• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TRAGJEDIA QE NDODHI ME 11 SHTATOR….

September 10, 2016 by dgreca

11 shtatori, dita më e zezë në historinë amerikane/
14224934_1215641191834132_8417427470518724772_n
*Amerikanët përkujtojnë pesëmbëdhjet vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001/
*Amerika nderonë sot edhe tre shqiptarët që humbën jetën në 11 shtator:Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj /
Gati tre mijë njerëzit, që humbën jetën nga sulmet e 11 shtatorit, ishin shtetas të më tepër se 70 vendeve. /
3-shqipot
1-nena-me-lule-e-vajz
3-sa-shumeSpeciale nga Beqir SINA, Nju Jork/
NEW YORK : Sot, në qytetin e New Yorkut, në një fshat në Pensillvani dhe në Pentagon,  kudo në të gjithë territorin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkujtohet 15-vjetori i sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001.
Në, ndërkohë, që ora do të shënon 8:46 të gjitha Kumbonat e Kishave, sirenat e anijve, dhe trenave, do të bien në respekt e nderim të viktimave, kurse nxënësit e shkollave në heshtje do të qendrojnë duke nderuar viktimat e 9/11.
Afro tre mijë njerëz u vranë atë ditë nga sulmi, i cili u bë shkak për nisjen e një fushate të gjerë të SHBA-ve kundër krimit dhe terrorizmit. Në SHBA gjatë kësaj dite, mbahen ceremoni përkujtimore ndërsa në Nju Jork, është hapur edhe Museu i Përkujtimit të 11 shtatorit.
15 vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit do të shënohet nga një seri ngjarjesh solemne sot të dielën në qytetin e Nju Jorkut, ku do të marrin pjesë autoritetet më të larta amerikane, nga qeveria amerikane, shteti i Nju Jorkut, perfshire edhe dy kandidatet per President te SHBA, Hillary Clinton dhe Donald Trump.
Veprimtaritë përfshijnë leximin vjetor një e për një të të gjithë emrave të viktimave, dhe vendosjen e luleve nga të mbijetuarit dhe lutjet për paqe, në vendin ku më parë ishin dy Kullat binjake – Qendra Botërore Tregtare.
Televizionet amerikane do të ofrojë një trasmetim drejtpërsëdrejti të të gjitha kanaleve televiizive të ceremonisë vjetore përkujtimore në vendin ku më parë ishte Qendra Botërore të Tregtisë, në Pensillvenia dhe në Washington – Pentagon ku Presidenti Obama dhe Zonja e Parë Michele Obama do të udhëheqin ceremoninë.
Ceremonia e 9/11 Memorial- fillon në orën 8:30 të mëngjesit me kohën lokale dhe do të zgjasë deri rreth mesditës.
 
Tribute në Dritën
 
Mbrëmë dy “Kollonat” gjigante deri në qiell të prozhektorve të fuqishë me dritat e tyre blu nisen të shkëlqejë drejt qiellit nga pjesa e poshtëme -Lower Manhattan për një përkujtim vjetor me Dritën e Shpirtit, e cila filloi mbreme në darke dhe vazhdon per tre dite. Duke u ndezur në blu do të ndizen tre ditë nga në muzg dhe do të venitet në agim.
Këtë vit, Museumi 9/11 Memorial do të hapet nga ora 6 e mëngjesit deri në 12 në mesnatë për publikun e gjerë për të parë gjithëçka që pasqyrohet në shesh. Për të hyrë në shesh, janë hapur rrugët West, Fulton dherrugët Liberty dhe Greenwich . Pra për çdo rrugë kësaj rradhe nuk ka asnjë program formal.
Nëse do të pyesje çdo qytetar të kësaj bote, se çfarë ndodhi në 11 shtator, ai do të përgjigjet: “u krye akti më terrorist që përjetojë bota”. 4 avionë kamikazë sulmuan, dy simbolet gjigande amerikane. Atë të ekonomisë ku rrëzuan dy Kulla Binjake, dhe atë të ndërtesës së Ministrisë së Mbrojtjes – Pentagonin. Ndërsa, po atë ditë në të njëjtën kohë në afërsi të një fshati në Pensilvani, u rrëzua një avion, dhe kështu e marta e 11 shtatorit 2001, pa pritur e pakujtuar mori jetën e 2900 njerëzve të pafajshem.” Pra, në mëndjen e njerëzve të thjeshtë, 11 shtatori ishte një sulm terrorist, ishte një moment i dhimbshëm në histori, që erdhi e tronditi zemrat e mendjet e qindramiliona njërëzve, jo vetëm nga Shtetet e Bashkuara, por nga mbarë bota.
Ata avionë, e ata terroristë që shkatërruan dy Kullat Binjake në Nju Jork, apo një pjesë së ndërtesës së Ministrisë së Mbrojtjes – Pentagonin në 11 shtator 2001, 15 vjet më parë, nuk e bënë këtë për të shkatërruar thjesht dy Kulla nga më të lartat në botë, por, për të shkatërruar e sulmuar një qytetërim të tërë. Dhe jo më kot terroristët zgjodhën e goditën kullat e tregtisë botërore, World Trade Center, ato ndërtesa që mundësonin prosperitetin dhe tregtinë e mbarë botës, jo më kot u vu në shënjestër Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë, institucionet mbi të cilat është ndërtuar dhe e garantuar siguria e botës së lirë, paqe e demokraci. Ata që i kryen këto akte ishin të motivuar nga urrejtja kundra vendit simbol të demokracisë, paqes në botë – Shteteve të Bashkuar të Amerikës zemren e qytetërimit perendimor.
 
Terroristët i kanë shpallur luftë mbarë botës së lirë
 
Me të tilla akte ata që i kryen dhe ata fshihen pas tyre nuk i kanë shpallur luftë vetëm SHBA-së, i kanë shpallur luftë të gjithë atyre popujve e shteteve të cilëve SHBA u garanton sigurinë e lirinë. Të gjithë atyre shteteve aleate në mbarë botën, me të cilat SHBA janë bërë një – duke ndarë kështu prosperitetin dhe zhvillimin. Kjo është një prej pikave më të rëndësishme që edhe ne shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, e viset shqiptare në Ballkan, e në diasporë, mbarë kombi shqiptarë arritën të tregojnë në 11 shtator 2001, se ne jemi populli më pro-amerikanë në botë. Ne jemi përkrahë SHBA, ashtu siç janë SHBA përkrah nesh, me pavarësinë e Kosovës dhe demokratizimin e Shqipërisë.
Për kombin shqiptarë, terrorizmi nuk është vetëm një kërcënim për SHBA dhe amerikanët, por për Shqipërinë dhe Kosovën, dhe trojet shqiptare. Udhëheqësit amerikanë, u prononcuan në media se 11 shtatori 2001, shënon ditën më të zezë në historinë e shtetit 240 – vjeçar amerikan. Nëse Perl Harbor ishte një tragjedi në Paqësor, 11 shtatori ishte sulmi i parë terrorist në tokën amerikane. Ishte sulmi i parë në 240 vjet në tokën amerikane, që nuk kish njohur luftë nga jashtë prej kur qysh lindi ai shtet me 4 Korrik 1776 . SHBA e gjeti veten në 11 shtator si superfuqia e vetme e botës e goditur nga një kontigjent njerëzish, të cilët i ushqente urrejtja e madhe ndaj SHBA-se. Ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës u krye akti terroristë, vepër kjo jo e një personi apo grupi, produkti i një grumbulli njërëzish reth një organizate të quajtur Al Qaida. Oragnizat, që jo vetëm nuk i dënon këto akte, përkundrazi i mbështet ato në masë e në mënyrë të vetedijshme anë e mbanë botës.
 
Tolerance zero ndaj terrorizmit global
 
Duke filluar nga njëra anë e botës, e duke përfunduar në anën tjetër, Shtete e Bashkuara te Amerikes, ne krye vet, me aleatet e saj përfshirë edhe popullin më pro amerikan në planet, Shqipëtarët, do të ndërmerte një fushatë globale të testimit të aleancave të saj në botë, në luftën kundër terrorizmit. Kjo aleance do të kushtëzohej pikërisht me aplikimin edhe nga këto vende të tolerancës zero ndaj çdo forme të terrorizmit, korrupsionit e kriminialitetit, qoftë ky në rang shteti, rajonal apo global. Qeveritë e gjithë botës u vunë në levizje që të pastronin vendet e tyre nga terroristët, nga korrupsioni e kriminaliteti e krimi i organizuar. Të mbyllnin të gjitha llogarite e tyre bankare dhe te bashkepunonin ngushtesisht me SHBA në këtë luftë botërore. Lufta kundra terrorisimit, vjen direkt pas Luftës së Parë e të Dytë Botërore, dhe Luftës se Ftohtë, ku edhe ra perdja e egër komuniste në të gjithë Europën juglindore, përfshirë edhe rrëzimin e komunizmit në Shqipëri. Në këtë luftë morën e marrin pjesë edhe shqiptarët. Merr pjesë e gjithë Shqipëria dhe Kosova.
 
Amerika nderonë sot edhe tre shqiptarët që humbën jetën në 11 shtator
 
Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj ishin ndër 2.752 viktimat që u vranë në sulmin terrorist të 11 shtatorit të 2001 në Nju Jork.
 
Janë edhe këta tre emrat që shënohen në pllakën përkujtimore, por edhe që konsiderohen si heronjtë e Amerikës dhe pjesë e historisë së saj. Ata janë emrat që lexohen në këtë ceremoni vjetore për çdo 11 shtator – duke u përkujtuar nga mijëra amerikanët që mblidhen pranë vendit të ashtuquajtur tani Ground Zero në Nju Jork për të përkujtuar 13 vjetorin e kësaj tragjedie.
Në ceremonialin përkujtimore për çdo vjet në lokalitetin afër dy ish-kullave binjake janë tubuar  anëtarët dhe të afërmit e tre familjeve shqiptare Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj , por edhe qindra shqiptarë nga trojet e ndryshme, për të ndarë dhembjen dhe për të qenë përkrahë Amerikës.

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: 11 shtatorin, Amerika perkujton, tragjedine

POSTRIBA, e para kryengritje antikomuniste në Europën Lindore

September 10, 2016 by dgreca

NGA SIMON MIRAKAJ*/

kazazi-3

Ne nje fotografi me Voltana Ademin, Kryetare e Bashkise Shkoder dhe znj.Luli

hamza-j-kazazi

Ne Foto: Hamza Jup Kazazi dhe Simon Mirakaj

kazazi-2

Hamza Jup Kazazi ,Seit Prishta Reshat Kripa dhe Simon Mirakaj

14202712_1418674391481043_3825673747658855476_n

Ne Foto:Nga e djathta: Reshat Kripa, Mexhit Cungu ish prefekt i Shkodres, Simon Miraka, zonja Luli, Seit Prishta.

Te nderuar pjesmarres, jemi mbledhur sot në këtë cermoni përkujtimore me rastin e 70 vjetorit të kryengritjes së Postribës e cila na bën te ndihemi krenarë si e para kryengritje anti komuniste në Europën Lindore. Na bën të ndihemi krenarë për përpjekjen e rezistencen heroike te këtyre martirve te lirisë, të cilët e morën pushkën në krahë për një Postibë të lirë e demokratike e jo vetëm për  Postribën por për të gjithë Shqipërinë nga Vermoshi në Konispol. Ata janë e do mbeten madhështorë në kujtesen tonë sepse madhështore ishte dhe kauza e tyre liria, demokracia. Ata janë faqja e ndritëshme e historisë tonë. Të nderuar familjarë të ikonave të lirisë, të nderuar  të pranishëm ata që japin jetën për liri e demokraci nuk vdesin ata i përkasin përjetësisë.

Komunizmi u instalua dhunshëm në Shqipëri me vrasje me gjygj e pa gjygj, me burgosje, internime, por me gjithë ashpërsinë e tij ai ndeshi  në rezistencë heroike në veri të Shqipërisë ku komunizmi nuk i kishte ngulë kthetrat e tij si kryengritja e Kelmëndit me heroin legjendar Preng Calin, kryengritja e Malsisë Madhe me në krye Llesh Marashin deri te kryengritja e Postribës me në krye Jup Kazazin I cili kishte në krahë kreshnikë të tillë si Osman Haxhinë, Idriz Tahiri etj. Kjo kryengritje gjeti mbështetje edhe nga qytetaria Shkodrane e cila kishte një vizion perëndimor  e një mentalitet europian. Për Shkodrën thuhet se është djepi  i kulturës po është e vërtetë, për Shkodrën thuhet se është djepi I futbollit po është e vërtetë, e këtyre thënjeve  duhet të ju shtojmë se Shkodra është dhe djepi i lirisë e kjo është më se e vërtetë. Lavdi te përjetëshme martirve të kryengritjes së Postribës.

I  pa harruar kujtimi i martirëve të lirisë.

Shkodër 9/9/2016

Simon Mirakaj Kryetari I shoqatës së ish të përndjekurve politikë antikomunistë  të Shqipërisë.

* Fjala e mbajtur nga Simon Mirakaj me rastin e 70 vjetorit të kryengritjes sË Postribes.

Share

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: Antikomuniste", kryengritja e pare, Postriba, Simon Mirakaj

KRYENGRITJA E POSTRIBES – KUJTIME

September 9, 2016 by dgreca

  • Me rastin e 70 vjetoriti/

* “….Ata kurrë mos u harrofshin/ Në kangë e në valle por u këndofshin!” (Atë Gjergj Fishta)/

1-gjergj-fishta-276x300Shkruan: Sami Repishti, Ph.D. */

1-kryengritja-e-postribes-ok9 shtator 1946.-“ Mbas mesit të natës, gjumi i qytetit të Shkodrës u prish nga nji breshni qitjesh me armë që më erdhi e papritun. Ishin katundarët e Postribës që mbrojshin tokën e tyne, me gjithë shpirt. “Pushteti” i ri komunist kercënonte me kolektivizim. Nji grup i madh afer 200 vetësh,i guximshëm por i pa organizuem, sulmoi qytetin, kazermat ushtarake e ndërtesat qeveritare, por pa sukses. Përleshja me “forcat e Sigurimit” vazhdoi deri në mëngjez, kur sulmuesët u tërhoqën.

Rrjedhimet e këtij akti vetëmohues u treguen katastrofale. “Lëvizja e Postribës”, ashtu si u quejt nga të gjithë, nuk la shumë viktima në fushën e betejës, por bani shumë viktima në ditët që vazhduen. Ditën e parë, në nji fushë afër qytetit u ekzekutuen njizetë e tetë  katundarë. Batalionet e Sigurimit të Shtetit invaduen katundet e Postribës e pushkatuen pa faj, pa gjyq, shumë fshatarë që nuk u arratisen sepse nuk morën pjesë në kryengritje! Shumë shtëpi u dogjën e tymi i tyne dukej qartë nga qyteti. Arrestimet u banë në masë dhe jashtë çdo kontrolli.

Ky akt guximtar u ba shkak “të pastrohej” gjithë qyteti i Shkodrës me rrethe nga elementët “armiq të popullit”. Mbrenda nji mueji, qyteti kishte dymbëdhetë burgje të përkohëshme, e ma shumë se njimijë e dy dyqind të arrestuem. Hija e randë e ekzekutimeve ishte kudo. Por natën, kur filloi pushka në rrugët e qytetit, Shkodra u elektrifikue. Ideja e rrëzimit të “pushtetit komunist” ndezi fantazitë e të gjithëve. Monstri i kuq mishngranës ishte plagosë!

Nga dritarja e hapun në atë natë shtatori, krizmët e pushkëve më mbushën me shpresë. Nuk ashtë melodi e re për këte popull që ashtë“ushqye” me gjak e lotë. Nga Rozafa, sot e zymtë dhe e zemrueme, në këte natë martirizimi, zana numron dëshmorët e ramë për liri, ndërsa në ledhet tremijë vjeçare të kështjellit, legjenda kalitë emnat e tyne për përjetësim. Historiae jote, o Shkodër, ashtë tingulli i daltës së çeliktë që pret thellë në granitin që copton, e në mermerin e lëmuet ajo kalitë pavdekësinë e atyne që dhanë jetën, flijime të ndërgjegjëshme të njerëzimit të lirë.

Fjala shqipe “kryengritës” më pëlqen shumë! Sa e bukur; sa tërheqse!

Fjala “kryengritje” që në gjuhët e hueja perendimore përkthehet me ‘insurrectio’,(nga latinishtja), ngritje kundër nji autoriteti civil ose politik,nji seri aktesh dhe ngjarjesh që synojnë nji qellim të caktuem: ndryshimin e rendit shoqënor ekzistues, ka nji kuptim të veçantë në shqipen tonë.Ajo ka nji prejardhje ma të përcaktueme, ma “burrënore”: “të ngrejsh koken nalt”, (“Nalto ballin, çetë luftare” e D.Ndre Zadejës) të refuzoshdhe të përbuzësh nënshtrimin, të mos përulesh, as tëthehesh as tëpërkulesh, të kundërshtosh kamxhikun e shtypësit me nji guxim që sfidon vdekjen, dhe në përpjekjen fisnike me jetue “kryenaltë” pranohet humbja e nji jete që, pa liri dhe pa dinjitet njerëzor, nuk ka kuptim. Nderi para jetës!Kryengritësi!

Kryengritje!Sa titull magjepës! Ky ashtë koncepti që unë kam formue gjatë viteve të gjata në burgjet komuniste të Shqipërisë, e në kontakt me individë të thjeshtë, të pa arsimuem, besnikë të traditave tona të besës, nderit, burrënisë, mikpritjes dhe trashëgimisëqë na jep trimnia e fitueme në situata të vështira, “shtigjet e ngushta”, “rruga e kryqit” e Kalvarit tonë kombëtar.

Ky ashte koncepti që unëkam formue nga takimet e përditëshme me ish të burgosunit nga krahina e Postribës, në Veri të Shkodrës sime,landa kryengritëse që me guxim marramendës sulmoi “pushtetin” e terrorit komunist në Shkodër, me 9 shtator 1946. Sot, këte akt guximi tërrallë e quejmë “Lëvizja e Postribës”, dhe e festojmë në kujtim  të kryengritësve që shkruen me gjak nji epope, si dhe të viktimave që shkaktoi lufta nëqytet, e masat ndeshkimore që nuk perfunduen asnjiherë për 45 vjet kundër kësaj popullsie vendëse. Por identifikimi i këtij aktispontan guximtar si “lëvizje” ashti pa saktë. “Kryengritja e Postribës”? Po!

Leckamanët guximtarë të Postribës u mundën! Por, miti i “pushtetit të popullit”, i trumbetuem aq shumë nga sundimtarët e kuq u shemb. Ata që sulmuen ishin shumica katundarë të vorfën,- landa që reklamohej nga “pushteti” si baza e tij,e që tashti ngrente kokën si rezistencë kundër “pushtetit”uzurpues. Disfata politike e komunizmit në Shqipëri ishte e plotë! Në ato ditë, entuziasmi, unë shkrova:

“…Digju flakë, o Shkodra e ime plakë, digju! Sot në errësinën që të ka mbulue anembanë, për ushqim ka nevojë përsëri liria, për djelm ende të parritun si duhet, për burra që nanat kerkojnë pse duhen ushqye fëmijtë që qajnë për bukë, e për babën që nuk jeton ma! Ngreje zanin e kushtrimit përsëri, ti o qyteti i Rozafës, shpërndaje errësinën që mbretnon, o Shkodra plakë, e me flakadanin e ndezun në dorën që shkrumbohet nga zjarri i lirisë, digju, digju flakë, o Shkodra e ime plakë, digju!” ((Nën hijen e Rozafës,f.125)

*

Në mbasdrekën e 22 tetorit 1946, u arrestova nga organet e Sigurimit të Shtetit, Mbas nji hetuesie barbare që kërkonte nënshtrimin tim ma shumë se “informatat” mbi veprimtarinëanti-pushtet, dola para “Gjyqit të Popullit” , nji shaka e pashpirt, nji komedi sa banale aq vdekësore. Nga 22 të akuzuemët, nandë fatmjerë u dënuen me vdekje, dhe ma vonë u ekzekutuen. Unë mora 15  vjet burgim të randë mbi kurriz.

Nga ata që shpëtuen nga vdekja ishin edhe katundarë nga Postriba, pjesëmarrës aktivë të sulmit të 9 shtatorit. Njeni nga ata, i akuzuem si “kryetar” i kryengritjes, pranoi akuzën me dinjitet. Nuk mohoi veprimtarinë e vet në këte akt të armatosun. I thjeshtë, me pak fjalë, rrethpesëdhjetë vjeçar por i lodhun nga jeta e vështirë e katundit, kufizohej me përgjegje të shkurta : po ose jo. Emni i tij Osman Haxhija!

Shpesh herë kishe përshtypjen se nuk kuptonte as akuzat e prokurorit, as vrejtjet banale të kryetarit. I veshun me nji palë rrobe të vjetra, që nga qendrimi në qelitë e flliqta të burgut dukeshin edhe ma të vjetra, Osman Haxhija qendronte me trupin drejt, kokën nalt, dhe shikimin e përqendruem në trupin gjykues sikur donte me sfidue autoritetin e tyne sa herë që e sulmojshin me ngulm e egërsi.

Nuk e di se çka mendonte në ato momente kritike për jetën e tij, por shihej qartë nji shprehje mosperfillëse për të gjithë proçesin, njerëz e ngjarje, me ftohtësinë e nji stoiku i përgatitun për gjithçka, itronditun nga asgja.

Nga banka e të akuzuemëve shikojshe me admirim të sinqertë këte viktimë të rrethueme nga ujq mishngranës që kercënojshin atë dhe të gjithë të mjerin vendin tim.Cili do të ishte fati ijonë në duer kriminelësh vandalë të kuq të vendosun me mbajtë pushtetitn me çdo kusht e të nënshtrojnë me çdo mjet nji popullsi që nuk i pranonte?

Me 27 nandor 1947, u dhanë dënimet. Osman Haxhija u denue me burgim të përjetëshëm. Akoma më tingëllojnë në vesh britmat histerike të aktivistëve të grumulluem në sallën e Gjyqit, ish kinemajae qytetit. Turma e pamend as na njihte, as kuptonte skenën makabre të pergatitun nga “pushteti” që ata i bindeshin verbënisht. “Trathëtarët në litar! Trathëtarët në litar!”shkyheshin gurmazet e qinda “spektatorëve” tashma aktorë pa ndërgjegjsim të valles së vdekjes që bahej para syve të tyne, të verbuem nga injoranca!

Shumë qenie të thjeshta, ndërgjegje të papërlyeme, e mendje të çorodituna nga propaganda kambëngulëse për hakmarrje e frika e përgjithëshme, ranë viktimëe iluzionit komunist!

Me 28 nandor 1947. përfunduem në Burgun e Shkodrës.

* **

Ditën e parë të shetitijes nji-orëshe në oborrin e burgut, lëvizem poshtëe nalt pa folë. Ma vonë, u afrova me Osman Haxhinë, e përshëndeta, i shtërngova dorën, e përgëzova që i kishte shpëtue jeta nga pushkatimi.

Ai uli kokën! “Na kushtoi randë”, mëtha, “por nuk kishte rruge tjetër”. Shqetësim i madh, por asnji shenj pendimi. Heshti e hodhi sytë rreth e rrotull. Ishim të rrethuem nga nji mur i naltë. Nëkullat e ngrituna qendrojshin kercënues ushtarë të armatosun. Përmbrenda, ishin rojet e burgut me shkopij.

Mbas asaj ditë, Osman Haxhija më kërkonte, sikur kishte dëshirë me thanë diçka që e mundonte. Disa herë ecshin krah për krah, pa folë që të mos krijohej dyshimi tek rojet. Por heshtja e vazhdueshme nuk mund të zgjatej ma. Ishte e qartë se ai kishte nevojë, nji nevojë të madhe me folë e me tregue. Më dukej sikur kishte frikë se do të vdiste e të merrte me vete “sekretin” që përpiqej me zbulue. Unë kishe nji dëshirë të papërmbajtun me ditë ma shumë, me kuptue ma mirë rrjedhjen e ngjarjeve që sollën katastrofën e pa parashikueme ku kishim ra viktimë të gjithë.

Nji ditë, gjeta guximin e duhun me ba pyetjen kryesore:“Osman”thashë,“pse ngritët krye?”

Ai u mendue pak, tërhoqi edhe nji herë në cigaren që mbante mes dy gishtave tëdorës së djathtë, të zverdhun nga duhani, e u përgjegj thjeshtë:

“Na erdhi  thika në asht! Nuk durohej ma! S’kishte rrug]ë tjetër për ne!”, e heshti.Në atë moment kritik për këte njeri të mbushun me inat e deshprim, nuk gjeta fuqi as fjalë me ngushëllue këte figurë tragjike. Por ai nderpreu heshtjen e dhimbëshme e vazhdoi:

“Me reformën agrare të vitit të kaluem na damtuen por përsëri e bajshim jetesën. Ti e din se na mbjellim duhan kryesisht, e me shitjen e tij në pazar na sigurojmë të ardhunat me plotësue nevojët tona shtëpiake. Me reformën e vjetit  1946, këte të tashmen, na hoqën edhe atë mundësi. Nuk na mbeti tjetër veçse me u ba punëtorë të thjeshtë me pagesëtë Shtetit. U vendos nga të tjerët me u ba koperativa bujqësore, me drejtor nga jashtë katundit, nëpunës të panjohun për ne, e na rrogëtarëme pagesë ditore. Këte, as e kuptojshim as e pranojshim. Gjithë jeta e jonë ndryshoi për të keq. Na u duk sikur nuk jemi ata që kemi qenë brez mbas brezi…! Por e keqja ma e madhe ngjau kur vendosen me mobilizue të rinjtë e katundit për ushtri. Kjo na këputi dy krahët.  sepse me djelmtë ushtarë na  ishim robë të tyne…nuk mund të bajshim asnji kundërshtim.”

“A ishte ky nji mendim  i përgjithëshëm?” e pyeta unë.

“Po!” më përgjegji. “Për këte kemi qenë të gjithë të nji mendimi. Jeta që na priste ishte nji jetë pa nder, jetesë rrogëtari…!”.  E heshti.

Fjala e fundit u shqiptue me nervozitet, Dukej se dilte thellë nga zemra e tij e plagosun. Kam mendue shpesh herë për këte “jetesë rrogëtari”. Për nji katundar tëpavarun, ndryshimi në varësi të Shtetit duhet të ketë qenë me të vertet tronditës. Të ngrihesh në mëngjez e në vend që të punojsh arën tande e të kujdesesh për nevojët tueja e të familjes, duhej tashti të rreshtohesh bashkë me të tjerët e të marrësh urdhën nga të tjerët, ku të shkosh e çka tëpunosh, ndërsa për familjen përcaktohen pagë të vendosuna përsëri, nga të tjerët.  Po “unë”, cili jam unë atëherë? Ishte psikoza e skllavërisë që e frikësonte!

Në ditët e ardhme, vazhduem bisedët tona ma me lehtësi, sepse akulli ishte thye. Tashti, ai kishte zbrazë kupën e helmit që e mundonte; megjithate, priste qëedhe unë të çfaqë arsyetimin për dënimin tim. I thashë se si student, si i ri qytetar ishe shumëi shqetësuem nga terrori ushtarak e policor që ushtrohej në të gjithë vendin, nga nënshtrimi poshtënues i vendit ndaj “shokëve jugosllavë” dhe nga censura e fortë që rritej çdo ditë e ma shumë kundër fjalës së lirë, qoftë me gojë, qoftë me shkrim…. E të tjera arsyetime si këto!

Osman Haxhija më shikonte me kujdes- e besoj për respekt  ma shumë se për interesim! Nuk pyeti. Nuk di në se e kuptonte sqarimin tim, por nji lloj kureshtje dukej qartë në fëtyrën e tij. Ma në fund, më tha:

“Për këte ke ra në burg?”

“Po!” i thashë.“Për këte shkelje të drejtave të mia qytetare….Janë me randësi” shtova,” për nji jetë me dinjitet, jetë me nder. Si mendon ti?”

“Edhe ne na  kanë prekë në fe” shtoi ai me nji gjysëm zani, sikur kishte zbulue diçka të re. “Nuk kemi hoxhë, sepse kanë frikë me ardhë në katund”, shtoi ai me thjeshtësinë e vet…. E shikova! “O. sancta simplicitas!” thashë me vete!

***

Osman Haxhija nuk vuente nga ndjenja e vdekjes, “asgjasimit të pareparueshëm të jetës” që ashtë tema e intelektualit të angazhuem, aventurierit, e revolucionarit të edukuem. Ideja e heroit modern që nuk beson nëZotin nuk kishte vend në arsyetimin e tij.  Ai revoltohej me mbrojtë të kaluemen e tij që e dëshironte me gjithë shpirt, i pandamë nga ajo. Ideja e revoltimit me shpresë se do të përmbysej e tashmja dhe do të rilindte nji botë e re, ishte e panjoftun për këte katundar kryenalt. Ai kërkonte vetëm të vazhdonte jetën ashtu si të parët e tij. Por kambëngulja ishte e fortë, si dhe guximi që ajo krijonte.

“Shqetësimi” modern nuk ishte ai i Osman Haxhisë. Ai besonte në Zotin me bindje, dhe pranonte pa u revoltue idenë e vdekjes, ashtu si e jepte feja (“kështu ka qenë shkrue¡”) që ai përqafonte pa kondita, me premtimin e nji bote tjetër “të përherëshme e të pasosun”. “Shqetësimi” i tij kishte nji karakter ma imediat, të përditshëmen, të thjeshtë – traditën, shoqëninë tradicionale, e njikohësisht themelore për jetën me nder, si baba, si gjyshi, si brezënitë e pafund.

“Shqetësimi” i tij ishte për shokët që humbën jetën në aksionin vëllaznor, dhe familjarët e tyne, për të rinjtë qëindokrinoheshin nga nji rregjim shtypës, për lirinë e fesëqë kercënohej me zhdukje, për ruejtjen e së drejtës së pasunisë private, dhe për humbjen e gjendjes sëqytetarit që respekton ligjin në nji shoqëni ku çdo njeni ashtë nji vlerë e pa zavendsueshme.

Aspekti tragjik i jetës së“kryengritësit” Osman Haxhija gjindej në ballafaqimin e tij me “pushtetin” që i mohonte lirinë, thirrjes së tij për jetë të lirë dhe grushtit të hekurt të “pushtetit”, vendosmënisë tij me ruejtë identitetin për vete dhe për shoqëninë ku jetonte, në ndërhymjen e jashtëme me dhunë dhe guximit tij civil me i thanë“Jo!” forcës së ushtrueme, plotësisht i ndërgjegjshëm se ajo “forcë brute” do të shkatërronte punën dhe përpjekjen e tij me u çlirue….Ballë-për-ball me vdekjen, ai kishte zgjedhë me jetue i lirë!

Plotësisht i ndërgjegjshëm ishte katundari i Postribës, “kryengritësi” i thjeshtë Osman Haxhija….e “osmanët” e krahinës heroike që e ndoqën atëderi në vdekje. Dhe ky ashtë shpirti i “kryengritjes së Postribës” që na përkujtojmë sot me respektin ma të madh që meriton.

Ushtarakisht, “Kryengritja e Postribës” ka qenë nji akt guximtar, i pa përgatitun dhe që përfundoi në tërheqje. Këte përfundim kam arritë mbas bisedave të gjata me udhëheqës të ”Kryengritjes” gjatë viteve të gjata të burgimit tim.

Por, politikisht, ajo hapi nji humnerë në mes të propagandës gënjeshtare dhe realitetit të përditëshëm. “Pushteti popullor”, Qeveria dhe militantët e PKSH të vendosun me dhunë në vendin tonë, ballafaqoheshin me zemërimin e masave të revoltueme e refuzojshin “diktaturen e proletariatit.

“Faji” jo-ekzistues për të pafajshmit u “krijue” me propagandë e torturë. Këte detyrë monstruzoe e mori përsipër Sigurimi i Shtetit kriminel……Me torturat ma shnjerëzore, viktimët e arrestimeve masive u detyruen me deklarue se kanë qenë pjesëmarrës, ose të paktën se kanë pasëdijeni për “Kryengritjen”. Unë kam qenë njeni nga këto viktima. Kështu “pushteti” filloi me folë për qytetarë shkodranë, tregëtarë, pronarë tokash, intelektualë perendimorë, e sidomos për klerin katolik, si organizatorë të “Kryengritjes” dhe për kryengritësit si “fshatarë të gënjyer”.

“Për ne” më tha oficeri hetues, “armiku i vertetë janë intelektualët e sidomos kleri katolik. Tregtarëve u marrim pasurinë dhe mjafton. Kulakëve u marrim tokën, dhe mjafton. Por pasuria e juej është në kokë, kulturë e ide përendimore. Prandej do të ju presim kokën…Klerikatolik? Kemi shembullin e Revolucionit francez; ata janë armiqtëe popullit….”

Dhe kokët u prenë, e xhelati  duergjak kalon sot qetësisht, pa u trazue nga ligji, nji jetë të qetë që nuk meriton.

“Kryengritja e 9 shtatorit 1946” ka qenë disfata e parë, e madhe, politike dhe morale e sistemit komunist në Shqipëri. Ajo që ngjau ma vonë ka qenë thellimi i “diktaturës së proletariatit”, dhe degjenerimi i plotë në shtypje hakmarrëse “gjeorgjiane”….

Akoma sot, nga bota e nëntokës ku pushojnë viktimët, nga varret e humbuna dhe të mospërfilluna ku mbulohet pafajënia e viktimave të komunizmit, unë ndigjoj çdo ditë nji thirrje të fuqishme e gjysëm-hyjnore:

“Para Zotit dhe ndërgjegjes sonë, na jemi të pafajshëm!Jemi prindët e juej,jeni fëmijtë tonë! Na kujtoni! Julutemi, mos na harroni!”….

“….Ata kurrë mos u harrofshin/ Në kangë e në valle por u këndofshin!” (Atë Gjergj Fishta)

Ridgefield, CT. USA

* ish i burgosun politik (1946-56)

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: kryengritja e Postribes, kujtime, Sami repishti

Monumenti i Skënderbeut në Romë

September 8, 2016 by dgreca

Vendosja e Monumentit të Skëndërbeut në sheshin “Albania” në Romë, është një vlerësim i shtetit italian ndaj figurës së Heroit tonë Kombëtar, që për 25 vite mundi të ndalë sulmet e turqve drejt Italisë e drejt Europës/
Nga Beqir SINA – Romë/
2-bustiROME ITALI : Romën, mendojë se është shume e vështirë t’a vizitosh – mbasi aty ka aq shumë vende për t’u vizituar, sa që edhe vetë ata që jetojnë në atë qytet të lashtë dhe historik, nuk kanë mundësi t’i vizitojnë.
Por, që të viztosh Romën, dhe të mos vizitosh Vatikanin, dhe baziliket e mahnitshme, për rreth, saj, apo Coloseum dhe Sheshin “Piazza Albania”, ku ndodhet edhe Monumenti i Skënderbeut në Romë, për mua personalisht do të thoja se nuk kisha parë asgjë !1-beqiri-busti-skend
                                                                                             Beqir SINA
2-adem-belliu-rome
                                                                                            Adem BELLIU
Mirëpo, falë shoqërisë së një bashkëvendasit tim, dhe bashkëvuajtësit tim të jetës në Savër, Sokol Nela me bashkëshorten e tij Arijana Muça – Nela, emigrantë që prej vitesh jetojnë e punojnë në kryeqytetin italian, së bashku me mikun e tyre, drejtorin e Televizionit Albanian Culture, Adem Belliu, nga New Yorku, ja që mu dha mundësia edhe mua të vizitojë edhe këtë vend të mahnitshëm të këtij qyteti legjendar.
 Dhe, kështu u ndala për një çast në Romë, pranë Monumentit të Skënderbeut, i cili është një vepër e skulptorit italian Romano Romanelli, (1882-1969), përuruar në vitin 1940.
Dhe, së bashku kujtuam figurën historike të Heroit të Kombit Gjergj Kastrioti Skëndërbeu, rolin e tij në bashkimin e popullit shqiptar, formimin e shtetit kombëtar e mesazhin e tij shekullor aq aktual dhe sot për një Shqipëri të lirë, demokratike e europiane.
Ashtu siç lexon dhe pllaka përkujtimore në këtë Monument, Gjergj Kastrioti Skëndërbeu kontribui jo vetëm në shpëtimin e Shqipërisë nga sulmet turke, por dhe në shpëtimin e civilizimit perëndimor nga barbaritë e otomanëve.
Vendosja e Monumentit të Skëndërbeut në sheshin “Albania” në Romë, është një vlerësim i shtetit italian ndaj figurës së Heroit tonë Kombëtar që për 25 vite mundi të ndalë sulmet e turqve drejt Italisë e drejt Europës.
Monumenti i Skënderbeut në Romë, ka të skalitur në një pllakë një citat ku shkruhet “Gjergj Kastriotit Skëndërbeu, mbrojtësit të patrembur të civilizimit perëndimor,” dhe thuhet se është statuja e parë ekuestre e heroit kombëtar shqiptar, e cila u vendos në qëndër të Sheshit Albania, në përurimin e tij në korrik 1940.
Monumenti “Skënderbeu” në Romë e sheshi “Albania”
6 Maj, 1405, lindi në Principatën e Kastriotit dhe vdiq më 17 Janar, 1468 në Lezhë, ish- Republika e Veneciës17 Janari, 1468, Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti, Skënderbeu
Monumenti i Skëdërbeut në Romë gjëndet në sheshin “Albania”, në zemrën e Romës antike mes lagjes “San Saba” e “Aventinos”, një nga shtatë kodrat ku sipas legjendës u themelua qyteti i Romës.
Qe 27 tetori i vitit 1940 kur Benito Musolini në praninë e autoriteteve më të larta zyrtare të qytetit përuroi në Romë Monumentin e Skënderbeut.
Kronistët e kohës e komentojnë si një ditë vjeshte e shiu të fortë.Monumenti u vendos në atë që dikur quhej sheshi “Raudusculana”, emri i një porte antike të Mureve Serviane.
Pak muaj më parë në 4 korrik të 1940, për të kujtuar aneksimin e Shqipërisë nga Mbretëria Italiane (më 16 prill 1939) ky shesh ndryshoi emër e u quajt sheshi “Albania”.
Monumenti i Skënderbeut u realizua nga fiorentini Romano Romanelli.
Lindur më 14 maj të vitit 1882 në Firence, ky artist, mik i poetit Gabriele D’Annunzio, rridhte nga një familje me emër artistësh skulptorë.
Babai i tij qe skulptor dhe u bë mësuesi i artit të tij. Por Romano Romanelli qe dhe një funksionar i lartë i Marinës Italiane e gjatë Luftës së Parë Botërore mbetet invalid.
Aftësitë e tij artistike, por dhe lidhjet me shtresën e lartë të politikës italiane të asaj kohe, i ngarkuan detyrën e realizmit të bustit të Heroit Kombëtar të Shqipërisë, në kryeqytetin italian Romë, në sheshin me emrin e vendit fqinj dhe në një moment kaq të veçantë e historik për dy vendet.
Monumenti i Skënderbeut është realizuar mbi një grup bronzi i rëndë 35 kuintalë e paraqet Heroin tonë Kombëtar mbi kalin e tij të pandashëm, veshur nën armaturën e hekurt, me përkrenaren e shpatën gati për luftim.
Guvernatorit të Romës (funksionari më i lartë administrativ i qytetit në epokën e fashizmit) iu kërkua aso kohe të siguronte në limitin më të afërt të kohës, bazamentin mbështetës të veprës së Romanellit, që ishte i përfunduar e priste ditën e inaugurimit.
Brenda 26 ditësh u u mundësua gjetja e piedestalit të shndritshëm, i gurtë, i tipit travertino që peshonte rreth 75 kuintalë, mbi të cilin u vendos Monumenti i Skënderbeut në sheshin “Albania” në Romë.
Në vitin 1968 me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, komuna e Romës vendosi pllakën përkujtimore ku shkruhet: “Në kujtim të 500 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skëndërbeu, mbrojtësit të patrembur të civilizimit perëndimor.”

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: Beqir Sina, Busti i Skenderbeut, Rome

Rugova: Nënë Tereza, simbol i kombit shqiptar

September 8, 2016 by dgreca

PRISHTINË, 8 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-Behlul JASHARI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në shtatorin 1997, sipas kultit të traditës e shpalli Nënën Tereze “nënë të njerëzimit, qytetare të parë të nderit të Republikës së Kosovës e simbol të kombit shqiptar”.

Presidenti Rugova, nga Gjermania jepte një deklaratë me rastin e vdekjes së Nënës Terezë, të cilën e vlerëson: “Nënë shqiptare dhe Nënë të njerëzimit, qytetaren e parë nderi të Republikës së Kosovës, simbol të kombit shqiptar, që vjen nga thellësitë iliro-shqiptare, duke bërë dritë me kurorën e saj në epokën tonë”.

Në Kosovë ishte ditë zie dhe e respektit, raportoja në 8 shtator 1997:

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1997/97-09-09.ata.html

[04] DAY OF MOURNING AND RESPECT FOR MOTHER TERESA DECLARED IN KOSOVE

PRISHTINE, SEPT. 8 (ATA)- President Roguva declared in Kosova today a day of mourning and respect for Mother Teresa.

The book of condolences of the Albanian benefactor was opened in the surroundings of the presidency of the Republic of Kosova in which wrote many outstanding authorities of Kosove, international missions in Pristine and numerous citizens.b.j/ag/l/jz/lm/Z

***

Në foto: Ishte viti 1995, kur në 7 dhjetor Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, takohet me Nobelisten Shqiptare Nënë Terezen.  “Do të lutem për popullin e Kosovës”, tha Nëna Tereze gjatë këtij takimi me Presidentin Rugova.  Takimi u zhvillua në Aeroportin e Romës, gjatë rrugës së Presidenti Rugova për në Uashington. “Unë e kam takuar vetëm një herë Nënën Tereze në Aeroportin e Romës, rastësisht, por veprën e saj e njoh shumë, shumë mirë…Ato pak çaste që kemi kaluar, kur iu prezantova si President i Kosovës i rodhën lotët, ishte në vitin 1995…dhe dëshiroi sukses dhe punë dhe e ndinte në zemër popullin e Kosovës dhe popullin shqiptar që e ka dëshmuar edhe me vepër”, ka treguar Presidenti Rugova.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, DR. IBRAHIM RUGOVA, Nene Tereza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 404
  • 405
  • 406
  • 407
  • 408
  • …
  • 699
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT