• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lidershipi si shërbim ndaj kombit…

June 6, 2025 by s p

Nga Evarist Beqiri*

“Bërë shumë për mëmëdhenë,

Sikur shumë si Ty të qenë,

Të qenë shumë si Tyja,

Do qe bërë Shqipëria

Faqedritë e syshkëndija,

Ta kish zili gjitonia…”

  • Populli

Ka autor që gabimisht pretendojnë se, pas dorëheqjes nga posti i kryeministrit më, 22 janar 1914, Ismail Qemal Vlora nuk u rikthye më në Shqipëri. Ndërkohë, kjo intervistë, e publikuar në librin e ri në anglisht “The Founder – Ismail Qemal Vlora on Leadership”, është një tjetër dëshmi e faktit që ai u rikthye sërish në Vlorë dhe Durrës, ku takoi edhe Princ Vidin.

Intervista është realizuar për gazetën italiane “IL PICCOLO DELLA SERA”, Trieste, më 19 qershor 1914. Ismail Qemali flet nga Brindisi, pak para rikthimit të tij në Shqipëri. Pas dorëheqjes nga drejtimi i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, ai u largua për pak muaj jashtë Shqipërisë, për t’u rikthyer sërish në qershor 1914, për t’u përballur sërish me situatën jashtëzakonshme ku gjendej vendi. 

Në këtë intervistë Ismail Qemali flet për gjendjen e vështirë në të cilën gjendej Shqipëria dhe në mënyrë figurative dhe kuptimplotë shprehet se: “Kush ndjell erën, nuk mund të pres veçse furtunën.” Ai thotë se, “unë që e kam përballuar rrezikun me shpirtin e qetë dhe jam urryer nga Turqia, si edhe për të mirën e atdheut, nuk pranova kryesimin e qeverisë, u akuzova si bashkëpunëtor i xhonturqve në Shqipëri. Akuzë më qesharake dhe më të pabazë nuk mund të gjesh.”

Ismail Qemali vijon më tej intervistën duke analizuar shkaqet e anarkisë në të cilën gjendej vendi, pas veprimeve të KNK-së, Princ Vidit, Esat Toptanit dhe zhvillimit të lëvizjes dumbabiste: “Shqipëria e kishte një qeveri. Nuk e deshën, por preferuan t’ia linin në dorë atyre që duan ta zhvasin dhe të kënaqin ambiciet e tyre të shfrenuara. Koha është mësuesi më i mirë dhe i tregon njerëzit. Rikthehem në Vlorën time me shpirtin e qetë, sepse kam punuar përherë për të mirën e vendit tim. Shpifjet që më kanë prekur, nuk e kanë dëmtuar dot nderin tim, të cilin do ta ruaj të paprekur deri në vdekje.”

Një Karakter i Pathyeshëm

Ismail Qemali ishte i njohur për integritetin e tij të lartë dhe qëndrimin e tij të palëkundur ndaj parimeve të tij. Ai nuk u lëkund kurrë nga presioni apo tundimet, duke qëndruar besnik ndaj vizionit të tij për një Shqipëri të lirë dhe të pavarur. Kjo u dëshmua në shumë raste, duke filluar nga refuzimi i tij për të marrë pjesë në vizitën propagandistike të Sulltanit në Kosovë në vitin 1911, e deri te refuzimi i tij për t’i ofruar territorin shqiptar si bazë logjistike aleatëve gjatë Luftës së Parë Botërore. Për Ismail Qemal Vlorën, lidershipi nuk ishte një mjet për të arritur përfitime personale, por mënyra më sublime për t’i shërbyer kombit.

Në saj të karakterit të tij të fortë, integriteti i Ismail Qemalit mbeti kurdoherë i pacenueshëm. Ismail Qemali me gjithë fuqinë e shpirtit të tij fisnik, nuk rreshti asnjë ditë së punuari për Shqipërinë. Ai ishte shpëtimtari i Shqipërisë. Ai ishte lloji i liderit, që atë që thoshte e kishte gjithmonë të bashkërenduara me atë që bënte. 

Bashkëpunimi me Liderë të Tjerë

Ismail Qemali ishte i aftë të bashkëpunonte me liderë të tjerë të shquar, si Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, Aqif Biçakçiu, Preng Bib Doda, Bajram Curri, Nikolla Lako, Mid’hat Frashëri, Hasan Prishtina etj., për të arritur qëllimet e përbashkëta. Ai e vlerësonte kontributin e secilit dhe ishte i hapur ndaj ideve të reja. Kjo u dëshmua edhe në bashkëpunimin e tij me Isa Boletinin, i cili e vlerësonte Ismail Qemalin, si një faktor kyç në shpëtimin e Shqipërisë.

Në kujtimet e tij Tafil Boletinit, nipi i Isa Boletinit dhe bashkëpunëtor i tij i ngushtë, shkruan: “Ismail Qemali axhën Isa e ka dashtë shumë dhe ia kishte besimin, por edhe ky i ka qendrue besnik deri në fund duke e vlerësuar si faktorin kryesor që e shpëtoi Shqipninë në momentin ma kritik. Kurse të tjerëve, që ma vonë byrykateshin për pozita, në atë kohë nuk iu ra ndërmend nji gja e tillë si ngritja e flamurit…

Ismail Qemali, me falenderime e lavdëroi axhën Isa për ndihmën që ka pasë në lamën politike prej luftave të tij të pakëputuna dhe i propozoi postin e ministrit të Luftës. Po axha Isa tha: “Jo, nuk asht ai vend për mua, pse edhe ktu e mrapa kam shumë detyra” dhe ia rekomandoi Mehmet pashë Dërallën…”

Tafil Boletini vijon më tej: “Ismail Qemali ishte jo vetëm diplomat, po edhe trim. Si pa gja të keqe thoshte, “kushdo që të na sulmojë na në kala të Kaninës do të vdesim”.”

Isa Boletini, Bajram Curri etj., ishin emisarët e fshehtë të Qeverisë së Vlorës, sepse në ato momente nuk ishte e volitshme angazhimi zyrtar i shtetit të ri shqiptar në organizimin e kryengritjes. Prandaj në fshehtësi ata së bashku me muhaxhirët kosovarë që ishin mbledhur në Vlorë,  ishin duke organizuar lëvizjen çlirimtare në krahinat shqiptare të pushtuara nga serbët e malazezët.

Një tjetër moment domethënës, i cili shpalos udhëheqjen dhe karakterin burrëror të këtyre shqiptarëve të mëdhenj, është mënyra sesi Ismail Qemali dhe Isa Boletini, e pritën vizitën propagandistike të Sulltanit në Kosovë në vitin 1911. Kjo vizite synonte paqtimin e shqiptarëve pas reprezaljeve të dhunshme që turqit kishin kryer ndaj shqiptarëve kryengritës.

Xhonturqit menduan të ndryshonin taktikë me shqiptarët dhe të shfrytëzonin rastin e realizimit të vizitës së sulltanit plak Mehmet Reshatit V në Shqipëri. Në delegacionin që do të shoqëronte sulltanin, ata menduan të përfshinin Ismail Qemalin dhe disa deputetë të tjerë shqiptarë. Por, Ismail Qemali e refuzoi kategorikisht pjesëmarrjen në një delegacion të tillë dhe e denoncoi këtë udhëtim në opinionin publik si qesharak dhe të padobishëm.

Tafil Boletini shkruan se, “në verën e 1911, Sulltani do mbërrinte në Kosovë në tyrben e Sulltan Muratit. Ceremonia ishte edhe një propagandë e madhe për të gjithë ata që ende besonin në Perandorinë Osmane. Isa Boletini ishte ndër të parët në listën e atyre që do prisnin “Hazretin”, porse ai refuzoi.” Si pasojë e qëndrimit të palëkundur të këtyre dy burrave, vizita e Sulltanit në qershor të vitit 1911, u shoqërua me ftohtësi dhe nuk i përmbushi synimet demagogjike të xhonturqve.

Porta e Lartë ndiqte taktikën e shkopit dhe karotës, duke tentuar hera-herës që t’i joshte me poste dhe privilegje shqiptarët e shquar. Megjithatë zonat malore të Shqipërisë nuk iu nënshtruan kurrë ligjit islamik (sharia) dhe vijuan të zbatonin kodin e tyre zakonor. Tafili Boletini kujton se, “Hasan Prishtina në qershorin e vitit 1909, mbërrin në Mitrovicë, si i dërguar i posaçëm i Hysen Hilmi Pashës, Kryeministër i kohës. Hasan Prishtina, në emër të Stambollit, i premtoi Isës shpërblime dhe paqe nëse ky do të hiqte dorë nga kryengritjet e tij të herëpashershme. Baca refuzoi.” Ismail Qemali dhe Isa Boletini do ta vazhdonin betejën e tyre për Shqipërinë deri ditën që mbyllën sytë…

Ismail Qemali gjatë qëndroi në Paris dhe Nicë, Francë, ku u vendos pas largimit nga Italia në prill të 1915. Në 1916, ai refuzoi një kërkesë të qeverisë franceze për të përdorur territorin e Jugut të Shqipërisë, si mbështetje logjistike për një aksioni të madh të aleatëve në Luftën e Parë Botërore. 

Në vijim, Ismail Qemali u detyrua të largohej nga Franca, së bashku me familjen e tij. Në maj 1918, ai u nis nga Parisi për në Barcelonë. Ndërkohë, qeveria italiane nuk e lejonte të kthehej në Itali ose të shkonte në Zvicër, sepse i ruheshin influencës së tij në komunitetin shqiptar aty. Prandaj, ai shkoi në Spanjë, për të komunikuar më me lehtësi nëpërmjet ambasadës amerikane në Madrid, me shqiptarët e Amerikës, që e kishin caktuar ndërkohë si përfaqësues të tyre në Konferencën e Paqes që pritej të mblidhej në Paris. 

Më 20 dhjetor 1918, ai vjen nga Barcelona në Xhenova, me ftesë të qeverisë italiane, për mbrojtjen e çështjes shqiptare në Konferencën e Parisit. Por në vend që të pritej në Romë, e izolojnë në hotel “Brufani” në Peruxhia. Rrugëtimi i tij përfundon aty. Ismail Qemal Vlora do të mbyllte sytë me brengën e madhe për fatin e Shqipërisë…

Trashëgimia e Lidershipit

Ismail Qemali ishte kurdoherë i gatshëm për të mbajtur qëndrimin e duhur kundrejt së mirës dhe së keqes. Ai ishte i përgatitur për të sakrifikuar interesin vetjak dhe për të vuajtur pasojat që vinin nga mbajtja e qëndrimit të drejtë dhe të palëkundur. Ai i mbronte kurdoherë të dobëtit dhe të braktisurit që përballeshin me padrejtësi. Ai bënte atë që thoshte. Dhe nuk kishte asnjë forcë në tokë që mund t’a trembte. 

Ismail Qemal Vlora është profeti ynë kombëtar. Siç Moisiu u dërgua nga Zoti për t’i dhënë popullit të tij lirinë, ashtu edhe Ismail Qemal Vlora u dërgua nga Zoti për t’ju dhënë shqiptarëve lirinë e shumëpritur prej shekujsh. Ndryshe nga shumë lider të tjerë përgjatë historisë, që kanë sakrifikuar jetët e njerëzve të tyre për të realizuar synimet e tyre, Ismail Qemal Vlora i shpëtoi jetët e njerëzve të tij, pa harruar kurrë synimet e përbashkëta. Ismail Qemali ishte i frymëzuar nga mirësia, jo nga ambicia. Ai ishte gjeniu i paqes, i cili fliste për lirinë duke kërkuar barazinë. Sumë lider kanë parë arritjet e tyre që t’ju shkrihen para syve, si një kështjellë e ndërtuar në rërë, duke lënë pas një vijë gjakderdhje. Ndërsa, Ismail Qemal Vlora arriti që ta realizonte veprën e tij, duke lënë pas një vijë drite të shkëlqyeshme.

Epitetet dhe adhurimi i popullit ndaj tij merr hera-herës përmasa hyjnore. Sepse ka kategorizime të ndryshme për udhëheqësinë. Ka njerëz që mbahen mend si udhëheqës të mëdhenj, si burrështetas. Por, ka edhe të tjerë që shkojnë përtej këtyre kategorizimeve dhe populli iu hedh mbi krye petkun e profetit. Kjo për shkak të trashëgimisë së tyre sublime. Ismail Qemal Vlora është profeti ynë kombëtar, i cili i dha kuptim trashëgimisë së Skënderbeut. Pa veprën e Ismail Qemal Vlorës, do të humbte edhe trashëgimia skënderbejane. Këtë përcaktim e ka shprehur madhërishëm në vargjet e tij, liriku ynë i madh Ali Asllani: 

                                             “Ish Profit dhe mbet Profit;

                                              Dhe qëndron ashtu si ishë;

                                              Do mbaj emrin si e kishë;

                                              Emr’i tija i vërtetë;

                                              Esht Nëntor njëzet’ e tetë.”

*Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Evarist Beqiri). 

C:\Users\user\Desktop\ISMAIL QEMAL VLORA\ISMAIL QEMALI FOTO ARTIKUJ\IL PICCOLO DELLA SERA TRIESTE 19 QERSHOR 1914.jpg

Filed Under: Histori

SHQIPJA DHE SHQIPTARËT NË STUDIMET E STUDIUESVE TË HUAJ

June 5, 2025 by s p

Xhelal Zejneli/

Në fillim të shekullit XIX Anglia dhe Franca kishin interesa politike, ekonomike dhe ushtarake në Mesdhe dhe në perandorinë Osmane, duke përfshirë edhe provincën shqiptare të saj. Në atë kohë Rajhu gjerman ende nuk kishte interesa të këtilla ekspansioniste në rajon. Por në “klubin” osman të fuqive evropiane shpejt do të futet Austria. Që nga vitet ‘40 të shekullit XIX edhe Austria do të kishte në Janinë përfaqësuesit e saj konsullorë. 

Studimet rreth Shqipërisë e shqiptarëve hyrën në një fazë të re pas themelimit të pashallëqeve shqiptare – autonome, sidomos të pashallëkut të Janinës, udhëheqësi i të cilit, Ali pashë Tepelena (1740-1822), një nga figurat më madhore dhe më komplekse të kombit shqiptar, synoi jo vetëm autonominë nga Porta, por edhe krijimin e një shteti të pavarur që do të shtrinte sovranitetin e tij mbi të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët. Ekzistenca e pashallëqeve faktikisht autonome i dha një impuls të fuqishëm zgjimit të vetëdijes kombëtare të shqiptarëve dhe idesë së një shteti kombëtar shqiptar dhe bëri të njohur Shqipërinë si një entitet i veçantë politik brenda Perandorisë Osmane, si një objekt hetimi për Evropën shkencore.

Në pashallëkun e Ali pashë Tepelenës u vendosën për herë të parë përfaqësues diplomatikë të fuqive të mëdha, fillimisht të Francës e të Anglisë, të cilët u morën me problemet shqiptare bashkëkohore dhe të së kaluarës. 

Rreth problemit të prejardhjes së shqiptarëve u shprehën vetëm Pukëvili dhe Liku. Qëndrimet e tyre janë krejtësisht të kundërta. Studiuesi francez, Pukëvil pranon pikëpamjen fantastike të autorëve bizantinë – Laonik Halkokondilit, të teologut, përkatësisht historianit kishtar francez Mishel Le Quien dhe të historianit kishtar Xhuzepe Simone Asemani të mesit të shekullit XVIII, që i bënin shqiptarët të ardhur gjatë mesjetës, i pari nga Alba e Italisë, kurse dy të tjerët – nga Albania e Kaukazit.

Konsull i përgjithshëm i Perandorisë, më pas edhe i Mbretërisë franceze në Janinë dhe në Patra ishte akademiku, diplomati, shkrimtari, fizikani, historiani dhe arkeologu francez Fransua PUKËVIL (François Charles Hugues Laurent Pouqueville, 1770-1838). Ndoqi nga afër veprimtarinë e Ali pashë Tepelenës (1740-1822), themeluesit të pashallëkut faktikisht autonom të Janinës. Njihet si historiani më i rëndësishëm i çerekut të parë të shekullit XIX për pashallëkun e Janinës. Vizitoi edhe një pjesë të madhe të Shqipërisë, duke udhëtuar nga Janina në Shkodër.  Në veprat e Pukëvilit jepen të dhëna të shumta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Është autor i veprave “Voyage de la Grèce” (Udhëtim nëpër Greqi, Paris 1820) dhe “Histoire de la régénération de la Grèce, prej 1740 deri më 1824”) (Historia e ringjalljes së Greqisë, Paris 1825). Në to jep të dhëna të çmueshme për vendin, për shqiptarët dhe për shtresat shoqërore të Shqipërisë së Jugut. Ndonëse ishte armik politik i vezirit të Janinës, provoi më së miri synimet e tij për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane. Vlerësimet e Pukëvilit për ta nxirë personalitetin e vërtetë të Ali pashë Tepelenës nuk i kanë qëndruar kritikës bashkëkohore dhe asaj të mëvonshme. Vepra e tij përshkohet nga një admirim për grekët dhe nga njëfarë denigrimi për shqiptarët.

Në fillim të shekullit XIX, përfaqësues politik i qeverisë angleze pranë oborrit të sundimtarit të fuqishëm në Shqipërinë Jugore, Ali pashë Tepelenës caktohet ushtaraku anglez Martin Uiljam LIK (Martin William Leake, 14.1.1777 – 6.1.1860). Është autor i dy veprave në gjuhën angleze: “Researches in Greece” (Kërkime në Greqi, 1854) dhe “Travels in Northen Greece” (Udhëtime në Greqinë e Veriut, 1835, në katër vëllime). 

Në veprën e parë, përveç materialeve të ndryshme me karakter ekonomiko-shoqëror dhe politik me interes për Shqipërinë, jep edhe shënime mbi gramatikën shqipe në bazë të një punimi të hartuar nga mësuesi Estra Vithkuqari. Liku jep shënime edhe për një fjalor të gjuhës shqipe. 

Në veprën e dytë sjell materiale përshkruese më të pasura, sidomos për ekonominë, për shoqërinë dhe gjendjen politike të Shqipërisë së Jugut nën sundimin e Ali pashë Tepelenës, si dhe për vendburimet arkeologjike. Liku mbështeti prejardhjen ilire të gjuhës shqipe.

Me punimet e Pukëvilit dhe të Likut bota shkencore evropiane mori në dorë një informacion të pasur për Shqipërinë si dhe nxitje për studimin e këtij vendi dhe të historisë së tij. 

*   *   *

Për qëllime njohëse dhe studimi do të shëtisnin në Shqipëri që nga poeti romantik anglez Xhorxh Gordon Bajroni (George G. Byron, 1788-1824) dhe miku i tij Xhon Kem Hobhaus* (1786-1869) deri te etnografi francez Ami Bue (Ami Boué, 1794-1881) dhe arkeologu francez Leon Hezej (Léon Heuzey, 1831-1922). Në këngën e dytë të poemës së vet “Shtegtimet e Çajld Haroldit” (1812-1818) Bajroni vlerëson traditat burrërore, trimëritë, fisnikërinë dhe mikpritjen e shqiptarëve.

Shënim: Xhon Kem Hobhaus (John Cam Hobhouse, më vonë Lord Broughton, 1786-1869) ka qenë personalitet politik dhe letrar anglez, mik i ngushtë i poetit Xhorxh Gordon Bajron, të cilin e shoqëroi në udhëtimet e tij në Shqipëri, në Greqi dhe në Turqi. Përshkrimin e këtij udhëtimi edha në veprën “A journey through Albania and other provences of Turkey in Europa and Asia…..during the years 1809-1810” (Udhëtim nëpër Shqipëri dhe provinca të tjera të Turqisë në Evropë dhe Azi…..në vitet 1809-1810, Londër 1813, botim i ripunuar më 1855). Udhëtimi i Xhorxh Hobhausit në Shqipëri përfshin jugperëndimin deri në Tepelenë. Midis tjerash, ai shkruan: “Kur banorët e viseve të tjera të Ballkanit pyeten se cilët janë, ata përgjigjen: “jemi muhamedanë” ose “jemi të krishterë”, ndërsa banori i këtij vendi përgjigjet: “jam shqiptar”. Në fund të librit, Hobhaus boton në anglisht edhe gramatikën shqipe të studiuesit arbëresh Fraçesko da Leçe* (Francesco da Lecce, vdiq më 1718) dhe disa këngë popullore të arbëreshëve të Greqisë, të mbledhura nga vetë ai.

Shënim: Françeskani arbëresh At Françesko da Leçe është autor i veprave “Dittionario italiano-albanese” (Fjalor italisht-shqip, 1702, 228 f.); “Osservazioni grammaticali nella lingua albanese” (Vështrime mbi gramatikën e gjuhës shqipe, Propaganda Fide, Romë 1716).

*   *   *

Populli grek nuk ka asnjë pikë gjaku të grekëve të vjetër – Falmerajer

Më 1855 u botua teza e doktoratës e studiuesit Nikokles në Universitetin e Hajdelbergut në të cilën, nga pozita antishkencore, ai përpiqet të argumentojë pikëpamjen mitike të ardhjes së shqiptarëve nga Albania e Kaukazit në periudhën e mesjetës. 

Punimi i Nikoklesit mori përgjigje shkencore në vitin 1857 nga historiani dhe helenisti apo bizantinisti i shquar austriak i mesit të shekullit XIX, Jakob Filip FALMERAJERI (Jakob Philipp Fallmerayer, 1790-1861), i cili tregoi karakterin antishkencor dhe fantastik të punimit në fjalë. Udhëtoi në vende të Lindjes, në Turqi, në Maqedoni si dhe në Greqi, ku u njoh me popullsinë arbëreshe. Në veprat e tij, për prejardhjen grekëve thotë: “Populli grek nuk ka asnjë pikë gjaku të grekëve të vjetër, është një përzierje shqiptarësh dhe sllavësh, në kulturën e tij popullore nuk ka asnjë gjurmë vazhdimësie të trashëgimit kulturor antik”. Kjo pikëpamje e bëri atë një nga figurat më të luftuar në Greqi. 

Ishte i pari që dëshmoi në mënyrë shkencore praninë e elementit shqiptar në Greqi.  Në veprën e tij në dy vëllime “Geschichte der Halbinsel Morea wahrend des Mittelalters” (Historia e Gadishullit të Moresë gjatë mesjetës, Munih 1830-1836) si dhe “Das albanesische Element in Griechenland” (Elementi shqiptar në Greqi, Munih 1857-1861) përshkruan situatën e studimeve rreth historisë dhe prejardhjes së shqiptarëve, duke na dhënë tablonë në të cilën duket qartë dominimi i pikëpamjes së autoktonisë mbi atë të aloktonisë, një dominim në nivel shkencor të argumentimit. Në to trajton edhe historinë e mërgimit dhe të përhapjes së gjerë të shqiptarëve në trevat greke. Historinë e shqiptarëve në trevat nga u nisën, në kuadrin e Perandorisë Bizantine dhe në ndeshjen e tyre me osmanët, e quan një “tragjedi historike”. 

Falmerajeri zbulon vitalitetin e lartë të popullit shqiptar, qëndresën e tij të jashtëzakonshme ndaj asimilimit kulturor dhe etnik dhe e konsideron popullin shqiptar si një shembull të gjallë të faktit që një popull luftarak është në gjendje të mbijetojë edhe përballë rrebesheve më të egra të historisë. Shqiptarët janë një popull ”fantastikisht liridashës” – thotë ky dijetar i madh. 

*   *   *

Kur më 1835 Uilliam Martin Lik nisi të botonte në Londër veprën e tij “Udhëtime në Greqinë e veriut”, në Frankfurt-mbi-Majn, doli nga shtypi libri i gjuhëtarit dhe albanologut bavarez Jozef Riter fon KSILANDER (Josef Ritter Xylander,1794-1854) “Die Sprache der Albanesen oder Schkipëtaren” (Gjuha e shqiptarëve, 1835), në të cilin duke u mbështetur në 3500 fjalë të shqipes solli argumente themelore në të mirë të prejardhjes së lashtë indoevropiane të saj, duke hedhur poshtë pikëpamjen për prejardhjen tatare ose kaukaziane të saj dhe duke u shprehur se shqipja është bijë e ilirishtes dhe shqiptarët – pasardhës të ilirëve. Ai argumentoi se shqipja nuk ka lindur nga ndonjë përzierje mekanike e gjuhëve romane.
Ksilanderi studimin e gjuhës shqipe arriti që ta vërë në nivelin e gjuhësisë krahasimtare bashkëkohore. Me Ksilanderin përfundon etapa e parë e studimeve gjermane mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Etnografi, natyralisti dhe udhëtari francez Ami BUE (Ami Boué, 1794-1881), gjatë udhëtimeve nëpër Ballkan, vizitoi edhe Shqipërisë. Veprat e tij me interes për Shqipërinë janë “La Turquie d’Europe” (Turqia evropiane, Paris 1840), në katër vëllime; dhe “Recueil d’itinéraires dans la Turquie d’Europe” (Përmbledhje udhëtimesh në Turqinë evropiane, Vjenë 1854) në dy vëllime. Megjithëse ka dhënë disa të vlerësime të diskutueshme, të dhënat e tij kanë vlerë historike njohëse. Në veprën gjeologjike “Esquisse géologique de la Turquie d’Europe” (Përshkrim gjeologjik i Turqisë evropiane, Paris 1840), ndër të tjera ka folur për vendburimin e serës së Selenicës, për ujërat termale të Dibrës e të Fushë-Krujës dhe për gjipsin e Vlorës.   

Një nga themeluesit e shkencës së albanologjisë, babai i albanologjisë Johan Georg fon HAN (Johann Gerge von Hahn, 1811-1869) ka qenë albanolog austriak me prejardhje gjermane, i lindur në Jenë. Gjatë udhëtimit në Shqipëri dhe Greqi, njohu shqiptarë dhe arbëreshë. Emërimi i tij si konsull i Austrisë në Janinë në vitin 1847, i dha atij mundësinë që t’i kushtojë thuajse tërë jetën e tij aktive si studiues i popullit shqiptar nga i cili ishin shkëputur arbëreshët në mesjetë. Hani është autor i veprës monumentale për historinë dhe botën shqiptare në përgjithësi “Albanesische Studien”(Studime shqiptare, Jena, 1954). Përpos veprës së sipërthënë, është autor edhe i veprave “Reise von Belgrad nach Saloniki” (Udhëtim nga Beogradi në Selanik, 1858) dhe “Reise durch die Gebiete des Drin und Vardar” (Udhëtim nëpër viset e Drinit dhe të Vardarit, 1867-1869). 

Vëllimet II e III të “Studimeve shqiptare” u kushtohen çështjeve të gjuhës. E shtroi shumë më gjerë se paraardhësit çështjen e prejardhjes së shqiptarëve dhe të shqipes. Shfrytëzoi burimet antike që flisnin për karakterin jogrek të ilirëve, të epirotëve dhe të maqedonasve. Duke ndjekur rrugën e H. Tunmanit shfrytëzoi edhe toponomastikën dhe shpjegoi përmes shqipes shumë toponime ilire. Hani arriti në përfundimin se shqipja është vijuese e drejtpërdrejtë e njërit prej dialekteve të vjetra të ilirishtes dhe u bë një mbrojtës i vendosur i tezës së autoktonisë së shqiptarëve në viset e tyre të sotme. Sipas Hanit, ilirishtja është gjë gjuhë pellazge në kuptimin e gjerë të fjalës. Sipas tij, ilirët ishin një nga degët themelore të popullsisë paleoballkanike, që qëndronte më vete përballë grekëve të vjetër. Mendimi i tij ishte në kundërshti me tezën e përhapur në shek.. XIX se “shqipja lidhej me greqishten si gjuhë motra, për shkak të prejardhje së përbashkët të shqiptarëve dhe grekëve prej pellazgëve”. Mendimi Hanit u shërbeu rilindësve shqiptarë të cilët kërkonin që shqiptarët të njihen si një popull më vete, me rrugë historike të veçantë.          

Në veprën “Studime shqiptare” Hani thotë: “Meqë shqiptarët nuk janë sllavë dhe nuk lidhen ngushtë me ndonjë nga popujt e tjerë që njohim, meqë burimet fare të pakta që kemi nuk flasin për ndonjë shtegtim tjetër (veç atij sllav), i cili të ishte aq i madh sa të krijonte një popull të madh, duhet pranuar se shqiptarët e sotëm janë banorët e hershëm parasllavë të atij vendi.” Më 1868 Hani boton në Vjenë veprën “Udhëtim nga Beogradi në Selanik”. Ai riformulon pikëpamjen e tij për autoktoninë e shqiptarëve. “Ne mund të pranojmë në mënyrë të padiskutueshme se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të ilirëve dhe të epirotëve të lashtë” (vepra e cituar, f. 228). Në këtë vepër ai përshkruan vise të banuara nga shqiptarë në Kosovë, Maqedoni e Serbi, njeh prejardhjen dardane të kosovarëve, njeh autoktoninë e shqiptarëve në trevat e banuara prej tyre në Maqedoni në shekullin e kaluar. Argumentimi i autoktonisë së shqiptarëve nga Hani ngjalli një reagim të menjëhershëm nga ana e kundërshtarëve të autoktonisë. 

Në veprën e dytë “Udhëtim nga Beogradi në Selanik” përshkruan trevat lindore të banuara prej shqiptarëve, në një kohë kur ende nuk kishte filluar shpërngulja e tyre nën trysninë e shtetit serb. Në veprën e tretë “Udhëtime nëpër viset e Drinit dhe të Vardarit” jep material të pasur dhe me vlerë për kushtet e jetesës të popullsisë së malësive, për institucionet juridike-shoqërore dhe për kulturën e saj.

Më 1864 botoi në gjermanisht dy vëllime me përralla greke dhe shqiptare “Griechische und Albanesische Märchen”. Pason vepra “Sagwissenschaftliche Studien” (Studime për gojëdhënat, Jenë 1872, 1876, në dy vëllime). U mor edhe me mitet dhe besimet popullore, me poezitë popullore, me gojëdhënat dhe me përrallat shqiptare. Në fushën e etnologjisë dha i pari një paraqitje të “Ligjit të Maleve”, Kanunit të Malësisë së Madhe. Vërejti “Kanunin e Dukagjinit” për viset veriore dhe “Kanunin e Skënderbeut” për Matin e Dibrën.   

Profesori slloven i Universitetit të Vjenës, akademik në Austri, Franc MIKLOSIÇ (Franz Miklosich, 1813-1891) ka qenë sllavist, ballkanolog dhe albanolog, Ka botuar edhe studime për gjuhën shqipe si “Albanische Forschungen” (Hulumtime shqiptare) I, II. Për shqipen ka shkruar edhe studime të tjera sidomos në “Die slavischen Elemente im Rumänischen” (Elementet sllave në rumanishte). Është autor i veprës “Vergleichende Grammatik der slavischen Sprachen” (Gramatika krahasuese e gjuhëve sllave) në katër vëllime (1852-1875); mbahet si themelues i sllavistikës moderne apo i filologjisë sllave. Ka përkrahur tezën e prejardhjes ilire të gjuhës shqipe.

*   *   *

Në vitin 1877 në Gjermani del studimi i parë antropologjik për shqiptarët dhe me të bashkë, fillon antropologjia e shqiptarëve. Udhëhapës në këtë degë të albanologjisë do të jetë një figurë e shquar e shkencës së shekullit XIX, patologu dhe antropologu Rudolf VIRHOV (Rudolf Ludwig Carl Virchov,1821-1902) i njohur si themeluesi i patologjisë qelizore. Ai botoi në Berlin punimin “Mbi kraniologjinë e ilirëve”. Shqiptarët, kafkat e të cilëve i pat studiuar, Virhovi i identifikon me ilirët. 

Në vitin 1861, arkeologu dhe natyralist francez Leon HËZEJ (Léon Heuzey, 1831-1922) vizitoi Shqipërinë për të studiuar terrenin ilir dhe maqedonas të përshkruar nga prijësi ushtarak romak, shkrimtar dhe burrë shteti Kaj Jul Cezar (Caius Julius Caesar, 100-44 para K.) në luftën me gjeneralin romak dhe burrin e shtetit, Pompeun (Gnaeus Pompeius Magnus, 106-48 para K.). U kushtoi vëmendje të veçantë qyteteve dhe monumenteve arkeologjike. Zbuloi i pari gërmadhat e Orikut dhe planimetrinë e parë të mureve rrethuese të Apolonisë. Kopjoi të gjitha mbishkrimet greke, latine e bizantine që ndeshi në këtë udhëtim dhe paraqiti në vizatime një tog pjesësh arkitektonike dhe skulpturash nga Apolonia dhe Durrësi. Monumentet më me vlerë historike e artistike, ndër to edhe mbishkrimin e fshatit Arapaj që bën fjalë për ujësjellësin e Dyrrahut (shekulli II) i nisi për në muzeun e Luvrit (Louvre). Bashkë me arkitektin Honore Dome (Pierre Jérôme Honoré Daumet, 1826-1911) botoi dy vëllime me titullin “Mission Archeologique de MacedoineI (Mision arkeologjik në Maqedoni, Paris 1867). Vepra tjetër “Les Operations militaires de Julius Cesar” (Veprimet ushtarake të Jul Cezarit, Paris 1886) në pjesën më të madhe zhvilluar në truallin ilir, ka edhe interes gjeografik e folklorik për gjendjen e trevave përkatëse në shekullin XIX.

*   *   *

Mesapët ishin një fis joitalik që në Italinë Jugore, në pjesën lindore të Gadishullit të  Apenineve, kishin emigruar nga Epiri dhe Iliria. Ata ishin një degëzim i trungut të popullit ilir. Për t’i deshifruar mbishkrimet mesape, dijetarët vendosën ta shfrytëzojnë shqipen. 

Nga mesi i shekullit XIX në historiografinë gjermane dhe atë botërore po ngrihej figura e njërit prej historianëve më të mëdhenj të kohëve moderne, Teodor MOMSEN-it (Theodor Mommsen, 1817-1903). Ky laureat i çmimit “Nobel” është autor i veprës voluminoze “Römisch Geschichte” (Historia e Romës, Lajpcig 1854-1856). Në punimin e vitit 1850 “Dialektet e Italisë së Jugut” ai arriti në përfundimin mbi lidhjet e mesapishtes me ilirishten dhe me shqipen. Në veprën madhore të tij “Historia e Romës”, epirotët e lashtë të prirë nga Pirua ai i mbiquan “shqiptarë të lashtësisë”. Jemi tani në kohën kur gramatikanët e rinj (Junggrammatiker) kishin formuluar ligjet e përgjithshme të evolucionit fonetik të gjuhëve.

Nga fundi i shekullit të XIX HELBIG-u zbuloi se emrat e njerëzve që hasen në mbishkrimet mesape në shumë raste janë thuajse të njëjtë me antroponimet ilire të bregdetit lindor të Adriatikut.

Studiuesi norvegjez Elseus Ssofus BUGE (Elseus Sophus Bugge, 1833-1907) në vitet ‘90 të shekullit XIX botoi punimin “Mesapishtja dhe shqipja“ ku ai, në evolucionin fonetik dhe në leksik, midis gjuhës së mesapëve të lashtë dhe shqipes së sotme zbulon një sërë përputhjesh.

Për shqipen ky moment arrin kulmin me botimin në vitin 1891 të “Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe“ nga albanologu austriak me prejardhje gjermane, një nga themeluesit e albanologjisë, grecist dhe turkolog, Gustav MAJER (Gustav Mejer, 1850-1900). Ka qenë profesor i gjuhësisë krahasuese indoevropiane në Universitetin e Gracit. Ndër të tjera, ka botuar veprën monumentale “Etymologisches Wortebuch der albanesischen Sprache” (Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe, Strasburg 1891) dhe gjashtë vëllime të serisë “Albanesische Studien”, I – VI, (Studime shqiptare, Vjenë 1883-1897). Në vëllimin III trajton temën Fonetika e pjesës indoevropiane të shqipes, që është e para fonetikë historike gjuhës shqipe. Në vëllimin V flet për të folmet shqipe në Greqi. Ka  botuar edhe “Kurzgefasste albanesische Grammatik” (Gramatikë e përmbledhur e shqipes, Lajpcig 1888), Vuri në dukje edhe praninë e një numri jo të vogël fjalësh shqipe në gjuhën greke. Falë punës së tij, faktet eshqipes zunë më shumë vend në gjuhësinë krahasuese indoevropiane. Majeri përcaktoi shkencërisht se gjuha shqipe vjen nga ilirishtja dhe se ajo zë një vend më vete në rrethin e gjuhëve indoevropiane.  

Historiani çek, profesor në Universitetin e Pragës, e më pas në Vjenë, Konstantin JIREÇEK (1854-1918) është autor i një vargu studimesh për vendet e Ballkanit, ndërmjet tyre disa edhe për Shqipërinë. Bashkë me L. Taloçin dhe M. Shuflajin botoi “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia” (Akte dhe diploma që ilustrojnë çështjet e Shqipërisë Mesjetare) vëll. I-II, Vjenë 1913-1916.

Gjuhëtari, ballkanologu dhe albanologu gjerman Gustav VAJGAND (Gustav Weigand, 1860-1930) është i njohur sidomos si studiues i gjuhës rumune. Hartoi atlasin e parë dialektor të rumanishtes*. U mor edhe me studimin e gjuhëve të tjera të Evropës Juglindore, sidomos me gjuhën shqipe dhe me bullgarishten. Dukuritë e përbashkëta të këtyre tri gjuhëve i lidhi me një substrat të përbashkët trak. Ishte përfaqësuesi kryesor i tezës se gjuha shqipe buron nga trakishtja. Këtë tezë e shtroi në artikullin: “A janë shqiptarët pasardhës të ilirëve apo të trakasve” të botuar në vitin 1927. Po atë vit, gjuhëtari Aleksandër Xhuvani (1880-1961) artikullin e përktheu në shqip dhe e botoi në revistën “Dituria”. G. Vajgandi ka botuar një gramatikë të gegërishtes jugore me titull “Albanesische Grammatik im südgegischen Dialekt” (Gramatike e shqipes së gegërishtes jugore, Lajpcig 1913). Kjo gramatikë mbështetet në materialet e të folmeve të Tiranës, të Durrësit dhe të Elbasanit. Përpos shpjegimeve gramatikore, libri përmban edhe ushtrime, copa leximi dhe përralla. Ka botuar edhe një fjalor shqip-gjermanisht dhe gjermanisht-shqip: “Albanesisch-Deutsches und Deutsch-Albanesisches Wörterbuch”, Lajpcig 1914.

Shënim: Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe është vepër sintetike themelore e dialektologjisë shqiptare që paraqet tiparet gjuhësore të dialekteve të gjuhës shqipe me metodën e gjeografisë gjuhësore dhe gjendjen e studimit të tyre. Vepra përfundoi së hartuari në vitin 1990 nga një grup dialektologësh të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të ASHSH, si: gjuhëtari e dialektologu Jorgji Gjinari (1931-2020) – drejtues shkencor; gjuhëtari Bahri Beci (1936); studiuesi i gjuhës dhe letërsisë shqipe Gjovalin Shkurtaj (1943), studiuesi e dialektologu Xheladin Gosturani (1942-2000). Bashkëpunuan: gjuhëtari Menella Totoni (1935) dhe gjuhëtari Anastas Dodi (Vlorë, 1933 – Filadelfia, 2008). A. Dodi është autor i veprës “Fonetika dhe fonologjia e gjuhës shqipe”, Tiranë 2004, botuar nga ASH. Vëllimi i parë i “Atlasit dialektologjik të gjuhës shqipe” u botua në vitin 2007 nga departamenti i studimeve të Evropës Lindore në Universitetin e Napolit (Universitä degli Studi di Napoli L’Orientale). 

*  *   *

Me shqipen është marrë filologu, neogramatikani dhe romanisti me prejardhje zvicerane Vilhelm MAJER-LYBKE (Vilhelm Meyer-Lübke, 1861-1936). Është autor i studimit të gjatë “Rumänisch, romanisch, abanesisch”. E ka ripunuar studimin e albanologut austriak Gustav Majerit (Mejer) “Die lateinischen Elemente im Albanesischen” (Elementet latine në shqip). Është autor i veprës madhore “Grammatik der Romanischen Sprachen” (Gramatikë e gjuhëve romane) etj. 

 Një nga themeluesit e arkeologjisë ilire është arkeologu dhe historiani austriak Karl PAÇ (Carl Patsch, 1865-1945). Prej viti 1921 ishte profesor në Universitetin e Vjenës dhe drejtor i Institutit Ballkanik po aty. Rrezen e interesave të tij shkencore e zgjeroi edhe mbi Shqipërinë. Arritjet e hulumtimeve të veta i përfshiu në librin “Das Sandschak Berat in Albanien” (Sanxhaku i Beratit në Shqipëri, Vjenë 1904). Në vitet 1922-1924 punoi në Shqipëri dhe ndihmoi një përpjekjet për ngritjen e një muzeu kombëtar. Botoi në shqip dy libra: “Ilirët” dhe “Gjendja ekonomike e kulturore e Shqipërisë në kohën e kalueme”, Tiranë 1923, 1925. Mendimi i tij, i shprehur në disa punime, për një nënshtresë trake në trevën e ardianëve e të dardanëve ilirë dhe për përbërjen etnike helene të qyteteve ilire Klos e Bylis, është rrëzuar nga studimet e mëvonshme.  

Për ilirishten dhe shqipen ka shkruar edhe gjuhëtari austriak me prejardhje gjermane, indoevropianisti dhe grecisti i njohur Paul KREÇMER (Paul Kretschmer, 1866-1956). Ka qenë një prej profesorëve të Eqrem Çabejit në Universitetin e Vjenës.   

  Ndihmesë të vyer për historinë e popullit shqiptar ka dhënë historiani rumun me prejardhje shqiptare Nikolla JORGA (Nicolae Iorga, 1871-1940). Në vitet 1915-1916 botoi në Bukuresht, në gjuhë të huaja disa vëllime me titull “Shënime dhe ekstrakte në shërbim të historisë së kryqëzatave të shekullit XV”. Aty jep një material të pasur dokumentar për luftërat kundërosmane të popullit shqiptar gjatë epokës së Gjergj Kastriotit. Në vitin 1915, në Bibliotekën Laurentiane të Firences zbuloi dokumentin e parë të gjuhës shqipe “Formula e pagëzimit” të vitit 1462, shkruar nga kryepeshkopi i Durrësit, bashkëpunëtor dhe këshilltari i Gjergj Kastriotit, Pal Engjëlli (rreth 1417-1470). Në vitin 1915 N. Jorga e botoi Formulën e pagëzimit. Në vitin 1919 botoi veprën “Brève histoire de l’Albanie et du peuple albanaise”), (Histori e shkurtër e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar”, Bukuresht 1919). Më pas botoi veprën “Histori e shteteve të Ballkanit deri më 1924”, Paris 1925) ku çështje të historisë së Shqipërisë zënë një vend të dukshëm. Jorga u vra nga forcat fashiste rumune Garda e Hekurt.

Në fillim të shekullit XX pasuan studime të tjera për shqiptarët, si ato të studiuesit italian Françesko RIBEKO (Francesco Ribezzo, 1875-1952). 

  Gjuhëtari dhe albanologu i shquar austriak me prejardhje çifute Norbert JOKL (Norbert Jokl, 1877-1942) lindi në Bzenec të Moravisë. Më 1907 filloi ta mësonte shqipen si autodidakt. Si kryebibliotekist në Universitetin e Vjenës dha njëkohësisht mësim si pedagog i jashtëm për shqipen, për gjuhët baltike etj. U zhduk nga nazistët më 1942. Më 1972, me rastin e 30-vjetorit të vdekjes së tij, në Insbruk të Austrisë u organizua një konferencë ndërkombëtare. Në të morën pjesë edhe gjuhëtarë shqiptarë. Tërë jetën e vet ia kushtoi studimit të gjuhës shqipe. Punoi në fushën e etimologjisë dhe të fjalëformimit historik, të marrëdhënieve të shqipes me gjuhët e tjera, për fonetikën dhe morfologjinë historike të saj. Si vëllime më vete arriti të botonte vetëm “Studien zur albanesischen Etymologie und Wortbildung”, Vjenë 1911 (Studime për etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes) dhe “Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen”, Berlin-Lajpcig, 1923 (Gjurmë gjuhësore e historike-kulturore nga lëmi i shqipes). Për shqipen ka edhe studime të tjera. I çoi përpara gjurmimet etimologjike shqiptare, hodhi dritë mbi prejardhjen e shumë fjalëve të shqipes, duke provuar burimin vendës të mjaft elementeve të mbajtura si huazime. 

Mbajti rubrikën e bibliografisë për gjuhën shqipe në organin vjetor ndërkombëtar “Indogermanisches Jahrbuch” (1916-1940), ku paraqiti sistematikisht të gjitha botimet albanologjike të atyre viteve.  

Më 1937, me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, vizitoi Shqipërinë. Hulumtoi problemin e burimit të shqipes. I shqyrtoi marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e lashta jogreke të Ballkanit, me ilirishten dhe trakishten. Shtjelloi tezën e tij të prejardhjes së shqipes, duke bërë një sintezë të tezave ilire dhe trake. Mbrojti autoktoninë e shqiptarëve, po duke e vendosur djepin e parë të tyre në Dardaninë e lashtë, Kosova e sotme.

Gjuhëtari dhe albanologu austriak Maksimilian LAMBERC (Maximilian Lambertz, 1882-1963) studioi dialektet arbëreshe,  ndarjen dialektore të shqipes, folklorin. Gjatë Luftës I Botërore bëri një udhëtim studimi në Shqipëri, mblodhi lëndë folklorike e dialektore dhe mori pjesë në punën e Komisisë Letrare Shqipe*. Ka botuar disa vepra për folklorin. Studime themelore të tij janë “Die Volkspoesie der albaner” (Poezia popullore shqiptare, Sarajevë 1917), “Albanische Märchen und andere Texte zur albanischen Volkskunde” (Përralla shqiptare dhe tekste të tjera nga folklori shqiptar, Vjenë 1922), “Shqipëria rrëfen”, (1956), studimin për ciklin shqiptar të kreshnikëve “Epika popullore shqiptare”, (1958). Pas vdekjes u botua punimi “Mitologjia shqiptare” (1969). Më 1914, në fushën e sintaksës, botoi një monografi për periudhën hipotetike të shqipes. Pas Luftës II Botërore u vendos në RD Gjermane. Botoi “Fjalor shqip-gjermanisht” (1954), “Antologji shqipe” (1955), “Gramatikë” (1959). Shkroi artikuj dhe recensione për botime gjuhësore dhe letrare shqipe. Përktheu në gjermanisht dhe botoi poemën “Lahuta e malcís” të Gjergj Fishtës (1871-1940), si dhe dramën “Toka jonë” të Kolë Jakovës, 1916-2002).           

   Shënim: Komisia Letrare Shqipe (1916-1918) është komision gjuhëtarësh e shkrimtarësh që u ngrit në Shkodër më 1916 pranë Drejtorisë së Arsimit me nismën e një grupi intelektualësh shqiptarë dhe me mbështetjen e konsullit të përgjithshëm të Austro-Hungarisë e të Komandës ushtarake austriake në Shkodër, për të zgjidhur probleme të arsimit dhe gjuhës letrare pas Kongresit të Manastirit (1908). Në të morën pjesë Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Hil Mosi, Sotir Peci, Mati Logoreci, Gjergj Pekmezi, Aleksandër Xhuvani, Ndre Mjeda, Ambroz Marlaskaj, Ndue Paluca, Hafiz Ali Korça, Vinçenc Prennushi, Luigj Naraçi, Josif Haxhimima të cilët e vunë punën e KLSh në shërbim të çështjes kombëtare. Kryetar u caktua Gjergj Pekmezi. 

*   *   *

Studiuesi i historisë së gjuhës shqipe Henrik BARIQ (Henrik Barić, Dubrovnik, 1888 – Beograd, 1957) ka qenë gjuhëtar kroat, ballkanolog dhe albanolog. Në vitin 1906 i filloi studimet në Grac dhe në Vjenë. Studioi gjuhësinë e përgjithshme, gramatikën krahasuese, romanistikën dhe sllavistikën. Disertacionin e doktoratës e mbrojti në Vjenë. Më 1920, docent, më 1923 profesor inordinar, ndërsa më 1930, profesor ordinar në Universitetin e Beogradit. Pas Luftës II Botërore, profesor ordinar edhe në Universitetin e Sarajevës. Në vitet 1923-1926 botoi revistën “Arhiv za arbanasku starinu, jezik i etnologiju“ (Arkivi i lashtësisë, i gjuhës dhe i etnologjisë shqiptare). Është autor i veprave: „Älbanorumänische Studien I“ (Studime rumune-shqiptare, Sarajevë 1919), „Ilirske jezične studije I“ (Studime gjuhësore ilire I, Zagreb 1948), „Poreklo Arbanasa u svetlu jezika“ (Prejardhja e shqiptarëve në dritën e gjuhës, Sarajevë 1954), „Hymje në historinë e gjuhës shqipe“ (Prishtinë 1955), botuar në Sarajevë më 1959 edhe serbisht-kroatisht. Ka botuar edhe një varg artikujsh. Ndërmori një fjalor serokroatisht-shqip nga i cili u botua vetëm pjesa e parë „Rečnik srpskoga ili hrvatskoga i arbanaškoga jezika“, Zagreb 1950. Në shqyrtimet etimologjike të tij, H. Bariqi e shtoi fondin e njohur indoevropian të shqipes dhe trajtoi disa dukuri të fonetikës historike të saj. Trajtoi përkimet gjuhësore ndërmjet shqipes dhe rumanishtes dhe mbështeti tezën trake të prejardhjes së gjuhës shqipe.

Në vitet ‘30 të shekullit XX pasuan studimet e gjuhëtarit gjerman Albreht fon BLUMENTAL (Albrecht von Blumenthal, 1889-1945), kurse në vitet ‘60 të atij shekulli – studimet e O. HAS-it. 

 Historiani kroat Millan SHUFLAJ (Milan Šufflay, 1897-1931) është studiues i historisë mesjetare shqiptare. Pas një udhëtimi në Shqipëri u vra barbarisht nga policia jugosllave. Bashkë me historianin hungarez Ludovik Taloçi (Lajos ose Ludwig Thalloczy, 1854/56-1916) dhe historianin çek Konstantin Jireçek (1854-1918) botoi më 1913 dhe 1918 vëll. I e II të përmbledhjes “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia” (Akte dhe diploma që ilustrojnë çështje të Shqipërisë mesjetare, vëll. I-II, Vjenë 1913-1916). Me bashkautorët e mësipërm botoi përmbledhjen me studime “Illyrisch-Albanische Forschungen” (Studime iliro-shqiptare, I-II, Lajpcig 1916). Më 1924 u botua nga Akademia e Shkencave e Vjenës vepra “Städte und Bürgen Albaniens hauptsächlich während des Mittelalters” (Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë kryesisht gjatë Mesjetës). Pasojnë punimet “Povijest sjevrnih Arbanasa” (Historia e shqiptarëve të Veriut) dhe “Srbi i Arbanasi” (Serbët dhe shqiptarët). Më 1920, me pseudonimin Alba Limi, botoi romanin historik me temë shqiptare Konstantin Balsha”. Historia e shqiptarëve është për të, histori e një entiteti etnokulturor të dalluar, me rrënjë të lashta autoktone dhe vazhdimësi të pandërprerë, me aftësi të madhe rigjenerimi. Ajo përfaqëson thelbin autentik të historisë së Ballkanit të lashtë.

Gjuhëtari gjerman, indoevropianist Hans KRAHE (1898-1965) u mor me zbërthimin e venetishtes dhe të ilirishtes, e në mënyrë të veçantë me problemin e gjuhës në kohën parahistorike, kryesisht në bazë të emrave të lashtë të ujërave (hidronimisë). Studioi emrat ilirë të vendeve dhe të njerëzve. Është autor i veprave “Die alten balkanillyrischen geographischen Namen” (Emrat e vjetër gjeografikë të ilirishtes ballkanike, Hajdelberg 1925); “Lexikon altillyrischer Personennamen “ (Fjalor i emrave të vjetër vetjakë ilirë, Hajdelberg 1929); “Die Sprache der Illyrier” (Gjuha e ilirëve, Visbaden 1955). I ndikuar edhe nga teza e “panilirizmit”, e përhapur që nga fundi i shek.. XIX, ai besonte se kishte gjetur mbetje të ilirishtes në të gjithë Evropën, duke arritur në përfundim se këto ishin gjurmë të përhapjes së dikurshme të ilirëve. Ky koncept sot quhet i tejkaluar. Vetë H. Krahe e pati rishikuar këtë tezë në studimin “Vom Illyrischen zum Alteuropäischen” (Nga ilirishtja në evropianishten e vjetër) të vitit 1964. Në të, emrat e diskutueshëm të vendeve ia atribuon një substrati të vjetër indoevropian të përbashkët

Me shqiptarët është marrë edhe historiani, bizantologu gjerman Georg SHTATMYLER (Georg Stadtmüller, 1901-1985). Lidhur me atdheun fillestar të shqiptarëve, ndër studiuesit evropianë ka pasur teza të ndryshme, si: atdheu i parë i shqiptarëve janë brigjet e Jonit dhe të Adriatikut, trekëndëshi Scupi – Astibo –Naissus (Shkupi – Shtipi – Nishi), malet e Shqipërisë, në mënyrë të veçantë të Shqipërisë së veriore etj. Shtatmyleri i vendos shqiptarët në fillim në rrethin e Matit.      

Gjuhëtari italian Karlo TALJAVINI (Carlo Tagliavini, 1903-1982) ishte romanist, ballkanolog e albanolog. Profesor në Universitetin e Padovës, ku mbajti vite me radhë ligjërata për gjuhën e për letërsinë shqipe. Botoi studime dhe artikuj për çështje të dialektologjisë, të leksikologjisë historike, të historisë së gjuhës shqipe dhe të gjuhësisë shqiptare. Prej vitit 1941 mbajti për disa vjet rubrikën bibliografike për albanologjinë dhe ballkanistikën në organin “Indogermanisches Jahrbuch”. Në veprën “L’albanese di Dalmazia” (Shqipja e Dalmacisë, Firence 1937) flet për të folmen shqipe të Borgo Ericos (Arbëneshit) të afër Zarës. Në punimin “Stratificazzione del lessico albanese. Elementi indoeuropei” (Shtresëzimi i leksikut të shqipes. Elementet indoevropiane, Bolonjë 1965) ka dhënë ndihmesë për studimet etimologjike në fushë të shqipes. Hartoi monografinë dialektologjike “Le parlate albanesi di tipo Ghego orientale (Dardania e Macedonia nordocidentale)” (Të folmet shqipe të tipit të gegërishtes lindore. Dardania dhe Maqedonia veriperëndimore, Romë 1942) në të cilën dha edhe disa tipare të të folmeve të Kosovës e të Maqedonisë. Në vëllimin “Stratificazzione del lesicco albanese” (1943, 1965) u botua një pjesë e kursit për gjuhën shqipe të mbajtur prej tij.       

Gjuhëtari rumun, ballkanolog dhe albanolog Haralamb MIHËESKU (Haralambie Mihaescu, 1907-1985) për gjuhën shqipe flet në veprën “Les elements latins de la langue albanaise” (Elementet latine të gjuhës shqipe, 1966). Ka sjellë ndihmesa në kritikën shkencore me recensionet për vepra rreth gjuhës shqipe. Ka marrë pjesë në veprimtari shkencore albanologjike. Ka sjellë argumente për prejardhjen ilire të gjuhës shqipe dhe autoktoninë e hershme të popullit shqiptar në trevat e tij të sotme.     

Gjuhëtari bullgar, indoevropianist, ballkanolog dhe albanolog Vladimir GEORGIEV (Vladimir Georgiev, 1908-1986) studioi në Sofje filologjinë klasike. Në vitet 1932-1934 kreu një specializim në Vjenë. U mor me probleme të gjuhëve ballkanike, të gjuhësisë indoevropiane dhe të gjuhëve sllave. Në kuadër të studimeve ballkanologjike trajtoi gjendjen gjuhësore të Ballkanit në lashtësi, probleme të etnogjenezës së popujve të Ballkanit sipas të dhënave gjuhësore, lidhjet ndërmjet popujve të lashtë të këtij gadishulli – ilirëve, trakasve dhe grekëve, probleme të substratit ballkanik dhe të lidhjes gjuhësore ballkanike. Mbrojti tezën se në pjesën lindore të këtij gadishulli banonin trakasit në jug dhe dakogetët në veri. Gjuhën shqipe, për nga burimi, e mendonte të afërt me dakomizishten. Është autor i disa veprave studimore. Midis tyre edhe vepra “Introduction to the History of the Indo-European Languages” (Hyrje në historinë e gjuhëve indoevropiane, Sofje 1981). Tregoi interesim për gjuhët e vdekura, si pellazgjishtja, hetitishtja, etruskishtja. 

Në vitin 1963 u themelua Shoqata Ndërkombëtare e Studimeve për Evropën Juglindore (Association Internationale d’Études du Sud-Est Européen – AIESEE). Sekretariati i Përgjithshëm e ka selinë në Bukuresht. V. Georgiev u zgjodh kryetar i parë i saj.

Gjuhëtari dhe albanologu francez Anri BUASËN (Henri Boissin, 1910-1975) diplomoi për anglishten, për disa gjuhë ballkanike, fino-ugrike dhe më 1949 edhe për shqipen. Me kursin e tij “Hyrje në albanologji” (1949) mund të merret si themelues i mësimit të shqipes në Francë. Degën e shqipes e drejtoi deri në vitin 1968. Me disertacionin “Le dialect guégue parlé à Arbanasi en Dalmatie” (Dialekti gegë që flitet tek arbanasit në Dalmaci) solli ndihmesë të re në studimet dialektore. Vepra kryesore e tij është “Grammaire de l’albanais moderne” (Gramatikë e shqipes së sotme, Paris 1975). Për shqipen dhe letërsinë shqipe ka shkruar një varg artikujsh. Më 1962, mori pjesë në Konferencën e Parë të Studimeve Albanologjike të mbajtur në Tiranë.          

Gjuhëtarja dhe albanologia ruse Agnia Vasilevna DESNICKAJA (1912-1992) studioi për filologji gjermane në Leningrad. Në vitet 1976-1988 drejtoi sektorin e studimeve krahasuese-historike të gjuhëve indoevropiane dhe të gjuhësisë areale. Aty u shfaq interesimi për ballkanistikën, e posaçërisht për gjuhën shqipe. Në vitin 1957, në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Leningradit, themeloi degën e gjuhës e të letërsisë shqipe të cilën e drejtoi deri në vitin 1992. Në vitin 1946 vizitoi Shqipërinë. Më 1957 përsëri vjen në Shqipëri, por tani për qëllime studimi. Po këtë vit nisi botimi i punimeve të saj kushtuar gjuhës dhe letërsisë shqipe. Mori pjesë disa herë në veprimtaritë shkencore të mbajtura në Prishtinë në vitet 1974-1986. Në vitin 1990 mori pjesë në kolokuiumin e mbajtur në Tiranë, kushtuar Naim Frashërit. 

A. Desnickaja u mor me një varg fushash të studimeve shqiptare: me historinë e gjuhës, dialektologjinë, huazimet leksikore, strukturën morfologjike, gjuhën letrare dhe gjuhën e folklorit, me lidhjet ballkanike të shqipes, letërsinë shqipe dhe epikën. I përmbahej mendimit për prejardhjen ilire të shqipes. I dha rëndësi rindërtimit të brendshëm të gjendjes së shqipes së vjetër dhe integrimit në indoevropianistikë të këtij vështrimi me të dhëna të reja rreth shqipes. Ka treguar disa tipare të përbashkëta të shqipes me gjuhët gjermane. Është autore e veprës “Albanskyj jazyk i ego dialekty” (Gjuha shqipe dhe dialektet e saj, Prishtinë 1972) dhe e përmbledhjes “Letërsia shqipe dhe gjuha shqipe” (1987). Paraqiti një tezë origjinale për eposin shqiptar, duke pohuar se ai u formua në etapën e fundit të rendit fisnor, por më vonë mori mbishtresa të reja. Në veprën “Istoria vsemirnoj literatury” (Historia e letërsisë botërore). Në këtë vepër me shumë vëllime, letërsinë shqipe e përfshiu me tre krerë, Moskë, vëll. 5, 1988; vëll. 6, 1989; vëll. 7, 1991.

Gjuhëtari amerikan Erik Pret HEMP (Eric Pratt Hamp, 1920/21-2019) është një nga indoevropianistët e sotm më në zë. Është edhe albanolog. Anëtar i jashtëm i ASHSH dhe i ASHK. Është marrë edhe me studimin e shqipes. Ka shkruar një varg artikujsh për etimologjinë e një numri fjalësh të shqipes, për fonetikën historike, për numërorët e shqipes, për vendin e shqipes në familjen e gjuhëve indoevropiane, për marrëdhëniet e shqipes me mesapishten, për tiparet ballkanike të shqipes, për të folmen shqipe të arbëreshëve dhe të arvanitasve. Është autor i studimeve “On the Arvanitika dialects of Attica and Megarit” (Të folmet arvanitase të Atikës dhe të Megaridës, 1961); “The Albanian dialect of Mandres” (E folmja shqipe e Mandrës,1965); “Il sistema fonologico della parlata di Vaccarizzo Albanese” (Sistemi fonologjik i së folmes së Vakaricit, Kozencë-Rende, 1993). Është autor i studimeve “The position of Albanian” (Vendi i shqipes) botuar më 1966 në “Ancient Indo-European dialcts”; “Albanian” (Shqipja) botuar më 1972 në “Current Trends in Linguistics”, vëll. 9.       

 Gjuhëtari kroat Radoslav KATIÇIQ (Radoslav Katičić, Zagreb, 1930 – Vjenë, 2019) është studiues i filologjisë klasike, indoevropianist, sllavist, ballkanolog dhe indolog. Prej vitit 1977 profesor i filologjisë sllave në Universitetin e Vjenës. Në fushën e ballkanologjisë ka shkruar veprën “Ancient Balkan Languages” (Gjuhët e lashta të Ballkanit, 1976), në dy vëllime. Në të, me argumente historiko-gjuhësore dhe onomastike shtjellon tezën e prejardhjes ilire të shqipes. Hapësirën onomastike ilire në lashtësi e ndante në tri zona të mëdha: liburne, panone dhe ilire e mirëfilltë (Illyrii proprie dicti). Është edhe autor i një libri për mitologjinë ilire.   

Me gjuhën shqipe është merrë edhe indoevropianisti amerikan Martin Eduard HULD (Martin Edward Huld, (1950- ), autor “Basic Albanian etymologies” (Etimologjitë themelore të shqipe, 1984, 213 f.).       

*   *   *

Historia dhe gjuha e ilirëve u njoh me një konsensus të kënaqshëm ndërkombëtar si histori dhe gjuhë e paraardhësve të shqiptarëve. Kërkimet në këtë fushë, duke nisur nga fillimi i shekullit XX, formojnë një fushë të veçantë të dijes, të njohur si ilirologji. Prejardhja ilire e shqipes dhe e shqiptarëve si dhe autoktonia e tyre në të gjitha hapësirat shqiptare të Gadishullit Ballkanik, sot është pranuar pothuajse në të gjitha qarqet shkencore të Evropës dhe më gjerë. Prejardhja ilire e shqipes dhe e shqiptarëve përbën ndërgjegje kombëtare për kombin shqiptar.  

LETËRSIA GOJORE SHQIPTARE DHE STUDIUESIT E HUAJ – Përmbledhja më e hershme e letërsisë gojore shqiptare u botua në Gjermani nga Johan georg fon Han në trevëllimshin “Albanesische Studien” (Studime shqiptare, Jenë 1854). Mjeku gjerman Karl Hajnrih Teodor Rajnholt (Karl Heinrich Theodor Reinhold, 1810-1880) shërbeu në flotën greke kur u njoh me folklorin shqiptar nga detarët shqiptarë. Në librin “Noctes Pelasgicae” (Net pellazge, Athinë 1855) botoi një përmbledhje me këngë popullore, rrëfenja dhe fjalë të urta shqiptare, bashkë me një gramatikë të shqipes. Folkloristi italian Xhuzepe Pitre (Guiseppe Pitrè, 1841-1916) në librin “Fiabe, novelle e racconti popolari siciliani” (Përralla, tregime e rrëfenja popullore siciliane, Palermo 1875, katër vëllime) botoi një përmbledhje përrallash popullore nga Sicilia. Konsulli francez Ogyst Dozon (Auguste Dozon, 1822-1891) që e kishte selinë në Janinë e Selanik, botoi përralla dhe këngë popullore shqiptare në librin “Manuel de la langue chkipe au albanaise” (Doracak i gjuhës shqipe ose albaneze, Paris 1879). Pas dy vjetëve botoi librin “Contes albanais, recueillis et traduits” (Rrëfenja shqiptare, të mbledhura e të përkthyera, Paris 1881). Gjuhëtari çek Jan Urban Jarnik (1848-1923) botoi materiale folklorike shqiptare, ndërto një poezi, dy përralla popullore dhe 53 fjalë të urta nga krahina e Shkodrës në librin “Prispevky ku poznani nareci albanskych” (Ndihmesë për njohjen e dialekteve të shqipes, Pragë 1883). Albanologu austriak Gustav Majeri (Gustav Meyer, 1850-1900) botoi 14 rrëfenja shqiptare në “Albanische Märchen” (Rrëfenja shqiptare, Lajpcig 1884) si dhe një numër rrëfenjash toske si shtojcë e gramatikës së ti shqipes “Kurzgefaßte albanesische Grammatik mit Lesetücken und Glossar” (Gramatikë e shkurtër e shqipes me tekste e fjalor, Lajpcig 1888). Material folklorik botoi edhe në vëllimet V e VI të “Albanesische Studien” të tij (Studime shqiptare, Vjenë 1896-1897). Indoevropianisti danez Holger Pedersen (1867-1954), më 1893 vizitoi Shqipërinë, për të mësuar gjuhën dhe për të mbledhur material gjuhësor. Përmbledhja me 35 përralla popullore shqiptare që i regjistroi në Shqipëri dhe në Korfuz, u botua në librin “Albanesische Texte mit Glossar” (Tekste shqipe me fjalor, Lajpcig 1895).              

Xhelal Zejneli

Filed Under: Histori

Spaçi, mishërimi i dhimbjes…

June 3, 2025 by s p

Dr. Gelanda Shkurtaj/

Ndër shumë probleme e ndër më të vëshirët për tu përballur me të shkuarën, Shqipëria ka pasur dhe vijon të ketë historinë: ajo shkruhet e përdoret sipas ideologjisë (në të keqen më të vogël…), edhe kur të vërtetat janë aty dhe ulërijnë hakmarrje. Muzeumet janë magjikë, sepse mbledhin brenda vetes, dekada historie në pak minuta dhe vetëm në një dhomë. Tek një mur i krisur janë kanalet e duarve që bien pashpresë nga trupat tërhequr zvarrë. Tek një kthinë ruhen heshtur oshëtimat e britmave nga torturat e diku në një sarkofag bosh hiri i shpresave të djegura pa lindur ende’. Jashtë kampeve me gjemba eshtrat e pavarrosura nuk gjenden më. Asnjë varr nuk merituan.

Spaçi, mishërimi i dhimbjes dhe muzeu i paturpësisë shqiptare, duhet të ngelet në memorien tonë për të na kujtuar se ndërgjegja njerëzore mund të prek edhe fundin tek quan elitën tradhëtare dhe vrasësit baballarë, kur lopët mileshin nga shtetarët e shteti drejtohej nga mjelëset. Kur mëkatet, fjalë dhe dije, mjaftuan për të zhdukur në një çast tri breza. Tragji-komedia shqiptare, ende’ e pathënë nga historia, duket se po mbyllet, me fitimitarë moral dhunuesit dhe jo viktimat. Por, historia jallane siç është, përsëritet me cikle, ndaj “Odisea” duket se ndodhi dje dhe Demokleu shpatën e ka mu aty mbi kokë. Hitleri i urryer për holokaustin hebre’ është kthyer në hero për holokastin palestinez.

Njëherë në Amerikë, një militant Hoxhist, që gëzonte pensionin e “imperialistëve Amerikanë” pa e ngrënë turpin me bukë, tha se vrasjet në komunizëm bëheshin se i kërkonte Kushtetuta (hahahah). Sigurisht pyetjen se kush e bëri Kushtetutën nuk e përtypi dot, ndaj dhe nuk u përgjigj. Historia e vrasjeve në komunizëm dhe dënimi i së shkuarës, përtej një falje të merituar për të persekutarit, të ishte së paku një ndarje me historinë që mund të kthehet. Nëse historinë nuk duan ta respektojnë si muze’ të së vërtetës, të paktën ta skalitin si kujtesë ndaj frikës, të mos ri-përsëritet. E deri atëherë ndofta shumë gjëra mund të kenë rrjedhur, përveç karmës që pret me shumë durim.

Filed Under: Histori

Sami Frashëri, 1 qershor 1850 – 18 qershor 1904

June 1, 2025 by s p

Instituti “Lumo Skendo”/

Ideologu kryesor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, dijetar enciklopedist, gjuhëtar, shkrimtar dhe publicist. Lindi në Frashër të Përmetit më 1 qershor. Ai kreu gjimnazin “Zosimea”, së bashku me Naimin. Më 1872 u vendos në Stamboll. Ishte një ndër organizatorët kryesor të Komitetit Qëndror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe me themelimin e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip (1879) u zgjodh kryetar i saj. Vepra “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë”, u bë manifesti i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Kjo vepër sintetizoi programin e lëvizjes, strategjinë dhe taktikën e saj. Në të u shprehën idetë demokratike të Sami Frashërit për zhvillimin politik e shoqëror të vendit, për zhvillimin e arsimit, të kulturës e të shkencës. Për veprimtarinë e tij në të mirë të lëvizjes kombëtare shqiptare Porta e Lartë e izoloi Sami Frashërin, duke e ndaluar vitet e fundit të dilte lirisht nga shtëpia. Vdiq më 18 qershor në Stamboll.

Një kujtim i Mid’hat Frashërit për Sami Frashërin

N’Eren- Qoj, një nga fshatrat e bukur të Stambollit nga an’ e Ysqydarit, është një udh’ e gjërë afër stacionit të vijës së hekurt, një udhë që vete nga deti e gjer në Merdiven – Qoj. Cop’ e kësaj udhe q’është m’anë të poshtme të fshatit, është anosur me dy rradhë repë të mëdhenj që hedhin një hije të hollë mbi pluhurin e trashë që mbulon rrugën në verë dhe mbi baltën ngjitëse në dimër.

Duke ardhur nga deti dhe duke ngjitur drejt veriut, udha ka një vajsimë të lehtë; më të dy anët shtëpi të bukura, brënda në kopësht dhe në vreshtë, mbajnë ndënjësit e fatshëm të kryeqytetit një gjindje që do dhe kërkon zbavitjen dhe që nuk le t’i shkojë as ndonjë rasje për t’i dhënë udhë dëfrimit.

Kjo udhë, si shkon rajet e hekurtë, zgjatet, prapë ashtu e gjërë, po drurët e anës ç’duken dhe shtëpitë bëhen më të rralla; ca më tutje, duke kthyer pak më të mëngjër, kryqëzohet me një udhë tjetër që vjen nga Koz – Gataku e vete në Gjoz – Tepe. Këtu vendi formon një shesh të lartë; ca më tej, tek kryqëzohen udhët duket xhamia e Sahrai – Xhedit; më tutje duken ca varre, varre të vjetër e të rinj, që gjithë tok kanë bërë një katër kindje të gjatë.

Nga ky vënt ka një pamje të bukur mbi Çamllixhe-në. Nga veriu, përmbi dhe parapa Merdiven-Qojit, unjen piqinjt’ e gjelbër të bregut kaq të hijshëm dhe të dëgjuar të Çamllixhe-së. Sadoqë shumë herë kam mbetur i çuditur përpara kësaj bukurie t’atij piqiri të veshur në bar e në drurë dhe stolisur me shtëpi të hijshme, gjithnjë kam gjetur një shije të re n’atë pamje. Po tani mëndja jonë s’ka prehjen e duhur për të ndjerë shijen e kësaj bukurije.

– Këtu, në këta varre, – i them shokut që kam pranë, – kemi dy shqiptarë: Tahsim Hoxha dhe Sami beu. Të parit, për fat të keq nuk dimë ku i dergjen eshtrat, sa për të dytin, ky çip dhé ja mban të mbeturat e vdirshme, nën këtë pirg balte fle gjumin e përjetshëm

Një grusht dhé mbulon një njeri të gjallë, plot vullnet, tërë shpresë dhe dëshirë; një pushim i thellë tani ka zënë vendin e asaj mëndjeje gjithnjë në lëvrim dhe në punë. Rrojti një herë dhe tani më s’është!

Më kujtohet gjithnjë një vjershë në persisht që këndonte Sami beu me një zë të mallëngjyer:

Der gurbet egjër myrq bigjired damen-i men

Aja qi qyned kabr qi duzed qefen-i men

Tabut-i-mera der xhoj-i bylend pyzarid

Ta bad byred buj mera der vatan-i men.

Shumë herë këtë vjershë e pasonte një psherëtimë që Sami beu pothua se e kish për vete të tij, aqë një përshtypje të madhe dhe të veçantë bënte.

Si sot po e shoh: Sami beu, kur shkruante e kish zakon që rrinte këmbë-kryq mbi një shilte të unjët; përpara mbante një fron t’unjët ku ishin rradhitur të hapura librat; libra dhe harta të hapura kish më të dy anët, më të mëngjër më të djathtë. Shkuante kurdoherë me një rregull dhe me një durim të çudiçmë, duke u ngjitur fort herët në mëngjes.

Nganjëherë, në mes të shkrimit ngrinte kokën nga karta që mbante në dorë, se zakon’ e kish të shkruante pa pshtetur kartën gjëkund dhe shkruante pastër, me një shkrim të bukur, pa fare prishje dhe ndreqje ; ahere syt’ e zes që i jepnin aqë bukuri fytyrës, i ngrinte, psherëtinte dhe një vjershë dilte nga goja me një zë t’unjët; veç kësaj vjershe persisht, shpesh thosh dhe të tjera persisht e arabisht.

Po ish dhe një tjetër vjershë frengjisht për të cilën kish një dashje të posaçme; dy vjersha të Viktor Hygoit:

Pourquoi devant mes yeux revenez-vous sans cesse

O jours de mon enfance et de mon allegresse?

Ç’ishin hidhërimet dhe shpresat e djalërisë që kujtonte Sami beu? Në ç’shpresa, në ç’projekte pritmi, në ç’ëndërrime të djalërisë kthente sytë dhe shikonte? Ç’ishin këto shpresa që s’ishin mbaruar, që kishin pritur më kot?

Kot kemi bërë shumë herë këto pyetje me vete tonë! Po Sami beu s’i kish të shuma fjalët. Atë që di është se çfarë do që të kenë qënë shpresat, ëndërrimet dhe hidhërimet e tij, ay ish gjithnjë plot durim dhe kurrë s’e njohu dëshpërimin.

Prapë ja shoh të dy syt’ e zez plot mendime dhe ëmbëlsi, të shkëlqyeshëm ballët e zbuluar; me të rrallë i dilte ndonjë fjalë hidhërimi nga goja, një psherëtimë e hollë; ahere pandehnja se dëshpërimi ja shtrëngonte zemrën, po kjo pahndehje shuhej shpejt duke parë durimin me të cilin punonte, shpresat dhe projektet që bënte… Ahere thoshnja dhe më dukej se kurrë ndonjëherë dëshprimin nuk ia njohu zemra dhe mendja. Edhe kështu vajti gjer në orë të fundit.

Nga një njeri plot mëndje dhe punë, tani ky pirg i vogël ka mbetur!

Stamboll, 7 gusht 1910

Filed Under: Histori

Nga Alessandro Serra – një shkrim dhe…fotoja e fundit e Fishtës?

June 1, 2025 by s p

Frano Kulli/

Studiuesi arbëresh Alessandro Serra (Spezzano Albanese 1912 – Romë 2000), na ka lënë të skicuar njërin prej portreteve më të bukur letrar të Fishtës. Me mjeshtri të përkorë e me një rrespekt e vlerësim dehës përshkruan një episod të pjekjes së tij me “Poetin e madh shqiptar”- cilësor me të cilin ai e titullon shkrimin e tij. Zjarrmia e dëshirës për ta njohur Poetin i vjen, sikurse ai e kumton, mbasi kishte lexuar kryeveprën e tij “Lahutën…” . Duhet të ketë qenë vera e vitit 1938, autori gazetar, asokohe gjindej në Tiranë. “Në shtëpinë e Nush Gjokës, në rrugën Tafaj, në orët e nxehta të gjumit të drekës, poshtë gjetheve të fikut që lëshonin hije, lexova atë verë Lahutën e Malcis, kryevepër e Fishtës.”

Kërshërinë për ta njohur e takuar autorin, që i lind ç’prej asohere, duket se do t’ja sjellë rasti kur Fishta gjindej në Romë, në ceremoninë rituale të zgjedhjes së tij në Akademinë Italiane, në majin e vitit 1939. Edhe ai ndodhej në Romë ato ditë, por…kërshëria mbeti pezull, rasti nuk e solli takimin. Do të jetë tetori i vitit 1940, kur ai gjindet prapë në Tiranë. Asokohe jepte mësim në liceun e Shën Dhimitër Korones (në Kozencë) dhe u thirr nën armë , në Komandën e Armatës së Tiranës… Nuk vonon e niset për në Shkodër në përmbushje të dëshirës së vet. Katër hapa larg i duket Shkodra…E mandej, mrekullohet prej takimit të asaj ditë. Kah fundi i takimit…” ju luta t’i bëja një fotografi me aparatin tim, të cilën e shkrepa me gëzim të madh.”…

Ajo foto, gjindej në arkivin e familjes Kamsi e shoqëruar me një letër, shkruar me 18 prill 1994, dërguar Willy Kamsit, ambasadorit tonë pranë Selisë së Shejtë, dhuruar bujarisht Bibliotekës françeskane. Gjithashtu nuk dimë se prej atij tetori e deri sa mbylli sytë, të ketë foto tjetër, ase thënë më saktë, nuk është publikuar ndonjë foto tjetër e Poetit, prej asnjërit prej biografëve bashkëkohës. Po edhe shkrepësi i fotos në fjalë, shprehet gjithashtu se ajo është e fundmja foto në gjallje të Poetit. Kurse shkrimin e gjejmë të publikuar për së pari në vitin 1971. (Serra, Alessandro-titolo: A Scutari con p. Fishta il, grande poeta albanese-pubblicazione: Roma, s.e.[ sensa editore] 1971- Descizione fisica: 3 p.)

Në Shkodër me At Fishtën, poetin e madh shqiptar

Nga treshja e poetëve të mëdhenj shqiptarë – Jeronim De Rada, Naim Frashëri e Gjergj Fishta- ishte gjallë më i madhi, françeskani At Gjergj Fishta, i cili banonte në Shkodër, në Kuvendin e Urdhrit të tij. Në atë kohë unë ndodhesha në Shqipëri, në periudhën e luftës që i ndryshoi faqen popujve e kontinenteve. Ishte një verë e bukur. Në Tiranë dielli ishte i fortë; shtëpitë shëmbëllenin me ato të Lindjes: të ëmbla dhe të freskëta. Në fshatra frynin fllade lumenjsh, ultësira mbytëse, të populluara nga dele e lopë të kuqërremta. Në shtëpinë e Nush Gjokës, në rrugën Tafaj, në orët e nxehta të gjumit të drekës, poshtë gjetheve të fikut që lëshonin hije, lexova atë verë Lahutën e Malcis, kryevepër e Fishtës. Dhe më befasoi forca lirike dhe epike, me të cilat poeti nxiste burrat dhe shfaqte pjesë të mjedisit malor, si dhe klima historike dhe e nxehtë, që nisi në vitin 1878 dhe përfundoi më 1912, kur shqiptarët u bënë ballë luftërave të furishme kundër serbëve e turqve.

Leximi i kësaj kryevepre më ngjalli dëshirën për të njohur autorin, dëshirë, e cila zë fill në maj të vitit 1939, kur At Fishta ishte zgjedhur akademik i Italisë. Kishte ardhur në Romë për ceremoninë rituale. Në atë kohë isha edhe unë në Romë, por nuk m’u dha mundësia ta shoh poetin e madh françeskan. Tashmë, ndodhesha në Shqipëri, katër hapa larg Shkodrës, domethënë nga banesa e At Fishtës dhe, më në fund, munda të përmbush dëshirën time. Rastisa në muajin tetor, përpara se lufta të prekte këto zona. Udhëtoja me automobil, në shoqërinë e një familjeje muslimane, që po shkonte në një ceremoni dasme. Pas meje, gratë bisedonin qetësisht, sikur murmurisnin lutje. Para meje, një adoleshent i paduruar këndonte herë pas herë nën zë një këngë që shprehte angështinë e luftës. Ishte e trishtë në nota. Sa e bukur ishte rruga dhe akoma më i bukur peizazhi! Ishte e mrekullueshme ajo ditë e kthjellët vjeshte! Pas një rruge në fusha kaluam në Lezhë, u ngjitëm përgjatë Drinit dhe mbërritëm në Zadrimë, në shtëpinë ku kishte lindur Fishta, në shtëpinë e poetit.

Më pas, kaluam nëpër fshatin e Barbullushit dhe Bushatit dhe sërish lundruam anës Drinit: të gjitha vendet ishin të mbushura me kujtime historike e legjenda magjepsëse. Në fund, mbërritëm në Shkodër. Në kasollet e vjetra, njerëzit rrekeshin mes barakash e stallash, në të cilat shisnin lloj-lloj sendesh; na thoshin se ishim në pazar, në një cep të Lindjes. Para nesh, në të djathtën tonë shtrihej një lumë: ishte Buna. Përtej lumit, një kodër historike ngrihej si në qiell, e zhveshur, Taraboshi. Kodra e lumenj kishin qenë për shekuj teatro luftërash të përgjakshme ndërmjet shqiptarëve, serbëve dhe turqve, por rrjedha e lumit derdhej mizorisht dhe e përgjumur, e dukej sikur simbolizonte kohën që shkatërron kujtimet. Zbrisja në shesh e përshëndesja. Gratë përgjigjeshin me vështrime tinëzare. Një shqiptar bujar më shoqëroi në kuvendin e françeskanëve. Ishte një ndërtesë e vjetër, prej shekujsh, thuajse e maskuar nga koha. Një murg i ri më përcolli në korridorin e kuvendit, ku kundërmonte erë myk, gëlqere dhe temjan. Ndaluam në një qeli dhe murgu trokiti. – Hajde! – gjëmoi një zë pak i ngjirur. Udhërrëfyesi u zmbraps dhe papritmas, u shfaq një tryezë e madhe, pas së cilës ndodhej një murg i vjetër, me fytyrë të freskët e të rrumbullakët.

Më përshëndeti i buzëqeshur: më në fund, ishte At Fishta! U ngrit, duke çuar krahët e tij të fuqishëm, më zgjati dorën dhe më ftoi të ulesha; u ul edhe ai. Më pas, me një shqipe të rrjedhshme, më ftoi të pija duhan. E ndezi cigaren e tij duke e dredhur. At Fishta ishte atëherë 69 vjeç, por nuk tregonte as gjashtëdhjetë. Megjithëse tryeza fshihte një pjesë të trupit të tij, struktura e bustit, e kokës dhe e krahëve ravijëzonin një personazh të veshur mirë e madhështor. Shikim i gjallë, shprehës, nën ballin e gjerë e pa rrudha. Fytyra e pastër, e trëndafiltë; fjala e peshuar, gjesti i ngadaltë e i sigurtë, zbulonin një murg të regjur në studime dhe meditim. Është malësori ekspert në përshkrimin e burrave dhe luftërave. Mbante veshur një zhgun të ri, të errët, në të cilin, në vend të vrimës së një kopse, spikaste distinktivi i Akademisë së Italisë. Mbi tryezë kishte letra e libra, jo në një përsosuri rregulli, por as edhe çrregullt. Në të majtë i varej një kryq. Qela nuk ishte e madhe, megjithëse e rehatshme, e ndriçuar dhe e qetë. Dy dritare nga kopshti shquanin një fik të bukur, që shkëlqente në diell dhe ndër gjethet e pemëve frutore, disa harabela çukitnin fshehurazi, duke lëvizur herë – herë mbi kryet tanë. Nuk e dinin që ai fik u përkiste bijve të Shën Françeskut!… Mbi tryezë, poshtë syve, at Fishta kishte një dorëshkrim, në të cilin po bënte disa korrigjime. Përfitova nga rasti ta pyesja:

-Një tjetër vepër si Lahuta?

-Jo, është një tragjedi me shije klasike – m’u përgjigj poeti.

-Shkëlqyeshëm! – komentova – Nga Shqipëria antike në Greqinë klasike, hapi është i shkurtër.

Në këtë përfundim mbërritëm, kur u ndalëm pak në argumentin më të rëndësishëm, në Lahutën e tij të Malcis:

– Përsa i përket gjuhës, – shtova – dikush ka vërejtur se ju përdorni shumë fjalë serbe e turke.

– Gabim: – saktësoi poeti -. Si nevojë shprehjesh më është dashur të përdor fjalë që nuk gjejnë përgjigje në gjuhën tonë. Por, përdor një shumë të madhe fjalësh dhe mënyrash që i ka vetë gjuha shqipe, që flitet në male, ku edhe zhvillohen luftërat e malësorëve tanë. Në këtë qasje u shpreh At Fishta:

– Nëse dikush dëshiron të hulumtojë – shtoi – të shkruajë menjëherë në gazetë e të vërë firmën!

Pastaj, e drejtoi bisedën rreth veprës së tij satirike, fetare, oratorike, sepse At Fishta ishte edhe një orator i madh, i shenjtë. E, duke biseduar, u ngrit ngadalë, shkoi pranë bibliotekës, mori një kopje të Lahutës së Malcis dhe e vendosi mbi tryezë; e zgjati penën në faqen e parë dhe shkroi. Ma dhuroi librin dhe buzëqeshi prej kënaqësisë së tij dhe prej buzëqeshjes sime mirënjohëse e plot vlerësim.

Pashë orën: kishte kaluar më shumë se një orë. Sa shpejt kalon koha me burra mendjendritur si At Fishta! Iu luta t’i bëja një fotografi me aparatin tim, të cilën e shkrepa me gëzim të madh. Kur u ndamë, poeti më ftoi ta vizitoja sërish. I mallëngjyer, i premtova, dhe ai, duke u ngritur me vështirësi më zgjati dorën dhe më shoqëroi drejt daljes. Në fund të shkallëve, u ktheva. At Fishta qëndronte ulur si një statujë, por një statujë e buzëqeshur, që ngrinte krahun të më përshëndeste e më ftonte ende të kthehesha sërish.

Kohë më vonë, në janar të ‘41, u riktheva në Shkodër, por At Fishta nuk ishte më! Vdekja e kishte marrë pak ditë më parë, më 30 dhjetor, dhe fotografia që i kisha bërë dhe që kishte dalë vërtet e bukur ishte e fundit e poetit të madh shqiptar. Nga Buna atë ditë dilte ngadalë një mjegull e lehtë dhe e squllët, e cila mbështillte Taraboshin dhe pushtonte rrugë e shtëpi. Njerëzit lëviznin ngadalë e të heshtur si në një varrim. Dukej sikur natyra, me njerëzit e gjithçka të saj merrte pjesë në zinë e Shqipërisë, për vdekjen e poetit të fundit të madh të kombit.

*Shkrimi është përkthyer nga: Erla A.Velaj, Titulli në origjinal: A Scutari con p. Fishta il grande poeta albanese.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 705
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • Dy kryeqytete, një komb
  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve
  • Experience History: Ambassador William Walker’s inaugural visit to the Saint George Orthodox Cathedral and the Fan Noli Cultural Center
  • 𝑺𝒉𝒆̈𝒏𝒅𝒆𝒕𝒊 𝒊 𝑺𝒊𝒔𝒕𝒆𝒎𝒊𝒕 𝑻𝒓𝒆𝒕𝒆̈𝒔 – 𝑩𝒂𝒔𝒉𝒌𝒆̈𝒃𝒊𝒔𝒆𝒅𝒊𝒎 𝒎𝒆 𝑱𝒖
  • NICOLAE IORGA, HISTORIANI ME I MADH RUMUN DHE ZBULUESI I SHKRIMIT TE PARE NE GJUHEN SHQIPE
  • Doktrina Wilsoniane dhe mbijetesa e shtetit shqiptar – nga shpëtimi i Shqipërisë te e drejta historike e Kosovës për vetëvendosje
  • Zarfi që sfidoi censurën në Shqipërinë komuniste
  • Albanian Night @ Yankee Stadium
  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT