NGA IZET SHEHU*/
Në tryezën ngjyrë dhelpre të Konferencës së Parisit më 1919-tën, po luhej një nga tragjeditë më absurde mbi shpinën e kombit tonë, nga më të vjetrit, më krenarët dhe nga më bujarët në Gadishullin e Ballkanit. Fuqitë e Mëdha u treguan kasapë të pamëshirë me kufijtë e Shqipërisë në vitin 1913-të.
Qeveria e Turhan Pashë Përmetit u tregua e qulltë për të mbrojtur çështjen kombëtare. Në këto rrethana, Shqipëria kërcënohej nga dhëmbët prej ujku të fqinjëve shovenë. Këtë detyrë jashtëzakonisht të vështirë dhe kyçe e mori Komisioni Organizator i Mbledhjes Kombëtare, që përbëhej nga patriotë të kulluar me emër, si: Eshref Frashëri, Sheh Ibrahim Karbunara, Ferid Bej Vokopola e Nebi Sefa. Më 1 janar 1920 komisioni i drejtoi vendit thirrje për një mbledhje kombëtare. Pse u caktua pikërisht Lushnja për këtë eveniment historik mjaft të rëndësishëm?
E para, se ishte në qendër të Shqipërisë. Pra, faktori gjeografik. Në një letër që “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” më 7 janar 1920 i drejton komitetit thuhet se: “paria e Lushnjës tregoi në krahasim me vendet e tjera një kurajë civile më të madhe e prandaj duhet me i çue asaj një letër përgëzimi e mirënjohjeje”.
Pra, thamë, pozicioni kyç. Arsyeja e dytë: në këtë qytet kishte atdhetarë të vendosur.
Së treti: populli i kësaj treve ishte aktiv në Rilindjen Kombëtare. Në fillimet e shek. XIX, Abaz Bej Lushnja drejtoi “Besëlidhjen e Beratit”, apo pjesëmarrja aktive e banorëve të kësaj treve, etnikisht e pastër, shqiptare, në aktin historik të ngritjes së flamurit në Vlorë më 28 Nëntor 1912 me përfaqësuesit e saj: Nebi Sefa, Ferid Vokopola etj.
Së katërti: Lushnja është zonë tranzitore, ku përzihen gegë e toskë.
Duke pasur këto përparësi, patriotët lushnjarë u lidhën me personalitete kombëtare nga më të spikaturit e kohës.
Dua të theksoj në këtë trajtesë se, në dhjetor të vitit 1919-të në teqenë me emër të Ibrahim Sheh Karbunarës, u bënë disa takime pune për organizimin e këtij Kuvendi Kombëtar, ku ishte i pranishëm dhe konsulli anglez M. Iden, i cili përkrahu pa rezerva këtë ide kombëtare. Komitetin Organizator e kryesoi Sheh Karbunara. Rol në këtë komsion luajti Eshref Frashëri, i cili në këtë kohë punonte në Lushnjë. Duke qenë anëtar i komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” ai bashkëpunonte me atdhetarë me emër, si: Hoxha Kadria e Sali Nivica. Pra, siç e thashë që në fillim, kjo veprimtari me përmasa kombëtare synonte mbrojtjen e viseve shqiptare nga shovenë grekë e serbo-kroato-sllovenë.
Meqë s’kishte ndërtesë të përshtatshme, shtetërore, Komisioni caktoi shtëpinë e Fugëve, sepse plotësonte kushtet.
Në çastet kur jam duke hedhur në letër këtë trajtesë, kam ndër duar një dokument autentik arkivor për këtë Kongres, nga më themelorët e historisë sonë.
Dihet se 1913 na sakatoi pa mëshirë, na cungoi, na preu gjymtyrët. Edhe sot, jetojmë të shpërndarë në pesë shtete. Jemi unikalë për këtë fatkeqësi në mbarë planetin.
Ia bëmë vetes apo ramë në grackën e atyre që as na kanë dashur, as na duan dhe as kanë për të na dashur kurrë. Se ne i kemi tashmë të qartë miqtë dhe armiqtë tanë tradicionalë. Delfinët dhe peshkaqenët. I kemi të qartë. Po, atëherë, përse luajmë rolin e të paditurit? Përse? Përse në muzetë historike ende vegjetojnë mediokër e të molepsur? Të parët që duhen ballafaquar me dosjet e diktaturës duhet të jenë ata!
Po iu citoj disa rreshta nga procesverbali arkivor i ditës së parë të Kongresit të Lushnjës:
Çelja e I-rë e Mbledhjes Kombëtare
Lushnje, 21/01/1920
….Sot, ditë e Mërkurë 21/01/1920 ora 10 p. Drekë, tue qenë dita e caktueme për çeljen e Mbledhjes Kombëtare, me gjithë vonesën e letërthirrjeve nuk kanë arritur shumica e Delegatvet, delegatët e arrijtun u mblodhën më Sallën e Mbledhjes në shtëpi të Z. Kaso Fugës, e, pasi u bë një lutje prej të përndershmit Sheh Ibrahim Karbunarës, Zotnië Ferid Bej Vokopola, në emën të Komisjonit të Lushnjës, mbajti një ligjëratë për mirëseardhjen e Delegatvet. Shkëlqesia e Tij Z. Aqif Pasha Elbasani, ju përgjigj kësaj ligjerate me fjalë patriotike të flakta. Mbas kësajë ceremonie, komisjoni i përmendun u hoq e mbledhja filloj nga punët.
Përkohësisht u emnue si sekretar i Kuvendit Z. Ferid Vokopola. Për të këqyrun letërpërfaqësimet e Delegatve u zgjodh një komision i posaçëm prej (5) pesë vetash:
Irfan Bej Ohri, Qazim Kokoshi, Kostaq Kotta, Fasli Frashëri dhe Adem Peqini. Mbas kësaj zgjedhje u vendos që mbledhja t’i pushojë punët për derisa të mbrrijë shumica e Delegatvet”.
Morën pjesë në këtë Kongres gjithsej 37 delegatë. Delegatët e Shkodrës dhe të Lezhës s’mundën të mirrnin pjesë. Senatorët e këtyre Prefekturave u la të zgjidhen nga vetë Prefektura.
Mbas këtij vendimi Z. Xhaferr Ypi, delegati i Durrësit propozon “që me qenë se Lushnja mori iniciativën për këtë Kongres t’i jepet për nderim e drejta me u përfaqësue veçanërisht në Senat.
Delegati i Lushnjës i përndershmi Sheh Ibrahim Karbunara, tue iu falë Mbledhjes së Kombit, thotë se Lushnja nuk e bani për shëpagim, por e quajti për detyrë. Atëherë Z. Eshref Frashëri, delegat i Korçës, propozon t’i shkruhet popullit të Lushnjës një letër falnderimi prej anës së Mbledhjes Kombtare që t’i mbetet kujtim n’arkiv të katundaris së Lushnjës.
Delegate i Mallakastrës, Z. Bektash Cakrani, propozon në kabinetin qeveritar zotrinjtë: Sulejman Delvina, Iliaz Virjoni, Amet Zagolli, Sotir Peci, Ndoc Çoba, Mehmet Konica. Z. Iliaz Virjoni për shkaqe të veçanta nuk pranoi: u propozua Z. Hoxha Kadria, i cili u pranua.
Votimi u bë çeltazi (fjalë në dokumentin origjinal). U bë betimi i delegatëve dhe i Këshillit të Naltë.
U zgjodh kabineti:
Kryeministër Z. Sulejman Bej Delvina
Zëvendës Z. Eshref Bej Frashëri
Ministër i P. Mbrendshme Z. Ahmet Bej Zagolli
Ministër i P. të Jashtme Z. Mehmet Bej Konica
Ministër i Arsimit Z. Sotir Peci
Ministër i Drejtësisë Z. Hoxha Kadria
Zëvendës Z. Hysen Bej Virjoni
Ministër Finance Z. Ndoc Çoba
Zëvendës Z. Idhomen Kosturi
Kongresi u hap më 21/1/1920 dhe mbaroi punimet më 31/1/1920.
Duke paraqitur në këtë trajtesë disa çaste të marra nga burimi arkivor, autentik, dua të hedh dritë mbi ca të vërteta. Për falsifikatorë e retushues të këtij Kongresi dhe protagonistëve të tij të shquar do të merrem në një shkrim tjetër. Koha është si deti. Herët a vonë gjërat i nxjerr në breg. Herët a vonë.(Dielli arkiv-Janar 2010)
* Autori i ketij shkrimi, i ndjeri Izet Shehu, ishte mësues i Gjuhës dhe Letërsisë shqipe, ish deputet i Partisë Demokratike nga viti 1992-1996,ndërroi jetë me 25 Nëntor 2012 në Tiranë. I ndjeri është autor i librave:
• “Çiltërsi lirike”, përmbledhje poetike
• “Vjeshtë njerëzore”, përmbledhje poetike
• “Ëndrra trëndafilash në borë”, përmbledhje poetike
• “Brohorima e një dimri”, përmbledhje me tregime dhe novela
• “Troku i fatit të verbër”, përmbledhje poetike
• “Mjegulla e trishtimit”, përmbledhje me tregime
• “Fatkeqja e bukur”, novelë
• “Perëndimi në zabelin plak”, përmbledhje me tregime
• “Mbi qerpikë çlodhet agu”, përmbledhje me poezi
• “Drithërime muzgu”, përmbledhje poetike.
• Vetëm një grua-roman 2007
• Trikani, tregime dhe esse-2008
• Hija e Korbit të bardhë-Publicistikë dhe esse
• Kundër frymës mohuese- Publicistikë letrare 2010
• Bari mbi rrënoja- Poezi 2012
• Antologjia 10×10
« Le Matin”- Avni Rustemi-Ja pse e vrava Esat Pashën
Gazeta franceze « Le Matin », 1920 : Kur Avni Rustemi shpjegonte në gjyqin e tij arsyen e vrasjes së Esat Pashës/

Foto: Burimi : Cour d’assises : meurtrier d’Essad Pacha, Avni Rustem : [photographie de presse] / © Agence Meurisse – gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France/
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 20 Janar 2017/

Më 13 qershor të 1920, në kryeqytetin francez, Esat Pasha po dilte nga hotel « Continental », i shoqëruar nga një mik dhe një mikeshë, për të shkuar në drejtim të automjetit të tij, i parkuar në rrugën « Castiglione ». Avni Rustemi, i cili po priste mbi trotuar, qëllon dy herë mbi të duke e lënë të vdekur në vend.Si rrjedhim, gazeta franceze, « Le Matin », ka botuar, në faqen e parë të saj, më datë 30 nëntor 1920, një artikull mbi proçesin gjyqësor të kësaj vrasje të bujshme. Ajo ka botuar shkëmbimet e ndryshme në sallën e gjyqit, ku bie veçanërisht në sy gjakftohtësia e Avni Rustemit.
Më 20 qershor 1920, Avni Rustemi shfaqet para Gjykatës së Krimeve të Rënda të « Seine-s ». Gazeta e përshkruan autorin 27 vjeçar, si të dobët fizikisht, që dukej sikur të ishte 20 vjeçar, me një pamje të mprehtë, i cili ishte i sigurtë kur shprehej, me një kokëfortësi që haset tek të gjithë vrasësit politikë. Dhe si ata, ai dinte të përdorte lehtësisht « klishetë ».
Në vijim, seanca gjyqësore e rrëfyer në gazetën franceze : « Seanca është udhëhequr nga kryetari i gjykatës, këshilltari Z. Drioux.
Avokati i Përgjithshëm Bloch – Laroque mbështet akuzën.
E veja e Esat Pashës përfaqësohet , si palë civile, nga avokatët Freyssanges et Lyon – Caen.Avokati De Monzie (Anatole) mbron të akuzuarin.Pas formaliteteve, fillon marrja në pyetje e Avni Rustemit.
I akuzuari, i lindur në një familje me prona përreth Janinës, është shkolluar në Konstandinopojë, Gjenevë dhe Romë. Ai i ishte destinuar mësimdhënies. Në vitin 1913, u bashkohet Shqiptarëve që luftonin kundra Greqisë me qëllim « lirimin e Epirit ».
***
- Drioux : Në atë moment të caktuar, ju nuk e njihnit Esat Pashën ?
Avni Rustemi : Oh, kanë folur shumë për të !
- Drioux : Po ju paralajmëroj se do të jem tepër i kujdesshëm në këtë terren. Unë pranoj se jam i paditur në çështjet e historisë dhe politikës shqiptare. Mbi këtë bazë, unë do të ju lejoj të thoni atë që ju dëshironi.
***
Rustemi përfiton nga leja për të afirmuar se në Shqipëri kishte vetëm një qeveri legjitime, ajo e cila luftoi Esat Pashën.
…Në maj të vitit 1920, partizani i ri kthehet në Shqipëri, ku takon « një zyrtar të lartë, i cili i shpjegon situatën » dhe kuptohet se është kundra « Esatiste ». Në vijim niset për në Paris.
***
- Drioux : Çfarë burimesh financiare keni ?
Avni Rustemi : Pak më shumë se 6000 lireta.
- Drioux : Nga vijnë këto para ?
Avni Rustemi : Nga vëllai im.
Avokati i Rustemit, De Monzie : Kjo dëshmon se Rustemi nuk është vrasës me pagesë.
***
Rustemi e përgjonte Esatin nga hoteli i rrugës « Saint – Hyacinthe », komshi me hotelin « Continental », ku jetonte Esati. Iu desht vetëm një « hap » për ta gjetur. Më 13 qershor u takua papritmas me pashain në trotuarin e rrugës « Castiglione » dhe aty ndodhi gjithçka.
***
Avni Rustemi : Kur pashë këtë njeri u turbullova dhe nuk u kontrollova dot.
- Drioux : Dhe pastaj, ju qëlluat ?
Avni Rustemi : Ishte një gjest ashtu si marrja e Bastijës !
- Drioux : Ju u bëni aluzion, pa i njohur mirë, disa fakteve të historisë sonë. Shumë të huaj shprehen kështu. Në një tekst të shkruar nga pala juaj mbrojtëse, miqtë tuaj e kanë krahasuar viktimën me Luigjin e XVI ! Ju paralajmërova se mund të thoni gjithçka në lidhje me politikën shqiptare. Ne, francezët, ne nuk mund të harrojmë se Esati ishte miku ynë, që u detyrua të largohej prej austriakëve, që ka punuar në shpëtimin e ushtrisë serbe, dhe për arsye të këtyre fakteve, ai u dekorua me Kryqin e Madh të Legjionit të Nderit.
Avokati i Rustemit, De Monzie : Franca ka besuar disa herë gabimisht.
***
Proçesi gjyqësor mbyllet me këto fjalë të akuzuarit :
Avni Rustemi : Unë nuk e kam paramenduar vrasjen. Unë kam qenë gjithmonë i shtyrë nga ndjenjat e pastra.
***
Nga ky moment, mbaron proçesi i Avni Rustemit dhe fillon i Esatit.
***
Dëshmitarët e parë, doktori Paul, eksperti i armëve Flobert, roja (gjuetari) Cavet që ndaloi vrasësin u dëgjuan me shpejtësi.
Avokati i Rustemit, De Monzie, me aftësinë e madhe për të mbrojtur klientin e tij, do të tërheqë vëmendjen e sallës në vijim.
***
Avokati i Rustemit, De Monzie : Një patriot shqiptar, si Rustemi, a ka pasur ndaj Esatit ankesa të bazuara (të mjaftueshme) për të eliminuar tiranin dhe tradhtarin ?
***
Sipas gazetës, dhjetë dëshmitarë mbrojnë të vrarin.
Gjenerali Gouraud i ka shkruajtur Z. Drioux për të vërtetuar bujarinë e Esatit. Z. Edouard Julia e konsideron Esatin si një mik të Francës.
***
- Julia : Figura e tij ushtarake ishte ajo e një heroi. Ishte ai që mundësoi dialogun me mbretin Konstandin. Personaliteti i tij politik nuk ishte më pak i shquar. Ai ka kontribuar shumë në fitoren e aleatëve. Pa atë, asnjë serb nuk do t’i kishte shpëtuar fatkeqësisë, asnjëri prej tyre nuk do të arrinte në Korfuz. Unë nuk jam këtu për të shkatërruar një njeri të ndriçuar nga pasioni i tij politik, por do t’i them të akuzuarit, se duke vrarë Esatin, ai ka sakrifikuar fatin e fundit për bashkim dhe pavarësi që i kishte mbetur shtetit të tij.
Avokati i Rustemit, De Monzie : Esati, a nuk e dorëzoj Shkodrën në 1913 armiqëve të shtetit të tij ? Dëshmitarë të tjerë do të vijnë të tregojnë. »
***
Ekspertë të tjerë kanë vazhduar të flasin në gjyq si për shembull gjenerali Sarrail, ish-shefi i byrosë së ushtrisë Orientale, Z. Ancel, apo Z. Auguste Gauvain, Z. Gaston Richard, koloneli Lamouche dhe konsulli francez në Selanik, Z. Graillet.
Të gjithë këta zotërinj nuk kanë rënë dakord me pohimet e njëri – tjetrit.Gjatë kësaj seance gjyqësore nuk është marrë një vendim i menjëhershëm për Avni Rustemin.
* Kortezi: Aurenc Bebja, Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania : www.darsiani.com
Histori Shqiptaro-amerikane: A do të bashkohet Olsi Rama me familjen?
Olsi Rama, është një i ri shqiptar, shumë i talentuar që jeton në Elmwood Park të Ilinois-it dhe stërvitet për të arritur rezultate të kënaqshme në sportin e peshëngritjes. Historia e 18-vjeçarit Olsi, ka zënë faqet e një prej gazetave më të rëndësishme në SHBA si, “Chikagotribune” për arsyen e vetme se, prindërit e tij shqiptarë, bashkë me motrën janë dëbuar tashmë nga Shtetet Bashkuara të Amerikës, për shkak se ishin emigrantë të jashtëligjshëm, ndërsa Olsi duke qenë se ka lindur atje, është detyruar të jetojë i vetëm. “Prindërit e mi, tani jetojnë në një vend tjetër. Ata erdhën në Amerikë pa dokumente, bashkë me motrën time, kur nëna ishte shtatzënë me mua. Unë kam lindur këtu dhe kam shtetësi amerikane. Prindërit e mi u kthyen sërish në Shqipëri pas 10 vitesh qëndrim këtu” tregon Olsi. Duke treguar pasionin për mundjen, i riu thotë se, e ndan atë me vështirësitë e të jetuarit vetëm dhe pa mbështetjen e familjes. Ai pranon se takohet çdo verë me familjen e tij, prindërit Ferrick dhe Natasha Rama dhe motrën 20-vjeçare Lediana, por kaq nuk mjafton. Ajo që ata humbasin janë garat e tij të mundjes, ku Olsi premton shumë. Vetëm nga garat dimërore ai ka arritur të renditet i nënti në Ilinois, një rezultat shumë i mirë, sipas trajnerit të tij. Megjithatë, Olsi shprehet se nuk e di nëse në të ardhmen do vazhdojë t’i përkushtohet pasionit të tij për këtë sport, pasi dëshiron të ndjekë edhe studimet e larta për inxhinieri elektrike ose finance. Dëshira e tij më e madhe është që të rritet sa më shpejt dhe të mbushë 21 vjeç, atëherë kur ka të drejtë të kërkojë edhe bashkim familjar. “Sytë e prindërve të mi janë tek unë. Ata krijuan gjithë këto mundësi për mua dhe unë dua të bashkohem me ta”,- thotë djaloshi shqiptaro-amerikan, Olsi Rama.(SHK)
Speciale-“Bujku” nisi para 26 viteve, çka shkruante në numrin e parë
Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari në Arkivin Shtetëror të Kosovës: Ballina e numrit të parë të gazetës së rezistencës në Kosovë “Bujku”, të 18 janarit 1991/
Në foto: Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova gjatë intervistës ekskluzive për gazetën Rilindja dhënë kryeredaktorit Behlul Jashari në fundvitin 2002: Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë
SPECIALE/ Kosovë-Gazeta “Bujku” nisi para 26 viteve, çka shkruante në numrin e parë?
-Gazetë e rezistencës, e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi dhe e bashkëpunimeve të para të medias Kosovë-Shqipëri, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 18 Janar 2017/ Gazeta e rezistencës në Kosovë “Bujku”, që nisi të dalë pikërisht para 26 viteve, në 18 janar 1991, duke nisur edhe bashkëpunimet e para të medias Prishtinë-Tiranë, në numrin e parë në ballinë theksonte “proceset demokratike në Shqipëri” mbi titullin “Zgjedhjet u shtynë për 31 mars”. Në ambientet e kësaj gazete para çerek shekulli u bë edhe zyra e parë e korrespondenturës së Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Kosovë, prej nga me lidhje telexi, e vetmja e mundëshme atëherë nga Kosova në Shqipëri, nisa raportimet nga dita e 24 majit 1992 e zgjedhjeve të para pluraliste, në rrethana të rënda të okupimit e të mbylljes së dhunëshme edhe të mediave kosovare në gjuhën shqipe. Zyra e telexit në ambientet e gazetës “Bujku” në Pallatin Rilinda- zyrë e ATSH-së u bë edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.
Në numrin e parë të gazetës “Bujku”, i cili u botua me tirazh të madh prej mëse 50 mijë ekzemplarësh, që e shfletoj sot, shkrime të tjera nga Shqipëria ishin për tre këngëtare të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, Irma Libohova, Morena Reka e Redina Tili, si dhe reportazhi “Tirana e trishtuar” marrë nga gazeta “Rilindja Demokratike” e Tiranës e 16 janarit 1991. Në faqet e mesme botohej edhe “Kalendari historik”, që përkujtonte arritjen në qytetin e Lidhjes Shqiptare, në Prizren, në dhjetor të vitit 1880, të Abdyl Frashërit…
E shkrimet për Kosovën e okupuar nga regjimi ushtarako-policor i Beogradit ishin raportime për masa të dhunëshme, për dëbimin e shqiptarëve nga institucionat, nga puna, për shkatërrimin e sitemit arsimor në gjuhën shqipe, për dhunën edhe kundër kulturës shqiptare, për burgosjet e keqtrajtimet nëpër qytete e fshatra, për vrasjet e ushtarëve shqiptarë në armatën jugosllave, protestat e indinjatën e thellë…
E përditshmja “Bujku”, kryeredaktori i parë-themelues i së cilës isha, ishte gazetë e rezistencës, pjesë e lëvizjes e luftës gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik, të cilën e nxorën gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja, me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale.
Ishte 17 janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës “Bujku”, ku do botoheshin edhe lajme dite, kishin dalë disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës tradicionale Rilindja, të përditshmes së vetme në gjuhën shqipe në Kosovë, e cila që nga 7 korriku i vitit 1990 ishte ndaluar e mbyllur me dhunë nga regjimi okupues i Beogradit.
Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrim “Bujkun”, jo si revistë, për si gazetë dhe të përditëshme “përkohësisht”.
Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persek… “Filloi lufta në Gjirin Persik”, është kryetitulli në ballinë, nën të cilin lajmi me titull “Për 24 orë – 1.300 fluturime luftarake” dhe deklarata “Xhorxh Bush: Tërheqje pas fitores”… Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen që filloi të tronditë botën – fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”.
Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e SHBA në Beograd, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës Bujku shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen.
“Bujku” ishte një revistë e përdymuajëshme që trajtonte kryesisht tema nga bujqësia, e që nuk kishte dalë fare një kohë, dhe duke e marrë atë emër nisi gazeta e përditshme, e paregjistruar te autoritetet okupatore serbe.
Gazeta e përditshme “Bujku” doli deri në prag të 1999-tës, të një viti tjetër të ri të luftës që po zhvillohej në Kosovë, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.
Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të Rilindjes nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, gjithnjë në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme me emrin Rilindja në Prishtinë, duke punar nëpër shtëpitë e tyre, dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova.
Ekipi i gazetës Rilindja hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup.
Ashtu siç kisha raportuar për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë dhe Radiotelevizionin Shqiptar një ditë më parë herët në mëngjes nga kolona e tankeve të para të forcës ushtarake më të madhe planetare, në faqen e parë të Rilindjes në kryetitull shkruhej: “Dje në orën 5.17 Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”. Në Kosovën e lirë me popullin u kthye edhe gazeta Rilindja, që nuk u ndal edhe kur u ndalua… Gazeta “Bujku” sfidoi ndalimin…
Gazeta tradicionale e historike e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 72 vitesh, në 12 shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja shqipe prej plumbi që u sollën me arka nga Tirana…
“‘Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, e vlerësonte gazetën e rezistencës Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në funddhjetorin 2002 në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë, të cilën administrata e UNMIK e kishte dëbuar kundërligjshëm e padrejtësisht nga Pallati Rilindja në 21 shkurt 2002.
Pas kësaj date gazeta Rilindja ka dalë me numra protestues të jashtëzakonshëm, të kohëpaskohshëm.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008 dhe për njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave protestues para mëse 8 viteve, në 30 dhjetor 2008, me numrin e festës së Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”.
Zgjidhja për Rilindjen, që ka statusin e ndërmarrjes shoqërore, pritet e kërkohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës, pa u ndërlidhur me objektin e saj të shpronësuar, që tash është ndërtesë qeveritare, është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin.
Në arsyetimin e kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse 70 viteve, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.
“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 shkurt 2014.
Akademi Përkujtimore për deputetin e vrarë
Akademi Përkujtimore në 15-vjetorin e vrasjes së deputetit të Kuvendit të Kosovës, Smajl Hajdaraj/
Prishtinë, 17 janar 2017-Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u mbajt Akademi Përkujtimore, me rastin e 15-vjetorit të vrasjes së deputetit të Kuvendit të Kosovës, Smajl Hajdaraj, njëherësh komandant i Shtabit Rajonal të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Rugovë.Të pranishëm në këtë Akademi ishin përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, ministra, zëvendësministra, deputetë, familjarë të deputetit Hajdaraj dhe përfaqësues të tjerë.Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, para të pranishmëve ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, foli për kontributin e Smajl Hajdarajt gjatë luftës në Kosovë, por edhe për periudhën e çlirimit, deri në momentin e vrasjes.“Me tërë elanin dhe forcën që kishte, veproi në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa kursyer asgjë, deri në ditën e çlirimit të Kosovës, duke dhënë kontributin vetanak dhe duke marrë pjesë aktivisht në çlirimin përfundimtar të vendit tonë nga okupimi shekullor. Edhe pas çlirimit të vendit, Heroi i Popullit Smajl Hajdaraj, vazhdon me aktivitetin e tij politik, për të dhënë kontributin e tij në shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, duke qenë pjesëmarrës aktiv në ringjalljen e jetës partiake dhe politike në vendin tonë”, tha ministri Demolli.Valdet Hysenaj, përfaqësues ushtarak i Brigadës 136 “Rugova”, tha se Smajl Hajdaraj u vra për të vetmen arsye, se ishte luftëtar i lirisë, gurthemel i shtetit të Kosovës, shtegtar drejt bregut të diellit, drejt bregut të lirisë.“Smajli është sot me ne, do të jetë prore për jetë e mot. Edhe sot në sfond kërkon unitet, përbashkësi drejt qëllimeve kombëtare, na këshillon e udhëzon. Më mburrje e krenari, të freskëta i kemi kujtimet e një ushtaraku e strategu të denjë, me afinitet motivues gjithnjë në vijën kombëtare për gjuhë, flamur, kufij, për troje etnike”, tha Hysenaj.Duke kujtuar deputetin Smajl Hajdaraj, si një inxhinier karriere, mësimdhënës, politikan elitar, deputet në vijën e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, strateg e ushtarak për mbamendje, komandant lufte në shtabin rajonal të Rugovës, Hysenaj kërkoi që të ndriçohet vrasja e tij dhe e të gjithë të vrarëve politik pas lufte.Blerim Hajdaraj, djali i deputetit Hajdaraj, në emër të familjes falënderoj të pranishmit për pjesëmarrje dhe për organizimin e kësaj Akademie Përkujtimore. “Meqenëse vazhdimisht qe 15 vjet kemi kërkuar drejtësi dhe çdo herë janë thirrje të kota, fjala është sidomos për vrasjet politike, ato të cilat e patën fatin e njëjtë me prindin tonë. Kësaj radhe me zhgënjimin e plotë në drejtësi, nuk do të flas dhe nuk do të komentoj, por do të rri një minutë heshtje pa koment”, tha Hajdaraj.
- « Previous Page
- 1
- …
- 420
- 421
- 422
- 423
- 424
- …
- 739
- Next Page »