• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

…një botim pas vdekjes

September 1, 2019 by dgreca


Nga Astrit Lulushi/

Për një person që kryesisht lexon, Betim Muço (1947 -2015) është autori i shumë librave në poezi e prozë, që nga fundi i viteve 1960, shkruar të gjitha në kohën e lirë, sepse me profesion ai ishte shkencëtar i fizikës nukleare. Libri i tij i fundit “Yjet janë fare pranë” (2017), u bë një dedikim për Betim Muçon, sepse ai vdiq papritur, pa mundur të shkruajë faqet e fundit. Dhe padashur të trazojmë kujtimet, ishte bashkëshortja e tij, Marta, e cila bëri të mundur që romani të përmbyllej e botohej.


“Yjet janë fare pranë” është roman historik-autobiografik, ku kujtimet e fëmijërisë, Betim Muço i ndërthurr aq mjeshtërisht me ato të pastajme; që nga fillimi dhe ndryshimi i një sistemi, jeta në tranzicion dhe mërgimi. Autori e gërsheton punën e tij në një institucion shkencor, me bukurinë e punës së një poeti e shkrimtari.
Librat e Betim Muços, të gjitha, rreth 30, mund të dashurohen në mënyrë të barabartë nga lexuesit fëmijë, të rinj e të moshuar. Librat e tij për të gjitha moshat, shijohen nga një rreth i gjërë lexuesish. Për këtë arsye (ose ndonjë tjetër), duke patur parasysh betejat e ashpra ideologjike (lufta me bërryla) të shkrimtareve të asaj kohe, librat e Betim Muços nuk provuan suksesin e menjëherëshëm që duhej të kishin. Lavdet përzgjidheshin vetëm për pak shkrimtarë, fama e të cilëve ulej e ngrihen sipas fatit të elitës komuniste. Por këtë shpërfillje, Betimi e përdori si nxitje e frymëzim; dhe tani shohim se bashkëshortja e tij, Marta Muço, qëndroi përkrah tij si personi më i rëndësishëm i këtij suksesit. Ishte Marta, e cila pas botimit të disa librave në poezi e prozë që Betimi la pas, shkroi edhe faqet e fundit të romanit “Yjet janë fare pranë”, e pajisi me një parathënie dhe e botoi atë në Tiranë, “Është një këngë e bukur për dashurinë njerëzore”, thotë Marta, siç janë të gjitha librat e Betimit. Edhe një shkollë sot në kryeqytet mban emrin e tij.

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi-Nje botim pas vdekjes-Betim Muço

KUJTOJMË AT ZEF PLLUMIN NË DITËN E LINDJES

August 28, 2019 by dgreca

At Zef Pllumi u lind me 28 gusht të vitit 1924 /

Meshtar françeskan, shkrimtar. Lindi më 28 gusht të vitit 1924, në Malin e Rencit (Lorencit), në Shëngjin, në një familje me origjinë nga Shkreli. U pagëzua me emrin Prenkë. Në vitin 1929, në moshën 5 vjeçare, u bë nxënës i misionarit gjerman Alfons Tracki, në Velipojë. Në vitin 1931 hyri në Kolegjin Françeskan të Shkodrës, ku ndoqi të gjithë ciklin e arsimimit, deri në vitin 1944. Në vitet 1943-1944 bashkëpunoi me revistën
«Hylli i Dritës» dhe u zgjodh sekretar personal i Át Anton Harapit, aso kohe Provincial i françeskanëve në Shqipëri. Gjatë kohes që ishte dhjak, Át Antoni e vuri të ndihmote në Arkivin Françeskan. Ishte 22 vjeç, kur më 14 dhjetor 1946,  u arrestua dhe dënua me tre vjet burg. Shkak për arrestimin e tij, sikundër thotë dhe vetë, ishte sepse duke qenë sekretari personal i Provincialit, komunistët mendonin se duhej të dinte shumë dhe
se nga ai mund të nxirrnin informatat e duhura. Dënim e vuajti në «Burgun e Madh» të Shkodrës dhe në kampet e Bedenit në Myzeqe dhe të Orman-Pojanit në Maliq të Korçës. Pas lirimit u kthye në Kuvendin Françeskan. Në vitet 1949-1951 u mor me numizmatikë, si teknik i Muzeut të Shkodrës. Në vitin 1956 u shugurua meshtar dhe, për 12 vjet shërbeu si meshtar i Dukagjinit me qendër në Shosh, për ku u nis më 14 shtator 1958, bashkë
me provincialin, Át Augustin Ashikun. Në vitin 1967 u arrestua sërish dhe për 23 vjet vuajti dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme, si në Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll, Tiranë. U lirua më 1989. Një vit më vonë, Natën e Kërshëndellave, filloi meshtarinë në Kishën e Shna Nout në Tiranë, deri në vitin 1997. Nga viti 1993 gjer më 1997 rinxorri revistën «Hylli i Dritës». Gjatë këtyre viteve shkroi dhe botoi trilogjinë «Rrno vetëm për me tregue», vëllimet «Françeskanët e mëdhenj», «Frati i pashallarëve Bushatli, Erazmo Balneo» e «Ut heri diçebamus-siç i thonim dje». Një ndër nismat e tij më me vlerë është dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë. Në vitin 2006 Presidenti i Republikës e dekoroi me Urdhërin «Nderi i Kombit». Po këtë vit iu dha edhe çmimi letrar «Penda e Artë», e akorduar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, për trilogjinë me kujtime «Rrno vetëm për me tregue». Vdiq më 25 shtator të vitit 2007 në spitalin Gemelli në Romë, dhe u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër.( Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist III (Tiranë: ISKK, 2014), 234.)

 ***

At Zef Pllumi, i biri i Gjetos dhe i Lukes, lindur në Bogë të Koplikut më 1924 dhe banues në Mal të Rencit, me profesion xhakon, ka kryer të tretin kurs Theollogjik, arrestuar më datën 15/X/1946. Dënuar më 8 janar 1948 nga Gjykata Ushtarake e Shkodrës me 3 vjet burg.

SKEDA

Emër/Mbiemër: Zef Pllumi
Atësia: Gjeto
Vendlindja: Bogë Koplik
Datëlindja: 28/8/1924
Profesioni: Frat françeskan, Shkrimtar
Datë Vdekja: 25/9/2007
Vënd Vdekja: Romë
Arsyeja e Vdekjes: Vdekje natyrore
Rrethanat e Vdekjes: I Lire
Gjyqi
Data e Arrestimit: 14/12/1946
I Torturuar: Po
Akuza: “Ishte sekretari personal i Provincialit”
Dënimi: 3 vjet Burg
Prokurori: Namik Qemali
Data e Vendimit: 8/1/1948
Gjykatësi: Misto Bllaca, Anastas Koroveshi, Xhemal Bejtja
Gjykata: Gjykata Ushtarake e Shkodrës
Gjyqi i dytë
Data e Arrestimit: 1967
Dënimi: 23 vjet Burg
Data e Lirimit: 11/4/1989

(Kortezi: kujto.al)

***

Si e kujton At Zef Pllumi hetuesin Shyqiri Çoku, që Qeveria e dekoroi për 29 Nëntor

Hetuesi që do t’i “hapte” derën e burgut dhe kalvarin 23­vjeçar të vuajtjeve në qelitë e komunizmit, At Zef Pllumit është dekoruar 1 vit më parë nga ministria e Mbrojtjes me “Medaljen e Mirënjohjes”. Shyqyri Çoku, për torturat e presionet çnjerëzore të të cilit, At Zef Pllumi ka shkruar një kapitull të veçantë në librin “Rrno vetëm për me tregue” është nderuar nga qeveria për kontributet e dhëna për Çlirimin e atdheut nga pushtuesit nazifashistë. Dekorata i është akorduar 1 vit më parë me rastin e 70­vjetorit të Çlirimit. “Gazeta Shqiptare” boton sot disa fragmente të shkurtra nga libri i At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregu” ku ai rrëfen për hetuesin e tij, Shyqyri Çoku.

Fragment nga libri “Rrno vetëm për me tregue”

At Zef Pllumi

LIBRI III

ROBNIA E GJATË

1967­1989

GJYQET E POPULLIT VAZHDOJNË

Ditën e gjykimit më thirrën shpejt. Dola i veshun e i mathun me ato tesha të reja. Në dhomën e hetuesit ishte vetëm Shyqyri Çoku. Më foli pa u ulë në karrigë.

– Tash po del në gjyq dhe atje fol lirisht si të duesh e shka të duesh, por mendo se mbas gjyqyit prapë këtu në duert tona vjen. E kupton apo jo? A e ndigjove mbramë atë që lëshonte britma të tmerrshme? Ta bajmë ma zi se atij në rasë se i përmendë fjalimet e shokut Enver Hoxha. Na nuk durojmë ta shajsh publikisht.

– Un nuk e kam sha, por vetëm të kam tregue fjalimet e tij fjalë për fjalë. Pse i shkrueve ti në procesverbal?

– I shkrova se i the ti.

Gjatë përpilimit të procesverbalit Shyqi (Shyqyri Çoku) më kishte pyetë se si e konsiderojshem un mbylljen e kishave. Iu përgjigja se ishte veprimi ma i gabuem i Pushtetit Popullor, sepse lirinë e fesë e garantonte nji nen i veçantë I Kushtetutës, mbi të cilin ishte perpilue edhe ligji “Mbi komunitetet fetare”. Përveç kësaj në nji prej fjalimeve të Enver Hoxhës, i mbajtun në Rrëshen në vjetin 1954, thohet tekstualisht se “propaganda kapitaliste e revizioniste çirret me të madhe se në Shqipëri nuk ka liri feje, se janë mbyllur kisha e xhamija. Por kur kanë ndodhur këto në Shqipëri? – pyet Enveri. – Këto gjëra mund të ndodhin atje ndër vendet borgjeze, kapitaliste e revizioniste, por jo kurr në Republikën Popullore të Shqipërisë”.

– I kam thënë ato fjalë me të vërtetë, – iu drejtova Shyqit (Shyqyri Çokut), – por ti e ngarkove me to procesverbalin për me më ngarkue sa ma shumë.

– Me të ngarkue sa ma shumë? Ti pate fatin që të mora un, shkodranë. Ti e din fjalën e popullit që thotë: “Vllau yt mishin ta han, por kockën ta len”. E sikur t’ish kenë për ty nji hetues nga jugu? Ik, ban si të duesh e fol si të duesh, para gjykatet je i lirë, veçse përsëri ndër duer tona vjen.

Atëherë thirri me të madhe:

– Jonuz, e ke gadi tjetrin?

– Zoti hetues. Ju e keni në dorë punën; ata prokurorët e gjykatësit shkë i keni dhe mund i porositni që ta kalojnë atë faqe të procesverbalit e mos të më pyesin aty.

– Jo, more jo, na nuk i porosisim ata, por vetëm të themi ty se të duem të mirën.

Jonuzi pruni Dom Nikollë Mazrekun duerlidhun. Ja hoq prangat e me ta na lidhën bashkë të dyve.

****

Te dera pritshin hetuesat Shyqyri Çoku e Dhimitër Shkodrani. Na shoqnuen deri te “kafazi i të pandehurve”. Kisha ishte plot e përmajë me njerëz. Te vendi i elterit kishin ba nji podium për trupin gjykues. Mbrapa podiumit, nalt, ishte shkrue me shkronja tepër të mëdha: “Drejtësia në shërbim të popullit”. Ndërsa pritej trupi gjykues, Shyqi (Shyqyri Çoku) më tha:

– Bukur ka dalë ky sallon i rinisë.

Iu përgjigja se arkitekt i kësaj kishe ishte kenë Fishta.

– E vetmja gja që i mungon asht ngrofja.

– Ditë kaq të ftohta janë të rralla.

– Sot asht 7 gradë nën zero, – tha Shyqi (Shyqyri Çoku).

****

Ndërsa ishem ndër këto mendime, mes asaj zhurme popullore, më preku në sup Shyqyri Çoki dhe më tha:

– Zef, motra jote asht aty, në bankën e parë. Don ta shikojsh?

– Sigurisht që po!

Në bankën e parë ishte ulun nji grue zadrimore, nji nuse; përkrah kishte burrin e vet. Shyqi (Shyqyri Çoku) shkoi dhe foli me te. Ktheu dhe më tha:

– A asht motra jote ajo?

– Jo, nuk e njof.

– Nuk e njef?

Në ças u veprue: gruen dhe burrin e saj e nxuerën nga salla. Shifej mirë se publiku aty ishte me ftesa.

*****

Shyqyri Çoku më tha: – Ti nuk ke punë me te as me të tjerët që do të flasin.

Ndërkaq të tjerët mbas tij, kund gjashtë persona, kërkuen dënimin tim me vdekje. Në të vërtetë, kur e kërkojshin ata, më dukej mjaft i largtë. Të gjithë flitshin me letra në dorë, sikur t’ishin shkrue dikund njeti. Dikur u paraqit nji grue që punonte në spital e kishte ardhë me bluzën e saj të bardhë. Tha se kishte ndigjue nga altoparlantat e radios lokale se këta priftën këtu thane se feja nuk asht kundra shkencës. Si asht e mundun që t’i thotë këto fjalë, mbasi këta vetë, kur janë të sëmundë, vijnë në spital ten e dhe kërkojnë ndihmën e ilaçeve dje jo të fesë, tha ajo.

Filed Under: Histori Tagged With: At Zef Pllumi- Kujtese

VATRA TËRHOQI “DOSJEN E SIGURIMIT”…

August 25, 2019 by dgreca

… NGA AUTORITETI PËR INFORMIMIN MBI DOKUMENTETE E ISH SIGURIMIT TË SHTETIT/

 Ditën e Enjte, 22 Gusht 2019, Editori i Gazetës”DIELLI”, Dalip Greca, tërhoqi nga Autoriteti për Informimin Mbi Dokumentet e Ish -Sigurimit të Shtetit Dosjen e VATRËS. Kërkesa ishte bërë me shkrim nga Kryetari i Vatrës z. Dritan Mishto, me 15 Prill 2019. Çështja e kërkesës së Vatrës u mor në shqyrtim në mbledhjen e datës 22 gusht 2019 në prani të Znj.Gentiana Sula, Kryetare, Z. Altin Hoxha, Anëtar dhe z. Marnglen Kasmi -anëtar.

Dosja iu dorëzua Editorit të DIELLIT, pas firmosjes së deklaratës së Konfindencialitetit në ambjentet e punës së Autoritetit. Në prani të z. Marnglen Kasmi dhe Dr. Ornela Arapi, editorit iu vunë në dispozicion dokumentacioni i administruar nga Autoriteti. Informacioni është konfidencial për deklaruesin dhe do të përdoret prej tij për qëllime studimore.

Dosja totale e Vatrës ka rreth 1056 faqe të dixhitalizuara. Ajo ka në përbërje:

1- Dosje objekti “Vatra”, nr 102, deklasifikuar me vendim nr.12, dt. 17.06.2019, me numër total fletësh 277 (të dixhitalizuara 296 faqe)

2-Dosje objekti “Vatra”, nr 128, deklasifikuar me vendim nr. 12, dt. 17.06.2019, me nr. total fletësh 491(të dixhitalizuara 582).

3- Dosja objekti VATRA, vëll 3, deklasifikuar me vendim nr.12, dt.17.06.2019, me nr.total fletësh 159(të dixhitalizuara 178 faqe).

       Dosja e survejimit të Vatrës dhe Gazetës së saj Dielli është hapur në vitet ’50 dhe ka vazhduar deri në vitin ’91 të shekullit të shkuar. Në 1056 faqet e saj janë të fshehur raportime të agjentëve të Misionit Shqiptar në Nju Jork, si dhe Drejtorive përkatëse të Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Brendshme, janë fshehur emra të rekurtuarish përreth dhe brenda Vatrës, Plane operative kundër Vatrës, Studime rreth veprimtarisë “armiqësore” të Vatrës dhe masat e Shqipërisë komuniste për ta paralizuar atë, Plan Masash Agjenturor-Operativ për ndjekjen, Zbulimin dhe Parandalimin e Veprimtarisë Armiqësore të Organizatës Vatra dhe gazetës së saj Dielli etj. Në shënjestër ishin editorët e Diellit. Sigurimi shqiptar duket se ka investuar shumë në drejtim të paralizmit të Vatrës dhe të krijimit të konflikteve të saj me organizatat e tjera nacionaliste të Diaspoërs në SHBA. Një front tjetër ishte injektimi i konflikteve brenda Vatrës duke nxitur përplasjen mes grupit të intelektualëve me vatranët e tjerë, apo vatranët e vjetër me të arratisurit, apo mes vatarnëve patriotë siç shprehen ofiqarët e Sigurimit dhe agjentëve jugosllavë brenda Vatrës apo Organizatae të tjera. Vatra në të gjitha relacionet, udhëzimet, planet operative për paralizmin e saj, etiketohet si reaksionare, armiqsore, vegël e depratamentit të Shtetit, bashkëpunëtore me FBI e CIA. Sigurimi shkon deri atje sa kërkon paralizmine  punës së editorëve të Diellit, duke filluar që me Qerim Panaritin, Athanas Gegaj, luftë e ashpër për të ndaluar emrimin e Bilal Xhaferrit si editor i Diellit dhe shumë investim për të mos lejuar ardhjen e Eduart Liços, Arshi Pipës në krye të Diellit, lufët e kurthe për të larguar Xhevat Kallajxhiun nga drejtimi i Diellit( Sigurimi shkruante Letra Anonime për demskimin e Kallajxhiut(etj etj……Etj.

Në faqet e dosjes ka pseudonime(Luani, Kështjella, Korabi, Shigjeta, Teli, Pellgu,Tablloja, Mali, Gjahtari, Vullkani, Malësia, Sazani, Shqiponja, Ngjala, Blloku,dhe pseudonime shifrore …, persona që fshihen pas shifrave, agjentë, që ushqejnë me raporte Sigurimin etj etj… Kaq sa për fillim.(Editori)

Filed Under: Histori Tagged With: Vatra-Dosja e Sigurimit

ALBANOLOGËT NGA BOTA MBLIDHEN NË KOSOVË

August 19, 2019 by dgreca

-Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, nis Seminari XXXVIII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i themeluar para 45 viteve. Programi bazë i punimeve nga 19 deri 30 gusht 2019 dhe Historiku i Seminarit…

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 19 Gusht 2019/ I themeluar para 45 viteve, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, zhvilloi sot në Prishtinë ceremoninë solemne të hapjes së punimeve në edicionin e 38-të.

Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, pjesëmarrësit me një minutë heshtje nderuan Drejtorin e Nderit të Seminarit, albanologun e shquar, akademik Idriz Ajetin, i cili ka ndërruar jetë në 13 shkurt 2019, në moshën 102 vjeçare.

Në fjalimet e hapjes, dekania e Fakultetit të Filologjisë, prof. Lindita Rugova, theksoi rëndësinë e traditës së Seminarit dhe kontributin e studiuesve për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare. “Institucioni i Seminarit është koncepti më i fortë i ndërkombëtarizimit të albanologjisë në botë, është prezantimi më me vlerë i shkencës vendore vështruar nga një kënd global”, u shpreh ajo.

Rektori i Universitetit të Tiranës, prof. Mynir Koni, vlerësoi rëndësinë historike të Seminarit dhe kënaqësinë me të cilën Fakulteti i Histori-Filologjisë në Tiranë bashkëpunon për zhvillimin e sukseshëm të Seminarit.

Nënkryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Jusuf Bajraktari, u uroi punë të mbarë seminaristëve dhe i falënderoi albanologët e shquar, të cilët vijnë nga vende të ndryshme të botës për të dhënë kontributin e tyre në Seminar.

Drejtori i Seminarit, prof. Shkumbin Munishi, tha se “edicioni i sivjetmë është një hallkë tjetër në zinxhirin e një tradite albanologjike të nisur këtu e dyzet e pesë vjet më parë”. Ai potencoi rëndësinë e bashkëpunimit me Fakultetin e Histori-Filologjisë të Universitetit të Tiranës.

Seminari XXXVIII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare gjatë punimeve nga 19 deri 30 gusht 2019 ka këtë program bazë: 1. Kurse intensive të mësimit të shqipes (tri nivele); 2. Ligjërata të gjuhësisë shqipe; 3. Ligjërata për letërsinë shqiptare; 4. Ligjërata për kulturën shqiptare; 5. Referime shkencore; 6. Ligjërata të përgjithshme; 7. Tryeza të rrumbullakëta; 8. Tryeza e doktorantëve; 9. Program kulturor plotësues për t’i njohur seminaristët me bukuritë natyrore, me veprimtari të kulturore e të mira të tjera në qendra të Kosovës.

 Temat bosht të Seminarit për sesionet shkencore (29 – 30 gusht 2019) janë:

1. Gjuhësi: Struktura e shqipes aktuale

Gjendja dhe përshkrimi i sistemit fonologjik dhe fonetik të shqipes aktuale; Gjendja dhe përshkrimi I sistemit morfo-sintaksor të shqipes; Gjendja dhe përshkrimi i sistemit leksiko-semantik dhe stilistikor të shqipes; Gjendja dhe përshkrimi I varieteteve aktuale të shqipes.

2. Letërsi: Si ëndërrohet në letërsinë shqipe

Ëndrra romantike: individi dhe shoqëria në letërsinë shqipe; Alegoritë moderne të ëndrrës; Imagjinari modern në letërsinë shqipe mes ëndrrës dhe rêverie; Ligjërimi onirik si paradigm stilistike; Ëndrra dhe letërsia fantastike; Ëndrra si “realitet” tjetër.

3. Kulturologji: Rrjetet sociale, politika dhe etika

Llojet e rrjeteve sociale; Kultura në rrjetet sociale; Mediat në rrjetet sociale; Politika në rrjetet sociale; Etika në rrjetet sociale; Drejtimet e zhvillimit të rrjeteve sociale.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1974. Ishte viti i Kushtetutës që avanconte të drejtat e shqiptarëve të Kosovës si element konstituiv me të drejtë vetoje, i federatës së atëhershme, nga shpërbërja e së cilës kanë dalë shtatë shtete.

Seminarit në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Pas çlirimit të Kosovës në qershorin 1999, nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Filed Under: Histori Tagged With: Bell Jashari-Seminari 38-Albanologet

7 VITE PA ARBËN XHAFERIN

August 16, 2019 by dgreca


Nga Frank Shkreli/
7 vite më parë, me 15 gusht 2012, ndërroi jetë, intelektuali, publicisti, politikani, por mbi të gjitha patrioti me zemër e me shpirt, i trevave shqiptare, Arbën Xhaferi.   Në jetën e përditshme, secili prej nesh takon njerëz të thjeshtë,personalitete të njohura dhe jo aq të njohura.   Pas takimit me ta, disa qëndrojnë mbi të tjerët, për nga përshtypja dhe mbresat e paharrueshme që mbeten nga takimet sa do të shkurtëra, por të mjaftueshme për të arritur në një vlerësim të personit, se çfarë e dallon atë nga të tjerët.   Për disa falënderojmë Zotin që na jepet mundësia t’i takojmë.   
Për mua, njëri nga këto përsonalitete të shquara intelektuale të botës politike dhe të publicistikës shqiptare që kam pasë fatin, nderin dhe privilegjin ta takoja, ka qenë dhe mbetet Arbën Xhaferi, i njohur si i tillë, anë e mbanë trojeve shqiptare.
Ishte viti 2005 dhe kisha vendosur që të bëja një turne fakt-mbledhës në trojet shqiptare, në kapacitetin tim si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, (KKSHA) për t’u këshilluar me krerët e politikës shqiptare dhe me përfaqësuesit diplomatikë amerikanë në rajon për raportuar mbi gjëndjen në trojet shqiptare — me të këthyer në Washington – organizatës që përfaqësoja, KKSHA-në, si dhe zyrave dhe personave përkatës të administratës dhe të Kongresit Amerikan, që merreshin me interesuar me çështjet shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Qëllimi i vizitës në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe Tetovë ishte për të parë dhe për t’u njoftuar nga afër me gjëndjen aktuale në rajon.
Pjesë e këtij turneu ishin takimet me udhëheqsit politikë shqiptarë në detyrë, në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, përfshirë edhe udhëheqsit e partive politike shqiptare, pa dallim, pozitë dhe opozitë.   Vizitën në Maqedoni, si pjesë e këtij turneu, e filluam me një takim në Amabsadën amerikane në Shkup për të marrë vlerësimin e tyre politik për gjëndjen në rajon.    Pastaj takimin e parë me përfaqsuesit politikë shqiptarë në atë vend, e filluam në Tetovë, pikërisht, duke u takuar me Z. Arbën Xhaferi, të cilin nuk e kisha takuaar më parë.   Në kapacitetin e tij si Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Z. Xhaferi pati mirësinë të na priste për një takim – të rezervuar më heret e që zgjati gati një orë — në kryeqendrën e Partisë së tij në Tetovë – ndonëse ishte e qartë se sëmundja kishte filluar t’a rëndonte.   Megjithse dukej i lodhur fizikisht, i thjeshtë në pamje dhe modest në bisedë, në të shprehur të mendimeve, Xhaferi ishte i këthjelltë dhe i thellë.   Pas përshëndetjeve fillestare të rastit dhe kafesë, filluam të flasim për situatën në vend.
Pyetjes time mbi gjëndjen aktuale politike, Z. Xhaferi iu përgjigj duke filluar të fliste për marrëdhëniet midis partive politike shqiptare në Maqedoni si edhe për marrëdhëniet e tensionuara midis popullësisë shqiptare dhe asaj maqedonase në vend.   Ndërsa po fliste për marrëdhëniet ndër-partiake, më ra menjeherë në sy, për të mos thënë se më habiti fakti, se ndryshe nga takimet e mia, pothuaj me të gjithë përfaqsuesit e tjerë të politikës shqiptare të asaj kohe anë e mbanë trojeve shqiptare — me përjashtim të Ibrahim Rugovës — të cilin nuk e kam dëgjuar kurrë të fliste keq kundër partive të tjera ose liderëve të tyre — gjatë këtij takimi, Arbën Xhaferi nuk e tha asnjë fjalë të keqe, as nuk shqiptoi ndonjë kritikë as dënim të pikpamjeve ose të qëndrimeve të udhëheqësve të tjerë të partive politike shqiptare, jo vetm të shqiptarëve në Maqedoni, por asnjërit prej tyre, anë e mbanë trojeve shqiptare, siç isha mësuar të dëgjoja në takime me përfaqsues të tjerë politikë shqiptarë, sidmos në Tiranë dhe në Prishtinë.
                                  

                            Autori me Arbën Xhaferin, Tetovë, 2005
Çfarë freskie e këndshme por e pazakontë, ndonëse e mirëpritur për politikën shqiptare, thashë me vete – një cilësi dalluese kjo që e karakterizonte Arbën Xhaferin, e që është aq e nevojshme, sidomos sot, për një dialog të qytetëruar politik në radhët e udhëheqësve partiakë në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë dhe gjithandej trojeve shqiptare.   Ndonëse nuk u shpreh, specifikisht, mbi mosmarrveshjet dhe grindjet politike ndër-shqiptare të kohës, mua mu duk se vuante nga përçarjet dhe grindjet e vazhdueshme dhe të pakuptimta në radhët e udhëheqësve shqiptarë.   Ai në të vërtetë, i dalluar nga të tjerët, shprehej gjithmonë për një politikë ndryshe në diskursin politik, ndër-shqiptar.
Respekti për të dhe reputacioni për Arbën Xhaferin, si njeri i arsyes dhe si politikan tolerant ndaj mendimeve të tjerëve, kishte tejkaluar kufijt ndër-shqiptarë.   Si i tillë, ai ka lënë përshtypje të thella, jo vetëm ndër shqiptarë, por edhe ndër të huaj, me të cilët është takuar gjatë karierës së tij, si udhëheqës politik dhe si ndër intelektualët më të shquar shqiptarë. Mbi të gjitha, Arbën Xhaferi dallohej për diplomacinë respektin dhe karakterin e tij, edhe në takimet që kishte zhvilluar me udhëheqës të huaj me përvojë dhe të njohur në fushën e politikës ndërkombëtare. Njëri prej këtyre ludhëheqësve të huaj, ish-Presidenti i Italisë, Z. Giorgio Napolitano citohet të ketë thënë për dy mendimtarë shqiptarë që i respektonte bota – atëherë dhe sot — se, “Nëse Arbën Xhaferi dhe Ibrahim Rugova do kishin qenë amerikanë, gjermanë apo francezë, ata do t’a kishin pushtuar botën me diplomaci, por për fat të keq këto dy figura i përkasin një populli shumë të vogël.”   Një atribut ky shumë me vend — për të gjithë ata që e kanë njohur atë, prej një udhëheqësi të huaj   ndaj reputacionit dhe kujtesës së Arbën Xhaferit, edhe në këtë 7-vjetor të vdekjes.
Në vazhdim e sipër të bisedës me të në Tetovë në vitin 2005, Z. Xhaferi qe ankuar se kontrata midis dy popujve, e ashtuquajtura “Marrëveshja e Ohrit”, midis shqiptarëve dhe maqedonasve në atë vend, nuk po zbatohej nga pala maqedonase, e cila siç dukej, shtoi ai, nuk i kishte marrë seriozisht punët dhe as nuk kishte për qëllim të përmbushte obligimet e marra me nenshkrimin e asaj marrveshjeje.   Si përfundim, tha ai, ajo marrveshje midis dy palëve nuk po zbatohej sipas planit nga autoritetet maqedonase – marrveshje të cilën ata e kishin nënshkruar duke marrë përsipër zbatimin e saj, në prani të dëshmitarëve ndërkombëtarë, theksoi kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare.   Në zhvillim e sipër të bisedës miqësore që patëm mbi gjëndjen politike në Maqedoni në atë kohë, Arbën Xhaferi foli edhe për zgjedhjet vendore që ishin mbajtur në atë kohë e për të cilat mbajë mend se shfaqi pakënaqësinë e tij të thellë në lidhje me procesin.   Xhaferi shpjegoi se si rezultat i problemeve me zgjedhjet, ai dhe Partia e tij kishin vendosur largimin e deputetëve të partisë së tij nga parlamenti maqedonas.
E mbyllëm bisedën me Arbën Xhaferin duke dëgjuar mendimet e tija, edhe mbi gjëndjen në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht, mbi gjëndjen në Kosovë dhe të shqiptarëve në përgjithësi.   E njoftova me atë rast Z. Xhaferi se, bazuar në burime të besueshme zyrtare të asaj kohe në kryeqytetin amerikan — Shtetet e Bashkuara, në parim — kishin vendosur në favor të Pavarësisë së Kosovës, por ndërkohë, vetëm pritej rezultati i konsultimeve përfundimtare me aleatët evropiano-perëndimorë të Amerikës, para se të bënin publik njoftimin zyrtar të Washingtonit në favor të pavarësisë së Kosovës.   Këtij lajmi, i ndjeri Xhaferi iu gëzua shumë — e priti me një buzqeshje të sinqert — duke thënë se shqiptarët në këto troje janë të vetdijshëm, por shtoi se edhe Washingtoni duhet ta dijë, se pa angazhimin serioz të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor — asgjë e mirë nuk do të ndodhë për ne, në këto trojet tona, u shpreh ai.
U largova prej atij takimi me të ndjerin Arbën Xhaferi, i ndërgjegjshëm për nderin dhe privilegjin që u njoha dhe dhe që mu dha rasti ta takoja dhe të bisedoja me njërin prej vazhduesve të punës së rilindasve të vërtetë të Kombit Shqiptar dhe me njërin prej politikanëve, intelektualëve dhe publicistëve më të dalluar të botës shqiptare në përgjithësi — vepra, filozofia politike dhe publicistika e të cilit, fatbardhësisht, mbeten një trashëgimi e artë dhe pikë referimi për frymëzimin e brezave tëardhëshëm të shqiptarëve.
Në këtë 7-vjetor të kalimit të tij në amshim, kujtojmë njërin prej burrave më të shquar të Kombit Shqiptar, me qëllim që ashtu si shumë të tjerë para tij – emri i tij të mos bjerë në harresë!


Filed Under: Histori Tagged With: Frank Shkreli-7 jet-Pa Arben Xhaferrin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 301
  • 302
  • 303
  • 304
  • 305
  • …
  • 738
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit
  • Mirëqenia mendore dhe shëndeti i sistemit tretës
  • SKËNDERBEU DHE ALFONSI I ARAGONËS: KËNDVËSHRIME TË TJERA
  • Ismail Qemali mes hafijeve dhe gjeopolitikës: Botohet për herë të parë letra e panjohur e vitit 1902
  • 8 nëntor 1462 – Dita e shkrimit të “Formulës së Pagëzimit” nga imzot Pal Engjëlli
  • GJON MILI – IMAZHET PA FORMË DHE ONEIRIZMI POETIK
  • Nëntori i historisë dhe i kujtesës kombëtare
  • FILATELIA PËRBALLË HISTORISË – 118 VJET NGA KONGRESI I MANASTIRIT
  • Portreti i një intelektuali …

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT