• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kur goditej Hollivudi…

December 30, 2016 by dgreca

1-albana-perendimi-mistikNga Albana M. Lifschin*/Nga fundi i vitit 1950, publiku amerikan i trëmbej kaq shumë rrezikut komunist sa 68 për qind e tij kërkonte që partia komuniste në Amerikë të dilte jashtë ligjit. Kishte mjaft njerëz që mendonin se komunistët kishin kohë që kishin depërtuar në shoqërinë amerikane si pasojë e influencës së Bashkimit Sovjetik. Ata sillnin si shëmbull numrin e atyre që ishin arrestuar e dënuar si spiunë të tij, siç ishte rasti i çiftit Rosenberg. Ata që guxonin të mbronin viktimat akuzoheshin si komunistë apo simpatizantë të komunistëve.

Në 20 shkurt 1950 Senator Xho Makarti (Joe McCarthy) kishte mbajtur fjalimin e tij në senatin amerikan për rrezikun komunist që kishte depërtuar në SHBA duke tërhequr vëmendjen e të gjithë kombit. Senatori deklaronte se demokratët dhe komunistët kanë aq shumë pikpamje të ngjashme në mes tyre, saqë demokratët duhet ta quajnë veten e tyre “komikrats.” Ngjarje shqetësuese qe publikimi nga stafi i Makartit i një fotografie ku dukej senatori demokrat Millard Tydings(Tajdings) duke folur me ish liderin e partisë komuniste amerikane Earl Browder. Fotografia në fakt qe një kompozim mekanik i dy fotografive të veçanta duke krijuar një imazh të rremë. Megjithëse ne të kishte një shënim me gërma të vockla ku thuhej se qe një kompozim, shumë njerëz të ndikuar nga përshtypja e parë që linte ajo, e morën M.Tajdings për simpatizant të komunistëve gjë që ndikoi në humbjen e tij në zgjedhje. Me ndihmën e shefit të të FBI, Edgar Huver, një nga njerëzit më të fuqishëm e më të frikshëm të kohës, Makarthi vazhdoi gjuetinë e tij në të gjitha sferat shoqërore. Sa më shumë rritej frika, aq më shumë rriteshin edhe pasuesit e tij. Ndërkohë në shënjestrën e Makarthit u vu Hollivudi. Ai deklaroi se në Hollivud kishte më shumë se dy mijë skenaristë, aktorë, regjizorë e producentë komunistë. Sulmi nisi sëpari nga skenaristët, të cilët mendohej se kishin futur ide propogandistike komuniste në skenarët e tyre. Qe hedhur mendimi që presidenti Ruzvelt kishte inkurajuar filmat pro-sovjetik gjatë luftës, dhe megjithë se kjo nuk u vërtetua, presioni i përdorur bëri që krijuesë të njohur të kohës të linin Hollivudin.Filloi mbajtja eseancave të tëra të dëgjimit me qëllim çrrenjosjen e komunistëve nga Hollivudi. Ishte e mjaftueshme që dikush të thirrej për t’u pyetur nga komisioni hetimor dhe emri i tij të publikohej në listën e zezë. Metodat e tij u quajtën Makartizëm. Pranonin apo jo anëtarësinë e tyre, ata përfundonin në listën e zezë. Lista e zezë përfshinte gjithë emrat e artistëve të dyshimtë. E përpiluar nga agjentët e FBI, lista e zezë praktikisht ndalonte bizneset për të punësuar personat e dyshimtë që kishin emrat në të. Duke patur frikë se filmi apo programi televiziv mund të bojkotohesh nga publiku, bisnesmenët e drejtuesit e kësaj industrie kontrollonin vazhdimisht listën e zezë para se të merrnin në punë artistët apo pranonin skenaret. Mbi 200 prej tyre humbën vendet e punës në Hollivud. E ashtuquajtura “Dhjetëshshja e Hollivudit” një regjisor( Eduard Dymyryk) dhe 9 skenaristë (John Howard Law son, Dalton Trumbo, Alvah Bessie, Albert Maltz, Samuel Ornintz, Herbert Biberman, Adrian Scott, Ring Lardner, Jr., and Lester Cole) refuzuan t’u përgjigjeshin pyetjeve duke përdorur amendamentin e 5-të të kushtetutes amerikane. Megjithatë kjo nuk i shpëtoi nga burgu, me përjashtim të regjisorit i cili më pas bashkëpunoi me komisionin hetimor. Pati artistë që refuzuan të bënin punën e spiunit duke rrezikuar jetën e karrierën e të tjerëve. Autorja dhe skenaristja e njohur e kohës Lillian Hellman deklaroi se” nuk do të rrezikonte as sot, as në të ardhmen njerëz të cilët ishin plotësisht të pafajshëm, me qëllim për të shpëtuar veten e saj. “Kjo do të ishte e pandershme dhe çnjerzore” tha ajo. Nga qendrimi saj i guximshëm Hellman u shqua në mes të tjerëve. Hellman ishte skenaristja më e famshme e shek.të XX. Ajo u bë ikonë për gratë e gjeneratës së saj në lëvizjen feministe të viteve 1970. Bertold Brehti kur u thirr për të dëshmuar para komisionit deklaroi se ai nuk ishte komunist, dhe pas kësaj e la menjëherë Hollivudin dhe u kthye në Gjermani( lindore). Dosja qe mbushur plot edhe për Çarli Çaplinin. Ai u detyrua të largohej nga Amerika dhe kthimi iu ndalua, si simpatizant i komunisteve. Dhe kjo ndodhte pasi ai kishte realizuar filmin” Diktatori i Madh”.2-arthur-miller

Ne Foto:Arthur Miller/

Aktorë te njohur liberalë si Robert Redfort, Xhek Lemon e Gregori Pek u kritikuan ashpër pse kishin marrë pjesë në një festival filmi në Kubë . Aktores Vanesa Redgrejv iu sabotuan kontratat dhe projektet dhe u kërcënua me bojkot nga zionistët. E vetmja mënyrë nëpërmjet së cilës artistët mund të lanin veten e tyre ishte të jepnin emrat e kolegëve të tyre, të spiunonin.

1-kazan

Ne Foto:Ilia Kazan, regjisori me kariere brilante, Ilia Kazan, i njohur nëpërmjet filmit ‘America, America” (1963), “Viva Zapata” (1952) etj..nje nga te goditurit…/

Pati edhe nga ata që u thyen para presionit të makartizmit dhe spiunuan kolegët e tyre. I tillë qe shembulli i regjisorit me kariere brilante, Ilia Kazan, (Shumë nga ju e njihni nëpërmjet filmit ‘America, America” (1963), “Viva Zapata” (1952) etj. Ai dha emrat e 8 vetëve, miqtë të tij që sëbashku kishin qenë anëtarë të partisë komuniste amerikane në vitet 30. Akti i Ilia Kazanit nuk u harrua kurrë, dhe jo vetëm nga ata që u dënuan për shkak të tij. Mjaft artistë të Hollivudit edhe sot e kësaj dite e kujtojnë me dëshpërim e indinjatë atë kohë, kur ata e kolegët e tyre mbetën pa punë. Disa arritën në vetëvrasje, e disa të tjerë u detyruan të largoheshin përgjithmonë nga Amerika. Kujtimi i hidhur i asaj kohe në historinë e Amerikës ende i ndjek deri në ditët tona. Kariera dhe emri i Ilia Kazanit u njollos përjetësisht nga vendimi i tij. Ndaj në 21 mars 1999, kur regjisori Ilia Kazan u nderua me “Lifetime Achievement Award”, Hollivudi kaloi një tronditje të re nga rikujtimi i asaj kohe, dhe njerëzit u ndanë sërish në dysh. 500 vetë protestuan kundër çmimit të duke mbajtur në duar pankarta me thëniet “Lista e zezë nuk fshihet me gëlqere”. Norma Barzman, Lee Grant, Jules Dassin, Walter Bernstein, dhe të gjithë viktimat e listës së zezë nuk mund ta falnin Ilia Kazanin për atë që bëri. Barzmani komentoi se ‘çmimi i sukseseve të tij ishte shkatërrimi i jetës së të tjerëve’.

Në mbrojtje të Ilia Kazanit doli Artur Miller, duke çgënjyer shumëkend. Artur Miller ishte një nga heronjtë e asaj kohe që doli kundër Makartit. Ndryshe nga Ilia Kazani, Milleri refuzoi të jepte emrat e “bashkëudhëtarëve” të vet, siç i quajti ai kolegët e e tij të Hollivudit. Për qëndrimin e tij ai u dënua me burg. Megjithatë Miller mendonte që Ilia Kazan duhej nderuar për punën e kontributin e tij. Në gazetën

“The guardian” ai shkroi se mendimi dhe ndjenjat e asaj kohe për të nuk kishin ndryshuar, por përsëri ‘Ilia Kazan ka bërë një punë të jashtëzakonshme në teatër dhe në film që meriton t’i vlerësohet”.

Në kohën e tyre ata kishin bashkëpunuar ngushtë, Milleri si skenarist dhe Kazani si regjisori i skenarëve të tij. Ata ishin miq,si vëllezër, por kur Ilia Kazan tradhëtoi kolegët,miqësia e tyre u prish. Ata nuk i folën njeri-tjerit për 10 vjet. Edhe më pas miqësia e tyre nuk u riparua më. Ata “dialoguan” në mes tyre nëpërmjet filmave të realizuar më pas ku shprehën qëndrimet e tyre të kundërta. Ndërsa Ilia Kazani e justifikonte rolin e informatorit në filmin e tij ”On the Waterfront”, Artur Miller e dënonte atë tek “A View from the Bridge”.

Artur Miller dhe Ilia Kazan nuk u kthyen dot më kurrë tek miqësia e ngushtë që kishin me njeri-.tjetrin në fund të viteve 40-e fillimi i viteve 50-të. Miller, që kishte vuajtur shumë, doli si një shembull i guximit ndaj Red Scare (Panikut të kuq) dhe ndër vite fitoi aureolën e një shejti. Ndërsa Ilia Kazan u përkufizua si ‘njeriu në anën tjetër të spektrit’.

 Nga libri “Perendimi Mistik” 2016

Bruklin, NY

Gusht, 2016

Filed Under: Histori Tagged With: Albana M. Lifschin, Kur goditej Hollivudi..., Perendimi mistik

76 VJET PA POETIN KOMBTAR

December 28, 2016 by dgreca

Shkruar: Nga Danil GAZULLI & Fritz RADOVANI/

1-fishtaFOTO: AT GJERGJ FISHTA O.F.M.23 TETOR 1870 – 30 DHJETOR 1940- (Grafikë nga F.Radovani)/Në çdo fushë ku veproi At Fishta, tregoi se ishte gjeniu i pakrahasueshëm, prandaj edhe mundi t’u dilte mbanë sa ndërmarrjeve nga ma të vështirat: prej artit, tek publiçistika, prej gjuhësisë, tek arkitektura, prej arësimit tek muzika, prej humorit tek politika…Tashma në qytetin e lashtë të kontrasteve të thella, nga dita në ditë konturohej figura shumëplanëshe e fratit 30-vjeçar. Qysh në penelatat e para u duk qartë se veprat e Tij nuk do të ishin përvijime të lëmueta e aq ma pak laramanime orientale, por gjithçka do të ishte e ashpër, diçka dritë hije rembrandiane me tone të forta. Gëte dhe Manxoni, Shën Françesku dhe Da Vinçi, e kishin po fisniknue fytyrën e fratit të ri, por landa mbet ajo që ishte: Shkamb i gjallë hedhë prej vullkanit fuqishëm e të pashuem të shpirtit Shqiptar. Ishin nevojat historike të Atdheut që i diktuen At Fishtës drejtimin e gjithë veprimtarisë së Tij artistike, pedagogjike, publiçistike ashtu edhe në impenjimin e Tij politik.

Lahuta ka në themele shkambij ciklopikë, në dukje pak të pagdhenun, herë-herë arkaikë, por aq të harmonishëm e të natyrëshem, sa të duket se nuk patën nevojë për daltë, por arkitekti e hartoi drejtpërdrejt në masivet e Alpeve, sa të papërsëritshme, aq edhe brilante.

I gjithë universi intelektual i At Fishtës ka pasë si yll polar interesat e Atdheut dhe vetëm interesat e Atdheut, pse në shpirtin e Tij ideja Atdhe ishte ba ideal suprem.

“Petrarka, thotë Ai, …fshan e kjan bihude ndër kangë përnjimend të mrekullueshme, por për Italinë, pak e aspak, megjithëse do të kishte për çka me kja.”

Ja pra, pse At Fishta nuk zgjodhi vargun e lëmuet, po ate të ashprin, vargun e lahutës,  që ata të shkonin drejtpërdrejt në zemrat e atdhetarëve të etun për liri e t’i ndezte flakë me guxim për luftën e këputjes së prangave shekullore, për luften për dije e përparim kombëtar. Kanga e Tij asht një britmë deri në dëshprim, e sa e sa Herojëve që nisen në luftë u thotë:

S’ kan shka bajn? Po a thue të desin?

T’desin pra, nuk kan shka presin!

Apo:

P’r ‘i grusht eshtna, pashi Zotin,

t’mos korisim Gjergj Kastriotin,

t’mos korisim na sot Hotin…

E ban këte, jo për mëni ndaj sllavëve, por, sepse, siç e ka thanë në një intervistë, po të ndodhte e të rihumbëte lirinë Shqipnia, “kishin me plasë dhime sa janë bjeshkët tona.”

Si mund të quhet shovenist Poeti i një kombi 12 shekuj nën robni sllave e osmane pse lëshon anatemën ndaj arijëve të bardhë të ardhun prej stepave ruse e që ende guxojnë e na e quejnë sot e kësaj dite Kosovën Martire Serbi e vjetër?!…

Atyne po, u thotë:

T’i mësojnë fëmijtë mbas sotit

mos t’ lakmojnë tokës s’ Kastriotit,

se u bjen shtrejt, qe besa e Zotit!

At Fishta nuk ngurron t’ i lëshojë namen as Europës në London, në Versajë, pse e la këte dhé të coptuem, prandaj:

Me gjith këta, por larg nuk shkon

e me i vra ka rr’feja e Zotit

t’ shtat  mbledhë si janë n’London.

Gjuha e Tij asht thellësisht popullore, pse ishte i vetëdijshëm se po shkruente një vepër që do të ishte universitet atdhetarie për Malet tona ku mungonin edhe shkollat fillore, sa me shumë vend thotë Profesor Zekiria Cana: “Shqiptarët në Jugosllavi, duke mësuar përmendsh “Lahuten e Malcisë”, përvetësuen arësimin kombëtar, kur ky mungonte.”

Por që të gjykosh Lahuten, duhet të rijetosh historinë me dhimbje, siç e jetoi Poeti.

Në këto rrethana, aty nga viti 1904, zu e lëshoi akordet e para Lahuta e Tij ngjethëse, tue u ngjeshë për parzem të malësorit.

At Fishta vetë ishte një shembull i shkëlqyeshëm i mbylljes së tragjedisë së gjakmarrjes, një vepër e pandërpreme e Françeskanëve Shqiptarë, sa kur i vranë të vëllanë, Çupin, jo vetëm e fali vrasësin, po edhe lëshoi thirrjen:

Ndalnju, burra! Ku veni!

Pashi Zotin, lëshoni hutat,

se mjaft gjak asht derdhë!…

Në prag të ditës së madhe të 28 Nandorit Ai tashma naltohej si lis vigan me rrajë thellë në truellin arbnor e degë që piqeshin me bjeshkët. Penës së Tij, veç kangëve të para të Lahutës, i përkisnin sa vepra të tjera, ato “Pika vese” që dridheshin mbi petale, “Anzat”, vepër satirike e pashoqe deri më sot në letërsinë shqipe, bash ato anza të lëshueme rrugëve të Shkodrës e të mbarë Shqipnisë, ku tue përqeshë me humorin e hollë shkodranë, here tue thumbue keq e jo rrallë tue fishkullue pa mëshirë. Penës së Tij i përkisnin veprat e para dramatike, origjinale, të përshtatuna a të përkthyeme, ndër të cilat “Shqiptari i qytetnuem”, vu në skenë prej Atij vetë më 1909, sidhe plot libra për shkollat tona Shqipe.

Por edhe 28 Nandori la shumë vepra mangut. Përgjysë andërrat, përgjysë shpresat, përgjysë vetë Atdheu e që Ai e vajtoi… me “LOT GJAKU”. E gati si tue lëshue piskamën, porositë:

Edhe me u thanë anmiqve e t’ tanë njerëzimit:

“Unë këtu sundoj! N’ këtë shkamb mue m’ vuni Zoti,

E këndej nuk luej, pa u shue stina e moti”!?

Fati i vendit do të vazhdonte të ishte i trazuem edhe pothuej për një 10 – vjeçar. Filloi me rrethimin malazez të Shkodrës, e vazhdoi me trazime të pafund deri në Korçë, Gjirokastër e ma përtej…

As në ato ditë të vështira At Fishta nuk u step. Ishte në ballë të luftës për mbrojtjen e Shkodrës prej knjazit të Cetinës, atëherë kur botoi të parën revistë shprese mbrenda Atdheut e që e quejti “Hylli i Dritës”, bashkë me Gurakuqin, Mjedjën, Logorecin, tue themelue “Komisinë letrare”, e në fund të Luftës së Madhe, që trandi botën, po bashkë me Gurakuqin e Bumçin shkuen t’i dilnin zot Atdheut coptuem në Versajën hijerandë. Ai kapërceu edhe Atllantikun, deri në Amerikë, për të shpëtue ç’mund të shpëtohej nga e shumëvuejtuna  dhe e nëpërkambuna Shqiptari.

Në proçesverbalin e mbledhjes të Komisisë thuhet: “U vendue me themelue një drejtshkrim sa ma tepër të përbashkët për të dy dialektet”, ishte ai parim mbi të cilin punohej për Bashkim, parim që u shkel me te dy kamët në Kongresin famëkeq të vitit 1972 e që nuk po ndreqet as sot!

Frati me zhgun nuk i la asgja mangut detyrës ndaj Atdheut, Nëse la mangut diku, i la pikërisht detyrës së Tij si “klerik”. Por, do të thotë ndokush, si arrijti atëherë aq nalt edhe në hierarkinë ekleziastike?

…Asht rast i rrallë, ndoshta i vetëm, që pikërisht vepra letrare dhe atdhetaria e ngritën edhe në hierarkinë fetare, që për nevoja të Atdheut i ishte dashtë ta linte shpesh mënjëanë. Sa Shqiptar ishte Ai dhe sa klerik, e shprehin qartë vargjet e maposhtëme, ku, mbasi andërron me çelë një shkollë të naltë në Shkodër, thotë:

Por n’Shqipni pse nji meshtar

Posë se prift do t’jetë Shqiptar,

Shqiptar, po pa dredha.

Unë rektor e profesorë

Sakristan e baçeva

T’gjithë shqiptarë i zgjodha.

Kur lufta mbaroi dhe paqa mirë a keq u vendos, punët sërishmi nuk shkuen dhe aq mbarë. Mehmurët që kishin heqë fesat dhe ishin veshë allafranga, mendonin si të banin zap popullin e jo si ta udhëhiqnin atë. Këta “batalla fytyrë-fudullë, batakçij e me nji lasker kulturë, sa me mzi me shkrue emnin e vet”, si i pikturon me mllef At Fishta, e ndjenin veten ma shumë turq se shqiptarë, të gatshëm të bashkëpunonin me sllavin e me djallin, mjaft qe të përmbushnin nepset e tyne prej lubishë të pangopuna. Shumë kohë ma parë Poeti i kishte jetue këto mënxyra dhe kishte parandje zvarritjen e tyne të lyrosun, sa kishte humbë durimin tue iu drejtue Zotit:

O perendi, a ndjeve?

Tradhëtarët na lan pa Atdhe

e ti rrin e gjuen n’errfe

lisat n’per male kot.

Ishin kohë të turbullta, kur, si thotë Poeti,

“tash qi u ba Shqipnia, duhen ba Shiptarët.”

E për me ba Shqiptarët Ai ishte që:

Në vitin 1913, thëmeloi dhe drejtoi deri sa vdiq revistën “Hylli i Dritës.”

Në vitin 1916, themeloi e drejtoi fletoren “Posta e Shqipnisë.”

Në vitin 1919 asht sekretar i delegacionit Shqiptar në Konferencën e Parisit.

Në vitin 1921 asht zgjedhë deputet i Shkodres në Parlamentin Shqiptar.

Në vitin 1921 asht edhe nënkryetar i Parlamentit tonë.

Në vitin 1930 asht në Athinë anëtar i delegacionit të Konferencës Ndërballkanike.

Në vitin 1931 asht ftue për mbrojtjen e të drejtave të Shqipnisë dhe të Shqiptarëve në disa shtete, ku ka spikatë fjala e Tij, në 1931 në Stamboll dhe 1932 në Bukuresht.

Në vitin 1931 asht ftue në New York me përfaqsuesit e 60 shteteve të Botës ku u zgjodh anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar të Poetëve në Amerikë.

Me 6 qershor 1921, në zgjedhjet e para Parlamentare në historinë e Shqipnisë, Shkodra e dërgon At Fishten përfaqësues të vetin bashkë me miqtë e Tij Gurakuqin e Mjedën dhe Parlamenti e zgjedh Nënkryetar të Kuvendit Kombëtar. Ky polemist i shkelqyeshëm në lamen e gazetarisë, me prodhimtari ma të madhe se çdo gazetar profesionist, do të shfaqej në Parlament si një orator i pashoq, një atdhetar i flaktë në akuzën kundër Serbisë për masakrat mbi vëllaznit kosovarë; por edhe kompetent si ekonomist, gjeolog, pedagog e agronom, jurist e diplomat “sa me pasë nder me e pasë çdo parlament i Europës”, siç shkruente një gazetar i huej që ndiqte punimet.

Me fjalën e Tij të zjarrtë i tregoi mbarë Europës se At Fishta ishte dhe mbetet Tribun i Popullit Shqiptar, që luftoi pa i ba syni vek për të Drejtat e Shqiptarëve për vetvendosje, tue demaskue haptas qellimet e fqinjëve grabitqarë të Tokave tona përrreth, të cilët vepronin dhe mbroheshin nga Fuqitë  mëdha.

Polemikës së At Fishtës i jep shpirt satira, me ndihmën e së cilës realizoi pikturën estetike të së keqes. Ai godet me forcë të gjitha llojet e devijimeve morale, sidomos ato të zyrtarëve ma të naltë. Këte luftë e ban me guxim, pa pyetë se me cilin binte në kontraditë. Prandaj edhe asht quejtë mbreti i polemikës Shqiptare. Nuk trajtoi në to asnjëherë çashtje vetjake, pse si synim i polemikës së Tij të ashpër ishte lufta kundër pseodoatdhetarëve “me barkun kodër” dhe “xhepat e frymë”…

“Shka ka me dijtë me folë mbi politikë e mbi organizmin e shtetit civil nji njeri malok, matrahul, qi me m’zi ndoshta ka krye dy a tri klasë fillore e qi djerset kur i duhet me shkrue emnin e vet. Pse asht edhe tradicjoni shpijak e edukata familjare, qi shumëkend ndër ta e ban krejt të neveritshëm e ekcentrik. Ky babën gjaks, gjyshin katil, stergjyshin mizuer, rritë me katila, me gjaksë, me mizorë, me intriganta, batakçij, vagabonda, rrugaça, me njerëz hasëm të kulturës e të gjytetnisë, kah mund të mendohet se ka me kenë i zoti me rregullue fatin e nji kombi ende primitiv? Pse me sundue nji shtet nuk asht mjaft dhelpnija, dredhija, intriga, batakçilleku, rrena, tradhëtija; duhet nder dhe urtì, burrnì: qe se shka duhet. Po, por dija, urtija, ndera, burrnija u nxejshin në shkollë e, madje, me shumë mund e djersë, e jo ndër kafeshantana t’Europës e mejhane paçaxhihane të Tiranës, tuj luejtë “tavell” e “bigjoz” e tuj pi “mastikë”.

Një portret i përkryem i “udhëheqësit” tonë të ardhshëm…

 

Melbourne, Dhjetor 2016.

 

Filed Under: Histori Tagged With: 76 Vjet, Danil Gazulli, Dritz Radovani, pa Fishten

Njeriu, idealisti dhe shkrimtari Petro Marko

December 27, 2016 by dgreca

Me rastin e 25 vjetorit te ndarjes nga jeta te shkrimtarit te njohur e te dashur, Petro Marko (25 nentor, 1913 – 27 dhjetor, 1991)/

1-petro-marko

NGA SADIK ELSHANI/ *Kur shkrimtaret, artistet, figurat e ndritura te kombit kujtohen e nderohen ne pervjetoret e tyre te lindjes, apo te vdekjes, dhe jo vetem ne keto raste, tregon se ata jane te paharruar, te nderuar dhe me vepren e tyre, jeten e tyre kane ndikuar pozitivisht ne jeten e shume njerezve, kane fisnikeruar jeten shpirterore te tyre, kane ngritur vlerat morale. I tille ishte Petro Marko, i cili mbylli syte pergjithmone 25 vite me pare, me 27 dhjetor te vitit 1991. Ky shkrim modest nuk ka ndonje qellim tjeter vecse per te kujtuar,nderuar njerin nga shkrimtaret dhe intelektualet me te rendesishem te letersise dhe kultures sone kombetare,me rastin e 25 vjetorit te vdekjes se tij. Nderojme njeriun dinjitoz dhe shkrimtarin e talentuar e prodhimtar,Petro Marko.Sic jane shprehur, me te drejte, edhe te tjeret, ai eshte nje rast i rralle, ndoshta edhe i vetem ne letersine tone ku njeriu dhe shkrimtari jane shkrire, jane bere nje. Pervoja e tij e pasur jetesore, jeta e tij pasqyrohet ne veprat e tij. Jeta u be vepra e tij dhe vepra (shkrimet e tij) u be jeta e tij. Kapitujt e romaneve te tij njeheresh jane edhe copeza te jetes se tij, mund te themi, dramatike. Emrit te tij si shkrimtar dhe intelektual i shkojne shume epitete: i madh, i talentuar, modern, etj.,por epiteti me i domethenes qe misheron vepren e tij dhe ate si njeri eshte: i dashur. Nje shpirt, nje fytyre e perzemert qe rrezaton miresi, mirekuptim njerezor, dashuri njerezore, dashuri pa kufinj. Lexuesi qe shijon vepren e tij e adhuron ate dhe shkrimtarin,sepse ne cdo faqe,ne cdo rresht dhe ne cdo fjale te tij eshte shpirti i tij i paster, i gjere dhe i cilter, dashuria per jeten,dashuria per njeriun. Tere veprat e tij i pershkon nje fryme e ngrohte njerezore, ngadhnjimi i dashurise dhe humanizmit.

Sa here qe permendet emri i Petro Markos,menjehere te godet ne mendje “Hasta la vista”, nje roman shume i popullarizuar shume i dashur dhe i adhuruar nga rinia shqiptare. Dhe jo vetem nga rinia. Me kete roman dhe romanin tjeter,”Qyteti i fundit”,qe merret edhe si romani i pare modern shqiptar, ai i hapi horizonte te reja letersise shqiptare, nxiti, ngacmoi dhe zgjeroi imagjinaten e lexuesit. i hapi, apo thene me mire,i theu kufinjte e provincializmit, botes se ngushte e te mbyllur. Solli motive e qasje te reja ne letersine shqiptare.Bota e tij ishte e gjere dhe e pakufijshme. Ai shkoi per te luftuar edhe per lirine e nje vendi te larget si Spanja. Pervec personazheve si, Halimi, Besa, Leka e shume te tjere, ai solli ne imagjinaten tone edhe figura te tilla si, Anita Gonzales Seto e Anamaria Monti. Permes dashurise se djalit shqiptar, Gorit, dhe vajzes spanjolle, Anites, ai sillte porosine se shqiptaret jane pjese e botes, pjese e familjes se madhe njerezore dhe nuk duhet te vecohen nga ajo.

Ai nen trysnine e diktatures, nuk u be shkrimtar konformist, por i qendroi besnik parimeve te tija te larta njerezore e morale. Shquhej per karakterin e tij revolucionar e kryengrites, por ishte edhe nje shpirt i ndieshem, nje shpirt lirik,qe u perpoq dhe u mundua per nje bote ideale, por ja qe jeta i solli edhe kapituj te hidhur,madje mund te thuhet edhe tragjik. Njeriu qe u ballafaqua me vuajtje, dhimbje shpirti, por nuk u perkul,nuk u thye, ruajti dinjitetin e tij dhe gjithnje koken e mbajti lart. I zhgenjyer me sistemin dhe udheheqjen komuniste te Shqiperise, ai kurre nuk u perkul, nuk u be servil dhe puthadores i askujt, sepse ai kishte boten e tij idealiste, qendrimet dhe pikepamjet e tij dhe ishte i begatuar me parime e vlera te larta njerezore.

Petro Marko lindi me 25 nentor 1913 ne fshatin Dhermi te Himares. Shkollen fillore e ka kryer ne vendlindje, ndersa ne Vlore ka ndjekur Shkollen Tregtare, ku njeri nga mesuesit e tij ishte Ernest Koliqi (1903 – 1975), njeri nga mjeshtrit e tregimit shqiptar. Me ndihmen e Koliqit, botoi tregimet e para ne revistat e kohes. Ne vitin 1936 se bashku me Branko Merxhanin e disa te tjere botoi revisten ABC. Si njeri me shpirt e karakter kryengrites, ne vitin 1936 vajti ne Spanje per te marre pjese ne Luften Civile te Spanjes. Ne Madrid Petro Marko, se bashku me Skender Luarasin (1900 – 1982), nje tjeter intelektual me shpirt kryengrites, fillon botimin e gazetes ne gjuhen shqipe, “Vullnetari i lirise”, qe doli vetem ne dy numra. Ne Spanje eshte takuar me Ernest Heminguein (1899 – 1961), me te cilin ka patur edhe korrespodence. Ne vitin 1940 kthehet ne Shqiperi dhe pas nje viti italianet e internojne ne ishullin e Ustikes ne detin Tirren, ne very te Sicilise. Kete pervoje, kete kapitull te jetes se tij e ka pasqyruar ne romanin e tij “Nata e Ustikes” (Tirane, 1989). Ne vitet 1945 – 1947 ka qene kryeredaktor i gazetes “Bashkimi”. E arrestojne ne vitin 1947, kete radhe komunistet shqiptare, sepse kundershtoi qe “Bashkimi” duhej ta ndiqte modelin e “Borbes” se Beogradit. Pas renjes se Koce Xoxit e lirojne dhe e lejojne te punoje si mesues i gjihes dhe i letersise shqipe ne Tirane. Ne vitin 1973 per tete vite ia ndalojne te drejten e botimit, ndersa me 1975 ia burgosin djalin, Jamarbrin. Kjo ishte nje goditje e rende per nje njeri te ndjeshem e me shpirt te paster si Petro Marko, njeri qe tere jeten e tij ishte perpjekur per nje jete ideale. Por fatkeqsisht nje jete e tille nuk mund te ndertoheh ne Shqiperin e udhehequr nga komunistet e pashpirt. “Dasma me dreqen nuk behet” – thone ne Kosove.

Me shkrime ka filluar te merreet qysh ne vitet e 30-ta te shekullit te kaluar, ndersa ne fund te viteve te 50-ta dhe ne fillim te viteve te 60-ta, ai iu paraqit publikut shqiptar me disa vellime me tregime e poezi, si dhe me romanet e tij tani mjaft te njohur: “Hasta la vista” (1958), “Qyteti i fundit” (1960). Eshte autor i mese 10 romaneve: “Stina e armeve”. “Shpella e pirateve” (roman per femije e te rinj), “Nje emer ne kater rruge”, “Halimi”, etj. Ne vitin 1972 shtepia botuese “Rilindja” e Prishtines e botoi kompletin e veprave te Petro Markos ne 10 vellime.Si njeri me profesion gazetar, ne veprat e tij shquhet per stilin e tij telegrafik, per qasjet moderne ne letersine shqipe dhe merret si themelues i prozes moderne shqiptare (kryesisht romanit modern shqiptar). Per shkruesin e ketyre radheve, romanet: “Shpella e pirateve”, “Hasta la vista”, “Qyteti i fundit” jane nder librat me te dashur. E kush nuk mund te magjepset me personazhet (fytyrat): Rusman-el-Namsur, Anita Gonzalez Seto, Anamaria Monti?! Ku ta dish, ndoshta ndonjeri nga keto personazhe eshte bere edhe pjese e jetes sone.

Ka 25 vite qe ai prehet i qete ne kodrat e Dhermiut te tij te dashur, atje buze ujerave te kalterta te Jonit. Dhe me siguri, ende eshte i magjepsur nga perendimi i diellit, si dikur ne rinine e tij. Por vepra e tij jeton ne zemrat e mijera lexuesve dhe do te lexohet e adhurohet edhe nga brezat qe do te vijne,sepse vepra e tij eshte per te gjitha koherat, vepra e tij ka nje porosi te pergjithsme (universale).

Ne, lexuesit dhe adhuruesit e vepres se tij, me shume dashuri e kujtojme dhe e nderojme gazetarin, publicistin, shkrimtarin, luftetarin e lirise, idealistin, por mbi te gjitha, humanistin, njeriun, ne kuptimin e plot te fjales, Petro Marko – Nderin e Kombit.

Qofte i perjetshem kujtimi!

Filadelfia, 26 dhjetor, 2016

*Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptro – amerikane.

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: idealisti, Petro Marko, Sadik Elshani

Nga “Elcot” tek “Archangel-at” e SHBA

December 25, 2016 by dgreca

Sot Forca Detare, 91 vite, 25 Dhjetor 1925 -2016/

1-flota-shqiptare

Nga Shefqet Kërcelli/Zhvilli i Flotës Luftarake Detare në Shqipëri ka ecur paralel me zhvillimet historike, ekonomike dhe ushtarake të popullit shqiptar/

Por ne mund të evidentojmë disa ngjarje më të rëndësishme në këtë ecuri të Flotës dhe detarëve shqiptarë.-Me shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor 1912, u bënë përpjekjet e para për organizimin e një flotilje të marinës nga Qeveria e Ismail bej Vlorës, por fillimi i Luftës së 1-rë Botërore e ndërpreu këtë angazhim të qeverisë, si dhe mjaft aspekte të tjera të jetës socialekonomike dhe politike.

-Më 25 dhjetor 1925, mbrijnë nga Italia dy anije 190 tonshe, të cilat u emërtuan me emrat sinjifikativë ”Shqipëria” dhe ”Skënderbeg”. Këto anije u pajisen me efektiva marinarësh dhe u përdorën duke kryer detyra në interes të luftës kundër kontrabandës në brigjet shqiptare. Kjo date shënon dhe Krijimin e Forcave Detare Shqiptare. Bazuar në një punë shkencore, fakte, dokumente dhe kujtime, Shoqata e Historianëve Ushtarakë nën drejtimin e të ndjerit prof.Dr.gjergji Titani, {Ku kam qenë anëtar dhe unë, SH.K} përgatiti data e formimit të Forcave e Shërbimeve të ushtrisë shqiptare nga 28 nëntori i 1912 e deri në v.1990. Në qershor të vitit 1992, parlamenti shqiptar, mbi bazën e studimit të kryer, dekretoi të gjitha datat e Forcave dhe shërbimeve në Ushtrinë shqiptare, ndaj nuk ka vend për hamendësime apo kontestime.

-Më 24.06.1928, u krijua Komanda e Marinës në Durrës, me komandant, kapidan Ahmet Kapidani, dhe u mblodhën rekrutët e pare për këtë armë. Po këtë vit në bazë të një marveshje ndërmjet qeverisë së asaj kohe dhe qeverisë italiane u sollën nga Venecia 5 (pesë) MV “Antisomergibile” të tipit “Elco” Amerikan, të cilat ishin përdorur gjatë Luftës së I-rë Botërore. (v.1917).

-Me dekret të parlamentit, dt.16.11.1929, Struktura e Institucioneve Detare të Mbretërisë përbëhej nga:-Komanda e Marinës, Skuadrilja me Motoskafë patrullimi tip “MAS”, Drejtoria Qendrore Detare dhe Kapiteneria e portit me 5 zyra, në Vlorë, Sarandë, Shëngjin, Himarë, dhe një në liqenin e Pogradecit.

-Më 1934, u blenë po nga Italia edhe dy anije të tjera të lehta, të cilat u emërtuan ”Saranda” dhe ”Durrësi”, të destinuara kryesisht për luftën kundër kontrabandës në bregdetit tonë.(B.Fisher.“Mbreti Zog dhe përpjekjet e tij për stabilizimin e gjendjes në Shqipëri”).

-Pushtimi fashist më 7 Prill 1939, e ndërpreu këtë zhvillim të detarisë shqiptare, e cila po hidhte hapa të rëndësishme për krijimin e strukturave të organizuara me një fizionomi të qartë. Gjatë periudhës së Luftës së 2-të Botërore, pothuajse u rrënua gjithçka nga këto anije. Ndaj, çlirimi i vendit e gjeti Flotën Shqiptare në gjendje të mjerueshme, me pothuajse të gjitha anijet të mbytura në portet, bregdetin shqiptar, italian dhe dalmat.

-Fillimi i vitit 1945, shënoi përpjekjet e para për riorganizimin dhe ringritjen e Forcave Detare. Kështu më 23 shkurt 1945, pranë Komandës së Përgjithshme të UNÇLSH, u krijua Seksioni i Marinës Luftarake me shef seksioni, Kapiten i 1-rë, Abdi Mati. Nga dokumentacioni i kësaj komande vlejnë për tu përmendur urdhërat për thirrjen e oficerëve të marinës në detyrë, urdhër nr.44. dt.30.03.45, për riorganizimin e kantiereve të riparimit dhe funksionimin e kapitenerive të porteve nën kujdestarinë e seksionit të marinës, urdhër nr.82. dt.04.05, “Për rikthimin e barkave shqiptare që ndodheshin në Itali”, etj.

-Më 15 gusht 1945, u bë përurimi i hedhjes në ujë të dy motoskafeve trofe me numër MS-10 dhe MS-12. Këto motoskafë u armatosën me mitraloz të lehtë dhe filluan patrullimin në ujërat tona bregdetare.

-Në prill të 1946, u krijua Komanda e Marinës, kurse në Shëngjin, Durrës, Sazan, Vlorë dhe Sarandë, krijohen grupet e ABD-së që vareshin prej saj. Në kuadrin e riorganizimit të MM, në shtator të v.1946, suprimohen Komandat dhe seksionet, midis të cilëve edhe seksioni i Marinës, pasi u krijua Drejtoria e Mbrojtjes Bregdetare.

-Periudha e mëvonëshme ka qenë një periudhë intensive, ku u punua për zhvillimin e FLD, duke shfrytëzuar edhe konjukturat politike të kohës. Bëhet fjalë për lidhjet e bashkëpunimin në shumë fusha me vendet e ishkampit socialist.

–Më 25 shtator 1957, u krijua Shërbimi Hidrografik si strukturë tekniko-shkencore për

sigurimin hidrolundrimor dhe të veprimeve luftarake, i cili përgatiti e ngriti një varg fenerësh në gjithë bregdetin. Ai njëkohësisht filloi përgatitjen e hartave detare shqiptare. U ngritën e modernizuan mjaft pika sinjalo-vrojtuese dhe u pajisën ato me një rrjet të gjerë radiollokatorësh.

–Më 21 shtator 1958, u krijua Brigada e Nëndetseve, {BrND}. ND e 1-rë, (Ëhiski 613 C, Stuhia), ND e 2-të, (Rrufeja), ND e 3-të, (Vetëtima), ND e 4-të, (Tufani),

–Më 1959, filloi nga puna Ofiçina e Riparimit të Anijeve ne Pashaliman.

–Në vitin 1961, me VKM Nr.381, date 28.10.1961, në Vlorë u hap shkolla e Marinës, sot Shkolla e Trupës,{seksioni detar}, e cila për mbi 4 dekada, ka luajtur rol kryesor në përgatitjen dhe furnizimin e FLD, FDT e NSH të Peshkimit, me qindra kuadro oficerë e specialistë, komandues e navigatorë, duke treguar një përgatitje e nivel të lartë profesional.

-Periudha e viteve 1961-1980, shënoi zhvillimin e mëtejshëm të FLD, krijimin e vendbazimeve të reja dhe disa reparteve të KS, kompletimin me anije luftarake moderne të kohës. U ngritën dhe modernizuan mjaft Pika Sinjalo-Vrojtuese me një rrjet të gjerë radiollokatorësh.

–Më 21 shkurt 1968, FLD ju shtuan KS të projektit të ri “Huchuan Pr 66-25”, të ardhur nga Kina.

-Periudha e viteve 1980-’90, mund të konsiderohet si periudha e vijueshmërisë së

lundrimeve, mbijetesës në drejtimin e sigurimin e gatishmërisë teknike të anijeve mbiujëse e nënujëse. Një kontribut të madh në këtë drejtim ka dhënë edhe Kantieri Detar i Riparimit të anijeve në Pashaliman.

-Mbas viteve ‘90, për FD shtrohej detyra e ristrukturimit, rikonceptimit të reparteve të saj për një integrim të natyrshëm me strukturat e NATO-s dhe BE. Në këtë periudhë vlen për tu theksuar mbështetja që dhanë efektivat e FD për proceset demokratike në vend, falë pjekurisë politike, shpirtit atdhetar e demokrat të kuadrove e efektivave të FD. U rrit në mënyrë të ndjeshme bashkëpunimi me Flotat e vendeve të NATO-s, ku u zhvilluan me sukses mjaft stërvitje të përbashkëta si “SAR-EX-1”, “SAR-EX-2”, “MAR-EX-1”, “MAR-EX-2” etj, në të cilat kuadrot tanë treguan një nivel profesional të vlerësuar nga partnerët.

– Në mars 1993, bazën e Kepit të Palit e vizitoi ishsekretari i Mbrojtjes i NATO-s,

Manfred Vërner.

-Ngjarjet tronditëse të marsit 1997, shkaktuan në repartet e FMD, dëme shumë të mëdha e gati të pallogaritshme. Pjesa më e madhe e anijeve me qëllim që ti shpëtonin valës të shkatërimeve lundroi e u strehua në Brindizi të Italisë. Sipas marveshjes së përbashkët të dy shteteve, pas riparimit të tyre u kthyen në Shqipëri. Gjysma e dytë e vitit 1997 dhe viti 1998 shënoi një etapë ringritje dhe riorganizimi të reparteve të FD pas dëmeve të pësuara. Kështu pas një pune intensive, falë përkushtimit maksimal të kuadrove e efektivave të FD, u bë e mundur ringritja dhe funksionimi i DD të Durrësit e Vlorës, si dhe BnD Sarandë e Shëngjin. Vlen për tu përmendur në këtë proces ringritjeje, ndihma e partnerëve tanë perëndimorë si SHBA, Itali, Turqi, Greqi, etj.

-Më 1998, si rezultat i kohës së gjatë të përdorimit, pas një veprimtarie 40-vjeçare, dolën jashtë stukturave luftarake të FD-së, të 4 ND-et e saj.

-Në mars të vitit 1999, me ndihmën e Departamentit të Shtetit të SHBA, FD u pajisën me 5 motovedeta patrulluese, (3 copë të klasit-65foot, dhe 2 copë-46 foot), të cilat u bënë protogoniste të operacioneve SAR dhe zbatimit të ligjshmërisë detare në këto 15 vite.

-Në 2002, me kontributin e qeverisë italiane, pas miratimit të Ligjit të Rojes Bregdetare

Shqiptare, Nr.8875, (dt.04.04.2002), FD u pajisën dhe me 6 motovedeta (MV të klasit 200 foot) nga Italia, të cilat së bashku me MV amerikane rritën aftësitë operacionale të Rojes sonë Bregdetare në luftën dhe përpjekjet kundër trafiqeve të paligjshme në det.

-Në shkurt 2007, filloi puna për instalimin e Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare, (SIHVD), projekt i zbatuar nga firma prestigjioze Amerikane “Lockheed-Martin”.

-Më datën 5 Shtator 2008, në molin nr.5 të Portit të Durrësit u zhvillua ceremonia e përurimit të anijes “Iliria”, P-131, e cila mbërriti në Shqipëri në kuadër të zbatimit të kontratës me Kompaninë Hollandeze “Damen Shipyards”.

-Në mars 2009, mbasi u zhvilluan provat finale, u mor në dorëzim nga përfaqësues të MM e FD, Sistemi i Integruar i Vëzhgimit të Hapësirës Detare, i instaluar nga specialistët e kompanisë “Lockheed Martin”, i cili aktualisht përbën asetin më të rëndësishëm të zbulimit e vëzhgimit të hapësirës sonë detare, për të gjitha ministritë tona që mbulojnë kufirin blu.

-Më datën 2 shtator 2010, në portin e Durrësit u zhvillua ceremonia e marjes në dorëzim të 3 anijeve patrulluese “ARCHANGEL”, dhuratë e Departamentit të Shtetit të SHBA. Në sajë të parametrave teknikë dhe ushtarakë “ArchAngel” janë në gjendje të zhvillojnë operacione të suksesshme për zbatimin e ligjshmërisë detare si dhe operacione SAR.

-Gjatë këtyre viteve, me mbështetjen e partnerëve tanë te NATO-s, veçmas SHBA, si dhe nën kujdesin e qeverisë dhe popullit shqiptar, Forca Detare ka bërë hapa para për realizimin e misionit kushtetues, mbrojtjen dhe zbatimin e ligjshmërise detare, mbajtjen në kontroll të kësaj hapësire nëpërmjet Sistemit të Ri të Vëzhgimit të saj si dhe krijimin e kapaciteteve te nevojshme operacionale për planifikimin dhe zhvillimin e operacioneve humanitare në ndihmë të komunitetit. Duke mbajtur një prezencë të përhershme dhe aktive në det, Forca Detare është tashmë një aktor i rëndësishëm dhe i vlerësuar nga opinioni, shteti shqiptar dhe partnerët tanë. Ndërkohë anëtarësimi i vendit tonë në NATO, solli nevojën e një teknologjie ndërvepruese e efikase me partnerët e FD dhe hartimin e një plani modernizimi racional, mbështetur në burimet ekonomike që afronte shteti shqiptar. Ky plan transformimi pёrfshiu modernizimin e FD me sisteme, pajisje e mjete detare, të shtrira në plane afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, ku prioritet ka qenë kompletimi me mjete të reja që kryejnë misionin e Rojes Bregdetare. Në dekadën e fundit pajisja e FD me katër anije patrulluese të mëdha, në kuadër të zbatimit të kontratës me Kompaninë Hollandeze “Damen Shipyards”; me Motovedeta të shpejta dhe anije antindotje, dhuratë e Departamentit të Mbrojtjes së SHBA dhe qeverisë italiane; ndërtimi i Sistemit të Vëzhgimit tё Hapësirës Detare nga firma prestigjioze Amerikane “Lockheed-Martin”, pajisja me sisteme tё vёzhgimit natёn dhe sistemin AIS të anijeve të Rojes Bregdetare, përmirësimet infrastrukturore të vendbazimeve detare, etj. janë hapa konkretë në zbatim të këtyre politikave zhvillimore të Forcës Detare. Në këtë kuadër projekti më i rëndësishëm për modernizimin e FD, ishte nënshkrimi më 13 nëntor 2007, i marëveshjes për pajisjen e FD me 4 anije Patrulluese STAN PETROL-4207. Ky projekt bëri të mundur që 6 vjet më parë më 5 Shtator 2008, në molin Nr.5 të Portit të Durrësit të bregëzohet anija ”Iliria”, (P-131), një trashëgimtare e denjë e ”Liburnes” dhe ”Lembes” ilire. Në vijim më 14 Maj 2009, filloi ndërtimi i anijes ”Oriku”, (P-132), e cila u lëshua në ujë më 13 shtator 2011 dhe më 3 dhjetor 2012, u lëshua në ujë anija e tretë, (P-133) ”Lissus”. Ndërkohë më 8 prill 2014 u lëshua në ujë anija e katërt, ”Butrinti” (P-134), që shënon dhe përfundimin e këtij projekti.

-Ndërkohë nga fillimi i muajit nëntor 2016, anija ”Oriku” u angazhua në operacionet e NATO-s në detin Egje, që shënon një histori të re për Forcën tonë Detare, atë të pjesmarrjes në operacionet detare jashtë ujërave tona territoriale.

Modernizimi i FD me pajisje, sisteme dhe anije për të zëvendësuar teknikën e vjetër me teknikë moderne e bashkëkohore, të ndërveprueshme me NATO-n, me qëllim rritjen e kapaciteteve operacionale për realizimin e misionit dhe detyrave të përcaktuara në ligj, janë hapa konkretë në zbatim të këtyre politikave zhvillimore e transformuese të këtyre viteve të fundit. Theksojmë se historikisht, përbërja, struktura dhe mjetet që kanë pasur në dispozicion Forcat Detare kanë ecur paralel me zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit dhe mundësitë financiare të shtetit shqiptar, një mbështetje e cila ka qenë e vazhdueshme në këto 91 vjet ekzistence.

Të zgjeruar historinë e Flotës Luftarake Detare shqiptare e gjeni në librin :1-histori

-“Antologji e detarisë shqiptare”, pjesa e 1-rë, nga lashtësia deri në v.1960.

-“Antologji e detarisë shqiptare”, pjesa e dytë dhe e tretë, nga v.1960 deri në v.2012.

 

Filed Under: Histori Tagged With: 1925 -2016, 25 Dhjetor, 91 vite, Forca Detare, Shefqet Kercelli

Hapja e dosjeve në Shqipëri – gënjeshtër 26 vjeҫare

December 23, 2016 by dgreca

-Shqipëria e zgjidhi biologjikisht përballjen me diktaturën/

-Hapja e dosjeve në Shqipëri – gënjeshtër 26 vjeҫare: Vërtet parlamenti miratoi emrat e anëtarëve të autoritetit për hapjen e dosjeve, por vullneti për të parë në sy të vërtetën mungon në Shqipëri, mendon Lindita Arapi./

2-arapi-lindita

NGA LINDITA ARAPI/

Ishte dhjetori i vitit 1990, ditë demonstratash të studentëve, ditë të lindjes së pluralizmit politik, ajri vibronte nga thirrjet e shpresës të një populli të rraskapitur nga diktatura asfiksuese. Unë, studente e vitit të parë, e vonuar për shkak të refuzimit të së drejtës të studimit për probleme biografie duhej të brohorisja, të mirëprisja kohët e reja, barrierat e biografisë po rrëzoheshin. Por veҫ ca shkëndijave gëzimi që ndizeshin e shuheshin ditë për ditë, asnjë brohorimë nuk më dilte.Përpiqesha të rrokja më thellë kuptimin e fjalëve të reja që brohoriteshin pa pushim: „Liri, Demokraci!”

Deri më atëherë ua dinim kuptimin, vetëm sipas fjalorit të gjuhës shqipe, ku fjala demokraci p.sh. shpjegohej si:

„Demokraci socialiste, tipi më i lartë i demokracisë, formë e diktaturës së proletariatit, ku pushtetin e ka në dorë populli punonjës me klasën punëtore në krye dhe udhëheq partia e saj, (me që ra fjala ende në vitin 2016 fjalori i gjuhës shqipe – online ka këtë shpjegim për demokracinë).

Kthesa

Pyesja veten, nëse ishte kaq shpejt e uzurpueshme demokracia, nëse u shndërroke në demokrat brenda natës, mjafton të ngrije dy gishtat lart e të brohorisje „liri”, „demokraci”, siҫ bënin ata që vetëm pak javë më parë i kishin shërbyer me besnikëri diktaturës, nëse me mantelin e demokracisë e mbuloke të vërtetën e së shkuarës tënde, – atëherë ose unë jam një nihiliste e padurueshme me këto dyshimet e mia, ose në gjithë këtë transformim kolosal të vendit tim diҫka nuk shkon…Vite më vonë e kuptova pse nuk më entuziazmoi dot aq sa e kisha shpresuar viti i kthesës, 1990. Që kjo kthesë duhej të merrej, ishte kuptuar nga nomenklatura komuniste, nuk mbetej rrugë tjetër, por ajo me sa dukej duhej të bëhej pa dëmtuar ose shkatërruar privilegjet e atyre lart. Pavarësisht nëse ka ekzistuar apo jo fjalimi  i shumë përfolur në media i Ramiz Alisë për strategjinë e Katovicës, e ndryshimin e pushtetit me „njerëz të zgjedhur nga ne”, në realitet ndërrimi i sistemit në Shqipëri u bë nga elitat e vjetra komuniste, të rinjtë me energji e koncept të ri kishin vetëm rol episodik. Shqipëria nuk pati ndërrim elitash, por vetëm ndërrim të pllakës së elitave në politikë, në gjyqësor, në administratë, në jetën shkencore, të cilat amnistuan vetveten, me justifikimin, se në diktaturë „kishin bërë vetëm detyrën”.

Drejtësia dhe shteti i së drejtës

Fjalia lapidare e aktivistes gjermano-lindore për të drejtat e njeriut, Bärbel Bohley se „Ne kërkonim drejtësi, por morëm shtetin e së drejtës”, është mjaft domethënëse në kontekstin shqiptar:  Vërtet drejtësia duhej të vihej në vend brenda shtetit të së drejtës, ajo nuk duhej të ishte një drejtësi hakmarrëse. Por kur mijëra të burgosur politikë në proceset gjyqësore nuk e thërritën dot për ndihmë shtetin e së drejtës, e për ata u përdor „shpata e diktaturës së proletariatit që qëndronte gjithmonë e mprehur”, gruaja e diktatorit Enver Hoxha, Nexhmije Hoxha, kur u arrestua, kërkoi me arrogancë menjëherë në dhomën e hetimit avokatin mbrojtës. Shtetin e së drejtës e moshkeljen e të drejtave të personalitetit  e zbuluan shpejt dhe e përdorën si mburojë elitat e diktaturës. Viktimat e diktaturës jo.Kush fliste për të shkuarën komuniste, ishte një i djeshëm i pandreqshëm, sepse fryma e kohës nuk ishte katarsisi, por fshehja. Një imperativ tjetër i preokuponte elitat e dikurshme: ruajtja e favoreve të pushtetit, të stërviturut dinin të nuhasnin burimin nga rridhnin favoret e një pushteti të ri. Në diskursin shkencor për studimin e diktaturës në ish-vendet komuniste ka një koncept që njihet si „avantazhi i startimit”. Ata që ishin brenda korridoreve të pushtetit e kishin avantazhin jo vetëm për t’i bërë vend vetes në epokën e re, e nuk ishte fjala për të gjetur për fëmijët e tyre bursa jashtë shtetit, por për të qenë dora drejtuese që do të formësonte ndërrimin e sistemit në Shqipëri. Ishin ato që bënë edhe disa ligje lustracioni, me gjysmëzemre, të lëna në mes të rrugës në dy dekada, më shumë për t’u renditur në „detyrat e kryera të shtëpisë” që kërkonte Europa, por hapi final – hapja e dosjeve gjithmonë shtyhej.

Loja politike

26 vjet rresht ishte më e lehtë të hidheshin rregullisht shashka tymuese për hapjen e tyre, derisa opinioni të lodhej, në rast nevoje mund të akuzoje kundërshtarët politikë për dështimin e mos-hapjes së tyre, se sa të mbaje përgjegjësi. Pasoja: Teatri absurd i parlamentit shqiptar, ku deputetët thërrisnin njëri-tjetrin me nofkën e spiunit dhe një lojë e pashembullt politike, e pakrahasueshme me asnjë nga vendet ish-komuniste të Lindjes.Shqipëria nuk pati aktivistë të pjekur të lëvizjes qytetare si në RDGJ, të cilët bllokuan zyrat e Stasit në janar 1990, e qëndruan aty, derisa u mor një vendim i posaҫëm. Shqipëria e viteve 90-të të këpuste shpirtin nga varfëria, ajo ishte në ethe për të blerë një makinë, për të blerë televizor me ngjyra, për të ndërtuar një shtëpi, për të pasur rroba të jashtme, për të paguar një vizë jashtë shtetit.

Shqipëria që thërriste për  hapjen e dosjeve, që kërkonte drejtësi për ata qindra mijëra viktima të diktaturës kishte zë të dobët, të papërfaqësuar me ndershmëri nga politika.

Në fillimet e demokracisë presidenti i atëherëshm, Sali Berisha i thotë revistës gjermane „Der Spiegel” se hapja e dosjeve do të thoshte prishje e familjeve shqiptare, sepse ka pasur raste që gruaja ka spiunuar burrin, vëllai vëllanë. U qanin hallin divorceve pushtetarët e rinj apo divorcit me veten? Ndërsa vite më vonë politikanë apo ish-drejtues të institucioneve të ndryshme e zhvlerësonin hapjen e tyre duke deklaruar, se shumica e dosjeve janë shkatërruar, ato ose gjenden të mykura nëpër thasë të arkivave, ose mund të jenë manipuluar.

Konkluzioni: Epo mirë, meqënëse qenkan prishur, ta lëmë, nuk ia vlen t’i hapim, tani duhet të shohim përpara.„Mos gërmo në të shkuarën se do të humbasësh një sy, harroje të shkuarën e do t’i humbasësh të dy sytë”, shkroi Alexander Solzenizyn në „Arkipelagun Gulag”.

Politika shqiptare i humbi  26 vjet rresht, me dëshirë të dy sytë për këtë ҫështje, vetëm për të shpëtuar nga përballja me të vërtetën. Dosjet janë dështimi më i hidhur i tranzicionit shqiptar, këtë e ka regjistruar që sot historia.26 vite pas diktaturës më në fund ka një autoritet për hapjen e dosjeve, edhe emrat e anëtarëve u miratuan nga parlamenti. I bëri kujt përshtypje ky lajm? Unë vetë, njësoj si në vitin 1990 nuk ndjeva ndonjë gëzim, as edhe një buzëqeshje të hidhur nuk ta nxjerr dot një lajm i tillë. Krijimi i autoritetit sigurisht nuk do të thotë se ato do të hapen shpejt, loja politike vazhdon. Me shpresën e disave, se deri sa të hapen ato, kanë ndërruar jetë shumë nga ata „të bezdisurit” që duan të dinë patjetër të vërtetën.

Llogaria e elitave të vjetra për ta zgjidhur biologjikisht përballjen e Shqipërisë me të shkuarën komuniste ka dalë. Mos duan t’i urojmë tani edhe për suksesin?

 

Filed Under: Histori Tagged With: Lindita Arapi, me diktaturën, përballjen, Shqipëria e zgjidhi biologjikisht

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 424
  • 425
  • 426
  • 427
  • 428
  • …
  • 739
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË
  • NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE KËRCËNIMI I URISË GLOBALE: NJË GRADË MË SHUMË, MILIONA JETË NË RREZIK
  • KUR FLITET PËR PROCESIN KRIJUES – ROMANI “I ARRATISURI”
  • NËNTORI 2026 MES FLAMURIT DHE PROTESTËS
  • Plagët e heshtura të luftës…
  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT