• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DR. RUGOVA: KRENARË ME LIDHJEN E PRIZRENIT

June 9, 2018 by dgreca

PRESIDENTI RUGOVA NË VITIN 2003: KRENARË ME LIDHJEN E PRIZRENIT/

Ibrahim Rugova- Xhim Xhema-auto_ibrahim_rugova1430168619-Presidenti Kosovës Dr. Ibrahim Rugova para 15 viteve: Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mirë. Fjala e plotë në 125 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit/050706rugova_diogardi-Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore.Më 10 Qershor të vitit 1878 u mblodhën në Prizren delegatë nga të gjitha viset shqiptare, themeluan institucionet: Kuvendin Kombëtar, Qeverinë, Sektorin Diplomatik dhe Forcat Mbrojtëse – Ushtrinë e vet/

presidenti_rugova_sami_repishtivoal-Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në vitin 2003 ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës. Po kështu, për herë të parë ka dekoruar me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 37 personalitete të njohura shqiptare dhe vende të ndryshme të botës, nga SHBA:

Xhim Xhema, Sami Repishti e Xhozef Diogardi/

-Presidenti Rugova, pritje të veçantë pasardhësve të pjesëmarrësve të Lidhjes së Prizrenit/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRIZREN, 9 Qershor 2018/ Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mirë, shprehej para 15 viteve, në mbrëmjen e 9 Qershorit 2003, Presidenti Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.

“Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua”¸ theksonte Presidenti historik Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku si gjithmonë thekonte mirënjohjen më të madhe dhe miqësinë e përhershme të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Atëherë, në vitin 2003, gjatë tre ditëve, duke filluar nga data 9 Qershori, Kosova festonte 125 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me manifestime të organizuara nën përkujdesjen e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Ditën e parë, ai njoftonte se ka dekoruar 37 personalitete të njohura nga Kosova, Shqipëria, viset e diaspora shqiptare, si dhe nga Shtetetet e Bashkuara të Amerikës e vende të tjera të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Njëherësh, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.

“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vaso Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri, e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova.

Në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit merrnin pjesë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës, përfaqësues të pushtetit lokal të asambleve komunale, përfaqësues nga Shqipëria, Maqedonia dhe nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe nga diaspora. Ishte i pranishëm në këtë solemnitet edhe Naltmadhnia e Tij trashëgimtari i Fronit Shqiptar Leka Zogu I me bashkëshorten.

FJALA E PRESIDENTIT TË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA NË 125 VJETORIN E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

Jemi tubuar sot në këtë Akademi solemne për një ditë solemne të historisë sonë, në 125 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Kjo ditë solemne bëhet edhe më e madhe, sepse për herë të parë po e kremtojmë në Kosovën e lirë, çfarë ishte ëndërr dhe projekt i burrave të mëdhenj të Lidhjes së Prizrenit.Lidhja e Prizrenit ishte lëvizje për themelimin e shtetit modern shqiptar. Ishte lëvizje për mbrojtjen e territoreve shqiptare dhe për çlirimin nga Mbretëria Otomane.Sot mund të themi se ishte lëvizja më e kompletuar për shtetin shqiptar pas rezistencës së shkëlqyeshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i cili për 25 vjet rresht e mbrojti vendin e vet dhe botën perëndimore.Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore.Më 10 Qershor të vitit 1878 u mblodhën në Prizren delegatë nga të gjitha viset shqiptare, themeluan institucionet: Kuvendin Kombëtar, Qeverinë, Sektorin Diplomatik dhe Forcat Mbrojtëse – Ushtrinë e vet.Këto institucione funksionuan plot tri vjet rresht. Kuvendi i Prizrenit i kundërshtoi vendimet e Kongresit të Berlinit për shkëputjen e territoreve shqiptare dhe vazhdoi ndërtimin dhe mbrojtjen e shtetit të vet në tërësinë territoriale. Për tri vjet Lidhja e Prizrenit vendosi administratën shqiptare, në Kosovë kryesisht dhe në viset e tjera.
Më 1881 Mbretëria otomane nuk mundi ta tolerojë më ngritjen e shpejtë të shtetit shqiptar dhe vendosi ta shkatërrojë atë me forca të armatosura. Pas rezistencës së ashpër të forcave të Lidhjes së Prizrenit nën komandën e Sylejman Vokshit, të luftimeve që u zhvilluan sidomos në Kosovë, u shua kjo lëvizje e shkëlqyeshme.

Në këtë kohë njëri nga krerët e Lidhjes së Prizrenit Abdyl Frashëri bashkë me Ymer Prizrenin dhe Sylejman Vokshin thoshte me optimizëm dhe vizion të madh: “Ne po mbjellim e të tjerët do të korrin”.Ky ishte vizioni i burrave të mëdhenj të Lidhjes së Prizrenit, të bindur se shpirti i saj do të vazhdojë të jetojë. Kështu sot mund të themi se Lidhja e Prizrenit ishte një lëvizje e kompletuar shtetërore që i aktivizoi të gjitha fuqitë e një kombi për liri, pavarësi dhe demokraci.

Pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit shqiptarët u forcuan dhe u konsoliduan në planin e brendshëm kulturor, diplomatik e të miqësisë. Kështu më 1899 nën drejtimin e Haxhi Zekës në Pejë u themelua “Lidhja e Pejës” si ringjallje e Lidhjes së Prizrenit që u pranua në të gjitha territoret.Po atë vit Sami Frashëri botoi traktatin e vet një lloj kushtetute për drejtimin e shtetit shqiptar “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”. Por, edhe kjo Lidhje e Pejës u shua nga Porta e lartë.Kështu përpjekjet për liri e pavarësi nuk pushuan as pas shuarjes së Lidhjes së Pejës. Në fillim të viteve 1900 burrat e Lidhjes së Prizrenit dhe brezi tjetër i burrave të kësaj kohe për 34 vjet rresht vazhduan përpjekjet për liri e pavarësi. Kështu më 1912 u shpall pavarësia shqiptare.Por kjo pavarësi u cungua me mbetjen e gjysmës së territoreve shqiptare jashtë shtetit që u njoh nga fuqitë e mëdha. Kjo u sanksionua edhe pas Luftës së parë botërore, si dhe pas Luftës së dytë botërore.
Në vitet ‘90 me fillimin e përfundimit të Luftës së ftohtë dhe me shkatërrimin e një shteti ku u vendos me dhunë Kosova dhe territoret tjera shqiptare, në Kosovë filloi organizimi i Lëvizjes demokratike për liri, pavarësi e demokraci dhe ndërtoi shtetin e vet.
Objektiv i të gjitha partive politike të viseve shqiptare u vendos: Kosova e pavarur, shqiptarët në Maqedoni të jenë në strukturën shtetërore, shqiptarët në Mal të Zi të kenë administratë lokale dhe në Preshevë.
Lëvizja demokratike për liri e pavarësi e Kosovës ishte për integrime evropiane e veriatlantike.
Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua.
Qe katër vjet pas luftës Kosova ka pasur një progres të mirë në të gjitha fushat e jetës. Kemi bashkëpunim të mirë më UNMIK-un dhe KFOR-in e OSBE-në. Institucionet e Kosovës bashkë me UNMIK-un po përgatiten për zhvillim ekonomik të vendit.Pra do të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike e paqësore me garanca për minoritetet dhe të gjithë qytetarët e saj të integruar në BE, në NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA. Njohja formale e pavarësisë do të qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës dhe do të shpejtonte zhvillimin ekonomik e demokratik.
Në 125 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit do thënë se objektivat e saj ishin legjitime për mbrojtjen e territoreve të veta, ishin objektiva humane si të çdo populli dhe nuk ishte për marrjen e territoreve e të tjerëve.
Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mirë.
Nga kjo Akademi solemne përshëndesim Presidentin Bush, Kryeministrin Bler, Presdientin Shirak, Kancelarin Shrëder dhe Kryeministrin Berluskoni. Si gjithmonë përshëndesim Papa Gjon Pali II, që gjithnjë lutet për Kosovën.
Zoti e bekoftë Lidhjen e Prizrenit!

Zoti i bekoftë shqiptarët!

Zoti e bekoftë Kosovën!

DEKORATAT E PRSIDENTIT RUGOVA NË 125 VJETORIN E LIDHJES SË PRIZRENIT

Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova në vitin 2003 ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.

“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të LSHP dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vasko Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, bënte të ditur Presidenti. Theksohej se dekorimi i tyre është në procedurë e sipër sepse duhet përgatitur. Presidenti i Kosovës, po kështu, për herë të parë ka dekoruar 37 personalitete të njohura shqiptare dhe vende të ndryshme të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Presidenti Rugova tha se Dekorata Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit u jepet personaliteteve të njohura të shqiptarëve të Kosovës dhe institucioneve me motivacion për kontrbut në të mirë të shtetit të Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi, për bashkëpunim dhe mirëkuptim për shqiptarët dhe integrime shqiptare si dhe për integrimin evropiane e evroatlantike.

Kjo Medalje do t’u jepet edhe personaliteteve të jashtmem, miq të e Kosovës dhe të popullit shqiptar për kontributin e tyre në ndriçimin e historisë, kulturës dhe jetës së shqiptarëve dhe personaliteteve që e ndihmojnë progresin e Kosovës, tha me këtë rast presidenti Rugova.
Të dekoruarit me Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, para 15 viteve, janë këto personalitete:

Kosovë:

Idriz Ajeti,

Mark Krasniqi,

Fehmi Agani,

Adem Jashari,

Ali Hadri,

Imzot Nikë Prela,

Anton Çetta,

Mehmet Gjevori,

Zekeria Cana,

Pajazit Nushi,

Sabri Hamiti,

Rexhep Ismajli,

Muhamet Shukriu,

Eqrem Kryeziu,

Jusuf Gërvalla.
SHBA:

Xhim Xhema,

Sami Repishti,

Xhozef Diogardi.
Maqedoni:

Shukri Rrahimi,

Ali Aliu.
Mali i Zi:

Mehmet Bardhi,

Ferhat Dinosha.
Preshevë:

Riza Halimi.
Itali – arbëreshët:

Antonio Bellushi
Shqipëri:

Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu,

Eqrem Çabej,

Ismail Kadare,

Bujar Hoxha,

Azem Hajdari,

Naltmadhnia e Tij Leka I-rë,

Ernest Koliqi.
Nga bota:

Noel Malkolm,

Mishel Ruks,

Robert Elsie,

Leonard Foks.
Nga tradita:

At Gjergj Fishta,

At Shtjefën Gjeçovi.

 

PRESIDENTI RUGOVA, PRITJE TË VEÇANTË PASARDHËSVE TË PJESËMARRËSVE TË LIDHJES SË PRIZRENIT

 

Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, në 9 qershor 2003,  priti në një takim të veçantë pasardhësit e pjesëmarrësve të Lidhjes së Prizrenit nga Kosova dhe Shqipëria.

 

Me këtë rast Presidenti Rugova vlerësoi lart kontributin paraardhësve të tyre, pjesëmarrës të ngjarjes së madhe historike të Lidhjes së Prizrenit, e cila po kremtohet në Kosovën e lirë me pietet të madh.

 

Presidenti tha se do t’i dekorojë të gjithë pjesëmarërsit e Lidhjes së Prizrenit, për të çuar përpara idenë e tyre, për realizimin e pavarësisë së Kosovës.

Trashëgimtarët e pjesëmarrësve të Lidhjes së Prizrenit e falënderuan Presidentin Rugova për pritjen dhe për organizimin e 125 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit që është bërë nën patronatin e tij.

Falënderime shprehën Avdyl Hoxha, trashëgimtar i Ymer Hoxhës nga Juniku dhe gjithë të tjerët.

 

Në këtë takim ishin edhe trashëgimtari i Binak Alisë, i cili ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të Lidhjes së Prizrenit, pastaj Skënder Korenica, trashëgimtar i Ahmet Korenicës, Rrustem Mulosmani (76 vjeç) nga Malësia e Gjakovës (Shqipëri), trashëgimtar i Mic Sokolit, i cili tha se ndien veten shumë krenar që pati mundësinë të vijë në këtë përvjetor të rëndësishëm dhe për herë të parë vinte në Kosovë.

PRIZREN-140 VJETORI I LIDHJES SHQIPTARE, AXHENDA E MANIFESTIMEVE

Me rastin e 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në komunën e Prizrenit do të organizohen aktivitete të shumta kulturore dhe sportive. Komuna ka njoftuar këtë axhendë:

MANIFESTIMET KULTURORE

  • 10 QERSHOR

09:00 Vënia e gurthemelit të shtatoreve të liderëve të Qeverisë së Lidhjes (në oborrin e Lidhjes)
10:00 Hapja e ekspozitës së bucetave të skulptorëve (në oborrin e Lidhjes)
11:00 Akademia Solemne në oborrin e Lidhjes (në oborrin e Lidhjes)
12:00 Turniri ndërkombëtar i mundjes nga KM Prizreni (në palestrën sportive)
13:00 Konferencë shkencore për 140-vjetorin e Lidhjes (në sallën e Kuvendit Komunal)
14:00 Tribunë (në Shtëpinë e Kulturës)
15:00 Ekspozita mbarëkombëtare me pikturë (në ndërtesën e Hamamit – Gazi Mehmed Pasha)
17:00 Parada e FSK-së
21:00 Grumbullimi në Kala dhe marshimi me flakadanë i 140 aktivistëve
21:30 Performanca “Përjetësia” (në Urën e Gurit)
22:30 Koktej tek Sheshi i Lidhjes

  • 11 QERSHOR
    11:00 Fëmijët recitator në Kompleksin e Lidhjes
    21:30 Monodrama “Rrno për me tregu” në Kompleksin e Lidhjes
    21:30 Koncert në “Sheshin e Dëshmorëve” nga qendra kulturore “Margarita Tutulani”
  • 12 QERSHOR
    10:00 Homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë
    12:00 Koncert recital nga Elvis dhe Gjulian Bytyqi te Rrapi në Marash
    21:30 Dokumentari “Toka e shqiponjave” në kino “Lumbardhi”
    21:30 Koncerti i Lirisë nga shoqëritë vendore tek “Sheshi i Dëshmorëve”
  • 13 QERSHOR
    11:00 Fëmijët piktorë në Kompleksin e Lidhjes
    21:30 Monodrama “Aktori në kuti” në Shtëpinë e Kulturës
    21:30 Bendet rinore në Sheshin e Lumbardhit
  • 14 QERSHOR 
    12:00 Dokumentari per 100 vjetorin e Lidhjes Shqiptare te Prizrenit (te Kompleksi Europa)
    21:30 “Ora e Lidhjes” (te Kompleksi i Lidhjes)
    21:30 Koncert nga Dren Abazi & Zig Zag Orchestra
  • 15 QERSHOR
    21:30 Koncerti i melodive të vjetra, Nezafete Shala & Besa Berberi (te Kompleksi i Lidhjes)

MANIFESTIMET SPORTIVE

  • 10 – 15 QERSHOR
    Turneu i futbollit “Trofeu i Lirisë”
    Turneu i shahut “Trofeu i Lirisë”
    Turneu i pingpongut “Trofeu i Lirisë”
    Basketboll: Junior 06 –  Përmeti

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, DR. IBRAHIM RUGOVA, Korenaren me Lidhjen e Prizrenit

21 vite më parë, Nënë Tereza mori Medaljen e Artë nga Kongresi Amerikan

June 7, 2018 by dgreca

1 Regan N TerezaMë 6 qershor 1997, Kongresi Amerikan nderoi Shën Nënë Terezën me Medaljen e Artë./

Më 1985 presidenti Ronald Reagan do ta nderonte me Medaljen Presidenciale të Lirisë. Nëna Terezë është ndër personalitetet e rralla të cilës më 1996 nga presidenti Bill Clinton ju dha titulli qytetar nderi i Amerikës, që është në mesin e vetëm shtatë personaliteteve botërore që gjatë historisë i ka nderuar Amerika me këtë titull.

Kongresi Amerikan më 1997 e nderoi nobelisten shqiptare me Medaljen e Artë të Kongresit, ndërsa Posta Amerikane më 2010 nxori pullë postale me portretin e Nënës Terezë.

Nënë Tereza ose Shën Tereza e Kalkutës (e lindur si Anjezë Gonxhe Bojaxhiu; me gjak e gjuhe shqiptare, 26 gusht 1910 – 5 shtator 1997), e njohur si Tereza e Bekuar e Kalkutës, Misionare e Bamirësisë, ishte një murgeshë katolike dhe misionare shqiptaro-indiane. Ajo lindi në Shkupin shqiptar (sot Republika e Maqedonisë), atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës shqiptare në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.

Nënë Tereza themeloi Misionaret e Bamirësisë, një kongregacion fetar katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133  shtete te botes. Ato ofrojnë shtëpi për njerëzit që vuajne nga HIV/AIDS, gërbula dhe tuberkulozi; ato ofrojnë ushqime, klinika të lëvizshme, programe këshilluese për fëmijët dhe familjet, jetimore, dhe shkolla. Anëtarët duhet t’i përmbahet betimit të “dëlirësisë, varfërisë dhe bindjes”, si dhe një kusht të katërt, për të dhënë “shërbime falas e me gjithë zemër për më të varfërit e të varfërve”.

Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françeskut, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallej shenjt nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj.

Nënë Tereza u admirua gjerësisht nga shumë njerëz për veprat e saj bamirëse. Ajo ishte edhe e lavdëruar edhe e kritikuar për pikëpamjet e saj kundër abortit. Ajo gjithashtu ka marrë kritika për kushtet në shtëpitë që ajo ofronte për ata që ishin buzë vdekjes. Biografia e saj të autorizuar është shkruar nga nëpunësi civil indian Navin Chawla dhe është botuar në vitin 1992, nderkohe qe per shqiptaret  njihet si biograf i saj don Lush Gjergji.

Jeta e Shenjtereshes Tereze ka frymezuar shqiptaret ne te gjitha trojet etnike dhe en diaspora. Jane disa shqiptare ne SHBA qe ne perkujtim te saj kane ndertuar Statujat

Ajo ka qene dhe do te jete nje murgeshe e shenjtore qe nuk do te harrohet kurre.

Filed Under: Histori Tagged With: Medalaj e Kongresit, Nene Tereza

Albanian Excellence shpall nga Nju Jorku, “Zonjat qe bejne Shqiptarine”

June 5, 2018 by dgreca

Kauza: Ne  ndihme te grave te dhunuara gjate luftes ne Kosove ne vitin 1999-/

1 Albanian Exelence

Nju Jork, 5 Qershor/AE/.- Albanian Excellence, do te shpalli ne Nju Jork  me 24 qershor, “Zonjat qe bejne Shqiptarine “, nje projekt shume dimensional qe do te zhvillohet ne muajin dhjetor (deri me tani ne Shqiperi) dhe qe nderon vlerat e zonjave shqiptare kudo jane ashtu si edhe do te beje per here te pare te ditur, kauzen e ketij projekti , “Ne ndihme te grave te dhunuara gjate luftes ne Kosove , ne prag te 20 vjetorit te  luftes se Kosoves te vitit 1999”.

Do te jete takimi “Zonjat shqiptare ne Nju Jork 2”, nje takim qe do te evidentoje historite e suksesit te tre zonjave te nderuara ne fushen e biznesit,  nga, Shqiperia Kosova, Maqedonia, kur do te shpallet kjo nisme  e Albanian Excellence e ndermarre qe ne nisje te vitit 2018 , me krijimin dhe te nje bordi me pjesmarrjen e personaliteteve te jetes publike shqiptare me kryetare , avokaten e njohur, zonjen Eni Cobani e cila do te jete prezente ne kete takim me nje lidhje direkte nga Tirana kur dhe do te pershendese shpalljen e kesaj nisme nga metropoli me i madh  i botes, Nju Jorku.

Ne kete takim , ku do te marrin pjese zonja qe kane arritur sukses ne jeten  amerikane , drejtorja ekzekutive e Albanian Excellence, Flora Nikolla, do te mbaje fjalen e rastit gjate se ciles do te tregoje permbajtjen , qellimin dhe si do te zhvillohet  ky projekt i cili do te kurorezohet me botimin e nje libri me idete konkrete te zonjave shqiptare te suksesit me tezat e ndryshimit qe propozojne per te ardhmen e Shqiptarise ne profesionet qe ato ju perkasin si dhe me nje mbremje Gala , ku zonjat do te nderohen me trofe nga Albanian Excellence.

Zonjat  Beti  Beno(avokate) zonja Liljana Gashi(pronare, Presidente  e Corporations dhe LLC) , zonja Ana Marky Walsh, (Certified Empowerment life coush&Spiritual Jewelry), do te jene zonjat qe  do te referojne ne kete takim jeten e tyre profesionale, cilat kane qe ne pikat ku ato mbeshtesin  suksesin e tyre, ashtu edhe menyren e punes dhe te jetes qe kane zhvilluar per te qene te suksesshme ne profesionet  e tyre. Referatet e tyre nw kwtw takim, do te jene gjithashtu pjese e librit, “Zonjat qe bejne Shqiptarine , qe promovohet ne muajin dhjetor deri me tani eshte emnduar ne Tirane, me deshiren per te qene edhe ne Prishtine“.

Te tri zonjat e perzgjedhura nga bordi i Albanian Excellence, do te nderohen me certikata nderi nga Albanian Excellence me titullin “Zonjat qe bejne Shqitarine”.

E ftuar do te jete ne kete takim , edhe sopranoja e njohur me banim ne Nju Jork, zonja Deshira Ahmeti Kerliu, e cila  do te interpretoje disa nga perlat e muzikes shqiptare dhe asaj boterore.

Shpallja e “Zonjat qe bejne Shqiptarine “  si dhe te Kauzes , “Ne ndihme te grave te dhunuara gjate luftes ne Kosove ne vitin  1999 , nga Nju Jorku”, zhvillohet nga Albanian Excellence, pas Mbremjes Gala te zhvilluar dy vjet me pare ne Manahattan  ne sallen Symphony Space, me pjesmarrjen e Presidentit te Republikes se Shqiperise te asaj kohe, zoti Bujar Nishani, gjate se ciles u promovua libri “Zonjat shqiptare ne Nju Jork”, nga Flora Nikolla dhe Kozeta Zylo .

Ne skenen e realizuar nga Andis Gjoni u nderuan te gjitha zonjat e perzgjedhura per te qene  ne kete liber (rreth 70), ndersa u firmos edhe memorandumi “Te jesh grua ne shekullin e XXI”, i cili  do te vijoje te firmezohet edhe gjate ketij takimi , i cili ne qender, ka vleresimin e zonjave te suksesit nga gjithe hapesira mbareshqiptare dhe qe kesaj here  ka vendosur te perzgjedhe tre zonja te nderuara te cilat kane patur nje jete  te realizuar si nga ana njerezore, profesionale ashtu edhe familjare.

Edhe shpallja ne Nju Jork, e kauzes, Ne ndihme te grave te dhunuara gjate luftes ne Kosove ne vitin 1999, merr nje rendesi te madhe , kur mbahet parasysh jo vetem ndihma e madhe qe eshte dhene nga Nju Jorku, per dhunen e genocidin e pranveres se vitit 1999 ndaj shqiptareve te Kosoves, por edhe per faktin  se shume zonja te ikura mga genocidi serb, erdhen ne Nju Jork, duke nisur e ndertuar nje jete krej te re.

Ky event do te zhvillohet ne shtepine e  zonjes Liljana Gasha , ndersa  ne grupin  e punes  per realizimin e  ketij eventi jane zonjat Loreta Stamo dhe Eva Agolli, pjese e librit ‘ Zonjat shqiptare ne Nju Jork”.

Nga krijimi i Albanian Excellence ne vitin 2012, ne 100 vjetorin e Pavaresise se shtetit shqiptar, Albanian Excellence, ka realizuar nje mori eventesh cilesore qe deshnojne potencialin e nadh te kombit shqiptar ne bote. Rreth 600 jane emrat  evidentuar nga Albanian Excellence ne shtate botimet e kesaj qendre e  cila ka nje mision fisnik ne vleresimin e vlerave qe kemi si komb.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Albania Exelence, grate e dhunuara, Kosove, Zonjat qe bejne shqiptarine

SAMI REPISHTI: UNË DHE FAMILJA IME, VIKTIMA TË TRI DIKTATURAVE

June 1, 2018 by dgreca

Intervistë e Profesor Sami Repishti dhënë Kryeredaktorit të Gazetës”DIELLI”  në Nju Jork, Dalip GRECA/

1-Repishti7 Librat

SAMI REPISHTI: UNË DHE FAMILJA IME, VIKTIMA TË TRI DIKTATURAVE/

2 Sami Bushi plak3 bobdole6 Me presidentin Rugova 935 Deshmi ne Kongres6 Debat32 Shen Gjergji 'shkurt 93

RREFIMI… kam përjetue të tri diktaturat(Fashizmin,Nazizmin, Komunizmi) dhe me humbje të mëdha: Babai ka qenë viktimë e fashizmit italian; kushërini i parë u ekzekutue nga nazistët gjermanë; nana, vëllau e motra u internuen në Berat dhe në Tepelenë nga komunistët… Unë, student 21 vjeçar, jam torturue randë, kam vuejtë dhjetë vjet në burg dhe jam arratisë me rrezikun e jetës….

* Atdheu nuk më ka asnji faj. Edhe sot unë them: “Shqipëri më jep nder me jep emnin shqiptar”! Do të isha shumë i palumtun sikur nji ditë të arrijsha në përfundimin me heqë dorë nga nënshtetsia shqiptare. Janë shtypësit dhe besë-mohuesët komunistë që më kanë shkaktue tragjedinë time; jo Atdheu, nji symbol i shenjtë që shfrytëzohet paturpësisht nga elementë atdhe-shkatërrues….

 

* Kur unë refuzova “ofertën”,mora në duert e mia fatin tim, pavarësisht nga konsekuencat… por e ndjeva veten të lirë, sepse kundërshtova forcat që dëshirojshin asgjasimin tim, vdekjen time morale….

 

* Unë mendoj se dola fitues dy herë: e para, refuzova me urrejtë xhelatin që më merrte shpirtin në torturë; dhe e dyta, dashunova pa kufi viktimën që priste vdekjen çdo orë. Nji pozicionim i këtill me shpëtoi dinjitetin.

 

* … Bashkëvuejtësit e mi: ata janë herojt e mi, ata meritojnë falënderimin tim, sepse ata më mbushën me shpresë dhe me guxim tue ndjekë shembullin e tyne në moshën 21 vjeçare….

* Unë jam akoma i bindun sot, 72 vjet ma vonë, se mbrojtja e jetës, dhe dinjitetit të çdo qenie njerëzore ashtë detyra ma e naltë dhe misioni ma fisnik i çdonjenit nga ne, sot dhe nesër.

       

…Profesor Sami Repishti u lind në gjirin e familjes së Hafiz Ibrahimit dhe Hava Bushatit në lagjen Dudas në Shkodër më 6 prill 1925. I ati ishte figurë me autoritet në shoqërinë shkodrane të asaj kohe dhe më pas deputet në Kuvendin Kombëtar.Në vendlindje kreu mësimet fillore në shkollën “Oso Kuka” dhe të mesmen pranë gjimnazit të Shkodrës, ku ra në kontakt edhe me lëvizjen komuniste.

Më 1942 mbaron maturën.Merr pjesë në një konkurs në Tiranë për studime të larta jashtë shtetit.112 kandidatura, konkuronin për 28 bursa studimi të profesioneve të ndryshme. Mbas 2 ditëve, mësoi se e ksihte fituar bursën nga ministria e Arsimit për në Fakultetin e Historisë së Firences.

Me mbërritjen në atdhe më 1943 shkon të verojë në Repisht, prej ku kishte origjinën familja e tij. Prejse strehoi një nip të tijin që kishte ide komuniste, autoritetet fashiste e arrestojnë të atin dhe e torturojnë duke vdekur  prej hemoragjisë më dt. 29 shtator 1943. Samiu duke qenë i pari i shtëpisë detyrohet t’i sigurojë bukën familjes.

Punon në Sektorin e rindërtimit me të hyrë në pushtet regjimi i ri.Themelon me shoqërinë e tij një Organizatë të Rinisë Demokratike,shpërndanë trakte dhe i dorezuan një Memorandum një deputeti anglez që vizitoi Shkodrën dhe ndihmonin familjet e të arratisurve. Në maj të 1946 mori pjesë në proçesionin e varrimit të Arqipeshkvit Imzot Gaspër Thaçi. Ishte data 22 tetor 1946, kur e arrestojnë forcat e sigurimit në vendin e punës me akuzën “Agjitacion e propagandë kundër shtetit”. Për 14 muaj, iu nënshtrua hetimeve intensive ku takon dhe prof. Kolë Prelën. Dënohet nga pretenca e gjyqit me 15 vjet heqje lirie, në burg do shoqërohej me P. Çiprian Nikën dhe vëllanë e prof. Kolës, Markun. Më 28 nëntor 1947 dërgohet në Burgun e Madh, dhe më tej në kampin e Vloçishtit, në Beden të Kavajës më 1948. Mbas kampit të punës së detyruar në Orman Pojan të Korçës, rikthehet në burgun e Shkodrës, në fund të muajit nëntor.

Mbas daljes nga burgu më 1956 punoi javën e parë si pastrues i barit të keq në stadium, javën e dytë e caktojnë të punojë në kanalizimin e tokave të Qendrës Zooteknike. Kështu e gjeti edhe viti 1956. Më vonë si ndihmës karpentier deri në ditën e arratisjes, 22 gusht 1959. Në Jugosllavi izolohet; lirohet nga izolimi në prill 1961dhe punësohet përkohësisht (ndërkohë studion serbokroatishten dhe anglishten.) Por shumë shpejt (qershor 1961), përfundon në kampin e refugjatëve të Gerovës, Kroaci.

Më 1 shtator 1961, arratiset nga kampi i Gerovës dhe vendoset në Itali. Qëndroi në Trieste, në kampin e refugjatëve San Sabba, ku në tri javë fitoi të drejtën e azilit politik. Mbas një qëndrimi gjashtëmujor në kampet e Capua-s dhe Latina–s, pranë Napolit dhe Romës, mbas shumë vuajtjesh, më 9 prill 1962, emigroi për në ShBA. Merr pjesë në takimin e pesëdhjetë vjetorit të “Vatrës”, ku dhe takon mikun e të atit në periudhën e opozitarizmit, Imzot Nolin. Fitoi qytetarinë (citizenship) amerikane më 1968. Doktoroi pranë Departamentit të Frëngjishtës në City University of New York (1977). Për 25 vjet me rradhë, ka dhënë mësim në college-t amerikane. Ka qenë kryetar i Departamentit të Gjuhëve të Huaja, për shkollat e qytetit Malverne, New York, koordinator i programit për studime të avancuara, Lice-University, Adelphy, Garden City, NY, 1976-1991, dhe po aty pedagog i jashtëm. Udhëtimin e vetëm në Kosovën e cliruar e realizoi në prillin e 2000(kjo është biografia zyrtare). Pë më shumë ndiqni intervistën:

Dalip Greca: Si ndjeheni me shëndet Profesor Repishti?

Sami Repishti: Ndjehem mirë; tue marrë parasyshë moshën e avancueme, shumë mirë.

PYETJE:: Për kureshtjen time dhe të lexuesve të lexuesve: Si është e organizuar një ditë e zakonshme juaja në këte moshë? Si e filloni në mëngjez dhe si vijon dita?

S.REPISHTI: Që nga dita e pensionimit, dita e ime ashtë mjaft monotone.Lexoj nga çdo lami, kryesisht histori e letërsi botënore, dhe pa dyshim fletoret e vendit, sidomos The New York Times, të përjavëshmen The New Yorker, dy organe mjaft serioze dhe informative të dorës së parë. Revistat Foreign Affairs dhe Le Monde Diplomatique janë busulla e ime politike. Krahas me këto lexime, unë ndjek shtypin shqiptar të Shqipërisë (ma pak të Kosovës dhe Maqedonisë për arsye teknike). Natyrisht, dy gazetat tona këtu Dielli dhe Illyria, jane mjaft cilësore dhe plotësojnë nji nevojë të madhe për mergatën tonë. Ndiej nji nevojë të fortë shpirtnore me mbajtë kontakt me vendin tim të lindjes, si dhe me botën ku jetoj. Kur paraqitet rasti me thanë dy fjalë, atëherë shkruej ashtu si mendoj për zhvillimet që ma të shumtën më dëshprojnë…dhe kjo ashtë e shpeshtë.

     PYETJE:: Dhe jeni plot energji!

  1. REPISHTI: Mos u çuditni: ky 93 vjeçar shkon në palestër 4-5 herë në javë për ushtrime gjimnastikore.Me ndihmojnë shumë.

PYETJE:: Ju ende jeni i vemendshëm ndaj ngjarjeve, veçanërisht atyre në trojet shqiptare, dhe vazhdoni të përcillni kritika, ide, mesazhe. A ndjeheni i lodhur dhe i trishtuar pse këshillat e mesazhet bien në vesh të shurdhër, pasi klasa politike vazhdon t’ia cenojë imazhin Shqipërisë?

S REPISHTI: Jo! Seriozisht jo! Sepse mbas 60 viteve në Botën e Lirë, dhe me edukatën arsimore që mora në shkollat dhe institucionet amerikane (dhe franceze) kam fitue aftësinë me lexue, me peshue, dhe me gjykue mendimet e të tjerëve me gjakftohtësi dhe sidomos mos me ra në kurthin e megalomanisë dhe përfundimit se mendimi im ashtë i vetmi mendim i drejtë. Edhe në rastin kur jam plotësisht i bindun që kam të drejtë, ka nji përqind mundësi që mund të jemë gabim. Ky dyshim i vogël, nuk më lejon me u ba fanatik. Mentalitet i rrallë në botën shqiptare…..

PYETJE:: Ju jeni një dëshmitar aktiv i përjetimit të diktaturave ekstreme, si nazi-fashizmi ashtu edhe komunizmi. Të parat, ju hodhën në barrikadën e idealistëve; tek e dyta, patët fatin e keq të ishit viktimë e dhunës ekstreme. Ish Presidenti bullgar Zhelio Zhelev, tek i krahason këto diktatura, ka nxjerrë përfundimin se fashizmi dhe nazizmi kanë një “të mirë”, se janë afatshkurta krahasuar me komunizmin që jeton gjatë dhe ‘han’ veten. Përfundimi që keni nxjerrë ju nga përjetimi vetiak i këtyre diktaturave, cili është?

S REPISHTI: Dallimi në mes të tri diktaturave ashtë vetëm nga ngjyra.Të tria kanë nji objektiv: shtypjen e individit,heqjen e lirive personale, dhe forcimin e konformitetit të shoqënisë, ku çdo qytetar ashtë vetëm nji “objekt”që shërben “partinë” dhe asgja ma shumë. Unë kam përjetue të tri diktaturat dhe me humbje të mëdha: babaj ka qenë viktimë e fashizmit italian; kushërini i parë u ekzekutue nga nazistët gjermanë; nana, vëllau e motra u internuen në Berat dhe në Tepelenë. Unë, student 21 vjeçar, jam torturue randë, kam vuejtë dhjetë vjet në burg dhe jam arratisë me rrezikun e jetës.

Shoqënia shqiptare ka pësue nji degradim të madh gjatë viteve të diktaturave, rrjedhimet e të cilit i ndjejmë edhe sot. Duket sikur nga dhimbja e madhe, shqiptarët janë çveshë nga koncepti i lirisë qytetare dhe i dinjitetit personal. Sot ata jetojnë në botën e konfuzionit politik, ekonomik e shoqënor që ka krijue nji klasë politike të pandërgjegjëshme për fatin e vendit e të qytetarëve, dhe që karakterizohet nga moskokëçarja, korrupsioni, dhanja mbas pasunisë së pistë, dhe drogave e dëfrimeve degraduese e moralisht të dënueshme. Uroj që kjo të jetë nji fazë kalimtare, dhe sa ma e shkurtë. Shqiptarët meritojnë nji qeveri ma të mirë se këto të viteve të fundit. Ata meritojnë të jetojnë të lirë nga frika dhe të lirë nga uria, të jetojnë si qytetarë të ndërgjegjshëm dhe aktivë.

PYETJE::Diku keni shkruar se akti rebel, kur i thatë jo diktaturës, pothuajse ju vrau, por dhe ju çliroi. Në ç’kuptim ju çliroi?

S REPISHTI: Ky përshkrim ashtë i influencuem nga fryma ekzistencialiste franceze, dhe u shkrue gjatë studimeve të mia. Na, të gjithë na, jetojmë në nji botë ku çdo ditë gjindemi para nji “situate” që kërkon nji “zgjedhje” (le choix, the choice). Kjo ‘zgjedhje’ ka dy mundësi: bahet me ndërgjegje të pastër (la bonne foi) pavarësisht nga konsekuencat që vijnë, por që jep përshtypjen se ju jeni zot i fatit tuej, pavarësisht nga pengesat shoqënore; ose bahet pa bindjen tuej, me “kënaqë” dëshirën ose urdhnin e “tjetrit”(la mauvaise foi) dhe në kundërshtim me bindjen tuej. E para ashtë “vepër në frymën e bindjes personale”, dhe e dyta në frymën e shtypjes dhe detyrimit që vjen nga “tjetri” që mund të jetë nji individ ose nji organ qeveritar ose shoqënor. Ndërsa ‘zgjedhja’ e parë ju ban të lirë pavarësisht nga konsekuencat, e dyta ju ban përgjegjës për aktin tuej të ulët.Ju keni dorëzue lirinë tuej në duert e “tjetrit”. Këtu “tjetri” ashte “anmiku” i juej.

Kur unë refuzova “ofertën”, mora në duert e mia fatin tim, pavarësisht nga konsekuencat… por e ndjeva veten të lirë, sepse kundërshtova forcat që dëshirojshin asgjasimin tim, vdekjen time morale. Edhe sot, përsëri mendoj që veprova ashtu si më diktonte ndërgjegja në atë moment. Këte qendrim e mbajnë vetëm njerëzit e lirë, zotë të fatit të tyne! Pagova çmimin: edhe pesë vjet tjera në burg…. por shijova lirinë e vertetë!

PYETJE:: Profesor më ka mbetë në mendje një skenë dramatike tek rrëfimet tueja “Nën hijen e Rozafës”: 20 nentor 1947. Po ju çojnë bashkë me të burgosurit e tjerë nga Sigurimi tek Gjykata e Shkodrës. Turma e irrituar, pa e ditur se ç’farë “krimesh” kishit bërë, shpërtheu në histeri: “Trathëtarë…Plumbin ballit!…Skene tronditëse..”Si e kujtoni ju atë skenë dhe çfarë mendoni për manipulimin e turmave?

S REPISHTI: Ka qenë nji tragjedi kombëtare! Nji popull i tanë i detyruem me u shnjerëzue deri në atë pikë sa të kërkojë vdekjen e nji qytetari të pafajshëm. Sepse edhe sot mendoj që kam qenë i pafajshëm! Akoma pa ndigjue akuzat, turma pa tru bërtiste “plumbin ballit”! Sepse ashtu ishte udhëzue nga autoriteti shtypës.

Nji përvojë tronditëse: në vitin 1944, u vra nji shok i imi nga gjermanët. Unë shkova për ngushëllime në familje. Nana e viktimës që ishte në sallë gjatë gjykimit tim, kur të tjerët thirreshin “plumbin ballit!  ajo ngrihej dhe tue më shikue drejt në sy, përsëriste thirrjen banale. E pabesueshme, për shokun e djalit të vramë….!

Në fillim, u trondita sepse më shkoi në mend akti i ekzekutimit, i vetëm dhe në nji mënyrë barbare. Sapo kisha dalë nga nji hetuesi 14 mujore torturash të egra. Isha i ri, 21 vjeçar, nuk e kisha shijue jetën dhe po vdisshe në nji mënyrë tmerruese. Pak nga pak, fillova të ndërgjegjsohem për gjendjen, dhe fillova të kemë mëshirë për këto masa të paedukueme, dhe të indoktrinueme me urrejtë; vetëm me urrejtë me urdhën nga nalt. Nuk di sa koshient ishin ata që bërtisnin, por në fëtyrën e tyne unë shihshe nji përkrahës të krimit dhe të kriminelit dhe kjo më errësonte sytë…dhe gjykimin e këtyne “viktimave” të propagandës çmendëse komuniste, dhe të frymës së terrorit që ajo shpërndante. Në këto momente, shihej ma mirë se kudo, dhe kurdo, shtazëria e diktaturës, në këte rast diktaturës së proletariatit, dhe çnjerëzimi i plotë i turmave të gënjyeme.Shumë e vështirë me dëshmue dhe me u gjykue me gjakftohtësi….!

PYETJE:: Në skutat e qelive dhe torturat e hetuesisë, në kampet e tmerrshme të punës dhe në qelitë e burgjeve, ju ratë në kontakt me xhelatin që torturon dhe me viktimën që torturohet. Cili është vlerësimi i juaj për shpirtrat njerëzorë të të dy kategorive?

S REPISHTI: Në fakt, ashtë përleshja në mes të dy botëve diametralisht të kundërta. Ashtë vdekja kunder jetës, dhe përfundimi ashtë fitorja e njenës dhe humbja e tjetrës. Për fat të keq, vdekja doli fituese shpesh herë në vendin tonë komunist, dhe kjo përshtypje pothuejse e përgjithëshme ka karakterizue atmosferën shoqënore në vend. Vdekje nga çdo mënyrë dhe në çdo vend e në çdo kohë….ose frika e vdekjes që rrin mbi kokët e qytetarëve ditë e natë….Nji mbijetesë e vështirë dhe me rezultate që nuk përmirësohen edhe kur prezenca e vdekjes ndjehet ma pak…nji fenomen që dëshmojmë sot në Shqipërinë tonë martire….

Sot, unë mendoj se dola fitues dy herë: e para, refuzova me urrejtë xhelatin që më merrte shpirtin në torturë; dhe e dyta, dashunova pa kufi viktimën që priste vdekjen çdo orë. Nji pozicionim i këtill me shpëtoi dinjitetin.

PYETJE:: Çfarë ka mbetë në kujtesën tuaj nga bashkëvuajtësit e qelive?

S REPISHTI: Këtu qendron bërthama e rezistencës kundër së keqes së madhe komuniste: qendrimi heroik i  “kolegëve” që vuejshin në qeli, pa faj, pa arsye, pa kuptue se ç’ndodhëte rreth tyne…Disa prej tyne përfundojshin para skuadrave të ekzekutimit pa njoftim deri në ditën e fundit…ose në dhomat e torturës ku fshihet bisha që na mbajmë mbrenda vetes e që çfaqet në raste të këtilla. Rezistenca e “bashkëvuejtësve” ka qenë elementi themelor i guximit tonë me rezistue si ata, mos me u turpënue, mos me u dorëzue, me shpresue në ditë ma të mira edhe në netët ma të vështira të jetës së zezë nën torturë. Bashkëvuejtësit e mi: ata janë herojt e mi, ata meritojnë falënderimin tim, sepse ata më mbushën me shpresë dhe me guxim tue ndjekë shembullin e tyne në moshën 21 vjeçare….

PYETJE:: Ju mbeteni nji ikonë shqiptaro-amerikane, luftar aktiv i “të drejtave të njeriut”. Si, kur, dhe në cfarë rrethanash nisi “beteja” juaj për mbrojtjen e të “Drejtave të Njeriut”?

S REPISHTI : Betimi im i mbrendshem mos me “u shnjerëzue” mos me trathëtue veten dhe shokët, u krijue shpejt mbas arrestimit dhe mbas torturës së ditëve të para që më shkatërruen në fillim, dhe më ngriten ma vonë në piedestalin e rezistencës kambëngulëse. Mbrojtja e “të drejtave të njeriut” akoma e pa formulueme zyrtarisht, dhe e pa kuptueme mirë, lindi nga nevoja urgjente, primordiale, mos me lejue të tjerët të kalojshin nepër provët e mia dhe të torturoheshin ashtu si unë e të tjerë si unë, kudo qoftë në botë dhe kurdo qoftë në kohë. Unë jam akoma i bindun sot, 72 vjet ma vonë, se mbrojtja e jetës, dhe dinjitetit të çdo qenie njerëzore ashtë detyra ma e naltë dhe misioni ma fisnik i çdonjenit nga ne, sot dhe nesër. Përsa kohë që ka burra, gra, fëmijë të pafajshëm që vuejnë për çdo arsye qoftë dhe në çfarë do mënyre qoftë, duhet të jetë detyra e çdonjenit nga ne me luftue këte të keqe pa kompromis. Çdo spjegim, çdo justifikim me i ikë kësaj detyre të shenjtë nuk ka vlerë. Çdo gja tjetër ashtë e dorës së dytë. Respekti për jetën dhe dinjitetin e çdo personi ashtë në krye të listës së detyrimeve tona në jetë.Nji parim themelor i këtill na frymëzoi edhe në burgje e kampe pune të detyrueshme,dhe krijoi nji lëvizje solidariteti me ata që vuejshin ma shumë se na: me ndihmue, me përballue së bashku, me qetësue shpirtrat e trazuem, me ngushëllue ata që nuk ngushëlloheshin, e kështu me rradhë… !

Kam ardhë në përfundimin se me prue buzëqeshjen në fëtyrën e nji  njeriu që vuen ashtë suksesi i madh në jetë; dhe, me thye zemrën e nji qenie të pafajshme ashtë dështimi i plotë në jetë!

PYETJE: : Duke e kthyer veshtrimin pas, a mund të sillni copëza historie nga kjo betejë e gjatë, që nisi në 1965 në Kongresin Amerikan, Departmentin e Shtetit etj…?

S REPISHTI: Nji rrëfim! Kur zbrita në aeroportin e New York-ut, prill 1962, akti i parë ka qenë gjunjëzimi dhe puthja e truellit amerikan. Kjo natyrisht sepse kuptova që nuk jam përsëri në rrezik me u kthye mbrapa, ose me u vra në nji skutë të errët të kampeve famëkeq të refugjatëve ku mbretnonte kaosi i vertetë. Po edhe ma shumë: e konceptueme si vendi i lirisë dhe demokracisë, SHBA paraqiste për mue, për ne të gjithë,, rastin ma të shkelqyeshëm me ndihmue shokët e vuejtjeve në Shqipëri, dhe kudo që ata ishin në të gjithë botën, tue popullarizue gjendjen e tyne të vështirë dhe pa rrugëdalje, vuejtjet e tyne dhe shpresët e tyne.

“Errësinë në mes të ditës” (Arthur Koestler) ashtë titulli i nji romani që më ka tronditë me tregimet e tia, dhe që unë dëshiroj me përkthye. Vuejtjet janë smundje që kanë dërmue miljona në gulage, burgje e kampe tjera internimi ku kishin kalue vite të gjata.

Në SHBA, bota ishte teatri i akteve të mia, dhe të persektuemët ishin aktorët me të cilët unë luejshe dramën time në favor të të gjithë atyne që nuk kishin za me folë, as pendë me shkrue, as mundësi me tregue në çfarëdo mënyrë qoftë botën e errësinës ku ata akoma jetojshin, familjarët e mi, e kujtimi i të cilëve më prishte gjumin e natës çdo ditë që kalonte pa lajm….Janë akoma gjallë, apo kanë vdekë?

Për arsye të frikës nga persekutimi i matejshëm i familjarëve, unë u kufizova publikisht mbrojtjes së të drejtave të popullsisë shqiptare në ish Jugosllavinë, dhe Çamërinë. Gjatë nji qendrimi të shkurtë në atë vend anmiqsor, dëshmova vuejtjet edhe trajtimin shnjerëzor të bashkatdhetarëve të mi shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Preshevës…. asajë që shpesh i referohemi si “Shqipëria Lindore”.I mblodha këto kujtime, i ruejta si nji dhuratë e shtrenjtë, dhe kur u paraqit rasti, i tregova botënisht, tue informue publikun ndërkombëtar për këte dhunë të pameritueme, dhe nevojën me e ndalue.

Dëshminë e parë e kam ba në Kongresin amerikan në prill 1965. Mbas kësaj paraqitje, dëshmitë e mia në Kongresin amerikan, e ma vonë edhe në Shtëpinë e Bardhë, dhe në Departmentin e Shtetit, me gojë e me shkrim, kanë qenë të shpeshta dhe kanë pasë nji jehonë pozitive.(lexojeni te plote ne Diellin e printuar)

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, Interviste, Prof. Sami Repishti

DËSHMI ARKIVORE PËR ULQIN DHE RRETHINËN E TIJ

May 31, 2018 by dgreca

Nail_DragaNga Dr.Nail   Draga*/

1 Hajrulal Hajdar.JPG

Në gamën e gjerë të publikimeve shkencore burimet  arkivore  paraqesin lëndën bazë të hulumtimit dhe studimit të çështjeve përkatëse  sipas profilit profesional të autorëve të ndryshëm. Eshtë çështje tjetër se sa arkivat kanë qenë të hapura për studiuesit tanë duke ditur ngjarjet e kaluara dhe paragjykimet qe kanë ekzistuar ndaj ne shqiptarëve. Një konstatim i tillë vlen sidomos  për ne shqiptarët këtu në Mal të Zi, të cilët duke qenë në margjina të shoqërisë,  arkivat dhe lënda arkivore pothuaj ka qenë dukuri e panjohur ne   sistemin monist sepse pasojat ishin evidente.

Por,  pas dështimit të sistemit monist, disa studiues treguan interesim dhe guxim për hulumtime arkivore në Arkivin e Shtetit të Malit të Zi në Cetinë. Ndër ata persona  bën pjesë edhe Hajro Hajdari, i cili  ndonëse me profesion është  jurist  ai me plot pasion është interesuar për hulumtimin  e  kësaj lënde nga koha e Kongresit të Berlinit e më pas. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse nga ajo kohë filloi dezintegrimi i hapësirës etnogjeografike shqiptare, ku në sajë të vendimeve të padrejta vise shqiptare iu dhënë si dhuratë vendeve fqinje, ku  bën pjesë edhe Mali i Zi. Pra kemi të bëjmë me kohën  kur  popullsia e viset shqiptare të aneksuara nën administrimin e ri  sfiduan rrethanat e kohës duke  mbijetuar në hapësirën e tyre etnogjeografike.

Pas librit të tij të parë “ Shqiptarët në Mal të Zi nga Kongresi i Berlinit deri më 1941”, Botoi:Art Club, Ulqin, 2016“, Hajro Hajdari i paraqitet opinionit me librin e tij të dytë me titull ”Ulqini në dokumentet malazeze 1880-1915”. Nga vet titulli del se kemi të bëjmë me një botim të veçantë me  dokumenta te prezantuara  që  i përkasin përiudhës kohore 1880-1915 dhe vijnë  të përkthyera në shqip nga vet autori. Duhet cekur së lënda arkivore është hulumtuar dhe është përdorur gjatë përgatitjes së botimit të librit të parë, ndërsa tani  përzgjedhja e dokumentave paraqitet  në formën e tyre të plotë, duke qenë   dëshmi  autentike për pozitën dhe statusin  shoqëror që kishin shqiptarët, përkatësisht  Ulqini dhe rrethina e tij në këtë periudhë kohore. Dhe janë pikërisht  këto dokumente  që dëshmojnë në mënyrë transparente rrethanat e kohës nën pushtetin e ri malazias.

Duke analizuar disa dokumente të tilla del qartë politika e kohës e pushtetit të principatës së Malit të Zi në territorët e reja të dhuruara  e sidomos qendrimin e  popullatës shqiptare ndaj administratës së re malazeze. Kështu kemi të bëjmë me rezistimin e  shqiptarëve  ndaj pushtetit  sidomos, me mosdergimin e fëmijëve në shkollën serbe,  pastaj  mosshkuarja  në shërbimin ushtarak si dhe refuzimin e bartjës së flamurit malazias në anijet e tyre në det.

Dhe nga një qendrim i tillë nuk ka dilemë se kemi demoralizimin e popullsisë shqiptare ku si pasojë kemi  emigrimin në Shkodër e gjetiu në Shqipëri, që ndikoj dukshëm në zvoglimin e popullsisë së Ulqinit. Ishte kjo politika përfide e pushtetit sepse  ndaj atyre qe ishin shpërngulur pushteti kishte marrë masa me iu konfiskuar edhe  pronat, nga del se kishim të bënim me një pastrim të heshtur  etnik. Ndërsa nga ana tjetër kishte filluar kolonizimi i Ulqinit dhe rrethinës me malazez, duke iu dhurar prona kolonisteve në Fushtë Ulqinit, Mal të Brisë, Zogaj etj. Sipas burimeve të publikuara del se në periudhën kohore 1881-1892 në Ulqin janë vendosur rreth  400 familje kolonistësh malazez.

Se si ka ndryshuar struktura e popullsisë në Ulqin    dëshmohet edhe me dhënat për numrin e banorëve të Ulqinit  në vitin 1899 ku gjithsej ishin të regjistruar 4306 banorë apo  934 shtëpi e nga to 671 shtëpi shqiptare (71.84%) dhe 263 shtëpi malazeze (28.15%). E dhëna e tillë është e mjaftueshme për të kuptuar politikën kolonizuese të pushtetit të Malit të Zi të kohës, e cila si mision politik shtetëror kishte ndryshimin e strukturës kombëtare të popullsisë, sepse deri në vitin 1880 këtu nuk ka pasur popullsi të përkatësisë malazeze sepse ka dominuar në mënyrë absolute popullsia shqiptare.

Me mjaft interes janë të dhënat për numrin e vendbanimeve dhe shpëndarja e tyre hapësinore në njësinë territoriale të njohur me emrin e kapetanisë. Nga të gjitha dokumentat e botuara duhet veçuar Protokollin e haraçit të vitit 1882, që ka të bëjë me regjistrimin e familjeve dhe të pasurisë që pushteti mendonte për mbledhjen e haraçit për qytetin dhe  vendbanimet  përkatëse.Janë këto të dhëna me interes sepse  banorët paraqiten me emër dhe mbiemër. Po ashtu duhet cekur se patronimet e familjeve në dokumenta paraqiten në formën origjinale  ku shumë kush sot mund të gjejë paraardhësit e tyre.

Me këtë rast po cekim disa patronime familjare të kohës në pesë lagjet e Ulqinit (Kala, Ranë, Mëhallë të re, Meteriz, dhe Mera) të cilët janë: Alibegaj, Ahmeti, Arapi, Axhemi, Beci, Beti, Broci, Bazi, Bushati, Brajsha, Bilali, Brisku, Cakuli, Cungu, Canka, Çapuni, Çapra, Çoça, Çela,  Musta, Muçoja, Mani, Duraku, Dervishaga, Dibrani, Dermani, Elezaga, Lazoja, Lazorja, Lajka, Lamoja, Lula, Lika, Lisha, Luca, Llunji, Leka, Fani, Fici, Fteja,  Neli, Noga, Gorana, Guçi,Gjyli, Gjura, Selita, Sadiku,  Spahija, Shurdha, Mujali, Malokraja,  Mema, Mollabeqiri, Kadija, Kasmi, Kasa, Kashi, Kalavrezi, Karamanaga, Katana, Komina, Kovaçi,Kollari, Kruja, Kroma, Krymi, Milla, Molla, Misheri, Pali,Pulti, Peku, Rashketa, Resulani, Hasanaga, Hamoj, Hoti, Hoxha, Ishmi, Qurkanj, Shata, Vogli, Vuli, Tafili, Tafa, Tuzi, Truma, Tirana, Tivari, Xhuxha, Zuberi, Zenka, Zhugjeli  etj.

Ndërsa çështje të veçantë paraqet  deformimi i patronimeve të shqiptarëve nga administrata  e pushtetit  duke filluar nga fillimi i shek.XX., duke iu mveshur pothuaj të gjithë patronimeve të shqiptarëve  prapashtesën sllave viq dhe iq. Ishte ky realizimi   praktik i misionit  politik  të pushtetit për sllavizimin e popullsisë shqiptare, pasojat e të cilës janë të pranishme edhe në ditët tona.Në këtë aspekt në këtë botim ofrohen të dhëna autentike që dëshmohet përmes dokumentave të publikuara në këtë periudhë kohore.

Po ashtu duhet theksuar se nga dorëzimi i Ulqinit Malit të Zi nga nëntori i vitit 1880,  shumë familje ulqinake në shënjë të pakënaqësisë me pushtetin e ri  kanë emigruar në Shkodër apo Durrës që llogaritet se numri i familjeve të tilla arrin ne 413. Madje  ende sot e kësaj dite familjet e tilla ulqinake  mbajnë patronimet e tyre që i kanë pasur në Ulqin, duke qenë dëshmi autentike e origjinës së tyre.

Nuk ka dilemë së duke analizuar këto dokumente del se kemi të bëjmë me çështje shumëdimensionale si: politike, arsimore, ushtarake, demografike, sociale, ekonomike, turistike etj. Andaj çdo studiues varësisht prej profilit profesional ka mundësi për ti shfrytëzuar dokumentat në fjalë që janë në favor të temave përkatëse në lidhje me Ulqinin dhe rrethinën e tij të ngushtë në këtë përiudhë kohore. Pa dyshim  këto dokumente pasurojnë fondin në fjalë, çështje kjo e cila mbetet e hapur për tu plotësuar nga arkivat e vendeve të tjera që në mënyrë direkte apo indirekte ka të bëjë më Ulqinin, i cili në dekadën e tetë të shek.XIX, ishte në fokus të diplomacisë ndërkombëtare evropiane.

Dokumentat e publikuara  dëshmojnë për rrethanat shoqërore të kohës më të cilat është ballafaquar populli shqiptar në këtë mjedis, i cili me shumë sakrificë  ruajti dhe mbrojti identitetin e vet kombëtar.Duke marrë parasysh se hulumtimi dhe sistematizimi i tyre dokumentave  nuk ishte punë e lehtë por sakrificë personale e profesionale për autorin, këtë botim e vlerësojmë si një dhuratë të çmuar nga autori për të gjithë ata që iu intereson të dijnë për Ulqinin në këtë  përiudhë kohore. Andaj si i tillë ky botim  pasuron regjistrin  e botimeve të autorëve ku si preokupim  profesional kanë të kaluarën e qytetit të  Ulqinit  që pa dyshim  do të mirëpritet nga opinioni i gjerë shkencor e kulturor.

*Dr.Nail   Draga- (Lexuar me rastin e përurimit të librit në Ulqin me 14 maj 2018, në organizim të “Art Club-it” dhe Qendrës Kulturore- Hajrullah  Hajdari  ”Ulqini në dokumentet malazeze (1880-1915)”; Botoi: Art Club, Ulqin 2018)                                                                               

Filed Under: Histori Tagged With: Deshmi Arkivore, DR. NAIL DRAGA, Hajrulla Hajdari, Ulqini

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 301
  • 302
  • 303
  • 304
  • 305
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT