• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqiptarët me rrënjë të thella evropiane dhe me të gjitha premisat perëndimore – amerikane

April 8, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

I. Rrënjët Evropiane të Shqiptarëve: Trashëgimi dhe Autoktoni Historike

Origjina Ilire – Dëshmia e Autoktonisë Evropiane

Shqiptarët janë pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve – një ndër popujt më të lashtë të Evropës, të dokumentuar që nga epoka e bronzit e deri në periudhën e Perandorisë Romake. Historianë me peshë si Wilhelm Tomaschek, Johann Georg von Hahn dhe Noel Malcolm kanë argumentuar në mënyrë të përligjur lidhjet gjuhësore, territoriale dhe kulturore midis ilirishtes dhe shqipes.

Gjuha shqipe – e vetmja trashëgimtare e gjallë e trungut iliro-trak – sot është gjuhë zyrtare e Bashkimit Evropian nëpërmjet Shqipërisë.

Toponimet e lashta si Dardania, Scupi, Lissus, Ulpiana mbeten gjurmë të gjalla të vazhdimësisë kulturore dhe etnike të shqiptarëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

II. Kontributi Shqiptar në Historinë Evropiane – Nga Mesjeta te Epoka Moderne

Mbrojtja e Evropës nga Invazionet Osmane

Shqiptarët ishin ndër mbrojtësit kryesorë të qytetërimit evropian gjatë epokës së përballjes me Perandorinë Osmane. Figura legjendare e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i njohur nga Papa Pali II si “Atlet i Krishtit”, është mishërimi i rezistencës perëndimore në Lindjen e rrezikuar.

Fisnikët shqiptarë – Arianitët, Dukagjinët, Topiajt – krijuan aleanca me mbretëritë evropiane (si Aragonezët, Napolitanët dhe Venedikasit) për të mbrojtur Evropën nga pushtimi oriental.

Trashëgimia Juridike dhe Shoqërore me Themel Evropian

Kanuni i Lekë Dukagjinit është një ndër kodet juridike zakonore më të avancuara të Evropës paramoderne. Ai parashikonte:Ndërgjegjen kolektive të komunitetit,Barazinë para ligjit,Institucionin e Besës, që për evropianët simbolizonte një formë të lartë të nderit dhe të ligjshmërisë shoqërore.

Kanuni është përkthyer dhe studiuar në universitete prestigjioze evropiane si Cambridge, Heidelberg dhe Sorbonne, si shembull i një sistemi juridik natyror autokton.

III. Orientimi Perëndimor i Shqiptarëve në Epokën Moderne

Lidhja Shqiptare e Prizrenit – Program Euro-Integrues i Shtetformimit

Lidhja e Prizrenit (1878) nuk ishte vetëm një lëvizje për autonomi, por një projekt evropian për shtetformim modern. Frymëzuar nga modelet e kombeve si grekët, bullgarët apo rumunët, shqiptarët kërkonin:Arsim modern,Administratë të organizuar,Institucione përfaqësuese kombëtare – parime që i paraprijnë vizionit të Bashkimit Evropian për vetëvendosje dhe federalizëm demokratik.

Konferenca e Londrës (1913): Ndërprerja e Pabarabartë e Kombit Shqiptar

Megjithëse shqiptarët shpallën pavarësinë më 1912, Konferenca e Londrës (1913), nën presionin e Fuqive të Mëdha Evropiane, i copëtoi territoret shqiptare, duke i ndarë në pesë shtete të ndryshme – një shkelje e qartë e parimeve wilsoniane të vetëvendosjes:Shqipëri,Kosovë (nën Serbi),Maqedoni (nën Bullgari e më pas Jugosllavi),Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës,Çamëria (nën Greqi).

IV. Shekulli XX: Nga Izolimi Komunist në Shqipëri te Rezistenca Demokratike në Kosovë

Shqipëria Komuniste – Prerja me Perëndimin

Regjimi i Enver Hoxhës solli një izolim ekstrem të Shqipërisë nga bota demokratike. Megjithatë, shqiptarët nuk e humbën kurrë aspiratën për t’u kthyer në gjirin e Evropës dhe për të ndërtuar një shoqëri të lirë e të hapur.

Kosova – Lëvizje për Liri dhe Demokraci Perëndimore

Nga demonstratat e vitit 1981 te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në fund të viteve ’90, shqiptarët e Kosovës u bënë simbol i rezistencës demokratike.Masakra e Reçakut (1999) – një krim kundër njerëzimit që alarmoi botën perëndimore.Intervenimi i NATO-s (1999) – ndërhyrja e parë humanitare pa mandat të OKB-së, por me legjitimitet moral, që shënoi fitoren e aksit transatlantik për të drejtat e njeriut dhe lirinë e popujve.

V. Shqiptarët dhe Aleanca Natyrale me SHBA dhe BE

Shqipëria – Anëtare e NATO-s dhe Aleate Strategjike

Që nga anëtarësimi në NATO më 2009, Shqipëria është bërë një shtyllë e sigurisë në Evropën Juglindore dhe partnere e besueshme në aleancën transatlantike.

Kosova – Shtet i Ndërtuar mbi Mbështetjen Amerikane

ShBA-ja dhe aleatët e saj perëndimorë kanë qenë thelbësorë në shtetformimin e Kosovës:Presidenti George W. Bush (2007): “Kosova do të jetë e pavarur. Pikë.”Presidenti Joe Biden: “Kosova është një histori suksesi e SHBA-së.”

Kosova ka ndërtuar shtetësinë dhe diplomacinë mbi themelet e partneritetit euro-atlantik.

Diaspora Shqiptare – Zëri Euro-Amerikan në Botë

Mijëra shqiptarë të integruar në SHBA, Kanada, Zvicër e Gjermani kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në demokracitë përkatëse dhe në mbështetjen ndaj çështjes shqiptare.

Figurat si Senatori Bob Dole, Joseph DioGuardi, Eliot Engel, Madeleine Albright etj., ishin dhe janë avokatë të vendosur të të drejtave shqiptare në politikën amerikane.

Lobimi i diasporës shqiptare ndikoi fuqishëm në:Çlirimin e Kosovës,Pavarësinë e saj,Konsolidimin e institucioneve demokratike.

VI. Shqiptarët si Popull me ADN Evropiane dhe Vullnet Perëndimor

Shqiptarët nuk janë orientalë që duan të bëhen evropianë, por evropianë që janë privuar përkohësisht nga përfshirja në familjen e tyre natyrore për shkak të rrethanave historike.

Me rrënjë ilire, trashëgimi mesjetare evropiane, sistem juridik autokton dhe orientim strategjik euro-atlantik, shqiptarët jo vetëm që e meritojnë vendin e tyre në NATO dhe BE, por përfaqësojnë një vlerë të shtuar në arkitekturën e sigurisë dhe demokracisë në Evropë.Ata janë populli më pro-amerikan dhe më pro-evropian në rajon – një partner strategjik, e jo thjesht një “çështje” e pazgjidhur.

Filed Under: Histori

KANDAVIA TEK AUTORËT ANTIKË DHE BIZANTINË

April 7, 2025 by s p

Shkruar nga Avni Alcani/

Në një hartë që ne publikuam disa kohë më parë (Gazeta Dielli, ShBA, 25 Mars 2025), emri “Candavia” hasej tri herë: si emri i një rruge (“Via Candavia”), e cila fillonte nga qyteti i Durrachiumit dhe vijonte përgjatë luginës së lumit Genusus (Shkumbini i sotëm) e deri te liqeni i Luchnitis-it (Ohrit); si emër i një stacioni rrugor (mancio), apo vendbanim në rrugën e Candavisë, me emrin “Candavia” dhe “Grandavia” dhe si emri i një mali “Candavii M(auntin)”. Në vijim të shkrimit tonë do të shohim si përputhen të dhënat e hartës me zbulimet arkeologjike, me burimet historike të autorëve antikë, me të dhënat e hartës Tabula Puentigeriana dhe me të dhënat e itinerareve, apo regjistrve, që përshkruanin stacionet e rrugëve të Perandorisë Romake.

Njoftimi i parë për ekzistencën e një krahine të vogël ilire me emrin “Kandavia”, siç ne e njohim sot nga tekstet e historisë së Shqipërisë, është bërë rreth 170 vjet më parë nga albanologu gjerman, Dr. Johan Georg von Han, në librin “Studime shqiptare” (Vienë 1854). Në librin e tij Han kishte bërë identifikimin provincës “Candavia”, të përmendur në shkrimet e autorëve antikë, me krahinën e luginës së sipërme së lumit Shkumbin. Ai shkruan: “Emri i vjetër i malësisë ka qenë Kandavia. Në skajin jugor të kësaj malësie buron Shkumbini… Në shpinë të qytetit (Elbasanit) ngrihet një kodër më vete: Krasta, pastaj vjen djathtas mali i Shushicës, pas këtij Mali i Polisit…; nga ana e majtë kemi malin e Gildeshit (Godoleshit) dhe prapa tij atë të Çermenikës. Kjo pamje malore formon hyrjen e Candavisë së vjetër nga perëndimi, nëpërmjet së cilës kalon “Via Egnatia” (Han, “Studime shqiptare”, faqe 18, 118).

Njoftimin e dytë e kemi prej një zbulimi arkeologjik. Në vitin 1916, gjatë Luftës së Parë Botërore, dy arkeologë austriakë, Kamilo Prashniker dhe Arnold Shober, organizuan në Shqipëri dhe Mal të Zi ekspedita arkeologjike me karakter informativ. Pranë lumit të Moraçës në Mal të Zi, ata gjetën një altar votiv prej mermeri të bardhë, si pjesë e një tempulli, me mbishkrimin: “Diana augusta Candaviensis”. Sipas dy arkeologëve austriakë, përkushtimi lidhej me emrin e krahinës së Kandavisë, e cila, sipas tyre, ishte “malësia mes Skampa (Elbasani) edhe Lychnidus (Ohër), që sot njihet Mali i Polisit” (Kërkime arkeologjike në Shqipëri dhe Mal të Zi, Tiranë 2003, faqe 2). Si Hani, ashtu dhe dy arkeologët austriakë, interpretimet e tyre i kishin të bazuara te burimet e autorëve antikë grekë, romakë dhe bizantinë.

Në vitin 1965 botohet për herë të parë në Shqipëri libri “Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë”, në të cilin ishin përfshirë të gjithë autorët e periudhës antike, që nga Homeri (shek 12 para Kr.) dhe deri te autori bizantin, Zanora (shek. 11-12 pas Kr.). Libri, i cili ka të dhëna shumë të rëndësishme për Ilirinë dhe popullsinë e saj gjatë periudhës antike, u përgatit për botim nga një grup arkeologësh të shquar shqiptarë, si Hasan Ceka, Skënder Anamali, Selim Islami dhe Frano Prendi, që janë themeluesit e arkeologjisë shqiptare.

Autori i parë romak, që përmënd Kandavinë si krahinë, është Mark Tul Ciceroni (106-43 para Kr.), i cili, në letrën që i dërgonte mikut të tij, shkruan: “…Në qoftëse ti nxiton, sidoqoftë do të më arrish, sepse unë … do të kaloj pa u ngutur nëpër Kandavi…” (faqe 81). Strategu më i madh ushtarak i Romës së lashtë, Gai Juli Cèsar (100-44 para kr.), në librin e tij “Lufta ime”, shkruan: “Por…duke qenë se Cezarin e pengoi Apollonia që të merrte rrugën e drejtë, Pompeu, me anë të Kandavisë, u drejtua për në Maqedoni” (faqe 87). Cezari përmend dhe krahinën me emrin Heraklea (apo Sintika), e cila ishte në vartësi të Kandavisë. “Domitit, – shkruan Cezari, – iu desh të largohej prej këndej për mungesë të ushqimeve dhe të shkojë në Heraklea (Sintika), që është nën vartësinë e Kandavisë…” (faqe 93).

Straboni (64 para kr.–24 pas kr.) është gjeografi greko-romak që përmënd në librat e tij rrugën Egnatia dhe Kandavinë si mal e si krahinë. Ai shkruan: “Ata që nisen nga Apollonia dhe Epidamni piqen në një pikë të rrugës, që ka largësi të njëjtë nga të dy këto dy qytete. Rruga e tërë quhet Egnatia; pjes e parë është ajo që kalon nga Kandavia, mal i Ilirisë, dhe shkon përmes qytetit Lyhnid dhe vendit të quajtur Pylon, që shënon kufirin midis Ilirisë dhe Maqedonisë mbi këtë rrugë” (faqe 158). Po aty, në vijim Straboni shkruan: “Buzë rrugës që shkon për në Kandavi janë liqenjt rrotull Lyhnidit (Ohrit), që kanë vende të mjaftueshme për të kripur e për të tharë peshq…” (faqe 160).

Autori i dytë që i përmend Malet e Kandavisë është gjeografi Plini Sekundi (Gaius Plinius Secundus), i njohur si Plini Plak (rreth 23/24 – 79), i cili, në librin e tij “Historia e Natyrës”, shkruan: “Prej Lisit nis provinca Maqedone: fiset e parthinëve dhe në shpinë të tyre dasaretët, malet e Kandavisë, shtatëdhjetë e tetëmijë hapa nga Dyrrahu” (faqe 194).

Autori i fundit, i cili e përmend Kandavinë me emrin e saj antik, është historiani bizantin Malhu, i cili ka jetuar rreth shekujve të 5- 6 pas Kr. Vepra e tij kryesore ka qenë “Bizantiaka” me 7 vëllime, në të cilat ka përshkruar betejat që kanë zhvilluar bizantinët kundër gotëve në vitin 459. Teodoriku i Madh, mbreti i gotëve, u ndesh me gjeneralin bizantin Adanadi, të dërguarin e Perantorit bizantin, i cili e përndiqte ushtrinë e gotëve pëgjatë rrugës “Egnatia”. Malhu shkruan: “Ndërsa Adamanti po merrej me këtë punë, në Lyhnid ishin mbedhur tani shumë nga njësitë, sipas urdhërit të strategut. Atëhere dikush i tha Sabianit se barbarët, – në mes tyre gjendeshin Teudimundi, i vëllai i Theodorikut dhe nëna e tyre, – bashkë me paisjet e tyre ushtarake, me shumicën e qerreve dhe me pararojën, po zbrisnin ngadalë dhe mjaft qetë nga Kandavia…Theudimundi dhe nëna e tij, pasi panë që po sulmoheshin, ikën me të shpejtë, ranë në fushë dhe shkatërruan menjëherë urën, nëpër të cilën kaluan” (faqe 409). Historiani dhe arkeologu Neritan Ceka ka shkruar se ura që kaluan familja mbretëre dhe që u dogj prej tyre, është pikërisht ura e quajtur sot “Ura e Haxhi Beqarit” në fshatin Mirakë. “Familja mbretërore, shkruan Ceka, shpëtoi duke djegur urën mbi lumin Shkumbin, sigurisht në Mirakë, por bizantinët zunë pesëmijë robër dhe dy mijë karro me plaçkë”. (N. Ceka: Ilirët, Tiranë 2000, faqe 274).

Një rëndësi të veçantë për gjeografinë dhe toponiminë e Kandavisë antike zenë Itineraret rrugore, të cilat kanë qenë të përshkrimeve të rrugëve romake, të stacioneve (mansion) dhe vendqëndrimeve (mutation).

Harta më e rëndësishme dhe më e njohur ëishtë “Tabula Peutingeriana”, e cila ka qenë një hartë rrugore, që përshkruante të gjithë rrjetin rrugor të Perandorisë Romake. Harta ishte një kopje e vitit 1200 në pergamenë, e bazuar në një dokument të shekullit të 4-të ose të 5-të. Që nga viti 1738, harta ruhet në Bibliotekën Kombëtare Austriake në Vjenë. Duke filluar nga lindja, ajo përfshinte: nënkontinentin Indian, Persinë, Lindjen e Mesme, disa pjesë të Azisë, Afrikën e Veriut dhe Evropën (pa Gadishullin Iberik dhe Ishujt Britanikë). Sipas kësaj harte, stacioni i parë në Kandavi ndodhej në vendin e quajtur soy Ura e Haxhi Beqarit në Mirakë, e regjistruar me emrin “Genesis” (faqe 311), që është emri i lumit Genesis (Shkumbin). Stacioni i dytë është regjistruar me emrin “Ad Dianam” në Babje (faqe 311), Stacioni i tretë është në Qukës, i regjistruar me emrin “In Candabia” (faqe 311). Stacioni i fundit në Kandavi është regjistruar në Urakë, me emrin “Pons Seruili” (faqe 311).

“Intinerarum Antonini Augusti” (Itinerari i Perandorit Antoninus) është një regjistër i stacioneve, i cili përshkruan rrugët e Perandorisë Romake nga Roma nëpër Akuilera dhe deri në Konstadinapol, si dhe rrugën nga Durrahi nëpër Maqedoni e Thraki. Në këtë interenar është përmendur vetëm një stacion në Kandavi, që quhet “Tres Tabernas”, në Qukësin e sotëm (faqe 316). Stacioni i Qukësit përmendet sërish në këtë itinerar të Perandorit Antoninus (në faqen 49-50 të tij), por me emrin pak më të ndryshuar, “Tribus Tabernis” (faqe 317).

“Interiarium Budigarlense Itinerarium Burdigalense” (Itinerari Bordeaux), i njohur gjithashtu si “Itinerarium Hierosolymitanum” (Itinerari i Jerusalemit), është itinerari më i vjetër i njohur i krishterë. Është shkruar nga “Pilgrim of Bordeaux”, një pelegrin anonim nga qyteti i Burdigala (tani Bordo, Francë) në provincën romake të Gallia Aquitania. Ai rrëfen udhëtimin e shkrimtarit përgjatë Perandorisë Romake në Tokën e Shenjtë në vitet 333 dhe 334, ndërsa udhëtonte në rrugë tokësore, përmes Italisë veriore dhe luginës së Danubit për në Kostandinopojë. Përpiluesi i itinerarit përmend kufijtë nga një provincë romake në tjetrën dhe bën dallimin midis çdo ndryshimi të kuajve (mutatio) dhe vendit të ndalimit (mansio). Në rrugën nga Heraklea nëpër Maqedoni në Aulona, ai shënon tre stacione në Kandavi: 1. Stacionin e “Mutatio Tabernas” (Qukës), 2. Mansio “Grandavia” (Babja) dhe 3. mutadio “Treiekto” (Ura e Haxhi Beqarit) në Mirakë (faqe 318).

Filed Under: Histori

PËRPJEKJET E SHQIPTARËVE NË MAQEDONI PËR ARSIM KOMBËTAR NË FUND TË SHEKULLIT XIX DHE NË FILLIM TË SHEKULLIT XX

April 5, 2025 by s p

Avzi MUSTAFA/

Pjesa II

Përhapja e shkollës shqipe në territorin e Maqedonisë hov të madh mori pas Kongresit të gjuhës shqipe në Manastir më 1908 ku dita ditës interesi shtohej. Kështu, disa klube filluan të hapin shkolla në gjuhën amtare. Shkolla në gjuhën shqipe u hapën në: Dibër,  Rekë, Shkup, Manastir, Kërçovë,Tetovë, Gostivar, Kumanovë  e gjetiu. Vlen të përmendim se veprimtarë të shquar në këto qytete për shkolla shqipe ishin: në Kërçovë: Jusuf Turabi – Kërçova, Rexhep Fasku – Greshnica, Ali Drogomishti; në Strugë shquhen  Dervish Hima e Ibrahim Temo; në Dibër: Kadri Fishta e Said Najdeni; në Gostivar:  hoxha Afiz Lila;  në Patishka Rekë: hoxha i fshatit; në Shkup: Rok Berisha, Bedri Pejani; në Rekë: prifti Todor e Josif  Bageri; në Kumanovë: Jashar Erbara e Anastas Albanski e shumë të tjerë. 

Prifi Todor nga Reka e Epërme edhe para Kongresit meshën e  mbante në dy gjuhë: në bullgarisht e në shqip. Kur fliste në “shqyp” (shqip) ai përdorte pjesë nga “Psallmet” dhe “Dhjata e Re” të Kristoforidhit. Pagëzimet, ditën e emrit që zakonisht lidhej me ndonjë apostol kishtar, që çdo familje e ka të caktuar si dhe ditën e kishës e të fshatit, i bënte vetëm në gjuhën shqipe. Në familje ai u rrëfente të gjithë anëtarëve traditën e besimit ortodoks dhe e lidhte me jetën e shenjtorëve, për t’i motivuar besimtarët që të udhëhiqen sipas Krishtit. “Ata që lëvdojnë Krishtin dhe shenjtorët, Zoti familjeve u jep bekimin. Beni lutje për të qenë shtëpia e plotë dhe e shëndosh” (marrë  nga një fletore  lutjesh të protogjerit Çirko nga Reka). 

Pranë kishës ekzistonte edhe një shkollë në gjuhën bullare, por ajo nuk funksionoi sepse ishte vështirë të gjendet mësues. Prifti Todor këtë shkollë e përdorte herë pas here me fëmijët e fshatit për t’u mësuar shkrim-leximin në gjuhën shqipe dhe shumë dije për Zotin dhe kombin.

Kur filloi një luftë e ashpër midis ekzarkisë bullgare dhe kishës serbe, flitej se do të sillnin klerikë serbë. Serbia bashkë me Rusët bënin propagandë për të bindur hyqymetin Osman se viset me përkatësi fetare ortodokse janë serbë. Andaj, përhapja e shkollave të huaja në gjuhët greke, bullgare dhe serbe, shtroi nevojën e ngutshme edhe për hapjen e shkollave në gjuhë shqipe.

Kur bindet mitropoliti Kozmo se nuk mund të bëjë ballë serbëve, atëherë ai kërkoi që në Rekën e Epërme, predikimet në kisha dhe mësimi në shkolla të bëheshin në gjuhën shqipe. Dhe kështu me të ngut ndaj çështjes së gjuhës shqipe, autorizon Këshillin vendor kishtar për dhënien e lejeve për hapjen e shkollave në gjuhën të cilën ata duan. 

Në bazë kërkesave të vazhdueshme në fshatrat që kërkonin që të mësojnë në gjuhën e nënës lëshonte leje. Kështu ndodhi kur ai lejoi e shkollën e gjuhën shqipe, duke e autorizuar një administrator me emrin Iliev që të kërkojë nga prifti Todor, që të lus vëllain e tij Josifin i cili shpesh kishte dërguar kërkesa për hapjen e një shkollë në gjuhën shqipe në Nistrovë. Nga lutjet e Josifit kërkesa ishte që “ta lërë të lirë dhe t’ia japë bekimin që të rrëfejë shqiptarizëm dhe t’i mësojë shqiptarët në gjuhën shqipe në shkolla dhe në kishë të rrëfej në gjuhën shqipe.”

Me hapjen e një shkolle me leje, siguroi edhe një rrogë prej 18 lirash. Todori me gëzim të madh e njofton të vëllain dhe e lëshon shtëpinë e tij për shkollë. Pasi njoftohet Josifi për këtë detyrë, atëherë ai do të shkojë në Rekë, që të hapë shkollën laike në gjuhën shqipe. Shkolla u hap më 25 shtator 1908 në fshatin e lindjes.  Me pagesë prej dy lirash turke ai merr një leje edhe nga Këshilli i fshatit që të fillojë mësimin në gjuhën e nënës. Josifi me rastin e hapjes së kësaj shkolle do të  shprehet:….”Edhe kështu fëmijët zuna ti mësoj, se a.b.c. që kishnja 20 cop. Mirëpo në Malësiet e Dibrës kishte vojt zani se në Rek ka ardh njifar daskall..

Josifi punoi me shumë dashuri dhe me përkushtim. Që në ditën e dytë, ai përveç 8 nxënësve që mësonin gjuhën shqipe tek vëllai i tij prifti Todor, ai “do të grish disa prej fisit të vet të i çojn fëmin për me muet bashk me fëmin e vet.”

Josifi me pagen shumë të vogël nuk mund të siguronte mbijetesën e familjes, prandaj iu drejtua mitropolitit të Dibrës, Zotëri Zotëri Kozmës për t’ia rritur rrogën. Në bazë të një letre drejtuar në adresë të Josif Bagerit,  e protokolluar me nr. 326 me 19 janar të vitit 1909, mitropoliti i Dibrës Zotëri Zotëri Kozma e njofton Josif Bagerin se nuk mund ta ndihmojë në misionin e tij.

Josifi i mllefosur nga kjo përgjigje që mori, më datë 10.02.1909 kështu i përgjigjet mitropolitit të Dibrës: “I Lumturushëm … pse po brengoseni kaq shumë, qoftë bekuar Zoti, unë janë shëndosh si thënë! Juve ju vjen keq pse unë po kërkoj punë apo pse unë kam shprehur që të rrëfej në gjuhën amtare shqipe? Unë nga Ju nuk kërkoj ndihmë nga mitropolia, por zotëri Ilievi i juaj, administrator, më habiti për  shërbimin prej 18 lirash rrogë në vjet, ngase kishin thënë  se nëpërmjet vllahut Todor do të më jepni 30 lira në vit dhe se Ju i keni thënë se mund të kem liri edhe për gjithçka… Unë i besova, por duke iu falënderuar logjikës sime për të mos u ngutur, se përndryshe unë do të pësoja”. Mandej Josifi i thotë zotërisë: “Ju Zotëri mos brengoseni për ata që janë të shëndosh si thëna, por brengosuni për ata që ua grabisin jetët e njerëzve të cilët unë dua t’i arsimoj dhe t’i vetëdijesoj me ndihmën e Zotit.” Në fund në p.s. Josifi i kërkon falje kryesuesit të mitropolisë pse letrën nuk e ka futur në zarf dhe shpjegon se këtë e bën për arsye ekonomike.

Për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe problem më vete ishte edhe sigurimi i kuadrit mësimor. Prandaj, punë e nevojshme dhe e ngutshme ishte hapja e shkollave të mesme, sidomos shkollat për përgatitjen e mësuesve.  Një shkollë për sigurimin e kuadrit ishte më se e nevojshme që do të përfshinte nxënës nga trevat e kësaj ane. Pas shumë kërkesave dhe lutjeve, me shumë vështirësi do të lejohet nga pushteti lokal i Dibrës që të hapet një shkollë normale. Shkolla u hap më 2 gusht 1910 në gjuhën turko-arabe, por si lëndë mësimore u fut edhe gjuha shqipe. Në fillim kishte dy klasë, kurse në vitin e dytë u formua edhe një klasë, me gjithsej 115 nxënës. Pas tri vitesh këtë shkollë e mbaruan me sukses 35 nxënës.  Këto nxënës të diplomuar u dëshmuan jo vetëm si mësues të mirë, por edhe si patriotë për ruajtjen e kauzës shqiptare pa dallim feje e krahine.  

Një veprimtar që sakrifikoi jetën pse hapi një shkollë nate në Kumanovë është Anasatas Albanski i lindur në fshatin Tërnicë të Rekës së Epërme të Dibrës.

Në Kumanovë ekzistonin dy shkolla serbe, të hapura që nga viti 1849 dhe një bullgare. Shkolla bullgare punën e saj në Kumanovë e ka filluar në vitin 1852 me një mësues dhe me 200 nxënës. Por, shkolla bullgare nuk ishte në gjendje që të qëndronte dhe të bënte ballë turbulencave të ndryshme që ndodhnin në Ballkanin e trazuar, ajo punonte me ndërprerje, sipas situatave dhe kushteve. Kjo shkollë bullgare u riaktivizua në vitin 1908, kur Bullgaria shpalli pavarësinë nga Turqia. 

Meqenëse popullata e kumanovare sllave më shumë anonte nga shkollat serbe, për të tërhequr sa më shumë nxënës edhe të nacionalitetit shqiptar, Anastasi ishte më i përshtatshmi sepse ai fliste gjuhën e nënës,  gjuhën shqipe dhe bullgare. Anastas Albanski (Arnaudov) në këtë shkollë emërohet mësues nga Klubi i Shkupit të nxitur nga Qemal e Emin bej Kumbara, Rrok Berisha, Ajdin Draga etj., e sidomos nga Bedri Pejani që ishte një ndër promotorët e mëdhenj në hapjen e shkollave me mësim në gjuhën shqipe. Meritën më të madhe për hapjen e kësaj shkolle e pati Jashar Erabara, i cili ishte edhe kryetar i klubit të Kumanovës dhe impakti kryesor ndërmjet patriotëve shqiptarë. Ky aktivitet në Kumanovë u arrit dhe nëpërmjet përkrahësve të vendit, si:  nga Galip Kumanova, Bajram Vranja,  e sidomos nga patrioti shqiptar Jashar Erebara, si një ndër organizatorët e jetës kulturore dhe  arsimore në Kumanovë. Patriotët shqiptarë mbështetje të madhe gjetën edhe te kajmekami i Kumanovës, Nexhib Basha Pejani, që në të njëjtën kohë i mbronte veprimtarët para pushtetit turk, tradhtarët e ndryshëm si dhe shpifjet e xhonturqve. 

Hapja e kësaj shkolle në Kumanovë ishte rezultat i përbërjes shumetnike të kësaj zone. Sipas një dokumenti që e posedojmë nga Arkivi  i Shtetit Shqiptar mësojmë për Kumanovën se “Gjysma e qytetit është shqiptare e gjysma bullgare dhe të gjithë janë të pasur. Qyteti ka mbi 1.500 shtëpij, me gjitha nga zullumi i serbvet, Shqiptarët jo vetëm të qytetit, po edhe të katundeve me shum lloj mjerimi i shtërgojnë të hikin në Turqi”.

Nuk ishte e rastit pse pikërisht në Kumanovë filloi një aktivitet kulturor dhe arsimor. Kumanova ishte e është qytet ku kryqëzohen të gjitha rrugët si në veri, lindje, perëndim e jug. Kumanova edhe atëherë paraqiste një nyje strategjike dhe ekonomike shumë të rëndësishme. Nga ky dokument mësojmë se në kohën e Turqisë shqiptarët e Kumanovës kishin hapur një klub me emrin “Bashkimi” me kryetar Jashar Erebarën,  impakti i lidhjeve me qarqet patriotike.  Falë këtij klubi, në korrik të vitit 1909 u hap “një shkollë nate në gjuhën amtare ku mësojmë më shumë se 80 djema. Mësues ishin Jashar Erabara si dhe Kryetar i klubit është edhe Anastas Arnaudovi ( Albanski). Në vazhdim të dokumentit marrin njohuri të sakta mbi prejardhjen e Anastas Albanskit ku thuhet.:”  mësues asht edhe Anastas Arnauti aranudov, cili ish nga Tërnica e Rekës e mësues në shkollën Bullgare në vend.”

Në faqen 2 të dokumentit shohin se si numri i nxënësve në shkollën e natës, ku mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe po rritej, dhe për një muaj  numri arrin në 90 nxënës. Ky kurs nate ndikoi me të madhe që  shqiptarëve të këtij vendi t’u kthehej shpresa,  t’u forcohej shpirti e t’u ndriçohej mendja. Sepse “Shqipja filloj me u fol gjithkund nëpër qytet dhe kjo është një punë e madhe…. Me të vërtetë popullësija qytetare  bullgare  simpatizonte këtë lëvizje shqiptare, por serbët jo, do shkojshin se si tek me e pengue tuj u diftue autoritete turke aktivitetin e Shqiptarëve”.

Kontrtribut të madh në përfshirjen e nxënësve i takon po aq edhe  mësuesit Anastas, i cili me fjalën e ëmbël  shqipe dinte se si t’i tërhiqte nxënësit në shkollë. Sipas J. Erebarës thuhet se ky kurs nate në gjirin e vet arriti të tubojë 130 nxënës shqiptarë.

Rritja e numrit të nxënësve në këtë kurs nate ishte meritë e mësuesit Anastas , sepse ai dinte si t’i  bindte shqiptarët për shkollim në gjuhën amtare, meqë jo pak njerëz kishin ngatërruar problemin e fesë me çështjen e kombësisë. Ai për ilustrim e merrte veten dhe thoshte “Ja unë jam i krishterë, por gjuhën e kamë si të tujën dhe ne jemi vëllezër të një gjaku”. Asnjëherë nuk hoqi dorë nga gjuha, edhe pse shpesh binte në kontakt me njerëz që i kishte kapluar fanatizmi fetar, por ai bisedonte qetë dhe sepse detyrë vetes i kishte dhënë se krahas shkronjave të gjuhës shqipe, si tek nxënësit ashtu edhe tek qytetarët kumanovarë, të ngjallë dashurinë ndaj gjuhës shqipe si dhe të ngjallë ndenjën e vëllazërimit e të bashkimit,  pa dalim feje e krahine. Mësimi i gjuhës amtare për Anastasin ishte, siç thonë rekalitë një ‘ledh’ që na ndanë si nga serbët, ashtu edhe nga grekët e turqit.

Anastasi ra në sy të agjentëve turq e serbë. Atë e ndiqnin këmba –këmbës, e sidomos punën e tij që bënte në shkollë për t’u mësuar nxënësve gjuhën shqipe. Nga ky qytet, gjegjësisht nga fshati Llojan ishte një renegat turk e më vonë  edhe serb, Arif Hiqmeti, të cilit çdo gjë i pengonte që ishte  në gjuhën shqipe  dhe punën e  mësuesit Anastas do ta ndjek si hije. Arif Hiqmeti para hyqymetit turk do të deklarojë se në Kumanovë ka “ ardhur një Gjahur e asht ba tebdil dhe miletit u mëson shkronja kaure”.

Shqiptarët e Maqedonisë që tani rrojnë në këtë republikë, si të gjithë shqiptarët kudo që jetonin të ndarë në vilajete apo banovina, si edhe shqiptarët e zonave të tjera, dhanë kontribut të madh për hapjen e shkollave, ruajtjen e gjuhës e të kulturës shqiptare, për ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe për të përballuar trysnitë shoviniste e asimiluese. 

Shkolla ishte gjuhë e gjuha shkollë. Andaj çmimi i sakrificës si kudo ishte tepër i madh. Me të drejtë mund të thuhet se nuk ka asnjë histori arsimore kombëtare në botë aq të përgjakur, siç është historia e arsimit dhe e shkollës shqipe. 

Filed Under: Histori

LETRA  E PROFESOR  YMER BERISHËS DERGUAR GJENERALIT  ANGLEZ  HADGSONIT MË 22 TETOR  1945

April 4, 2025 by s p

Ymer Berisha

Profesor Ymer Berisha- 1912-1946

Prof. dr. Lush Culaj

    Luftëtar për çlirimin kombëtar në Kosovë, veprimtar i lëvizjes demokratike. Lindi në fshatin Gjurgjevik i Madh, komuna e Klinës  më 1912. Pas kryengritjes së vitit 1919 në Kosovë, për shkak të represionit, iku bashkë me të atin në Shqipëri. Shkollën fillore e filloi në Krumë dhe e përfundoi në Fushë Krujë. Ndoqi Normalen e Elbasanit ku pati mësimdhënës figura  të çmuara të arsimit kombëtar si Aleksandër Xhuvanin, Ahmet Gashin etj. Pas diplomimit në vitin 1932, punoi për një periudhë të shkurtër si mësues në disa shkolla të Shqipërisë. Me bursën e dhënë nga shteti shqiptar vazhdoi studimët në Itali, ku përfundoi Akademinë Ushtarake dhe Fakultetin e Histori-Gjeografisë. Pas kthimit punoi si mësimdhënës në disa fshatra të rretheve të Shqipërisë. Ishte ndër intelektualët më të shquar kosovarë në Shqipëri dhe aktivist i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.

Në vitin 1941 pas okupimit të Jugosllavisë nga nazi-fashizmi prof. Berisha u kthye në Kosovë ku filloi punën si mësimdhënës në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë. 

Ymer Berisha ishte pjesë e Shtabit të Shaban Polluzhës në luftën e Drenicës në fillim-vitin e vitit 1945 dhe një ndër njerëzit më të respektuar të tij. 

Pas shuarjës të rezistencës të Shaban Polluzhës, Berisha mbeti njëri nga prijësit e dalluar të Rezistencës së Kosovës. Ai kaloi në malet e Llapushës dhe nga aty filloi përpjekjet për organizimin e  rezistencës. Konsiderohet njëri ndër ideologët dhe krijuesit e platformës politike për mbrojtjen e kufijve etnikë të trojeve shqiptare. Ishte luftëtar kundër fashizmit e komunizmit. Si truri dhe nervi dirigjues i levizjes ilegale siq e cil;sojn; edhe dokumentet e CIA-s amerikane. kishte dhenë kushtrimin për formimin e një fronti unik politiko-ushtarak të të gjitha rrymave. Ai  dhe organizata e tij Besa Kombetare ishin përcaktuar për luftë të armatosur  me program demokratik  properëndimor, duke promovuar kështu edhe nacional-demokracinë e Kosovës (e cila do të bëhet model edhe për lëvizjet e mëvonshme politike në Kosovë, si ato të viteve ’90). 

Kuvendi i Dobërdolit i gushtit 1945  e zgjodhi profesor Berishën udhëheqës politik. Në Kuvend prezantimi i problemeve që kërkonin zgjidhje nga prof. Berisha ishte shumë përbajtësor.

Prof. Berisha mbante lidhje  me forcat anglo-amerikane. Veçohen letrat e profesorit që i këmbente me misionin anglez, respektivisht me gjeneralin Hadson. Në një raport me 22 tetor 1945 prof. Berisha e informonte atë për situatën e rëndë politike në Kosovë. Peticioni në emër të shqiptarëve të Jugosllavisë së atëhershme për gjeneralin Hadson, kishte për qëllim që Britanisë së Madhe t’i ofrohej një pasqyrë reale mbi gjendjen e shqiptarëve. Lidhjet ndërmjet organizatës “Besa Kombëtare” dhe misionit anglez, mbaheshin me vështirësi të mëdha.

Në vitet 1945-1947, në radhët e LNDSH-së të udhëhequr nga Profesor Ymer Berisha, Halim Spahia, Gjon Serreqi, Selman Riza, Marije Shllaku etj, kishte në radhët e veta mbi 30.000 anëtarë aktivë në të gjitha territoret e Kosovës, Maqedonisë e Bujanocit me rrethinë. Kjo e dhënë flet qartë se çfarë rezervash kishin shqiptarët ndaj forcave komuniste.

Në Kongresin e Lipovicës (Blinajës) të 25 korrikut 1946  prof. Ymer Berisha u emërua Komandant i UPNDSH-së dhe Kryetar i tërë Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare. Në fakt detyra më e lartë komanduese e udheheqjes aë mbarë levizjes profesorit iu dha në mungesë, sepse ai tashmë ishte eliminuar fizikisht. Sipas të dhënave që i jep eprori komunist jugosllav Gojko Medenica, më 11korrik të vitit 1946 në malet e Hereçit të Gjakovës, Ymer Berisha u vra ku ishte se bashku me liderin e Lugut te Drinit Ndue Përlleshin. 

Ai vdiq si vdesin trimat dhe as sot nuk i dihet varri i saktë. Uroj që brezat e ardhshëm të mësojnë të vërtetën veprimtarinë e Komandantit të Maleve Dardane, Durim Vullnetit, alias Ymer Berisha, politikan, strateg, ushtarak, filozof, gjuhëtar, historian, gjeograf, arkeolog, e mbi të gjitha humanist.

     Lufta e NDSH-së është një kaptinë më vete e historisë shqiptare, ku forcat e rezistencës nacionaliste u thyen si rezultat i raportit të disfavorshëm të forcave si dhe të mospërkrahjes së mjaftueshme të faktorit ndërkombëtar. 

   Sipas propagandës komuniste, ata u trajtuan si element që mbështeteshin në reaksionin e jashtëm, e sidomos në atë anglez. Shqipëria në periudhën e parë të pasluftës ishte shndërruar në një satelit të Beogradit.

      Ymer Berisha dhe shumë intelektualë të tjerë në Kosovë bënin propagandë në Kosovë për lidhje bashkëpunimi me aleatët anglo-amerikanë.

Lëvizja e rezistencës shqiptare, qysh prej ditëve të para të formimit dhe të veprimtarisë, mbante lidhje të ngushta ndërmjet vete. Këto lidhje ndërmjet organizatës “Besa Kombëtare” dhe misionit anglez mbaheshin me përkushtim dhe sakrifica. Zakonisht ato udhëhiqeshin përmes lidhjeve, përmes ambasadave, që ndodheshin në Shkup e në Tiranë. Dëshmia më e mirë, e cila e shpjegon ketë gjendje të këtyre forcave është raporti i profesor Ymer Berishës dërguar gjeneralit anglez Hadgson më 22 tetor 1945. Njoftimi me kohë për gjendjen aktuale dhe për dhunën ishte i rëndësishëm. Jo pa qëllim Ymer Berisha i drejtohet Hadgsonit, në emër  të popullit të Dardanisë antike Iliriane për të dëshmuar lashtësinë dhe autoktoninë e këti populli. Duke përshkruar situatën e rëndë politike të shqiptarëve në Kosovë dhe Jugosllavi dhe vrasjët e  mijëra shqiptarëve theksohët se tash e 11 muaj janë duke luftuar  pandërprerë kundër partizanëve, duke vuajtur për mungesë të ushqimit dhe veshmbathjes. Ai konstaton se rreth 4.000 ushtarë të zgjedhur janë në male me armë në dorë dhe se i tërë populli i Kosovës,  është i gatshëm që në sinjalin e dhënë të çohet në këmbë që të luftojë kundër partizanëve.

Profesor Berisha në emër të shqiptarëve i lutët aleancës anglo-amerikane, që të ndërprerë dhunën partizane në Kosovë dhe se dëshira e  popullit është  për bashkim në një Shqipëri të lirë dhe demokratike.  Ushtria jonë është e organizuar në çeta. Me vete, me shpirt e me zemër e ka tërë popullin, mirëpo fatkeqësisht na mungojnë armatimi dhe pajisjet. Për këtë shkak presim nga ju ndihmë.

  Autori i kësaj përkujtese si dhe shqiptarët në ish-Jugosllavi, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore po përjetonin çaste nga më të vështirat. Në rrethana tejet të vështira, një pjesë e nacionalistëve nuk u lëkundën, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për shpëtim dhe liri. 

   Berisha me shokë nuk zgjodhën rrugën e servilizmit ndaj pushtetit të ri që do t’u siguronte pozita dhe privilegje. U përcaktuan për liri pavarësisht nga çmimi. Realisht Britania e Madhe nuk e shihte me sy të mirë regjimin e ri komunist shqiptar. Madje, raportet në mes dy vendeve ishin të tilla që i shkonin më për shtat gjendjes së luftës, sesa asaj të paqes.

Nga të dhënat e lartshënuara dhe burimet arkivore shihet se Hadgsoni kishte informata të shumta për gjendjen e shqiptarëve në viset shqiptare në Jugosllavi.

Ndonëse ishte i informuar për bashkëpunimin ndërmjet PKJ-së dhe PKSH-së, Ymer Berisha në promemorien e tij nuk flet dhe nuk e akuzon shtetin shqiptar. Në fakt Hadgsoni për gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi e fajësonte edhe PKSH-në dhe udhëheqjen e saj duke u deklaruar se “fakti që kanë rënë dakord ta humbasin këtë hapësirë me shumicë shqiptare konfirmon se sa të shitur janë tek Jugosllavia”. 

Formulimi i kësaj promemorieje ishte edhe një apel, në mënyrën më të civilizuar e humane, për situatën që përjetonte gjysma e kombit. Promemoria për Hadgsonin nga Berisha, në emër të shqiptarëve të Jugosllavisë së atëhershme,  kishte për qëllim që Britanisë së Madhe t’i ofronte një pasqyrë reale mbi vuajtjet e tyre. Duke e paraqitur qëllimin e Beogradit zyrtar, Mbretëria e Bashkuar do të informohej lidhur me veprimet që bënin pushtuesit e që ishin:

  • persekutime të të gjitha llojeve për ta bërë të detyrueshëm nënshtrimin dhe pranimin e okupatorit të vjetër me emër të ri;
  • akuza ndaj shqiptarëve se kishin bashkëpunuar me okupatorin dhe
  • dhunë e vrasje për ata që nuk pranonin të nënshtroheshin.

Ymer Berisha e informonte Hadgsonin se nacionalistët e Kosovës, ndonëse bukur mirë të armatosur, duke parë se partizanët në atë kohë kanë qenë të ndihmuar nga anglezët, nuk iu kundërvunë atyre, duke shpresuar se nuk do të guxonin nga aleatët të shkaktonin dhunë ndaj shqiptarëve. Arsyetimi tjetër i Berishës ishte se rezistenca kundër partizanëve, derisa forcat gjermane ishin në trojet shqiptare, dukej e dëmshme për ushtrinë aleate.

Në fakt partizanët, duke e marrë pushtetin, i çarmatosën shqiptarët me premtimet se do t’u jepej liria e plotë. Por, në vend se t’u japin lirinë, filluan t’i robërojnë. Shtrohet pyetja: nga kush e kishin frikën pushtuesit e rinj komunistë? Pikërisht nga paria, nga familjet e mëdha e të njohura për tradita atdhetare, nga bajraktarët dhe familjet që kishin reputacion. Ata ishin të vetëdijshëm që me nënshtrimin e atyre familjeve me tradita  dhe autoritet nënshtroheshin shumë më lehtë familjet e vogla.

Duke e informuar gjenaralin për luftën e Drenicës, Berisha përshkruante fenomenin e ballafaqimit babë e djalë; se si babai ndodhej në ushtrinë çlirimtare të Shaban Polluzhës, kurse djali, i mobilizuar me dhunë, ndodhej tek ushtria partizane për të luftuar ndërmjet tyre.

Tashmë, pas rezistencës së njohur, më 18 shkurt 1945, kishin rënë në frontin e luftës edhe katër komandantët e rezistencës kombëtare: Shaban Polluzha, Miftar Bajraktari, Mehmet Gradica dhe togeri Gani Agaj i Llaushës. Të gjithë ishin atdhetarë të shquar dhe nga familje të mëdha me tradita. Profesor, Berisha, te raporti për gjeneralin anglez, për herë të parë, jep një shifër për numrin e të vrarëve të shqiptarëve të mobilizuar në Masakrën e Tivarit, ku thekson se numri i të vrarëve saktësisht nuk mund të dihet. Dihet vetëm se në Mal të Zi janë vrarë brenda 24 orëve 1670 njerëz.

Ai thekson, jo pa qëllim, se shqiptarët presin nga Anglia, si sjellëse e lirisë në Evropë, dritë dhe shpëtim. Shpresën shqiptarët e kishin orientuar në tërësi në drejtësinë anglo-amerikane. Duke i njohur shumë mirë qëndrimet antikomuniste anglo-amerikane, Berisha konkludon se shqiptarët e Kosovës janë të gatshëm të luftojnë kundër partizanëve.

Promemoria ishte shkruar në emër të Organizatës “Besa Kombëtare” dhe ishte nënshkruar nga vetë autori profesor Ymer Berisha si Kryetar i Kuvendit të Organizatës dhe Kryetar i Kuvendit të Ushtrisë Kombëtare si dhe nga anëtarët e kryesisë që ishin prezentë. Gjatë pasqyrimit dhe vlerësimit mbi gjendjen e rëndë të bashkëkombësve të tyre tek Ymer Berisha nuk manifestohej kurrfarë dashaligësie kundër popullit jugosllav, por dilte qartë revolta kundër dhunës që ushtrohej ndaj shqiptarëve dhe dëshira për lirinë e tyre. Prej aty kuptohet se shqiptarët e kishin kuptuar prej kohësh se, vetëm përmes qëndrimeve dinjitoze politike e njerëzore, akteve të mençura diplomatike e trimërisë qytetare e kombëtare, çështja shqiptare do të mund të merrej në konsideratë nga Qeveria e Londrës, çfarë ishte pikësynimi jetik i Ymer Berishës.

Me ndjesinë e thellë që e karakterizonte profesor Ymer Berishën, ai i parashtroi vetes dy misione. Së pari të demantonte përrallat serbe për respektimin e të gjitha të drejtave për shqiptarët dhe së dyti t’u binte kambanave për veshin e aleatëve anglo-amerikanë. Siç vërehet, nëpërmjet të dhënave të detajuara, Berisha përpiqet të gjejë forma më të avancuara shpjeguese, si orientim për udhëheqjen e aleatëve anglo-amerikanë drejt thelbit të këtyre problemeve. Gjatë paraqitjes së këtyre të dhënave, nuk është e vështirë ta dallosh intuitën e tij për të nxjerrë në pah telashet e të sotmes dhe dilemat e së ardhmes.

Se kush ishte realisht Ymer Berisha e dëshmon raporti i më vonshëm i CIA-s amerikane i datës 7 janar 1953 ku theksonte se: “Profesor Ymer Berisha ishte shpirti, forca dhe truri i rezistencës nacionaliste në Kosovë”.

Filed Under: Histori

Taktika e luftimeve të kryengritjeve shqiptare

April 2, 2025 by s p

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/

Taktika si nga forma dhe përmbajtja ishte orgjinale e mbështetur kryesisht në tabanin kombëtar dhe në përvojën luftarake shekullore. Taktika e kryengritjeve arriti zhvillimin më të madh në krahasim me të gjtiha format e përdorura më parë në luftën e armatosur të popullit shqiptar kundër sundimit otoman. Në kompleksitetin e veprimtarisë luftarake në këto kryengritje u shfaqën forma të larmishme luftimi mësymës dhe mbrojtës. Luftimi mësymës u zhvillua në vitet 1910-1911 dhe thujase gjatë gjithë periudhës së kryengritjes së përgjithshme në vitin 1912. Tipari i përgjithshëm i mësymjes ishte se ato fillonin nga rajone fshatare e zona malore dhe drejtoheshin mbi forcat turke në qytete dhe zona të ulta. Si rregull, pas dhënies së sinjalit ose lajmërimit disa çeta dhe grupe niseshin për luftë. Në rrugë e sipër ato bashkoheshin, ndanin e përcaktonin detyrat, i afroheshin objektivit dhe pastaj në kordinim me njera-tjetrën hidheshin në sulm. Pas kësaj në ndihmë të tyre shkonin dhe vullnetarë të tjerë të rrethinës së qytetit ose çeta e grupe krahinash të afërta. Si rrjedhojë e shpejtësisë, befasisë, shtimit gradual të forcave dhe sulmeve të shpeshta ato në shumë raste i detyruan forcat turke të tërhiqen.

Në prill të vitit 1910 grupet luftarake të kryengritësve kosovarë, fillimisht të përbëra nga disa qindra luftëtarë u nisën nga rajonet rreth qyteteve të Prishtinës, Gjilanit, Mitrovicës dhe brenda pak ditësh me rreth 30.000 luftëtarë krijuan epërsi numerike ndaj forcave turke. Në saj të manovrës, shfrytëzimit të terrenit dhe epërsisë në raportin e forcave u çliruan disa nga qytetet dhe u rrethuan plotësisht forcat e mëdha turke brenda qyteteve të tjerë.

Në vitin 1911 mësymja dhe sulmet e kryengritësve të Malësisë së Madhe patën zhvillime tepër të shpejtë, ishin të befasishëm, lëvizja e forcave u bë natën dhe fillimisht në më pak forca se ato të armikut që ishte objekt i mësymjes së tyre. Sulmet filluan natën në 24 mars nga një çetë prej 10 luftëtarë që kishte shtatë pushkë kundër postës turke që kishte 30 ushtarë. Në këtë ditë u hodh në sulm dhe një çetë tjetër po kaq e vogël, ndërsa deri në mbrëmje, numëri i luftëtarëve të këtyre çetave arriti në rreth 100 luftëtarë. Në mëngjezin e 26 marsit ishin formuar shumë çeta me rreth 800 luftëtarë, të cilët sulmuan të gjitha postat kufitare dhe repartet turke. Në kuadrin e këtyre sulmeve pak malësorë sulmuan natën afërsisht 350 ushtarë turq në fortifikatat e Malit të Deçiçit dhe u shkaktuan dëme të rënda e i detyruan të tërhiqen prej andej. Mbi bazën e sukseseve të sulmeve të para dhe të epërsisë numerike që arritën kryengritësit e Malësisë së Madhe formuan dy grupe të mëdha më 1.000 luftëtarë secili dhe zhvilluan mësymje prej Hotit e Grudës në drejtim të Tuzit e Krajës dhe prej Kastratit të Sipërm e Shkrelit drejt Koplikut. Ndërkaq në drejtimin e Vermosh-Selcë u kalua në mbrojtje ndaj forcave të shumta turke, afërsisht një divizion, të ardhura prej Rrafshit të Dukagjinit. Pasi çliruan rajonet e mësipërme u planëzua mësymja në drejtim të qytetit të Shkodrës.

Në vitin 1912 kryengritja e përgjithshme në pikëpamje të vijimësisë, të përmasave dhe të përgatitjes e organizimit të luftimeve u shndërrua në mësymje të përgjithshme. Ndonëse u zhvillua jo si një proces i pandërprerë dhe jo me një front të vetëm, por me rajone pak a shumë larg njeri-tjetrit, ajo përfshiu gjithë Shqipërinë, prej Kosovës deri në Çamëri. Qëllimi i saj ishte të dëmtonte rëndë dhe të thyente përfundimisht forcat turke. Në Kosovë mësymja filloi në maj me dy grupe prej 5.000 luftëtarë, rreth qyteteve të Gjakovës dhe të Pejës, kurse në korrik ajo u zhvillua nga tre grupime të mëdha. Grupimi nën drejtimin e Bajram Currit që mësynte në drejtimin Tropojë-Gjakovë-Drenicë-Prishtinë; grupimi nën drejtimin e Isa Buletinit në drejtimin Novipazar-Mitrovicë-Prishtinë, si dhe grupimi nën drejtimin e Idriz Seferit i cili pasi mbuloi e siguroi me në pjesë forcash mbrojtjen e Grykave të Kaçanikut e Caralevës, Bujanovës etj., me pjesën tjetër të forcave vijoi mësymjen drejt Prishtinës dhe Shkupit. Gjatë mësymjes u arrit bashkëveprim i mirë.

Për çlirimin e qyteteve kryesore të Kosovës (Prishtinë, Prizren, Mitrovic, Shkup etj) mësymja u zhvillua bashkëqendrore me manovra të shumta. Kjo ndikoi dhe në Shqipërinë e Mesme sidomos në luftën kundër forcave turke në rajonet e Lezhës, Krujës, Durrësit e Elbasanit, në Shqipërinë e Jugut, sidomos në rajonin e Korçës, të Vlorës e Fierit. Kryengritësit zhvilluan pa ndonjë mbështetje të rëndësishme me artileri lëvizjet për afrim dhe manovrat bëheshin në kolona e natën. Formacioni i luftimit në mësymje përbëhej nga çetat dhe grupet të vendosura në një vijë dhe kur forcat ishin të shumta, u krijuan dhe rezerva taktike.

Zhvillimi i luftimeve mbrojtëse

Luftimet mbrojtëse patën karakter të qëndrueshëm dhe aktivitet të madh. Mbrojtja në këto kryengritje synoi të ndalonte përparimin e armikut, ta dëmtonte rëndë atë, madje dhe ta azgjësonte. Në përshtatje me qëllim, ajo u organizua me forca të mëdha, u shfrytëzua me mjeshtëri terreni, u përdor mashtrimi i armikut, futja e tij në kurth etj. Kështu në vitin 1910 për të penguar futjen e grupimit kryesor turk nën komandën e gjeneralit turk Shefqet Turgut Pashës, u angazhuan në mbrojtje afërsisht 10.000 kryengritës, prej tyre 5.000-6.000 të grupimit të drejtuar nga Idriz Seferi, 2.000 kryengrites nga Isa Buletini dhe 2.000 të tjerë nga Hasan Budakovës. Duke filluar nga 24 prilli grupet e mësipërme zunë përkatësisht grykën e Kaçanikut, Caralevës dhe të Jezercës. Ideja e luftimit mbrojtës të tyre ishte që të dëmtonin rëndë dhe të detyronin të tërhiqej grupimi turk i Shefqet Turgut Pashës prej 16.000 vetë që u vendos në Ferizaj, ose dhe ta azgjësonin. Për azgjësimin e tij kryengritësit planëzuan dhe ardhjen e mëse 10.000 luftëtarë të tjerë nga Dibra, Luma dhe Rrafshi i Dukagjinit. 6.000 dibranë dhe lumjanë të mashtruar nga një tradhëtar u kthyen pa arritur në rajonin e mësipërm, ndërsa nga Rrafshi i Dukagjinit u grumbulluan forca, por dhe ato nuk shkuan në kohë, kështu kryengritësit që ishin organizuar për luftim rreth Ferizaj, zhvilluan fillimisht luftime mbrojtëse aktive dhe më pas luftime mbrojtëse manovrues. Në tërësi organizimi i mbrojtjes dhe manovrat e kryengritësve iu përmbajtën idesë për të futur armikun në kurth. Grupimi më i madh i kryengritësve, ai i Moravës që drejtohej nga Idriz Seferi i filloi luftimet i pari.

Një mashtrim i goditur me anë të zjarreve të shumtë që ndizeshin natën në malet në veri të Ferizajt, bëri që komanda turke të besojë se forcat shqiptare ishin në atë krah, ndërkohë që ato u hodhën në mësymje e kapën grykën e Kaçanikut, ku organizuan mbrojtjen. Ky grupim përballoi mësymjen e dyanshme të forcave turke: 16.000 prej Ferizaj dhe rreth 3.000 prej Shkupit dhe zhvilloi shumë luftime të përgjakshme në formë prita, sulme e goditje të pandërprera ditën dhe natën. Më pas u përhap në Malësinë e Moravës e Kaçanikut me grupe të vogla prej 150-200 luftëtarë dhe zhvilloi shumë luftime mbrojtëse e manovruese. Luftime mbrojtëse aktive zhvilluan dhe dy grupimet e tjerë, i Isa Buletinit dhe Hasan Budakovës kundër mëse 20.000 trupave turke. Pas thyerjes së forcave kryesore qëndresa e kryengritësve vazhdoi e shkëputur me grupe të vogla, por e ashpër në dy drejtimet e mësymjes së forcave turke, atij të Rrafshit të Dukagjinit-Malësia e Tropojës-Nikaj Mërtur dhe atij Prizëren-Lumë-Dibër. Luftime të ashpra u zhvilluan në Qafën e Morinës, në Qafën e Kolçit, në Reç e Dradh, në Qafën e Agrit, ku 250-300 malësorë të Nikaj-Mërturit, Shalës e Shoshit mbajtën për mëse dy javë të gozhduar një njësi turke prej 3.000 ushtarë deri sa i detyruan ata të kthehen prapa e të tërhiqen për në Gjakovë. Në tërësi në vitin 1910, kryengritësit e organizuan mbrojtjen në vija përballë frontit të mësymjes së forcave turke. Duke u tërhequr ata zinin vija më prapa duke i dhënë asaj thellësi.

Në vitin 1911 luftimet mbrojtëse të Malësisë së Madhe patën karakter të qëndrueshëm dhe veprues. Si rregull kryengritësit mbronin të gjitha drejtimet e kalueshme që çonin thellë në malësi duke i dhënë mbrojtjes formë rrethore. Vija e parë e mbrojtjes së tyre kalonte prej Tuzit, në Helm, gjatë bregut lindor të liqenit të Shkodrës, gjatë përroit të Thatë-Koplik dhe përpara Vermoshit. Në pamundësi që të zinin të gjithë këtë vijë, kryengritësit u mbështetën në përqëndrimin me grupe secili prej disa qindra luftëtarë në pika të caktuara si Deçiç, Dinosh-Millesh, Brizha, Bajzë, Vukëpalaj, Koplik, Selcë etj. Me dukjen e armikut në një drejtim, një ose disa grupe së bashku zinin një vijë mbrojtjeje të caktuar ose hidheshin menjëherë në kundërsulm dhe i vinin përpara forcat armike. Luftimet më të përgjakshme u bënë sidomos për malin e Deçiçit, ku zakonisht 200 luftëtarë dhe vetëm në raste të rralla arritën në 500-600, përballonin dhe thyenin sulmet e njëpasnjëshme të disa batalioneve turke. Gjatë luftimeve në vijën e parë të mbrojtjes, kryengritësit thyen disa herë dhe përpjekjet për zbarkim të reparteve të veçuara turke të ardhura nëpërmjet liqenit.

Kundërsulmet e goditjet e befasishme ditën e veçanërisht natën, kryengritësit dhanë pasi forcat turke u futën në rajonin e Hotit të Sipërm, thellë në Kastrat Shkrel e Selcë. Gjatë organizimit të luftimeve mbrojtëse, kryengritësit shfrytëzuan mirë terrenin si në pikëpamje të ruajtjes së forcave të veta, por edhe për të dëmtuar sa më rëndë e për të thyer armikun. Në Kaçanik-Caralevë dhe Jezercë, pozicionet e mbrojtjes së kryengritësve ishin në lartësi zotëruese ndaj rajoneve të mësymjes së forcave turke. Pozicionet e tyre ishin në pyje të fshehta e të maskuara. Kështu në Qafën e Morinës, Qafën e Kaloshit e të Kolosianit, kryengritësit ishin në pika më dominuese se armiku. Në Qafën e Agrit, në Selcë, Kastrat të Sipërm ata zunë shtigjet e vetme në kreshtat malore e shkëmbore ku ishin të detyruara të kalonin forcat turke.

Në saj të shfrytëzimit me mjeshtëri të vetive të terrenit malor të thyer, të maskuar, të pyllëzuar etj., kryengritësit e vunë armikun thuajse gjithnjë përpara të papriturave. Oficerë turq, pjesëmarrës në shtypjen e kryengritjes të vitit 1910 pohonin: “… ajo që ngjau atje ishte e tmerrshme. Trupat luftojnë kundër një armiku të padukshëm, të pakapshëm, ata shtinin nga prapa pemëve, prapa shkëmbinjëve, ushtarët tanë binin të vrarë. Ushtria jonë qëllon në tym. Kryengritësit nuk i shohim, numërin e tyre nuk e dimë… kishim të bënim me një armik që duket në një pikë, sulmon, pastaj zhduket për të dalë në një pikë tjetër…”. Në saj të qëndrueshmërisë dhe aktivitetit të madh që arriti luftimi mbrojtës në vitet 1910 e 1911, kryengritësit mjaft nga luftimet i përfunduan me ndeshje trup me trup. Kështu gjatë betejës së Kaçanikut më 1910 u zhvilluan luftime trup me trup në disa pika e secili prej tyre vazhdoi për disa orë rresht.

Formacioni i luftimit të kryengritësve për mbrojtje i përmbahej idesë për ta bërë mbrojtjen sa më të qëndrueshme dhe sa më dëmtuese për armikun. Forcat përgjithësisht vendoseshin në një vijë e mbanin rezervë. Në krahë dhe më përpara tyre vepronin çeta në formën e nënreparteve të sigurimit. Gjatë zhvillimit të luftimit, formacioni bëhej shumë elastik dhe pranonte ndryshime. Njësitë e dedashmentet e ndryshme manovronin sa në një krah në tjetrin nga thellësia në front e anasjelltas, zëvendësonin njeri tjetrin etj. Pasi thyheshin në një vijë kryengritësit në tërësi përhapeshin ose shpërndaheshin, tërhiqeshin me urdhër e të organizuar me grupe, duke e bërë kështu të pamundur ndjekjen nga ana e armikut. Në një dokument thuhet: “duke parë këmbënguljen me të cilën mbronin pozicionet kryengritësit, trupat turke u detyruan të përdornin artilerinë. Atëherë mbi kryengritësit ra një shi i vërtetë predhash. Këta, dhe kjo është një hollësi e çuditshme, nuk iknin në mënyrë të çrregullt, por u tërhoqën progresivisht, duke u mbrojtur me të shtëna pushkësh”. Gjatë kryengritjeve pati përpjekje dhe për koordinimin e veprimeve mësymëse të malësorëve me forcat popullore të qyteteve që mbaheshin nga forcat turke. Lufta e armatosur e popullit tonë gjatë kryengritjeve të mëdha 1910-1912, për nga fuqia dhe mjeshtëria shënoi shkallën më të lartë në krahasim me etapa e mëparshme. Këto përmbajnë vlera të artit ushtarak orgjinal shqiptar, dukuri dhe karakteristika që herë pas here ja vlen që t’u shkohet në thellësi të elementeve cilësorë të tyre.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT