• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“The Founder – Ismail Qemal Vlora on Leadership”

April 30, 2025 by s p

Evarist Beqiri sjell librin e ri në anglisht për Ismail Qemal Vlorën

Pas vlerësimit të librit “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”, dhe pas katër ribotimeve të tij të përditësuara në shqip, Evarist Beqiri sjell për lexuesin ndërkombëtar në anglisht një libër mbi themeluesin e shtetit shqiptar. Ky botim shënon një ngjarje të rëndësishme për kulturën shqiptare. Libri vjen si rezultat i një pune të gjatë kërkimore Ai sjell një këndvështrim origjinal, duke riformuluar narrativën rreth lidershipit të tij në kontekstin e sfidave të kohës. Autori sjell një qasje të re metodologjike, e cila nuk është përdorur asnjëherë më parë në Shqipëri për asnjë figurë historike.

Ismail Qemal Vlora vjen në një dimension të ri në librin “The Founder-Ismail Qemal Vlora on Leadership”, botuar nga Filara, në gjuhën angleze. Autori e analizon figurën e Ismail Qemalit nën prizmin e koncepteve të lidershipit, siç janë karakteri, vizioni, komunikimi, menaxhimi i krizave dhe trashëgimia. Ai ofron një perspektivë të freskët dhe të bazuar në burime të reja. Libri i ri nuk është një përkthim: ai është një rishkrim i plotë, i pasuruar me fakte të reja historike.

Përveç titujve të krerëve kryesor, e gjithë përmbajtja e librit është rishkruar. Autori është mbështetur në një bibliografi të gjerë dhe burime nga arkivat ndërkombëtare, libra e gazeta të vjetra, si edhe dëshmi të panjohura më parë. Vepra ka një dimension aktual. Ajo e lidh trashëgiminë e Ismail Qemalit me debatet e sotme për lidershipin dhe identitetin kombëtar.

Për lexuesit ndërkombëtarë, ky botim në anglisht është një dritare drejt historisë shqiptare, duke nxjerrë në pah rolin e Ismail Qemal Vlorës, si një figurë jo vetëm rajonale, por edhe me ndikim në skenën evropiane të fillim shekullit XX. Për shqiptarët, libri është një mundësi për t’u rikthyer tek rrënjët e tyre dhe për të nxjerrë mësime nga vizioni i tij për bashkim e përparim. Përmes një analize të thelluar të jetës dhe veprës së tij, autori zbulon aspekte të panjohura më parë të lidershipit të Ismail Qemalit. Ai nxjerr në pah aftësitë e tij të jashtëzakonshme për të bashkuar njerëz të ndryshëm, për të komunikuar në mënyrë efektive dhe për të marrë vendime të guximshme në kohë krize. Ai tregon se si një lider i vërtetë mund të ndryshojë rrjedhën e historisë me vizionin, guximin dhe vendosmërinë e tij.

Autori e përshkruan Ismail Qemalin si një lider vizionar, i cili kishte aftësinë që ta parashikonte ndryshimin dhe ta përballonte me sukses atë. “Qysh kur shërbeu si guvernator i provincave të Perandorisë Osmane, ai u përpoq gjithmonë të pajtonte interesat dhe sjelljet e grupeve të ndryshme etnike. Zotësia e tij si negociator dhe diplomat i zoti do të shfaqej në zbutjen e kundërshtive fetare që turbullonin Jerusalemin, si dhe në paqtimin e druzëve dhe etnive të tjera të keqtrajtuara në Siri dhe Liban, ku ai shërbeu si guvernator i përgjithshëm. Ismail Qemali i mbështeti hebrenjtë dhe armenët, atëherë kur Evropa iu kishte kthyer shpinën,” – shkruan Evarist Beqiri.

Botimi i këtij libri në gjuhën angleze është një kontribut i rëndësishëm për njohjen ndërkombëtare të figurës së Ismail Qemalit. Ai i ofron lexuesve nga e gjithë bota mundësinë për të zbuluar një lider të jashtëzakonshëm, i cili luajti një rol vendimtar në krijimin e shtetit shqiptar. Në faqet e librit, analizohet me kujdes personaliteti dhe lidershipi historik i Ismail Qemal Vlorës. Libri është strukturuar rreth pesë krerëve kryesor, që pasqyrojnë dimensionet e lidershipit të Ismail Qemal Vlorës: Karakteri, Vizioni, Komunikimi, Menaxhimi i Krizave dhe Trashëgimia.

Autori shkon përtej narrativave tradicionale historike dhe ofron një portret autentik dhe bashkëkohor të Ismail Qemal Vlorës si lider: një njeri me kurajë morale, qartësi strategjike, dhe një aftësi të jashtëzakonshme për të ndërtuar konsensus, në kohë të turbullta për kombin shqiptar. Ky botim në gjuhën angleze është një kontribut i çmuar për lidershipin historik dhe diplomacinë kulturore shqiptare. Ai e vendos figurën e Ismail Qemalit në piedestalin që meriton brenda diskursit global për lidershipin, historinë dhe shtetndërtimin.

Libri është një ftesë për reflektim mbi një krizë të thellë që ka prekur shoqërinë tonë: krizën e udhëheqjes dhe të karakterit. Autori synon që të hap anembanë Shqipërisë, një diskutim të ndershëm mbi trashëgiminë e Ismail Qemal Vlorës dhe mbi përgjegjësinë tonë personale dhe kolektive për të ardhmen e kombit. Themeluesi (The Founder) nuk është qëllimi në vetvete — është mjeti për të ndezur biseda të domosdoshme:

Çfarë vlerash na udhëheqin sot?

Çfarë modeli udhëheqjeje mbështesim?

Çfarë Shqipërie po ndërtojmë për brezat që do të vijnë?

“The Founder – Ismail Qemal Vlora on Leadership” është më shumë se një biografi; është një udhëtim në mendjen dhe shpirtin e një lideri, i cili me guxim dhe mençuri vuri themelet e shtetit shqiptar. Libri është i disponueshëm në libraritë kryesore në vend dhe pritet që të promovojë më tej vlerat dhe historinë shqiptare në rrafshin ndërkombëtar.

Filed Under: Histori

65 vjet televizion në shqip- 65 vjet lajme

April 29, 2025 by s p

Dr. Entela KOMNINO/

“Lajmi i shikuar- një histori më vete”

Rrethet mediatike elitare, duke u rrokur të arsyetojnë mbi masën dhe mënyrën e ndikimit në publik, kanë “cmitifikuar” eksperimentin e Pavllovit mbi reflekset e qenit, duke bërë humor mbi pretendimin e qenit tashmë, se, nuk është Pavllovi ai që e mësoi qenin të hajë kur ndizet drita, por ky i fundit që mësoi Pavllovin ta ushqejë, pasi ndez dritën. 

Televizioni shqiptar hyri pak më shumë se 65 vjet me parë, në marrëdhënien e gatshme media- publik të sistemit të ekonomisë së planifikuar, që kishte gjithashtu pyetjen e përhershme, se kush e ndez “dritën” ose kush i bën lajmet. Në këtë të ngjarë, “Mediatizimi i historisë dhe historia e mediave”, përkon më së miri me përpjekjet për të kuptuar realitetin historik të lajmit televiziv në jetën e Shqipërisë së pasluftës, Luftës dhe Post- Luftës së Ftohtë përmes raportit ushqyes që ka publiku me median. Dhe pikërisht;

  1. Pikënisjet dhe ecuritë teknologjike
  2. Tipologjitë e zhvillimit 

Faktet e transmetimit, por dhe kapaciteteve shpërndarëse të këtij transmetimi janë një mënyrë e të treguarit të lajmit të shikuar. Përzgjedhja e fakteve sipas marrëdhënies jetike “transmetim- përcjellje” në funksion të shpjegimit të tyre, shkon natyrshëm më tej në funksion të një tregimi dhe shpjegimi alternativ të lajmit të shikuar. 

  1. Pikenisjet dhe ecuritë teknologjike 
  2. Datat kalendarike të lajmeve sipas datave të televizionit
    1. Fillimi eksperimental

Takimi i televizionit me publikun shqipar ka qenë që në kohën e transmetimit të parë në botë; Revista “Minerva” e 15 qershorit 1933 me foto shpjegon në legjendë se c’do të thoshte një figurë e riprodhuar që lëvizte. Si realitet, televizioni vjen në Shqipëri 30 vjet më pas, i njoftuar nga “Zëri i popullit”, 1 maj 1960. Radiodifuzioni, një sinjal televiziv me fuqi 20 vat që shpërndan figurë vetëm në Tiranë, i transmetuar vetëm në tre ditët e fundit të javës, ndonëse i dhuruar, me kosto 2 milionë rubla, iu bashkëngjit radios duke u parë si vazhdim i gazetarisë dhe jo i teknologjisë. Një redaksi që ka përgatitur “emisione muzikore, letrare, dialogje etj… mund të filloje të japë dhe lajme”. 

Për sa më lart, lajmet nuk kanë filluar me nisjen e transmetimeve televizive, por nuk kemi ndeshur asgjë zyrtare që ta njoftojë. Redaktorë në vite dëshmonin në mënyra të ndryshme programe që afronin me lajmet përgjatë ‘60-’71-shit, pa data të sakta, megjithatë me të përbashkëtën, që, lajmet e para lexoheshin njoftime në studio, për t’u kombinuar gradualisht me ilustrime, po në studio, psh nga prodhimet e një uzine për të cilën flitej në lajm, ose marrja e kronikave filmike nga Kinostudio. Realizimin e kronikës së parë jashtë studios për lajmet televizive e dëshmon Alfons Gurashi(1967) për disa ndërtime në Tiranë. “Duhet të kemi parasysh dhe që në atë kohë kërkohej të xhirohej që në kombinatin “Mao Ce Dun” u realizua plani dhe duheshin vetëm ca pamje nga kombinati, të mjaftueshme për atë strukturë teksti dhe që plotësonte kërkesën e publikut”, kujton ai. Në vitin 1968 dëshmohet një redaksi e quajtur e aktualitetit, ndërsa vetëm në vitin 1969 dëshmohet kronika e parë televizive, që vjen bashkë me shtimin e ditëve të transmetimit, 4 në javë. 

Në të njëjtin vit Radiodifuzioni quhet Radiotelevizion, shkëputet nga Ministria e Arsimit dhe hyn në varësinë e fuqishme të Këshillit të Ministrave. Në strukturë, ”Lajmet kryesore” i ngjiten mesatarisht pesë emisioneve për secilën nga katër ditët e transmetimit në javë.

  1. Lajme periodike (1971-1991)

Transmetimi i rregullt i përditshëm zyrtar, nga një godinë e re (ku ndodhet dhe sot) dhe me aparatura të plotësuara mbahet në ditën e nisjes së Kongresit të radhës së Partisë, 1 nëntor 1971. Gazetaria televizive u vendos në mënyrë të sofistikuar në të njëjtin terren të gazetarisë në vend me theksin që “Në informacion (në televizion) më tepër se në cdo formë tjetër të propagandës shfaqet karakteri klasor, pozita politike e ideologjike. 

Në gjykimet e sotme, ajo që na jep natyrën e lajmit të transmetuar, është analiza tematike e lajmeve, të ruajtura, shumë pak me zë, ndërsa kronikat pa zë nuk kanë tekstet. Në këto kushte, në vitprerjet 1975 dhe 1985, është kërkuar të krijohet një “mostër” analize mbi titujt me të cilat është ruajtur kronika. 

VITIMateriale të ruajtura në minutaMateriale të ruajtura në njësiGjatësi mesatare e lajmitMesatare e materialeve të ruajtura për edicion Mesatare e materialeve të ruajtura për edicion në njësi
19753135’28141’11’’9’35’’8
19854450’34911’27’’13’11’’9-10

Tematika e lajmeve të ruajtura në njësi e përqindje;

VITI1975BujqësiIndustri e ndërtimSocialeEkonomiKulturëArsim e shkencëPolitikë ShëndetësiSport
njësi1030602417377180104613013
përqindje36.6%21.3%14.8%13.3%6.3%3.6%2.1%1%0.4%

Nje minutazh mesatar ditor i ruajtur (9’35”), më shumë se një e treta e edicionit të lajmeve, lejon të karakterizohet natyra e lajmeve ku duket zotërimi i tematikës bujqësore, 36.6%, në kronika-rubrika “Realizimi i planit-detyrë e të gjithëve” ose “Cështjet e ditës në bujqësi”, e shoqëruar me një homogjenitet e rutinë sezonale të tipit të lajmërimit. Sistematika, por pa relevancë kombëtare, ekspozon dhe tematikën industriale, 21.3%. Apeli i lajmit realizohet përmes arritjeve të një ndërmarrjeje duke synuar popullin për realizimin e planit; “Në Elbasan, në Kombinatin Metalurgjik, aksionistët dhe ndërtuesit janë përfshirë në një valë entuziazmi dhe mobilizimi” ose “Vit sulmi për punonjësit e bazës mekanike të kombinatit “Mao Ce Dun” në Berat”, ose dhe thjeshtë “gjendje” shembulli si “Kolektivi pararojë i bazës mekanike të ndërmarrjes së montim industriale në Tiranë”.

Në mes të viteve ’70, informacioni zë 24% të programit, 8 orë e 35 minuta në javë, me: edicione lajmesh, rubrika sportive, emisione aktualiteti nga vendi dhe bota. Mbulimi i vendit me sinjal është rreth 60% dhe një minutë televizive e llogaritur me shpenzimet efektive sipas kontabilitetit ishte 115 lekë në një raport harxhimi filmi 1:3.

Ne 1983 ende nuk ka përfunduar transmetimi i plotë me ngjyra (rreth 70%). Publiku përballë ishte një aparat televizori “në cdo 15 banorë”. 15 vjet pas fillimit të transmetimeve të rregullta në vend, tematika e ruajtur na jep këtë pasqyrë:

VITI1985BujqësiSocialeEkonomiKulturëPolitikë Arsim e shkencëShëndetësiSportTë vecanta
njësi12036775903072592125627160
përqindje34.4%19.3%16.9%8.7%7.4%6%1.8%0.7%4.5%

Në raportet e analizës flasin edhe për “kronika të cilat jo vetëm nuk kanë dhënë eksperiencën e mirë, por kanë bërë te telespektatorët efektin e kundërt.” Një specialist është ankuar se, sipas kronikës, procesi i vaditjes nuk është treguar i saktë”.

1.1.2.1 Lajmet nga bota 

“Kanë qenë që në fillim, të thata, refleks redaksional i buletinit të ATSH-se, gradualisht me pak ilustrime”, dëshmon Virgjil Kule. “Lajmi zgjaste normalisht 30”. Struktura ishte 6-8 minuta, ngjarje nga bota që përbënin 1/3, ¼ e edicionit. Shërbimi me film 16mm realizohej nga agjensia Visnews që vinte rregullisht deri nga vitet ‘82-‘83. Përdorej dhe Raiuno dhe Raidue, nganjëherë dhe Beogradi për figurë”, thotë Afërdita Sokoli, për vitet kur lajmet nga bota u stabilizuan si strukturë. “Në lajm jepeshin në përgjithësi të dy palët e konfliktit; fronti i luftës nacionalclirimtare dhe diktatorët në përgjithësi. Personalitete të botës së ndaluar politike ishin të ndaluar dhe në ekran deri nga vitet ‘83-‘84-‘85. Papa, p.sh., hyri shkallë- shkallë me idenë për ta goditur. Lajmi për takimet e super të mëdhenjve jepej dhe shoqërohej me koment që atë natë për atë që ndodhi”. “Ministria e jashtme njoftonte aktivitete për Shqipërine jashtë atdheut. Zyra e përhershme e shtypit dhe informacionit në KQ jepte gjithashtu material të seleksionuar të shtypit m-l të cilat renditeshin sipas një radhe protokoll; fillonte me Aktivitete për Shqipërine jashtë atdheut dhe në vend të gjashtë ishte Kosova me ngjarjet – lajm i ditës me qëndrim të gatshëm dhe shtypi për ngjarjet në Kosovë.”

1.1.3. Pas viteve ‘90

Vitprerja 1991


Buj-qësiSocialeIndustrindërtimtransportEkono-miKulturearsimshkencëPolitikëFeta-reShënde-tësiNdih-maLegjislacionTë ndry-shme
Lajme10881775716212211336818
Minu-tazh42’306’53’332’253’2762’61’11’116’421’45’
Gjatësimesatare4.2’3.4’3.1’4.4’3.5’4.4’2.7’3.1’3.5’6.1’2.5’

Kronika “kthesë”, bashkëshoqëruese e kthesës politike në vend konsiderohet “Rënia e bustit të Enver Hoxhës”. Kronikat e ngjarjeve të dhjetorit 1990 e deri në shkurt, kishin patur presionin shoqëror për t’u pasqyruar, bashkë me direktivat e partisë në pushtet që të vazhdonte të kontrollonte dhe ndryshimin. Njerëzit në Tiranë, që kishin qenë pjesëmarrës ose kishin mësuar ngjarjen, prisnin transmetimin si sinjal të momentit politik, por sidomos të vazhdimit. Mbi këtë kthesë, ne kemi ndarë “mostrën” tjetër të analizës tematike. Në raport me transmetimin 30’, ruajtja është rreth gjysma, 49.8%, ndërkohë që gjatësia mesatare e njësisë televizive informative ka shkuar në 5’27”. 

1991 i ka dhënë ekskluzivisht vendin politikës. Po ashtu shfaqen tematika të reja, sic janë ajo e ndihmave dhe fetare. Nga spontaniteti i përzgjedhjes, vërehet një përftim pasiv i situatës si rrjedhojë dhe e zhvillimeve shumë të mëdha. 

Vitprerja 2010 

Njezetë vjet pas kthesës, Politika ka mbetur ekskluzivitet i zënies së kohës së lajmeve. Në statistikën zyrtare të tematikës së transmetuar ajo është shpërndarë në 5 nënzëra; politikë, veprimtaria e Presidentit, e qeverisë, e parlamentit dhe e qeverisë vendore, duke përbërë në TVSH 48.63%, ndërsa në dy televizionet e tjera kombëtare, Klan 42.25%, Top Chanel 33.28%. Ndërkohë, Televizioni shqiptar, i ligjëruar që nga viti 2000 si publik, ka angazhimin më të madh tematik social, 22.09% krahasuar me 18.02% e 15.62% të lajmeve që kanë dy televizionet e tjera kombëtare. Ekonomia është në kufijtë e 5-6% në të tre televizionet e tematikat e tjera japin një shpërndarje relativisht pa domethënie për profilin, me përjashtim të Top Channel që vlerëson me diferencë në minutazh transmetimi lajmet nga Kosova/Rajoni dhe ato ndërkombëtare. 

2. Tipologjitë e zhvillimit të televizionit shqiptar

“Zhvillimi tekniko-shkencor i shoqërisë dhe grada e organizueshmërisë së interesave ka ndikim vendimtar mbi prodhimin e lajmeve”, thotë Paetzold.

Televizioni shqiptar ka marrë formulat teknologjike të zgjidhura për të gjithë për të komunikuar brenda realitetit shqiptar, sa dhe është impostuar për të realizuar atë që konstaton Altschul: “Detyrë e medias në shoqërinë…e planifikuar është formimi i mendimit dhe ndryshimi i opinioneve”.

Referuar sa më lart, karakterizimi qendror lajmeve lidhet me atë se;

2.1. Sa dhe si është dhënë ajo që ka ndodhur 

Sllogani tipik rutinor “Ju flet Tirana!”, i trashëguar nga fillimet e radios para luftës, është domethënës edhe për hyrjen; “Po japim lajmet!” dhe kjo jo për shkak të natyrës së gjuhës shqipe, por të asaj që ne sot e shohim si përbërësin më të qartë të qëllimit të lajmeve.

Lajmet i janë dhënë një publiku, të cilit një aparat televizori i kushtonte tetë rroga mujore, kur i jepej dhe autorizim për ta blerë. Fillimi pa datë zyrtare bëhet dhe më paradoksal në faktin që kronika e parë e ruajtur është e 1969-s, ndërsa telekronistët, madje rrethesh, ka patur që në ’68-n. Skema mbi të cilën hyjnë lajmet periodike në transmetim është e intensifikuar deri në ideologjizimin e faktit teknologjik; “Në radhë të parë figura është pasqyrimi i një synimi të caktuar politik”. Duke e parë formimin si shkak të parë në binomin e estetikës së kohës “Formim-informim”, me zbatimin e tij në lajmin e shikuar mund të përkufizohet një nga terrenet tipike të manipulimit të këtij prodhimi. Pra fakti që, informimi vjen nga- dhe pas formimit, madje është dhe e kundërta e tij, e shkurajon thelbin e informimit që është dhe funksioni kryesor tekstual i lajmit. Artikulimi “jap lajmet” shfaq më se qartë mospërputhjen reale, por njëkohësisht “zyrtarizimin” e relevancës së dalë nga realiteti në Shqipëri me modelin e krijuar të lajmit pas veprimit të asaj që Schuman e quan fshehja e pozitës së vërtetë të interesave, duke bërë fjalë për përdorimin ideologjik të gjuhës. Lajmet “jepen” jo sepse kanë ndodhur, sic është funksioni rëndom normal i paraqitjes së tyre në botë, por sepse dhënia është “një dëshmi e domosdoshme për të fshehur pozitën e vërtetë të interesave”. Në këtë pikë vjen në diskutim objektiviteti për të cilin Paetzold përfundon se “nuk është ende lajm nëse përmend persona, vende e modalitete të një veprimi, ngjarjeje ose procesi politik…objektiviteti lidhet me arsyen se përse dicka e shpallur në media është relevante dhe kjo më tej me atë që ka interesa për ta shpallur këtë”. Kjo është pyetja që mund të zbërthente lajmin televiziv të kohës të tipit “Kinemaja Tefik Lapani tejkalon detyrat e planit” ose” Katër kolektiva punonjëse e presin me entuziazëm fitoren e popullit kamboxhian”, por dhe në ditët tona duke iu referuar medias elektronike, sidomos në kushtet e alternativës së medias së rrjeteve sociale. Relevanca dhe shpallja e interesave për ta transmetuar “një të ngjarë” tregojnë impostimin e vërtetë të medias si stacion, ose si nivel kombëtar a global.

2.2. Rutina normative dhe e jashtëzakonshmja e “Heroit të punës socialiste” mbi skeleton e “është e vërtetë sepse është transmetuar”

Modeli është intensifikuar deri në krijimin e “heroit” që ishte “i punës socialiste” e që punonte përtej viteve 2000. Ky prodhim propagandistik, i dalë nga skema ekonomike e planit të realizuar, vjen mbi një terren lajmesh ku mungon sensacioni, po kurioziteti ose tejkalimi i normales merret si i vërtetë, mirëqenë, i parakuptueshëm, sepse është arritje. Marrja pa diskutim e absurdit ka lejuar atë që Shmitz e njeh si premisë ekstreme relativiteti, që të con tek një jetësim i tillë morali informimi; “ndodh si në mite e enigma, informacionet dhe përvoja që vijnë pranë tyre kanë të bëjnë me dijen, por ka përgjigje për të cilat nuk është e mundur asnjë pyetje. Kjo ka ndodhur në tërësi në sistemin e lajmit dhe të komunikimit në Shqipëri, kur fakti shoqëror ka ardhur i përfunduar në media. Heronjtë që jetonin realitetin e më shumë se 20 viteve të ardhshëm, ishin objekt i fantastikes në filma, kurse në lajmin e shikuar në Shqipëri, modeli agjitativ-propagandistik e sjell rutinë, në vend të informimit dhe si realitet pa pyetje, duke prekur me skemën e transmetimit të propagandës deri në kufijtë e të ndodhshmes; është e vërtetë sepse është transmetuar. Në këto raste gjykon Schmitz “forma e lajmit” është “përshpejtimi i historisë”, dalë si “rezultat semiotik”. Realiteti i shifrave të sistemit ekonomik ka përcaktuar mbi emulacionin heroin pa asnjë bazë reale me të mundshmen, madje edhe të atyre shifrave, duke bërë që koha si cilësi e realizimit të shifrave të përshpejtohet vetë, dhe të “arrijë të jetohet” nga individë që nuk ishin aq vjec sa tregonte realizimi i planit. Mundësia që ky model të funksiononte, lidhet me atë që Neumann e sheh si “masë me të cilën janë vulosur në disa pika nga masmedia konsonanca, akumulimi për të ndikuar në formimin e opinionit publik. Ky i fundit vjen i përfundueshëm në situatë gati laboratorike, kur konsonanca është tepër e matshme”. Ekrani në “laboratorin” shqiptar i ka kontribuar inventarit të kontrollit sepse realiteti “99.99%” i votës e ka maksimizuar konsonancën në cakun më të lartë të ndikimit mbi opinionin publik, duke penguar ose shuar perceptimet selektive. Dhe, sipas Neumann, sa më shumë të ndodhë kjo, aq më shumë mund të ndikohet një kolektiv. 

2.3 Cilësia e funksionit të lajmit në pluralizëm politik e mediatik

Hickethier thotë se fazat e asgjësojnë njëra-tjetrën në atë masë që zëvendësojnë cilësinë e funksionit. 

Cilësia e funksionit e lajmit të shikuar, 20 vjet pas ndryshimeve të premisës shoqërore e politike, ka reflektuar sipas meje dy prirje orientuese; fillimisht imitimin e sistemit global të informimit me burim perëndimin duke “dhënë” thuajse cdo gjë per lajm dhe vitet e fundit ka ardhur duke përforcuar prirjen kundrejt seleksionit të brendshëm të lajmit. Stabilizimi i jetës politike në vend dhe rivlerësimi i aseteve jetike po brenda vendit kanë kthyer referencen orientuese për lajmin që shfaqet si relevancë. Nga ana tjetër globalizimi përmes teknologjisë ka vazhduar të ushtrojë presion mbi performimin e informacionit sa dhe shfaqjet e informimit në rrjetet sociale, që po përmbysin “perandorinë” e rutinës kohore të edicioneve të lajmeve. Duke kaluar nga “përgjigjet pa pyetje” tek bashkëveprimi teknologjik-shoqëror për drejtim të globalizuar të lajmeve, me rënien ndjeshëm të situatës me pyetjen thuajse zhargon; “E ka dhënë Tirana?” mbetet sërish pyetja tjetër; “Kush ka interes të fokusojë relevancën e lajmit përmes editorialit të transmetimit?”

Për nga origjina e saj, por dhe perspektiva e planifikuar, kjo është një pyetje që e kalon 100 vjetorin e Shqipërisë moderne, duke lënë të hapur si praktikën ashtu dhe shqyrtimin e lajmit të shikuar.

3. Përfundime 

Në pesëdhjetë vjet të transmetimit të tyre lajmet televizive kanë reflektuar shoqërinë shqiptare në të gjithë përmasën e lejuar. Për rreth 30 vjet, ky lejim ishte ngurtësisht i sforcuar sipas detyrim-përcaktimit monopartiak duke shuar ose penguar perceptimet e ndryshme të publikut. 

Lajmi i shikuar ka pasqyruar ngjarjet e mëdha të vendit. Kjo ka ndodhur edhe në kushtet e diktaturës së autarkisë totalitare dhe atë të ndryshimeve të mëdha politike, përkatësisht me diktatin e modelit e më pas me përvetësimin gradual të lirisë së shprehjes.

Në vitet e lirisë së shpallur të shprehjes, lajmi i shikuar ka ndjekur lëvizjen fillimisht kaotike e gradualisht në stabilizim të shoqërisë e politikës, ndërsa më pak atë të ekonomisë së tregut. 

Interesi i lajmit të shikuar, i shprehur në tematikën e tij ka lëvizur nga ai bujqësor tek ai politik. Shkak kryesor për këtë ka qenë ndryshimi i shoqërisë shqiptare me ndryshimin e regjimit politik. 

Vitet e shënuara për lajmin e shikuar janë rreth gjysma e atyre të shtetit shqiptar modern, por si moshë teknologjike e fenomenit, jo shumë larg zhvillimeve europiane e perëndimore. Edhe për këtë arsye, por dhe për shkak të ecurisë më të shpejtë që duket se pëson publiku shqiptar, lajmi i shikuar gjendet përballë sfidës së ecjes marramendëse të teknologjisë që bashkë me faktorë të tjerë po ndikojnë pashmangshëm një pjesë publiku, duke e bërë këtë të fundit pararendës përkundrejt cilësisë aktuale të funksionit të lajmit të shikuar. 

Bibliografi

Altchul, J.H. Agenten der Macht. Die Welt der Nachrichtenmedien, eine kritische Studie. Konstanz, 1989. 

Arkivi i shtetit

Arkivi i RTSH 

Hickethier, K. “Phasenbildung in der Fernsehgeshichte”, Ein Diskussionsvorschlag. Tek Helmut 

Kreuzer/Helmut Schanze (Hrsg.): “Fernsehen in der Bundesrepublik Deutschland: Perioden, 

Zäsuren, Epochen. Heidelberg: Winter 1991, fq.11-37. 

Hoxha, E, “Vepra 26”, Tiranë, “8 Nëntori

Komnino, E, “30 minutat e darkës 20.00”, Tiranë, Eurorilindja, 1997 

KKRT, Raport mbi transmetimin e lajmeve, 2010

Stillo. K, “Tribuna e gazetarit” 1975/6

Neumann, E-N, Kumulation, Konsonanz und Oeffentlichkeitseffekt, tek “Publizistik” 1973/18,

Paetzold, U, Nachrichten, von wem, fuer wen? Beispiel: ARD – Tagesschau, Tek Politische Orientierung durch Fernsehnachrichten. Tutzing 1973,

Schuman, H.G, “Ideologische Problemen der Nachrichtensprache” tek “Nachrichten, Entwicklungen, Analysen-Erfahrungen”, Muenchen, 1975 

Schmitz, Postmoderne Concierge. Die Tagesschau. Vorwelt und Weltbild der Fernsehnachrichten. Opladen, 1989,

Filed Under: Histori

HASAN KALESHI, THEMELUES I ORIENTALISTIKËS SHQIPTARE

April 29, 2025 by s p

Feti Mehdiu/

Dr. Afrim Shabani dhe DIELLI meritojnë përgëzime e respekt nga lexuesit e Diellit, për kontributin që i afrojnë opinionit shkencor. Prandaj vendosa që edhe unë të kontribuoj për qasje më korrekte çështjeve shkencore.

Nuk diskutohet, ka apo nuk ka të drejtë dr. Afrim Shabani, por për hirë të lexuesve të DIELLIT, e shoh të nevojshme, që dilemave të dr. Afrim Shabanit t`u qasem sipas kronologjisë në tekstin konkret. 

Hasan Kaleshi është themelues i ORIENTALISTIKËS SHQIPTARE – Jo i “Albanologjisë orientale.” Është i lindur dhe rritur në Sërbicë-Kërçovë, në Maqedoni, deri kur shkon në shkollim, në Shkup, Prishtinë dhe Beograd.(për këtë shih: TV-Uskana, 2022.) Pa diskutim se vepra e Kaleshit : “kërkon lexim të gjatë, të ngadaltë, e të thellë.” Kërkesë serioze e konstruktive e dr. Afrim Shabanit, së cilës do t`i shtoja edhe shprehjen SERIOZISHT DHE SHKENCËRISHT, mirëpo konstatimi i tij se: “Ai është studiuar, botuar, përkthyer. Por pak është ndjerë…” qëndron vetëm pjesërisht.

Hasan Kaleshi nuk është studiuar, madje as nuk është prezentuar sa duhet në institucionet e qarqet shkencore me kompetencë e përgjegjësi profesionle. Konstatimet tjera: “është  botuar, përkthyer. Por pak është ndjerë…si vëlla që i dhemb fati ynë.” janë të sakta.

Mund të qëndron edhe fakti se “pak është ndier…si vëlla që i dhemb fati ynë” – por kjo varet nga  profili  lexuesit, çfarë fahu është specializuar. Nuk e ndien  njëlloj ,historiani, folkloristi,  etnografi, etj. Kaleshit nuk i mungonte patriotizmi, por  atij si shkencëtarë, nuk i pëlqente  patriotizmin  me çaj e me sharki në preher. Nuk bëhet historija,  me këngë e glorifikim të figurave historike, shprehej ai. Nuk është patriotizëm  vetëm pse shkruan në gjuhën shqipe!

Tregoja botës historinë e shqiptarëve – u thoshte kolegëve të vet – shkruaj ose përktheje shkrimin në gjermanisht, anglisht, qoftë edhe serbisht, “…mos shkruaj për mua, unë e di, edhe shqiptarët tjerë e dinë këtë.”

Shqetësimi i Afrim Shabanit me pyetjet dhe me përgjigjet, “A ishte Kaleshi i rëndësishëm për historinë tonë? Po. A e meritojnë veprat e tij të lexohen? Pa dyshim…” është shqetësim që duhet ta kenë institucionet shkencore dhe studiues të fushave të ndryshme, sidomos ata të  historisë, por jo vetëm këta.

Shqetsimin tjetër:  “  a ishte ai një zë i brendshëm i kujtesës sonë kolektive, një zë që flet me gjakun dhe shpirtin tonë? Këtë nuk mund ta them me siguri.”  duhet kuptuar  si mungesë profesionale për të hapëruar më thellë në ata dhjet vëllimet e Veprave të Kaleshit, që prej vitit 2022 janë pronë publike nëpër librari e panaire të Librit, e që nuk janë vepra vetëm për t`i lexuar, por edhe për t`i studjuar nga këndvështime të ndryshme, jo vetëm historian, folkloristi apo etnografi.

Qëndron edhe fakti se: “… dyshimi është forma më e ndershme e respektit”,  por me kusht që dyshimi të shoqërohet me studjime serioze, nga studjues të fushës konkrete e me përgatitje interdisiplinare, ashtu sikur që ishte professor Kaleshi. Vetëm atëherë  arrihet te e vërteta.

Gazeta Dielli me 26 shkurt, 2024 i solli lexuesit artikulli e akad.dr. Muhamed Mufakut, Një qasje ndryshe…për veprat e Hasan Kaleshit, kurse tash,  lexuesit Diellit I paraqesim një pasqyyrë më të plotë të kontributit shkencorë të Hasan Kaleshit.

Filed Under: Histori

Qoftë i përjetshëm kujtimi i martirëve të lirisë!

April 28, 2025 by s p

Hisen Berisha/

Në pranverën e përgjakur të vitit 1999, kur Kosova digjej në zjarrin e lirisë dhe dhimbjes, Meja e Gjakovës u bë dëshmi e njërit prej krimeve më të rënda kundër njerëzimit në historinë tonë. Më 27 dhe 28 prill, forcat serbe kryen një masakër të tmerrshme, duke ndalur dhe ekzekutuar mbi 350 qytetarë shqiptarë të pafajshëm – nga fëmij, të rinjë adoleshentë, burra e deri te pleq që mezi mbanin veten.

U pushkatuan mizorisht, vetëm pse ishin shqiptarë.

Meja u kthye në një kodër varresh të hapura, në një fushë dëshmie të gjenocidit, një tokë e gjakosur e bijve më të mirë të Gjakovës dhe rrethinës.

Të mbledhur me forcë, të dhunuar në dinjitet dhe në jetë, këta martirë sot jetojnë përjetësisht në kujtesën tonë kombëtare.

Ne sot përkulemi me respekt para emrave të tyre, para dhimbjes së familjeve të lënduara, dhe para plagës së hapur të nënave që presin me vite për një varr.

Meja është zëri i përjetshëm i kërkesës për drejtësi, thirrja që nuk shuhet kurrë për të vërtetën e Kosovës.

Sot, si komb, ne jo vetëm që i nderojmë, por jemi të përbetuar të mos harrojmë kurrë se liria jonë i ka rrënjët në gjakun atyre që u flijuan për të, që po i përkujtojmë sot në Mejë, Skivjan e anëkënd Kosovës, mbi kurajon e një populli që vendosi të mos zhduket, por të ngadhënjejë.

Qoftë i përjetshëm kujtimi i martirëve të lirisë!

Lavdi jetës së tyre, që e flijuan për lirinë tonë!

Filed Under: Histori

Hasan Prishtina, 1873-1933

April 27, 2025 by s p

Veprimtar i lëvizjes kombëtare të periudhës së Rilindjes, i lëvizjes për një shtet demokratik në Shqipëri, për çlirimin e Kosovës dhe për bashkimin e saj me shtetin e pavarur shqiptar. Lindi në Vushtrri të Kosovës më 27 prill 1873. Kreu gjimnazin francez në Selanik dhe shkollën e lartë të administratës “Mylkije’ në Stamboll. U zgjodh tri herë deputet në parlamentin osman, ku mbrojti të drejtat kombëtare të shqiptarëve (1908-1912). Në fillim të vitit 1912, së bashku me Ismail Qemal Vlorën ishte ndër nismëtarët e organizimit të Kryengritjes së Përgjithshme kundërosmane dhe udhëheqës kryesor i saj. Përkrahu Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ishte ministër i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Ishte ndër organizatorët e Kryengritjes kundërserbe të shtatorit të vitit 1913. Gjatë periudhës mars-shtator 1914 mbështeti Vilhelm Vidin dhe për disa muaj (15.03-20.05.1914) mori pjesë në qeverinë e T. Përmetit si ministër i Postë-Telegrafave. Gjatë vitit 1915 qëndroi në ilegalitet në Malësinë e Gjakovës, ku u mor me organizimin e qëndresës në Kosovë dhe në viset e tjera të pushtuara nga ushtritë serbe e malazeze. Në periudhën 1916-1918 bashkëpunoi me autoritetet austriake të pushtimit duke shpresuar se me këtë rrugë mund të realizohej pas luftës bashkimi përfundimtar i Kosovës me shtetin Shqiptar.

Në dhjetor të vitit 1919 kryesoi delegacionin që Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dërgoi në Konferencën e Paqes në Paris për të kërkuar bashkimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të përfshira në Jugosllavi me shtetin shqiptar. Në prill të vitit 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në Këshillin Kombëtar. Gjatë krizës politike të dhjetorit u ngarkua nga Këshilli i Lartë të formonte qeverinë më 7 dhjetor 1921, por dha dorëheqjen më 12 dhjetor në interes të stabilitetit të vendit. Gjatë viteve 1922-1924 u shqua si një nga figurat e opozitës në Shqipëri. Krahas veprimtarisë si udhëheqës e organizator i Lëvizjes së armatosur kaçake në Kosovë kundër sundimit serb, mori pjesë edhe në përgatitjen në Shqipëri të Revolucionit të Qershorit të vitit 1924, që solli në pushtet qeverinë e Fan Nolit. Shoqëroi F. Nolin në Lidhjen e Kombeve. Gjatë tërë jetës si mërgimtar politik në vitet 1925-1933, punoi pareshtur për të siguruar përkrahjen e opinionit publik botëror, të forumeve ndërkombëtare dhe të kancelarive të Fuqive të Mëdha për çështjen e Kosovës. Hasan Prishtina ishte përfaqësues i krahut radikal të mërgatës politike shqiptare. Çlirimin e Kosovës e shihte të lidhur me ndryshimin e regjimit në Shqipëri. Ai punoi për bashkërendimin e luftës së popujve të robëruar të Ballkanit dhe shpresonte se me krijimin e shteteve kombëtare dhe me ndërprerjen e çdo forme hegjemonie mbi popujt e Ballkanit do të krijoheshin kushtet për bashkëpunim ndërmjet tyre. Në bashkëpunim me anëtarët e organizatës “Bashkimi Kombëtar” mori pjesë në pregatitjen e atentatit që u krye në Vjenë kundër Ahmet Zogut në vitin 1931. Hasan Prishtinës iu bënë katër atentate nga kundërshtarët politikë; u burgos dy herë nga pushtuesit serbë e bullgarë dhe u dënua gjashtë herë me vdekje (nga xhonturqit, nga Esat Toptani, nga qeveria serbe dhe tri herë nga qeveria e A. Zogut). Ai ka shkruar një varg artikujsh dhe një përmbledhje kujtimesh për Kryengritjen kundërosmane të vitit 1912, me vlera të mirëfillta historike. U vra në Selanik me atentat më 14 gusht të vitit 1933, për organizimin e të cilit u akuzuan A. Zogu dhe qeveria jugosllave. Në vitin 1977 eshtrat e Hasan Prishtinës u rivarrosën në Kukës. Në maj 2014, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, vlerëson atdhetarin e shquar Hasan Prishtina me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”.

Marrë nga: Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT