• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËRKUJTOJMË AT PJETËR MËSHKALLEN

October 21, 2018 by dgreca

Pergatitë nga Fritz RADOVANI/

 21 Tetor 1946Arrestohet në Tiranë At Pjeter MESHKALLA…/

U dënue dhe bani 15 vjet burg në Burrel dhe kampe shfarosje…

U arrestue prap me “Revolucionin Kultural”, me 29 Prill 1967 në Shkoder dhe, u dënue edhe 10 vjet të tjera…

Gjithsejt ka ba 25 vjetë burg.

Arrestimi i dytë u ba në mbledhjen e organizueme nga Fronti Demokratik i Lagjes, në Institutin Pedagogjik të Shkodres, me 29 Prill 1967, ku hymja ishte me ftesa…

Në fjalen e Tij në Institutin Pedagogjik para arrestimit At Meshkalla ka thanë:

“…Unë po ju them këtu se Populli nuk asht dakord me shka jeni tue ba ju, ai ka besue dhe do të vazhdojë me besue në Zotin edhe pa Kisha e Xhamija… Ky veprim që bani ju sot asht vetëm turp para Zotit e para Popullit, asht turpi juej para gjithë vendeve të Europës, mbasi kjo që bani ju sot  këtu bahet në pragun e 500 vjetorit të vdekjës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit! Vetëm këte mendoni, shka ka me thanë Europa për ju! Ajo e njeh Popullin Shqiptar dhe e di se ka 2000 vjet që Populli ka ndjekë e do ta ruej në zemër Fenë e Krishtit!”

NGA  AT  PJETER MESHKALLA S.J.:

HIPOKRIZIA

Hipokriti kërkon të duket ndryshe nga ç’është.                                                                                                                 Shtihët si i mirë për të gënjyer të tjerët. (Fjalori)                                                         .                                                                                           

          Mos iu afro Perendisë me zemër dy faqesh…

 Mos ban hipokrizi para njerëzve! (Ecili. 1. 36-37).

                                   E kundërta: I çiltër, flet e vepron pa u shtirë, është i

             pastër nga zemra, i sinqertë. (nga Fjalori).

                                  I. DEFINICIONE   

         Një maskë e zbukurueme

që hollë mbulon fytyrën e shemtueme.

         Sa vojna lyrë-ngjyrë

që mëshefin rrudhat e një plakës mënxyrë.

         Një pare kallpe e zbehtë

që në treg na del porsi flori i vërtetë.

         Thesi që në grykë ka molla

e poshtë der’në fund, ka veç gjarpinjë e bolla.

         Një monument mermeri

mbi kryma, mbi skeleta e kafka tméri,

por zemra ndinë si’ i akull në ty, që ngrinë,

por shpirti i drejtë… nuk di… nuk di, nuk di sesi…

por, ndinë….

                     se jé  h i p o k r i z i !  

KUADRA 

         Jé Judë, që fjalën ké si shpirt – njeri,

e për trathti ndaj Mësuesit psherëtitë,

në sa me një të puthun Mësuesin jé tue shitë,

                                   hipokrizi

                                      për treqind pare argjënd!

         Joab jé, që pret në besë e vé pusi:

hasmin e falun përqafon miqësisht,

kur të msheftën thikë atij ia ngulë tinzisht

                                  hipokrizi

                                      fillë në zemër, si gand…!

            Ti Sirenë magjepsore, shtrigë unjî:

tërhjek e detarët i thithë në pasqyrë të qétë

dhe, ia përplasë anijën té’ i shkamb nën détë

                                   hipokrizi

                                      me knaqun synin tand!

              Të njoh mirë, hipokrizi…

                                      ti jé trathti, lubi!

                                     Gënjen synin pa sherri,

por, zemra ndinë një erë gjaku në ty, që ngrinë,

por, shpirti i drejtë nuk di… nuk di sesi,

por, ndinë….

                                       se jé  h i p o k r i z i !

 

            III.  TË  KAM GJETË  !                                                                                         

      Të kam gjetë, hipokrizi, në çerdhët që ké:

Labirintët tueja janë pa krye,

por me çka pashë e ndjeva unë mbi këte dhé,

mjaft mësova e mjaft mu çilën këta dy sy.

       Në shoqninë njerëzore isht’ kenë një gja për bé:

Sinqeriteti kapun në luftë me ty,

e ti, kolonë e pestë, me dinakri,

të sinqeritetit në kështjellin barkas shtri…

      Të kam gjetë nën doreza të buta humanitare,

me çapojt e përgjakun të njaj skyftéri…

Në çajë të ngrohta të pashë “bamirëse-kërcimtare”,

me’i zemër si natë dimni kur frynë véri:

      Mbi borë përjashta dridhet një lypcarë,

ndërsa…për té (!) gjithë natën krisë Valcëri!

P’aj, të kishte veç një kokë kjo botë e tanë,

për t’ia këputun ma shpejtë, mundim pa i dhanë!!

      Nën maskë të kam gjetun Aristokracije,

me lule e lajle dhe “virtyte Oborri”…

Po, u zbè me’i herë çdo rreze qytetnije,

kur ia zbulova petët këtij laknori….

      Të kam gjetë nën xhamadan burri Malsije,

( kujtim i largtë herojsh’ që koha i mori),

hèu, gardh Kanuni thyemun njëqind herë,

për me i lanë burrit shteg “me dalë me ndérë”…

      Të kam gjetë nën frakun e njaj Liberali,

që të ngopë me “tolerancë” – “liri-mendimi”,

por, furinë fanatike s’di ta ndali,

kur gjenë përballë një idé të vendosun trimi.

      Të kam gjetë mbas syzash të Markës “ideali”,

në dy gropa syshë të thella e të êrrta shqîmi

që botës, dritë s’i dhanë m’sa ‘i natë varri,

sido që të ndrisin syzat me rrathë ari.

     Të kam gjetë në xhep të Nacionalistit vlershëm

me dhjetra flamuj tubë të shtrênjtë e të lirë,

mbishkrue me shirit etiketë “ i ndérshëm”,

p’r inat të atij që asht veç Shqiptar i mirë!

    Në çantë të kam gjetun të Demagogut të tmérshëm

(anmik intrigash, qytetar i dëlirë).

Ndër disa fletë të mshefta, si po i thona:

“Ndani e përçani…me çdo kusht e jona!”.

      Të kam gjetun nën petkun e Fétarit tonë,

brumë Farizeu, që pjesën rri tue luejtë:

Tartuf buzë-rrudhë e vetull-vrênjtë gjithmonë,

e mbas perdje asht laksist-gaudent i prunjtë.

      Ai e di mirë se dy shelqinjë – si’i thone –

në një dorë, bèsa, me i mbajtë askush s’ka mujtë: 

Detyra e shénjtë në “Sherbim të Perendisë”,

nuk i lè kohë të shikojë plagët e njerzisë…

     Të kam gjetë ndër thonjtë e gishtave të Tregtarit,

sa me shkathtësi tespi e rruzare hjedhin,

si të ishin bash verdhukët e bukur t’arit,

që, pikë prej gjakut të fukarasë, i vjédhin…

S’do mend, nga fryti i shtrydhun n’djersë të mendqarit

barkthatë e lakuriq, do fije drédhin,

e ndezë ndo’j dritë në faltore, si “mëkatnorë”,

e, për “me shkelë” Zotin me’i bakshish nën dorë!!…

      Të kam gjetë atje ku e ka selinë Drejtësia,

në lagênin e Pilatit, plot gjak të vjetër,

rrjedhun me baltë të Mamonës duerve të tija

dhe, gjak në duer të lame, gatshëm për gjak tjetër!

      Të kam gjetun té kamxhiku Flakë e shkëndija,

të apostullit të kulluet të moralit… në letër,

që shkallët e poshtërsive hypë, me rrëzue

monstrat prej froni dhe, …aty  vétë me u shtrue!

      Ku nuk të kam gjetë hipokrizi, të dalët fara!

Plaka botën kafshon e, puthë figure…

Moralin së bijës ia mësueka lara-lara…

Djalin me renë ngatrrueka… lesh tue lënurë…

      Miqtë s’po shikohen në sy ma si përpara

pse, mbas shpine i diktuen sho’ shojt’ kusure…

sé, ma, pallavrat e paundyrë të servilit!!

Se, ma, sadizmi në puthjet e katilit!!!

                         Të njoh mirë hipokrizi!

                                Jé dhunë e poshtërsi!

                                    Gënjen synin e pasherri,

por, zemra ndinë jarg ferri në ty, q’e ngrinë,

por, shpirti i drejtë… nuk di… nuk di sesi,

por, ndinë…

                            se jé  h i p o k r i z i ! 

 ANATHEMA !

Toka me qiellin……………-valën e mallkimeve,

të shkrepi mbi kokën      -e gjithë hipokritëve!

Breshni i shigjetave         -të dyndi, e rebéshi,

kudo që të ndeshi                 hipokrizinë!

Asht lëkundun bésa         -e miqve dhe e vëllazënve,

mbrenda brenë ténja         -ndër votra të familjeve;

e pranë blerimëve             -të njâj gêmi ullini,

shpallë shkrûmi e hini           hipokrizinë!

 

Era helmuese                     -prej gropës së errësinave,

po u prishë pranverën        -rinisë edhe luleve!

Kudo që të dredhuna         -rranjët të kétë ngulë,

bini me e zhgulë                     hipokrizinë!

 

Karikaturë                         -e fésë dhe e shenjtënve,

që ban të përbuzet             -era e virtyteve!…

Por, jo, se luleve                -u përgjegjë fryti,

nuk lidhë virtyti                      hipokrizinë!

 

Farizé i kalbun,                  -lësho puthje figureve,

zhyt në ujë të békuem        -tier lamshin e lutjeve

e të filaktérëve                    -s’rrêhët njerëzia,

as Perendia                            me hipokrizinë!

 

Toka me qiellin                   -valën e mallkimeve,

të shkrepi mbi kokën           -e gjithë hipokritëve!

Breshni i shigjetave             -të dyndi, e rëbéshi,

kudo që të ndeshi                       hipokrizinë!

 Anathema – dëbim, mallkim.

                                             V.  CONFITEOR

      O Zot, hipokrizisë unë ia vervita

shigjetat e mallkimet pa u kursye;

por, trupin me trup vrava, pse në sy të Tú

jam vétë, përlye me hipokrizi!

    Mbi mue randojnë e më shtypin ato “Vaje”,

që lëshove Ti njëditë mbi Farizéj…

Mos jam unë Farizé i tipit të ri ?!

    Pastroj përjashta ênën me kujdes,

e mbrenda asht mbushun plot me kalbësinë,

mizen pështyj’e dévën kapërdijë…

Shikoj qymen në sy të tjerëve e, vetë kam tranë…

Për të fitue ‘i shpirt kërkoj unë tok’e détë

e, kur ta gjejë, e baj ma të zi se vehtën…

    Me kyçin që më besove, o Zot, unë derën

vedit ia mbylla, e të tjerë nuk lashë të hyjnë mbrêndë

e, me të verbtit prijës i vérbët, të dy në gropë ramë…

    Emnin Tand në gojë e, zemrën larg prej Téje,

vegël tue të ba e kapak ndër të zeza të mija,

Tý, që, jé veç Drejtësi, Tý, që, për hir’ 

Të së Vërtetës Shênjte, çove vehtën në Kryq!…

    Mallkime dhe shigjeta unë meritoj,

që, lëshova gurë mbi të tjerë, si t’ishëm vetë

i dlirtë… Confiteor!…Po, mos vállë ky rrëfim,

asht prap hipokrizia e hipokrizisë ?!!…

Confiteor: Rrëfej fajin (shih: Matt.H. 23, 1-33 etj.)

 VI.   L U T J E !

    O Zoti em, ma fal sinqeritetin,

ma jep instinktin me e njohun n’erë

hipokrizinë; Ti më jep edhe guximin,

të vërtetën vehtës me ia thanë pa frikë,

si kirurgu m’ia vue thikën gangrenës;

hydren me e shtypë, sa herë kërkon t’ çojë krye,

mos të jém’ unë ujk i veshun me lëkurë kingji,

as varr i zbardhun jashtë e, mbrêndë kufomë!…

    O Zoti em, ma jep sinqeritetin

e fëmijës së pafajshëm, të thjeshtë e pa mashtrim!

    O Zoti em, ma jep sinqeritetin

e njerëzve vullnet-mirë, që paqë lypin,

me vehtën e me shoqin e, me Tý!

    Oh, kjo lutje nuk asht,

                    nuk asht   h i p o k r i z i !

Shenim F.R.:Kjo poezi e shkrueme nga At Mëshkalla S.J., vlersohet nder krijimet ma të mira të Tij. Ndonse sot, këto Vepra nuk studjohen nder shkollat Shqiptare, mendoj se ne, asht mirë t’i Perkujtojmë Martirët e Atdheut dhe Veprat e Pavdekshme të Tyne.

            Melbourne, 20 Tetor 2018.

Filed Under: Histori Tagged With: e perkujtoj, Fritz radovani, Pjeter meshkalla

Malli për nënën ma ka djegur shpirtin

October 16, 2018 by dgreca

1 Me nenenBisedë me z. Kujtim Cekani, pinjollin e një prej familjeve të persekutuara nga regjimi diktatorial, i arratisur me 1989, për 12 vjet nuk mundi t’i shihte familjarët/

1 Kujtim cekaniNënë e kam pasur, po më shumë mësuese, shoqe, ushqim e lumturi… Atë e kam pasur çdo gjë të jetës sime, çdo gjë! Ajo që më dhëmb është se nuk u ngopa kurrë me nënën time, edhe për faktin se u arratisa nga Shqipëria para ’90-s në 1989 dhe për 12 vjet nuk i pashë njerëzit e mi me sy dhe malli për nënën ma ka djegur shpirtin.

1 Kujtim 2

“Një mentalitet i ri duhet të kapë frenat e këtij vendi…!” Cekani/

Kalvari i vuajtjeve të familjes Cekani dhe më gjerë, ka bërë që Kujtimi qysh fëmijë të ketë ndjerë nga afër tmerret, luftën e klasave, trishtimin dhe dhimbjen e thellë, veçanërisht për nënën e tij që e ka si një ikonë të shenjtë në zemrën e tij të plagosur.

Ju keni pasur një fëmijëri tejet të trishtuar, persekutuese; keni shkruar në rrjetet sociale se fëmijëria juaj ju vjen si një film horror për tmerret që keni parë me sy, mund t’ju tregoni ju lutem lexuesve të shumtë në këtë intervistë së bashku?

Së pari, të falenderoj për mundësinë që më dhatë për këtë intervistë sa te gjatë aq edhe të dhimbshme, sepse me kthyet mbrapa në kohë dhe të garantoj që është një kohë që kam fare pak dëshirë ta kujtoj. Dua ta marr në fillim fjalën tuaj të fundit, ku më thoni që më falenderoni si dëshmitar i sistemit diktatorial…

Unë s’mund të them që jam një dëshmitar me kuptimin e plotë të fjalës, sepse kam qenë fëmijë në atë kohë, por mund të them që jam një viktimë e pafajshme e atij sistemi një pësues pa të drejtë, trashëguar në tre breza. Një viktimë që atomatikisht shndërrohet në një dëshmitar okular që ka parë e përjetuar gjëra që s’ka laps t’i shkruaj e letër t’i nxejë… mizoritë e tmerreve të jetuara në fëmijërinë time. unë i shoh sot në filmat horror që janë të ndaluar për moshën nën 18 vjeç.

Ne jetonim në fshat. Shtëpia jonë ishte në një vend majë kodre nga ku mund të shihej nga i gjithë fshati. Tek ne nuk hynte e dilte njeri, kur them askush, është fjala as kushërinjtë, as xhaxhallarët, as të afërm të tjerë. Të vetmit që na vinin ishin dajët, tezet (njerëzit e nënës) dhe motrat e martuara, e askush tjetër. Më kujtohet kur kam shkuar për hërë të parë në shkollë ditën e parë, isha gjithë qejf dhe bashkë me vëllanë të kapur përdore u ngjitëm në kodër dhe shkuam tek shkolla. Vëllai ishte tre vjet më i madh se unë dhe i dinte ligjet e shkollës, kurse unë nuk dija asgjë.

Mbasi u rreshtuam një vajzë doli para nxënësve dhe ngriti grushtin lart e po priste. M’u afrua vëllai afër dhe më tërhoqi nga krahu e më nxori nga rreshti. Mësueset ishin rreshtuar tek shkallët e shkollës dhe të gjithë po më shihnin mua. Vëllai me tërhoqi fort dhe u larguam nja 5-6 metra larg nga të tjerët. Atëherë ajo nxënësja para shkollës filloi: Nxënës, fatosa e pionerë, në luftë për çeshtjen e Partisë të jeni gati!” Në fund oshëtiu e gjithë shkolla, “Gjithmonë gati!” aq sa u tremba e m’u dridh trupi.

U trishtova pa masë dhe sytë m’u mbushën me lot. Aty kuptova se isha ndryshe! Unë dhe vëllai im… vetëm ne të dy ishim ndryshe.

Hyra në klasë me trupin që më dridhej më thanë të ulesha në bankën e fundit… që nuk e lëshova derisa mbarova klasën e 8-te.

Nuk kam asnjë kujtim të bukur nga shkolla. Ishim gjithmonë të përbuzur e të injoruar… Mësoja shumë, por sidomos lexoja shumë. Lexoja çdo gjë që më binte në dorë. Për fatin tim të mirë isha në bankën e fundit dhe mbas krahëve kisha dy dollapët e librarisë se shkollës plot me libra… çdo ditë do merrja nga një libër. I lexoja dhe i vija prape aty. Sigurisht fshehurazi!

Ju keni pasur një lidhje gati hyjnore me nënën tuaj të shtrenjtë. Cilat janë disa nga rrëfimet e saj dhe a kishit frikë se mos ju dëgjonte apo ju kallzonte dikush tek pushteti?

Nëna ime. S’i mbaj dot lotët. Ajo ishte gjithçka që ne kishim! Ishte drita… ishte lumturia, ishte pasuria, ishte gëzimi ynë. Babanë e shihnim njëherë në tre muaj, se punonte në gurore, thyente gurë me çekiç. I jepnin leje një herë në tre muaj të vinte në shtëpi, kështu ne jetuam pa të gjithë në fëmijërinë tonë, ndërsa nëna ajo ishte në çdo pjesë të jetës sonë.

Nga klasa e 5-të, fillova të shkruaja dhe më shumë mbrëmjeve. Kur të tjerët flinin, unë edhe nëna rrinim zgjuar. Ajo bënte punët e saja, na qepte rroba, na arrnonte, apo bënte triko leshi, kurse unë afër saj ulesha e shkruaja… Ndonjë kujtim prej nënës? Po ajo më thoshte pa më lexo çfarë shkruajte sonte. Dhe unë gjithë qejf i lexoja ato vjershat e mia… dhe ajo më përkëdhelte e mua më zinte gjumi në prehër të saj. Nënë e kam pasur, po më shumë mësuese, shoqe, ushqim e lumturi… Atë e kam pasur çdo gjë të jetës sime, çdo gjë! Ajo që më dhëmb është se nuk u ngopa kurrë me nënën time, edhe për faktin se u arratisa nga Shqipëria para ’90-s në 1989 dhe për 12 vjet nuk i pashë njerëzit e mi me sy dhe malli për nënën ma ka djegur shpirtin.

Dhe kështu u rritëm, u ushqyem dhe vuajtëm me dashurinë e njeri-tjetrit.Rrallë herë në fëmijërinë time kam veshur rroba të reja. Ka qenë luks i madh të kishim rroba apo këpucë. Nuk mbaj mend kurrë të kem veshur këpucë të reja.

Cilat janë disa nga kujtimet tuaja më të dhimbshme me bashkëfshatarët tuaj, trajtimet dhe diskriminimin që ju bënin ata? Si mendonit ju, në moshën e fëmijërisë?

Aty nga mosha 10-12 vjeçare fillova të kuptoj pse ne ishim ndryshe nga të tjerët. Ne kishim ato lumturitë tona të vogla që ishin e gjithë bota jonë sidomos kur vinin dajët ose kur ne shkonim atje. Është e parrëfyeshme me fjalë, se çfarë lumturie kishim kur mblidheshim në darkë në atë odën e shtruar me qilima përballë oxhakut ashtu sipas radhës nga mosha, dhe ku kutia e duhanit fillonte xhiron e ashtu si pa u ndjere fillonte muhabeti. Ne fëmijët rrinim diku të gjithë bashkë me veshët katër për të dëgjuar atë që flitej. Nuk bënte vaki të mos tregohej për Tepelenën. Ata kishin kaluar atje 5 vite të rinisë së tyre familjarisht dhe ajo çka kishin përjetuar atje u ishte ngulitur thellë në jetën e tyre.

Nga nëna persekutimi ka qenë shumë më i egër. Kushëriri i parë i saj Nezir Muzhaqi, e kishin varur në litar me urdhër direkt të Diktatorit Hoxha, qe pushkatuar vëllai i nënës dhe dy kushërinj të tjerë. Xhaxhai i nënës kishte vdekur në Kënetën e Maliqit, kurse familja e saj ka qenë e internuar në Tepelenë. Gjyshi Sherif Muzhaqi, gjyshja Sanie, 6 dajët, 3 tezet e ndër to edhe nëna ime. Tepelena mbeti plaga e pashëruar e nënës sime. Ajo qe datëlindja 1933, dhe në Tepelenë ka shkuar 15 vjeçe, kështuqë ajo mbante mend çdo gjë. Dalngadale që rriteshim ne ajo na tregonte… dhe lotët që e kishin mësuar rrugën në faqet e saj zbrisnin ngadalë thuajse me një ritëm nga syte e saj jeshilë në blu. Kur ishte e gëzuar nëna ime sytë ishin më shumë jeshilë ndërsa kur lotonte i shndrroheshin në blu. Kështu Tepelena u ngul në jetët tona dhe unë di çdo detaj që atje ka ndodhur në 5 vitet e një tmerri pafund, e sidomos me vdekjet e qindra fëmijëve të pafajshëm, si dhe varrosja e zhvarrosja e tyre herë mbas here, atje mbeti një kushëri i parë i nënës Sali Kasa, vëllai i të arratisurit Rexhep Kasa.Unë fshatit të kulakëve, sepse ashtu quhej Polis Vilani i kam kushtuar edhe një poezi.

E bukura ishte se atje ishin shumë familje kulakësh dhe ata kishin mbështetjen e njeri-tjetrit ndërsa në fshatin tim ishim vetëm ne. Imagjino se si ishin drejtuar tytat e urrejtjes mbi ne.

Pak më lart thashë se na rrethonin shtëpitë e xhaxhallarëve, pra shtëpitë e njerezve më të afërt, e pra me ne askush nuk fliste. Gjyshi im ka vdekur në Burgun e Tiranës. Ai ka qenë kryetar i Ballit Kombëtar për Polisin, e përveç kësaj e akuzuan se kishte strehuar dy diversantë: Alush Lleshanakun dhe Rexhep Kasën. Atë e arrestuan e burgosen dhe nuk doli më i gjallë prej andej. Babai im, si më i madhi i fëmijëve shkonte ta takonte ndonjëherë edhe kur vdiq shkoi të kërkonte trupin e tij. Nuk ia dhanë duke i thënë që “nëqoftëse e do trupin, futu ti të bësh vitet e tij të mbetura të burgut. Mision i pamundur. Këtu filloi edhe drama më e keqe i djalit të madh ku vëllezërit më të vegjël, xhaxhallarët e mi që ishin nga mosha 20 vjeç dhe më i vogli 4 vjeç u shkëputën me forcë nga familja dhe që nga ajo kohë kjo tragjedi vazhdon edhe në ditët e sotme. Edhe në vdekjen e babait tim vëllezërit e tij nuk qenë të pranishëm. Kur kujtoj këtë makabritet të njerzve të mi më të afërt më dridhet trupi, por ky është një realitet i zi që na ka shkatërruar përjetësisht, e që nuk na bën të jemi as krenar që vuajtëm e qëndruam…

Nuk mund të rri pa kujtuar poezinë dedikuar atij burri me mustaqe dhe fisnik që komunistët e vdiqën në një birucë me ujë në Burgun e vjetër të Tiranës (këtë ma ka treguar Tomorr Aliko) i vetmi dëshmitar i gjallë, që më ka treguar si ishte fundi i Ali Cekanit.

Sa herë i lexoj ato vargje sytë e mi njomen me lot, por mundohem ta përmbaj veten sepse me duket se po imitoj nënën time.

Nëna ime ajo grua burrneshë që rriti 9 fëmijë në ato mjedise ku çdo kush që na shikonte e na rrethonte na thoshte: “Ju jeni armiq! Hë kulakë ç’kemi?! “Falenderoni Partinë, se ju jeni për t’u pushkatuar të gjithë!” – pra nuk ju mjaftonte ai terror qe kishim pësuar, por na tregonin edhe pushkatimin, çdo përbuzje makabër që na bënin ishte një fletëlavderimi për ata që e bënin. Të thellojmë luftën e klasave! – shkruhej në parrullat gjithandej dhe armiku aty ishim vetëm ne!

Mbasi mbarova klasën e 8-te e gjithë ëndrra ime ishte të vazhdoja shkollën e mesme, nuk kishte ditë që nuk e bisedoja në shtëpi këtë gjë… Nëna, që sytë e sajë jeshilë i vezullonin nga lotët, më thoshte vazhdo shkruaj bir se s’ke çe do shkollën e këtyre qenëve… Ajo e dinte se te shkoje në shkollë për ne, ishte mision i pamundur!

Mendoni se ka pasur shkrimtarë gjatë regjimit të Enver Hoxhës që kanë ndihmuar të persekutuarit dhe të dënuarit politikë me veprat e tyre?

Kjo që do t’ju tregoj tani është një nga historitë që s’kam për ta harruar kurrë… Ishte viti 1987! E dija që për mua nuk kishte të ardhme në Shqipëri. Kështu që mora një vendim të rrezikshëm në atë kohë.. Të trokas në zyrën e komitetit të partisë në Librazhd, dhe pse ajo dere per mua nuk u hap kurrë. Doja me çdo mënyrë të vazhdoja shkollën e lartë. Arrita të trokas.. Kur papritur dikush më kapi për trikoje e më tërhoqi aq fort sa ma grisi. Më kapi për krahu dhe për shkallësh me nxorri jashtë në trotuar…”Ik kulak! – më tha – Ik nip i Nezir Muzhaqit, se burgu ju pret juve! Fillova të qaj dhe shtërngoja fort në dorë fletoret e mia me poezi! Papritur dikush më afrohet e më ve dorën mbi kokë. Kthehem ashtu i përlotur dhe shoh një burrë me kollare. Ç’ke – më thotë! – Pse qan? Me trikon time të grisur fshiva lotët, dhe pashë burrin që m’u afrua, i them: Po ja unë dua të vazhdoj shkollën, por nuk më lenë, dhe pashë që sytë e tij u drejtuan te fletoret e mia që une i shtrëngoja fort në dorë. Nga je? – më thotë – Si e ke emrin? I përgjigjem: Kujtim, Kujtim Cekani, nga Polis Gurshpata! Më pyeti: e pse nuk të lënë të vazhdosh shkollën. Po ja – i thashë – sepse gjyshi im ka vdekur në burg dhe dajat e mi i kanë pushkatuar! Pashë që burri me kollare u nxi më shumë se ç’ishte, pashë që po shihte përqark me bisht të syrit, pastaj me tha: Pra ti je kulak! Po, i ktheva, po çfaj kam unë! Në shkollë mësimet e partisë mësoj! Ai me përgjigjet: E di Partia pse ti nuk shkon në shkollë! Ok, më thotë, po ato në dorë çfarë i ke? I them: “Unë shkruaj! Shkruaj poezi, çdo natë ulem e shkruaj për zogjtë, për lulet, për pranverën…” Ai më thotë: “Po për Partinë a shkruan?!” “Po ja nuk më lenë të shkoj në shkollë!” – i them – “Dëgjo djalosh, – më thotë, – do mundohem unë të të ndihmoj. Unë jam kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të rrethit të Librazhdit. E kam emrin Koçi Petriti!” “Mirë, – i them me atë naivitetin tim prej djaloshi, – të lutem më ndihmo!” “Do të ndihmoj, – më thotë, – por me një kusht. Fletoret e tua do të m’i lesh ca kohë që unë t’i lexoj, pastaj do të vish të më takosh dhe do të flasim!” I trembur për fletoret dhe i thashë: “Të lutem, fletoret e mia mos m’i humbasësh!” “Mos ki merak fare! – më tha. Ishte shtator i vitit 1987. Shkollat kishin filluar. U nisa në drejtim të fshatit tim nën shiun që binte me rrebesh, me trikon e grisur dhe pa fletoret e mia të poezive. Vetëm kur shkova në shtëpi, në orën 5 mbasdite, u kujtova që isha dhe i pangrënë. Nëna me priti me lot në sy dhe më tha: Hë mor bir, se nuk ke çe do shkollën e këtyne qenve!” Imagjinojeni vetë si ndjehesha, po nuk më hiqej nga mendja nga burri me kollare të zezë që më mori fletoret e mia, nuk më hynte asgjë në sy. Afrohesha te bufeja qe kishim në dhomën e pritjes ku unë mbaja ata pak libra që kisha mundur të bleja: më kujtohet “Iliada”, “Odisea”, “Shtëpia e shpirtrave”, etj,. U err shpejt ngaqë binte shi. Më kujtohet si tani, që m’u desh të hipja mbi çati për të zënë nja dy a tre cika shiu që dërrasat e vjetra e të çara nuk mbanin më. Mbasi nëna na dha për të ngrënë, vëllai dhe motra më e vogël u shtrinë për të fjetur. Nëna u ul për të bërë çorapë, unë mora një fletore të re dhe fillova të shkruaj. Nëna më thotë: “Hë Kujtim, do t’i lexosh nënës çfarë po shkruan?” Ajo ishte e para që dëgjonte gjithmonë çfarë unë shkruaja, dhe më thoshte: “Të keqen nëna o Kujtim, o zemërtrim!” Gjithmonë do t’më zinte gjumi mbi librat e mi, nëna më thërriste: Ngrihu tani së është vonë, dhe unë ashtu i përgjumur futesha pranë vëllait tim, që të ndiheshim ngrohtë bashkë, dhe herëpashere ndjeja nënën që vinte dhe na mbulonte. E nesërmja ishte si e djeshmja pa ngjarje, veç me trishtimin dhe frikën nëse do të mundeshim të hanim atë ditë dhe a do mundeshim të siguronim ndonjë palë çizme të vjetra e me pulla, mjaft që mos të na lageshin këmbët. Më kujtohen sandallet e mia që ishte e vështirë t’ua kuptoje ngjyrën orgjinale duke ngjitur copa sipër ngaqë këputeshin pa mbarim.

Çdo ditë do të shkoja te merrja bukë te furra e kooperativës, dhe ky ishte një nga problemet më të mëdha. Duhet të merrnin bukë të gjithë të tjerët dhe mua më jepnin ç’të ngelte. Më e zeza ose më e dërrmuara. “Ti kulak, – më thoshte ajo që shiste bukën – nuk mund të marrësh bukë para të tjerëve!” – ngaqë ishte dhe komuniste, e shumë herë nuk ngelte asgjë! Ç’të bëja?!Futesha në furrë ku gatuheshin bukët, mbasi furrxhiu që e dinte historinë, më kthente krahët dhe bënte sikur s’më shihte! Unë merrja dy ose tre bukë në stivë dhe ikja me nxitim. Darka e siguruar, dhe një poezi trishtimi më shumë. Një natë që ngelte pas, një ditë tjetër për t’u përballur me të.

Jo më larg se 5-6 ditë nga dita që ai tipi më mbajti fletoret në Librazhd, korrieri i fshatit më lajmëron dhe më thotë që të kërkojnë te zyrat e fshatit. Shkoj dhe te zyrat e kooperativës, më ndalon operativi i zonës…

Ti je Kujtim Cekani? – më pyeti. – Po, -i them! Hajde këtu, – më thotë, e më fut në një zyrë ku më vështronte me ata sytë e kuq si gaz dege, dhe më thotë: “Ti je ai problematiku i partisë në Ngurshpatë, do ta shohim mirë punën tënde!” E pashë me përçmim dhe i them: Unë s’kam bërë asgjë! Pusho! – më ulëret, – Duart mbrapa! – dhe ngrihet me nxitim e më ve hekurat! O Zot, kërcitja e prangave më bëri të më dridhej trupi. Atë çast u hap dera dhe filluan të hynin njëri pas tjetrit përgjegjësi i sektorit, kryetari i këshillit, komunistja e betuar që shiste bukën, kryetari i kooperativës, kryetari i këshillit të bashkuar dhe një person shumë i afërt i imi. I shikoja fytyrat e tyre me radhë… ç’të shikoja, donin të më përpinin me sy…

-Hë more bukurosh, – më thotë kryetari i këshillit, ja arrite kësaj dite! Kulak i qelbur, – më thotë një person tjetër që ishte nga fshati i dajëve të mi. T’ia dini për faleminderit Partisë ju, se po të ishte për mua unë do t’ju piqja të gjallë në hell juve!

E mblodha veten, i pashë një për një, pastaj u thashë: Po unë s’kam bërë asgjë, ç’keni me mua! Pushoooooo…! më ulëriti njeriu im, merreni dhe futeni në burg, – i kthehet ai operativit, ky po na shkatërron rininë, në burg atje e ka vendin, pse i them pse jam nipi i babës tënd, ai u turr të më qëlloj, por dikush i doli para dhe e mbajti, mes ulërimash dhe sharjesh më mbajtën aty nja një ore me hekurat mbrapa, pastaj dolën një nga një dhe operativi m’i hoqi hekurat dhe më tha, – Do më rrish në dispozicion se me ty kam goxha punë. Dal nga zyra e kryesisë dhe nisem në drejtim të furrës së bukës, kryetari i këshillit të bashkuar, një djalë i ri, më thotë: “Kujtim, dëgjo, të ka ardhë emri për në burg, unë nuk kam ç’të bëj do më detyrojnë të firmos, ti e di çdo të bësh gjej rrugëzgjidhje! E shikoj në sy dhe nuk i fola. Ndalova në këmbë dhe fillova t’i shoh gjithë njerëzit rreth e përqark. Të gjithë filluan të më dukeshin si miza, si bagëti. O Zot çfarë urrejtje më përfshiu, sepse në të vërtetë askush s’më fliste… E kush guxonte t’i fliste një kulaku. Shkoj me nxitim në drejtim të furrës ngaqë filloj edhe një shi, dhe nisi të bjerë mjegulla. Futem brenda dhe i them furrxhiut, që ishte njeri i mirë: Më duhen 3 bukë. Nuk kam lekë por do t’i bie! Nuk më ktheu përgjigje, por më ktheu kurrizin. I mora bukët pa pagesë dhe dola me nxitim. Nuk di si e bëra rrugën deri te shtëpia. Sapo u futa brenda, nëna më priti me ëmbëlsinë e saj: Erdhe o shpirt i nanës! Sa shumë u vonove. Vdiqëm për bukë! Eh moj nënë, – i them, – Po ja, mezi gjeta lekë për bukë! E nuk i tregova se ç’me kishte gjetur. Kjo histori me operativin dhe hekurat që më vuri vazhdoi për shumë kohë, po unë kurrë nuk i tregova nënës. Çdo ditë e më shumë mendoja ikjen nga Shqipëria. Nuk i flisja më askujt, dhe i urreja gjithë fytyrat që më dilnin përpara! …….Eh ato vite! nganjeherë i mbyll sytë dhe kam frikë t’i hap… Vallë iku me të vërtetë ajo kohë?! Sa kohë e vështirë, sa kohë e dhimbshme. Aq shumë dua të tregoj dhe të flas për ato kohra të vështira, e nuk dua t’më shpëtojë asgjë as edhe një presje… është rinia ime e shkretë, e varfër pa pantallona, pa këpucë, me gishtrijtë e këmbëve të zbardhur nga lagështira, ma sandale plastike të ngjitura sa që ishte e vështirë të dallojë ngjyrën reale të tyre me pantallonat me arrna… eh rinia ime e shkretë, me barkun që më gërhiste gjithmonë, nga urija, eh rinia ime si u kacavirrte për të mbijetuar, por çdo gjë e keqe ka një të mirë. Nëna dhe babai me donin, e ma mbushnin boshllakun. Nëna ime, eh nëna ime, një fjalë e saja më mbushte me shpresë, kjo natë e errët do të mbarojë një ditë, dhe ti Kujtim i nënës do të shkosh në shkollë dhe një ditë do të bëhesh dikushi, shkruaj të keqen nëna shkruaj!

Ah natë e errët sa shumë që zgjati saqë i hëngre jetën prindërve të mi dhe mua ma more fëmijërinë. Ah natë e errët sa e zezë që ishe aq sa e zeza jote ka ngelë gjithandej dhe me vështërsi lahet, ah natë e zezë sa të zeza prure në kët vend, ishe vetëm fëmijë dhe më bëre të iki nga vendi im, unë kisha një ëndërr, por të shohësh ëndrra në netë të zeza është tmerr, ëndrra ime të bëhesha student në moshën e rinisë nuk u realizua kurrë, fletoret e mia u lexuan nga errësira, rreshtat e mi u vranë, sytë faqezinjve dhe ata me donin me çdo kusht të më përpinin në humnerën e zezë, ata nuk e donin dritën se drita i verbonte, i vdiste, unë tashmë vendimin e kisha marrë, duhet të shpëtoja para se t’më përpinte errësira.

Kur u larguat nga Shqipëria, dhe cili ishte udhëtimi juaj i vështirë si çdo emigrant?

-Ishte 6 nëntori i vitit 1989 në mëngjes. Korrieri i fshatit mbrriti nga ora 9, tek shtëpia jonë, duke thirrur jashtë: O Kujtim, o Kujtim! Dola jashtë. Çfarë ke? i them. Hajde tek zyrat, se të kërkon operativi. Urgjent! Ok, ok! – i them. Ishte bërë dilemë e përditëshme, nëna filloi të qajë. Ah mjera unë se do të hanë qentë… Kthehem nga nëna, e përqafoj dhe i them: Të keqen nënë, mos qaj, nuk me hanë dot. Hë, shikomë në sy. Të lutem mos qaj, Zoti do më ndihmojë, mos ki merak nuk kanë ç’të më bëjnë! Më përqafoi, më puthi në ballë dhe më thotë: Zoti të ruajtë shpirti im! Zoti të ruajtë! Kurse unë i thashë nënës: Po iki, nuk vonohem dhe unë do të bie bukët kur të vij. Kam unë lekë! Zoti të faltë! – më tha. Në fakt nuk kisha lekë, i thashë ashtu për t’i hequr një tjetër problem, atë të shtyrit që, a do kemi bukë për sot, mbas 20 minutash shkoj te zyrat e kooperativës, dhe drejt tek vendi e kisha mësuar rrugën tek dera e operativit, Një zyrë e vogël me derë druri dhe një dopio derë hekuri nga jashtë si derë biruce, Bajram Vlashi, nga Qukësi. operativi i zonës sa më pa m’u gërhush: Hë kulak, erdhe! Po! – i them. – Futu brenda më thotë. Mbi tavolinë nxori një tufë me letra. – I shikon, – më tha, – duhet t’i firmosësh procesverbalet, një që nuk del në punë, një për shfaqje të huaja, një që të kanë parë me një radio Iliria duke dëgjuar muzikë të huaj, një tjetër që… gjithsej ishin nja 5 copë. Jo, – i them – nuk i firmos! Në derën përballë e pashë që erdhi dhe sekretarja e partisë N. M., hë mor Bajram akoma nëpër këmbë e kemi ne këtë kulak, akoma s’na e ke heqë qafe, do dërguar brenda që tani se po u rrit nuk ndreqet me ai atje të kalbet kulaku i dreqit…

Operativi më tha… Nesër mbrëma, takohemi këtu, duhet të më firmosësh procesverbalet patjetër, nuk të bëj gjë veçse më thonë pastaj që ti nuk je i zoti për punën tënde, nuk bën dot një kulak të firmosë dy letra!!

Data 7 nëntor. Ora një mbasmesnate. Marr një stilograf të asaj kohe, dhe shkrrova këtë letër:Nëna ime, babai im,

ti vëllai im dhe ti motër që ju dua shumë, kur ta lexoni këtë letër unë nuk jam më në Shqipëri. Mos u mërzisni e mos qani për mua. Unë nuk mund të pranoj te hyj në burgjet e këtyre qenëve. Unë nuk kam bërë asgjë që të shkoj në burg. Unë dua të jetoj i lirë. Mos u mërzisni për mua.

Ju dua shumë,

Kujtimi

E mora letrën e futa në komodinën time dhe e mbylla me çelës dhe të nesërmen kur u nisa nga ora 8 për në Librazhd çelësin e hodha..

Të nesërmen nga ora 8 u nisa, në orën 12 në Mirakë prisja trenin për në Librazhd. Në stacion takoj Operativin. -Po ti, – më thotë. Deri në Librazhd i them. -Dëgjo Kujtim, të lutem m’i firmos letrat, fjalë burri, s’të bëj gjë, ok i them nesër vij të zyrat, e dija shumë mirë burrninë e tij. Marr trenin dhe zbres në Librazhd. Nga ora 5 mbasdite tek motra ime në Dragostunjë. Atë nate ra dëborë. Të nesërmen doli një diell që e largoi borën deri në male lart. Motres i pata treguar gjithçka.

8 nëntor i vitit 1989. Ora 8 e darkës. Dalim nga shtëpia e motrës bashkë me burrin e motrës Selajdin Gurra, djali i kulakut Selim Gurra, motra duke qarë na përcolli deri jashtë, por jo më shumë se mos të na shikonte njeri. Zoti amanet na thotë më përqafon me lotët që i shkonin pa ndërprerë. Zoti Amanet… U ndamë. Morëm drejtimin e malit të Shebenikut. Ishe rrezik atë kohë të kaloje kufirin. Kush vriste një shkelës kufiri merrte 20 ditë leje. Një ofertë e mirë për ushtarët të shkonin në shtëpi, me 100 shqiptarë ngelën kufijëve të vrarë nga ushtarët shqiptarë deri në vitin 1990. Zoti i madh na ndihmoi në atë natë vjeshte me një hënë të plotë që askush nuk na pa, në orën 2 mbas mesnate u ngjitëm në majën më të lartë të Shebenikut, kishte mbi 80 cm dëborë, në një pikë pamë një gur betoni, ku ishte shkruajtur R.P.S.SH. Ja piramida me thotë Selajdini, u munduam te shpejtonim hapat sa kaluam majën nga krahu tjetër qielli shkëlqente nga dritat, Sruga dhe Ohri dukeshin në pëllëmbë të dorës, kur pamë që kishim kaluar lodhja na iku na dukej sikur fluturonim, duke u rrokullisur shpatit të malit. Këmbët na kishin ngrirë nga të ftohtët, nuk i ndjenim. Në orën 8 të mëngjesit arrijmë në Bilicë të Poshtëme u afruam një shtëpie që e para nxorri tym nga oxhaku. Thirrëm… nuk ishte shqiptare ishte maqedonas, na futi mbrenda thirri policinë erdhi dhe ambulanca, 2 javë në spital me këmbët që na ishin nxirë nga të ftohtët. Falënderoj Zotin se për pak na ngrinë këmbët fare dhe u ngritëm ne këmbë. Mbas 20 ditësh në Shkup, na dërgojnë në kampin e refugjatëve në Beograd, ku atje ngela për 2 vjet e gjysmë.

Ndoshta shumë pak ose aspak është shkruar a folur për kampin famëkeq të Padinska Skelës në periferi të Beogradit. Aty kam ndejur 6 muaj i mbyllur pa dalë asnjeherë jashtë në më shumë se 4 muaj kemi jetuar 30 apo 40 veta në një dhomë. Nuk kishim ku të vinim kokën por e vinim mbi këmbët e njëri-tjetrit ata që e kanë jetuar atë kohë vetëm ata më besojnë. Nga tmerri në tmerr! Ishim më shumë se 2000 vetë. Njerëzit thyenin kufirin dhe kërkonin të iknin më shumë ishin nga Shkodra, Thethi, Dibra, etj. Tmerret që kemi kaluar aty sidomos uria dhe papastërtia nuk do t’i harroj kurrë. Kishte raste kur dikush tentonte të ikte nga telat që na rrethonin, policët serbë i ndiqnin edhe i qëllonin, edhe patën vrarë, tmerre pa fund. Mbas 6 muajsh kamp me erdhi radha dhe dola në hotel, në Hotel Trim. U sistemova në fillim me dibranë pastaj me do djem nga Bajza. Të gjthë djem të mirë, shoqëri që vazhdon edhe sot. Të gjithë çfarë ishim aty largoheshim në tre shtete: në USA, në Kanada dhe në Australi. ëndrra ime ishte Amerika, nuk e kapa dot, ishim shumë dhe procedurat ishin të ngadalta ngela aty deri në 92. Jugosllavia po shpërbëhej plasi edhe lufta dhe ambasadat e huaja u reduktuan për t’i bërë trysni, ngelëm besoj nja 200 apo 300 shqiptarë. Mora guximin ika nga Jugosllavia. U arratisa për së dyti mbasi kalova nga Hungaria, u futa në Austri dhe nga Austria në Itali, drejtimi Milano pastaj Genova, deri në vitin 2000, ngela pa dokumenta, por më e keqja i djegur nga malli për njerëzit e mi. Në vitin 1999, doli një ligj që rregullonte gjithë klandestinët dhe unë arrita të përfitoj menjëherë, kam fjetur jashtë atë natë. Zura radhë në rresht i pari te Kuestura e Genovës. Ngaqë isha i pari në radhë, gazetarët m’u lëshuan nga je, sa ke në Itali, historia ime i përloti disa gazetarë, por jo vetëm ata, po edhe kuestorin e Xhenovës, menjëherë më thirri mbas intervistës dhe më tha: “Do të pajis në kohë rekord me dokumenta dhe kthehu menjeherë të përqafosh njerëzit e tu.

E mbajti fjalën! Për një javë me pajisi me dokumente qëndrimi dhe unë të nesërmen u ktheva në Shqipëri.

Zoti me realizoi dëshirën. U ktheva me dokumenta e ballëlart, pse të mos them edhe me këta. S’mund të përshkruaj me fjalë takimin tim të parë me familjen time, me babanë tim që e gjeta të mplakur shumë, me nënën time që mezi shihte pse gjithë jetën me lot ndër sy. Zoti më deshti fort. I gjeta të gjithë gjallë, shëndoshë e mirë.

Menjëhere mbasi mbaruan përqafimet e lotët e gëzimit fillova të pyesja për njerëzit. Ktheva sytë nga babai, po komshijtë. Sytë e tij u mbushën me lot.. Tragjedia vazhdon, më tha menduam se do të afrohen ditë më të mira por është e kotë. Akoma na quajnë kulakë.

O Zot, s’e kisha dëgjuar këtë fjalë 12 vjet. Nuk flasin me ne, më tha asnjë perveç njerit, xhaxhait të vogël, dhe nuk hezitova të bëja një xhiro deri tek dyqani i fshatit. Shihja fytyra njerëzish të njohur e të panjohur. Shumica më përshëndesnin, por mbrapa krahëve dëgjoja pëshpëritje, qenka kthyer kulaku. U trondita thellë, por nuk munda që mos e shkruaja këtë përballjen time të re me ata që s’më kishin folur kurrë…

Kohët e fundit lexova një letër drejtuar Presidentit të Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta, ku ju shtroni disa pika të rëndësishme dhe mendoni nëse ai i zbaton mund të bëhet president i gjithe shqiptarive? Si mendoni, mund të realizohet ëndrra juaj dhe a ju ka kthyer përgjigje presidenti letrës suaj?

Është e vërtetë që unë i shkruajta Ilir Metës, dhe më beso që për mua nuk ka qenë e lehtë t’ia shkruaja atë letër.

Kur pashë Metën në Tepelenë që qeshte tamam sikur aty s’kishte ndodhur asgjë, u tmerrova aq më keq kur ai ndau edhe dekorata…! Jo shumë kohë më parë, Meta shkoi në Varrezat e Dëshmorëve me foton e diktatorit me vete. Kjo nuk durohet! U tmerrova! Ai kamp është varri i Shqipërisë, dhe jo çdokush mund ta shkeli! E mblodha veten dhe vendosa t’i bëja atë letër ashtu siç edhe mund ta keni lexuar.

Unë e kuptoj pyetjen tuaj dhe po ju a konfirmoj, që jam për paqen dhe nuk është hera e parë që shtresa ime jua shtrin dorën palës tjetër edhe pse është shumë e vështirë dhe me lotë në sy unë jam për një pajtim kombëtar. Plaga e hapur nga diktatura është shumë e thellë, por më beso ka disa rregulla! Duhet një pendesë nga krahu tjetër, një kërkim falje… Shtresa ime e bën të veten nuk u hakmorr jo pse ne nuk jemi trima, por sepse ne jemi atdhetarë dhe një që e don vendin e tij reflekton dhe mundohet të gjejnë rrugën më të mirë për të kuruar plagët, kjo ishte arsyeja që unë i shkruajta Presidentit të tyre, them të tyre sepse unë s’mund të pranoj një President që luan akoma me gjakun e të parëvë të mi!!

Shkon për 5 maj, me foton e kriminelit dhe pa pikë pendese shfaqet në Tepelenë dhe ndan dekorata anës tjetër: Kjo është e patolerueshme. Për sa i përket përgjigjes unë s’kam marrë asnjë pergjigje. Të isha unë në vendin e tij ndryshe do të veproja! Do të vijë një ditë që gjërat do të shkojnë në rrugën e duhur, e Meta e kishte këtë shans… Edhe unë ia shtriva dorën, e prape shpresoj…

Së fundi, cilat janë ëndrrat tuaja për të ardhmen?

Endrrat e mia… Eh sa më godet kjo pyetje. Më godet sepse shumë ëndrra kanë ngelur ëndrra dhe s’besoj se do të realizohen ndonjëherë. E them këtë me trishtim, pse kjo Shqipëria jonë ngeli vetëm një ëndërr nëpër breza me radhë, kështu kam lexuar Naimin, Çajupin, Mjedën.

Diçka nuk shkon në këtë vend. Një mentalitet i ri duhet të kapë frenat e këtij vendi, sepse po ndjek me trishtim të madh si po zbrazet Shqipëria çdo ditë dhe askush nuk flet. Kjo është një vrasje kombëtare! Po më e keqja është se nuk kemi një Opozitë apo dikë që të ngrejë zërin. Vetëm dy vitet e fundit në Gjermani ku unë jetoj, kanë kërkuar azil 300 mijë shqiptarë pra 10 përqind e popullsisë.

Endrra ime është t’i shërbejë Shqipërisë e të bëhet një paqe mbarëkombëtare. S’dua ta dëgjoj më fjalën komunizëm! Zoti e bekoftë Shqipërinë e Shqiptarët!

Poshtë Komunizmi!

Ju faleminderit z. Cekani për intervistën tuaj si dëshmitar i sistemit diktatorial.

Bisedoi Këze – Kozeta Zylo

Shkrimtare dhe gazetare prane TV “Alba Life”, New York

*Per me shume fotografi spioni ne facebook(dielli vatra)

 

Filed Under: Histori Tagged With: bisede me Kujtim Cekanin, Keze Kozeta Zylo

Gjon Kadeli ish-gazetari i “Zërit të Amerikës” boton “ Kujtimet e nji t’merguemi”

October 14, 2018 by dgreca

1 Gjon kadeli

Nga Leonora Laçi/

Rastësisht më ra në duar dorëshkrimi i z. Gjon Kadeli, pasi një fragment i këtij libri do të jetë pjesë e librit të IV, të studiueses së krimeve të komunizmit, znj. Fatbardha Mulleti Saraçi.Kështu i lexova me një frymë kujtimet e z. Kadeli, ku më bëri përshtypje rrjedhshmëria e mendimeve, kujtesa e forte e autorit, pasi të shkruash kujtimet dhe përjetimet nuk është një punë e lehtë, sepse përgjegjësia është e madhe.

Të rrëmosh në të kaluaren, kur ndoshta kujtesa ka filluar të të lërë në baltë; të hysh në labirinthet e saj, të shkruash për të mos harruar; të shkruash copëza të shkëputura për të formuar të tërën; të ndash çfarë është e rëndësishme dhe çfarë është më pak e rëndësishme; të ngacmosh pjesë të dhimbshme, t’i rikthehesh asaj kohe e ta krahasosh me të sotmen, është më i vështirë shkrimi i kujtimeve përveç se t’i kujtosh ato…

Zoti Gjon Kadeli, ia ka arritur qëllimit, që me gjakëftohtësi t’i përshkruaj shumë ngjarje, të jap versionin e vet, kujtime të mirëmenduara, që të mos lihet hapësirë për t’i hedhur poshtë. Kështu ato janë ca të vërteta që mendon se i ke harruar, por ato kanë qenë gjithmonë aty, janë aty, janë ajo çfarë ti je, janë ti.

Nga opinioni mbarëshqiptar, është pritur që shumë personalitete të mërgatës gjatë vitëve 1944-2018, të shkruajnë për çështje të ndryshme të emigracionit.

Mirëpo nga ana e tjetër, rrethanat e tyre kanë qenë të atilla, ku jetesa e lodhshme, komunizmi në vendlidje, largësia nga të afërmit e tyre në atdhe, humbja e shpresës se një ditë mund të takohen me të afërmit e tyre të mbijetuar, i ka demoralizuar ata, dhe nuk kanë gjetur dot forcën, e nuk kanë mundur të dalin mbi dhimbjet e shpirtit.

Jeta e pasur plot ngjarje e autorit, është e mbushur me sakrifica, dhe mërgimtarët si ai e kuptojnë më mirë këtë libër, pasi secili gjenë vehten e tij në të. Këto janë sakrifica të mëdha, që ia kalojnë mendimeve normale dhe imagjinatës.

Kjo për më tepër, se ne po njihemi me sakrificat e një mërgate shqiptare më tepër politike se sa ekonomike, e cila është deri diku e papjekur nga eksperienca, në krahasim me emigracionin e kombeve të tjera të SHBA-së dhe Europës.

Mergata e jonë, mendoj se ishte e papërvojë dhe e papjekur asokohe, sepse ata ikën me kokën pas, nuk menduan pasurimin, por vetëm ëndërruan ditën e rikthimit në atdhe.

Emigrantët tanë politikë, për shumë dekada me padurim pritën rënien e komunizmit, një ëndërr, që për shumë vetë nuk erdhi kurrë, dhe për disa të tjerë erdhi në ditët e fundit të jetës, ndonëse shumë pak nga ata shijuan erën e demokracisë dhe lirisë së Shqipërisë.

Rrëfimet e autorit, janë vetëm një pjesë e shkurtër e një jetë të gjatë.

Ish spikeri i radios Zëri i Amerikës zoti Kadeli, synoi të lërë të shkruar në libër të zezën mbi të bardhë, ndryshe nga disa të tjerë, që kujtimet e tyre vdiqën bashkë me njeriun, trupin.

Të lësh gjurmë të së kaluarës, është një nga motivet për të shkruar atë version kujtimesh, atë prespektivë dhe histori, që ke përjetuar dhe që di.

Kalvari i autorit dhe familjes së tij, brenda dhe jashtë atdheut ishte i mundimshëm  dhe vuajtjet vazhduan për disa dekada. Ai provoi kampin e  internimit të Tepelenës kur ishte fëmijë i brishtë…, deri sa arratiset bashkë me të atin, fillimisht në Jugosllavi, ku jetoi 4 vite, më pas shkuan në Itali, mbas një viti në Belgjikë, ku banuan për 4 vite e më në fund u vendosën përfundimisht në SHBA.

Zoti Kadeli, pasi punoi pak kohë dhe mësoi gjuhën angleze, ndoqi mbrëmjeve gjimnazin, që kishte lënë përgjysëm në Kosovë.

Autori provoi lloj-lloj punësh, për të siguruar jetesën, mbijetesën, u maturua para kohe, përfundoi studimet bazë universitare në Nju Jork.

Gjoni në rininë e tij punoi si përkthyes dhe spiker për 8 vite në Zërin e Amerikës, në Seksionin e Gjuhës Shqipe, duke kontribuar për Shqipërinë edhe nga Amerika e largët.

Teksa lexoja librin e tij, më erdhën ndërmend jetë të tjera të ngjashme me të.

Sa pati nga ata që ishin të rinj e u plakën në megrim, ku familjet i takuan pas rënies së komunizmit; sa pati nga ata që nuk i gjetën as varret e familjarëve, mbeten varrëhumbur, edhe për ata që e moren vesht vdekjen e familjareve në atdhe nuk patën të drejtë t’i jepnin lamtumirën e fundit; sa pati nga ata, që iu vdiqën foshnjet nëpër kampe e krahu u mbeti thatë; sa pati nga ata, që vdiqën vetë me mallin për familje e atdhe?!

Zoti Gjon Kadeli, zgjodhi të rrefejë jetën e tij, që t’i jap një mesazh të qartë bashkëatdhetarëve të tjerë si ai, që të shkruajnë, të dokumentojnë jetën e tyre, që të na lehtësojnë punën neve, që hulumtojmë dhe shkruajmë për mërgatën, që të mos shuhet veprimtaria e tyre bashkë me njeriun, por duke shkruar të mbesin të përjetshëm.

Filed Under: Histori Tagged With: Gjon kadeli, Kujtimet e nji t'merguemi, Leonora Laci

Kalendar-13 TETOR 1943 ALEATËT BOMBARDOJNË TIRANËN

October 12, 2018 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

1-Fritz-Radovani-215x30075 VJETOR’ I  PAHARRUESHEM…/

 

13 TETOR 1943 ALEATËT BOMBARDOJNË TIRANËN DHE VRASIN 503 QYTETARË NË TRYEZAT E DREKËS… ISHTE ORA 13.13’…/

1 bombardimi

DATA 13… ORA 13.13’; Një numur i persëritun shpesh’ e, tue u kujtue per keq!/

503 të vdekun dhe të mbuluem me gjak pa dijtë as sot se pse!? Thonin “Luftë”!../

Po, me ke po zhvillohej Lufta?! – As sot nuk pergjegjet njeri… As ata që na vrane s’flasin!/

E nuk flasin as ata që vazhduene me vra e, po ringjallin vrasësit me vra prap edhe sot!

Muejt tetor të Shek. XX kanë sjellë aq shumë histori e kujtime të illta sa nuk harrohen.

Filloi me Tetorin e vitit 1908, e vazhdon me disa data të shemtueme që me i pasë caktue me dorë në kalendar, me siguri do t’ ishte gabue njena sa me u kujtue per mirë.

Kur kolosët e Shekullit XIX mendojnë me ba Shqipninë, dhe Burrat Trima të Malsisë po pergatiten me shpallë Pamvarsinë e Shqipnisë së 1911, Esat Pashë Toptani fillon me na perkundë në djep Enverin, Migjenin, Ramizin, Driteroin e sa të tjerë që gati u lene në një ditë, se në një muej po… E haje dreq, asnjeni nuk e ka daten e sigurtë veç futja kot..!!

Edhe Enveri, edhe Ramizi janë caktue nga sllavokomunistët në dy data, sa me na ba ne në Shkoder “mos me festue as Zojen e Shkodres”, që bie pikrisht ato dy ditë… E kur i erdhi vneri komunist në fyt tue pa plakat tona zdathë, tue shkue me Ju lutë Asaj Zojë, brij Kalasë Rozafat, me “na shfarosë faren e keqe ateiste e sllavokomuniste…”, nxoren  Eshtnat e Imzot Serreqit, që punoi per Pamvarsinë e Shqipnisë që në 1911, e i tretën në Dri, tue e veshë persëvdekuni me të gjitha akuzat e imoralitetit të vet… E Kisha u kthye në germallë, kur kompanjeli i Saj vazhdonte me tregue kush janë malazezët e Krajlit…

Ishin sllavët e vjeter e të rij që punuen, luftuen dhe shpenzuen që Shkodra asnjëherë të mos bahet Kryeqyteti i Shqipnisë, se do të humshin Tivarin, Hotin e Gruden.., e besa shpejtë edhe Kosoven. Lexoni fjalimet e Luigj Gurakuqit në Parlament ! “Nuk ban!” e kundershtuen pinjollët e Toptanve, dhe Kryeqyteti u vendos në Tiranë! Gjaja ma e bukur e Tiranës ishte Sheshi Skenderbeu, me atë blerim e bukuri arkitektorale, sa edhe Ate, injorantët e marrakotun nga kultura sllavo turke e kthyene në livadh kullote bagtishë…

Kalojnë andej e mendojnë…: “Po Skenderbeun, në cilin Bajram do ta mblojmë prap?!”

Tirana, Stambolli e Beogradi e dijnë saktë “Kur Shqiptarët do ti referohen Kur’anit?”

Mos harroni: “Rilindje’domethanë pini drogë.., e bani çka thonte Enveri e Ramizi..!”

Edhe kjo që po ngjet sot me Shqiptarë.., asht bombardim si ai i 13 Tetorit 1943…

            Melbourne, 12 Tetor 2018.

Filed Under: Histori Tagged With: 13 TETOR 1943 ALEATËT, BOMBARDOJNË, Fritz radovani, TIRANËN...

Le Journal (1914) – Dorëheqja e Ismail Qemalit nga qeveria e përkohshme shqiptare

October 11, 2018 by dgreca

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 11 Tetor 2018/

Ismail-Qemali

“Le Journal” ka botuar, të premten e 24 janarit 1914, në faqen n°4, një shkrim mbi dorëheqjen e Ismail bej Qemalit nga qeveria e përkohshme shqiptare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Dorëheqja e Ismail Qemalit/

1 doreheqja

Vlorë, 22 janar.

Komisioni i Kontrollit pati marrë, pak ditë më parë, një deklaratë nga Ismail Qemali, ku saktësohej se ai ishte i gatshëm, për të mirën e vendit, të jepte dorëheqjen.

Sot, i ftuar nga komisionerët për t’i dhënë fund kësaj çështjeje, Ismail Qemali i dorëzoi komisionit të kontrollit kompetencat e tij me qëllim çlirimin e Shqipërisë nga çrregullimi dhe krijimin e një qeverie të vetme për të.

Një proçesverbal u hartua dhe pastaj u nënshkrua nga ministrat dhe anëtarët e Komisionit të Kontrollit.

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, Doreheqja e Ismail Qemalit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 289
  • 290
  • 291
  • 292
  • 293
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT