• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

History-Kryengritja e Ilindenit ishte me karakter bullgar

August 2, 2017 by dgreca

1-arben-llallaMasa e gjerë e popullsisë shqiptare që jetonin në fshatrat e Kosturit dhe Follorinës nuk e mbështetën këtë kryengritje sepse ajo nuk kishte karakter për çlirim e popujve që jetonin në Maqedoninë Gjeografike, por qëllimi ishte kontrollimi i Maqedonisë nga forcat bullgare./

Nga Arben LLALLA/Kryengritja e Ilindenit filloj më 2 gusht 1903, të dielën në mbrëmje. Kjo datë lidhet me ditën e Shën Ilias (Elias) të kalendarit Grigorian që praktikohej në atë periudhë nga besimtarët ortodoks të kishës së Pavarur Bullgare Exartia. (Në të vërtetë data e fillimit të kryengritjes është 20 Korriku me kalendarin e vjetër, por kjo datë përshtatet me datën 2 gusht të kalendarit të ri).Kryengritja filloj pasi bullgarët nuk bindën Fuqitë e Mëdha për zgjerimin e kufijve të shtetit të tyre si dhe organizatat e ndryshme bullgare nuk mundën të bindnin popullsinë sllave në Maqedoninë Gjeografike për kryengritje të madhe për tu bashkuar me Bullgarinë. Që nga viti 1880 e deri 1905 misionar të ndryshëm si grek, serb dhe bullgarë bridhnin nëpër fshatrat e Maqedonisë për të regjistruar banorët, përkatësitë e tyre fetare dhe kombësinë si dhe përshkrimin e rrugëve nga fshati në fshat dhe qytetet.

Në vitin 1878, Rusia pushtoi Turqinë dhe ndaloi në dyert e Stambollit. Traktati i Shën Stefanit u bë në mes të dy ndërluftuesve dhe me të cilin mjeshtërisht Rusia për të mirën dhe përdorimin e vet krijoi një shtet të madh Bullgar, që nga ana Jugore do të shtrihej deri në detin Egje duke përfshirë edhe portin e Selanikut. Kjo shkaktoi mbledhjen e shpejtë të fuqive Evropiane të cilat bënë traktatin e Berlinit. Ky traktat ndaloi formimin e shtetit Bullgar të projektuar nga Rusia dhe vuri në heshtje kërkesat e saja për të pasur një port në detin Mesdhe. Vendimet në Kongresin e Berlinit për të lënë Maqedoninë brenda kufijve të Perandorisë Osmane u kthyen shpejt në zonën e kontestit mes Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë. Lufta e pamëshirshme, e qasjeve propagandistike nxitën më shumë dhunën dhe pamundësinë e fuqive të mëdha për të siguruar një zgjidhje të kënaqshme dhe përfundimtare për territorin e Maqedonisë, ndryshe nga shumica e territoreve të diskutueshme të cilat u zgjidhën përfundimisht.

Bullgarët, duke parë që nuk mund ta gllabëronin direkt Maqedoninë, i dhanë përparësi tendencës së shkëputjes dhe të autonomisë në mjedisin maqedonas dhe veçanërisht në fshatrat sllavofonë. Të njëjtën gjë bënë edhe serbët nga ana e tyre, me shpresë se duke u bërë autonome Maqedonia, dhe duke u caktuar si gjuhë zotëruese, idioma e saj, ai shtet autonom apo i pavarur që do të krijohej, shpejtë a vonë do të ishte nën ndikimin e madje nën zotërimin e tyre. Sipas tyre, e rëndësishme ishte të mos i bashkohej Greqisë, sepse në këtë rast nuk do kishte asnjë shpresë për ndonjë dalje në Egje dhe në Mesdhe.

Tendencat e dy qeverive, bullgare dhe serbe, u përplasën mbi terrenin perëndim-verilindje të asaj që ata e quanin Maqedoni, domethënë në krahinat lindore dhe verilindore të Shqipërisë. Pra, fronti i një lufte gjithnjë e më të ashpër sapo kishte filluar të shoqëruar me propagandë, literaturë dhe etnografinë e Maqedonisë.

Kështu, grupet e organizatave bullgare për të rritur ndërgjegjen e Fuqive të Mëdha për tju bashkangjitur Maqedoninë Bullgarisë themeluan milicinë dhe forcat paramilitare të cilat nisën kryengritje që do të quhet Ilinden.

Kryengritja e Ilindenit më shumë u përhap në Maqedoninë Perëndimore dhe kryengritësi keqtrajtuan popullsinë myslimane dhe ortodokse që besonte në kishën e Fanarit të Stambollit-Patriarkana. Me kryengritësit bullgarë u bashkuan edhe individë shqiptarët të cilët ndoshta kishin probleme me pushtetin osman, por edhe kundrejt ndonjë pagese në të holla. Masa e gjerë e popullsisë shqiptare që jetonin në fshatrat e Kosturit dhe Follorinës nuk e mbështetën këtë kryengritje sepse ajo nuk kishte karakter për çlirim e popujve që jetonin në Maqedoninë Gjeografike, por qëllimi ishte kontrollimi i Maqedonisë nga forcat bullgare. Forcat osmane që ishin kundër kryengritësve patën përkrahjen e forcave vullnetare greke, të kishës greke si dhe të individëve shqiptar të cilët në shumicën e rasteve ishin ushtar me pagesë në ushtrinë osmane. Gjatë kryengritje pati një gjakderdhje të pamëshirshme deri në kanibalizëm nga të gjitha palët që u përfshinë në konfliktin e Ilindenit.

Greqia për të luftuar kundër komitëve të Ilindenit dërgoj dy oficerë të shquar arvanitas Pavlo Melas alias Miqis Zaza dhe Aleksandër Kondulin alias Shkurti të cilët u angazhuan direkt për të shtypur kryengritjen bullgare të Ilindenit. Ata gjetën mbështetje tek fshatrat shqiptar për tu rezistuar çetave komite bullgare si në Bellkamen-Dhrosopogi, Negovan-Flamburo dhe Lehovo që gjenden në prefekturën e Follorinës. Në ato vite zhvilloheshin bisedime për themelimin e një mbretëria të përbashkët greko-shqiptare dhe ky projekt ndikojë dukshëm që shqiptarët të mbështetshin grekët për shtypjen e kryengritjes së Ilindenit. Në kujtimet e tij Pavlo Melas do të shkruante për shqiptarët kapedan Nikolao Kola dhe Zisi Dhumulo nga Lehova të cilët luftonin përkrah tyre kundra komitëve bullgarë. Një nga organizatorët e forcave greke, turke dhe shqiptare ishte Mitropoliti i Kosturit Germanos Karavangjeli i cili u bë frymëzuesi kryesor për aleancën greke-turke-shqiptare kundër komitëve të Ilindenit.

Gjatë kryengritjes së Ilindenit dy armiq historik kundra njeri-tjetrit grekët dhe turqit tani po bashkëpunonin me zell për shtypjen e pamëshirshme të kësaj kryengritje. Kryengritja e Ilindenit u bë shkak që Greqia të mobilizohej për marrjen e pjesës së Maqedonisë që ishte në Perandorinë Osmane të atyre viteve. Pas përfundimit të kryengritjes më të fituar doli pala greke e cila në shumë fshatra që banoheshin nga bullgarët dhe i përkisnin kishës së pavarur bullgare hapën kishat greke të Patriarkanës dhe filloj përpjekjet për çlirim e Maqedonisë me emrin (Agona tis Maqedonias 1904-1908). Pas pak vitesh Greqia do të merrte edhe ato fshatra që banoheshin nga popullsi bullgare, pra eksodi i braktisjeve të fshatrave bullgarë në Maqedoninë e Egjeut filloj dal ngadalë fill pas shtypjes së kryengritje së Ilindenit. Qindra fshatra nga Maqedonia Perëndimore dhe Kirk-Klisse afër Andrianopojë u shkatërruan, mijëra bullgarë braktisën shtëpitë e tyre për të mos i kthyer më kurrë..

Turqia e dobësuar nga kryengritjet e ndryshme në Maqedoni u largua në fund të vitit 1912 duke e lënë atë të copëtuar dhe me pikëpyetje të mëdha se kujt i takon ekskluziviteti i historisë dhe i heronjve të Maqedonisë antike.

Tashmë kryengritja e Ilindenit ka mbetur vetëm në kujtesën e historisë dhe shumica e protagonistëve të saj vijnë përpara syve tanë nëpërmjet propagandës së politikanëve të sotëm të cilët po i çojnë të vdekurit prej varri që ti shfrytëzojnë për nevojat e tyre duke i treguar në versione në të cilat nuk kanë qenë asnjëherë ashtu siç po na i paraqesin.

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, Kryengritja e Ilindenit, me karakter bullgar

Përballja e Bardhylit të Ilirisë dhe Filipit të II të Maqedonisë

August 1, 2017 by dgreca

Momente në Historinë Ilire:Përballja e dy mbretërve të fuqishëm, Bardhylit të Ilirisë dhe Filipit të II të Maqedonisë/

0112BardhyliFilipi II

Ne Foto:Bardhyli i Ilirisë.   2- Filipi i të II të Maqedonisë/

 auto_s11501571592Nga Tolin Kona*/Historia Ilire është e mbushur me shumë ngjarje dhe konflikte ushtarake të cilat kanë ndikuar ndjeshëm në ndryshimet politike, shoqërore jo vetëm për shtetin e vjetër ilir por edhe për mbarë rajonin ballkanik. Me një hapësirë territoriale nga lumi Savë në veri e deri në Gjirin e Ambrakisë në jug, nga rrjedha e lumenjve Moravë e Vardar në lindje e deri në brigjet e detit Adriatik dhe Jon në perëndim, Ilirët për nga pozita gjeografike kanë zënë një vend të konsiderueshëm në Ballkanin perëndimor. Pikërisht brenda kësaj hapësire ata krijuan një nga  qytetërimet më të lashta të Mesdheut, një qytetërim i mbështetur në fise të shumta me tipare të përbashkëta etno kulturore, që nga liburnët në veri e deri tek thesprotët në jug. Por tiparet e përbashkëta etnokulturore nuk u njehsuan asnjëherë në unitet politiko-shtetëror tek ilirët, ose më saktë ende nuk ka dalë ndonjë burim nga historia ilire që të na e  dëshmojë këtë. Shteti Ilir gjatë ekzistencës së tij nuk përfshiu dot asnjëherë në përbërjen e tij  të gjitha fiset ilire. Shumë nga këto fise krijuan organizma vetëqeverisëse si federatat,ose mbretëri të vogla.Por fiste të vecanta ilire me ritjen e fuqisë ushtarake përfshinë në përbërje të tyre hapësira të gjera territoriale dhe shumë fise të tjera,duke krijuar kështu  mbretëritë e para të mirëfillta ilire.

Një nga këto fise ishin Enkelejtë, të cilët në fillimin e shek IV p. e. sonë krijuan një nga mbretëritë më të hershme ilire e cila njihet ne histori si Mbretëria e Parë Ilire.Kjo mbretëri e kishte qendrën e saj pikërisht në tokat e këtij fisi, rreth liqenit të Ohrit dhe Prespës, dhe për nga vetë pozita  gjeografike, ajo  në mënyrë të pashmangshme do të përfshihej në përplasje ushtarake. E kufizuar me Maqedoninë në Lindje, me Dardaninë  në verilindje, me Epirin  në jug, mbretëria e Ilire ndodhej vazhdimisht në një politikë të jashtme të acaruar me Maqedoninë, për çështjen e Lynkestias, një krahinë ilire ndërmjet këtyre dy shteteve.e cila prej kohësh i bënte qëndresë pushtimit maqedon. Nëpërmjet kësaj politike të jashtme këto dy shtete formuan edhe supremacinë tyre e cila kalonte herë në anën e Ilirëve  dhe herë në anën e Maqedonasve. Faktorë për formimin e kësaj supremacie ishin rezultatet e përplasjeve ushtarake ndërmjet tyre.

Më konkretisht le të ndalemi në ngjarjet e asaj kohe për të nxjerë në pah këto faktorë.

Viti 359 p. e. sonë. Diku në lindje të liqenit Lyhnid ( Ohri), në një nga fushat e Maqedonisë antike.

Të dy ushtritë, ajo maqedonase dhe ajo ilire, i afrohen njëra-tjetrës. Dielli  ka hedhur rrezet e tij dhe fusha shndrit nga armët  e luftëtarëve. Nga njëra anë në krye të Maqedonasve qëndron Mbreti i ri Filipi II. Nga ana tjetër i hipur mbi kalë qëndron mbreti i Ilirëve Bardhyli.

    Bardhyli i Ilirisë

Konsiderohet legjendar sepse historia e tij është e tillë. I ardhur në krye të fronit Ilir në vitin 393 p. e. sonë, pas një kryengritjeje kundër mbretit të atëhershëm Syrra, Bardhyli e tregoi menjëherë zotësinë e tij si shtetar të zotin dhe strateg. Duke qenë një njeri me prejardhje nga shtresat e thjeshta të popullit, ish qymyrxhi, mesa duket ai ka patur edhe ndikim të madh tek masat e gjera popullore, segmente të së cilës përmbysën mbretin Syrra. Burimet e tregojnë si njeri të drejtë sepse ua ndante ushtarëve plaçkën e luftës në mënyrë të barabartë dhe të paanshme. Për këtë ushtarët e donin. Përkujdesja për ushtarët dhe trajtimi me respekt i tyre, ka qenë një tipar i pranishëm tek shumë nga strategët e mëdhenj të antikitetit si: Aleksandri i Madh, Jul Cezari etj. Ky tipar kapatur ndikim te madh në rezultatet e përplasjeve ushtarake të cilat kanë qenë të shumta në antikitet. Edhe në rastin e Bardhylit ky tipar ka ndikuar ndjeshëm.

Kështu, në sfondin e këtyre karakteristikave, në vitin 393, pak kohë pasi është arritur një marëveshje paqeje mes ilirisë dhe maqedonisë, mbreti ilir Syrra përmbyset nga froni. Mesa duket për shtresa të caktuara të shoqërise ilire, kushtet e kësaj marëveshje paqeje do të kenë qenë të pavaforshme për shtetin ilir,si dhe për krahinën ilire të lynkestias.Sipas studiuesve,këto segmente të shoqërise ilire duhet të kenë qenë shtresa e re qytetare që po lindte në Iliri. Gjithsesi mbreti Syrra përmbyset nga froni dhe në vend të tij vjen Bardhyli. Situata diplomatike mes Ilirisë dhe Maqedonisë, ndryshon tërësisht.Në po këtë vit ushtria Ilire futet në maqedoni dhe pushton një pjesë të madhe të tokave të saj. Mbreti Maqedonas Amynta II (babai I Filipit II), nuk mundi ti bëjë dot ballë sulmit ilir dhe u largua nga vendi. Pak kohë më vonë ai kthehet në maqedoni për të qeverisur atë pjesë të territorit të papushtuar maqedonas, duke iu paguar edhe një tribut vjetor ilirëve.

Mbretëria ilire nën drejtimin  e Bardhylit shfaqet si një fuqi e rajonit. Tani ushtria ilire na shfaqet me një përbërje profesioniste, e përbërë nga kalorësia dhe këmbësoria.

Duke zgjeruar ndikimin ilir në drejtim të Epirit në jug, Bardhyli ndërhyn në luftën për fron në Molosi duke përkrahur pretendentin për fronin mbretëror Molos, Alketën. Në vitin 385 p. e. sonë ushtria ilire futet në tokat molose, ku mbas një beteje të ashpër me ushtrinë molose, kjo e fundit tërhiqet në shpartallim të plotë.

Në vitin 369 p. e. sonë Maqedonia gjatë mbretërimit të Aleksandërit II, përpiqet të dalë nga varësia ilire, por pa rezultat. Një nga përpjekjet më kulminante të maqedonasve për t`u shkëputur nga kjo varësi ishte ajo e vitit 360 p. e. sonë, ku gjatë betejës me ilirët në momentin më kulminant të saj, mbreti maqedonas Perdika III mbeti i vrarë, duke shoqëruar kështu edhe humbjen e betejës nga maqedonasit.

Shohim që për një periudhë të gjatë, 34  vjeçare mbretëria ilire ka një rritje të supremacisë së saj. Mbreti Bardhyl bashkë me qeverisjen e gjatë të tij, ka një rol kyç në ndërtimin e një shteti të fuqishëm, me aparat administrativ të qendërzuar, me ushtri të disiplinuar të përbërë nga kalorësia dhe këmbësoria. Të gjitha këto ndikuan ndjeshëm në suksesin e mbretërisë ilire në politikën  e jashtme përgjatë kësaj kohe.

Mirëpo mbas 34 vjetësh mbretërimi, teksa qëndron i hipur në kalë në krye të ushtrisë së tij, në  moshë të thyer ¹,  ai ka përballë Filipin II, i cili do të lërë gjurmë të mëdha në historinë botërore.

Filipi i dytë i Maqedonisë     

Duke qenë një nga djemtë e Mbretit maqedonas Amynta II, Filipi që në moshë të vogël ishte dëshmitar i ngjarjeve të dhimbshme për vendin e tij. Në kohën kur një pjesë e madhe e Maqedonisë ishte e pushtuar nga Iliria, dhe Maqedonia luftonte për të ruajtur ekzistencën e saj, ai dërgohet peng në Iliri dhe më pas në Tebë, një  nga qytet – shtetet të  Greqisë antike.

Pikërisht këtu fillon edhe shkollimi i tij si një strateg i madh ushtarak. Në këtë periudhë Teba ishte kthyer në një nga qytet – shtetet më të fuqishme të Greqisë antike. Këtë supremaci ajo e kishte arritur nëpërmjet ushtrisë së saj të disiplinuar, e përbërë nga falanga dhe nga ushtarët e stërvitur, e komanduar nga dy nga gjeneralët më në zë të antikitetit Epaminonda dhe Pelopida. Duke jetuar për tre vjet në shtëpinë e këtij të fundit, Filipi II mësoi shumë nga arti i luftës. Gjithashtu mosha e tij e re, e shikonte me admirim përgatitjen ushtarake, stërvitjet e shumta dhe organizimin e ushtrisë tebane, e cila, në ato kohëra, në një nga betejat kishte  thyer edhe ushtrinë spartane, duke rrëzuar njëherazi edhe mitin e pathyeshmërisë së saj në tokë.

Kështu gjatë kohës që qëndroi në Tebë, Filipi krijoi një përvojë të madhe në organizimin e ushtrisë. Këtë mënyrë organizimi ai do ta instalonte edhe në ushtrinë maqedonase. Në momentin kur vëllai i tij Perdika III, mbreti i Maqedonisë, kishte probleme të brendshme me pushtetin, në vitin 361 Filipi II kthehet në Maqedoni për ta ndihmuar. Me këtë, ai do të ketë përjetuar edhe vdekjen e të vëllait në betejën me ilirët në vitin 360 p. e. sonë. Mbas kësaj ngjarjeje Filipi merr në dorë frenat e pushtetit.

Filipi II ndryshonte në shumë drejtime nga mbretërit e mëparshëm të Maqedonisë. Nëse për sundimtarët e mëparshëm synimi kryesor i tyre ishte mbijetesa e Maqedonisë, e rrethuar nga shtete agresive, për Filipin II synimi kryesor ishte zgjerimi i territoreve të saj. Këtë ai do ta arrinte me dy mjete për të cilat dukej se kishte zotësi të lindur; me anë të fushatave ushtarake, dhe me anë të diplomacisë.

Me të ardhur në krye të fronit maqedonas ai filloi me ngut organizimin  e ushtrisë sipas modelit Teban, me disa modifikime të cilat e përmirësonin më tej atë. Për ushtarët  caktoi mënyrat e stërvitjes, e cila ishte e rëndë dhe e gjatë. Në pjesën më të madhe të rasteve ai merrte pjesë edhe vetë në stërvitje. Tashmë, disiplina dhe stërvitja ishin shtyllat kryesore për ushtrinë maqedonase. Ajo përbëhej prej falangës heshtëgjatë, e cila zinte pjesën qendrore të formacionit, kalorësia e cila qëndronte në të dy anët e falangës, dhe shigjetarët që qëndronin mbrapa duke mbështetur falangën. Këtë makineri lufte, Filipi II, falë vullnetit dhe këmbënguljes, e përgatiti brenda një kohe të shkurtër. Ky ngut i madh diktohej nga rrethanat e kohës. Ndërkohë që brenda mbretërisë dukej sikur anarkia dhe lufta për pushtet, ishin hedhur mbas krahëve, Filipi kishte nevojë të ngutshme të siguronte kufijtë e mbretërisë së tij, ndërkohë që një pjesë e madhe e tokave maqedonase gjendeshin nën sundimin ilir, gjë që e mbante Maqedoninë në gjendje lufte të pandërprerë me mbretërinë Ilire dhe mbretin Bardhyl.

                           Përplasje ushtarake e pashmangshme

Dhe pikërisht pasi siguroi me anë të diplomacisë, kufijtë lindorë dhe jugorë të Maqedonisë, ku një nga kundërshtarët ishte edhe Athina, Filipi në vitin 359. p. e. sonë kthehet me të gjithë forcën ushtarake drejt perëndimit për të rimarr në zotërim tokat që gjendeshin nën sundimin Ilir.

Nëse me tre mbretër të mëparshëm maqedonas Bardhyli kishte triumfuar , në rastin e Filipit, përplasja ushtarake nuk u vlerësua si opsioni i vetëm për mbretin Ilir. Me sa duket ai e njihte mirë kundërshtarin e tij, dhe forcën ushtarake që ai po sillte. Gjithashtu mosha e madhe e Bardhylit e bënte atë ta peshonte gjatë një përplasje tjetër ushtarake. Në ato momente mbretëria ilire ndodhej në pozita jo të këqija, dhe Bardhyli nuk donte të rrezikonte të humbiste tokat që kishte fituar deri në atë kohë. Kështu me t`i ardhur lajmi për mësymjen e ushtrisë maqedonase, ai dërgoi lajmëtarë tek Filipi II duke i propozuar paqe, me kusht që të mbanin ato territore që kishin fituar deri në atë kohë. Filipi u shpreh se do të pranonte paqen nëse do t`i ktheheshin të gjitha qytetet maqedonase që kishin pushtuar ilirët. Në këtë pikë asnjë nuk ra dakord, kështu që përplasja ushtarake u bë e pashmangshme.

                                 Beteja që hyri në histori

Vendin ku ndodhi kjo përplasje, autorët antikë nuk na e thonë. Por sipas shumë studiuesve  bashkëkohorë, dhe për nga vetë pozita gjeopolitike, me siguri ajo duhet të ketë ndodhur në lindje të liqenit të Ohrit (Lyhnidi antik), pra në thellësi të territoreve të Maqedonisë antike. Megjithatë, për nga rëndësia që pati, për nga taktikat që u përdorën dhe për nga figurat që morën pjesë në të, kjo betejë është një nga më interesantet për historinë ilire. Burimi kryesor për këtë betejë na vjen nga autori antik Diodori, në bazë të të cilit ne do të bëjmë edhe përshkrimin e saj.

Falanga maqedonase

Ushtria maqedonase përbëhej nga 10.000 këmbësorë, që formonin falangën, dhe 600 kalorës që ishin aristokracia maqedonase. Këta të fundit për herë të parë iu ishin nënshtruar stërvitjeve ushtarake,që kishte sjellë Filipi në Maqedoni. Kjo ishte ushtria  e rregullt e Filipit, që d. t. th nëse do të dështonte, prapatoka maqedonase nuk do të kishte trupa mbrojtëse. Nga ana tjetër, sipas Diodorit  ushtria ilire përbëhej nga 10.000 këmbësorë të zgjedhur dhe afro 500 kalorës. Fjala “të zgjedhur ”, tregon që Bardhyli mund të grumbullonte më shumë trupa këmbësore, por me siguri ato do të kenë qenë të shpërndara si garnizone nëpër qytetet e pushtuara. Numri më i vogël i kalorësve të Bardhylit tregon që aristokracia ilire ose ishte më e pakët në numër, gjë që zvogëlonte rrezikun e tendencave separatiste në mbretërinë e Bardhylit, ose ndoshta një pjesë e saj mund  ta ketë braktisur Bardhylin në ato çaste. Sidoqoftë Diodori thekson se Bardhyli, i frymëzuar nga fitoret e tij të mëparshme , kishte besim në forcën e tij ushtarake. Kjo do të thotë që ai nuk e ka përfillur epërsinë e lehtë numerike të ushtrisë së Filipit.

Dhe në fakt, trimëria e të dy  ushtrive do të jetë karakteristika kryesore e kësaj beteje. Me të dalë në fushë të hapur, të dy ushtritë u vërsulën me britma të mëdha kundër njëra-tjetrës. Pa humbur kohë Filipi vuri në zbatim taktikat e reja ushtarake; ndërsa vetë vihet në krye të falangës në qendër, kalorësia ndahet në dy pjesë dhe sulmon nga krahët ushtrinë ilire. Me këtë, ndoshta mbreti maqedonas ka shpresuar t`i japë fund shpejt betejës. Dhe në fakt falanga maqedonase ishte më shkatërruese se ajo tebane. Në ndryshim nga kjo e fundit ajo maqedonase ndahej në shumë kuadrate, të cilët godisnin në mënyrë shkatërrimtare në shumë pika njëherësh ushtrinë kundërshtare, në mënyrë që të prishnin formacionin e saj. Ndoshta për Bardhylin kjo metodë luftimi ka qenë e njohur, sepse Ilirët nuk u zunë në befasi përballë saj. Me të shpejtë, ushtria ilire formon një kuadrat të madh. Diodori nuk na e tregon se si u ndanë formacionet e kalorësisë dhe këmbësorisë ilire në këtë kuadrat, por me siguri Bardhyli e ka ndarë kalorësinë e tij në dy pjesë për të mbrojtur krahët e kuadratit. Vetë mbreti ilir do të ketë qëndruar brenda këtij kuadrati, i hipur mbi kalë, për të drejtuar betejën. Kështu kuadrati Ilir, shmangte copëtimin e formacionit nga falanga e fuqishme maqedonase.

                   Formacion luftarak i ilirëve

Këto pozicione luftimi, u ruajtën nga të dy ushtritë përgjatë gjithë betejës, e cila qe e gjatë dhe e ashpër, duke u shoqëruar me shumë të vrarë dhe të plagosur. Episode të veçuara në këtë betejë nuk na jepen, por me siguri që ka patur. Gjithashtu nuk na jepen të dhëna për ndonjë përplasje midis Bardhylit dhe Filipit, po të kishte një të tillë Diodori nuk do e linte pa e përmendur. Me siguri Filipin do e ketë befasuar taktika bllokuese që Bardhyli i bëri falangës së tij. Tashmë ai nuk kishte më aq siguri për fitoren, sa në fillim, ku përpara nisjes së fushatës i kishte inkurajuar ushtarët e tij për t`u hedhur në luftë kundër Ilirëve. Dhe në fakt, Diodori thekson se “ Në  krye  fitorja  nuk anonte  as  nga njëra anë as nga tjetra , dhe kështu vazhdoi për një kohë të gjatë, sepse të dyja  ushtritë luftuan me trimëri të rrallë “ ². Nga ana e tij Bardhyli do ta ketë gozhduar në vend të palëvizur kuadratin Ilir pa marrë parasysh humbjet njerëzore që sillte kjo përballje  trup me trup, me shpresën e dobësimit të falangës maqedonase, dhe për të shpërthyer mësymjen sa të vinte çasti i volitshëm. Për të, në ato momente rëndësi ka patur fitorja e betejës, qoftë kjo edhe me një çmim të lartë. Ndoshta Filipi e ka ndier këtë rrezik, prandaj gjatë betejës e shohim vazhdimisht në qendër të formacionit të falangës, për të mbajtur radhët e shtrënguara dhe për të inkurajuar ushtarët e tij. Kështu të dyja ushtritë e kanë “ grirë “ njëra – tjetrën gradualisht. Në finalizimin e kësaj beteje kanë ndikuar dy faktorë të rëndësishëm: guximi i liderit dhe strategjia.

Nëse fokusi kryesor i betejës ishin bërthamat qendrore të formacionit, kuadrati dhe falanga, në krahët e tyre zhvillohej një tjetër përplasje e cila do të krijonte avantazhin e kësaj beteje, ajo e kalorësive. Thamë në fillim se numri i kalorësisë maqedonase ishte rreth 100 kalorës më shumë se ajo ilire. Nuk e dimë se sa ka ndikuar kjo epërsi numerike për fatin e betejës, por papritmas kalorësia maqedonase na shfaqet mbas shpinës se ushtrisë ilire. Diodori nuk na e thotë se në ç’rrethana mundi të kalojë kjo kalorësi në këtë pozicion. Pa dyshim që njëri nga krahët e kalorësisë së Bardhylit është thyer, kështu që kalorësia maqedonase ka mundur të kryejë edhe rrethimin e kuadratit.

Nuk duket se kjo ka sjellë në mënyrë të menjëhershme disfatën e ushtrisë me përvojë të ilirëve. Në këto rrethana Bardhyli do e ketë vendosur kuadratin në pozita mbrojtëse, duke përgatitur një tërheqje të mundshme, me sa më pak humbje për ushtrinë e tij. Nga ana e tij Filipi, duke parë  avantazhin në favor të tij,  ka përgatitur goditjen përfundimtare për ushtrinë ilire. Nëse avantazhi u krijua nga kalorësia,  finalizimi u krye nga këmbësoria.

Kalorësia që kishte rrethuar kuadratin ilir, forcon goditjen nga krahët dhe nga shpina  e këtij kuadrati. Kjo ka bërë që formacioni ilir të përforcohet në këto drejtime. Nga ana tjetër Filipi  grumbulloi në qendër të falangës ushtarët më të zgjedhur, duke forcuar goditjen në pjesën ballore të kuadratit ilir, duke udhëhequr vetë falangën. Diodori thekson se “ kur kalorësia u sul  nga anët dhe nga shpina dhe kur Filipi me luftëtarët më të zgjedhur u ra nga balli me trimëri ilirëve  atëherë këta u thyen e ua dhanë këmbëve me të shpejtë “ ³.  Në këto momente, Bardhyli, duke e parë që ushtria e tij ishte tërësisht në “darën” maqedonase, duhet të ketë urdhëruar tërheqjen për të shmangur shfarosjen e ushtrisë së tij. Sigurisht që kjo tërheqje nuk është bërë në mënyre komode por me hap të shpejtë dhe në mënyrë emergjente. Nuk na jepen detaje nëse formacioni ilir është prishur gjatë tërheqjes. Maqedonasit i ndoqën për një kohë të gjatë ilirët, duke vrarë shumë prej tyre gjatë kësaj ndjekje, derisa Filipi me anë të borisë i thirri që të kthehen mbrapa. Kjo tregon që Filipi nguroi  ta ndiqte më tej ushtrinë ilire. Ai është mjaftuar me fitoren e betejës frontale aty për aty. Gjithashtu kjo tregon që ushtria ilire, edhe pse është mundur, ajo është tërhequr me disiplinë pa e prishur formacionin e saj mbrojtës.

Sidoqoftë, humbjet e ilirëve në këtë betejë qenë të mëdha. Sipas Diodorit ata lanë në këtë betejë 7000 të vrarë. Për ushtrinë maqedonase nuk jepen të dhëna për numrin e të vrarëve, por me siguri edhe ato kanë qenë të mëdha. Kjo shpjegon edhe faktin përse Filipi nuk e ndoqi nga pas ushtrinë ilire. Për të lënë gjurmë të kësaj ngjarjeje, Diodori tregon se Filipi ngriti në atë vend lapidar për ushtarët  e tij të rënë.

Me këtë fitore Filipi rimori territoret maqedonase të pushtuara nga ilirët,si dhe vuri nën kontroll krahinën e Lynkestias. Gjithashtu fitorja mbi Bardhylin ka ngritur prestigjin maqedonas në arenën ndërkombëtare, duke treguar njëherazi efektshmërinë e ushtrisë së re të ndërtuar nga Filipi,  dhe zotësinë e tij si strateg. Kështu rrugët historike të këtyre dy mbretërve u takuan në këtë përplasje të armatosur. Një përplasje, e cila pasoi fundin e rrugës së Bardhylit dhe fillimin e rrugës së Filipit II të Maqedonisë. Për Bardhylin një fund dinjitoz, ndërsa për Filipin një fitore e cila ishte shtysë për më tej. Prandaj edhe beteja midis tyre ka lënë gjurmë me vlera historike.

Dhe në fakt kjo betejë la më shumë se sa gjurmë në histori. Ajo ishte një pikë kthese e madhe jo vetëm për Dominimin ilir mbi Maqedoninë, por edhe për situatën gjeopolitike në të gjithë rajonin ballkanik. Tashmë kishte lindur një fuqi e re ushtarake, e cila shumë shpejt do të vërë nën kontroll jo vetëm treva ilire por edhe Greqinë antike. Ndoshta deri na atë kohë, por edhe më vonë, askush nuk i kishte bërë ballë si Bardhyli makinës ushtarake maqedonase që kishte ndërtuar Filipi. Një qëndresë të tillë e shikojmë vetëm në betejën e keroneas, ku Filipi vetëm pas një beteje të ashpër kundër një koalicioni të fuqishëm mes Athinës dhe Tebës, mundi të dilte fitimtar,ndaj tyre.

Megjithatë duket se mbreti, ilir nuk i është nënshtruar dominimit maqedonas. Me interes janë informacionet që na vijnë nga autori antik Kurt Rufi, i cili tregon se Bardhyli mbas kësaj beteje u ngrit disa herë në luftë kundër Filipit II derisa iu mbaruan të gjitha forcat ushtarake që kishte!

Më pas emri i tij nuk përmendet më në burimet historike.

Në fakt supremacia e Maqedonisë do t`i kalojë kufijtë e rajonit. Ajo do të shtrihet deri në lindjen e largët. Nën drejtimin e Aleksandërit të Madh, djalit të Filipit II, Maqedonia do të shkatërrojë edhe perandorinë më të madhe të asaj kohe,atë perse.

Ky ishte një rrugëtim i shkurtër në ngjarjet historike që përshkruajnë shtetin ilir në shek IV p. e. sonë. Kjo periudhë përket me formimin e bërthamave shtetërore tek ilirët, si dhe me përpjekjet e mbretërive ilire për konsolidimin e tyre dhe për formimin e supremacisë  në rajonin ballkanik. Rrethanat historike i vunë këto mbretëri në përballje me fuqi të botës antike, përballje të cilat u bënë si për qëllime mbijetese politike nga ana e ilirëve, por natyrshëm, edhe për mbrojtjen e interesave të tyre në arenën ndërkombëtare antike. Këto përplasje patën ndikim edhe në  evidentimin ilirëve si komb dhe si qytetërim më vete në gjirin e popujve të tjerë antikë të Mesdheut, djepi i lindjes së qytetërimeve më të lashta evropiane.

*Autori është mësues historie. E falenderojmë që e dërgoi artikullin për Gazetën”Dielli”

Citimet shkencore:

1 Sipas burimeve nga disa autorë antikë si: Kurt Rufi dhe Lukiani, në momentin kur u ndesh me Filipin II, Bardhyli ishte  rreth moshës  90 -vjeçare

2  “ Ilirët dhe Iliria nga autorët antikë ”.   Tiranë  1965,    Diodori.   XVI  4   f . 139

3  “ Ilirët dhe Iliria nga autorët antikë”. Tiranë  1965,     Diodori.  Po aty.

Literatura e shfrytëzuar:

  • Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë. Burime të zgjedhura për Historinë e Shqipërisë: ” Ilirët dhe Iliria nga autorët antikë ”,Tiranë,1965
  • Islami, Selim. ” Historia e Ilireve ”, “ Botimet  Toena ”,  “Albanian Heritage”, Tiranë, 2008
  • Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Instituti i Historisë. ”Historia e Popullit Shqiptar”,Vëllimi i Parë, Botimet  “ Toena”,Tiranë,2002
  • Dervishi,Shaban. ”Greqia e Lashtë”, Shtëpia Botuese “ Albapress”,Tiranë,2001
  • Vajgal,Artur.” Aleksandri I Madh ”, ”Shtëpia Botuese Enciklopedike”,Tiranë, 1993

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Filipit të II, Përballja e Bardhylit të Ilirisë dhe, te Maqedonise, Tolin Kona

KOSOVË-KUVENDI I ZGJEDHJEVE TË GJASHTA NË LIRI

July 30, 2017 by dgreca

1 Newborn-Kosova javën e ardhshme drejt konstituimit të Kuvendit e zgjedhjes së Qeverisë së re. Në 3 gusht, për seancën konstituive mblidhet Kuvendi i Kosovës i zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, të gjashtave në liri, të tretave në pavarësi/

1 Rugova

-Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 nëntor 2001/

 
-Legjislatura e tretë ishte ajo që ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008/
 
-Zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para çerek shekulli – 25 vitesh, në 24 maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi/
2 Kuvendi
 
-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
1 Kuvendi
 PRISHTINË, 30 Korrik 2017/ Javën e ardhshme, në 3 gusht, do mblidhet Kuvendi i Kosovës i zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit për seancën konstituive, ndërkohë që këtë javë gjatë tre ditëve u regjistruan 112 nga 120 deputetët, e kanë mbetur për t’u regjistruar edhe 8 të tjerë, që të gjithë të çertifikuar në 8 korrik nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili më parë në 29 qershor shpalli rezultatet përfundimtare, sipas të cilave 100 mandate i kanë shumica shqiptare e 20 pakicat.
“Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”, ndërsa “mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës fillon ditën e çertifikimit të rezultatit të zgjedhjes”, përcakton Kushtetuta.
Poashtu përcakton se, “Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh kryetarin dhe pesë (5) nënkryetarë” dhe se, “kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”, sikurse edhe nënkryetarët,
3 të propozuar nga tre grupet më të mëdha parlamentare dhe 2 nga pakicat, 1 nga serbët e 1 nga komunitetet tjera që mbajnë vende të garantuara.
Grupi më i madh parlamentar është koalicioni parazgjedhor PDK-AAK-Nisma, fitues i zgjedhjeve me 39 mandate deputetësh, ndërsa për zgjedhjen e krytetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit e mandej edhe të qeverisë për të bërë shumicën e nevojshme duhen së paku 61 vota.
Në anën tjetër, 61 vota i kanë së bashku grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje me 32 deputetë dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa me 29, të cilat tashmë kanë zhvilluar takimet e para për mundësitë e një koalicioni paszgjedhor me synim krijimin e qeverisë së re në pritje të mosvotimit të qeverisë së të nominuarit të parë, duke deklaruar edhe voten kundër ndonjë kandidati për kryeparlamentar të propozuar nga koalicioni fitues i zgjedhjeve.
Në votimet në konstituimin e Kuvendit dhe për zgjedhjen e qeverisë, si dhe në vendimmarrje tjera parlamentare, pjesë e rëndësishme e procesit janë edhe 20 deputetët e komuniteve pakicë. Komuniteti serb ka 10 vendet e garantuara, 9 të Listës Serbe dhe 1 të Partisë së Pavarur Liberale, ndërsa edhe 10 deputetë janë të komuniteteve tjera pakicë.
 Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, deri në zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve, do të kryesohet nga deputeti më i vjetër, i ndihmuar nga deputeti më i ri, sipas moshës.
Sipas axhendës së përcaktuar nga Kryesia, në seancën konstituive fillimisht do të formohet Komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, më pas do të bëhet betimi i deputetëve dhe zgjedhja e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve të Kuvendit.
Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës të  legjislacionit të kaluar me përfaqësuesit e partive parlamentare të zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit është përcaktua edhe ndarja e ulëseve të deputetëve në sallën e mbledhjeve plenare.
PDK nuk ndërron vend, deputetët e saj bashkë me të AAK e Nisma si grupi më i madh parlamentar i koalicionit parazgjedhor do të ulen në qendër të sallës plenare. Por, në këtë grup vend ndërrojnë deputetët e AAK-së që në legjislaturën e kaluar uleshin pas VV-së, derisa ata të Nismës uleshin pas PDK-së.
Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje do të ulet në krahun e djathtë të kryesuesit të seancës së Kuvendit, ku në legjislaturën e kaluar ulej Lidhja Demokratike e Kosovës. Në anën e majtë, atje ku më parë uleshin deputetët e VV-së, tash do të ulen deputetët e grupit parlamentar të koalicionit parazgjedhor LDK-AKR-Alternativa.
Rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm ta krijojë qeverinë e re, prandaj koalicionet paszgjedhore, që nuk janë bërë ende, janë të domosdoshme si e vetmja alternativë për të mos shkuar sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme paralamentare, ndërkohë që Kosovën e presin edhe zgjedhjet e rregullta lokale këtë vit, në 22 tetor, katër vjet pas zhvillimit të tyre në 3 nëntorin 2013.
Një muaj para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në 10 maj,  Kuvendi i Kosovës u vetëshpërnda me kalimin me shumicë votash, të opozitës e edhe të partisë më të madhe të maxhorancës – PDK, të  mocionit të mosbesimit për qeverinë e udhëhequr nga LDK, të zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë me vonesë gjashtë muajshe pas zgjedhjeve të 8 qershorit.
Në Kosovë, zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2017 ishin të gjashtat në liri, të tretat pas pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 të njohur deri tani nga 114 shtete anëtare të OKB-së, ndërsa u zhvilluan tre vjet pas zgjedhjeve të kaluara që ishin poashtu të parakohshme pas vetëshpërndarjes së Kuvendit.
Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 nëntor 2001. Legjislatura e tretë ishte ajo që ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë.
Ndërsa, zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para çerek shekulli – 25 vitesh, në 24 maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda të okupimit e shtetrrethimit nga regjimi i dhunës serbe.
 
Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 shtator 1991, në të cilin për shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 për qind.
Në mbledhjen 2 majit 1992 Kuvendi kosovar shpalli zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat partitë politike angazhoheshin jo për rivalitete mes tyre, por të gjitha së bashku për vendosjen e pushtetit të Kosovës në Kosovë, të lirisë e demokracisë, në vend të pushtetit të Serbisë, të okupimit e imponimit.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, GJEDHJEVE TË GJASHTA, KOSOVË-KUVENDI I Z, NË LIRI

Në birucat e sigurimit

July 30, 2017 by dgreca

1 Reshat

Nga Reshat Kripa*/

Qelia ku më mbyllën ishte nën rampën e shkallëve.  Kishte dimensione 2,5 X 1,5 dhe lartësia fillonte nga 20 cm. dhe përfundonte në 1,5 metra. Koka dhe i gjithë trupi më dhimbnin. Nuk e di sa kisha në atë gjendje, kur dëgjova një zë që thërriste,  sikur pëshpëriste:

– Hej, kush jeni?

Nuk kisha fuqi të përgjigjesha. U mundova, por u rrëzova përsëri. Thirrja u përsërit. U kapa pas hekurave të dritares së vogël që ndodhej në portë dhe munda të ngrihem me mundim. Në krah të qelisë time, nën shesh pushimin e shkallëve, ndodhej një qeli tjetër, që me timen ishin të vendosura në formën e gërmës ” L “. Në dritaren e portës së saj pashë fytyrën e një burri.

– Ujë! – i thashë me gjysmë zëri

U  mundua   të   më   jepte   shtëmën   e  vogël  që kishte,  por  atë  nuk   e   nxinin   hekurat,  Atëhere mbushi opingën e tij dhe ma dha. Në fillim ndjeva neveri të pija ujë me opingën e një të panjohuri. Mos vallë vinte erë nga djersa e këmbëve të tij? Por etja më detyroi. E piva përnjëherësh. E mbushi  përsëri  dhe  e  përpiva  edhe atë. Uji më gjallëroi. E mbushi për të tretën  herë  dhe më tha:

– Laj fytyrën!

U lava. Ndjeva se  uji më solli në jetë.  Në këtë kohë më hyri një e dridhur në shtat. Ndoshta po më fillonin ethet. Ai më pa, mori një batanie dhe ma zgjati nëpërmjet dritares.

– Merre dhe mbulohu, por kujdes mos të të shohë roja.

E   mora   dhe  u  mbulova.  Pas  pak  më  zuri gjumi. U zgjova nga një zhurmë hapash. Ishin hapat e rojeve. Dola  në  dritare  dhe  i  fola  komshiut. Filluam  të bisedojmë Ishte Imer Rakipi nga Gjormi, i ati i Neki Imerit, ish komandant partizan i vrarë po nga ata.

U ula në një qoshe dhe fillova të vështrojë qelinë. Nga drita e paktë që hynte nga dritarja, vura re  disa  shënime  të  bëra  me  gërvishtje  në  mure. U   afrova  dhe  lexova  njerin:

“Këtu u dergj Gogo Zhupa!”

Kush ishte ky Gogo Zhupa që ishte dergjur aty?  Gjatë kohës që qëndrova në burg nuk takova njeri me këtë emër. Ata që e kishin njohur më thanë se ishte nga Himara.

Më tutje  një shënim tjetër më i gjatë:“Nënë  e  dashur!…  Më  fal!…  Po  vdes … me brengën… se po  të  lë  vetëm…Kriminelët më… kanë sakatosur… ashtu si bënë… edhe  me babanë…Më fal o nënë… se të kam…shqetësuar…!”

   Petr..“

Emrin nuk kishte mundur ta përfundonte. Çfarë e quanin? Petrit, Petrika, Petraq, Petref apo ndoshta Petro? Si duket vdekja nuk e kishte lejuar të mbaronte emrin e tij.

Duke lexuar këto shënime mendova: – Si duket këto qeli qënkan për të vdekur! Po unë a do të shpëtojë?

Mendja më shkoi te shkolla. Atë ditë ishte hartimi. Para syve më dolën shokët dhe shoqet e klasës. Në atë moment ata po shtjellonin temën. Kurse unë dergjesha në atë qeli, prej nga nuk dija në se do të dilja dot i gjallë. A mund të kishte temë më të dhimbëshme se gjendja  në  të  cilën  ndodhesha?  Një  ndienjë melankolie më mbuloi.

dukej  sikur  shikoja  fytyrën  e  Nerit.  Kjo   ndienjë   ma   shtonte  më  tepër dhimbjen.

Kishim tri roje të brendëshme. Kapter Myfiti  ishte një sadist i vërtetë. Kënaqësia e tij ishte kur shihte viktimat e sakatosura nga torturat që ktheheshin nga hetuesit. Qeshte  me  të  madhe  kur  i shihte në atë gjendje. Ishte një e qeshur sarkastike.

– Sa më qenke zbukuruar  me  këtë  ngjyrën  e kuqe! – thoshte duke u ngërdheshur si ndonjë përbindësh, kur i shihte viktimat të gjakosura.

Tetar Vlashi nuk ishte i keq si Myfiti, por kërkonte të zbatonte një për një kërkesat e rregullores së brendëshme. I treti ishte rreshter Gjyshi, i shoqi i  një komshies tonë, me të cilën kishim miqësi familjare. Në përgjithësi, sillej mirë, sidomos me mua që më njihte.

Hetues kishim marshall Demirin. Një vit më parë kishte qënë edhe hetuesi i Besnikut, vëllait tim. Kishte krijuar bindjen se  duhej të kishim një më të madh që na kishte shtyrë në këtë rrugë. Nuk besonte që tre fëmijë si ne të mernim një të tillë inisiativë. S’arritëm kurrë të kuptojmë se për ç’arësye  dyshimi i tij binte mbi një shokun e klasës së Besnikut,  Shefqet Xhikun. Na torturonte për të na detyruar të pranonim se ishim shtyrë nga ai. Por kjo ishte absurde. Ne nuk kishim si të pranonim. Ishim të detyruar të duronim torturat.

Një natë po flija  në  qelinë  time.  Ndjeva  një goditje të fortë  në  këmbë. U ngrita i  tronditur.  Para meje qëndronte kapter Myfiti

– Çohu! –  tha me një zë të ashpër – Po të pret xhelati.

– Xhelati? Cili xhelat? – e pyeta unë.

Bëri buzën në gaz në mënyrë ironike dhe tha:

– Do ta shohësh kur të shkosh lart.

Më shoqëroi në zyrën e Demirit. Ai qëndronte duke shkruar diçka në tavolinë.

– Qëndro aty.! – foli duke treguar qoshkun e murit.

Unë rrija i heshtur. Isha dobësuar jashtë mase. Nuk kisha fuqi të qëndroja në këmbë. U mbështeta pas murit.

– Mos u mbështet! – tha me një ton urdhërues  pa hequr vështrimin nga shkresat që kishte përpara. Sipër kokës së tij ishte një orë muri. Ajo tregonte një e gjysmë. Kishte kaluar mesnata. Si  mbaroi  punë, u ngrit dhe u drejtua nga unë:

– Sot dua të mbarojmë punë shpejt se vajti vonë. Më trego, ku i ka fshehur florinjtë yt atë?

E  vështrova  i  habitur. E  ku  i  kishin  mbetur  florinj  tim  eti   pas   gjithë   atyre peripecive që  kishim hequr.  Në shtëpinë tonë mezi kishin mbetur vetëm disa minderë të vjetër prej dërrase dhe jo të kishim florinj. Le që edhe po të kishte, aq mendje lehtë nuk do ishte im atë sa të m’i tregonte mua një pesëmbëdhjetëvjeçari? Pyetja e tij m’u duk si e një fillestari të paditur.

– Babai im nuk ka florinj, – iu përgjigja.

– Ashtu, nuk do të tregosh? Ti di  edhe  vrimat e miut që janë në shtëpi.

– Ato i di, por florinj im atë nuk ka.

– Mirë, më qafë paç veten!

Më lidhi duart me  hekura  dhe  m’i  shtrëngoi fort.  Më  shtriu  në  tokë  dhe  filloi të më godiste me të dy pëllëmbat me sa fuqi  kishte.  Shikoja  krahët  e  tij  që  hapeshin  me forcë dhe më qëllonin. Koka ime e vogël ishte e detyruar të duronte goditjet barbare të tij. Filloi të më godasë edhe me shkelma në organet gjenitale. Më vinte këmbën me këpucët me gozhda në grykë dhe më hipte sipër duke më rënduar me forcë

– Hë, fol, ku janë florinjtë?

Dhimbjet   ishin   të  tmerrshme.  Nga  hundët filloi  të  më   rridhte gjak. Kjo  gjendje  vazhdoi  për gati dy orë. Së fundi humba ndjenjat. Më hodhën një kovë ujë në fytyrë.  Ndjeva

dy duar që më ngritën dhe duke më hequr zvarrë më përplasën në qeli.

Isha në gjendje kllapie. Si nëpër gjumë më çfaqeshin para syve fytyra të ndryshme. Para syve më dilte portreti i Fatushes, motrëe time,  që më jepte kurajo, por ai zëvëndësohej menjëherë me atë të Demirit që më kërcënonte.

E mblodha veten shpejt dhe thashë:

– Bëhu burrë dhe mos turpëro veten!

Kjo gjendje vazhdoi deri në  mëngjes.

Netët kalonin në mes të ankthit të torturave. Ishte bërë  e zakonshme që pyetjet të zhvilloheshin afër mesnatës. Kështu një natë më çuan si zakonisht në zyrën e hetues Demirit. Ai më vështroi  gjatë dhe në fund më pyeti:

– A je penduar për aktivitetin e zhvilluar?

Pyetja më erdhi e papritur. Nuk dija si të përgjigjesha. Po rrija i menduar pa i kthyer përgjigje.

– Hë, si thua? – vazhdoi ai.

Vendosa t’i thoja të vërtetën:

– Aspak.

Përgjigja i erdhi  e  papritur. Më  vështroi  me  inat dhe pastaj më tha;

– Ashtu? Atëhere bëjë një deklaratë për sa the.

Më vuri para  letër dhe penë. Unë fillova të shkruaj:

19959083_1873002486354303_3658137899593766131_n  Deklaratë

Unë, Reshat Kripa, nga Vlora dhe banues po në Vlorë, në lagjen Vrenez, mbasi u pyeta prej hetuesit që proçedohem si pjesmarës dhe element kryesor i grupit me pseudonim “Atdhetari” që përbëhet prej meje, Myrteza Baboçit dhe Jorgo Beshos, në se jesh penduar për fajet e  kryera  kundër pushtetit ju përgjegja si më poshtë:19961192_1873002596354292_8939744024790587073_n

            Unë Reshati deklaroj se rrugën që kam ndjekur duke treguar aktivitet kundër pushtetit, e quaj të drejtë për deri sa gjendja në vëndin tonë nuk  ka ndryshuar dhe se unë këtë ndryshim e pres nga  t’arratisurit e  jashtë shtetit anglo-amerikanët etj.

            Këtë dekllaratë e shkruaj dhe e nënshkruaj vehtë pa u imponuar sepse janë deponimet e mija.

                                                                                        Reshat   Kripa

Vlorë më 11-VIII-1951

19905213_1873002536354298_2461307283945850700_nDemiri mori dhe lexoi deklaratën. Fytyra filloj t’i marrë lloj-lloj ngjyra. U kthye nga unë dhe me një ton prej krimineli më tha:

– Kështu ti dashke anglo-amerikanët?

– Po, shqiptarët dhe anglo-amerikanët. Ata janë aleatët  tanë. – iu përgjigja.

– Aleatët e sat’ëme apo tyt’eti?

Aty për aty filloi të më godasë me pëllëmba, grushta dhe çfarë të mundte. Pastaj thirri Myfitin dhe e urdhëroi që të më lidhte duart dhe të më çonte në qeli.

Një ditë u hap porta e qelisë dhe tetar Vlashi më tha:

– Merr rrobat dhe eja me mua!

I mblodha ato pak rroba që kisha dhe u nisa pas tij. Kur mbërritëm te qelia numër shtatë, qëndroi, hapi portën dhe më tha të futesha brenda. Ishte një qeli më e madhe se e para. Kishte dimensionet 3 X 2 dhe lartësi 3 metra. Në njerën anë të saj ishte shtrirë një burrë rreth tridhjetëvjeç. Ana  tjetër  ishte  bosh,  Përshëndeta   mikun e ri   dhe  vendosa rrobat në vendin bosh. U ula  dhe filluam të bisedojmë. Më pyeti nga isha dhe përse më kishin arrestuar. I tregova. E njihte tim atë.  Kishte prurë ullinj në fabrikën tonë. Pastaj e pyeta edhe unë.  Ishte  nga  Dukati. E  quanin  Halo  Çanaj. Ishte  arrestuar  pasi  kishte  strehuar  disa  të

arratisur. Kishte qenë ushtar me çetat e Ballit Kombëtar.

Halua    më     përmendte     betejat     e     Gjormit, Drashovicës, Selenicës dhe të tjera. Më fliste për Termopilen shqiptare, luftën e Grehotit me italianët ku u vranë komandanti Hysni Lepenica dhe tridhjetepesë burra të tjerë. Më fliste për Skënder Muçon dhe dy shokët e tij që i pushkatuan gjermanët, vetëm e vetëm se ishin nacionalistë.

  • A ke   dëgjuar    për   ndonjë  betejë   tjetër   ku    të  kenë  rënë  komandanti   dhe

tridhjetepesë trima të tij? – më thoshte me krenari.

Ai fliste dhe unë e dëgjoja me vëmendje. Më  tregonte edhe për fillimin e vëllavrasjes, për luftën e Dukatit, ku forcat nacionaliste u sulmuan pabesisht nga partizanët:

– Ishte fundi i nëntorit të vitit 1943. Kishte kaluar mesnata kur u zgjuam nga krisma e armëve. U dha kushtrimi. Ishim sulmuar pabesisht nga dy batalione partizane, ai “ Asim Zeneli “ dhe “ Halim Xhelo “. Burrat e fshatit, nën komandën e Maliq Koshenës, rrëmbyen armët dhe filluan të mbrohen. U zhvillua një betejë e përgjakshme. U vranë njëzetetre djem, katërmbëdhjetë nga partizanët dhe nëntë nga ballistët.

Ka mbetur si legjendë debati i zhvilluar ndërmjet partizanit  Myrto  Sadiku  nga  Tërbaçi   dhe ballistit Murat Bodo nga Dukati. I pari foli Myrtua:

“Hidhe armën, fashist i ndyrë!”

Ndërsa Murati i përgjigjet me bejte:

S’jam fashist, por i Dukat,

            As ti rus, por i Tërbaç,

            Por na qenka taksirat

Që na vjen dhe vret në prag!

U qëlluan të dy zjarr për zjarr. Në këtë betëjë u vranë 23 veta, 8 nga Ballistat dhe 15 nga partizanët. Dukati i qau të rënët pa dallim. Ai i varrosi të dy palët  sipas zakonit shqiptar. Nënat dukatase i qanë njëlloj bijtë e Shqipërisë:

Korba, na u vranë djemtë,

            Ca këtu e ca në çetë.

            Ca këtu, ca në parti,

            Vaj medet, o Shqipëri!

Komandantin tonë, Maliq Koshenën, e pushkatuan komunistët  vitin e kaluar. Halua heshti. Kujtimi i asaj ngjarje e tronditi tepër.Për herë të parë dëgjova një histori ndryshe nga ajo që kisha mësuar në shkollë. Këtë e dëgjova nga goja e një luftëtari të thjeshtë nacionalist, një njeriu të pa shkollë, por me një zemër të madhe Tregimi i thjeshtë i Halos, pa shtirje dhe me sinqeritet të dukshëm, filloi të ndryshojë mendimin tim për atë periudhë   të historisë dhe ata personazhe që u bënë heronjtë e saj.

Pas gjashtë muajsh e gjysmë erdhi Gjykata Ushtarake e Durrësit.  Gjyqi ishte në të vërtetë një farsë. Ishim nëntë veta që u gjykuam. Ne të tre, Halua, Imeri dhe katër të tjerë, Bejo Vrazhdua nga Bolena, Hajro Belishova nga Mallakastra, Pullumb Llupa nga Vlora dhe Pepo Koheni, një vlonjat me origjinë hebreu.

Kryetar gjyqi ishte kapiteni i parë Shuaip Shaze dhe antarë nëntoger Namik Laze dhe një qytetare e Vlorës, Adile Selimi. Prokuror ishte Gaqo Bezha, ndërsa sekretare  Raife Ismaili. Gjykimi u zhvillua në dy seanca që zgjatën jo më tepër  se pesë orë. Ditën e parë u zhvillua seanca e pyetjeve. Të nesërmen në fillim u dha pretenca e prokurorit. Në këtë  pretencë, midis të tjerave thuhet:“Të tre të pandehurit bashkarisht,  në gjimnazin “Ali Demi”, kanë marrë pjesë në një grup armiqësor, të ashtuquajtur “Atdhetari”, i krijuar dhe i pagëzuar me inisiativën e Reshat Kripës kundër pushtetit popullor. Kanë zhvilluar mbledhje të rregullta, deri në shtatë herë rresht, në dyqanin e Jorgo Beshos e gjetkë, mbledhje këto që kryesoheshin nga Reshat Kripa.

Në fund të mbledhjeve merrnin vendime për të shtuar rradhët e grupit. Ata, me propozim të Reshat Kripës, kanë hedhur trakte. Konceptet e tyre i jepte Myrteza Baboçi. Në shkruarjen e tyre kanë marrë pjesë Reshat Kripa dhe Jorgo Besho, ndërsa në shpërndarjen që të tre së bashku.”

Pastaj u bë mbrojtja e avokatëve. Unë dhe Jorgua kishim avokat Pavllo Sopiqotin, ndërsa Myrtezai Petro Kisin.. Ata u munduan ta paraqisnin çështjen si një fantazi fëmijësh.. Pastaj e mori fjalën kryetari që kërkoi fjalën tonë të fundit.

– Nuk kam asgjë për të thënë, – u përgjigja unë

Të njëjtën përgjigje thanë  edhe  shokët  e  mi. Ai priste që ne të kërkonim mëshirë. Pastaj me vendimin numër 111 datë 11.12.1951 na dënuan. Në vendimin e gjyqit thuhet:”Si element i shtresës së prekur nga reformat e pushtetit popullor, i pandehuri Reshat Kripa, ndonse në moshë të re, bëhet i vendosur në rrugën antipushtet dhe qysh në muajin mars të vitit 1951 bisedon me rradhë edhe me dy të pandehurit e tjerë, Jorgo Beshon dhe Myrteza Baboçin. U shfaq atyre propaganda shpifarake të radiove reaksionare si të Londrës e të tjera, u paraqet ndërrimin e situatës në vendin tonë dhe së fundi u propozon që të formojnë një grup me emrin “Atdhetari” Të tre të pandehurit janë konseguent në pjesmarrjen e tyre në grup kundërshtar të organizuar dhe në përpilimin dhe shpërndarjene fletushkave me përmbajtje antipushtet.”

Sipas tij mua dhe Myrtezanë na dënuan me nga pesë , ndërsa Jorgon me tre vjet burg.Avokatët bënë rekursin në Gjykatën e Lartë Ushtarake. Kjo gjykatë me Kryetar kapitenin e parë  Vangjel Kocani dhe antarë kapitenët e parë Mustafa Qilimi dhe Mustafa Beqo, si dhe  prokurori ushtarak, kapiten Gazmend Jusufaj dhe kryesekretari, kapiten Murat Qazimi, më datën 17.01.1952 morën vendimin numër 35, ku ndër të tjera thuhet:Rrezikshmëria e veprimtarisë së tyre është e theksuar., prandaj vendimi i gjykatës është i drejtë, si për deklarimin fajtor dhe për masën e dënimit aplikuar veçmas për secilin.Vendimi ligjëronte atë të Gjykatës Ushtarake të Durrësit.

*Fragment nga romani: “Rini e Copetuar”*1 Reshat

Filed Under: Histori Tagged With: Ne birucat e Sigurimit, reshat kripa

QAZIM KOKOSHI, FIRMËTAR I DEKLARATËS SË PAVARËSISË KOMBËTARE…

July 28, 2017 by dgreca

….. NË NJË STUDIM TË ENVER MEMISHAJ/

Për aktivitetin e tij  në shërbim të atdheut Qazim Kokoshi u dënua tre herë me vdekje, nga Otomanët në vitin 1908, nga italianët në vitin 1920 dhe nga Ahmet Zogu në vitin 1932./

1 Qazim Kokoshi

Nga Msc. Albert Habazaj-Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë./Instituti i Sudimeve Historike “Lumo Skëndo”, ka botuar veprën Qazim Kokoshi “Një histori e shkurtër e ngjarjeve shqiptare”, kujtime, përgatitur për botim nga studjuesi njohur Enver Memishaj.Në pjesën e parë të librit botohet nje studim i gjatë i z. Memishaj “Mbi jeten dhe veprat atdhetare te Qazim Kokoshit”, në pjesën e dytë autori ka botuar dokumente që përfshijnë periudhën 1908 – 1924, në pjesën e tretë janë botuar kujtimet e Qazim Kokoshit të cilat ai i rishkrojë pas djegies së shtëpisë dhe kujtimeve nga italianët në Vlorë dhe gjermanët në Beograd. Në pjesën e katërt janë botuar faksimile të dokementeve dhe fotografive që plotësojnë madhështine e figurës së Qazim Kokoshit. Në fund është botuar gjenealogjia e familjes atdhetare Kokoshi të Vlorës.

*     *     *

Qazim Kokoshi lindi në Vlorë në vitin 1882 dhe vdiq në burgun e Vlorës më 9 tetor 1947. Ai ishte udhëheqës i kryengritjeve antiosmane, firmëtar i deklaratës së Pavarësisë, një nga burrat e shquar të Vlorës që më 1914, mbajtën me bukë e shpëtuan nga vdekja mijëra muhaxhirë të Kurveleshit të përzënë nga vatrat e tyre nga bandat kriminele greke, ideator organizator dhe udhëheqës i Luftës së Vlorës më 1920, që rishpalli Pavarësinë e përmbysur nga Lufta e Parë Botërore.Në vitin 1919 ai mirëpritë në shtëpinë e tij ambsadorin amerikan Haven, të dërguarin e Presidentit Uillson për çështjen shqipatre dhe nëprmjet tij ndikoi të Presidenti Ullson për të mbrojtur çështjen shqiptare në konferencën e Paqes në Paris. Nëvitin 1921 u zgjodh deputet i Vlorës,  prefekt dhe kryetar Bashkie i Vlorës, udhëheqës i Revolucionit të Qershorit në vitin 1924. Në vitet ’30 ai dallohet për përpjekjet për një sitetem demokratik në Shqipërinë dhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore është antifashist dhe luftëtar i orës së parë.Qazim Kokoshi kishte dhuntinë që shkruante. Ai themeloi dhe botoi në Vlorë dy gazeta: në vitin 1914 gazetën “Populli” dhe në vitin 1920 gazetën “Mbrojtja Kombëtare”, gjithashtu ai mbante shënime dhe ditar për ngjarjet historike shqiptare. Për aktivitetin e tij  në shërbim të atdheut u dënua tre herë me vdekje, nga Otomanët në vitin 1908, nga italianët në vitin 1920 dhe nga Ahmet Zogu në vitin 1932.

*       *       *

Aktivitetin dhe shërbimet e shquara që Qazim Kokoshi i ka sjellë vendit të tij na i ka paraqitur me dashuri dhe me sukses të plotë z. Enver Memishaj në këtë libër. Në historinë e kulturës dhe luftës së vlonjatve për liri e pavarësi ka mjaft emra të shquar, të cilët i bëjnë nder dhe i japin vlera të veçanta traditave tona historike. Në këtë plejadë të patriotve të shquar të Vlorës bën pjesë edhe firmëtari i Deklaratës së Pavarësisë Kombëtare Qazim Kokoshi, i cili na vjen sot madhështor i ringjallur dhe i rivlerësuar në monografinë e përgatitur nga Enver Memishaj.Duke lexuar këtë libër të bie në sy moria e dokumenteve, burimeve arkivore, dëshmive e kujtimeve, të cilat kanë një qëllim: zbardhjen e të vërtetës historike dhe portretizimin e kësaj figurë aq të dashur për shqiptarët dhe veçanërisht për vlonjatët.Qazim Kokoshi njihet dhe vlerësohet në Vlorë dhe në historinë e Shqipërusë sepse është nga ata burra të çmuar që për shumë kohë dhe veçanërisht në kohë shumë të vështira kur nuk kishte Shqipëri u bënë përfaqësues të Vlorës dhe të Labërisë në luftë për pavarësi, liri dhe ekzistencë.Autori i librit e vlerëson Qazim Kokoshi veçanërisht për udhëheqien e Luftës epope të njëzetës në krah të atdhetarëve të tjerë si Osman Haxhiu, Ahmet Lepenica, Qazim Koculi, Murat Tërbaçi, Halim Xhelo, Spiro Jorgo Koleka, Hamza Isai, Tol Arapi, Duro Shaska, Sali Bedini i Armenit, Myqerem Hamzaraj, Ymer Radhima, Jani Minga, Ali Asllani e të tjerë që u bënë dufi, zjarri i qëndresës dhe emblema  e luftës për liri kundër pushtuesve.Në këtë libër autori z. Enver Memishaj ka përfshirë ngjarje të ndryshme që nga lufta kundër pushtuesit otoman deri në vitin 1947, ku figura e Qazim Kokoshit është në marrëdhenie me elitën vlonjate dhe atdhetarë të tjerë në të gjith territorin e Shqipërisë Etnike. Autori në studimin e tij ka ditur të zbulojë dhe evidentojë cilësitë e larta të Qazim Kokoshit, që në krye të adminstratës shtetërore ka ditur të drejtojë me aftësi, kompetencë dhe dashuri për qytetarët shqiptarë për t’i dhënë administratës shtetërore fytyrë europiane. Nga ana tjetër autori ka ditur të dallojë përpjekjet e pareshtura të Qazim Kokoshit për demokratizimin e jetës së vendit.Në një artikull të vetëm unë s’mund t’i shpreh dot të gjitha, sepse i ka shprehur z. Enver Memishaj në studimin e tij dhe në dokumentat e botuar në këtë libër, por unë dua të nënvizoj edhe një fakt tjetër: Figura si ajo e Qazim Kokoshit në kohën e sotme të trazuar të jetës shqitare, janë një model, edhe pse padrejtësisht janë anatemuar nga sistemi totalitar. Por e dhimbshme, tronditse është edhe fakti që aq mirë na e ka paraqitur dhe përshkruar z. Enver Memishaj, pereskutimin që kjo familje e nderuar e Vlorës, pësoi nga fashistët, nga nazistët dhe nga komunistët. Të afërm të Qazim Kokoshit u pushkatuan nga fashistet dhe nga komunistët, të tjerë si Kudret Kokoshi, Burim Kokoshi, Ëngjëll Kokoshi që ne vlonjatët i kemi njohur dhe vlerësuar kanë qenë njerës të urtë e të ditur, që rrezatonin kulturën e tyre, e megjith atë ata u burgosën dhe persekutuan padrejtësisht.

Kujtimet e Qazim Kokoshit, studimi jetës dhe veprës atdhetare të tij nga z. Enver Memishaj, si dhe dokumentet e shumtë të botuar në të veç vlerave për ndriçimin e të vërtetës historike le të jenë edhe një model për të shtyrë studjues të tjerë vlonjatë për të zbuluar thesaret dhe vlerat historike të Vlorës sonë të dashur.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Albert Habazaj, QAZIM KOKOSHI, sipas Enver Memishaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 389
  • 390
  • 391
  • 392
  • 393
  • …
  • 739
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË
  • NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE KËRCËNIMI I URISË GLOBALE: NJË GRADË MË SHUMË, MILIONA JETË NË RREZIK
  • KUR FLITET PËR PROCESIN KRIJUES – ROMANI “I ARRATISURI”
  • NËNTORI 2026 MES FLAMURIT DHE PROTESTËS
  • Plagët e heshtura të luftës…
  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT