Drane Jakja, nëna që sfidoi komunistët me kufomën e të birit
Nga

Si e zhvarrosi djalin 2-vjeçar për të mos e lënë në kampin e Tepelenës. Historia rrënqethëse e gruas që kaloi gjashtë regjime
Drane Jakja, është një emër i panjohur për shumicën e shqiptarëve. Ka ndërruar jetë pak ditë më parë në moshën 100-vjeçare. Kam dëgjuar për këtë grua të pazakontë nga nëna ime, vite më parë. Nëna dhe vëllai im, jetuan në të njëjtën kohë me Drane Jakajn, në kampin famëkeq të Tepelenës në vitet e para të regjimit komunist. Kampi i Tepelenës është vendi ku kulmon drama e madhe e terrorit komunist.
Drane Jakja ishte një çikë bregdrinase nga dera e fisme e Jak Gjonit në Fierzë të Pukës. Nuse e Vuksan Prek Ndout, nga Nikaj-Mërturi, djalë i derës së patriotit luftëtar, Zeqir Dema i Btoshës. Drane Jakja ka jetuar në gjashtë regjime. Por ai që do të linte gjurmë të tmerrshme në jetën e saj, ishte regjimi komunist. Një rrugëtim 100 vjeçar i mbuluar me vuajtje, mundime dhe mbijetesë. Është gjyshja e këngëtarit të mirënjohur të muzikës popullore, Gëzim Nika. Ia ka mbërritur të mbajë në prehrin e saj nipa e stërnipa të brezit të pestë. Por kurrë, për jetë nuk do të shlyhej nga mendja e saj fati tragjik i të birit 2-vjeçar. Ajo e humbi një djalë 2 vjeç në kampin e internimit në Tepelenë. Historia është e pazakontë, tmerrësisht e dhimbshme. Është nga ato histori që kur i dëgjon të ndalet fryma.
Doruntina e kohëve moderne e ka quajtur Pjetër Meta, autori i disa teksteve që flasin për historinë e Nikaj-Mërturit. Drane Jakja është simbol i qëndresës mbinjerëzore. Eshtë gruaja që sfidoi fatin. Pjetër Meta e paraqet me detaje historinë shumë dramatike të kësaj gruaje të pazakontë. Një pëmbledhje e kësaj historie vijon më poshtë.
* * *
Si e zhvarrosi djalin 2-vjeçar për ta marrë me vete pas internimit
Në fundnëntor 1948, kur perdja e hekurt e Lindjes ra si gur mes dy syve në mes Shqipërisë Londineze e Kosovës Drane Jakja, u falmeshëndet përjetë me burrin e saj kaçak, Vuksanin, që ia ktheu pushkën komunizmit prej se kur hyni në nëntor 1944 në Qafë të Kolçit për me vra djemt e Nikaj-Mërturin. Drandja ia dha besën Vuksanit se ka me i rritë djemtë e me i ba burra në trollin e vet dhe ka me i përcjellë çikat nuse në dyer të mira. Kësokohe, ma i vogli ndër katër fëmijët e tyne, Zefi, ishte veçse dhjetë ditësh.

Në vitin 1949, pa i ikë dimni tokës, policia e sigurimi i shtetit e shpërngulën Drane Jaken me katër fëmijë në kalvarin e shtatë internimeve: tri vendqëndrime në krahinën e Nikaj-Mërturit, në Tropojë për gjashtë javë e, prej këndej, në kambë me djep në shpinë e fëmijë përdore deri në Kukës e, mbasandej, me makinë në Kalanë e Beratit, ku ndejtën tre muaj. Në fund, në dy kampet famëzeza, në Turan e në Tepelenë.
Në kampin çnjerëzor të Turanit, me disa tragjedi në ditë, ku edhe brenda 24 orëve humbën jetën 33 fëmijë, ia rrëmbeu vdekja edhe djalin e saj të vogël, Zefin dyvjeçar. Drane Jakja me tepër vështirësi ia bani një vorr të sigurtë me thellësi e dërrasa tek varrezat e ushtarëve italianë të luftës, sepse nuk donte me iu ndodh si disa të internuarëve të tjerë, që ua merrnin erozioni i malit apo ujrat e Vjosës eshtrat e të vdekunve të tyne të pafajshëm.
Po vjen koha me iu fal internimi një pjese të madhe të të pafajshmëve, pasi kampet ishin tejmbush me të internuar. Kjo për shkak se në Tepelenë mbërritën 49 kamiona me të internuar vetëm nga Mirdita pas vrasjes së Bardhok Bibës.
Kur mori lajmin se do të kthehej në vendin e saj, Drane Jakja sëbashku më çikën e madhe Zojën, u larguan nga kampi i Tepelënës në atë të Turanit, tek varri i Zefit. Drandja Jakja tue gërmue me mjete rrethanore e gishtat e saj të përgjakur e nxori djalin e varrosur para tre muajsh. E mbshtolli djalin fytyrë paprishun me çarçafë të bardhë të bamun katrash dhe rikthehet në kamp.
Por tragjedia vazhdoi. Shtatë javë e ka mbajt Nanëmadhja Drane Jakja djalin e saj në kampin e Tepelenës tue ia ba tana përkujdesjes e mshefjes e të higjienës, që t’ia ruajnë fytyrën djalit e vetes. Kur e pa se kurrkush nuk po mundej me e përcjellë për në Tropojën e largët, çohet e ta merr lejen e largimit e në një makinë rasti ngarkue me pambuk dhe niset nga Tepelena për në Shkodër. Aty shkon nga tregu, ku i kishte ble dikur rrobat e nusnisë e me kursimet e veta ia ble veshje e mbathë djalit të vdekun, që e kish lanë në hotel me fëmijët e tjerë në pritje të ardhjes së dajës së tyne. As në andërr, Zefi tashti çehrebardhë prej deke, nuk e kishte mendue veten të veshun aq bukur.
Doruntina reale, Drane Jakja, tamam si në legjenda, pasi kapërceu shtatë lumenj të mëdhenj nga Vjosa tek Drini, pasi kapërceu shtatë vargmale nga Tepelena në Nikaj-Mërtur, pas shtatë ditëve rrugëtim me makinë e në kambë nga kampi i internimit në Fierzë e në Btoshë, e varrosi Zefin e vogël dyvjeçar pranë gjyshit të tij, Prekë Ndout, në trollin e Zeqir Demës, në fshatin e tij të lindjes. Kahmos, nga dy anët e Drinit, nga Malësia e Gjakovës e Malësia e Madhe, erdhën në këtë rivarrim mortor të papamë e të pandiemë, me e krye me nderime traditore këtë përcjellje e t’pame.
Burrnesha e maleve shqiptare, Drane Jakja, ia kreu amanetin e vet burrit të saj e ndryshe nga Doruntina e lashtë e miteve iliro-shqiptare mbeti gjallë. Nanëmadhja Drane Jakja, ia nisi jetës shtatë herë nga e para: tri herë gjatë internimeve në Nikaj-Mërtur, një herë në Tropojë, kryeqëndren e atëhershme të rrethit, në kalanë e Beratit, në Turan dhe në Tepelenë. Ngulimi ma i fundit i saj, kur e filloi prapë nga e para, është Bukova në komunën e sotme të Llugajt në Lugun e Malësisë së Gjakovës, ku hapi tokë të re për truall e bukë, ngriti kullën e ndërtoi jetën e vet përmbi një gjysëm shekulli.
***
Kjo ishte historia e përmbledhur, e kësaj malësoreje të pazakontë. Ajo mbylli sytë pak ditë më parë dhe mori me vete gëzimet e dhimbjet e mëdha të kësaj jete. Kjo histori, bashkë me historitë e të gjitha atyre nënave që humbën fëmijët në Tepelenë, është një kushtrim i madh për këtë shoqëri që e ka varrosur me qëllim, të shkuarën komuniste. Brezat duhet ta njohin historinë ciladoqoftë ajo. Nuk mundet kurrkush ta fshehë atë sepse janë histori që do të rrëfehen brez pas brezi. Historia nuk zhbëhet.
Nuk janë dëmshpërblimet në të holla, (që premtuan e vazhdojnë të premtojnë qeveritë e pas viteve 90), larja me historinë e të shkuarës. Në respekt të historive çnjerëzore që një pjesë e madhe e popullsisë kaluan nën regjimin komunist, duhet të rrëfehet historia siç është. Lerini dosjet se ato nuk hapen kurrë. Nuk kanë si të hapen, sepse e elita politike i ka rrënjët tek ai sistem. Ky 25-vjeçare e dëshmoi këtë. Por duhet hapësirë që të rrëfehet historia siç ishte. Nuk mundet që mediat shqiptare të vazhdojnë të sjellin historitë rozë të drejtuesve komunistë e të fshijnë si të mos kishin ekzistuar këto histori tragjike që kaluan këto nëna, këta shqiptarë.
Është e njohur thënia se “një histori që harrohet është e destinuar të përsëritet”. E nëse nuk përsëritet në ato forma si nën regjimin gjakatar komunist, në të tjera mënyra e kanë përsëritur historinë në këto 25 vite. Ata që ishin të persekutuar në regjimin komunist, në një farë mënyre vazhdojnë të jenë të tillë edhe sot . Ata që ishin të privilegjuar nën atë regjim janë sot elita politike e vendit. E kjo elitë shkon përtej çdo imagjinate, dekoron persekutorët komunistë.

Kosova, 17 vjet liri e paqe
-Para 17 viteve, Kosovës po i ndodhte liria dhe paqja, NATO nisi të hynte në mëngjesin e hershëm të 12 qershorit 1999 në ora 05 e 17 minuta/
Shkruan: Behlul JASHARI, korrespondenti në Prishtinë sot plot një vit nga 12 qershori 2015 i Gazetës DIELLI, i cili ka raportuar nga kolona e tankeve të para të NATO-s, që hynin në Kosovë/
PRISHTINË, 12 Qershor 2016/ Në Kosovë para 17 viteve nisi të ndodhte liria dhe paqja: Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 qershorin historik 1999. Në atë orë e ditë të lume tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët hynin në Kosovë.
Ishte ora kur nga kolona e tankeve të forcës më të madhe planetare, NATO-s, që kalonin kufirin e Kosovës nga Maqedonia në Bllacë-Han të Elezit, po jepja në Agjencinë Telegrafike Shqiptare – agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë (ATSH) e në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) lajmin e madh për të gjithë shqiptarët dhe botën.
Ishte ora kur liria po vinte e po iknin forcat serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë, dhe që po linin pas luftën me një bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, rreth 6 mijë të zhdukur, shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër 1 milion të dëbuar – shumica drejt Shqipërisë…
Kosovës i vinte era tokë e djegur, ua kishin vënë flakën mëse 400 fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…
Drejt Kosovës, qyteteve, fshatrave e shtëpive të tyre të shkretëruara e të djegura ishin nisur më këmbë refugjatët e kampit afër kufirit në Bllacë, Maqedoni. Ata njerëz, që dukeshin më të gëzuarit e gjithë botës, në qytezën kufitare kosovare Hani i Elezit binin në gjunjë, puthinin tokën e atdheut të tyre dhe tanket e misionit humanitar e shpëtimtar të NATO-s, të cilat po u hapnin rrugën për kthimin e madh dhe lirinë e përjetshme. “Është më shumë se ëndërr, është më shumë se gëzim”, shpreheshin në atë mëngjes të dëbuarit që po ktheheheshin në shtëpitë e tokën e tyre.
Forcat serbe kishin ikur nga kufiri dhe po largoheshin nga Kosova, por kishin lënë prapa zonat e minuara, dhe dukej se për këtë zgjatnin me orë kontrollet te Ura e Kashanit mbi lumin Lepenc e te tuneli i afërt në Grykën Kaçanikut. Njësitet britanike të xhenios, ushtarë nga Nepali dhe Anglia , brenda asaj kohe zhvillonin operacionin për mënjanimin e rreziqeve nga minat dhe për t’u siguruar se mbi urë do të mund të kalojnë tanket dhe makineritë e tjera të renda luftarake. Testimi i urës u bë edhe me zbarkimin mbi të të helikopterëve, fillimisht më të lehtë e në numër më të vogël, e pastaj githnjë e më të rëndë e në numër më të madh…
Në Grykën e Kaçanikut, forcat kriminale të Milosheviçit kishin lënë prapa edhe grafite në faqe shkëmbinjësh: “Kosova zemra e Serbisë” e “Serbia deri në Durrës”, e që shkonin edhe shumë larg, “Serbia deri në Tokio”, “ Serbia deri në Sidnei”…Gazetarët nga gjithë bota, me të cilët në kolonën e tankeve të para të NATO-s në Kosovë isha bashkë me korrespondentin nga Shkupi të gazetës kosovare Rilindja, Bedri Sadiku, ato grafite i shikonin si një çmenduri dhe qeshnin, fotografonin, filmonin, raportonin…
“Të akredituar deri natën e 11/12 qershorit, diku pas mesnate, ishin më shumë se 1500 gazetarë nga gjithë bota”, ka shkruar Bedriu në gazetën tradicionale të Kosovës, Rilindja.
Përtej këtyre grafiteve të përçudshme, si një përgjigje dhe ralitet se çka është Kosova u shfaq imazhi i Flamurit Kombëtar Shqiptar i ngritur si fluturim shqiponje dykrenare e si në majën më të lartë të festimeve në gjithë botën në qytetin e Kaçanikut, ku në 7 shtator 1990 ishte shpallur Republika e Kosovës dhe miratuar Kushtetuta e saj në një mbledhje historike të Kuvendit, në kushte të rënda dhe plot rreziqe okupimi. Nga Kaçaniku, nëpër Fushën e Pajtimit, në orët e pasditës, kolona e NATO-s mbërriti në qytetin e Ferizajt, mbi të cilin nga larg shiheshin re tymi.
“Forcat serbe edhe sot po e djegin Ferizajn, duan ta djegin të tërin para se të ikin. Ende nuk kanë ikur të gjitha”, tregonin shqiptarët e mbetur atje.
Ata kishin dalë për të pritur e përshendetur NATO-n me lulet që i vënin mbi tanke e shtronin rrugën, dhe me brohoritjet: “NATO, NATO”, “Kosova, Kosova”, “NATO – Kosova e Lirë”. Kishin dalë në mikprijen e madhe, me falënderimin e mirënjohjen e gjithëmonëshme.
Fëmijëve anëve të rrugës që përshëndesnin me valëvitje duarsh e plot gëzim ushtarakë të NATO-s u shpërndanin bombone (ëmbëlsira). Një vajzë, nxënëse e shkëlqyer e fillores, po shtrëngonte bombonin në grusht te zemra dhe thërriste shumë e lumtur: “Do ta ruaj tërë jetën për kujtim”. Ishin ata fëmijtë që kishin përjetuar tmerret, e me muaj të tërë as s’kishtin parë ëmbëlsira e ishin përballur edhe me urinë në mungesë të bukës. Tregonin se kishin jetuar me shumë frikë të fshehur nëpër bodrume…
Ndërkohë që kolona kishte marshuar edhe më tej, pas ndonjë ore edhe fushat rreth qytetit të Lipjanit u mbushen tanke të NATO-s, të cilat para mbrëmjes arritën deri afër Prishtinës, por hyrja në kryeqytet dukej mbeti për të nesërmen…
“Po shkojmë në Prishtinë, të shohim si duket në natën e fundit të okupimit”, thanë disa nga gazetarët nga anë të ndryshme të botës, të cilëve iu bashkova, edhepse e dija se të shkohet para se ta marrë kontrollin NATO rreziku ishte shumë i madh, kishte shumë rreziqe nga të cilat mëzi isha larguar…
Vetëm para pak më shumë se një muaji, në 6 maj 1999, i larguar nga kryeqyteti, duke raportuar nga kufiri jugor i Kosovës, kisha dhënë lajmin në ATSH “Shqiptarët në Prishtinë – mburojë e gjallë”.
Me atë titull kisha raportuar: “Shumë banorë të Prishtinës po mbahen peng dhe po përdoren nga serbët si mburojë e gjallë. Ata janë detyruar të qëndrojnë në shtëpitë dhe banesat pranë vendeve ku janë fshehur armë dhe mjete të mekanizuara ushtarake si dhe nëpër objekte që mund të bombardohen nga NATO-ja…Shumë familje janë detyruar të qëndrojnë për disa ditë me radhë pranë postes së re të Prishtinës, në lagjen Dardania, thonë dëshmitarë okularë që kaluan kufirin Kosovë-Maqedoni. Shumica e të ardhurve janë femijë dhe gra, ndërsa burrat janë marrë nga forcat serbe. Gra nga rajoni i Llapit tregojnë për më se 200 te rinj e burra shqiptarë që i kanë ndarë nga familjet dhe i kanë marrë në rrugën midis Obiliqit dhe Prishtinës. Të deportuar nga fshati Hade i Obiliqit, tregojnë per ekzekutimin e 13 shqiptarëve. Mijërat e të dëbuarve gjatë 24 orëve të fundit janë kryesisht nga rajonet e Llapit, Prishtinës, fshatrat e Ferizajt dhe të Lipjanit”.
Kishim mbërritur në kryeqytet, Prishtinë, para mbrëmjes së 12 qershorit, duke kujtuar edhe largimin pasi në mbrëmjen e 24 marsit 1999 në kushte të pamundshme të ndërprerjes së linjave telefonike dhe dritave, me lidhje satelitore që e mundësoi vëllai Demë Jashari nga Zvicëra, nga banesa plot edhe me refugjatë në qytetin në luftë e në shtetrrethim, derisa shkallëve të ndërtesës në lagjen Ulpiana dëgjoheshin rrapllimat e zërat e forcave serbe, kisha raportuar për ATSH-në e Radio Tiranën për goditjet e para të aviacionit të NATO-s e të nesërmën në mëngjes për “qytetin fantazmë” e masakrat e reja të forcave serbe në shtëpitë e shqiptarëve gjatë natës…
Në atë mbrëmje të 12 qershorit të para 17 viteve, në Prishtinë shihej se rreziku ishte edhe më i madh se që ishte paramenduar, në të gjitha anët kishte breshëri armësh. Kudo kishte policë, ushtarë, paramilitarë serbë, të gjithë të armatosur, shumë prej tyre edhe të dehur. Paramilitarët e Arkanit i ndoqën gazetarët ende pa hyrë në hotelin në qendër apo të sapohyrë, dhe nëpër një rrëbesh shiu që largoi njerëzit nga rruga po iknim me shpejtësi, me automjetin që udhëtonim…
Kisha dhënë edhe lajmin e parë të rikthimit në Prishtinë… Po ku ta kalonim natën, kur ende nuk mund të shkoja në banesën time ku kishin hyrë forcat serbe…
Shkojmë drejt adresës së telefonatës së 6 majit nga Prishtina, që u bë lajm…“Ai lajm na dha shpresë shpëtimi”, u shprehën me falënderim të ngujuarit atje, që na dhanë çelësin e një banese të boshatisur.
Në lajmin e 6 majit 1999, natyrisht, në rrethanat që ndodheshin të ngujuarit në Prishtinë, mes forcave kriminale, nuk përmenda burimin, telefonatën nga posta e re e Prishtinës që ishte bërë mes rreziqesh, po duke iu referuar “burimeve të ATSH-së” tregova çka po ndodhëte, që “bota ta marrë vesh”…
Në të gjitha anët në Prishtinë breshëritë e armëve vazhdonin edhe gjatë mbrëmjes së ditës kur nisi lira, edhe gjatë gjithë natës që po e kalonim në një banesë të shqiptarëve të dëbuar. Nata e fundit e forcave serbe në kryeqytetin e Kosovës ishte plot tmerre dhe ankthe, kishte disa shqiptarë të vrarë në shtëpitë e tyre, edhe shumë djegie e plaçkitje…Kishte edhe plumba qorr që binin, të shkrepur nga shumë armë serbe.
Gazetari i njohur edhe për raportimet nga Maqedonia e Lugina e Preshevës në kohë lufte të shqiptarëve për të drejtat e tyre, Bedri Sadiku, që ishte në një automjet tjetër reporterësh nga gjithë bota, ja si e përshkruan hyrjen e tij në Prishtinë dhe kryeqytetin e Kosovës në pasditën e 12 qershorit 1999, në një shkrim në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja:
“Në Prishtinë hymë gati gabimisht, dhe pastaj edhe me qëllim. Ky rrugëtim duhej të shkonte sipas porosive të NATO-s. Konvojet e NATO-s shkuan në drejtim të Shtimes dhe Lipjanit, kurse ne me makinën tonë shkuam drejt për në Prishtinë dhe në Lapnasellë e Çagllavicë hasëm menjëherë në forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe…
Në afërsi të Hotel Grandit dhe para tij kishin mbërritur ekipe të gazetarëve të huaj nga Beogradi. Me këtë rast për pak u shkaktua edhe një incident me disa gazetarë, për shkak të emblemës së Press Qendrës së NATO-s dhe shenjës së NATO-s…
Në ora 16 pa 5 minuta helikopterët e parë të NATO-s fluturuan mbi Prishtinë-paralajmëronin çlirimin e kryeqytetit të Kosovës
Pasi bëmë disa fotografi rrugëve të Prishtinës, diku rreth orës 16 pa 5 minuta u nisëm në drejtim të Shkupit…Me t’u nisur drejt Veternikut, dy helikopterë të NATO-s dolën mbi qiellin e Prishtinës dhe bënë disa xhiro mbi Dardani e Dragodan dhe në pjesën qëndrore të qytetit, që paralajmëronin ardhjen e forcave të NATO-s edhe në Prishtinë dhe fillimin e çlirimit nga thundra kolonialiste serbe edhe të kryeqytetit të Kosovës. Një pjesë e këtyre forcave, që drejtoheshin nga britanikët, i ishin afruar edhe Lagjes së Spitalit, ndërsa grupe ushtarësh ishin vendosur nga gjysma e Veternikut përpjetë, si pararojë e forcave të NATO-s e të KFOR-it, që pritej të hynin natën dhe në mëngjes në Prishtinë dhe që tashmë kishin mbërritur deri te Llugaxhia. Prishtina do ta kalonte vetëm edhe një natë nën thundrën pushtuese serbe, në pritje të agimit të parë në liri…
Në ditën e 13 qershorit 1999, në mëngjes, qielli mbi Prishtinë mbulohej nga helikopterët e NATO-s, ndërsa kolna e tankeve dhe makinerive tjera ushtarake shihej tek zbriste rrugës nëpër një kodrinë nga ana jugore dhe mbushte sheshet dhe rrugët e kryeqytetit të Kosovës.
Nga këto pamje, në ATSH dhe RTSH në Tiranë shkonte lajmi: “NATO po e merr kontrollin në Prishtinë dhe po detyron forcat e Milosheviçit të largohen…”
Erë shkrumbi e shtëpive e objekteve tjera të djegura ndihej në Prishtinë. Forcat serbe i kishin vënë flakën edhe selisë së Zyrës së SHBA – përfaqësisë së parë të një shteti nga 6 qershori 1996 që shënonte vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta, si dhe selisë së Presidencës dhe institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht.
Dyqanet dhe klubet ishin të mbyllura dhe të plaçkitura…
Në 13 qershor 1999, forcat e NATO-s hynë në Kosovë edhe nga Shqipëria, duke kaluar kufirin nëpër Morinë-Vërmicë, drejt Prizrenit…
Pas një nate që e përshkruaja “plot rreziqe dhe e tensionuar, me të shtëna të shumta armësh të serbëve dhe me provokacione kundër shqiptarëve dhe forcave paqësore”, vazhdoja raportimet nga Prishtina në ATSH: “Kosova qysh dje dhe sot është e lirë në shumë pjesë të saj. Kurrë nuk janë parë njerëz më të gëzuar se sot me hyrjen triumfale të forcave të NATO-s në Kosovë dhe kryeqytetin e saj, Prishtinë. Në Prishtinë qysh sot, NATO po vendos kontrolle…”
Pasditen e 13 qershorit 1999, bashkë me korrespondentin e Zërit të Amerikës, Isak Ramadani, e gazetarin tjetër nga Shkupi, Arben Ratkoceri, që erdhën në Prishtinë duke sjellë edhe numrin special të gazetës tradicionale kosovare Rilindja të botuar atje me raportimet për ngjarjen historike të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, kalova edhe një herë rrugën nga kishin hyrë forcat e para të NATO-s një ditë më parë. Edhe Rilindja në ballinë kishte te kryetitulli orën që kisha raportuar në ATSH: “Dje në orën 5.17 – Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”.
Edhe editoriali “Normandizimi i Kosovës dhe kapitullimi serb”, shkruar nga Blerim Reka, ishte i botuar në faqen e parë të gazetës Rilindja, me foto nga ngjarja historike e ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s, e ku shkruhej edhe: “Qeveria e përkohshme e Kosovës punon për kthimin e popullsisë.-Kryeministri Hashim Thaçi vizitoi Austrinë”.
Dhe, vazhdoja raportimin në ATSH: “Sot duket krejt e çliruar pjesa e Kosovës nga kufiri me Maqedoninë, përgjatë rrugës që të çon në Han të Elezit, Kaçanik, Ferizaj, Lipjan e deri në kryeqytet. Në Kaçanik, Han të Elezit dhe në lokalite të tjera takuam dhe ushtarë të UÇK-së që kthenin jetën dhe rregullin.
Flamuri shqiptar – flamuri i lirisë valonte në kulmin e ndërtesës 12- katëshe në qendër të qytetit të Kaçanikut, mbi kulmin e shkollës tetëvjeçare ‘Jusuf Gërvalla’ në fshatin Nikaj dhe lokalitete të tjera.
Në vendkalimin kufitar në Bllacë ndërmjet Kosovës dhe Maqednisë sot nuk ka më flamuj serbë, të cilët janë hequr. Në kufi figurojnë marinsat amerikanë”.
Kështu ishte 17 vite më parë…
Dhe, 17 vjet pas 12 qershorit historik 1999, Kosova feston Ditën e Lirisë – Ditën e Paqes, kur NATO nisi marshin shpëtimtar me forcat tokësore, pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe, që kishte nisur në 24 mars, kur goditjet e para që i raportova nga Prishtina ndodhën rreth orës 20:00. Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 qershor e hyri në fuqi në 11 qershor 1999.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.
Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Michael Jackson, ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR. Aktualisht, KFOR-in e përbëjnë 5000 trupa nga 31 vende.
Në 17 vjetorin e lirisë, Kosova me pavarësinë e shpallur në 17 shkurtin historik 2008 është e njohur nga 111 shtete anëtare të OKB-së, e anëtarësuar në shumë institucione e organizata ndërkombëtare, evropiane e rajonale dhe drejt të gjitha njohjeve.
Këtë vit – në 2016-ën, në 1 prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e nënshkruar në 27 tetor 2015 në Strasburg dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 nëntor. Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.
ZYHDI BEJ OHRI PERSONALITET I LËVIZJES SONË KOMBËTARE
Ne Foto:Qeveria e Ismail Qemal bej Vlorës 1912/ Shkruan:Eugen SHEHU/
Në vitet 70-të të shekullit të njëzetë,dukej se panorama ballkanike do të ndryshonte fytyrën e vet. Dëshirat e kahmotshme të popujve të ballkanit për të flakur më tutje sundimin osman,sikundër ndizeshin prej zhvillimeve,politike dhe ushtarake ruso-turke e për më tej,kish nisur të sendërtohej ndërgjegja nacionale e këtyre popujve në jugun e Evropës.Ndonëse disi më vonë,edhe shqiptarët,duke parandjerë rrjedhën e furishme të ngjarjeve,nisën të bashkohen nën peshën e rëndë të komplekseve.Kësaj periudhe,dhe pikërisht në vititn 1870,lindi në qytetin e vogël piktoresk të Shqipërisë natyrore,në Ohër,Zyhdiu.Prej familjes së vet ai trashëgoi jo vetëm një pasuri të madhe në tokë,por sidomos një dashuri të pakufijshme për vatanin i cili vuante nën regjimin ushtarak të Portës së Lartë.Shkollën fillore në gjuhën turqishte,Zyhdiu i vogël e mbaroi në qytetin e lindjes për të marrë më pas udhët e Stambollit.Këtu,ai do të mbaronte disa klasë të shkollës qytetëse duke treguar vëmendje të madhe ndaj diturisë,për t’iu drejtuar më pas Robert Kolexhit,shkollë e cila kishte program amerikan dhe ndiqej sigurisht nga fëmijët e elitës së Stambollit.Ata që e patën njohur Zyhdiun në Robert Kolexh (1882-1887),kanë treguar se biri i Ohrit kurdoherë do të fliste me dashuri për administrator dhe pas mbarimit të tij me rezulltate të shkëlqyera kërkon të punojë në administratën osmane,vetëm nëse do të shërbente në vilajetet shqiptare.
Ndërkaq,ngjarjet në vilajetet shqiptare patën rrjedhur me shpejtësi maramendëse.Fuqitë e Mëdha dhe sidomos Rusia, e patën detyruar Portën e Lartë të ndërrmerte hapa konkrete në rrafsh të coptimit të trojeve që i pat nën zgjedhë ç’prej 5 shekujsh.Më 22 prill 1896,Porta e Lartë miratoi dekretin mbi „Reformat mbi Vilajetin e Rumelisë“ me ç’rast u prit me shqetsim prej patriotëve shqiptarë.Pakënaqësia ndaj këtyre reformave u shfaq hapur sidomos në Kosovë e troje shqiptare që emërtoheshin Maqedoni.Për më tej,kjo pakënaqësi provokoi disa kuvende shqiptarësh të cilët,ndonëse nuk mundën të shkëndijonin revoltat masive,gjithsesi po manifestonin hapur,urrejtjen ndaj politikave servile të Stambollit.Nuk mund të jetë asesi e rastit që në janar të vitit 1897,konsulli austriak në Shkup i shkruante Vienës se : „Çështja e Reformave ka dështuar plotësisht.Në këto vise më duket i pamundur qoftë edhe zbatimi i pjesshëm i tyre“.( Arkivi i Institutit të Historisë – Tiranë. Dokumentat e Vjenës. Kutia 4-105).
Mbase nuk duhet të harrojmë se në shkurtin e vitit 1897,mbreti i Serbisë A.Obrenoviq dhe ai i Malit të Zi,Nikolla,bënë plane të hapura për coptimin e trojeve shqiptare,duke zhvendosur disi konfliktet e shqiptarëve me Portën e Lartë.Pikërisht në verën e vitit 1897,Zuhdi Ohri shkon në vendlindje dhe ndonëse pat marrë detyrë të punonte në admnistratën e lartë osmane,ai vrapoi drejt Ohrit pa përfillur ofiqet dhe çifligjet e premtuar.Prindërit,vllezërit dhe krejt farefisi e pritën me dashuri birin e tyre,ngase dinin se në gjakun e tij,klithte pëllumbi i shenjtë i lirisë.Që në javët e para të qëndrimit në Ohër,Zyhdiu duke parandjerë rreziqet që i vinin Shqipërisë,u përpoq të mbledhte rreth vetes dhjetra bashkëmoshatarë,natyrisht pinjollët e dyerve të mëdha të Ohrit,Veleshtës dhe Strugës,të cilët do të mund të ndikonin në zgjimin e shpejtë të vetëdijes kombëtare shqiptare.Me të mësuar se populli i Pejës dhe Gjakovës pat vendosur të mos dërgonte më ushtarë rezervistë të luftonin në ushtrinë e osmane,Zyhdiu ish i pari që organizoi disa takime të fshehta në shtëpinë e tij,duke kërkuar të lidhej besa që edhe prej Ohri e rrethina,asnjë ushtar rezervist të mos mobilizohej,ngase shqiptarët së pari duhej të ishin ushtarë të trojeve të tyre.Kështu që së bashku me Hamdi Ohrin dhe Murat Sojlliun,në vitin 1898 dhe 1899,Zyhdi Ohri,punon për ngritjen e komiteteve të fshehta të cilët patën si detyrë t’u kundërvihen urdhërave të Portës së Lartë por edhe të nxisnin tek shqiptarët,ndjenjën e bashkimit,ngase hakmarrja e gjakmarrja ishin ulur këmbëkryq në krejt vilajetet shqiptare.Falë një gjykimi të thellë dhe oratorisë,Zyhdi Bej Ohri,mundi të bashkojë mjaft familje në qytet e rrethina,duke shmangur përgjithmonë mosmarrveshjet.Në shtëpinë e madhe të tij në Ohër,këto takime,midis dy familjeve që kishin gjak për të marrë shëndroheshin shpesh në festa të vërteta popullore.Krijimi i Komiteteve të Fshehta,i paraprin idesë edhe për tubime të shumta
ku zgjidheshin aty në shesh të burrave,njerëzit që do të mund të udhëhiqnin popullin të nesërmen.
Pjesmarës në Kuvendin „Besa – Besë të Pejës
Zyhdi Ohri,megjithëse ka marrë pjesë në shumë prej këtyre tubimeve,askurrë nuk ka vënë veton e tij në zgjedhjen apo përcaktimin e udhëheqësve.Ai i përmbahej kurdoherë parimit se çdo fis çdo lagje apo fshat, e di vetë se pas kujt duhej të ecë.Në dhjetorin e vitit 1898,shqiptarët kundërshtuan vendimin e Portës së Lartë për dorëzimin e armëve duke siguruar ate,se këto armë do të përdoren vetëm për të ruajtur tokat dhe nderin shqiptar.Në protestën e Ohrit,nënshkrimi i parë me këtë rast,ishte ai i Zyhdi Beut.Lëvizja Kombëtare Shqiptare,tani sa vinte e shtrihej në të gjitha vilajetet.Gazetat e pakta në gjuhën shqipe,bënin thirrje për bashkim ; „O burra të përpiqemi për të mbledhur fuqitë në një vend,për të pushtuar një program të gjith dhe sa ma shpejt,nga komitetet shqiptare të zgjidhet nji delegacion për të marrë një udhë.Të ngihemi për të shkundur vetë zgjedhen e tiranit“.( Gazeta „ Shqiptari „ – Bukuresht më 31 dhjetor 1898 ).
Këtu duhet të theksoj se,në nëntorin e vitit 1897,Haxhi Zeka nga Peja dhe Riza Bej Kryeziu nga Gjakova,në marrëveshje me Sami Frashërin,patën,organizuar një lidhje e cila nuk mundi dot të kishte jetën e gjatë ngase u sulmua prej turqve dhe elementëve të tjera serbofile apo bullgarofile.Tashmë në vigjilje të vitit 1898,Porta e Lartë,me anë të emisarëve të lartë të saj në Shkup,duke kuptuar se po krijohej një tjetër Lidhje Shqiptare,edhe më e fuqishme se e para,thërriste patriotët shqiptarë duke i kërcënuar deri në arrestime e burgime.Zyhdi Bej Ohri, falë oratorisë trimërore të tij,u kumtoi emisarëve otomanë në Shkup se çfardo masash të mireshin,nuk do të mund të ndalonin popullin e Ohrit,Strugës ,Manastirit dhe krejt vilajeteve shqiptare,për të kërkuar realizimin e aspiratave të tyre.Për më tej,me anë të disa miqve të vet,ai siguroi edhe atdhetarin e madh Haxhi Zeka se populli i Ohrit do të ishte në krye të ideve dhe veprimeve autonomiste shqiptare.Ai vihet në krye të patriotëve shqiptarë të këtyre trevave dhe së bashku me Hamdi Ohrin dhe Murat Sojlliun ngrenë çetat e para për të mbrojtur dhe vënë në jetë idetë e kuvendit të Pejës (23-29 janar 1899) i cili u mbajt në Hamam Xhami të Pejës.Diku tjetër,unë jam ndalur hollësisht në mbarëvajtjen dhe idetë e këtij kuvendi historik,në të cilin muarën pjesë rreth 500 burra sidomos prej vilajeteve të Kosovës dhe Manastirit.Në ate kuvend madhorë,buçitit edhe zëri i Zyhdi Ohrit i cili ndonëse 29 vjeçar,fitoi admirimin e trimave dhe besimin e madh në krejt bashkëkombasit e vet.Për më tej,Zyhdi Ohri,në ditët e Kuvendit të Pejës,u bëri thirrje miqve e bashkëluftëtarëve të vet të mos binin në ujëra të turbullta,duke thënë se kuvendi ka pikëpamje fetare dhe se ai drejtohej kundër serbëve dhe austriakëve,përkundrazi,ai pat kumtuar se ky ishte kuvendi burrash për fatet e atdheut tonë.Në kuptimet eveta lidhur me këtë,ngjarje,disa vite më vonë,Zyhdi Bej Ohri do të shkruante ; „Kur shkuam më pas në Dibër,u poqëm me Haxhi Zekën dhe me udhëheqës të tjerë të Lidhjes „Besa-Besë“.Thojshin se Lidhja e pejës kishte qenë kuvend fetar,mysliman.Kjo s’ishte e vërtetë pse kjo lëvizje kombëtare luftonte për forcimin e idesë kombëtare.Neve u bëmë antarë të „Besa-Besës“ pse shiqonim rrezikun e coptimit të trojeve shqiptare“. ( „Ata që shpallën pavarsinë kombëtare“ – Tiranë 1997 , faqe 122 ).
Në Dibër,Zyhdi Bej Ohrin e shohim në vitin 1899,kurdoherë,në krah të patriotit tjetër Dibran Nurçe Pustina.Ngase shumë atdhetarë dibranë nuk mundën të shkonin në Pejë,Zyhdi Ohri bëhet aty,promotor i zhvillimit të ideve dhe vendimeve të Lidhjes „Besa – Besë“.Brenda pak muajve nga mbajtja e kuvendit të Pejës,në pothuaj krejt Dibrën,u organizuan takime të fshehta për nxjerrjen e përfaqsuesve,që denjësisht do të merrnin pjesë në kuvendin e Dibrës.Për mbajtjen e këtij kuvendi,roli dhe pesha e Zyhdi Ohrit dhe Hamdi Ohrid,do të ishin të patjetër sueshëm.Ata dijtën t’u qëndrojnë besnik parimeve të Lidhjes së Pejës dhe për më tej me influencën e tyre bënë që vendimet e marra në Dibër t’u paraprinin realisht ngjarjeve.Ndofta është me vend të përmendim në këtë shkrim vetëm 5 vendimet e para të kuvendit të Dibrës,për të menduar saktësisht për vlerat e këtij tubimi.Duke dashur të hedhim piketat e para nga mund të niste rruga e shtetit të parë shqiptar, atdhetarët dibran,pos të tjerave vendosën që ;
„1- çfardo urrejtje dhe armiqësie që egziston midis nesh,çfardo karakteri qofshin ato,duhet të ndërprehen krejtësisht gjatë kësaj kohe,kështu që çdokush mund të qarkullojë lirisht.
Nëqoftë se ndokush- mos i dhashtë zoti – me qëllim të hakmarrjes,sulmon ose vret ndoken,sakaq do t’i dorëzohet pushtetit,Nëqoftëse ikën,shtëpia e tij do të digjet pavarsisht nga trashëgimtarët ose numëri i antarëve të familjes.Deri sa zgjat kjo besëlidhje,nuk guxon kurrkush të ndërtojë asgjë në vendin e djegjes.
2- Në qoftëse bën vrasje ose plagosje ndonjë nga cubat ose jatakët e tyre,ndaj tyre do të zbatohen masat e dispozitave nga neni 1.
3- Në qoftëse ndokush i shtyrë nga menia apo armiqësia sulmon dikend,tjetër me armë dhe nuk qëllon cakun,mirëpo,ai vetplagoset ose vritet me këtë rast nga i sulmuari,kjo do të konsiderohet si vetmbrojtje dhe dorasi,në rast të këtillë,nuk do të ndëshkohet në asnjë mënyrë.
4- Personi që do të vrasë ose plagose dikend në momentin e ndonjë ngrindjeje të rastit,si edhe jataku i tij,do të ndëshkohen sipas dispozitave të nenit 1.
5- Personi,i cili i përdor armët në momentin e grindjes ose me qëllim të hakmarrjes,e me këtë rast nuk shkakton vrasje apo plagosje,do të dënohet me 3 muaj burg,duke llogaritur këtë burgim që nga dita e hakmarrjes.Në rast se dorasi ikën do t’i digjet shtëpia“.
( Arkivi i Institutit të Historisë – Tiranë , Dokumenti Nr. 28 ).
Siç shihet edhe nga këto vendime,trojet shqiptare të atyre viteve,ishin të mbushura plot me hakmarrje.Politika pesë shekullore e Portës së Lartë për të sunduar vilajetet shqiptare duke i përçarë vetë shqiptarët,kishte bërë të veten.Pos varfërisë e padijes,në trojet shqiptare pat pllakosur gjakmarrja.Zyhdi Bej Ohri,menjëherë pas kontributit që dha në Dibër,u kthye në Ohër,Strugë e Manastir duke u përpjekur të bashkojë sa më shumë banorët e këtyre viseve,drejt një qëllimi madhorë,drejt autonomisë shqiptare.Në personalitetin e birit të Ohrit,shqiptarët e këtyre viseve,shihnin jo vetëm burrin e urtë të kuvendit,por edhe trimin që çan i pari nëpër stuhitë e kohërave.Në fund të vitit 1899,kur disa nënpunës osman në Manastir,donin të ushtronin ende funksionet e tyre shtetërore,ishte pikërisht Zyhdi Bej Ohri i cili i ndaloi plotësisht.Ai kërkoi takim me komandantin e lartë ushtarak të Manstirit dhe në mënyrë të prerë i kërkoj atij të dëbonte nënpunësit turq të gjykatës,si pas vendimit të marrë në Pejë.Në të kundërtën i tha këtij ushtaraku turk se populli i Manastirit,Strugës e Ohrit do të sulmonte gjykatën.Përballë këtij zemërimi të Zyhdi Bej Ohrit ,komandanti turk i garnizonit të Mnastirit detyroi nënpunësit e gjykatës të largoheshin, duke iu shmangur konflikteve ushtarake me popullsinë e këtyre trevave shqiptare.
Veprimtaria atdhetare e Zyhdi Bej Ohrit,do të njihte shkallë të tjera ngjitjeje,në vitet 1900-1907.Tashmë kjo veprimtari,do të jetë tejet e dukshme në organizimin e komiteteve të fshehta të shqiptarëve të cilët ishin të parët zjarre që ndizeshin në vargmalet e lirisë shqiptare.Prirjet autonomiste po zinin vend kurdoherë e më shumë në zemrat e shqiptarëve dhe taman për këtë vlerat e nacionalistëve të trevave shqiptare në Ohër,Manastir e Strugë,fitojnë dimensione të mëdha.Është krejt me vend të citojmë një letër që Ibrahim Temo,i dërgon në vitin 1905,Zxhdi Bej Ohrit,ku pos të tjerave ai kumton ; „I ndershmi Zyhdi ! Jam njoftuar për aq punë të mëdha që ju po kryeni për vatanin tonë.Megjithse ndodheni në rrezik të vazhdueshëm,askurrë nuk është dëgjuar ndonjë fjalë ankimi nga goja juaj.Vegjëlia e Ohrit ka mundur një ditë me ia shperblyer krejt mundin.Dhe jo vetëm vegjeli e Ohrisë por e tërë vilajeteve shqiptare“(Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë. Fondi Shoqëritë dhe klubet patriotike,Dosja 14 , fleta 3 ).
Një vlerë e spikatur e Zyhdi Bej Ohrit,është padyshim edhe ndihmesa e çmuar e tij në mbarëvajtjen e Kongresit të Mnastirit.Për nga vetë rëndësia e madhe që kish,ky kongres,u ideua dhe drejtua nga atdhetarët më të shquar shqiptarë,ata që parashihnin se liria e atdheut të tyre do të fitohej me pushkë dhe pendë.Edhe këtë rast,shtëpia e Zyhdi Bej Ohrit,kthehet si kurdoherë në çerdhe të patriotizmit.Aty bujtën dy trimat e shtetit amë,delegatët nga Gjirokastra në këtë Kongres,Neim Bej Gjirokastra dhe Cerçiz Topulli.Veçanërisht me Cerçiz Topullin,Zyhdi Bej Ohrin e lidhte miqësia e farkëtuar në sa e sa rreziqe,atëherë kur çetat e komitëve të Ohrit e Strugës,ndërrmernin veprime të përbashkëta me çetat e Kolonjës e Gjirokastrës,kundër Portës së Lartë.Gjatë gjithë ditëve që zhvillohej Kongresi i Manastirit,tëherë kur shqiptarët vendosnin përfundimisht që fati i tyre të bashkohej me fatin e Evropës,shtëpia e madhe e Zyhdi Bej Ohrit gjëmonte nga zërat e trimave.Dihet tanimë se ndërsa në Kongres të Manstirit,zhvilloheshin debatet për alfabetet nga duhej të ecte gjuha shqipe,në shtëpinë e Zyhdi Bej Ohrit,Murat Sojliut,Mihail Gramenos e tj,thurreshin planet për fillimet e kryengritjes shqiptare të armatosur.Zyhdi Bej Ohri,ka qenë prej atyre atdhetarëve të cilët kanë menduar kurdoherë se fjala e burrit shkon larg kur ate e mbron pushka,çeta e bashkëluftëtarëve të vet,u vu për një javë rresht,në mbrojtje të shtëpisë së tij në Ohër,si edhe në Manastir.Më pas në vitet 1908-1910,Zyhdi bej Ohrin,do ta shohim në shoqërinë e Sali Gjukës dhe Fehim Zavallanit.Tashmë ata do të shtypin të parat abetare me alfabetin latin dhe germat e bukura të shqipes do të ndiznin shpresat e mëdha të shqiptarëve.Ngase zotëronte një pasuri të bollshme,Zyhdi Bej Ohri,nuk do të kursente të paguante hartuesit dhe shpërndarësit e këtyre abetareve në gjuhën shqipe,me ç’rast do të fitonte akoma më shumë simpatinë dhe dahsurinë e bashkëkombasve të vet.Për më tej,Zyhdi Bej Ohri do të bashkëpunonte edhe me Gjergj Qiriazin dhe Parashqevi Qiriazin duke intensifikuar përpjekjet për çeljen e shkollave shqipe në Ohër,Strugë, Manastir dhe Korçë.Sipas një raporti që konsulli austriak në Manastir i dërgonte Vjenës në vitin 1909,del se „Gjuka,Zavalani,Ohri dhe Kolonja,kërkojnë çeljen e shkollave shqipe aty,për mbroth¨sinë e kombit të tyre“ ( Arkivi i Institutit të Historisë – Tiranë, sipas dokumentave të Vjenës. Dokumenti 70 , dt. 4-II- 1909 ).
Në vitin 1910,Zyhdi Bej Ohri ndërmerr një udhëtim për në Sofje.Dihet tanimë se Sofja ishte kthyer në një çerdhe e atdhetarëve shqiptarë ku veprimet për autonominë e Shqipërisë sa vinin e zgjeroheshin duke përfshirë edhe komunitete të tjerë shqiptarësh që ndodheshin në Bullgari. Shtypshkronja „Luarasi“ e cila pat nxjerrë në dritë dhjetra botime me vlerë të rilindasve tanë, ndërkaq pat përgaditur edhe qindra abetare në gjuhën shqipe me alfabetin latin,Zyhdi Bej Ohri do të ishte mik i ngushtë,ndërkaq edhe me Josif Bagerin,jeta e të cilëve ishte vënë e tëra në shërbim të idealeve kombëtare.Mbase duhet të mos harrojmë faktin se në Sofje,atdhetarin e shquar Josif Bagerin e kish mbërthyer varfëria.Herë me bukë e herë pa te,herë me punë e herë pa punë,ky atdhetar endej gjithsesi midis dëshirave për t’i shërbyer me çdo mjet atdheut të vet.Zyhdi Bej Ohri,duke parë entuziazmin dhe guximin me të cilin bashkëatdhetari i vet i varfër u virej punëve,merr përsipër dhe financon disa numëra të gazetës „Shqypja e Shqypnies“. Historiografia shqiptare me kohë ka pranuar se idetë që gjallonin në këtë gazetë ishin plotësisht atdhetare.Ato die ngarendnin drejt autonomisë dhe pavarsisë shqiptare,bënin thirrje për zgjim e bashkim,duke lënë menjanë meritë shekullore midis shqiptarëve.Zyhdi Bej Ohri,përpos finacimit të gazetës „Shqypja e Shqypnies“ mori përsipër edhe shpërndarjen e saj në Ohër,Strugë,Manastir,Kranjë,Starovë e Korçë duke kërkuar që ajo të lexohej dhe shpërndahej për të çelur sytë e bashkëkombasve të vet.Në një prej letrave që i shkruan Josif Bagerit,pasi pat marrë në duar disa numra të gazetës në fjalë,ai i drejtohet bashkëpatriotit të vet : „I dashuri vëlla ! I mora fletoret që më dërgove dhe i përndava nder miq e shokë.Të hollat po t’i dërgoj me të shpejt.Po ju them,se kjo fletore ka bamun pershtypje të fortë në vllazninë tonë“. ( „Ata që shpallën pavarsinë kombëtare „- Tiranë 1997, faqe 123 ).
Nenshkrues i aktit te pavarsisë dhe antar i kabinetit qeveritar të Ismail Qemal bej Vlorës
Në fillim të vitit 1912,ngjarjet në Ballkan po trazoheshin me një furi marramendëse.U duk në fillim se popujt e shtypur të Ballkanit do t’i zgjatnin dorën njëri – tjetrit,për t’u përballuar me ushtritë e mëdha të Portës së Lartë.Por ndërsa komitetet e fshehta shqiptare,bullgare maqedonase e tj,patën nisur bisedimet,të tjera plane thurreshin në Beograd,Mal të Zi apo Sofje.Aleanca Ballkanike e Krishtere e krijuar linte përshtypjen se planet e monarkive ballkanike drejtoheshin tashmë,sa kundër fuqive ushtarake të Portës së Lartë,aq edhe më tepër ndaj trojeve shqiptare.Kryengritjet shqiptare të armatosura,ato beteja qindra e mijëra ushtarë turq të rënë në këto beteja,u harruan nga fqinjët sllavoortodoks të ballkanit.Në këto momente,përpara atdhetarëve shqiptarë,u shpall vendimtare,thirrja e një kuvendi madhor i cili do të legjitimonte pavarsinë e trojeve shqiptare.Ata burra të mençur e trima, e patën kuptuar se duke udhëtuar drejt Vlorës,udhëtonin drejt shpresës shekullore të shqiptarëve,për të valvitur në trojet e tyre,falmurin e Skenderbeut.Zyhdi Bej Ohri,në verën dhe vjeshtën e vitit 1912,në bashkëpunim edhe me Hamdi Ohrin,Nuri Sojliun,Sali Gjukën etj,u përpoq të organizojë çetat e trimave në Ohër ,Strugë,Manastir e deri në Kërçovë,Gostivar e Tetovë,të gatshme për t’u përballuar me reaksionin serbo-bullgaro-maqedon.Për hir të së vërtetës duhet thënë se,ai bëri një punë e luftë të madhe,për të bindur bashkëkombasit e vet në shtator –tetorin e vitit 1912,se armiku kryesor i shqiptarëve nuk ishte më Perandoria Osmane që po jepte shpirt,por fqinjët tanë sllavoortodoks,që po u lëshoheshin kufijve shqiptare si një lukuni ujqish
Kështu në nëntorin e vitit 1912,së bashku me Hamdi Ohrin,Nuri Sojlliun,Irfan Bej Ohrin e disa atdhetarë të tjerë,Zyhdi bej Ohri niset drejt Vlorës,si delegat i popullit të Ohrit,për të marrë pjesë në shpalljen e pavarsisë kombëtare.Në qiellin e trazuar të Shqipërisë,po shkrepitnin të parat shpresa të lirisë dhe Zyhdi bej Ohri,po bëhej kësisoj tribun i viseve të veta buzë liqenit të Ohrit.Burime të shumta arkivore,provojnë se Zyhdi Bej Ohri,mori pjesë në krejt tubimet si për shpalljen e pavarsisë, ashtu edhe në krijimin e kabinetit të shtetit të parë shqiptar.Pjekuria dhe gjykimi i gjërë në biseda,bënë që Zyhdi Bej Ohri,të zgjidhej nga Qeveria e Vlorës,në detyrën e këshilltarit pranë Myfit Vehbi Dibrës me të cilin ish njohur ç’prej vitesh.Ai do ta pranonte me entuziazëm këtë detyrë,ngase vetë myftiu Vehbi Dibra u zgjodh me vota unanime në detyrën e kryetarit të Pleqësisë e cila sigurisht shërbeu si oponencë dhe ndihmesë e afërt e Qeverisë së Vlorës.Është njohur tanimë fakti që Ismail Qemali,duke njohur pjekurinë edhe burrërinë e Ismail Qemalit,Bedri Pejanit,Ajdin Dragës dhe Zyhdi Bej Ohrit,i dërgoi këta të hynin në bisedime me Xhavid Pashën,komandantin e forcave turke në Shqipëri,i cili mbante të rrethuar me divezionet e veta krejt Shqipërinë e mesme.Për dy javë me radhë,në këto bisedime,ku Zyhdi Bej Ohri ishte mjaft aktiv,u suallën argumente të mjaftë politike e diplomatike,me ç’rast vetë Xhavit Pasha u tërhoq ndaj pretendimeve.Delegacioni i kryesuar nga Vehbi Dibra dhe Zyhdi Ohri,u kthye në vlorë me triumf, ndërsa pas disa ditësh,në Fier,Lushnjë,Berat e rrethina valoi krenar flamuri kuqezi. Së bashku me Vehbi Dibrën,Zyhdi Bej Ohri,bëri çështë e mundur që të organizojë popullin e Strugës,Ohrit,Manastirit dhe krejt Dibrës,për të protestuar ndaj vendimeve të padrejta që u muarën në konferencën e Ambasadorëve në Londër.Lënia e pjesëve më të begata të tokave shqiptare,jashtë kufijve të Shqipërisë,u përcuall jo vetëm me dhimbje por edhe me indinjatë prej qindra e mijëra shqiptarëve.Nismëtar i këtyre protestave,Zyhdi Bej Ohri,nuk do të linte vis pa shkelur duke ngritur fort zërin e vet burrëror.Në një prej këtyre protestave,nismëtar i të cilës,pat qenë edhe Zyhdi Bej Ohri,si përfaqsues i Ohrit,Fuqive të Mëdha Evropiane,përgjegjëse për këtë masakër etnike,iu dërgua edhe një peticion ku pos të tjerave thuhej ; „Është e padiskutueshme se Kazoja e Dibrës,si nga pikëpamja e racës dhe e historisë,ashtu edhe traditave të saj,formon një pjesë të pandarë të Shqipërisë dhe prandaj nuk mundemi kurrë të japim pëlqimin tonë,që të mbetemi nën administrimin e Sërbisë… Nga ky vendim i yni,ne nuk mbrapsemi,administratën serbe nuk do ta pranojmë“.
(Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë. Fondi 245/III , dosja 5/2 , fleta 744 , dt. 12 tetor 1913 ).
Po në tetorin e vitit 1913,Zyhdi Bej Ohri,me porosi të drejtë përdrejtë të Ismail Qemalit shkon në Elbasan,me detyrën e këdhilltarit pranë prefektit Aqif Pashë Biçakut,lidhur me organizimin e luftës ndaj synimeve serbe.Menjëherë sapo shkon aty,merr si detyrë të organizojë ruajtjen e kufijve shqiptare.Burri dhe trimi i Ohrit,ngarend deri në Mavrovë,Kërçovë e Gostivar,duke ndihmuar me armë banorët e këtyre trevave,me ç’rast heroikisht patën luftuar kundër pushtuesve serb.Më pas,në dimrin e viteve 1913-1914, eshohim në Ohër,Strugë dhe Elbasan,duke i qëndruar besnik Ismail Qemalit,Aqif Pashës dhe sidomos idealit të atdheut.
Ngase jeta e tij kish kaluar sa në një betejë në tejtrën,ngase pasuria e tij po tretej për të mirën e kombit,populli i Ohrit e dërgon si përfaqsues të vetin,Zyhdi Beun,edhe në kongresin e Lushnjës në vitin 1920.Ai mbështeti fuqimisht qeverinë e dalë nga ky kuvend,pa harruar për asnjë moment të drejtat e shqiptarëve për të jetuar në trojet e veta natyrore.Në vitin 1931,kur ende kish shumë gjëra për të thënë,vdekja gjen rrugën për tek jeta e këtij burri.Miqve dhe të afërmëve të vet,në çastet e mbramë, u ka thënë ; „Vdekja të gjen ku të jesh.Por ajo nuk mund me të frigue kurr tanë jetën e ke jetuar me fatin e vendit tand“Kështu u mbyll një jetë e këtij trimi e burri të Ohrit,për të vazhduar në kujtesë me tjetrën,ate të popullit.
Bern-Zvicër
Mesazh dhe nje shkrim nga nje ish femije cam 6 vjecar qe shpetoi nga kthetrat e Nazifashisteve greke
“NORMALITETI DHE JONORMALITETI I SHQIPTARËVE”
NGA FAHRI DAHRI/
Shtetit Grek, për të reailzuar shuarjen përfundimtare të komunitetin çam, ose për më saktë për të fshehur (mbuluar) dhe fshirë (zhdukur) nga historia dy emra me rrënjë të thella në historinë e popujve: ”Thesproti/Çamërinë dhe çamët”, krahas manovrimeve, mashtrimeve, gënjeshtrave dhe shpifjeve të ndryshme dhe të shumta të bëra nga 1913 deri në ditët tona, vazhdon të sajojë shpifje për të gjetur pretekse për fajësimin dhe denigrimin e çamëve. Aktualisht propaganda e tyre me megafonë të stisur, na prezanton nji lloj të ri epiteti, në këmbim të epiteteve të vjetra, pasi shtresat e viteve që kalojnë atyre u a kanë nxjerrë “bojën” (thënë popullorçe).
Këtë kumtesë e realizojmë nga shtysa e nji lajmi që na jepet në gazetën “DITA”, të datës 1 qershor 2016, ku z. Arben Llalla, na informon se Ministri i Jashtëm i Greqisë, në vizitën e tij në Shqipëri, krahas të tjerave do kërkojë Çamërinë në shkëmbim të Kosovës, si dhe nga deklarimet e bëra të z. Nikos Kotzias, në konferencat e shtypit dhe takimet me personalitetet shqiptare.
Gjithashtu thuhet se z. Nikos Kotzias, nipi i Kostandinit, me lidhje të ngushta me ish Partinë nazifashiste gjermane dhe ish ministrin e propagandës Joseph Goebbels, në një intervistë që paska dhënë para disa kohësh, me sa duket mbas nji stërmundimi në studimet akademike, të nëndheshme, për subjektin e rajonit të “Hadesit”, që ndjell ankth dhe përgjegjësira juridike e shpirtërore për shtetin dhe kishën greke, ka arritur të realizojë kategorizimin e shqiptarëve të cilët, as më shumë e as më pak i ndan në dy kategori:
- a) shqiptarë normalë dhe,
- b) shqiptarë jonormalë.
- Nikos Kotzias shqiptarët nga Çamëria i quan shqiptarë jo normalë. Është e domosdoshme të komentojmë qendrimet që shteti Grek kërkon të na ndihmojë me anë e këtij përcaktimi “studimor”.
1.- Së pari analizojmë kushtin që vendoset lidhur me njohjen e shtetit të Kosovës. Kosovën është i gatshëm ta shkëmbejë me Çamërinë. Pra, nëse shteti Shqiptar heq dorë nga kërkesat për problemet e Çamërisë dhe të çamëve, ai do të njohë pavarësinë e shtetit të Kosovës.
Kushdo që njeh sado pak historinë dhe diplomacinë nuk e ka të vështirë të kuptojë se kërkesat greke janë “pazare bakallësh”. Shteti Grek, lidhur me pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në OKB, realisht ka thjeshtë vetëm vlerën e një numuri që shprehet në votë. Ai nuk humbet asgjë nga ky pazar (Kosova nuk është pronë e Greqisë për ta këmbyer), po ashtu ai e di se Kosova do të bëhet anëtare e OKB-së edhe pa votën e tij; por bazuar në dinakërinë genetike, mendon se duke njohur shtetin e Kosovës tregon dashamirësi ndaj nesh, prandaj në këmbim të bujarisë së tij (asgjë nuk ka për të dhuruar) duhet të harrojmë Çamërinë dhe gjenocidin e tyre ndaj çamëve. Me këtë “gur”që lëshon, shteti Grek në dukje na del se na dhuron gjë të madhe, por në fakt kërkon të shesë votën e tij, dhe me këtë “guri” kërkon të përfitojë “dy zogj”: Çamërinë dhe mbylljen njiherë e përgjithmonë të “çështjen çame”, dmth rajoni i Çamërisë, të ligjërohet përjetësisht territor grek, njiherazi i shpëton gjyqit ndërkombëtar për kryerjen e gjenocidit racist etno-fetar ndaj çamëve.
Nuk do shumë mend për tu kuptuar se në thellësinë e këtij “pazari”, duke futur në mes “çështjen çame”, shteti grek, ose më drejtë “mjeshtërit” e Greqisë, me anën e Nikos, tregohen shumë të shqetësuar, shfaqin frikën se po vjen koha e shpagimit të masakrave çnjerëzore të kryera 72 vjet më parë ndaj komunitetit çam, të cilin e vrau, e torturoi, e internoi, e çpronësoi dhe e dëboi dhunshëm nga vendlindja autoktone.
2.- Kurse për konkluzionin e studimit për teorinë e re, që shqiptarët na ndahen në dy kategori: shqiptarë normalë dhe jonormalë (çamët kategorizohen jonormalë), analiza na jep të paktën disa konkluzione:
- a) Nëse cilësimin jonormal të çamëve e përcaktojnë nga ana “mendore”, të jenë shumë të qartë se gabojnë dhe për këtë le të lexojnë Zigmund Frojdin, i cili për banorët e thesprotisë është shprehur:“janë me një intelekt të lartë natyror, sepse nën toka e këtyre trevave është e pasur me fosforite, prandaj dhe mendjet e këtyre banorëve janë të ndritura sepse ushqehen me prodhimet e kësaj toke”.
Për të qenë i drejtë duhet thënë se edhe kisha me shtetin Grek janë të sigurtë se banorët e Çamërisë janë normalë mendërisht, por jonormalitetin ata duan ta trajtojnë, sipas oreksit të tyre duke i quajtur bashkëpunëtorë me okupatorin; nëse është kështu atëhere ata gabojnë përsëri sepse:
- të tillë, dmth jonormalë, ishin mbi 30 mijë grekë me mbretin e tyre Rrallis dhe me Napoleonin e Co, që bashkëpunuan me okupatorin gjatë luftës së Dytë Botërore, të cilët gjinden në Greqi, sigurisht shumica të vdekur, por rrojnë djemtë dhe nipat e tyre;
- në se e trajtojnë për të vënë në dyshim etninë e çamëve, dihet në periudha të ndryshme, sipas interesave, duke përfituar nga kushtet historike, kanë vendosur dhe hequr shumë epitete ndaj tyre, si: turq, të padëshirueshëm, jogrekë që nuk u lejohet të jetojnë në Greqinë ortodokse, ose më pas i quajtën “grekë të lashtë” por që tradhëtuan kombin grek (pasi nuk pranuan për tu konvertuar nga katolikë në ortodoksë, por për rrethanat e kohës pranuan fenë islame) dhe sot shfaqen me grupimin e ri duke i kategorizuar çamët “shqiptarë jonormalë”, përsëri gabojnë.
Askush nuk ka mbetur pa e ditur, pa e mësuar se shqiptarët pa përjashtim dhe kudo qofshin, këtu përfshihen edhe çamët të krishterë apo myslimanë, për etni përcaktohen nga territori ku kanë banuar të parët, gjuha, zakonet, doket, pra kanë “Atdheun” dhe etninë asnjiherë nuk e kanë lidhur me besimin fetar. Raca shqiptare është e përcaktuar për të pranuar së pari e mbi të gjitha objektiven, kurse subjektiven e njeh, e krijon dhe e vendos të dytën dhe në shërbim të së parës. “Mjeshtrat” e Greqisë e dinë mirë këtë, por ndjekin porositë subjektive të “Megalloidesë” për shtrirjen në hapësirë dhe në kohë të besimit ortodoks. Kjo është nyja gordiane që dallon fqinjin tonë nga ne. Kokëfortësia subjektive dhe ashpërsia ortodokse, ka ndeshur në vendosmërinë objektive dhe pathyeshmërinë e shqiptarëve, përfshirë dhe çamët “jonormalë” të Nikos.
Me sa duket z. Nikos dhe dirigjentët e tij, ose nuk e njohin historinë, ose duan të sillen sikur e kanë harruar, që megjithë përpjekjet e gjithëanshme të gjyshërve të tyre nazifashistë, që banorët e rajonit të Çamërisë të futeshin në kategorinë e të “këmbyerve” duke i quajtur turq, u vërtetua zyrtarisht dhe ndërkombëtarisht që çamët ishin “pakicë etnike shqiptare” në Greqi. Përcaktim etnik i çamëve u njoh dhe u pranua zyrtarisht edhe nga vetë shteti Grek, prandaj zotërinjtë shtetarë Grekë, të mos dyshojnë në normalitetin etnik shqiptar të çamëve, por të pranojnë se po thuaj gjysma e kombit multietnik grek përbëhet nga ardhacakë azitikë, të cilët ortodoksia i quan grekë, nga vllehë, arumunë, sllavë etj, si dhe po thuaj gjysma tjetër nga arvanitët, të cilët për shkak të rrethanave mund të kategorizohen në kriptogrekë. Besoj se edhe z. Nikos është i këtij mendimi.
- b) Dëshira e madhe e z. Kotzias dhe e profesorëve të tij, për të denigruar çamët dhe gjendja tepër emocionale e tyre, i shpie në mënyrë të pavetdijshme tek e vërteta, pasi kësisoj duke i cilësuar çamët “jonormalë”, ata përgënjeshtrojnë vetveten, indirekt pranojnë se çamët dhe “çështja çame” ekzistojnë, pavarësisht këmbënguljes rutinë të tyre se “çështja çame është inekzistente”. Le të ndalemi për sqarime edhe tek dialogu i realizuar nga takimi dypalësh.
Sipas gazetës “Koha Jonë”: Kotzias: Çamët bashkëpunëtorë me nazistët. Bushati: Dialog për problemet. Data 06/06/2016.-
Nga takimi i pardjeshëm, si në çdo takim me fqinjin jug e juglindor, jo vetëm që nuk u realizuan marrëveshtjet e parafolura, por u krijuan, si efekt i qendrimeve jo mirëkuptuese mes palëve, probleme të tjera të cilat ndezin debate, krijojnë mjergulla dhe në vend që të realizohen mirëkuptime sjellin çoroditje, deri edhe në mendime nëse negociatorët gëzojnë shëndet të plotë, apo ndoshta ndodhen nën efektet e dozave armiqësore mëndmarrëse.
Është e vërtetë se vizita e ministrit grek Nikos Kotzias bën pjesë në ato vizita, ku vitet e fundit flitet disi hapur, sidomos për: “çështja e kufirit detar”, “ligjin e luftës”dhe të “çështjes çame”, pavarësisht se nuk caktohen data apo dhe emra njerëzish për të filluar nga zgjidhja, por mjaftohen me deklaratat rutinë se: “ekziston mundësia e zgjidhjes së tyre”, shprehje e justifikuar se ashtu flitet “diplomatikisht”. Dakort, por rezulton se ka humbje kohe për kot dhe popujve që përfaqësojnë, nuk u shërbejnë aspak këto pseudonegociata.
Analizojmë deklaratat e dhëna në konferencën e përbashkët për shtyp të dy ministrave.
Bushati: “Kemi këmbyer disa ide për të shkuar drejt një platforme të përbashkët për të zgjidhur çështjet dypalëshe që janë në tryezë dhe më vjen mirë të them që kemi rënë dakord për një mekanizëm të përbashkët, i cili do të mblidhet në mënyrë periodike për të gjitha çështjet”…..“Në idetë e shkëmbyera me mikun Kotzias kam vënë re se ka shumë të përbashkëta dhe vullnet për të ecur përpara. Kemi rënë dakord për një hartë rruge”. Më pas…. “Me Greqinë kemi një partneritet strategjik, por edhe një potencial të madh që duhet ta shfrytëzojmë”.
Pra, sipas ministrit, paskan këmbyer idera dhe kanë rënë dakort “për të shkuar….”, pasi deri sot nuk është nisur rruga për marrëveshje, po ashtu edhe për një “mekanizëm” çudibërës (çudi si nuk u ka shluar mendja paraardhësve?!), i cili merr përsipër të bëjë mbledhje periodike për të gjitha çështjet, duke nënkuptuar edhe tre çështjet e mësipërme. U gjet “harta” e cila na kishte munguar, por që tash e tutje do na tregojë rrugën për zgjidhjen e atyre çështjeve, që janë krijuar me vetëdije nga njëra palë dhe për interesat “kombëtare” të saj, në dëm madhor të palës tjetër me tkurrje mbi 10.800/ km² territore dhe mbi 100 mijë njerëz të vrarë dhe të shpërngulur me dhunë nga trojet e tyre autoktone. Le ti gëzohemi dhe lutemi “hartës rrugëtreguese”. Mirë, ne besojmë dhe do i lutemi hartës, por ç’farë deklaroi z. Kotzias?. Si përherë është shprehur për gatishmërinë e Athinës për ti zgjidhur bashkarisht problemet dhe të ecim më tutje, konkretisht deklaron:
“Kjo është filozofia jonë e përbashkët, sepse duhet t’i zgjidhim problemet ekzistuese dhe të shohim drejt së ardhmes. Ne mendojmë t’i zgjidhim me kulturën e dialogut dhe mirëkuptimit, pra me kulturën europiane. Propozimi i Ditmirit për një hartë rruge dhe përcaktim kohor është i mbështetur në instrumentet e BE dhe ne duhet ta ngremë këtë peshë institucionale dhe të mbarojmë me problemet që mbartim nga e shkuara dhe të procedojmë me anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit”; gjithashtu z. Kotzias shtoi se: “Greqia e do Shqipërinë në BE dhe do të jetë përkrah saj për çdo gjë që do t’i nevojitet drejt BE-së”.
Ndërsa lidhur me reagimin e fortë të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Greqisë ndaj disa deklarata të kryeministrit Rama në kongresin e PDIU-së, z. Nikos Kotzias tha se nuk ishte ai autor i asaj deklarate, por e vetmja deklaratë e bërë prej tij është se ai e do Shqipërinë në BE. Sinqerisht e falenderojmë për dashamirësinë dhe shprehim keqardhje, nëse është e vërtetë që institucioni që drejton nuk qenka nën kontrollin e tij! Por, duke njohur historikisht qendrimet greke, na bën të dyshojmë, pasi kur andartët grekë, sëbashku me të burgosurit për krime të rënda të Kretës e të Athinës u liruan për tu rreshtuar nën urdhërat e Zervës për të masakruar çamët, autoritetet greke thonin dikur, por edhe sot, që nuk kishin mundësi të prapsin rrebelët, ose të pabindurit, por me mbarimin e masakrave dhe dëbimeve,” rrebelët” dhe të “pabindurit” u shpërblyen për heroizmat, u dekoruan dhe u shpallën heronj kombëtarë të Greqisë. Gjithashtu nga historia që kemi me shtetin fqinj, duhet ta besojmë z. Kotzias se dikasteri që drejton, mundet të jetë jashtë kontrollit të tij, pasi siç jam shprehur edhe herë tjetër, pavarësisht se ardhacakët aziatikë përbëjnë shumicën e kombit grek dhe marrin shumë vende në shtetin grek bashkë me arvanitët, realisht janë si 32 gurët e shahut që hyjnë vërtet në lojë, por vërdallisen sipas dorës dhe mendjes së mjeshtrave të shahut, që janë pinjollët e familjeve të vjetra greke.
Vazhdojmë më tej me deklarimet e të dy ministrave se çështjet mendojnë t’i zgjidhin me kulturën e dialogut dhe mirëkuptimit, pra me kulturën europiane. Deri këtu në rregull, por na del i pakuptimtë qendrimi ndaj “çështjes çame”, të cilën Ministri i Jashtëm i Greqisë e risolli edhe njëherë me konceptin e bashkëpunimit me nazifashistët, dhe shtoi se çamët që u larguan nga Greqia nuk ishin autoktonë, por një grup njerëzish të ardhur nga Shqipëria.
Habitesh para këtyre cilësimeve krejtësisht të pakuptimta, pa llogjikë, prandaj mendohet nëse vërtet janë në normalitet këta lloj deklaruesish. Por, përkundër normalitetit tone të sinqertë, të aftë për të diskutuar qetësisht, pa komplekse dhe me argumenta të fakteve të krijimit të “çështjes çame” dhe të zgjidhjes me drejtësi të saj, pa pritur e pakujtuar (siç shprehet populli), në një ditë të bukur e plot diell, na thuhet se ”çamët që u larguan nga Greqia nuk ishin autoktonë, por një grup njerëzish të ardhur nga Shqipëria“. Kështu vazhdojnë të na risillen gënjeshtra, shpifje, manipulime nga më të çuditshmet dhe pa e kuptuar se edhe ata që i thonë, vetzbulojne trillimet e tyre me këto deklarime, duke u shndërruar në njerëz jonormalë.
Vazhdojmë përqëndrimin në deklaratën e mëposhtme të ministrit “dashamirës”.
“Sa i përket çështjes çame është e ditur se kemi një gup shumë të madh çamësh që janë shqiptarë dhe jetojnë në Shqipëri. Për këtë gjë unë uroj që në këtë grup të kenë përspektivë, të kenë dhe ata fitime nga integrimi i Shqipërisë në BE, por janë disa çamë të vjetër, dmth kristianë të myslimanizuar të 1911, të cilët sot janë qytetarë grekë, shtetas grekë. Ekzistojnë edhe disa çamë që bashkëpunuan me pushtuesit gjermanë dhe ngritën ato Komisionet e Kontrollit dhe të zhvatjes së pasurive të popullsisë tjetër që mbetej në zonat e Epirit, të cilët u dënuan nga Gjykatat greke në bazë të ligjit grek dhe ligjeve ndërkombëtare dhe në ndryshim nga njerëz të tjerë që jepnin llogari në Europë, u larguan nga vendi dhe nuk u ekzekutuan. Unë mendoj se duhet të kemi kujdes kur flasim për këta çamë, se nuk nënkuptojmë asnjë grup qytetarësh shqiptarë dhe nuk nënkuptojmë Shqipërinë. E them këtë se disa duan të bëjnë të njëjtë bashkëpuntorët me ata që merreshin me nazizmin gjerman dhe duan t’i ngatërrojnë me një grup shqiptarësh që jetonin në Shqipëri dhe nuk kanë jetuar asnjëherë në Greqi, dhe më pas këta t’i bëjnë njësoj me të gjithë shqiptarët. Nën këtë prizëm ne themi se ekziston problem si e përballon vendi fqinj. Ne këmi një qasje të ndryshme dhe të gjitha janë të njohura nga pikëpamja e histories”.
Arritëm në zbulimin e madh studimor të Z. Nikos që çamët i ndaka në tre grupime:
- Një gup shumë të madh çamësh që janë shqiptarë dhe jetojnë në Shqipëri. Për këtë gjë unë uroj që në këtë grup të kenë përspektivë, të kenë dhe ata fitime nga integrimi i Shqipërisë në BE .
- Disa çamë të vjetër, dmth kristianë të myslimanizuar të 1911, të cilët sot janë qytetarë grekë, shtetas grekë.
- Ekzistojnë edhe disa çamë që bashkëpunuan me pushtuesit gjermanë dhe ngritën ato Komisionet e Kontrollit dhe të zhvatjes së pasurive të popullsisë tjetër që mbetej në zonat e Epirit, të cilët u dënuan nga Gjykatat greke në bazë të ligjit grek dhe ligjeve ndërkombëtare dhe në ndryshim nga njerëz të tjerë që jepnin llogari në Europë, u larguan nga vendi dhe nuk u ekzekutuan.
Edhe pse kanë kaluar 72 vjet nga qendrimet tepër armiqësore që arritën tek zgjidhja përfundimtare me genocidin e shtetit dhe kishës Greke ndaj çamëve, nuk hiqet dorë nga mashtrimet, shpifjet dhe manipulimet. Nuk di nëse i kuptojnë apo nuk i kuptojnë vërtet shkaqet e vërteta të qendrimeve shtetërore greke ndaj çamëve myslimanë, apo bëhet loja e “budallait”. Nuk kuptoj arësyen pse lodhen kaq shumë gramatikonjtë grekë për të bërë dallime të çamëve me kategorizime, ndarje të pakuptimta brenda të njëjtës farë e fis, kur për të mësuar saktë se ç’farë janë çamët, apo thesprotët i tregojnë historianët, gjeografët, shkrimtarët e vjetër si Homeri, Herodoti, Filipi i II, Olimbia, Aristoteli, Aleksandri i Madh, Pirro i Epirit, Straboni dhe shumë të tjerë më pas, për të arritur tek Zigmund Frojdi dhe e zyrtarizuar ndërkombëtarisht tek vendimet e Lozanës që u deklaruan me nji kategori të vetme të quajtur: ”çamët si myslimanë e ortodoksë, janë etni shqiptare në trojet e tyre autoktone”.
Ja, pra sa i qartë dhe i thjeshtë është kategorizimi i çamëve. Megjithatë, të jem i sinqertë, ndarjet që na bëhen në ditët e sotme nga z. Nikos, pavarësisht se nuk e kuptoj qëllimin se ç’farë kërkon të justifikoj, po i bëj një domethënie.
- Për nënndarjen e parë si më sipër, mendoj se e ka fjalën për banorët e shtatë fshatrave të Konispolit, tëcilët ishin me fat pasi në vitin 1913 Fuqitë e Mëdha nuk i u dhuruan Greqisë. Ata janë “Farë e fis” çam, të etnisë shqiptare, si gjithë çamët e Thesproti/Çamërisë, pavarësisht nga besimi fetar, të cilëve edhe ne i urojmë të kenë përspektivë, të kenë dhe ata fitime nga integrimi i Shqipërisë në BE.
- Për nënndarjen e dytë, ku mundohet të përfshijë “disa çamë të vjetër, dmth kristianë të myslimanizuar të 1911, të cilët sot janë qytetarë grekë, shtetas grekë. Të jem i sinqertë nuk arrij të përcaktoj se për cilët çamë nënkupton, pasi shprehjet e tij, qëllimisht ose jo, janë disi të ngatërruara; megjithatë do sqaroj diçka mbështetur në disa nga të dhënat që ai i shpreh çatri-patri, i thonë andej nga ne.
Me “çamë të vjetër”, mendoj se e ka fjalën për banorët e Çamërisë para se territori i Çamërisë ti dhurohej pa të drejtë Greqisë. Por me cilësimin “kristianë të myslimanizuar të 1911”, na lë të kuptojmë banorët e Çamërisë të cilët u konvertuan nga katolikë në myslimanë gjatë shekullit të XVII dhe XVIII, por që nuk ishin nënshtetas grekë, sepse rajoni në fjalë nuk ishte asnjiherë territor grek deri në vitin 1913. Çamët që gjeti shteti Grek në vitin 1913 ishin të ndarë në dy besime fetare, në ortodoksë dhe myslimanë, që të dy palët, automatikisht kaluan në shtetësinë greke deri në vitin 1955 kur çamëve myslimanë, tashmë të dëbuar me dhunë, dhe që u a hoqën padrejtësisht shtetësinë greke në grup. Këtu sqarojme se “çamët e vjetër kristianë të myslimanizuar”, që para 300 vjetësh e deri para vitit të gjenocidit, kishin vdekur, gjë që sot nuk flasin, prandaj kisha dhe shteti Grek nuk kanë ndonji ankth për ‘ta. Ndërsa ata që ishin gjallë në vitin 1913 e të paslindurit deri në vitin e gjenocidit, ishin shtetas grekë dhe mbetën të tillë sa ishin gjallë deri në kohën e para genocidit, më pas ata që i shpëtuan kasaphanës u dëbuan dhunshëm nga vendlindja autoktone. Z. Nikos Kotzias na tregon se edhe sot ka çamë myslimanë që ndodhen në Greqi dhe i kategorizon: “Disa çamë të vjetër, dmth kristianë të myslimanizuar të 1911, të cilët sot janë qytetarë grekë, shtetas grekë”.
Konstatimi i ministrit qendron, por duhet cilësuar dhe qartësuar se, vërtet nga shpërngulja me dhunë nuk u larguan dy fshatra të vogla në periferi të Margëlliçit, por pasi pranuan të konvertoheshin në ortodoksë, ndërsa 127 çamë, sipas statistikave greke, që ishin të veçuar (nuk është nevoja për ti paragjykuar!) dhe e ruajtën besimin e tyre, nuk argumentojnë dhe as e justifikojnë dot shtetin Grek për të mbuluar shkakun e vërtetë të masakrave dhe dëbimit të çamëve për faktin se ishin të besimit mysliman.
- Nënndarja e tretë, e cila krijon ankth, mendoj se janë banorët e gjetur të lindur në vitin 1913, ata që lindën deri në vitin 1945, si dhe ata që kanë lindur pas 1945 deri sot e në vazhdim, pra janë çamët e akuzuar si tradhëtarë, bashkëpunëtor me okupatorin, ose e fundit janë shqiptarët jonormalë, pra çamët që përfaqësojnë “Çështjen Çame inekzistente”, kjo sipas palës greke që e don shumë Shqipërinë dhe shqiptarët normalë.
Duhet theksuar nevoja e sqarimit lidhur me ligjëratën e z. Ministër kur thotë: “Ekzistojnë edhe disa çamë që bashkëpunuan me pushtuesit gjermanë dhe ngritën ato Komisionet e Kontrollit dhe të zhvatjes së pasurive të popullsisë tjetër që mbetej në zonat e Epirit..”….”Unë mendoj se duhet të kemi kujdes kur flasim për këta çamë, se nuk nënkuptojmë asnjë grup qytetarësh shqiptarë dhe nuk nënkuptojmë Shqipërinë. E them këtë se disa duan të bëjnë të njëjtë bashkëpuntorët me ata që merreshin me nazizmin gjerman dhe duan t’i ngatërrojnë me një grup shqiptarësh që jetonin në Shqipëri dhe nuk kanë jetuar asnjëherë në Greqi, dhe më pas këta t’i bëjnë njësoj me të gjithë shqiptarët”. Le ti zbërthejmë këto thënie të përziera qëllimisht ose jo: “shqiptarë të Shqipërisë dhe disa çamë bashkëpunëtorë me pushtuesit gjermanë”.
Ekzistojnë të dy këta grupime. Ndryshe nga deklarimi i ministrit grek, ka patur edhe qytetarë shqiptarë nga Shqipëria, që të rekrutuar në shërbimin ushtarak (sipas materialeve pretenduese greke, ishin rekrutuar rreth 3.500 qytetarë shqiptarë) dhe të inkuadruar në tre batalione shqiptare, dy batalione këmbësorësh “Gramos” dhe “Dajti”, artileria shqiptare”Drini” dhe batalionet “Tomorri” dhe “Taraboshi”.Trupat shqiptare u përorën eskluzivisht në fushën e Thesprotisë”. Këto batalione ishin inkuadruar në divizionin që drejtohej nga ushtaraku Karlo Rosini. Këto ishin forcat shqiptare që nën drejtimin e forcave ushtarake italiane morën pjesë në luftën italo-greke (besoj nuk është harruar që Shqipëria në ato vite ishte e pushtuar nga Italia fashiste), njëri prej tre atyre btalioneve, bashkë me forcat italiane pushtuan rajonin e Çamërisë, plaçkistën, vodhën, ose zhvatën pasuritë e popullsisë çame derisa u krijua një shqetësim i madh tek banorët vendas (çamët) dhe shtabet ushtarake italiane morën masat e nevojshme për çtensionimin e situatës. Besoj se dihen ato ndodhi, prandaj nuk është e nevojshme të bëhen përpjekje për mbrojtjen e atyre qytetarëve shqiptarë që ishin në shërbimin e detyrueshëm ushtarak italian. Nuk duhet të injorohen të vërtetat, as të zbukurohen sepse ashtu apo kështu i “do mushka drutë”, është një thënie për manovrime të paqëlluara mirë.
Nëse ndërgjegja ju fton për të mbrojtur seriozisht shqiptarët dhe të deklarohet e vërteta, është në nderin tuaj të njihni “Çështjen Çame”, të pranoni ngritjen e varrezave të çamëve të masakruar në Çamëri nga forcat zerviste dhe në fund hiqni ligjin e luftës që vazhdoni të mbani ndaj Shqipërisë me pretendimin se ju paska shpallur luftë, kur ajo ishte vetë e pushtuar nga Italia që ju shpalli luftën. Shumë vite më parë asaj i është hequr ai ligj dhe mirë keni bërë, ndërsa Shqipërisë jo?!. Mos u trembni nga historia, as mos e shtrembëroni! Ne, shqipatrëve, jo që nuk na pëlqejnë hameleonët, por na neverisin.!
Po ashtu kanë ekzistuar edhe disa çamë që bashkëpunuan me pushtuesit gjermanë, siç ishin edhe 30 mijë grekë, me mbretin tuaj Rrallis dhe gjeneralin Zerva që bashkëpunuan me gjermanin, vranë e prenë gra, fëmijë, pleq e plaka jo vetëm në rajonin e Çamërisë, por edhe në territoret e tjera greke, bijtë dhe nipërit e të cilëve i keni në Greqi, me detyra shtetërore dhe jo vetëm. Megjithatë, sipas shprehjes suaj “Ekzistojnë edhe disa çamë që bashkëpunuan me pushtuesit gjermanë …” kuptohet qartë se edhe ju dashje pa dashje pranoni faktin se me gjermanin bashkëpunuanuan disa çamë, nga ku kuptohet se pjesa tjetër e çamëve dhe që ishin shumica dërrmuese, nuk bashkëpunuan me nazifashistët. (Më saktë nga ana juaj do të ishte që për ata të shpreheni: ekistonin dhe jo ekzistojnë, sepse kjo tregon se edhe ata që do lindin në të ardhmen ju do ti quani bashkëpunëtorë me gjermanin!!!).
E theksojmë qartësisht se qendrimet tona lidhur me “Çështjen Çame” janë vetëm për ata çamë që nuk bashkëpunuan me okupatorin dhe që ishin 99,70 përqind e popullsisë, nëse është e nevojshme le të përfshihen në llogaritje edhe 2.109 persona, të cilët sipas materialeve pretenduese greke, janë gjykuar në mungesë për krime lufte, përsëri rezulton se mbi 93 përqind e çamëve myslimanë nuk kanë bashkëpunuar me gjermanin, por u përfshinë në genocid për shkak se ishin të besimit joortodoks dhe jetonin në territorin e tyre autokton, vazhdimësi e territorit etnik shqiptar. Pikërisht për këtë komunitet çamë myslimanë, dhe jo grup njerëzish siç cilësohet për minimizim të tyre, bëhet fjalë për korigjimin e qendrimeve greke. Për këtë komunitet shteti Shqiptar, bashkë me ‘të Shoqëria Politike Atdhetare e Çamërisë, të mbështetur nga diaspora, kërkojnë zgjidhjen e “Çështjes Çame”, doemos “me kulturën e dialogut dhe mirëkuptimit, pra me kulturën europiane”, ashtu siç u deklarua edhe nga z. Kotzias, për njohjen e dhënien e të drejtave, bazuar në parimet Ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, as më shumë e as më pak. Por si gjithëmonë, fatkeqësisht pala greke, filozofinë europiane për zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve tona e ka demagogji, asaj i pëlqen zgjidhja e problemeve me këtë kulturë vetëm për çështjet në interes të saj.
Ministri Kotzias, pasi bëri këto kategorizime, arriti në përfundimin se nënndarja e tretë, “çamët myslimanë të larguar nga Çamëria në 1944-1945, mbeten bashkëpunëtorë me okuparotin”: “Nën këtë prizëm ne themi se ekziston problem si e përballon vendi fqinj. Ne këmi një qasje të ndryshme dhe të gjitha janë të njohura nga pikëpamja e histories”. Kështu e mbyll studimin akademik z. Kotzias dhe bashkë me ‘të argumenton “Çështjen Çame inekzistence”. Ndërsa përfaqësuesi shqiptar, si zakonisht me sjellje diplomatike vazhdoi: “Me Greqinë kemi një partneritet strategjik, por edhe një potencial të madh që duhet ta shfrytëzojmë”; “. … Respektojmë pikëpamjet e ndryshme që kemi për disa prej çështjeve, por nuk ka diskutim që sa na përket neve, çështja çame është pjesë e kapitullit që e ka vendin gjatë Luftës II Botërore”.
Nuk ka nevojë për koment, por personalisht nuk arrij të konceptoj që për një çështje kombëtare për të cilën deklarohet publikisht mos njohje dhe inekzistente, pala jonë të pronocohet se : “Respektojmë pikëpamjet e ndryshme që kemi për disa prej çështjeve”. Nëse respektojmë pikpamjet e kundërta, mendoj se nuk ka vend të kërkohen negociata. Po ashtu mesa duket pala jonë nuk e njeh në tërësi “Çështjen Çame”, çështje e cila ka lindur, zhvilluar dhe denigruar në vazhdimësi, duke filluar nga orët e para të kalimit të rajonit të Çamërisë, për herë të parë në shtetin Grek, pra ajo nuk është pjesë e kapitullit që e ka vendin gjatë Luftës së Dytë Botërore, por një problem kombëtar i lindur dhe i krijuar nga viti 1913 e në vazhdim dhe pas disa ditëve do të përkujtohet 72 vjetori i genocidit, me të cilin shteti Grek realizoi çlirimin nga dopioankthi që krijon ekzistenca e këtij komuniteti.
Po e mbyll këtë trajtesë historike duke thesksuar se të gjithë dëshirojmë fqinjësi të mirë, bashkëpunim të sinqertë, reciprokisht të drejtë dhe të ndershëm, por personalisht nuk do dëshiroja që njëra palë të kërkojë zgjidhje vetëm për problemet “ekzistuese” në interes të saj, si varrezat e grekëve të rënë gjatë luftës italo-greke, por që vranë dhe dogjën fshatrat e Përmetit, Sarandës etj, apo çështjen e kufirit detar, dhe të mos pranohen për tu zgjidhur me dialog dhe mirëkuptim, pra me kulturën europiane, problemet e palës tjetër, “çështja çame” dhe “ngritja e varrezave” për gratë, fëmijët, pleqtë e plakat e pafajshme që ranë pré e genocidit grek. Në fund u fol dhe për Ligjin e Luftës, ku z. Nikos deklaroi si përherë se: “ne nuk jemi në luftë. Kjo është e vërtetë. …Nëse ekzistojnë dyshime nga pala tjetër në jemi apo jo në gjendje lufte, atëherë kjo do të jetë pjesë e diskutimeve dhe besoj se do të gjejmë një zgjidhje për këtë çështje”.
Edhe me këtë takim kuptojmë humbje kohe, pasi sado që bëhen takime, bisedime, ecejake të ndërsjellta, arrihet vetëm në konkluzionin se për palën greke “çështja çame mbetet inekzistente”, po ashtu ngritja e “varrezave çame në Çamëri”; ndërsa për “Ligjin e Luftës”, veçse na garantohet se nuk jemi në luftë, por nuk hiqet. Askush nuk mendon se Greqia do shpallë luftë, por gjithkush e kupton se “Ligji” është leva, “mekanizmi” për mbajtjen në sekuestër të pronave të patundshme që kanë në Greqi shtetasit shqiptarë.
Sqaroj se deklarimet e palës shqiptare lidhur me mos pretendimet territoriale, askush të mos ngazëllehet dhe, akoma më shumë të mos deformohet se gjoja nënkuptohet mohim i “Çështjes Çame”! Heshtjes komuniste ndaj këtij problemi i kundërvihet e drejta e lirisë dhe e fjalës në demokraci. Mos ndillni Iluzuione pashpresë.
Qofsha i gabuar, por kur gramafoni përsërit tingullin vetëm të një note muzikore, jo një herë por shumë herë, me kohëzgjatje shekullore, nuk ka kuptim të mbahet ai gramafon, ai duhet harruar dhe vazhduar proçedurat ligjore për zgjidhjet e çështjeve që kanë hasur në kokëfortësi “megalloidheiste”, me institucionet e rëndësishme euro-atllantike.
Ashtu si genocidet e tjera të njohura mes shteteve të ndryshme, do të njihet edhe genocidi çam, sepse është në nderin dhe ndërgjegjen e huamizmit europian.
09/qershor/ 2016.-
- « Previous Page
- 1
- …
- 422
- 423
- 424
- 425
- 426
- …
- 693
- Next Page »