• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RRËNIMI I AUTONOMISË SË KOSOVËS DHE FILLIMI I SHKATËRRIMIT TË JUGOSLLAVISË SË AVNOJ-it

March 23, 2026 by s p

-Më 23 mars 1989, me rrënimin e autonomisë së Kosovës përmes tankeve, Serba bëri puç të dyfisht kushtetues: ndaj Kosovës dhe federatës jugosllave. Kjo ia hapi rrugën procesit të shkëputjes së Kosovës nga Serbia dhe procesit të pvarësisë përmes protektoratit ndërkombëtar nga 10 qershori 1999 deri më 17 shkurt 2008.

Jusuf Buxhovi

Rrënimi i autonomisë së Kosovës nga ana e Serbisë, më 23 mars 1989 në rrethanat e gjendjes së shtetrrethimit, ishin pjesë e skenarit të Beogradit për riformatizimin e Jugosllavisë në një shtet unitarist që do të mbikëqyrej nga Serbia. Demonstratat e 11 marsit 1981, me ç’rast u ripërsërit kërkesa për Republikën e Kosovës nga demonstratat e vitit 1968, u shfrytëzuan si shkas për hapjen e këtij procesi, që do të kthehet në program politik të udhëheqjes serbe me rastin e spalljes së Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve në nëntor të vitit 1986. Dalja e Millosheviqit në skenën politike si dhe përdorimi i lëvizjeve populiste për disciplinimin e federatës jugosllave, duhej të përcillej edhe me ndryshimet kushtetuese, të cilave udhëheqja serbe ua përcaktoi formatin dhe kornizat me kërkesën ” për barazinë e pozitës kushtetuese të Serbisë me subjektet tjera në federatë”. Kjo nuk do të thoshte tjetër pos rrënimi i pozitës kushtetuese të Kosovës në federatë në përputhje me kushtetutën e vitit 1974 kur ajo fitoi statusin e njësisë së barabartë federative e me këtë edhe të largimit nga tutela serbe.

Rrënimi me dhunë i autonomisë së Kosovës nuk do të ishte i mundur edhe pa aminin e njësive të tjera të federatës jugosllave që iu dha Serbisë nga aprovimi i platformës politike për Kosovën nga dy kryesitë e vendit në maj 1981, kur demonstratat e Kosovës u vlerësuan ngjarje kundërrevolucionare, vlerësim ky që hapi procesin e gjatë të diferencimit politik, viktimë e të cilit ishte arsimi, kultura, ekonomia dhe të arriturat tjera insitucionale që solli kushtetua e vitit 1974 si dhe burgosjet e qindra dhe mijëra të atyre që nuk pajtoheshin me këtë gjendje.

Në këtë proces të mundimshëm të diferencimit, udhëheqja e atëhershme politike e Kosovës, nuk ishte në gjendje që t’i kundërvihje Serbisë në rrethanat kur kishte prapa republikat tjera, që secila në mënyrën e vet spekulonte me viktimizimin e Kosovës, gjë që ndoqi rrugën e mbijetimit në përputhje me logjikën që të humbet sa më pak, deri te limiti i mbrojtjes me anën e nenit 49. Kjo nënkuptonte mos dhënien e pelqimit për ndryshime, po qe se prekej subjektiviteti i Kosovës në federatë, që shfaqej më shumë iluzion se sa realitet politik.

Në këto rrethana, udhëheqja e atëhershme (Vllasi dhe K. Jashari), në fund të vitit 1988 dhe në fillim të vitit 1989, u përpoqën që fushatës serbe t’i kundërpërgjigjeshin me demonstratat gjithëpopullore në Kosovë kundër këtyre ndryshimeve, me ç’rast u shfrytëzuan edhe minatorët për grevë dhe të ngjashme, që përfunduan me burgosjen e Vllasit dhe shpalljen e gjendjes së jashtazakoshme, që i duhej Beogradit që në Kosovë të përdorej për rrënimin e autonomisë.

Këtë e tregoi edhe farsa e votimit në Kuvendin e Kosovës, më 23 mars 1989, kur delegatët e Kosovës, nën kërcënimin e tankeve dhanë “pelqimin” për këto ndryshime, pos 11 prej tyre, të cilët votuan kundër dhe me këtë nxorën në pah dinjitetin dhe guximin politik dhe njerëzor edhe në rrethanat e kërcënmit me jetë.

RRënimi i autonomisë së Kosovës me anën e puçit kushtetues edhe ndaj asaj federative, u përcoll me demonstrata të përgjakshme në gjithë vendin, meqë u përjetua si ripushtim i Kosovës nga Serbia nga pushtimi i pari në vitin 1912, që do të vazhdojë në vitin 1918 dhe 1944.

Krahas demonstratave të përgjakshme që vazhduan për shumë kohë, ripushtimi serb i Kosovës nxori në skenën politike lëvizjen kombëtare, e cila filloi me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më 23 dhjetor 1989 nga intelektualët e njohur (shkrimtarë, akademikë, gazetarë dhe të të tjerë) në të cilën u përfshinë e gjithë popullata e Kosovës si dhe lëvizjet e deriatëhershme ilegale ku gjetën hapësirë për veprim lega. Ky bashkim politik i të gjithë faktorëve dhe rrymave të ndryshme, me platformë të qartë properëndimore për liri, demokraci dhe pavarësi, mbi bazast e veprimit legal, mori përispër jetësimi i procesit të legjtimimit të vullnetit të popullit të Kosovës i manifestuar me Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, shpalljen e Republikës së Kosovës në kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator 1990 si dhe referendumin për pavarësi, në shtator të vitit 1991.

Me to iu dha legjitimiteti demokratik lëvizjes së rezistencës institucionale aktive paqësore dhe asaj të armatosur si pjesë e saj e pandashme, që me ndihmën e vendeve të NATO-s të drejtuara nga SHBA-të, pas bombardimit 72 (nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999), çoi te çlirimi i Kosovës nga pushtimi serb dhe vendosjen e saj nën protekteratin ndërkombëtar me rezolutën 1244 të KS të OKB-së nga 10 qershori 1999. Protektorati ndërkombëtar mori fundi më 17 shkurt 2008, kur u shpall pavarësia e Kosovës.

(Shkëputje nga “Kosova – histori e shkurtër”, 2020).

Filed Under: Histori

Rasim Juniku, një jetë mes filatelisë dhe dashurisë për Kosovën

March 21, 2026 by s p

Besnik Fishta/

Gjatë kërkimeve në korespondencat e shumta filatelike të ruajtura në familjen time për pothuajse një shekull, më tërhoqën vëmendjen shumë prej tyre që lidhen me emrin e intelektualit me origjinë nga Gjakova, z. Rasim Juniku. Ai më kujtohet si një personalitet që përmbushte cilësitë e njeriut të denjë për të mbetur në kujtesën e kujtdo që pati rastin ta njihte nga afër. Personalisht, kam disa arsye për ta kujtuar me respekt Bacën Rasim. E para, lidhet me faktin se im atë kishte pasur me të një miqësi të gjatë, e cila ishte ndërtuar mbi pasionin e përbashkët për kulturën dhe artin e filatelisë, por mbi të gjitha mbi ndjenjën e thellë patriotike që i bashkonte në dashurinë për Kosovën. Së dyti, ruaj në kujtesë figurën e tij mbresëlënëse, të cilën pata fatin ta njihja nga afër gjatë kohës kur shërbeja në arsim në qytetin e Kukësit, në vitet ’80. Në shëtitoren hijshme të qytetit, pranë gjimnazit ku punoja, e dalloja që larg Bacën Rasim nga shtati i tij i drejtë dhe i lartë, me të cilin dukej sikur donte t’u kujtonte të gjithëve se përfaqësonte denjësisht figurën e patriotit gjakovar,mqs emri i tij të sillte ndër mend edhe majën e malit Junik, pjesë e Bjeshkëve të Nemuna në Alpet shqiptare. Nuk mund të harroj kurrë shkëlqimin e syve të tij nga gëzimi sa herë që takoheshim dhe bisedonim për pasionin e madh të jetës së tij: filatelinë. Në ato biseda ndihej qartë se për të pullat postare nuk ishin vetëm objekte koleksioni, por edhe dëshmi të historisë, kulturës dhe jetës së popullit tonë. Për të dhe për shumë miq të tij, filatelia ishte bërë një urë miqësie që lidhte njerëz nga vende të ndryshme dhe krijonte marrëdhënie të qëndrueshme për gjithë jetën. Për këtë arsye, disa fjalë për jetën dhe kontributin e Rasim Junikut janë të domosdoshme të shkruhen, në mënyrë që të kuptohet më mirë se si ai e përjetoi kënaqësinë që i jepte filatelia dhe se çfarë kontributesh intelektuale dha në lidhje me çështjen e Kosovës dhe kulturën shqiptare.

Rasim Juniku ishte një nga ata njerëz që gjatë gjithë jetës së tij ruajti një lidhje të fortë me dijen, kulturën dhe dashurinë për atdheun. Bashkëkohësit e kujtonin si një njeri të përkushtuar, punëtor dhe me një pasion të veçantë për librin, historinë dhe kulturën shqiptare. Për edukimin dhe arsimimin e tij, ashtu si për shumë jetimë nga Gjakova, Malësia e Gjakovës, Hasi dhe Luma, ndikim të rëndësishëm kishin përpjekjet e patriotëve shqiptarë si Hasan Prishtina dhe Bajram Curri, të cilët mbështetën arsimin e të rinjve shqiptarë në ato kohë të vështira. Gjatë shkollimit, Rasim Juniku tregonte gjithmonë respekt të madh për mësuesit e tij. Ai i kujtonte ata si njerëz të përkushtuar dhe patriotë të vërtetë, të cilët u jepnin nxënësve jo vetëm dije, por edhe frymëzim. Sipas tij, mësuesit e asaj kohe ishin “trima të zotë të pushkës, të mendjes dhe të pendës”, njerëz që punonin me pasion për edukimin e brezit të ri. Në vitet 1923–1928 ai ndoqi mësimet në shkollën plotore të Internatit “Kosova” në Tropojë. Kjo shkollë kishte mbetur në kujtesën e tij si një vatër e rëndësishme edukimi, ku mësuesit përpiqeshin të formonin një brez të ri të ndërgjegjshëm dhe të arsimuar. Në atë kohë librat në gjuhën shqipe ishin të rrallë, dhe Rasimi kujtonte se sa herë që nxënësit arrinin të gjenin një libër në shqip, ata e kalonin dorë më dorë dhe e ruanin me shumë kujdes, si një pasuri të çmuar. Kjo përvojë ndikoi që tek ai të lindte një dashuri e veçantë për librin dhe për çdo gjë që lidhej me kulturën shqiptare. Rasim Juniku nuk u nda kurrë nga dëshira për të mësuar. Ai ruajti lidhje të ngushta me mësues dhe intelektualë të kohës dhe gjatë jetës së tij punoi e jetoi në disa qytete të Shqipërisë, si Ballsh, Kavajë, Ferizaj, Prizren, Lezhë, Pukë dhe Kukës. Ndër njerëzit me të cilët kishte krijuar miqësi përmenden Maksut Milova, Sule Hekali, Feim Lulashi dhe Sulo Klosi në Ballsh; Qamil Golemi dhe Shuaip Domnori në Lezhë; si dhe Milosh Gjergj Nikolla – Migjeni, Asim Vokshi, Abdulla Çanga dhe Engjëll Kosmaçi në Pukë.

                                                             

Fig.1  Certifikate mirenjohje per punen ne zyren postare Puke 1932

  Në vitin 1928 Rasim Juniku kishte filluar punën si praktikant në postën e Pukës. Me përkushtimin dhe korrektësinë e tij në punë ai ishte dalluar shpejt si një nga punonjësit më të përpiktë të shërbimit postar shqiptar.  Ai kishte besuar gjithmonë se njeriu kishte për detyrë të jepte kontributin e tij për vendin dhe për shoqërinë. Sipas bindjes së tij, njeriu nuk duhej vetëm të jetonte, por edhe të punonte për të mirën e atdheut dhe për përparimin e vendit.

                                                            

                   Fig2. Ekspozite filatelike ne Bajram Curri 1987

                                                                                 

Fig3. Me pasion tregon eksponatet e ekspozites 1987

Përveç punës në shërbimin postar, Rasim Juniku kishte zhvilluar një pasion të veçantë për filatelinë, e cila me kalimin e viteve u bë një nga dashuritë më të mëdha të jetës së tij. Ai ndiente krenari sa herë që shihte në pulla postare simbolet kombëtare shqiptare, si shqiponjën dykrenore, portretin e Skënderbeut, pamje nga trevat shqiptare, elemente të arkeologjisë apo kostume popullore. Për këtë arsye ai kishte filluar t’i grumbullonte dhe t’i ruante me kujdes, duke i konsideruar një pasuri të çmuar kulturore.Me nje vullnet te pazante ,ai iu kishte përkushtuar mbledhjes së pullave të postës shqiptare kudo që mund t’i gjente. Me ndihmën e miqve dhe bashkëpunëtorëve ai kishte arritur të siguronte në koleksionin e tij edhe pullën e parë postare shqiptare të nxjerrë nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës më 5 maj 1913, si dhe shumë seri të tjera pullash të nxjerra në qytete të ndryshme të vendit gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore dhe më pas gjatë periudhës së mbretërisë së Ahmet Zogut. Një nxitje e rëndësishme për ta thelluar këtë pasion kishte qenë edhe njohja e tij me poetin Migjeni në Pukë. Nëpërmjet miqve dhe bashkëpunëtorëve, si Engjëll Kosmaçi dhe të tjerë, Rasimi kishte zgjeruar rrethin e njohjeve dhe interesave të tij kulturore. Ai merrte shpesh letra nga vende të ndryshme, në zarfat e të cilave kishte pulla të ndryshme postare, i ruante me kujdes dhe përpiqej të mësonte sa më shumë për historinë dhe origjinën e tyre, sepse për të, çdo pullë përfaqësonte një vend, një kulturë dhe një periudhë historike, pullat postare ishin si lajmëtarë të vegjël të kontinenteve, sepse në një hapësirë të vogël ato përfaqësonin jetën, historinë dhe kulturën e popujve të ndryshëm.

                                                                       

  Fig.4 Kujdesi ne pregatitjen e ekpozites Kukes 1985

Qendrimi i Rasim Junikut ne shoqeri nuk ishte indiferent, por me karakterin e tij dashamires,ndjenjat e tiaj patriotike dhe pasionin per kulturen perpiqej ti transmetonte tek brezi ri,dhe per kete ai ishte njepjesmarres dhe inisiator i veprimtarive të rëndësishme kulturore. Ai kishte hapur tri ekspozita te sukseseshme filatelike, përkatësisht në Kukës më 1985, në Pukë më 1986 dhe në Bajram Curri më 1987. Këto ekspozita kishin tërhequr vëmendjen e shumë vizitorëve dhe kishin qenë një mënyrë për të promovuar kulturën filatelike. Në ekspozitat e tij ai kishte paraqitur edhe libra të rrallë dhe objekte të tjera muzeale që lidhen me historinë dhe kulturën shqiptare. Ndër to përmendeshin koleksionet e gazetave “Bashkimi”, “Drita”, “Kukësi i Ri” dhe libra të tjera me vlerë historike e kulturore. Për disa vite ai kishte drejtuar edhe rrethin e filatelistëve të rinj pranë Pallatit të Kulturës “Hasan Prishtina” në Kukës, duke ndihmuar të rinjtë të njihnin më mirë historinë dhe vlerat e pullave postare. Ne nje interviste ne radio Kukesi shprehej: ”Vertete jam i moshuar, por besoj se jam edhe ne rreshtat e pare te me te rinjve. Kush merret me filatelili nuk ka pleqeri…”.

               

  Fig5. “Mirenjohje” me rastin e 100 vjetorit te krijimit Postes Shqiptare

 Pasioni i tij për filatelinë e kishte lidhur Rasim Junikun me shumë filatelistë të njohur nga vende të ndryshme. Ai mbante një korrespondencë të pasur me koleksionistë dhe studiues të filatelisë, ndër të cilët përmenden Idriz Fishta në Shkodër, Robert Ballauri në Tiranë dhe shumë të tjerë. Nëpërmjet kësaj korrespondence, ata shkëmbenin jo vetëm materiale filatelike, por edhe të dhëna e informacione mbi botimet më të fundit të pullave postare, si në Shqipëri ashtu edhe në vende të tjera të botës.

Megjithatë, jeta e Rasim Junikut nuk kufizohej vetëm në pasionin për filatelinë. Ajo kishte një lidhje të thellë dhe të pandarë me çështjen e Kosovës dhe me të ardhmen e saj, e cila për më shumë se një shekull kishte jetuar nën presionin dhe dhunën e politikës serbomadhe. Kjo ndjenjë e fortë patriotike e kishte shtyrë atë të mbante një korrespondencë të gjerë me personalitete të politikës në Shqipëri dhe në Kosovë, si edhe me figura të njohura të politikës ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Angli, Itali dhe në vende të tjera. Në këto letra ai shprehte shpesh respektin dhe vlerësimin e tij për politikën e vendeve perëndimore dhe për rolin vendimtar që kishte luajtur NATO në çlirimin e Kosovës. Një jehonë të veçantë patën edhe letrat që ai i kishte dërguar Papa Gjon Palit II, të cilin e falënderonte për mbështetjen morale ndaj popullit shqiptar dhe e ftonte të vizitonte Kosovën, e cila sapo kishte dalë nga lufta dhe kishte fituar lirinë e saj.

Fig6. Kopje  e letres se derguar Papa Gjon Palit te 2-te ne Vatikan, 1996

Në përfundim të këtij shkrimi mund të themi me bindje se Rasim Juniku la pas një trashëgimi të pasur shpirtërore dhe materiale. Si rezultat i pasionit të tij të madh dhe kërkimeve të palodhura ndër vite, ai arriti të krijojë një koleksion të rëndësishëm filatelik. Ky koleksion përbëhej nga 13 albume, të cilat përfshinin një numër të madh zarflash FDC (First Day Cover) dhe shumë seri pullash postare, të sistemuara me kujdes sipas kritereve shkencore. Kjo pasuri përbën një kontribut të vyer për historinë dhe zhvillimin e filatelisë shqiptare dhe, fatmirësisht, sot kujdeset dhe zhvillohet më tej nga djali i tij i vogël, Shpëtimi, i cili vazhdon me përkushtim këtë traditë familjare.

                                                             

Fig 7  Aktivitet filatelik Kukes,1996

Me figurën e tij, Rasim Juniku përfaqësonte patriotin e përkushtuar kosovar, njeriun e kulturës dhe intelektualin që, edhe në fushën e koleksionizmit, u shqua si një përfaqësues i denjë i kësaj veprimtarie në kulturën e kombit tonë. Ai u nda nga jeta në vitin 2000, duke lënë pas kujtimin e një njeriu të përkushtuar ndaj dijes, kulturës dhe historisë së vendit të tij.

Filed Under: Histori

NICOLAE IORGA, HISTORIANI ME I MADH RUMUN DHE ZBULUESI I SHKRIMIT TE PARE NE GJUHEN SHQIPE

March 19, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

Nicolae Iorga (1871–1940) ishte një nga figurat më të mëdha të kulturës dhe politikës rumune, historian i shquar, akademik, albanolog, publicist dhe kryeministër i Rumanisë (1931–1932). Ai lindi në Botoshani të Rumanisë, në vitin 1871, nga një familje zejtarësh muratorë. Të dhënat mbi prejardhjen e tij i kemi nga vetë N. Jorga, i cili në njërën nga veprat e tij të shumta, thotë se gjyshi i tij i quajtur Jorgo, në shek. 19, me trastën e muratorit në krahë, erdhi nga Shqipëria, ndoshta nga treva korçare e Gorë-Oparit, dhe u vendos në Rumani duke ushtruar mjeshtërinë e muratorit.

Nicolae Iorga dha një kontribut të rëndësishëm për historinë e Shqipërisë duke e studiuar dhe promovuar atë në nivel ndërkombëtar. Ai botoi veprën “A Short History of Albania and the Albanian People”, ku theksonte origjinën ilire të shqiptarëve dhe rolin e gjuhës shqipe në ruajtjen e identitetit kombëtar.

Iorga analizoi historinë e shqiptarëve që nga lashtësia ilire deri në shpalljen e pavarësisë më 1912. Ai e konsideronte gjuhën shqipe si një element kyç për ruajtjen e identitetit kombëtar, pavarësisht ndikimeve politike dhe fetare.

Si historian me reputacion ndërkombëtar, Iorga e bëri të njohur historinë e shqiptarëve në qarqet akademike dhe politike evropiane, duke ndihmuar në legjitimimin e kërkesave të tyre për shtet më vete. Në shkrimet e tij, ai e paraqiste Shqipërinë si një komb me rrënjë të lashta dhe të dallueshme nga fqinjët, duke i dhënë një bazë historike ideologjisë së pavarësisë.

Iorga themeloi në Bukuresht një institut ku studimet për Shqipërinë zinin vend të rëndësishëm, duke e futur historinë shqiptare në një kornizë më të gjerë ballkanike. Ai e përforcoi idenë se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve, duke i dalluar nga popujt sllavë dhe grekë. Shkrimet e tij u përdorën si argument në mbrojtje të pavarësisë së Shqipërisë.

Iorga zbuloi dhe shkrimin e parë në gjuhën shqipe më 1915 në bibliotekën Laurentiana të Firences, “Formulën e pagëzimit”.

Midis viteve 1934 dhe 1939, Rumania kishte një tokë në Detin Jon, në Sarandë. Mbreti Zogu ia kishte dhuruar tokën Nicolae Iorga-s, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij për historinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, si dhe për fatin e Ballkanit. Historiani i dhuroi më pas 50 për qind të zonës shtetit rumun dhe kështu Rumania fitoi daljen në Detin Mesdhe, nëpërmjet detit Jon. Instituti Rumun në Sarandë (Casa Iorga) mbante emrin e themeluesit që në fillimet e tij.

Shtëpia u ndërtua në vitin 1937 në një truall prej gati 1 mijë metrash katrorë në qytetin bregdetar.

Historia u shkrua si rezultat i kurseve që profesori Iorga mbajti në Universitetin e Bukureshtit dhe që u përdorën si material dokumentar nga delegacioni shqiptar në Konferencën e Paqes në Londër në 1919, ku ai mbështeti kauzën e pavarësisë dhe njohjen e planit ndërkombëtar të Shqipëria dhe kufijtë e saj.

Iorga ia dha atë tokë shtetit rumun në vitin 1934, me kushtin që aty të ndërtohej një ndërtesë për të shërbyer si institut për studime dhe kërkime arkeologjike.

Në kuadër të koncesionit, një institut i tillë u themelua në vitin 1937, i cili funksionoi midis viteve 1937 dhe 1940, pastaj përsëri midis 1942 dhe 1944.

Ndërtesa e institutit u projektua nga arkitekti rumun Petre Antonescu. Historiani i madh rumun u vra në vitin 1940 nga Garda e Hekurt, duke u bërë një nga viktimat më të njohura të ekstremizmit politik në Europën e kohës.

Fundi tragjik…

Marrëdhënia Fatale Midis Nicolae Iorga dhe Carol II

Në historinë rumune midis dy luftërave botërore, pak marrëdhënie ishin aq komplekse dhe patën një fund aq të përgjakshëm sa ajo midis studiuesit Nicolae Iorga dhe Mbretit Carol II. Si përfundoi historiani më i madh i kombit rumun duke u bërë mjet politik i monarkut, duke paguar për besnikërinë e tij me jetën e tij?

Është një histori admirimi, manipulimi dhe gabimesh monumentale politike.

Nicolae Iorga ishte mësues i Princit të ri Carol, duke i ngulitur atij një respekt të thellë për monarkinë. Edhe pse Carol abdikoi nga froni disa herë në vitet 1920, Iorga mbeti besnik. Më 8 qershor 1930, kur Carol u kthye në fshehtësi për të marrë kurorën, studiuesi mbështeti fuqimisht “Restaurimin”, duke besuar se sovrani i ri do të zhdukte politikën e korruptuar. Megjithatë, mbreti kishte një plan krejtësisht të ndryshëm: vendosjen e pushtetit personal.

Kryeministri Iorga (1931-1932)

Lëvizja e parë taktike e Carol ishte të përdorte prestigjin e ish-mësuesit të tij. Në prill të vitit 1931, në mes të një krize ekonomike, mbreti emëroi Iorgën si kryeministër. Ishte një “qeveri teknikësh” e krijuar për të anashkaluar partitë tradicionale të urryera nga sovrani. Qeveria ishte një dështim i madh administrativ. Megjithëse me qëllime të mira, Iorga u manipulua nga kamarilla mbretërore dhe vendosi masa jopopullore (“kthesa sakrificash”), duke tërhequr zemërimin e masave. Në qershor të vitit 1932, mbreti e shkarkoi atë papritur, duke mos pasur më nevojë për një ekran.

Diktatura Mbretërore dhe Pakti me Djallin (1938)

Pavarësisht poshtërimit të tij, Iorga mbeti i magjepsur nga monarkia. Kur Carol II vendosi diktaturën mbretërore në shkurt të vitit 1938, studiuesi pranoi të ishte pjesë e Këshillit të Kurorës dhe partisë së vetme, Frontit të Ringjalljes Kombëtare. Kjo mbështetje e verbër e çoi Iorgën në konflikt fatal me Lëvizjen Legjionare. Një letër e ashpër drejtuar Corneliu Zelea Codreanu shërbeu si pretekst që mbreti të arrestonte udhëheqësin e legjionarëve. Vrasja e Codreanu-së me urdhër të Karolit (nëntor 1938) rëndoi moralisht mbi supet e studiuesit.

Ikja e Mbretit dhe Vdekja e Studiuesit

Viti 1940 solli shembjen e kufijve të vendit. I përballur me katastrofën e cedimeve territoriale, Karoli II abdikoi më 6 shtator dhe iku me një pasuri të madhe. Ai e braktisi profesorin e tij të vjetër, duke e lënë të pambrojtur kundër regjimit legjionar. Më 27 nëntor 1940, një komando legjionar e mori Iorgën nga vila e tij në Sinaia dhe e vrau brutalisht në pyllin Strejnic.

Filed Under: Histori

HYSEN S. DIZDARI, VLERA E NJË HULUMTUESI SERIOZ NË PULLAT SHQIPTARE

March 18, 2026 by s p

Prof. Dr. Fatmir Terziu/

Në kulturën e kombit, filatelia, arti dhe shkenca e pullës postare kanë dhe një emër adekuat. Pikërisht në këtë fushë shquhet studiuesi dhe koleksionisti i përkushtuar Hysen S. Dizdari, i cili me librin e tij dygjuhësh “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në pullat shqiptare 1913-2017” ka realizuar një punë të rrallë studimore dhe dokumentuese. Ky libër më ka ardhur si dhuratë nga vetë autori, kohë më parë, me një mbishkrim emocional që e bën edhe më të çmuar për mua si lexues dhe studiues. Që në shfletimin e parë kupton se nuk kemi të bëjmë thjesht me një album pullash, por me një dokument të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare. Libri është një ndër botimet më të veçanta për figurën e Gjergj Kastrioti Skënderbeu, pasi përmbledh dhe analizon të gjithë koleksionin e pullave shqiptare kushtuar Heroit Kombëtar gjatë një periudhe prej 105 vitesh, që nga emetimi i parë në vitin 1913 deri në vitin 2017. Ky fakt e bën librin unik në llojin e vet. Ai lidhet edhe me momentin themelor të historisë së shtetit shqiptar, kur qeveria e patriotit Ismail Qemali emetoi pullën e parë shqiptare.

Që prej asaj kohe, pulla postare nuk ka qenë vetëm një instrument administrativ për qarkullimin e letrave, por edhe një formë e dokumentimit të historisë, kulturës dhe identitetit kombëtar. Libri i Dizdarit është ndërtuar si një album, por përmbajtja e tij është thellësisht studimore. Në faqet hyrëse gjejmë një zgjedhje mjaft domethënëse: poezinë “Porosi e Skënderbeut për shqiptarët” të poetit kombëtar Naim Frashëri, shkëputur nga vepra e tij për historinë e Skënderbeut. Ky vendosje simbolike nuk është rastësi. Ajo i jep librit një dimension kulturor dhe ideor, duke e lidhur filatelinë me traditën letrare dhe me mesazhin e bashkimit kombëtar, që ka qenë gjithmonë një shqetësim i intelektualëve shqiptarë.

Në vijim, studiuesi Dizdari paraqet me përpikëri çdo emision filatelik që lidhet me figurën e Skënderbeut. Ai nuk mjaftohet vetëm me paraqitjen e pullave, por jep informacion të detajuar për kohën e shtypjes, vlerën monetare, ngjyrat, tirazhin, përdorimin dhe vulat zyrtare që shoqëruan qarkullimin e tyre. Në këtë mënyrë, pulla shndërrohet në një dokument të vërtetë historik, një dëshmi që mban njëkohësisht vulën e shtetit dhe vulën e kohës.

Në disa raste, pullat tregojnë edhe tensionet historike të periudhës. Për shembull, gjatë viteve të trazuara të Luftës së Parë Botërore dhe kryengritjeve të brendshme, shfaqen pulla ku vlera monetare shkruhet në turqisht me termat “Grosh” dhe “Para”. Këto detaje nuk janë thjesht kuriozitete filatelike; ato dëshmojnë për konfliktet politike dhe për përpjekjet e disa lëvizjeve për të penguar shkëputjen përfundimtare nga Perandoria Osmane. Në këtë kuptim, libri i Dizdarit është një laborator i vogël historik, ku çdo pullë flet për një moment të caktuar të historisë shqiptare.

Një nga aspektet më interesante të studimit është evolucioni i paraqitjes artistike të figurës së Skënderbeut në pullat shqiptare. Në disa raste shfaqet portreti i tij klasik, në të tjera armët simbolike, shpata dhe përkrenarja, ose elemente të tjera të identitetit kombëtar, si shqiponja, kalaja, apo monumentet historike.

Edhe periudha e sistemit komunist solli variacione interesante në paraqitjen ikonografike të heroit kombëtar: portreti i tij, monumenti i Krujës, monumenti në qendër të Tiranës, piktura muzeale dhe madje edhe vepra të piktorëve të huaj si Eugène Delacroix. Këto ndërthurje artistike tregojnë se figura e Skënderbeut ka qenë gjithmonë një pikë referimi e identitetit shqiptar, pavarësisht sistemeve politike. Një element i bukur në libër është edhe vëzhgimi i autorit mbi pullat që lidhen indirekt me figurën e Skënderbeut. Për shembull, emisioni filatelik i vitit 2014 kushtuar vizitës së Papa Françesku në Shqipëri, ku në sfond të portretit të Papës shfaqet monumenti i Skënderbeut në sheshin qendror të Tiranës. Kjo është një dëshmi simbolike se figura e heroit kombëtar vazhdon të mbetet një pikë referimi identitare edhe në ngjarje bashkëkohore.

Po aq interesant është edhe emisioni filatelik i vitit 2017, ku disa pulla të bashkuara krijojnë një kompozim të plotë të pikturës “Përballimi”, e ekspozuar në Muzeun e Skënderbeut në Krujë, vepër e piktorit Naxhi Bakalli. Ky detaj dëshmon për një ndërthurje të bukur mes filatelisë dhe arteve pamore.

Një tjetër vlerë e rëndësishme e librit janë kapitujt për literaturën filatelike dhe literaturën shkencore, të cilët përmbledhin burime të shumta studimore. Vetë ky katalogim i literaturës kërkon një punë të gjatë dhe të lodhshme kërkimi, që shpesh është rezultat i viteve të tëra përkushtimi. Kjo tregon seriozitetin dhe këmbënguljen e autorit, i cili për më shumë se një dekadë ka mbledhur, studiuar dhe analizuar çdo dëshmi që lidhet me filatelinë shqiptare për Skënderbeun.

Libri shoqërohet edhe me një parathënie të studiuesit të njohur të filatelisë, Thimi Nika, autor i veprës “Historia e Filatelisë Shqiptare”, i cili që në hyrje thekson se Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, zë një vend të merituar në filatelinë shqiptare. Duke iu referuar rreth 150 pamjeve të pullave që dokumentohen në këtë botim, ai nënvizon seriozitetin dhe përkushtimin institucional që i është kushtuar kësaj figure madhore historike. Sipas tij, autori Hysen S. Dizdari e ndjek kronologjikisht përfaqësimin filatelik të Skënderbeut, duke e paraqitur atë në të gjithë dimensionin e veprës së tij, si strateg, burrë shteti, politikan dhe diplomat. Vëmendje e veçantë i kushtohet emisionit të parë të 1 dhjetorit 1913, një seri prej gjashtë pullash me portretin e Skënderbeut, të realizuara nga piktori çek Heinrich Kautsch, me një tirazh prej 2,875,500 copësh, pjesë e të cilave u mbishtypën në vitet pasuese duke krijuar emisione të reja.

Parathënia ndalet gjithashtu te emisionet e mëvonshme, si ai i vitit 1951 me tri pulla, seria e pasur e vitit përkujtimor të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut me tetë pulla dhe blloqe filatelike, si dhe te temat që lidhen me armët e Heroit, përkrenaren dhe shpatën e ruajtura në muze në Vjenë. Në analizën e tij përmenden edhe emisioni i vitit 1983 “Epoka e Skënderbeut në artet figurative”, seria e vitit 1997 me qasje artistike bashkëkohore dhe kulmi i trajtimit filatelik me emisionin e 28 nëntorit 2005, të bazuar në kryeveprën “Përballimi” të piktorit Naxhi Bakalli, e ekspozuar në muzeun e Skënderbeut në Krujë. Në përmbyllje, Nika vlerëson se fondi i pullave kushtuar Skënderbeut është i pasur, por mbetet ende hapësirë për emisione të reja që do ta pasuronin më tej këtë traditë filatelike shqiptare.

Në thelb, puna e autorit , Hysen Dizdarit është shumë më tepër sesa një pasion koleksionisti. Ajo është një kontribut i mirëfilltë në studimet historike dhe kulturore shqiptare. Përmes një objekti të vogël si pulla postare, ai arrin të rindërtojë një histori të gjatë të kujtesës kombëtare. Mesazhi i autorit është i qartë, historia e Skënderbeut duhet studiuar dhe njohur mirë nga brezi i ri, sepse ajo mbetet një burim frymëzimi për të ruajtur idealet atdhetare. Ky është një apel që shkon përtej filatelisë dhe që i drejtohet institucioneve shkencore, shkollave dhe gjithë shoqërisë shqiptare. Prandaj, libra si ky nuk janë thjesht botime të bukura për koleksionistët. Ato janë vlera kombëtare, dëshmi të kujtesës historike dhe të përkushtimit të studiuesve që me durim dhe pasion ruajnë fragmentet e identitetit tonë kulturor. Në këtë kuptim, emri i Hysen S. Dizdarit mbetet një shembull i hulumtuesit serioz, që e shndërron filatelinë në histori të gjallë.

Filed Under: Histori

Pse Hoxhë Hasan Tahsini ishte drejtuesi i lobit shqiptar në Stamboll

March 17, 2026 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello/

Hoxhë Hasan Tahsini ka hyrë në historinë e Shqipërisë si profesor i rilindasve shqiptarë dhe projektues i pavarësisë. Ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm të paktën në dy drejtime, së pari si pjesëmarrës në mbledhjet e ndryshme që u bënë gjatë viteve 1867-1879 në Stamboll për çështjen e gjuhës shqipe dhe të drejtat e kombit shqiptar dhe së dyti, si hartues i një alfabeti të veçantë.

Në një shkrim të botuar në revistën “Minerva” në shtator-tetor 1934, Mehdi Frashëri shkruan se Hasan Tahsini nga pikëpamja e shqiptarizmës mund të konsiderohej si mjeshtri i Sami Frashërit, Ismail Qemalit, Vaso Pashës, Daniel Oparakut e disa të tjerëve të rinj shqiptarë të cilët kishin marrë pjesë me fillimin e lëvizjes kulturore shqiptare në Stamboll.

Për kontributin dhe pikëpamjet e tij hedh dritë edhe një raport i konsullit britanik në Janinë B.Kyrioti drejtuar ambasadorit të tij në Stamboll, H.G.Elliot. Ai bën fjalë për arrestimin dhe dërgimin e Hoxhë Hasan Tahsinit nga Delvina dhe Shqipëria e Jugut ku ai kishte mbërritur për të sensibilizuar popullin për çështjen kombëtare në një kazermë të Janinës. Kjo, sepse nga valiu ai konsiderohej si një person i rrezikshëm.

Që pas Luftës së Krimesë (1853-1856) shteti osman ishte zhytur në borxhe të jashtme dhe de facto kishte marrë fund. Ai mbahej në këmbë nga Fuqitë e Mëdha derisa të binin dakord për mënyrën e ndarjes. Kjo kishte bërë që te patriotët dhe lobi shqiptarë që jetonte në Stamboll të fillonin përpjekjet e para për të shpëtuar aq sa mund të shpëtohej. Edhe pikëpamjet e Hoxha Hasan Tahsinit për pavarësinë e Shqipërisë duhen parë e lexuar në këtë kontekst.

***

Janinë, 24 prill 1874

Konsullata Britanike në Shqipëri

Kam nderin t’ju deklaroj se guvernatori i përgjithshëm i Janinës, i cili ishte në një udhëtim prej katër javësh në provincën e juridiksionit të tij, në Delvinë ka arrestuar një shqiptar mysliman të quajtur Hasan Tahsin Efendi dhe e ka dërguar, të shoqëruar me një roje të përbërë prej dymbëdhjetë vetash, në Janinë.

Më 17 të këtij muaji, qeveria e mbylli në burgun e një kazerme dhe jo në atë të zakonshmin, ku mbahet krejtësisht i izoluar dhe nuk lejohet as të shihet, as t’i flitet.

Ky njeri është nga një fshat i Filatit dhe më parë jepte mësime të gjuhës turke në Paris për të rinjtë që qeveria osmane kishte dërguar atje për studime. Ai kishte udhëtuar më pas në Itali dhe prej andej kishte ardhur në Shqipëri, ku predikonte për lirinë dhe pavarësinë.

Emrat e atyre që dëgjonin predikimet e tij dhe që do të luftonin për lirinë e vendit janë duke u hetuar nga autoritetet.

Thuhet se disa prej ndjekësve të tij në Shqipëri mund të kenë lidhje edhe në Stamboll.

Këto i kam mësuar nga burime të mirëinformuara.

Kam nderin t’ju shpreh nderimet e mia,

shërbëtori juaj i bindur dhe i përzemërt.

B. Kyrioti

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 707
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT