• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Qindvjetori i Prenk Vidit të Shqipnisë

March 5, 2014 by dgreca

Më 7 mars 1914, nji fisnik gjerman mbërrijti në Durrës për ta marrë fronin shqiptar. Por sundimi i Mbretit Vid qe ditëshkurtë. Kundër tij u ngritën n’emën të fesë anmiqtë e Shqipnisë./

Nga Getoar Mjeku*/

Shum bujarë në Perëndim zunë t’andrrojnë kunorën e nji shteti të vogël në viset ma të lashta të kontinentit, ndërsa Turqia Evropiane po lëshonte grahmën e fundit në vjeshtën e 1912-ës. Por të gjithë andrrimtarët e kotë qenë ma fatlumë se njeriu që – mbasi kishte thanë jo njiherë – pranoi të bahej «Princ i Shqipnisë».

Shqiptarët shpallën pamvarsinë në vlugun e Luftës së Parë Ballkanike, në kohën kur vendet fqinje kishin pushtue gati cdo cep të Dheut të Arbënit. Muaj ma vonë, gjashtë Fuqitë e Mëdha t’Evropës e njohën mëvetsinë e Shqipnisë. Por lajmi i vonuem ishte dyfish i dhimbshëm: fqinjët do ta merrnin mbi gjysmën e trojeve shqiptare dhe evropianët do ta caktonin vetë sundimtarin e shtetit të ri.

Kjo ishte punë pazari. Për nji kohë, perëndimorët shpresojshin që sulltanit t’ia ruanin zotnimet që kishte në siujdhesë para se të plaste lufta. Por tani që status quo-ja s’kish ma shpëtim, Fuqitë e Mëdha nisën betejën diplomatike për ndikim n’Adriatikun Lindor. Se kush e sundonte Shqipninë do të thoshte se kujt do t’i shkonte fjala n’at anë të Botës së Vjetër.

Mbas nji ecunie të lodhshme, Fuqitë e Mëdha u pajtuan dhe shqiptarët pranuan t’ia ofrojnë fronin nji kandidati gjerman. Vilhelmi, i biri i tretë i princit Vilhelm të Vidit (Wied), fillimisht kishte ngurrue të bahej sovran i Shqipnisë. Tek mbas nji viti, austriakët si përkrahës të shqiptarëve i kishin mbushë mendjen fisnikut 38-vjeçar ta pranonte kunorën e trashigueshme të shtetit e ri.

Ndërsa Austro-Hungaria e Italia garonin për ndikim në Shqipni, zgjedhja e Vidit qe zgjidhje për ta fashitë rivalrinë. Fuqitë e Mëdha caktuan princ nji gjerman protestant, ndërkohë që as Gjermania e as protestantët s’kishin interes të veçantë në vendin e vogël. Sundimtari asnjanës, thoshin evropianët, do ta ruante baraspeshën mes fuqive dhe do t’i knaqte ithtarët e të katër besimeve të përhapuna n’Arbëni.

Por prijësi i ri nuk i knaqi të gjithë. Më 7 mars 1914, ai mbërrijti në Durrës, asokohe kryeqytet i vendit. Evropa e njohu për princ, Shqipnia e quajti Mbret. Por nuk i shkoi gjatë para se anmiqtë e Shqipnisë – dhe, ndër ta, njeriu që ia kishte ofrue kunorën – ta nisnin punën kundër tij.

Ditën që shkeli në Shqipni, Vidi e emnoi nji aristokrat nga Tirana ministër të dyfishtë, tue ia besue punët e jashtme dhe mbrojtjen. Esad Pashë Toptani kishte kryesue shpurën shqiptare, që nji muaj ma parë i pati paraqitë Vidit kërkesën për t’u ba sundimtar. Por shpërblimi që monarku i bani pashait ia hapi gropën vetë shtetit.

Ende pa e mbushë muajin në fron, mbreti kish pak arsye t’i druhej Esadit. Grupe t’armatosuna kontrollonin pjesë të ndryshme të Shqipnisë, ndërsa grekët mbanin të pushtuem jugun. Detyra ma e ngutshme për Vidin ishte me shtri pushtetin e tij në tanë truallin e principatës. Dhe pashai barkmadh kishte shprehë gadishmëni të paepun ta çonte në vend fjalën e sovranit.

Kur Vidi kërkoi zgjidhje për praninë greke në jug, Esad Pasha sugjeroi forcën si të vetmen udhë. Për kët qëllim, mori pëlqimin e mbretit për t’armatosë 7 mijë luftarë nga Shqipnia e Mesme. Ma pas, siç shestonte Vidi, njerzit e Esadit do të niseshin drejt Lumit Vjosë, matanë të cilit forcat greke kishin shpallë shtetin autonom të Vorio-Epirit.

Por ministri i mbrojtjes ishte ma së paku i interesuem në trevat përtej Vjosës. Në mes të majit, autoritetet zbuluan se Esad Pasha ishte nismëtari nji kryengritjeje që sapo kishte plasë kundër regjimit fare pranë Durrësit. Ndonse pashai u largua nga vendi, shteti shqiptar nuk i bani ballë dot grushtit t’anmikut.

Më 3 shtator, Mbreti Vid tha se po largohej përkohësisht nga Shqipnia. Por ai s’u kthye ma kurrë. Shteti shqiptar u shua. Në Durrës, rrebelët shqyen flamurin me shkabë dhe ngritën sërish gjysmëhanën osmane. Esad Pasha u shfaq prapë në vendlindje, qëroi hesapet me disa kryengritës që ma s’i duheshin dhe sundoi copë të dheut si satrap i Sërbisë. Pushtimit grek në jug s’i bani dot trazim.

Shtetin që e humbën më 1914, shqiptarët e rikthyen me shum mund më 1920 në Kogresin e Lushnjes. Por Shqipnia nuk arriti do t’i rikthejë tokat që Konferenca e Londrës padrejtësisht ia dha Jugosllavisë e Greqisë. Vilhelm Vidi ndërroi jetë më 1945, kurse i biri i tij i vetëm, princi trashigimtar Karl, vdiq pa lanë pasaardhës tri dekada ma vonë. Sundimi i dinastisë qe ditëshkurtë dhe qëlloi në motin ma t’errët në historinë e Shqipnisë.

Vërtet, Vidi nuk i knaqi të gjithë. Por jo për fajin e tij. Ai u ba halë në sytë e anmiqve, të cilët i futën flakën Shqipnisë. Historia asht hamendë ndaj kryengritjes së 1914-ës: ca flasin për nji lëvizje islame; komunistët për nji përpjekje të fshatarsisë. Mirpo, si islami si fshatarsia qenë vegla t’atyne që s’e deshtën shtetin tonë.

Rrebelët nuk e shënuan 7 Marsin. Ata s’iu gëzuan Prenk Vidit, ashtu siç nuk gëzuan shkollën qytetare shqitare, që kremtonte përvjetorin at ditë. Nuk baj thirrje që kët ditë ta kujtojmë patjetër edhe monarkun gjerman të vendit. Por krahas përvjetorit të mësonjëtores, ta nderojmë të plotë vegimin e rilindësve, duke mos e lanë anash shtetin shekullar. Sepse njimend, si njana si tjetra e mbajnë gjallë kombin tonë.


*Autori, ish-gazetar dhe përkthyes, asht kandidat për titullin «Juris Doctor» në fakultetin e drejtësisë «SMU Dedman School of Law» në Dallas, Texas, të Shteteve të Bashkuara.

Filed Under: Histori Tagged With: Getoar Mjeku, Prenk Vidi, Qindvjetori, Shqiperise

Zbulimi i një enigme

March 4, 2014 by dgreca

Nga Bedri BLLOSHMI/

Ndëshkimi që mori Ali Bardhi mesa duket fati nuk ishte i kënaqur. Fatin nuk ka fuqi askush për ta ndryshuar ashtu siç ndodhi dhe më pas. Për ta ditur të vërtetën apo për ta zbuluar, një ditë u nisa për në morgun e Elbasanit. Kërkova dhe e gjeta personin që mbante çelësat e cadavrave. Ja shpjegova problemin, ai ma preu shkurt “Këtu nuk ka asnjë lloj shënimi në këto vite që kërkoni juve, rregjistrat që janë këtu janë që nga 2005 e këtej. Megjithatë shko tek kjo godina këtu përballë se ke drejtoreshën”. U takuam, biseduam, por nuk mësova asgjë mbi fatin ogurzi të Aliut.

Shpesh pyes veten: Çfarë donte Ali Bardhi në fshatin Kokrevë të Librazhdit? Me kë shkoi Aliu atje? Nëse ishte nisur për tu arratisur pse duhej të varej? Po “shokët” si përfunduan? Thonë se kanë qenë 3 vetë dhe njëri ndodhet në Australi, unë po i bëj thirrje nëse është e vërtetë, ai person duhet t’i thërrasë ndërgjegjies, ta thotë çfarë dhe si ka ndodhur me Ali Bardhin. Me kërkimet që kam bërë nëpër arkiva vetëm një shënim të thatë kam gjetur, ky shënim mbyllet me fjalët “hetimet vazhdojnë”. Do ju bëj thirrje atyre hetuesve apo prokurorëve  që janë marrë me këtë ngjarje të shpjegohen sepse nuk është përgjegjësia e tyre dhe ata e dinë mirë këtë gjë. Ndokush mund të thotë: Po ky Bedriu ç’ka me këtë ngjarje? Pse këmbëngul që kërkon ta zbardhë? Po përgjigjen po jua jap para kohe edhe pa bërë pyetje askush.

Unë Ali Bardhin e kam pasur shumë shok, kemi qenë gati 5 vjet në një brigadë skllevërish dhe punonim në zonën më vdekjeprurëse se zonat e tjera, zona e dytë. Ishte një djalë shumë i mirë, besnik më shumë seç duhej,  i sinqertë, gjithmonë i qeshur dhe shumë shakaxhi. Prandaj dua të di gjithçka, kemi detyrim moral për djem të tillë. Ka shumë gjasa që të jetë një nga ato lojrat e famshme të sigurimit. Por nga ana tjetër dhe po të qe kështu shokët e Aliut që e provokuan , e dërguan deri në një fshat të thellë të Librazhdit, mbasi kanë bërë lojën e sigurimit, duhet të ishin në burg. Nëpër burgje merrej vesh çdo gjë që ndodhte jashtë apo çdo lojë që bënte sigurimi famëkeq. Nuk e di se çfarë ka ndodhur. Më mirë se kushdo tjetër vetëm Aliu dhe sigurimi e dinë se çfarë ka ndodhur, asnjëra palë nuk flet, duan ta ruajnë këtë të vërtetë të pazbuluar. Megjithatë unë nuk do ndalem me kërkimet për ta thënë se çfarë ka ndodhur me djaloshin Ali Bardhi. Veç arkivave të përgjakur të sigurimit do vazhdoj të kërkoj në prokurori dosjen e Aliut 22 korrik 1983 ditën që u zbulua nga bariu në përroin aty pranë një lisi shekullor. Do ju bëj thirrje dhe banuesve të fshatit që patjetër duhet ta mbajnë mend këtë tragjedi, me patjetër u është ngulur në kujtesë dhe s’kanë pse mos të flasin tani, frika është futur në folenë e vet. Flisni dhe tregoni kush e di dhe kujton këtë ngjarje.

 

Filed Under: ESSE, Histori Tagged With: Ali bardhi, Bedri Blloshmi, zbilimi i enigmes

Shkëlqimi i një greve

March 1, 2014 by dgreca

Një ngjarje historike nga më të rëndësishmet dhe sublimet në të gjitha kohët dhe trojet tona të pushtuara e cila tronditi seriozisht themelet e ish Jugosllavisë së atëhershme.Lajmi mbi fillimin e saj u përhap në të gjitha anët,mori përmasa ndërkombëtare dhe u bë shpejt i njohur bashkë me kërkesat e saj sublime në mbarë opinionin  botëror. 

Greva e pa harruar e minatorëve heroik të Trepçës,zgjati për tetë dit e net rresht, dhe filloi në thellësitë mijëra metërshe të nëntokës sonë të pasur plot ar e argjend, zink e plumb dhe kristale nga më të rrallat në rajon dhe botë.

Kërkesat e saj ishin legjitime,të drejta e të pakontestueshme,ishin vet kushtet që mundësonin mbijetesën e një populli, pa të cilat ,rrezikohej çdo gjë dhe nuk ishte më e sigurt jo vetëm koha në të cilën zhvilloheshin ngjarjet,por edhe e ardhmja e shqiptarëve nën ish Jugosllavi.

Të lodhur me politikan që tradhtonin rëndë popullin e tyre  të cilët për karrigen e pushtetit të huaj,shitnin aq lirë interesat kombëtare,greva shpërtheu nga trashja e zullumit të tepruar ndaj shqiptarëve,me thirrjen sublime për tri dorëheqje të tre kryemercenarve si Ali Shukriut,Hysamedin Azemit dhe Rrahman Morinës, pa dorëheqjet e të cilëve rrezikohej Vendi,Miniera e Trepçës,te gjitha pasurit tona kryesore, sistemi arsimor dhe heqja e autonomisë së Kosovës.

Ajo,përveç se pati jehonë të madhe brenda dhe jashtë vendit, u tregua edhe si arma më unike,më e fortë dhe e pathyeshme,për ruajtjen dhe avancimin e të drejtave të popullit shqiptar nën pushtimin serbo-sllav,në hapësirat e Kosovës dhe më gjerë.

Minatorët e tubuar në thellësitë e arta të horizonteve kombëtare të Trepçës dhe marshuta gjithëpopullore përkrahëse e mëse një milion protestuesve të cilët ecën qindra kilometra këmbë,natë e ditë për të arrit në kryeqytetin e vendit në Prishtinë,në shenj solidarizimi me xehetarët tanë heroik dhe kërkesave të tyre sublime,ia bënë me dije pushtuesit dhe gjithë botës se shqiptarët hidhnin poshtë me këmbëngulje memorandumin shovinist të Serbisë.

Në anën tjetër,fatkeqësisht memorandumi serb për heqjen e autonomisë së Kosovës, përkrahej nga një grup funksionarësh të shitur shqiptar,si Ali Shukriu,Rrahman Morina,Hysamedin Azemi,Kolë Shiroka e ndonjë tjetër, të cilët deklaroheshin hapur për ndryshimin e amendamenteve kushtetuese të vitit 1974 dhe heqjen e asaj pak autonomie që i kishte mbetur Kosovës, duke trumbetuar me cinizëm të pashembullt, se shqiptarët nuk humbnin asgjë me ato ndryshime.

Por greva heroike  dhe zëri i unifikuar i minatorëve se nuk do të dilnin të gjallë nga horizontet e nëntokës së Trepçës,pa u realizuar kërkesat e tyre,ndryshuan historinë duke ngritur në këmbë mbi një milion shqiptar të madh e të vogël,nga të gjitha trojet tona etnike nën ish jugosllavi,për mbrojtjen e minatorëve dhe përkrahjen e kërkesave të tyre.

Atëbotë,shqiptarët vërshuan nga të gjitha anët për t`iu bashkuar marshit të minatorëve të cilët ishin nisur nga miniera aq të vendosur në kërkesat e tyre sa që më 17 nëntor të vitit 1988,do të  shpërthenin edhe kordonin policor, të njësive speciale të vendosura në fshatin Mazgit, për ta penguar marshimin e tyre drejt Prishtinës.

Këtij rrugëtimi historik iu përgjigj e gjithë masa,me ecje këmbë për ditë e net,nga fshatra dhe qytete anë e kënd Kosovës dhe viseve tjera shqiptare nën ish Jugosllavi,për tu bashkuar në një masë milionëshe në Prishtinë ku do të qëndronin për tri dit e tri net,të solidarizuar me kërkesat dhe sakrificën e pashembullt kombëtare të minatorëve të Trepçës.

Heronjtë e asaj kohe, jo vetëm se nuk pranonin të zhvlerësohej kushtetuta e vitit 1974,por ata kërkonin me këmbëngulje avancimin e statusit të Kosovës, ruajtjen e sistemit të lart shkollor, ndërprerjen e politikave diskriminuese të pushtuesve sllav dhe bisedime në OKB për rregullimin e statusit të shqiptarëve në të gjitha trojet tona etnike nën ish Jugosllavi.

Atë kohë jo vetëm xehetarët që flisnin të gjithë me një zë,por edhe solidariteti ishte unik dhe i pashembullt në histori. Grupe të mëdha njerëzish tuboheshin spontanisht para minierës së Trepçës për mbrojtjen e grevistëve nga ndërhyrjet e dhunshme të policisë, kurse bujq,punëtor,nxënës e student, të gjithë pa dallim, u ngritën në përkrahje të kërkesave të minatorëve.

Si kërkesat e tyre që ishin të drejta edhe minatorët ishin aq të vendosur,sa të gjithë deklaronin me një zë,se më parë do të vdisnin në minierë,se sa të dilnin të gjallë nga horizontet e saj pa realizimin e kërkesave të tyre.

Përveç minatorëve heronj, si Avdi Uka, Mursel Haziri e shumë të tjerë,shembull të mirë dhanë edhe udhëheqësit shembullor të Trepçës së asaj kohe në krye me Aziz Abrashin dhe Burhan Kavajën,të cilët gjat gjithë kohës sa zgjati greva,ata u gjendën në mesin e minatorëve,u kujdesën me shpirt për fatin e grevistëve,i njoftonin ata rregullisht mbi zhvillimet më të reja në vend dhe solidaritetin gjithëpopullor që sa vinte e rritej nga bashkëkombësit jashtë galerisë.

Madje,për tu ardhur në ndihmë me të gjitha mjetet dhe mundësit që lejonin kushtet dhe rrethanat e krijuara, udhëheqësit e famshëm të Trepçës,shkëlqyen deri në pafundësi kur edhe zyrën e tubimit të punëtorëve para dyerve të minierës do ta kthenin në spital të improvizuar, ku do të kujdestaronin rregullisht mjekët dhe ofronin 24 orë pa ndërprerë ndihmën e nevojshme minatorëve të cilët edhe të sëmurë nuk pranonin të largoheshin nga grupi i grevistëve.

Solidariteti ndaj tyre,kishte kaluar kufijtë e Kosovës dhe përhapur gjithandej diasporës shqiptare e cila përveç përkrahjes morale filloi të dërgonte pa kursim edhe ndihma materiale për minatorët dhe familjet e tyre.

Kjo situatë do të zgjaste deri në ditën e tetë të grevës,ditën kur do të mashtrohej populli i Kosovës dhe minatorët e Trepçës.

Ishte dita e fundit e ati muaji ajo, apo data 28 shkurt e vitit 1988,kur me gjithë gjendjen tejet të rënduar  të minatorëve e cila sa vinte e keqësohej, ata nuk dorëzoheshin.

Ndaj, pas mossuksesit dy ditë më parë të Shtipe Shuvarit kryeministrit të atëhershëm të ish Jugosllavisë(me kombësi kroate)para të cilit minatorët deklaruan hapur se më parë do të vdisnin në grevë se sa ti lëshonin horizontet e thella të minierës pa plotësimin e kërkesave të tyre, më 28 shkurt të vitit 1988,do të shpikej mashtrimi galopant ndaj tyre,nga tradhtarët komunist,shqipfolës të Kosovës.

Ata,si funksionar të shitur që ishin në qeverinë e pushtuesit, që të tre; Ali Shukriu,Rrahman Morina dhe Hysamedin Azemi,do të dërgonin disa letra të shtypura me makinë shkrimi, kinse ishin vendimet e dorëheqjeve të tyre të “parevokueshme” me të cilat gjoja “dëshmonin” se kishin dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat udhëheqëse,për plotësimin e kërkesave të minatorëve.

Vetëm kështu,pushtuesi dhe shërbëtorët e tij arritën ti nxirrnin minatorët nga nëntoka e Trepçës dhe të përfundonin grevën e tyre historike tetë ditëshe, me ç`rast,pas nxjerrjes nga galeritë e minierës, xehetarët tanë trima jo vetëm se u mashtruan, por së pari u maltretuan e pastaj edhe u gjykuan e dënuan si armiq e kundërrevolucionar nga pushteti pro serb i kohës.

Megjithatë vuajtjet dhe kontributi heroik i minatorëve, zëri i ngjirur i të cilëve jehon i fort dhe i paharrueshëm në zemrat e të gjithë shqiptarëve liridashës edhe sot,sado që atëbotë u tradhtuan nga shumë anë dhe funksionar hileqar e të shitur vendor, ata me sakrificën e tyre hapën rrugën e qëndresës dhe vetorganizimit të bashkëkombësve nën pushtim, të cilët pas disa vitesh rezistence paqësore,përpjekjet e tyre i avancuan në kryengritje kombëtare për çlirimin përfundimtar të vendit.

Për fat të mirë, luftës së popullit tonë për liri,do ti paraprinte një miqësie e gjatë dhe e sinqertë disa vjeçare e prijësve dhe intelektualëve shqiptar,e veçanërisht miqësimi i Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova me kongresmenët më të fuqishëm dhe udhëheqjet shtetërore amerikane të presidentit Bush i vjetër dhe Klinton, të cilët përkrahën dhe ndihmuan me të gjitha mjetet çështjen e lirisë dhe çlirimit tonë,përfshi edhe përdorimin e forcës ushtarake kundër Serbisë pushtuese.

Themelet e kësaj miqësie sublime u forcuan edhe më tej, me bashkërendimin e veprimeve në mes të përfaqësuesve të UÇK-s,dhe udhëheqjes amerikane, ndaj lufta jonë e drejtë, mori edhe përkrahjen e NATO-s, me në krye SHBA-t, dhe Anglinë,e cila pati një përfundim të lumtur për shqiptarët dhe Kosovën,duke detyruar përfundimisht Serbinë të dorëzohej dhe më 10 Qershor të vitit 1999, të nënshkruante kapitullimin e tërhiqej  përgjithmonë nga Kosova. Nderim të përjetshëm për minatorët tanë heronj!

Gani Qarri /Cyrih, 28 shkurt 2014

 

Filed Under: Histori Tagged With: Gani Qarri, greva e Trepces

Cështja e Shën Naumit

February 28, 2014 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia*/

Toka quhet Shën Naumi është një manastir  në kufi me Maqedoninë.Manastiri ,që mendohet se është ngritur rreth viteve 905 duhet besuar se shenjtori ka qenë prijsi religjioz,gjatë kohës së mërgimit të madh është varrosur në këtë seli religjioze nga ku është ruajtur edhe  emri.Të dhënat qartësojnë se i përkiste Shqipërisë deri në vitin 1925.Manastri është kërkuar  nga Serbia duke kryer edhe një padi në gjykatoren  e lartë të Hagës  .Një gazetë lodineze sic është  edhe Daily Telegraph duke ju referuar një lajmit që sjell një gazetë greke në Neë Jork, thotë se Serbia e ka dërguar cështjen që la konferenca e ambasadorëve  për Shën Naumin në Gjykatoren e lartë për Drejtësi Ndrëkombëtare të ligës së kombëve në Hagë). Gjyqi  që rezulton të jetë mbajtur në fund të muajit maj të vitit 1924 nxorri në përfundim të tij se manastiri në kufi të dy vendeve, pra Shën Naumi i përkiste Shqipërisë.Ky objet ju dha Serbisë nga mbreti i asaj kohe A.Zogu.Shkaqet përse kjo tokë me objektin fetar  ju dha mbretërisë serbe i shqyrton Mehdi Bej Frashëri.

Lajmi i plotë:

Cështja e Shën Naumit vete në Hagë Gazeta Dielli datë 22 maj 1924  faqe ballore e botimit në Boston  ka sjellë këtë kronikë e cila i përket rubrikës:” Lajme nga shtypi i huaj” me titull: Cështja e Shën Naumit vete në Hagë.Gazeta e Londonit ‘Daily Telegraph” pas një kabllogrami që boton gazeta greke e Neë Jorkut ,Ethnikos Kirkia më datë 19 Maj,lajmërohet se Serbia ka kërkuar që të cvendoset përfundimi i Konferencës së Ambasadorëve pas të cilit Sh.Naumi i jipet Shqipërisë dhe kjo cështje u dërgua në Gjykatoren e lartë për Drejtësi Ndrëkombëtare të ligës së kombëve në Hagë).

Të dhëna rreth gjyqit.

Në gjykatën e Hagës më 31.12 .1924  u muar në shqyrtim kjo cështje Gjykata  e lartë për drejtësi Ndërkombëtare e Hagës   dha po atë vendim, Shqipërisë i përkiste   Shën Naumi.

Mehdi Bej Frashëri per ceshtjen e Shën Naumit

Kufitë e Shqipnisë me shtetet fqinje ishin caktue në Konferencën e Londrës në 1913 si mbas hartës të Shtat-Madhorisë Austriake. Kjo hartë nuk ishte një hartë topografike, por e hartueme me ekploracion. Vendimi i Konferencës së Londrës përsa i përkiste Shën-Naumit, thoshte: “Fillon në breg të liqenit Ohrit, midis katundit bullgar Rodohozhdë dhe katundit shqyptaro-myslyman që quhet Lin, dhe vazhdon gjer në Shën-Naum, pikërisht në gjuhën frëngjisht: “jusu’a Shën-Naum”, nuk thotë “y compris Shën Naaum”. Komisjoni i Kufinit kur vajti në Korçë, korçarët bënë një bujë të madhe pranë komisjonit që t’i caktohej Shqipërisë Shën-Naumi. Qeveria e Beligradit qe sa Konferenca e Londrës caktoi kufinin midis Shqipërisë dhe Serbisë, ju drejtue “ball Platz” it, dhe me një notë e pyeste qeverinë austriake se për shprehjen “jusqu’ a Shën-Naum” ç’kuptonte. Ball-Platzi ishte gjegjë se me këtë shprehje nuk donte të thoshte që Shën-Naumi i përkiste Shqipërisë, do me thanë i përkiste Serbisë. Qeveria e Beligradit pyeste qeverinë austriake, pse kjo qeveri prekupohej më shumë se të tjerat për kufitë e Shqipërisë. Kur plasi lufta e përgjithshme Serbijau invadue dhe ushtria e saj me kralin në krye dhe qeverinë, me ndihmën e Esat Pashës, që atëhere ndodhej në Durrës, duelën në Adriatikun Meridional, ku e mor flota aleate dhe e zhkarkoj në Korfuz. Në këtë rrëmujë qeveria serbe e humbi dokumentin austriak që caktonte me fjalë të tjera Shën-Naumin Serbisë.Kur mbaroj lufta, Komisjoni i Kufive filloj veprimet e veta dhe ky komisjon vendosi që Shën-Naumi t’i mbetej Shqipërisë. Shën-Naumi ishte një i Shenjtë sllav, apostull i Kristianizmit midis popullit bullgar e serb, konsiderohej si shoku i Cirrillit, Metodit, që kishin kriju abetaren e bullgarëve, Në këtë kategori ishte dhe Shën-Klime, në emën të cilit ka një kishë bullgare. Në konsideratë të këtyre mbështetjeve kulturale dhe fetare, që Shën-Naumi ishte një Shenjtë sllav, kur i evakuoj viset e tjera të Shqipërisë si i kishte libri, ju drejtua Gjykatores Internationale të Hagës. Kjo Gjykatore vendosi: “Që me qenë se Komisjoni i Kufive ishte kopetent për demarkacjonin, Shën-Naumi duhej t’i jepet Shqipërisë. Mirpo Serbia si popull fanatik orthodoks sllav, as me një mënyrë nuk donte t’ja linte. Komisjoni i Kufive, Shqipërisë i këshilloj që Shën-Naumin, Shqipëria ta shkëmbente me një vend tjetër, pse serbët me këtë pretekst do të krijonin vështirsina të mëdha. Në bazë të këtyre konsideratave Qeveria Shqiptare më ngarkoi mua Mehdi Frashërin me caktue mënyrën e shkëmbimit. Unë nuk pashë posibilitete që Shën-Naumi të shkëmbehej me vende shqiptare, pse nga katundi Lin i Shqipërisë vazhdojshin katunde sllavo-bullgare. Me të tilla katunde me popullsi eterogjene, Shqipnia jo vetëm nuk forcohej, por përkundrazi dobsohej. Atëhere unë Mehdi Frashëri vendosa që Shën-Naumi t’i mbesë, me një periferi shumë të ngushtë Serbisë, por kufini në vend që të vazhdonte që nga kodra e Zagoriçanit gjer te Qafa e Plloçit, ku ndodheshin dy versante: versanti i Maliqit dhe Liqeni i Ohrit, vija e kufinit të hidhej ke Mali i Thatë, e të përfshinte katundin shqiptaro-orthodoks Pëshkupat. Ky katund po t’i mbetej Serbisë, me kohë do të sllavizohe, m’anë tjetër gjithë Lugina e Cerovës, ku katundet shqiptare kishin tokat e tyre i mbeteshin Shqipërisë, përveç këtyre i mbeteshin, dhe një pjesë e madhe e kullotave verore Shqipërisë. Po të peshohet Shën-Naumi me këto avantaxhe që thamë më sipër, ky solucjon ishte më i favorshëm për Shqipninë. T’arratisunit politik nga injoranca e çështjes o qëllimisht, Shën-Naumin e përshkruajshin si një pikë strategjike me rëndësi, kurse invazioni sllav nuk shhkonte nga Shën-Naumi, gjithmonë kishte vazhduar Qafën e Thanës.

*Msc.Anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve

 

Filed Under: Histori Tagged With: Ceshtja e Shen Naumit, Gezim Llojdia

KUSH E VARI ALI BARDHIN NË FSHATIN KOKREVË TË LIBRAZHDIT?

February 26, 2014 by dgreca

Nga Bedri BLLOSHMI/

 Në fundin e vitit 1977 mbasi na dënuan, më plasën në burgun e Tiranës, i cili thirrej  “Kaush”. Brenda javës na lidhën dhe një herë me hekura e zinxhirë e mbas disa orë udhëtimi, duke u përplasur sa majtas – djathtas me të dënuarit që ishin lidhur, po ashtu përplaseshim dhe mbas spontit të autoburgut herë pas here. Kjo tregonte se rruga ishte plot gropa dhe me shumë kthesa, më në fund u dëgjua kërcitja e disa hekurave që fërshëllenin kur hapeshin e mbylleshin.

Autoburgu u ndal,  menjëherë u hap edhe dera e autoburgut, na zgjidhën dhe dikush hungëriti : “Hajde, hidhuni poshtë, zbrisni, pse hapni sytë, ja këtu do të kalbeni”. U përziem me të burgosurit e tjerë, duke na pyetur nga jeni, sa jeni dënuar, duke përfunduar me fjalët shpresëdhënëse se shpejt do të liroheni, se këta tani kanë filluar të hanë njëri- tjetrin, ky është fundi i këtyre. Në dhomën ku na caktuan, i pari që ma dha dorën ishte një djalë i ri, me trup muskuloz, jo aq i gjatë, i mbushur në fytyrë dhe i qeshur, menjëherë të jepte përshtypjen se ishte i sinqertë. Mbasi më pyeti aq sa deshi dhe unë ju përgjigja me shumë përtesë se isha shumë i lodhur nga izolimi i gjatë dhe e dija dhe përfundimin e Gencit dhe Vilsonit, e dija që i kishin vrarë dhe data shënonte 17 korrik 1977. Kisha mësuar se ditën e internimit kishin arrestuar përsëri xhaxha Hasanin, i cili i kishte bërë 15 vjet burg. Pas dy- tre ditësh na nxorrën në punë në zonën e dytë. Po në këtë zonë punonte dhe djaloshi që përshkrova më sipër. Rastisi që edhe frontet e punës i kishim shumë afër dhe pashë që ky djalosh punonte shumë. i qeshur, i respektueshëm dhe gjëja që më ra në sy ishte se ky djalë i fuqishëm kur binte vagoni nga shinat, i vinte shpinën i vetëm dhe e vendoste në shina. Gjeta rastin që po pushonim dhe e pyes:

– Sa jeni dënuar?

-5 vjet, – ma ktheu duke qeshur.

-Po pse ?- e pyeta unë përsëri.

-Ja ashtu kot, bëra një shaka kur isha ushtar dhe më kushtoi 5 vjet burg.

-Ku ishe ushtar, – i them, -në kufi, bëre shaka dhe të denoncuan se deshe të arratiseshe?

-Po jo mor burrë. Kam qënë në gardë dhe me shaka i vura kapelen me yllin e kuq një qeni në kokë, i varëm një teneqe qenit prapa, ai nga zhurma vraponte, e panë të tjerët, më arrestuan dhe pas disa muajsh më dënuan.

-Hajt mos u mërzit, – i them, – se 5 vjet kalojnë shpejt, ke pesë herë më pak se unë. Po s’të pyeta, nga je?

-Nga fshati Kazias i Peqinit, – ma ktheu.

-Si quheni, vazhdova ta pyes.

-Ali Bardhi, –  vazhdoi.

Ali Bardhi duke qënë shumë shakaxhi,  na mbante gjallë në dhomë kur vinim nga puna sfilitëse. 5 vjet burg kaluan shpejt dhe Aliun e liruan. Mbas ca kohësh vjen në burg një nga anët tona dhe në bisedë e sipër më thotë : “ Bedri, ju po e kujtoni shpesh këtë emër, unë nuk e di me siguri, po një Ali Bardhi nga Peqini që ka qënë i dënuar është gjetur i varur në përruan e Bushtricës. Kështu kemi dëgjuar, ishim tre shokë, ishim nisur të arratiseshim, kështu flitej, por nuk e di a është ky që thoni ju, apo tjetër, ca thoshin se e ka varur sigurimi”.

Kur na lëshuan nga burgu më 29 mars 1991 përveç halleve dhe problemeve të mija, u interesova dhe për Ali Bardhin. Ishin të vërteta çfarë kisha dëgjuar për “ Cupilin”, kështu e thërrisnin në burg. Duke vazhduar kërkimet për të mësuar të vërtetën mbi Aliun, një ditë u nisa në fshatin Kazias, por familja e tij ishte larguar dhe banonte në Elbasan. Prindërit i kishin vdekur, vetëm vëllai i tij ishte gjallë.  E takova, e pyes dhe ai fillon të më tregojë:

-Jetonim bashkë, filloi punë në Metalurgji, u martua, shtëpi nuk i jepnin. Unë edhe pse shumë ngushtë i pata lëshuar një dhomë. Ishte i mërzitur, rrinte vetëm, fliste pak, filloi dhe cigaren. Një ditë do shkonim në dasëm në Dibër, nxorrëm leje në D.P.B .Bashkë me Aliun u nisëm për në dasëm. Aliu më tha : Ikni përpara , se unë kam pak punë, do vij më  vonë. Në dasëm nuk erdhi, ne u mërzitëm. Të nesërmen më thirrën në Librazhd në Degën e Punëve të Brendshme, më pyetën: e njeh këtë kufomë armiku? Po i them është vëllai im Aliu. Të nesërmen e sollën në morgun e Elbasanit, më pas e morën e varrosën. Bashkëshortja ka ikur në Itali bashkë me vajzën.

-A mund të shkojmë tek varri ta shohim, apo nuk e dini? Po po e di se kater- pesë vetë ishim në varrim,të tjerët nuk i linte sigurimi se kishin frikë.

Varrezat e Elbasanit janë pranë lumit Shkumbin, ku qindra e mijëra shpirtra flenë,  në një cep te harruar duket si shenjë varri. Afrohemi me ngadalë e të përlotur i vëllai i Aliut më tregon me dorë, ja këtu.  U përkula duke shkulur barishtet, dora më hasi në një gjë të fortë, e pastrova me kujdes pluhurin dhe lexova me zërin që s’më dilte e duke u dridhur Ali Bardhi 1983. U larguam të mallëngjyer me shikim nga mbrapa duke e lënë Aliun të vazhdojë të pushojë nën hijen e qiparisave e këngën e kumrisë të përzier me gurgullimën e ujit të Shkumbinit, që vazhdon përjetësisht të rrjedhë me nxitim për të shkuar larg shumë larg. E megjithatë dhimbja apo keqardhja kurrë nuk e ndryshon fatin…VIJON

 

Filed Under: Histori Tagged With: Ali Bardhin, Bedri Blloshmi, kush e vrau

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 596
  • 597
  • 598
  • 599
  • 600
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT