shqiptarët, kurrë“.

Historinë e jetës  që ajo e tregonte në gjermanisht, ne e kishim lexuar në librin e saj përkthyer në shqip „Në sajë të Shqipërisë, rrëfime për vete“. Unë e kujtoja në detaje fëmijërinë e saj të lumtur në Hamburg. Dhe pastaj gjithçka ishte kthyer përmbys. Ata kishin marrë ikën nga sytë këmbët të shpëtonin jetën. Shpëtimin e gjetën në Shqipëri ku qëndruan për shtatë vite. Kur ajo po tregonte mbërritjen e tyre në SHBA, unë kisha parasysh se në fillim për në Amerikë u nis ajo vetëm me nënën e saj, ndërsa i jati i përlotur i shoqëronte me sy nga bregu pasi ishte e pamundur që të udhëtonte bashkë me to. E për t’u bashkuar më në fund u deshën edhe muaj të tjerë.

„Im atë nuk mundi të kthehej kurrë më në Gjermani“. Sa e tmerrshme, për të mos mundur që të kthehesh më në vendin tënd. „ Ndërsa ne hebrejtë të dalë nga lufta botërore me plagë të pafundme, bëmë gjithçka për ta ndërtuar jetën tonë dhe lindëm fëmijë sa mundëm, e kështu arritëm të fitonim kundër Hitlerit.“ „Ndërsa Shqiptarët, ata i shpëtuan moralin Europës“.

Gjatë gjithë tregimit të saj, të pranishmit dëgjonin gjithë sy e veshë. U dukej diçka sureale, sikur t’i shpëtosh apokalipsit. Ndërsa ne që e njohnim trashëgiminë shpirtërore të shqiptarëve, krenoheshim me ato që ajo tregonte dhe na vinte të bërtisnim me të madhe „Hej, ne jemi shqiptarë“.

Kur ajo rreshti së treguari dhe po ashtu rreshtën edhe së pyeturi, unë u ngrita dhe i shpreha mirënjohjen, në emrin e të gjithëve shqiptarëve, pa bërë asnjë dallim. Pasi është gjëja më e lehtë t’i shash shqiptarët, t’i mbushësh gazetat për bëmat e tyre, si dealer droge, si kështu e ashtu. Por, le të dalë dikush në Europë, që t’u ketë hapur dyert e shtëpive dhe të zemrave hebrejve si shqiptarët. Askush, asnjë! Por duhet të jetë Norman Gershman dhe Johanna Neumann që ta tregojnë këtë!

Meqë m’u dha rasti, i thashë Zonjës Neumann se Kosova ka mbetur tani si një Lager i izoluar në mes të Europës dhe ajo pret të njihet si shtet. Dhe nëse do ta njohë Izraeli, kjo do të jetë diçka shumë e rëndësishme. Pastaj i shpreha rishtas mirënjohjen sepse edhe bota e civilizuar është në krizë morale, ndërsa ajo grua e vogël sfidon duke treguar të vërtetën. Kam bindjen se të ishte për Johanna Neumann, Izraeli do ta kishte njohur shtetin e pavarur të Kosovës me kohë!

Takimit tonë po i vinte fundi. Ne iu afruam dhe e përqafuam. Ashtu trupvogël dhe e brishtë nga vitet, por e  fortë. Në librin e saj, me kërkesën tonë, na shkroi emrin e saj, me një kaligrafi, sikur të ishte nxënësja shembullore në Hamburg që posa e kishte nisur shkollën, por në një shekull të ri, të paqtë e të drejtë.

Ajo nesër do të marrë rrugën për në shtëpinë e saj në Washington D.C.. Me të ishte edhe njëra nga të bijat që jeton në Izrael. Ishte kënaqësi edhe takimi me të. Kur do të na duhej të ndaheshim, sa keq që njerzit jetojnë nëpër anë të ndryshme të botës, i thashë zonjës Neumanm se në jetën time isha takuar me tre njerëz që s’do t’i harroj kurrë. Ajo me buzën në gaz priti të tregoja se cilët ishin. Me Papa Gjon Palin e Dytë i thashë, me Nënë Terezën dhe me ju ! Asaj i ndritën sytë, të cilët i kishin mbetur si sy të pastër fëmije. Pastaj i uruam jetë të gjatë dhe një takim tjetër. Diku në tokë a qiell! Ajo e aprovoi!

Maj 2014

PS Johanna Jutta Gerechter Neumann lindi më 2 dhjetor 1930 në Hamburg, Gjermani dhe largohet nga kjo botë 26 Prill 2017

 

Johanna – Jutta – Gerechter Neumann në kohën kur jetonin në Shqipëri

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Elida Buçpapaj, Johanna Jutta Neumann, Norman Gershman

ISMAIL QEMAL VLORA NË EPIKËN HISTORIKE

January 27, 2019 by dgreca

NDERIM 175 VJETORIT TË LINDJES DHE 100 VJETORIT Të VDEKJES TË ATIT TË PAVARËSISË/

1 a Ismail Qemal

Nga Albert HABAZAJ*/

Abstrakt: Historia me racionalitetin e saj koherent dhe folklori me emocionin karakteristik e vlerësojnë meritueshëm Ismail Qemal Vlorën për aktin e madh të Pavarësisë, si themeluesin e shtetit shqiptar. Me bulëzimin e Demokracisë, sidomos gjatë viteve 1995-’97, pati një vërshim botimesh folklorike apo të ashtuquajtura folklorike, por që nuk e morën statusin e korpusit “Trashëgimi kulturor i popullit shqiptar” për të plotësuar e vijuar tre vëllimet e serisë së “Epikës historike”. Cikli i këngëve historike, që ka të bëjë me përgatitjen e shpalljes së shtetit të pavarur shqiptar, me të cilin përfundon periudha e këngëve të pushtimit osman, është jo shumë  pasur. Ka vlera njohëse, edukative e artistike; por mbi të gjitha, ngjizja e ndjenjës kombëtare, si dukuri e re që  lindi me Lidhjen e Prizrenit e kthjelloi më tej ndërgjegjësimin atdhetar- kombëtar. Njohja e kombit u bë si njohja e vatrës ndër shqiptarë. Shtëpia e vogël e familjes në Kurvelesh, në Dibër, Himarë, Skrapar, Tepelenë, Koplik, Korçë, Prizren, Shkodër, Berat, Gjirokastër, Berat, Mirditë, Gramsh, Tetovë, Drenicë, Gjakovë, Arpicë, Lushnjë, Lezhë, Has, Kavajë, Krujë, Ulqin, Çamëri apo Labëri  … u barazua me Shtëpinë e madhe Kombëtare; u bë dëshirë e kërkesë e secilit njohja e kombit – këtë na tregon kënga. Veçse, edhe për këngët epike të Pavarësisë bazë është kriteri kronologjik dhe ato, “duke patur si mision kryesor pasqyrimin emocional të ngjarjeve të ndodhura realisht, kanë përmbajtje të angazhuar historike”(Dibra) 1), duke iu përgjigjur flakë për flakë ngjarjes madhore të Pavarësisë dhe rolit të saj vendimtar për jetën shqiptare. Në këtë punim do të trajtojmë pikërisht ravën folklorike të çelur nga Qemal Haxhihasani e Zihni Sako, qysh më 1956 me  “Këngë popullore historike”.  Mendojmë se ravijëzimi kronologjik na çon në gjurmët e arketipit dhe se krijimet foklorike, parë nga ne në konteks, jetojnë e qarkullojnë vetëm brenda atij komuniteti të caktuar që i pëlqen, që i dëshiron natyrshëm, jo teatrisht, nëpër skena folklorizante.

  1. Hyrje në rrafshin krahasimtar: histori – epikë historike

Pavarësia e kombit shqiptar është tempulli ku shqiptarët i falen Flamurit dhe Plakut të Bardhë, që së bashku me Bacën Isë, me Luigj Gurakuqin, me Rasih Dinon (nga treva e Çamërisë), me tërë ata burra të lartë e me fisnike si Marigo Posio e trimëreshat e tjera shqiptare, i zbardhën faqen Atdheut tonë të lashtë, larë me diell, qëlluar me furtunë. “Luftrat ballkanike do ta përshkonin rajonin si një nëmë biblike” (Salleo) 11). Nga literatura historiografike mësojmë se ai fillimshekull i XX qe i stuhishëm, se në atë kohë lëvizja kombëtare për liri shtrihej anë e kand Shqipërisë, se ishin mbledhur shqiptarët e Rumanisë të kryesuar prej Ismail Qemal Vlorës e vendosën “mprojtjen e të drejtavet kombtare e shpëtimin e Atdheut prej lakmimeve sllave e greke, dhe në Vlonë me 28 Nanduer 1912 i u gjegj mbledhja e përgjithëshme e përfaqsivet të të gjitha visevet shqiptare qi shpalli mvehtësín e Kombit. Kronisti i asaj dite historike, kështu shkruen: Më 3 ½ hapet mbledhja… Në krye të sofrës rrin Ismail Qemali… Afër tij âsht Don Kaçorri… Aty pranë gjindet edhe Luigj Gurakuqi, i cili, në ketë çashtje âsht, me të vertetë dora e djathtë e Plakut” (Kamsi) 7).

Pavarësia mbart sakrificat e shumë brezave, duke u kthyer në një vepër popullore, në themelet e së cilës kishte vënë gurë gjithë Shqipëria. Akti historik për shpalljen e Pavarësisë pati qëllim shpëtimin e vendit nga copëtimi i huaj, ruajtjen e tërësisë tokësore dhe fatin e kombit (FESH, 2009:2560) 4), por  shteti i ri shqiptar, në vijimësi, pati një sërë problemesh e vështirësish, “për ngjarje të ndryshme, akte uzurpimi të tokave shqiptare nga fuqitë ndërluftuese të kohës, si austrohungarezët, francezët e italianët, bukur na e sjellin një situatë të tillë edhe vargje popullore të shkëputura nga një tekst kënge i kohës: “Shqipëri, o shkëmb e gur,/ Vrite, prite për Flamur,/ Bota hiq e ti-në vur”. Këngët e kësaj periudhe të re historike për Shqipërinë dhe për shqiptarët bashkëudhëtojnë përgjithësisht me vetë historinë, brenda specifikës së folklorit, që në tërësinë e vet nuk është fotografim i realitetit, por pasqyrim artistik” (Xhagolli) 13) i asaj ngjarjeje reale, me personazhe konkretë, zhvilluar në kohë të caktuar dhe në hapësirë përkatëse.

  1. Në gjurmë të botimeve të para folklorike

Nga botimet më të vjetra folklorike, Qemal Haxhihasani e Zihni Zako, më vitin 1956 na japin tri këngë, që janë nga lulet e para të ciklit të periudhës së Pavarësisë. E para, regjistruar në Kabash-Gramsh, me 9 vargje të ngjeshura, lakonike, të thjeshta por domethënëse, na vjen me këtë variant: “Medet, shokë, na mori malli,/ Ku gjindet Smail Qemali?/ Në Paris, brend te krali,/ hyn e del si zog sorkadhi:/” Shqipërinë dua t’ma ndani,/ Kanë zbritë komitat nga mali,”/ “ Fol, o Smail Be me gojë!/ Merre Flamurin në dorë,/ Ngule në Sazan e Vlorë.” (Këngë popullore historike, 1956:248) 8).  Një tjetër këngë simbolike e Pavarësisë, shumë e përhapur dhe në treva të tjera, që qarkullon me variantet e komuniteteve përkatëse, edhe në Himarë, në Vranisht, në Tërbaç, në Dukat, më gjerë në Labërinë e Gjirokastrës, Tepelenës, në Mallakastër e më tutje hapësirave polifonike, herë si këngë, herë si valle, diku duke shtuar një varg apo duke hequr një tjetër, por gjithsesi thotë artistikisht bukur profilin historik të Uratës së Flamurit Kombëtar, e regjistruar në Radhimë-Vlorë: “O Qemal kur të përzunë,/ Kur desh të të zij’ Turqia/ Dhe një çikë prá të zunë;/ Erdh e të mori gjemia,/ Brënda në Paris të shpunë,/ Atje ku ish katimia./ Seç u ngrit krali në gjunjë,/ Mbretëresha dhe e bia./”Cili je ti, more burrë,/ Që kërkon vulat e mia?”/ “Unë jam Smail Qemali,/ Prapa më vjen historia.”/ Të shtatë vulat ja dhanë,/ Po do mos dojë Turqia./ “ Do dojë, se s’është punë,/ Është e jona Shqipëria!/ Sazan e Karaburun/ Janë vatanet e mia,/ Nëpër mes i ndan një lumë,/ Nga juga është Greqia”. (Këngë popullore historike, 1956:248) 8.1). Në 20 vargje memoria sociale e popullit na sjell një epos të tërë, me  hartën e duhur gjeografike, në konteks, me udhëtimin historik, atlasin moral dhe etnopsikologjik të një kombi dhe nga ku kuptojmë sesi një njeri me emër të përveçëm shndërrohet, nga bëmat e tij, në një idhull, në një shenjt, në një Emër të Përgjithshëm, me të cilin kuptohen gjithë shqiptarët, sepse ai bëhet simbol i shqiptarit të lirë, të pavarur e demokrat në ballafaqimet ndërkombëtare, në mejdanet diplomatike për civilitetin e vendit të të parëve të tij.

Me 10 vargje na vjen kënga e regjistruar në Kuç- Kurvelesh: “Më njëzet e tet’ nëntorë/ Më këmbë u ngre Shqipëria;/ Smail Qemali në Vlorë,/ Me gjithë shokët e tia,/ Çi tha popullit me gojë: “Posht’ o shokë, robëria! Evropa le ta dëgjojnë:/ Nuk ka vënt këtu Turqia!/ Ja të vdesim, ja të rrojmë,/ Është e jona Shqipëria! ”. (Këngë popullore historike, 1956:249) 8.2).  Kënga flet vetë; ajo bëhet zëdhënëse e historisë, kronikë e ngjarjes sipas mendësisë popullore, i cili derdh artin e shpirtit të tij nëpërmjet këngës. Më 28 nëntor Shqipëria u bë shtet i pavarur. Kryengritjet dhe gjaku i derdhur për pesë shekuj me radhë sollën frytin e dëshiruar: Populli shqiptar theu prangat e robërisë dhe fitoi pavarësinë e tij kombëtare duke u njohur si shtet më vehte. “Ku ngrihet Flamuri, ngrihet Kombi! Kur rrëzohet Flamuri, rrëzohet Kombi” (Luarasi) 9).  Studiuesi i njohur i fushës prof. Bardhosh Gaçe, kur trajton ngjarjen kombëtare të shpalljes së Pavarësisë, ndër më të ëndërruarat e shqiptarëve përgjatë gjithë kohës së pushtimit pesëshekullor osman, nënvizon se ky çast i njohur historik u reflektua në të gjitha trevat shqiptare me kushtime atdhetarie dhe këngë. Po citojmë: “Plakut të Vlorës dhe gjithë dërgatës nga gjithë vendi iu kënduan këngë heronjsh dhe trimash, mendje ndriturish dhe patriotizmi shqiptar” (Gaçe) 5. Në librin e tij kushtuar përjetësimit të emrit të Atit të Pavarësisë në shpirtin e popullit prof. Gaçe ka botuar një monografi shkencore (Gaçe) 6, ku përfshihen 466 materiale folkorike, nga të cilat 262 njësi folkorike – këngë të gjinisë së Epikës popullore, lloji i Epikës historike;  94 njësi folklorike të gjinisë së Poezisë lirike të llojit të Lirikës familjare, nga të cilat 57 vaje [vajtime], 37 këngë të lindjes e të djepit [ninulla], si dhe 110 rrëfime popullore, gjurmuar e mbledhur te burimi, në trevat mbarëshqiptare me dashuri e vërtetësi, sipas kritereve shkencore të fushës së Folkoristikës. Vlen të theksojmë se, krijimet folklorike të Selim Hasanit, në vijim kronologjik të botimeve, që kanë lënë gjurmë në formimin atdhetar të komunitetit dhe në zbukurimin e botës ndjesore, duke i përmirësuar njerëzit jo vetëm estetikisht, i boton më 1966 Instituti i Folklorit, ku krahas kontributit të prof. Zihni Sakos e Arsen Mustaqit, është e tejdukshme puna e “profesorit të pashpallur”, të bardhit Qemal Haxhihasani, që “në fushën e botimeve të folklorit shqiptar është më i shquari” (Xhagolli) 14). Ja si këndon xha Selimi i Brate, në shtratin e folklorit tradicional të krahinës së tij. Tre këngë të botuara, marrë nga hejbeja me këngë labe e xha Selimit  po i citoj, sipas kërkesave fonetike, edhe për kujtim e mirënjohje ndaj folklorit të tij sinkretik: Kënga e parë – me 16 vargje:” Më dymbëdhiet’ senè/ flamuri në Vlor’ u ngre,/ me zhëgabë Skënderbe. /Pesëqint vjetë ku qe?/- I kishnë vënë perdè./ (e kishin lënë në errësirë) – Kush e qirti shiqarè?/ – Ai plaku halleve./ patërjoti Smail Be;/ me gazeta nënë dhe,/ me shokë nja dy a tre./ Mëretit vajte i the,/ Dua sha përmi ylqe,/ do të hap një mod’ të re;/ do vë lule një bahçe!- unë të sho’ se ç’mëndje ke,/ po, sa të mund, do të çkre”. Xha Selimi është lindur rreth vitit 1886 në një familje të varfër, kështu që mund të justifikohen turqizmat në vargjet e kënduara apo të hequra valle aty për aty nga ai, si t’i vinte situata, ç’i kërkonin e ç’ pëlqenin njerëzit që e rrethonin në atë kohë në lagje, në mëhallë, në fshat, në miqësi, në luftë. Kënga e dytë është me 19 vargje: “Smail Beu i varfëri/ s’desh çifliqe, pasuri,/gjezdis me libra në gji,/ lufton kundraj me Turqi:/ – Ku jam, se dua të di,/shqipëtar a turçelli?/ E dua, se kam të drejtë,/ nga Parizi pse më çkretë?-/ Gjezdisi det e steretë/ me ca libra të mëshetë,/ nga Skënderbeu kish gjetë./ Nëntëqintedymbëdhjetë/ flamurë në Vlor’ e ngretë./ Foli Smail Beu vetë:/ -Ka qën’ i bllokuar gjetkë,/ ky është flamuri ynë!/ bëjnë ca sikur s’e njinë/ Esat Pasha me Myftinë,/ Kosovën në bot’ e shinë.-  Më tej, vetëm me 10 vargje, përsëri xha Selimi këndon, duke i mëshuar dëshirës madhore të Plakut të Bardhë: përparimin e shqiptarëve nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe, me shkollim e diturim për ta bërë Shqipërinë “ lule mes shoqeve: “Shqipëri, lule burbuqe,/ ke qënë në mes të ujqe,/ në mbëretërinë turke,/ pesëqint e ca vjet mbushe,/ tinë shqip e ata turçe./ Qysh u ndave, u çkëpute?/ Kërkon Qemali hudute./ Libra, propagandë fute,/ nëpër shkolla, nëpër burqe,/ qirte Flamurin në dukje”. (Rapsodë popullorë. Selim Hasani: 1966) 10 ).

Ciklin e këngëve të të periudhës së shtetit të pavarur shqiptar e pasuron më tej botimi “Epika Historike, vëllimi 3”, realizuar nga Akademia e Shkencave, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë. Vepra e Ismail Qemalit për bashkimin një nga një të viseve të ndryshme të vendit regjistrohet dhe jepet në 13 këngë të tjera, të sistemuara sipas kriterit kronologjik. Shpallja e Pavarësisë, figura të veçanta si Ismail Qemali e Isa Boletini kanë prirjen të këndohen në përmasa gjithëkombëtare dhe fillojnë të futen me një perspektivë gjithmonë e më të gjerë në fondet poetike gjithëkombëtare, për shkak të peshës specifike të ngjarjes dhe gjesteve të heronjve, për rolin e veçantë në forcimin e ndërgjegjes kombëtare popullore etj., të cilat natyrshëm rrisin dhe potencialin artistik të këtyre krijimeve folklorike të karakterit epik. Kronika poetike e ngjarjes ja si vjen në një variant të Smokthinës – Vlorë: “Shqipëri, moj, shkëmb e gurë,/ Shqipëri, moj, Shqipëri! (përsëritet pas çdo vargu)/ Vrite, prite për flamur,/ Bota hiq e tinë vur,/ Evropa lësho e zur!” vetëm në 5 vargje shprehet vendosmëria e popullit tonë në luftrat shekullore për çlirimin e tij kombëtar. Ja si i këndohet nga treva e Dukatit Simbolit tonë: “O Flamur i Shqipërisë,/ O Flamuri kuq e zi,/ Rrugës tënde legjendare,/ Seç shkrove një histori./ Pesë shekuj ti qëndrove/ I fshehur brenda në gji,/ Të ngriti Smail Qemali,/ Bashkë me shokët e tij. Me Shpalljen e Pavarësisë mbyllet epoka e sundimit të huaj, epoka e errësirrës mesjetare dhe e robërisë së urryer, me kurorëzimin e luftës heroike të të parëve tanë, me shkëlqimin legjendar të Gjergj Kastriot- Skënderbeut, me “treqind kryengritje në katërqind vjet” për liri e pavarësi. Mozaiku i këngës zbukurohet me një variant nga Bregdeti, pikërisht nga Qeparoi i kapedanëve: U ngre Flamuri në Vlorë,/ Fol, Ismail Vlora, folë!/ Gjithë Evropa ta dëgjojë,/ Se shqiptarët u mbëlodhë,/ Karar dhanë në një gojë,/ Që më vete të qëndrojnë,/ Gjithë ç’janë shqipëtarë,/Jan’ vëllezër të pandarë,/ Siç ishin me Skënderbenë,/ Kur e tundën gjithë dhenë. Me një gdhendje  mjeshtërore na e sjell portetin e Plakut të Flamurit kënga e Tërbaçit: “Ç’të them për Smail Qemalë,/ Trimin me shokët e rrallë,/ si mali me bor’ të bardhë,/ në at’ luftën me Ballkan,/ bashkë me shokët asllan’,/ E ndau Shqipen mënjanë./ O Malo ballëkurorë,/ të mbeti shkaba në dorë,/ Që kur e ngrite në Vlorë./ O Malo, o diplomat,/ Shkrove histori të artë!” Pa shumë  shkollë ishin krijuesit popullorë në atë kohë kur ka lindur e është përhapur kënga, por intuita, zgjuarsia popullore diti  t’i nuhasë zhvillimet e kohës dhe personazhet historikë, t’i përpunonte shpejtësisht në “laborator” dhe ta qepte këngën në vend, e cila ngjitej e qarkullonte, se pëlqehej. Ja një tjetër këngë nga Vërmiku: “Smail Qemali me halle,/ O Smail, o trim,/ Trim, o more trim (v.2-3 përsëriten pas çdo vargu si refren)./ Bëre punën më të madhe,/ Me flamurin kuqe alle,/ Që ngrite male më male,/ Shqipërinë na e ngjalle”. Nga Velça-Vlorë na vjen ky variant që pëlqehet dhe në trevat përqark: “Tundu, tundu, o Flamur,/ Marshalla, ç’lëshoke nur, /Përmbi shkëmb e përmbi gur! /Smaili të vuri vulë! /Aferim, o Smail Be,/ Evropës rrotull i rè,/ Flamurin në Vlor’ ngulè/ Smail Be, o diplomat/ Na e ngrite kokën lart!” Një njësi folklorike shumë interesante na e dhuron treva e Dibrës: “ Nëpër fusha, nëpër male,/ Vrapon poplli tuj kcye valle;/ Nalt e ngritëm njat Flamur,/ Mi çdo shkam e mi çdo gur;/ Njat Flamur me shqipe mali,/ Na e kish çu Smail Qemali./ Kur Flamurin nalt e ngritëm/ Krisën pushkët, të gjith’ britën:/ Rroft’ Flamuri, rroft’ Shqipnia,/ Anekan sod shndrit Liria! Bën aluzion kjo këngë për vendimin e Kuvendit Kombëtar për Shpalljen e Pavarësisë (28 nëntor 1912). Ismail Qemal Vlora si kryetar i Kuvendit Kombëtar, shpalljen  e Pavarësisë ua njoftoi gjithë krahinave të atdheut. Kjo këngë shpreh edhe entuziazmin e përgjithshëm me të cilin e priti populli i Dibrës, vendimin e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Mund të kumtonin shumë se këngët e popullit për Pavarësinë rrjedhin si lumë, por dëshirojmë ta finalizojmë me një këngë të veçantë nga Vranishti i Vlorës, mbledhur e regjistruar në vitin 1960. Kënga është ngritur nga Qerim Tartari (dhe këtë e kemi verifikuar nga tre burime) më 1913, kur Konferenca e  Ambasadorëve, duke caktuar kufijtë e Atdheut tonë padrejtësisht, la jashtë tyre Kosovën : “Ç’ësht’këjo që na ka ngjarë/ Nënë Shqipëri? (përsëritet pas çdo vargu)/ Dhe malet në hall kan’rarë,/ Se u prem’ e se u vramë,/ Për liri, për trojet tanë./ Të mëdhenjt’ (e ka fjalën për Fuqitë e Mëdha) paçin belanë,/ Që e trazuan dynjanë,/ Mëmëdhen’ më dysh na ndanë,/ Kosovën jasht’ na e lanë./ Po ne jemi shqipëtarë,/ Nga një nënë e nga një babë./ Kemi një Flamur e Shkabë,/ Jemi betuar ta mbamë!” (Epika historike, 3:1990) 2).

PËRFUNDIME

Qëllimi kryesor i këtij punimi ishte të nxirrte në pah botimet serioze nga krijimi folklorik për Pavarësinë e Shqipërisë, që daton më herët, që ka një vendlindje e një datëlindje si fillesë krijuese individuale (apo dhe kur lundron nëpër anonimat), sepse plotëson kriteret e sigurimit të statusit që ka folklori si një lloj i veçantë e specifik artistik; që  shndërrohet në krijimtari folklorike, sepse ka hyrë në qarkullimin folklorik të bashkësive të caktuara, të cilat dhe i cituam.

Njohja me këto fillesa folklorike të botuara mendojmë se përbën një tregues të mirë për të ditur se kush janë vërtetësisht botimet emblematike nga institucioni kompetent për Pavarësinë në peridhën e parë të mundshme kohore, që kemi gjetur nga veprimtaria botuese e institutit tonë.

Edhe pse janë këngë të epikës historike, nga kërkimet dhe vëzhgimet e bëra në terren, kemi vërejtur se ato bëjnë jetë aktive (kuptohet që nuk mund të jenë sot në krye të listimit të këngëve) natyrshëm, se pëlqehen e qarkullojnë, sidomos në Vlorë, ku u realizua dhe vepra e madhe kombëtare, apo në krahinën etnografike të Labërisë, ku kemi bërë ekspedita vetiake e studime.

REKOMANDIME

Stihia e botimeve folklorizante na kushtëzon që të qartësojmë veten së pari, miqtë studiues e komunitetin që këngët e atdheut janë ilaç dhe shërim, siç thotë Mjeshtri i Madh Lefter Çipa për këtë fakt: Këto janë botimet e para të mundshme, që gjetëm deri më sot dhe po i evidentojmë. Janë të besueshme si të tilla, sepse librat e botuar shënojnë vendin e vitin e botimit, folkloristët që janë marrë me përgatitjen për botim dhe botimin e njësive foklorike në libër, sipas kritereve përkatëse shkencore, si dhe institucionin që i ka miratuar këto botime. Ky fakt është i verifikueshëm me paraqitjen konkrete të librave që cituam më lart dhe mbyll shtegun e abuzimeve të botimeve pirateske dhe pamundësisht të verifikueshme, që, si rrjedhojë e “folkorit totalitar” (THIESE)  12), thatësira vargëzuese “kërryer” në vitin 1989, psh., na i paraqesin sikur janë botuar më 1923.

Këngë të tjera shumë të bukura për “Plakun e Pavdekshëm të Pavarësisë Shqipëtare” (Fetiu) 3) janë krijuar në rrjedhat e kohës dhe janë botuar nëpër almanakë folklorikë etj.; po ashtuu janë botuar më vonë edhe studime e monografi, por objekt i kësaj kumtese ishin  vetëm fillimet e këtyre botimeve folkorike.

Gjithashtu, kjo temë në të ardhmen mund të përfshihet në një studim më të gjerë, më gjithëpërfshirës, me shtrirje gjeografike në  gjithë trevat ndërshqiptare, me më shumë gjetje origjinale, larg sforcimeve e deformimeve folklorizante, të cilat vdesin akoma palindur.

BIBLIOGRAFIA

1- DIBRA, Miaser: Metafora në këngët popullore shqiptare; Tiranë: Akademia e Shencave, 2007, f. 266.

2- EPIKA HISTORIKE, 3; Përg. nga Qemal Haxhihasani dhe Miranda Dule (Botim i Akademisë së Shkencave të RPSSH, Instituti i Kulturës Popullore), Tiranë, 1990, f. 33-46.

3- FETIU, Sadri: Folkloristikë; Prishtinë: Instituti Albanologjik, 2009, f. 63.

4- FJALOR ENCIKLOPEDIK SHQIPTAR: Tiranë; Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2009, f. 2560.

5- GAÇE, Bardhosh: Etnologjia dhe folkori shqiptar; [Fier], Ymeraj, 2016, f. 284.

6- GAÇE, Bardhosh: Flamuri dhe Ismail Qemali në këngë e rrëfime popullore; Tiranë, Toena, 1997, 376 f.

7- KAMSI, Gjon (“Ora e Maleve”, vj.1, nr. 32, me 10 Nanduer 1923); shih: Shkrimtarët Shqiptarë, pjesa II. Prej Lidhjes së Prizrenit deri më sot. Punue nën kujdesin e Ernest Koliqit nga Karl Gurakuqi: Tiranë: Gurakuqi, 1941-xix, f. 261-262.

8, 8.1, 8.2- KËNGË POPULLORE HISTORIKE, zgjedhur e pajisur me shënime nga Qemal Haxhihasani nën kujdesin e Zihni Sakos. Tiranë, Instituti i Shkencave, 1956, f. 248-249.

9- LUARASI, Skënder: Fjala shqipe; Tiranë, Naim Frashëri, 1961, f. 55.

10– RAPSODË POPULLORË. SELIM HASANI; Tiranë: Instituti i Folklorit, 1966, f. 11-12.

11- SALLEO, Ferdinando: Shqipëria: gjashtë muaj mbretëri; Përkth. Virgjil Muçi; Tiranë: Shtëpia e Librit dhe e Komunikimit, 2001, f. 40.

12- THIESSE, Anne- Marie: Krijimi i identiteteve  kombëtare: Europa e shekujve XVIII-XX: Përkth. nga frëngjishja Etleva Shiroka; Pejë: Dukagjini, 2004, f. 332.

13- XHAGOLLI, Agron: Etnologjia dhe folklori shqiptar; Vlorë: Triptik, 2007, f. 247.

14- XHAGOLLI, Agron: Përkushtimi ndaj botimit të vlerave folklorike; shih: Qemal Haxhihasani folklorist dhe mësues i rrallë (përmbledhje artikujsh të kolegëve) [Tiranë]; [2010], f. 141.

*) Master i Shkencave për Etnologji dhe Folklor,

 Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë.

Përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”,

Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, Albania.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Albert Habazaj, ISMAIL QEMAL VLORA, NË EPIKËN HISTORIKE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 280
  • 281
  • 282
  • 283
  • 284
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT