• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rrugëtimi Kombëtar-vazhdon

November 29, 2014 by dgreca

Vatra në Amerikë me përpjekjet e saj dhe zjarrin e pa shuar kombëtar, nga atje ngrohte zemrat e të gjithë shqiptarëve, duke lobuar deri tek Presidenca Amerikane,kohë kur Fan Noli i frymëzuar nga takimi dhe premtimet e Presidentit Winston, për mbrojtjen e Shqipërisë, do të shkruante vargjet famoze të mbetura testament në histori, të cilat edhe sot e kësaj dite me shumë dëshirë këndohen nga shqiptarët:
“Mbahu Nëno mos ke frikë
Se ke djemtë në Amerikë”./
Nga Gani QARRI/
Që nga marrja e qeverisjes nga xhonturqit, populli ynë do të kalonte tri vitet më të vështira në historinë përfundimtare të pushtimit otoman.
Shqiptarët, të dërmuar nga reprezaljet e pareshtura perandorake, më 1909,1910 dhe 1911, nga përkrahës të pa-rezervë, para ardhjes së tyre në pushtet, do të ktheheshin në kundërshtar të vendosur pas ardhjes së xhonturqve në qeveri.
Madje, përpjekjet e pa suksesshme të elitës së atëhershme kombëtare, para refuzimit kategorik xhonturk për njësimin e katër vilajeteve, krijimin e një etniteti kombëtar dhe pranimin e tij si shtet autonom në kuadër të Perandorisë, siç ishte vepruar edhe me shtetet tjera ballkanike, para arritjes së pavarësisë së tyre, detyruan deputetët shqiptar që gjendjen e tensionuar nga arenat e luftës në atdhe, ta bartnin në Parlamentin perandorak otoman.
Atje dhe në atë kohë, siç dëshmohet edhe nga dokumentet historike, në seancën e tretë plenare të Parlamentit turk, mbajtur më 11 janar të vitit 1912, në emër të grupit të 25 deputetëve bashkëkombës dhe popullit shqiptar në përgjithësi, fjalën do ta merrte Hasan Prishtina, i cili me guxim dhe vendosmëri të pashoqe, do të deklaronte;
……nëse edhe kësaj radhe nuk merrni parasysh kërkesat tona të arsyeshme, përsëritur disa herë këtu para jush, si përdorimin e lirë të gjuhës, njohjen e kombit dhe pranimin e shtetit autonom shqiptar në trojet e tij etnike, unë do të jem i pari, ai që me flamurin e lirisë në dorë, do ti prijë popullit tim, për çlirim nga Perandoria.
Sipas një shkrimi të Dr. Kristo Frashërit te “Ora e Shqypnisë” me titull “Hasan Prishtina: 11 janar 1912, fjalimi në Parlamentin turk”, i impresionuar nga fjalët e guximshme të tij, Ismail Qemali, menjëherë pas përfundimit të seancës plenare, do të shkonte në shtëpinë e Hasan Prishtinës, ku që të dy, thellësisht të brengosur, do të bisedonin kokë më kokë dhe gjerë e gjatë për gjendjen e rëndë në trojet shqiptare. (oraeshqypnise.blogspot.com /…/ hasan-prishtina-11-jan…)
Shpërndarja e Parlamentit osman, më 11 janar të vitit 1912, ,do ti qonte Hasan Prishtinën dhe Ismail Qemalin- që më 12 janar të atij viti të takoheshin edhe një herë, në hotelin “Pera Palace” të Stambollit, ku do të merreshin vesh për mbajtjen e një tubimi të fshehtë me pesë-gjashtë deputet të besueshëm shqiptar.
Takimi do të mbahej mbrëmjen e po asaj date(12 janar 1912) në shtëpinë e Syrja Vlorës në lagjen Taksim n ë Stamboll dhe sipas vendit ku ai u mbajt, në histori do të njihej si “Kuvendi i Taksimit”.
Aty, u mor vendim që të organizohej një kryengritje e përgjithshme kombëtare, për çlirimin përfundimtar të trojeve shqiptare nga Perandoria osmane.
Ndaj, nga kryeqyteti perandorak, Hasan Prishtina do të kthehej me urgjencë në Atdhe, për organizmin e Kryengritjes, kurse Ismail Qemali do të ndërmerrte një udhëtim të gjatë nëpër kancelaritë Evropiane për marrjen e pëlqimit dhe përfitimin e mbështetjes për Shtetin e ri Shqiptar, pavarësia e të cilit parashihej të shpallej po atë vit.
Ishte koha kur Bajram Curri vepronte në Shkup, prej nga mbante lidhje të ngushta me të gjitha qendrat e vendit, i cili- me tu njoftuar për vendimin e marrë në “Kuvendin e Taksimit”, Shkupin do ta kthente në epiqendër të veprimit kombëtar.
Atje, ai me bashkëpunëtorët do të formonin “Komitetin për Shpëtim” i cili kishte për detyrë organizimin e kryengritjes së përgjithshme në të gjitha trojet shqiptare.
Me nismën e Hasan Prishtinës nga 21 deri më 25 maj të vitit 1912, do të mbahej Kuvendi i Junikut, ku do të vendosej për shpalljen e Kryengritjes së Përgjithshme Kombëtare.
Në bazë të këtij vendimi, forcat kryengritëse, nga maji deri në fillim-gushtin e vitit 1912 do të çlironin shumicën e vendbanimeve më të mëdha dhe qytetet kryesore shqiptare.
Kurse më 9 gusht të vitit 1912,kryengritësit do ti paraqisnin Memorandumin e fundit qeverisë xhonturke, me një ultimatum prej 48 orësh, për plotësimin e kërkesave të shqiptarëve, para se ata ta çlironin edhe Shkupin.
Plani për çlirimin e tij, me vendimin e Hasan Prishtinës,do ti besohej Bajram Currit, i cili tanimë me 6000 luftëtarë, ishte vendosur në Ferizaj, dhe priste sinjalin nga Hasan Prishtina për çlirimin përfundimtar të kryeqytetit të atëhershëm të Kosovës.
Kurse për “Bajraktar” dhe arkitekt të ngritjes së Flamurit mbi Shkupin e lirë, Bajram Curri zgjodhi Bajram Daklanin, si udhëheqësi kryesor i luftës nga Krasniqja e Reka, i cili siç e thoshte edhe kënga; “ai jo vetëm se e kishte adet, nga një Qaush me vra për vjet”, por ishte edhe njëri nga prijësit më të besueshëm, në radhët e udhëheqësve që kishin mësy Kryeqytetin Dardan.
Ndaj, Bajram Curri personalisht, do ta pajiste atë me një Flamur të madh Shqiptar dhe vinte në krye të 200 luftëtarëve, me detyrën që të hynte i pari nga të parët në Kryeqytet dhe vendoste Flamurin Kombëtar të fitores mbi Shkup.
Më 12 gusht të vitit 1912,kështu edhe do të ndodhte kur Bajram Daklani në krye të 200 bashkëluftëtarëve pararojë, ga Ferizaj do të futej triumfalisht në kryeqytet dhe sipas gazetës “Shkupi” të datës19 gusht të vitit 1912, pas 500 vjetësh sundimi turk, ai i pari do ta ngrinte lartë dhe me krenari, Flamurin Kombëtar të fitores.
Në ish kryeqytetin e çliruar të Kosovës,do të mblidheshin prijësit kryesor të kryengritjes me mëse 30 mijë luftëtar, me ç ‘rast Udhëheqja Shqiptare e luftës, si në Shkup ashtu edhe në qytetet e tjera të çliruara do t`i shkarkonte të gjithë qeveritarët dhe administratorët turq, si dhe përkrahësit e mbetur fanatik të Perandorisë së shuar osmane, pushtueses së kamotshme të shqiptarëve.
Pas çlirimit të Shkupit si kryeqytet i vilajetit të Kosovës, do të trazohej e gjithë qeveria xhonturke, madje kjo ngjarje historike për kombin dhe popullin shqiptar , do ta rrëzonte edhe vet kryeministrin e atëhershëm të Perandorisë osmane, Seid Pasha-in, nga pushteti perandorak.
Por, sukseseve të luftës së kryengritësve shqiptar, siç nuk do tu gëzohej Turqia nuk do tu gëzohej as Rusia dhe vendet hegjemoniste përreth trojeve tona, me ç ‘rast, sipas Dr.Hakif Bajramit, vetëm tri dit pas ngritjes së Flamurit Kombëtar në Shkup, më 15 gusht të vitit 1912,nga Beogradi në Shkup do të arrinin tre diplomat të lartë evropian, një rus, një anglez dhe një austriak me një ultimatum në dorë.
Ata kërkonin ndalimin e luftimeve, çarmatosjen dhe demobilizimin e të gjithë kryengritësve, me arsyetimin se nuk do të pranohej ndryshimi i kufijve të Perandorisë me forcën e armëve.
Hasan Prishtina me gjeneralët e tij, Bajram Currin, Isa Buletinin, Idriz Seferin, Bajram Daklanin etj., do të ngulnin këmbë në të drejtën e çlirimit të vendit dhe formimin e shtetit kombëtar, ndaj sipas historianit Dr. Hakif Bajrami, në Shkup dhe rrethinë për 4 ditë me radhë, do të thirrej gjendja e jashtëzakonshme.
Ndaj,më 18 gusht të vitit 1912 do të arrinte përgjigja e qeverisë perandorake, sipas së cilës, do të pranoheshin,12 nga 14 pikat e parashtruara në emër të popullit shqiptar, nga Hasan Prishtina.
Dy pikat e refuzuara, ishin kërkesat kryesore që kishin të bënin me njohjen e kombit dhe pranimin e shtetit, me të cilat as në momentet e fundit, kur Perandoria otomane po jepte shpirt, turqit nuk donin ta njihnin popullin tonë dhe pranimin e shtetit autonom shqiptar, qoftë edhe në kuadër të Perandorisë së tyre, tashmë në grahmat e fundit të vdekjes.
Mospranimi i atyre dy pikave vinte në pikëpyetje edhe ekzistencën e shqiptarëve në Ballkan.
Megjithatë “Mikja jonë e madhe-Turqia”, “dashurinë” e saj të pashuar për popullin tonë e ka ruajtur pothuajse të njëjtë, qysh nga shekujt e gjatë nën pushtimin e saj. Ajo, nga atëherë, as tani nuk ua njeh gjuhën as pranon kombësinë miliona shqiptarëve, të cilët ende, edhe sot e kësaj dite, ndoshta si i vetmi popull në Turqi dhe rajon, jetojnë pa të drejta kombëtare dhe pa asnjë shkollë të vetme në gjuhën e tyre.
Madje në vend se Perandoria turke të paktën në muajt e fundit të vitit 1912,i cili ishte thuaja-se edhe fundi i ekzistencës së saj si perandori, ta njihte dhe pranonte Shtetin tonë të Pavarur, vazhdonte edhe më tej, me kokëfortësi të deklaronte se si tokat shqiptare i takonin Perandorisë së saj.
Kështu, pretendimi turk, u kthye edhe në një fatkeqësi të madhe për shqiptarët dhe pretekst i mirëseardhur për Serbinë, Malin e Zi, Greqinë dhe Bullgarinë, të cilat, në emër të “çlirimit” të popujve ortodoksë nga shteti “osman” të ndihmuara edhe nga Rusia ,në tetor të vitit 1912, do ti shpallnin luftë Turqisë, për të pushtuar me forcën e armëve, tokat shqiptare.
Atëbotë, Fuqitë e Mëdha si Rusia dhe Franca nuk pranonin krijimin e shtetit shqiptar, sado i vogël dhe i kufizuar qoftë ai, kurse Anglia dhe Italia, nuk pajtoheshin me formimin e një shteti të pavarur në hapësirat e kufijve të Shqipërisë etnike në Ballkan.
Ndaj, megjithëse më 28 Nëntor të vitit 1912, Shqipëria do të shpallte Pavarësinë kombëtare dhe kërkonte njohjen e shtetit të sapo-shpallur shqiptar si dhe tërheqjen e ushtrive pushtuese të shteteve fqinje, të cilat pothuajse kishin zaptuar të gjitha trojet tona kombëtare nga të katër anët, Fuqitë e Mëdha, për rreth një vit, gati sa heshtën fare.
Kurse pas një viti, po ato Fuqi, do ti shpërblenin -jo shqiptarët, por agresorët me më tepër se gjysmën e trojeve tona të pushtuara që më parë, duke pranuar vetëm rreth gjysmën e mbetur të tyre, si gjysmë-shteti shqiptar, sipas vizatimit famoz, nga ambasadorët e Fuqive vendimmarrëse më datën 29 korrik të vitit 1913, në Konferencën e Londrës.
Pra edhe Shpallja e Pavarësisë pa ndihmën e miqve të mëdhenj e besnik nga jashtë, siç u dëshmua disa herë gjatë historisë, do mbetej vetëm histori.
Presidentit Widrow Winston në konferencën e Versajës më 1919, garantoi vazhdimësinë e shtetit shqiptar, kohë kur ende tentohej copëtimi edhe i asaj pjese të mbetur brenda kufijve të Shqipërisë londineze.
Vatra në Amerikë me përpjekjet e saj dhe zjarrin e pa shuar kombëtar, nga atje ngrohte zemrat e të gjithë shqiptarëve, duke lobuar deri tek Presidenca Amerikane,kohë kur Fan Noli i frymëzuar nga takimi dhe premtimet e Presidentit Winston, për mbrojtjen e Shqipërisë, do të shkruante vargjet famoze të mbetura testament në histori, të cilat edhe sot e kësaj dite me shumë dëshirë këndohen nga shqiptarët:
“Mbahu Nëno mos ke frikë
Se ke djemtë në Amerikë”.
Në qershor të vitit 1919, në prag të mbajtjes së Konferencës së Versajës, në emër të shqiptarëve edhe Hasan Prishtina do ti dërgonte një letër Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Woodrow Winston,për mbrojtjen e Shtetit Shqiptar, i cili rrezikohej më shumë se kurrë,me copëtime të mëtejme, nga Greqia dhe Italia e cila tanimë kishte pushtuar Vlorën.
I entuziazmuar nga përpjekjet e pareshtura kombëtare, patrioti Sotir Kolea,në gazetën dyjavore shqiptare,”L`Albanie”, e cila atëbotë dilte në gjuhën frënge në Lozanë të Zvicrës, do të shkruante; populli ynë nuk do të gjente përfaqësues më besnik se sa grupi i atdhetarëve të udhëhequr nga Hasan Bej Prishtina”.
Të gjitha këto fakte dhe shumë të tjera na bindin se,- festa jonë-28 Nëntori, përveç si festë gjithëkombëtare, është edhe një ditë nderimi dhe mirënjohjeje të veçantë ndaj mikes tonë të madhe- SHBA-s, me falënderimet më të mira për Presidentin Wodrow Winston, i cili mbrojti Shqipërinë më 1919 në Konferencën e Versajës, ashtu edhe për Presidentët Bill Klinton e Gjorgj Bush- i “ri”, si dhe Shtetin mik të Amerikës në përgjithësi.
SHBA edhe më 1999, ndihmoi Dardaninë dhe shpëtoi popullin shqiptar nga tërbimi serb,e cila në krye të NATO-s, me sulmet 78 ditëshe-ajrore nga 24 marsi i atij viti, gjunjëzoi Serbinë dhe detyroj tërheqjen e saj si okupatore nga Kosova.
Njëjtë siç do ta arrinte Kosova edhe mëvetësinë, vetëm pas deklarimit të Presidentit Amerikan George W. Bush, me rastin e vizitës së tij më 10 qershor të vitit 2007,në Shqipëri, i cili njoftoi opinionin ndërkombëtar dhe garantoi të gjithë shqiptarët, se ajo së shpejti do të bëhej e pavarur.
Ndaj, 28 Nëntori, ashtu siç është një festë gëzimi për ne, është edhe një ditë falënderimi me pietet për miken më të madhe të popullit tonë-SHBA-t, si dhe një datë kujtimi për të gjithë ata të cilët që nga viti 1878 e këtej, luftuan për lirinë dhe dinjitetin e të gjithë shqiptarëve.
Rruga e nisur atëherë ,duhet vazhduar deri në fund, deri në realizimin e idealit të rilindësve tanë, për bashkimin e të gjithë trojeve, ashtu siç ëndërronin dikur ata dhe dëshirojnë sot e gjithmonë bashkëkombësit tanë kudo, shumë prej të cilëve dhanë jetën dhe sakrifikuan çdo gjë nga vetja- që një ditë-edhe shqiptarët të jetojnë të lirë e të unisuar në një shtet të përbashkët kombëtar.

GËZUAR!

Gani Bajram Qarri Në Cyrih 28 Nëntor 2014

Filed Under: Histori Tagged With: Gani Qarri, Rrugëtimi Kombëtar-vazhdon

Sërbizimi i vazhdueshëm i trojeve shqiptare

November 29, 2014 by dgreca

Shtimin e lartë natyror të popullsisë shqiptare në Ish-Jugosllavi, studiuesit dhe politikanët serbë në vazhdimësi e kanë shikuar nën prizmin e veçorive biologjike, socio-kulturore, psikologjike dhe religjioze të etnisë shqiptare. Me qëndrimet e tyre shoviniste, akademikët dhe politikanët serbë gjithmonë kanë synuar të manipulojnë zhvillimet demografike të shqiptarëve. Në një masë të madhe, për fat të keq, ia kanë arritur këtij qëllimi./
Shkruan: Ismet Azizi/
Lugina e Preshevës veçohet me homogjenitet të lartë etnik, kompaktësi territoriale, vazhdimësi etnike-demografike dhe me trungun etnik shqiptar. Argumentet janë të shumta siç janë ato arkeologjike, linguistike, toponomastike etj. Ky element është më i shprehur në komunën e Preshevës dhe Bujanocit, kurse në komunën e Medvegjës prania e shqiptarëve është zvogëluar, në raport më serbët, kryesisht si rrjedhojë e emigracionit të shqiptarëve dhe vendosjes së kolonëve serb e malazez. Në të tri komunat, deri vonë, janë shënuar tregues të lartë të natalitetit, mortalitetit dhe shtimit natyror, me tendenca të rënies graduale. Serbia, për ndryshimin e përbërjes etnike-demografike në Kosovë dhe viset e tjera etnike shqiptare, përpiloi projekte dhe programe kolonizuese, asimiluese dhe shfarosëse, të cilat çuan në luftërat e armatosura të fundshekullit XX. Luftërat sollën çlirimin përfundimtar të Kosovës nga Serbia, ndërsa konfliktet e armatosura në Maqedoni dhe Luginë të Preshevës ia bënë të njohur faktorit ndërkombëtar gjendjen e rëndë të popullsisë shqiptare.
Gjeografi serb Jovan Cvijiq, në punimet e tij përpiqet të mohojë autoktoninë e popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës duke i paraqitur shqiptarët si të ardhur nga krahinat e Shqipërisë Veriore. Ai i vlerëson shqiptarët si njerëz të vrazhdë, jo tolerantë, gjysmë barbarë dhe plaçkitës e uzurpues të pronave të huaja. Më tej, në mënyrë të hapur, Cvijiq pretendon aplikimin e metodave maltusianiste për të penguar rritjen demografike të popullsisë shqiptare. Shkrimet e Cvijiqit, Garashaninit, Çubrilloviqit etj. mbi shqiptarët në Ballkan, rrjedhimisht edhe në Luginën e Preshevës, shprehin idetë dhe aspiratat hegjemoniste të Serbisë për pushtimin e tokave shqiptare, me qëllim zgjerimin territorial deri në daljet në dete. Këto ide përcillen edhe nga pseudoshkencëtarë të mëvonshëm serb.
Serbia, për ndryshimin e përbërjes etnike-demografike në Kosovë dhe viset e tjera etnike shqiptare, përpiloi projekte dhe programe kolonizuese, asimiluese dhe shfarosëse, të cilat çuan në luftërat e armatosura të fundshekullit XX. Luftërat sollën çlirimin përfundimtar të Kosovës nga Serbia, ndërsa konfliktet e armatosura në Maqedoni dhe Luginë i bënë të njohur faktorit ndërkombëtar gjendjen e rëndë të popullsisë shqiptare.
Deri në regjistrimin e vitit 1921 Lugina banohej kryesisht nga shqiptarët, me gjithë se vërehet një zvogëlim i tyre krahasuar me statistikat e mëhershme të Perandorisë Osmane të realizuara në vitet 1519, 1528 dhe 1570. Edhe në këtë regjistrim popullsia evidentohet sipas përkatësisë fetare dhe gjuhësore. Të dhënat tregojnë se në Preshevë dhe Bujanoc mbizotëron popullsia e besimit mysliman. Turq kishte pak përveç disa familje agallarësh, bejlerësh dhe nëpunësish. Pjesa dërrmuese e popullsisë myslimane ishin shqiptarë. Megjithatë, të dhënat për popullsinë myslimane (17.686 banorë) dhe ortodokse (19.788 banorëve) nuk shprehin të vërtetën mbi strukturës kombëtare të popullsisë.
Metodologjia e deklarimit të popullsisë sipas përkatësisë fetare dhe gjuhësore, por jo sipas përkatësisë kombëtare, në kushtet e analfabetizmit shumë të lartë në mesin e popullsisë shqiptare, lejonte mundësi manipulimi gjatë përpunimit dhe publikimit të rezultateve.
Një arsye tjetër është moszbatimi i regjistrimit në gjithë territorin e Luginës, sidomos në fshatrat kodrinore-malore të Karadakut. Gjatë regjistrimit të vitit 1921, rrethi i Preshevës nuk përfshinte disa fshatra të Karadakut, të cilët ishin të lidhura me rrethin e Gjilanit dhe Kumanovës.
Periudha nga viti 1921, deri në Luftën e Dytë Botërore është me pasoja të rënda demografike, si shpërngulja shqiptarëve, kryesisht në Turqi. Të shpronësuar me pretekstin e zbatimit të reformës agrare dhe nën trysninë e asimilimit fetar, kulturor dhe etnik, shumë shqiptarë u detyruan t’i lëshojnë vatrat e tyre, ku u vendosen kolon serbë. Në këtë mënyrë, shteti jugosllav arriti të ndryshojë pjesërisht përbërjen etnike-demografike të kësaj treve. Reforma agrare ndonëse paraqitej si një aksion për përmirësimin e marrëdhënieve pronësore-juridike dhe social-ekonomike, si dhe të pozitës së popullsisë fshatare, në thelb kishte dhe synonte keqësimin e gjendjes së popullsisë shqiptare, përmes shpronësimit, për t’i detyruar të shpërngulen, ndërsa në tokat e tyre të silleshin kolon serbë me familjet e tyre.
Planet dhe elaboratet serbe për shpërnguljen e shqiptarëve kanë përfshirë edhe Luginën. Në këtë mënyrë regjimi jugosllav ka arritur të ndryshojë strukturën etnike dhe fetare në dëm të popullsisë shqiptare. Këto ndryshime vërehen sidomos në të dhënat e regjistrimit të popullsisë në vitin 1931, kur vërehet rënie e numrit të popullsisë myslimane në Preshevë nga 89,42% në 76,08%; në Bujanoc nga 58,30% në 57,14%. Ndërkohë, pjesëmarrja e popullsisë serbe është rritur në shumicën e vendbanimeve: në Preshevë nga 10,57% në vitin 1921, në 23,67% në vitin 1931; në Bujanoc nga 41,70% në 42,71%.
Një ngjarje shumë e rëndësishëm në kuadër të zhvillimeve demogjeografike në Luginën e Preshevës është vendosja e popullsisë shqiptare të shpërngulur nga Sanxhaku i Nishit. Struktura etnike e popullsisë në Sanxhakun e Nishit ishte e përzier. Shqiptarët përbënin shumicën në kazatë: Toplicë, Kurshumli, Kosanicë, Jabllanicë e Pusta Rekë, por jetonin edhe në territoret e Veternicës, Gërdelicës dhe Masuricës.
Shpërngulja e popullsisë shqiptare nga Sanxhaku i Nishit ndodhi kur Serbia, pas luftërave serbo-osmane, e futi nën kontroll këtë territor, si dhe pas vendimeve të Kongresit të Berlinit për t’i njohur Principatës Serbe sovranitetin mbi territorin e Sanxhakut të Nishit. Në Sanxhakun e Nishit ishin rreth 600 vendbanime shqiptare, nga të cilat, në 370 shqiptarët ishin shumicë. Sipas historianit S. Uka, nga Sanxhaku i Nishit u shpërngulën rreth 200.000 shqiptarë.
Të dhanuna të rëndësishme ofron studiuesi i mardhënieve shqiptaro-britanike Daut Dauti, në librin e tij “Çështja Shqiptare në Diplomacinë Britanike 1877-1880), ku na ofron raportin e kozullit britanik. Raporti është i pajisur me detaje të shumta dhe shifra të cilat paraqesin numrin e popullsisë që kishte jetuar nga rajoni i Nishit e deri te kufiri i sotëm i Kosovës me Serbinë. Sipas tij, gjatë sundimit otoman Nishi kishte 19 000 banorë. Diku rreth 10 000 ishin të krishterë, 8 000 mysliman ( këtu llogariteshin 1500 shqiptarë, turq por edhe ushtarë, 700 hebrej dhe 300 çerkez). Struktura e popullsisë kishte ndryshuar dukshëm me rënien e qytetit nën serbët. Nishi në shtator të viti 1879, kishte 13 000 banorë d.m.th. 6000 banorë më pak se gjatë sundimit otoman. Prej tyre 12 000 ishin serbë (2000 më shumë se sa nën sundimin otoman). Numri i myslimanëve të mbetur ishte 300, i hebrenjëve 700 por nuk kishte mbetur asnji çerkez. Nga 15 xhamitë që ekzistonin tashti kishin mbetur vetë 3 pa u rrënuar.
Mandej Dauti na jep edhe nji raport të nënkosullit otoman Nikollaidesi që përmbante shifra edhe të banorëve shqiptarë të 87 fshatrave të rrethit të Leskofçes (Leskocit) që jetonin në 2445 shtëpi. Numri i banorëve shqiptarë në këto fshatra ishte 16 327, prej tyre ende jetonin në pronat e tyre 1954 veta, kurse ishin shpërngulur 13 862. Të vrarë apo të vdekur nëpër burgjet serbe ishin 511 veta.
Në Urkuipes (Prokuple) ekzistonin 72 fshatra shqiptare me 1785 shtëpi dhe 13 289 banorë. Numri i atyre që ishin shpërngulur arrinte shifrën 12 468 kurse 771 ishin vrarë në luftë me serbët.
Rajoni i Kurshumlisë kishte 68 fshatra shqiptare me 1563 shtëpi dhe 12 734 banorë. Prej tyre 11 924 ishin shpërngulur kurse 810 kishin vdekur në luftë. Këto janë vetëm disa të dhëna të autorit të bazuara në dokumente britanike të cilat dëshmojnë përqindjen e lartë të përbërjes së popullsisë nga shqiptarët në këto troje që kishin rënë nën sundimin serb dhe nga ku u dëbuan shqiptarët të cilët nuk u kompensuan kurrë për pasurinë që e lënë pas.
Popullsia shqiptare e shpërngulur u vendos në Kosovë, Bujanoc, Preshevë, Maqedoni dhe në Turqi. Në Preshevë dhe Bujanoc dhe në fshatrat kodrinore, është vendosur kryesisht popullsia shqiptare e rrethit të Vranjës dhe Masuricës. Popullsia muhaxhirë krijoi lagje të veçanta dhe fshatra të tëra duke i populluar nga muhaxhirë të ardhur nga trevat e Masuricës. Pjesa dërrmuese e muhaxhirëve janë shpërngulur disa vite pas Kongresit të Berlinit, gjegjësisht pas vitit 1882.
Popullsia e vendosur në fshatra ndikoi në varfërimin e mëtejshëm të vendasve. U rrit numri i popullsisë bujqësore dhe i asaj të mbajtur, u rrit copëtimi i mëtejshëm të pronave etj.
Me shpërnguljen e shqiptarëve Serbia synonte të bëjë pastrimin etnik të territorit dhe kolonizimin e tij me serb. Shpërngulja, Serbisë i krijoi një realitet të ri etnike-demografik ne hapësirën nga Nishi deri në Kosovë, të cilin do të tentoj ta shtrije edhe në trevat tjera etnike shqiptare.
Në periudhën 1948-1953 popullsia është shtuar mesatarisht për 1068 banorë në vit, 1953-1961 – me 540 b./vit, 1961-1971 – me 432 b./vit, 1971-1981 – me 348 b./vit, 1981-1991 – me 369 b./vit, 1991-2002 – 1134 b./vit. Gjithsesi, vihet re luhatje në ecurinë e rritjes: nga 6.72% në periudhën 1948-1953, në 3,71% në periudhën 1971-1981, për të arritur në 11,16% në periudhën 1991-2002.
Në komunën e Preshevës është shënuar rritje e vazhdueshme e numrit të popullsisë: nga 246 b./vit në periudhën 1948-1953, deri në 906 b./vit në periudhën 1991-2002. Shkalla e natalitetit në Serbi është 9.3 ‰, ndërsa shkalla e mortalitetit 14.2 ‰, çka do te thotë se shtimi natyrorë është -4.8 ‰. Shkalla e natalitetit në Preshevë është 13.6 ‰, ndërsa e mortalitetit 7.2 ‰, çka do të thotë se shtimi është 6.4 ‰.
Presheva sipas regjistrimit të popullsisë së viti 2002 kishte 40 000 banorë, me 90% e banuar me shqiptar.
Në komunën e Bujanocit ka pasur shtim të popullsisë, por me një luhatje të ndjeshme: nga 393 b./vit në periudhën 1948-1971, në 286 b./vit në periudhën 1971-1991 dhe 422 b./vit në periudhën 1991-2002. mortaliteti 7.8 ‰. Përndryshe Medvegja nga viti 1953 ka shënuar zvogëlim të vazhdueshëm të numrit të popullsisë për 258 banor në vit. Komuna e Medvegjës sipas regjistrimit të popullsisë së viti 2002, kishte 7163 banorë, 26.17% (2816) e tyre ishin shqiptarë. Bujanoci sipas regjistrimit të popullsisë së viti 2002 kishte 31 291 banor dhe 10 000 banor të cilët jetojnë jashtë komunës. Pra 55 % shqiptarë, 34% serb, dhe 9% rom.
Deri në vitin 1981, popullsia e Luginës kishte shtim të lartë natyror, por në zvogëlim të ndjeshëm: nga 22,1‰ në vitin 1961, në 14,4‰ në vitin 1981 dhe 2,5‰ në vitin 2010.
Vlerat e natalitetit, mortalitetit të përgjithshëm dhe të foshnjave, si dhe e shtimit natyror në vitin 2010 janë nën 10‰, që do të thotë se popullsia Luginës, sipas kriterit të lëvizjes natyrore është në përfundim të periudhës së gjatë të transicionit demografik.
Nëse bëjmë një krahasim me trevat serbe në Serbi, atëherë mund të thuhet gjendja është deri diku e lakmueshme. Por, nëse krahasojmë me trendët demografike të trevave tjera shqiptare, sidomos me ato në Kosovë dhe Shqipëri, atëherë gjendja aspak nuk është e lakmueshme, bile është mjaft kritike. Lugina e Preshevës, sidomos treva e Medvegjës, nëse vazhdon një trend i tillë i shpërnguljes dhe rënies së shtimit, rrezikohet të mbetet pa shqiptarë. Andaj është momenti i fundit që të dy qeveritë tona ta trajtojnë dhe ta kthejnë vëmendjen kah këto treva dhe në bisedimet e ardhshme me Serbinë të futet në agjendë të bisedimeve edhe çështja e kthimit dhe përmirësimit të jetës së atyre pak banorëve që kanë mbetur.

Filed Under: Analiza, Histori Tagged With: i trojeve shqiptare, Ismet Azizi, Sërbizimi i vazhdueshëm

28 Nandor 2014- Kujtimet e nji Viktime

November 28, 2014 by dgreca

Nga Sami Repishti/*
“28 nandor 1944. Dite e bukur vjeshte! Gjate nates se mapareshme u ndigjuen krisma pushkesh. Duket se qytetaret festojshin diten e largimit te pushtuesit gjerman nga qyteti i Shkodres.
Ne mengjez, nji popull i tane filloi te mbushe rruget kryesore. Turma drejtohej kah qendra e qytetit. Atu-ketu shiheshin te rij me arme e rrobe partizane qe pershendetshin me grusht:”Vdekje fashizmit!”. Nji fryme lirie ishte ne ajr, e te gjithe, te nxitun nga randesia e momentit e kurioziteti me pa “ilegalet”, flitshin me nxehtesi. Disa tregojshin episode te luftes, te tjere krenare per strehimin e dhanun “ilegaleve”, prinde e familjare te partizaneve perqafojshin njeni tjetrin, e pergezoheshin per fitoren e djelmeve e vajzave te tyne.
Ishte hera e pare ne historine e qytetit tone qe vajzat largoheshin nga shtepia e angazhoheshin ne veprimtari politike, te pavaruna e per ma teper, “ilegale”
me karakter ushtarak. Koncepti i rolit te femnes shqiptare, te kufizueme ne shtepi, mbrenda familjes, qe per shekuj kishte qene nji nga shtyllat ma te qendrueshme te shoqenise konservative shqiptare e sidomos, shkodrane, u permbys nga vala e revolucionit politiko-shoqnor qe prune partizanet. “Shoke e shoqe”, per te paren here viheshin ne nji piedestal te barabarte, me rrjedhime madhore per te ardhmen e vendit e te shoqnise shqiptare.
Ne qendrimin e shumices, kjo ngjarje e jashtezakonshme shoqnohej nga frika e se panjohunes. Kush jane “fitimtaret”, partizanet, udheheqsit e pakontestueshem te rendit te ri qe premtohej, por qe nuk njihej nga shumica? Numri i tyne ishte i vogel, e kaluemja e tyne jo e qarte e ne disa raste, shqetesuese, programi i tyne revolucionar, e metodat e perdoruna deri tashti, ishin te ashpra e diktatoriale. E lirueme nga bota e dy rregjimeve te urrejtun, shoqnia shqiptare priste me padurim nji periudhe paqeje e sigurie, qe te shijonte lirine e posafitueme. Nji ndjenje instinktive, e pashpjegueshme, por e pranishme kudo dhe tek te gjithe, e frikes se po hyjshim ne nji tunel, driten e te cilit nuk e shihshim, ishte ne mendjen e zemren e shumices se atyne qe ecshin, vrapojshin e grumulloheshin ne sheshin kryesor te qytetit.
Psikologjia e masave te nji qyteti si Shkodra, qe kishte pesue invazione te njimbasnjishme nga fqinjt e veriut, nuk lejonte pranimin pa kushte te nji bashkepunimi te ngushte me “vellaznit tone jugosllave” e aq ma pak, pranine e “instruktoreve” serbe e malazez, ne te gjithe sektoret e jetes shtetnore te vendit, Mentalitete te vjetrueme per nji epoke te re? Ndoshta!. Por ata ishin mjaft te fuqishme, sa te mos lejojshin pranimin e tyne, pa kalue ne banken e dyshimit te thelle…e te justifikuem historikisht.
……. Me pervojen time gjate luftes, isha ba mjaft cinik; me dukej sikur po perpiqesha me binde veten se, “te nesermet premtuese” qe kishim shpresue, nuk ishin veçse nji anderr djaloshare qe avullonte si vesa para diellit. Ne mbrendine time, nji debat serioz, i thelle, po zhvillohej per mjaft kohe. Zani i ndergjegjes nuk me linte te qete. ‘Ky ashte roli yt ne keto çaste vendimtare, vendi yt ne kete dite historike, kontributi yt per kauzen e lirise kombetare?’ Heshtje…!
……. Ndigjoheshin tingujt e bandes muzikore. Duertrokitje! Nga larg vijshin tonet e kangeve te reja partizane. Pa vonese, hyjne ne sheshin e qytetit grupet e para te “njesiteve guerrile”, te prime prej flamurit kombetar kuq-ezi qe, kesaj rradhe mbante edhe drapnin me çekan, ose yllin e kuq me pese cepa…..Ishte nji zhgenjim! Ne rradhet e partizaneve me uniforma pashe disa prej shokeve te mi te shkolles…Ecshin me krenari, pushken ne krah, shikimin perpara me plot besim….Prania e tyne ne kete mase vullnetaresh i bante ata ma te medhej se pesha e secilit ne vete. Ata ishin pjese e nji grupi shoqnor qe i perfaqsonte, qe kishte dale fitimtar e qe angazhohej me ndertue nji jete te re….
Me mbarimin e ceremonise, u ktheva ne shtepi. Ne kete atmosfere festive, u ndiejshe i vetem. Nuk ishe pjese e nji procesi historik te vendit e te popullit tim, diten e lirimit nga i hueji, nuk kishe kape njenen nga oret ma te ndrituna ne histori, oret qe ballafaqojme vetem nji here ne jetet tona. Kishe humbe kete moment te privilegjuem….
Pak dite ma vone, nji ngjarje e shemtueme ne qender te qytetit….Nji grup ‘bashkepunetoresh’ me okupatorin, u ekzekutuen publikisht ne sheshin kryesor….Ne vendin e ngjarjes pashe kufomat e pergjakuna te rreshtueme njena afer tjetres. Te gjithe me rrobe civile. Rreth e rrotull tyne grupe partizanesh hidheshin valle…. Nji turme qytetaresh te heshtun, veshtronte me tmerr kete masaker: ekzekutime publike, simbas modelit nazist, pa proces, pa gjyq, pa mbrojtje ligjore, e te drejte apeli. Ishte shija e pare e shoqenise se re…. Çdo dite, ne shtyllat telefonike e dritoret e dyqaneve vendoseshin lista te gjata malesoresh te ekzekutuem, ose te denuem me vite te gjata burgu, per ‘bashkepunim me armiqt e popullit’ ….
Ndamja ne dy kampe u ba çdo dite ma e thelle, ma e plote….”Plumbin ballit!” Plumin ballit!” “Vdekje trathetareve”….Ekzekutimet me gjyq e pa gjyq, bashke me viktimen, vritshin edhe vete idene e “revolucionit çlirimtar”, idene e lirise dhe premtimin per nji bote ma te mire qe do te siellte revolucioni. Ekzekutimet e njollosen “revolucionin”, e nxine imazhin e tij, e asgjasuen ate. Sepse, zemrat dhe shpirtet e shumices se heshtun filluen te ‘kalbezohen’, bashke me kufomat qe shtriheshin pa jete neper rruget e katundit, ne sheshet e qytetit, ne poligonet e qitjes te ushtrise e te ekzekutimit. Kudo te shihte syni kufoma, e perseri kufoma, te mbulueme ose te pambulueme, gjithehere aty para syve te te gjitheve, si permendore kokeforta per ata qe ende jetojshin, e tregojshin sa i rande ashte çmimi i krimit e sa i boshatisun ishte koncepti i nji revolucioni pa meshire e pa zemergjanesi!….”
Revolucioni premtues po trathetohej nga udheheqja e tij…! Lufta kunder okupatorit fashist e nazist ka qene nji vazhdim i luftes se perhereshme per lirine dhe pavaresine e vendit. Ata qe rroken pushken me luftue, jane herojte e diteve tona, dhe sakrificat e tyne meritojne respektin e te gjitheve, pa dallim. Por “liria” u vra nga “diktatura e proletariatit” dhe “pavaresia” u shit ne tregjet politike te Beogradit…!
(15.XII.1947-Mbledhja e Byrose Politike te KQ te PKSH”:…Duhet te fitojme kohen e humbur e te bejme sa me shpejt bashkimin de facto te Shqiperise me Jugosllavine ne te gjitha fushat (parti, ekonomi, ushtri etj) se Shqiperia nuk mund te qendroje si shtet i pavarur dhe aq me pak te ndertoje socializmin, pa u bashkuar me Jugosllavine” E.Hoxha)
***
22 tetor 1946.- U arrestova. Akuza? “Mbron ideologjite e demokracive perendimore”, “kundershtar i votimeve te 2 dhjetorit” (1945), e te tjera, genjeshtra qe justifikojshin nji arrestim e nji burgosje te paligjeshme. Ne fakt, terrori i ushtruem ne popull kishte pre çdo shprese ne rregjimin e ri. Perfundimisht, u gjeta “ne anen tjeter te barrikades”. Deshmia okulare e terrorit te ushtruem bani efektin e vet ne mendjen e zemren time
Me gjithe torturat dhe keqtrajtimet e hetuesise dhe te burgut ma vone, u ndiejshe i qete. Zani i zemres me fliste me mirebesim: “Kjo ashte rruga e nderit per mue”. I qete shpirtenisht, perballova pa ankim perpjekjet e denduna qeveritare per shkaterrimin tim moral e fizik. Asgja heroike me kete qendrim; ndergjegje te paster, te qete, e vendosmeni me qendrue besnik i vetevetes. Koncepti i “heroizmit” sidomos i atij qe kerkon perballimin e kercenimin me gjeste qe rrezikojne jeten, nuk ishte per mue…!
“Ndamja ne dy kampe u ba çdo dite ma e thelle, ma e plote. Qe ne fillim, u ba e qarte se beteja per mendjet dhe zemrat e qytetareve, nuk ishte nji perparesi per ‘pushtetin’ e ri, e si rrjedhim, ajo ishte e humbun. Çka interesonte ate ishte perforcimi me çdo kusht dhe mbrojtja me çdo mjet….
Kunder “pushtetit” kishte elemente me te vertete tragjike, perpjekje qellim-mira dhe te guximeshme me ballafaque “fatin”, zhvillimin e ngjarjeve ne vendin tone, e jashte kontrollit te vendit tone…!
Takova nji ish shok klase, oficer partizan. U perqafuem, E mora ne shtepi per darke, e kaluem ore te gjata ne bisedime. Fjalet e tia me erdhen te paprituna, te pabesueshme. ‘Fitorja eshte e jona’ me tha. ‘Nuk flas ne ere, me beso! Kemi planifikuar masa drastike: arrestim, pushkatim, çarmatim, mobilizim, organizim…Ne nuk do te devijojme, edhe ne qofte se gabojme’ Dhe perseri: ’pergatitu per ditet vendimtare te historise se Shqiperise. Ne kemi nji mision per te plotesuar: t’i japim historise se popullit tone, ate qe ai kerkon….Sot per sot, eshte pastrimi i terrenit nga pengesat aktive…e te ardhshme”.
Indoktrinimi kishte deformue logjiken e tij!
Kur folem per aleancen anglo-sovjeto-amerikane, ai e quejti ”nje aleance oportuniste” dhe per mundesine e nji “konfrontimi me anglezet”.
-“Atehere, na pret nji lufte tjeter botenore”, i thashe,
-“Po!” pergjegji me bindje. “Por, do t’a provokojme ne kur te jemi gati…Tani per tani, vazhdon aleanca!”
E ndigjojshe me shume vemendje, Ideja e nji lufte tjeter botenore qe me kishte “rrembye” baben si viktime e terrorit fashist, dhe kusherinin 17 vjeçar qe u pushkatue nga Gestapo-ja, me mundonte, me frikesonte.
-“Si mund te flasesh keshtu per anglezet’ i thashe. Ai buzeqeshi:
-’Cerçilli eshte nji fashist! Eshte pengesa kryesore e fitores se proletariatit nderkombetar’.
-‘Pse fashist?’ Ai:
-‘Kushdo qe behet pengese ne luften tone per fitoren finale te komunizmit ne bote, per ne, eshte nji fashist!’ “
Po kalojshe periudhen e entuziasmit djaloshar e hyjshe ne boten e matun te pjekunise!
….Ate mbramje e kuptova mire! Historia e diteve tona paraqitej si nji proces dekompozimi i shpreses se ngjallun gjate luftes, i mohimit te rolit demokratik te autoritetit te zgjedhun nga populli ashtu si u premtue gjate luftes, dhe po perqendrohej ne nji struktute re, ma te ngurrte, ma te pa shpirte e ma te padrejte se çdo tjeter forme shtetnore te njohun ne vendin tim. Historia e diteve te mia paraqitej tashti, si historia e ‘pandershmenise zyrtare’, e deshprimit te pergjitheshem, dhe te frikes –mbretneshe absolute mbi te gjithe, tue perfshi edhe sundimtaret”. Pushtet me dhune pa autoritet ligjor e moral. Diktature!
E lindun nga genjeshtra, e rritun me dhune te organizueme, e mbajtun me arbitraritet dhe çizme ushtarake, forca e re ne Shqiperi, po ndertohej ne kundershtim te plote me boten tone. Jetojshe me shijen e hidhun te humbjes se shpreses. Kishte mbete vetem bindja absolute ne parimet e mia, baza e struktures sime mendore e intelektuale. Por, pa eksperience, u ndjeva i denuem nga ngjarjet. Tek ‘njeriu e ri’ gjeta nji perbindesh finok. Tek ai gjithçka ishte e perqendrueme ne nji pike: urrejtje! Tek ai, gjithçka ishte e drejtueme nga nji ndjenje: hakmarrje! Tek ai, gjithcka ishte e frymezueme nga nji qellim: etja e pangopeshme per pushtet absolut Si rrjedhim, gjyqet politike te administrueme nga ushtaraket ndiqnin njeni tjetrin. Pushkatimet u bane te perditeshme, e burgosjet masive mbushen burgjet e qyteteve tona”. Diktatura e proletariatit!
Qartazi, revolucioni premtues po trathetohej nga udheheqja!
Me nji te kalueme qe nuk pranojshim plotesisht, me nji te ardhme te panjohun por te veshun me rrobet e fantazise sone rinore, kalojshim ditet e gjata ne burgjet mesjetare ne pritje te misteriozit Godot!
Shpesh here mendojshe ditet e hetuesise barbare ne Sigurim. Mbas torturave qe na kercenojshin me vdekje, hetuesi kerkoi te firmoj “procesin”. “Po”i thashe. “Ne ate gjendje, vdekja ndoshta randonte ma pak se tortura, akti ma i ulet i veprimtarise njerezore, poshtenimi ma i thelle qe i bahet individit-viktime, e simboli i degradimit absolut moral e politik i ‘shtetit’ e i shoqenise qe prodhon xhelatet per torture….” Per mue, rregjimi i ri komunist kishte ra poshte, shume poshte, e ne menyre te pareparueshme! Nga hovi revolucionar i Luftes Nacional-Clirimtare qe premtonte lindjen e herojve, “komunistet” shqiptare perfunduen ne militantizem stalinist, anti-vlerat e te cilit i transformuen ata ne anti-heroj tipike!
“Ne keto dite kerkimi per nji rrugedalje, takova nji frat franceskan. Me priti me gezim….Ky çast vendimtar ishte shume i randesishem per formimin tim politik. Gjendja e re e kishte trondite, ballafaqimin me ideologjine e quente te ‘paevitueshem’, dhe kjo e frikesonte, ‘…jo per vete, por per te ardhmen e Kishes sone katolike, ketu ne Shqiperi’. Dhe vazhdoi:’ Çdo here kemi pase perkrahjen e Europes se krishtene. Sot, Europa ashte e ndame e vendi i jone ashte caktue me qene pjese e Lindjes ku mbretnon rendi bolshevik. Sot jemi pa mbrojtje efektive nga nji qeveri e forte. Sot, jemi vetem!’ Mbasi mendoj pak, ai shtoi:’Nuk do te provokojme, nuk ashte roli i jone. Por njikohesisht, nuk mund te heqim dore nga feja e nga Kisha e Romes. Ata jane jeta e nana e jone. Pa ata, qenia e jone si klerike, ska kuptim….Sot, kemi perleshjen e dy vigajve, me dy qytetnime, jo vetem te ndryshme por anmiqsore deri ne vdekje…”
Vetem pak muej ma vone, frati i pafaj u arrestue, u torturue dhe u pushkatue vetem sepse ishte klerik katolik, anmik i pa perkulun i ateizmit marksist- dhe pjesetar i qendres nderkombetare te njohun si Vatikani…., nji fortese dymijevjeçare qe nuk pranonte kompromisin. “Armiq te betuar te pushtetit?” Po! Dhe me krenari!
“…Cila ishte pesha e luftes se djeshme para degradimit moral ku kishin ra sot (komunistet shqiptare) para perpjekjes absurde me permiresue me dhune cilsite e ’njeriut te ri’ shqiptar? Cilit krahe do te ngriteshin perseri trupet e rrezuem per toke nga grushti shtypes? Cila gjuhe do te shqiptonte perseri fjalet frymezuese per veshet e shurdhuem nga krisma e armes vrastare? Cila dore do te shterngonte perseri doren tjeter me gishtat e keputun ne torture? Cila ndertese e landes se pashpirte do te qendronte ne kambe mbi themele te hapuna si varreza kolektive?….Krymbi i krimit te kryem nuk do te pushoje deri sa te brej pa meshire edhe kandin ma te vogel te ndergjegjes fajtore. Vetem kafshet qe nuk kuptojne vuejtjen njerezore, vetem ata do te mbijetojne….Ashtu si izraelitet e Europes naziste, na u gjetem para nji psikologjie zyrtare qe mbeshtetej ne mohimin e qenieve tona si ‘njerez’. Tue fillue me parullat ‘o me ne o kunder nesh’, komunistet thane, pa asnji ndrojtje ‘ju, nuk keni vend ketu!’ Ma vone, kur pushteti u forcue ata shternguen rrethin e hekurt: ‘armiqt e popullit ne litar!’ deri sa hoqen masken, ne 1967, dhe tirani i kuq urdhenoi:” Merrni sopaten e bjerini kokes cilitdo qe guxon te flase per besim…” Ma thjeshte, kjo parulle do te thonte: Nenshtrim ose vdekje!’”
Cila mendje normale, cila ndergjegje njerezore, cila goje qe shqipton fjalen dashuni gjen sot guximin e marrezishem dhe shtazarak me rikujtue tmerret e se kaluemes komuniste…dhe me nji fare krenarie neveritese? Malesoret e krahinave ma te vorfena, ashtu si fshataret e bajrakut te Postribes, klasa intelektuale e edukueme ne Perendim ashtu si deputetet anti-fashiste te Levizjes Nacional-Çlirimtare, kleriket e besimtaret ne nji Krijues te gjithesise, u rreshtuen kunder “pushtetit popullor” qe nuk ishte as pushtet as popullor pa autoritetin e domosdoshem, pa pelqimin e lire te “sovranit” te heshtun me dhune.
Ashtu si ne te gjithe boten, edhe ne vendin tim u provue se vetem elementi ma i ulet i shoqenise shqiptare pranonte te jete torturues, officer sigurimi, drejtor burgu e kampi ose anetar partie…Ne fazat e veshtira te poshtenimit e vuejtjes qe ata shkaktojshin, ata ishin ma te forte se viktima, e ishte kjo ndjenje false e epersise qe ata ushqejshin per mbulimin e pasigurise se mbrendshme qe i mundonte”. Sot, ata jane turpi i kombit tone …!
Sot, vetem elemente te ketille manifestojne deshiren e perseritjes se nji kohe kur ata gjejshin kenaqesine ne boten e vajtimit, deneses e tortures. Vetem elemente te ketille shijojne akoma “gezimin e papershkrueshem” te terrorit qe ushtroi “Partia Nene” e legjonet e djallit. Vetem keta elemente kane paturpesine me u talle me gjakun, lotet e vuejtjet e pafund te nji popullsie te shtypun me ndergjegje e per dekada te gjata…..
Me kujtohet oficeri i Sigurimit qe me mundonte kur me pau te dermuem nga torturat. Qeshi. Une mora guxim; e pyeta: “Pse na torturoni?” Ai: ”Pusho, derr” u pergjegj, “komunistet nuk torturojne!” …..
***
22 gusht 1959. Vendosa te arratisem nga Shqiperia, ne pamundesi me pranue gjendjen e krijueme dhe nga frika e arrestimit te dyte. “Isha i ri, e dojsha jeten e frikesohesha nga vdekja. Por isha i vendosun me kerkue jeten e lire, mos me provue skllaverimin e torturen, e burgjet e kampet e punes se detyrueshme…Isha i mbushun me fryme revoltimi…Nga student i qete fillova me u prire kah aksioni i forte, violent…Ndjehesha i huej ne vendin tim….” Ate nate, u arratisa ne Jugosllavi!
Mbas nji viti ne qeli policore “incommunicado” perfundova ne nji kamp refugjatesh –krijesa te mjerueme e te harrueme- dhe ma ne fund emigrova ne SHBA ku qendroj keto 52 vjetet e fundit….!
Mergimi nuk qeteson as ngrohe! Per ata qe largohen per arsye ekonomike, mergimi ashte nji zgjidhje e mundeshme, por jo e sigurte. Por une isha i lidhun ngushte me vendin tim te lindjes, me nji vend qe me jepte krenari. Isha rrite dhe edukue me ate fryme ne familje, ne shoqeni, ne shkolle. Distancimi i im nga Shqiperia ishte i pa mundun.
Kam ndjeke me interesim te veçante zhvillimet ne ate vend qe me ngriti dhe me zbriti sa here qe tronditej. Prishja me ish Bashkimin Sovjetik me gezoi. Afrimi me Kinen maoiste me deshproi. Keputja e “miqesise” me Kinen e Mao-s me dha shprese se, ma ne fund, edhe Shqiperia e vete-izolueme do te shohe qartas te ardhmen e saj natyrale, Perendimin. U gabova rande! Çmenduria komuniste kalonte kufijt e te natyreshmes. Vendi i im po hynte ne nji tunel te erret, fundi i te cilit nuk shihej…! Shqiperia ishte tashma “…nje mozaik i madh ngjarjesh, personazhesh, kontradiktash, ku gjakderdhja ka bere rendom lenden lidhese…” e percaktoi E.Rama. “Gjakderdhja” kjo smundje e pasherueshme shqiptare…! S. Maleshova e percaktoi:”…nga nji parti politike jemi bere nji bande kriminelesh!” E tmerrshme!
“Komunizmi” ne Shqiperi ka qene pa dyshim “fatkeqesia” ma e madhe e vendit tone. Ajo fatkeqesi nuk ka qene rezultat i kultures shqiptare, nji vend akoma i pa industrializuem. Kjo fatkeqesi u importue nga fqinjte tone sllave, dhe u ekzekutue nga elemente fanatike, te pa arsimuem, te pa eksperienece, plotesisht te shnjerezuem, dhe qe vepruen nen masken e “patriotizmit” tradicional shqiptar. Na- tyrisht, kjo “fatkeqesi” nuk justifikohet; mund te spjegohet vetem me perhapjen e “kultures se dhunes” ne vendin tone gjate viteve te luftes qe ushqente urrejtjen e pergjitheshme, dhe brutalizimin e shoqenise sone, dhe qe ne formen e saj te organizueme arriti perpjestime monstruoze ne nji marshim regresiv 45 vjeçar. Ne kete atmosfere linden psikopatet e rregjimit te kuq, te gateshem me vra edhe prindet e tyne- mendje te smura me pushtet te pakufizuem…!
Ashte kjo atmosfere intolerance qe kemi trashegue nga komunizmi e qe nuk lejon zhvillimin e nji shoqenie te lire dhe tolerante. Kete e shohim sidomos ne perpjekjet e partive politike me heshte “opoziten” qe ne momentin qe marrin pushtetin. Nji zhvilim i damshem dhe i destinuem me falimentue. Sepse, ajo qe çfaqet publikisht nuk mund te zhduket me force; ajo kthehet me rrjedhime te damshme per te gjithe. Randesia e ruejtjes se diferencave qe ndajne boten tone shqiptare ne pole kundershtare duhet shikue pozitivisht; diferencat jane “vizione” te reja, me baze morale, dhe duhen perkrahe! Nga nji here, krijohet pershtypja se kaosi politik ne Shqiperi, ashtu si ne shume vende afrikane, nuk ashte nji “anomali”, ose nji tragjedi e papritun; ky lloj kaosi ashte strategji per marrjen dhe konsolidimin e pushtetit.(Sic!)
Bashke me kete zhvillim, na duhet edhe fryma e pendimit per fajin e kryem, dhe natyrisht, fryma e faljes se fajit te kryem. Keto kohet e fundit, nji kuader komuniste kineze qe shkaktoi viktima, e pendueme, deklaroi:”…Revolucioni kulturor ka qene nji fatkeqesi masive…Si do te shikoje vendi i jone te ardhmen, varet ne nji mase te madhe nga menyra si do te ballafaqohemi me te kaluemen”. Ajo shtoi:” Une mendoj se te gjithe ata qe shkaktuen vuejtjet e te tjereve gjate Revolucionit kulturor do te kerkojne falje per krimet e kryeme, dhe do te shkojne drejt pajtimit”. Amen! Reagimi i publikut kinez ka qene:” Mao ishte burimi i te gjitha te keqiave”. “Ai ashte qe bani kaq shume te keqia”. “Ky nuk ashte problem i nji individi. E gjithe PK kineze, dhe Mao, jane gjithashtu pergjegjes”. Por, sot, ne sallen kryesore te shkolles se nji viktime ku ajo ishte drejtoreshe ashte vue busti i saj e nderohet me respekt, çdo dite, nga te gjithe studentet.
Ska dyshim qe ne Kine, rritet sot nji brezeni koshiente per te kaluemen kriminale te komunizmit kinez, por me vendosmenine e ndertimit te nji te ardhmeje qe denon pa kompromis te kaluemen tragjike. Kjo ashte prove e nji populli me kulture tremijevjeçare!
Kur do te dale edhe per ty pranevera, o Shqiperia e ime?
——————————————————————————————————
Shenim: Citatet jane te marruna nga libri: S.R. Nen hijen e Rozafes (Onufri,2004)

Filed Under: Histori Tagged With: 28 Nandor 2014- Kujtimet, e nji Viktime, Sami repishti

GJENOCIDI KOMUNIST PËRGJAK TIRANËN

November 27, 2014 by dgreca

(… 28 TETOR – 28 NËNTOR 1944 )/
NGA URAN BUTKA/
Krahas luftës për çlirimin e Tiranës nga pushtuesit nazistë, forcat partizane kryen edhe masakra ndaj kundërshtarëve politikë, por edhe civilëve të pafajshëm. Sipas strategjisë së PKSH dhe skenarit të veçantë për Tiranën, dita e çlirimit duhet ta gjente Shqipërinë dhe sidomos kryeqytetin pa ata nacionalistë e intelektualë properëndimorë, pa figurat e njohura të kulturës dhe të arsimit shqiptar, pa ata oficerë patriotë që nuk u bashkuan me Frontin, nëpunësit e ndershëm, pa pronarët, tregtarët e bisnezmenët që gjallonin në ekonominë e tregut të shtetit shqiptar, pa ata atdhetarë e demokratë që kishin luftuar dhe aspiruar për një Shqipëri të pavarur, të bashkuar dhe demokratike. Një nga idhtarët dhe organizatorët më të egër të këtij genocidi, Kristo Themelko, agjent i jugosllavëve me pseudonimin sllav “Shulja”, thotë: “Kjo rruga jonë terroriste ka lindur si vijë…Nga kjo rezulton se të gjithë ata elementë që janë kundër nesh, por që s’ka fakte, të pushkatohen qysh tani…Veçse me i pastrue gjatë luftës , veçse duhej me i pastrue me mënyrën që të mos merren vesh prej popullit… Janë vrarë edhe ata që janë dorëzuar”
Gjithçka projektohej nga kryeterroristi Enver Hoxha. “Kur unë kam biseduar me Enverin, – pohon K.Themelko, – ai më ka këshilluar që kur të hynim në qytet, të spastronim elementët e rrezikshëm. Prandaj, kur hyra në Tiranë, kërkova një listë nga organizata për këta elementë.” Për masakrat pohon me gojën e vet sekretari i qarkorit të PK të Tiranës, Gogo Nushi në relacionet e tij drejtuar E. Hoxhës: “Këtë shpirt terrorist e kemi parë ditët e fundit në Tiranë. Kjo tregon vijën tonë. Me hyrjen e forcave tona janë vrarë 60 vetë. Listën e kemi. Unë mendoj që asnjë nga ata nuk e meritonte këtë dënim. Jemi të sigurtë se do të kemi edhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar edhe të 100”
« Me Mehmetin kemi biseduar që ata elementë reaksionarë t’i zhduknim » – dëshmonte Nako Spiru.
Pra, kemi të bëjmë me një genocid me motive politike. Në Tiranë u vranë pa gjyq dhe pa faj, pabesisht dhe në mesnatë, në grup apo njëpasnjë prapa krahëve, madje edhe në pragjet e shtëpive, në qoshe rrugicash, në breg të lumit, në Sharrë, Priskë e Sauk, pa dhënë asnjë shpjegim, pa lënë asnjë gjurmë, duke i lënë edhe pa varr, figura të njohura nga e gjithë Shqipëria, nga Kosova e Dibra e Madhe e Çamëria, madje edhe shtetas të huaj, në mënyrë që terrori dhe frika të ndjehej kudo e të përhapej rrathë-rrathë nga Tirana në të gjithë trevat shqiptare. Sepse me terror dhe me gjak do ta merrnin dhe do ta mbanin pushtetin, sepse vetëm kështu mund të ngrihej dhe të funksiononte diktatura më e pashembullt e më e përgjakshme në gjithë vendet e Lindjes komuniste, diktatura e E.Hoxhës.
Kjo vijë terroriste e PKSH është pranuar nga vetë udhëheqësit e saj. Zbatuesi më i vendosur i kësaj vije terroriste ishte padyshim Enver Hoxha dhe klika e tij staliniste, që lau me gjakun e shqiptarëve rrugën drejt pushtetit.
“Shumë njerëz janë vrarë pa gjyq e pa faj… Këtë frymë e ka futur Dushan Mugosha. Kështu sot ushtria duket sikur ka dalë të mbysë popullin. Partizanët vrasin vetë, pa i vënë fare njerëzit përpara gjyqit.” dëshmonte Tuk Jakova.
Vrasja e parë politike ishte ajo e klerikut të shquar tiranas, Selim Brahja, më 31 gusht 1943, pa u tharë ende boja e Marrëveshjes kombëtare të Mukjes Selim Brahja është një nga viktimat e saj. E vranë përpara derës së shtëpisë së Zotit, në pragun e Xhamisë. Shtatë vetë të njësitit ndëshkimor të grupit të Pezës, me shalle të kuq në kokë e qëlluan disa herë dhe u zhdukën për t’u shpëtuar pushkëve të shtëpisë së Selim Brahjes. Kjo vrasje shënon edhe fillesën e terrorit komunist në Tiranë. Përse e vranë këtë njeri që ia kishte kushtuar jetën Zotit dhe Shqipërisë?
Ai vinte nga një familje atdhetare. I ati, Ramazan Brahja, pjesmarrës në ngritjen e flamurit më 26 nëntor 1912 në Tiranë. Selim Brahja, intelektual, i lauruar për teologji në Stamboll, iu përkushtua fesë dhe shqiptarizmit. Ai hap shkollën e parë shqipe në Sauk. Gjatë okupacionit italian ai u dënua me burg nga fashistët nga që në shtëpinë e tij priste edhe nacionalistë edhe partizanë që luftonin për lirinë. Ai mori pjesë në Kuvendin e Mukjes bashkë me Ismail Agé Petrelën, Dr. Nroqin e të tjerë nacionalistë tiranas. Prandaj e vranë terroristët me yll e shami të kuqe në kokë.
Më 29 tetor 1943 njësiti ndëshkimor i Pezës masakroi barbarisht Besnik Çanon ( 22 vjeç ) dhe Qeramudin Sulo ( 21 vjeç ), dy të rinj intelektualë nacionalistë, pjesmarrës në Konferëncën e Mukjes që shkonin në jug të Shqipërisë për të përcjellë mesazhin e kësaj marëveshjeje kombëtare.
Po në tetor të këtij viti, M.Shehu pushkatoi pa gjyq në Priskë 13 xhandarë që u dorëzuan në mirëbesim në Brigatën e Parë, ndërmjet tyre: Preng Marku nga Kaçinara, Zef Ndoc Simoni nga Fishta, Preng Lek Shkreli nga Malësia e Shkodrës, Pjetër Shkalleshi nga Kthella dhe kapter Ali Maksuti nga Margëlliçi i Çamërisë, ish-lulishtar i njohur i Tiranës.
Më vonë vranë edhe profesor-doktor Lorenc Rashën, nga Shkodra, njeriun e dijes. Shkollën e mesme dhe universitetin i kreu në Austri më rëzultate të shkëlqyera dhe me një doktoratë për linguistikë. Këtë intelektual dhe nacionalist të njohur e pushkatoi pa gjyq më 12 shtator 1944 toga e pushkatimit e batalionit partizan “Dajti”, buzë përroit të Priskës.
Pas këtyre vrasjeve në periferi, i erdhi radha edhe kryeqytetit. Dhe terroristët komunistë zgjodhen kohën më të favorshme për të kryer masakrat në Tiranë.
Çlirimi i Tiranës konsiderohej nga udheheqësit komuniste si marrja e pushtetit. « Kush merr kryeqytetin, merr pushtetin », udhezonte E.Hoxha. Beteja për çlirimin e Tiranës iu ngarkua Korparmatës I. Qëllimi i krerëve komunistë ishte marrja e kryeqytetit, por edhe likujdimi masiv i kundërshtarëve politikë, por edhe i atyre shqiptarëve jokomunistë, që jetonin apo ishin grumbulluar në Tiranë.
Sipari i kësaj tragjedie hapet natën e 28 tetorit 1944, kur njësitet guerile komuniste dhe forcat e batalionit të Disiplinës, futeshin fshehtazi natën si hienat nëpër shtëpitë tiranase dhe arrestonin apo pushkatonin shqiptarët që ishin shënuar nëpër listat e vdekjes nga krerët e tyre. Kështu ia behën në mesnatë tek shtëpia e Ymer Dërhemit dhe arrestuan Akil Sakiqin, Nazmi Uruçin dhe Fahri Dabullën. “Ju kërkojnë për një sqarim”. Por i pushkatuan po atë natë.
Akil Sakiqi ishte nga Dibra e Madhe. Familja e tij atdhetare, e ndjekur nga genocidi sërbo-maqedonas u shpërngul në Turqi, mandej u vendos në Tiranë. Akili, pasi mbaroi liceun e Korçës, kreu Akademinë Ushtarake në Romë, degën e Rojes së Financës. Shërbeu me devotshmëri në Durrës, Shkodër etj. gjithnjë në prapavijë. Më 7 prill1939 luftoi tok me Myftar Jegenin e mjaft oficerë të tjerë të Ushtrisë Kombëtare kundër agresionit italian.
Edhe Nazmi Uruçi prej Dibrës së Madhe ishte, nga një familje patriote. Fahri Dabulla nga Gjirokastra. Adili, Nazmiu dhe Fahriu, të tre oficerë të njohur të karrierës, atdhetarë të flaktë, shqiptarë të ndershëm e të panjollosur, e kishin kryer së bashku me E. Hoxhën Liceun e Korçës. Terroristi Hoxha i futi shokët e liceut në listat e vdekjes. I pangopur me vdekjen e tyre, ai i përmend ata me urrejtje potologjike dhe pa asnjë shënjë pendese edhe pas disa dekadash në librat e tij, kur rreket të falsifikojë historinë.
“Pak para plenumit më vjen S.Malëshova gjithë “alarm”.
– Po bëhet shumë terror, – më thotë gjithë zëmërim.
– Terror? –e pyeta i habitur. – Ku ?
– Në Tiranë, – më përgjigjet. – po vriten shumë oficerë të penduar.
– Në Tiranë vazhdon lufta e madhe për çlirimin e kryeqytetit, – i thashë. – Kë quan terror ti? Dhe për cilët oficerë më ankohesh ?”
Çfarë hipokrizie! Dihet që në plenumin e Beratit ( 24-27 nëntor 1944) përpara të dërguarit të PKJ, V.Stoiniç, E.Hoxha pranoi tejet i nënshtruar: “Po vriten në Tiranë me dyzina njerëz dhe oficerë të dorës së dytë të cilët, duke pasur besimin e plotë në drejtësinë dhe në shpalljen tonë, dorëzohen. Një punë e tillë nuk është okazionale , por është tërë toni që i është dhënë punës organizative të partisë dhe të ushtrisë. Shokët tanë mendojnë vetëm të zhdukin çdo njeri që s’është me ne, që s’mendon si ne, të zhdukin bile edhe njerëz të thjeshtë të popullit”
Nata e 28 tetorit ishte caktuar nga Qarkori i PK për Tiranën si nata e vrasjeve masive të ushtarakëve të karierës. Atë natë u pushkatuan: Hamit Greblleshi, nga një familje autoktone tiranase, mësues dhe më vonë, pasi kreu Akademinë ushtarake ne Stamboll, oficer i gjindërmarisë të shtetit shqiptar deri në vitin 1939, kur doli në lirim për arsye shëndetsore.
“A mund të vritej një njeri që për tre muaj kishte shërbyer detyrën e oficerit të prapavijës? – pyet Kujtimi, djali i Hamitit. – kjo pyetje na ka ndjekur tërë jetën qysh nga dita e vrasjes së babait tonë”. Djali tjetër, Mustafai, autori i romanit të famshëm ”Gremina e dashurisë” u burgos dhe vuajti në skëterrën e burgjeve komuniste, por qëndroi se kishte genet e të atit, të cilit i kushtoi në qelinë 79 të burgut të Tiranës elegjinë “Qetësi”.
Hamit Greblleshi u arrestua bashkë me oficerët e tjerë që jetonin në rrugën e Tabakëve, Hasan Dinen nga Maqellara e Peshkopisë, me akademi ushtarake te kryer në Itali, atdhetar bir atdhetari, Azis Blloshmin nga familja e njohur e Blloshmëve të Bërzeshtës, që kishte kryer studimet ushtarake në Vienë, Faik Shkupin, shqiptar nga Shkupi, i lauruar për ushtarak në Itali dhe shërbente në Shqipëri, Mehmet Dadon dhe Boris Belevskin, rus i bardhë, oficer në ushtrinë shqiptare, Aleks Mavraqi, Selmam Shtjefni, Bajram Cuka e të tjerë që nuk u dihen as varret.
Një nga ata dyzina të zhdukur është edhe major Muharrem Liku, bir i devotshëm i Tiranës. I shkolluar në Stamboll dhe i frymëzuar nga rilindësit, sidomos nga i kunati, Halit Bej Bërzeshta, ushtarak i shtetit shqiptar ai i shërbeu atdheut dhe mbretit me besnikëri. Ndaj u fut në listat e vdekjes. Më datën 1 nëntor 1944, në orën 3 të mëngjezit, trokitën në portën e shtëpisë. Vrasësit kërkonin Muharremin. Ai doli nga shtëpia sepse e ndjente veten të pafajshëm. Te porta pa njerëz të armatosur dhe oficerin tjetër të Ushtrisë Kombëtre, që kishte studiuar në Europë, Abdulla Saraçin, të arrestuar. Të dy i shoqëruan për diku, ndoshta asgjëkundi. S’kaluan veçse disa minuta në rrugë e sipër, kur krisi automatiku. Më parë ra Abdullai, pas tij plumbat përshkuan Muharremin. Kufomat i futën në një karrocë akulloreje. Kalimtarët e rallë panë në atë gëdhirje një karrocë nga e cila varej një dorë e përgjakur. Mandej edhe dy duar të tjera. Pra ishin dy kufoma. Familjarët i gjetën, i nxorrën trupat e tyre të prishur dhe i varrosën te Varri i Bamit. Njëri gisht i dorës së abdullait ishte i prerë bashkë me unazën e florinjtë.
Po atë natë terroristët komunistë arrestuan dhe vranë ushtarakun me gradën kapiten, Anton Fekeçi, lindur në Graz të Austrisë, por që banonte e shërbente në Shqipëri, nga që e ëma, Gjystina, ishte shkodrane nga familja e dëgjuar Bumçi. Antoni ishte një oficer model me formin perëndimor dhe shumë i aftë profesionalisht. Në mesnatën e 30 tetorit e thirrën në shtëpi dhe e pushkatuan 100 metra larg saj. Pastaj u kthyen përsëri, e nxorrën familjen në rrugë, se shtëpia u duhej, ashtu si u duheshin edhe orendite, makina e shkrimit etj. Tragjedia e kësaj familjeje u mbyll me vdekjen në burg të Frederikut, djalit të Antonit, i dënuar për agjitacion e propagandë, si mijra bij të tjerë të këtyre martirëve.
Genocidi për motive politike vazhdoi me intensitet brenda dhe në rrethinat e Tiranës. Më 3 nëntor 1944 forcat komuniste pushkatuan pa gjyq në Sharrë të Tiranës tre deliallisët e shquar të Shijakut: Kapllan Deliallisi, deputet i Shijakut në parlamentin shqiptar dhe i vëllai, Jakup deliallisi, ish- kryetar i komunës së Shënavlashit dhe të Luzit. Bashkë me ta u pushkatua edhe Shefqet Deliallisi, i biri i atdhetarit të njohur Ymer Deliallisit- sekretar personal i Ismail Qemalit, një oficer i ri, i diplomuar në Akademinë Ushtarake në Romë, por që e priti me indinjatë pushtimin fashist dhe u vetlargua nga detyra, sepse ishte kundër pushtuesve, ashtu siç kanë qenë brez pas brezi deliallisët e Shijakut. Bashkë me këta martirë, u pushkatua edhe Isuf Allamani, nga familja në zë e allamanëve të Matit. Ç’kishte bërë Isufi që e vranë? Kishte studiuar për agronomi në Universitetin e Firences dhe ishte kthyer në shqipëri për të dhënë ndihmesën në ripërtëritjen ekonomike të vendit. Ai themeloi Fermën e Xhafzotajt, një ekonomi moderne bujqësore e kapitalist dhe ishte drejtori i saj , kur u arrestua e u pushkatua pa gjyq, ndonëse nuk ishte përzier fare në çështjet politike.
Po në Sharrë u pushkatuan pa gjyq dhe u hodhën mbi njëri-tjetrin në një përrua, pesë viktima të tjerë: kapiten Bajram Cuka, Selim Kelmendi, , Ndue Pali, Minella Toçi dhe Selaudin Korça.
Selim Kelmendi, nga Vuthaj i Gucisë, i kishte ikur me armë në dorë terrorit sërbo-malazes tok me dy vëllëzërit e tij, Rustem e Ramë, pjestarë të çetës së Azem galicës, por nuk i shpëtoi dot terrorit të çetnikëve shqiptarë.
Selaudin Korça, i biri i patriotit të madh, klerikut , filozofit, publicistit, poetit dhe antikomunistit të njohur Hafëz Ali Korça, që vazhdonte studimet e larta në Itali, por që erdhi në Shqipëri për t’u bërë pre e terrorit komunist.
Më 10 nëntor, ra pre e këtij terrori tek Ura e Brrarit, oficeri Subi Topulli nga familja e shquar e topullenjve të Gjirokastrës. Vrasësit e masakruan dhe zhdukën çdo gjurmë të tij, duke hapur fjalë se ishte arratisur nga Shqipëria.
Vijmë kështu te nata e 12 nëntorit në Tiranë, që është, quajtur edhe “nata e Shën Bartolemeut”. Atë natë u bë masakra më e madhe , një dënin dhe vrasje kolektive pa gjyq e 14 figurave të shquara të kombit e të kulturës shqiptare.
Ismail Agë Petrela është një nga figurat madhore të Shqipërisë, që u pushkatua mesnatën e 12 nëntorit. Pse e kishin futur në listat e vdekjes Ismail Petrelën? Sepse ishte nga një familje e madhe, vetë ishte një nacionalist i shquar, një luftëtar i lirisë, një demokrat i vendosur, një burrë i mënçur tiranas, një intelektual i njohur që dinte disa gjuhë perëndimore, një njeri i kulturës, sidomos e asaj muzikore. Kulmet e veprimtarisë atdhetare të Agë Petrelës janë pjesmarrja në Kuvendin e Mukjes për bashkimin e gjithë shqitarëve dhe lufta kundër pushtuesve italianë në krye të çetës së tij, që vepronte në Shqipërinë e Mesme. Ja, përse e vranë komunistët Ismail Agë Petrelën! Në çastin e pushkatimit u tha ekzekutorëve: “Qëlloni, burrat një herë vdesin!”
Terroristët këtë herë zgjodhën për të masakruar familjen e shquar Kokalari nga Gjirokastra. Pushkatuan natën e 12 nëntorit në skutat e hotel “Bristol”-it Muntaz , Vesim dhe Syrja Kokalarin. Muntazi dhe Vesimi, pionierë të arsimit kombëtër, themelues të shtëpisë botuese ”Mesagjeritë Shqiptare” që botoi vepra madhore të letërsisë sonë e të huaj, intelektualë të klasit të parë, bashkë me vëllanë e tyre Hamit Kokalarin i cili shkroi atëbotë librin e famshëm “Kosova- djep i shqiptarizmit” dhe motrën Musine, shkrimtaren e parë shqiptare, nacionalisten dhe demokraten e shquar, që diktatura më pas e burgosi dhe e internoi gjersa vdiq.
Po atë ditë terroristët komunistë pushkatuan e dhe Nebil Çikën, filozofin, publicistin, demokratin e madh. Ai ka qenë redaktor dhe kryeredaktor i mjaft organeve të shtypit të lirë shqiptar si “Revista Pedagogjike”, “Reforma”, “Jeta”, “Arbëria”, “Miku i Popullit”, “Minerva”, “Bota e Re” etj. dhe autor i veprës së njohur “Njimendësia shqiptare” që e vendosi atë në elitën e zgjedhur të kombit. Pikërisht këtë elitë vrau komunizmi.
Ai goditi familjet e mëdha që kishin nxjerë njerëz të shquar, për të ndërprerë traditën, për të tharrë burimin, për të venitur e nënshtruar Shqipërinë. Një nga ato, është edhe familja tiranase Lleshi. Të gjithë burrat e saj u sakrifikuan për një Shqipëri të lirë, të bashkuar në trojet e saj etnike dhe demokratike. Muharrem Lleshi e priti me indinjatë pushtimin italian, ndërsa dy djemtë e tij Sulejmani dhe Islami, nacionalistë, u internuan nga italianët në Itali dhe Porto Romano, më pas ishin luftëtarë të batalianit ”Besnik Çano” që luftoi edhe në Kosovë për çlirimin e saj. Sulejmani themeloi gjimnazin e Gjakovës dhe qe drejtori i parë i tij.
Në mesnatën e 12 nëntorit, terroristë të armatosur hynë në oborrin e shtëpisë së Lleshëve, ku ishin strehuar demonstrues antifashistë apo ilegalë dhe thirrën emrin e Muharrem Lleshit. Sa u shfaq ai te pragu i derës, një breshëri automatiku e la të të vdekur e të mbuluar me gjak.
Familja tjetër e njohur tiranase që u godit ishte ajo Stërmasi, që kishte nxjerrë njerëz të dëgjuar si Xhaferr Stërmasin, flamurtar i Pavarësisë. I biri, Reshati, i mëkuar me shqiptarizëm dhe dije, kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Itali dhe shërben me devotshmëri në Ushtrinë kombëtare Shqiptare. Në prill të vitit 1939, në shënjë proteste ndaj pushtimit italian, dha dorëheqjen, sepse nuk donte t’u shërbente fashistëve. Mori pjesë në protestat dhe demonstratat antiitaliane. Si nacionalist i kulluar, merr pjesë qysh në vitin 1942 në Organizatën e Ballit Kombëtar dhe në vitin 1943 u caktua komandant i Rinisë së Ballit të Tiranës, të cilën e udhëhoqi në luftë kundër pushtuesve italianë e gjermanë. Ja pse e vranë Reshat Stërmasin!
Gjahut të tyre nuk i shpëtoi as Rifat Tërshana, nga Dibra e Madhe, oficer rekrutimi që shërbeu me përkushtim në Korçë, Fier dhe Durrës. Ndërkohë, ndihmoi edhe Lëvizjen NÇ. Por, nuk e llogaritën, kur e pushkatuan natën e përgjakshme 12 nëntorit.
Terrori masakroi edhe njerës të thjeshtë e të patrazuar në politikë. Lluka Xhumari, nga qyteti i Durrësit, kishte kryer në Itali shkollën teknike dhe ishte bërë mjeshtër në profesionin e tij. Njeri me inisiativë private , hapi një punishte të vogël të cilën e zgjeroi në shoqërinë automobilistike SAKT. E pushkatuan në rrënojat e hotel Bristol sepse ishte njeriu i bisnesit, i inisiativës së lirë, i ekonomisë së tregut.
Po ashtu, edhe Ali Panariti, nga Korça, tregtar i njohur në Tiranë e Durrës, mandej sipërmarrës për ndërtim rrugësh. E morën Aliun nga shtëpia dhe e pushkatuan pa gjyq në breg të lumit të Tiranës, ku e gjetën fëmijët gjysmë të varrosur.
Epilogu i këtij terrori ishte masakrimi i Jorgji Memës, nga një familje patriote e fshatit Shtërmen të Elbasanit. Kishte kryer shkollën Normale, por dëshira e tij ishte t’i shërbente si ushtarak shtetit shqiptar, mandej në funksionin e kryetarit të komunës së Baldushkut e të Mollasit. Jorgji dhe gjithë fisi i Memajve u hodhén në luftën për liri kundër pushtuesve të huaj. Komunistét e arrestuan në Tiranë më 16 nëntor1944 dhe e pushkatuan menjëherë në rrugicën e shkollës “Kristoforidhi”. Tiranasit e mirë e varrosën në oborrin e kësaj shkolle martirin Jorgji Mema.
Për këto krime, nuk i vrau asnjëherë ndërgjegja ata që i urdhëruan. Në raporine plenumit 9-të të PKSH, Enver Hoxha deklaronte : « Thuhet se Kristo Themelko ka vrarë shumë veta me rastin e çlirimit të Tiranës, por çëshja më e rëndësishme është se të gjithë ata që u vranë nga ai, ishin armiq.
Para disa ditësh janë botuar në gazetën « Panorama » disa foto të majorit britanik Oliver, që ndodhej pranë shtabit partizan të Mehmet Shehut dhe që ka hartuar edhe një raport për Luftën e Tiranës, ku thotë : Trupat partizane arrestonin civilë », ndërkohë që arriti të fotografonte edhe një numër civilësh të vrarë prej tyre.
Kështu u mbyll ky akt i terrorizmit komunist që përgjaku Tiranën, për t’i hapur rrugën terrorizmit shtetëror që përgjaku Shqipërinë dhe kombin për gjysmë shekulli me radhë.

Filed Under: Histori Tagged With: – 28 NËNTOR 1944 ), ( 28 TETOR, Uran Butka

Nga ngritja e Flamurit në Shkup deri te shpallja e Pavarësisë në Vlorë

November 27, 2014 by dgreca

Që nga marrja e pushtetit nga xhonturqit, populli ynë do të kalonte tri vitet e tij më të vështira në historinë përfundimtare të pushtimit otoman.
Më 1909,1910,1911,shqiptarët patën përjetimet më të rëndat, me plot vuajtje njerëzore e kombëtare, shkaktuar nga ekspeditat e njëpasnjëshme shkatërrimtare dhe ndëshkimore të ushtrisë pushtuese turke, kundër shprehjes së pakënaqësisë së popullit tonë në trojet e veta etnike.
Të dërmuar nga reprezaljet e pareshtura perandorake, ata nga përkrahës të pa-rezervë, para marrjes së pushtetit, do të ktheheshin në kundërshtar të vendosur, pas ardhjes së xhonturqve në qeveri.
Madje, përpjekjet e pa suksesshme të elitës së atëhershme politike dhe intelektuale shqiptare, para refuzimeve kategorike xhonturke për njësimin e katër vilajeteve, krijimin e një shteti kombëtar dhe pranimin e tij si shtet autonom në kuadër të Perandorisë, siç ishte vepruar edhe nga shtetet tjera ballkanike, para arritjes së pavarësisë së tyre, detyruan deputetët shqiptar që gjendjen e tensionuar nga arenat e luftës, ta bartnin në Parlamentin perandorak otoman.
Atje dhe në atë kohë, siç dëshmohet edhe nga dokumentet historike, në seancën e tretë plenare të Parlamentit turk, mbajtur më 11 janar të vitit 1912, në emër të grupit të 25 deputetëve bashkëkombës dhe popullit shqiptar në përgjithësi, fjalën do ta merrte Hasan Prishtina, i cili me guxim dhe vendosmëri të rrallë, do të deklaronte; nëse edhe kësaj radhe nuk merrni parasysh kërkesat tona të arsyeshme, përsëritur disa herë këtu para jush, si përdorimin e lirë të gjuhës, njohjen e kombit dhe pranimin e shtetit autonom shqiptar në trojet e tij etnike, unë do të jem i pari, ai që me flamurin e lirisë në dorë, do ti prijë popullit tim, për çlirim nga Perandoria.
Sipas një shkrimi të Dr. Kristo Frashërit te “Ora e Shqypnisë” me titull “Hasan Prishtina: 11 janar 1912, fjalimi në Parlamentin turk”, i impresionuar nga fjalët e guximshme të tij, Ismail Qemali, menjëherë pas përfundimit të seancës plenare, do të shkonte në shtëpinë e Hasan Prishtinës, ku që të dy, thellësisht të brengosur, do të bisedonin kokë më kokë dhe gjerë e gjatë për gjendjen e rëndë në trojet shqiptare. (oraeshqypnise.blogspot.com /…/ hasan-prishtina-11-jan…)
Madje, pas shpërndarjes së Parlamentit turk, më 11 janar të vitit 1912,që të nesërmen më 12 janar të atij viti, Hasan Prishtina dhe Ismail Qemali do të takoheshin edhe një herë, në hotelin “Pera Palace”, ku do të merreshin vesh për mbajtjen e një tubimi të fshehtë me pesë-gjashtë deputet të besueshëm shqiptar.
Takimi do të mbahej mbrëmjen e po asaj date(12 janar 1912) në shtëpinë e Syrja Vlorës në lagjen Taksim të Stambollit dhe sipas vendit ku ai u mbajt, në histori do të njihej si “Kuvendi i Taksimit” në të cilin u mor vendim që të organizohej një kryengritje e përgjithshme kombëtare, për çlirimin përfundimtar të trojeve shqiptare nga Perandoria osmane.

Ndaj, nga Stambolli, Hasan Prishtina do të kthehej me urgjencë në Atdhe, në mënyrë që të niste sa më parë përgatitjet për organizmin e Kryengritjes, kurse Ismail Qemali do të ndërmerrte një udhëtim të gjatë nëpër kancelaritë Evropiane për marrjen e pëlqimit të tyre dhe përfitimin e mbështetjes për Shtetin e ri Shqiptar, pavarësia e të cilit parashihej të shpallej po atë vit.
Ishte koha kur Bajram Curri vepronte në Shkup, prej nga mbante lidhje të ngushta me të gjitha qendrat e vendit, dhe me tu njoftuar nga Hasan Prishtina për vendimin e marrë në “Kuvendin e Taksimit”, Shkupi do të kthehej në epiqendër të veprimit kombëtar, ku pa vonuar, ai me bashkëpunëtorët e tij do të formonin “Komitetin për Shpëtim” i cili kishte për detyrë organizimin e kryengritjes në të gjitha trojet shqiptare.
Për këtë qëllim,mbështetur edhe nga gjeneralët e tij,Bajram Curri, Isa Buletini, Zeqir Halili, Bajram Daklani e shumë prijës të tjerë të dalluar kryengritjesh,me nismën e Hasan Prishtinës nga 21 deri më 25 maj të vitit 1912, do të mbahej Kuvendi i Junikut,ku do të vendosej për shpalljen e Kryengritjes së Përgjithshme Kombëtare.
Menjëherë pas vendimit për nisjen e luftimeve, forcat kryengritëse, nga maji deri në fillim-gushtin e vitit 1912 do të çlironin shumicën e vendbanimeve më të mëdha dhe qytetet kryesore shqiptare.
Sukseset e një pas njëshme të Luftës së Përgjithshme, nxitën krerët e kryengritjes me në krye Hasan Prishtinën, që më 9 gusht të vitit 1912,ti paraqisnin Memorandumin e fundit komisionit qeveritar xhonturk, me një ultimatum prej 48 orësh, për plotësimin e kërkesave të shqiptarëve, para se kryengritësit ta çlironin edhe Shkupin.

Megjithatë qeveria kryeneçe xhonturke, nuk do tu kthente asnjë përgjigje atyre, ndaj luftëtarët shqiptar, tanimë të grumbulluar në Ferizaj, ndërmorën të gjitha masat e nevojshme paraprake për çlirimin përfundimtar të kryeqytetit të atëhershëm të Kosovës.
Me vendimin e Hasan Prishtinës,plani për çlirimin e Shkupit, do ti besohej Bajram Currit, ai ishte gjenerali që njihte më së miri kryeqytetin e Dardanisë, secilën pjesë dhe çdo rrugë e rrugicë të tij, ndaj pas çlirimit të Prishtinës, Bajram Curri me 6000 luftëtarë, ishte vendosur në Ferizaj, dhe priste sinjalin nga Hasan Prishtina për nisjen e sulmit.

Kurse për “Bajraktar” dhe arkitekt të ngritjes së Flamurit mbi Shkupin e lirë, ngjarjes më madhore që pas rreth 5 shekujsh sundimi turk,pritej të ndodhte ato ditë, zgjodhi Bajram Daklanin, i cili siç e thoshte edhe kënga; “ai e kishte adet, nga një Qaush me vra për vjet”, njëri nga prijësit më të besueshëm të kryengritjes, në radhët e udhëheqësve që kishin mësy Kryeqytetin Dardan.
Bajram Daklani, si udhëheqësi kryesor i luftës nga Krasniqja e Reka,bënte pjesë në grupin e rangut të prijësve madhor të kryengritjes së përgjithshme kombëtare, ndaj, Bajram Curri personalisht, do ta pajiste atë me një Flamur të madh Shqiptar dhe vinte në krye të 200 luftëtarëve, me detyrën që të hynte i pari nga të parët në Kryeqytet dhe vendoste Flamurin Kombëtar të fitores mbi Shkup.
Kështu edhe do të ndodhte kur më 12 gusht të vitit 1912,në krye të 200 bashkëluftëtarëve pararojë, nga Ferizaj do të futej triumfalisht në kryeqytetin e sapoçliruar të Kosovës, ku edhe sipas gazetës “Shkupi” të datës19 gusht të vitit 1912, pas 500 vjetësh sundimi turk, Bajram Daklani i pari do ta ngrinte lartë dhe me krenari, Flamurin Kombëtar të fitores.

Ndërsa Hasan Prishtina dhe udhëheqësit kryesor të kryengritjes; Bajram Curri, Isa Buletini, Idriz Seferi, Mehmet Deralla, etj., nga 13 gushti do të arrinin njëri pas tjetrit në Kryeqytetin Dardan, në të cilin do të vërshonin mbi 30 mijë luftëtarët shqiptar nga të gjitha anët e trojeve shqiptare, anipse shumica nga ta, pa armatim të duhur apo edhe vetëm me nga një thikë a kobure në brez, por ushtarë të vendosur të cilët kishin vendosur të luftonin me të gjitha mjetet, për çlirimin e vendit të tyre. 

Pas çlirimit të kryeqytetit të Kosovës, Udhëheqja Shqiptare e luftës, si në Shkup ashtu edhe në qytetet e tjera të çliruara shqiptare do t`i shkarkonte të gjithë qeveritarët dhe administratorët turq, duke liruar nga çdo funksion edhe përkrahësit e mbetur fanatik të Perandorisë së shuar osmane, pushtueses së kamotshme të shqiptarëve.

Kurse Bajram Curri, pasi mori postë-telegrafin, ai me bashkëluftëtarët e tij, liroi nga burgu edhe rreth 1000 të burgosurit shqiptarë, të mbyllur pa të drejtë nga xhonturqit atje, qysh para çlirimit të vendit.
Pas çlirimit të Shkupit si kryeqytet i vilajetit të Kosovës, do të trazohej e gjithë qeveria xhonturke, madje kjo ngjarje historike për kombin dhe popullin shqiptar në tërësi, do ta rrëzonte edhe vet kryeministrin e atëhershëm të Perandorisë osmane, Seid Pasha-in, nga pushteti perandorak.

Fatkeqësisht, suksesit të kryengritësve shqiptar, nuk do tu gëzoheshin si pushtuesit otoman,ashtu edhe Rusia si dhe vendet hegjemoniste përreth, me ç ‘rast, sipas Dr.Hakif Bajramit, vetëm tri dit pas ngritjes së Flamurit Kombëtar në Shkup, më 15 gusht të vitit 1912,nga Beogradi në Shkup do të arrinin tre diplomat të lartë evropian, një rus, një anglez dhe një austriak.

Ata, në vend të urimit për çlirimin e vendit, do tu dorëzonin shqiptarëve një ultimatum, me të cilin kërkonin ndalimin e të gjitha luftimeve, çarmatosjen e menjëhershme dhe demobilizimin e të gjithë kryengritësve, me arsyetimin se shqiptarët do ta kishin të drejtën e gjuhës dhe shkollimit, por nuk do të pranohej ndryshimi i kufijve të Perandorisë me forcën e armëve.
Hasan Prishtina me gjeneralët e tij, Bajram Currin, Isa Buletinin, Idriz Seferin, Bajram Daklanin etj, do të ngulnin këmbë në të drejtën e çlirimit të vendit dhe formimin e shtetit kombëtar, siç kishin vepruar edhe popujt tjerë më përpara.
Ndaj ,sipas historianit Dr. Hakif Bajrami, në Shkup dhe rrethinë për 4 ditë me radhë, do të thirrej gjendja e jashtëzakonshme, kohë kur pas ndërrimit të kryeministrit turk, më 18 gusht të vitit 1912 do të arrinte edhe përgjigja e qeverisë perandorake, sipas së cilës, do të pranoheshin,12 nga 14 pikat e parashtruara në emër të popullit shqiptar, nga Hasan Prishtina.
Me këtë vendim, mjerisht vërtetohej edhe një herë më tepër se edhe në momentet e fundit, kur Perandoria otomane jepte shpirt, turqit ende refuzonin njohjen e kombit tonë dhe pranimin e shtetit autonom shqiptar, qoftë edhe në kuadër të Perandorisë së tyre, tashmë në grahmat e fundit të vdekjes.
Dy pikat e refuzuara, ishin kërkesat për njohjen e kombit dhe pranimin e shtetit. Ato ishin kërkesat kryesore dhe kishin domethënie të veçantë për ardhmërinë e Shqipërisë dhe Popullit Shqiptar në përgjithësi, për të cilat, më shumë se për gjithçka tjetër kryengritësit gjatë gjithë kohës kishin luftuar dhe ishin përpjekur pa reshtur duke dhënë çdo gjë nga vetja. Ndaj, mospranimi i tyre vinte tërësisht në pikëpyetje edhe ekzistencën e shqiptarëve në Ballkan.

Madje “mikja jonë e madhe“Turqia, “dashurinë” e saj të pashuar për popullit tonë e ka ruajtur pothuajse të njëjtë si dikur, të plotë dhe të pa lëkundur qysh nga shekujt e gjatë nën pushtimin e saj. Ajo, nga atëherë,nuk ka ndryshuar fare mendje as qëndrim ndaj këtij kombi dhe njëjtë si para shumë shekujsh, as tani nuk ua njeh gjuhën as pranon kombësinë miliona shqiptarëve, të cilët ende, edhe sot e kësaj dite, ndoshta si i vetmi popull në Turqi dhe rajon, jetojnë pa të drejta kombëtare dhe pa asnjë shkollë të vetme në gjuhën e tyre.

Perandoria turke edhe në muajt e fundit të vitit 1912,dhe pothuajse fundin e vet ekzistencës si perandori, në vend sa ta njihte dhe pranonte Shtetin tonë të Pavarur, vazhdonte edhe më tej, me kokëfortësi të deklaronte se si tokat shqiptare i takonin Perandorisë së saj.

Ndaj, pretendimi turk mbi trojet tona, u kthye në fatkeqësi për shqiptarët dhe pretekst për Serbinë, Malin e Zi, Greqinë dhe Bullgarinë, të cilat, në emër të “çlirimit” të popujve ortodoksë nga shteti “osman” të ndihmuara poashtu nga Rusia ,në tetor të vitit 1912, do ti shpallnin luftë Turqisë, për të pushtuar me forcën e armëve, tokat shqiptare.
Atëbotë, edhe të ashtuquajturat Fuqi të Mëdha si Rusia dhe Franca nuk pranonin krijimin e asnjëfar shteti shqiptar, sado i vogël dhe i kufizuar qoftë ai, kurse Anglia dhe Italia, nuk pajtoheshin me formimin e një shteti të pavarur në hapsirat e kufijve të Shqipërisë etnike në Ballkan.
Ndaj, megjithëse më 28 Nëntor të vitit 1912, Shqipëria do të shpallte Pavarësinë kombëtare dhe kërkonte njohjen e shtetit të sapo-shpallur si dhe tërheqjen e ushtrive pushtuese të shteteve fqinje, të cilat pothuajse kishin zaptuar të gjitha trojet tona kombëtare nga të katër anët, Fuqitë e Mëdha, për rreth një vit, gati sa heshtën fare.
Kurse pas një viti, po ato do ti shpërblenin -jo shqiptarët, por agresorët me më tepër se gjysmën e trojeve tona të pushtuara që më parë duke pranuar vetëm rreth gjysmën e mbetur të tyre, si gjysmë-shteti shqiptar, sipas vizatimit famoz më datën 29 korrik të vitit 1913, nga ambasadorët e Fuqive vendimmarrëse në Konferencën e Londrës.

Megjithatë, që nga koha e shpalljes së Pavarësisë u dashtë shumë mund e përpjekje, madje edhe luftëra të brendshme e të jashtme për mbrojtjen e këtij shteti edhe aq sa ai ishte, nga armiqtë e shumtë të cilët synonin zhdukjen e tij.

Madje, edhe përpjekjet e brendshme pa ndihmën e miqve të mëdhenj e besnik nga jashtë, siç u dëshmua disa herë gjatë historisë nuk do të mjaftonin pa ndërhyrjen e tyre ,siç ishte rasti me mbështetjen e vendosur të Presidentit Wilson Widrow në konferencën e Paqes më 1919 në Parisë, kohë kur ende tentohej copëtimi edhe i asaj pjese të mbetur brenda kufijve të Shqipërisë londineze.
Kontribut të madh në këtë drejtim do të ipte Vatra në Amerikë e cila nga atje me zjarrin e pa shuar kombëtar, ngrohte zemrat e të gjithë shqiptarëve me përpjekjet e saj, jo vetëm duke zhvilluar fushatën e mirënjohur nga qershori i vitit 1917, për shpëtimin e Atdheut gjatë luftës së parë botrore, por edhe duke lobuar deri tek kryetari Amerikan Winston Wodrow.
Kohë kjo- kur Fan Noli i frymëzuar nga takimi me Presidentin Winston dhe premtimet e tij për mbrojtjen e Shqipërisë, do të shkruante vargjet famoze të mbetura testament në histori, të cilat edhe sot e kësaj dite me dëshir dhe besim këndohen nga shqiptarët kudo:
“Mbahu Nëno mos ke frikë
Se ke djemtë në Amerikë”.
Megjithatë,Fuqitë e Mëdha pas Luftës së Parë Botërore kërkonin rishikimin e kufijve dhe ndarje të reja në Ballkan, ndaj në qershor të vitit 1919, në prag të mbajtjes së Konferencës së Versajës,Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Woodrow Winston,në emër të shqiptarëve edhe Hasan Prishtina do ti dërgonte një letër për mbrojtjen e Shtetit Shqiptar ende të pa mëkëmbur si duhet, i cili rrezikohej me copëtime të mëtejme,nga Greqia dhe Italia që tanimë kishte pushtuar Vlorën.
I entuziazmuar nga përpjekjet e pareshtura kombëtare, patrioti Sotir Kolea,në gazetën dyjavore shqiptare,”L`Albanie”, e cila botohej në gjuhën frënge në Lozanë të Zvicrës, do të shkruante;populli ynë nuk do të gjente përfaqësues më besnik se sa grupi i atdhetarëve të udhëhequr nga Hasan Bej Prishtina”.
Kështu që,festa jonë-28 Nëntori, përveç si festë gjithëkombëtare, është edhe një ditë nderimi dhe mirënjohjeje të veçantë ndaj mikes tonë të madhe- SHBA-s, me falënderimet më të mira,si për Presidentin e28-t, të saj, Winston Wodrow, i cili më 1919 në Konferencën e Versajës, mbështeti vendosmërisht Shqipërinë dhe garantoi ekzistencën e saj,ashtu edhe për Presidentin Bill Klinton dhe George W. Bush, si dhe Shtetin mik të Amerikës në përgjithësi.
SHBA edhe në kohët më të reja ndihmoi Dardaninë e vjetër dhe shpëtoi popullin e saj shqiptar nga tërbimi serb,e cila në krye të NATO-s, me sulmet 78 ditëshe-ajrore nga 24 marsi i vitit 1999, gjunjëzoi Serbinë dhe detyroj tërheqjen e saj si okupatore nga Kosova.
Poashtu,edhe mëvetësinë Kosova do ta arrinte vetëm pas deklarimit të Presidentit Amerikan George W. Bush,me rastin e vizitës së tij më 10 qershor të vitit 2007, në Shqipëri, i cili garantoi të gjithë shqiptarët, se ajo së shpejti do të jetë e pavarur.
Ndaj, 28 Nëntori,ashtu siç është një festë gëzimi për të gjithë ne, është edhe një ditë falënderimi me pietet për miken më të madhe të popullit tonë-SHBA-t, si dhe një datë kujtimi për të gjithë ata të cilët që nga vitit 1878,e këtej luftuan për lirinë dhe dinjitetin e të gjithë shqiptarëve, mbajtën gjallë shpresat e tyre se një ditë edhe ne do të jetojmë në një shtet të pa varur dhe të përbashkët kombëtar,duke dhënë jetën dhe sakrifikuar çdo gjë nga vetja që ne sot të jetojmë të lirë. Gëzuar!

Gani Bajram Qarri,28 Nëntor 2014 Cyrih

Filed Under: Histori Tagged With: Gani Qarri, Ngritja e Flamurit, Shkup-Vlore

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 560
  • 561
  • 562
  • 563
  • 564
  • …
  • 697
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”
  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT