-Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, nis Seminari XXXVIII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i themeluar para 45 viteve. Programi bazë i punimeve nga 19 deri 30 gusht 2019 dhe Historiku i Seminarit…
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 19 Gusht 2019/ I themeluar para 45 viteve, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, zhvilloi sot në Prishtinë ceremoninë solemne të hapjes së punimeve në edicionin e 38-të.
Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, pjesëmarrësit me një minutë heshtje nderuan Drejtorin e Nderit të Seminarit, albanologun e shquar, akademik Idriz Ajetin, i cili ka ndërruar jetë në 13 shkurt 2019, në moshën 102 vjeçare.
Në fjalimet e hapjes, dekania e Fakultetit të Filologjisë, prof. Lindita Rugova, theksoi rëndësinë e traditës së Seminarit dhe kontributin e studiuesve për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare. “Institucioni i Seminarit është koncepti më i fortë i ndërkombëtarizimit të albanologjisë në botë, është prezantimi më me vlerë i shkencës vendore vështruar nga një kënd global”, u shpreh ajo.
Rektori i Universitetit të Tiranës, prof. Mynir Koni, vlerësoi rëndësinë historike të Seminarit dhe kënaqësinë me të cilën Fakulteti i Histori-Filologjisë në Tiranë bashkëpunon për zhvillimin e sukseshëm të Seminarit.
Nënkryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Jusuf Bajraktari, u uroi punë të mbarë seminaristëve dhe i falënderoi albanologët e shquar, të cilët vijnë nga vende të ndryshme të botës për të dhënë kontributin e tyre në Seminar.
Drejtori i Seminarit, prof. Shkumbin Munishi, tha se “edicioni i sivjetmë është një hallkë tjetër në zinxhirin e një tradite albanologjike të nisur këtu e dyzet e pesë vjet më parë”. Ai potencoi rëndësinë e bashkëpunimit me Fakultetin e Histori-Filologjisë të Universitetit të Tiranës.
Seminari XXXVIII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare gjatë punimeve nga 19 deri 30 gusht 2019 ka këtë program bazë: 1. Kurse intensive të mësimit të shqipes (tri nivele); 2. Ligjërata të gjuhësisë shqipe; 3. Ligjërata për letërsinë shqiptare; 4. Ligjërata për kulturën shqiptare; 5. Referime shkencore; 6. Ligjërata të përgjithshme; 7. Tryeza të rrumbullakëta; 8. Tryeza e doktorantëve; 9. Program kulturor plotësues për t’i njohur seminaristët me bukuritë natyrore, me veprimtari të kulturore e të mira të tjera në qendra të Kosovës.
Temat bosht të Seminarit për sesionet shkencore (29 – 30 gusht 2019) janë:
1. Gjuhësi: Struktura e shqipes aktuale
Gjendja dhe përshkrimi i sistemit fonologjik dhe fonetik të shqipes aktuale; Gjendja dhe përshkrimi I sistemit morfo-sintaksor të shqipes; Gjendja dhe përshkrimi i sistemit leksiko-semantik dhe stilistikor të shqipes; Gjendja dhe përshkrimi I varieteteve aktuale të shqipes.
2. Letërsi: Si ëndërrohet në letërsinë shqipe
Ëndrra romantike: individi dhe shoqëria në letërsinë shqipe; Alegoritë moderne të ëndrrës; Imagjinari modern në letërsinë shqipe mes ëndrrës dhe rêverie; Ligjërimi onirik si paradigm stilistike; Ëndrra dhe letërsia fantastike; Ëndrra si “realitet” tjetër.
3. Kulturologji: Rrjetet sociale, politika dhe etika
Llojet e rrjeteve sociale; Kultura në rrjetet sociale; Mediat në rrjetet sociale; Politika në rrjetet sociale; Etika në rrjetet sociale; Drejtimet e zhvillimit të rrjeteve sociale.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1974. Ishte viti i Kushtetutës që avanconte të drejtat e shqiptarëve të Kosovës si element konstituiv me të drejtë vetoje, i federatës së atëhershme, nga shpërbërja e së cilës kanë dalë shtatë shtete.
Seminarit në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Pas çlirimit të Kosovës në qershorin 1999, nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.