• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Dija“ e Vjenës- 110 vjet në altarin e progresit kombëtar

January 4, 2015 by dgreca

Shkruan:Hazir Mehmeti, Vjenë/
Shqiptarët kudo që u gjenden jashtë territoreve etnike në Evropë, Amerikë e Azi, në fillim shekullin e njëzet kishin përqendruar veprimtarinë në jetësimin e idealeve të rilindësve në bërjen e alfabetit dhe shtetit shqiptar. Sundimi i gjatë turk e kishte dëmtuar çdo gjë shqiptare, në radhë të parë gjuhën, trashëgiminë kulturore, fetare, zakonet. Edhe në trevat shqiptare filloi të ndihet rritja në kërkim të identitetit kombëtar për çka duhej liria dhe shteti i lirë. Idetë e tyre të shprehura natyrshëm e me forcë magjike të trashëguar bashkë me lashtësinë e Maleve Shqiptare u shkruan, rishkruan gjithandej shtypit të kohës krahas brumosjes së tyre në zemrat dhe mendjet shqiptare.
Kështu ndodhi edhe në Vjenë ku studionin intelektualë tani të njohur në histori bërjen kombëtare. Në fletushka dhe gazeta kohe u botuan vargjet e Naim Frashërit, dhe vepra e jeta e tij në fillimin e Shekullit të Pavarësisë nga “Kolonia Shqiptare e Austrisë”. Studentë e intelektualë, të mbledhur rreth “grupit iniciues”, krahas botimeve ndërtuan struktura organizative me programe të fuqishme me interes kombëtar.
Vetë shprehja e emrit të shoqërisë “Liria” është synonim i qëllimit, diç krejt e kuptueshme e natyrore e cila pas pak vitesh do ndërron emër në shoqërinë “Dija”. Ditëlindja e “Dijës” është pikërisht 27 dhjetori i vitit 1904, kur tani mbush plot njëqind e dhjetë vjet. Emrat e Dr.Gjergj Pekmezit, kryetar, Hilë Mosit, Kristo A Dako, Kolë Kodheli, Dervish Hima, Ndue Paluca (Batusha), Kolë Rrota, Simon Kadarja, Gaspër Beltoja, Gaspër Mikeli, Kolë Margjini, Lec Çurçia dhe po aq të tjerë do jenë emra të respektuar në letërsinë, kulturën dhe historinë kombëtare. Shoqëria e intelektualëve shqiptarë i kishte vënë vetit qëllime patriotike.
Kontributi në arsimimin dhe ngritjen kulturor nisi në hartimin dhe botimin e librave, duke filluar nga abetarja në vitin 1903 dhe e dërguar në atdhe, ndihma në formën dhe krijimin e alfabetit të përbashkët në shqip, gramatika e gjuhës shqipe dedikuar gjermanofolësve dhe atij shqiptar, ndër të parat në Evropë nga intelektuali patriot Dr. Gjergj Pekmezi. Sekretar i Shoqërisë ishte Hilë Mosi, i cili botonte nën pseudonimin Sokoli, ashtu siç bënin edhe shumë veprimtarë të tjerë për shkak të përndjekjeve nga autoritet pushtuese turke të kohës në territoret shqiptare.
Edhe vet “Dija” për një kohë do jetë shoqëri gjysmë ilegale deri në krijimin e rrethanave të favorshme shoqërore e juridike kur do veproj legalisht. Hil Mosi i shkruan Asdrenit në Bukuresht se regjistrimi i “Dija”-es ishte bërë e mundur me 29 mars 1907. Statuti i shoqërisë i botuar në fletushkë dallohet për nga rregullsia e shkrimit dhe renditjes së neneve në shtrirjen e tyre sipas ligjeve dhe strukturës përcaktuese funksionale e praktike.
“Shoqëria “Dija” e ka selinë e saj në Vjenë me degën e saj në Raguzë” shkruan neni i parë i statutit. Pika dy: ”Qëllimi i Shoqatës është ngritja e arsimimit të shqiptarëve duke e kultivuar gjuhën e letërsinë shqipe”. Nga këtu shihet lidhja e intelektualëve të Vjenës me intelektual në Raguzë (Dubrovnik) në krye me z.Nikollë Ivanaj, një veprimtar i çështjes kombëtare i lindur në Triepsh të Grudës, i shkolluar një kohë në Vjenë dhe mbrojtës i platformës së Rilindjes kombëtare në formim të shtetit shqiptar.
Për kohë të shkurtër nëndegët e Shoqatës “Dija” do formohen edhe në Prizren, Shkodër, Tiranë krahas atyre në disa qytete brenda Austrisë ku vepronin aktivistë të njohur për çështjen shqiptare, si në Grac, Kllagenfurt, Strebendorf. Çdo vit shtohen degët e “Dija”-es ku dy vjet më pas mbas një letërkëmbimi intensiv mes Vjenës dhe Bukureshtit, Asdreni i dërgon Vjenës procesverbalin e plotë mbi formimin e degës së “Dija”es në Bukuresht më 16 dhjetor 1906 në përbërje prej njëzet anëtarëve. Data historike 27 dhjetor 1904 shënohet mes tjerash edhe me formimin e degës në Shkup, 27 dhjetor 1906.
Do ishte jetëshkurtër veprimtaria pa intelektualë të rinj e të shkolluar po të mos sjellshin studentë të rinj nga trevat shqiptare për studime në UN austriake Vjenë, Graz, Insbruk. Ky aktivitet u mbështet fuqishëm nga miqtë e shumtë austriak dhe të personaliteteve të njohura shqiptare si Faik Konica, Hil Mosi, Aleks Drenova, Visar Dodoni, Nikollë Ivanaj, Petro Nini Luarasi e të tjerë.
Nën përkujdesjen e “Dija”- së u botuan tekste në shqip për trevat shqiptare aq të nevojshme. Ndër të parat “Abetarja” me autor Ndue Palucen, kalendari “Shqiptari”, “Këndime për shkollat e para shqipe”, “Gramatika…për përdorim t’femijve”, “Libri i dytë i knoitorës shqype për shkollë në Shqypni” etj.
Pa dyshim botimi i kalendarit është me vlera të veçanta, krahas gjuhëve tjera që botonin kalendarë, në gjuhën shqipe ketër rol e marrin shoqëritë shqiptare në Sofje, Vjenë dhe Stamboll. Në Vjenë Kalendari botohet në vitin 1906 me alfabetin e shoqërisë “Bashkimi” ku përfshihen ndodhitë kryesore të vitit 1905. E veçantë shënohet masakrimi nga grekët i Papa Kristo-Negovanit.
Sipas korrespondencës mes dy kolosëve të kohës Hil Mosi në Vjenë dhe Aleks Drenova-Asdreni në Bukuresht, del se me përpjekjet e kryetarit, Dr.Gjergj Pekmezi në vitin 1906 janë shtypur dymijë ekzemplarë të kalendarit. Shqetësimi rreth formësimit të një alfabeti të përbashkët ishte i madh në mesin e intelektualëve patriotë në Austri. Po veçojmë artikullin “Alfabetet apo sëmundja e quajtur alfabetitis“. Artikulli fillon: “ Si kundër që s’kemi një gjuhë të përgjithshme, ashtu edhe që alfabet të njohur prej të gjithëve as e kemi, as nuk e patëm as për shumë kohë si duket nuk do të mund ta kemi”. Më tutje në Kalendar në faqen 19-të lexojmë: ”Të mos gënjehemi me shpresa e lajka, se duhet punë, dhe prapë punë. Me të punuar zgjohet kombësia, me punë do të hapim sytë, do të lulëzojmë vendin, e do të çelim rrugët e parajsës e lumturisë. Ngrihuni pra o vëllezër nga ky gjumë i rëndë…”
Në kalendar gjejmë rubrikën e të dhënave meteorologjike, të datave kur janë festat fetare katolike, myslimane, ortodokse, bektashiane, rubrikën gjeografike rreth tokës, ekuatorit, sipërfaqeve të kontinenteve, lartësitë e maleve, thellësitë e deteve, lumenj, liqene. Për herë të parë shoqëria nxjerr hartën e parë e viseve të Alpeve Shqiptare, një fakt historikun e hartave të trevave shqiptare. Po ashtu i kushtohet rëndësi popullsisë së vendeve, qyteteve, ekonomisë e bujqësisë.
Në pjesën e kulturës botohen tregime, përralla e vjersha nga rinia shqiptare, këngë et. Kalendari tani ishte bërë një thesar shkrimesh nga më të ndryshmet ku botonin krijuesit nga radhët e studentëve e intelektualëve shqiptarë në Austri. Në Pjesën e Kombëtares botohen prozë e poezi nga Hil Mosi. Janë për tu përmendur ato në Kalendarin e vitit 1907 i shkruar sipas alfabetit të shoqërisë “Agimi” . Pastaj botime të Naim Frashërit, Asdrenit, Ghergh Gega (pseudonim), Mido Akasari, (pseudonim), Orli (Simon Kadare), Pa dyshim sukses i shoqërisë “Dija” ishte botimi i “Gramatikës”-Albanische Gramatik, e cila do ketë një përdorim të gjerë në mësimin e shqipes në trevat shqiptare dhe jashtë tyre. Kjo vepër historike e Dr. Gjergj Pekmezit edhe sot ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë e botuara para alfabetit të Kongresit të Manastirit.
Nga shkrimet e kohës shihen efektet e fuqishme të “Dija” es në qendrat e tjera të kohës ku kishte shoqëri të fuqishme shqiptare si në Bukuresht, Stamboll, Raguzë, Boston, Kairo. Duke e parë veprimin legal të “Dija”-es dhe përkrahjen e saj nga autoritetet vendore kishte edhe propozime që shoqëritë shqiptare të shkriheshin në një të përbashkët me emrin “Dija”.
Kështu kryetari i shoqërisë “Djalëria Shqiptare” do propozonte në një mbledhje me krypleqëninë e “Dija”-së se do bëhet një degë e saj me qëllim unifikimi të veprimtarisë kombëtare. Ose, letra e “Dija”-së dërguar shoqërisë patriotike shqiptare “Bashkimit” të Bukureshtit me propozimin për bashkimin e tyre. Edhe pse kjo nuk ndodhi ishte një ide e bashkimit të qëndrimeve dhe veprimeve me interes kombëtar në atë periudhë. Vlera e veprimtarisë në letërsi e politikë është e pazëvendësueshëm. Botohen: “Shkronjëtoren shqip për gjermanët”-“Alb. Gramatik” nga Dr.Gjergj Pekmezi, Kalendarët e viteve 1906/7/8/ , të 1910-ës e shtyp në Manastir, “Këndime për shkollat e para të Shqypnisë”, Këto tekste pas Kongresit të Manastirit botohen me alfabetin e miratuar nga Kongresi si p.sh.”Këndime për të rritshmit”, “Gramatika, e folmja e shqipes”, “Lehrend Lesebuch des Albanisches”nga Lambertzi dhe Dr. Pekmezi etj.
Shoqëria “Dija” më 12 Janar të vitit 1916 e fillon botimin e gazetës “Vëllazënija” e dyjavëshe fillimisht e pastaj javore. Kryeredaktor ishte Leo Freundlich, i njohur me veprën e tij “Albaniens Golgotha” ku zbulon gjenocidin e ushtrisë serbe mbi popullin shqiptar të Kosovës etj. Për gjatë tri vjetëve u botuan 110 numra të “Vëllaznija”-së me shumë materiale nga lufta, arsimi e kultura, analiza e shkrime mbi hapjen e shkollave shqipe. Kjo gazetë dallohet me shkrimin e saj të shoqëruar me fotografi që nuk i hasim në gazetat tjera të kohës.
Pa dyshim veprimtaria e shoqërisë “Dija” të Vjenës është një gurë i çmuar në themelet e shtetit dhe kombit shqiptar. Veprimtarët patriot që përbënë këtë shoqëri, janë sot emra që shkëlqejnë në historinë e kulturën kombëtare. Andaj, nderimi dhe respekti në gjenerata është detyrim moral. Edhe, i dy shteteve shqiptare.
nëntor-dhjetor 2014, Vjenë
Dr.Gjergj Pekmezi, kryetar i shoqërisë “Dija”, Vjenë dhe Nikollë Ivanaj i degës në Raguzë
Lieteratura:
“Vellaznija” nr.1 Kallënuer 2016, Vjenë
“Vellaznija” nr.59 Maj, 1917, Vjenë
Prof.Dr.Uran Asllani:”Studentët shqipëtar të Austrisë dhe veprimtaria e tyre”-2000, Tiranë/f.111,
Kalendar, 1906, f.18/f.19-Shoqëria “Dija”, Wien, 1906
Kalendar, 1910, f.26,27, -Shoqëria “Dija”, Wien, 1910, botimi Manastir
Statuten des Vereines “Dija”- Nr:455.360-A f.1,2/ -1904 Wien
Ak.Shk.Shq:”Fjalori Enciklopedik Shqiptar-2” f.1055/1056 -2008v –Tiranë
Ak.Shk.Shq:”Fjalori Enciklopedik Shqiptar-3” f.1976/1977//f.1804/ -2009, Tiranë
Wikippedia: Papa Kristo Negovani,
Wikippedia:Petro Nini Luarasi
Leo Freundlich: “Albaniens Golgodha” 1913, Wien
Leo Freundlich:”Die Albanische Korrespondenz…” Münich, 2012

Filed Under: Histori Tagged With: “Dija“ e Vjenës- 110 vjet në altarin, e progresit kombëtar, Hazir Mehmeti

2014/ In this fifth annual NATO membership

January 2, 2015 by dgreca

Reverence and respect for the Albanian people, who despite a wild multi-year dictatorship, kept in mind spirit and desire to join the North Atlantic Alliance as the most successful alliance in world history, for maintaining peace and security in difficult periods of instability and uncertainty in different countries and regions of the world
For Albanians, peace is sacred and our people have treasured it for century. After 90s, about 90%, more than other nations, saw and has seen this alliance as guarantee for peace in the world.
As a result of our people’s belief in the values of this alliance, Albania was among the first countries to become an active part of the initiative for Partnership for Peace program {PfP}, despite economic difficulties, limited resources and the fragility of democratic institutions undergoing in this protracted period of transition.
Finally, the Bucharest Summit on April 2, 2009, justified the almost 50-year dream of the Albanian people, who already is aware of the lost time on his way to integration in modern society, through the inclusion and commitment to Euro-Atlantic security structures.
Even simple sailors or their leaders after ’80, largely viewed the actions of the dictatorship against the alliance as funny, while performing the tasks blindly and obedient, in heart and mind they admired alliance. Despite our sailors navigate the seas and oceans across the world they didn’t create any incident with NATO ships or US fleet in the world.
Reverence and respect for all former prisoners and political persecuted, no matter that despite endless ordeal of suffering, in dungeon dictatorship, they kept alive the dream of Albania being part of the NATO Alliance.
Reverence and respect for Albanians in the Diaspora who supported the diversified efforts of our country’s membership in NATO, and many of them have been military alliance since its creation.
Reverence and respect for our port workers, graciously welcomed anchoring of NATO ships, thus facilitating their mooring to ensure our ports.
Reverence and respect to our sailors, who on December 4th 1992, made the first agreement of cooperation with NATO, regarding former Yugoslavia embargo, despite that we were not a member of alliance yet. Reverence and respect for the crews of two torpedo-boats and 3 sailors squad, who in spring 1993, generously hosted with perfect military ceremony, Secretary General of NATO, His Excellency, Mr. Manfred Werner and Commander of NATO, Four stars General, Vincent.
Reverence and respect for all our military personnel, Navy, Army and Air Forces, who participated in the first joint training peacekeeping SAR-EX-01, beside the US Navy Marines, and marking the first cooperation with friendly NATO troupes, after half a century of Cold War.
Reverence and respect for all Albanian citizens, from Durres to Vlora, from Saranda to Shngjin, from Kavaja to Shkodra and Tirana, throughout South to North, East to West, since early 90s, they rise against conservative of that time, and applied tradition of loyal and mahogany of the Albanian people for his guest, which in these cases were NATO.
Reverence and respect for our Armed Forces, who in recent years have been an integral part of the operations and principal activities of NATO, even giving the first martyrs, as Captain Feti Vogli, a common hero of the Albanian people and alliance. While the participation of the Albanian Armed Forces in the activities of the Atlantic Alliance and its partner countries is a great experience and very helpful, showing that we share common values with NATO, and also able to put these values in function of peace and security.
Reverence and respect for all retired and former military, with pain, caution and prudence, supported democratic processes in this country, as well as reforms undertaken in the framework of the reform of the Armed Forces transformation.
Reverence and respect for recruit corps of Albania who with dedication and professionalism is working to achieve the standards required by the alliance in the Armed Forces.
Reverence and respect for all our military personnel that are part of joint missions beside the alliance, by glorifying the name, flag, honor and pride of the eagle country.
Reverence and respect to the people of Alliance countries, political, economic, diplomatic and military, that helped resolving Kosovo issues, giving them the missing breath.
Reverence and respect for the American people, the US military, with whom friendship and cooperation has been very significant and useful, because it reflected peace, prosperity, security and stability for the Albanian nation, as our renaissance dreamed for. After nearly 60 years later, US donated a very special plan Marshall to the Albanian nation, which is helping it to successfully overcome the geopolitical challenges of the new millennium, in time and space. US presence in the region is an integral part of the security process and contributes to the peace and stability in the region and Europe. Therefore Albanians should be grateful to American people forever and ever.
Reverence and respect for all of our media journalists, who during these years, with truth and realism, followed the activities of the Joint Armed Forces of Albania and alliance.
Finally, reverence and respect for all Albanians celebrated April 2, 5th anniversary of Albania’s membership in NATO, together, in the right place, without prejudice perennial generations have caused us loss.
Shefqet Kërcelli

Filed Under: Histori Tagged With: 2014/ In this, fifth annual NATO, membership, Shefqet Kercelli

2014-ta/ Përvjetori i 5- të i anëtarësimit në NATO….

January 2, 2015 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/
Vti që lamë pas shënoi dhe përvjetorin e 5-të të anëtarësimit në NATO të vendit tonë. Me këtë rast shkon një urim dhe nderim për atë cka bënë shqiptarët në vite derisa arritën në këtë pranim historik, në aleancën më të sukseshme e jetë gjatë në botë. Nderim dhe respekt për popullin shqiptar, që pamvarësisht diktaturës së egër shumëvjecare e ruajti në shpirt dhe mendje dëshirën për tu anëtarësuar në aleancën VeriAtlantike, si aleanca më e suksesshme në historinë botërore, për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në periudha të vështira të destabilitetit dhe pasigurisë në vende e rajone të ndyshme të botës. Për shqiptarët, paqja është e shenjtë dhe populli ynë e ka cmuar atë në shekuj. Ndaj populli ynë mbas viteve ’90, në masën mbi 90% , më shumë se popujt e tjerë, e shihte dhe e sheh këtë aleancë si garanten e paqes në botë. Si rezultat i bindjes së popullit tonë në vlerat e aleancës, Shqipëria ishte nga vendet e para që u bë pjesë aktive e iniciativës së Partneritetit për Paqe {PfP}, pamvarësisht vështirësive ekonomike, resurseve të kufizuara dhe brishtësisë së institucioneve demokratike që po kalon dhe aktualisht, në këtë periudhë të stërgjatur tranzicioni. Më në fund Samiti i Bukureshtit i 2 Prillit 2009, përligji ëndrën thuajse 50 vjecare të popullit shqiptar, që tashmë është i ndërgjegjshëm për të fituar kohën e humbur në rrugën e tij të integrimit në shoqërinë moderne, nëpërmjet përfshirjes e angazhimit në strukturat e sigurisë Euroatlantike. Nderim dhe respekt për marinarët tanë civilë dhe ushtarakë që me veprimet e bindjet e tyre, herë fshehurazi dhe herë haptazi, zgjuan ndërgjegjen e qytetarëve për të vërtetën e aleancës dhe rolin e saj në shërbim të paqes. Madje si marinarët e thjeshtë ashtu dhe drejtuesit e tyre mbas viteve ’80, në masë të madhe i shikonin veprimet e diktaturës kundër aleancës si qesharake. Ndërsa kryenin detyrën të bindur verbërisht, në mentalitet e zemër admironin aleancën. Po ashtu, detarët tanë pamvarësisht se i binin deteve dhe oqeaneve kryq e tërthor, nuk krijuan asnjë incident me anijet e NATO-s e Flotave të SHBA kudo në botë.
Nderim dhe respekt për të gjithë ish të burgosurit e të persektuarit politikë, që pamvarësisht kalvarit e vuajtjeve pafund në birucat e diktaturës, mbajtën gjallë ëndrrën se dikur Shqipëria do jetë pjesë e Aleancës. Nderim dhe respekt për shqiptarët e diasporës që me përpjekje të shumëllojëshme përkrahën anëtarësimin e vendit tonë në NATO, madje shumë prej tyre kanë qenë ushtarakë të aleancës që në krijimin e saj, por si shtetas të tjerë. Nderim dhe respekt për omeraxhatorët e porteve tona, që me dashamirësi pritën pandolat e lidhën cimat e anijeve të NATO-s, duke lehtësuar e siguruar bregëzimin e tyre në portet tona. Nderim dhe respekt për kuadrot tanë detarë, të cilët më 4 dhjetor 1992, nënshkruan për herë të parë marëveshjen e bashkëpunimit me NATO-n, për embargon ndaj ishJugosllavisë, dokumenti i parë historik i bashkëpunimit me aleancën, pamvarësisht se ne nuk ishim vend anëtar. Nderim dhe respekt për ekuipazhet e 2 cifteve Katër Silurues{KS} dhe 3 kuadrateve të marinarëve, që në pranverën e vitit 1993, pritën bujarisht e me ceremonial të përsosur ushtarak, Sekretarin e Përgjitshëm të NATO-s, Shkëlqesinë e Tij, z.Manfred Vërner dhe Komandantin e NATO-s, Gjeneral me 4 yje, Vinsent. Nderim dhe respekt për të gjithë ushtarakët shqiptarë, marinarë, gjitharmësh dhe ajrorë, që morën pjesë në stërvitjen e parë të përbashkët paqeruajtëse SAR-EX-01, me marinsat e Flotën e SHBA, që shënon dhe ballafaqimin e parë miqësor ushtarak me ushtarakët e NATO-s, mbas gjysëm shekulli Lufte të Ftohtë. Nderim dhe respekt për të gjithë qytetarët shqiptarë, nga Durrësi në Vlorë, nga Saranda në Shëngjin, nga Kavaja në Shkodër e Tiranë, gjithandej Jug-Veri, Lindje-Perëndim, që në fillim vitet ’90, u ngritën mbi konservatorizimin e kohës dhe bujarisht zbatuan traditën e sofrës e besës shqiptare për mikun e parë, që në këto raste ishin ushtarakët e NATO-s. Nderim dhe respekt për Forcat tona të Armatosura, që në këto vite kanë qenë pjesë përbërëse e operacioneve dhe aktiviteteve kryesore të NATO-s, madje duke dhënë dhe dëshmorët e parë, si kapiten Feti Vogli, një hero i përbashkët i popullit shqiptar dhe alenacës. Ndërkohë pjesmarja e FA Shqiptare në veprimtaritë e Aleancës Atlantike dhe vendet partnere të saj është një përvojë e shkëlqyer dhe tepër e dobishme, që tregon se ne ndajmë vlera të përbashkëta me NATO-n, njëkohësisht jemi në gjëndje që këto vlera ti vemë në funksion të paqes e sigurisë. Nderim dhe respekt për të gjithë ushtarakët e liruar dhe në pension, që me dhimbje, maturi e pjekuri përkrahën proceset demokratike në vend, si dhe reformat e ndërmara në kuadrin e reformimit e transformimit të FA. Nderim dhe respekt për korpusin e rinj të ushtarakëve shqiptarë që me përkushtim e profesionalizëm po punon për të realizuar standartet e kërkuara nga aleanca për FA shqiptare. Nderim dhe respekt për të gjithë ushtarakët shqiptarë që në këtë moment janë pjesë e misioneve të përbashkëta me aleancën, duke lartësuar emrin, flamurin, nderin dhe krenarinë e vendit të shqiponjave. Nderim dhe respekt për popujt e vendeve të aleancës që me mjete politike, ekonomike, diplomatike dhe ushtarake, ndihmuan për zgjidhjen e cështjes së shqiptarëve të Kosovës në vecanti dhe asaj shqiptare në përgjithësi, duke i dhënë frymëmarjen e munguar në shekuj kombit shqiptar. Nderim dhe respekt për popullin amerikan, për ushtrinë amerikane, me të cilët miqësia dhe bashkëpunimi shekullor ka qënë tepër domethënës dhe i dobishëm, sepse ka reflektuar paqe, begati, siguri dhe stabilitet për kombin shqiptar, ashtu sic ëndërronin rilindasit tanë. Gati 60 -vjet më vonë mbas Evropës, SHBA i dhuruan kombit shqiptar një plan Marshall tepër të vecantë, që po e ndihmon atë të kapërcejë me sukses sfidat gjeopolitike të mijëvjecarit të ri, në kohë dhe hapësirë. Prania e SHBA në rajonin tonë është pjesë e pandarë e procesit të sigurisë dhe i shërben paqes e stabilitetit në rajon e Evropë. Ndaj ne shqiptarët, për këtë, duhet ti jemi mirënjohës popullit amerikan në jetë të jetëve. Nderim dhe respekt për të gjithë gazetarët e mediat tona, të cilët gjatë këtyre viteve, me vërtetësi e realizëm, kanë përcjellë aktivitetet e përbashkëta të FA e shtetit shqiptar me vendet e aleancës.
Së fundmi, nderim dhe respekt për të gjithë shqiptarët që e festuan 2 prillin, 5 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, së bashku, në datën e caktuar, në vendin e duhur, pa paragjykimet shumëvjecare që na kanë shkaktuar humbje brezash.

Filed Under: Histori Tagged With: 2014-ta/ Përvjetori i 5- të, i anëtarësimit, në NATO…., Shefqet Kercelli

Kur “Zëri i Rinisë Shqiptare në Mërgim” kujtotonte me madhështi në Nju Jork, At Gjergj Fishtën

December 31, 2014 by dgreca

“Ai është Homeri shqiptar, një poet nga më të mëdhenjt딓Fishta asht nji Homer shqiptar. Ai nuk asht vetëm nji poet i madh kombëtar. Ai asht nga ma të mëdhajt në botë. E randsishme asht që ai të njihet prej saj”. – ka thenë At Zef Valentini/
Nga Beqir SINA, New York/
BRONX NEW YORK : Në numërin e saj të fillim vitit 1991 – revista “Koha Jonë”(Koha e Jonë nr 1-2-3 vjeti XXX Janar-Shkurt-Mars 1991) organ i Partisë Bashkimi Demokrat Shqiptar , që vepronte atë kohë në mërgim – në shkrimin me titull “Kur Inteligjenca i printe kombit.”, shkruan për atë se si përkujtohej Fishta në pervjetorin e 50 të vdekjes – së tij – New Jork, në 1991.
Në faqen ballore, kjo revistë ka ka të botuar, simbas materialeve arkivore- pra 23 vjet më parë, një shkrim shoqëruar edhe me një fotografi nga Seminari letrar në kujtim të poetit tonë të madh kombëtar At Gjergj Fishtës, ku në diçitur e saj janë edhe katër figura të njohura kombëtare, të cilat e udhëhoqën atë seminar si: Profesor Arshi Pipa, Don Rrok Mirdita, At Daniel Gjeçaj dhe Anton Çeta.
Më tej në shkrimin e saj – revista njoftonte se më datën 2 Fruer(shkurt) 1991, në Universitetin e Fordhamit, Bronx New York, është mbajtë një seminar letrar, në të cilin është përkujtuar me madhështi, poeti kombëtar At Gjergj Fishta. Mirrnin pjesë shkruan kjo revistë edhe një numër i konsiderueshëm bashkëatdhetarësh, dashamir të kulturës dhe letersisë, si dhe Amerikan që interesoheshin për historinë e vendit t’onë.
Në këtë seminar, sipas revistës periodike të asaj kohe ” Koha Jonë” një nga pioneret e shtypit të mërgatës shqiptare – thuhet se kan folë edhe personalitete ma të shqueme të kulturës dhe letersisë shqipe, njohës dhe studiusa të veprave gjeniale të Fishtës, poetit ma të madh Shqiptar.

Ndër këta kjo revistë ka dalluar : At Daniel Gjecaj, kryekaplan i katholikve Shqiptar jasht Atdheut, me detyrë pranë Selisë së Shejtë, i ardhur për këtë përkujtimore posaçërisht nga Roma. Kurse, nga Kosova bëhej e ditur se kishin marrë pjesë profesorët e Universitetit të Prishtinës z. Anton Çeta, Abdulla Karjadiu, Angjell Sedaj, dhe Anton Berisha. Kurse, nga Universiteti i Minnesota, profesor Arshi Pipa.
Kjo revistë dinjitoze nënvizon se” të gjith, në atë seminar model për nga mënyra e organizmit të saj -paraqitën kumtesa të hollësishme, dhe shumë të çmueshme, mbi jetën dhe veprat e poetit, të cilat shpeshherë, thotë ajo, u ndërprenë nga duartrokitje të gjata, gja që provonte pa dyshim, kënaqësinë e ndegjuesve të pranishëm, me njohjen e thellë të këtyne veprave, nga ligjeruesit e rastit”.
Seminarin – simbas saj e organizuen një grup të rinjësh energjik, nga organizata “Zëri i Rinisë Shqiptare në Mërgim”. Këta, të paisun me cilësi organizative të pame rralë në radhët e kominitetit shqiptarë të Amerikës, banë të mundun, arritjen e një suksesi të plotë, i cili me siguri shkruan “Koha Jonë” në mërgim, pasurojë dhe flladiti zemrate të gjithë atyne pjesëmarrësve, që interesoheshin për njohuri të dorës së parë, dhe të gjithanëshme historike, mbi jetën dhe veprat e At Gjergj Fishtës.
Revista e mergimtarëve shqiptarë “Koha Jonë”, nuk le pa permendur edhe komisionin organizues i cili shkruan ajo përbëhej nga z. Gjovalin Nikevi, Paulin, Mrnaçaj, Luan Gashi, Halil Lita, Vasel Camaj, Nikoll Pjetri, dhe Pjetër Mrnaçaj.
Ndërsa për kryesues të këtij seminari, shkruan kjo revistë ata kishin zgjedhur njërin nga veteranët e veprave kulturale të Shqiptarëve të Amerikës, Dr. Hamdi Oruçin.
“Ky, shkruante “Koha Jonë” me zotësi dhe eksperiencë shumëvjeçare, drejtoj punimet e seminarit, në një mënyrë dinjitoze, të drejtë dhe autoritative, që kërkonte karakteri i nalt akademik” Ndërsa të diellën një ditë mbas seminarit të mbajtur në Frodham University (3 Fruer 1991) në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” u mbajt një takim tjetër përkujtiomr me të gjithë të ftuarit e saj.
Shkrimtari dhe studiuesi i njohur Klajd Kapinova – ka shkruar për kët ngjarje të madhe se :” Me këtë rast Kisha e re, qendroi për shumë orë e hapur, për vizitorët e shumtë shqiptarë e amerikanë. Në një nga sallat e bukura të ambienteve të brendshme të Kishës, u mbajt programi i rastit dhe u shtrua darka madhështore, përgatitur nga Këshilli i Kishës dhe komisioni i formuara për mbajtjen e këtij seminari”.

Pra, kështu u kujtua në mërgatën shqiptare të Amerikës, prej të gjithë atyre që luftuan për trinomin Komb – Atdhe dhe Fe , Gjergj Fishta, (1871-1940) i cili është një krijues madhështor jo vetëm për letërsinë shqipe, por është edhe një personalitet tejet i dalluar për shumë segmente të jetës sonë kombëtare. Ai është i pari shqiptarë i propozuar për Çmimin Nobel për letërsi.
Dhe, nuk është tepruar edhe kur atë e kan krahasuar me Homerin, apo Danten, sepse për letërsinë dhe kulturën tonë kombëtare, Gjergj Fishta na paraqitet edhe si Homer edhe si Dante, pse jo edhe si Gëte e Shiler. Nga do të studiohet poezia e tij, arrijmë në përfundim se angazhimi i Fishtës për kombin, kulturën, për shqiptarin e Shqipërinë e kohës ishte preokupim mbi të gjitha preokupimet. Duke qenë krijues me një kredo origjinale, një mendje erudite, një burrë i zakonit, një prift i devotshëm, i cili kishte gjetur strehë në nderin, besën dhe cilësitë morale të jetës tipike, patriarkale shqiptare,
Fishta për asnjë moment nuk iu nda fatit të kombit e Atdheut, as atëherë kur e trimëroi dhe e lavdëroi, as atëherë kur e kritikoi dhe e satirizoi. Fishta, Mjeda, Naimi, Çajupi, Asdreni, Migjeni, Noli – Konica, dhe bashkëkohësit e tij – fatin e tyre jetësor e kishin lidhur me fatin e shqiptarit, që po kolovitej në katrahurën e madhe njerëzore, me fatin e Atdheut, të cilin po e kafshonin, po e ndanin dhe po e bënin copë-copë fqinjët grabitqarë me bekimin e Evropës dhe Rusisë, dhe po e priste sundimi barbar i komunizmit të Enver Hoxhës, i cili, edhe eshtrat këtij njeriu të madh ia hodhi në Bunë.
“Ai është Homeri shqiptar, një poet nga më të mëdhenjt딓Fishta asht nji Homer shqiptar. Ai nuk asht vetëm nji poet i madh kombëtar. Ai asht nga ma të mëdhajt në botë. E randsishme asht që ai të njihet prej saj”. – ka thenë At Zef Valentini
(Revista “KOHA E JONË”, ka qenë fletë mendimesh dhe opinjonesh të Lira ndërsa nga viti 1968 ishte E Përkohshme Kulturore Politike Shoqënore, organ i Partisë Bashkimi Demokrat Shqiptar që vepronte në mërgim. Numri i parë i saj doli në Firence (Itali) në muajin maj të vitit 1962, ndërkohë më pas në vitet 1974-1992, ajo do të shënonte sivend botimi Parisin (Francë), një mënyrë kjo për t’iu fshehur sigurimit të dyfishtë të UDB-së jugosllave dhe sigurimit komunist të Enver Hoxhës, sepse revista në të vërtetë është botuar vetëm në Firence. Botues i revistës ishte Isa Ndreu, nipi i Elez Isuf Ndreut (1861-1924), dhe administrator dhe redaktor i saj ishte Lec Shllaku, që të dy ish-studentë të “Normales” së Elbasanit).

Filed Under: Histori Tagged With: At Gjergj Fishta, Koha Jone, Zeri i Rinise ne Mergim

74 VJETË MË PARË NDËRROI JETË AT GJERGJ FISHTA

December 30, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Më 30 dhjetor, 1940 ndërroi jetë At Gjergj Fishta, poeti kombëtar, diplomati i kombit që mbrojti të drejtat e shqiptarëve kudo që shkoi, me një zë dhe me një penë të pashoqe, që pasuroi letërsinë dhe historinë kombëtare të shqiptarëve, të atij kombi siç ka thënë ai vet, “I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rrënjeve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundershtueshëm i tokave të veta.” Kombi shqiptar është sot zot i tokave të veta, jo shumë pak falë veprimtarisë së këtij vigani dhe dashurisë së tij për kombin e vet.
Që të jem i sinqert me lexuesin, unë nuk e kisha në mend ta shënoja këtë përvjetor me ndonjë kujtim modest, pasi unë në të vërtetë nuk kam përgatitjen dhe as nuk e ndjejë veten të denjë dhe as të aftë që të shkruaj për këtë kolos të kombit shqiptar, dhe për më tepër edhe sepse para disa javësh e kisha kujtuar At Gjergj Fishtën me një shkrim në lidhje me lajmin mbi përpjekjet e një bisnizmeni nga Kosova, Sabri Maxhunit dhe disa të tjerëve, të cilët kishin propozuar se do të merrnin mbi vete shpenzimet për restaurimin në shkatërrim e sipër të shtëpisë së At Gjergj Fishtës. Siç duket, ky propozim ka ndeshur në një mos reagim “as po as jo”, ose në një zvarritje burokrate nga autoritetet përkatëse, ose ndoshta në një mos vullnet nga autoritetet e qëndrës dhe ato vendase për të marrë seriozisht propozimin e biznismenit nga Kosova. Ndërkohë që sot lexova në një media shqiptare një lajm të shkurtër se Vatikani më 30 dhjetor paska shënuar përvjetorin e 74 të vdekjes së At Gjergj Fishtës. Thashë me vete, po mirë që Vatikani e kujton këtë përvjetor, po kombi shqiptar, për të cilin Gjergj Fishta i deklaroi Konferencës së Paqës se kombi shqiptar “nuk e ka namin ma të vogël se kombet e tjera të Ballkanit”, çfarë nami ose kujtese po i bën ai këtij këngëtari të kombit në këtë përvjetor, ose në përgjithësi.
Duke menduar me vete, më ra në mend një kryeartikull i Profesor Ernest Koliqit, botuar në revistën e tij Shëjzat e viti 1971, nr.1-3, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës dhe thashë me vete, në vend që të mos thuhet asgjë për të kujtuar këtë pëvjetor të largimit të At Fishtës nga kjo jetë nga të gjallët, atëherë thashë se është më mirë që të lëmë të vdekurit të flasin për të vdekurit, pasi të gjallët nuk çajnë kokën. Si rrjedhim, dhe në mungesë të një shkrimi tjetër në median e gjallë shqiptare i dashur lexues, nëqoftse je i disponuar për të kujtuar At Gjergj Fishtën në këtë 74 vjetor të vdekjes se tij, mundoju pak të lexosh artikullin e Profesor Ernest Koliqit me titull thjeshtë, “Fishta”:
“Besoj se pak poetën në botë pësuen fatin e paradoksal të Gjergj Fishtës. Za i pashoq i mbarë një kombi, interpret gjenial i shpirtit të tij, i mohohet vepra dhe i shlyhet emni nga letërsia, shi prej atij kombi të cilit ia qiti në pah fisnikinë e ia skaliti në vargje të pavdekshme tiparet. Dihet që ky përdhunim historik u krye zyrtarisht, në emën të kombit, nga nji pakicë që shkruen e resitë, vendosë e leçitë pa lejue shumicën me çelë gojë aty ku shtrinë sundimin e vet. Këtë e dijmë, por prap se prap kjo përndjekje morale kundër Kangatarit që ndëgjoi të rrahmet e zemrës së Shqipnisë edhe mati mbi to rrokjet kumbore të poemit të vet, na shtje në kujdes të madh na shqetson kur mendojmë rritjen e breznive të reja dhe na terratisë pamjen e një ardhmënije të denjë për Rilindasit që na dhuruan një atdhe. Sepse mos ta gënjejmë veten me retorikë mburrjesh të shprazta. Në ashtë se themelet e një Shqipnie shqiptare mbështeten mbi trashigiminë shpirtërore që na la De Rada, tre vëllaznit Frashëri, Vaso Pasha e Çajupi, duhet të pohojmë se sot jemi tue ndërtue (ose kujtojmë se diç po ndërtojmë) jashtë atyne themeleve. Eklipsi ose të zanunit e dritës së poezisë fishtjane nuk sjell tjetër veçse muzgun e vlerave fisnore (e këtu fjala fis nuk përdoret në vështrim organizimiesh shoqënore primitive, por si tanësi e nji gjindjeje të nji barku që përbajnë nji komb, nji nacion). Vorrëmihsat e lavdisë së Fishtës ndoshta pa dashtë shkaktojnë zhguljen e popullit shqiptar nga rrajët jetike. Duen të vorrosin Shqipninë e përtrime mbi humus shekulluer të dokeve stërgjyshore për ta zevendsue me nji Shqipni të ndërtueme (mjerisht me shumë flijime të pa arsye) hallagrep e merremerr, mbi parime që s’kanë të bajnë kurrkund me qytetni të vërtetë evropiane – e vetmja që i përshtatet vetive tona ethnike. Synimet e Skënderbeut dhe të Rilindasvet po shkelen. E vërteton ostracizmi i Fishtës nga radhët e poetënve kombëtarë. Poeti i pa fat i ynë. I cili nuk bani gja tjetëtër gjatë stinës së vet njerzore veç me i ndiell Shqinisë fate të lume, lindi me 1871. Na, në botë të lirë ku nuk pengohet me mjete të dhunëshme kulti i shqiptarizmit të njimendtë, e kemi për detyrë pëkujtimin e autorit të Lahutës së Malcisë. Mirë se qofshin t’ardhuna kremtimet e çdo lloji, por mos të lehet mbas dore mënyra e denjë për të nderue Poetin, që bani të nderueshëm gjakun shqiptar. Ajo mënyrë nuk ashtë tjetër veçse leximi i veprave të tij ku vlojnë idhnimet dhe gëzimet tona historike, ku vizatohet me vija vezullore tipi i amshuem i Shqiptarit, ku tregohet rruga që duhet ndjekun për t’u radhitë ndershmënisht përbrij kombeve të përparueme”, kishte përfunduar kryeartikullin e tij Profesor Ernest Koliqi më me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Poetit kombëtar, më 1971.
Siç thashë edhe më lartë, unë nuk e ndjejë veten të kualifikuar, pasi nuk kam përgatitjen të shkruaj për At Gjergj Fishtën, por nuk jam as i denjë që të kujtoj këtë burr të madh të kombit shqiptar. Por, si njeri i thjeshtë me shqetson lënja pas dore e këtij patrioti dhe e veprës së tij nga autoritetet kompetente dhe përgjegjëse. Por nga ana tjetër, megjith shpifjet dhe lënjën pas dore të figurës dhe veprës së madhe të At Gjergj Fishtës nga bashkatdhetarët e tij gjatë dekadave, gjithnjë jam optimist me Aleksandër Xhuvanin i cili me rastin e varrimit të Gjergj Fishtës më 31 dhjetor, 1940, sikurë ta dinte se si do të trajtohej ai pas vdekjes, At Fishta — Xhuvani është shprehur se historia nuk do ta harrojë atë, duke tdeklaruar para arkivolit të Fishtës se, “Nuk jam unë, o burra, i premë sot që të mund të thuri imne për veprën lavdimadhe të At Fishtës. Âsht historija që ka për të zbukurue faqet e saj me emnin zâmath të tij; âsht letërsija e jonë që do të mburret për veprat e tij grat-plota e të pavdekshëme; janë Zanat e malevet t’ona, që ai ua përcillte vallet me lahutën e tij, që kanë me këndue me katrime kumbim-randa deri te froni i Empirit, veprën e kangatorit zâ-ambël të tyne; âsht djelmënija shqiptare që ka për t’u-ushqye e për t’u-vaditë me manën hyjnore të tij; së mramit âsht Shqipnija mbarë, Gegë e Toskë, malsi e qyteta, që do të kujtojnë, deri sa të ndrisë e diellit rrota, emnin e njenit prej bijvet të mëdhej të saj, që e deshi, e lavdoi dhe e nderoi për gjithë jetën.”
Le të shpresojmë se kjo ditë për të cilën ka folur Aleksandër Xhuvani më 1940 do të vijë eventualisht kur në të gjitha trojet shqiptare, vepra dhe kontributi i figurës së madhe kombëtare At Gjergj Fishtës, do të vendoset aty ku e ka vendin dhe emri i tij do të kujtohet brez pas brezi ndër shqiptarët kudo.

Filed Under: Histori Tagged With: 74 VJETË MË PARË, At Gjergj Fishta, Frank shkreli, jete, nderroi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 564
  • 565
  • 566
  • 567
  • 568
  • …
  • 706
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT