• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Çamëria në pasqyrën e ndërgjegjes europiane dhe shqiptare

July 24, 2025 by s p

Alket Veliu/

Në ceremoninë përkujtimore Vel’d’Hiv, Paris, 16 korrik 1995 Jacques Chirac mbajti një fjalim historik ku pranoi për herë të parë rolin e shtetit francez në bashkëpunimin me pushtuesit nazistë, dhe theksoi se kombet që nuk përballen me të shkuarën, nuk mund të ndërtojnë të ardhmen: “Europa nuk mund të ndërtohet mbi harresë. Ajo ndërtohet mbi kujtesë, drejtësi dhe pranim të së vërtetës.” Janë fjalë që u thanë për viktimat hebreje të deportuara nga shteti francez. Por tingëllojnë po aq të vërteta edhe sot, për një tjetër popull që u fshi nga harta pa emër dhe pa varr: shqiptarët e Çamërisë. Në Europë janë kërkuar ndjesa. Janë pranuar krime. Janë ngritur muze dhe memoriale. Vetëm Çamëria nuk ka marrë as drejtësi, as kujtesë. Vetëm viktima pa varre dhe një heshtje që vret.

Në fund të vitit 1944, mijëra shqiptarë çamë, banorë autoktonë të krahinës së Çamërisë, u dëbuan me dhunë nga tokat e tyre në Greqinë veriperëndimore, u masakruan, u zhveshën nga pronat dhe nuk u lejuan më kurrë të kthehen. Për dekada, Greqia mohoi edhe ekzistencën e tyre, ndërsa Shqipëria, vendi ku u strehuan nuk e trajtoi kurrë institucionalisht këtë padrejtësi historike.

Çamëria: E vetmja që mohohet nga të gjithë

Por Çamëria nuk është e vetmja plagë e këtij lloji në historinë e kontinentit tonë. Europa ka përjetuar dëbime, spastrime, shkatërrime etnike dhe mohime të të drejtave. Disa u pranuan dhe u përballën. Të tjerat mbeten të harruara. Çamëria është rasti më ekstrem sepse është i vetmi rast në të cilin viktimat nuk lejohen as të vizitojnë vendlindjen e tyre. Raste edhe pse jo identike por me ngjashmëri me dëbimin e çamëve po i paraqes në një tabel krahasuese për të kuptuar më mirë si janë trajtuar nga shtetet e përfshira në konflikt. Ajo që bie ne sy është fakti që Shqipëria është shteti i vetëm në Europë që jo vetë nuk ka marë në mbrojtje bashkëkombasit e vet dhe të kërkojë rikthimin e tyre por as nuk ka marë asnjë hap për kujtesën historike të kësaj pjese të popullit shqiptar. Shtetet e mëposhtëme kanë ndërmarë hapa istitucional duke dialoguar dhe kërkuar drejtësi. Kanë miratuar ligje dhe kanë ngritur institucione të posaçme shtetërore për të dokumentuar krimet e kryera dhe për të trajtuar me dinjitet të dëbuarit. Ndërkohë Shqipëria ka vetëm një ligj të mbetur në letër, që njeh genocidin ndaj shqiptarëve në Çamëri dhe një rezolutë për Çamërinë e cila nuk zbatohet.

Tabela 1👇🏻

Falja: një standard europian i ndërgjegjes që Greqia nuk e ka përmbushur për Çamërinë

Duke marë shkak nga letra e ambasador Luan Rama, drejtuar autoriteteve greke, të cilëve u kërkon të njohin krimet e kryera ndaj shqiptarëve në Çamëri si dhe të kërkojnë falje për këto krime, ashtu si ambasadori dua të sjell në vemendjen e publikut që liderët më të fuqishëm të Europës kanë kërkuar falje publike për krime që i kanë kryer shtetet e tyre:

Tabela 2 👇🏻

Pra, Europa e sotme nuk i harron krimet e djeshme, madje i dënon ato me kurajo ndërsa Greqia ende sot, mohon, hesht dhe nuk kërkon ndjesë. Por sipas Presidentit aktual gjerman Steinmeier (në ceremoninë e faljes për gjenocidin në Namibi Berlin 2021) nuk ka pajtim pa drejtësi: “Kujtesa është pjesë e drejtësisë. Dhe pa drejtësi, nuk ka pajtim.”, mesazh i qartë për vlerat europiane të cilin duhet ta adaptoj dhe lidershipi i sotëm grek.

Kujtesa institucionale: muze, memoriale, kurrikulat shkollore.

Kujtesa institucionale është e rëndësishme në historinë dhe identitetin e një populli. Më poshtë do të shikoni që shtetet e përmendara më lartë i kanë kushtuar rëndësi të veçantë ndërtimit të muzeve për të ruajtur kujtesën kombëtare dhe edukimin e brezave. Por muzeu është edhe një diplomat i heshtur ndërkombëtar. Ai tregon para vizitorëve të huaj një rrëfim të strukturuar të historisë së kombit, një mënyrë për të njohur dhe respektuar atë që një popull ka përjetuar. Shqipëria ende nuk ka një muze të genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe Kosovës.

Gjermania: Muzeu Federal i të Dëbuarve në Berlin (2021)

Italia: Muzeu Julian-Dalmat në Romë dhe Dita e Përkujtimit (10 Shkurt)

Polonia: Muze për Kresy Wschodnie

Bosnja: Memoriali i Srebrenicës dhe muze në kantone të ndryshme

Ukraina: Arkiva digjitale për Holodomorin dhe zhvendosjet nga lufta

Shqipëria: Asnjë muze, janë vetëm varrezat e Kllogjerit pa status të njohjes zyrtare nga shteti shqiptar.

Çështja çame nuk përmendet në asnjë tekst shkollor të historisë. Nuk ka asnjë kapitull në kurrikulën zyrtare, asnjë dokumentar shkollor i mbështetur nga Ministria e Arsimit.

Kujtesa ruhet vetëm në gojën e të mbijetuarve dhe në punën e shoqërisë civile ndërkohë, ndryshe ndodh në vendet e tjera ku shteti ka rol kyç në këtë fushë.

Gjermania, Italia, Polonia, Bosnja dhe Ukraina kanë ngritur muze, memoriale dhe programe edukimi për viktimat e dëbimeve, Shqipëria ka bërë asgjë për Çamërinë.

Tabela 3 👇🏻

Heshtja e orkestruar shqiptare

I solla rastet e mësipërme – Gjermaninë, Italinë, Poloninë, Bosnjën, Ukrainën – jo për të krahasuar plagët, por për të kuptuar çfarë duhet të kishte bërë shteti shqiptar ndër këto 81 vjet.

Në një çështje kaq thelbësore kombëtare, ku kemi të bëjmë me një padrejtësi historike të kryer nga një shtet fqinj është detyrimi i shtetit shqiptar të marrë rolin udhëheqës dhe përfaqësues në çdo forum diplomatik, ligjor e ndërkombëtar për zgjidhjen e çështjes çame.

Shtetet që përmendëm nuk janë udhëhequr nga parimi i keqardhjes por nga detyrimi kombëtar dhe shtetëror ndaj bashkëkombasve të vet.

Ato nuk heshtën në takime bilaterale, as në rezoluta parlamentare, as në institucionet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Ato ngritën ligje të posaçme që mbrojnë të drejtat e të dëbuarve, trashëgiminë e tyre kulturore dhe të drejtën për kompensim moral e material.

Ato ngritën muze, memoriale, institute dhe komisione parlamentare.

Në rastin e Bosnjës, u krijua deri Ministri për të Zhvendosurit me Forcë.

Në Shqipëri, asgjë nga këto nuk ka ndodhur.

Asnjë ligj.

Asnjë strategji.

Asnjë muze.

Asnjë tekst historie.

Asnjë përfaqësim diplomatik për çështjen çame.

Në vend të një shteti që udhëheq, kemi patur për 81 vjet një shtet memec, që hesht.

Në vend të një kombi që flet për të vërtetën, kemi një shoqëri që ndonjëherë turpërohet nga viktima e vet.

Heshtja e shtetit shqiptar nuk është mosdije. Është heshtje e orkestruar.

Heshtje për të mos prishur “balancat” me Greqinë.

Heshtje për të ruajtur “stabilitetin”.

Heshtje për të mos prekur integrimin.

Por kjo heshtje nuk është pa kosto. Është mohim i një detyrimi kushtetues dhe moral.

Çështja çame është e drejtë që i përket çdo shqiptari, por është peshë që duhet ta mbajë me dinjitet shteti.

Ka ardhur koha që kjo heshtje të marrë fund.

Ka ardhur koha që shteti shqiptar të flasë.

Filed Under: Histori

Gjon Françesk Albani – Papa Klementi XI dhe trashëgimia e tij në ruajtjen e identitetit arbër

July 23, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Më 23 korrik 1649, në qytetin e Urbinos në Itali, lindi një nga figurat më të shquara të historisë së Kishës Katolike dhe një nga personalitetet më të rëndësishme me origjinë shqiptare: Gjon Françesk Albani, më vonë Papa Klementi XI. Ai ishte pjesëtar i një familjeje të vjetër arbëre, që ishte shpërngulur në Itali pas pushtimeve osmane, si shumë familje të tjera shqiptare fisnike, në mbrojtje të besimit dhe të identitetit të tyre.

Papa Klementi XI, i njohur në histori edhe si “Papa Albani”, u bë papa i 243-të i Kishës Katolike më 23 nëntor 1700 dhe e drejtoi Selinë e Shenjtë deri më 19 mars 1721. Me një pontifikat prej 21 vitesh, ai renditet ndër papët me shërbimin më të gjatë pas Shën Pjetrit, Papa Piut IX dhe Papa Gjon Palit II. U dallua për erudicionin e tij, përkushtimin ndaj kishës dhe ndjeshmërinë e tij ndaj çështjeve fetare, politike dhe kombëtare të arbërëve.

Pas përfundimit të arsimit fillor në vitin 1660, Gjon Françesk Albani shkoi në Romë për të ndjekur studimet në Kolegjin Romak. Aty u përqendrua në gjuhët e vjetra dhe në jurisprudencën kishtare dhe civile, duke u diplomuar në vitin 1668. Fillimi i karrierës së tij në hierarkinë kishtare u shënua në vitin 1670, kur Papa Inoçenti XI e emëroi sekretar të dekreteve papnore. Me përkushtim dhe talent të jashtëzakonshëm në menaxhimin e çështjeve të kishës, në vitin 1690 ai u ngrit në gradën e kardinalit, një hap që e afroi drejt fronit papnor. Më 9 tetor 1700, Albani u zgjodh papë dhe mori emrin Klementi XI.

Papa Klementi XI ishte një mbështetës i vazhdueshëm i arbërëve në përpjekjet e tyre për të ruajtur fenë, gjuhën dhe trashëgiminë kulturore përballë presionit osman dhe islamizimit të detyruar. Ai është i lidhur ngushtë me një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë kishtare shqiptare: Kuvendi i Arbërit, i mbajtur më 14-15 janar 1703 në Mërqinë të Lezhës.

Ky kuvend, i thirrur me nxitjen dhe bekimin e Papës Klementi XI, ishte një mbledhje kombëtare e klerit katolik arbër me pjesëmarrjen e 12 ipeshkvijve dhe 250 klerikëve nga të gjitha viset arbëre . Qëllimi i tij ishte forcimi i kishës katolike në Shqipëri, mbrojtja e besimtarëve dhe përshtatja e misionit të saj në rrethanat e reja politike dhe fetare. Kuvendi i Arbërit vendosi për organizimin e brendshëm të kishës, disiplinën e klerit, ruajtjen e liturgjisë në gjuhën latine dhe përforcimin e lidhjeve me Selinë e Shenjtë.

Përmes këtij akti, Papa Klementi XI e ktheu Shqipërinë në një prioritet të politikës së jashtme kishtare, duke e vendosur në hartën e kujdesit strategjik të Vatikanit. Kuvendi i Arbërit u bë simbol i qëndresës arbëre përballë asimilimit fetar dhe kulturor, dhe një përpjekje e guximshme për ruajtjen e identitetit etnik përmes fesë.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i veprimtarisë së Papa Klementit XI ishte përpjekja për afrimin midis katolikëve dhe ortodoksëve arbër . Në atë kohë, shumë priftërinj ortodoksë i drejtuan letra Papës për ndihmë, duke kërkuar mbështetje politike dhe financiare për të përballuar presionin osman. Kjo sinjalizonte një prirje drejt bashkëpunimit ndërfetar në emër të mbrojtjes së trashëgimisë shpirtërore arbëre. Papa Albani i pa këto sinjale si një mundësi për të nxitur bashkimin e krishterimit, jo vetëm në aspektin shpirtëror, por edhe në ruajtjen e identitetit të përbashkët krishterë ballkanik.

Një tjetër kontribut i rëndësishëm i Papa Klementit XI ishte mbështetja që ai i dha diasporës arbëre në Itali, veçanërisht komuniteteve arbëreshe. Nën kujdesin e tij, komunitetet arbëreshe gjetën mbështetje për ruajtjen e gjuhës, zakoneve dhe riteve të tyre fetare. Ai dha urdhër që në seminarët arbëreshe të përfshihej mësimi i gjuhës shqipe dhe riteve lindore në mënyrë që të përgatiteshin misionarë për rikthimin në atdhe dhe për forcimin e katolicizmit ndër shqiptarë.

Papa Klementi XI, me ndërgjegjen e qartë për origjinën e tij arbëre, ishte i vetëdijshëm për rolin që mund të luante si udhëheqës shpirtëror për të ruajtur trashëgiminë e një populli që po luftonte për të mos humbur identitetin mes dy perandorive – osmane dhe perëndimore.

Vdekja e Papa Klementit XI më 19 mars 1721 shënoi fundin e një epoke, por trashëgimia e tij mbetet e gjallë. Ai nuk ishte vetëm një papë i dijes dhe i drejtësisë, por edhe një përfaqësues krenar i kombit arbër në qendër të botës katolike. Kontributi i tij për mbrojtjen e besimit dhe të identitetit të arbërëve përmes Kishës Katolike, përmes Kuvendit të Arbërit dhe ndihmës ndaj diasporës, e bën atë një figurë kryesore në përpjekjet për ruajtjen e një identiteti të krishterë arbër dhe sëbashku me të edhe të gjuhës dhe kulturës arbëre.

Sot, Papa Klementi XI përkujtohet jo vetëm si një udhëheqës i madh shpirtëror i Kishës, por edhe si një nga figurat më të ndritura që ka lidhur Shqipërinë me Vatikanin dhe me traditën e krishterimit perëndimor. Ai është dëshmi e qartë e rrënjëve të thella të arbërëve në historinë europiane dhe e rolit që kanë luajtur bijtë e këtij kombi në përmasat më të larta të qytetërimit.

Referenca për studim të mëtejshëm:

Zef Valentini, Shqiptarët dhe Selia e Shenjtë, Tiranë, 1940.

Giuseppe Schirò, Storia ecclesiastica degli albanesi d’Italia, Napoli, 1923.

Kolec Topalli, Kuvendi i Arbërit dhe roli i tij në ruajtjen e gjuhës shqipe, Studime Albanologjike, 2003.

Filed Under: Histori

Monumenti i një krimineli në vendin e krimit

July 22, 2025 by s p

Luan Rama/

(Memorialit të viktimave në Distomo u mungon memoriali i viktimave çame në Çamëri)

Ka një “non-sens” të madh sot në Greqinë republikane dhe demokratike: si mund të qëndrojë ende në këmbë permendorja e një krimineli të madh si e Napoleon Zervës në Igumenicë dhe për më tepër pikërisht në vendin e krimit? Si mund të qëndrojnë vrasësit në sheshet dhe parqet e jetës publike sikur të duan të thonë se ne jemi mbrojtësit e lirisë dhe lumturisë tuaj? Është e habitshme që shteti grek e ka nderuar kaq shumë ketë kriminel te popullsisë çame, këtë bashkëpuntor të ngushtë të nazizmit që në periudhën qershor 1944-mars 1945 kreu një nga krimet më barbare që mund t’i bëhet një populli? Si mund ta durojnë sot pushtetarët e Greqisë së Demokracisë këtë spektër të krimit të qëndroj si paralajmërues i ndonjë krimi të ri? Shteti grek e di mirë kush ishte Napoleon Zerva, i di mirë krimet e tij gjatë Luftës Civile ndaj ushtrisë së ELAS; di mirë që në kohën e pushtimit nazist ai e braktisi Rezistencën greke kundër pushtuesit nazist dhe me formacionin e tij ushtarak u bashkua me ushtrinë naziste, e megjithatë qeveritarët grekë e kanë lënë atë përmendore të qëndrojë me dekada e ndoshta për shekuj. Mjerisht krimineli i madh qëndron kështu i patundur e stoik edhe sot për historiografinë zyrtare greke.

Memoriali i viktimave greke në Distamo duhet të ngrihet dhe në Çamëri!

—–

Kur Greqia u pushtua nga Gjermania gjatë Luftës së Dytë Botërore, më pas, më 10 qershor të vitit 1944 ushtria e Wermaht-it dogji për hakmarrje fshatin grek Distomo ku vdiqën rreth 270 viktima të pafajshme mes te cilëve foshnja, fëmijë, gra shtatzëna, gra të përdhunuara e pastaj të vrara, burra me koka të prera, pleq. Dhe është e habitshme se pikërisht në qershor të vitit 1944, dy javë më vonë, në Çamëri u bë një nga masakrat më të mëdha historike, por jo nga nazistët por nga ushtria nacionaliste e Zervës, masakra që do të vazhdonin dhe në pranverën e vitit 1944 duke përfunduar me një spastrim etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre. Dhe kjo u krye nga kolonel Zerva dhe formacioni ushtarak që drejtonte. Rreth 3000 shqiptarë çamë u vranë dhe u prenë në të njëjën mënyrë ç’njerëzore si në Distomo: gra të përdhunuara e të vrara, fëmijë të vrarë me bajoneta, të varur në degët e pemëve, njerëz me koka të prera apo të djegur me benzinë. E njëjta barbari dhe urrejtje si nazistët në Distomo. Në nëntor të vitit 1944, revista amerikane “Life” botonte një shkrim mbi viktimat në Distomo bashkë me fotografinë e një vajze të re që qëndron në murin e shtëpisë duke parë e habitur dhe e tmerruar njëkohësisht barbarinë e vrasjes së familjes së saj. Quhej Maria Padiska. Në Çamëri askush nuk erdhi nga agjencitë e huaja atë kohë. “Life” nuk do të botonte si-motrat shqiptare të Maria Padiska-s. Dhe ato ishin shumë. Asnjë gazetë angleze apo greke nuk e relatoi këtë barbari të kolonelit Zerva i cili më vonë do na bëhej dhe gjeneral e ministër i Brendshëm, duke vazhduar vrasjet e tij ndaj armiqve te kampit të majtë si në kohën e Luftës Civile. Napoleon Zerva ishte bërë një mjeshtër i vrasjeve masive sepse ai e dinte që nesër, Greqia e madhe do t’i ngrinte një përmendore lavdisë së tij. Dhe ashtu do të ndodhte.

Pas çlirimit të Greqisë, analistët dhe historianët grekë iu referuan gjerësisht tragjedisë në Distomo dhe atëherë u përdor termi në greqisht “olokaftoma”, ekuivalenti i fjalës “holokaust” që do të përdorej thuajse 30 vjet më pas nga intelektuali francez Claude Lanzman kur ai nisi të regjistronte nëpër botë dëshmitë e të mbijetuarve nga kampet naziste të shfarosjes që për më shumë se tri dekada nuk kishin mundur të flisnin për tragjedinë e tyre dhe tmerret që kishin përjetuar. Për ngjarjen në Distomo, poeti i madh Janis Ricos do të botonte poezinë “Epigram për Distomo-n” ku ai shkrunte:

“Ti kalimtar aty ku po ecën bëj kujdes / këtu është heshtja që fryn/ gjithçka fryn në kalldrëmin e çdo rruge / sakrifica dhe durimi i qenies njerëzore /gdhendur me emra të thjesht që nderi i lartëson /nga ngashërimi në ngashërim / shkallë më shkallë/ në këtë shkallare gjignde”.

Por intelektualët dhe historianët grekë nuk do të thonin asgjë për tragjedinë e ndodhur në Çamëri, gazetat nuk do të shkruanin asgjë për “Distoma-t” shqiptare në Çamëri. Gjithçka u mbajt në heshtje, u fsheh dhe nuk do të përmendej më dhe Lanzman nuk mundi të dëgjonte për këtë masakër të jashtzakonshme që të fillonte të regjistronte dëshmitë shqiptare. Edhe pse një tragjedi dhe shfarosje më e madhe se në Distomo, tragjeditë njerëzore në masë të shkaktuara nga urrejtja, pavarësisht nga numri, janë të njëjta. Për viktimat e Distoma-s do të shkruhej gjithnjë edhe nga mediat e huaja. Në vitin 2007 regjisori Stefan Haup realizoi filmin dokumentar per jetën dhe historinë e një fëmije që pa vdekjen e prindërve para syve të tij dhe që më pas përfundoi në një jetimore të Zvicrës. Ishte Argjiri Sfunturis të cilin e shohim në filmin “Ein Lied fûr Argyris” (“Një këngë për Argjirin”) dhe që pas lufte nuk i shpëtoi imazheve të barbarisë naziste. Fëmijë si Argjiri, kohët e fundit i kam takuar disa në Shqipëri. Madje një të tillë e takova dhe në Boston para tre javësh dhe që kujtonte barbarinë ndaj familjes së tij. Vetëm tani, kujtesa shqiptare po zgjohet dhe disa filma po tregojnë dëshmitë e atyre që u mbijetuan masakrave kur ata ishin fëmijë, pasi të tjerë tashmë nuk jetojnë më. Ata janë gjenerata e fundit e kujtesës vizive, dëshmitarë okularë dhe të pakundërshtueshëm edhe pse arkivat i mbajnë ende të fshehura fotografitë dhe dëshmitë e një progromi të tillë.

Në vitin 1970, eshtrat e të vrarëve dhe të masakruarve në Distomo u zhvarrosën dhe u vendosën me ceremoni në memorialin që u ngrit në homazh të kujtimit të tyre, por të vrarët e kolonel Zervës vështirë t’i mbledhësh për t’i vendosur në këmbë të memorialit për të masakruarit e Çamërisë. E megjithatë varret janë aty ku kanë qenë, por si mund të nderoheshin kur qeveria greke e pas luftës, qeveria e të famshmit Ligji i Luftës me Shqipërinë qëndron akoma dhe që është absurditeti më i madh në marrëdhëniet ndërkombëtare. Qeveritë e njëpasnjëshme greke nuk i lanë çamët e ikur nga tmerri që të ktheheshin dhe të nderonin prindërit dhe familjarët e tyre. Nuk i la që të ngrinin një memorial në emër të tyre dhe të mos-harrimit.

Viktimat e Distoma-ve shqiptare nuk e kishin privilegjin të preheshin bashkë, në paqe dhe të ishin në prehrin e një memoriali. Në vitin 1998, presidenca greke nxorri dekretin presidencial duke njohur Distomo-n dhe disa vende të tjera të viktimave në masë, për t’i konsideruar si vende të kujtesës, si homazh i viktimave të luftës, siç ishin dhe emrat e fshatrave Doxato, (në Drama); Kleisura (Kstoria); Nea Anchialos (Manjesia), Anogeia ( Rethimnon), Ipati (Ftiotide), Kandanos (Kane), Kalavrita (Akaia). Presidenca greke “harroi” të vinte dhe emrat e dhjetra fshatrave e qyteteve të Çamërisë në këtë listë. Jo, mesa duket, për presidencën greke, viktimat greke që vriten nga të huaj nuk kanë të njëjtin çmim nga ata të popujve të tjerë të vrarë barbarisht nga grekët. Ja pse qeveritarët grekë e shqiptarë duhet të ulen dhe ta korigjojnë këtë “non-sens” historik. Ata duhet të kenë kurajo dhe të kthejnë kokën e ta shohin drejt e në sy atë çka ndodhur në Çamëri për të vënë në vend nderin e viktimave dhe për t’i bërë homazh familjeve të tyre. Dhe së fundi, ja pse duhet të shkulet permendorja e një krimineli si Napoleon Zerva në Igumenica, një fyerje kjo e tmerrshme për historinë dhe që aty të ngrihet një memorial për tragjedinë çame. Në muzeun e Distomo-s janë fotografitë e kafkave të viktimave të nazistëve. Të pakën në muzeun e memorialit të Çamërisë të vihen fotografitë e të vrarëve në jetën e tyre të dikurshme: fëmijë, vajza, gra e nëna, foto të martesave që nuk u jetuan gjer në fund. Vetëm kështu, përmes pardonit dhe homazhit plagët mund të mbyllen dhe t’i shërbejnë miqësisë sonë të hershme, por të tronditur nga ngjarje të tilla. Po, përmendorja e kriminelit Zerva duhet të shkulet nga ai shesh i Igumenicës, duhet të hiqet zvarrë siç janë hequr statujat e perandorëve vrasës, që të mos qëndrojë më në vendin ku kreu krimet. Nëse ju nuk e hiqni, do të jenë të tjerë pas jush që do ta heqin, por pasardhësit tuaj do të kenë turp për qendrimin tuaj ndaj viktimave të pafajshme. Dhe atëherë ata do të kujtojnë përsëri atë që thuhej për Distomo-n: “Olokaftoma”!

Filed Under: Histori

VEPRA E PJETËR BOGDANIT, NJË MONUMENT LETRAR

July 21, 2025 by s p

Prof. Ymer Çiraku/

Pjetër Bogdani është i lindur në Gur të Hasit, sanxhaku i Dukagjinit, dioqeza e Prizrenit. Megjithë dilemave mes studiuesve – për vitin e lindjes, si më pranë së vërtetës, duket se mbetet viti 1625. Pra, ka lindur këtu e 400 vjet më parë. Të dhënat dëshmojnë se mësimet e para i mori nga i ungji Andre Bogdani, i cili, arriti të ishte deri arqipeshkëv i Shkupit. Pas studimeve të larta teologjike e filozofike në Romë, P. Bogdani merr titullin doktor dhe shërbeu si famullitar në Pult e Prizren e më pas ipeshkëv në Shkodër, deri sa e zëvendëson të ungjin në Shkup si arqipeshkëv. Ka marrë pjesë aktive në lëvizjet çlirimtare antiosmane, duke u detyruar prej përndjekjeve të pushtuesit, që të strehohej për disa kohë maleve. Është i njohur misioni i klerikëve shqiptarë nëpër shekuj, që të përkushtoheshin e punonin me moton “Për fe e atdhe”.

Në studimin e thelluar kritik kushtuar veprës së Bogdanit “Cuneus Prophetarum” (Çeta e Profetëve), botuar më 2015, studiuesja Anila Omari thekson se kjo vepër zë një vend të veçantë, si nga shkalla e përpunimit gjuhësor, ashtu edhe nga përmbajtja e larmishme dhe karakteri origjinal i saj. Prandaj gjykon se “…ajo është mbajtur, me të drejtë, si e para vepër origjinale, që shënoi fillimet e prozës letrare shqipe dhe që luajti rol parësor edhe në formimin e prozës shkencore shqipe.”

Me vlerat letrare që krijoi, P. Bogdani arriti nivelin më të lartë të kohës së vet – pikërisht në fazat më të hershme, atëhere kur nis të krijojë gradualisht profilin e saj letërsia shqipe. Pra, me krijimet e këtij personaliteti, letërsia shqipe arrin që të fitojë “statusin letrar”, e për pasojë, të fitojë edhe ritmin dhe modelin referencial të autoritetshëm për procesin letrar të mëpasëm/pritshëm. Që ai proces letrar të ndiqte e të përcillej pastaj dora–dorës në rrjedhat e kërkimit e zhvillimeve drejt hapësirave të reja. Kjo prirje inaguruese e çelur prej veprës së Bogdanit, sigurisht, që vlerësohet si një meritë e çmuar e këtij autori, megjithë modestinë aq prekëse, që ai vet e dëshmonte, kur i drejtohej lexuesit, qysh në hyrjen e veprës “Cuneus Prophetarum” : ”… që të më ndiejsh, nde gjeç fjalë, qi të trazon veshët. Por as dielli pa hije, as hâna pa tallaze mbë faqe nuk ânshtë…”

Kjo vepër është e përbërë nga dy pjesë. Pjesa e parë, përmban 182 faqe, kurse pjesa e dytë 162 faqe. Rëndësia e madhe që ky libër shfaq për botën shkencore e më gjerë, duket edhe nga fakti se deri më sot, si rrallë të ketë ndodhur në raste të tjera, ajo ka njohur gjashtë botime, të bëra këto kronologjikisht në rrjedhë të 3-4 shekujve, si dhe në disa vende si:: Itali, Shqipëri, Gjermani. Këto botime, kanë ngjallur interes të gjerë dhe janë përcjellë me interpretime të shumta në rrafshin letrar e gjuhësor – nga jo pak studiues të njohur, qofshin këta të huaj, por edhe ata shqiptarë si: Ndre Mjedja, Justin Rrota, Luigj Marlekaj, Ibrahim Rugova, Arshi Pipa, Injac Zamputi, Martin Camaj, Selman Riza, Rexhep Ismajli, Sabri Hamiti, Engjëll Sedaj, Anila Omari, Seit Mansaku etj.

Nga të dhënat e letërkëmbimeve të Bogdanit, dëshmohet se vepra ka qëndruar plot 10 vjet në dorëshkrim, deri në momentin e botimit të saj. Kjo erdhi për shkak të pritjes së lëshimit të lejes përkatëse dhe të sigurimit të fondeve financiare për ta realizuar/finalizuar botimin e saj. Duket qartazi se autori e ka mbartur në vete për detyrë të rëndësishme dhe imediate përgatitjen dhe publikimin e një vepre të tillë. Vlerësuar si një mundësi kjo, për ta lëvruar dhe për ta mbajtur gjallë dhe të dokumentuar gjuhën shqipe, e cila, përndryshe – do të vihej rrezikshëm në pozita asimilimi, pasi ishte e rrezikuar jo pak kësaj kohe prej ushtrimit të ndikimit mbi të të gjuhëve të shkruara – qoftë të pushtuesit, apo qoftë atyre të fqinjëve. Pra, që shqiptari “…të marrë vesht dijenë mbë giuhë të vet”, sikundër shkruan Bogdani në parathënien e librit…

Sidomos cikli i poezive të “Sibilave”, arrin që ta shfaqë në mënyrën më të spikatur aktin krijues letrar të P. Bogdanit. Këtu përfshihen njëmbëdhjetë krijime dhe seicili prej tyre, përmban një kallëzim më vete, të cilat krijojnë së toku një lloj tematike si prej mozaiku.

Poezia dystrofëshe mbi krijimin e botës, është pikërisht ajo, e cila do ta mrekullonte aq shumë edhe Lasgush Poradecin, kur ky do të njihej sëpari me të, pikërisht asaj kohe, kur ishte ende student i ri në Vjenë. Në një nga bibliotekat e saj, do ta shihte për herë të parë dhe do ta vlerësonte atë gjithë entusiazëm, madje si të krahasuar denjësisht e pa mëdyshje deri me krijimet e njohura kozmogonike hindase dhe hebraike. “Tekstin e Bogdanit e citova pas disa shënimesh që kam marrë në Vienë, vjeshtën e 1924–ës, kur pata gëzimin t`ia shëkoj me sy … t`ia çik me dorë… t`ia studioj dhe t`ia përpij “Cuneusin”-in në shpirtin tim për herë të parë. Përveç shënimesh të tjera gjuhësore, që më qëndruan për zemre, kam kopjuar një poezi kozmogonike, e cila, nga pikëpamja e koncepsionit origjinal, e idesë së fuqishme dhe e formës së veçantë të saj, jam i mendimit se duhet të konsiderohet si një monument letrar, jo vetëm i gjuhës shqipe, por i republikës së letrarëve përgjithësisht…, do të shkruajë L. Poradeci”. (Revista “Shkëndija”, 1942)

Përmes kësaj poezie, krijimi i botës përcillet nëpër shtjella dhe kontraste të përmasave kozmike, duke krijuar një tension e dramë të thellë – rreth raporteve të nënkuptuara të njeriut me gjithësinë, e cila, ka një pushtet të pazotërueshëm e të paparashikueshëm dot për të. Dhe kjo situatë, krijon atë gjendje të angësht, ku njeriu, me sa duket e ka pastaj fort të nevojshme që të ndërtojë lidhjet dhe referencat e tij me komunikime e besime të caktuara religjioze (apo dhe të tjera përtej tyre), aq të domosdoshme për të. Me qëllim, që ai pastaj të mund që të gjejë dhe të vendosë brenda vetes, paqen dhe ekuilibrin.

Át Justin Rrota, është ndër studiuesit e parë, që i është drejtuar shqyrtimit filologjik të veprës së Bogdanit, duke filluar qysh te një nga manualet më të hershme mbi historinë e letërsisë shqipe të hartuar prej tij. (Át J. Rrota “Letratyra Shqype”, Shkodër, 1925). Si latinist dhe si njohës i thellë i teologjisë dhe i autorëve të vjetër, duke u marrë kohë pas kohe me botimin kritik dhe duke i shoqëruar me komente tekstet e tyre, ai ka meritën edhe për faktin se ka gjurmuar e ka sjellë për herë të parë në Shqipëri, më 1929, tri kopje fotografike të “Mesharit” të Gjon Buzukut. Ndërkohë, ka botuar mjaft studime mbi vlerat e kësaj vepre, si e para vepër e zbuluar deri më sot, shkruar në gjuhën shqipe.

Po ashtu, studiuesi Eqrem Çabej e ka vlerësuar lart figurën e P. Bogdanit, e cila, sipas tij, qëndronte jo vetëm në lartësinë e kulturës teologjike të kohës, por që ai arrin të shfaqet edhe si shkrimtari shqiptar më i rëndësishëm, si nga madhëria e veprës që shkroi, si nga mendimet e thella derdhur në të, si nga gjuha e bukur e përdorur me mjeshtëri të madhe stilistike. E pikërisht prej këtyre vlerave: “…vepra e tij ka siguruar një vend të pavdekur në literaturën t`onë…”, do ta formulojë sintezën e tij Çabej (“Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe”, 1936, f. 29). Pra, e vlerëson këtë kontribut bogdanian në dimensionin e shumëfishtë që shfaq, si një aktivitet i pandalur intelektual, që rrezaton njëherazi: dije fetare e filozofike, art, atdhetari, humanizëm dhe vyrtute të larta e të përkora njerëzore.

Shtjefën Gjeçovi do ta dallojë mes të tjerëve, duke e shpallur me entusiazëm dhe metaforikisht veprën bogdaniane si: “dritë të litëratyrës shqiptare…”, “vepër që ia zbardhi faqen atdheut” (HD, 1930/12)…

Por studimi i gjerë monografik “Vepra e Bogdanit 1675-1685” i Ibrahim Rugovës, besojmë se mbetet nga studimet mjaft të sintetizuar – në qasjen ndaj kësaj figure dhe përcaktimit të rolit dhe të vendit që ai meriton, në panteonin e botës letrare dhe intelektuale shqiptare.

Duhet kujtuar se në kritikën letrare shqiptare, I. Rugova është nga zërat më të shquar. Këtë e dëshmon përballimi prej tij i disa prej temave kyçe në studimin e letërsisë shqipe, e dëshmon po ashtu thellësia, njohja dhe zbatimi i metodave interpretuese më të reja/më bashkëkohëse, si dhe ndjekja sistematike, me shije dhe intuitë selektimi të proceseve letrare. Është nga ata studiues, që tashmë mbetet i shenjuar me disa arritje antologjike në korpusin e studimeve letrare shqiptare.

Studimi i tij monografik mbi veprën e Bogdanit do të vinte pra, pas disa botimeve të mëparshme historiko-letrare dhe objekt hulumtimi këtu, bëhet vepra e këtij autori të hershëm, e cila, në botimin e saj të parë u shtyp në Padova të Italisë, më 1685. Për nga struktura, studimi ndahet në dy pjesë: I. “Gjenetika e veprës” dhe II. “Analitika e veprës”.

Duke e cilësuar këtë vepër si bërthamë të romanit të parë shqiptar, I. Rugova nxjerr në pah edhe dritën dhe shkëlqimin që shpaloset në të, duke arritur në bindjen se, shikuar në këtë plan, e gjithë vepra duket sëbrendshmi si një metaforë solare (diellore), ku çdo fenomen e gjykim, kërkohet dhe vendoset brenda refleksit të dritës, të burimit të saj, diellit.

Dhe pikërisht libri “Çeta e profetëve”, klasifikohet prej tij si vepra, që dëshmohet sot për sot si: “themeli i humanizmit shqiptar”, “i modernitetit intelektual”, madje, si ”bërthama e romanit të parë shqiptar”. Apo të vlerësuar edhe deri si varianti me referenca prej kryeveprash botërore. Prandaj e pati titulluar dhe shpallur jo pak guximshëm atë, si: “Komedia hyjnore shqiptare”…

Këto janë teza doemos të mprehta dhe sigurisht intriguese, të cilat, studiuesi arriti që t`ì përballojë me një metodikë dhe pasion të ngulët hulumtues dhe interpretues.

Kanë kaluar katër shekuj dhe Pjetër Bogdani me krijimet e tij, vazhdon që ta ruajë denjësisht figurën e prijësit të letërsisë shqipe. Që me tekstet e tij poetike, synoi dhe ia arriti që t`i sjellë ato në nivele mirëfilli estetike. Ai do të kujtohet edhe për koncepsionin metaforik nga më të hirshmit në meset tona letrare, madje dhe ato të përbotshme, për skalitjen e figurës së Jezu Krishtit:

“Nji bir të vetemë, qi Ama pat për mall…

Me Diell veshun`, e mbathunë me Hanë”

Filed Under: Histori

VAJTOJNË RRËNOJAT E MUREVE PËR ÇAMËT E MASAKRUAR

July 21, 2025 by s p

Thanas L. Gjika/

(Vlerësime për librin ODE PËR TEMPUJT QË NUK U HARRUAN)

Gjatë historisë mijravjeare dy popujt fqinjë të gadishullit Ballkanik, shqiptarët dhe grekët kanë pasur fat të njëjtë. Jetuan nën Perandoritë Romake, Bizantine, Bullgare, Serbe dhe Osmane. Mirëpo pas 25 vjet nga formimi i shtetit të pavarur grek në klasën e tij sunduese u krijuan disa qarqe shoviniste të cilat formuluan ideologjinë “Megali Idhea” për formimin e një Greqie të madhe ku të futeshin edhe ish-kolonitë e lashta helene. Nga njëra anë mohohej ndihma bujare që dhanë luftëtarët arbërorë dhe çamë në luftën për lirinë e Greqisë dhe nga ana tjetër luftohej t’u ndërrohej identiti kombëtar shqiptarëve ortodoksë në grekë. Shpallja e kufijve të Shqipërisë në vitin 1913 prej gjashtë Fuqive të Mëdha e zemëroi qeverinë greke, sepse ajo përveç krahinës pjellore të Çamërisë, që iu dha padrejtësisht, ku shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë, donte që t’i jepeshin edhe krahinat e Korçës, Përmetit, Gjinokastrës dhe Sarandës, të cilat i kishte pushtuar gjatë Luftës Ballkanike në tetor-nëntor të vitit 1912. Në vitin 1914 Fuqitë e Mëdha i dhanë urdhër qeverisë greke që t’i lironte tokat e pushtuara që i ishin njohur shtetit të ri shqiptar. Atëhere forcat ushtarake greke bënë masakra ndaj popullsisë shqiptare në fshatra të Korçës, Përmetit, Gjinokastrës dhe Sarandës.

Mbas shpërthimit të Luftës së parë Botërore (LIB) ushtria greke i ripushtoi përsëri krahinat e Shqipërisë së Jugut. Ushtria italiane dhe ajo franceze, që hynë në këto territore, e detyruan ushtrinë greke të largohej prej aty. Edhe ky largim i tyre u shoqërua me masakra të reja, vrasje njerëzish të pafajshëm, djegie shtëpish e pronash, shembje urash, etj. Babait të këtyre radhëve ia dogjën shtëpinë në fshatin Trebickë të zonës së Vakëfeve, me kryeqendër Vithkuqin. Qeveria shqiptare mbas LIB kishte shumë probleme të brendshme dhe nuk e ngriti problemin e këtyre masakrave në Lidhjen e Kombeve. Përmasat e këtyre masakrave ishin KRIME NDAJ NJERËZIMIT, por qeveria greke nuk kërkoi kurrë të falur dhe nuk dha llogari.

Nga ana tjetër popullsia shqiptare e Çamërisë, e cila iu dha Greqisë, u trajtua edhe më barbarisht. Qeveria greke ndoqi ndaj popullit shqiptar të kësaj krahine politikën e përçarjes dhe të genocidit: çamët myslimanë i quajti turq dhe filloi t’i keqtrajtonte, kurse çamët e krishterë orodoksë i quajti grekë për hir të besimit të përbashkët fetar. Mbasi Greqia humbi në luftën Turko-Greke (1919-1922) u detyrua, kur u bë paqja në vitin 1923, të bënte këmbim të popullsisë. Qeveria greke tërhoqi popullsinë greke nga brigjet perëndimore të Turqisë dhe dërgoi në Turqi banorët turq që kishin mbetur në Greqi. Këtë proces këmbimi të popullsisë fqinji ynë e shfrytëzoi për të dërguar me dhunë në Turqi shqiptarët myslimanë të Çamërisë. Por këtë shpërngulje të shqiptarëve myslimanë të Çamërisë nga trojet stërgjyshore, qeveria greke u detyrua ta ndërpriste mbas disa muajsh, sepse e detyroi Lidhja e Kombeve mbas ankesave që bëri qeveria shqiptare.

Gjatë LIIB, Italia Fashiste mbasi pushtoi Shqipërinë sulmoi Greqinë në tetor 1940, por populli patriot grek dhe ushtria qeveritare greke e mposhti ushtrinë itliane dhe e ndoqi përtej kufirit të saj veri-perëndimor. Mirëpo duke pushtuar krahinat e Shqipërisë së Jugut ajo e ktheu luftën çlirimtare në luftë pushtuese. Kësaj here ushtria greke nuk mundi t’i mbante të pushtuara trojet shqiptare, sepse Gjermania Naziste, aleatja e Italis Fashiste, shumë shpejt e pushtoi Greqinë, dhe krijoi aty një qeveri kolaboracioniste në shërbim të pushtuesve nazistë, të cilët nuk donin cënimin e trojeve të Shqipërisë.

Në fund të LIIB, gjatë muajve qershor 1944 – mars 1945, forca ushtarake greke, të drejtuara nga kolonel Napolon Zerva e disa kolegë të tij, pa marrë urdhër nga qeveria qendrore, kryen masakrën më të madhe kundër popullit shqiptar të Çamërisë. Prej myslimanëve shqiptarë të kësaj krahine u vranë mbi 2.500 burra, gra, nuse e fëmijë dhe përzunë me përdhunë pjesën tjetër mbi 30.000 çamë myslimanë, të cilëve ua dogjën shtëpitë dhe ua konfiskuan pronat. Kurse pjesën e krishtere të çamëve, rreth 30.000 banorë, e detyruan të mbyllte gojën për të shpëtuar nga keqtrajtimi. Edhe banorët grekë të Çamërisë mundën të ndihmonin shumë pak fqinjët e tyre të vjetër, sepse edhe ndaj tyre u mbajt një qëndrim kërcënues.

Në këtë kohë Shqipëria po delte nga LIIB e varfër dhe e shkatëruar, pas luftës që kishte kryer kundër pushtuesve italo-gjermanë dhe luftës midis forcave të brendshme antifashiste, forcave të “Nacional – Çlirimtares” dhe “Ballit Kombëtar” e “Legalitetit”. Në këtë situatë Partia Komuniste që mori pushtetin duke qenë pa përvojë qeverisjeje, dhe e trembur se mos humbte pushtetin, nuk e bëri problem masakrimin e popullsisë së Çamërisë. Ajo i priti e i sistemoi të shpërngulurit si mundi në toka pa pronarë, shumica toka rranishte në bregdet, ose në disa qytete si Vlora, Fieri, Lushnja, Berati, Elbasani e Tirana. Ajo nuk ndoqi një politikë shoviniste ndaj minoritetit grek, rreth 20.000 banorë, që jetonte në fshatrat e krahinave Sarandë, Gjinokastër e Përmet. Nuk i dëboi banorët grekë të minoritetit që të sistemonte në shtëpitë e tyre muhaxhirët e ardhur nga Greqia. U dha minoritarëve grekë të drejtat që kanë minoritetet e huaja në shtetet europiane: shkollim falas në gjuhën amëtare, gazetë dhe emisione radiofonike në greqisht, etj. Të tilla të drejta shqiptarët e Çamërisë nuk i gëzuan kurrë që nga viti 1913, po ashtu edhe çamët e krishterë që qëndruan në Greqi pas marsit 1945 nuk i gëzuan këto të drejta. Këta u dhunuan që të mos e flisnin gjuhën amëtare nëpër oborret e shkollave e as në rrugët e qyteteve e të fshatrave të tyre. Këtë politikë shoviniste ndjek edhe sot qeveria greke, qeveria e një shteti anëtar të Bashkimit Europian, jo vetëm ndaj banorëve të vjetër shqiptarë të Çamërisë e të fshatrave të Gramozit, por edhe ndaj shqiptarëve të rinj emigrantë që shkuan atje për të punuar mbas ndërrimit të regjimit më 1991-1992.

Vitet 1991-2025, vite kur populli shqiptar në Ballkanin Perëndimor po ecën drejt forcimit ekonomik, moral dhe politik, janë vite kthese edhe për ndërgjegjësimin e shqiptarëve dhe të grekëve, si dhe të opinionit botëror për kërkesat që u duhen bërë qarqeve shoviniste të qeverisë greke ndaj masakrave që u janë bërë në të kaluarën shqiptarëve të Shqipërisë së Jugut dhe të Çamërisë, si dhe ndaj të drejtave të emigrantëve të rinj.

* * *

Plagën e madhe që shkaktoi ushtria greke nën komandën e Kolonel Zervës me shokë në qershor 1944 – mars 1945, trajton libri i ri i poetit dhe prozatorit të talentuar Luan Rama “ODE PËR TEMPUJT QË NUK U HARRUAN” botim i ALBAS, Tiranë, 92 f. Këtë masakër në vitet 1944-1945 e kanë dënuar dhe disa intelektualë të ndershëm të minoritetit grek të Shqipërisë. Midis tyre po përmend ish-pjesëmarrësin e Luftës Antifsshiste në radhët e forcave partizane shqiptare, të paharrueshmin Vasil Nathanalili, ish-ambasador i Shqipërisë në disa vende dhe ish-zëvendës Ministër i Punëve të Jashtme të RPSh-së.

Për nga lënda letrare ky libër ka karakter mozaik. Brenda tij janë përfshirë disa gjini letrare. Ai hapet me një hyrje – prolog, ku shpaloset thelbi tematik e problematik që do të trajtohet.

Autori do të ishte ambasador i Shqipërisë në Francë në vitet 1997-2001, dhe fshfytëzoi rastin për të vizituar disa herë Greqinë, ndali në Filat, qytetin ku kishte jetuar brez pas brezi familja e nënës së tij. Shikoi me vëmendje mbeturinat e mureve, të portave e dritareve me harqe, fotografi të varura në mure; fikun dhe pusin në oborr, e më tej ullinjtë e lashtë… Iu ngjallën emocione shqetësuese. Në veshët e tij nisi të dëgjojë rënkime, klithma e të qara, që kishin përjetuar ato ambjente gjatë kohës së masakrës.

“Harqe guri, porta të mëdha guri, dritare të shqyera ku era fryn trishtueshëm. Magje të braktisura, çati të rëna e të thyera nga gjëma e madhe dhe një copëz qiell i vetmuar, i ngrënë, i vrarë. Era fryn nëpër shkurre, mbi gurë të latuar dhe puse të harruar, mbi trarë të përmysur në këtë shembje të jetës dhe të botës në Çamëri. Një fotografi e zbehur dhe e përbaltur, një foto dasme mbetur në një rrenojë rrëzë murit… Lugë të ndryshkura dhe të vetmuara që prisnin gojët e tyre. E papritur, në heshtjen e madhe, një këngë e vjetër dëgjohet. Këngë e shpirtit, këngë e popullit të handakosur e të vrarë. Kënga, që dhe në rrënoja dhe varre, për dekada me radhë, ka jetuar dhe vazhdon të jetojë. Shpirti i popullit nuk mund të heshtë. Eshtë kënga që i këndon masakrës, është vaji i një jete të humbur, që nuk do të harroje tragjedinë e vet…

Eshtë rrëfimtari, i vdekuri i gjallë, ai që lëviz mes gërmadhash dhe me shpirtin e dhimbur sheh katakombet e një jete të dikurshme. E kështu nis të rrëfejë, të na tregojë…”

Vepra vijon me një poemë të tipit ODE (lloj i gjatë i këngës solemne të kohës antike, e ndarë në strofa të gjata, ku u këndohej me tekst e muzikë ngjarjeve të mëdha historike, bëmave të njerëzve të shquar në luftra, ose në gara olimpike, por këtu u këndohet përmes alegorisë dhe kontrastit jetës së dikurshme të popullit të Çamërisë dhe katastrofës reale që poeti sheh me sytë e tij). Vargjet poetike burojnë nga shpirti i trazuar dhe i revoltuar:

“Çdo natë nga rrënojat hijet ngrihen,

duke shkundur pluhurin e tragjedisë.

Hijet nuk kanë vdekur,

nuk kanë heshtur gjithashtu,

janë të vrarët, të masakruarit, të handakosurit,

diej të shuar që shndrisin ende….

Gurët tanë që nuk heshtin,

që flasin me gjuhën e erës dhe të mallit,

gjuhën e lumit që shkon poshtë kodrinës,

ku Hadi gurgullon gurë përrallash të vjetra,

aromë dheu, livande dhe borziloku.”

Dhe renditen njëra pas tjetrës disa nga tragjeditë që përjetuan çamët myslimanë, njerëz të talentuar, që kishin krijuar qyetetërimin e Epirit të lashtë e të ri: ustallarë, bahshevanë, bukëpjekës, marangozë, dervishë e varrmihës që i vunë të mbulonin të masakruarit; nëna me fëmijë, nuse shtatzëna që i vranë duke ua çarë barkun me bajonetë, si dhe bardë të këngës, të cilëve ushtarët grekë ua mbyllën gojën me dheun e etërve, por ata prapë këndojnë në errësirën e natës. Shkuan 80 vjet nga pritja e gjatë dhe krakëllimat e korbave u shuan bashkë me duhitë e hakmarrjes. Tani, shton poeti, “harabelat e paqes u shfaqën përsëri, cicëruan emrat tanë si të ishin evlatë të shenjtë, që nuk na harruan. Malli ynë do të bëhet shteg i bukur mbushur me jargavanë”, gjë që e ndihmon autorin të bëhet optimist për të ardhmen:

“Dhe atëhere, në pranverën e re

përtej errësisrës, sytë tanë do të shohin fytyrën e ardhmërisë,

gjaku do t’i risjellë lulkuqet e tij me hapat e pinjollëve tanë

dhe dielli do ta largojë brymën e errët dhe zinë.

Perëndimi do të shkëlqejë me njeqind tone të së kuqes

të dasmave që do të vijnë.”

Optimizmi për një të ardhme paqësore vijon me një prozë poetike, ku theksohet se Çamëria po mbushet me lule, se: “Diçka pritet të vijë. Një tjetër këngë për atë që do të vijë, që jeta përsëri të bulëzojë dhe që ustallarët e rinj të rivijnë, të ringrenë muret, të hedhin çatitë e reja, të mbjellin mëllaga e manxuranë e t’i gëzohen jetës me fqinjët e tyre të lashtë.”

Optimizëm, të cilin e ka ngjizur dhe një këngëtar popullor nga Picari i Filatit: “Të lamë lule pa petale / Çamëri / po do vijë dita e prap do ngjallesh / moj peri.” (f. 71)

Vend më vete zë një tregim artistik i titulluar “Përtej Qafës së Botës” të cilin autori e ka thurur mbi gjarje të vërtetë të zonjës Fero Avduli nga Filati, një çame e përndjekur prej ushtrisë greke nga shtëpia e bukur dhe tokat stërgjyshore, për të vetmin “mëkat” se nuk ishte greke, se nuk ishte shqiptare ortodokse, që mund të quhej greke, po ishte thjesht shqiptare myslimane, që fliste gjuhën e të parëve. Pra i përkiste pjesës së popullit shqiptar, të cilën shovinizmi grek e kishte shpallur armike dhe e kishte luftuar egërsisht që nga koha e krijimit të “Megali Idhesë”.

Pas tregimit vijon një prozë politike-filozofike ku Luan Rama shpalos politikën shoviniste të ndoqi qeverisë greke edhe pas viteve 1991-1992. Kur Shqipëria ndërroi regjimin, populli shqiptar filloi të emigronte nëpër botë, edhe Greqia i hapi kufijtë për shqiptarët, sipas porosisë së ShBA-ve dhe BE-së. Populli i thjeshtë ua hapi shtëpitë emigrantëve, por qarqet shoviniste nuk lejuan që çamët e dëbuar nga bajonetat e kolonel Zervës, të shkonin në Çamëri për të vendosur tufa me lule mbi varret e të parëve të tyre, për të parë rrënojat e shtëpive, tokat, vreshtat, ullishtet…

Këtë tragjedi të re autori e titullon: “Dante dhe Shekspiri nuk do ta kishin imagjinuar se mund të ndodhte në shekullin e XX-të”, por për çudi të shqiptaëve kjo ndodhi dhe po ndodh edhe në shek e XXI-të. SHBA-të dhe BE-ja kanë bërë shumë pak për ta emancipuar qeverinë greke në këtë drejtim. Autori, si diplomat kufizohet duke kërkuar që qeveria greke të kërkojë “pardon”, por lexuesit mendoj se dëshirojnë që aleatët tanë ShBA dhe BE t’i imponojnë kësaj qeverie, ashtu si dhe qeverisë serbë, që masakrat ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë nga pala greke, dhe ato ndaj shqiptarëve të Kosovës nga pala serbe, të dënohen, sepse mosdënimi është krim i ri.

Libri mbyllet me pjesën kujtime. kujtime rrëngjethëse, dëshmi gojore të mbledhura nga çamër konkretë me emra e mbiemra, burra e gra, që e përjetuan përndjekjen. Këto dëshmi autori i ka marrë nga libri “Kongresi Antifashist çam” botim i Shoqatës Patriotike Çamëria, Tiranë, 2018, ose nga gazeta “Dielli”, 2025, organ i Federatës Pan Shqiptare Vatra të Amerikës.

Pjesa ilustruese Album është e shpërndarë nëpër faqet e librit. Në këto fotografi riprodhohet aktori i talentuar Alfred Trebicka duke recituar poemën “ODE për tempujt që nuk u harruan” në ambjente të ndryshme, herë mbështetur në muret e rrënojave, tek ndonjë portë me qemer, ara me ullinj, dritare të shqyera, etj. Sytë e tij të mëdhenj, mimika shumë shprehëse, trupi i bëshëm i veshur me një xhamadan pjesë e veshjes së burrave çamë, të emocion. Lexuesit i duket sikur dëgjon vargjet e poemës, sikur shikon çamët duke ikur të raskapitur e të stërmunduar. Ai na kujton bardët e lashtë, por që nuk reciton trimërira heronjsh, por bëma kriminale të ushtrisë greke me kolonel Zervën në krye.

Paisja e veprës me lloje të ndryshme letrare e sidomos albumi është një arritje e re në letërsinë tonë. Por mendoj se kjo arritje mund të ishte shpënë më tej duke e pajisur veprën me një DVD, ku të ishte filmuar aktori duke recituar në ambjentet konkrete të masakrës.

Mosdënimi i masakrës së ushtrisë greke të viteve 1944-1945 bashkë me moslejimin e pasardhësve të viktimave të shqiptarëve çamë për të vizituar arat dhe trojet e të parëve, si dhe pronat e tyre, dënohen prej Luan Ramës si turpe të qeverisë greke, anëtare e BE-së dhe në një letër të hapur drejtuar Shkëlqesisë së Tij Micotaqis, Kryeministër i Greqisë, më 14 korrik të këtij viti dhe botuar në shumë gazeta online apo në median e shtypur “Telegraf” ku i kërkon që ai ta shlyejë këtë turp. Në një ribotim ship a në gjuhë të huaj, kjo letër vlen të riprodhohet brenda librit…

Si përfundim, kjo vepër e re e poetit dhe prozatorit të talentuar Luan Rama, do të ndikojë ndjeshëm në emancipimin e politikanëve grekë dhe shqiptarë, të cilët nuk kanë bëraë sa duhet për dënimin e masarës së Çamërisë. Madje pala greke ka kërkuar me paturpësi që të mohohet ekzistenca e toponimit “Çamëri” dhe e emrit “çam” si banor i asaj krahine të njohur historikisht.

Federata Pan Shqiptare Vatra ka një vit që ka marrë për detyrë të mbështesë çeshtjen çame, duke sensibilizuar opinionin shqiptar e botëror mbi të drejtat e popullit shqiptar të Çamërisë, prandaj sugjeroj që kjo shoqatë atdhetare, partnere me Departamentin e Shtetit Amerikan, të ftojë autorin e të organizojë promovime të këtij libri në New York e në disa degë të saj.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT