• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

At MATI PRENNUSHI O.F.M. SHPEJT DO TË JETË SHEJT !

November 1, 2016 by dgreca

1 Fritz Radovani

NGA FROTZ RADOVANI/

1-prennushi-203x300

Ne Foto: At Mati PRENNUSHI O.F.M. (2 Tetor 1882 – 11 Mars 1948)/

“POPULL SHQIPTAR, EC PËRPARA ME KURAJO DREJT SHTIGJËVE TË SOLIDARITETIT. ASHT NJË RRUGË E VËSHTIRË KJO, POR NË TÉ JANË  TË MBJELLUNA FARNAT E SHPRESËS.LÈ TË SHOQNOJNË FORCA E MARTIRËVE TË TU,DISHMITARË GJITHMONË NË ROJE TË LIRISË NË VITËT E PAFUND TË SHTYPJES SË RREGJIMIT TOTALITAR»/PAPA  GJON  PALI  II-Tiranë, 25 Prill 1993/

Me daten 8 Janar 1948, në gjyqin e mbyllun që po zhvillohej në mensen e burgut të Kishës së Fretenëve në Shkoder, Provinçiali At Mati Prennushi në fjalën e fundit tha:“Tash e disa shekuj na kanë ngulë ndër hûj e na kanë varë n’ konop ata që nuk deshten as Fenë as kombin, por e kemi thirrë vedin gjithmonë Shqiptarë katolikë të Gjergj Kastriotit.Kemi jetue gjithmonë me Popullin si në luftë, si në paqë. Në luftë me turkun e me shkjanë, sepse njani na mbante në robni e tjetri donte me na përpî. Ndërsa na nuk jemi nda kurr prej Popullit, por jemi përpjekë me e mësue e me i dhanë atë kulturë që ka Europa e mos me u dallue për keq prej të tjerëvet. Na kemi hapë shkolla Shqiptare e nuk kemi dallue ndër to as katolikë as myslimanë, mjaft që Populli Shqiptar të ecin në rrugën e Zotit.” (Revista “Buzuku”, nr. 18, E. Merlika, me 22 tetor 2005, Ulqin.)

***

At Mati PRENNUSHI ka lé në Shkodër më 2 tetor 1882, prej prindve Kolë e Drande Prennushi. Asht i pagëzuem me emnin Paulin. Familja Prennushi asht e vjetër në qytetin e Shkodrës. Të parët e tyne kanë ma shumë se 350 vjet që kanë ardhë nga Zhupa, fshat malor por që, asnjëherë nuk asht shkelë nga turqit deri në ardhjen e kësaj familje në Shkodër, prandej, edhe nuk kanë ndrrue Fé. Tregojnë se vazhdimisht kanë pasë klerikë në za. Ndër të fundit asht kenë Don Mati Prennushi, axha i At Matisë, që ka vdekë në vitin 1904 e asht varrosë në Rrëmaji, ku janë vorret e kësaj familje. Don Matia ishte i njohun për aktivitet atdhetar në krahinat e Veriut. At Matia trashigoi emnin e Tij, mbasi pikërisht atë vit kur Ai vdiq ky u shugurue meshtar, më datë 4 prill 1904, në Kishën e Françeskanve të Gjuhadolit. At Matia mësimet e para i mori në Troshan, ku edhe Ju kushtue Urdhnit të Shën Françeskut, i njohun në Shqipni “Urdhni i Fretënve të Vogjël, O.F.M.”. Vazhdoi në Bosnje mbasi pothuej ishte ba traditë parapërgatitore e fretënve për vazhdimin e studimeve të nalta në Austri. Kjo rrugë asht ndjekë nga pjesa ma e madhe e françeskanëve Shqiptarë, mbasi Austria jo vetëm, se ishte forcë e madhe, po ishte e vullnetëshme me ndihmue Shqipninë me kuadro të nalta në të gjitha fushat.Pergatitja e klerikëve atje bahej me dëshirën ma të madhe prej tyne mbasi atë kohë ajo shihte edhe tëposhtën që kishte marrë Përandoria Turke. At Matia studimet e nalta i përfundoi në Grac në vitin 1904. E theksova këtë fakt mbasi edukata dhe kultura e marrun në këto qendra edukimi në Austri, la përjetësisht gjurmët e veta të pashlyeshme në formimin atdhetar e fetar në të gjithë ata Shqiptarë që, edhe pse ishin nën pushtimin mizor turk, formuen atë brezni që Shqipnia nuk do të mundët me e persëritë kurrëma. Në moshën 24 vjeçare At Matia, zotnonte mirë gjuhët: latinisht, greqishtën e vjetër, italisht, gjermanisht, serbo-kroatisht dhe frengjisht, gjuhë të cilat i fliste dhe i shkruante saktësisht. Françeskani i ri e filloi misionin e tij si profesor në Gjimnazin e Fretënve dhe mbas një viti shkoi në Katund të Kastratit ku, përfshihej edhe Bajza. Ka edhe sot familje e që kujtojnë me respekt meshtarin e ri ndër votrat e të parëve të tyne.Shumë shpejt u fiton zemrën besimtarëve të vet. At Dioniz Maka më tregonte më 14 prill 1995: “Kur turqit në agoninë e tatpjetës mendonin aty nga 1905 me djegë Shkodrën, në shenjë hakmarrje për përpjekjet që po baheshin me dalë nga zgjedha e robnisë së tyne, njëditë të dielë mbas meshët, At Matia çveshi teshat e meshës e u tha besimtarëve me pritë në oborr pesë minuta. Ai vetë shkoi te qela, doli para Kishës dhe ju drejtue të pranishëmve tue nxjerrë prej xhepit të zhgunit një alltije: – Kush asht burrë dhe e don me zemër Shkodrën o sot o kurr, me ardhë mbas meje, do t’ju prij unë e do të shkojmë me i ndalue dorën hasmit turk që don me zharitë vëllaznit tonë!

Të gjithë si ishin shkuen ndër shtëpia, ndrruen teshat, u armatosën dhe u rreshtuen mbas Tij ndër kuaj për pak kohë. Dhanë kushtrimin përreth ndër male dhe nën drejtimin e At Matisë u nisën në drejtim të Shkodrës. Lajmi erdhi shumë shpejt edhe në Shkodër. Me të marrun vesht Valia dërgoi ndërmjetësit tek Kisha e Madhe e Shkodrës për me e ndalue këtë veprim, tue u premtue se ushtria turke nuk do të bajë asnjë reprazalje kundër shkodranëve. Imzot Guarini i dërgoi  një përfaqësues me u dalë para malësorëve që po vinin me At Matinë në krye. Përfaqësuesi i klerit i takoi ata pak pa mërrijtë në Vrakë dhe mbasi ishin marrë garancitë prej Valisë, malësorët u kthyen, Shkodra shpëtoi… At Matia qysh i ri asht dallue në trimni. Kishte një za të trashë dhe pak të marrun… e, si tash e kam ndër veshë zanin e tij kur këndonte Gloria…”

Me shkuemjen e Imzot Lazër Mjedjes në Prizren, aty nga 1908, At Matia shkon në Traboin, Deçiq dhe Greçë. Tue pa përditë me sy tiparët e malësorit të kulluem atje, Ai preku me dorë gjanë ma të çmueshme që e karakterizon Shqiptarin dhe që e veçon nga kombët tjera, aty ishte burrnia e besa! Në çdo votër ndër ata male përcillej ndër breza qëndresa e kreshnikia pa mburrje.

Virtyti ma i shenjti i yni besa, qarkullonte ndër damarët e gjakut të malësorit bashkë me fisnikinë dhe formulen “Fé e Atdhé”, aqsa dukej sikur ky ny i pazgjidhshëm asht lidhë njëherit me kërthizën e tij.  Prova ma e saktë asht vetësakrifica për hatër të mikut, ndërsa, për priftin edhe binte në zjarr e nuk i dhimbsej jeta si me lé së dyti. Ishin françeskanët të parët që e provuan këtë gja ndër male mbasi me ndôre të këtyne, ata mërrijtën me falë edhe gjaksin. Një veper sa Fetare aq Atdhetare e papersëritëshme. Ishte besa që në karakterin e atyne burrave ruente të forta dhe të freskëta ndjesitë Atdhetare që prisnin çdo çast me u zgjue nga dora e bekueme me gjakun e martirëve, nga dora e atij Kreshniku që shpejt do të thërriste: “Çonju burra, ku jeni, drejt e në Deçiq!..”

E, mbas Tij, fluturuen edhe shqipet e Alpëve tona!

Më 24 mars 1911 janë At Mati Prennushi e At Buon Gjeçaj, që shpalosin nga gjoksi i tyne Flamurin Kombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, dhe ia dorëzojnë të pathyeshmit Trim të Traboinit, DEDË GJO’ LULIT, që me ata dy sy zhgabë që i vezullojshin prej gëzimi, e buzëngërthye nën ata mustakë të bardhë si biluri, me kësulë mbi një sy si bora e MAJËS SË BRATILËS, i mbërthyem ndër armët e të Parëve, në atë brez të punuem prej lokes qysh se rrezja e diellit kishte shkrepë ndër ato maje, me ata çakçirë nën t’ artin xhamadan ku rrahte ORA E SHQIPNISË, aty, po, ishte zëmreku i kombit ku gufonte gjaku i shkuem rrëkajë i Fatosave; aty, po, ishte ajo e forta zemër që me duer prej bronxi, ngjiti në atë shtizë të latueme në shekuj atë cohë KUQ E ZI, të qëndisun nga duert e bijave të Rozafës, po, në atë shkam ku asht daltue amaneti i GJERGJIT, që për pesë shekuj priti: AGIMIN E LIRISË…

Po, po, bash AI BURRË, që sot nuk ka as vorr!

Për këtë ngjarje kaq të randësishme përveç dokumentëve historike të botueme të asaj kohe, fotografive etj., në revistat “Leka”, “Hylli i Dritës”, etj., shkruan edhe Stephen Schwartz, Albanian Catholic Bulletin, 1994, vol. XV, fq.150, University of San Francisco: “On March 24, 1911 the Albanian double-headed eagle flag was raised for the first time in five centuries since the death of Scanderbeg. The flag was raised on the top of Deçiq mountain, near the toën of Tuzi. It had been wrapped and secretly carried from Shkoder by Franciscan Father Mati Prennushi under his religious habit.”; dhe, e përkthyeme:

“Më 24 Mars 1911, pesë shekuj mbas vdekjes së Skënderbeut, për herë të parë u ngrit Flamuri Shqiptar me shqiponjën dykrenare. Flamuri u ngrit në maje të malit Deçiq, afër qytetit të Tuzit. Atë e solli në mënyrë të fshehtë nga Shkodra, Françeskani Padre Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e tij.”

At Matia nuk asht i knaqun vetëm me lirinë e malëve mbasi atje liria pothuej nuk ishte shkelë asnjëherë. Vepra fisnike e Deçiqit vërtetë që ishte një shpërblim i luftës së vazhdueshme të malëve tona, por kënaqësia duhej me u shtri në të gjithë Shqiptarët.Asht kjo arësyeja që në qelën e At Matisë, në Greçë, shkon Imzot Lazër Mjedja dhe organizojnë takimin historik ku përpilohet një dokument shumë i randësishëm: “Memorandumi i Greçës”, më 23 qershor 1911, që i prinë ngjarjës së madhe të Pavarësisë Kombtare në Vlonë, më 28 nandor 1912.

Ky Memorandum u shkrue në gjuhën frenge nga dora e atdhetarit Luigj Gurakuqi dhe u përpilue nga Imzot Lazër Mjedja, Luigj Gurakuqi, At Mati Prennushi, At Buon Gjeçaj, dhe asht nenshkrue nga: Sokol Baci i Grudës, Ded Gjon Luli i Traboinit të Hotit, Dedë Nika Bajraktar i Grudës; Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit; Tomë Nika i Shkrelit, Col Dedi i Selcës Këlmendit; Lul Rrapuka i Vuklit të Këlmendit; Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit; Gjeto Marku i Hotit; Mehmet Shpendi, i pari i Djelmënisë së Shalës; Martin Preka i Shkrelit; Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi Toplanas; Bash Bajrami Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia. Burra që nuk i vijnë ma Shqipnisë!

Ajo që sot bie në sy në këte Dokument kaq të rendsishem asht përdorimi i saktë i terminologjisë juridike të asaj kohe, kur as Shqipni pothuej “nuk kishte”…që, të jep përshtypjen e përpilimit të tij në kohën e sotme moderne prej ndonjë grupi juristësh të një shteti shumë të përparuem.

Kur malazezët shkelin tokat tona, për këto akte atdhetarie që At Matia kishte organizue atje, e kapin dhe e dënojnë me varje në litar. Gjatë zhvillimit  të gjyqit një anëtar i  trupit gjykues, i thotë: “E sheh litarin që ke në brez, në atë litar do të varim!” …dhe,  At Matia, me buzë në gaz i përgjegjët: -“Ua dij për nderë me më varë në konopin tem mbasi me siguri litari em ka me ma falë jetën!” Thanja kishte dy kuptime: Së parit, konopi i Françeskanit do të këputej, mbasi nuk do të pranonte që të varet kush në atë litar; së dyti, litari i tij nuk kishte si me bajtë peshën e randë të trupit të madh dhe të shëndetshëm të At Matisë. Asht e vërtetë që me At Fishtën ishin miq por ishin edhe bashkëpunëtorë. Për hirë të kësaj dashtnije që kishte At Gjergj Fishta për té, Ai ndërhyni tek Krajl Nikolla për me i falë jetën At Matisë. Krajli jo vetëm i fali jetën po, edhe e liroi dhe ja dha me vete. Erdhën në Shkodër ku për pak kohë punoi si profesor në Gjimnazin Françeskan. Siduket, ata i përpiqte bashkë edhe humori. At Fishta e tregonte shpesh thanjën e At Matisë para gjyqit dhe qeshëshin. Kjo vërehet edhe ndër ato pak letra të korrespondencës së tyne që për fat nuk janë zhdukë dhe, prej të cilave një muejta me e fotokopjue. Pjesa ma e madhe e tyne asht e vështirë me ra në duert’ e mija. Nuk zgjati shumë kohë dhe At Matia u kthye në Bajzë të Kastratit edhe njëherë mjedis miqve të vjetër, që e pritën me dashtninë dhe mirnjohjen e vet ma të madhe.

Në vitin 1924 asht përkrah Opozitës si gjithë Kleri Katolik Shqiptar, kryesisht ai Françeskan, kundër regjimit të Zogut. Lëvizjet e 1926 e përfshijnë edhe At Matinë, i cili mbas vrasjes së Luigj Gurakuqit, nuk donte me i ndigjue emnin as Zogut dhe as Musa Jukës. Arrëstohet prap në këtë Lëvizje bashkë me shumë klerikë të tjerë. Don Gjon Gazulli u dënue me varje dhe u ekzekutue vëndimi në Shkoder në 1927.

At Matia do të pushkatohej. Këtë herë asht At Palë Dodaj që ndërhyn tek Zogu, i cili për miqësinë që kishte me At Palin qyshë në Rubik, ia fali jetën At Matisë. Edhe ky e liron por me kusht që At Matia me u largue nga ato krahina malore. Atëherë detyrohet me u largue përfundimisht dhe emnohet në Laç të Kurbinit. Në vitin 1928 shkon në Iballe të Pukës dhe mbas pak vitësh asht famullitar në Gomsiqe. Në vitin 1941 emnohët në Tiranë, megjithëse aty nuk shtrihej veprimtaria e Françeskanëve. Në Tiranë bashkë me Provinçialin e tyne At Anton Harapin, hapin Kishën Françeskane të kryeqytetit, ku At Matia ushtron një aktivitet të gjanë atdhetar. Këto vepra as nuk perkujtohen!

Aty bashkëpunon me At Pjeter Meshkallën, Imzot Vinçenc Prennushin, Imzot Luigj Bumçin, Don Lazër Shantojën etj. At Matia jo vetëm ishte antifashist por ishte edhe anti-italian. Nuk pajtohej me pushtimin e Shqipnisë nga Italia, gja të cilën, e ka shpreh pa kurrfarë frike. Në Kishën Françeskane të Tiranës më 28 nandor 1942, ai ka vue Flamurin Kombëtar me Shqipën e flamurit të Deçiqit, pa stemat e fashizmit. Kryente vizita kortezie ndër autoritetet shtetnore edhe italiane që i kishte të detyrueme po prej tyne… At Mati Prennushi konsiderohej nga autoritetet atje: “Françeskan me ndjenja të theksueme nacionaliste dhe antifashiste italiane”. Dëshmi e At Dioniz Makës (1995).

Në Tiranë Ai u njoh me shumë përsonalitete të kohës si, me Shefqet Vërlacin, Mustafa Krujën, Maliq Bushatin, Iliaz Agushin, Musa Gjylbegun, Rexhep Mitrovicën, Ibrahim Biçakun, Lef Nosin, Cafo Beg Ulqinin etj. Të gjithë dokumentët arkivore të marrëdhanjëve të At Matisë me këta përsonalitete, flasin vetëm për ATDHETARIZËM. Ai, edhe pse ishte në Tiranë ruen miqësinë me fisin e Ded Gjo’Lulit, me Prekë Calin, Kol Zefin e Grudës, Kol Ndoun – Bajraktar’i Shalës, Lulash Gjeloshin e Shoshit dhe, veçon Gjelosh Lulin, si trim dhe atdhetar. Në grupin e politikanëve të njohun ruen respekt për Mehdi Frashërin, si politikan, jurist, historian e liberal shumë i kulturuem. (Dosja 1302).

Ndër takimet e bame me italianët shihët kjartë interesi që ata kishin për me krijue lidhje me Françeskanët e Shqipnisë, për të cilët Konti Çiano shkruen në kujtimet e veta: “Shkollat e tyne kishin edukue rininë me ndjenja të theksueme anti italiane…”

Ata ndërtuen disa qela e Kisha në zonat e Tiranës dhe në Veri, per me krijue tjera ide per ta nder Shqiptarë. Këto dokumentohën edhe sot me shpjegimet e shpënzimeve të sakta, të ruejtuna nga At Matia në Arkivin e Shtetit Tiranë. (Libri “Françeskanët”1998)

Në vitin 1943 At Matia vjen në Shkodër. Mbas emnimit të At Anton Harapit në Regjencë, në vendin e Tij si Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë, emnohet At Matia, detyrë e cila i njihët zyrtarisht nga eprorët në muejin qershor të vitit 1944. Detyrën e fillueme në gjysmën e vitit 1943 e vazhdon pa emnim zyrtar, mbasi  rruga e ndjekun me At Anton Harapin nga Argjipeshkvia e Shkodres për aprovimin e Tij në Regjencë, ka vazhdue disa muej. Mënyrën si u veprue do ta shpjegoj tashti nga burimet e vërteta për këtë çashtje: Zgjedhja e At Mati Prennushit si Provinçial asht mjaft origjinale.

Po citoj nga At Konrrad Gjolaj, i cili ishte i pranishëm në atë mbledhje porsa kishte ardhë nga studimet prej Italie. Në librin “Çinarët” (fq. 67) shkruen: “At Çiprian Nika ishte ndër françeskanët ma me vlerë që ka pasë kleri e kjo asht edhe arësyeja që kur u zgjodh Provinçial At Matia, Ai pat ngulë kambë mos me u zgjedhë At Çipriani, se komunistët punën e parë që kanë me ba kanë me pushkatue Provinçialin, prandej, t’a ruejmë At Çiprianin për ma vonë, mbasi asht i ri dhe i vlefshëm shumë për né. Ai e mori vetë detyrën e Provinçialit me bindje të plotë se do të pushkatohet, por At Matisë, nuk i bante përshtypje pushkatimi, se edhe dy herë maparë kishte shkue deri te gryka e pushkës, bile edhe deri tek stoli i konopit në Serbi.” Po në këtë mënyrë e shpjegon edhe At Dioniz Maka mënyrën e zgjedhjes së At Matisë Provinçial.

Në fq. 65, At Konrrad Gjolaj shkruen: “Ardhjen e At Mati Prennushit si Provinçial të Françeskanëve të Shqipnisë, unë e kam konsiderue gjithmonë si një fat i madh i Kishës Katolike dhe i Françeskanëve të Shqipnisë. Ai asht kenë portreti shpirtnuer, fizik e moral i një Françeskani të vërtetë. Inteligjent, trim dhe organizator. Janë tri cilësi të vështira me u kombinue, por sidukët Zoti, tue dashtë me na ruejtë me faqe të bardhë na shndriti mendjën me zgjedhë At Matinë në kohën ma të rrezikshme dhe delikate, në të cilën asht ndodhë Kisha përballë terrorit sllavo-aziatik komunist”.

Shkuemjen e At Anton Harapit në Regjencë, At Matia e konsideron të rregullt dhe në përputhje të plotë me normat ligjore të Urdhnit, mbasi vetë At Antoni ka kërkue rrugën ligjore. Mbasi u mblodhën françeskanët: At Mati Prennushi, At Pal Dodaj, At Çiprian Nikaj, At Donat Kurti, At Pashko Bardhi, At Gjon Shllaku dhe At Augustin Ashiku; At  Matia deklaron: “… U bisedue nëse mund t’i sillej ndonji dobi Atdheut me pjesëmarrjen e tij (Padër Antonit) në Regjencë, e arritëm në përfundimin se mund t’i sillet shumë, prandej e autorizueme Padër Antonin të marrin pjesë në Regjencë.”

(At M. Prennushi Dosja 1302, fq. 56, Arkivi Min. Mbrendshme, Tiranë).

Ma poshtë vazhdon: “Mbas kësaj mbledhjeje i asht kërkue mendimi Papës, dhe Vatikani në bazë të Kodit Kishtar, e lé në dorë të Argjipeshkvit. Argjipeshkvi i Shkodrës e pëlqen këtë vëndim dhe Padër Antoni shkoi në Regjencë”.(po aty fq. 57.)

Kur hetuesi e pyet At Matinë, se konsiderohët apo jo At Antoni “kriminel lufte”, përgjegja asht kjo: “Për Padër Anton Harapin nuk ka ndonjë fakt që të më bindin se ky mund të jenë kenë kriminel lufte”. (Dosja 1302 fq. 6). Letra e At Antonit që i ka dhanë Osman Kazazit njëditë para pushkatimit, ende nuk po botohet. E quej me vlerë po të ishte mundësia e një studimi të plotë për At Anton Harapin, me nxjerrë në dritë një letër të Lef Nosit, që ruhet në Arkivin e Shtetit, me të cilën Lef Nosi kërkon me çdo kusht kenjen e At Antonit në përbamjen e Regjencës.        Po aty asht e ruejtun një letër tjetër që At Matia ua dërgon të gjithë françeskanëve me rasën e vrasjes At Lekë Lulit në mënyrë mizore dhe tradhtisht, vetëm me i plaçkitë të hollat që kishte me vete. Në këtë letër jep urdhën të premë që asnjë frat të mos merrët me politikë dhe të mos ju besojnë asnjenës parti, mbasi jo vetëm mund të pësojnë fatin e At Lekë Lulit, por edhe do të njolloset me akuzat ma të këqia nga ajo parti që do t’i marrë edhe jetën.

Porosia asht e padiskutueshme. Ka një shënim me të cilin akuzojnë At Matinë, se kjo letër asht shkrue vetëm kundër Lëvizjes N.Çl. dhe formacionëve partizane. Qëllimi i vërtetë me sa duket asht frika e përzimjes klerikëve në turbullinat e kohës.

Në të vërtetë koha e turbullt dhe e pa sigurtë e vitit kobzi 1944 sjell të paprituna të njëmbasnjëshme. Shumë nana shkodrane zanë derën e kuvendit për me ju shpëtue kokat e djelmëve të kapun nga gjermanët, si komunistë ose të dyshimtë; shumë të tjerë afrohën me vërejtë se çfarë qëndrimi po mbante kleri kundrejt partizanëve; shumë të tjerë vijnë me lypë ndihmë për jetesë si Pjerin Kçira me shokë; shumë të tjerë kërkojnë me rrahë në të dy krahët dhe me e pasë mirë me të gjitha palët e, që këta të fundit, janë kenë ma të shumtit. Praktikisht në Kuvendin e Fretënve gjetën strehë edhe shumë prej atyne që ma vonë do të dëshmojnë për “veprimtarinë antikombëtare” të françeskanëve, vetëm e vetëm me sigurue një vend pune të rahatshëm, me marrë një gradë shkencore edhe ate të pameritueme etj. etj., që shtjellohën ma kjartë në ngjarjet e ndodhuna mbas vitit 1944.

Procesët e bame ndër gjyqet e hapuna të Shkodrës janë dëshmia ma e mirë dhe mbahën mend nga qytetarët, por procesët e “mbylluna” që sot edhe ato janë të hapuna e publike, për fat të keq, dëshmojnë se shumë vetë kanë mendue se komunizmi asht i “përjetëshëm” dhe asnjëherë, nuk kanë mendue se një ditë do të dalin në shesh e vërteta e veprimeve të tyne antiatdhetare e antifetare.

Nuk ishte detyrë e thjeshtë me kenë Provinçial në një kohë ma keq se në kohë të paganëve, për Françeskanët e Shqipnisë ishte koha ma e vështirë e shekullit.

Gjithshka ishte në dorën e jugosllavëve e tradhtarëve, e kush ma parë se fretnit do të kishin punë me ta?

Në fillim të Janarit 1945, At Matia asht i pari klerik katolik Shqiptar që takohet me terroristët e njohun Sheuqet Peçi dhe Mehmet Shehu, në kuvendin e Gjuhadolit në Shkoder, dhe kur ata i kanë kerkue shkëputjen nga Vatikani, At Matia u asht pergjegjë: “Kjo punë nuk mund të bahet kurr nga Kleri Katolik Shqiptar!” Pikrisht, aty ishte edhe piknisja e Gjenocidit komunist kunder Klerit tanë që vazhdoi tiraninë 47 vjetë!

At Mati Prennushi ruejti dinjitetin e vet dhe të shokëve pa madhështi. Ai u ndodh i vorfën mjedis të vorfënve të Asizit. Dijti me lidhë gjithmonë veprën me logjikën, tue arsytue gjithshka e këshillonte Atë vëllau i kuvendit. Per këte flasin kjartë dokumentat e Dosjes së Sigurimit të shtetit nr. 1302.

Ai ishte i sjellshëm, i premë në vëndimet ma delikate, i njerëzishëm, bujar dhe i pakundërshtueshëm, mbasi me fjalë e vepra nuk dijti me iu randue as anmikut. At Matia ishte elokuent, të bante për vete, Ai ishte gjithmonë dashamirës. Këshilla e vërejtja e Tij mirëpritej si prej Atit, se njihej si Atdhetar që nuk u pajtue me asnjë okupatorë!

Punoi pa iu ndigjue zani për Fé e Atdhé si të gjithë françeskanët, mbasi në zemër u vlonte LIRIA. Ai vdiq i respektuem edhe nga anmiqtë, se njihëj për Burrë trim.

  • AT MATI PRENNUSHI, me 11 Mars 1948, në Zallin e Kirit para pushkatimit ka thanë: “Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija!

U bëj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!”

(Dosja 1302, Arkivi i Ministrisë së Punëve të Mbrendshme Tiranë, 1998.)

Kanë kalue 25 vjetë e “Varri… as sot nuk i dihet!”…

■Me daten 5 Nandor 2016, Papa Françesku në Vatikan do të shpallin:

SHEJTIN MATI PRENNUSHI…

Melbourne, Nandor 2016.

 KY ASHT KUVENDI I FRETENVE I KTHYEM NË BURG ME 17 NANDOR 1946.

Dishmitari i vetem i torturave të bame në këte burg të mnershem asht ky bli… që vazhdon me jetue këtu përpara per me diftue…

1946… DERA E BURGUT KISHËS SË FRETENVE…

Dallgë lotësh perplaseshin per këte “Derë”…

 

Filed Under: Histori Tagged With: At MATI PRENNUSHI O.F.M. SHPEJT, DO TË JETË SHEJT !, Fritz radovani

Mesanta e shurdhër e krimit pa alibi

October 30, 2016 by dgreca

15 vjet më parë u ekzekutua me C4 gazetarja Shote Haklaj/

Objektivi i shpërthimit me eksploziv të fuqishëm, i llojit C4, ishte apartamenti ku banonte deputeti i PD-së, Azgan Haklaj./1-azganhaklaj

Shkruan:Dukagjin Hata/

 Ishte një mesantë e errët dhe e shurdhër e 31 tetorit 2001, kur Tropoja e mbështjellë me hije dhe mister, do të përjetonte një prag apokalipsi. Një  shpërthim i fuqishëm eksplozivi gati rrafshoi në tokë një pallat pesëkatësh në lagjen “Partizani” të Bajram Currit. Objektivi i shpërthimit me eksploziv të fuqishëm, i llojit C4, ishte apartamenti ku banonte deputeti i PD-së, Azgan Haklaj. Për fat të mirë, ai nuk ndodhej në banesë, pasi ishte ftuar në një darkë ku ishin dhe drejtues të lartë të PD-së të ardhur nga Tirana. Në apartamentin e Haklajt gjendeshin vjehrra dhe kushërira e tij, Shote Haklaj. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa shembi njëri pas tjetrit të gjitha ndarjet e brendshme të pesë kateve, duke e lënë ndërtesën vetëm me muret e jashtme si kafaz. Një foshnje i lidhur në djep, fluturoi nga kati i pestë në të parin por Zoti deshi që ai të mbijetonte. Personat që e kishin vendosur eksplozivin ishin ekspertë, pasi e kishin drejtuar efektin e veprimit në mënyrë vertikale për të shkaktuar një dëm sa më të madh të ishte e mundur.

Ngjarja e kobshme solli pasoja tragjike dhe shumë pyetje që ende sot e kësaj dite enden të mbështjella me dyshim e mister. Si rezultat i shpërthimit, gjeti vdekjen 27 vjeçarja, Shotë Haklaj, që kishte disa kohë që kishte nisur punë si korrespondente e TV Kukësit dhe u plagosën disa persona të tjerë. Për fat të mire, nuk pati viktima të tjera edhe pse në momentin e shpërthimit në pallat ndodheshin mbi 100 persona. Autorët e këtij akti të mirëfilltë terrorist, që synoi të zhdukte familjen e deputetit demokrat Azgan Haklaj dhe të paktën 20 familje të tjera nuk është zbuluar kurrë nga strukturat e specializuara të shtetit.

Ky krim monstruoz, akt i mirëfilltë terrorist, ekzekutoi në mënyrë barbare një vajzë të re, në kulmin e moshës dhe të ëndrrave, një gazetare që kishte hyrë në rrugën e mediave, në emër të fjalës së lirë, për të cilën dha jetën. Është e para gazetare që ekzekutohet në Gadishullin e vjetër dhe më gjërë me eksploziv C4, një nga mënyrat më mafioze të eleminimit me prapavijë hakmarrjen. Vrasja e Shotës nuk ishte një “aksident”, por krim monstruoz, i përllogaritur nga ekzekutorët gjakftohtë, për të eleminuar një gazetare opozitare, një kundërshtare politike, një bashkëluftëtare të politikanit Azgan Haklaj.

Ky akt terrorist që në rastin më të keq mund të kishte pasojat e një masakre, ishte në vazhdën e sulmeve ndaj fisit Haklaj, një nga fiset më qëndrestare të Tropojës dhe të krejt veriut shqiptar në luftën për liri dhe dinjitet shoqëror, njëkohësisht dhe një nga fiset më të sulmuara nga segmente të shtetit, krimi i organizuar dhe mafia në të gjitha kohërat.

Etja për hakmarrje të shpejtë nuk kurseu as jetën e një femre, një vajze të re në moshën e pranverës, një gazetarje të përkushtuar, që kishte aq shumë për të shkruar dhe për të bërë në jetën e saj, që fatalisht u këput në mes.

Kulla epike e burrave të fortë e të besës, që kishte dhënë modele atdhetarie në luftën për liri dhe dinjitet shoqëror, do t’i nënshtrohej një genocidi të fshehtë e të pakuptimtë, që me kohë do ta shndërronte në një rrënojë. Është një realitet tejet i trishtë e tragjik, shoqëruar me vrasje të njëpasnjëshme, me hije ankthi e dyshimi, që strukturat e antikrimit, me heshtjen dhe mungesën e dëshirës për të zbardhur të vërtetën, me ikjet e familjarëve drejt perëndimit, e kanë bërë ende më të zymtë tablonë ekzistenciale të fisit Haklaj.

Pas rënies së Murit të Berlinit, gjenocidi ndaj derës së Haklajve është genocidi më i egër dhe më mizor i ndërmarrë ndonjëherë nga segmente të politikës së inkriminuar dhe mafies ndaj një familje me kontribute historike.   

Numërohen mbi 150 vrasje, ndërkohë që me qindra grabitje apo atentate që kanë shkaktuar plagosje dhe gjymtime në rrethin e Tropojës, janë pa asnjë autor dhe mbajnë peng një histori të keqkuptuar. Mbi 30 sulme, të cilat kanë shkaktuar 14 të vrarë dhe të plagosur janë mbi shpinën e një familjeje, saga e të cilës përmban një “Kuti Pandore” të pazbuluar.

Bombardimi me C4 i pallatit në fjalë, ku mbeti e vrarë gazetarja Shote Haklaj, qe paraprirë nga një serial i përgjakur atentatesh e vrasjesh, ku në shenjëstër ishin kulla dhe burrat e derës qëndrestare të Haklajve. Një nga më të ekspozuarit ndaj këtyre skenarëve ogurzinj ishte politikani i ri Azgan Haklaj, njeri i artit dhe kulturës, valltar i klasit të lartë, një personazh embelmatik në Tropojë, që i jepte tonin jetës politike dhe qytetare të kësaj treve, e cila asnjëherë nuk qe pajtuar me tiraninë komuniste dhe format e saj të maskuara në demokracinë e brishtë shqiptare.

Saga e fisit Haklaj në Tropojë është ende mister, pasi asnjë vrasje nuk është zbuluar, asnjë autor i arrestuar apo i hetuar. Familja e Haklajve njihet në të gjithë veriun e vendit si një nga familjet më të mëdha, e cila brez pas brezi ka ndezur pishtarë qëndrese për komb e flamur dhe ka vënë gurë kilometrikë në kujtesën kombëtare. Dera e Haklajve ka dhënë katër dëshmorë për atdheun: Shpend Zeqir Haklaj, dekoruar me Medaljen e Trimërisë, Ismail Plak Haklaj, dekoruar me Medaljen e Trimërisë, Man Arif Haklaj, dëshmor i Atdheut dhe Rustem Sadri Haklaj, dëshmor i Atdheut. Të parët e Haklajve kanë luftuar me armë në dorë kundër turqve e serbëve, ndërsa gjatë luftës në Kosovë, dera e tyre ka qenë një bazë e fuqishme e luftës dhe strehuese e qindra kosovarëve, të ikur nga flakët e spastrimit më të egër etnik të kryer ndonjëherë në Gadishullin e vjetër. Por në vend të kurorës së merituar, shteti dhe shoqëria jonë e traumatizuar gjatë këtij tranzicioni të vrazhdë, iu ka ofruar dhunë, djegie, kërcënime, vrasje, të cilat, siç e thamë, ende nuk kanë qoftë dhe një autor të vetëm.

Azgan Haklaj, njëri nga pinjollët më të njohur të derës së Haklajve, ka qëndruar me stoicizëm dhe shpirt qëndrestari në Shqipëri, duke luftuar me art, me libra dhe kulturë për ta bërë më të ndjeshme e më të drejtë këtë shoqërinë tonë në kthetrat e këtij tranzicioni primitive.

Azgani garoi në zgjedhjet problematike të vitit 2001, duke qenë i burgosur politik nga qeveria ekstremiste majtiste. Një nga politikanët më aktiv të PD-së, ai do të sillte në Kuvendin e Shqipërisë zërin e shpresës dhe protestës qytetare për një Shqipëri tjetër, të cliruar nga kthetrat e krimit politik dhe të gjitha llojet e hapura apo të kamufluara të krimit dhe devijimit social, ekonomik e politik të shoqërisë shqiptare, nën kthetrat e mafies politike të vazhdimësisë. 

Mbi Azganin dhe familjen e tij janë bërë gjashtë atentate politike, që nga vendosja e eksplozivëve në banesë deri tek snajperi, C4, granatimi me armë të rënda, aksidenti me makinë e deri tek tentativa për ta helmuar.

Veprimtaria dhe kauza e tij është në përballje me segmente të mafies shtetërore është bërë objekt i kanecelarive të BE-së, Moskës e Uashingtonit, ndërkohë  që për të kanë shkruar figura të njohura letrare, artistike e politike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në gjithë hapësirën etnike shqiptare.

Kauza e tij nacionaliste, përkushtimi dhe qëndresa e tij, nuk ka gjetur jehonë tek spektri politik shqiptar, që sot e gjithë ditën ka qenë i zënë duke bërë pazare e duke ndarë tortën e turpit, ndërkohë që individë si Azgani iu nënshtrohen presioneve, shantazheve dhe kërcënimeve me jetë, në një vend ku të jeshë idealist dhe progresist është një sprovë e vështirë. 

Atentati mizor i 31 tetorit, ndodhi për të terrorizuar dhe paralizuar lëvizjen opozitare në Tropojë, ku Azgan Haklaj, si një nga funksionarët kryesorë politikë dhe pushtetarë të kësaj treve, deputet që do të tundte Kuvendin e Shqipërisë, gjendej në ballë të saj, me karizmën e një qëndrestari të patrembur. Disa muaj më parë, në zgjedhjet e përgjitshme, Azgani do të garonte dhe do të fitonte mandatin e deputetit, që nga qelitë e burgut, ku i qe nënshtruar torturave çnjerëzore. Pjesë të inkriminuara të shtetit shqiptar kërkonin të hakmerreshin ndaj një humbje të thellë e të paralajmëruar në Tropojë, duke dhënë një mesazh të përgjakur. 

Shote Haklaj, vajza e bukur e Malësisë së Gjakovës, gazetarja e talentuar, që nuk i mbijetoi dot sulmit me C4, nesër mbushen 15 vjet që nuk është më, duke paditur gjithë klasën politike për pajtim me krimin dhe drejtësinë shqiptare, që asnjëherë nuk e ka thënë fjalën e saj në kohëën dhe vendin e duhur.

Filed Under: Histori Tagged With: 15 vjet nga vrasja, Azgan haklaj, Dukagjin Hata, Shote Haklaj

BALLISTIN SEJFI PROTOPAPA E KISHA MIK NË BOSTON

October 30, 2016 by dgreca

1-sejfi-protopapa-dhe-kolec-traboini-2005-boston-aNga Kolec Taboini/ Sejfi Protopapën (20 shkurt 1923 – 13 Prill 2014), ndjesë pastë, e kam pas mik të mirë. Së pari erdhi e me takoi në një festë të Flamurit në Pier Four, restoranti i atdhetarit Anthony Athanas. Ishte viti 2005. Siç shihemi në këtë fotografi kur ishim bashkë në atë gëzim të shqiptarëve të Bostonit. Më tha ti qënke gazetar e unë jam i interesuar për gjithçka që ngjet në atdhe. Më tregoi se pas vitit 1990 i kishte shkuar në derë të shtëpisë Dritëro Agollit e i kish thënë ja ku erdha me së fundi, jam ai Protopapa yt i zi. Dritëroi ishte mpirë. E kishte ftuar të hynin brënda të mos llafosnin në derë. Dhe nga fjalët e para të ashpra, nën vështrimin e Sadijes që drithëronte se mos ndodhte gjë e keqe, ja kishin kthyer si shqiptari me shqiptarin me raki. Profesor Sejfiu, se kështu i thoshnim, më vinte edhe në shtëpi në Boston. Ja shtroja me raki Shqipërie në verandën e shtëpisë pa harruar një kafe të zezë në fund. Aty e kishte kënaqësinë. Ishte me të vërtetë shumë miqësor, shumë i kulturuar dhe një burrë i urtë me edukatë të lartë. (Dhe akoma e kësaj dite bijtë e çobanëve komunistë na tregojnë ballista pulash). Sejfi Propapa, bir avokati, që dikur ishte me rininë e Ballit në Berat, më parë qe njohur me Kristaq e Margarita Tutulanin(i kishte pas miq por ideologjia e luftës i ndau), ishte një nga shqiptarët më të shkolluar në Amerikë. Mjafton t’ju them se punonte fizikant në NASA. E kujtoj me respekt dhe jam krenar që ai me konsideronte ndër miqt e tij, ai ballisti, dijetari shqiptar më i shquari në Amerikë.

Kolec P. Traboini 27 tetor 2016

Filed Under: Histori Tagged With: BALLISTIN SEJFI PROTOPAPA, E KISHA MIK, ne Boston

Letra e një Meshtari shqiptar dhe Enciklika antikomuniste e Piut XII

October 28, 2016 by dgreca


1-dom-shtjefni-2
Dom Shtjefën Kurti
 (Ferizaj, Kosovë, 25.12.1898 – Gurëz, 20.10.1971) prift, u pushkatua para banorëve të  Gurëzit. Sigurimi e akuzoi se deshi të helmatiste popullin duke shfrytëzuar për këtë, furrat e bukës. E se kishte pagëzuar një fëmijë. Po ai kishte bërë shumë më tepër. I kishte shkruar letër Papës, duke i treguar një të vërtetë, që nuk duhej ta kalonte kurrë kufirin e rrethuar nga telat me gjemba.

“Edhe pse jam meshtar i thjeshtë, po marr, plot respekt, guximin, t’i paraqes Shenjtërisë Suaj sa vijon, me që po më jepet rasti për ta bërë këtë, ndërsa është e pamundur për Ipeshkvijtë tanë.

Atë Fort i Shenjtë, do t’ Ju dhembë shumë, kjo që po Ju tregoj, por ngushëllohem kur mendoj se derdhi në zemrën engjëllore të përbashkët, hidhërimin me të cilin është përplotë shpirti ynë i krishterë e meshtarak. Ne, kleri shekullar e rregulltar, jetojmë në epokën e persekutimit të mirëfilltë.

Të gjitha veprimtaritë tona, në të gjitha fushat, janë ndërprerë; e jo vetëm, por edhe janë shkatërruar pjesërisht ose janë vënë nën mbikqyrje të rreptë. Janë mbyllur Seminaret, si ai Papnor i Shkodrës, ashtu edhe ai i françeskanëve e i jezuitëve, sipas udhëzimeve të bolshevikëve rusë, stërholluar nga urrejtja satanike e qeveritarëve tanë.

Përveç këtyre dhunimeve e mungesave, Kleri është në zi për vdekjen e dhunshme, të paraprirë nga tortura të padëgjuara, të nëntë meshtarëve, ndërsa vijojnë të vuajnë dënimin, në burgje të tmerrshme, nëntëmbëdhjetë të tjerë: e si të mos mjaftonin, çdo ditë flitet për arrestime të reja. Në çastin, kur po i shkruaj këto rreshta, më vjen lajmi se janë arrestuar edhe tre meshtarë të tjerë si dhe një numër i madh besimtarësh, katolikë e myslimanë: njëri nga tre meshtarët e kremtoi Meshën e tij të parë më 8 të muajit në vijim. Secili nga ne pret, me nënshtrim të qetë, të njëjtin fat. Ne e besimtarët tanë katolikë, nuk kemi shpresë të gëzojmë të drejtat e qytetarit, sepse njihemi si nënpunës të Vatikanit. Kushdo që na mbron, pas pak kohe, e vetëm për këtë arsye, flaket pa mëshirë në burg. Kush është me Selinë e Shenjtë, shikohet si reaksionar e armik i qeverisë së sotme komuniste. Vazhdimisht në gazetat, në fjalimet publike, në revistat humoristike, në trasmetimet radiofonike e në çdo mjet tjetër komunikimi, vihen në lojë feja, liturgjia, Vatikani e Personi Juaj August, ndjekur me ankth nga të gjithë katolikët e shpirtrat e ndershëm të besimeve të tjera. Jemi gati të vuajmë e të durojmë gjithçka, veç shpotitjes së Mëkëmbësit të Krishtit, gjë që na e pikëllon shpirtin e na i thellon varrët e dhembjes sonë të pamasë.

Këtu nuk ka kurrfarë lirie të fjalës, as të mendimit e as të shtypit. Gjithçka është vetëm në dorë të qeverisë ateiste e askush nuk mund t’u kundërvihet gabimeve, që përhap. Kush guxon të kundërshtojë, zhduket menjëherë nga faqja e dheut, pa shenjë pa dukë.

Shenjtëri, ka edhe shumë e shumë gjëra të tjera për t’u thënë, po mua më duhet të kufizohem me sa shënova më sipër, duke e shkruar ngutshëm këtë letër, nga frika se mund të kapem me dorë në të. Edhe një herë Ju siguroj se më vjen tejet keq, që po e hidhëroj kaq shumë shpirtin e ëmbël të Shenjtërisë Suaj me këtë letër kaq të ankthshme. Përkulur tek këmbët e Shenjtërisë Suaj, lypi përvujtërisht bekimin Tuaj Atëror Apostolik, për vete, për klerin e Tiranës, të kryedioqezës, popullin e për të gjithë, si ugur për një ardhmëri më të mirë e, sidomos, me shpresë se do të na mbështesni në luftën e sotme, pa asnjë luhatje, për fenë tonë e për lidhjen e pazgjidhshme me Personin Tuaj August”.

Letra, himn për besnikërinë e Dom Kurtit e të Kishës Shqiptare ndaj Kryebariut, drejtuar Papës në çastin tragjik, kur vihej në lojë vetë ekzistenca e Kishës Katolike në Shqipëri, datohet: 19. 09. 1946. Nuk dihet me ç’rrugë u nis, as nëse arriti ndonjëherë në dorë të Papës Piu XII. Dikush është në kërkim të saj.

Ndërkaq dihet nga të gjithë se më 1 korrik 1949, Kongregata e asokohsme e Zyrës Shenjte (sot Kongregata për Doktrinën e Fesë) botonte Dekretin, që njihet si “Shkishërim i komunistëve” (Scomunica ai comunisti), me të cilin Kisha Katolike distancohej nga ideologjia komuniste. Sipas së drejtës kanonike, nuk bëhet fjalë, formalisht, për shkishërim të dhënë nga Selia e Shenjtë me nismën e saj, por për një deklaratë zyrtare sipas së cilës:

“Të krishterët nuk duhet të shkruhen në partitë komuniste ose t’i ndihmojnë komunistët. Nuk duhet të botojnë, të përhapin ose të lexojnë libra, revista e gazeta ose pamflete, që mbështesin doktrinën ose praktikën e komunizmit, e aq më keq, të shkruajnë ndër to. Besimtarët, që dëshmojnë doktrinën komuniste materialiste e antikristiane, posaçërisht ata, që e mbrojnë dhe e përhapin, bien ipso facto në shkishërimin e rezervuar nga Selia e Shenjtë dhe përjashtohen prej sakramenteve, si mohues të fesë katolike”.

Të gjithë ata, që besojnë me të vërtetë, e kanë për detyrë ta përhapin ketë dekret të Zyrës Shenjte, shkruar nën papninë e Piut XII! Thua të ketë lidhje ndërmjet Letrës, përpjekje tejet e guximshme e një meshtari shqiptar për t’ia prerë hovin ideologjisë, që po i vinte flakën gjysmës së botës, e “Shkishërimit” të Piut XII? Do të vërtetohet, kur të flasin arkivat!(Kortezi-Radio Vatikani)

Filed Under: Histori Tagged With: Dom Shtjefën Kurti, Letra, Piut XII

Kryetari i OMONIA, Leonidha Papas, njeriu i SFEVA

October 28, 2016 by dgreca

1-me-gjeneralin

 NE FOTO:Kryetari i OMONIA Leonidhas Papas, me gjeneralin e zbulimit dhe kundërzbulimit ushtarak grek të Janinës Vasileos Andonios./
leonidha-papas-2-duke-folur-per-aneksimin-e-jugut-te-shqiperise

NE FOTO:Leonidha Papas, duke folur per aneksimin e Jugut te Shqiperise/

2-sebastianosNE FOTO: Sebastianos me Leonidhas Papas, 1994/

Nga Arben Llalla/

Kryetari i OMONIA, Leonidha Papas, doli me një reagim të dytë duke sulmuar shqiptarët që mbrojnë Çështjen Çame, por kësaj here duke u shfaqur si misionar i miqësisë greko-shqiptare. Por sa i sinqertë është Leonidhas Papas për paqenë dhe miqësinë greko-shqiptare?

Leonidha Papas është nga rrethi i Sarandës, djali i priftit të kishës ortodokse në Sarandë nuk u zgjodh rastësisht kryetar i organizatës më të madhe të minoritetit grek OMONIA, organizatë që dikton politikat e dy partive të minoritetit grek, PBDNJ dhe MEGA. Leonidha Papas vjen në krye të OMONIA me një aktivitet të ngjeshur ekstremist kundër Shqipërisë. Ai disa herë është shfaqur me flamurin e aneksimit të jugut të Shqipërisë-Autonomia e Vorio Epirit dhe ka njohje të vjetra me figurat kryesore të politikës dhe fetare të Greqisë.

Leonidha Papas që në moshën të re ra në kontakt me Mitropolitin e Konicës, antishqiptarin e dalluar, Sebastianos. Për dy vite Papas jetoi në Konicë ku u trajtua si paraushtarak i grupit të shenjtë ortodoks. Më tej, u dërgua me bursë të studiojë në Selanik me rekomandim të Mitropolitit Sebastianos, pasi ishte anëtarësuar më parë në organizatën ekstremiste antishqiptare të themeluar nga Sebastiano, SFEVA. Papas ka qenë nënkujdesin e kryetarit të SFEVA, dega Selanik, Grigori Drigojas, i cili ishte arkitekti i propagandës së SFEVA deri sa vdiq në vitin 2005.

Grigori Drigoja disa herë ka qenë në Shqipëri duke vizituar zonat nga Korça e deri në Sarandë i shoqëruar nga Leonidha Papas. (SFEVA ka ndikim të madh prej disa vitesh në fshatin Polenë të Korçës që konsiderohet si projekt pilot për asimilimin e plotë.)

Pas mbarimit të studimeve disa vjeçare që nga viti 1990-2000, në Konicë dhe Selanik, Leonidha Papa me rekomandim të kryetarit të SFEVA, Grigori Drigoja vuri kontakte me kryepeshkopin e Shqipërisë Anastasios Janullatos. Takimin e parë sipas të dhënave u realizua në vitin 2000, në zyrën e Janullatosit. Pas bisedës me Kryepeshkop Anastasin, Papas u angazhua për ndërtimin dhe riparimin e kishave me fonde të siguruara nga Greqia si dhe për ndërtimin e 8.000 varreve boshe të grekëve. Me kalimin e viteve dhe botimin e disa shkrimeve për aneksimin e Jugut të Shqipërisë, Leonidha Papas ka krijuar personalitetin e tij në klasën më të lartë të politike në Greqi. Në Kongresin e fundit të OMONIA-s atij ju çel rruga për postin e kryetarit. Ai u përball ashpër në votime me dy kandidaturat e rekomanduara nga Vangjel Dule, Alkis Pulis dhe Vasilis Kagjos, por me ndërhyrjen e organizatave ekstremiste dhe deputetëve grekë të forcave të djathta, Alkis Pulis u tërhoq nga gara dhe mbështeti Leonidha Papas.

Gjatë raundit të dytë për kryetar të OMONIA-s, Leonidha Papa bëri disa takime në Athinë me Asfalinë dhe Babis Karathanos për të siguruar mbështetjen e plotë. Papa u zgjodh në krye të OMONIA-s nga krahu ekstremist i minoritarëve grekë i mbështetur nga kisha greke, shoqatat nacionaliste, si nga kryetari i shoqatës Vorio Epiros, Babis Karathanos, një ekstremist i thekur dhe njeri i afërt me Mitropolitin e Konicës, të ndjerin Sebastianos, por edhe me kryetaren e shoqatës “Rinia e Vorio Epirit”, Eleni Dhimu, e cila kishte një sherr intim me Vangjel Dulen.

Pasi u vu në krye të Omonia, Leonidha Papa nisi takimet me krerët e lartë të shtetit grek, si dhe ato fetare. Papa pati ndikim të madh në disa kandidatura për kryetar bashkie që garojnë nën logon e PBDNJ. Kështu, ai mbështeti për Bashkinë e Konispolit, Anastas Gudas, me të cilin ka njohje qysh në fillim të viteve ‘90 në Selanik. Papas po punon pa u lodhur që një ditë Anastas Gudas të fitojë Bashkinë e Konispolit, me qëllimin e shkëputjes jo vetëm gjeografike të Konispolit dhe Finiqit nga jugu shqiptar, për të rënë nën ndikimin e Prefekturës së Gumenicës.

Leonidhas Papas ka kontakte të rregullta me Asfalinë greke, si dhe me krahun ekstremist të Agimit të Artë. Dyshohet se është stërvitur në kampet paraushtarake greke që synojnë realizimin e politik të bashkëngjitjes me Greqinë të Jugut të Shqipërisë. Leonidhas Papas ka bërë edhe piketimet në terrenin gjeografik në Shqipëri ku duhen bërë sulmet nga organizatat ekstremiste greke.

Pyetjet publike për Leonidhas Papas janë:

Çfarë e lidh Leonidhën Papas me grupin terroristë MAVI që bënë takime me krerët e kësaj organizate?

Përse Leonidhas Papas fotografohet me flamurin e aneksimit të jugut të Shqipërisë?

Përse ka kryer piketimet e rrugëve malore në kufirin greko-shqiptar nga Saranda e deri në Korçë?

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, Leonidha Papas, njeriu i SFEVA, Omonia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 388
  • 389
  • 390
  • 391
  • 392
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT