• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Terenc Toçi, pushkatimi i një arbëreshi

July 17, 2013 by dgreca

NGA YLLI POLOVINA/

Nuk kisha si ta dija që në qytezën arbëreshe të Santa Sofia d’Epiro në Kalabri, saktësisht fare pranë “Monumentit të Lotit”, e kishte shtëpinë Françesko Fabrikatore (Francesco Fabbricatore), autori i librit “Kontributi arbëresh në çështjen shqiptaro-ballkanase”. I bërë publik në 29 prill 2009 në sallën e këshillit të administratës bashkiake të qytezës së tij në një konferencë të posaçme të drejtuar prej njërës nga italianet më të shquara në dashurinë e saj për arbëreshët, Donatela Laudadio, në prani të profesorit të historisë në Universitetin e Kozencës Atilio Vakaro, të kryetarit të bashkisë Vinçenco Françesko Sanseverino dhe të zëvëndësit të tij Xhenaro Nikoleti, mua për fat më pati rënë në dorë pa u vonuar shumë nga kjo ditë. E pata lexuar me një frymë, madje më saktë duke e mbajtur frymën. Në libër prej Fabrikatores interpretoheshin disa personalitete arbëreshe të një shekulli më parë për të cilët edhe unë grumbulloja dijeni prej kohësh. Një i tillë qe Anselmo Lorekio, për të cilin Profesor Françesko Altimari, zëvendësrektor i Universitetit të Kozencës, më pati folur se mbi gjoja lidhjet dhe simpatinë e tij për fashizmin musolinian kishte patur një operacion të tërë falsifikimi.
Por në librin që kisha në dorë Françesko Fabrikatore synonte të bënte sfidë mbi një personazh tjetër: Terenc Toçin.
Ky në Tiranën e vitit 1943 ka qenë kryetari i Partisë Fashiste ose figura politike numër dy pas asaj të Jakomonit, Mëkëmbësit të mbretit italian Viktor Emanuelit. Pikërisht ky shqiptar me emrin Terenc nuk qe tjetër veç arbëreshi nga qyteza Strighari i Kalabrisë, Terencio Toçi (Terenzio Tocci).
Nga ajo që lexova u trondita shumë dhe rashë në mendime. Terencio një vit para se Ismail Qemali dhe të gjithë të dërguarit e tjerë të kombit të shpallnin në Vlorë mëvetësinë e shtetit shqiptar e pati bërë atë ngritje simbolike të flamurit me shqiponjën e zezë në fushë të kuqe një vit më parë. Kjo nuk shkruhet në asnjë libër historie për fëmijët tanë të shkollave. Pikërisht ky bashkëkombës me këtë gjest të rrallë sapo Tirana ishte çliruar nga pushtuesit gjermanë u arrestua nga një skuadër partizanësh dhe pas një gjyqi publik qe pushkatuar në buzë të pranverës së vitit 1945.
Kështu fillova të shfletoja të dhëna të tjera për këtë arbëresh, ndërsa prej vitesh kisha siguruar dokumenta se regjimi komunist në vitet 1946-‘47 ishte kujdesur për riatdhesimin në Itali të disa dhjetrave arbëreshëve që kishin qenë mobilizuar me trupat e pushtimit. Duke plotësuar pjesë-pjesë jetën e tij kuptova se gjendesha përballë një pune tepër të ngatërruar e shumë të vështirë për t’u kthjelluar lehtësisht, të ngërthyer nga ngjarjet më të kundërta dhe të turbulluar prej ndërhyrjes së ligësht të politikës. Shumë rrallë tek fati i një njeriu si Terencio Toçi mplekseshin aq ngatërrueshëm e vërteta me gënjeshtrën, ideali i sinqertë kombëtar me zgjedhjet e gabuara, ajo që ai ngrohte në zemër me atë që analizonte ftohtësisht në kokë, gjithçka që në një çast të caktuar duhej apo nuk duhej bërë. Jo, jetën e këtij arbëreshi të mbuluar nga braktisja dhe harrimi nuk mund ta kuptosh dot pa e zbërthyer me durim ditë për ditë dhe ngjarje për ngjarje, edhe pse duhet thënë hapët: ca prej pabesisë së kohës ku gjalloi si edhe një temperamenti të fortë protagonist të tij nuk ka lëmsh më të ngatërruar.
Mirëpo më dha durim dhe më nxiti ajo thirrje zemre e ndjeshme njerëzore, e pajisur me inteligjencë të hollë dhe frymë të viteve dymijë, e tridhjetë e nëntë vjeçarit Françesko Fabrikatore.
***
Ka një traditë të thellë, mjaft të gjerë dhe shumë profesionale të studjuesve arbëreshë për rolin që kanë luajtur elitat e tyre në Rilindjen Shqiptare dhe në pavarësimin e shtetit tonë. Këtë cikël të madh të analizës gjeopolitike të Ballkanit dhe fatit të atdheut të të parëve të tyre ata e kanë kryer, siç i duket autorit të këtyre radhëve, për dy arsye madhore: për të shkruar historinë e bashkësisë së tyre, duke provuar se ajo ka funksionuar si një diasporë jashtzakonshëm aktive për zgjidhjen e çështjes shqiptare si edhe për të tërhequr vëmendjen e bashkëkombësve të trojeve amtare se ata nuk kanë qenë në bisht të këtyre çasteve vendimtare, por në krye, në udhëheqje.
Kjo është një temë shumë e mprehtë, e cila duhet të përballohet pa u vonuar më. Në shtetin amë, në Tiranë, janë përpjekur të mos e ndajnë Arbërinë dhe kontributin e saj kulturor në formësimin tonë kombëtar. Në rast se këtu ka mbetur ende për t’u bërë e njohur megjithatë nuk duket se në të ardhmen ky proçes do të ndeshë në ndonjë pengesë të ndërgjegjshme, përveç plogëtisë karakteristike të disa qarqeve të studjuesve tanë si edhe të institucioneve të tyre jo përherë të financuara e mbështetura mirë nga shteti. Patjetër të mbetur prapa edhe nën ndikimin e hapësirës ndarëse, atyre ujrave që mes Gadishullit Apenin dhe brigjeve tona ballkanase për tregëti e pushime vere duken bashkuese por boll veçuese për të shkuar lirshëm tek njeri-tjetri shqiptarë e arbëreshë.
Pengesa e vërtetë, patjetër e kryer jo pa vetëdijë ose të paktën e vënë në jetë me një lloj egoizmi dhe xhelozie, rëndon mbi kontributin politik të diasporës arbërore. Në Shqipëri opinioni publik njeh vetëm një përmasë shumë të vogël të saj, aq sa i kanë dhënë qarqet shkencore dhe sa këtë proçes e ka inkurajuar shteti ynë. Mirëpo në rast se në dimensionin kulturor çdo mangësi e deritanishme do të qe jo aq kërcënuese për kohezionin kombëtar të shqiptarëve, ajo në përmasën politike mbetet një krisje e madhe, një e çarë, pse jo edhe një plagë. Prej mbajtjes së saj në këtë gjendje, pra duke mos i dhënë vendin e merituar kontributit të spikatur arbëresh, etnia jonë pëson një vetgjymtim të rëndë.
Ndërkohë edhe në Arbëri një pjesë e elitës së saj, saktësisht për arsye të veprimit të të njëjtave arsye si në Tiranë, shpreh një pezmatim të vijuar për këtë harresë e shpërfillje të bashkëkombësve të tyre në shtetin amë. Ata mendojnë se motori i disa zhvillimeve kyçe në Shqipëri i ka impulset kryesore mes arbëreshëve, duke nisur nga vetë Rilindja.
Një mirëkuptim i të dy elitave sigurisht një ditë duhet të vijë, duhet patjetër të ndodhë. Komunikimi i përditshëm i të dy inteligjencave, por edhe i njerëzve të thjeshtë, po të realizohet si një objektiv i ndërgjegjshëm bashkimi shpirtëror, do të ndihmojë që gjithsecila palë të gjejë natyrshëm kufijtë e meritave të veta dhe të dyja sëbashku veprën e bukur që kanë kryer.
Libri i Françesko Fabrikatores “Kontributi arbëresh në çështjen shqiptaro-ballkanase” është një nxitës i këtij proçesi gjithkombëtar. Autori shfaqet mjaft premtues sepse vjen nga prurja e re e historianëve arbërorë. Që është rinovues edhe në mendësi i hapët për të dhënë e marrë pasurinë e përbashkët të veprës së pavarësimit dhe shtetformimit shqiptar, mjafton të lexosh librin e tij dhe ca më shumë të shkëmbesh mendime me të. Fabrikatore është një nga ata intelektualë të përgatitur për misionin e madh të rikthimit në vendin e vet të gjithçkaje që mes dy brigjeve deri tani mungon. Duke interpretuar aksionin e ngritjes së flamurit kombëtar një vit para ditës së shënuar të 28 nëntorit 1912 dhe dëshmuar se nismëtari qe një arbëresh ai na kujton se duhet të mbarojë koha kur ideologjitë merrnin nga pas përfundimisht fatet e njerëzve.
***
Terencio Toçi lindi më 9 mars 1880 në Shën Kozmo Albanese (San Cosmo Albanese) ose siç thirret ndryshe Strighàri. Ishte prej atyre që kreu Kolegjin e Shën Mitrit, duke qënë nxënës dhe mbartës i frymës së Jeronim De Radës, çfarë donte të thoshte se e gjithë jeta i duhej përkushtuar çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi i gjatë dhe i rëndë osman dhe ajo më në fund të shpallej shtet i pavarur me orientim Evropën. I përgatitur në këtë shkollë kryengritësish Terencio nuk mund të qe veç një misionar, një prijës, një njeri që merrte përsipër detyra të mëdha politike. Me në themelet e jetës atë Kolegj lirie ai nuk mund të kishte zgjedhje tjetër veç të kryente të gjitha ato veprime që e çonin në shpëtimin e atdheut të të parëve të tij.
Të tillë kishin qënë përherë Toçët, sipërmarrës gjestesh të mëdha historike. Agostino Toçi në vitin 1645 pati shkruar një “Histori e Skënderbeut” dhe në 1650 kishte rindërtuar një pasqyrë të shkurtër të emigracionit shqiptar në Mbretërinë e Napolit.
Donato Toçi me jetë midis viteve 1739-1799 pati qënë një martir, një hero i Republikës jetëshkurtër të Napolit, kryengritës i papërsëritshëm kundër monarkisë së Borbonëve.
Françesko Saverio Toçi në vitin e madh të luftës për liri, 1848, bashkë me shokë të tij u përpoq në një atentat të vriste gjeneralin e ashpër monarkist Lanca. U arrestua dhe u vra duke e shpuar me bajoneta. Pasi ia lidhën trupin tek një kalë e hoqën zvarrë në një prej rrugëve më të populluara të Napolit. Sipas dëshmive të kohës vdekja e tij aq e tmerrshme ka lënë pas rrëfime gati të pabesueshme. Edhe pse i çpuar tej për tej nga dhjetra maja bajonetash, me njërën këmbë lidhur e tërhequr pas kalit dhe me kokën poshtë, kur mendohej se zemra duhej t’i kishte pushuar me kohë, Françesko vazhdoi të thërriste, deri sa më në fund dha shpirt, “Rroftë Liria! Rroftë Italia!”
Terencio Toçi i mëkuar si përkrahës i flakët i pavarësisë së Shqipërisë pasi përfundoi studimet për juridik në Universitetin e Urbinos në vitin 1904 filloi veprimtarinë e tij në Romë. Këtu punoi edhe si kryeredaktor në shtypin periodik që merrej me çështjet e Ballkanit. Kur Shqipëria ngrinte çetat e saj të para dhe rilindasit qenë hedhur në aktivitet të plotë për pavarësimin e vendit, Terencio kapërceu Oqeanin Atlantik dhe në një udhëtim të gjatë mobilizues shkoi mes arbëreshëve dhe shqiptarëve të emigruar në Argjentinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dëgjoi çfarë mendonin ata, si e dëshironin të bëhej Shqipëria. Në çastin më të parë kishte vendosur ta linte Italinë dhe të shkonte në Shqipëri për të luftuar me armë.
Pikërisht në këtë moment të furishëm e kap bëmën e Terencio Toçit studjuesi Françesko Fabrikatore në librin e tij “Kontributi arbëresh në çështjen shqiptaro-ballkanase” dhe e interpreton në gjestin e tij më të bujshëm të vitit 1911. Ai mund edhe ta analizonte jetën e arbëreshit të furishëm edhe gjatë viteve njëzetë, si bashkëpunoi me Ahmet Zogun apo pranoi poste të larta me fashistët italianë. Tridhjetë e nëntë vjeçari, profesor historie në një institut të Kozencës, zotëron dokumenta të tilla me të cilat ai mund në mënyrë të autoriteshme të shpjegonte dhe sqaronte shumë nga gjestet e Terencio Toçit, por me të drejtë ka gjykuar të mos lërë të pësojë bjerrje nga kujtesa kombëtare vepra më e vyer e tij: ngritja e flamurit kombëtar.
Ky vullnetar i madh për zgjidhjen e çështjes shqiptare pas udhëtimit dy vjeçar nëpër diasporën e Amerikës u rikthye në Itali dhe në këmbëngulje për aksionin e tij të çlirimit të trojeve amtare u lidh në Romë me të birin e Xhuzepe Garibaldit, Riçotin. Ky vazhdonte veprën liridashëse të të atit dhe qe plotësisht dakord që të grumbullonte vullnetarë, t’i stërviste e t’i armatoste për t’i zbarkuar më pas në brigjet e Shqipërisë. Pikërisht kur dukej se gjithçka nga plani ishte gati dhe zbatimi i tij mund të niste Terencio Toçi kapërxeu detin dhe ngjiti malet e Shqipërisë së Veriut. I shoqëruar nga një shqiptar me emrin Sadri udhëtoi nëpër Kelmend, kapërxeu Drinin dhe mbërriti në Fan të Mirditës. Atë kohë ky qe një kryeqytet i vogël, pikë strategjike shumë e ndjeshme. Prej saj thirrja për kryengritje të përgjithshme të armatosur shpërndahej në të katër anët dhe grumbullimi i luftëtarëve bëhej me shpejtësinë e dritës. Qe vëndi i duhur për të lidhur Besën. Në manifestin e kryengritësve të Terenc Toçit thuhej “…që, deri sa të kem jetën, do të luftoj me shokët e mi për Flamurin shqiptar, … Nuk do të vras përveç se në betejë… Betohem se nuk do të bie i gjallë në dorë të turkut e t’u dorëzohem kërcënimeve e joshjeve të tij!”

Kuvendin e Besës arbëreshi e bëri më 26 prill 1911 në Bisak afër Oroshit. Në atë tubim bajraktari i Oroshit e ftoi të merrte drejtimin për krijimin e një qeverie të përkohshme. Më 28 prill Terencio Toçi i dërgoi një letër Riçoti Garibaldit duke e siguruar se thirrjes për kryengritje të armatosur i qenë përgjigjur tridhjetë mijë burra. Tashmë ai le të dërgonte menjëherë armë e vullnetarë italianë. Por nga përtej brigjeve nuk erdhi asnjë përgjigje. Kur u bë një kohë e gjatë heshtjeje Terencio mori rrugën për në Itali. Besonte se Riçoti nuk e kishte marrë mesazhin dhe se në fund të fundit nuk kishte hequr dorë nga ndihma për çlirimin e shqiptarëve. Kur u takua me të kuptoi se pati ndodhur gjëma. I biri i Garibaldit ishte tërhequr nga plani i tij, duke u munduar të shpjegonte se përreth po e kërcënonin grupe qeveritare të vendit të vet, nga Ballkani e pse jo edhe nga qendra e Evropës. Pas kësaj braktisjeje Terencio Toçin e kapi zëmërimi. Dëshmia gjendet në një intervistë të tij dhënë në qershor 1911 njërës prej gazetave më të njohura të vendit, “Giornale d’Italia”.
Në 15 korrik 1912, në pamundësi të rikthehej në Shqipëri, e ndihmoi atë duke themeluar në Romë, bashkë me birin e familjes së shquar arbëreshe të Argondicëve, Françeskon, “La Rivista dei Balcani”. E botonin dy herë në muaj.
***
Pikërisht në “Rivista dei Balcani” pas shpalljes së Pavarësisë nga Ismail Qemali Terencio Toçi shpalli opinionin e tij: “ Një popull që ka patur një qytetërim të madh… që ka penguar gjysmëhënën të kalonte Adriatikun… një popull që shkencëtarët e kanë përcaktuar si raca më e bukur dhe më e fortë e Ballkanit… nuk duhej të zhdukej.”
Ishte shumë i gëzuar. Pasi nuk mundi dot të luftonte me armë për çlirimin e Shqipërisë u mobilizua për forcimin e shtetit të saj të ri. Dëshira për t’iu përkushtuar trojeve amtare e futi në një fazë tjetër të jetës së tij mision. Në vitin 1913 erdhi sërish në mëmëdhe dhe u vendos në Shkodër. Duke e marrë shtysën nga mali i Taraboshit themeloi gazetën me të njëjtin emër, një e përditshme e cilësuar në historinë tonë si të para gazetë mirëfilli politike. Atje nuk i kurseu denoncimet për Bankën Kombëtare Shqiptare, më saktë për grupin e saj me kapitalistë italianë dhe austriakë, si edhe gabimet e rënda të natyrës politike dhe administrative që sipas gjykimit të tij pati kryer Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit. Duke shpallur se Italia qe mikja e natyrshme e Shqipërisë, vlerësim gjeopolitik nga i cili Terencio Toçi nuk hoqi dorë asnjëherë, denoncoi po ashtu diversionin e Fuqive të Mëdha ndaj saj, pa kursyer në disa raste as Romën zyrtare. Në 1 deri 4 mars 1913 ai ndodhet në ngjarjen më të madhe kombëtare të atyre çasteve, në Kongresin e Triestes, ku si figurë qëndrore lartohej Faik Konica. Gjithçka që në të u tha dhe u vendos në të mirë të ruajtjes së tërësisë së trojeve shqiptare Terencio Toçi e fiksoi me një saktësi shembullore e dashuri shumë të madhe në një relacion të hollësishëm. Është një dokument i rrallë, një pasuri e vërtetë historike.
Mirëpo kishte shkuar larg. Pati botuar madje edhe një libër të titulluar “Pazotnimi Shqyptar”, pra anarkia shqiptare. I mbajtur ndërkohë nën vëzhgim të rreptë policor në nëntor 1914 nëpërmjet një dekreti të posaçëm konsullor autoritetet e Romës e urdhërojnë të rikthehet në Itali. Kësaj rradhe nuk e lejuan të jetonte në kryeqytet. E kishin vlerësuar si një “revolucionar të rrezikshëm” prandaj edhe e internuan në vendlindjen e tij, në Strighari. Këtu në vitin 1915, i maskuar pas pseudonimit Milo Shini, publikoi një analizë të shkurtër me titullin “Shqipëria dhe shqiptarët”. Frymëzimin e kishte marrë prej ideve të Pashko Vasës. Disa muaj më pas e veshën ushtar dhe e dërguan në front. Ishte në përvlim jetësh Lufta e Parë Botërore. Megjithatë doli gjallë prej saj dhe në 17 gusht 1920, pasi kishte nxjerrë në dritë një organ shtypi të ri, “Italia dhe Shqipëria”, përherë me bindjen se të dy vendet janë bërë të duhen me njëri-tjetrin, kreu për të tretën herë atë veprim që e kishte ëndërrën më të madhe të jetës së tij: erdhi në Shqipëri. Kësaj rradhe që t’i shpëtonte syrit të keq të autoriteteve ia doli të siguronte përkrahjen e një ministri në qeverinë e Romës. Kështu rierdhi në Shkodër, ku nisi të ushtronte profesionin e avokatit. Ndërkohë i dëshiruar të mos mbetej jashtë çdo mundësie për të kontribuar, pra edhe jetës politike, u vendos në krahun e Ahmet Zogut. Iu duk politikan shumë interesant dhe nacionalist. Në nëntor 1921 mori përsipër detyrën e parë: u emërua prefekt në Korçë. Në shkurt 1922 u bë Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Egjipt. Në verë të po këtij viti ishte drejtor i Zyrës së Shtypit Shqiptar, me detyrë të bashkërendonte të gjithë sektorin e gazetarisë së vendit. Nën kujdesin e tij nisën të funksionojnë në Tiranë Agjensia e Shtypit Stefani dhe Agjensia Telegrafike Italiane. Në vitin 1923 u zgjodh deputet i Shkodrës. Kur më 31 janar 1925 i adhuruari i tij, Ahmet Zogu, hipi në pushtet u zgjodh kryetar i Kasacionit Penal. Më 26 nëntor 1926 Terencio Toçi dha ndihmë të dukshme për firmosjen e Traktatit të Miqësisë me Italinë, ndërsa kishte shkruar dhe botuar librin “E drejta penale”, vepër bazë për drejtësinë shqiptare. Ndërkohë mori pjesë në hartimin e Kodit Civil dhe të Kodit Tregëtar. Një vit më pas qe Sekretar i Përgjithshëm i Republikës Shqiptare. Tashmë ishte larguar nga Shkodra dhe sistemuar në kryeqytet. U vendos me banesë në atë pjesë e cila quhej Tirana Re. Fëmijët e tij, katër vajza, ndiqnin shkollën shqipe, kurse e jëma e tyre, italiane, lexonte abetaren shqip.
Mirëpo në qoftë se deri tani jeta e Terencio Toçit ishte e qartë për t’u kuptuar duke filluar nga ky çast nis ndërlikimi i saj. Ai lidhet ideologjikisht me doktrinën fashiste të ish-socialistit Benito Musolini. Nisi të përkthejë dhe botojë shumë fjalime të tij. Pastaj shkruajti një libër të tërë me titullin “Fashizmi”. Atë ia vlerësoi shumë edhe Mithat Frashëri, njeriu që më vonë do të themelonte Ballin Kombëtar.
Siç dëshmohet në zgjedhjen e re politike nuk ndikonte vetëm natyra e tij idealiste, por edhe sepse besonte se një Itali e fortë do ta mbronte Shqipërinë nga lakmia e pangopur e fqinjëve dhe se asaj do t’i ktheheshin më në fund trojet e plaçkitura. Terencio Toçi pranonte çdo bashkëpunim që i dukej se zgjidhte çështjen shqiptare. Ja përse ndërsa qe bërë publik libri “Fashizmi” nuk mungonte i shkruar prej dorës së tij edhe një gramatikë shqiptare e veçanërisht një “Gramatikë Italiane pa Mësues”. Tamam këtë vit intensiv dhe me sa duket kyç në jetën e tij, 1928, kur Ansambleja Kushtetuese më 1 shtator e shpalli Shqipërinë monarki demokratike, të trashëgueshme dhe parlamentare si edhe Ahmet Zogun mbret të të gjithë shqiptarëve, Terencio Toçi dha dorëheqje të prerë nga të gjitha postet publike. Iu rikthye punës së avokatit. Me shpirtin e tij rebel ky mund të qe momenti më se i duhur ta linte Shqipërinë dhe të rikthehej në Itali, por vendosi të bënte të kundërtën. Kërkoi nënshtetësinë shqiptare dhe emri i tij tashmë u bë thjesht Terenc. Qenë çaste kur edhe Ahmet Zogu mund t’i zëmërohej dhe hakërrehej, por as kjo gjë nuk ndodhi. Madje ky në vitin 1936 e ftoi të drejtonte Ministrinë e Ekonomisë. Arbëreshi i gatshëm t’i bënte mirë vetëm Shqipërisë e pranoi detyrën e re për hir të zhvillimit dhe forcimit të saj.
Dha dorëheqje në 31 maj 1938. Sapo kishte dorëzuar tek shtëpia shumë e njohur botuese italiane Mondadori në Milano dorëshkrimin me titullin “Mbreti i shqiptarëve”.
Me pushtimin italian të vendit nuk e fshehu gëzimin për marrjen e Kosovës dhe hapjen atje të shkollave dhe të administratës shqiptare. I dëshiruar për bashkimin territorial me Çamërinë megjithatë e kundërshtoi agresionin kundër Greqisë. Ndërkohë ndihet i irrituar nga sjellja e disa funksionarëve të lartë fashistë. Nuk i duken të përputhshëm me idealet e tij. I shkroi mëkëmbësit të mbretit, Jakomonit, se “duhej të shqetësohej nga varfëria cerebrale e disa zemërngushtëve e të sëmurëve nga daltonizmi politik, të cilët duan t’i caktojnë Italisë detyrën e padrejtë e të pafalshme, atë të varrmihësit të njerëzve të gjallë”. Ishte Jakomoni që e ftoi të qe kryetar i Partisë Fashite dhe Terenc Toçi pranoi me shpresë se nëpërmjet atij posti do të ndikonte në zvoglimin e dëmeve të pushtimit kundër Shqipërisë. I zhgënjyer, idealist e mbase edhe nacionalist gjer në iluzion, dy vite më pas, kur pa se qëllimet e tij të sinqerta nuk u përfillën, dha dorëheqjen nga kreu i partisë. Më 8 shtator do të hynin gjermanët dhe pritej të qenë shumë hakmarrës ndaj italianëve, ish-aleatëve të tyre tashmë të kapitulluar. Megjithatë në shtëpinë e Terenc Toçit nuk trokiti asnjë skuadër ushtarësh apo grup oficerësh të Gestapos. I tërhequr në punën e tij dhe pranë familjes botoi veprën “ Shqipja Arbërore”, vëllim rrëfenjash të vërteta, gjithsecila një himn për çështjen kombëtare. Në 17 nëntor 1944, në ditën e parë të çlirimit të Tiranës, në vend të ikte bashkë me të gjithë ata funksionarë të akuzuar se kishin bashkëpunuar me pushtuesit, qëndroi në shtëpinë e tij. Ishte i sigurtë se kishte bashkëpunuar me të gjithë për aq sa i bëhej mirë Shqipërisë dhe kur kishte kuptuar se qëllimet e tij të sinqerta qenë mashtruar ishte ndarë me kurajë prej të gjithëve.Terenci atë 17 nëntor, deri në çastin kur tek dera i trokitën një skuadër partizanësh, ishte shumë i bindur se gjithçka ishte një keqkuptim dhe sqarimi çështje orësh. Ai nuk e dinte se bashkë me të qenë arrestuar edhe dhjetra bashkëkombës të tjerë të njohur. Edhe gjatë muajve të hetimit arbëreshi Terenc Toçi nuk e kuptoi dot se nën vendimin e tre fuqive fituese të Luftës së Dytë Botërore për të ndëshkuar të gjithë kolaboracionistët e fashizmit ata që kishin marrë pushtetin në Tiranë po përfitonin të hiqnin qafe edhe opozitarët e tyre të ardhshëm politikë, ata që nuk do të pajtoheshin me vendosjen e diktaturës bolshevike. Ai, rebeli i përjetshëm, arbëreshi që të afrohej menjëherë sapo i premtoje se po punoje për Shqipërinë dhe që po aq shpejt e vendosmërisht të braktiste po të kuptonte se po veproje në dëm të saj, ishte njëri prej të padëshiruarve. Në gjyqin publik në ish-kinemanë “Savoja”, ndërsa altoparlantët jashtë saj zhurrmonin kundër “kriminelëve të luftës” dhe “tradhëtarëve të kombit”, Terenc Toçi, duke qenë edhe një avokat i sprovuar, u mbrojt me sa mundi. Ishte i bindur se gjyqtarët duhej ta dinin që në studimin e tij të titulluar “Gjysmë shekulli jetë ballkanike” kishte shkruar “Unë asnjëherë nuk pata besuar se qeveria fashiste e Romës ka dashur me të vërtetë të pushtojë Shqipërinë…. Kisha përshtypjen se ushtria italiane po vinte të çlironte kombin shqiptar nga sistemet qeveritare që po e asfiksonin”. Terenc Toçi shpresonte se ata që drejtonin gjyqin, ku kishte aq shumë zell hakmarrës Koçi Xoxe dhe kërkonte shpagë Bedri Spahiu, gjenerali partizan që me familjen e tij të madhe prej dhjetë frymësh kishte zënë shumicën e dhomave të vilës së tij, duke lënë në një qoshe të saj gruan dhe fëmijët, kishin lexuar tek “Hylli i Dritës” apo “Dituria”, tek pati thënë “Fashizmi nuk ka shpikur asgjë të re…, por ka vrarë tri gjëra Gabitjen e tokave të të tjerëve, vjedhjen dhe mbytjen e lirisë së kritikës së popullit. Ka lindur mirë, por u zhvillua dhe vdiq keq. Në falimentim!” Në atë gjyq me vendime të paracaktuara politikisht Terenc Toçi nuk mund ta besonte se askush prej podiumit nuk e dinte se qe autor i kaq shumë librave dhe se biblioteka e tij prej pesë mijë vëllimesh, mes tyre edhe të botuara para vitit 1500 apo edhe me përgamene, qe një pasuri e madhe kombëtare.
Por u dënua me vdekje, bashkë me gjashtëmbëdhjetë të tjerë. I hipën në një kamion. Qe 14 prill 1945. U lanë me gjak në orën 19.00. Pastaj trupat i hodhën në një varr të fshehtë, i cili u gjet vetëm pas më shumë se një gjysmë shekulli. Madje gjetjen e eshtrave të arbëreshit Terencio Toçi e njoftoi edhe agjensia italiane e lajmeve, Ansa. E botoi po ashtu edhe e përditshmja italiane “Gazzetta del Sud” si edhe e përhapi ëebsite i njohur “ëëë.arbitalia.it” e kantautorit Pino Kokoca. Por për më shumë nuk pati jehonë mes arbëreshëve. Shumica e tyre akoma ruanin në kokë skemën politike të ardhur dikur nga Tirana e “diktaturës së proletariatit”, sipas të cilës edhe ambasada në Romë deri në vitin 1990 nuk lejonte asnjë arbëresh me mbiemrin Toçi të vizitonte vendin e të parëve.
***
Françesko Fabbrikatore më pati shkruar se nuk mund të zgjatej më shumë ky paqartësim mbi jetën e një arbëreshi shumë patriot. Para se të më dërgonte mesazhin se “Shumë nuk e dinë që Toçi para se të vdiste kishte dëshiruar që bashkë me nipin e Garibaltit, Riçotin e Ri, të përmbyste regjimin fashist, por nuk ja dolën dot për shkak të disa ngjarjeve luftarake” unë e kisha besuar në gjithçka që në librin e tij “Kontributi arbëresh në çështjen shqiptaro-ballkanase” shkruante. Ai është një studjues shumë serioz edhe kur më ka shpjeguar se arbëreshi dhe njëkohësisht nënshtetasi shqiptar Terenc Toçi “ishte shembulli klasik i “fashistit” nacionalist, pra njëlloj si Benedeto Kroçe dhe Gabriele D’Anuncio, nacionalistë rilindas të mbushur me kombëtarizëm garibaldin…”. Unë i besoj Françesko Fabrikatores edhe ku më shkruan se jetëvrari Toçi “në thelbin vet u tranformua në “fashist”, për të shpëtuar Shqipërinë nga “peshkaqenët” e tjerë”.
Mirëpo Terenc Toçi, kjo jetë e ndërlikuar dhe e lehtë për t’u keqkuptuar e falsifikuar, akoma është e mbuluar me gjak dhe me baltë. Duhen hequr e fshirë nga fytyra e tij edhe gjaku edhe balta. Dielli le të bjerë shndritshëm mbi të, si mbi mermerin e një statuje!

Filed Under: Histori Tagged With: pushkatimi i nje arbereshi, Ylli Polovina

Gencin dhe Vilsonin i kishin vrarë atë natë të nxehtë e të errët korriku

July 16, 2013 by dgreca

Shkruan: Bedri Blloshmi/

Errësirrë, heshtje, mesnatë, dhimbje, shpresë. Do të vijë vdekja apo jeta.Më 18 korrik, në birucën nr.8 ku më kishin mbyllur mbas dënimit me disa të dënuar të tjerë, polici solli të dënuarin Rustem Dashi. Ai kishte qëndruar për 35 ditë në të njëjtën qeli me Vilsonin. E kishin çuar të kujdesej për të. Mbasi e kishin lidhur kokë e këmbë në qelinë nr.2 duke qëndruar shtrirë. Sapo më pa, Rustemi m’u afrua më dha dorën dhe filloi të më tregonte:

-Rustemi më tha që isha ca ditë me Gencin. Ishte shumë i mërzitur: I thash: -o Genc pse … ti si kishe bërë ato që the tani, ç’të gjeti. – Ti e di se këta kanë inatin e babait, se kapën dot atë kur vinte dhe tani do i paguash ti. A të kujtohet çfarë deklarove në sallën e gjyqit? Pse e bëre? Ti kurrë s’i ke bërë ato që the, apo jo? Po s’i kam bërë por …”

Vilsonin e kishte prerë lodhja nga qëndrimi shtrirë. Kur mpihej në njërin krah Vilsoni më lutej ta ktheja në tjetrin. Bënte shumë vapë dhe trupi i djersitej. Flokët i binin vazhdimisht. Të dy supet i ishin rrjepur nga që rrinte vetëm shtrirë. Duart i mpiheshin dhe më duhet të them se njërën prej tyre e kishte gjysmë të paralizuar që nga torturat e Tiranës. Gishtat e duarve kishin filluar t’i nxiheshin. Kishte plagë tek supet, krahët dhe kofshët. Ishin bërë 35 ditë që kur e kishin lidhur duar e këmbë dhe me helmetë në kokë. Isha zgjuar porta e hekurit kërciti me një zhurmë rrëqethëse. Dikush në korridor mbylli sportelet. Qetësi. Asnjë fjalë. Vetëm hapa të rëndë dhe zhurma e këpucëveme gozhdë. Dera e birucës nr.1 u hap. Pas pak u hap porta e madhe e cila të conte jashtë. Me sa kuptova aty po ndodhte diçka. Dëgjoheshin vetëm hapat dhe asnjë zë. Mendova se mos kishte ardhur falja dhe Gencit ia hoqën prangat. U dëgjuan zëra që pëshpëritnin dhe hapa që po afroheshin. Shuli i derës së birucës sonë kërciti me një zhurmë po aq rrëqethëse dhe dera u hap. Përsëri mendova se meqë erdhën tek ne, i kishin falur jetën edhe Vilsonit. Ai rrinte shtrirë dhe i përgjumur nga mpirja me kurriz nga dera. Sapo dera u hap Vilsoni lëvizi, u mbush me frymë, bëri të shtrijë këmbët, por zinxhiri nuk e lejonte.

– Rustem, – foli ai, – kush është? Pse u hap dera, u gdhi?Do shkojmë në banjë?

Unë kisha ngrirë me shikim nga hapësira e derës që e zunë disa civilë.

Brenda u futën Selimi, hetuesi Lulo Ymeri, shefi i policisë Nazmi Kodra dhe përgjegjësi i birucave. Shefi i hetuesisë i qeshur e me llërë përveshur, hë – i tha Vilit, -të pata thënë, ja fundi . Korridori ishte plot me policë e civilë. E ktheva Vilsonin dhe ia fërkova duart si zakonisht. Pastaj e ngrita dhe e mbështeta pas murit. Kur ata ia zgjidhën këmbët dhe i hoqën litarin që mbante të lidhura bashkë duart e këmbët, u binda plotësisht se e kishin falur. Unë shtanga. Rrija mbështetur pas murit dhe nuk arrija të lëvizja as qepallat. Më parë kisha dëgjuar se kur i kishin dënuar me vdekje dhe iu kishte ardhur falja, policët vinin në birucë, i hiqnin hekurat dhe kryetari i degës i komunikonte vendimin. Kurse atë natë askush nuk po fliste. Vetëm vepronin në heshtje. Ia zgjidhën këmbët, por duart jo. S’po e kuptoja ç’po ndodhte. Kishin vendosur ta vrisnin? Jo, jo! Kjo gjë s’kishte pse të ndodhte. Vilsoni nuk kishte bërë asgjë për ta vrarë. Ai kishte lexuar vetëm libra. E kapën për krahësh dhe e ngritën më këmbë. Drejt derës kur po dilte, i hodha xhaketën krahëve. Ai u kthye nga unë dhe më pa në sy pa iu dridhur qerpikët e më tha:

– Rustem, ma bëj hallall shërbimin që më ke bërë gjithë këto ditë. Të lutem, ma bëj hallall! Të jam mirënjohës deri në këto momente të fundit të jetës.

– Unë ngriva në vend. Po e merrnin me lidhur përpara dhe helmetën në kokë. Buza më dridhej dhe nuk arrita t’i them asnjë fjalë. Lotët filluan të më rridhnin faqeve. – Rustem, po të le një amanet. – vazhdoi Vilsoni. – Kur të dalësh nga burgu, të shkosh në familjen time e t’u thuash se nuk i kam turpëruar. Akuzën nuk e pranova sepse s’kam bërë asgjë. Ne ishim bashkë në gjyq. Këto që po të them janë të vërteta, ti e di. Diana me gocën të shohin punën e tyre. Ky qe fati im. Me fatin nuk luftohet. Këto do t’ua thotë edhe Bedriu kur të lirohet, por atë e kanë dënuar shumë dhe si dihet… Edhe një herë: Ma bëj hallall Rustem! Lamtumirë! Lamtumirë! Ktheu kurrizin dhe mua më ngelën sytë tek duart e prangosura dhe kyçi që varej në prangat.

– Hajde tani, -bërtitën policët që e mbanin për krahësh.

U dëgjua zhurma e shulit që mbylli derën. Më pas u dëgjua zhurma që lëshoi edhe porta e jashtme. Përsëri heshtje varri. Dëgjohej vetëm një gërhitje që vinte prej një biruce tjetër. Dikush flinte, ndoshta të gjithë, ndërsa unë jo. I rashë sportelit dhe i kërkova policit një cigare që s’vonoi të ma sillte. Ulur në dyshemenë e birucës thithja cigaren papushim duke parë vendin ku kishte qënë shtrirë Vilsoni dhe tani bosh. Më bëhej sikur Vilsoni më thoshte: – Rustem u mpiva, shpatullat me dhembnin shumë, shikoja përreth por asgjë nuk shikoja. Prapë zë, hapa të rëndë. Veshët më buçisnin. Rustëm ma bëj hallall, thuaju në shtëpi kur të lirohesh… U ngrita në këmbë, u afrova atje ku ishtë shtrirë Vili. Dërrasat ishin akoma të nxehta jo nga vapa , por nga trupi i tij. Një batanije rrinte e hapur ashti siç Vili kur e morën. Si të bëja? Vendi s’më mbante. Nganjëherë mendoja ishalla i kanë thirrur lartë në zyrë për t’i komunikuar fajin. S’e di, po përse? Çfarë të besoja? Mendimi më ishte turbulluar. Përse më tha Vilsoni kur të lirohesh shko në shtëpi? E kuptoi Vilsoni që e morën për ta vrarë? Po përse po e vrasin, për librat, për përkthimet? Jo, kjo s’është e mundur! Isha krejt i përhumbur dhe vetëm kërcitja e shulave më bëri të kuptoj se dita kishte zbardhur. Kur dola në banjë i thashë policit të më hiqte nga ajo qeli sepse nuk mund të qëndroja më aty. Dhe ata më sollën në këtë birucë. Ah, more Bedri! S’ke ç’të bësh, bëhu i fortë, më keq është për prondërit, gocën e vogël që s’e pa asnjëherë, Diana tani ku do mbytet?

U shqetësova jashtë mase nga rrëfimi i Rustemit për vëllanë. U binda se Vilsoni dhe Genci tani nuk jetonim më. Izolimi në birucë sa vinte dhe më bëhej më i pa përballueshëm. Sa herë dilja për në banjë hidhja sytë në fund të korridorit tek birucat 1 dhe 2. E dija që ata s’ishin më…

Nuk mbaj mend se pas sa ditësh të rrëfimit të Rustem Dashit i kërkova përgjegjësit të birucave të më largonte një orë e më parë prej aty. Nuk mund të qëndroja më në atë vend, më bëheshin zëra, të kolliturat si të gencit ashtu dhe të Vilsonit. Zhurma e zinxhirëve kur i zgjidhnin tek dera e banjës përballë biruces time. Çdo ditë hidhja sytë nga birucat e tyre, por asnjë shenjë polici s’kishte. Unë nuk doja ta besoja, por ajo ishte e vërtetë. Kishte mbërritur vdekja. Pas disa ditësh më nxorën nga dhoma, më hodhën prangat, më hipën në një makinë të veshur me llamarinë. Pas disa orë udhëtimi, u ndalëm dhe zbrita në një oborr të rrethuar me tela me gjëmba. Përmbi murin e lartë ngriheshin karakollet me ushtarë në gadishmëri me kallashnikovë në doprë e gishtin në këmbzën e shkrepjes. Godina e verdhë tri katëshe quhej “kaush”. Aty mësova se isha në burgun e Tiranës.

Shënim: atë natë policët më dhanë ushqim me forcë. Rash në gjumë i vdekur. (Ata diçka më hodhën në ushqim.) Kur u ngrita në mëngjes për të shkuar në banjë, hodha sytë nga birucat e Gencit dhe Vilsonit, por polici nuk ishte. Më ra të fikët. Të nesërmen në darkë munda të dilja pak nga kllapia. Gencin dhe Vilsonin e kishin vrarë atë natë të nxehtë e të errët korriku.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Bedri Blloshmi, korrik, pushkatimi i poeteve

JOSIF PANI-PUBLICIST ATDHETAR I KOLONISE SHQIPTARE AMERIKES

July 16, 2013 by dgreca

Nga Prof. Thanas Gjika/

Midis bijve të shquar, që i ka dhënë Dardha e Korçës historisë sonë kombëtare, është edhe Josif G. Pani, i cili tërë jetën punoi për mbarëvajtjen e shoqërive patriotike në ShBA, si “Besa-Besën”, “Mbleta” e “Vatra” dhe për propagandimin e ideve patriotike me anë të gazetave “Kombi”, “Dielli”, “Koha” si dhe duke botuar gazetat e veta “Sazani”, në Worcester, MA, me 1917-1918 dhe “Drejtësia”, në Watertown, MA, me 1920. Ky punëtor i thjeshtë, që e la fshatin për te marrë rrugën e vështirë të kurbetit, vetëm pasi kishte mbaruar shkollën fillore në gjuhën greke, na bën me turp ne mërgimtarëve të sotëm, që kemi mbaruar gjimnaze e fakultete të larta, por që po aktivizohemi me shumë ngadalësi në lëvizjen patriotike të këtushme, me shumë kursim po i japim dollarët për të ndihmuar vëllezërit tanë të Kosovës martire, apo për të paguar kuotat e shoqërive, që kanë krijuar me aq mund mërgimtarët e mëparshëm, apo ndihmat për të mbajtur e për t’i shtuar institucionet fetare, që na nevoiten për edukimin tonë dhe të fëmijëve tanë…

Josif Pani lindi në fshatin malor të Dardhës, ku banorët mezi nxirnin bukën me bagëtitë e pakta që mbanin dhe me zanatet e druvarit e të qymyrxhiut, me 1868. Dardharët para se të mbushnin moshën për të shkuar asqer në ushtrinë osmane niseshin për kurbet në Greqinë e afërt, ku mërgimi bëhej me mushka e kuaj, që i merrnin për të punuar si druvarë e qymyrxhinj. Mirëpo Greqia nuk ishte në atë kohë një vend ku mund të bëjë para dhe, për më tepër, duhej të duroje përrallat e dhaskenjve e të priftrinjve, të cilët me një pasion të veçantë, të çanin kokën duke të thënë se të gjithë shqiptarët ortodoksë janë grekë, që e kanë harruar gjuhën greke dhe tani flasin shqip, shqipja duhet braktisur si gjuhë e pazhvilluar dhe duhet folur e shkruar vetëm greqisht, se kjo gjuhë është gjuha e kulturës, gjuha e kishës, gjuhë e tregëtisë, etj., etj.

Josifi e provoi kurbetin e Greqisë, ku vente e vinte; por mbasi u bë me fëmijë, e kishte të vështirë të mbante familjen me punët e krahut në Greqi, prandaj me 1904 u nis për në kurbetin e ri, në ShBA, ku vërtetë puna ishte e rëndë nëpër fabrika e punishte, por edhe paga ishte më e mirë dhe mund të fitoje mbas disa vjetësh ca para për të blerë një shtëpi, ca tokë e disa bagëti. Shumica e shqiptarëve kishin filluar të mërgonin në këtë kohë në New England, sidomos në Boston e rrethinat e tij. Këtu erdhi edhe Josifi, ku u lidh me bashkëfshatarë dhe me drenovarë, katundallinj, trebickallinj, treskallinj, panaritas, të ardhur para tij. Dardharët ranë në sy të parët për përpjekjet e tyre për t’u organizuar në Boston e për të botuar gazetë shqipe në mërgim. Me 15 qershor 1906, bashkëfshatarët e tij, Sotir Peci, si editor, dhe Gjergj Konda Gjonleka si manager, në bashkëpunim me Eftim Nacin nxorën të parën gazetë shqipe në Amerikë, gazetën “Kombi”. Josifi ia filloi punës për të popullarizuar idetë e gazetës, filloi t’u lexonte shokëve të konakut ku jetonte çdo numër të “Kombit”, t’u mësonte atyre shkrim e këndim me faqet e kësaj gazete, të jepte ndihmat e tij për botimin e mëtejshëm të saj e të mblidhte ndihma tek të tjerët. Duke dashur të shprehte dufin që i zjente nga brenda, për t’i parë shqiptarët të bashkuar e Shqipërinë të lirë, filloi të provojë veten duke shkruar artikujt e parë me temë nga lufta kundër propagandës grekomadhe e për sqarimin e detyrës që kishin shqiptarët si bij të një nëne të bashkoheshin e të luftonin të gjithë tok kundër armiqve të çështjes kombëtare.

Punën e bashkëpunëtorit në shtypin shqiptar të kolonisë, ai do ta vazhdonte edhe në faqet e gazetës më të rëndësishme “Dielli”, në vitet e para të botimit të saj dhe në faqet e gazetës “Koha”, që nxori atdhetari Mihal Grameno, në Jamestown, NJ, me 1915-1919.

Josifi, i shtytur nga zjarri i atdhedashurisë, më 1 janar 1917, botoi broshurën “Adriatiku dhe Lufta Evropiane”, ku sqaronte se Lufta e Parë Botërore u shkaktua nga lakmia e qeverisë serbe për të dalë në detin Adriatik. Përsa i përkiste Shqipërisë, kyçit të Adriatikut, Josifi si edhe Kristo Dako e të tjerë mendonin se nuk mund t’u jepej, mbas luftës, as Italis as Greqisë e as Serbisë, po do të bëhej shtet më vete, siç u njoh me 1912. Jepte, pra, kurajo në ato kohë të vështira, kur pushtimi i vendit nga ushtritë e vendeve ndërluftuese kishte krijuar një hamulli dhe dëshprim të përgjithshëm për fatet e nesërme të Shqipërisë së shumëvuajtur, të cilën le që e krijuan me gjysmën e territoreve e të popullsisë së saj, por tani po kërcënonin edhe ekzistencën e saj. Për t’i bërë me të njohura idetë e tij kundër lakmive të shteteve fqinje, ai botoi në Worcester, MA, gazetën e tij “Sazani”, nga tetori 1917 deri në fund të marsit 1918, në shqip e anglisht, gazetë e përdyjavshme, me ndihmën edhe të miqve të tij Ilo Pano si manager, Zisi Stavre, si sekretar, Kosta Pano, si arkëtar dhe të birin, Vasilin, që kish riardhur në kurbet, si radhitës dhe reporter.

Josif Pani së bashku me Mihal Gramenon dhe Jorgji Sevon, në vitet 1917-1920, u quajtën në shtypin e atyne viteve si “bolshevikë” sepse përqafuan disa ide socialdemokrate, që vlonin aso kohe në shtypin amerikan dhe në atë evropian. Duam të sqarojmë këtu se të përqafoje në atë kohë ide të tilla mbi barazinë njerëzore, mënjanimin e shfrytëzimit të njeriut nga njeriu, zbatimin e një reforme agrare me shpërblim e të tjera, ishte diçka përparimtare dhe nuk kishte të bëjë aspak me socializmin si ideologji e partive komuniste te mëvonshme dhe me diktaturën e proletariatit si formë shteti që u aplikua më vonë në Evropen Lindore.

Disa ide të shprehura nga Josifi lidhur me synimet grabitqare të fqinjve tanë janë aktuale edhe sot. “Serbët i njohim që janë, i dijmë që i kemi armiq të mërzitshëm, të liq e shekullorë”, shkruante ai, me 1915, kur ushtria serbe u vërsul mbi Shqipërinë e Veriut, para se të pushtohej Serbia nga ushtritë austro-hungareze, dhe vijonte: “Programi i tyre është të na shuajnë fare nga faqe e dheut.” Po kështu me vlera për sot është edhe këshilla që u jepte ai lexuesve të vet: “Sot nuk është koha të merremi me gjëra personale, kur armiqtë shekullorë po na përgatisin varrë, sot është koha të përqafohemi, muhamedanë e të krishtërë si vëllezër që jemi prej një babe e një nëne, në duam lirinë e atdheut, në duam Shqipëri për shqipëtarët.”

Me 1922, mbasi kishte dhënë ndihma të shumta në dollarë për më se 18 vjet për çështjen kombëtare, mbasi kishte luftuar për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare tek mërgimtarët me fjalime e artikuj gazetash, Josif Pani u kthye në atdhe për të shpënë ato pak dollarë që kish kursyer në fshatin e lindjes, ku ndërtoi shtëpinë, shtoi arat e bagëtinë, martoi vajzat dhe vijoi punën për zbukurimin e Dardhës, për ta bëre këtë fshat një pikë turistike për mbarë Korçën. Kështu i mbylli vitet e fundit xha Josifi, duke punuar falas me bashkëfshatarët për ndreqjen e rrugëve, kopshteve, kishave të fshatit, etj. Endrra e tij për ta bërë Dardhën një fshat të punësuar në Amerikë ishte bërë realitet: me paratë që dërgonin djemtë nga kurbeti ishin ndërtuar shtëpi me gurë të skalitur, ishin shtruar rrugët e fshatit me kalldrëme, ishin ndërtuar çezma me ujë të bollshëm në çdo rrugë; kishat organizonin piknikë ditët e shënuara, kur mblidheshin dardharët e korçarët me ato këngët e bukura e mishrat e pjekura; grupe të rinjsh këndonin serenata në mbrëmjet e beharit. Ndryshimi ishte shumë i madh nga jeta që la Josifi kur shkoi në kurbet.

Josif Pani vdiq me 14 maj 1934, i nderuar nga gjithë populli i zonës së Devollit të Sipërm dhe i Korçës, sepse të gjithë e dinin se xha Josifi jo vetëm kishte qenë një punëtor i ndershëm dhe ndihmëtar i madh i “Vatrës” dhe i “Diellit”, por kishte qenë edhe një mik e bashkëpunëtor i afërt i gjigantëve të Amerikës, i Sotir Pecit, Fan Nolit, Faik Konicës, Kristo Dakos e të tjerëve, që ndihmuan aqë shumë për çështjen shqiptare. Varrimi i tij u kthye në një manifestim popullor, sepse populli di të nderojë jo vetëm burrat e mëdhenj që bëjnë histori, por dhe të gjithë ata që punojnë me gjithë zemër e pa inrteres për të mirën e atdheut… I tillë ishte edhe xha Josifi, të tillë e edukoi djalin e vetëm, i cili, si e dimë e mbajti “Vatrën” me shpenzimet e veta për më se 16 vjet.
*    *    *

Në mbyllje të këtij artikulli përkujtimor, dua të falënderoj z. Sotir Pani, nip i të ndjerit Josif, për punën e madhe që ka bërë në Tiranë, Korçë e Dardhë për të ruajtur koleksionet e gazetave, për të mbledhur artikujt e gjyshit e të babait të tij, fotografi e relike të tjera me vlera muzeale, të cilat na i ka vënë në dispozicion sa herë që na janë dashur për të shkruar për këta patriotë dhe për të tjerë, vepra e të cilëve është e lidhur me jetën e Josifit e të Vasil Panit.

Në Shqipëri, jo vetëm intelektualët si Skënder Luarasi, që mblodhi shkrimet e të atit, por edhe shumë bij e bija patriotësh, që nuk kishin formin filologjik e historik, i futeshin punës dhe i mblidhnin shkrimet e prindërve e të gjyshërve të tyre, për t’i pasur si materiale me vlerë për historinë e familjeve të tyre dhe të të gjithë shoqërisë. Më kujtohet ingj. Skender Dako, i cili me vite të tëra punoi për të kopjuar shkrimet e babait dhe të nënës së tij, Kristo e Sevasti Dako dhe të tezes, Parashqevi Qiriazi, punë me të cilën i nxori ata nga harresa, ku donte t’i hidhte diktatura komuniste. Kështu punonin edhe shumë të tjerë; por këtu në ShBA, ku njerëzit janë të dhënë shumë pas fitimit, shohim se ruajtja e dokumantave familjare nuk vlerësohet sa e si duhet dhe, me vdekjen e pleqve, fëmijët i hedhin si gjëra pa vlerë koleksionet e gazetave, artikuj e fotografi të ndryshme, të cilat e kanë vendin shumë shpejt në një muze të emigracionit shqiptar në Amerikë. Me këtë rast, dua të falënderoj disa miq që kam njohur, si zonjat Sara Panariti, Dhimitra Peters, Viktoria Peters, Ofeli Shaban. Mary Quen, Marika Naum, Lillian e Dollores Steven, Georgia Drenova dhe zotërinjtë Vangjo Naum, Bobi Steffo, Gaqo Mborja, Sejfi Protopapa, etj., që i ruajnë materialet me vlera historike. Një gjë të tillë duhet ta bëjnë të gjithë, sepse pothuaj çdo familje ka gjëra me vlera për muzeun e ardhshëm(Dielli-arkiv)

Caption:Josif Pani, ish kryetar i Besa-Besen me Faik Konicen, 1909

Filed Under: Histori Tagged With: atdhetar, Josif Pani, Josif Pani Publicist, publicist, shqiptaret e Amerieks, Thanas Gjika

Polemika mes Çekrezit dhe Metaksas: “Jam shqiptar ortodoks”

July 16, 2013 by dgreca

Shkroi per The New York Times Kostë Çekrezi /

NEW YORK – Ju lutem ju, Zotëri, të më lejoni të them pak fjalë në përgjigje të kritikave të mprehta rreth artikullit tim për Shqipërinë, i cili është publikuar në “The New York Times”, të shtunën, më 20 tetor, të bëra nga J. N. Metaksa, i Dërguari Diplomatik i Greqisë në misionin special në ShBA rreth letrës së tij, e cila ishte publikuar në edicionin e të shtunës së kaluar, si dhe të korrigjoj përshtypjen e gabuar të krijuar në mendjen e tij rreth disa qëndrimeve të mija të shprehura këtu.
Por, përpara se unë të vijoj çështjen kryesore, e cila trajtohet jashtë letrës time të tanishme, unë dëshiroj ti shpreh Ekselencës së tij, në emër të bashkatdhetarëve të mijë, falënderimet e përzemërta për haraçin e tepërt që ai lëshoi ndaj tyre, me të tilla fraza tejet të ndjeshme në lidhje me përpjekjet e tyre vërtetë heroike, në mbrojtjen e vendit të tyre dhe të pavarësisë së tyre,
Dhe tani më lejoni të merrem me kritikat e tij. Në letrën e tij, Zoti Metaksa, në mënyrë të ndërgjegjshme, është duke u orvatur të më paraqesë si mbështetës i një protektorati italian mbi Shqipërinë. Në lidhje me të, artikullin tim dhe qëndrimin e thjeshtë, unë e shpreha këtu, dhe thashë se “shqiptarët janë duke u përpjekur për të njohur pavarësinë e tyre” dhe se “ata nuk do të gëzohen me asgjë tjetër, përveç saj”. Kjo dëshmon tërësisht mungesën e themelit të akuzës së zotit Metaksa, të bërë kundër meje. Mbase, unë mund t’i jap atij mirësinë të dyshojë që ai të shohë të ketë ndonjë ç’orientim nga ndonjë qëndrim tjetër i imi, pasi në njërin prej tyre unë isha shprehur se “shqiptarët, sigurisht, kanë nevojë për një lloj mbrojtje (protection) për shtetin e tyre të ri, dhe sidomos aktualisht, dhe një dorë orientuese në menaxhimin e çështjeve të tyre, ashtu siç kanë bërë të gjithë shtetet e Ballkanit në kohën e krijimit të tyre”. Më pas, zoti Metaksa duket se këtë e konsideron si një pranim nga ana ime të një protektorati italian mbi Shqipërinë, ndonëse ai, natyrisht është i informuar se konceptet “mbrojtje, – protection” dhe “varësi-protectorate” nuk janë njësoj, pavarësisht faktit se unë bëra lidhjen me Italinë. Në ndonjë nivel, diplomati energjik grek e sulmon idenë e mbrojtjes, të cilën ai e quan një “shprehje hipokrite”, duke shtuar se nuk është e vërtetë që Shtetet e Ballkanit kanë pasur ndonjë mbrojtje të tillë dhe përmend si shembull konkret rastin e Greqisë.
Në realitet ky është një argument tejet i vajtueshëm pasi Zoti Metaksa duket se e ka harruar se Konventa e Londrës së vitit 1829, e cila njohu pavarësinë e Greqisë, u krijua nga Britania e Madhe, Franca dhe Rusia, si “fuqitë mbrojtëse” të Greqisë, dhe që Rusia Perandorake, gjithmonë ka shprehur një mbrojtje tejet vigjilente ndaj Shteteve Sllave të Ballkanit dhe për disa kohë edhe ndaj Greqisë, si një veprim arrogant frikësues kundër Sulltanit. Për më tepër, unë dashuroj të pyes zotin Metaksa për çështjen, si më poshtë: Nga kush dhe për çfarë qëllimesh Mbreti i Bavarisë dërgoi në vitin 1835 drejt Greqisë një ushtri të tërë bavareze?
Siç unë dëshiroj të jem i ndriçuar, unë do t’i them sinqerisht zotit Metaksa se shqiptarët dëshirojnë të kenë një mbrojtje të tillë dhe se ata e kanë më shumë të nevojshme atë, edhe për shkak të veprimeve të tilla siç është ky i një përfaqësuesi qeveritar si Metaksa. Sigurisht, diplomati grek nuk ka harruar se sipas marrëveshjeve të Aleancës Ballkanike të vitit 1912, Greqia, Bullgaria, Serbia dhe Mali i Zi kishin ndarë mes tyre të gjithë Shqipërinë. Çfarë është akoma më e keqe, ndarja ishte vendosur pikërisht në momentin kur shqiptarët kishin fituar, me majën e bajonetës, autonominë administrative të tyre nga “dhuna mizore turke, siç e thotë Metaksa.
Por, një tjetër argument bindës që jepet për mbrojtje nga vetë Zoti Metaksa është kur ai duket të jetë i prirur që të ringjallë pretendimet greke ndaj Shqipërisë së Jugut, apo siç e quan ai Epiri i Veriut.
Ashtu si unë, duhet ta dijë edhe zoti Metaksa se sanxhakët e Gjirokastrës dhe Korçës janë të populluar kryesisht nga shqiptarët. Unë, sigurisht, se duhet ta dijë sepse për veten time jam me rrënjë nga Shqipëria e Jugut dhe për shkak se vendlindja ime është Korça. Më pas, çfarë unë di, dhe çfarë bota ka mësuar, është se sanxhakët e Gjirokastrës dhe Korçës nuk kanë popullsi vendase greke. Realisht, ato janë të banuara nga popullsi shqiptare, e përzier myslimanë dhe kristianë dhe kjo nuk është një lojë e sigurt; të quash “grekë” shqiptarët kristianë, thjeshtë se ata besojnë tek Kisha Ortodokse Greke. Rastësisht, unë jam njëri prej tyre. Më pas, pretendimet absurde që zoti Metaksa bën në lidhje me Shqipërinë e Jugut janë se kërkon shumë mbrojtje, të cilan ai i kundërshtoi vendosshmërisht.
Ne shqiptarët nuk dëshirojmë asgjë tjetër, por të jetojmë në paqe dhe harmoni të përsosur me fqinjët tanë, dhe mund të mirëpresim rastit të bëjmë edhe pa ndonjë mbrojtje të fuqive të huaja, megjithë eksperiencat e hidhura që kemi kaluar me fqinjët e Ballkanit dhe në mënyrë të veçantë nga diplomacia greke. (Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 3 Nëntor 1918 )

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: me Metaksan, polemika e Cekrezit

Intrigat politike të Kishës Greke

July 16, 2013 by dgreca

Nga Agim Bacelli /

Noli nuk veproi vetëm në shpalljen e pavarësisë së Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Vërtetë ai ishte Ylli i Mëngjesit, që paralajmëroi një ditë të bukur shqiptare, por para tij, në natën e errët shqiptare, qindra yje do të paralajmëronin ardhjen e tij. Çdo gjë e keqe e ka një të mirë. Do të ishin intrigat e Kishës Greke ato që do të përshpejtonin lindjen e Kishës Autoqefale (Vetëdrejtuese) të ortodoksisë shqiptare.

Është folur e shkruar shumë që prej vitit 1907 kur ajo lindi, por materialet më interesante janë shënimet e z. Vangjo Miller të asaj kohe, që gjenden në arshivën e Zyrës Civile të qytetit Hudson Massachusetts, së bashku me materialin e regjistruar nga dita e varrimit të djaloshit 22-vjeçar shqiptar, Kristaq Thimi Dishnica, nga e cila po shkëpusim këtë fragment: “Name, Christo Thimi; born, Turkey, Town, Koritza; occupation, Shoe Worker; Age,22 years old; Died, August 25th, 1907; Burried, Hope Cemetery, Worcester, Mass.; Funeral Director, Michael McNiff”.

Hudsoni është një qytet i vogël industrial, që gjendet në qendër te shtetit të Massachusetts-it, dhe në mes të dy qyteteve me koloni të hershme shqiptare, siç janë Boston dhe Worchester. Shqiptarët e parë të këtij qyteti kanë qenë nga Korça,Voskopoja, Dishnica, Drenova dhe Përmeti, që bëheshin gjithsej, në atë Kohë, nja 30 familje.

Sipas Vangjo Millerit, shqiptarët e vjetër rronin me mendimin se Shqipëria dhe shqiptarët nuk mund të jetonin dot pa Turqinë (mendimi i myslimanëve), pa Vatikanin (mendimi i katolikëve) dhe pa Greqinë (mendimi i ortodoksëve). Kjo ishte, sipas Vangjos, arsyeja e errësirës shekullore që i mbajti shqiptarët jo vetëm të pushtuar ushtarakisht, por edhe nën ndikimet e kulturës vatikano- turko-greke, etj.

Këtu duhet të kërkojmë edhe një nga arsyet më të forta të shkëputjes me shumë vonesë nga robëria e huaj dhe shpalljen e pamvarsisë së vendit tonë. Ne jemi mësuar gabimisht me një propagandë, sikur shqiptarët ishin prijësit e lirisë dhe yjet e patriotizmit në Ballkan! Le të themi dy fjalë se kush ishte Vangjo Miller.

Ky ka qenë i pari shqiptar, sekretar i Kishës sonë Kombëtare Ortodokse dhe i pari inspektor i Federatës “Vatra”. I pari shqiptar që na ka lënë të shkruar në shqip dhe anglisht të gjithë dokumentacionin kishtar në Mass. Mendoj se të gjitha botimet e mëvonshme për themelimin e Kishës Ortodokse

Shqiptare, i janë referuar Imzot Nolit dhe jo Vangjo Millerit, që ishte i pari shqiptar që vendosi krijimin e kishës sonë ortodokse autoqefale.

Sidoqoftë, Noli ka vlerat e veta të mëdha në këtë drejtim, pasi ai, me iniciativën e Vangjos u bë prifti i parë shqiptar i Kishës Ortodokse dhe na dha dhe meshën

e parë, që është më 22 mars. Por, le të tregojmë shkurt historinë, sipas Vangjo Millerit.

Më 25 gusht 1907, papritur vdiq djaloshi 22-vjeçar, Kristaq Dishnica. Kisha Greke që kishte marrë përsipër gjer atëherë të bënte ritet fetare të varrimit, nuk pranoi ta varrosë të ndjerin, sepse ai, si shumë shqiptarë të tjerë të rinj që u ishte zgjuar patriotizmi i flaktë shqiptar, nuk pyesnin më për kishat greke dhe bënin luftë me prindërit e tyre, që të mos shkonin në kishën e armikut.

Trupi i të ndjerit po rrezikohej që të ngelej pa varrosur me ritet e kishës. Më në fund, një shqiptar nga Worchester-i, që quhej Risto Koki, shkoi dhe bisedoi me kishën siriane në këtë qytet dhe ja arriti qëllimit.

Trupi u transportua nga Hudson-i në Worchester, po as atje ata nuk jepnin priftin e tyre, sepse u trembeshin presioneve të grekëve dhe kishës së tyre! Shqiptarët e indinjuar dhe të fyer, erdhën në këtë varrim si asnjëherë tjetër. Ata erdhën nga Boston, Hudson, Marlboro, Natick dhe disa qendra të tjera të Mass.

Shumë prej të rinjve e kthyen këtë varrim në një protestë të fuqishme kundër Kishës Greke dhe u kërkuan prindërve që në mënyre urgjente të shkëputeshin nga kjo kishë. Për herë të parë, pleqtë mes lotëve, u dhanë të drejtë fëmijëve të tyre dhe u ndjenë krenarë për ata dhe u betuan se do të punojnë për këtë gjë.

Të gjithë prisnin më kot priftin që nuk vinte. Më në fund, vetë Vagjo Miller i drejtohet Kozma Angellos, një besimtari të vjetër të kishës, që të bëhej prift, pasi ai e fliste edhe greqishten. (Nuk mund të imagjinohej që fjalët mortore të priftit të thuheshin shqip!) Ai pranoi dhe e këndoi shërbesën e varrimit në greqisht. Varrimi u bë pa kishën. Në fjalën mortore që mbajtën shumë shqiptarë, u theksua me të madhe trajtimi djallëzor i Kishës Greke për shqiptarët, që kurrë nuk kishin pranuar ta quanin veten grekë.

Bile, aty u përmend dhe vrasja barbare e Spiro Kosturit dhe u tha hapur se e ka vrarë Fanari Grek. Zëra të fuqishëm u ngritën mbi varrin e Kristaqit se, “Kisha Shqiptare do të fitojë pamvarsinë nga Kisha Greke” dhe se, “Ne jetojmë në një vend të lirë, me demokraci të madhe, që na e jep këtë të drejtë që nuk u jepet vëllezërve tanë në Shqipëri”.

“Rroftë Shqipëria”! “Rroftë Amerika”! Menjëherë, nën iniciativën e Vangjo Miller, Rako Katundit, Kozma Angellos, Mitkë Dishnicës dhe Pandi Kristos, u thirr mbledhja e parë e shqiptarëve, për të themeluar Shoqërinë Kishtare Shqiptare.

Në mbledhjen e saj të parë u zgjodh një pleqësi, që përbëhej prej këtyre anëtarëve: Vangjo Miller, Mitkë Dishnica, Rako Katundi dhe Pandi Maliko. Puna e parë që bëri kjo pleqësi, ishte lajmërimi i të gjithë shqiptarëve të Bostonit, Hudsonit, Marlboros, Natickut, që të japin ndihmat e tyre materiale dhe morale për fillimin e ngritjes së kishës së parë shqiptare.

Të gjithë shqiptarët, pa dallim feje, iu përgjigjën thirrjes dhe dhanë shumë ndihma. Pas një jave u mbajt mbledhja tjetër e pleqësisë dhe aty u zgjodh prifti i parë shqiptar. Kandidatë ishin dy; Fan S. Noli i Bostonit dhe Petro Luarasi, i Klintonit. Fitoi Noli.

Anëtarët themelues të Kishës së Parë Shqiptare

Nga Hudson:Ilo Naum Qirani, Sotir Nano, Dhori Mitaçe, Dhori Koli, Zisi Ligor Kalo, Kozma Angelo, Koçi Bratko, Janaq Stefani, Kostë Papa, Vasillaq Jançe, Pandi Dishnica, Ndreçi Miller, Taq Miller, Nuçi Miller, Kristaq Puçi, Andrea dhe Anton Mullixhiu, Thoma Qafzezi, Ilo Kristo, Petraq Baze, Kostë Melçani, Vangjo

Minka, Jorgji Keçi, Paskal Aleksi, Stavro Aleksi, Mihal Dioni, Vani Koto, Ilo

Plasari, Zoi Petra, Vangjel Voskopoja, Thimi Gregor Përmeti, Loni Peristeri dhe

Vangjo Minka.

Nga Marlboro:

Perikë Kreshpani, Ndreko Kreshpani, Miçe Qiriako, Gaqi Koli, Kostë Rrapi

Dini, Ndreko Stavri, Koli Rodhe, Gaqi Qafzezi dhe Thoma Dishnica.

Nga Natick-u:

Pando Opingari, Dhori Bardhi, Miçe Bardhi, K.Ziko, Vaske Laze, Goni

Perçini, Kristaq Bratko, K.Xhindi, Nikollaq Sëndykçiu, Andrea Kristo

Qëndro, Kristo Kirka, Nick Dishnica, Nasi Aristidhi, Vani Ziko dhe Dh.Stathi.

Nga Boston:

Z.Ziko, Koli Kristofori, Sotir Peçi, Thimaq Naçi, Gaqi Iftica, Goni Katundi, Sotir

Lezi, John Ktona, Kozoja Josif Pani, Miçe Çikozi, Llambi Çikozi, Tasi

Çikozi, Gaqo Dushi, Nisi Ikonomi, Thanas Bodi, Aleks Bullgari.

Komisioni:

Komisioni që vajti në New York për dorëzimin e FAN NOLIT si prift, përbëhej

nga këta anëtarë:VANGJO MILLER, KRISTO KIRKA, SOTIR PEÇI, SPIRIDON ILO dhe GAQO DUSHI.

 

Lotët e Nolit*

Kryeshqiptarit dita i ngryset

në të gëdhirë,

Shpirtkëputur

përdhe përmbyset

Kur Kristaqin e Dishnicës

sheh të shtrirë.

Para Zotit qan, lutet,

lyp mëshirë:

“Pse kaqë gjatë, Zot,

na harrove,

Pse na përplase, na përpëlise,

kuturru?

Pse shpresën për tek ty,

na i degëdise

Dhe sot djalin na i le

pa varr këtu?!

•Sipas motiveve të poezisë së Nolit “Moisiu në mal”.

Filed Under: Histori Tagged With: agim Bacelli, intrigat politike, te Kishes Greke

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 646
  • 647
  • 648
  • 649
  • 650
  • …
  • 697
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT