Nga Filip Guraziu/E sotmja në përgjithësi dhe momenti që jetojmë, përceptohet më mirë, kuptohet më thellë në qoftë se harmonizohet me të kaluarën. E kaluara kontribuon për konsolidimin e të sotmës dhe të dyja së bashku projektojnë të ardhmen. Shqipëria para pushtimit fashist dhe sundimit komunist, me të vertetë ishte e varfër dhe me marëdhënie shoqërore pak të zhvilluara, por ishte një vënd ku parimet bazë të moralit pozitiv mbizotëronin jetën e vëndit;
Pikërisht në momentin në të cilin bota përparimtare shkatërroi bishën fashiste, një kulsheder nga lindja ju vërsul Shqipërisë. Ngjyrën e kishte të kuqe dhe me gjak njollosi tokën arbërore. Me demagogji, por edhe me dhunë çoroditi mendjet naive të njerëzve të thjeshtë.
Për të sunduar dhe për ti shërbyer politikës së huaj eleminoi me metodat më të ulta mendjet më të ndrituëa të shqiptarve.
Historia e shqiptarve nuk kishte njohur ndonjëherë luftë civile si ajo që u zhvillua në vitet e luftës së dytë botërore.
Historia e shqiptarve nuk kishtë parë ndonjëherë përdhunime, poshtrime, tortura, burgje dhe vrasje si në vitet e diktaturës komuniste.
Historia e shqiptarve nuk kishte njohur kurrë atë demonizim të vlerave morale të kombit shqiptar; njëriu i ndershëm u shpall i poshtër, spijuni – hero, krimineli – qëngj i bekuar , njëriu i Zotit shejtan dhe shejtani u shpall engjëll. !
Për gjysëm shekulli, diktatura komuniste e Enver Hoxhës ushtroi metodat më barbare për të shkatërruar çdo gjë të mire dhe qytetruese që përfaqësonte qyteti i Shkodrës.
Për ta mbajtur popullin e Shkodrës nën terror psikollogjik, në sheshin qendror të qytetit , aty ku demokracia ndërtoi monumentet e ‘Nane Terezes’ dhe ‘Luigj Gurakuqit’- dy figura te krenarisë kombëtare që simbolizojnë dashurinë dhe demokracinë, diktatura ngriti monumentin e urryer të Stalinit, simbolit të së keqes.
Diktatura komuniste dukej e qetë, ajo gëzonte “fitoren”. Kishte këthyer në skllaveri ekstreme një popull të tërë nën slloganin e krijimit të njëriut të ri : një monstër komuniste të pa besim dhe të pa moral, që zëvendsoi dashurinë me urrejtjen, besën me tradhtinë dhe të vërtetën me gënjeshtën.
Ngjarjet vertetuan se diktatura komuniste i pat bërë gabim llogaritë, pasi mund të zhdukësh njerëz, të shkatërrosh monumente, të grabitësh prona dhe të shkruash histori të rreme, por kurrë nuk mundësh të pengosh që ndjenja e lirisë të shpërthejë në shpirtin e të rinjëve.
Dhe shpërthimi ndodhi me 14 Janar 1990, ishte një vullkan i fuqishëm nënujor që u pasua me nje tsunam të vërtetë politik i cili tronditi në themel diktaturën: kohë prapa, monumenti i urryer i Stalinit u hoq natën vjedhurazi nga organet e diktaturës.
Fatkeqësisht pasojat e tsunamit ishin tragjike: qindra qytetarë të arrestuar, një pjesë e madhe pësoi tortura, dhjetë ndër kryesorët; Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi, Rin Monajka, Kolec Hublina, Flamur Elbasani, Nikolin Margjini, Tonin Dema, Nikolin Thana, Klaudio Daka, Aldo Perizi u denuan me shumë vite burg, gjashtë të tjerë; Gjovalin Rolba, Gjovalin Zefi, Ndoc Leqejza, Pjerin Veli, Paulin Shtjefni, Viktor Martini u shtruan në psikiatri dhe shumë familje u internuan. Një prej të burgosurve, i ndjeri Rin Monajka, me ardhjen e demokracisë, doli nga burgu ne gjëndje invaliditeti ekstrem. Torturat shtazarake e kishin bërë efektin makaber!.
Nuk mund të konsiderohet rastësi organizimi i demostratës se parë antikomuniste të 14 Janarit pikërisht në Shkodër.
Populli i Shkodrës dhe i malësive për rreth edhe më parë kishin demostruar se komunizmi ishte i huaj për to. Ky popull që mbart në gene lirinë e njerëzve të maleve, i ndodhur historikisht në kontakt me kulturën përendimore nëpërmjet shkëmbimeve tregtare dhe influencës së Kishës Katolike nuk mundi ta pranojë kurrë diktaturën dhe dogmën komuniste.
Kujtojmë rezistencën e armatosur deri në vetmohim të malësorve Kelmendas në Janar te 1945 dhe kryengritjën e përgjakshme të Postribës në vitin 1946. Shëmbuj unikal në Shqipëri dhe jo vetëm.
Terrori politik që pasoi 14 Janarin 1990 nuk arriti të mposhtë shpirtin demokratik të shkodranëve, përkundrazi vala e protestave si një ortek u rrit dhe u bë më e ashpër për të qenë shëmbëll frymëzimi për të gjithë shqiptarët. Historia e demokracisë shqiptare kujton me repekt revoltat e shkodranëve; 16 Qershorin 1990, 11 Nëntorin 1990, 13 Dhjetorin 1990 dhe 2 Prillin 1991.
Duke u përkulur me respekt dhe me mirënjohje ndaj të gjithë atyre qe u sakrifikuan në përpjekjet kundër komunizmit dhe fitoren e demokracisë, gjej rastin të ju rikujtoj historianëve faktin, çuditërisht të lënë në harresë, se historia e demokracisë post komuniste shqiptare fillon me 14 janar 1990 dhe kjo duhet të shkruhet dhe të përkujtohet jo vetëm në Shkodër! Shkodranët ndërtuan themelet e demokracisë shqiptare dhe guri i parë, kryesor i hemelit, ishte demostrata e 14 janarit 1990.
Filip Guraziu; Shkodër,

Deklarata në vijim është botuar të martën e 29 prillit 1913
Ismail Qemali, asokohe kryeministër i përkohshëm i qeverisë shqiptare, gjendej në kryeqytetin francez dhe përfiton nga rasti t’i japë një deklaratë gazetarit me inicialet L.G. për të shprehur pakënaqësinë ndaj Esat Pashës dhe rrezikun në të cilin gjendej tashmë Shqipëria.
« Nëse ngjarjet e raportuara janë të sakta dhe fakti se Esat Pasha është larguar nga Shkodra me trupat, armët dhe pajisjet e tij, kjo mund të konfirmojë marrëveshjen e lidhur midis mbretit të Malit të Zi dhe atij. – Ka vetëm dy fjalë për të përshkruar këtë akt : kjo është tradhëti dhe çmenduri !Tradhëti, sepse ai i pret krahët Shqipërisë duke braktisur Shkodrën dhe për faktin se ai e bën praktikisht vendin tonë një zonë aneks të Malit të Zi dhe të Serbisë.Çmenduri, sepse ai na vë në pozitë të vështirë për të vazhduar negociatat me qëllim për të fiksuar kufijtë tanë pikërisht po në momentin e krijimit të pavarësisë sonë.Përveçse ai vë në lojë rrezikshëm pavarësinë, veprimi i tij bie ndesh me interesat dhe bindjet ndërkombëtare të Evropës, e cila është duke punuar në formimin e kombësisë sonë dhe se vullneti i saj i mirë mund të dekurajohet nga loja teatrale që sapo u realizua.Unë jam i sigurtë se popullata shqiptare, kur të kuptojë pasojat e qëndrimit të Esat Pashës, nuk do ta ndjekë atë.Sigurisht që Esat Pasha i përket një prej familjeve më të mira shqiptare, por ai nuk ka një ndikim të mjaftueshëm për të fituar. Sa për Xhavit Pashën, me të cilin (Esati) mund të ketë lidhje, ai nuk është shqiptar.Trupat e Esat Pashës nuk do t’i qëndrojnë besnike, vetëm një pjesë i përkushtohet atij personalisht, ndërsa pjesa tjetër do të shpërndahet.Qeveria e përkohshme, që unë drejtoj dhe e cila proteston kundra këtij atentati ndaj pavarësisë sonë të sapolindur, do të mbështetet edhe nga kontigjentet e Beratit dhe Elbasanit.Sa për Evropën, ajo nuk mund të anojë në favor të gjendjes aktuale, sepse bie ndesh me interesat dhe konventat ndërkombëtare, të cilat ajo ka për mision ti ekuilibrojë. Pavarësia jonë përfshin integritetin e tokave shqiptare, të kërkuar edhe nga Austria, të cilës i jemi mirënjohës për ndërhyrjen e saj në favorin tonë, edhe pse ne nuk pranojmë të jemi në kujdestarinë e një shteti tjetër.Ne duam të shkojmë mirë me të gjithë, si me Evropën dhe me fqinjët tanë sllavë, me të cilët ne e kuptojmë nevojën për të formuar një bllok të fortë dhe të qëndrueshëm në interes të pavarësisë sonë. » Në përfundim të intervistës, Ismail Bej Qemali i ka thënë gazetarit L.G. se po nisej po atë ditë për në Londër me qëllim për të shprehur pikëpamjet e Qeverisë së përkohshme shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve.







