• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Hora e Arbëreshëve

September 5, 2025 by s p

Hora e Arbëreshëvet, e njohur sot si Piana degli Albanesi, është një nga vendbanimet më të rëndësishme historike e kulturore të arbëreshëve në Itali. E themeluar më 30 gusht 1488 nga të mbijetuarit e eksodit shqiptar pas vdekjes së Skënderbeut dhe pas rënies së rezistencës shqiptare kundër osmanëve, ky vendbanim përfaqëson një nga shembujt më të pastër të ruajtjes së identitetit etno-kulturor në diasporë. E vendosur në afërsi të Palermos, në zemër të Sicilisë, Hora është shndërruar në një qendër simbolike të arbëreshëve, duke mbajtur gjallë gjuhën, zakonet, muzikën, veshjet tradicionale dhe simbolet kombëtare shqiptare për më shumë se pesë shekuj.

Me rreth 6.500 banorë, Hora është konsideruar shpesh si “kryeqyteti i arbëreshëve”, jo vetëm për numrin e popullsisë, por sidomos për rolin që ka luajtur në mbajtjen gjallë të kujtesës historike dhe të vetëdijes kombëtare. Pikërisht këtu lindën dhe vepruan figura të rëndësishme të letërsisë dhe kulturës shqipe. Lekë Matranga, prift dhe gjuhëtar, është një nga autorët e parë që na la gjurmë në letërsinë e vjetër shqipe, ndërsa në shekujt pasues, Zef Skiroi, poet i njohur i Rilindjes Kombëtare, e ngriti zërin e tij për çështjen shqiptare, duke e lidhur fatin e arbëreshëve me fatin e kombit amë.

Hora e Arbëreshëvet është e njohur edhe për traditat e pasura kishtare të ritit bizantin, të cilat u shërbyen arbëreshëve si një element identitar dallues përballë shoqërisë italiane përreth. Liturgjia në gjuhën shqipe, ikonografia dhe veshjet e priftërinjve arbëreshë mbeten edhe sot një dëshmi e gjallë e mënyrës se si feja dhe kultura u ndërthurën për të ruajtur identitetin kombëtar. Veshjet tradicionale të grave arbëreshe, të cilat shpalosen çdo Pashkë dhe festë kombëtare, janë një tjetër shenjë e fortë e lidhjes së pakushtëzuar me rrënjët shqiptare.

Interpretimet e mëvonshme të udhëheqësve dhe intelektualëve arbëreshë e shohin historinë e Horës si pjesë të një projekti më të gjerë identitar: ruajtjen e kujtesës së një kombi të vogël, por të pamposhtur, i cili kishte ditur të qëndronte përballë pushtimit osman në Motin e Madh. Ky vetë-imazh i arbëreshëve nuk ishte thjesht një nostalgji për të kaluarën, por një përpjekje për të përkthyer atë trashëgimi në një rol të ri historik. Përmes shkrimtarëve, klerikëve, mësuesve dhe veprimtarëve, arbëreshët u bënë predikues të lirisë politike dhe individuale, duke përfaqësuar një moral të fortë kolektiv që lidhej me ëndrrën e pashuar për një Shqipëri të lirë.

Në këtë kuptim, Hora e Arbëreshëve u shndërrua në një qendër mesianike të nacionalizmit shqiptar në diasporë. Aty ku ruhej gjuha, aty ku këndohej ende kënga për Skënderbeun dhe ku fëmijët mësonin historinë e të parëve, po farkëtohej edhe ideja se arbëreshët nuk ishin thjesht një komunitet i mërguar, por një pjesë aktive e kombit shqiptar. Nga ky perceptim identitar u ushqye edhe kontributi i tyre në lëvizjet për krijimin e shtetit shqiptar në fillim të shekullit XX, duke i dhënë kuptim të plotë rolit të tyre si urë kulturore dhe politike mes Shqipërisë dhe Europës.

Prandaj, Hora e Arbëreshëve nuk është thjesht një fshat në Sicili, por një monument i gjallë i qëndresës, i kujtesës dhe i dashurisë për atdheun e lënë pas. Ajo është një provë historike e faktit se identiteti kombëtar nuk kufizohet nga kufijtë gjeografikë, por mbijeton përmes gjuhës, kulturës dhe besimit të patundur të një komuniteti.

© Dorian Koçi

Filed Under: Histori

Jani Minga, patrioti i pavarësisë, mësuesi dhe arkitekti i arsimit kombëtar shqiptar

September 5, 2025 by s p

Gjon F. Ivezaj/

Në këtë moment solemne, ndërsa nderojmë figurat më të ndritura të historisë sonë kombëtare, është detyrë morale dhe historike të kujtojmë jetën, veprën dhe kontributin e patriotin të shquar Jani Minga, një figurë e paharrueshme e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, një edukator, një mësues shembullor dhe një njeri i përkushtuar i cili përjetësoi emrin e tij në historinë e kombit shqiptar. Jani Minga lindi më 1 gusht 1872 në fshatin Shënpjetër të rrethit të Fierit, në një familje me tradita të forta arsimore dhe atdhedashurie. Babai i tij, Konstandini, ishte mësues, një edukator i përkushtuar që i transmetoi fëmijëve të tij vlerat e dijes, të punës dhe të dashurisë për kombin, ndërsa nëna e tij, Ana, rridhte nga familja Topia e Beratit, duke i dhënë djalit frymëzim për të ndjekur një rrugë të ndritur dhe për të ruajtur identitetin kombëtar. Fillimet e arsimit i mori në vendlindje, duke përfunduar shkollën fillore dhe duke treguar një inteligjencë të jashtëzakonshme dhe një pasion për dije.

Arsimin e mesëm e vijoi në Shkodër dhe më pas në Qestorat, duke u dalluar për aftësinë e tij të jashtëzakonshme për mësim dhe për intelekt të gjërë. Pasioni për dijen dhe për gjuhën e popullit e shtynë Jani Mingën drejt studimeve të larta në Universitetin e Athinës, ku u diplomua në degën e Filologjisë, duke u njohur thellësisht me gjuhët greke të lashta dhe të reja, latinishten, italishten dhe frëngjishten. Kjo dijeni më vonë do ta ndihmonte në përhapjen e arsimit dhe të kulturës shqiptare dhe në mbrojtjen e identitetit kombëtar. Pas kthimit në Shqipëri, Minga i përkushtohet arsimit dhe përhapjes së gjuhës shqipe. Në vitin 1889, ai bashkëthemeloi klubin patriotik “Labëria”, që u bë një qendër e rëndësishme për debatet mbi emancipimin kombëtar dhe ruajtjen e identitetit shqiptar. Ai angazhohet gjithashtu për të hapur shkolla shqipe dhe për të edukuar brezat e rinj në frymën e dashurisë për atdheun dhe respektit për traditat.

Aktiviteti i tij patriotik arriti kulmin në Kuvendin e Vlorës më 28 nëntor 1912, ku Shqipëria shpalli Pavarësinë. Jani Minga, si delegat i Vlorës, firmosi aktin historik të Pavarësisë, duke u bërë një nga nënshkruesit e tij dhe duke shënuar emrin e tij përgjithmonë në historinë e kombit. Përveç kësaj, ai mori pjesë aktive në Luftën e Vlorës në vitin 1920, duke mbrojtur sovranitetin e shtetit shqiptar kundër çdo tentimi pushtimi dhe duke kontribuar në konsolidimin e shtetit të ri shqiptar. Si mësues i përkushtuar, Minga dha shembullin më të lartë të edukatorit që punon për të zhvilluar moral, dijeni dhe ndjenja kombëtare tek të rinjtë. Ai ishte i ndërgjegjshëm se arsimi është shtylla kryesore e lirisë dhe e zhvillimit të kombit. Për punën e tij të palodhur në arsim dhe patriotizëm, ai u nderua me titullin “Mësues i Popullit” dhe me mirënjohje të shumta nga komunitetet dhe qytetet shqiptare. Trashëgimia e Jani Mingës është e gjallë edhe sot: shumë shkolla mbajnë emrin e tij, duke ruajtur frymën dhe kujtimin e një edukatori dhe patrioti të madh.

Veprimtaria e tij është dokumentuar me kujdes në arkivat historike shqiptare dhe ndërkombëtare, duke përfshirë dokumente të firmosura, fotografi, shkrime mësimore dhe artikuj të botuar në gazetat e kohës si “Gazeta Telegraf”, “Besa”, “Drita” dhe revistat ndërkombëtare që dokumentuan zhvillimet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai ka lënë një kontribut të pakrahasueshëm në konsolidimin e gjuhës shqipe, në edukimin patriotik të brezave të rinj dhe në afirmimin e identitetit kombëtar shqiptar në skenën ndërkombëtare. Veprimtaria e Jani Mingës është një testament i gjallë i dashurisë për atdheun, për arsimin dhe për lirinë. Ai mbetet një shembull i papërsëritshëm i patriotizmit, i edukatorit të palodhur dhe i udhëheqësit që përkushtohet pa u lodhur për lirinë dhe mirëqenien e popullit të tij. Arkivat e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Arkivi Qendror Shtetëror në Tiranë, koleksionet e Muzeut Historik Kombëtar dhe dokumentet e Arkivit të Universitetit të Athinës ofrojnë dëshmi të qarta për jetën dhe veprimtarinë e Jani Mingës.

Përmes këtyre burimeve, studiuesit dhe historianët mund të ndjekin çdo hap të aktivitetit të tij arsimor, patriotik dhe politik, duke dokumentuar ndikimin e tij të jashtëzakonshëm mbi formimin e identitetit shqiptar dhe fuqizimin e arsimit kombëtar. Sot, ndërsa kujtojmë veprën e Jani Mingës, ndjejmë krenari për trashëgiminë e tij; një trashëgimi që frymëzon dijen, patriotizmin dhe përkushtimin ndaj kombit dhe njerëzimit. Emri i tij qëndron si një simbol i paçmuar i dashurisë për atdheun, i përkushtimit ndaj arsimit dhe i luftës për të mirën e përbashkët. Jani Minga mbetet një dritë udhërrëfyese për brezat e rinj, duke kujtuar se edukimi, moraliteti dhe dashuria për kombin janë shtyllat e forta mbi të cilat ndërtohet një komb i lirë dhe i përparuar. Përmes jetës dhe veprës së tij, ai u bë jo vetëm një figurë historike, por një frymëzim i përhershëm për çdo shqiptar, duke u bërë model i qytetarit të përgjegjshëm, i mësuesit të devotshëm dhe i patrioti të përjetshëm. Historia e Jani Mingës është një dëshmi e pakrahasueshme se edhe nga një popull i vogël, me njerëz të përkushtuar dhe vizionarë, lindin figurat që formojnë identitetin dhe fatin e kombit, duke u bërë shembuj për gjithë botën.

Filed Under: Histori

DIANA DHE  ZANA, NGA ILIRËT TE SHQIPTARËT

September 4, 2025 by s p

Si u trashëgua emri i hyjneshës Zana te shqiptarët?

Avni Alcani

       Zana është një nga figurat më të spikatura të mitologjisë Shqiptare. Siç vërejnë studiuesit, ajo ka trashëguar të gjitha karakteristikat e Dianës, e cila, ashtu si ajo, jetonte nëpër male, në pyje, lëndina dhe vende të tjera të peisazhit natyror. Studiuesit e kanë krahasuar Dianën me figurën mitologjike Shqiptare të Zanës, e cila, ashtu si Diana, jetonte nëpër male me pyje të thella, në faqe malesh të pashkelura, shpella, mrize, lëndina etj. 

      Pas pushtimit të Ilirisë romakët gjetën këtu perëndi vendase që ngjasonin me disa nga perënditë e tyre, siç ishte, p.sh., “Diana e Kandavëve”, e cila ishte perëndesha e pyjeve dhe e gjuetisë në malet e Kandavisë, në luginën e sipërme të Shkumbinit. Diana e Kandavëve, ashtu si edhe te Romakët, ishte perëndesha e pyjeve, e kafshëve të egra dhe e gjuetisë. Në disa skulptura të zbuluara në vendbanimet qytetare të Ilirisë, Diana e Ilirëve, ashtu si Diana e Romakëve, paraqitet e armatosur me hark e shigjetë dhe pranë saj ndodhet një drenushë (Albumi “ALBANIEN- Schatze aus dem Land der Skipetaren”, Mainz am Rein 1988, f. 415;).  

      Çabej ka vëzhguar se Zanës së besimit popullor shqptar i ka mbetur edhe ndonjë tipar i perëndeshës së moçme greke Artemis.“Sikurse ajo, – shkruan Çabej, – edhe Zana është një farë perëndeshe e natyrës, e luftës, e shërimit, shpëtuese prej çdo rreziku, hyjneshë e valles dhe e muzikës, hyjneshë e hënës, hyjneshë e fatit si Parkat; që të dyja figurat së fundi janë virgjëresha. Një ndikim i Artemisës së moçme greke në tokë ilire nuk është gjë për t’u çuditur, se dhe rrëfesa e Polifemit është gjallë në Shqipëri të Jugut e të Veriut, këtu në të njëjtën trajtë sikurse te Morlakët e afër Risanos, pas Lambertzit rron edhe motivi i Perseut e i Andromedës, gjithashtu edhe Kirke dhe Odiseu vetë duket se janë të ruajtur në besimin e popullit shqiptar”( Çabej Diana dhe Zana, 2011, f. 88.

      Si është trashëguar emri i hyjneshës Zana te shqiptarët? Eqrem Çabej në studimin e tij kushtuar Dianës dhe Zanës nuk ka anashkaluar as kalimin e emrit nga Diana te Zana. “Diana romake, – shkruan Çabej, – u shri në Iliri përmbi një perëndeshe të vendit, e cila i përngjante asaj dhe i dha me kohë emrin e vet” (Çabej 2011, f. 92). Gjatë periudhës së përhapjes së krishtërimit, shkruan E. Çabej, u zhdukën nga përdorimi gati të gjitha besimet pagane, e cila shkaktoi edhe humbjen e shumë emrave të perëndive ilire në besimet popullore dhe në gjuhë, duke përfshirë dhe një figurë si Diana (Çabej 2011, f. 81). Do të ishte një gjë tërheqëse, shkruan ai,  të pyesnim për vetitë natyrore dhe për emrat e këtyre perëndive dhe për strudiuesit paraqiten shumë vështirësi të mësohej “se si quheshin në gjuhë ilire, emrat latine të së cilave qenë Diana, Liber, Libera, Armatus, Silvanus, Juppiter Parthinus nuk do të mbrijmë ndofta kurrë ta dimë, veçse natyrën e tyre ta nxjerrim nga interpretation latina” (Çabej 2011, f. 82). 

      Znj. Ledi Shamku-Shkreli, në Parathënien e librit të E. Çabej, “Diana dhe Zana”, ka bërë një interpretim interesant të emrit të pararomak të hyjneshës ilire. Duke iu referuar një zbulimi arkeologjik të kryer në Bosnjë dhe Kroaci, shkruan se se janë zbuluar disa altarë votivë me mbishkrimin “Thana  patron”, apo “Thana et Vidaso” (Shamku-Shkreli 2011, Parathënie, f. 8.). Duke iu referuar ilirologut A. Stipçeviç (“Ilirët”, 2002), shkruan: “Nga figurat e këtyre figurave  vihet re se vizatja  e Thanës ilire  përkon krejt me profilin e Dianës romake” (Shamku-Shkreli 2011, f. 8.). Ky kult, shkruan më tej ajo, gjendet dhe përtej detit Adriatik, i nxjerrë nga gërmimet arkeologjike në Scala di Furno (Leçe), ku “bie në sy  një fragment vazoje blatimi e  shek. VI p. e s. që mban një mbishkrim kushtuar hyjneshës Thana, e cila nderohej prej mesapëve dhe ilirëve, e që i ka shtyrë studiuesit të hamendin se krejt zona i qe kushtuar hyjneshës sonë” (Shamku-Shkreli 2011, f. 9). Ajo që e bën më interesant interpretimin e zonjës Shamku-Shkreli është lidhja e emrit Thanë me emrin Zanë. Studiuesja, duke iu referuar përsëri Çabejt, shkruan: “Çabej, duke e lidhur Thanën më nj’anë me Dianën e m’anë tjetër me zanën, shprehet se te grafia th pas mendimit tonë përmbahet aty një tingull i veçantë i ilirishtes, i papërcaktueshëm më saktë, i cili mund të ketë lidhje me tingullin që ka qenë para z’së së zanës të gjuhës shqipe” (Shamku-Shkreli 2011, f. 9). 

      Në kërkim të emrit ilir të perëndeshës para romake Çabej i vijnë në ndihmë vëzhgimet dhe kërkimet gjuhësore nëpërmjet indoevropianishtes. Kështu, shkruan ai, “në rumanisht Diana gjellit si “zina”… Në Shqipëri “zina-s” rumune i përgjigjet fonetikisht dhe kuptimisht “Zana” e Gegërisë veriore, të cilën Jokli e nxjerr prej fjalës “za” ose prej “Diana” me kryqëzim me fjalën “za” (Çabej 2011,. f. 82-83). Çabej vëzhgon me kujdes dhe kërkon të vëzhgojë duke hetuar “natyrën e shtatin e Zanës shqiptare, si edhe përhapjen e saj brenda lëmit të gjuhës shqipe, e kështu po përpiqemi të hedhim pak dritë mbi historinë e saj. Po të na dalë me gjasë se rrjedh nga Diana, atëhere “Zana” shqiptare me “zina-n”, për të cilën prejardhja latrine është e sigurtë, shkojnë sëbashku brenda qerthullit (suazës) të romanitetit lindor…”(Çabej 2011, f. 83).

      Në përmbyllje të studimit të tij për Dianën dhe Zanën, Çabej shkruan: “Përmbledhtas na del pra që Diana romake u shtri në Iliri përmbi një perëndeshë vendi, e cila i përngjante asaj dhe i dha me kohë emrin e vet. Te kulti i saj do të jenë bashkuar e përzier ndër to elemente pararomake-ilire, greke e romake, duke u ruajtur në këto vise gjer në ditë të sotme. Kjo ruajtje është e dyanëshe: gjuhësisht përfshin Shqipërinë dhe Rumaninë, (f. 92) duke qenë se nga elementet e besimit popullor shqiptar na doli me mjaft gjasë që Zina-Zëra rrjedh nga Diana dhe kështu lidhet me Rumanishten Zina. Përhapja e sotme e këtij emri në shqipen me rumanishten pajtohet në themel me kultin fort të përhapur të kësaj hyjneshe ndër ilirë e trakas të lashtë. Përveç kësaj Diana me gjithë atributet e shtazëve të saj, si dhe Silvanus, duket se rrojnë dhe jashtë sferës gjuhësore, si besim popullor, e rrojnë gjer më sot në Ballkanin dinarik të perëndimit” (Çabej 2011, f. 93).

                Artemisa greke.                               Artemisa e Apollonisë (kopje romake)

                       Diana ilire e Apollonisë.                       Altar: Diana Augusta Candaviensis.

Filed Under: Histori

105 vjet nga Lufta-epope e Vlorës, (3 shtator 1920 – 3 shtator 2025)

September 4, 2025 by s p

Bujar Leskaj/

Këtë vit , më 3 shtator 2025,përkujtojmë 105 vjetorin e Luftës së Vlorës, e cila është skalitur si një ngjarje historike me rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare dhe vendimtare për ekzistencën e shtetit shqiptar dhe mbrojtjen e identitetit tonë.

Katër janë kulmet e historisë së shtetit shqiptar, të cilat ngjyrosin krenarinë dhe identitetin tonë kombëtar: Pavarësia (28 Nëntor 1912), shpallur nga Babai i Kombit Ismail Qemal Vlora, Epopeja e Skënderbeut (1443-1468), Lidhja e Prizrenit (1878) dhe Lufta e Vlorës (1920).

Lufta e Vlorës zgjati tre muaj dhe ishte një lëvizje e madhe për të mbrojtur qytetin e Vlorës, por edhe Shqipërinë nga copëtimi total që do i bënin pushtuesit italianë.

Lufta e Vlorës ishte një ngjarje ku shqiptarët u ngritën në këmbë kundër pushtuesit të huaj, të bazuar vetëm në forcat e tyre, pa u ndihmuar ushtarakisht nga askush.

Beteja për Vlorën (29 maj-3 shtator 1920) ishte një përballje krejt e pabarabartë e 4 mijë luftëtarëve shqiptarë të keqarmatosur, të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, por shumica lebër, të vetëorganizuar, pa mbështetje financiare dhe logjistike, me përjashtim të dashurisë dhe sakrificave të popullit të Vlorës, dhe mbi 22 mijë ushtarëve të rregullt, të armatosur deri në dhëmbë, të inkuadruar në dy divizione të një ushtrie ndër më modernet dhe të pajisurat e kohës, ushtrisë italiane.

Lufta e Vlorës ngërthen një ngjarje historike të rëndësisë madhore kombëtare, e cila u tregua vendimtare për ekzistencën e metejshme dhe pavarësinë e plotë të shtetit të ri shqiptar, të formuar tetë vite më parë, por të gjymtuar nga pasojat e Traktatit të fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915 dhe vënë në pikëpyetje nga ushtritë që përshkuan territorin shqiptar gjatë Luftës së Parë Botërore 1914-1918, një pjesë e të cilave vijuan të qëndronin edhe pas përfundimit të kësaj Lufte.

Fitorja e Luftës së Vlorës festohet nga vlonjatët dhe shqiptarët gjithmonë me po atë rëndësi që i jepet edhe 28 nëntorit 1912, pasi 3 shtatori 1920 është rishpallja e Pavarësisë Kombëtare të përmbysur nga Lufta e Parë Botërore.

Në 2 shtator 1920 u liruan nga ishulli i Sazanit 1760 vlonjatë të internuar. Në këmbim të tyre u liruan edhe robërit italianë (rreth 1400 ushtarë dhe oficerë që mbaheshin në fshatin Vajzë e Tepelenë.)

Në 3 shtator 1920 u festua me madhështi fitorja e Luftës së Vlorës. Çeta e parë që hyri në Vlorë ishte Çeta e Velçës, çeta që kishte më shumë dëshmorë në këtë luftë.

Flamuri i fitores u ngrit po atë ditë, në 3 gusht mbi varrin e Ismail Qemalit, në Kaninë, nga një mysliman nga Jugu, major Ahmet Lepenica dhe një katolik nga Veriu At Shtjefën Gjeçovi.

Sot, në 105 vjetorin e Luftës së Vlorës, do të doja të kujtoja të gjithë ata trima të Labërisë, Vlorës e Shqipërisë, të cilët derdhën gjakun e nuk i rreshtën kurrë përpjekjet për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë.

Do të doja të kujtoja të gjithë anëtarët e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, Sali Bedini, Hamit Selmani, Duro Shaska, Hazbi Cano, Beqir Sulo, Ali Beqiri, Alem Mehmeti, Hysni Shehu, Qazim Kokoshi, Murat Miftari dhe Myqerem Hamzaraj.

Do dëshiroja të kujtoja me nderim e respekt të veçantë kryetarin e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, patriotion e shquar Osmën Haxhiu.

Sot kujtojme me veneracion komandantët e Luftës Ahmet Lepenica, Qazim Koculi dhe Mehmet Selim Mallkeqin, i cili i dorëzoi komandës italiane ultimatumin e Luftës së Vlorës 1920. Për aktin e fortë të këtij luftëtari ne ende nuk kemi një përmendore në Vlorë, apo nje basoreliev dinjitoz përpara bashkisé .

Përmendorja e kapedan Sali Vranishtit, punuar mjeshtërisht nga skulptori i shquar Mumtaz Dhrami , ende po pret të vendoset në Vlorë.

Drejtuesit politikë dhe kapedanët e Luftës së Vlorës 1920 duhet të vendosen në Panteonin e Lirisë !

Kjo do/ duhet të ndodhë, sepse gjaku i luftëtarëve vlonjatë dhe të gjithë Labërisë ,dhënë për liri e pavarësi nuk harrohet, nuk zhbëhet, e nuk zëvendësohet me pllaka e ngrehina betoni pa kuptim, sepse gjaku dhe mesazhi i patriotëve vlonjatë nuk harrohet, por nderohet e lartësohet.

Data 3 shtator ende nuk është festë kombëtare, megjithëse në ndërgjegjen e popullit është nga datat kulmore të historisë së Shqipërisë, është Lufta e heronjve që ranë për liri e na lanë Shqipëri!

Në 50 vjetorin e Luftës së Vlorës, luftëtarët e saj u vlerësuan nga regjimi i kohës, por me shumë kufizime e mënjanime për arsye politike.

Do të ishte demokracia dhe veçanërisht presidentët e nderuar të Republikës Bamir Topi, Bujar Nishani dhe Ilir Meta në 100 vjetorin e saj, që do të vendosnin në piedestalin më të lartë të vlerësimeve kombëtare heronjtë, drejtuesit, komandantet, dëshmorët dhe figurat politike dhe shoqërore të kohës që mundësuan këte Luftë – Epope.

Lavdi dëshmorëve, heronjve dhe kapedanëve të Luftës së Vlorës 1920!

Gjithmonë jemi dhe mbetemi borxh të Luftës së Vlorës 1920 dhe heronjve të saj!

Filed Under: Histori

NJË  VËSHTRIM RETROSPEKTIV MBI DISA ASPEKTE CIVILE DHE USHTARAKE QË I PARAPRINË LËVIZJEVE NACIONALISTE NË BALLKANIN E SHEK TË XIX-të

September 2, 2025 by s p

Emirjana Fili/

Iluminizmi Ballkanik filloi që me forcimin e gjuhes dhe arsimit, prodhimit të materialit letarar e deri në rritjen e potencialit të një sërë veprimtarish intensive të popujve të Ballkanit , që kulmuan me kërkesat e tyre për sovranitet politik dhe që zgjuan vëmëndjen në sallonet e Perandorive të Mëdha , aty ku bluheshin skenare të realpolitikës.

Gjatë shekullit të XVIII, familje të fuqishme lokale, si në Anadoll, ashtu edhe në Ballkan, pjesë  e aristokracisë  së  re  të  tokës,  që  filloi  t’i  rrëmbejë  terren  gjithnjë  e  më  tepër aristokracisë  ushtarake,  duke  zgjeruar  pronat  e tyre tokësore  dhe duke  shtënë  në dorë kontrollin e kazave dhe sanxhaqeve, në të cilat jetonin, filluan ta ndjejnë veten më shumë të pavarur se sa nëpunës të shtetit osman. Këtu e ka bazën dalja e familjeve të fuqishme vendase në tokat shqiptare, të cilat ngritën pashallëqet e tyre.

Pashallëqet  e mëdha  shqiptare  u  formuan  rreth  qyteteve  të Shkodrës  dhe Janinës,  në terrenin e tregjeve me rëndësi ndërkrahinore,  me popullsi kryesisht shqiptare dhe me një klasë sunduese shqiptare. Ato, pa cënuar ende integritetin formal të Perandorisë, mundën të përforconin karakterin e tyre shtetëror dhe me administratën  e tyre politiko -ushtarake të veçantë, luajtën një rol të rëndësishëm  në konfliktet  ndërkombëtare  të kohës, duke u kërkuar edhe si aleatë nga palët ndërluftuese.

Pashallëku i Janinës nga pikpamja organizative kishte tiparët e një shteti , pushteti në pashallëk ishte përqëndruar në duart e Ali Pashës , në këtë territor  ku pashai sundoi sipas mënyres dhe urdhëresave të tij, në shumë autorë shikojme mendimin se në Janinë mbizoteronte qetësia, një qëtësi e pa parë më parë dhe bashkë me të u vendos dhe autoriteti i besimit tek Pashai, Myfit Libohova do të shpreheshe  se në pashallëkun e Janinës mund të flinte “delja me ujkun”. 

Vetë si qytet Janina shtriheshe gjeografikisht në territoret e Epirit, ku mund të konsiderehoshe nga të huajt si një pjese e Europës Juglindore e ku  mund te shkriheshein intersat e Perandorive Euopiane.  Nga përberja në Janinë gjeje nga të gjitha grupet etnofetare të Gadishullit të Ballkanit: vlehët, shqiptarët, turqit, sllavët dhe grekët. Nga ana tjetër prania e rrugëve tregëtare jug –veri dhe afërsia me ishujt Jonianë një zonë kjo me ndikim venedikas, përbënin faktorët dominues që i jepnin Epirit fizionominë e një krahine të vecantë.

 E për më tepër  qyteti i Janinës ishte domosdoshmërisht një potencial i kulturës së hapur mes popujve. Ky ishte një mjedisin që e ndihmoi Ali Pashën të krijonte dhe të ndërtonte një administratë model, për nga struktura dhe funsionimi. qyeteti dhe shtresate shoqërore  të  qytetit e imponuan që të vepronte në në mënyrë të ndryshme nga Bushatllinjtë. Sepse shtrirja gjeografike si do ta shohim edhe në burimet e dokumentuara, ku ankesat kërkesat dhe korespondencat vinin nga territore të ndryshme apo nga përberje e ndryshme e shtresëzimit, do ta bënte Aliun , që të ta kishte si një shtyllë të rëndësishme të sistemit të qeverisjes së tij. Atij i duhej të administronte territore kulturalisht të ndryshëm , e për këtë arsye atij nuk mund ti lejohej të mbante  qëndrim të njëanshëm  ndaj një etnie të caktuar. Nuk mund t’ja krijonte këtë” luks” as qyteti i Janinës, që ishte një qytet i rëndësishëm grek, e së pari përpara së të ndërtonte një administratë i duhej të ruante një ekuilibër midis bashkesisë greke dhe bashkësisë turke që gjeti në Janinë, e më pas shtrirja gjeografike drejt zonave kulturalisht greke si zona e Thesalisë apo të Greqisë qëndrore, përzjerja e popullatës si në besim ashtu dhe në gjuhë ku pjesa më e madhe ishin grekë dhe flisnin greqisht dhe një popullatë shqiptare greqisht folëse , e bëntë Aliun që gjithë fuqinë e tij ta bazonte tek teritori dhe jo tek populli. 

Edhe studiesit grek  Kotzgeorgis dhe Kokolakes thekson në studimet e tyre kete dukuri, te  popullatave midis turqve dhe shqiptarëve myslimanë. Kjo eshte  vërejtur në Janinë edhe nga një vëzhgues shumë i vëmëndëshëm sic ishte koloneli anglez. William Leake i cili shkruan në 1805 “ midis turqve dhe myslimanëve shqiptarë, në cdo dhjëtë fjalë të greqishtes që flasin një është turqisht, dhe mes atyre që kanë lindur musliman kjo mund të jëtë gjithë turqishtja që dinë. Midis grupeve të popullatave epiriote të cilët greqishten e kishin gjuhë amëtare, në atë kohë ishin myslimanët e Janinës, Artës dhe Konicës . Këtë fakt e kemi të përmendur edhe tek Fleming, ku thekson se nuk ka një mënyrë as më të vogël për të shquar një ndryshim midis një shqiptari  dhe greku. 

Në fushën e të drejtës administrative dhe financiare, të sistemit fiskal, të tatim taksave, në fushën e doganave etj, vepronin ato norma, të cilat qenë unike për gjithë perandorinë. 

Ali pasha futi në juridiksionine tij parime të gjykimi me bazë të legjislacionit perëndimor, vendimet gjyqësore apeloheshin në Janinë dhe jo në Stamboll, duke synuar që të hiqte gjëqësorin nga dora e kadilerëve , shpesh herë merrte përsipër raste për të dhënë vetë drejtësi dhe në dokumentët arkivore ka shumë dokumentet të tilla. Ai organizoi forcate armatosura, organet diplomatike, drejtonte politikë të jashtme dhe të brendshme, ndihmohej nga një këshilli i lartë (divani), në të cilin emëroi njërëz bësnikë, më së shumti shqiptarë . 

Edhe pse legjislacioni osman, ua ndalonte të krishtërëve grekë të punonin në administratën osmane, mjaft poste ai ua besonte ë krishtërëve grekë, ndërsa postet e larta ushtarake ua besonte shqiptarëve . 

Një fuqi e re ushtarake ne Ballkanin e fillim shek XIX

Fuqia e Ali Pashës mbështete tej shqiptarët, gjithë kasta drejtuese e tij dhe komandantët ishin shqipatrë . Si forcë kryesore të pushtetit të tij ai kishte ushtrinë me rrogë, pjesa dërmuese e ushtarëve vinin nga malësistë e varfëra, dhe në reparatet greke me rrogë të quajtura martallozë. Në raste të veçante rekrutoheshin me detyrim forca qytetare të esnafeve si dhe forca fshatare dhe çifligjet. Vitete e fundit u pajtuan dhe mercenarë nga Shqipëria e veriut. Pashai kujdesj pa reshtur për ruajtjen e shpirtit luftarak të ushtris së tij.

Ushtria e Aliut përbëhej nga këmbësoria, kalorësia, artilieria, xhenjo dhe flota detare. Këmbësoria dhe kalorsia ishin të rregullta dhe jo të rregullta. Pranë tij ndodhej një batalion ushtarësh të rregullt, të stërvitur sipas sistemit europian. 

Ai krijoi shkollën e artilerisë dhe ngriti një fonderi për derdhjen e topave dhe mortajave, punishte për prodhimin e barrotit, etj. Si asnjë qeveritar tjetër, ai e rrethoi pashallëkun e vet me një sistem mbrojtës, i përbërë nga kështjella vendstrehime, transhe ndërlidhëse. I vetmi në shtetin osman që krijoi policinë sekrete dhe rrjetin informativ, por nuk mundi ta shtrijë në krejt Turqinë Evropiane. Si asnjë tjetër, ai ndërpreu fenomenin e braktisjes së vendbanimeve të përhershme jo vetëm në pashallëkun e tij, por në mjaft vende të Rumelisë. Edhe kur lejonte largimin e familjeve për një jetë më të mirë brenda apo jashtë shtetit osman, ai mbante disa pjestarë nga ajo familje që të siguronte lidhjen me ta. Me anë të teskeresë, ai kontrollonte hyrjet e daljet në pashallëkun e tij dhe siguroi qetësinë në shtetin e tij.

Ushtria e rregullt këmbësore përbëhej nga 3 batalione. Këmbësorët e rregullt ishin vendosur në garnizonet e kështjellave, në ruajtjen e rrugëve apo urave kryesore. Në evropianizimin e forcave tokësore pati meritë Pezarini një venecian, këshilltar i këmbësorisë në ushtrinë e Aliut, i cili punoi për një kohë të caktuar. 

Për të furnizuar ushtrinë me barut, Aliu ngriti një laborator dhe prodhoi atë. Për të bërë një hop cilësor në ngritjen e artilerisë. Një pjesë e barutit blihej në tregjet e jashtme. Kështu, më 20.2.1802 u blenë në Korfuz 12 fuçi barroti me vleftën 25 000 groshë. Sasira të mëdha u blenë gjatë qëndresës së fundit ndaj represionit osman, ku u fol me hollësi. Një pjesë e vogël e barrotit sigurohej brenda pashallëkut në punishte të vogla. Një prej tyre ishte ajo e fshatit Domeniko.

 Aliu nuk la rast pa shfrytëzuar  përvojën perëndimore në këtë fushë pak e njohur në shtetin osman dhe aspak e njohur në Shqipëri. 

Si në krejt perandorinë, edhe Aliu zbatonte rekrutimin e ushtarëve me rrogë. Ishte e kuptueshme se duke qenë shërbimi ushtarak me rrogë ishte mjet jetese. Këmbësorët rrekrutoheshin kryesisht nga zonat malore shqiptare, ku shërbimi me rrogë ishte një mjet jetese. Kryesisht ata ishin toskë, çamë e lebër. Nuk mungonin ushtarë nga Gegëria, si Dibra apo Mirdita. Ushtria përbëhej kryesisht nga shqiptarë. Atje shërbenin shqiptarë myslimanë dhe të krishterë. Aliu ishte i vetmi që pranonte ushtarë të krishterë.

Karakteristikë e ushtarëve shqiptarë ishte dashuria e tyre për armën, të cilën e shprehnin në zbukurimin e saj me ar dhe argjend. Krahas pushkës ata mbanin në brez dy pistoleta, por asnjëherë të njëjta, një jatagan ose hanxhar, madje një shpatë të madhe. 

Ushtarët e Ali pashë Tepelenës, shqiptarë të ambjentuar me temperaturën e ftohtë të maleve, mbanin guna të trasha, për të përballuar të ftohtin e stinës. Krejt ndryshe nga turqit dembelë, shqiptarët i shihnje gjithmonë në lëvizje, duke kënduar apo kërcyer gjithë ditën në kamp. Flinin me rroba të trasha, pa hequr armën nga qafa, ishin të kënaqur për fatin që kishin. Në të gjithë këtë ushtri prej 6 000 vetash, s’kishte më shumë se njëzet të sëmurë.

Aliu mori masa për prodhimin e armëve. Ai kishte ngritur punishte dhe fabrika, të cilat prodhonin armë dhe municione të mjaftueshme për tre vjet lufte. Pushkët punoheshin të gjitha në Shqipëri, me përjashtim të tytave, që pjesa më e madhe vinte nga Italia e Veriut, krahas atyre të punuara në Shkodër, Prizren, Tetovë, Prishtinë e në Grevenë(Grebene). Këto të fundit ishin inferiore ndaj të parave. Kjo bënte që në ushtrinë e Aliut, si në krejt perandorinë, të kishte një larmi të llojeve të pushkëve. Armatimi i ushtarëve këmbësorë zakonisht përbëhej nga një pushkë e gjatë ose e shkurtër, pa bajonetë. 

Me interes nga arkivi i Ali pashës, na shfaqen dokumenti me 113 apo dokumenti me nr 118, edhe mjaft dokumente të tjera të cilat përfshihen në fondin e informacioneve inteligjente , nga burime konfidenciale të Ali Pashës dhe që shprehin qartë , mendësinë se si ky pasha otoman, ndërtonte politikën e tij, cfarë ndërmarrje, synime dhe interesa molepseshin përreth tij. Siç e thekson dhe studiuesi Koçollari në studimin e tij : “ Pashai tepelenas, tatonte tërë pulsin e hierarkisë së lartë osmane ndaj veprimeve të tij dhe në këtë mënyrë kishte mundësinë që të merrte masa paraprake dhe te ruhej nga reagimet apo goditjet e mundëshme të qeverise “

Janina një oaz i ndritur ne Ballkan 

Aliu kishte një vizion perëndimor për përmbajtjen e arsimit.. Shumë studiues të huaj dhe grekë bien dakord se  Greqia ia detyron Janinës rilindjen e arsimimit. Të gjithë autorët grekë ose kishin lindur në Janinë ose kanë studiuar në shkollat e saj. Si rezultat i kujdesit të tij, Janina fitoi aq shumë famë si vend arsimi sa tërhoqi studentë nga gjithë Greqia. Në këto shkolla të mesme vinin edhe nga qytete të ndryshme të Shqipërisë si nga Voskopoja, nga vinin çdo vit e për vit nga esnafet e ndryshme të Voskopojës, ndër të cilët edhe Danil Kavaljoti.  Aliu shkonte më tej duke projektuar të krijonte Akademinë e Letërsisë, Teknikës e Shkencave sipas mënyrës franceze. 

 Në mungesë të arsimit të lartë në vend, Aliu jepte bursa për të studiuar nëpër universitetet evropiane studentëve epirotë. Kjo praktikë filloi në vitin 1800, kur u dërguan një numër të rinjsh në universitetet evropiane, me shpenzimet e tij. Koleti studioi me shpenzimet e Aliut, Lluka Vaja, vëllai i Thanas Vajës për 12 vjet ndoqi studimet për mjekësi me paret e Aliut në Paris, në Vjenë dhe në Laipsig. Edhe shumë studentë të tjerë studiuan me shpenzimet personale të Aliut. Hollandi u impresionua nga lulëzimi i shkollave dhe atmosfera e gjallë intelektuale që dominonte në ato terrene. Autorët grekë dhe ata të huaj kanë vlerësuar këto shkolla si fidanishte ku u edukuan shumë nga personazhet, që më vonë, hynë në organizatën «Shoqëria e Miqve», celula më e rëndësishme revolucionare sekrete që qëndronte pas Luftës Greke për Pavarësi. Athanas Psalidha,ishte një nga figurat e njohura të iluminizmit apo të rilindjes greke. Ai u rrit në Janinë dhe me mbështetjen e Aliut, ngriti shkollën e pare në Janinë-Zosimenë. Ai njihte disa gjuhë të huaja, botoi libra në gjuhën greke në Vjenë, kontribuoi në kulturën dhe arsimimin e gjeneratave të reja në ato anë. Pas vrasjes së Aliut ai mori pjesë në luftën për pavarësinë e Greqisë.

Aliu synonte ngritjen e nivelit kulturor të banorëve të zotërimit të tij. Investimi për të nxitur dhe përhapur jo vetëm arsimin, por edhe kulturën, është vlerësuar si një ndër novacionet më befasuese të Aliut.  

Ai nxiti që të grumbulloheshin njerëz të ditur grekë e shqiptarë, aq sa në Janinë jetonin shkrimtarë grekë të shquar dhe shkencëtarë të kohës, si Psalidha.

Në kohën e Aliut u forcuan akoma më shumë raportet dhe lidhjet e vjetra intelektuale me Evropën Perëndimore. Për pasojë, ardhën më shumë në këtë qytet kozmopolit, ideologjitë perëndimore, shijet dhe zakonet evropiane. Vetë Aliu interesohej më shumë për shoqërinë franceze në përgjithësi, për revolucionin në veçanti, për kulturën perëndimore.

   Në kuadrin e ngritjes së nivelit kulturor, Aliu lejoi dhe nxiti përhapjen e kulturës midis grekëve dhe shqiptarëve ortodoksë, gjë që u ishte mohuar nga turqit. Aliu dhe Janina ndihmuan në mënyrë jo të vetedijshme të vihet në jetë ideja e Rigasit mbi çështjen e gjuhës së folur, e cila së fundi arrinte të fitonte në debatin që i dha një nga fitoret më të mëdha filohelenizmit, vendimin e shtetit të ri grek për të përdorur katharevousa si gjuhë zyrtare, mbasi në pashallëkun e tij në çështjet zyrtare ishte përdorur gjuha e folur(demiotike). Meqenëse dialekti Dimiotik i greqishtes u adaptua si gjuha e oborrit të Aliut, ku forma e saj e shkruar u perfeksionua, u mbyll hendeku i madh midis elitës sunduese greke dhe publikut të gjerë dhe u shtrua rruga për të krijuar një ndërgjegjie dhe kohezioni kombëtar.

Janina shkendija që i parapriu Revolucionit Grek

Janina në kohën e Ali Pashës arriti pikën në kulmin e lavdisë. Në këtë vatër kulture u përgatit një plejadë e tërë intelektualësh që drejtuan Revolucionin Grek. Aliu e ktheu Janinën në një destinacion të mjaft intelektualëve që deshin të njihnin këtë njeri dhe të mësonin historinë e lashtë të Greqisë. Kjo e fundit ia detyron Janinës rilindjen e arsimimit. Shumë emra të përmendura në literaturën e kohës, si Villarai, Psalidha, Stefan Duka etj. kaluan nga obori i Aliut.  Ai shfaqet si reformatori i parë në trevat e perandorisë që në mënyre institucionale, ktheu vëmendjen për rilindjen shpirtërore dhe civilizimin e popujve të këtyre anëve. 

Ndër të parët pashallarë otomanë në mbështetje të revolucionit, i interesuar për platformen konstitucionale se si mund të drejtohej një shtet, gjithmonë një  hap përpara  me kërkesat për modernizimin e aparatit shtëtëror, i interesuar për të ritur cilësinë e jetës dhe të qytetarëve në rajonet ku ai sundonte, nëpërmjet forcimit të arsimit dhe të kulturës. Një tiran kurrsesi nuk do të ishte i interesuar që populli ku sundonte , të emancipohej dhe të “zgjohej “ sepse ndoshta ky “zgjim” do të përbëntë një rrezik për të. Faktet treguan se pushteti i tij prej tre dekadash , më një popullsi rreth 1, 5 milion banorë, ishte në funksion të njërzve që i besonin dhe që luteshin dhe falenderonin ne cdo letër të tyrë , për shëndet dhe pushtet.

References

1.Aravantinos S. (1895):  Istoria Ali pasa tou Tepelenli, Athina

2.Bozbora, N. (2002): Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Osmane, Shtëpia Botuese Dituria, Tiranë 

3.Koçi, D ( 2014). Gjenealogjia e Ali pashë Tepelenës, Sht.b. “Streha”, Tiranë

4.Kocollari, I.( 2016). Korespondencë dhe dorëshkrime të Ali Pashë Tepelenës, Onufri , Tiranë

5.Kokolakes. M( 2003).  To istero ianniotiko pasaliki. Xohoros dhoikisi qe plithismos stin turkokratumeni iperio (1820-1913) Athina 

6.Kotzageorgis Phokion : “Pour une definition de la culture ottomane: le cas de tourkoyanniotes”, Etudes Ballkaniques- https://www.cairn.info/revue-etudes-balkaniques-cahiers-pierrebelon-2009-1

7.Lambridhes, J. (1887). Ipiriotiki Melentima, Athina

8.Panayiotopulos V. (2007).Arqeio Ali Pasa VolA,B, Athina:Genadhio Bibliothikis tis Amerikanikis Skolis, Instituto Neolenikon 

9.Vurnas, T. (2003)  Ali pashë Tepelena, tiran apo politikan i talentuar?, Tiranë,  “studio Gervis

Filed Under: Histori Tagged With: Emirjana Fili

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • …
  • 737
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT