• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

CILI ISHTE DREJTORI I PARË I GAZETËS TË QEVERISE SË VLORËS ” PËRLINDJA E SHQIPËNIËS”

November 29, 2013 by dgreca

NGA GËZIM LLOJDIA*

1.

Emri i Dhimitër Beratit renditet ndër ata delegatë me atribut nga kolonit shqiptare. Është ndër firmëtarët e aktit të shpalljes së Pavarësisë .Zgjidhet delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit. Ka firmuar aktin historik të shpalljes së pavarësisë, me siglën “D. Beratti”, në emër të kolonisë së Bukureshtit.

a-Dhimitër Berati ka firmën e vecantë në aktin e shpalljes së Pavrësisë të sigëluar me D.Beratti.

b- U emërua “drejtor i përgjithshëm” në gazetën e qeverisë së Vlorës “Përlindja e Shqipëniës” . Zgjodh anëtar i pleqësisë. Zëdhënës i qeverisë.

Delegatëtë Kuvendit kombëtar:Kolonia shqiptare Bukureshtit: Dhimitër Zografi, DhimitërMborja, Dhimitër Berati, Dhimitër Ilo.

2.

Disa autorë shqiptarë kanë shkruar për koloninë shqiptaret Bukureshtit si dhe për aktin e firmetarët e Pavarësisë kombëtare kanë bërë vlerësimin e tyre për figurën e ndritur  dhe rolin që ka pasur Dh.Berati  . Në këtë kontekst  Radio Vatikani bënë këtë koment:Më 15 tetor 1886 lindi në Korçë Dhimitër Berati, atdhetar, politikan e publicist. Punoi disa kohë si mësues i gjuhës shqipe, ndërkohë mori pjesë në Kongresin e Elbasanit dhe në Kongresin II të Manastirit. Ishte i pranishëm në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 1912, më pas qe delegat në Kongresin e Paqes në Paris, përkrah Imzot Bumçit e Atë Fishtës; para vendosjes së diktaturës drejtoi ministri të ndryshme në disa qeveri si dhe gazetën “Përlindja e Shqipërisë”.U detyrua të largohej nga atdheu nën këcënimin e diktaturës. U vendos në Romë, ku bashkëpunoi me pjesën më të përparuar të mërgatës dhe me revistën “Shejzat” të Ernest Koliqit.

S. Demolli në një rajvizim serioz për figurën e këtij patrioti:Dhimitër Berati është një nga patriotët e rilindjes sonë kombëtare, i cili së bashku me Dh.Zografin, Dh.Emanuilin, P.Calen, S.Ilon, Th.Floqin e V. Korçën, firmosen Aktin Historik të Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912.Dhimitër Berati lindi në Korçë më 15 tetor 1886, ku mori mësimet e para, ndërsa studimet e larta i kreu në Fakultetin e Shkencave Politike Administrative të Universitetit të Bukureshtit. Pas përfundimit të këtij fakulteti përfundon aty edhe Fakultetin e Drejtësisë. Ndërkohë, ai përfshihet në lëvizjen patriotike për mëvetësinë e atdheut të shqiptarëve të emigruar në Bukuresht dhe në vitin 1904, zgjidhet këshilltar i kryesisë së tyre. Më 1907 kthehet në vendlindje dhe punon si mësues i Shkollës Shqipe të Korçës, së bashku me patriotët Thanas Floqi, Thoma Avrami etj. Më 1909, merr pjesë në Kongresin Arsimor të Elbasanit dhe më 1910 në Kongresin e Dytë të Manastirit, duke spikatur si një ndër veprimtarët me të shquar të lëvizjes patriotike në qytetin e lindjes.Në nëntor të vitit 1912, Berati është një ndër organizatorët kryesorë të Konferencës së Shqiptarëve të Bukureshtit, të mbledhur me nismën e Ismail Qemalit në hotel “Kontinental”, ku u vendos që një delegacion me në krye Plakun e Vlorës, të shkojë në Shqipëri dhe të shpallë “Mëvetësinë” nga autoriteti i Turqisë. Në përbërje të këtij delegacioni, si delegat i Kolonisë shqiptare të Bukureshtit ishte edhe Dhimitër Berati, i cili së bashku me Dh.Zografin, Dh.Emanuilin, P.Calen, S.Ilon, Th.Floqin e V.Korçën firmosën Aktin Historik të Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912.Duke vlerësuar aftësitë dhe kontributin e tij për çështjen kombëtare, Qeveria e I.Qemalit e dalë nga Kuvendi i Vlorës, e emëroi Dh.Beratin kryeredaktor të gazetës “Përlindja e Shqipërisë”, e cila ishte zëdhënëse e kësaj qeverie. Më 1919, Dh. Berati shkon në Paris me delegacionin e kolonisë shqiptare të Rumanisë, për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë kundër pretendimeve të shteteve shoviniste fqinje. Në vitet 1922-’24, merr pjesë aktive në qeverisjen e vendit, si Drejtor i Zyrës Politike në Ministrinë e Jashtme dhe më pas Sekretar i Përgjithshëm i kësaj ministrie. Gjithashtu, përfshihet si anëtar i Komisionit të Përcaktimit të Kufirit në Jug të vendit me Greqinë. Në vitin 1929, emërohet sërish Drejtor i Zyrës Politike në Ministrinë e Jashtme, kurse në vitin 1934 deri 1936, punoi si ministër i Ekonomisë Kombëtare e 1936 – 1939 ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Romë.
Në vitin 1941, Dh.Berati është ministër i Kulturës Popullore dhe zëvendësministër i Arsimit. Pas Luftës së Dytë Botërore, emigroi në Itali.Vdiq në Romë më 8 shtator 1970.

Mbretëria rumune më 1932 e dekoroi me medaljen “Grand Officer De La Courron Roumania”.

3.

Dhimitër Berati  jo vetëm firmëtar por  është edhe drejtonjës i gazetës së qeverisë së Vlorës :” Përlindja e Shqipëniës”.Burimet citojnë pozicionimin e DH. Beratit si drejtonjës i kësaj gazete. Burimi i parë : U emërua “drejtor i përgjithshëm” në gazetën e qeverisë së Vlorës “Përlindja e Shqipëniës” dhe u zgjodh anëtar i pleqësisë. Burimi i dytë: Në këtë gazetë zyrtare  fillimisht kryeradaktor ishte Dhimitër Berati.

B.Gace cilëson: U zgjodh delegate i kesaj kolonie per ne Kuvendin historik te Vlores, ku firmosi aktin e Shpalljes se Pavaresise Kombe-tare. Ne dokumentet e Qeverise se Vlores, emri i tij shenohet krahas Dh. Zografos, Dh. Mbrojes dhe Dh. Ilos, si delegat te kolonise shqiptare te Buku­reshtit.2) Qeveria e Vlores e ngarkoi me detyren e kryeredaktorit te gazetes “Perlindja e Shqipnies” dhe sekretar te misionit diplomatik te kryesuar nga I.Qemali.

Disa të dhëna rreth gazetës së qeverisë së Vlorës.

Gazeta e parë e shtetit shqiptar është :Pëlindja e Shqipëniës”,botim i Qeverisë së Vlorës,nxorri dritëzën e parë në gusht,viti 1913 deri në 26 mars 1914. Në këtë gazetë zyrtare  fillimisht kryeredaktor ishte Dhimitër Berati,kontribuoi publicisti Mihal Grameno i thirrur urgjent nga Vlora ai mbriti aty rreth 2 dhjetorit.

4.

Publicistika e Dhimitër Beratit. Nga autorët që kanë studiuar figurën e Dh.Beratit përmendet atdhetar, politikan e publicist shqiptar.Ka botuar dy vëllime me titull “Shqipëria më 1937”, të cilët shërbejnë në ditët tona si model për shkrimin e historisë së shtetit shqiptar, shkruan Ëikipedia.

“Shënime historike mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me Lidhjen e Kombeve”. Shtëpia Botuese “Husi Borshi”, 2007 – 87 faqe.

Kur emigroi nga vendi ai u vendos në Romë, ku e gjejmë bashkëpunëtor të   revistës “Shejzat” të Ernest Koliqit.

Disa fakte të panjohura nga kërkimet tona ,gjejmë  parathënien që ai ka bërë librit  “Mësimeve” në vitin 1942 . DH.Berati shkruan për frashëllnjtë, Frashërin dhe Naimin ,poetin kombëtar kur ishte në moshë fare të njomë. Dh.Berati. Parathënia e ‘Mësimeve”.Dispatur, 15 tetor 1942.Ai shkruan:“Duke hyrë në Frashër nga udhë e Kokojkës,në fund të një luadhi një pirg gurësh e një tufë drurësh,që rrëfejnë gërmadhën e një shtëpie,rrëzuar 20vjet më parë…Një shekull më larg nuk shquhej gërmadhë dhe as gurë sigurisht. E ribërë është shtëpia nga themeli.Por këmbë në shekullin e XX,s’vuri asnjë nga frashëllinjtë aty.

Duke folur për Frashërin:60 vjet më parë, shprehet ai ishte – një qytet zotërinjsh të pasur.Ata fitonin me harxhe në Greqi dhe Bosnje.U rrënuan kur financimet e spahinllëkut u ndërprenë.Dhe së fundi,zbritën një nga një në emigrim.Renta e vogël shkëmbore nuk i ushqu më.Përveç ajërit të pastër,të kthjellta mbetën qiejt vjeshtor.Ajaz beu mbriti në Frashër në pronat e dhëna. Shtëpit,që i zuri syri ishin disa. Mbiemrat,që mbanin shtëpit ishin Aliçikasit,Cerasit,Bregasit,Bakasit.Alicikasit.Alicikasit kur u shtuan,populluanv Orgockën dhe Butkën.Bregasit.Bregasit formuan Goroshianin dhe Lushnjën.Bakasit.Bakasit zbritën në Koblarë,thotë Dh.B në parathënien e “Mesime”të Naimit.

Duke folur për Naim Frashrin:

“Naimi 7-8 vjeç, i hollë, i gjatë,me sytë të zezë,çkëlqyer,i zeshkët gjeç shkruante mbi kartë cingari,shkrimin e bënte me vrejtje të mëdha dhe të qaseshin pranë,që këndonte ca vjersha më një gjuhë fare të ndryshme.

Dambara, xhandara ,ta

Minrara,lanfurka,da!

Vjeshëronte kur ishte 10 vjeç

Synbyli zade almak

Kështu ka urdhëruar Perëndija,

Kur të jetë njeriu plak,

Urdhër të mos ketë fëmija.

Ky djalë vinte në vjershqarjen e një vëllake,të quajtur Tatë për të ëmën Raza duke thënë:

Qan Tata,vdiq Raza,ga

Hajfura,rimbada,fa…*

…. Dhimitër Berati. Parathënia e ‘Mësimeve”.Dispatur, 15 tetor 1942

*Msc..Anetar i Akademise Evropiane te Arteve

 

Filed Under: Histori Tagged With: Dhimiter berati, Gezim Llojdia, Perlindja e Shqipmise

SHQIPTARËT, SA SHUMË VULLNETARË PËR LIRI

November 28, 2013 by dgreca

Shkruan: Dr. Hasan Ademaj/ New York/

Shpesh, gjatë kohës së lirë më është bërë zakon t’u kthehem librave e materialve të tjera që kanë të bëjnë me luftën çlirimtare të viteve 90-të, si, fjala vjen përshkrimeve të betejave të ndryshme, dëshmive të ish-luftëtarëve të atëhershëm tek përshkruajnë akte heroike të shokëve të tyre, një pjesë e të cilëve nuk jetojnë më, por edhe qëndrime burrërore të njerëzve të thjeshtë të cilët sfidonin terrorin e pushtuesit serb, pa i u dridhur qerpiku. Një ditë, ndërsa isha duke shikuar një emision televiziv, kushtuar vëllait tim, Vezir Ademaj,  i cili braktisi perëndimin e begatë për t’u radhitur në formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mendjen time m’u bë një listë jo e shkurtër me emra të rinjsh të cilët kishin bërë të njejtën gjë. Dhe, me të vërtetë, vetë UÇK që në embrionin e saj, nuk ishte tjetër veçse një produkt vullnetarësh, të cilët, mbi të gjitha vunë idealin e lirisë, të çlirimit të vendit nga pushtuesi serb, ideal për të cilin kishin luftuar edhe paraardhësit e tyre. Askush nuk i u bashkua radhëve të UÇK-së si pasojë e ndonjë urdhëri të ndonjë grupimi politik apo të çfardo karakteri tjetër, askush nuk mori armët për të nxjerrë ndonjë përfitim personal e aq më pak për të synuar ndonjë post a privilegj tjetër pas çlirimit nga kthetrat e Serbisë.Ashtu si vëllai im,  një pjesë jo e vogël e luftëtarëve të saj i përkasin asaj kategorie që braktisën perëndimin me të mirat dhe privilegjet që kishin atje për t’u vënë totalisht në shërbim të luftës për liri. Jo pak prej tyre, do të bënin sakrificën më sublime duke dhënë jetën  e tyre të re për  kauzën e shenjtë të lirisë ose falë vetmohimit tëe treguar në beteja do të bëheshin udhëheqës kryesorë të formacioneve të UÇK. Por, nuk ishte vetëm kjo; radhët e UÇK-së do të mbusheshin dhe me vullnetarë nga të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë, në radhë të parë dhe nga vendi amë Shqipëria. Përsa i përket kësaj, është mjaft domethënës fakti se ndër 2260 dëshmorë, 68 ishin vetëm dëshmorë dhe martirë nga Shqipëria. Një faqe të shkëlqyer që do të linte gjurmë të pashlyeshme do të shkruanin vullnetarët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të inkuadruar në Batalionin “Atlantiku” disa prej të cilëve do të radhiteshin në listën e dëshmorëve të luftës. Kështu, duke hulumtuar për këtë dukuri të “vullnetarizmit” që karakterizoi luftën e viteve 90-të, ndoshta dhe për faktin që mbijetesa e kombit shqiptar, brez pas brezi,  është e lidhur me beteja të vazhdueshme për liri, dashje pa dashje filluan të më kujtoheshin shumë gjëra nga ato që kisha lexuar nga historia e luftrave të shumta të shqiptarëve falë të cilave ata do të siguronin mbijetesën e tyre.

 

Duke i hedhur një sy periudhave të ndryshme të historisë së kombit shqiptar, në çdo moment të rëndësishëm e vendimtar, veçanërisht,  kur kanë qenë në lojë fatet e kombit , mund të gjesh shembuj të panumërt kur shqiptarë nga treva të ndryshme kanë braktisur gjithçka duke u vënë në dispozicion të çeshtjes kombëtare, për t’u ndodhur aty ku ndaheshin fatet e kombit, ku vendosej e ardhmja e tij, apo ishte e kërcënuar nga  rreziqe, të cilët nuk kanë qenë të paktë. Ishte mëse e natyrshme, që, në mungesë të një shteti të tyrin, e vetmja gjë e cila u kishte mbetur shqiptarëve, për të mbrojtur trojet ku jetonin e punonin,ishin organizimet në baza vullnetare. Vullnetarë ishin ata të cilët në kuadër të Lidhjes së Prizrenit do t’i bënin një rezistencë të pashembëllt ushtrive osmane të cilat kishin si qëllim të nënshtronin “shqiptarët e pabindur” që duke hedhur poshtë vendimet e Kongresit të Berlinit u ngritën në mbrojtje të trojeve, të cilat, fuqitë e mëdha kishin vendosur t’u a jepnin fqinjëve. Më vonë, kjo gatishmëri për të dalë vullnetarë do të shpalosej në çdo moment, sa herë të lëshohej kushtrimi për të mbrojtur trojet  në të gjitha viset ku jetonin shqiptarët, pasi dihet që teritore të tëra shqiptare ishin bërë objekt pazaresh ndërmjet fuqive të mëdha të cilat në kuadër të kontrasteve për të shtrirë ndikimin e tyre në Ballkanin që po çlirohej nga pushtimi disa shekullor otoman po synonin që  ta arrinin këtë duke zgjeruar shtetet e sapokrijuara duke u dhuruar troje shqiptare. Në këtë mënyrë, nën pretekstin e luftës kundër Turqisë ato nxisnin shtetet në fjalë që të aneksonin territoret historikisht shqiptare. Në rrethana të tilla, shqiptarëve, të lënë në mëshirën e fatit, u është dashur t’i dalin zot vetes duke u përballur me ushtritë e organizuara të fqinjëve, që kishin dhe mbështetjen e fuqive të mëdha. Kështu, vullnetarët shqiptarë, të udhëhequr nga Isa Boletini, gjatë luftës greko-turke, do të merrnin pjesë në frontin e Thesalisë, sigurisht, jo për të mbajtur gjallë “të sëmurin e Bosforit”, por, me qëllim mbrojtjen e tokave shqiptare nga grekët. Edhe në veri, të organizuar po vullnetarisht, nën drejtimin e prijësave të tyre, shqiptarët do të kundërshtonin përpjekjet e vazhdueshme të serbëve për të depërtuar në teritorin e Kosovës. Gjithashtu dhe kryengritjet e viteve 1910-1912, të cilat e tronditën pushtetin e sunduesit turk duke e shtrënguar të ulet në bisedime me shqiptarët ishin të organizuara në baza krejtësisht vullnetare sipas parimit të njohur shqiptar “sa pushkë do të nxjerrë filan fshat apo filan krahinë…”. Shpërthimi i luftrave ballkanike, në një kohë që Turqia ishte në gjendje agonie, bëri që vetë shqiptarët  të ngriheshin në mbrojtje të vendit të tyre duke  organizuar një qëndrese vullnetare përballë ushtrive të rregullta të vendeve fqinje, të cilat i u vërsulën trojeve shqiptare si të ishin një mall pa zot. Kështu, në mesin e tetorit të vitit 1912 ushtria e rregullt serbe në radhët e së cilës numëroheshin rreth 260 mijë ushtarë, do të sulmonte nga tre drejtime teritorin shqiptar. Në kohën që Turqia u gjend krejt e papërgatitur për luftë, mbrojtja mbeti plotësisht në duart e formacioneve vullnetare shqiptare. Edhe armët e premtuara nga shteti turk nuk i u dërguan asnjëherë vullnetarëve shqiptarë. Megjithatë, kjo ushtri vullnetare shqiptare do të zhvillonte beteja të ashpra duke u shkaktuar humbje të paparashikueshme armatave serbe. Duke qenë se ushtria turke kishte braktisur frontin një ditë para se të fillonin luftimet ishin forcat e vullnetarëve shqiptare të Kosovës, nën udhëheqjen e figurave të tilla si Isa Boletini, Hasan Prishtina, Idriz Seferi, Bajram Curri…  ato të cilat mbajtën vijën e gjatë të frontit.

Lufta e Vlorës është një tjetër ngjarje historike ku spikat edhe njëherë gatishmëria e shqiptarëve për t’u organizuar vullnetarisht në një luftë të pabarabartë me ushtrinë italiane e cila mbante të okupuar qytetin e Vlorës dhe disa zona përreth. Nga të gjithë qytetet e Shqipërisë do të dilnin vullnetarë të shumtë për të marrë pjesë në Luftën e Vlorës në mbështetje të vëllezërve vlonjatë. Mjafton të përmendet fakti që edhe një qytet i  vogël si Kavaja arriti të krijonte një batalion prej 400 vullnetarësh i cili mori pjesë aktivisht duke u shquar në betejat me italianët. Por në luftën e Vlorës do të kishte vullnetarë edhe nga radhët e shqiptarëve të cilët kishin emigruar në vende të ndryshme kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qysh në pranverë të vitit 1920 do të hidhej ideja e dërgimit të vullnetarëve që do të shkonin në Shqipëri në mbështetje të çështjes kombëtare duke filluar me Luftën e Vlorës. Sipas dokumentave 200 shqiptarë të cilët dhe kishin filluar të stërviteshin shprehën gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë në Luftën e Vlorës. Ata udhëhiqeshin nga Aqif Përmeti. Jo vetëm kaq, po Organizata “Vatra” vendosi të dërgonte në Shqipëri edhe bandën e saj muzikore nën drejtimin e Thoma Nassit.

Ende pa mbaruar Lufta e Vlorës Shkodra do të gjendej e kërcënuar. Beogradi dhe Çetinja kishin planifikuar me kohë të pushtonin Shkodrën pavarësisht se në Konferencën e Paqës në Paris kishin njohur shtetin shqiptar dhe kufijtë e tij. Me tu lëshuar kushtrimi rreth 200 vullnetarë nga Shkodra do t’u bashkoheshin dy kompanive të xhandarmërisë të komanduara nga minstri i brendshëm 25-vjeçar, Ahmet Zogu dhe sapo ushtria italiane do të largohej nga Vlora mbi 300 vullnetarë nga pjesë të tjera të Shqipërisë do të mbërrinin në brigjet e Bunës të gatshëm për të kaluar në veprime luftarake. Ndërkohë, sipas shtypit të kohës, 200 luftëtarë nga Gjakova e Prizreni ishin rreshtuar përkrah vullnetarëve shkodranë kurse 260 vullnetarë të tjerë nga Kosova ndodheshin të dislokuar në Shkodër në pritje për t’u nisur në frontin e luftimeve. Një rast i veçantë është edhe ai i personalitetit arbëresh, Terenc Toçi, i cili, vullnetarisht, do të vendosej në Shqipëri që në vitin 1911 me qëllimin për të krijuar një qeveri të përkohshme gjë të cilën edhe e arriti me përkrahjen e disa prej krerëve të Veriut. Para se të vinte në Shqipëri, Terenc Toçi kishte qenë në Amerikë në përpjekje për të sensibilizuar komunitetin e atjeshëm në mbledhjen e fondeve për organizimin e luftës në Shqipëri si dhe për të tërhequr vemendjen e perëndimit lidhur me çeshtjen shqiptare. Duke qenë se dhe unë nuk jam një historian i mirëfilltë, është e kuptueshme që shembujt e përmendur më sipër janë vetëm një pjesë shumë e vogël e morisë së madhe që ofron historia e kombit shqiptar lidhur me këtë aspekt. Por nga ana tjetër, më shqetëson fakti i pamohueshëm që ne shqiptarët kemi mangësi të konsiderueshme për të evidentuar jo vetëm ndjenjën e “vullnetarizmit” nëse do ta quaja kështu, por edhe shumë cilësi pozitive e vlera që kemi si komb në përgjithësi. Kështu, në muzeumet tona mund të gjesh shumë pak materiale, dokumente e objekte të tjerë me të cilat mund të ilustrohet konkretisht gatishmëria e treguar historikisht nga shqiptarët për nisma vullnetare në mbrojtje të interesave të atdheut e kombit. E njejta gjë mund të thuhet dhe për ata që merren me historinë, të cilët shpesh përqëndrojnë gjithçka rreth rolit të ndonjë individi duke injoruar të tjerët më saktë kontributin e këtyre. Jo rrallë ka ndodhur që edhe heronjtë tanë i kanë respektuar më shumë të huajt se sa ne vetë. Dhe pastaj ankohemi se “po këta heronj” po na i vjedhin të tjerët. Fakti që në qendër të Shkupit i ndërtojnë një monument madhështor Nënë Terezës, ndërsa në Tiranë janë munduar ta përjetësojnë me një statujë “lilipute”, në një shesh sekondar, flet shumë në këtë aspekt. Madje dhe nga lufta e UÇK-së e cila shërbeu si zanafillë për këtë shkrim, nuk mungojnë shembujt e nënvleftësimit të herojve. Heroi Bekim Berisha i cili dha jetën në betejën për mbojtjen e Junikut në vitin 1998 mund të thuhet se më shumë është nderuar në Kroaci, ku dhe atje u shqua në luftime të ashpra siç ishte Vukovari se sa në Kosovë. Presidenti kroat, Tugjman ndërsa bëri që kroatët të mbanin zi ditën e rënies së do të shprehej se “ Bekim Berisha është një hero, me të cilin duhet të krenohen Kosova dhe Kroacia” ndërsa me kohë i kishte dhënë dhe gradën e lartë të gjeneralit të ushtrisë kroate. Eshtë me të vërtetë për të ardhur keq kur përballesh me mungesën e kujdesit por edhe të përgjegjësisë që kemi në shqiptarët për të ngritur heronjtë, figurat e personalitetet tanë si dhe për të ruajtur objekte historike që kanë të bëjnë me ngjarje të rëndësishme historike. Siç duket nuk e marrim aspak në konsideratë rëndësinë që kanë gjëra të tilla në edukimin e brezit të ri me ndjenja kombëtare. Gjithashtu, nuk ka si të mos indinjohesh kur shikon që përballë interesash fare banale sakrifikohen materiale, dokumenta e objekte me rëndësi historike dhe pastaj studiuesit tanë detyrohen të gërmojnë në arkivat e vendeve fqinje.(Dielli, numer special 28 nentor 2013)

* Ne Foto, luftetaret e Batalionit Atlantiku, nga Amerika shkuan ne Kosove per ta cliruar nga pushtuesi serb

Filed Under: Histori Tagged With: Dr. Hasan Ademaj, per Liri, sa shume vullnetare, shqiptaret

GEZUAR 28 NENTORIN- DOLI GAZETA DIELLI ME NUMER SPECIAL PER 28 NËNTORIN

November 27, 2013 by dgreca

Në fillim të javës ka dalë i printuar numri special i Gazetës më të vjetër të botës shqiptare, organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës”DIELLI”,  gazetë që në 15 shkurt 2014 do të festojë 105 vjetorin e botimit. Që nga 28 Nëntori i vitit 2009 është kthyer në traditë përgatitja e  një numri të tillë special të Diellit me mbi 100 faqe, në dy gjuhë, anglisht dhe shqip, ku 40 përqind e faqeve printohen me ngjyra.Ky është edicioni i pestë special radhazi.

Në Faqen e parë ky edicion special ka një fotografi simbolike të qëndristareve të Flamurit, autorësia e së cilës i takon mjeshtrit të famshëm FADIL BERISHA, I cili iu përgjigj kërkesës së Diellit me një sërë fotografish nga arkivi i tij.

Bashkëpunëtorët e Diellit, historianët, studiuesit, nga të gjitha trojet kombëtare dhe nga diaspora bashkëpunuan me gazetën e Vatrës dhe sollën këndvështrime historike dhe memoriale të vecanta. I falenderojmë të gjithë. Një kontribut të vecantë dha nga Italia Eugjen Merlika, i cili solli një seri shkrimesh historikë të autorëve të ndryshëm, të sjella nga shtypi i hershëm shqiptar, brenda dhe jashtë vendit. Po ashtu kontribuoi studiuesi Skënder Blaka nga Kosova, dhe shumë të tjerë.

Senatori i Shtetit të New Yorkut, Charles Schumer, i dërgoi Gazetës Dielli një urim special për festën e Flamurit, 101 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë., që botohet në hyrje të këtij numri. Falenderojmë Ermira Babamusta. Në këtë botim special trajtohet udhëtimi historik i Flamurit Kombëtar, që nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Ismail bej Qemali e deri në ditët e sotme.Shpaloset historia e luftrave për liri të Kombit shqiptar, nderohen dëshmorët e Kombit dhe sillen këndvështrime që i kanë qëndruar kohës nga “të ndaluarit”.

Dizajnimi i gazetës është përgatitur me profesionalizëm nga Hezer Hajrullaaga.

Në këtë numër ka dhe një numër të konsiderueshëm urimesh për festën e Flamurit, si nga vatranët ashtu edhe nga biznesmenët shqiptaro-amerikanë,

Po ashtu disa nga degët e Vatrës dhanë një ndihmë të konsiderueshme, duke ia lehtësuar punën editorit. Vecojmë Degën e Queensit me kryetar dr. Skënder Murtezani, që siguruan shtatë faqe me urime. Po ashtu dhanë kontribut edhe degët, Westchester, me kryetar Nick Markola, dega e Washingtonit me kryetare Merita B McCormack, Jacksonville me kryetar Adriatik Spahiu, Hudson Valley, me kryetar Elmi Berisha etj.

Mbështetën edhe Organizata e Grave Shqiptaro-amerikane me president dr. Anna Kohen, Partia Lëvizja e Legalitetit me kryetar Hakik Mena etj.

Tashmë gazeta ka mbërritur tek abonentët e Nju Jorkut dhe shteteve përreth dhe ka marrë udhën drejt shteteve më të largëta, përfshi dhe Alaskën, apo Kanadanë fqinj, për te udhëtuar edhe drejt arbëreshëve apo institucioneve dhe Universiteteve shqiptare.

Gazeta Dielli shkon në shumë biblioteka në Amerikë, shkon ne Departamentin e shtetit, në Librarinë e Kongresit, ne zyrat qendrore te Emigracionit si dhe tek albanologët ne Amerike, Kanada dhe Evrope.

Gazeta Dielli u uron vatranëve, bashkëpunëtorëve dhe  të gjithë shqiptarëve: Gëzuar Ditën e Shenjtë të Flamurit! Kjo ditë na kërkon të jemi të bashkuar!

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, doli Dielli special, Gezuar 28 nentorin

Në Michigan mbahet një Simpozium Shkencor për Hotin

November 27, 2013 by dgreca

Nga Pjetër Jaku/

Me datat 23 dhe 24 Nentor 2013, në Sallën “ Gjergj Kastrioti – Skëndërbeu” të Qendrës së Shën  Palit në Detroit, u mbajt Simpoziumi Shkencor : “ Hoti ndër rrjedhat e shekujve”, organizuar nga Hoti në Diasporë, nën patronazhin e Universitetit “ Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, me përkrahjen e Universitetit të Tiranës, Prishtinës dhe Prizrenit, si dhe në bashkëpunim me Qendrën Shpirtërore e Kulturore të Shën Palit në Rochester Hills- Michigan të Amerikës. Nën një kujdes të veçantë të organizatorve dhe me një organizim model, që do të ishte në nderin e një shteti e jo më të një komuniteti, sic është ai i hotjanve në Michigan, në dy ditë u realizua një takim shkencor për t’u pasur  lakmi në çdo rreth  akademikësh.

Në këtë simpozium moren pjesë  nga Shqipëria, Kosova dhe Malësia  19 shkencëtarë dhe bashkëpunëtorë e studiues të historisë, gjeografisë dhe gjuhësisë dhe pesë të tjerë dërguan  punimet e tyre, të cilat u lexuan para të pranishmëve. Pra, komunitetit shqiptar të  Michiganit, i cili ishte shumë i interesuar, iu  dhanë  24 punime shkencore, të një niveli shumë të lartë në këto dy ditë, i pari dhe i vetmi simpozium i këti niveli në Diasporën Shqiptare të Amerikës. Të pranishmit: Akademik Kolec Topalli, Dr. Mahir Hoti, Dr. Marenglen Verli, Dr. Romeo Gurakuqi, Dr. Tomi Treska, Dr. Jusuf Bajraktari, Dr Ksenofon Krisafi, Dr. Rokin Daberdaku, Dr. Frashër Demaj, Dr. Simon Lufi, Dr. Edmond Malaj, Dr. Izber Hoti, Dr. Angjell Gojçaj, Dr. Sonila Boçi,  Mr. Pandeli Koçi, Mr. Marjan Lulgjuraj, publicisti i njohur Nikolla  Spathari, studiuesi Mark Junçaj, publicisti Ndue Bacaj dhe studiuesi Nikollë Camaj. Punimet e Dr. Dom Nikë Ukgjinit, Dr. Gjovalin Shkurtaj, Dr. Anton Kola Berishaj, Dr. Palokë Berishaj dhe Mr. Anton Rr. Lulgjuraj u lexuan.

Një  punë shumë të mirë, e cila u mori afro një vit dhe që u kushtoi afro njëqind mijë dollar, bëri komisioni organizativ i këtij aktiviteti, i përbërë nga: Don Fran Kola, Lek Leci Gjonaj, Nikollë Rroku Camaj, Zef Toma Gjonaj, Rrok Gjergji Dedvukaj, Shtjefen Paloka Gojçaj, Dr. Gjekë K. Gjelaj, Prof. Luk Ujka Junçaj, Kol Toma Dedvukaj, Nikolin Ndue Gjelaj, Vasel Pjetri Nicaj, Tom Nika Camaj, Kanto Marashi Dushaj dhe Prek Zefi Dekaj ( Lajçaj ).

Në mbrëmjën e datës 22 Nëntor 2013 u shtrua një darkë në resorantin “Aleksis” të Lek Lecit Gjonaj dhe po këtë ditë u sistemuan secili në një nga hotelet afër  aktivitetit. Komisioni organizativ i kishte marrë të gjitha masat, që nga pritja në aeroport e deri në përcjelljen, që secili prej  të ftuarve të ndjehej sa më mirë. Në një bisedë me Dr. Sonila Boçi mësuam se kishin kaluar vërtetë një kohë të mrekullueshme, edhe pse kishin merakun e aktivitetit. “Një interesim dhe një bujari të tillë, – thotë Sonila, – s’më ka rastisur ta gjëj askund. Ne  patëm fatin  të festojmë sëbashku edhe 101 Vjetorin e Pavarësisë në Qendrën e mrekullueshme të Shën Palit, një organizim përfekt dhe një mrekulli kostumesh, që nuk e shohim as  në Atdhe. Nuk dimë kë të falenderojmë më parë, ata janë aq shumë, janë të gjithë shqiptarët e komunitetit tuaj, që Qeveria Shqiptare duhet ta vlerësojë në mënyrë të veçantë.”

Simpoziumi “ Hoti ndër rrjedhat e shekujve” filloi punimet ditën e shtunë me 23 Nëntor 2013 në orën  10:00 Am dhe u mbyll afër orës 6:00 Pm për të vazhduar të nesërmen nga ora 2:00 Pm deri në orën 6:00 Pm. Në emër të Këshillit Organizativ, simpoziumin e  përshëndeti Dr. Gjekë K. Gjelaj.  Në emër të Qendrës ku organizohej ky aktivitet dhe të mikpritësit përshëndeti Dom Fran Kola, Famullitar i Qendrës së Shën Palit. Deklarimin e hapjes së simpoziumit e bëri Smail Maliq  Çunmulaj, Bajraktar i Hotit. Moderatorë të simpoziumit ishin: Prof. Luk Junçaj, Rita Gjelaj dhe Edvin Hoti.

Në ditën e parë u mbajten dhe diskutuan 16 kumtesa, të cilat kryesisht kishin të bënin me disa të dhanë mbi krahinën e Hotit në mesjetë, mbi kontributin e hotjanve gjatë Rilindjes dhe Pavarësisë, kontributin e Hotit në Lidhjen e Prizrenit, vendin që zinte  Hoti në diplomacinë evropiane, mbi Hotin para okupimit turk, dhunën dhe terrorin e ushtruar ndaj hotianve, 1875-1924, roli i Hotit në kryengritjen e Malësisë, roli i hotjanve në Luftën e Koplikut, të dhëna fiziko-gjeografike për Hotin, mbi të folmen e Hotit, zhvendosjet e hotjanve nëpër shekuj, kontributi i hotjanve në Beslidhjen e Malësisë etj, të cilat  pas disa muajsh do të gjenden të botuara në një ose dy vellime.

Në ditën e dytë u mbajten katër kumtesa si dhe u lexuan pesë të tjera si: Kontributi i Hotit në roje të kufijve të Shqipërisë, Krimet komuniste në Hot, Roli i Hotit në Historinë  e Malësisë, Hoti në objektivin e udhërrëfyesve të huaj, Kisha e Hotit dhe roli i saj, dialektologjia e Hotit nga Lamberci e këtej, organizimet fisnore të Hotit, shkolla dhe arsimi në Hot si dhe  disa shënja të qytetrimit të lashtë në Hot.

Vlen për t’u theksuar se në të gjitha këto tema, asnjëherë nuk u fol për Hotin të shkëputur nga Malësia. Pra, kjo akademi për Hotin, në njëfarë mënyre ishte një kontribut shumë i vyer për gjithë Malësinë e Madhe,  për  Shqipërinë e Kosovën, Çamërinë e Presheven, lidhjet e patriotve dhe kapedanve i kishin kaluar kufijtë e Hotit. Në këto punime u fol edhe për Ismail Qemalin, edhe për Risto Siliqin, edhe për Faik Konicen, edhe për Dom Ndoc Nikajn, siç u fol edhe për gjithë heronjtë dhe prijësit  e Malësisë.

Konkluzionet e këtij simpoziumi, në emër të trupës akademike ( të gjithë referuesve dhe punimeve të lexuara )  i bëri Akademiku Kolec Topalli, i cili  pranoi disa shtesa që do t’i bëhëshin para publikimit. Simpoziumin e deklaroi të mbyllur Smail Maliq Çunmulaj, që kishte deklaruar edhe hapjen e tij.

Punimet e këtij  Simpoziumi do të botohen në një ose dy vëllime pa asnjë shkurtim dhe në dy gjuhë, shqip dhe anglisht.

Simpoziumi, nga fillimi deri në mbyllje u ndoq nga mediat e komunitetit shqiptar të Detroitit, të cilat sipas mundësisë do t’i përcjellin edhe në Atdhe.

Filed Under: Histori Tagged With: ne Michigan, Pjeter Jaku, simpozium per Hotin

KRISTO FLOQI:DITA E C’PALLJ ES SË INDIPENDENCËS NË VLONË

November 27, 2013 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia*/

Kristo Floqi (1876–1951). Bashkëthemelues i Vatrës dhe editor i Diellit me një veprimtari  ku përfshihen 4  fushat kryesore si:politike,juridike,letrare dhe publicistike  mbetet e admirueshme. Duke “shëtitur” në publicistikën e   këtij erudite shkrimet për ditën e c’palljes së pavarësisë  kombëtare mbeten përkorë më të ndritçme nga pena e tij. Mendimtarët e viteve 20-30 kanë pasqyruar në shtypin  e  kohës disa nga ngjarjet që sollën ditën e pavarësisë tonë kombëtare. Me një gjuhë që ishte e pranishme në shtypin e kohës por që sot lexohet me vështirësi autori sjell çastet e një dite historike.

-I deshpruem krejt prej c’villimeve të mbame të luftës ballkanike shkruan K.Floqi te artikulli”C’pallja e indepencës s’onë në Vlonë, popull i Vlonës kishte ramun në , nji agoni të madhe. Tue mos dijte kahë  me ja mbajtë, e tue prite prej së neltit zgjidhjea e fatit të tij të mjerë. Trimat e të  zotë t e punës i kishte marrë ushtarë Tuqij a edhe tash ishin tue luftue ndër shkambijt e thatë  të  Bezhanit afër Janinës. K.Floqi duke përshkruar ngjarjet që sollën ditën historike thotë se : Ushtrija turke në Vlonë e egër e hashpër prej humbjevet  të përditshme të pushtetit otoman, si nga ana e Bullgarve ashtu edhe te Serbve e të  Grekve i urrejte për gjithë ditën Vlonjaket e nuk i shifte me sy të mirë. Duke pasqyruar urrejtjen e vlonjateve dhe shqiptarë K.Floqi thotë: Me tjetër anë Vlonaket si edhe Shqyptaret e tjerë e shifnin sheshas se anmiqte ishin kah shtriheshin dite e për ditë në tokën arbnore e gjithë rreziku po shkrepte bash mbi shpinën e tyne!

Vlona kishte mbet e mjerë e shkretë kishte mbete e përzishme e përvajshme edhe vetëm nji klub shqyptaresh me do anëtarë të  pakët e të  pa-rrjegullishem tregonte nji gjallni të venitun si nji shkëndi të mbrame, të nji kandili të fikun!

Pas këtij përshkrimi të situatës në qytetin historik K.Floqi shtjellon ardhjen telegrafit të I.Qemalit:Nji dit, nga mate mnershmet qi po shprovonin fatin gjamemath të Shqypnis, vjen nji tejshkrim në klubin e përmendun gjithë ata shqyptarë të  ngrate qi u ndodhe rrotull tryezës se bisedimeve muernë  frymë e cilnë  sytë, u gëzuan fort edhe gezimi i tyne u perftyrue me nji here mbi ballin e tyne të  vranët e të  zbetë; ish telegrafi i Ismail Qemalit qi i drejtohej klubit prej Viene!

‘”Rijni të qetë, keni shpresë edhe gzohi se po shpetojmë!

Shqypnija njihet me vedi e vetëqeverimtare!!”

Kto theshte  telegrafi, i cili judukte  atyne te ngratve Shqyptare si nji shkendi e qjelltë, nji reze dielli në midis t’ersinë s, nji za hyjnor e ngushllimtar!

K.Floqi  vijon përshkrimin e tij mbi rëndësinë  e këtij lajmi që solli telegrafi nga Ëiena

Lajmi fluturor mori dhenë me te shpejte e mbrenda me dhete minuta e dijten gjithë Vlona, burra e gra e pleq e plaka. Gezimi qi përfshin popullin s’ ka si tregohet me-pende; ë e gjithe dëfrejnë, të gjithë zbaviten; kanget patriotike, brohorit e hymnet buçasin gjithë kahe, tingllimet e jonet e tyne gumxhitin rreth e qark e ushtojn  ullishtat e cajiret e Vlones, bregu i detit e Pasha-Limani deri në Sazan e Karaburun!

“Rnoftë Shqypnija e lirë, rnofte flamuri!” etj., etj.,

kso doret klithme ishin përshëndetjet e popullit me shoqi-shoqin, dugajet u mbyllne shpijat e qytetit cilën dyert an e kant e pritshin miq  të njoftun e të huej, të mdhaj e të vogjel edhe me nji fjale populli festonte nji te kremte qi s’ish as bajram, as pashkë, por m’e madhe e ma e shpejte edhe se bajrami, edhe se pashka!

K.Floqi  tregon  udhëtimin e I.Qemalit në Vienë si dhe takim e këtij të fundit me Kontin Bertcholt ministër i punëve të jashtme të Austro-Hungarisë prej këtij kishte siguruar fjalën e sigurisë ndërkohë që ishte siguruar edhe fjala e ministrit të jashtëm italian markezin San Giuliano.  K.Floqi sjell një fakt që rrallë është përmendur nga historianët kur flet për figurën e plakut të Vlorës.Vetëm  kohët e fundit  është folur në shtyp për dualizmin brenda Vlorajve për të marrë mbështetjen nga vendet që kërkonin pavarësinë e vendit tonë nga otomanizmi shekullor.

Ministrat e jashtëm të dy vendeve të mësipërme kishin bërë një zgjedhje duke i ngarkuar misionin e madh Ismail Qemalit për të deklaruar independencën shqiptare .

Kshtu  -shkruan K.Floqi,plaku i Shqypnis, mbasi lajmoj ma pare bashke qytetasit e tij

vlonjakë për ket shndrrim politik e len Vienen edhe hidhet piksparit në Bukuresht për me u marre vesht atje me kolonin e madhe shqyptare të atij qyteti e të gjithë Rumanisë.

Në station të  Bukureshtit, shqyptaret të lajmuern brodhë me të  shpejtë e i bane nj ipritje tepër të madhe e enthusiastike Ismajl beut, i cili me nënqeshje e fjale të  bukra kombëtare i përshëndoshi e i përhiroi shqyptaret.

Fill e q’atje i grish të  gjithë shqyptaret e qyteteve tjera të  Rumanisë telegrafisht edhe ban nji mbledhje të  madhe ku shpjegon gjithë rrjedhjen e punës, i siguron për t’ardhnien e Shqypnis e ju lutet me zgjedhe delegate perfaqesues e me i ardhe mprapa për me zdrypë  ne Shqypni e me ngrehë  aty flamurin kombtar, tue dekllarue të  damit e Shqypnis prej Turqij e independcien e plote të saj!

Si u muer vesht atbot  niset prej Bukureshtit për Shqypni me gjithë delegate  e zgjedhun,  e kshtu  mbas nji udhetimi të gjatë e të vështirë mrijn në Durrës.

Këtu fillon Ismail Qemal beu me ngrehë flamurin e shejtë kombtar, tue i dhanë qytetit nji randsi të  posaçme, edhe sa do qi u prit mirë prej banoret  por se kur ju cfaqi mendimet e veta për mbi cashtjen e deklarimit t’Independences gjet shumë kundërshtime, se populli tue pasë mbrenda autoritetet e ushtrinë otomane nuk mundej të merrte persiprit    të tillë responsabilitet.

I hidhnueshem prej ktyne ndalimeve të papritur  merret vesht me Vlonen, e cila e siguron se ka me e ngreh flamurin :shqyptar, pa peshue rreziqe e shka  tjetër të  jetë.

Kshtu udhëheqësi popullit   te Shqypnis ikën me gjithë shokët prej Durrsi e niset për në Vlonë. Tue lane në  Durrës si zëvendësin e tij Hamid beg Toptanin.

Shumë e vështirë ka qene ky udhtim për ket dergate lirese.

Gjithë Myzeqjeja ishte bamun nji kenet’ e madhe, cok por si nji liqen, prej shijnave të pa prajë, qi ma e lehte kishte me qenë me u shkue me lundre se sa me kual, qi dojshin me e shkue kjo tube atdhetaresh.

Ju deshtne shumë dit dërgatës për me mujte me rreziqe të pashoqte me kalue gjithë ato ujna e ato balta. Vetë Ismajl Qemali me gjithë pleqnin e tij shpesh here u futë deri në brez në  baltë! Me nji mi të  vshtira e pocaqi kane mujte me ja mrrijte Vlonës, ku u pritne me enthusiazem të  math, deri në  mest të  natës, se  populli  ne mest t’ atij alameti shiut qi  thuej se kishën shperthye ret’ e Qielles, kishte dalte me i prite pa marrë  para sysh pengimet e motit e rrezikun kah ana e Qeveris turke qi po sundonte edhe në  Vlonë .

Si erdhnë  në  Vlonë  rang tu shtëpija e madhe e Xhemil begut, nji nga ma ëe mdhajat e ma të  gjanat ndë r ndërtesat e Vlonë s. Atë nate z. Hasan Sharra, nji atdhetar Vlonak i ka nderue me nji goste gjithë dergatën, si edhe disa nolable të  tjerë prej Vlonë  e prej vendeve të  tjerë të” Shqypnis, qi kishin ardhe në  Vloneë.

Në mest të enthusiasmit të popullit kurestar Ismajl Qemali cfaqë gjithë marërveshtjen të  bamun ndërmjet të  tij e të  Qeverisë  përkrahëse Austrisë e Italisë, si edhe planin e tij për të ngrehunit e flamurit e të  formuemit të  nji qeverije së  përkohshme me kryeqytet Vlonën.

Plani u pranue edhe cashtjet e pasueme u rrahne e u biseduene për disa ditë deri sa muerne fund.Nga ana tjetër grishne delegate prej të  katër aneve të  Shqypnis, të  cilët edhe erdhne me knaqsi te madhe në  Vlonë . Midis të  ktyne delegateve shkëlqente edhe i padekuni delegat i Kosovës kreshnike Isa Buletini, fatos i pa-harruem e mnera i anmiqve të Shqypnis.

Dita e 28 Nandorit kishte zbardhë.

Vlona, me gjithë qi shiu s’e lejte me marrë fryme u cue qysh herët edhe përgatitej për me festue festën ma të madhe të kombit.

Gjithë kahe brohori, valle e kangë .

I math e i vogël priste me pa-durim me pamun flamurin krenar arbnor të  skanderbegut të valojë  mbi pullazet e qytetit të  Lekajvet.

Flamure gjith fare maset pregatitshin për me hijeshue pullazet, ballkonet e penxheret e Vlones.  Ktu duhet përmendun edhe nji zoj e e ndershme e e pa-pritueshme atdhetare prej asaj pakicës grash qi mundet të  paraqite kombi Shqyptar, zoja MarijaPozio, prej Korcet, banore aso herët në  Vlonë.

Kjo zojë  e pa lodhun përgatiti me duert e veta e me mjeshtri të hartueshme flamurin e parë qi kushtohej për me i cpallë popullit Shqyptar indendences së Shqyptare.

Bashkë  me ket flamur ju përgatiti edhe disa flamurë të  tjerë të  kushtuem për zyrat e ndryshme shqyptare të  Vlonës, si edhe shume shumë flamurë të  tjerë vogël për me hijeshue krahnoret e vorfen të Shqyptarve, me nji fjale shtëpi e ksaj zoje ishte perbamun cok nji fabrike flamuresh.

Populli kishte rrethue qysh nadje konakun e Xhemil beut ku qëndonte degata edhe pa-hanger e pa pime as pak priste me padurim të  shifte flamurin e shejte.

Sa vjen po shtohet, po zmadhohet, shtyjet e po brihet. Agonija kalon ç’do mase kur shkon edhe mesdita  edhe flamuri s ‘po duket edhe. Grumbulli qendron i pa-tundun,  i duron  të gjitha, minuta i duket ditë  e orët muej, po prapë  se prapë s’luen  vendi as qi shperndahet!

Thret, brohorin, bërtet, con zanin deri kub’ e Qielles, por flamuri prapë  së  prape s’duket, edhe shiu po bijen rrkaje!

Desh Zoti e aty ora me 11.30 të  akshamit alla turka del Ismajl Qemal  beu te ballkoni, i rrethuem me nji mizri njerzish.

O! s ‘rrëfehet gzimi i popullit; i harron te gjitha të  këqijat e motit e të  hunit, mban ai e rin si statut se i cili e as kollet, as flet.

Të  gjithë i kanë  vërvitë  syt të ftyra e Ismajl Qemal beut, të  cilin tash e kqyrin si nji mesia, si shpëtimtar të kombit. Pushim i math mbretnon an’ e kant të gjithë .

Befas Ismajl Qemali cil gojën e flet, tue përshëndet popullin nji fjalim të  zjarrte e të  shkurtë  po patriotik e të nalte, i cili  dilte prej thelbit  të  zembres.

Për nji here shpërthen nji gzim i pa tregueshem,lot  curk e rrkaje derdhen prej syvet të  atij populli, i cili gati qante e lej , nji za, sikur se doli prej nji gojë e bumbulloj:

‘ ‘Rrnofte flamuri! Rrnoftë Shqypnija! Rrnofte Ismajl Qemali!” shunglloi gjith dhen!

Flamuri ngulet madhshtor mbi nji cep te ballkonit; gjithë ashtu tjerë “ngulen mbi ndërtesat e Prefekturës, të Beledijes, ë e Gjykatores, të doganës e njeti.

Flamurë të  tjerë stolisin ballkonet e penxheret të qytetit  i cili pernjihrjesh mori ftyren të  kuq e të zezë.

Folë disa oratorë të tjerë  m’andej populli u shpëmda në për rrugat, tue këndue marshin “Flamurit pranë  të bashkuer” hymnin tjetër “Sa të  rronje gjithësia” ,etj etje kangë kombtare!

Ushtrija turke e Vlonës kto po i shef, p po s’ka se cban para nji të tillë vullneti të popullit. Te e mbramja bashkohet edhe ajo me popullin, tue bërtite “jashasun Amautllek”!!!

 

Të  nesërmen formohej edhe i pari kabinet shqyptar ksi sojit:

 

Ismajl Qemali. Kryetar i Kshillit e ministër i punve te jashtme.

Dom Nikoll Kacorri. Nënkryetari Kshillit.

Myfid bej Libohova. Ministër i punve të brendshme.

Luigj Gurakuqi. Ministër i Arsmit.

PjeterPoga. Ministër i Drejtsisë e fevet.

Mehmet Pashe Derhalla. Ministër i luftës.

LefNosi. Minister i postave e i telegrafëve.

Pandeli Cali Ministër i tregtisë e i bulqsis.

Abdi bej Toptani. Ministër i Financavet.

Midhat bej Frashri. Ministër i punve të përbotshme.

Gjithë ashtu u formue edhe nji senat prej 18 vetash.

 

Analiza e kësaj dite dhe ditëve të mëvonshme të pavarësisë është parë me realitete nga K.Floqi i cili shpjegon rrethanat ,vështirësitë dhe gjithë dramacitetin që shoqëroi qeverinë e Vlorës.

 

-Por flota e Greqisë ,shkruan K.Floqi- kishte zane Sazanin, tue deklarue bllokimine bregut te Shqypnis. Ushtrija Greke kishte zaptue gati të gjithë Epirin tue ardhe deri ne Logard këtej Himarës.

Qeverija Shqyptare me gjithë qi u ngrehë s’ishte edhe njoftun zyrtarisht prej fuqinave të mdhaja e ndodhej dita me ditën ne nji positë  të  ngushtë  e të  trishtueshme. Kah ana tjetër Xhavid Pasha me 60,000 e ca ushtri të  ckatrreme gjindej  në Fier gati ë e msyje mbi Vlonën e të  rrxoje Qeverinë e përkohshme.

Danamet greke i avriten sqelës se Vlonës  e bombardojnë e vetëm diplomatija e atij plaku mundi ta ndalin Xhavid Pashën e të largojë  flotën greke, tue çilë edhe ablloken me anë  të  dukut  Montpensier  kshtu pshtoj  Vlonën e siguroj Kabinetin.

Lumnisht mbas pakë ditau  njojt zyrtarisht qeverija e përkohshme prej fuqive të  mdha edhe Konferenca e Londrës si edhe protokolli i Firences i dhanë funt cashtjes, tue i caktue edhe kufijtë  të  Shtetit të  ri Shqyptar.

Kshtu pra me pak fjalë, a proklamue independenca e jonë  në  Vlonë  prej Ismail Qemal beut, i cili do të  mbetet i paharuem në  historinë e Shqypnis së  re si. edhe dita e 28 Nanduer 1912 ajo ma e nalta e ma e shejta dite përkombin shqyptar  i cili mbas 5 shekujsh, shifte të shkëlqejnë edhe nji herë  flamurin krenar i kuq e zi të  Skanderbeut! Qoft’ i bekuem flamur’ i jonë e dita e shejtë Kombtare!!

 

*Msc.Anetar i Akademise Evropiane te Arteve

Filed Under: Histori Tagged With: Dita e cpalljes s ePavaresise, Gezim Llojdia, Kristo Floqi, ne Vlone

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 618
  • 619
  • 620
  • 621
  • 622
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT