• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR ISMAIL BEJ QEMALI DENOHEJ ME VDEKJE

January 22, 2019 by dgreca

– LE JOURNAL (1901) / DEKLARATË ZYRTARE : “ISMAIL QEMALI DËNOHET ME VDEKJE NË MUNGESË.”/

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Janar 2019/

Ismail-Qemali1 Ismail kemal bej

“Le Journal” ka botuar, të premten e 14 qershorit 1901, në faqen n°4,  një shkrim në lidhje me dënimin me vdekje në mungesë ndaj Ismail Qemalit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :Ismail Qemal Beu Dënim me vdekje për ish-këshilltarin shtetëror

“Konstandinopojë, nëpërmjet Sofjes, 13 qershor. – Një deklaratë zyrtare njofton dënimin me vdekje në mungesë, të Ismail Qemal beut. Bëhet fjalë për ish-këshilltar shtetëror, Vali i Tripolit të Barbarisë, autor i botimeve fyese kundër Sulltanit.”…..

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, denohej me vdekje, Ismail Qemal Bej

Frank Shkreli: 30-vjetori i vizitës së parë të dr. Ibrahim Rugovës në Washington

January 22, 2019 by dgreca

…dhe 13-vjetori i kalimit të tij në amshim/

fr-768x384

Dr. Ibrahim Rugova dhe Dr. Engjëll Sedaj në shtëpinë e autorit në Falls Church, të shtetit Virginia, jo larg Washingtonit (1989) ku miqtë e dashur kaluan dy net e tre ditë, të shoqëruar nga aktivisti i komunitetit, Z. Simon Simolacaj. Mysafirët e lartë nga Kosova erdhën për herë të parë për vizitë në Washington, pasi kishin marrë pjesë në seminarin e organizuar me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit, të organizuar nga Kisha Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, në Universitetin e njohur Fordham, të New Yorkut.

Disa ditë pas përfundimit të seminarit në Universitetin e njohur Fordham, Dr. Ibrahim Rugova dhe Dr. Engjell Sedaj erdhën me një mik timin, Zotin Simon Simolacaj të më vizitonin në Washington. Në atë kohë, unë punoja si Këshilltar i Programeve radiofonike drejtuar botës komuniste në Drejtorinë Evropiane të “Zërit të Amerikës”.

Dr. Ibrahim Rugova, Frank Shkreli dhe Dr. Engjëll Sedaj në Kongresin e Shteteve të Bashkuara në Washington, Tetor 1989. Ishte kjo vizita e parë dhe takimi im i parë me Presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës në Washington, por jo e fundit.

Në atë kohë, unë nuk i njihja dhe as nuk dija shumë, as për Dr. Rugovën, as për Dr. Sedajn, përveç faktit se ishin dy intelektualë të dalluar nga Kosova, të ftuar nga Kisha Katolike Shqiptare në New York për të folur me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit. Por e prita mirë vizitën e tyre pasi, pa dyshim, ishte një privilegj për të pasur në shtëpinë tonë dy mysafirë të tillë, të nderuar. Për më tepër, vizita e tyre bëri të mundur për të biseduar me dy intelektualë të kalibrit të tyre, mbi gjendjen e atëhershme në Kosovë, pasi megjithëse punoja në qendër të informacionit dhe lajmeve ndërkombëtare, lajmet nga Kosova ishin të pakta dhe ato që na vinin në redaksi ishin pothuaj, pa përjashtim, të ngjyrosura nga propaganda serbe, e cila ia paraqiste botës çështjen shqiptare në Kosovë si donte vetë dhe bota fatkeqësisht e besonte. Zëri i shqiptarëve në Kosovë nuk dëgjohej dhe bota e jashtme nuk ishte aspak në dijeni të vuajtjeve e torturave që diktatura serbe bënte mbi popullsinë shqiptare në atë krahinë. Ishte jetike që të krijohej një kundër-balancë, por edhe të zbuloheshin shpifjet e Beogradit dhe të njoftohej bota, e sidomos Washingtoni rreth instalimit të një regjimi diktatorial dhe terrorist, policor e ushtarak serb në Kosovë, që si objektiv kryesor kishte zbatimin e planit për shfarosjen e shqiptarëve nga Dardania antike.

 Në një moment miqësor me vizitorët e nderuar nga Kosova në Washington, 1989

Kanë kaluar 30-vjet, por me kënaqësi e kujtoj këtë vizitë dhe bisedat e paharrueshme me miqtë nga Kosova, të cilët megjithëse nuk i kisha njohur më parë, na shkoi biseda si është më mirë dhe sikur të kishim qenë miq të vjetër, megjithëse isha pak më i ri nga mosha. Pa ditur se si do shkonin punët në Kosovë dhe për atë vetë si person dhe politikan i ardhshëm i Kosovës, pasi në atë kohë ishte vetëm Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, më kujtohet se shqetësimi i tij kryesor ishte nevoja për sensibilizimin e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare, në përgjithësi, por sidomos në Washington. Si studiues i mirë i historisë dhe si atdhetar i vërtetë që ishte – ai i dallonte mirë miqtë nga armiqtë e Kombit shqiptar. Megjithëse ishte vizita e parë e tij në Washington dhe në Shtetet e Bashkuara, Dr. Rugova ishte i bindur në mendjen e tij, se Kosova dhe shqiptarët – në Shtetet e Bashkuara dhe në Washingtonin zyrtar, do të gjenin mikun dhe përkrahësin e të drejtave të shqiptarëve, ashtu siç edhe ka ndodhur që prej përkrahjes së pavarësisë së Shqipërisë nga Presidenti Udrou Wilson e këtej.Në mendimin tim, vizita e parë e Dr. Ibrahim Rugovës në Nju Jork dhe në Washington – sigurisht pa e ditur as ai vetë këtë gjë në atë kohë – mund të konsiderohet si fillimi i diplomacisë moderne të Kosovës ose si fillimi i ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Koha e tregoi se Dr. Rugova u kthye në Kosovë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i frymëzuar dhe me një ndjenjë misioni personal, megjithëse disa kritikë e ndoshta edhe disa miq të tij mund të thonë se, i hyri kësaj fushe, me një mungesë dëshire për t’u marrë me politikë.

Historia e mëvonshme tregoi se, me gjithë të metat që mund të kishte si njeri dhe si udhëheqës, që kundërshtarët e tij, pa hezitim ia venin në dukje vazhdimisht, jo vetëm Kosova, por i mbarë Kombi shqiptar tashti kishte një zëdhënës ndryshe dhe si asnjëherë më parë. Sidomos Kosova, megjithëse në rrethana shumë të vështira, tashti kishte një zë të urtë që dëgjohej dhe respektohej nga të gjithë bashkëbiseduesit e tij ndërkombëtarë.

Ishte një zë që fliste për të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre, për liri dhe demokraci për popullin e vet dhe si asnjë përfaqësues tjetër i Kombit shqiptar, siç ka thënë edhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Klinton, Ibrahim Rugova e shpjegonte çështjen shqiptare në një mënyrë të kuptueshme – nga pikëpamja historike dhe njerëzore, sidomos për të huajt.

Si askush tjetër – para tij ose pas tij – Dr. Ibrahim Rugova i paraqiti botës përdhunimin historik të Kombit shqiptar dhe bota filloi ta dëgjonte dhe, më në fund, filloi të interesohej për tragjedinë dhe krimet që regjimi kriminal i Serbisë po bënte në Kosovë, me qëllim zhdukjen e racës shqiptare nga trojet e veta mijëvjeçare.

Foto e fundit e autorit me Presidentin Ibrahim Rugova, në zyrën e tij në Prishtinë, 2005

Në këtë 30-vjetor të vizitës së tij të parë në Washington, desha vetëm të shënoj dhe të ndaj me miqtë e mi disa mbresa, shkurtimisht – por për mua të paharrueshme – nga vizita dy-tri ditëshe e Dr. Rugovës në shtëpinë tonë në Washington, më 1989 dhe arsyet se pse jam përpjekur ta përkrah gjatë viteve. Ajo vizitë nuk më harrohet mua, as familjes time dhe njohja ime me të, gjatë asaj vizite, çoi në një miqësi shumëvjeçare, deri sa ai ndërroi jetë – dritë i baftë shpirti! Respekti im për Dr. Rugovën e ka zanafillën, pikërisht, në atë vizitë, pasi përshtypjet e mia të para dhe respekti për këtë udhëheqës të madh të Kombit shqiptar, sa ka ardhur e është rritur gjatë viteve. Për mua, arsyeja për këtë është se, si asnjë udhëheqës tjetër shqiptar që unë kam njohur, Presidenti Rugova kishte një vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës dhe të Kombit shqiptar. Si asnjë tjetër udhëheqës, ai ishte i bindur në rrugën që duhej të ndiqte Kombi shqiptar për t’u radhitë ndershmërisht në radhën e kombeve të përparuara të perëndimit. Ai ishte i bindur në përkrahjen e perëndimit drejt kësaj rruge e, sidomos, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – drejt rrugës së bashkimit dhe integrimit të Kombit shqiptar me vendet perëndimore.

E respektova për bindjen e tij se komunizmi ishte rreziku dhe fatkeqësia më e madhe që i kishte ndodhur Kombit shqiptar në shekullin e 20-të dhe për faktin se besonte që Kombi shqiptar duhej të ndërtonte bazat e ekzistencës së tij mbi vlerat dhe trashëgiminë shpirtërore dhe patriotike të rilindësve të vërtetë. Ibrahim Rugova nuk mburrej me retorikë të zbrazët, por me ide e vizione të qarta për një të ardhme më të mirë të Kombit të vet, duke i dhënë kështu një emër të nderuar dhe të respektuar gjakut shqiptar edhe në arenën ndërkombëtare. E respektova Dr. Rugovën, sepse ai nuk ishte i frymëzuar nga ideologjia komuniste, as në mendime, as në veprime – si shumë nga ata të brezit te tij që ishin rritur e shkolluar në atë sistem ideologjik të huaj. Përkundrazi, Ibrahim Rugova kishte parime gjykuese dhe një kulturë e qytetërim njerëzor plot urtësi, të gërshetuar nga traditat dhe vlerat më të mira të Kombit shqiptar. Ai ishte i vetëdijshëm se, natyrisht që, trimëria dhe pushka e kanë vendin dhe kohën e vet për t’u përdorur në mbrojtje të interesave të Kombit, por me shembullin e tij, ai gjithashtu tregoi se dashuria për popullin e vet dhe mbrojtja e interesave kombëtare, dëshmohet gjithashtu duke i ruajtur nderin emrit shqiptar – një mesazh ky shumë i përshtatshëm dhe tepër i nevojshëm për kohën sot – sidomos për politikanët e sotëm anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Kjo është edhe njëra nga trashëgimitë e Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës me rastin e 30-vjetorit të vizitës së tij të parë në Washington dhe në 13-vjetorin e kalimit të tij në përjetësi. Për këto ai gëzon respektin tim!

Duke bërë nderimet e mia para arkivolit të ndjerit President Ibrahim Rugova, Prishtinë, 21 Janar, 2006

Filed Under: Histori Tagged With: 30 vjetori, DR. IBRAHIM RUGOVA, Frank shkreli, Vizita ne Washington

ISMAIL QEMALI DHE KOMITETI I MILANOS

January 19, 2019 by dgreca

LE GAULOIS (1913) / MIRATIMI I ISMAIL QEMALIT PËR KRIJIMIN KOMITETIT SHQIPTAR TË MILANOS/

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Janar 2019/

“Le Gaulois” ka botuar, të premten e 11 prillit 1913, në faqen n°2,  një shkrim në lidhje me krijimin e një komiteti shqiptar në Milano me miratim të Ismail Qemalit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Një komitet shqiptar/

 Milano, 10 prill./

“Në mesin e refugjatëve shqiptarë u formua një komitet, nën patronazhin e princit mirditor Bibdoda, me ndihmën e disa personaliteteve të kolonive shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe Itali.

Ky komitet, i miratuar nga Ismaïl Qemal Beu, ka për qëllim të informojë opinionin publik evropian mbi kërkesat e kombit shqiptar dhe të mbrojë të drejtat e tij; ai përfshin përfaqësues të krahinave të ndryshme të Shqipërisë;

 Ky komitet do të fillojë publikimin e një gazete me seli të përkohshme në Milano.”

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, Ismail Qemali, Komiteti I Milanos

Jusuf e Bardhosh Gërllava dhe Kadri Zeka, Amanet si duhet dashur KOMBI

January 16, 2019 by dgreca

Jusuf e Bardhosh Gërllava dhe Kadri Zeka,na lanë amanetin e shejtë së si duhet dashur Atdheu dhe Kombi/

1 Gervallet e Zeka

Nga Jahja LLUKA/

për nga natyra me mençurinë,karakterin dhe vizionin që kishin, ishin dhe do mbeten personalitete të kalibrit europian,beteja e tyre u fitua me luftën dhe lirinë e popullit shqiptar, rruga dhe misioni i tyre le të mbetet e shejtë për çdo shqiptar i cili e do atdheun e tij. “Në shesh i nxora gjithë rekuizitat e parajsës /e syri i zbrazët në roje sodiste/ dhe përgjonte pamundësinë time të mundshme.”- Jusuf Gërvalla Të flasësh hapur në atë kohë të humbur e të vështirë, ta kesh guximin e Herkulit, e të dalësh para botës, duke treguar vuajtjet e kombit tënd, i cili ishte nën luhatje për shuarje të përhershme, këtë e bëri vetëm Jusufi, misionin e tij thuajse të pamundur e ndjekën vëllau Bardhoshi dhe miku i tyre Kadri Zeka. Përgjatë epokave të ndryshme, nga gjiri i kombit tonë kanë dalur figura madhështore, të cilët me veprat e tyre sublime, kanë mbetur të përjetshëm. Përtej lashtësisë, popujtë tjerë na kanë pasur njëherësh lakminë dhe zilinë, për guximin, karakterin dhe besën, virtyte këto që u përcollën deri në ditët tona, e që na bënë t’iu mbijetojmë situatave të rrezikshme, agresionit të pushtuesve, të cilët kishin një qëllim të vetëm, asgjësimin nga faqja e dheut,të qenies shqiptare. Neve bota na njeh për guximin dhe virtytet e Skënderbeut, të cilat civilizimi perëndimor i lakmon dhe nderon, por kemi edhe shumë figura të tjera, të cilat çdo popull që do lirinë andërron t’i ketë.Në historinë tonë më të re, padyshim që vend të veçantë zënë figurat e Vëllezërve Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Këto tri personalitete të shquara, për nga natyra me mençurinë,karakterin dhe vizionin që kishin, ishin dhe do mbeten personalitete të kalibrit europian, të cilët mjerisht u vranë nga dora e armikut, por vepra e tyre dhe atdhedashuria që ata kishin, do mbeten përgjithmonë vlera të patjetersueshme, në kujtesën shqiptare. Të shkruash për këto tri personalitete, është e vështirë të gjeshë fjalë për të përshkruar dashurinë që ata kishin për atdheun dhe misionin e tyre vetësakrifikues, në mbrojtje të interesit kombëtar.Andaj sot, vepra e tyre le të mbetet shembëlltyrë për brezat e ardhshëm. Populli shqiptar po jetonte mjerimin nën Jugosllavi dhe kjo gjendje për Jusufin, Bardhoshin dhe Kadriun ishte e papranueshme. Andrra e tyre e cila u shndërrua në ideal ishte çlirimi i këtij populli të shumëvuajtur, të varfër dhe të privuar nga kushtet për një jetë të dinjitetshme. Veprimtaria patriotike e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës filloi në moshë të hershme. Duke parë si domosdoshmëri dhe qëllim ata asnjëherë nuk u dorëzuan edhe pse presionet nga ana serbe ishin të mëdha. Në intervistën e rrallë të Jusuf Gërvallës për prestigjiozen gjermane “D. Cajtung” ai flet për diskriminimin e shqiptarëve nën regjimin serbë. “Diskriminimi kombëtar bëhet në shumë aspekte. Më 1946 Jugosllavia e ndaloi përdorimin e flamurit shqiptar në emër të ”Internacionalizmit Proletar”. Një vit më vonë, përkatësisht në vitin 1947, u morr vendimi për dorëzimin e tepricës së drithërave në emër të njëfarë solidariteti. Kështuqë vetë shqiptarët u detyruan të jetojnë edhe pa bukë gjatë atij viti. Disa vjet më vonë u bë kolektivizimi bujqësor, eksperiment, që është bërë vetëm në Kosovë. Qëllimi ishte që, tokat e shqiptarëve të përzihen me ato të serbëve. Në vitin 1956, derisa Rankoviqi ishte akoma në pushtet, vetëm në Kosovë u bë një aksion për mbledhjen e armëve. Me këtë rast shumë burra shqiptarë u burgosën dhe u torturuan. Kjo ka ndodhur atëherë gjatë dimrit. Thuajse gjithë natën i kanë detyruar të qëndrojnë në kanale me ujë ose të lidhur lakuriq pas trungjeve të pemëve. Përsa i përket politikës ekonomike, Kosova është një vend shumë i pasur, përsa i përket bujqësisë edhe pasurisë me xehe. Në popull flitet për një Kaliforni të dytë. Kosova përmban 64 për qind të të gjitha rezervave të nikelit e kromit, 65 për qind të rezervave të zinkut dhe plumbit, 28 për qind të rezervave të magnezit. Të gjitha, këto të dhëna, janë publikuar në gazetat jugosllave. Përkundër kësaj, në Kosovë nuk ekziston industria përpunuese. Të gjitha produktet nga këto përsëri i shiten Kosovës me përfitime të shumëfishta. Dy emigracione të Kosovës….. Kjo mund të dëshmohet edhe me të ardhurat mesatare bruto për frymë. Të ardhurat e një banori të Kosovës në vitin 1953 kanë qenë 43 për qind më të vogla, se sa të një banori të Sllovenisë, republikës më të zhvilluar në Jugosllavi. Njëzet vjet më vonë, në vitin 1977, ato ranë në 37 për qind.Edhe pse Kosova është furnizuese kryesore me energji elektrike, 250 fshatra nga 1300, që ka gjithsej Kosova, janë ende të paelektrifikuara. Që, thënë shkurtimisht, zhvillimi dhe funksionimi i Kosovës është i orientuar për furnizimin e Jugosllavisë. Ky diskriminim i madh ekonomik ka për pasojë papunësinë e madhe. Sipas të dhënave të pranuara zyrtarisht, papunësia në Kosovë është mbi 20 për qind. Kjo ka për rrjedhojë emigrimin e brendshëm dhe emigrimin e jashtëm. Emigracioni i brendshëm do të thotë brenda Jugosllavisë, kurse ai i jashtëm në shtetet evropiane. Midis viteve 1968-1978, p.sh. gjysma e popullsisë fshatare u detyrua të emigrojë.” Të flasësh hapur në atë kohë të humbur e të vështirë, ta kesh guximin e Herkulit, e të dalësh para botës, duke treguar vuajtjet e kombit tënd, i cili ishte nën luhatje për shuarje të përhershme, këtë e bëri vetëm Jusufi, misionin e tij thuajse të pamundur e ndjekën vëllau Bardhoshi dhe miku i tyre Kadri Zeka. Për ta, diskriminimi i popullit shqiptar ishte i papranueshëm sepse historikisht, ky popull i përkiste lashtësisë dhe civilizimit europian e që aty ku kishte rrënjet, pushtuesit si hiena ishin vërsulur, duke ju mohuar gjuhën, kulturën dhe historinë, dhe duke ju mohuar jetën me të vetmin qëllim për t’i asgjësuar njëherë e përgjithmonë nga faqja e dheut. Ja çfarë kishte thënë Jusufi për intervistën e rrallë e cila, ju botua pas atentatit ndaj tij, në ballinën kryesore të prestigjiozes gjermane “D. Cajtung” “Fillimisht ka pasur diskrimin përmes injorimit të historisë kombëtare. Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe janë populli më i vjetër i Ballkanit. Deri në vitin 1968 shqiptarët kanë qenë të detyruar ta mësojnë historinë sllave, gjë që do të thotë historinë e dinastive të ndryshme serbe. Historinë tonë nuk guxonim ta mësonim. Pas Luftës së Dytë Botërore, aty këtu, u formuan shkollat ku mund të mësohej gjuha shqipe. Përmes presionit të intelektualëve dhe politikanëve shqiptarë numri i atyre shkollave u shtua, kështuqë u bë shkollimi masiv në gjuhën shqipe. Por, ata njerëz më vonë u dënuan me shumë vjet burg. Fillimisht u formuan vetëm shkollat fillore, më vonë edhe shkollat e mesme. Në vitin 1965 pranë Universitetit të Beogradit u hap Fakulteti i Albanologjisë. Ndërsa më 1968 në Kosovë pati trazira studentore, të cilat vërtetë kanë arritur ca suksese. Kështu që atëherë gjuha shqipe u njoh si gjuhë zyrtare në Prishtinë dhe u themelua Universiteti në gjuhën shqipe. Përdorimi i gjuhës amtare nuk ka qenë i lejuar dhe aty kanë qenë të punësuar kryesisht serbët. Tani rajoni zyrtarisht është dy gjuhësh, serbisht dhe shqip. Madje është përcaktuar me ligj që, ndokush që, nuk e di gjuhën shqipe nuk mund të punësohej fare, por në praktikë thuajse askush nuk i përmbahet këtij ligji. MASAKRI ME QËLLIM TË ASIMILIMIT!” Mendje ndriturit, vizionarët Jusufi dhe Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, u bënë pengesë për regjimin serb, dhe UDB-në. Ishte e papranueshme për ta që dikush i këtij kalibri europian, të dilte në pah, pasi që propaganda serbo-sllave, ishte aq aktive, diplomacia serbo-sllave e cila edhe sot vazhdon me të njejtën kartë, i paraqiste shqiptarët tërësisht shpellar, të pashkolluar, injorantë e të mjerë. Ishte planifikuar çdo gjë me përpikmëri për qëllimet famëkeqe serbo-sllave, duke mos justifikuar mjetet e tyre për zhbërjen dhe grabitjen e tokave shqiptare. Me 17 janar 1982, në një atentat të planifikuar qëllohen për vdekje në Gjermani, Bardhoshi dhe Kadriu, ndërsa Jusufi plagoset rëndë, duke u vrarë pastaj në në spitalin e Heilbronnit të Gjermanisë. Duke i ditur rreziqet dhe kërcënimet ata asnjëherë, nuk u ndalën, sot ne duhet të jemi krenar për këto tri personalitete të cilat, me vrasjen e tyre bënë që bota t’i kthejë sytë kah ne. Jusufi e Bardhosh Gërvalla si dhe Kadri Zeka, i shkuan misionit të tyre deri në fund, shpirtrat e lire të tyre nuk e duruan robërinë nga armiku gjakatar. Po citoj dy vargje nga poezia e Jusuf Gërvallës “Lufta dhe arti” “Tutje gjithnjë akull -Këndej gjithnjë zjarr-Unë jam syri i Aladinit-E shoh veten si digjem-në betejën e tmerrshme-të fjalës-e të mendimit/ Me shenjtëri të mallkuar-me përfytyrimin e qartë-e krijoj-Në mua shushurijnë dete-të qena-në ëndërr” Beteja e tyre u fitua me luftën dhe lirinë e popullit shqiptar, rruga dhe misioni i tyre le të mbetet e shejtë për çdo shqiptar i cili e do atdheun e tij.

Filed Under: Histori Tagged With: Jahja Lluka, Jusuf e Bardhosh Gërllava dhe Kadri Zeka

RRETH MBIEMRIT DHE VDEKJES SË JOSIF BAGERIT

January 16, 2019 by dgreca

avzimustafa-300x2381 a Josif Bageri

Nga Avzi Mustafa/Shkup/ Dielli/Perandoria Osmane me reformat e Tanzimatit kishte deklaruar se të gjithë kombësive do tu lejohet lirisht të ushtronin gjuhët e tyre në institucionet arsimore dhe fetare   me përjashtim të shqiptarëve. Banorët e truallit shqiptar thirreshin  turq, arnaut, kaurr, latin, por kurrë me emrin e tyre të vërtetë. Këtu gjithsesi duhet të shtohet se shqiptarët nuk patën edhe një administratë të përbashkët, por qenë të shpërndarë në nëpër vilajete të ndryshme. I vetmi faktor pa dallim feje e krahine, që i bashkonte shqiptarët, ishte vetëm gjuha shqipe.

Vitet e ’30-ta e deri në vitet ’70-ta të shekullit XIX janë vitet shumë të rëndësishme të zhvillimit historik të popullit shqiptar e, sidomos, kur fillojnë të krijohen kushte zhvillimit shpirtëror e nacional, që ndryshe do të quhet Rilindje.

Një ndër kushtet shumë të rëndësishme për të mbijetuar populli shqiptar ishte zhvillimi kulturor dhe arsimor. Deri në fund të shekullit XVIII një e treta e popullsisë shqiptare ishte e përqendruar në viset rurale-malore. Por, nga fundi i këtij shekulli dhe fillimi i shekullit të XIX filloi një proces i ri, me ç’rast popullata malore filloi që të zbresin nëpër qytete. Jo më pak nëpër fshatra shumica e njerëzve për shumë arsye kishin dalë si kaçak, sepse nuk kishin mundësi t’ia paguajnë vergjinë turkut. Edhe kjo ndikoi që shumë fshatra të boshatiseshin, sepse nuk mund t’i përballonin jo vetëm taksat e Perandorisë, por edhe kërkesat kaçakëve për t’i ushqyer e për t’i strehuar, ndërsa bagëtinë e kishin vazhdimisht në rrezik. Kjo derdhje e fshatrave nëpër qytete zgjati më shumë një gjysmë shekulli, ndërsa më vonë me intensiteti i saj filloi të bie.

Kur filloi të lulëzojë me të madhe mjeshtëria dhe tregtia, qytetet arritën të fitojnë një prosperitet ekonomik. Zhvillimi i tregtisë mundësoi që së pari të ngrihen tregjet e ndryshme nëpër qytete e pastaj të krijohen tregtarë dhe, më vonë, edhe esnafet. Këta tregtarë e esnafë filluan të tregtojnë edhe nëpër qytetet e ndryshëm të Perandorisë, si në Ballkan ashtu edhe në shumë qytete të Lindjes e më vonë filluan të krijojnë edhe panaire të ndryshme nëpër Evropë, si në Angli, Austri, Saksoni e gjetiu.

Perandoria Osmane, edhe pse udhëhiqej me ndonjë Kushtetutë e ligje, asnjë prej tyre nuk zbatoheshin në vendet e pushtuara. Çdo gjë që bëhej për kombet joturke, bëhej vetëm me ndonjë deklaratë të rreme, që gjoja ishte dhënë drejtpërsëdrejti nga ndonjë ferman në emër të Sulltanit.

Prandaj Perandoria Osmane dita-ditës po e humbiste ekuilibrin e saj ndaj shteteve që nuk ishin nën Perandorinë, por edhe ndaj qytetareve turq e të tjerë, që ishin nën këtë sundim, siç ishte papunësia dhe mospagesa e ushtarëve e administratorëve, ndërsa kjo mundësonte që të përhapej ryshfeti. Në një letre që Sami Frashëri i shkruante të vëllait të vet, ai do të shprehej kështu: “Është e vështirë të gjegjsh punë, por edhe sikur të gjesh s’ke e ç’do. Sepse rrogat nuk paguhen. Që prej njëmbëdhjetë muajsh asnjë metalik s’ka marrë njeri këtu. Madje, edhe nëpunësi me përgjegjësi ka arritur n’atë shkallë sa të lypin”.

Pas Kongresit të Berlinit Perandoria Osmane e njohu autonominë e Principatës Bullgare. Prandaj në këtë shtet filloi të lindë një borgjezi e re, do të hapen fabrika, zejtaria do marrë hov të madh, filloi ndërtimi dhe hapja e rrugëve, filloi të lulëzojë tregtia, me të edhe kultura, arsimi, feja, hapja drejt shteteve të përparuara etj.

Në anën tjetër, ishte Reka e Epërme, një krahinë e banuar me shqiptar të fesë ortodokse. Jeta e këtyre shqiptarëve me shumë se kudo ishte e rënduar nga vjedhjet e hajdutëve, bashkëpunimi me sejmenët turq e, sidomos, nga papunësia që e bënte të vetën. Prandaj shumë rekalinj u detyruan ta marrin rrugën e kurbetit. Për këtë popullatë vendi më i pëlqyer ishte Rumania, ndërsa më vonë edhe Bullgaria. Shumë të rinj, që kishin mbetur në Rekë, kërkonin shtigje për t’u larguar. Si çdo i ri, ashtu edhe Josif Bageri, mendonte të kërkojë punë. Si fëmijë, ai e ruante bagëtinë në bjeshkët e maleve të Rekës, madje kryente edhe shumë punë të tjera, ishte shumë i shkathët, por ekonomia e familjes nuk mund t’i plotësonte nevojat e përditshme të familjes Jovani. Për këtë arsye Josifi i la dhentë dhe nisi të kërkojë punë në Dibër, në Gostivar, në Tetovë e gjetiu, por më kot – kudo që shkonte ai e merrte përgjigjen e njëjtë. “Nuk ka punë!”, ndërsa pas një heshtjeje e pyesnin se çfarë zanati di. Një këpucar në Dibër e mori si shegert, pasi e kishte njohur gjyshin e Josifit. Ai aty kalon tre-katër muaj të dimrit.

Shqiptarët e kësaj ane kishin një zakon i cili përcillej brez pas brezi e që thoshte se kur të vijë Krishtlindja “ku të jesh e nga të jesh, në shtëpi duhet të jesh”. Në këtë festë vinin edhe kurbetçinjtë për t’u parë me njerëzit e tyre dhe për ta sjellë fitimin. Një kushëri i Josifit nga ana e nënës, me emrin Berboshi (Bardhoshi), kishte punuar një vit e më tepër në Bullgari dhe kishte ardhur për Krishtlindje në Rekë. Një ditë ai i kishte bërë një vizitë tezes së tij (nënës së Josifit), së cilës tregoni për punën që bënte në Bullgari dhe për fitimin që e merrte. Madje, i tha se e ka ndër mend ta marrë edhe Josifin.

Megjithatë, ende pa i mbushur 16 vjeç të plota Josifi ishte martuar me Vasilikën nga Prilepi. Por, jeta ishte e rëndë, ashtu siç përshkruan vetë Josifi në veprën e tij “Kopësht malsori”: “…lakuriq e pa vendue / Pa shtresa e pa mbulesa! / Pa siguri në jetë/. Kjo jetë e rëndë dhe pa zgjidhje e detyroi Josifin që ta marrë rrugën për në Bullgari, një rrugë që duhej të përshkohej për 12 ditë në këmbë me pushime nëpër bujtina ose në vende të hapura. Por, Josifi e kishte ndarë mendjen. Mirëpo, atë e mundonte nusja e re: çka do të bëjë me të?; ku ta dërgojë?; si do ta lë? e shumë mendime të tjera, që i vinin vërdallë nëpër mend. Andaj, më e mira e së mirës për të ishte që bashkë me bashkëshorten ta marrin rrugën e kurbetit. Këtë mendim ia tha Vasilikës, e cila nuk e kundërshtoi, por e inkurajoi, duke ia shtuar shpresën se do t’ia dalin. Kështu para Shëngjergjit, ende pa shkrirë bora nga malet e Rekës, Josifi dhe Vasilika e morën valixhen e drurit, ku vendosën edhe një patkua kali për fat, si dhe një dry, ndërsa nëna me lot në sy ua hodhi ujin nga shtamba për rrugë të mbarë.

Arritja e Josifit në Sofje ishte një sfidë që ai nuk e kishte imagjinuar. Pasi gjeti një dhomë me qira, bashkëvendësi dhe kushëriri i gjeti punë në një punishte ku hapej një rrugë në mal. Josifi, si i ri dhe i fuqishëm, por edhe me mendimin për fitimin më të madh, nuk kundërshtonte asgjë për sa i përket punës. Prandaj tërë fuqinë e derdhte në punë, duke i habitur të gjithë. Ndërkohë një teknik rruge, i ardhur nga Rusia, e që vëzhgonte punën, kur e pa Josifin se çfarë pune bënte, ai e quajti bager, që ishte emri i një makinë që hapte kanale e shkulte male. Kjo nofkë së pari do të dëgjohej nga shokët e tij, ndërsa  më vonë i ngeli ashtu dhe të gjithë që e njihnin e thirrshin me nofkën “bager”. Ai u bë njohur më këtë mbiemër edhe kur vendosi të shkruajë poezi dhe t’i recitonte ato para kurbetçinjve, e sidomos kur filloi të publikojë shkrime politike në gazetat që vet i udhëhiqe ose kur shkruante në ndonjë gazetë tjetër dhe për siguri personale e përdorte mbiemrin Bageri.

Në të vërtetë, Josif Bageri është i vetmi rilindës që ka pasur shumë nofka. Aktiviteti i tij ishte i madh. Ai shpesh shkonte në Bali Efendi (Knjazhevo), ku shumica e punëtorëve ishin të përkatësisë fetare myslimane dhe propagandonte se feja është individuale, kurse kombi është ai që i bashkon dhe i bën një. Kështu, kur e shihnin Josifin në biseda e në shoqëri, sidomos me bashkëqytetarin e tij, hoxhë Said Najdenin e të tjerë, filluan ta quanin Josif Turku.

Më vonë ai hyri në organizatën e masonëve, një organizatë që bazohej në atë të gjithë njerëzit duhet të bashkohen në parimin e dashurisë njerëzore e vëllazërore, besnikërisë e të ndihmës reciproke… Ky aktivitet në këtë organizatë Josifit i shkaktoi efekt të kundërt, sepse ia dha edhe nofkën Josif Masoni.

Ndërkaq Josifi ndonjëherë kur shkruante ndonjë poezi dhe e lexonte, së pari para bashkëvendësve të vet, e gjejmë edhe si Josif Rekasi.

Bashkëqytetarët sllavë të Josifit, që atëherë, por edhe sot e kësaj dite, të gjithë shqiptarëve ortodoksë, që ishin të zonës së Rekës, i quanin “Shkreti” , andaj edhe Josifi nuk ishte imun ndaj kësaj nofke.

Megjithatë mbiemri i tij mbeti Bageri. Në të vërtetë, mbiemri “Bageri” është një patronim mbiemëror, që tregon zanatin e profesionin që kreu Josifi si krah pune, ndërsa më vonë atë e përdori edhe në shkrimet që botonte dhe për t’u fshehur para organeve shtetërore dhe, madje, ashtu u bë i njohur. Në fakt, këtë mbiemër e ka mbajtur vetëm ai, pra jo edhe vëllezërit e tij, të cilët e mbanin mbiemrin Jovani.

Mbiemrin “Bageri”, nga ato hulumtime që i bëmë ne, në asnjë fshat të Rekës së Epërme nuk e hasëm atë, madje asnjë nga informatorët nuk dinin se Josifi e ka marrë këtë mbiemër. Ata që kishin njohuri, e njihnin si Josif Jovani ose si Vëllai i Priftit. Kërkova shpjegim edhe në monografinë e Ruzhdi Matës kushtuar Josif Bagerit, por Mata nuk jep asnjë shpjegim, pos që thotë se këtë mbiemër mund ta gjeni edhe si “Bagjeri”.

Në këtë synim shfletova edhe disa shënime të shkencëtareve bullgarë, që japin disa të dhëna mbi shpërnguljen e popullsisë së Rekës. Sipas të dhënave bullgare, shpopullimi i Rekës është përforcuar në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Më parë banorët e krishterë të Rekës kanë shkuar në Tetovë dhe në Stamboll, ndërsa në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX shumë familje u shpërngulën në Bullgari, kryesisht në Samokov, pastaj në rajonin e Dupnicës (në Banjën e Dupnicës ka pasur më shumë se 30 shtëpi me shqiptarë ortodoksë nga Reka) dhe në rajonin e Qustendilit, por mbiemri Bager nuk haset askund.

Studiuesja Mirčevska, në punimin e saj “Etnički simboli vo Gorna Reka (2007. fq. 148-149), duke shfletuar defterët turq të shekullit XV në vendbanimet e fshatrave të Rekës së Epërme edhe në emrat personalë, si dhe llagapet, thotë se: “nuk e hasim askund”. Megjithatë, shumë llagape, edhe pse janë me prejardhje shqiptare, ajo mundohet t’i definojë me prejardhjen e tyre nga karakteri sllav dhe josllav, duke thënë se ato “mund të jenë të karakterit vllah ose ndonjë shqiptar”. Si p.sh Tanushi, Vlashi, Duka, Shalis etj., që i jep si vllahë.

Historiani bullgar Anton Pançev, i cili është njëri studiuesit që merret me studime historike dhe demografike, jep të dhëna për më shumë se 100 shtëpi ortodokse, ku edhe sot gjenden pasardhësit e tyre, që kryesisht janë nga Kiçenica, Senca, Krakornica, Vërbeni, ndërsa jetojnë në qytetin e Dupnicës, në qytetin e Sapareva Banjës dhe në fshatin e Kraincit. Por, edhe sipas tij, mbiemri “Bager” nuk haset askund.

Gjatë jetës së tij, Josif Bageri kishte ndërruar shumë punë, qoftë si punëtor krahu ose si  shegert. Kështu më vonë ai do të vendoset në një lagje periferike të Sofjes, të quajtur Banishora, në rrugën “Braqa Milladinov”, ku do të hapë edhe një dyqan për këpucë dhe ku puna e tij me përkushtim do ta marrë namin, ndërsa ky nam do t’ia siguronte Josifit jetesën, sepse porositë për këpucë do të vijnë edhe nga njerëz më në zë të kulturës. Nuk kishte javë ose muaj që nuk pyetnin për dyqanin e tij, se ku gjendej, dhe të gjithë e përmendin mbiemrin Bageri, sepse me këtë mbiemër ishte i njohur.

Marrë në përgjithësi, mund të konkludojmë se mbiemri “Bageri” është një nofkë që Josifi e mori në Bullgari, kjo në bazë të makinës “bager”, ndërsa më vonë ajo iu bë aq e afërt, saqë ai do ta pranojë si mbiemër dhe më këtë mbiemër do bëhet i njohur si një patriot dhe militant i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në të vërtetë, ai karakterizohej si një nga patriotët e flaktë, që merrej me ngritjen e vetëdijes politiko-kulturore të shqiptareve, ndërsa kjo e bënte që ai të udhëtonte cep më cep vendeve ku gjendeshin shqiptarët, si në: Stamboll, Bukuresht, Shkup, Dibër, Prishtinë, Durrës, Prizren, Vlorë, Manastir, Selanik e kudo… Ashtu do ta përshkruajë edhe poeti i madh, tashmë i ndjerë, Ali Podrimja, i cili thotë: “Bageri është njëri nga zërat e ndërgjegjësimit të lëvizjes sonë kombëtare. Rol të rëndësishëm luajti edhe në hapësirën bullgare, ku jetonin një numër shqiptarësh”.

Bageri nuk kursehej për të punuar për çështjen kombëtare. Ishte shumë i shkathët, bindës, i besës dhe punëtor i palodhur. Intelekti i tij i çuditshëm, si dhe karizma e tij, u hynte njerëzve në zemër. Josif Bageri, si militant i kauzës shqiptare, luftoi trimërisht në mënyrë të hapur për pavarësinë e Shqipërisë. Edhe pas Pavarësisë së Shqipërisë, kur asaj ia copëtuan gjymtyrët nga shtetet fqinje të Ballkanit, Bageri nuk reshti. Ai i bën një kritikë të fuqishme Esat Pashës, intrigave të tij, në një dorëshkrim mbi “Armiqtë e Shqipërisë dhe veprat e tradhtarëve shqiptarë”, që mbeti deri më sot ka mbetur i pabotuar. Ky dorëshkrim gjendet në AQSH, i evidentuar me nr. të fondit 65, dosja 40, dok. 1-22.

Në vitin 1915 Josif Bageri ndërmerr një udhëtim heroik, në kundërshtim me lutjet e familjes së tij, duke udhëtuar më këmbë deri në Prishtinë që të takohet me patriotët kosovarë. Meqenëse ai financiarisht ishte i dobët, me të arritur në Prishtinë u vendos në një bujtinë afër Pazarit të Prishtinës, i cili ishte vendi kryesor për takimet jo vetëm publike, por edhe të fshehta. Afërsia e dyqaneve i bënte njerëzit që të afroheshin me njëri-tjetrin. Pazari kishte edhe disa kafene të vogla që shërbenin kafe e çaj dhe, herë pas here, edhe raki, ndërsa aty ishte edhe disa kuzhina popullore. Afër pazarit ishte edhe kisha dhe spitali. Josifi, meqenëse nuk kishte mjete financiare, ushqehej në kuzhinat e lira ose rrinte pa bukë.

Ndjekja e Josif Bagerit kishte filluar shumë herët, që kur në Mitropolinë e Dibrës kishte ardhur për mitropolit famëkeqi Varnava, i cili kishte vrare tre priftërinjtë nga Reka, sepse gjoja ata i kishin shërbyer Ekzarhisë Bullgare dhe se në meshë e kanë përdor edhe gjuhën “arnaute”, madje ua kishte hedhur kokat në lumin e Radikës. Por, Josifi ndiqej edhe më herët nga agjentët serbë. Këtë e shohim në gazetën “Politika” të 13 korrikut 1909, ku në artikullin me titull “Albanska pismo” do shkruhej me sa vijon: “Një i përdalë nga Nistrova e Rekës së Epërme (vëllai i priftit Todor) i ka mbushur trastat me abetare shqipe të botuar në Sofje dhe dëshiron të hap shkollë në gjuhën (aranaute) shqipe në vendlindjen e tij në Nistrovë”

Kur Serbia e forcoi pushtetin në të ashtuquajturën “Maqedonia e Vardarit”, ku bënte pjesë edhe Reka e Epërme, ajo filloi që nga njerëz të ndryshëm të marrë të dhëna se kush mund të jenë njerëzit e rrezikshëm për Serbinë. Mësuesi i ardhur serb të parët që i denoncoi si të rrezikshëm ishte familja e Josif Bagerit, sidomos Josifin, dhe vëllain e tij, që ishte prift. Pushteti i atëhershëm, për t’i likuiduar patriotët shqiptarë nëpërmjet policisë sekrete, e përdorte “metodën e helmit”. Kështu agjentët serbë së pari këtë metodë e përdorën për ta helmuar Ibrahim Temon, duke i futur helm në çorbë. Mirëpo Ibrahim Temo ishte mjek dhe e dalloi, kështu që i shpëtoj rrezikut. Të njëjtën metodë e përdorën edhe për Josif Bagerin, i cili gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, ku banonte në një han, ndonjëherë porosiste ndonjë gjellë. Nëpërmjet të një të paguari ia hodhën helmin në gjellë dhe, pas disa orëve, në gjendje të alivanosjes ai dërgohet në spitalin që ishte afër pazarit. Megjithatë pas disa orëve ai vdes. Meqenëse Josif Bageri nuk posedonte dokumente dhe kurrkush nuk u interesua për të, spitali vet e dërgon në Kishën Ortodokse, ku edhe e varrosin. Për vdekjen e Josifit do të merret vesh nga një patriot, i cili e njohu atë dhe në një zarf do ta lë këtë shënim: “Letrat e Josif Bagerit prej katundit Nistrovë – Reka e Dibrës së Madhe – ka dek në Prishtinë, Kosovë. Ish një patriot i flaktë e ka dekë në mizërie, t’ue lanë grue e tre fëmijë”. Kjo zarfe është gjetur më 1916, në prill, kurse Josif Bageri ka ndërruar jetë më 1915 dhe kjo është data e vërtetë e vdekjes.

Interesimi jonë është që ta gjejmë varrin e tij. Për këtë arsye vendosëm kontakte nga më të ndryshmet me kishtarët serbë, por sipas një prifti (J.P.) njerëzit që nuk posedojnë dokumente, varrosen në varre kolektive të familjeve që nuk interesohen për të vdekurit e tyre. Në shënimet e tyre, në bazë të mbiemrit Jovani(-viq) është një mbiemër shumë i përhapur, por fletoret e vjetra kisha nuk i posedon, sepse shumica e fletoreve gjenden në Arkivin Shtetëror Serb. Protogjeri na tha se kurrë nuk ka hasur dikë me mbiemër “Bageri”. Ky ishte fundi i bisedës. Pas insistimit tonë, kërkova që t’i vizitojmë varrezat në oborrin e kishës. Në disa varre rreth murit janë disa varre pa emër. Ndoshta ndonjëri varr aty mund të jetë i Josifi Bagerit, por gjithsesi duhet punë që kjo të vërtetohet.

Filed Under: Histori Tagged With: Avzi Mustafa, Josif Bageri, Kujtese

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 281
  • 282
  • 283
  • 284
  • 285
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT