• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PARLAMENTI I PARË DHE PARLAMENTI I ARDHËSHËM SHQIPTAR

May 22, 2017 by dgreca

KOMBI KA NEVOJË PËR FILIZA TË RI NË TRUNGUN E VJETËR POLITIK/

1-Frank-shkreli-2-300x183-1majko4

Nga Frank Shkreli/Ndërkohë që përzgjidhen kandidatët për deputetë në Shqipëri dhe në Kosovë, kujtojmë parlamentin e parë shqiptar. Pas marrëveshjes Rama-Basha, partitë politike shqiptare kanë filluar konsultimet me bazën për të përzgjedhur kandidatët e mundëshëm për në parlamentin e ardhëshëm që do të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit në Shqipëri.  Gjatë këtij procesi, merret me mend, se të pakën, sa për sy e faqe, partitë do të përpiqen të evidentojnë persona kandidatë, që përveç besnikërisë së tyre ndaj partisë dhe posedimit të aftësive bazë që kërkon detyra për të kryer punën e parlamentarit, kandidatët potencial për në parlamentin e ardhëshëm, të jenë edhe njerëz me integritet dhe të cilët gëzojnë njëfarë reputacioni si individ dhe si shqiptarë, në fushën e veprimtarisë së tyre, në rrethin ku jetojnë.

Kështu shpresohet, ndërsa partitë politike kanë deklaruar se do të zgjedhin njerëzit më të mirë, më me reputacion dhe pa konflikte interesi.  Thuhet se partitë e mëdha po përpiqen të zgjedhin edhe kandidatë në moshë të re, të cilët mund të jenë të aftë të mendojnë dhe të veprojnë, “outside the box”, jashtë përcaktimeve të politikës së partive, njerëz të cilët ndoshta nuk e ndjejnë veten edhe aq shumë të lidhur me partinë, por që mund të veprojnë edhe pavarsisht partisë. Por, fatkeqsisht, historia e këtyre 27-viteve post-komunizëm sugjeron ndryshe.

Në këtë periudhë parazgjedhore, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, është një rast i mirë ndoshta për të provuar diçka krejt ndryshe nga e kaluara në përzgjedhjen e kandidatëve të ardhëshëm për në kuvendet e dy shteteve shqiptare.  Që besnikëria ndaj partisë të mos jetë kualifikimi kryesor për një kandidat në parlament, por të jetë aftësia profesionale, mbi të gjitha, dashuria për Atdheun si dhe vullneti për tu shërbyer të gjithë shqiptarëve dhe të mirës së përbashkët, ndërtimit të shtetit të lirë e demokratik, ku të marrin pjesë të gjithë në sofrën e përbashkët, pa dallime politike dhe partiake. Fatkeqsisht, deri tani, devijimi nga vija politike e partisë nga individë memendime ndryshe, është ndëshkuar rëndë nga partitë.  Por, pa liri mendimi dhe veprimi nga antarët e parlamentit të ardhëshëm, qoftë mbrenda partive politike, qoftë pavarësisht tyre, vendi nuk do të ketë liri të plotë as në fusha të tjera në shoqërinë e gjërë shqiptare.  Me këtë mentalitet, Shqipëria dhe Kosova do vazhdojnë të jenë midis vendeve që konsiderohen si gjysëm të lira.Megjithse shpresa vdes e fundit, fatkeqsisht, historia e këtyre 27-viteve post-komunizëm sugjeron ndryshe. Kemi pasur të bëjmë me parlamente jo funksional, të njohur për mosmarrveshje, sharje, debate të denigruara, konflikte politike, që madje kanë përfunduar edhe konflikte fizike. Edhe më keq, vërejtësit shpesh u janë referuar si parlamente krimi.  Si përfundim, në këtë periudhë parazgjedhore parlamentare, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, ndoshta ia vlenë që nëqoftse jo partitë, atëherë votuesit shqiptarë — ndërkohë që po vlerësohen kandidatët e ardhëshëm për parlament — të pyesin veten: a duam një parlament ndryshe, në krahasim me parlamentet e periudhës post-komuniste të deritanishme, dhe cilët janë njerzit që duan t’i përfaqësojnë ata në tempullin e demokracisë.

A do të kërkojnë votuesit shqiptarë me këmbëngulje një parlamentarizëm të ri, që do të pasqyronte vullnetin dhe interesat e zgjedhësve shqiptarë dhe jo ato të padronëve partiakë dhe të klaneve të tyre politike?  Partitë politike dhe votuesit shqiptarë duhet të reflektojnë seriozisht që të vijnë në përfundimin se gjërat deri tani nuk kanë shkuar aspak mirë dhe njëkohsisht të pyesin veten:  Cilët duhet të jenë parlamentarët e ri që do të përfaqësojnë vërtetë interesat e kombit shqiptar dhe të cilët, me punën e tyre, mundësisht do të lindin pranvera të reja shqiptarizmi të vërtetë dhe tradicional, bazuar në vlerat historike të kombit, përfshirë edhe ato të trashëguara nga disa prej antarëve të parlamentit të parë shqiptar, për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët, pa dallime politike, fetare ose krahinore.

Gjenerata e re aktuale politike e shqiptarëve, mund të marrë shembull nga breznitë e vjetëra politike të kombit, përfshirë edhe anëtarët e parlamentit të parë shqiptar të vitit 1920.  Mund të thotë dikush çfarë na duhet të shikojmë pas, duhet të shikojmë drejtë ardhëmërisë sonë.   E vërtetë, por po t’u hedhim një sy emrave të burrave që përbënin parlamentin e parë shqiptar, është e pamundur të mos vlerësojmë sot se ata ishin jo vetëm interpretuesit por edhe praktikuesit më të spikatur të atdhedashurisë dhe të shpirtit të fisit arbënor.  Ata ishin gjithashtu edhe promovuesit dhe realizuesit e fortë të shprehjes së vullnetit të popullit nëqoftse këto vlera kanë ndonjë rëndësi për politikanët e sotëm ose të ardhëm.

Sot, kombi shqiptar ka nevojë për filiza të ri në trungun e vjetër të politikës dhe të atdhedashurisë, për të vazhduar zhvillimin natyral politiko-historik të shqiptarëve, të ndërprerë nga regjimi komunist 50-vjeçar dhe nga trashëgimia e tij gjithnjë aktuale në politikën shqiptare.  Parlamentarët e ri që do të zgjidhen muajin e ardhëshëm — si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri — kanë shembuj për të ndjekur, për mirë.  Janë shembuj, antarët e parlamentit të parë shqiptar të vitit 1920.  Këta patriotë ishin kryesisht mbrojtës të vlerave shpirtërore dhe të trashëgimisë kombëtare.  Politika e shqiptarëve sot duhet të jetë tepër e kujdesshme që të ruhet nga influencat e huaja djallëzore antishqiptare– që me sjelljet e tyre, sidmos në marrëdhëniet politike me njëri tjetrin, të mos sjellin ujë në mullijtë e atyre që historikisht nuk ia kanë dashur kurrë të mirën kombit shqiptar.  Si Tirana ashtu edhe Prishtina duhet të kenë kujdes nga ata që trumbetojnë vëllazërim me popullin shqiptar në emër ideologjishë dhe interesash ekonomike. Ata mund të kenë ndryshuar për nga mënyra e veprimit, por jo qëllimet e tyre të influencës dhe të zotërimit.  Mesazhi i parlamentit të parë shqiptar është: “Merrni fatin e vendit në duartë tuaja”, duke krijuar një gjëndje politike, ekonomike, shpirtërore dhe shoqërore, që e bëjnë jetën të denjë për tu jetuar nga të gjithë shqiptarët në trojet e veta.

Parlamenti i parë shqiptar (27 mars 1920 – 20-dhjetor 1020), u krijua nga Kongresi i Lushnjes, si organ legjislativ, përbëhej nga 37 anëtarë të zgjedhur nga delegatët e Kongresit, të cilët “në mënyrë të organizuar politike shprehën vullnetin e shqiptarëve për të marrë fatin e vendit në duart e veta”.  Ishte kjo një brezni plot dinjitet patriotësh shqiptarë që hapi rrugët e lirisë dhe e cila filloi — nën kushte tepër të vështira — ndërtimin e shtetit shqiptar.  Siç tregon edhe fotografia më poshtë, shumë prej tyre janë ndër kolosët e historisë kombëtare të shqiptarëve, të cilët gjithnjë vazhdojnë të hedhin rreze ndriçimi patriotizmi dhe diturie për të gjithë brezat e shqiptarëve.

Le të shpresojmë se një brez i ri politikanësh shqiptarë – mundësisht filiza të ri në trungun e vjetër – të cilët do të zgjidhen në parlamentin e Shqipërisë dhe atë të Kosovës muajin që vjen si përfaqsues të popullit, të shprehin vullnetin dhe interesat e shqiptarëve tashmë të lodhur nga politika e oligarkëve dhe interesat e tyre.  Që të marrë në duartë e veta fatin e vendit dhe njëkohsisht të ndjekin shembullin e antarëve të parlamentit të parë shqiptar për patriotizëm dhe atdhedashuri, duke hapur kështu udhë të reja në historinë moderne të shqiptarëve, si trashëgues dhe ndjekës të traditës dhe të vlerave kombëtare që shumë prej këtyre burrave të dalluar të kombit të fillim shekullit të kaluar, u lanë pasë trashëgimi shqiptarëve për të gjitha kohërat.

majko4

PARLAMENTI I PARË SHQIPTAR:   Emrat sipas rreshtave, nga e djathta në të majtë:

1¬Llambi Goxhomani, Bahri Omari, Ali Koprenca, Milto Tutulani

2¬Luigj Gurakuqi, Atë Gjergj Fishta, Shefqet Vërlaci, Osman Haxhia, Ahmet Zogolli, Eshref Frashëri

3¬Shefqet Daiu, Ali Këlcyra, Kolë Thaçi, Halit Rroji, Banush Hamdi Bega, Qemal Vrioni, Ahmet Hastopalli, Dom Ndre Mjeda, Maliq Bushati, Pandeli Cale, Anton Beça

4¬Spiro Koleka, Shuk Gurakuqi, Masar Këlliçi, Rexhep Mitrovica, Spiro Papa, Agatokli Xhitoni, Leonidha Frashëri, Syrja Pojani, Stavri Vinjau, Patuk Saraçi, Taqi Buda, Ibrahim Xhindi

5¬Leonidha Koja, Koço Tasi, Mustafa Kruja, Qazim Kokoshi, Loni Kristo, Bajram Fejziu, Mustafa Maksuti, Qemal Mullaj, Sejfi Vllamasi, Bektash Cakrani.

Filed Under: Politike Tagged With: dhe Parlamenti i ardhshem, Frank shkreli, Parlamenti i pare

MUKJA, PARLAMENTI I PARË SHQIPTAR, I KOHËS SË LUFTËS

December 18, 2013 by dgreca

Shkruan:RASIM BEBO/ Çikago/

Në Foto: delegatë të Konferencës në Mukje/

Mukja, ishte ngjarje kthesë në historinë tonë kombëtare, të viteve të Luftës Nacional Çlirimtare. Në vorbullën e Luftës së Dytë Botërore, nacionalistët demokratë shqiptarë, me qëndrimin e tyre idealist dhe parimor për Shqipërinë Etnike, veç të tjerash, ngritën zërin të nënkuptohej edhe ndryshimi i kufijve politikë nga ndarja e pa drejtë e vitit 1913.

Prof. Dr. Eshref Ymeri thotë: “Sipas Fjalorit enciklopedik Rus. Botim i Akademisë së Shkencave të Rusisë Snkt – Peterburg, 1896, f. 359. Se: Sipërfaqja e Shqipërisë është 134.000 km2”. (1).

Në verën e vitit 1943, kur lufta ishte në zenitin e saj dhe Italia ishte gati për kapitullimin e pritshëm të 8 shtatorit 1943, lindi si një domosdoshmëri e situatës Fenomeni i Mukjes për të gjithë patriotët, pavarësisht nga bindjet politike, të arrihej bashkimi, për t’iu kundërvënë nazizmit, më të fortë dhe më të organizuar ushtarakisht. Por a mund ta pranonin komunistët bashkimin, a mund ta pranonin serbët bashkimin e shqiptarëve?… Fatkeqësisht Nacionalistët shqiptar nuk e njihnin komunizmin… i cili kërkonte ta kthente këtë lëvizje në luftë civile.

Historiani Amerikan E. Jacques citon: “Në prill të vitit 1943, në Shqipëri hyri nga Greqia një emision komando britanikë, i kryesuar nga koloneli Nil Meklin. Në korrik 1943 ky mision anglez organizoi në Mukje, afër Tiranës, një konferencë të përbashkët, ku morën pjesë 12 udhëheqës nga të dy grupet. Pas një debati u arrit një marrëveshje…”  (2).

Abaz Kupi, si anëtar i kryesisë së Frontit Nac, Çl. kërkoi lidhjen e një aleance politike ushtarake me Ballin Kombëtar (si duket kishin komunikuar me kolonelin Nil). Kërkesa e tij u miratua në mbledhjen e 9 korrikut 1943. Takimi i përfaqësuesve u bë në Tapizë (rrethi i Krujës) më 26 korrik. Më pas bisedimet u bënë në Mukje nga 1 deri në 2 gusht 1943. Fronti Nac. Çl. përfaqësohej nga: Ymer Dishnica, Jahja Çaçi, Mustafa Gjynishi, Myslim Peza Abaz Kupi, Stefan Plumbi, Haki Stsërmilli, Omer Nishani, Gogo Nushi, Behar Shtylla, Shefqet Beja, Sulo Bogdo. Kurse Balli Kombëtar përfaqësohej: nga Mit’hat Frasheri, Hasan Dosti, Thoma Orogollai, Skënder Muço, Nexhat Peshkopia, Isuf Luzaj, Vasil Andoni, Halil Meniku, Ismail Petrela, Rauf Fratari, Hysni Lepenica, Kadri Çakrani. Delegacionet i kryesonin: Ymer Dishnica dhe Mit’hat Frashëri. Punimet filluan më 8 gusht 1943.

Mbledhja e Mukjes synonte bashkimin në luftë të forcave politike shqiptare, përkrah aleateve të mëdhenj, Anglisë , SHBA dhe ish Bashkimit Sovjetik. Luftë për zbatimin e njohur botërisht të vetëvendosjes së popujve, të garantuar nga Karta e Atlantikut. Forma e regjimit do të përcaktohej nga vetë populli pas luftës; krijimi i një organi të përbashkët me emrin “Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë”, me kryetar Hasan Dosti dhe sekretar Mustafa Gjynishi, i cili do të drejtonte luftën dhe vendin deri në formimin e qeveris së rregullt pas zgjedhjeve  të përgjithshme, fill pas mbarimit të luftës. Zgjedhja e këtij komiteti si organ pluralist, u bë me 6 përfaqësues nga secila palë.  Mirëpo, gëzimi për arritjen e kësaj marrëveshje historike në interes të luftës së popullit shqiptar,  U shua shumë shpejtë. Enver Hoxha nën ndikimin e emisarëve jugosllavë, e hodhi poshtë marrëveshjen. Ky qëndrim i udhëheqjes  së PKSH ishte (tradhti kombëtare) goditje e madhe kundër bashkimit të shqiptarëve, të një Shqipëri Etnike.

Tani le të shohim z. Ylli Polovina, nëpërmjet artikujve të botuar kohën e fundit në gazetën “LLYRIA”, se si ai i shtron rrugën Enver Hoxhës: Dy figura të PKSH, Enver hoxha dhe Miadin Popoviçi në Vithkuq të Korçës dhe Ymer Dishnica si kryetar i përfaqësis së Lëvizjes Nac. Çl. Në konferencën e Mukjes. Ylli Polovina shkruan: Ymer Dishnica është tepër këmbëngulës në vërejtjet e drejtpërdrejta që i bën Enver Hoxhës për një ngathtësi të madhe të tij, në mos edhe përtaci mosaktiviteti të shfaqur dukshëm. Theksojmë se Shafingo (Y. D.) nuk raporton për bisedimet me Ballin Kombëtar … por merret me strukturat e PKSH … Ai qe dërguar me mision të realizonte bashkimin me (B.K.) dhe jo ta sabotonte, ca më pak të mos e kryente. … Doemos, me këtë kurs, bashkimi me Ballin, me kushtet e përcaktuara nga Kominterni, ishte edhe Enver Hoxha si dhe “eminenca  gri” e PKSH-së, Miladin Popoviçin… Italianët me të diktuar grumbullimet e komunisteve, monarkistëve dhe Ballistëve, ndërhynë me forcën e trupave ushtarake për t’i shpërndarë. Për Ylli Polovinën. Kjo do të thotë se deri në fund të korrikut 1943 BK nuk ka kryer asnjë pakt të hapët apo të fshehtë me pushtuesin. … Të gjithë këta krerë nuk kanë asnjë çetë të tyren nga pas,këta nuk kanë zbrazur asnjë pushkë kundra pushtuesit”. (3).

Adriatik Alimadhi shkruan: “… Balli Kombëtar duke luftuar kundër pushtuesit, në Tiranë, në Gjormë të Vlorës, në Ruzhdie, në Berat, në qarkun e Korçës, në Reç të Shkodrës, Mallakastër, Lushnjë, Elbasan e në të gjithë Shqipërinë, pa marrë parasysh fuqinë e armikut… Për këtë arsye deri në vitin 1943 dëgjohej vetëm pushka dhe penda e Ballit Kombëtar”. BK lindi në shtëpinë e Lumo Skendos, në prill 1939, të nesërmen e pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Kështu partia e Mit’hat Frashërit u skalit si krijesë pa moshë në zëmrat e shqiptarëve, kjo është patrotizma e vërtetë e shqiptarizmit. “Partia e jonë është Shqipëria”. La testament shërbestari i Shqipërisë.  (4)

Ju z. Polovina vazhdoni të mohoni luftën e BK. me keq se Enver Hoxha, që villte vrer kundra nacionalizmit.

Shikojmë prapë Ymer Dishnicën, se mesa autoritet të madh komunikon me Enver Hoxhën. “Praktikisht kemi qenë të shkëputur, asnjë raportim serioz ose ndonjë letër me hollësi përmbi punët që ngjanë andej e po ngjasin. Letrushka kemi marrë boll, të fala plot, por asnjë letër pune. Ku janë traktet e shtabit, ku janë shkrimet për gazetë, si nga ti, si nga Lame Kodra”. (Shihni, Ymer Dishnica nuk “fal”.)  Enver Hoxha thotë:  Ai qe dërguar posaçërisht për marrëveshjen me Ballin Kombëtar, jo për të drejtuar PKSH-në në territorin kryesor të vendit.

Përsëri Ymeri u shkruan: Kërkon t’i shkundë nga dremitja dy arinjtë më të fortë, me heshtjen e vazhduar të Hoxhës dhe Popoviçit. Çfarë fshehin ata?  Më 1 gusht 1943 u përpilua procesverbali… Balli Kombëtar rreshtohet si protagonist i parë, Këshilli Nac. Çl., jo vetëm i dyti, por emërohet vetëm si organizatë. Ja edhe çështja kyç: Në diskutimet, dy gjëra na ngatërronin: e para qe Shqipëria Etnike dhe e dyta ideja e Hasan Dostit, që duhej shpallur indipendenca.  Ymer Dishnica informon Hoxhën: “Ndalesën e Shqipërisë Etnike e kapërcyem me një formulë, as femër as mashkull”. Mukjen ne e morëm për një gjë formale, aty shkuam për t’ia hedhur njëri tjetrit, madje edhe për të marrë epërsinë totale. Qenë tre shumë të fortë në lakmi, pushteti dhe njëkohësisht  i mangët për të mbledhur konsensus të gjerë popullor, Ahmet Zogu, Mit’hat Frashëri, Enver Hoxha ishte akoma një hiçmosasgjë. Ata u nisen nga pika e vdekur e mos dialogimit, vetëm prej trysnisë së ndërkombëtarëve. Në konferencë u diskutua dhe çështja e Kosovës dhe u kërkua qe ajo të zgjidhej mbi parimin e vetëvendosjes së popujve, në bazë të Kartës se Atlantikut, siç mendonte edhe M. Gjynishi (Tafari) dhe K. Tashko (Dinoja).

“Disa nga përfaqësuesit e Naç. Çl. Gjatë takimeve me përfaqësues të “BK” shpreheshin se: “Është megallomani të pretendojmë Kosovën”. “Nuk e duam Kosovën, se na e ka falë armiku”. “Po të kërkojmë Kosovën, bëhemi edhe ne si Mustafa Kruja, sepse edhe Musta Kruja kërkon Kosovën” shprehet Gogo Nushi. Ndërsa Ramiz Alia e përsërit pas 46 vjetëve në vitin 1989 thotë: “Ç’na duhet Kosova, ne kemi hallin e Shqipërisë”. (9)

Marrëveshja e Mukjes ishte goditje e interesave Jugosllave për Kosovën si dhe synimeve Jugosllave ndaj Shqipërisë; çështja e pushtetit, pra frika e komunistëve se pushteti mund të ndahej me forcat nacionaliste properëndimore dhe demokratike; duhej prishja e marrëveshjes së Mukjes, që t’i hapej rruga plotësisht vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri dhe futjen e saj në orbitën e lindjes komuniste.

Marrëveshja e Mukjes :  Ajo në thelb ishte një marrëveshje “kurthi” e Ymer Dishnicës mes  delegacionit të Ballit Kombëtar. Doktori firmosi për Shqipërinë Etnike, pa marrë asnjë miratim nga KQ i PKSH-së apo prej Këshillit Nac. Çl. Periudha 6-9 gusht 1943  është kyçi për të kuptuar fillimin e Luftës Civile dhe për t’u tallur me emërtimin Nac Çl., duhej patjetër të ktheheshin në bisedime me BK. për një riformulim të ri të paktit. Vendi i mbledhjes së re u caktua fshati Orenjë i Çermenikës për të dy palët. Veterani Isuf Luzaj me katër kolegë të tjerë, në 14 gusht shkuan në vendin e përcaktuar të takimit. Pritën atje 4 ditë të  tjera duke shpresuar ardhjen e  dërgatës komuniste, por ata nuk erdhën. (5)

Për qëndrimin agresiv ndaj BK, qe nxitës Vukmanoviç Tempo, i dërguari i ri PKJ., që mbështetej te Miladin Popoviçi, fuqia e të cilit në PKSH e kalonte shumë herë atë të Enver Hoxhës. Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, me anë të Proklamatës së tij , i bëri të njohur popullit shqiptar dhe Aleateve vendimet e Mukjes për një Shqiperi  Etnike.

Enver Hoxha ka përgatitur “kurthe” të pastrimeve brenda partisë në dy konferenca brenda 13 vjetëve: Konferenca e Mukjes dhe konferenca e Tiranës 1956, në të parën z. Ymer Dishnica dhe në të dytin Vandush Vinçani. Le t’i shikojmë: Ymer Dishnica nga Mukja, i drejtonte replika të ashpra Enverit dhe Sejfullajt në Vithkuq të Korçës dhe pa pyetur udhëheqjen e PKSH firmosi me përfaqësinë e Ballit për Shqiperine Etnike, (6).

(Enveri në prapaskenë) Prej këndej filloi “kurthin” (“sëpata”e Miladinit) për pastrimin brenda partisë dhe luftën vëllavrasëse. Ndërsa “kurthi” i dyte drejtohej nga Nexhmije Hoxha, nëpërmjet ndihmësit të saj Vandush Vinçani, ky hapi konferencën e 56-s, që “tregoi se udhëheqja e partisë ishte kthyer në një aristokraci të komunistëve dhe se po shpërdoronte pushtetin … Atëherë të gjithë delegatët e morën fjalën e Vandush Vinçanit… Prej së cilës burojnë spastrime të përgjakshme”. Sa për dijeni, kjo është temë tjetër. (7).

Kur u nënvizua Shqipëria Etnike, Miladin Popopviçi tha: “do fillojmë nga sëpata dhe jo të bëjmë lidhje me qentë; pastaj Skipëri Etniçka-jeben Timajka”. (Shqipëri të qifsha nënën). (8).

Kështu Miladini dhe E. Hoxha filluan të kërcënonin tinëzisht dhe të vrisnin pabesisht njërin pas tjetrit. Ata organizuan vrasjen e Shyqyri Pezës, që Miladini e urrente…, deri në vrasjen e Mustafa Gjynishit, të Dum Allës, të Rexhep Mezinit etj. (po aty f. 588).

Pra, siç shihet, Miladini, Enveri dhe pasuesit, frikësoheshin nga BK, si një konkurrent potencial dhe, sipas logjikës staliniste: “ai që nuk është me mua është kundra meje”. Që nga fundi i gushtit 1943 u ngrit si një re ogurzezë vëllavrasja, lufta civile, që ishin sinonimi i fjalës komunizëm. Lufta civile që bëri pre jo vetëm individë e fise, por edhe fshatra të tëra të cilësuar komuniste ose balliste.

Ndërsa Uran Butka shkruan: “Simbol i bashkimit dhe i ndarjes, i mirëkuptimit dhe i mosmarrëveshjes kombëtare, unitetit dhe përçarjes, lavdisë dhe turpit, shansit historik dhe varrosjes tragjike, paraqet ngjarje kthese në historinë tonë kombëtare. (9).

Në 1 tetor 1943 në një letër që i dërgonte Liri Gegës, Enver Hoxha urdhëronte luftën frontale kundër Ballit, sipas logjikës leniniste “Pushteti del nga gryka e pushkës”. Vetëm pushteti i këshillave duhet të ekzistojë dhe asnjë pushtet tjetër. Nuk ka kompromis dhe dualitet në këtë gjë.”

Lufta kundër Ballit, Legalitetit, Partisë Social demokrate dhe krerëve të Veriut ishte përgatitur me kujdes dhe kishte marrë pëlqimin e Jugosllavisë, pasi nga konfrontimet e armatosura,  do kishin një Shqipëri të alivanosur dhe të dobët në të gjitha drejtimet.

Ndërkohë Kryesia e B.K. në shumë trakte e komunikata, i bënte thirrje PKSH t’i jepte fund luftës civile, t’i jepte fund kësaj tragjedie.

P.K. në këtë luftë ideologjike dhe luftë klasash që vazhdonte të bënte, e kish futur Shqipërinë në belanë më të madhe: ndau birin nga i ati, ndau burrin nga gruaja, vëllanë nga motra, ndau më në fund shqiptarët në dy fusha për vdekje. Përgjegjësia historike e vëllavrasjes i takon vetëm partisë së kuqe. Gogo Nushi raportonte nga Tirana: se gjendja me Bazin e Canës ishte e qete, Enver Hoxha urdhëronte: “S’duhet humbur kohë, por zjarr për zjarr, t’u vëmë zjarrin Ballit dhe Zogistëve. Në një dokument të pa botuar thuhet: “të mos luftohen ashpër pushtuesit gjermanë, por Bazi të çduket.

Vëllavrasja filloi në Libohovë në gusht 1943, numri i të vrarëve arriti në 104 veta.

Në Devoll, në Ziçisht, ku ishte lënë një takim, komunistët u bënë pritë përfaqësuesve të Ballit dhe vranë 6 nacionalistë, midis tyre dhe Doktor Kasimatin, të cilin e therën.                          Më 14 shtator 1943  forcat nacionaliste të Hysni Lepenicës e Skënder Muços u kërkuan forcave italiane të divizionit “Peruxhia” të dorëzoheshin. Krerët komunistë B. Spahiu, Sh. Peçi, Sh. Totozani, që ishin në zyrat e komandës të divizionit italian, organizuan vrasjen e tyre, u vranë Hysni Lepenica me 35 naçionaliste.

Në 21 tetor 1943 në fshatrat e Lushnjës forcat partizane të brigdës I- S. të udhëhequr nga Mehmet Shehu e serbi Dushan Mugosha, vranë e therën me thika 65 fshatarë  të pafajshëm, me pretekstin se ishin simpatizantë të Ballit. Mehmet Shehu, i njohur për vrasjet e tij në Vlorë, Peqin e Dumre, në tetor pushkatoi pa gjyq në Priskë (Tiranë) 13 xhandarë dhe fshatarë që iu dorëzuan në besë. “Në Çermenikë, i shkruan E. Hoxha N. Spirut, Brigada kapi robër ballistët dhe më tepër se 70 prej tyre u vranë në luftë. Siç shihet Brigada po lufton për mrekulli.”Në Kuçovë u konfrontuan me armë partizanët dhe nacionalistët, u vranë 7 partizanë dhe 2 ballistë. Konfrontim me armë pati edhe në Lapardha (Berat), u vranë 11 ballistë. Në zonën e Pogradecit nga luftimet vëllavrasëse, që zgjatën nga 13-18 tetori 1943, përveç viktimave në të dy palët, u vranë edhe 8 civile. Në Libofshë, gjatë luftimeve mbetën të vrarë 21 partizanë dhe 8 ballistë, si dhe një djalë 16 vjeçar. Në Melçan (Korçë) çeta e kryesuar nga Gjergjevica kapi dy nacionaliste. Këta u masakruan barbarisht, ju prenë hundët, veshët, iu nxorën sytë dhe iu thyen nofullat, kurse krahët ua prenë. Më 23 tetor 1943 në mes të Kavajës dhe Prezës u masakruan barbarisht Besnik Çano dhe Qeramudin sulo, dy të rinj nacionalistë. Ekzekutimi i tyre u bë nga Dushan Mugosha.       Komanda e Korçës i dërgoi raport Shtabit të Përgjithshëm : në përpjekje midis partizanëve u vra komisari i batalionit Gorë-Opar Skënder Çaçi. Humbje të Ballit janë 5 të vrarë dhe 4 robër. U vra dhe komandanti i Ballit, Demir Staravecka. Në Vlorë krerët komunistë të manipuluar nga Dushan Mugosha provokuan luftë vëllavrasëse, ku u vra një djalë iri nacionalist. Në nëntor 1943, Brigada e I-rë dhe e 5-të,  të komanduara nga Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo, të orientuara nga Mugosha, u konfrontuan me nacionalistët dhe bazat e tyre në fshatrat e Sevasterit e të Velçës, ku u vranë dy pleq, në Gjormë, pas 26 orë luftimesh u dogjën 52 shtëpi, në Mavrovë, pas 16 orë luftimesh, u vranë 24 partizane e viktima të luftës civile. Në luftën e Dukatit, më 30 nëntor 1943, që zgjati 13 orë, u vranë 14 partizanë e 10 nacionalistë dhe u plagosën shumë të tjerë, midis tyre dhe tre gra.

Përpjekje me armë midis formacioneve politike kundërshtare ishin më të përgjakshme në Jug të Shqipërisë, ku ndikimi i nacionalizmit ishte më i madh. Në Gjirokastër u vranë qindra njerëz.         Në Tepelenë, në teqenë e Turanit, u vra babai i teqesë dhe të tjerë. Vrasjet masive në Voskopojë, 150 viktima të varrosur në një gropë, masakrat në Mallakastër, Kolonje tregojnë se Lufta civile ishte ashpërsuar shumë.  Këto ishin disa pamje nga Lufta civile në periudhën shtator-tetor 1943, pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes.  Sëpata e Miladinit dhe e Mugoshes tregoi kësisoj, urrejtjen kundër popullit shqiptar.

Për të Parë efektet shkatërruese të Luftës civile, le të ndalemi në fshatin Lepenicë të Mesaplikut Vlorë. Pas 18 orë luftimesh midis shqiptarëve, u dogjën 11 shtëpi nga 61 që kishte fshati kurse fshatarët u strehuan në pyje e male. Por lufta nuk mbaroj me kaq, nga 50-60 burra që mbetën 14 u dënuan me burg për arsye politike, 2 vdiqën nga torturat, 5 u pushkatuan, 6 u arratisën dhe të tjerët u cilësuan kulakë. (po aty f. 593).

Në Dishnicë, komunistët dogjën fshatin bashkë me njerëzit e pafajshëm, Plakun Riza e poqën në zjarr, Rakipin e varën në një degë të një peme.

Në Devoll, partizanët zunë 14 ballistë, 13 i pushkatuan ndërsa të fundit e masakroi serbi Dushan Mugosha. Devolliu Ali Lumi, djaloshi i pafajshëm, së pari Dushani urdhëroi ta qëllonin 12 herë me dru. Pastaj vetë xhelati Dushan, i theu këmbët, ia rregulloi, i theu edhe më lartë. E torturoi ne organet seksuale, me thikë i çau kërcin, i shoi cingaren në beben e syve dhe më në fund trupin pa jetë e qëlloi dy herë në kokë… I gjithë ky ritual kriminal, u krye në prani të Tahir Kadaresë e të partizanëve. Dhe kur një i pranishëm e pyeti se ç’kishte bërë, Dushani iu përgjigj: “Besa kurgja. Por këtyre devollinjve, kështu duhet t’ua bësh, se të gjithë janë nacionalistë”. (f. 594, Nr.21). Hajde moj Shqipëri, ç’nëma ke ti, fërkojnë duart serbianët, pse ti bëhesh gur e hi. (f.594, nr 20).

Gjenerali Willson, komandant suprem aleat, i kërkonte Enver Hoxhës: “Më duhet të vë në dukje se armët dhe furnizimet që u dërgojmë, janë të destinuara vetëm për një qëllim e pikërisht për të ndihmuar forcat tuaja që të luftojnë armikun. Unë nuk mund të toleroj, që ju t’i përdorni këto armë për të vrarë dhe likuiduar bashkatdhetarët tuaj për qëllime politike”. (f. 594).  Ylli Polovina shkruan: “Në qytetin e Beratit u mbajt, prej 23-27 nëntor 1944, Plenumi i 2-të i KQ te PKSH, mes të shumëve, të përfshirë në një ndërluftim të brendshëm, për të shantazhuar Enver Hoxhën dhe në pamundësi për ta rrëzuar, ta tulatnin, ky, i gjendur në orë të liga për fatin e vet politik, zbulon para pjesëmarrësve, por edhe para historisë, një pamje krejt tjetër nga ajo që dëshmoi më pas, kur qe sundimtar total i vendi e popullit të vet. (10).

Enver Hoxha nuk i la fshatarit një këmbë pule në kotec. Mos vallë ju Polovina keni mbajtur portretin e Enverit prapa shpinës së Edi Ramës më 29 nëntor te varrezat e dëshmorëve të kombit?

Ju z. Polovina, nuk e zutë në gojë Miladinin e Mugoshën kur deklaruan: “…do fillojmë nga spata dhe jo të bëjmë lidhje me qentë; pastaj Skipëri Etniçka-jeben Timajka”. (Shqipëri Etnik të qifsha nënën).

Dhe kjo filozofi e urrejtjes e vëllait për vëllanë, kjo vëllavrasje e egër për motive politike, e ktheu njeriun në origjinën e tij, vëllavrasja që vazhdoi edhe pas 28 nëntorit 1944, vëllavrasje që na mëson se Lufta civile në Shqipëri vazhdoi pas vitit 1943 deri në vitin 1990, po të marrim vetëm faktet:  Ata Klerikë që kanë vuajtur në hetuesi, burgje, kampe shfarosëse ose vrarë nga Sigurimi i Shtetit komunist,  numri i lerikeve katolikë arrin në 139, me figurën Dom Lazer Sheldija (1928-1988, vra në SHBA). (Ajka e kulturës së kombit Shqiptar, shen. im).   “…Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun vllazën e motra s’shtë pa kurrë në historinë e njerëzimit”. (Friz Radovan, klubi Shqiptar).

Edhe sot, vazhduesit e hirit komunist, në gjirin e PS dhe PD,  vrasin deputete dhe vrasja mbetet enigmë.

Referenca:

1. Prof. Dr. Eshref Ymeri,  Marrë nga enciklopedia ruse.

2. Edwin Jaçques “Shqipëri”, bot. 1995, f. 462.

3. Ylli Polovina gazeta “ILLYRIA”, 1 gusht 2013, f. 36.

4. Adriatik Alimadhi Gazeta “ILLYRIA”, “Edeshi fati atdheut…” 13-16 prill 2007, f. 11.

5. Y. Polovina gazeta  “ILLYRIA”, 17-11-2013, f. 37 dhe -(6) 22-11-2013, f. 37.

6. Fahri Balliu “Pantera e zezë”, f. 134.

7. Grup autorësh dhe Luan Xhafa “Libri i Zi i Komunizmit”, f. 592, nr. 14.

8. Prof. Dr. Agim Zogaj “ILLYRIA”, 19-6-2008, f. 12.

9. Ylli Polovina “ILLYRIA”, 2-8 nëntor 2013, f. 36.

10. Fritz Radovan, Melburn Australi mars 2009. Klubi Shqiptar.

Rasim Bebo  Addison Çikago dhjetor 2013

 

Filed Under: Histori Tagged With: Konferenca e Mukjes, Parlamenti i pare, rasim bebo, shqiptar

Artikujt e fundit

  • Dalip Greca – Emër i Pashuar
  • Dalip Greca, një emër në kujtesën e gazetarisë shqiptare
  • Dalip Greca, një profesionist dhe patriot i madh
  • Kur vdekja merr krijues dhe atdhetarë të mirëfilltë
  • Lamtumirë kolegu ynë Dalip Greca
  • IN MEMORIAM, DR. GJON BUÇAJ
  • Ikja e Dr.Gjon Buçaj e Dalip Grecës, komuniteti humbi dy patriotë të përkushtuar
  • Një prej atij brezi…
  • I PAHARRUAR QOFTE KUJTIMI I Dr. GJON BUCAJ
  • DR. GJON LEK BUÇAJ, NË SYTË E NJË MIKU TË VJETËR
  • Requiescat in pace Dalip Greca! Pushofsh në paqe mik e koleg i çmuar!
  • Vajtojmë njeriun fisnik e patriot Dalip Grecën
  • U PREHËSH NË PAQE E PËRJETËSI DR. GJON BUCAJ
  • Mbaj zi për mikun tim, Dalip Greca
  • IKU DUKE SHKRUAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Tregim Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT