• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTESE-Dita e të Pagjeturve të Kosovës-27 Prilli

April 26, 2017 by dgreca

 -Tubim përkujtimor në Mejë, në Lëndinën e Pikëllimit, ku në 27 prill 1999 forcat serbe masakruan e zhdukën 377 shqiptarë që i rrëmbyen nga kolona e refugjatëve/
1 27 prilli
– Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në publikimet e tij dëshmon se, pas luftës së përfunduar në 12 qershor 1999 në Kosovë nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidentoheshin 6027 persona të zhdukur, të lajmëruar nga familjarët/  
PRISHTINË, 26 Prill 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Në Ditën e të Pagjeturve të Kosovës -27 Prill, në mesditë, në Mejë të Gjakovës në Kompleksin Memorial organizohet tubimi përkujtimor për masakran e para 18 viteve/
Në Mejë, në Lëndinën e Pikëllimit, në 27 prill 1999, forcat serbe masakruan e zhdukën 377 shqiptarë që i rrëmbyen nga kolona e refugjatëve.
Asnjëri nga të ndaluarit në rrethimin e hekurt të kolonës së civilëve nuk kishte arritur të dilte i gjallë. Ajo ishte një nga kolonat e shumta të spastrimit etnik, të rreth 1 milion shqiptarëve të dëbuar nga Kosova, shumica drejt Shqipërisë.
Në Kosovë, 18 vjet pas luftës, janë ende mëse 1600 të zhdukur të pagjetur. “Atyre që na mungojnë”, me këtë emërtim, u është ngritur përmendore në sheshin kryesor të Prishtinës, para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
“27 Prill – Dita e të Pagjeturve të Kosovës…vazhdojmë t’i kërkojmë…” shkruante në njoftimet e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur që i vendosnin sot grupe të rinjësh nëpër kryeqytet, Prishtinë.
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut-Kosovë ka paralajmëruar aksionin simbolik me rastin e Ditës Kombëtare për Personat e Pagjetur, i cili do të realizohet në mbrëmjen e 27 Prillit  në Sheshin Ibrahim Rugova në Prishtinë.
Në luftën e para mëse 18 viteve kundër Kosovës, në fushatën e terrorit, spastrimit etnik e gjenocidit, forcat serbe të Milosheviçit, i njohur edhe si Kasapi i Ballkanit, i cili më pastaj ka përfunduar në Tribunalin për Krime Lufte në Hagë, kanë vrarë e masakruar më shumë se 12.000 shqiptarë, e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur, kanë dëbuar rreth një milion, shumicën drejt Shqipërisë “përtej Bjeshkëve të Nemuna”, dhe kanë djegur mëse 400 qytete dhe fshatra.
 Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në publikimet e tij dëshmon se, pas luftës së përfunduar në 12 qershor 1999 në Kosovë nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidentoheshin 6027 persona të zhdukur, të lajmëruar nga familjarët.
Edhe sipas të dhënave të asociacioneve familjare të të zhdukurve të pagjeturve, numri i tërësishëm i të zhdukurve të Kosovës pas luftës së para 18 viteve mbërrinte mëse 6.000 veta. Mbi 90 për qind prej tyre ishin civilë shqiptarë, të cilët u rrëmbyen, u morën të gjallë në mënyra të ndryshme nga formacionet policore-ushtarake dhe paramilitare të pushtetit okupues serb. Një numër i tyre, rreth 600 janë gjetur të gjallë nëpër burgjet në Serbi .
Kosova vazhdon të kërkojë zbardhjen e fatit të qytetarëve të saj të zhdukur dhe me këtë mesazh fotografitë e të pagjeturve janë vendosur e rivenodur nga familjarët  në rrethojat e Kuvendit e qeverisë kosovare, në sheshin qendror të Prishtinës.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, Dita e te pagjeturve, të Kosovës-27 Prilli

Kudret Kokoshi: Vetëm shqipja le të rrojë!

April 25, 2017 by dgreca

Ne 26 vjetorin e vdekjes/

kudret.kokoshi

Kudret Kokoshi, u shua me 26 Prill 1991/

Shkruan:Reshat KRIPA/

I mbylli sytë njëzetegjashtë vjet më parë. I mbylli pa shijuar mirë aromën e lirisë që sapo kishte filluar të lulëzonte, por iku me po atë besim që kishte në rininë e tij kur shkruante:

Unë po vdes!… Oh, le të vdesë!

                        Vetëm shqipja le të rrojë!

Në varrin e tij nuk u mbajtën fjalime protokollare. U thurën ditirambe, u lexuan vargje. Folën bashkëvuajtesit e tij, vëllezerit e tij, Engjëll Kokoshi si dhe Viktor e Tomor Dosti.. Ai nuk vdiq se martirët nuk vdesin. Ai vazhdon të jetojë me vargjet e tij, me veprat e tij, me personalitetin e tij.

Lindi në vitin 1908 në qytetin e Vlorës. Bir i një familje të madhe qytetare me tradita të pasura patriotike, nacionaliste dhe intelektuale. Lindi në ato vite kur Shqipëria përgatitej për të firmosur aktin më të madh të historisë së saj, që nga koha e Skënderbeut legjendar, aktin e pavarësisë kombëtare, ku krahas firmës së Plakut të Vlorës, do të vihej dhe ajo e Qazim Kokoshit, xhaxhait të tij. Do të ishte përsëri ky një nga ata që do të formonin treshen drejtuese Osmën Haxhiu, Qazim Koculi dhe Qazim Kokoshi në luftën patriotike të Vlorës më 1920, për të vazhduar me aktivitetin e tij patriotik deri sa do ta mbyllte jetën e tij në burgun e Vlorës më 1946 si kundërshtar i regjimit komunist.

Historia do të vazhdonte dhe më tej. Ajo do të bënte që dora e një pinjolli të kësaj familje, Altin Kokoshit, të kishte nderin për të ngritur në Vlorë nën hundën e komunistëve mbas  dyzeteshtatë  vjet  mohimi  flamurin    dy    krenor   pa   yllin   e  urryer  të  turpit  dhe shtypjes më 28 nëntor 1991.

Që kur ishte fëmijë Kudreti, i ati  Hasan Efendiu, e kishte njohur karakterin dhe intelektin e të birit. E dërgoi në Romë ku kreu studimet  e mesme dhe të larta, duke u laureuar ‘’Doktor në jurisprudencë‘’ në vitin 1933. Në kohën kur Kudreti studionte në Itali për drejtësi në ambjentet studentore të asaj kohe shqiptarët konsideroheshin inferiorë në krahasim me studentët e vendeve të tjera. Një gjë e tillë nuk kishte si të mos binte ndesh me karakterin e Kudretit dhe të miqve të tij. Ndaj vendosën që t’i sfidojnë.   Organizuan   një   konferencë   në   të  cilën  përveç  profesorëve   dhe  studentëve  të universitetit, morën pjesë edhe disa nga mendjet më të ndritura të asaj kohe në Romë. Kumtesën kryesore e mbajti Kudreti.

Foli   e   foli   me   oratorinë   e   tij   për    Shqipërinë  dhe shqiptarët, për shqipet dhe vendin e tyre, për doket dhe zakonet e këtij populli, për besën dhe nderin e shqiptarit. Foli për Pirron dhe Teutën, per Skënderbeun dhe Ismail Qemalin, për Faik Konicën dhe Fan Nolin. Foli per Bilbilenjtë që ‘’vanë në litare vetë‘’ duke dredhur cigaren. Në fund foli për historinë e malësorit krenar që luftonte pa u epur para hordhive pushtuese otomane. Dikur malësori trim kapet nga koshadhet turke dhe dërgohet para trikëmbëshit. Në ekzekutimin e tij merr pjesë edhe valiu i krahinës. Në momentin e hedhjes së litarit ai, gjithë fodullëk, i drejtohet me ironi malësorit:

– Eh or mik, a e ke ndjerë veten ndonjëherë më ngushtë se sot?

Malësori i qetë, pa i lëvizur qepalla, i përgjigjet rëndë rëndë me një krenari mospërfillëse:

– Po mor zotni! E kam ndier atëhere kur më ka ardhë miku për darkë dhe nuk kam patun as bukë dhe as krypë per t’i nxjerrun.

Suksesi ishte i  jashtëzakonshëm. Që  nga  ajo  ditë nëpër gazetat e kohës filloi të shkruhej për Shqipërine dhe shqiptarët.

Kthehet në Shqipëri  në  moshën  26  vjeçare.  Zotëronte  në  mënyrë  të  përsosur  gjuhën

italiane.  Por  jo më pak zotëronte gjuhën frënge, latine dhe greqishten e vjetër.

Karrierën juridike e filloi në  vitin  1933,  duke  hapur  një zyrë avokatie në Vlorë, aktivitet të cilin  e  vazhdoi  deri  në  vitin 1936. Po atë vit emërohet ndihmës gjyqtar në Bilisht dhe më vonë në Pogradec.

7 Prilli 1939 e gjen anëtar të gjykatës së shkallës së parë në Korçë. Më vonë shkon po me këtë detyrë në Shkodër dhe Tiranë. Ishin vitet e përplasjeve të mëdha. Si në shumë situata të tjera edhe atëhere vendi pati forca që nuk i verboi demagogjia e atyre që propagandonin se do ta bënin popullin ‘’të hante me lugë të florinjtë‘’. Ishte nacionalizmi shqiptar, një nga forcat e të cilit ishte ajo e Ballit Kombëtar e drejtuar nga Korifeu i Shqiptarizmës, Mit-hat Frashëri dhe ajka e inteligjencës shqiptare të asaj kohe.

Në këtë forcë gjeti veten e tij edhe Kudret Kokoshi. U angazhua në radhët e Ballit Kombëtar si anëtar i qarkorit të Vlorës dhe mori pjesë në të gjitha aktivitetet kryesore të tij. Me porosi të Mit-hat Frashërit në vitin 1941, Hasan Dosti i propozoi për të shkuar në Kosovë për organizimin e gjykatave të atjeshme dhe për formimin e kuadrove me njohuritë juridike bashkëkohore.

Më 28 nëntor 1942 është në ballë të demonstratës së madhe antifashiste të zhvilluar në Prizren, ku plagoset nga milicia italiane. Ishte ndërhyrja e një oficeri të xhandarmërisë shqiptare që e shpëtoi nga vdekja duke e hequr nga kthetrat e milicisë që megjithëse i plagosur vazhdonin ta qëllonin me kondakët e pushkëve të tyre. Pa ndjenja  dhe  me  plagë  në  kokë,  ky kosovar patriot e mori dhe e shoqëroi deri në spitalin e Tiranës ku edhe u operua.

Gushti i vitit 1943 e gjen ne  Mukje,  në  konferencën historike, që me vendimet e saj tentoi të hidhte themelet e demokracisë shqiptare, por që komunistët i kthyen në vendime  të tradhëtisë së madhe.

Zëri i atdheut e ftoi përsëri Kudretin. Në mars 1944 shkon përsëri në Kosovë, ku  pas pak kohe arrestohet nga gestapua dhe internohet në kampet e shfarrosjes në Prishtinë dhe, më pas, në kufirin Austro-Hungarez.

Lirohet pas dëbimit të gjermanëve nga forcat aleate në fund të dhjetorit 1944. I lodhur, i dobët i zhveshur, i sëmurë dhe me shumë mundime arrin në qytetin e Gracit, ku fal njohjes së gjuhës latine, mundi të fitonte besimin e drejtoreshës së spitalit e cila e shtroi dhe e kuroi. Bashkë me të ndodhej dhe biri i industrialistit të shquar francez, pronarit të uzinës së makinave ‘’Renault‘’, me të cilin kishte lidhur miqësi të madhe. Ai e ftoi që të shkonin të dy në Francë, por Kudreti nuk pranoi. Atë vazhdonte ta thërriste zëri i atdheut. Ndaj mori rrugën e kthimit. Rrugës spiunohet nga agjentët shqiptarë të UDB-së. Arrestohet dhe i  lidhur  i  dorëzohet Shefqet Peçit në kufirin shqiptar.

Nje farsë e vërtetë gjyqi i zhvilluar kundër tij. U quajt antishqiptar dhe bashkëpuntor i fashizmit. Lakejtë e regjimit lëshonin thirrje histerike. Prokurori Selim Alimerko çirrej dhe hakërrohej. Kudreti në vend që të revoltohej apo të mbrohej me termat juridike për të cilat ishte mjeshtër, u drejtohej me vargjet e tij që i kish shkruar pas demonstratës së zhvilluar në Prizren:

Mallkuar qofsh, Benito Musolini!

            Një zë nëmës shpërthen nga çdo stërkalë,

            Mallkuar qofshi ju që vdekjen bini,

            Dhe nëma ushton nga mali në mal.

Kështu për Kudretin filloi kalvari nëntëmbëdhjetë vjeçar i vuajtjeve të burgut të Burrelit. Me një fizik të dobët, në konditat e tmerrshme të atij burgu, Kudreti mundi të mbijetonte në saj të forcës së rrallë shpirtërore dhe besimit të patundur për të ardhmen. Ai ruajti të paprekur shpirtin e lartë poetik. Aty për aty krijonte vargje të cilat ua deklamonte miqve të tij pa i shkruar, se rregullorja e burgut nuk lejonte të shkruaje më shumë se një  gjysmë  faqeje  letre në muaj.

Kudret Kokoshi ndërroi jetë më 26 prill 1991. Ai ishte njeri dhe poet i  madh. Ishte poet  i heroizmit kombëtar.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: kudret Kokoshi, le të rrojë!, reshat kripa, Vetëm shqipja

LE MATIN: BISEDA ME ISMAIL QEMALIN

April 25, 2017 by dgreca

LE MATIN » / RRËFIMI I BISEDAVE TË GAZETARIT FRANCEZ ME ISMAIL QEMALIN NË HOTELIN « PERA », KONSTANDINOPOJË (1912)/

1 Le Matin

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 25 Prill 2017/Gazeta franceze, « Le Matin », të hënën e 10 prillit 1939, ka botuar, në faqen e parë dhe të dytë të saj, shkrimin e gazetarit Stéphane Lauzanne për Shqipërinë me titullin « La lutte de l’Albanie pour la liberté – Lufta e Shqipërisë për liri ».

Shqipëria sapo kishte humbur sërish pavarësinë e saj si rrjedhojë e pushtimit nga Italia fashiste.

Gazetari francez, nëpërmjet kësaj ngjarje të dhimbshme për vendin tonë, rikujton periudhën para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, të 28 nëntorit 1912, ku ka patur mundësinë të bisedojë më atdhetarin shqiptar, Ismail Qemalin, në Hotel « PERA » me vendodhje në Konstandinopojë.

Ai ka sjellur asokohe, për publikun frankofon, bisedat e tij me kreun e parë të Shtetit Shqiptar, dhe përshkruan njëkohësisht Shqipërinë dhe shqiptarët.

Në vijim, shkrimi i veçantë, sjellur nga Aurenc Bebja, Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » :« Në vitin 1912, gjatë luftës ballkanike, ishte, në Konstandinopojë, në Hotelin Pera, një burrë me një mjekër të bardhë, e cila i vinte në dukje dy sytë tij ngjyrë blu dhe tepër ekspresivë. Për dyzet ditë që zgjati lufta, ai nuk u largua nga holli i hotelit. E gjeja çdo mbrëmje kur kisha mbaruar së dërguari shkrimet e mia gazetës « Matin » dhe më pyeste :

– Çfarë lajmesh ?

I thashë një ditë se Serbët kishin luftuar (mundur) Turqit. U duk i kënaqur dhe thjesht më tha :

– Ah, shumë mirë !

Por, tre javë më vonë, pasi « rrota e fatit » kishte ndryshuar, i mësova se Turqit kishin mundur Bullgarët. Nuk u duk fare i emocionuar dhe prapë më tha :

– Ah shumë mirë !

– Dëgjo – i thashë – nuk është e mundur që të jetë shumë mirë që Turqit të jenë si fitues ashtu edhe humbës…

Atëherë, ai më shpjegoi mendimin e tij, i cili rridhte nga populli i tij – sepse ai ishte Shqiptar dhe quhej Ismail Qemali. – Po, ishte shumë mirë pavarësisht fituesit apo humbësit. Kishte sosur momenti që, ai kishte pritur gjatë gjithë jetës së tij, populli kishte pritur për shekuj me radhë, momentin  kur më në fund Shqipëria do të shkundte zgjedhën turke dhe do të bëhej një komb i pavarur. Ajo u bë, në fakt, disa javë më vonë, dhe Ismail Qemali do të ishte kreu i parë i qeverisë së përkohshme.

Ismail Qemali fliste me krenari për historinë e vendit të tij, i cili përgjatë Adriatikut ofron të njëjtin aspekt të çizmes ashtu si Portugalia përgjatë Gadishullit Iberik, por mes shkëmbinjëve dhe kreshtave. Sipas pemës gjenealogjike, raca tij ishte më e vjetra e Evropës, sepse ajo e kishte origjinën në fiset e para aziatike, të cilat kishin ardhur dhe ishin vendosur në agimin e botës sonë të vjetër pikërisht në Iliri. Gjithsesi, kjo racë, nuk kishte asnjë lloj lidhje me racat sllave, greke, turke, romake të Ballkanit dhe ajo kishte ruajtur pastërtinë primitive të saj.

Ajo praktikonte zakonet më kurioze të mesjetës, si për shembull i lejonte gruas të udhëtonte e vetme nga një skaj i vendit në tjetrin pa u sulmuar apo ngacmuar nga dikush. Dhe burrat, në luftë të vazhdueshme (hakmarrje), vinin mbi çdo gjë, fjalën e dhënë (besën).

Kurioz, ky vend i egër, i paarsimuar, i pamëshirshëm, ishte vendi ku ideja e kombit i kishte rrënjët më të thella sesa besimet fetare që degëzoheshin në një sasi sektesh.

E pyesja shpesh Ismail Qemalin :– Si do t’i bëni bashkë katolikët e Shqipërisë veriore, myslimanët e Shqipërisë qendrore dhe ortodoksët e Shqipërisë jugore ?

– Ata janë të bashkuar – më përgjigjej ai me padyshim – nga adhurimi i vetëm që ata bartin më vete për atdheun prej gjashtëqind vitesh.

Për këtë, Ismail Qemali nuk e ekzagjeronte.Kur, në shekullin e XV-të, turqit vërshuan nga Azia dhe thyen « digën » e Konstandinopojës, përballë tyre u gjet në gadishull raca antike shqiptare, e cila u bëri atyre një rezistencë të lartë. Legjioneve osmane iu desht pesëmbëdhjetë muaj për të pushtuar Shkodrën dhe kur jeniçerët hynë në qytet gjetën aty kufomat e grave mbi muret rrethuese. Këto gra kishin luftuar si burrat.

Pesë shekuj më vonë, në vitin 1878, Evropa, e cila e ka zakon të jetë bujare me eshtrat e popujve që nuk i njeh mirë, i bëri dhuratë Serbisë territoret e Kursumlisë dhe të Vranjës, ndërsa Malit të Zi ato të Plavës dhe Gucisë. Si arsye, një lëkundje e gjatë tronditi malet shqiptare. Serbisë iu desht të përdorë armët për të marrë këto territore, ndërsa Evropa dërgoi një flotë ndërkombëtare në Ulqin që Mali i Zi të merrte pjesën e tij… Shqipëria, e indinjuar, iu drejtua Turqisë, e cila kishte lejuar masakrën e tokës së Shqipërisë së vjetër. Një kryengritje e tmerrshme shpërtheu. Portës së Lartë iu desht një ushtri prej 30.000 vetash për të shtypur atë.Me pak fjalë, një popull që luftoi për shekuj me radhë për të mos qenë vasal dhe para njëzet e shtatë viteve besoi se do të ishte përfundimisht i pavarur.E shoh ende, atë mëngjesin e nëntorit 1912, kur Ismail Qemali, i emëruar nga Evropa kryetar i qeverisë së përkohshme të Shqipërisë autonome, u largua nga Hotel Pera, me një çantë në dorë. Çanta e tij nuk ishte e rëndë, por zemra e tij ishte e mbushur plot shpresë.

– Po marr anijen – tha ai. Po nisem për Shqipëri, si vend i lirë.

– A do të jetë ajo e lumtur ? – E pyeta.

– Ajo do të jetë, meqë është e çliruar nga zgjedha turke.

Ja pra, i miri Ismail Qemali ishte ëndërrimtar, sepse mund të çlirohesh nga zgjedha turke, por pa qenë për këtë i lumtur…»https://www.darsiani.com

 

Filed Under: Histori Tagged With: biseda, gazetari francez, Ismail Qemali, Le Matin

Shqiptarët, autoktonë, me të vjetrit në Ballkan

April 23, 2017 by dgreca

*Cvijiqi: Peshterasit janë të gjatë,vitalë,elastikë,syshqiponjë,të sojit të bukur…!/

*Në librin e tij, studimet antropogjeografike Cvijiqi trajton aspekte të rëndësishme të marrëdhënieve mes mjedisit gjeografik me kulturën shpirtërore dhe materiale në Ballkan. Cvijiqi, në vitin 1905 ishte një nga profesorët e parë të rregullt në Universitetin e Beogradit. Në analizat shkencore që u ka bërë veprave të Cvijiq-it, Akademik H. Islami vjen në përfundim se Cvijiqi “ishte joobjektiv, spekulant e konstruktues i konkluzioneve, shovinist e hegjemon”./

Burra te fisit ShalaNga Ismet Azizi/Ndër studiuesit më të dalluar në shkencën sllave, i cili ka dhënë një kontribut të dalluar antropogjeografike ka ardhur në përfundim se popullsia shqiptare është me origjinë iliro-pellazge dhe është një ndër popujt indoevropianë më të vjetër e autokton në Ballkan. Në konstatim të këtillë kanë ardhur edhe autorë të tjerë sllavë, të cilët do t’i përmendim më vonë.

Megjithatë, konstatimet e këtilla nuk kanë qenë në interes të politikës sllave, posaçërisht të asaj serbomadhe. Borgjezia serbe e kohës së Cvijiq-it, ka udhëhequr një politikë kryekëput ekspansioniste-gllabitqare. Qëllimi i saj, duke u dhënë rëndësi faktorëve natyrorë, ka qenë që t’i okupojë ato vende, të cilat mundësojnë dalje në det dhe që kanë rëndësi gjeostrategjike. Për të arritur këtë qëllim është dashur në fillim vendi të çlirohet nga okupuesi osman, e pastaj sa më tepër që është e mundur të marrin vend nga trojet e popujve të tjerë. Në mënyrë që të arrihej objektivi i caktuar i qeverisë serbe, më vonë edhe asaj jugosllave, para dhe pas LDB-së, duhej t’i vinin në ndihmë edhe punëtorët e shkencës, në krye me Akademinë e Shkencave.

Pikërisht, për këtë qëllim, Cvijiqi me mbështetësit e tij të kohës dhe pasuesit e mëvonshëm, duke harruar atë që kanë konstatuar më parë, filluan të plasojnë teza të reja për çështjen shqiptare të paqëndrueshme në fushën shkencore, që u kanë shërbyer interesave të politikës shtetërore gllabitqare. Këto teza të Cvijiq-it gjejnë mbështetje edhe në kohët e mëvonshme nga autorët sllavë.

Shkolla gjeografike e drejtimit antropogjeografik, të cilën e themeloi Jovan Cvijiqi, dallohej me dy cilësi: e para, mbështetet në sqarimet parciale dhe në shtrembërimin e fakteve, që flasin për autoktoninë e shqiptarëve, dhe, e dyta, ka pasur qëllime kryekëput politike.

Në analizat shkencore që u ka bërë veprave të Cvijiq-it, ky studiues i dalluar në fushën shkencore vjen në përfundime mjaft korrekte. Në interpretimet e informacioneve dhe të dhënave nga terreni, Cvijiqi “ishte joobjektiv, spekulant e konstruktues i konkluzioneve, shovinist e hegjemon”, nënvizon Akademik Hivzi Islami.

Në vijim po japim pjesë të shkrimeve të autorit në fjalë, të cilat kanë të bëjnë me mjedisin, gjegjësisht, Sanxhakun, ku takohen popullsia sllave dhe shqiptare. Në aspektin gjeografik, fiset më të forta etnografike të Gadishullit Ballkanik[1] janë: banorët e Kodrave të Malit të Zi, pjesët e Hercegovinës, Peshterit dhe viset e Shqipërisë veriore. Banorët e këtyre trevave i kanë ruajtur formën e vjetër të vëllazërisë fisnore, gjinive-fiseve dhe organizimin e tyre. Këta, kryesisht, janë shumë të gjatë, vitalë, elastikë dhe kurrsesi të trashë, fytyrë me plot shprehje, syshqiponjë, të sojit të bukur/racës, në Gadishullin Ballkanik: të gjithë edhe shqiptarët myslimanë, siç i quan ai arbanasët muhamedanë.

Në jetën e përditshme janë shumë të përmbajtur, në të shumtën e rasteve nuk konsumojnë asnjë lloj pije alkoolike, ndërsa duhan dhe kafe shumë rrallë. Pothuajse nuk ka individ me të meta fizike, të degjeneruar siç thotë ai. Ata e kanë ruajtur moralin e fortë malor, shpesh me veçori bujare, me ndjenja të thella për bashkësinë familjare dhe flijimin, e cila nuk mungon as pranë viktimave më të çmuara. Nga këto veçori rrjedhin veçori të shumta etnografike dhe antropogjeografike. Këto veçori janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me kulturën dhe zakonet e popujve bizantinë dhe cincarë. Për arbanasët (shqiptarët) toskë në jug, thotë se kanë shumë tipare bizantine dhe cincare, pak edhe në dukje janë të tillë.

Në pjesët veri-perëndimore të viseve të Serbisë[2] blegëtorët i quajnë “Arnautin”, por ky është emri që nuk tregon njeriun e pasur me bagëti, por tani njerëzit e këtyre rajoneve, gjegjësisht, banorët e Sjenicës dhe Peshterasit i quajnë arnautë (shqiptarë). Ndërsa, banorët e trevës së Novi Pazarit dhe të Senicës, të cilët, në masë të madhe i kanë banuar trevat e Stari Vllahut dhe Shumadinë, thuhet se kanë ardhur nga Arnautllaku (Shqipëria). Shumë fshtara në Shumadinë e ulët quhen treva të arnautëve (shqiptarëve), siç janë: Rogaci, Babana etj. Mandej, edhe Uzhiqasët, të cilët kanë zbritur për të jetuar në Jadar dhe Maçvë. Njerëzit e atyre vendeve i kanë quajtur arnautë (shqiptarë). Banorët e Kragujevcit, të cilët kanë ardhur nga trevat e Rashkës (Sanxhakut) i kanë quajtur arnautë (shqiptarë).

Në Serbinë lindore nuk është emri i pazakontë arnautë, dhe është i lidhur me imigrantët nga rrethina e Rashkës (Sanxhakut), ku janë në numër të madh. Kështu, lagjet e fshatrave i kanë quajtur  lagje arnaute, ndërsa lumi që kalon nëpër qytetin e vogël të Bolevacit quhet Arnaut, siç kemi rastin edhe me shumë vorbulla. Shumica e të ardhurëve në Serbi[3], nëpër qytetza, ku janë përqëndruar Cincarët, rryma më e madhe për nga numri i të ardhurëve janë nga Hercegovina, Kodrat e Malit të Zi, trevës së Novi Pazarit, Bosnjës, kryesisht, në Shumadi, por ka edhe arbanasë (shqiptarë).

Në Sanxhakun e Novi Pazarit[4] në mesin e të ardhurëve, në trevën e Sanxhakut ka Vasojeviq, dhe një numër i madh i fisit Kuç, sidomos përgjatë luginës së lumit Lim. Cvijiq në veprën e tij, përveç tjerash shkruan:“Procese të rëndësishme etnografike kanë ndodhur në ato vise ku janë takuar popujt sllavë dhe ai shqiptar në Mal të Zi.[5] Arbanasët janë serbizuar edhe në Mal të Zi. Të origjinës së tillë janë një pjesë e fisit Kuç dhe Piper, përveç asaj Vasojevićqët janë zgjeruar në kurriz të klimentëve. Të njohura janë traditat gojore të origjinës së përbashkët të Vasojeviqëve, Piperëve dhe Ozriniqëve me Hotin dhe Krasniqin[6] dhe afërsitë në mes tyre. Për fiset në Mal të Zi, thuhet se i kanë asimiluar popullsinë e vjetër në Bukumir, Kriçke dhe Potarje, dhe në mesin e tyre edhe fiset fqinje shqiptare”.

[1] Јован Цвијић – Антропогеографски проблеми Балканског полуострва,  faqe 30, 31

[2] Po aty, faqe 137

[3] Po aty, faqe 187

[4] Po aty, faqe 194

[5] Po aty, faqe 6

[6]  Po aty, faqe 222

Filed Under: Histori Tagged With: Cvijiqi, Ismet Azizi, Peshterasit, syshqiponjë

FAIK QUKU, KOLONEL I FORCAVE NACIONALISTE

April 21, 2017 by dgreca

Shkruan: Eugen SHEHU/Bern-Zvicër/

1 Faik Quku 1 Zemrat e ushtarëve të vjetër janë si diejt.Ato perendojnë në muzg për tiu rikthyer ditës që vjen. Për tiu falur kësisoj përjetësisë.Kjo sentencë e ardhur prej qindra vitesh largë do të bashkohej me imazhin e nacionalistit Faik Quku,jo vetëm për ta dëshmuar atë,por tek e mbramja për ripërcaktimin e dimensioneve të veprës së tij.Në këtë ripërcaktimin mendoj se askurrë nuk vlejnë gradat,dëshmitë,dëftesat e notave dhe shërbimeve që mijëra shqiptarë në historinë tonë u bënë të huajve duke i shpërblyer me para e letra.Vlerat e personalitetit të Faik Qukut marrin vlerat e tyre reale vetëm e vetëm pse ato maten me ato ç’ka bëri ky birë i Shkodrës për lirinë pamvarsinë dhe bashkimin e krejt Shqipërisë Etnike.Në gjakun shqiptar të pastër,që në fëmijërinë e parë i ka gurgulluar tok me shpirtin trimërorë edhe geni i atit për pushkën.Shaqiri,babai i Faikut,ka qenë i njohur si oficer artilerie i aftë jo vetëm profesionalisht por edhe në ndërthurjen e kësaj arme mbrenda teatrit të veprimeve luftarake.Edhe pse historiografia jonë ushtarake ka mbetur tepër e vobegët në idelogjizmin e saj mjeran nuk mund të mohohet shkolla e artilerisë shqiptare e nisur që prej asaj shkëmbore e deri në fund të LDB.Pikërisht një përvojë qindravjeçare krejt autentike e artilerisë shqiptare,mpleksur me tezat akademike të shkollimit osamn,u ngjizën mjaft efektshëm n¨r arsimimin e Shaqirit duke plazmuar veç të tjerash edhe vetëdijen kombëtare,duke shërbyer nga grada më e ulër e der tek ajo të kapitenit të dytë në dy kalatë kryesore shqiptare të shekullit të kaluar ( në Shkodër e Podgoricë).Shaqir Quku përpos aftësive ushtarake do të dëshmonte edhe atdhedashurinë e tij.Përkundër mjaft shqiptarëve që për të përfituar grada e benificione nga Perandoria luftuan dhe jashtë Shqipërisë,por Shaqiri do të preferonte tokën e vet duke u kujdesuar njëherësh edhe për edukimin atdhetar dhe arsimor të fëmijëve të vet.Për Faikun bashkëkohësit e vet e kujtojnë se si ai mezi priste në krye të rrugicës me kalldërm në lagjen Parrucë,për të parë të jatin kur kthehej nga detyra,i hidhej vrullshëm në gjoks e përqafonte duke i thënë gjithmonë se edhe ai ëndëronte dhe deshte të uniformohej.

Pra rrekur të spjegojmë etimologjinë e fjalës fortesa shqiptare nëpër shekuj,jo vetëm që grishën fantazinë fëminore për qiellin e pastërt dhe zogjtë,por ate që ata edukuan tek ta ndjenjat e lirisë,edukuan ate patos pa të cilin zjarri në vatrat shqiptare do të ishte shuar prej kohësh.Vitet që rrodhën më pas treguan se dashuria e Faikut për uniformëm ushtarake dhe kalatë nuk u ngjanina aspak atyre dashurive fluturake të lëna në mes të rrugës.Ai është tepër kurioz në shkollë me notat e larta,dallon kurdoherë ndër shokët,merr notat e shkëlqyeshme madje edhe në seminarin Papanorë të Shkodrës në vitin 1911-1912të.Mëpas rruga a tij arësimore do të ishte besnike e ëndrës së tijë.Regjistrohet në Staboll në Shkollën e Lartë Ushtarake për të ndjekur ate plot 6-vite duke i kaluar pothuajse të gjitha shkallët e kualifikimeve me rrezulltate mjaft të larta.Po edhe pse larg Shkodrës që e donte aq shumë,Faikun e ri do ta shihje aso kohe në rrethet më përparimtare të Stambollit,ku së bashku me dhjetra intelektual të tjerë shqiptarë do të ndiqnin jo pa shqetsim të gjitha ngjarjet që ndodhnin në Shqipëri e përreth saj.Veçanërisht copëtimi i Shqipërisë,ndarja e Camërisë dhe e Kosovës nga trungu i atdheut do të ishin kryetema e këtyre bisedave ku në disa raste Faiku theksonte se „vetëm bashkimi i zemrave dhe mendjeve tona mund t’a arrijnë këtë sepse Europa na bëri copë-copë dhe ajo s’ka për t’u kujtuar kurrëpër këtë“.Këto mendime të tija sot askush s’mund ti kuptojë si fluturime romantike.

Me mbarimin e shkollës së lartë ushtarake në Stamboll.Faikut iu afruan detyra të randësishme për një ushtarak si Faiku,me vullnet të çuditshëm,kurajo dhe karakter të çeliktë,shkallët e karierës së lartë do të ishin jo shum të vështira.Madje mprehtësia e tij në logjikën e situatave do të mund të kapërcente njëherë disa shkallë të hierarkisë ushtarake.Por një tdhetar të kalibrit Quku,karriera në Perandorinë do të thërmohej përpara ëndrës së tij për një Shqipëri të lirë,të mosvarme prej askujt,për një atdhe etnik.Bën për vete me thellësinë e gjykimit edhe disa shqiptarë të tjerë të shkolluar në Akademinë e Lartë të Stabollit dhe vihet në krye të tyre duke u kthyer në Shqipërinë e vitit 1920-të.

Shkodrën e gjeti të varfër,Shqipërinë të mjerë,në bukuritë e luginave dhe trojeve etnike shqiptare luhej tragjedia ballkanase e këtij shekulli,e cila çuditërisht rezonon edhe sot me fatin dhe jetën e një mileniumi të ri.Ushtria e parë shqiptare u themelua prej kabinetit të Ismail Qemal bej Vlorës  me krykomandantin gjeneral Mehmet Pashë Derallën në krye.Edhe pse nuk mund të flitet për një doktrinë moderne,për armë e paisje të tilla siç i kishin fqinjët grabitçarë,përsëri mendohet se të paktën fryma kombëtare e morale e kësaj ushtrie ishte në nivel,Gjenerali Mehmet pashë Deralla i cili pos aftësive ushtarake tregoi edhe aftësi në organizimin dhe bashkëpunimin e krejt kombit shqiptarë duke i bashkuar foecat për një të ardhme etnike të përbashkët.Pikërisht në përparimin e kësaj mendësie,veçanërisht pas Kongresit të Lushnjës,Faik Quku dha kontributin e tij të vyer.Më pas ai i çaset prapë studimeve tanimë në Universitetit të San Sirit të Parisit si edhe në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm në Torino të Italisë. Kultura e tij ushtarakew ngrihet në nivele të larte dhe të reja.Rrezaton kurdoherë aftësi dhe guxim, ndërkohë aktivizohet edhe si organizatorë i jetës së mbrendshme të reparteve shqiptare fut novacione të përshtatura gjithsesi me varfërinë ekonomike dhe mentalitetin e ushtarëve kanë si përmasë të tretë të tyre(veç trimërisë e guximit) edhe zgjuarsinë e veprimit luftarak të projektuar nga Faiku. Bashkëpuntor më i afërt i Mit’hat Frashërit,edhe pse i shkolluar në disa Akademi Ushtarake,Faiku do të shprehej për birin dhe nipërin e Frashërllinjëve të mëdhenj se „prej tij mëson sa prej dhjetra shkollave“.Në aspektin intelektual,Faiku mësoi natyrisht shumë prej shpirtit demokrato-liberal dhe erudicionit të Mit’hat Frashërit.Është e çuditshme heshtja që i bëhet heshtja misterioze Faik Qukut lidhur me ngjarjen e Mukjes.Nëse thuhet se ende sot plagët e Mukjes rrjedhin gjak,un mendoj se duhet thënë zëshëm se ishin pikërisht komunistët shqiptarë ata që me anë të jugosllavëve inicuan këtë gjakderdhje.Po sidoqoftë Mikja ka patur një parathënje.Në ato kohëra aq të turbullta politikisht ajo nuk mund të shfajësoi vetëtimthi në një fshat të humbur në lindje të Tiranës.Kështu më 26.korrik të vitit 1943 mblidheshin në Tapizë të Tiranës,forcat nacionaliste me ato komunite,jo vetëm për të përgaditur Mukjen,por edhe për mundësinë e bashkimit të këtyre forcave shqiptare në luftën e përbashkët kundër fashizmit.Faik Quku së bashku me Mit’hat Frashërin dhe Hasan Dostin në të gjitha bisedimet e zhvilluara me komunistët i bindën ata jo vetëm për bashkimin e forcave por edhe ndërmuarën hapat e para në „ndërtimin“ e kërkesës për një Shqipëri të pamvarur dhe Etnike.Mënyra se si është trajtuar Tapiza nga historiografia komuniste dhe „goditja“ që i është dhënë personalitetit të Faik Qukut,flet pikërisht për forcën e fjalës dhe të veprës së këtij Nacionalisti anëtarë i naltë në drejtimin e Ballit Kombëtar.

Prej kuvendit të Tapizës,Faiku merr setyrë të shkojë në Milot për të biseduar me ushtarakët e regjimrntit aty lidhur me një ofenzivë të mundshme në drejtim të Tiranës.E vërteta është se gjuha e komunikimit, aftësitë e tija organizuese e drejtuese bindën mjaft ushtarakë shqiptarë të cilët u shprehën për besnikëri ndaj idealeve nacionaliste njëherazi dhe ndaj tijë.Besa që ushtarakët e garnizonit të Milotit i dhanë Faikut jo vetë që le në hije banalitetet e koalemixhijëve komunist të llojit Shefqet Musaraj,por flasin në një kuptim tjetër më të gjërë se ushtarakët tanë kanë qenë dhe janë kundra çdo lloj shtypjeje qoftë fashiste apo ajo komuniste.Mukja edhe pse u dënuar prej ortodoksizmit ruso-jugosllav dhe servilëve kriminale shqipfolës të tyre,sidoqoftë mban një ngjarje madhore në analet e historisë shqiptaretë shekullit të kaluar. Nëse ajo u dhunua prej internacionalizmit proletar të ardhur prej stepave ruse,kjo nuk përbën aspak zhdukje të saj (Mukjes) nga shpirtin nacionalist të shqiptarëve.Së bashku me Mid’hat Frashërin, Faikun do ta shohim në Malësitë e Shkodrës dhe ate të Lurës,në krye të mjaft aksioneve si kundër fashistëve ashtu dhe komunistëve.Këta të fundit të njohur për goditje pas shpine nuk hezitojnë të godasin pa fije ndjenjeje mbi figura të shquara nacionalistësh madje duke deklaruar nëpër traktet e tyre paçavure për bashkëpunim të tyre me pushtuesit.

Një rikthim në traditën e lashtë shqiptare të besëlidhjes,u përpoqën ta kryenin edhe Mid’hat Frashëri,prof Vasil Andoni dhe Faik Quku në Shkodrën e marsit 1944.Duke qenë si bastion i antikomunizmit dhe duke rrezatuar frymën idealizmit për Shqipërinë Etnike dhe të lirisë së plotë,Shkodra u zgjodh prej liderëve të Ballit Kombëtar,jo vetëm si udhëkryq politik por edhe si udhëzgjidhje e problemeve kombëtare.“Besëlidhja e Shkodrës“ e themeluar prej këtyre tre liderëve mblodhi në gjirin e saj dhjetra e qindra nacionalistë të pamposhtur e të vendosur deri në fund për të luftuar me pushkë e penë çdo rrezik që u kanosej trojeve shqiptare.Një shikim i shpejtë i rpogramit të kësaj besëlidhjeje të bind për dimensionin e gjërë politik dhe human të kësaj Organizate.Në themel të parimeve kryesore të sajë janë liria dhe të drejtat e shqiptarëve të para në mënyrë krejt të ndërlidhura në universin ballkanik të përplasjeve.Thuajse të gjitha veprimet luftarake të „Besëlidhjes Shkodrane“ ruajnë identitetin krijues dhe vizionin atdhetar të Faikut,po aq sa i nderuar ndër rrethet intelektuale ushtarake të asaj kohe, figura e Qukut ishte edhe popullore me ushtarët e thjeshtë që mbushnin radhët e ushtrisë nacionaliste dhe që ishin të gatshëm deri në sakrificën sublime kur fjala ishte për Atdheun. Ripërsëris, se nëse historiografia shqiptare e sotme veçanërisht ajo ushtarake i ka shumë borxhe nacionalistëve shqiptarë,vlen të ulet koka me droje përpara veprës së Faik Qukut.Kjo historiografi do të dëshmonte të paktën pendesën e dëshiruar teksa të niste të hidhte dritë mbi nacionalizmin shqiptar dhe idealistë trima të sajë.Por nëntorin e vitit 1944-të në Shqipërinë e çfilitur do të sillte një ndjenjë shnjerzore të nacionalistëve prej kapelmbajtësve me yllin e kuq.Ani se ky yllë nuk kish qenë në flanurin e shtrenjtë shekullorë të shqiptarëve, komunistët brenda pak muajve harruan baballarët e kombit të tyre ata të rrethuar rreth zjarit i këndonin „baba stalinit“.Fjala nuk është për një vijë të hollë demarkacioni të thjeshtë midis komunistëve dhe nacionalistëve,por për një luftë frontale të zhdukjes fizike e morale të të dytëve prej të parëve.Në këto kushte ndërsa në Hotel „Dajtin“ e Tiranës krimineli komunist Hoxha festonte me „sivllezërit“ komunist jugosllav,në anën tjetër për mos të thelluar dhe më tej luftën civile të shpallur nga komunistët shqiptarë me dhjetra udhëheqës nacionalistë iu drejtoheshin kufijëve të shteteve fqinjë të tu riorganizuar dhe vazhduar rrezistencën antikomuniste,duke shpresuar se Zoti kish ruajtur diku një ditë të bardhë edhe për Shqipërinë. Kështu që Faiku emigron në Itali,dhe asapak i trembur dhe i penduar për ç’kish bërë për çështjen kombëtare.Këtë e dëshmonte më së miri aktiviteti i tij i gjërë,takimet,letrat,bashkëpunimet me organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtare.Atij i propozojnë detyra të rëndësishme në ushtri por ai refuzon,ai gjithë miqve dhe shokëve u thoshte se dua ti shërbej vetëm Shqipërisë.Përfytyrimi dhe vepra e tij e pjekur drejt një nacionalizmi të kohës,larg dhunimeve dhe betejave pa shkak,duket se e shpërblyen i japin detyrën në UNRA-së për Europën Juglindore,të cilën e mbajti deri në të vitit 1949-të. Më pas shkoi në SH.B.A.dhe aty i ofrojnë detyra të rëndësishme sidomos në forcat e armatosura,ai me mirësjellje i falenderon për besimin që kishin për te dhe fillon jetën qytetare duke u marrë me punë nga më të thjeshta.Merr pjesë në të gjitha takimet të nacionalistëve shqiptarë në Amerikë duke shpresuar gjithmonë e duke folur i sigurtë për rrënien e „perandorisë së komuniste“.Janë të njohura disa ese dhe pbliçistika e një stili sundues me të cilat hapen numrat e „Shenjëzat“ që botohej në Romë.Një studim i imët të kësaj publiçistike dhe në gazetën „BESA“ në Stamboll të çon natyrisht tek merraku i madh i Faikut për fatet e kombit dhe Shqipërisë dhe krejt trojeve etnike shqiptare.

Do të ishte pikërisht gazeta „Shenjëza” dhe “Besa” ato të parat që do të përshkruanin vdekjen në emigracion të Faikut në verën e vitit 1963-të,nën titullin „Kolonel Faik Quku ndërroi jetë“ mes tjerash thuhet…“ Në New Jork ku tallazet e rrepta të mbas luftës e kishin mërgue,vdiq midis verës që shkoi kolonel Faik Quku,një ndër oficerët më të përgaditur të Ushtrisë Kombëtare.Më 20 të korrikut ju banë salikimet në prani të shumicës së shqiptarëvet që e përcollën me nderime për në banesën e fundit.I ndjeri sihte në letërkëmbim të shpeshtë me redaksinë e të përkohshmes sonë,veprimtarinë kulturore të së cilës shumë e çmonte tue e nxitë e tue e përkrahë vazhdimishtë.Rrethi i „Shenjzave“ tue u përulë në shenjë dhimbjeje para Hijes së këtij Kryeushtari Shqiptarë,i paraqet familjes së tij përdhimbshmet ma të sinqerta…“(„Shenjëza“ korrik 1963)

Vdekja e Kryeushtarit gjeti pasqyrim të gjërë edhe në shtypin Amerikan të kohës.“Nju Jorj Tajmsi“ i 20.korrikut.1963 e cilësonte si udhëheqës të nacionalizmit shqiptar e veçmas si ndër udhëheqëit kryesorë të lëvizjes së rezistencës së Ballit Kombëtar.Ndërsa nga qeveria e Tiranës komunistë me dekret të posaqëm së bashku edhe me dhjetra nacionalistë të tjerë e quajti Faikun „tradhëtar“,duke mos lejuar përfundimisht kthimin e tij në Shqipëri. Kolonel Faik Quku së pari mendoj se duhet të ulet në vendin që i takon për gjithë që i dha Ushtrisë Kombëtare Shqiptare,kombit e Shqipërisë me dijen nga akademitë prestigjioze ndërkombëtare,dhe jo si ushtarët „partizan“ata që në mëngjez ishin togerë dhe në mbrëmje vonë bëheshin gjeneralë.Vlen të meditojmë rreth veprës së kolonel Faik Qukut,vlen të bashkëbisedohet mbi artin luftarak të tijin që e ndërtojë dhe më pas si Komandant i Forcave të Ballit Kombëtar për Veriun. Faik Qukun do ta përkufizoja si ajo vetëtima që nuk parathotë furtuna të reja por gjithsesi ndriçon diçka prej natës ideologjike shqiptare.

Bern-Zvicër

 

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, Faik Quku, KOLONEL I FORCAVE, NACIONALISTE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 404
  • 405
  • 406
  • 407
  • 408
  • …
  • 739
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË
  • NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE KËRCËNIMI I URISË GLOBALE: NJË GRADË MË SHUMË, MILIONA JETË NË RREZIK
  • KUR FLITET PËR PROCESIN KRIJUES – ROMANI “I ARRATISURI”
  • NËNTORI 2026 MES FLAMURIT DHE PROTESTËS
  • Plagët e heshtura të luftës…
  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT