• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EKSKLUZIVE/ SKËNDERBEU DHE ISMAIL BEU, ËNDRRA PËR NJË SHQIPËRI EVROPIANE

October 18, 2024 by s p

nicolae_grigorescu_car-cu-boi_1.jpg
Ismail Qemali-Adrion LTD

Nga Evarist Beqiri*

“Në mbledhjen e parë të 28 Nëntorit 1912, u votua unanimisht Shpallja e Pavarësisë. Tubimi më pas u ndërpre dhe anëtarët u larguan nga salla për të ngritur në shtëpinë time, në shtëpinë ku isha lindur, dhe ku kishin jetuar paraardhësit e mi, në mes të përgëzimeve të mijëra njerëzve, flamurin e lavdishëm të Skënderbeut, i cili kishte fjetur i palosur për 445 vitet e fundit. Ky ishte një moment i paharrueshëm për mua; me duart që më dridheshin, me shpresë dhe krenari, fiksova në ballkonin e banesës së vjetër, Flamurin e Sovranit të fundit kombëtar të Shqipërisë. Dukej, sikur shpirti i heroit të pavdekshëm, kaloi në ato momente si një zjarr i shenjtë, mbi kryet e gjithë popullit…” – Ismail Qemal Vlora

Në librin “MAXIMES D’ESTAT MILITAIRES ET POLITIQUES” të mendimtarit të shquar italian Giovanni Botero (1544–1617), – të përkthyer në gjuhën frënge nga Pierre de Deimier (1580–1618) dhe botuar në vitin 1606, në Paris nga shtëpia botuese “Toussaincts du Bray”, – gjendet një shkrim në kapitullin “Des Capitaines Excellens à se Faire Rendre Obeïssance”, pikërisht në faqen me numër 33, ku flitet për Gjergj Kastriot Skënderbeun: “Gjuha e pasur ka qenë jashtëzakonisht avantazhuese midis Kapitenëve modern. Midis tyre ajo ka ndihmuar shumë Gjergj Skënderbeun, për të cilin mësojmë nga historia, se kur ai ishte i armatosur në fushën e betejës, sytë e tij shkëlqenin mrekullueshëm nga gëzimi, gjuha e tij shumë gjallëruese, trimëruese dhe luftarake, i ndizte aq flakë zemrat e oficerëve në misionet më të vështira, saqë i bënte jo vetëm guximtarë dhe kurajoz, por edhe të furishëm e përbuzës ndaj rreziqeve, madje edhe ndaj vetë vdekjes. Por parimi themelor i bindjes është autoriteti dhe reputacioni, i cili nuk buron gjithmonë nga fitorja: por më tepër nga kuraja e shkëlqyer, vlerat dhe cilësitë e tjera të Kapitenit…”

Çdo udhëheqës ka një hero, një model prej të cilit ai frymëzohet. Makiaveli te “Princi” thotë se: “Për ushtrimin e trurit të tij, princi duhet të lexojë historianët, të shqyrtojë veprimet e njerëzve të shquar, të analizojë qëndrimet e tyre në beteja, të kërkojë shkaqet e fitoreve dhe të disfatave, duke imituar në këtë mënyrë çfarë duhet të imitojë dhe të shmangë, çfarë duhet të shmangë. Para së gjithash, ai duhet të bëjë gjithçka që kanë bërë shumë njerëz të mëdhenj, të cilët duke marrë për model heronjtë e famshëm të lashtësisë, kanë mbajtur përherë parasysh veprimet dhe sjelljet e tyre. Në këtë mënyrë, thuhet se Aleksandri i Madh frymëzohej nga Akili, Cezari inspirohej nga Aleksandri i Madh dhe Skipioni mbante për model Siriusin.” Ndërkohë, Napoleoni gjente frymëzim tek Aleksandri i Madh dhe perandorët romak. Heroi i John F. Kennedy ishte Winston Churchill. 

Ismail Qemal bej Vlora për të gjetur heroin e tij, gërmoi thellë në vetëdijen e përgjumur të kombit shqiptar. Heroi për Ismail beun natyrshëm do të ishte “kalorësi i krishterimit” Gjergj Kastriot Skënderbeu. Filli që e mbajti të bashkuar ndër shekuj lidhjen midis këtyre dy udhëheqësve shqiptarë ishte ëndrra për një Shqipëri të lirë dhe evropiane. Skënderbeu është shqiptari i parë që na dha famën në Evropë, ndërkohë Ismail beu është shqiptari që hodhi themelet e ëndrrës tonë evropiane. 

Ismail Qemali ishte një patriot shqiptar dhe shtetar osman, i cili u shndërrua në kryeministrin e parë shqiptar me pikëpamje dhe vizion evropian. Të dy këta udhëheqës kishin shumë gjëra të përbashkëta. Ata rridhnin nga familje të mëdha fisnike shqiptare, të cilat kishin luftuar Perandorinë Osmane. Ata të dy kishin vuajtur pasojat e kësaj lufte që në fëmijërinë e tyre. Skënderbeu u dha peng te Sulltani kur ishte fëmijë dhe u rrit në oborrin e tij. Ndërsa familja e Ismail Qemalit u internua kur ai ishte vetëm tre vjeç. Osmanët i internuan babanë dhe i vranë gjyshin, për shkak të qëndrimeve të tyre anti-osmane. Më pas, kur shërbente si zyrtar i lartë, Ismail beu u internua sërish, në vitet 1877-1884, dhe madje u dënua dy herë me vdekje në mungesë nga osmanët. 

Të dy, si Skënderbeu edhe Ismail beu punuan për Perandorinë Osmane, duke u shquar si dy individë të jashtëzakonshëm dhe me aftësi të veçanta. Ata u përpoqën që ta ndryshonin dhe reformonin perandorinë. Më pas, kur kjo rezultoi e pamundur, të dy e braktisën perandorinë. Ata iu dedikuan totalisht atdheut, duke u shquar si dy nga udhëheqësit më të mëdhenj që kanë dalë nga tokat shqiptare. 

Ismail beu ashtu si Skënderbeu, iku nga Shqipëria i vogël dhe u kthye në moshë të pjekur. Prej fëmijërisë në mendjen e tij kishte krijuar një imazh tjetër për Shqipërinë. Ndryshimet e mëdha që vuri re me kthimin në Shqipëri, e bënë Ismail beun, që të merrej me politikë e të punonte me të gjitha fuqitë për vendin. Përparimi, civilizimi dhe bashkimi i vendit konsiderohej dhe pranohej nga ai si i shenjtë. Por gjuha shqiptare dhe civilizimi nuk ishin pranuar në popull, për shkak të prapambetjes shekullore. Ato nuk mund të përvetësoheshin nga secili menjëherë. Ismail Qemali e kuptoi nevojën e vendit dhe nuk pati frikë por guxoi të realizonte diçka të madhe. Ai punoi që programet politike të lëvizjes shqiptare të bashkoheshin. Ai luftoi që të ndërmerreshin masa, të cilat t’i shërbenin shoqërisë shqiptare. 

Më 28 nëntor 1443, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës. Më 28 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar në Vlorë dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Ismail beu e njihte mirë historinë e kombit të tij, prandaj dhe e shfrytëzoi me mjeshtëri simbolikën e datave. Duke kujtuar 28 nëntorin e Skënderbeut në Krujë, ai ngriti flamurin shqiptar në Vlorë, po në të njëjtën ditë e muaj. Simbolika e “nëntorit të dytë” fuqizonte idenë e vazhdimësisë së kombit dhe të identitetit evropian të shqiptarëve. Ajo kërkonte të zgjonte ëndrrën evropiane në ndërgjegjen e fjetur kombëtare. 

Gjergj Kastriot Skënderbeu përballoi me heroizëm ushtrinë më të fortë dhe më të madhe të kohës, ndërsa Ismail Qemal bej Vlora u përball me mjeshtëri të rrallë politike dhe diplomatike me të gjitha Fuqitë e kohës, duke krijuar shtetin e pavarur shqiptar. Të dy ata ishin të ndërgjegjshëm, se asgjë e madhe për lirinë njerëzore në historinë botërore nuk është arritur pa fuqinë e forcës njerëzore… 

Diçka tjetër që i bashkonte këta dy personazhe ishte oratoria. Skënderbeu dhe Ismail beu kishin elokuencën dhe aftësinë për t’i magjepsur turmat. Ata dinin t’i bindnin pasuesit e tyre. Arti i të folurit ka qenë gjithmonë shumë i dobishëm për udhëheqësit. Fjalimi drithërues i Ismail Qemal Vlorës, pesëqind vjet më pas do ti ngrinte peshë shqiptarët drejt realizimit të ëndrrës shekullore për liri dhe pavarësi. Ja si e kujton ai momentin e Shpalljes së Pavarësisë: “Në një periudhë të shkurtër, u gjeta i rrethuar nga tetëdhjetë e tre delegatët e Kongresit, myslimanë dhe të krishterë, të cilët kishin ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, pavarësisht, nëse ato ishin apo jo të pushtuara prej ushtrive të huaja. Kongresi u hap menjëherë. Në mbledhjen e parë të 28 Nëntorit 1912, u votua unanimisht Shpallja e Pavarësisë. Tubimi më pas u ndërpre dhe anëtarët u larguan nga salla për të ngritur në shtëpinë time, në shtëpinë ku isha lindur, dhe ku kishin jetuar paraardhësit e mi, në mes të përgëzimeve të mijëra njerëzve, flamurin e lavdishëm të Skënderbeut, i cili kishte fjetur i palosur për 445 vitet e fundit. Ky ishte një moment i paharrueshëm për mua; me duart që më dridheshin, me shpresë dhe krenari, fiksova në ballkonin e banesës së vjetër, Flamurin e Sovranit të fundit kombëtar të Shqipërisë. Dukej, sikur shpirti i heroit të pavdekshëm, kaloi në ato momente si një zjarr i shenjtë, mbi kryet e gjithë popullit…”

Vizioni i Ismail Qemal bej Vlorës për orientimin kulturor nga Evropa vendosi drejtimin e zhvillimit të Shqipërisë. Filloi procesi i shkëputjes nga orientalizmi dhe orientimi i vendit nga perëndimi. Pra, shqiptarët ishin tashmë në kërkim të identitetit historik të humbur. Me aktin e pavarësisë kishte nisur largimi nga feudalizmi dhe hyrja në udhën e kapitalizmit dhe të zhvillimit borgjez. Ismail beu është i pari lider me mendësi evropiane i Shqipërisë që nga koha e Skënderbeut.

Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Ismail Qemal bej Vlora ishin dy udhëheqës shqiptarë që ishin njësoj të rrezikshëm për otomanët dhe ajo çka ata realizuan e konfirmon më së miri këtë të vërtetë historike. “Referuar dokumenteve arkivore të huaja Ismail Qemali ishte një figurë madhështore e kombit shqiptarë, i cili mitologjizohej nga vetë osmanët. Ai ishte një Skënderbe i dytë. Nga dokumentacioni osman, britanik dhe austro-hungarez, nuk mund të diskutohet primati i Ismail Qemal Vlorës, si udhëheqësi kryesor i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për Pavarësi. Ismail Qemali e kishte ideuar projektin kombëtar që para arratisjes nga Stambolli. Ky projekt ishte kamufluar nga Ismail Qemali nën petkun e reformimit të Perandorisë Osmane. Ismail Qemali u largua nga Perandoria Osmane për një ideal, për t’i shërbyer Shqipërisë.” (F. Duka, 2012). Skënderbeu dhe Ismail beu e shndërruan veten nga lider dhe ofiqar të lartë të Perandorisë Osmane, në liderët shqiptarë që udhëhoqën lëvizjen për largimin e Turqisë nga trojet evropiane.

Ismail Qemali dhe delegatët u nisën nga Trieste drejt brigjeve shqiptare, më 19 nëntor me anijen avullore austriake “Brünn. Në mbrëmjen e 20 nëntorit 1912, nën dritën e hënës vezulluese që shkëlqente në brigjet shqiptare, pranë Kepit të Rodonit ose Kepit të Skënderbeut, ata zbritën tek anija tjetër avullore austriake “Wurmbrand”, ku kaluan natën, para se të zbrisnin në Durrës. Në yjet e një natë magjike shqiptare, Providenca hyjnore kishte vendosur që ata para se të kurorëzonin misionin e tyre të shenjtë në Vlorë, duhet të bënin një ndalesë të fundit dhe të shkurtër, pikërisht para Kështjellës dhe Kishës së Skënderbeut. Duket sikur heroi ynë kombëtar dëshironte që t’i jepte bekimin e tij Ismail Qemalit…

Skënderbeu e ndali hovin e hordhive otomane drejt pushtimit të plotë të kontinentit evropian, ndërsa Ismail beu ishte udhëheqësi që i dha fund sundimit pesëshekullor otoman në kontinentin evropian. Të dyja këto ngjarje historike me rëndësi madhore jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Evropën, u realizuan nga këta dy udhëheqës madhështorë shqiptarë. Ndërkohë, ëndrra e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit për Shqipërinë evropiane vazhdon sot me një tjetër datë historike, që shënon hapja e negociatave midis BE dhe Shqipërisë, më 15 tetor 2024…

* Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo e shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Evarist Beqiri).

Filed Under: Histori

Atdhetarët çamë në SHBA duhet të mbështesin “Diellin” 

October 18, 2024 by s p

Arben Iliazi/

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, me rastin e festës së Flamurit Kombëtar dhe të botimit të numrit special të “Diellit” për Pavarësisë, ka hapur zyrtarisht fushatën e donacioneve, e cila mbyllet më 28 Nëntor 2024. Sipas njoftimit zyrtar, kjo është një traditë fisnike dhe patriotike, ku VATRA u bën thirrje shqiptarëve të Amerikës e më gjërë të kontribuojnë për jetëgjatësinë e gazetës më të vjetër që botohet në diasporën shqiptare. 

Gazeta emblematike “Dielli” është një pasuri kombëtare tejet e çmuar dhe trashëgimi e shkëlqyer e shqiptarëve të Amerikës, është vetë historia, identiteti dhe krenaria e shqiptarëve mbarë, pra edhe e komunitetit çam që jeton në SHBA. “Dielli”, që ka në themel historinë e kulturën kombëtare, gjuhësinë, albanologjinë, arkeologjinë, median, datat historike, ngjarje dhe figura të shquara të kombit shqiptar, në mënyrë të vazhdueshme dhe pa ndërprerje ka mbështetur edhe çështjen çame, ka evokuar historinë, kulturën dhe traditën e Çamërisë, duke apeluar pranë  forumeve ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje, mbi bazën e respektimit të të drejtave të njeriut, për rikthimin e  të shpërngulurve me dhunë. 

Në gazetën “Dielli” dhe në aktivitetet e Vatrës çështja çame është trajtuar si problem i të gjithë shqiptarëve, një dimension tepër i dhimbshëm i tragjedisë kombëatre që pret zgjidhje, pas 80 vjetësh nga gjenocidi i tmerrshëm grek. Çështja Çame është një plagë e dhimbshme në trupin e kombit shqiptar, por edhe një peshë e rëndë në ndërgjegjen e kombit grek, ndaj VATRA, vatranët dhe shqiptaro-amerikanët nuk do ta harrojnë kurrë Çamërinë dhe nuk do të reshtin kurrë përpjekjet për ta ndërkombëtarizuar në të gjitha institucionet amerikane këtë çështje. Ky ishte mesazhi që kumtoi publikisht, si rrallëkush më parë, Kryetari i Vatrës, Dr. Elmi Berisha, live nga Çamëria, gjatë vizitës ekskluzive në viset kombëtare të Çamërisë, më 20 shtator 2024. Zëri i tij është zëri i ndërgjegjes së shqetësuar kombëtare. “Këto vise dikur ishin të banuara me shqiptarë, historia tragjike e të cilëve tashmë dihet, andaj kjo vizitë është hapi i parë i zbardhjes së të vërtetës dhe i ngritjes së zërit për të drejtat themelore të njerëzve tanë atje”, tha publikisht Dr. Elmi Berisha.

Dr. Elmi Berisha deklaroi në mënyrë solemne, me dinjitet të pazakontë, plotësisht i ndërgjegjshëm për misionin e madh, por edhe të vështirë, se ky është orientim nacional i Federatës Pan – Shqiptare të Amerikës “VATRA”, duke u zotuar që këtë çështje do ta ngrejë në instancat më të larta të shtetit amerikan, për të pasur një dritë shprese për realizimin e të drejtave nacionale, të drejtës në pronë dhe në deklarimin e lirë për përkatësinë e tyre kombëtare.

“Ky hap nuk është vetëm vullnet i imi si kryetar i Vatrës, por është obligim dhe orientim strategjik i tërë lidershipit të Federatës “VATRA”. Nga ky moment dhe në ditët, javët dhe muajt në vijim do fillojmë, me njerëzit më të mirë të komunitetit tonë, që ta ngrejmë këtë çështje në Kongresin Amerikan dhe do të jemi zë i fuqishëm në realizimin e këtyre të drejtave themelore për bashkëkombasit tanë çamë”, theu heshtjen e pajustifikueshme të institucioneve shqiptare e greke Kryetari i Vatrës.

Pas këtij angazhimi solemn, entiteti çam, forumet çame dhe anëtarë të shquar të këtij komuniteti të sukseshëm në SHBA e gjetkë në Perëndim, duhet të ndihmojnë aktivitetin e Vatrës dhe të jenë të jenë të gatshëm, si gjithmonë, t’a ndimojnë dhe t’a përkrahim çështjen pa kursim, me mënyrat dhe mundësitë që kanë. Ky është testi i ndërgjegjes së vërtetë të njerëzve patriotë, është prova jonë historike. Gazeta “Dielli” është ajri i mushkërive të mendimit të lirë kombëtar, është shpirti i Kombit që lufton për të drejtën natyrore, historike dhe kulturore të shqiptarëve!

Federata Pan-shqiptare VATRA, që nga viti 1912 kur është krijuar, mbron idenë e Kombit të Bashkuar. Ajo ka pasur si mision historik mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve në SHBA, si dhe ka ndërmarrë përsipër lobimin në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për të drejtat e shqiptarëve anembanë botës.

Kontributi i atdhetarëve çamë në Federatën VATRA dhe në gazetën “Dielli” ka një traditë mbishekullore, që vazhdon edhe sot. Përveç Nolit, Kristo Floqit, Kostë Çekrezit, e shumë e shumë penave të tjera dinjitoze, “Diellin” e  kanë drejtuar edhe intelektualë, shkrimtarë e atdhetarë të shquar me origjinë çame, si Faik Konica, Bilal Xhaferri e Arshi Pipa. 

Faik Konica një nga themeluesit e Federates VATRA, rrjedh nga një familje feudale nga Konica e Çamёrisё.. Me themelimin e Federatёs “Vatra”, mё 1912, ai u zgjodh sekretar i pёrgjithshёm i saj. 

Shkrimtari i shquar çam Bilal Xhaferi shërbeu si zv.editor i “Diellit” në vitet 1970-1972, ku spikati me shkrime të fuqishme kundër inkuizitorëve antishqiptarë. Ndërsa Prof. Arshi Pipa u zgjodh në krye të VATRA-s dhe të Diellit në mars të vitit 1991, ku shërbeu për një periudhë pak më shumë së njëvjeçare.

Siç pohon studiuesi Gëzim Sejko (Gjylbegaj) “Arshi Pipa është një personalitet i shquar i kulturës dhe letrave shqipe, si dhe një vatran e kryetar i saj për një periudhë kohore, i cili, në një takim me intelektualët e qytetit të Shkodës, ka thënë : “Jam me origjinë nga  Çamëria, prindërit e mi janë vendosur në Libohovë e më vonë në Shkodër”.

Faik Konica, Bilal Xhaferi, Arshi Pipa, etj. krijuan klimën e krijimtarisë letrare, publicistike, shkencore, që i dha hov rritjes e forcimit të komunitetit shqiptar të Amerikës, si asnjë komuniteti tjetër i diasporës shqiptare. 

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Foto e rrallë: Konica në Boston me fustanellë çame (1909)

Kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha gjatë vizitës në Camëri (20 shtator 2024)

Vatra Manhattan Branch - KRYETARI I VATRES: GAZETA “DIELLI”, URIME  DITËLINDJA E 112-TË! “Dielli”, gazeta më e vjetër në botën shqiptare feston  112 vjetorin e themelimit të saj. Sot është një ditë

Filed Under: Histori

NEOOTOMANIZMI : ANTIHISTORIK, ANTITURK DHE ANTISHQIPTAR

October 11, 2024 by s p

Nga Jusuf Buxhovi/

Një përqasje historike sado kalimthi e periudhës së fundit të Perandorisë Osmane (nga Kriza Lindore deri te luftërat ballkanike si dhe rrënimi i saj përfundimtar në vitin 1923 kur do të shpallet Republika e Turqisë) jep për me kuptue se tendencat e sotme neootomane dhe kalifatiste në drejtim të vendeve europiane që dikur ishin të pushtuara nga Perandoria Osmane dhe poashtu kundër kemalizmit në Turqi, përkundër farsës demokratike me të cilat po përcillen, janë antihistorike, antiturke dhe antishqiptare njëherësh, meqë historia kategorisht përjashton reinkarnimet e tilla.

I.

Aspekti antihistorik

Ndonëse sulltan Hamidi shfaqet si “kalifi” i fundit osman, me reformat e Tanzimatit (shpallja e Hatisherfit të Xhylhanës dhe të Hamajanit), u pranua parlamentarizmi ndërsa sistemi juridik pjesërisht u largua nga diktati i sheriatit, Perandoria Osmane detyrimisht hoqi dorë nga obskurantizmi fetar dhe logjika e kalifatit. Edhe pse në vitin 1877 sulltan Hamidi, me shpërndarjen e parlamentit osman ktheu despotizmin, megjithatë, në raport me fuqitë e mëdha të kohës, Perandoria Osmane, ruajti kursin europian, duke i mbështetur reformat juridike, ekonomike dhe politike në vend, pale se shumë prej tyre mbetën vetëm në letër nga shkaku se vetëdija e kalifatit ishte pjesë e mentalitetit të shtresës dominuese shoqërore që nuk i pranonte ndryshimet që e shpronsonin nga fuqia e pushtetit despotik dhe ushtrimit të tij në të gjitha poret shoqërore. Pas Konferencës së Parisit 1865, kur do të pranohet në sofrën e Fuqive të Mëdha europiane, ndonëse në një situatë të pavolitshme gjeopolitike dhe gjeostrategjike kur duhej të lëshonte vazhdimisht pe karshi hegjemonizmit rus dhe aleatëve të saj në Ballkan (serbëve, malaziasve, bullgarëve dhe grekëve duke ua pranuar autonomitë por edhe shtetet me të cilat ajo po përjashtohej nga pjesa europiane e perandorisë), Perandoria Osmane ishte e vetëdijshme se aleanca me vendet europiane si dhe fryma perëndimore mund ta shpëtonte sado pak nga gllabërimi pansllavist me të cilin përballej nga lufta e parë e Krimesë e deri te ajo e fundit. Nga kjo kohë e deri te Luftërat Ballkanike (1912), duke u munduar që t’i bënte ballë disi invazionit rus në pellgun e Detit të Zi, që gjithnjë e më shumë po e rrezikonte Bosforin si dhe lëvizjeve nacionaliste sllavo-ortodokse në pjesën europiane, Perandoria Osmane ishte kthyer në një shtet vasal të fuqive europiane, të cilat mbikëqyrnin jetën ekonomike dhe politike të vendit, ndonëse kjo nuk e shpëtoi nga rrënimi i plotë që do t’i vijë pas Luftës së Parë Botërore, kur me kalimin në anën e Fuqive të Boshtit, u përfshi në sferat e interesit në anën e humbësve. Megjithatë, Republika e Turqisë, e shpallur nga Mustafa Kemali (Ataturku) në vitin 1923, lidhjen e deriatëhershme vasale me vendet europiane, e ktheu në një partneritet të vazhdueshëm me interes të dyanshëm. Kjo ndodhi edhe në saje të asaj se shteti i ri turk, me fitoren ushtarake në Traki ndaj pushtuesve grekë (në Edrene), ruajti praninë e tij edhe në hapësirën europiane. Si i tillë shteti i ri laik turk, i shtrirë edhe në gjeografinë shtetërore europiane, nga “ një vend me sëmundje kronike të pashërueshme” , siç ishte gjatë kalifatit, u kthye në një faktor tepër të rëndësishëm gjeostrategjik që mbikëqyrte hapësirën e Bosforit, por edhe ruante baraspeshën strategjike në rajon.

II

Aspekti antiturk

Shpallja e Republikë së Turqisë në vitin 1923 i jep fund një procesi të gjatë historik prej pesë shekujsh nëpër të cilin kaloi Perandoria Osmane nga forcimi dhe invazioni i saj kur ajo u shfaq në kontinentin europian e deri te rrënimi i plotë. Ky proces i pandalshëm historik, kur ajo mori epitetin “e sëmura e Bosforit”, nisi me shtatë luftërat e Krimesë me Rusinë nga vitet 1723-1865 dhe përfundoi me ato ballkanike (1912), mori rrugën e pakthyeshme nga lëvizja nacionaliste turke, e cila kishte për qëllim rrëzimin e kalifatit dhe zëvendësimin e tij me një shtet nacionalist turk, që do të lirohej nga koncepti islamist “fe-vatan”. Kjo lëvizje, politikisht u manifestua dhe doli në skenë në kohën kur sulltan Hamidi rrëzoi parlamentarizmin dhe riktheu despotizmin politik (1877). Në këtë lëvizje të madhe politike, të njohur si lëvizja xhonturke (tuqit e rinj), e cila filloi nga studentë, intelektualë dhe ushtarakë me orientim europian dhe perëndimor, morën pjesë edhe shqiptarë, madje edhe si themelues të saj (Ibrahim Temo), të vetëdijshëm se rrëzimi i kalifatit dhe kthimi i parlamentarizmit ishte një parakusht që të faktorizoheshin në përputhje me interesat e tyre jetike, siç ishte krijimi i një Shqipërie autonome që do t’i mbronte nga ivazionet pansllaviste. Këto impulse ishin vendimtare nga faza e parë e luftimit të obskurantizmit fetar dhe despotizmit hamidian e deri te fitorja e revolucionit xhonturk më 1908 në Ferizaj, kur nga ultimatumi i kryengritësve shqiptarë sulltan Hamidi riktheu parlamentarizmin.

Kur flitet për këto impulse që iu dhanë nacionalizmit turk nga shqiptarët, kihet parasysh roli i madh që pati Sami Frashëri për themelimin e gjuhës turke së cilës ia dha bazën shkencore karshi persishtes zyrtare, me çka nacionalizmit turk iu krijua platforma shpirtërore, siç kihet parasysh edhe roli i themeluesve të lëvizjes xhonturke, intelektualit shqiptar Ibrahim Temo nga Manastiri. Pastaj, roli i Ismail Qemalit për reformimin e lëvizjes në Kongresin e Parisit 1907 dhe shumë e shumë intelektualëve shqiptarë (Hasan Prishtinës, Bedri Pejanit, Dervish Himës, Mehdi Frashërit, Nexhip Dragës dhe të tjerëve), që ishin militantë të kësaj lëvizje nga fillimet e deri te fitorja në Ferizaj. Me këtë rast nuk duhet harruar edhe roli i madh i ushtarakëve shqiptarë (Kolonelit Njazi nga Resnja) dhe oficerëve nga garnizoni i Manastirit, të cilët u rebeluan dhe iu bashkuan revolucionit, duke u kthyer kështu në krah ushtarak të tij.

Edhe pse xhonturqit nuk i përmbushën detyrimet ndaj shqiptarëve dhe madje, nga vitet 1909-1912, me pranimin e osmanizmit si ideologji nacionaliste shtetërore u kthyen në kundërshtarë të rreptë të tyre. Megjithatë, nacionalizmi turk pasi që hoqi dogmën e “milletit osman” dhe kurthin islamist, që i kishte anatemuar më së shumti shqiptarët që kishin tri besime, duke u mbështetur në faktorin gjuhë shqipe, vuri në veprim të pandalshëm nacionalizmin shqiptar, i dha dëshmitë më të fuqishme të shqiptarizmit në planin shoqëror, intelektual dhe politik (pranimi i alfabetit me shkronja latine në Kongresin e Manastirit 1908, hapja e klubeve shqiptare në shumë pjesë të vendit, hapja e shkollave shqipe si dhe botimi i librave shqipe bashkë me gazetat shqiptare). Kështu, mbështetja mbi gjuhën dhe etninë, ia krijuan platformën lëvizjes për çlirim dhe pavarësi kombëtare, e cila pikën kulmore e arriti me kryengritjen e Kosovës të verës së vitit 1912, kur me katërmbëdhjetë pikëshin e Hasan Prishtinës në Shkup, Perandoria Osmane pranoi realitetin etnik dhe atë gjuhësor shqiptar, një Shqipërie Osmane prej katër vilajeteve, që duhej t’ia hapte rrugën Shqipërisë Europiane.

III.

Aspekti antishqiptar

Humbja e Luftës Ballkanike në vjeshtën dhe dimrin e vitit 1912 ishte tragjike edhe për shqiptarët, të cilët ndonëse shpallën pavarësinë kombëtare në përputhje me shtrirjen e njohur etnike, me vendimet e Konferencës së Londrës, mbetën të ndarë.

Por, kjo humbje tragjike, së cilës shqiptarët i paguan një çmim shumë të madh, ishte tragjike edhe për vetë popullin turk, i cili në ato rrethana vendimtare që i paraprinë Luftërave Ballkanike dhe asaj Botërore, serish u ra në duar kalifatistëve, me çka bëri një veprim të pafalshëm antihistorik. Në këto rrethana, pasi që ishte humbur lufta me grekët, të cilët me pushtimet e tyre kishin depërtuar në hapësirën e Azisë, rikthimi i sulltan Hamidit V në pushtet, perandorinë e dikurshme e ktheu në një kalifat të vogël obskurantist në Anadoll. Do të jetë një ushtarak me origjinë shqiptare, (Mustafa Qemali), i cili me shumë oficerë nga viset europiane (shumë prej tyre shqiptarë, që kishin humbur atdheun e copëtuar nga pushtuesit serbë dhe grekë), jo vetëm që nuk e pranoi këtë realitet poshtërues për popullin turk, por krijoi lëvizjen e re turke, e cila riktheu forcën e vet me rrënimin e kalifatit të Andollit dhe shpalljen e Republikës së Turqisë. Ndodhi kjo në vitin 1923 kur kemalistët ia dolën që nën flamurin e Republikës së Turqisë, e cila kishte ndërprerë të gjitha lidhjet me kalifatin dhe Perandorinë Osmane, fituan luftën me grekët dhe serish ia kthyen dinjitetin popullit turk. Me paqen e Lozanës, Republika e Turqisë, e cila kishte rikthyer një pjesë të hapësirës europiane, duke u shpallur shtet laik, vuri lidhje të natyrshme edhe me botën perëndimore.

Ishte kjo një fitore e madhe historike e popullit turk, që u arrit vetëm pasi që u shkëputen të gjitha lidhjet me një të kaluar historike osmane së cilës moti i kishte ikur koha dhe shfaqej e dëmshme edhe për fatet e saj. Pra, për këtë kthesë të madhe historike, meritat i ka kemalizmi, si koncept politik dhe shtetëror laik, që me forcimin dhe stabilizimin e shtetit turk deri te përmasat e një fuqie rajonale, Europës Juglindore, por edhe botës perëndimore ia hoq mundësinë e luftës së qytetërimeve, si dhe rrezikun nga hegjemonizmi permanent rus në të cilën ajo u përpëlit gjatë kohës së kalifatit osman në shekullin XIX dhe fillimet e shekullit XX.

Ndaj, në rrethanat e tanishme, të pretendosh në trashëgiminë e një kalifati obskurantist me të cilin i kanë qëruar hesapet vetë turqit dhe madje me te të identifikosh edhe popuj që nga pikëpamja shoqërore, kulturore dhe politike që moti i takojnë një qytetërimi të lirë dhe demokratik dhe të ëndërrosh se atë mund ta rikthesh “me ndihmën e Allahut” dhe demonstrimit të xhamijëzimit jashtë kritereve fetare, nuk është vetëm anakronizëm historik, por edhe miopi politike dhe aventurizëm i rrezikshëm, që kështu, mund t’i kthehet në bumerang vetë Turqisë, e cila jashtë konceptit kemalist, rikthen anatemën e “të sëmurës së Bosforit”, që dihet se ku e çon.

Filed Under: Histori

KALAJA DHE QYTEZA E MARSHEJIT, MONUMENTI 2300 VJEÇAR ILIRO-SHQIPTAR NË LUFTË ME HARRESEN…

October 9, 2024 by s p

Ndue Bacaj/

Rreth shtatë kilometra nga qyteti i Koplikut, në Kastrat (të Malësisë Madhe) në katundin Marshenj të fshatit Gradec, mbi një kodër shkëmbore sot gjinden rrenojat e një qendre urbane që dikur ka qënë një qytezë, qytet apo kala, që vendasit edhe sot këto rrënoja i “thërrasin” Kalaja e Marshejit…Kjo kodër shkëmbore, nga veriu lidhet nga një varg kodrash të tjera, kurse rrezë saj, nga lindja e juglindja Përroi i Thatë. Mbi majen e kodrës ndodhet një shesh 0.5 ha, por me një fushpamje të gjërë. Sheshi rrethohet nga një ledh gurësh, duke krijuar një planimetri eliptike. Një tjetër mur i thatë me linjë të drejtë mbyllë qafen e kodrës në drejtimin përendimor, ku pjerrsia është e vogël. Ai mbronë një shesh të dystë me siperfaqe 1 ha. Muri rreth 90 m i gjatë, ka një trashsi prej 2.70 m.. Ai përbahet prej dy faqesh të ndertuara në të thatë prej gurësh të mëdhenjë e mesatar të papunuar dhe mbushje çakulli. Muri përshkohet nga një hyrje e thjeshtë me gjërsi 1.6 m. Ndertimet mbrojtëse me ledhe guri janë tipet më të vjetra të fortifikimeve… Matrialet më të hershme të mbledhura në siperfaqe i takojnë shek.VI-V para Krishtit dhe vazhdojnë deri në periudhen e pushtimit romak. 1. Emri i parë i qytezez apo qytetit sipas studiuesve dhe gjeografeve të kohes dhe me vonë ka qenë Sinna apo Cinna… Emri i qytezes duket se lidhej me nënfisin me emrin Kinebar që perfshihej në fisin e madh Ilirë të Labeateve , që banonin thuajse tërë trojet e Malesisë Madhe Etnike të asaje kohë e më gjërë. Gjeografi i njohur i shekullit II pas lindjes Krishtit , Ptolemeu që jetoi në Aleksandri në vepren e tij “Gjeographia” , libri II , në “kapitullin” vendi që zë Iliria kur i vjen rralla të shënojnë qytetet si Skodra (Shkodra), Doklea (Dioklea),shenon edhe emrin e qytetit Cinna, me pozicionet gjeografike 45 grad e 40’ dhe 42 grad e 30’..2. Edhe studiuesit Skender Anamali dhe Damian Komata ne punimin e tyre me titull “VARREZA E KALLDRUNIT”, i referohen gjeografit Ptolomeu, ku ndër të tjera shkruajn: “.. Emri i parë që duhet marrë në konsideratë është Cinna , që permendet në gjeografinë e shekullit II të eres sonë të Ptolomeut nga Aleksandria si qytet i brendeshem i provinces së Dalmacisë, Sinna apo Cinna, stacioni i parë rrugor i rruges që nisej nga Scodra (Shkodra) në drejtim të Dalmacisë… 3. Ndërsa te një autor tjetër antik i shekullit II të erës sonë (Appianus tek vepra Illyrica) permendet perseri kjo qyteze, gjithashtu këtu shkruhet se Kinebaret qënë banoret e një mikrokrahine midis qyteteve Scodra (Shkodra) e Dioklea , të cilet si një nënfis i vogel ishin perfshirë në fisin e madh të Labeateve. Qenderbanimi i tyre ka qënë Cinna (apo Sinna) e cila njëkohësisht ishte një stacion i rendesishem rrugorë.. Një burim i rendësishëm per studimin e rrugëve antike janë të ashtuquajturit itinerarë (nga lat.iter-itineris= rrugë). Keto paraqesin në vetvete lista rrugesh dhe harta grafike , në të cilat janë të shënuara drejtimet që ndiqnin rruget , stacionet e tyre dhe largësitë… Një rendesi të madhe midis itinerareve të ruajtura ka edhe Tabula Peutingeriana (shek.III-IV) nga e cila mësojmë se kur pershkruhet rruga nga lumi Arsia (Kastelnovo) nepër Salonë (Dalmaci) e deri në Dyrrah (Durrës), shënohet emri Sinna, ndersa kur pershkruhet rruga nga Salona në Dyrrah e gjejmë të shkruar Cinna (Marshej).. 4. Është interesant se një emertim i tillë gjendet pas shkullit të dytë edhe në trojet e atëhershme të Koplikut apo Kalldrunit sotem. Studiuesit dhe arkeologët Skender Anamali dhe Damian Komata duke ju referuar shenimeve të H. Kiepert ,(Forme ORBIS Antique XVII) , shkruajnë se : “ Në lidhje me identifikimin apo lokalizimin e Cinnas janë shfaqur disa mendime , per tu marrë në konsideratë sipas mendimit tonë është perveç Koplikut me periferin e tij edhe Mrashenji , ku sikurse dihet , ka pasur një qenderbanim të fortifikuar , të periudhes së parë të hekurit ..” (Duke ditur se Periulla e hekurit ka një shtrirje kohore nga shekulli XI para Krishtit deri në shekullin e V para Krishtit , ne mesojme se qyteti , qyteza apo edhe fortesa e “Marshenjit” paska ekzistuar te pakten 2400-2500 vite më parë.. N.B.). Në perputhje me lokalizimin e Sinnas apo Cinnas ilire në Mrashej ka kaluar rruga e madhe transversale nga Narona (Dalmaci ) në Shkoder , por jo buzë Liqenit , por rreze kodrave… Në periullen e parë të hekurit, dhe ndoshta deri në prag të eres sonë , qenderbanimi kryesore i fortifikuar i mikrokrahines së banuar nga Kinabaret ka qënë qyteza e Marshejt. Ky qenderbanim i fortifikuar e humbi rendesinë e meparshme , pasi nga lartë popullsia vendase u shperngul në fushë (në trojet e Kalldrunit apo Koplikut që në atë kohë këta banorë suallen edhe emertimin , Cinna apo Sinna në vendbanimin e ri N.B.).. Persa i perket qytezes së fortifikuar të Marshenjt, duhet thënë se nuk dimë shumë gjëra , sepse vetem muret rrethuese të periulles së parë të hekurit kanë qënë objekt studimi. Midis këtyre mureve ndodhen edhe rrenojat e një forifikimi të mëvonshem , të perfaqesuar më mirë nga një kullë, ku bie në sy si mjet lidhes një llaç gelqerore i perzier me pluher e copa tullash… Ky fortifikim i vonë i dy shekujve të parë të eres sonë të çon drejt mendimit se ndertuesit e tij (në fakt rindërtuesit N.B.), kanë qënë pushtuesit Romak, pasi Qyteza Ilire e Marshejit u shenderruar prej ketyre të fundit në një qender të vogël vezhgimi të një garnizoni ushtarak që mbikqyrte të vetmen dalje natyrore, që zbret nga Malësia dhe njekohesisht rrugën që kalonte poshtë saj , gjatë bregut lindore të liqenit të Shkodres…” .5. Është interesant se per shpernguljen e banorve të qytezes së Marshenjit per në vendbanimin e ri Cinna apo Sinna gjinden njoftime që nga viti 33 para Krishtit e deri nga fundi i shekullit IV pas Lindjes Krishtit , por mjerisht nuk mund të gjejmë asnjë matrial që tregon per numrin e banorve të Qytezes së Marshejt, ndersa per kulturen dhe zhvillimin tregojnë varret e zbuluara në Kalldrun të cilat ishin “mbartese” të kulturës dhe zhvillimit të banorve që zbriten nga Marsheji , ku u gjeten mbishkrime në rrasa e gurë varresh, fibula e monedha bronxi , veçanarisht të perandorit romak Gordian III ( vitet 238-242 ), gjithashtu u gjetë edhe një monedhë bronxi e Hyut Lar , si dhe togza e matrial tjeter arkeologjik, por edhe një shumicë monedhash argjendi të Dyrrahut (Durrsit) dhe Apolonisë të viteve 225 – 100 para lindjes Krishtit…. Duke filluar pas vitit 33 para Krishtiti qendërbanimi i fortifikuar i Marshejit e humbi rëndësinë e mëparshme; nga lart popullsia vendase u shpërngul në fushë…6. Gjithashtu gjetjet e sipërcituara kanë intersë pasi tregojnë kulturen dhe qytetrimin e njejtë me pjeset e tjera të zhvilluara të Ilirisë.. Per Marshejin shkruan edhe një studiues vendali (kastratas), i cili ndër të tjera tregon, per toponime të ndryshme në rrenojat e qytezes apo kalasë , si Vishane të cilat trashigohen edhe nga banoret e Marshej-Gradecit e më gjërë.7. Duke parë me kujdes në themelet e rrenojat që e rrethojnë “Qytezen” e Marshejit , mendoj se “Toponimi” VISHANE nuk është gjë tjeter , veçse shkurtimi i bashkimit të fjaleve “VESHJA ANSORE”… Në vitin 518 njoftohet se trevat e veriut të Ilirisë i tronditi një termet i fuqishem , ku Qyteti i famshem i Dioklesë thuajse u rrafshua , 8. por për qytezen e Marshejit nuk kemi asnjë njoftim konkret,ndonse në ketë qyteze të kthyer edhe në një keshtjellë të fuqishme nga Romaket , jetonin perveç ushtrisë edhe familje të hierarkeve ushtarak. Sidoqoftë na duket me vlera të cilësojmë se një historian i vjeter francez , ish Argjipeshkevi i Shkupit , shkruan per disa invazione grabitqare të Arabeve në trojet shqiptare të Veriut , të cilat filluan të duken në vitin 811, dhe Malsoret kishin rolin e tyre në ketë rezistencë , por ne nuk dimë nese Marsheji vazhdonte të ishte një Kala strategjike në këtë kohë…. Perseri në vitin 875 me urdhër të Papa Gjonit VIII në Shqiperinë e Eperme (të Veriut N.B.) u mbajt një Koncil, ku u rregulluan çeshtje të vendit në praninë e Pauliminit, mbret i Dalmateve , të Dukes së Kroateve, Zhupanit të Serbëve ( ende me besim Katolik N.B.) dhe perfaqesuesve të Bazilit, perandor i Kostandinopojes. Në mes të tjerash u vendos që Selia Metropolitane e Shqiperisë Eperme të zhvendosej nga Shkodra në Diokle…9. Sipas gojdhenave në Qytezen apo Keshtjellen e Marshejit në keto vite gjindeshin disa kisha Kristiane (katolike) që nga ky koncil e mbrapa do të mvareshin jo në Shkodër , por në Dioklen me siguri të rindertuar pas termetit të vitit 518 …

TË DHËNA NGA DY ARKEOLOGË AUSTRIAK…

Mendova që ketij studimi të vogël ti shtoj disa të dhënave të dy arkeologëve austriak (K.Prashniker dheA. Shober), të Institutit Arkeologjik të Vjenës, të viteve të Luftës parë Botërore (1914-1918). Të dhënat marrin vlerë pasi janë të konstatuara në vend nga dy arkeologët dhe na japin mundësi të krahasojmë gjendjen e mbi një shekulli më parë, të asaj që kishte mbetur nga kalaja e qyteza Marshejit , dhe ajo çfar shohim sot nga kjo trashigimi… Nga këto të dhëna citoj: “…Nëse emri i fshatit Gradec dëshmon për një vendbanim të vjetër dikun afër , tumat e shumta prej guri të periudhës Latine e vonë, të konstatuara nga Nopça në Traboin e Kosan , japin siguri që ky vendbanim shtrihet që nga periudha Ilire. Në tërë zonen vetëm kodra e Marshejit ofron mundësi për praninë e një qyteze. Në të vertet këtu gjenden ende germadha të mureve rrethuese të vendbanimit të hershëm. Kodra e Marshejit është pjesa fundore e njësisë malore që shoqëron bregun e djathtë të Përroit Thatë…mbrohet në dy krahë nga kanioni i thellë i lumit (Përroit..N.B.)…dhe perbëhet nga dy kurrize shkëmbore që lidhen mes tyre , ofron hapsirë të mjaftueshme për një vendbanim të madh, i cili mbrohej nga shpati i rrëpirtë i kurrizit shkëmbor si dhe nga fortifikimet artificiale në dy qafat. Nga këto të fundit është ruajtur më mirë muri , që bllokonte hyrjen e vetme të mundëshme në anën perendimore. Këtu gjendet gjithashtu hyrja kryesore e vendbanimit, një portë e thjeshtë 1.50 m e gjërë , që krijohet nga çarja e murit . Muri me trashësi mbi 3 m … përbëhet nga dy faqe të punuara me blloqe gurësh të mëdhenj , të latuar trashë, të vendosur njëri mbi tjetrin pa lidhje të veçantë, ndërsa pjesa e brendëshme është mbushur me çakull. Në qafen veriperendimore ai ruhet në lartësi 1.2 m. Vazhdimi i tij përgjatë buzës së rrëpirtë të kurrizit shkëmbor jugor, në qafen juglindore për të perfunduar në kreshten shkëmbore veriore nuk dëshmohet më, por duhet pranuar se ai ka ekzistuar dhe muri i shkriftë mund të jetë shembur fare lehtë. Ndërkaq në majen më të lartë të kodrës jugore gjenden akoma gjurmë të ndertimit të bërë me llaç…. Gërmadhat e pakta të ndertimit me gurë të thyer si dhe shkëmbinjtë e përpunuar , që ruajnë ende gjurmë llaçi, na nxisin të shohim këtu praninë e një kulle rrethore si dhe të një muri që shkon nga veriu. Rreth 30 hapa poshtë majës , mbi shkëmb shihen dy mure të ndertuara me gurë të latuar me kujdes , 8 m dhe 4 m gjatësi , 2 m lartësi , që mbështeten tek njëri tjetri me kënd të drejtë. Edhe këtu është përdorur llaç gelqereje i perzier me pluhur tullash. Përgjatë shpateve mblodhëm fragmente tjegullash dhe enësh me baltë natyrore. Edhe në tokat e kopshtijet e fshatit Gradec dëshmohen gjurmë të vendbanimit të dikurshëm romak. Prania e një kështjelle të vjetër Ilire në kodren e Marshejt ka rëndësi të madhe , mbasi ajo zotëron vendin ku kryqëzohen rruga e vetme e pershtatëshme që vjen nga Malcija me aksin rrugor që kalon përgjatë bregut lindor të liqenit. Këtë rëndësi duhet të ketë pasur edhe në periudhen romake…. Rruga kapërcente Përroin e Thatë në Marshej , mbasi këtu ofrohet një kalim i përshtatshëm , përpjetë dhe teposhtë rrjedhës së lumit… Nuk perjashtohet mundësia që ura me një hark e Marshejt , e vendosur në pjesën më të ngushtë të kanionit me thellësi deri 20 m , të mbështetet në themele antike…10. Sot duke vrojtuar me kujdes atë çfar ka mbetur nga konstatimet e dy arkeologëve të mbi një shekulli më parë , shohim se nga kalaja e qyteza e Marshejit ka mbetur fare pak ose aspak nga kjo trashigimi, mjerisht edhe per fajin “tonë”…

EMRI I “ RI “ MARSHEJ !

Deri në keto momente ne nuk kemi mundur të zbulojmë asnjë dekument që verteton sakt , se kur u ndryshua emri i qytezes apo kalasë nga Cinna apo Sinna në Marshej . Është interesant se në “Kuvendin e Studimeve Ilire” , emri Marshej u konsiderua mbishkrim në gjuhen latine..11. Për emërtimin Mrashenj ka mendime të ndryshme nga autor vendas e të huaj ,por dy janë versionet më të mundeshme : I pari është versioni i cili Emertimin Marshej e lidh me homonimin Marku i Shenjtë . Kjo lidhet me atë të Shën Markut Ungjilltare , të cilit kastratasit i kanë pas ngritur Kisha , dhe i kanë festuar naten dhe diten , perkatesisht daten 24 prill në mbremje , dhe daten 25 prill diten , si dhe i kanë kushtuar tempuj kulti ( si Kisha e Shen Markut e tjer..). Ndersa shkrimtari me origjin nga kastrati (Nikolla Spathari) në një liber “memoristik” të tij ndër të tjera shkruan : “Toponimi “Marshenj” ka lidhje me një njeri të Shenjtë qe ka jetuar në Shpellen po me emrin Marshej , por në fakt e kishte emrin Marku –Shenjt , por duke u bazuar në të folmen e treves që bashkon emrin dhe mbiemrin është “hequr” germa “ K” dhe emri e mbiemri është perdorur së bashku me togfjaleshin Marshejt. Gjithsesi duke studiuar histori të peraferta të trevave të Shqiperisë veriore, mendojmë se është afer të vertetes edhe emertimi i Marshenjt , nga emri i Malit apo Kodres që ndër shekuj u quajt MALI I SHENJTË”. 12. Për këtë mjafton të kujtojmë se emertime të tilla kemi në Mirditë e veçanarisht në Pukë ku toponime apo homonime me emrin e Shën Gjergjit qarkullojne edhe sot, madje keto i dedikohen ketij Shenjëtori që kur ishte i ri dhe thuhet se kishte vrarë një Kulsheder që ndodhej në një shpellë të maleve të Pukes , e cila u ndalonte burimet e ujit , nese nuk i çonin si dhurat çdo vit një vajzë apo djalë per ta ngren si kompensim… 13. Këtu vlenë të theksohet se Toponimi “ Shpella e Marshejit’, i perket një shpelle që gjindet edhe sot pak me lart se vetë rrenojat e qytezes apo Kalasë dhe ka lidhje pikrisht me toponimin (apo më sakt homonimin) e njeriut të Shenjtë ( Markut Shenjtë apo Malit Shenjtë ), por kjo shpellë edhe sot duket interesante , pasi aty gjenë jo vetem kushte per një jetë ( natyrisht primitive ) , por edhe gjurmë jetë të shekujve të hershem. Kjo shpellë është shfrytëzuar edhe si një burim uji , dikur mjaftë i pershtateshem per tu pirë… Natyrisht duke njohur edhe ketë traditë historike të trevave tona neve na lindë e drejta të besojmë se Mali ( apo Kodra qe thirret me shepsh sot ) mund të jenë quajtur i Shenjtë ndër shekuj , pasi vetë Keshtjella dhe pozicioni i saj kanë ndihmuar banorët e qytezes dhe ata per-rreth të mbrojnë trojet dhe jetët e tyre nga pushtues e lakmues të ndryshem në dhjetë shekujt e parë të besimit Kristian… Qyteza e Marshejit ka qënë objekt studimi edhe nga albanologu dhe studiuesi i njohur At Giuseppe Valentini (Zef Valentini) nga i cili citojmë : “ MARSHENJ ose MARSHEJ , Vëllazeri ? -si emer familjar (“Marsen , Mersen”) ka dalë në shekujt XIII –XIV: “Illi Marsenoviç “, janë të dhëna të vitit 1288 nga “mbreteria Serbe” të njerrura nga Manastiri i Vranines ; si dhe kështu vazhdon edhe në vitet 1322-1329 me një Georgius Marsen dhe cilsime të tjera më të njejtin mbiemer….si dhe kalaja e njohur edhe aktualisht e Marshejit duhet me qënë në të njejtin vend…”.14. Ndersa një studiues tjeter i italian (Ermanno Armao) në një liber studimor të tij shkruan: “Gradezi , është me siguri fashati i vogël Gradec pak kilometra në juglindje të Ivanajve , në bregun e djathtë të perronit Thatë. Bënë pjesë në bajrakun e Kastratit ….. Aty shihen rrënojat e një Kishe dhe muresh të lashta të një fortese mbi Koder-Marshejit, që besohet të jetë themelim romak ose ilir…“. 15. ( Hartat në të cilat bazohet studiuesi Ermanno Armao janë të dy hartografeve te njohur , Cantellit (Kantelit) dhe Coronellit ( Koronelit ) , të cilat i perkasin shekullit të XVII. N. B.). Duke studiuar me kujdes rrënojat e mbetura nga kjo qyteze , qytet apo kala, ne shohim se perveç murit rrethues në brendesi ka themele vendbanimesh , tempujsh , por edhe transheshë apo me saktë kanalesh nentoksore të veshura me rrasa guresh (dikur disa edhe të mbuluara) të cilat lidhnin pjesë të ndryshme të qytezës apo kalasë, çfarë tregon për një fortifikim të rëndësishëm të kohës…

TOPONIMI KASTRAT DHE KALAJA E MARSHEJIT…! Ndër shekuj per Malin, Krahinen apo Bajrakun e Kastratit është thënë nga studiues apo njerëz të thjeshtë se e ka trashiguar këtë emertim nga toponimi latin “Castra “( Kastra) që shqip do të thotë Kala, Kështjellë , por në ato kohë nuk bëhej fjalë per shqipërim , dhe emri Kastra dalngadal u trashigua si emri Kastrati që e njohim sot. Një tashigimi gojore me mjaft vlera , dhe të ruajtur prej qindra vitesh e ka mbledhur studiuesja e njohur angleze Edith Durham ,(një njohëse e mirë dhe e vlersuar per historinë dhe traditat e shqiptarëve të veriut e verilindjes) , e cila ka vizituar disa herë edhe Malesinë e Madhe. Kjo studiuese në shkrimet e saj të vitit 1908 , kur i vjen “rradha” Kastratit ndër të tjera shkruan: “Thuhet se emri Kastrat rrjedh nga latinishtja CASTRUM , gjë që nuk më duket e pamundur , sepse rruga kryesore që dikur bashkonte Shkodrën me Dioklenë duhet të ketë kaluar nëpër Kastratin e Poshtëm, dhe ajo duhet të ketë pasur nevojë per roje që ta ruanin..16. Ndersa albanologu dhe studiuesi Franc Nopça shkruan : “Si duket Kastrati i vjeter e ka marrë emrin nga ”Castrum” i Romes që ndodhej në Marshej dhe emri Kastrat gjendet edhe si emer fshati në kadastren e Shkodres më 1416. Sipas një tradite tjeter , të paret e Kastratit quheshin “anas” dhe peskëshin qënë të mëdhenjë , të shkathet dhe të fortë , ishin në gjendje të kapercenin mbi 6 kuaj dhe rronin me mish kali e lende…”.17. Duke ditur se kjo Qytezë- Kala e kthyer nga Romaket në Keshtjellë , është e vetmja e dekumentuar (deri sot ) në trojet e Kastratit të sotem na lindë e drejta të besojmë se pikrisht është kjo Kala që i ka dhënë emrin këtij Mali , bajraku apo krahine , pra Kastaratit , pasuri historike e së ciles janë sot rrenojat e qytezes apo Kalasë së Marshejit , siç quhet sot nga banoret per-rreth. Për të “vertetuar” ndertimet dhe emertimet e Kështjellave e kalave të ndryshme nëpër Shqiperinë e koheve , menduam të citojmë disa rrjeshta nga historiani dhe arkeologu shqiptar (Prof. dr. Myzafer Korkutit), nga i cili ndër të tjera “mesojmë” se : “….Keshtjella të tipit “CASTRA” janë Skampi (Elbasan ) ,Vigu (Mirditë) ,Paleokastra ( afër Tepelenes) e tjerë. Në kohen e sundimit të Justinianit , shek.VI i eres sonë , Iliria e Jugut (d.m.th. teritori i sotem i Shqipërisë) perjetoi një rigjallerim të tradites antike , gjë të cilen na e provojnë burimet e shkruara dhe deshmitë arkeologjike . Ka edhe një listë të tërë keshtjellash të ndertuara e rindertuara nga Justiniani , por që ende një pjesë e mirë e tyre është e pa lokalizuar …”. 18. (“Viktimë” e kesaj liste ndoshta është edhe kalaja, Castra e Marshejit , N. B.). Interesant më duket ajo çfar shkruan studiuesi Fulvio Kordinjano , duke u bazuar në veprën dhe shkrimet e misionarit të madh At Domeniko Pazi (1847-1914) , per rivendosjen e disa misioneve kristiane-katolike nëpër Shqiperi… , nga e cila citojmë: “ Në vitim 1678 u vendosen edhe në malin Veleçik ku gjendet kalaja e Kastratëve (Castratorum oppidium) , me rreth 100 shtepi të krishtera dhe 50 muslimanësh. 19. Ndonse F.Kordinjano shkruan per vendodhjen e kalasë së Kastratësve në malin Veleçik e jo në Marshenj , unë mendoj se bëhet fjalë pikrisht per kalanë-qytezë të Marshenjit , që shpesh identifikohet edhe me toponimin kalaja e Kastratit , ashtu si dhe dhe mali i Veleçikut… Ndersa studiuesi Ermanno Armao , duke u bazuar në studimin e arkeologëve dhe historianëve G. Praschniker dhe A.Schober (Archaologische Forschungen in Albanien u. Montonegro Vjenë 1919) , ndër të tjera shkruan : “.. Fshati … Gradec , pak kilomentra në juglindje të Ivanajve , në bregun e djathtë të Prronit të Thatë … shihen rrenojat e një kishe dhe muresh të lashta të një fortese mbi Kodërmarshenjit , që besohet të jetë themelim romak ose Ilir..”.20. Jo shumë larg rrenojave të qytezes apo Kalasë së Marshejit, gjinden varreza interesante dhe të pa eksploruara , të cilat vendasit (që kanë afersisht 4-5 shekuj që banojnë në Marshej-Gradec) i kanë gjetur këtu dhe nuk kanë lidhje me varret e të parëve të tyre, duke treguar keshtu se janë varre mjaftë të hershme… Sidoqoftë keto varre kerkojnë një studim të veçant e të specializuar. Në rrenojat e qytezes se Marshajit sot dallohen qartë Gurë mali të skalitur apo të latuar siç i thonë malsoret , madje këta gurë shpesh janë aq të mëdhenjë sa mund të quhen shkembinjë , që sot mund të levizen vetem me mjete mekanike pasi është e pamundur me forcen e krahut qoftë edhe nga shumë burra së bashku. Ketu gjinden edhe gurë të tjerë më të vegjël , si dhe rrasa guri te skalitura nga dora e njeriut , madje në shumë gurë apo rrasa mendojmë se dikur këtu ka qënë “shkruar” diçka me gjuhen apo dialektin e kohes, ku motet dhe rrebeshet që suallen ato i kanë demtuar duke e bërë teper të veshtirë “leximin”e tyre. Në rrënojat e Kalasë së Marshejit (siç i thonë vendasit) me pakë kujdes mund të gjinden (edhe në siperfaqe) copa të tjegullave apo tullave “Italike” , si dhe copa enësh dhe objektesh “funksionale” qeramike (si dhe matrial tjeter prej balte të pjekur), të cilat tregojne se mosha e tyre është shumeshekullore sa e vet mosha e Qytezes apo Kalasë…

Qyteza, kalaja e Marshejit qendron sot si një “rrenojë” (e rrafshuar) që duket e heshtur , por në fakt ajo “thotë” më shumë se çdo faqe libri , pasi ajo “ka” brenda ketyre rrenojave historinë rreth 2300-2400 vjeçare të një qytetrimi e zhvillim që është në luftë të perhershme me armikun e saj , harresen….

(VOO: Kalaja e Marshejt “dikur” ka qënë nominuar monument kulture i trashigimisë…me rregulloret e Institutit të Shkencave nr. 95 të 16.10.1948, Rektoratit të Universitetit Shtetëror të Tiranës nr.6, datë 15.01.1963, dhe Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës nr.1886 datë 10.06.1973. 24. Por duket se kjo mbrojtje ka pas mbetur vetëm në letër, pasi në kohen e kooperatives bujqësore e më pas janë gërmuar themele muri ,si dhe janë marrë gurë për ndërtime të ndryshme….).

REFERENCAT:

1.Zamir Tafilica , Harta arkeologjike e pellgut të Shkodrës , rev.“Gegnia” e perkohshme kulturore -artistke, – 3 -2017 fq.92 , viti i dytë i botimit , Bashkia Shkodër , Biblioteka “Marin Barleti”.

2.lirët dhe Iliria te autorët antikë , fq.267, Akademia e shkencave të Shqiperisë ,Instituti i Arkeologjisë , perg. nga Selim Islami ,Frano Prendi ,Hasan Ceka , Skender Anamali.

3.Kumtari i muzeut popullor të Shkodres ,fq.105 , nr.3-4 , Shkoder 1978.

4.Ilirët dhe Iliria te autorët antikë , fq.307 ,309 ,317 , Akademia e shkencave të Shqiperisë ,Instituti i Arkeologjisë ,perg. nga Selim Islami ,Frano Prendi ,Hasan Ceka , Skender Anamali.

5. Skender Anamali dhe Damian Komata ; Varrezat e Kalldrunit , Kumtari i Muzeut popullor. Shkodres fq.105 – 106.

6. Skender Anamali dhe Damian Komata ; Varrezat e Kalldrunit , po aty , fq.104-105.

7.Gjok Luli ; “KASTRATI” , fq. 7-8.

8.Milan Shuflaj, “Serbet dhe Shqiptaret “ fq.15 .

9.Zhan Klod Faveirial ; “Historia më e vjeter e Shqiperisë” , fq.135.

10.Kamilo Prashniker, Arnold Shober, Kërkime Arkeologjike në Shqipëri dhe Mal të Zi , fq.89-90 , Tiranë 2003.

11.Skender Anamali ; Nga Iliret tek Arberit ,fq.43. “Kuvendi i Studimeve Ilire”,Tiranë 1972.

12.Nikollë Spathari ; Malesia e Madhe siç e njoha unë , fq. 135–137.

13.At Gjon Karma ; Kerkime ndër malet tona , fq.151-152.

14. At Giuseppe Valentini ; IL DIRITTO DELLE COMUNITA….fq. 311.

15.Ermanno Armao ; Vende,Kisha, Lumenj, Male e toponime të një harte të lashtë të Shqiperisë Veriore , fq.79 – 80.

16.Edith Durham ; Shqiperia e Eperme ,Një udhëtim në Shqiperinë e Veriut të vitit 1908 ,fq.52.

17.Franc Nopça ; Fiset e Malesise se Shqiperise Veriore dhe e drejta zakonore e tyre , fq.191.

18.Prof. dr. Myzafer Korkutit ; PARAILIRET , ILIRET ,ARBERIT “ , fq. 57–58.

19.Fulvio Kordinjano ; Shqiperia përmes veprës dhe shkrimeve të misionarit të madh At Domeniko Pazi (1847-1914) , vll.I-rë , fq.104. 20.Ermanno Armao ;Vende , kisha , lumenj ,male e toponime të ndryshme të një harte të lashtë të Shqiperisë Veriore ,fq.79-80.

Filed Under: Histori

Sot vendi shqiponjave është vendi pa shtëpi për krijuesit dhe pa gazetë të tyre

October 8, 2024 by s p

I vetmi vend në botë pa Lidhje të Shkrimtarëve.

-7 tetor 1945 dhe 7 tetor 2024- 79 vjetori-

LSHA e krijuar nga Sejfulla Malëshova, Poradeci, Bulka, Luarasi, Shuteriqi, Agolli, Kadare, Spahiu.

· – Shoqata “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve” u zhbë me një gjakftohtësi në vitin 2006.

– T’u marrësh shkrimtarëve godinën e tyre historike dhe të mbyllësh gazetën më të vjetër dhe më të bukur letrare është vrasje, që i është bërë letërsisë shqiptare.

-Shqipëria sot përbën një çmim për Guines, sepse është i vetmi vend europian që nuk ka asnjë shoqatë për shkrimtarët dhe artistët, asnjë institucion të tyre.

· – Si kryetar i saj i parë u zgjodh Sejfulla Malëshova, dhe president nderi, Fan Noli.

· – Midis krijuesve më të njohur ishin Poradeci, Bulka, Luarasi, Shuteriqi, Asllani, Pasko, Prenushi, Spasse, Haxhiademi etj

· -Lidhja e shkrimtarëve u anulua dhe u zhbë me një gjakftohtësi idioteske.

· -Shkrimtarët sot nuk botojnë asnjë gazetë dhe asnjë revistë dhe nuk përbëjnë asnjë lloj komuniteti me një status të përcaktuar.

· -Shkrimtarët sot nuk kanë asnjë vlerësim real, janë në një gjendje ekonomike të mjerueshme.

· – Shteti nuk duhet të arrinte deri aty sa të merrte godinën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të mos financonte gazetën “Drita”.

· – Jemi ndërgjegjja e një kombi, jemi përcjellësit e mendimit qytetar, civilizimit, demokracisë, jemi përçuesit e mendimit progresist.

· -Pa librat e shkrimtarëve nuk do të kishte histori Shqipëria, nuk do të kishte gjithë këto këngë, poezi, legjenda, portrete. Historia do të ishte e zbrazët.

· -Roli i shkrimtarëve, poetëve dhe artistëve në historinë e një vendi është determinant.

Albert Z. ZHOLI

Me krijimin e Lidhjes së Shkrimtarëve në vitin 1945, me një varg veprash të reja letrare, me aksione të herëpashershme për të hequr nga qarkullimi vepra dhe autorë që nuk i shërbenin regjimit, kupola e PPSH, ishte e kënaqur me gjendjen e letërsisë shqipe, sepse mendonte se do t’i shërbente regjimit. Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (LSHA) ishte organizatë jofitimprurëse e krijuar nga një grup shkrimtarësh e artistësh shqiptarë për të propaganduar krijimtarinë letrare e artistike të autorëve shqiptarë, për të vlerësuar e rivlerësuar veprat më të mira të letërsisë, muzikës, pikturës e skulpturës shqiptare, vlerat tradicionale dhe ato bashkëkohore, dhe për të nxitur krijimtarinë e talenteve të reja. LSHA mbronte dhe nxitëte tendencat më të mira të zhvillimeve të letërsisë dhe artit në shërbim të shoqërisë e kombit shqiptar, sipas modeleve më të mira të vlerave letrare e artistike të kombeve të qytetëruara.

Por…

Ka më shumë se 25 vjet që Godina e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë është marrë në mënyrë të padrejtë nga shteti. Shumë vite më parë në periudhën që LSH ishte në gjyq me shtetin për pronësinë e godinës gazeta “Telegraf” ka realizuar dhjetëra intervista me shkrimtarë dhe poetë dhe ende vazhdon. Aktualisht bashkë me godinën edhe Lidhja duket pa jetë. Sot shkrimtarët shqiptarë janë të vetmit në botë, pa një godinë të tyre dhe pa një shtyp të tyre. E famshmja gazeta “Drita” ka po kaq vite që është mbyllur. Shkrimtarët shqiptarë, s’dinë ku të takohen, ku të qajnë hallet dhe ku të gjejnë vetveten. Ngushëllimin e gjejnë vetëm tek çantat e rënda në kurriz që mbartin brenda libra, projekte, skica letrare, të cilat i hapin dhe i bëjnë prezent mes shokësh nëpër tavolinat e kafeneve të panumërta të Tiranës.

Bashkimi…

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dikur ishte organizatë krijuesish, me qendër në Tiranë, që përmblidhte shkrimtarë, kompozitorë, artistë, krijues të arteve figurative dhe kritikë të vlerave letrare e artistike. Lidhja e Shkrimtarëve u krijua më 7 tetor të vitit 1945, ndërsa Lidhja e Artistëve në vitin 1949. Kongresi i Parë, i mbajtur më 1957, i bashkoi këto dy organizata në një institucion të vetëm: në” Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë”. Në krijimin dhe drejtimin e organizatës së parë të krijuesve shqiptarë merrnin pjesë disa nga intelektualët më të shquar. Si kryetar i saj u zgjodh Sejfulla Malëshova, president nderi, Fan Noli. Midis krijuesve më të njohur ishin Poradeci, Bulka, Luarasi, Shuteriqi, Asllani, Pasko, Prenushi, Spasse, Haxhiademi etj. Këtë bashkim vullnetar të krijuesve të të gjithë vendit në fillim e përbënin 70 anëtarë. Për më shumë se 60 vjet, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve kishte organet e saj letrare dhe artistike: revistën “Literatura jonë”, më pas “Letërsia jonë” (1947), më vonë revistën mujore “Nëntori” (1954), të përjavshmen “Drita” (1961), revistën në frëngjisht “Les lettres Albanaises” (1978), “Bota Letrare” dhe “Revista letrare” si botime alternative pas viteve 1990, ndërsa aktualisht organizata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë, për mungesë fondesh, nuk boton asnjë organ dhe është inegzistente “de facto”. Në fillim kishte 70 anëtarë, duke përfshirë edhe gazetarë e gjuhëtarë dhe një seksion të letrarëve të rinj. Që në hapat e saj të parë zhvilloi një luftë të ashpër, duke mbështetur ideologjinë e “partisë” kundër koncepteve reaksionare dhe idealiste të letrarëve antipopullorë. Madje, kjo përcaktohej edhe me statusin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë ku qëllimi i saj mbetet bashkimi i forcave krijuese për shërbim ndaj socializmit. Me gjithë kushtet e vështira të një shoqërie të prapambetur dhe të një regjimi totalitar, që e kufizonte së tepërmi lirinë e të shprehurit, që ushtronte një orientim dhe censurim vigjilent të partisë-shtet mbi krijimtarinë, madje edhe duke persekutuar dhe dënuar disa shkrimtarë e artistë, mjaft talente, anëtarë të LSHA, të cilët gëzonin të drejta si leje krijuese, orare pune të reduktuara, studio dhe mjete të ndryshme lehtësuese për krijimtarinë e tyre, krijuan vepra që dilnin jashtë kornizave të metodës së ashtuquajtur të realizmit socialist, sidomos në ato fusha të artit e të letërsisë ku tradita kombëtare ishte fare e pakët. Pas viteve 1990, krijuesit shqiptarë, shkrimtarë e artistë anëtarë të organizatës sonë, besuan shumë në çlirimin e tyre dhe të krijimtarisë artistike në përgjithësi. Madje e besuan shumë dhe shpresonin për një mbështetje të madhe. Në nxitimin për të kapur kohën e humbur, disa vepra u shquan dhe sidomos u rivlerësuan figura të persekutuara të së shkuarës si Konica e Fishta, gjë për të cilën organizata dha kontributin e saj me rivlerësime të shumta. Gjatë këtyre dy dekadave me një demokraci tepër problematike dhe mjaft të politizuar, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë ka qenë për shumë vjet lajkatarja e partisë në pushtet, e cila, bashkë me marrjen e pushtetit politik, caktonte edhe kryetarin e krijuesve shqiptarë. Më në fund, nuk mundi të shkëputej prej politikës, dhe për shumë vjet organizata u përpëlit si ai fëmija midis dy shemrave, herë e përbuzur nga një parti dhe herë e persekutuar nga partia tjetër politike. Sidoqoftë, pavarësia e një bashkimi krijuesish dihet që ka çmim të lartë për vetë krijuesit dhe duhen përpjekje të vazhdueshme për ta përballuar. Në statutin e saj të ri , neni 1, përcaktohet qartë natyra thelbësore e shoqatës si një shtëpi e përbashkët e artit dhe letërsisë duke mos ndryshuar emërtimin “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë” është një institucion i lirë dhe i pavarur, një bashkësi krijuesish profesionistë, i hapur për çdo shoqatë tjetër letrare dhe artistike, i pakushtëzuar nga bindjet politike, rrymat dhe platformat artistike”. Në strukturën organizative kanë funksionuar seksioni i letërsisë, i muzikës, i pikturës e skulpturës dhe ai i talenteve të reja. Për më shumë se 62 vjet të historisë së saj, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë është drejtuar nga personalitete të shquara të kulturës sonë. Kryetarët e saj kanë qenë zotërinjtë: Sejfulla Maleshova (i vdekur), Dhimitër Shuteriqi (i vdekur), Dritëro Agolli (vdekur), Bardhyl Londo, Xhevahir Spahiu, Limos Dizdari, Zyhdi Morava (i vdekur) dhe Hysen Sinani. Po sot a ka LSHA? Po godina e saj ku është?!

Rrugëtimi i Lidhjes së shkrimtarëve dhe Artistëve

LSHA fillimisht u lançua si organizatë dhe përfaqësuese e vlerave letraro-kulturore të momentit. Ajo u ndërmor nga një “komision iniciator: Imzot Vinçenç Prendushi, Prof. Sejfulla Malëshova, Prof. Aleksandër Xhuvani, Ali Asllani, Prof. Skënder Luarasi, Dr. Lazgush Poradeci, Dr. Dhimitër Pasko, Selim Shpuza, Sterjo Spase, Dhimitër S. Shuteriqi, Shevqet Musaraj” (Arkiva personale e Dhimitër Shuteriqit). Në momentet e lançimit, në statutin e Lidhjes së Shkrimtarëve, ishte vendosur vetëm një kusht për praninë në organizatë, i përcaktuar në nenin 4, ku thuhej: “Nuk pranohen në këtë LIDHJE ata shkrimtarë, publicistë dhe gazetarë që i kanë shërbyer me veprat e tyre okupatorit, në mënyrë direkte dhe deri në fund tue u ba armiq të popullit”(Revista “Bota e Re”, nr. 1, 1945). Ja si shkruan Albert Gjoka:
“Përplasja ideore nisi organet e sapo krijuara, të cilat u shndërruan shumë shpejt jo thjesht në një “media” për përcjelljen dhe promovimin e arritjeve letrare, por në një arenë dhe më pas në një armë ideologjike. Revista e parë “Bota e re” doli në korrik të vitit 1945, si vijim i “Bota e re” e Korçës, për të mbështetur “traditat pozitiviste dhe progresive të Rilindjes kombëtare” (Bota e Re, nr. 1); “me u ba pasqyrë e zhvillimit kultural”, me përkrahur të “gjitha energjive mendore që e duan lirinë dhe përparimin”, dhe për të “mbështetur talentet e reja”(Bota e Re, nr, 1). …

LSHA u zhbë

Shoqata “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve” u zhbë me një gjakftohtësi mbas vitit 2006. Iu muar dhe godina që në letra juridikisht ishte pronë e shkrimtarëve dhe artistëve. Shqipëria sot përbën një çmim për Guines, sepse është i vetmi vend europian, që nuk ka asnjë shoqatë për shkrimtarët dhe artistët, asnjë institucion të tyre, nuk botohet asnjë gazetë dhe asnjë revistë dhe nuk përbëjnë asnjë lloj komuniteti me një status të përcaktuar dhe nuk kanë asnjë vlerësim real, janë në një gjendje ekonomike të mjerueshme, nuk u përfillen të drejtat e autorit, nuk fitojnë asgjë nga botimi i veprave të tyre, përkudrazi duhet të paguajnë vetë për botimin e këtyre veprave. Pra, çdo gjë është një katrahurë. Kjo tregon se sa mbrapa është Shqipëria, me të gjitha shtetet e tjera, jo vetëm në Europë, po në të gjitha kontinentet e tjera, në vlerësimin e kulturës dhe të njerëzve, që e bëjnë në kondita të pazakonta dhe të vështira këtë kulturë për të mos ndërprerë vijimësinë e saj.

Çfarë janë shkrimtarët?

Shteti nuk duhet të arrinte deri aty sa të merrte godinën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të mos financonte gazetën “Drita”. Nuk duhet ta bënte këtë veprim. Të mirë, të këqij, ne jemi. Por jemi krijues. Jemi ndërgjegja e një kombi. Jemi përcjellësit e mendimit qytetar, civilizimit, demokracisë. Jemi përçuesit e mendimit progresist. Pa librat e shkrimtarëve nuk do të kishte histori, Shqipëria, nuk do të kishte gjithë këto këngë, poezi, legjenda, portrete. Historia do të ishte e zbrazët. Roli i shkrimtarëve, poetëve dhe artistëve në historinë e një vendi është determinant. Studiuesi Behar Gjoka pas marrjes së godinës së LSHA është shprehur se:”Tani jemi në një situatë, ku libri gati- gati po shndërrohet në mall. Libri nuk është mall. Libri është simbol. Është pasqyrë e një kohe të caktuar, e një rrethane të caktuar. Është një marrëdhënie, e cila e kapërcen kohën. I kapërcen këto lloj sinorësh, të cilat në fund fare nuk ka se si të na krijojnë mundësinë të komunikojmë realisht. Letërsia shqipe tashmë gjendet tani diku në periferi, të mendjes së Institucioneve shqiptare, në periferi të vëmendjes së lexuesit shqiptar, vëmendjes së botuesve shqiptarë. Është tek e fundit në nderin e atyre që marrin përsipër që kjo zonjë e rëndë (siç është letërsia), të mos lihet të largohet (të përzihet) nga jeta e përditshme, sepse, nesër jeta do të jetë pak më e shëmtuar se sa sot. Shkrimtarët nuk bëjnë kompromise, nuk janë servilë, nuk janë sahanlëpirës, nuk dinë të bëjnë korrupsion. Ata janë paraprijës të mendimit njerëzor dhe qëndrojnë në pararojë të çdo lëvizje qytetare. Marrja që i është bërë Godinës sonë është atentati më shkatërrues për krijuesit tanë. Të gjithë llojet e sporteve, shoqatat, bizneset kanë godinat dhe statuset e tyre, ne s’kemi asgjë. Sot shkrimtarët shqiptarë janë të vetmit në botë, pa një godinë të tyre dhe pa një shtyp të tyre. E famshmja gazeta “Drita” ka po kaq vite që është mbyllur. Shkrimtarët shqiptarë, s’dinë ku të takohen, ku të qajnë hallet dhe ku të gjejnë vetveten. Ngushëllimin e gjejnë vetëm tek çantat e rënda në kurriz që mbartin brenda libra, projekte, skica letrare, të cilat i hapin dhe i bëjnë prezent mes shokësh nëpër tavolinat e kafeneve të panumërta të Tiranës.

Organet dhe drejtuesit e LSHA

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve kishte organet e saj letrare dhe artistike: revistën “Literatura jonë”, më pas “Letërsia jonë” (1947), më vonë revistën mujore “Nëntori” (1954), të përjavshmen “Drita” (1961), revistën në frëngjisht “Les lettres Albanaises” (1978), “Bota Letrare” dhe “Revista letrare” si botime alternative pas viteve 1990. Ndërkaq si organ promovues i artit dhe të kulturës, në të kalonin emra të mëdhenj të kësaj fushe. Disa nga kryetarët, të cilët drejtonin LSHAK janë: Sejfulla Maleshova, Dhimitër Shuteriqi, Dritëro Agolli, Bardhyl Londo, Xhevahir Spahiu, Limos Dizdari, etj.

Sejdo Harka, shkrimtar

Pse politika e sotme shqipe është larguar nga shkrimtarët, madje, u ka marrë dhe godinën e Lidhjes? S’ka se si të ndodhë ndryshe. Shkrimtarët nuk bëjnë kompromise, nuk janë servilë, nuk janë sahanlëpirës, nuk dinë të bëjnë korrupsion. Ata janë paraprijës të mendimit njerëzor dhe qëndrojnë në pararojë të çdo lëvizje qytetare. Marrja që i është bërë Godinës sonë është atentati më shkatërrues për krijuesit tanë. Të gjithë llojet e sporteve, shoqatat, bizneset kanë godinat dhe statuset e tyre, ne s’kemi asgjë. Mosegzistenca e LSHA mbetet veprimi më i shëmtuar. Ndërsa më i shëmtuari i të gjithë kohërave mbyllja e gazetës “Drita”. T’u marrësh shkrimtarëve godinën e tyre historike dhe të mbyllësh gazetën më të vjetër dhe më të bukur letrare është vrasje që i është bërë letërsisë shqiptare.

Pirro Loli, shkrimtar

Një shtet pa Lidhje është si një shtëpi pa dritare, e errët, pa dritë. Zakonisht zaptimet bëhen nga të huajt. Zaptimi i godinës sonë nga shteti ynë ishte qëndrimi më ogurzi ndaj kulturës, artit dhe letërsisë sonë kombëtare. Pas kësaj u duk një shpërfillje totale ndaj shkrimtarëve, një burokraci agresive dhe indiferente njëkohësisht. Një godinë e disa zyra mund të gjenden kudo, por një ministri kulture të lëvizi gjërat e letërsisë, të organizojë e të përgjigjet për librin dhe artin, qenka e vështirë…Po të mëdhenjtë tanë, bejlerët e letërsisë, pse nuk e mbrojtën godinën e tyre nga zaptuesit, pse nuk kanë nxjerrë një fjalë nga goja për mungesën totale absolute të çdo organizimi të shkrimtarëve – ata hoqën b… mënjanë dhe lundrojnë akoma me famën e atij regjimi. Mendoj se sot, në emër të lirisë së fjalës, ata e kanë frikë organizimin, klubin a shoqatën. Kur heshtin të mëdhenjtë e letrave, hesht dhe shteti antiletrar. Mund të jemi nga vendet e rralla në botë që shkrimtarët nuk ekzistojnë në asnjë organizim.
Foto: Gazeta Telegraf

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • 64
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT