• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në kujtim të luftëtarit dhe dëshmorit hasjan të Koshares

May 20, 2013 by dgreca

Ne Foto: Hysni Temaj 1976 -1999/ Nga GANI QARRI/ Zvicer/

Nga viti në vit, me kujdes dhe nderim të veqant, organizohen kujtimet ndaj atyre që dhanë jetën për çlirimin e atdheut dhe lirinë e shenjt të popullit të cilit i takojnë, në format më të mira të mundshme dhe në gjithë vendin anë e mbanë.Ndaj,ashtu si në trevat tjera edhe në Has, ato përsëriten përherë me krenari dhe në mënyrë të merituar, si rite tashmë tradicionale,që mbahen me shumë përkushtim në shenjë respekti ndaj veprave heroike të bijëve të kësaj ane, në mesin e të cilëve, dallohej luftëtari i  Koshares, Hysni Sylë Temaj nga fshati Kushnin i Hasit.Ai ra më 19 Prill të vitit 1999,bashkë me Eprorin e tij SaliÇekaj,në Kosharen e çliruar- vetëm pak ditë më parë, pas betejës së njohur historike të saj,për të mbetur përgjithmonë në kujtesën e popullit dhe gjithë atyre që gëzuan lirinë.

Lufta e lavdishme e Koshares, ndodhi mu në kohën kur vendit tonë, si asnjë herë më parë,pushtuesi serb aq shumë i`a kishte ngushtuar lakun në fyt,sa që Kosova përfundimisht -do të binte në përplitjet e fundit për jetë a vdekje,duke rrezikuar ekzistencën e saj të mëtejme si territor i përcaktuar gjeografik dhe emër i shenjt i atdheut të banorëve shekullor, autokton-shqiptar.

Ajo,kushedi për të satën herë,po digjej e shkrumbohej gjatë më tepër se 80 viteteve robëri,nën pushtimin barbar sllavë dhe tanimë nga çdo cep, dilte tym e flakë që në mënyrë marramendëse mjegullonin gjithë vendin e mbytur në trishtim, frikë dhe pasiguri të cilat shpejt dhe pakontrollueshëm, përhapeshin kudo.

Pushtuesi kësaj radhe kishte vendosur të kryente një fushatë të paparë shfarosëse,përmes së cilës, dëshironte të arrinte-hiq më pakë se shpërnguljen përfundimtare të të gjithë shqiptarëve, zhdukjen e tërsishme të secilit banor autokton që ekzistonte mbi këtë dhe arbëror dhe zhbërjen e plotë kombëtare të atdheut tonë të okupuar.

Ndaj në raste të tilla me rreziqe të pa-parapara, betejat e përmasave kaq të mëdha në çdo  vend dhe kohë, kërkojnë luftëtar të fortë e të paepur, të cilët janë në gjendje të përballen me të gjitha rrebeshet e flakëve të saj.

Kështu që kjo luftë e sapo filluar për liri,si për shumë breza atdhetarësh,edhe për Hysni Temajn, ishte çasti më fatlum në jetën e tij si ushtar i orëve të para të kësaj përpjekje madhore dhe sprove vetmohuese nga e cila,pas shumë vuajtjesh e përpjekjesh, do ta ndante vetëm rënja heroike e tij, në ballë të betejës legjendare të Koshares.

Ndaj nuk thuhet kot se trimat edhe në vdekje shkojnë kokëlartë! I tillë, krenar dhe i pa-përkulur nga kjo jetë,do të ndahej edhe luftëtari Hysni Temaj, duke rënë me heroizëm në fushbetejë,por vetëm pas kryerjes me nder të misionit kombëtar që luftëtarët e Koshares kishin marrë mbi vete, dhe përfundimit me sukses të betejës më kolosale që kanë parë kohërat, njohur vendi dhe përjetuar populli i këtyre trojeve, siç u dëshmua të ishte Beteja e Koshares,lavdia e së cilës, ndryshoi historinë e popullit shqiptar dhe të Kosovës së fundshekullit njëzet, në tërësi.

Me çlirimin e vijës kufitare, ai dhe bashkëluftëtarët e tij, arritën që për herë të parë pas afro një shekulli robërie,ta qonin në vend amanetin e shumë brezave të kaluar atdhetarësh,të cilët shkuan zemërdjegur,me ëndrrën e parealizuar për heqjen e “megjëve” të ngulitura dhunshëm-aty, ku ato nuk e kishin vendin,duke mbajtur me forc të ndarë shqiptarët,për më tepër se tetë dekada, si popull i një gjaku dhe gjuhe të përbashkët kombëtare.

Dëshmori i kombit Hysni Syl Temaj, u lind më  15 nëntor të vitit 1976 në fshatin Kushnin të Hasit dhe u vra pa e përfunduar tërësisht as gjashtëmujorin e ditlindjes së 23-të, të jetës së tij, duke rënë heroikisht më 19 prill të vitit 1999 në betejën e  Koshares, si pjestar i Brigadës së lavdishme 138,e cila udhëhiqej nga strategët e zgjuar ushtarak dhe eprorët-heronjë të kësaj lufte sublime, Agim Ramadani dhe Sali Çekaj.

Ata për herë të parë, qëkur mbahej mend se populli ynë kishte rënë nën okupimin sllav,të vënë me të drejtë në krye të Brigadës heroike 138,arritën me plotë krenari jo vetëm të mateshin me ushtrinë pushtuese serbe por edhe ta thenin me turp atë, në mejdanin e përballjes me luftë të drejtëpërdrejt.

Brigada heroike 138, për herë të parë arriti të çliroi kalanë e pushtuar të Koshares dhe shkuli gurët e kufirit armiqësor të vën para shumë dekadash nga okupatorët serb mbi trojet tona. Ajo zhbëri vijën ndarëse të vizatuar pa u pyetur shqiptarët nga pushtuesi,e cila ishte vënë dhunshëm mes përmes tokave shqiptare dhe për afro një shekull, padrejtësisht ndante me forcën e armëve,trojet tona në dysh. 

Si shumica e pjestarëve të kësaj Brigade heroike,edhe dëshmori nga treva e Hasit-Hysni Temaj, i takonte një familje të njohur për ideale liridashëse dhe tradita kombëtare i cili tërë jetën e tij qysh nga fillimi i veprimtarisë patriotike e kishte vënë në shërbim të lirisë së vendit dhe popullit që i takonte.

Ai,kushtrimit të atdheut do ti përgjigjej pa asnjë hezitim për të rënë heroikisht në njërën nga betejat më të lavdishme historike të kombit të zhvilluar me sukses në luftën më heroike frontale,që zhvilloi populli i Kosovës për çlirimin përfundimtar të trojeve tona nga Serbia.

Hysniu ishte aktivist i njohur edhe para lufte si dhe njëri nga luftëtarët e parë të UÇK-së,nga treva e Hasit,i cili jo vetëm se luftoi me besnikëri dhe krah për krah trimave të mëdhenj të Koshares, por ai edhe ra heroikisht bashk me njërin nga kryeheronjt e saj, eprorin Sali Çekaj, në të njejtin vend dhe ditë,pas kryerjes shembullore të misionit heroiko- kombëtar,që ata kishin marrë mbi vete,për zhbërjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, duke shkulë pas rreth një shekulli pushtimi-gardhin e robërisë kombëtare i cili ndau me dhunë popullin tonë për afro një 100 vjet.

Ndaj,një luftë e tillë- kaq e rëndësishme,e madhe në forcë dhe e gjerë në shtrirje,kërkonte edhe flijime të dhimbëshme për suksesin e së cilës u vranë luftëtarët e saj më të mirë, ku njëri nga 114 dëshmorët e betejës së Koshares,të rënë me lavdi në Altarin e Lirisë së Atdheut, ishte edhe ushtari dhe luftëtari i dëshmuar kombëtar, Hysni Temaj nga fshati Kushnin i Hasit. 
Megjithëse, dëshmori ynë,prijësi i logjistikës dhe trimi i Koshares, si fëmijë shkollën fillore do ta kryente me sukses shembullor,gjendja e rëndë ekonomike nuk e kishte lejuar atë që ti ndiqte mësimet e mëtejme. Por,mbjellja me kujdes e dashurisë patriotike, për vite me radhë nga familja dhe përkushtimi i tij i flakët kombëtar,do ta udhëzonte Hysniun në rrugë të drejtë atdhetarie për të mos u nda asnjëherë nga aktivitetet e pareshtura kombëtare deri në ardhjen e momentit për kapjen e armëve dhe nisjes së  luftës për liri, të cilën ai për shumë kohë e kishte pritur dhe ëndrruar me padurim. 
Duke u nisur nga aktivitetet e pareshtura kombëtare që në rininë e hershme kundër pushtuesit serb,Hysni Temaj nuk ishte një ushtar i rastësishëm i kësaj lufte çlirimtare,ngase ai që me kohë ishte shkrirë i tëri në ndjenja atdhetarie dhe mrekulluar me bëmat e njohura historike të heronjëve tanë të mëdhenjë kombëtarë, të cilët u bënë idol i jetës dhe veprimtarisë deri në rënien e tij shembullore për lirinë e Atdheut.

 Heronjtë e mëdhjenjë të kombit,të njohur dhe adhuruar nga të gjithë shqiptarët, u bënë shembull i patjetërsueshëm dhe udhërrëfim i tij i njëkahëshëm, me kontributin e tyre gjigant për mbrojtjen e pjesëve të rrezikuara të atdheut,qysh nga lufta e shekullit XIX, për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë, ku,sipas thënieve të familjarëve, pjesmarrës ishte edhe gjyshi i tij,i cili me siguri shpesh do ti ket folur të nipit për këtë luftë të suksesëshme kombëtare.

Mbrojtja e këtyre trojeve tona etnike,ishte ndër përpjekjet e para të suksesëshme që u organizuan nën udhëheqjen e Lidhjes Kombëtare të Prizrenit,qysh në vitin 1878,kundër pushtuesve malazez, pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, i cili u kishte falur tokat shqiptare fqinjëve hexhemonist greko-sllavë, dhe ata përpiqeshin që ato ti merrnin me forcë.

Ndaj edhe luftëtarët e Brigadës 138,do të dëshmoheshin jo me fjalë por me veprime të planifikuara organizative dhe luftime të vendosura e mirëstudijuara strategjike,duke u bërë shembull kombëtarie dhe pararendës të një forme tjetër lufte e cila mundësoi zhbërjen e kufirit ndërshqiptar dhe i hapi portën – lirisë së  Kosovës.

Hysniu edhe pse kishte kaluar të njëzetat dhe kishte hyrë moshën e pjekurisë,fazën e gjetjes së partneres së njëmendët të jetës dhe përgatitjes për krijimin e familjes, ai qysh para fillimit të luftës,gjith kujdesin dhe dashurinë shpirtërore do t`a falte atdheut të robëruar dhe çështjes së pazgjidhur kombëtare i cili për shkak të aktiviteteve të tij të pareshtuara,shpesh ishte detyruar ti kalonte kufijtë e Kosovës, për tu strehuar herë në Shqipëri e herë në trojet shqiptare të Iliridës,prej nga do të kthehej në vitin 1998,për tu inkuadruar në UÇK-në, e Prekazit legjendar.

Si luftëtar i vendosur dhe besnik që ishte,i përkushtuar me mish e me shpirt për rrugën e lirisë dhe çlirimin e vendit,i bindur në idealin e madh për të cilin flijoheshin me aq devotshmëri bijtë e shqipes-kudo, anë e mbanë Kosovës,pasi që ai edhe i takonte një fshati kufitar me Shqipërinë dhe njihte mirë rrugët malore të atij brezi nëpër të cilin kalonin vija të rëndësishme furnizimi me armatim e municione,Hysniut do ti besohej përkujdesja për mbarëvajtjen e logjistikës së luftës në rajonin e Hasit.

Madje, ky dëshmor- jo vetëm se ishte rritur këtyre maleve,por i prirë nga përcaktimi i tij- jetësor për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e kombit, këto rrugë i kishte rrahur kush e di sa e sa herë edhe për nevoja personale ,gjatë jetës në ilegalitetet,kështu që angazhimet e Hysniut për furnizim e ushtarëve me armatim e municion,gjatë gjithë kohës, patën shumë sukses.

Vijën furnizuese e cila kalonte nëpër Has, si njëra nga rrugët e para dhe kryesore edhe pse nuk ishte e lehtë të sigurohej sepse rrezikohej shpesh nga sulmet dhe pritat e organizuara të ushtrisë dhe policisë pushtuese serbe,ai gjatë gjithë kohës diti ta ruaj dhe bëjë të padukshme për armikun.

Hysni Temaj, edhe në situatat më të rënda,me ndihmën e Babait dhe vllezërve më të rinëj të cilët edhe pas rënies së Hysniut nuk e ndalën luftën në kuadër të UÇPMB-së, duke luftuar në të gjitha viset e Kosovës Lindore,deri në shuarjen e kësaj organizate luftarake, gjithmonë gjeti shtigje depërtimi për vete dhe bashkëluftëtarët,duke arritur të bëjë furnizimin me sukses të mijëra ushtarëve me municion dhe armatim nëpër vija të “pahetushme” rrugëtimi,deri me kalimin e tij përfundimtar në Brigadën 138,e cila asokohe bënte përgatitjet e fundit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar.

Ndaj,dëshmori,ashtu siç diti të bëhej mbështetja kryesore e logjistikës së luftës për rajonin e Hasit, Hysniu po aq trimërisht diti edhe të hyjë në historinë e zhbërjes së kufirit shqiptaro-shqiptar,i cili me gjithë dëshirën e madhe,për të pa atdheun të lirë, ideali i tij do të realizohej vetëm pas rënies, sepse në këtë betejë do të vritej edhe ai heroikisht me bashkëluftëtarët më të mirë,në Kosharen e lavdishme.

Por,ishte pikërisht kjo betejë e madhe historike, strategjia e përsosur e udhëheqësve të saj Agim Ramadani e Sali Çekaj si dhe heroizmi i treguar i luftëtarëve të brigadës 138,që pas afro një shekulli,arritën ta përzinin armikun nga këto troje dhe rivendosnin vazhdimësinë e prerë padrejtësisht në mes tokës dhe etnisë shqiptare, për rreth 100 vite robëri sllave.

Ndaj si të gjitha pjesët e Kosovës,Shqipërisë dhe vendeve tjera etnike,edhe banorët e Hasit,nga të dy anët e kufirit,dhanë çdo gjë që mundën dhe patën për këtë luftë të shenjtë, duke filluar nga kontributi me ushtarë, ushqimi e veshmbathja, mbajtja e luftëtarëve, furnizimi me armatim e municione dhe deri te jeta e flijuar e rreth 20 dëshmorëve nga këto treva të coptuara shqiptare. 

Në mesin e tyre,për kontributin e pazëvendësueshëm që dha,pa asnjë dyshim, do të dallohej dëshmori i kombit Hysni Temaj nga fshati Kushnin i Hasit, i cili kush e di sa qindra herë, barti i palodhur armë e municion mbi shpinë, maleve  të larta të pashtrikut nga Shqipëria në Kosovë,deri te pjesmarrja e e tij e drejtëpërdrejtë në frontet e para të luftës së Koshares ku me 19 Prill të vitit 1999,do të binte heroikisht, bashkë me 114-luftëtar shembullor të kësaj beteje historike, për të mos vdekur asnjëherë. 

Por,megjithë kontributin shembullor,edhe fati sikur u tregua i padrejtë naj tij,sepse mu në momentet e mëdha të shpresës gjithëkombëtare, kur nuk kishte mbetur edhe shumë kohë për të përjetuar Lirinë e shumëpritur të Kosovës dhe gëzuar çlirimit përfundimtar të atdheut,ai bashkë me eprorin e tij- Sali Çekajn, do të vritej në Koshare, trupi njomë i të cilit përkohësisht do të varrosej në Shqipëri, për tu vendosur -përfundimisht, disa muaj pas çlirimit- në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, kurse Shtatorja e Hysni Temajt,hijeshon vendin në të cilin ai u lind dhe rrit me skamje,përndjekje e shumë mundime,në fshatin Kushnin të Hasit.

Ndaj, në shenjë respekti ndaj veprës së këti dëshmori,në çdo përvjetor mbahen homazhe ndereimi,ku ndonjëherë, përveç kurorave me lule, recitimeve dhe fjalimeve tradicionale për raste të tilla përkujtimesh,nga dhembja rastisë si pa dashtas, që para Përmendores së dëshmorit, të bie edhe ndonjë lot pikëllimi nga sytë e përmalluar të familjarëvë dhe të afërmëve të tijë,në shenjë kujtimi ndaj Hysniut.

 

Kjo ndodhë edhe për shkakun se Hysniu nuk u ndal asnjëherë – derisa ishte gjallë. Këmbët dhe trupi i këtij dëshmori të lirisë u treguan gjithmonë të palodhshme për vend dhe popull të cilat me qindra herë u ngjitën dhe zdorgjën maleve të pashtrikut për furnizimin e vendit me municion,ushtarë dhe armatime në mënyrë që të mund të zhvillohej kjo luftë e shenjtë për arritjen e lirisë së ëndrruar ndër shekuj, të cilën e gëzojmë ne sot. 

Ndaj,lavdia e rënies së tij,rritet edhe më tepër,sa herë kujtojmë se ai u flijua me trimat e mdhenj të Koshares së  lavdishme dhe udhëheqësit legjendar të kësaj beteje heroike,e cila arriti ta ndryshoi historinë e këtij vendi, njëherë e përgjithmonë.

Dëshmori i kombit, Hysni Temaj,sipas dëshmitarëve dhe bashkëfamiljarëve të tij, u vra në Koshare, në të njejtën ditë dhe vend me Sali Çekajn, njërin nga eprorët kryesor të brigadës 138,i cili bashkë me Agim Ramadanin, janë heronjtë dhe strategët vendimtar që pasuruan shekullin edhe me një histori-përmes heroizmit të treguar në Koshare, akt ky që  i hapi dyert e çlirimit të atdheut të të gjithë atyre që luftuan dhe dhanë jetën për lirinë e shenjtë të Kosovës.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: hasian i Koshares, heroi, Hysni Temaj

SUF XHELILI- Ky Tmerr i Serbo-sllavëve

May 20, 2013 by dgreca

Shkruan Eugen Shehu/

Me siguri (i lindur më 1875) barriste rrugëve të Lisivalles teksa burrat shqiptarë kuvendonin në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.Por një lidhje e çuditshme do të ekzistonte deri në fund të jetës së tij me këtë kuvend madhor,me këtë akt epokal të trimërisë shqiptare përballë shpërbërjes nacionale të saj.Mbase lidhja e një ngjarjeje,me jetën e një fëmije duhet kërkuar pikërisht në faktin se gjithë vitet më pas të Suf Xhelilit dëshmuan përpos kalimin fizik të tyre edhe faljen e plotë në dobi të pavarsisë së krejt trojeve shqiptare.Në këtë „falje“ ka veç të tjerash edhe tym e krisma lufte,edhe ëmblësinë e ninullave të Lisivalles,edhe borë e breshër nga Nëntë Malet e Dibrës.

Gjithësaherë,prej gjithkujt që do të ulet të meditojë lidhur me këtë burrë,unë do t’i këshilloja : shko e shihi kullat e Sufës në Lisivalle.Nëse ato janë të rrënuara merr një gur prej tyre,peshon histori.Nëse edhe gurët nuk janë më,merr një fill bari në atë vend ku më parë ishin kullat.Edhe ajo do të rëndojë bile më shumë se  një gurë.Vetëm duhet ta ndjesh në zemër këtë peshë.Më shumë si kilogram fizik do kuptosh në vetvehte tonelata dhimbjeje.Po pse dhimbje ?

Sepse Suf Xhelilit,deri përpara do kohe nuk i shkonte kush tek varri.Mos u habisni ! Po,po, Suf Xhelilit…. Thonë,ka qenë komandant i zgjuar,thonë fliste pak,thonë se sulmet nisnin kur shkrepte pushka e tij,thonë se të shtënën e pushkës së tij e njihnin në Dibër të gjithë.Thonë… Unë di vetëm kaq : Suf Xhelili ky tmer i serbo-sllavëve !

Nermin Vlora Falaski është shprehur : „Shqipërinë e kanë mbrojtur gjatë shekujve bijtë e saj më të mirë.Do përmendim vetëm dy prej tyre,dy Dibranë të shquar,të cilët ja kanë falur edhe jetën atdheut : Elez Isufi dhe Suf Xhelili që populli i ka fiksuar në gojëdhëna,i ka ruajtur me dashuri në arkën e kujtimeve të çmuara.Vijueshmëria e veprimtarisë së tyre patriotike ende nuk është në gjendje të thuret plotësisht me anën e dokumenteve.Por përpjekjet e tyre dalin nga zëri,nga zemra e popullit që u ka kushtuar atyre këngë legjendare“.(Nermin Vlora Falaski“Kreshniku i Dibrës“,fq.210).

Suf Xhelili,pos të tjerave ka pasur një fat të madh në jetë.Është nipi i legjendarit Elez Isufi.Në këtë lidhje gjaku vështirë se anatomia bëhet përcaktuese.Xhaxha e nip,përpara anatomisë do ti bashkonte ndjenja e kulluar e shqiptarizmës.Madje edhe kur thuhet se këta ishin antiserbë deri në çastin e fundit,duhet kuptuar se instikti drejt kësaj herezie është tek e mbramja ndikimi për një nacionalizëm të kulluar.Për kaq kohë ndjenja e pavarësisë territoriale gjallon,kuptohet ajo është në kundërshti të plotë me rrezikimin moral e fizik të atdheut.Bashkëkohësit e kujtojnë Sufën me krenari sidomos në betejën e Kolesjanit aq e përfolur sot për dimensionet e saja epike si në Shqipëri dhe në ish-Jugosllavi.Kolesjani,kjo kështjellë natyrore shqiptare do të ishte përpara së gjithash një fushë betejë midis shqiptarizmës dhe etjes sllave për zaptimin e trojeve të iniciuar ndofta pesë shekuj më parë prej ëndrave të Car Dushanit.Gjakftohtësia në kulmin e betejës ishte natyrë e dytë e tij.Sado e komplikuar të ishte situata,sado vdekja t’u vinte rrotull pozicioneve Sufa do të ishte gjithmonë në pragun e vdekjes por duke biseduar me jetën.Për turp të Artit Ushtarak Shqiptar duhet thënë se pikërisht ky fshatar i mënçur nga Dibra duhej studiuar me imtësi.Veprimet dhe energjitë luftarake të tij,të përshtatura me situatën dhe resurset njerzore mbeten një mister përpara të cilit do të përkulen me veneracion të gjithë ushtarakët shqiptarë.Sidomos në kushtet e sotme kur arti ynë ushtark po ndahet përfundimisht nga teoria ushtarake leniniste,beteja e Kolesjanit duhet të renditet ndër të parat nga mënyra e organizimit sipas pikëpamjeve të luftës popullore.

Më pas pushka e tij do të shkrepte kudo ku „shkelnin „ ëndrat serbe.Dhe shkrepja ishte me të vërtetë gjëmë madhe.Ka ndodhur të sulmohen sërbët në Manastir.Janë thyer dhe kanë thënë: aha,na ka sulmuar Sufa.Po atë ditë,luftime janë kryer edhe në malin e Vrahiçit.E përsëri,mjaft serbë të zënë rob kanë deklaruar : Na ka sulmuar Suf Xhelili…Ish-kapiteni serb Stavro Belishica ka shkruar ;

„Kur e shoqëruam Elez Isufin nga Dibra e Madhe për në Sllovë,kishim marë urdhër në rastin më të parë që do të na krijohej mundësia.Prania e Sufës,mënyra se si ai organizoi mbrojtjen e ngjeshur rreth Elezit me malësorët,bëri të dështojë qëllimi ynë.Ne dridheshim përpara Sufës.Ai na shtypte me shikimin e tij të rëndë dhe na impononte këndvështrimin ose vdekjen e sigurtë“.(Xhelal Ndreu „Kujtime të Pabotuara“ – marrë nga Stavro Belishica në vitin 1941 ).

Sufa nuk ishte përbindësh.Shtatmesatar,i urtë,fisnik deri në flijim për çështjen kombëtare ai do të ngjitej thuajse i vetëm deri në lartësirat marramendëse të legjendës.E atëhere ? Si shpjegohet tmerri serb prej tij ? Historia e Ballkanit është mjaft e trazuar.Në te janë shtresëzuar gjurmët e sa e sa betejave midis kombeve,midis njerëzve që u përkisnin fiseve të ndryshme,midis etnive. Në këtë shtresëzim,në një kapërthim thuajse tragjik janë gjendur kurdoherë shqiptarët me sllavët.E nëse shqiptarët njihen si popujt më të lashtë të Ballkanit,dihet se shumë shekuj pas tyre,ortodoksët sllavë të Ukrainës erdhën deri në kufijtë veriorë të principatës së Ballshajve.Prej këtej do të ngjizej konflikti i madh për mos t’u shuar edhe sot në Evropën e qytetëruar.Një rresht burrash trima e të mençur do ta mbronin kombin,gjuhën dhe trojet e të parëvet të shqipes deri në ankthin e tyre sublim.Ndër ta është edhe Sufa,padyshim i veçantë ndaj urrejtjes që bartëte për serbët.Në këtë lidhje gjaku e për më tepër thirrje e gjakut të të parëve do të rritej trimëria dhe krenaria e Nëntë Maleve të Dibrës.Ka një moment në jetën e Sufës,të cilin e përfolën aq shumë historianët tanë „ të edukuar“ me mësimet e Partisë kuqe sllavo shqiptare.Një moment i cili do të bënte që për pesë dekada,emri i Sufës të ishte në krye të anonimatit gjigant në kujtesën kombëtare.Flirti i tij me Esat Pashën.Dihet se ky i fundit i ofroi Suf Xhelilit,para,tituj,grada e poste.Por ky si pranoi kurrë.Dihet se gjithashtu se prapa Esatit ishin qarqet ultrareaksionare e shoveniste serbe.Por ky „flirt“ mendohet të jetë një nga ato lojëra të mençurisë popullore Dibrane.Momenti i „bashkëpunimit“ të Esatit me Sufën do të gjallte habi tek disa krerë të parisë së dibrës dhe vetëm kaq.Ndërsa largimi i tyre,jo vetëm do të çlironte shumë patriotë nga ankthi,por do të diskreditonte përfundimishtë të përkdhelurin e serbëve,Esatin për të cilin Shqipëria ishte vetëm pronë për t’u ndarë edhe pse rrezikohej liria dhe etna e jonë.Dhe „ndarja“ e Esatit me Sufën ka qenë pothuaj tmerruese për serbët.Në një letër që patrotët dibranë i dërgojnë Elez Isufit thuhet: „Këtu,Dardha,Reçi dhe Lura po ju presin juve ose Suf Xhelilin dhe ju lutemi që një orë e më parë të vini këtu.Suf Xhelilit nuk munda me i shkrue letër veçmas,mbasi nuk mu ndodh letër.Por presim që një orë e më parë të vini ose të çoni Suf Xhelilin.Për këtë punë dhe ne ju lusim dhe krejtë krahina dhe katundet e këtushme.Vëllezërit tuaj:Dik Xhelili dhe Miftar Kaloshi“.

(Elez Isufi,dokumente,fq.132).

Forcat esadiste po përgaditeshin për luftë vëlla me vëlla duke paracaktuar kësisoj fatin e betejave të mëvonshme me serbët.Por kjo luftë nuk u bë falë ardhjes së menjëhershme të Suf Xhelilit,pjekurisë dhe trimërisë për të marrë mbi vete edhe disa romuze që nuk i kanë takuar kurrë trimit.Fill pas kësaj,duke denoncur paktin Esat-Pashiq për daljen e forcave serbe në Durrës,do të organizohej beteja e Qafës së Trojakut.2000 ushtarë serb të vrarë dhe mbi 1000 të zënë rob jo vetëm do të pengonin serbët në daljen e tyre në Adriatik por do të shokonin artin ushtarak të Shtabeve të Beogradit,duke rishfaqur një dimension të zakonshëm të tij,atë të frikës përballë dibranëve që udhëhiqeshin nga Sufë Xhelili.Më pas, së bashku me trimat,ai do të shpalloste humanizmin e racës sonë.Të gjithë robërit,mbaheshin me bukë e ktheheshin për në vendin e tyre të çuditur me shpirtin e madh të luftëtarit. Ngase e donte Dibrën dhe krejt Shqipërinë pa serbët,ngase inspironte për demokraci të vërtetë,Sufë Xhelili qe i pari në Dibër që u vu në mbrojtjen e shtetit të parë demokratik disamuajsh të Nolit.Në kuvende,në odat e burrave,apo pyjeve e maleve të Dibrës,ai do të shprehej me shumë simpati për Nolin dhe ato çka deshi të bënte ky. Vizioni i tij politik,megjithëse i mjergulluar në kohë e situata të ndryshme do të ishte kurdoherë i qartë pro demokracive të Perëndimit Eurpian.Dhe skish si të ndodhte ndryshe.Një jetë e lodhur luftëtarësh të pambarim do të donte të shuhej vetëm duke parë lindjen e kësaj demokracie.

Arkivat e heshtura serbe nuk kanë folur akoma.Por dihet se një plumb nga dora tradhëtare gjeti zemrën e Suf Xhelilit në dhjetorin plot mjergull të vitit 1924.Natyrisht plumbi nuk mund të qëllonte do këngët,bëmat,bisedat dhe legjandat për këtë dibran që u bë tmerri i fqinjit të vet grykës.

Miqësitë e lidhura shumë vite më pas të Hoxhës me jugosllavët do të lëndonin deri dhe gurët e varrit të Sufës.Gjithsesi ai mbijetoi përmes idealit të tij,duke u shfaqur i plotë në ditët tona.

Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, Suf Xhelili, tmerri i serbo-sllaveve

Autariatët , Amantët dhe Breukët

May 18, 2013 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/

Autariatët ,sipas gjeografit grek Strabos  ishin ndër fiset ilire më të fuqishme dhe më të mëdha. Sipas arkeologëve Autariatët kishin jetuar në jug-lindje të Bosnjës deri në jug-perëndim të Serbisë së sotme dhe në veriun e Malit të Zi  dhe automatikisht vazhdimësia e tyre shtrihej në Kosovë dhe Shqipëri. ose thënë ndryshe në ato territore ku u zhvillua grupi etnik i fuqishëm i kohës së Hekurit.. Edhe kultura e asaj kohe u quajt kultura e Glasinacit (rrafshirë afër Sarajevës) , por e njejta u zbulua edhe në luginën e Matit dhe si e tillë njihet Kultura e Glasinac – Matit.

Klasa e lartë e fisit Ilir të Autariatëve si dhe shoqëria e kohës e mbërrijti kulmin e zhvillimit ekonomik dhe gjatë shek.V-të pr.K .Kur Strabo shkruante” për popullin Ilir më të madh dhe më të fuqishëm “ sigurisht që mendonte për këtë kohë. Por maja e zhvillimit filloi të shuhet me ramjen graduale te Autarianëve duke përfunduar rreth vitëve 310 prK.

Nga Autariatët u trashëgua një  pasuri e madhe e të mirave. .Përndryshe mbi 100 kështjella të tyre të shkatërruara janë gjetur , si dhe me mijëra tumule të tyre. Çdo gjetje ( bizhuteri dhe armë) e ringjallë origjinalitetin etno-kulturor të Autariatëve. Ata e kishin një traditë të vazhdueshme në përpunimin e metaleve dhe keramikës. Kompleksiteti i traditës së tyre shquhej  në zbukurimet  e rrypave luksoz me ari dhe argjend.

Autariatët ishin popull “ malor” dhe si të tillë e tregonin edhe edhe mentalitetin e tyre”malor” ,duke i ruajtur me kujdes të madh besimet e tyre të vjetra Për tu përmendur është që Autariatët e ruanin me xhelozi traditën e tyre të djegëjes së të vdekurit në tumule, e cila nuk kishte ndryshuar deri në shuarjën e Kulturës së Glasinacit. Mbetjet arkeologjike tregojnë që jeta e tyre fetare ishte e ndikuar nga kulti i të parëve të tyre

dhe kulti i diellit. Në të gjitha territoret të banuara dhe të kontrolluara nga Autariatët shihen gjurmët e kultit të diellit.

Ekonomia e fortë e Autariatëve qëndronte në blegtori , punimin e metaleve , punim dore dhe tregti.  Fisi ilir i Autariatëve ishte partneri më i madh tregtar i Italikëve dhe Grekërve gjatë shekujve 7-të dhe 6-të prK.

Një karakter i posaqëm luftarak i Autariatëve ishte vrasja e shokëve të plagosur dhe të dobësuar të luftës ,nëse kuptohej se ata më nuk mund të vazhdojnë dhe si të tillë mos të biejnë në duar e fiseve armiqsore.

“ Disa elemente të punuara në stilin e Kulturës së Trebenishtit (rrethi i Ohrit) .janë gjetur gjithashtu edhe në lokalitetet e Shqipërisë e deri në Skodër; kultura materiale e gjetur në tumulet e shumta në luginën e Lumit Mat ( në Shqipërinë Veriore), karakteristike për kulturen ilirike të kohës së Hekurit  është shumë e ngjajshme me ate të Glasincit në Bosne.”( The Illyrians: history and culture, Aleksandar Stipčević) “

Në mesin e  popullit Ilirik , në veri të lumit Shkumbin ishin  fiset që ishin shumë konzervativ në praktikimin e ritualeve të tyre ,vitet 750-530 prK. Edhe në Zadrime  e edhe në luginën e Matit , varrosja në tumuluse që ishte  kryer në të kaluarën ,kishte vazhduar  deri në fillimin e shek.të tretë paraKrishtit.Tumulet ishin përdorur pë luftarakët dhe klasën aristokrate të kohës. Varrosja kryhej me të gjithë pajisjen ushtarake ;  kurse në varrezat e aristokrateve nuk mungonin as qaforet dhe rruazat prej qelibari . Në anën e Kukësit rreth Drinit (Driloni) ,në fashtrat e  Krumës dhe Kënetës tumuluset ishin të shekujve 7-të deri në shek  e 4 -të PrK ( N.G.L. Hammond “Illyria”) . Të gjitha këto të ngjashme me  ato të Glasinacit.

 

Fiset Ilire janë shumë ; në të vërtetë ato ishin shumë dhe na jemi sot . Edhe pse sot jemi shumë më pak se ata të parët tanë  ,por ne e kemi krijuar historinë . Shquheshim për trimëri ,dashuri ndaj dheut tonë.Shquheshim për të gjitha ato që  njerëzimi i trashëgoi prej nesh.Por natyra dhe historia nuk ishin mike për ne .

Për Amantët ,ka pak shënime ,por dihet që ishin fis Ilir , e sipas ndarjës së më vonëshme administrative të Romës ,ishin fis Ilir i Panonisë. Amantët ishin afër Sirmiumit(Mitrovica e Sremit,sot) por duke u thirrur në qytetin Amantia , atëhër duhet të kenë jetuar edhe në viset jugore ilirike. J.J. Wikeys në librin e tij  “The Illyrians(1992) “ shkruan se lufta me Romën ishte një egërsi . Amantët dhe Breukët ( fis tjetër ilir) e kishin luftuar aq shumë Romën sa që pas dështimit të tyre Amantët u shiten si skllevër  në Itali, dhe si të tillë edhe u zhdukën. Kurse Breukët e pësuan  një fat tjetër duke u shpërngulur me dhunë nëpër Daki ( Rumania e sotme; Ion Grumeza, Dacia: Land of Transylvania, Cornerstone of Ancient Eastern Europe)

Breukët , si ilir që ishin jetonin në tokat e tyre në Sllavoninë e sotme ( Kroacia) ;  në tokat e nënlumit Sava nga Novsko deri në Sllavonsko Gorje në veri ,në lindje deri te Bosuta ,si dhe shtriheshin në vazhdim në mes të lumit Vërbas dhe Drina ( Lumi “Ba(thinus)”- Bosna dhe Hercegovina e sotme ) Kufizoheshin me vëllezërit e tyre fiset Ilire të Andizetëve ,Kolapianëve ,Amantëve dhe Skordiskëve; të gjithë të njohur për qëndrueshmërinë e madhe ndaj pushtimeve të Romës.Shenimet e para për Breukët , sipas studjuesve kroat dhe boshnjak, gjenden shume vonë në shek  XIX, ku flitej vetem në mënyrë fragmentare . (Arkeologu i njohur C.Patsch në Enciklopedinë e tij të vitit 1897 ) .30 vjet më vonë  nga historianët i kushtohet plotësisht  një kujdes Breukëve ( fililogu Milan Branimir).  Për Breukët kishte folur edhe Herodoti  ,duke thën se ata ishin me origjinë Frigase .

Burimet e ruajtura antike thonë që Breukët kanë jetuar në territorin e Panonisë (Pannonia Inferior),  krahas rrjedhës  së Lumit Sava . Kurse Straboni  në Gjegrafinë e tij shënon që popujt panon ishin ilirët si Breukët Andizetët, Dicionët ,Pirustët dhe Mezejt e Desidatët. Kurse , sa i përket kufinjëve lindorë at shtriheshin deri në Frushka Gorë në kufi me Amantët e që shtriheshin deri në Sirmium. Sipas të gjitha shënimeve mund të përfundohet  që Breukët kanë jetuar në të dy anën e rrjedhës së Savës ,pra në Kroacinë dhe Bosnën e sotme.Kjo s`është e çuditëshme kur dihet se popujt parahistorik dhe protohistorik kanë jetuar në luginat e lumenjve , sepse ato lejonin drejtime të lira të komunikimit nga të cilat edhe janë formuar territoret etnike dhe finore ,kurse lartësitë malore ishin kufinjt në mes tyre. Rreth lumit Sava janë gjeturë  venbanime arkeologjike të periudhës së bronzit dhe asaj të hekurit  Mbetjet e Sirmiumit janë gjetur në lokalitetin e sotëm të quajtur Mitrovica e Sremit ,55 km në perëndim të Beogradit ( Singidunumit) dhe largë qytetit Kosolac (Viminacium) vetëm 145 km. Dhe ,gjetjet e vjetra mbi 5000 vjet prK tregojnë se aty kishte jetë të organizuar njerzore.

Gjakovë, 16.05.13

Filed Under: Histori Tagged With: autariatet, breuket, Fahri Xharra

Spaç 21-23 Maj 1973- 40 vjetori i ngritjes së flamurit pa yll

May 18, 2013 by dgreca

Nga Bedri BLLOSHMI/

Për herë të parë në historinë e komunizmit barbar në Spaç të Rrëshenit u ngrit një flamur pa yllin e komunizmit.Mbas pushtimit të Shqipërisë nga terroristët komuniste të stërvitur nga Popoviçët e Mugoshët në 1944,këta barbar ja filluan krimeve mbarë duke ngritur burgje gjithkund në Shqipëri.Mbasi e rrethuan me tela dhe me gjëmba 28000 km2 e mbetura të Shqipërisë së copëtuar në vitin 1913,gjithëkund hapën burgje dhe kampe përqëndrimi .Një nga këto kampe shfarosës ishte dhe burgu i Spaçit.Arrestoheshin në masë familjet nacionaliste, u grabiteshe pasuria mbasi i varnin, pushkatonin dhe i burgosnin ata që mbeteshin gjallë,pjesa tjetër e çdo familje syrgjynosej në kampet e internimit .Më 21 Maj 1973 në Spaç të Mirditës, dhuna kishte kaluar çdo kufij ndaj të burgosurve politik dhe ndodhej ajo që pritej .Të gjithë të burgosurit e turnit të parë vendosën të mos dalin në punë dhe dolën në mbrojtje të Pal Zefit ,i cili mbasi e kishte mbushur muajin në izolim (birucë)dhe policia nuk po e nxirrte nga izolimi.Të gjithë të burgosurit ishin në një mëndje, ishin bërë tepër të revoltuar për ta mposhtur diktaturën komuniste.Biseduan, vendosën dhe ngritën flamurin me zhgabën dy krenare pa yllin komunistë “qëndisur nga dora e një të burgosuri Mersin Vlashi”.Kampi famkeq mbasi ishte rrethuar nga ushtria e civilë të armatosur, u prenë ujin e pijshëm dhe bukën duke mos pranuar thirrjen e zv.ministrit të brëndshëm Feçorr Shehut.Të burgosurit rezistuan duke i bërë nderim për tre ditë rrjesht flamurit shqiptar.Më në fund bijt e Stalinit u vërsulën si Hienat me hunjë e tuba gome dhe me çtë mundnin duke i dërrmuar e thyer këmb e duar,i prangosnin dhe i nxirrnin sipër për ti gjykuar. Ishte 12 dhjetshja e parë,ku nga këta 4 ishin të burgosur politik: Skënder Daja , Dervish Bejko , Pal Zefi dhe Hajri Pashaj. Duhej tu merrej jeta dhe ashtu bënë.Edhe sot e kësaj dite askush nuk e di ku jane groposur,pra ata heronje trima që dhanë jetën para 40 vjetëve.Nga shteti shqiptar askush nuk do të dijë apo të interesohet ti gjejn dhe tu bëjn një varr.Në spaç vazhduan grupe-grupe të dënoheshin me rastin e revoltës.Janë 5-6 grupe të cilët e kalojnë numrin 80 që janë ridënuar.Njëmbëdhjetë vjet me vonë po në muajin Maj ,gati në një datë dhe fiks më 22 Maj 1984 në një tjetër skëterrë të komunizmit në Qaf-Bari të Pukës dhuna solli dhunë.Komunistat të cilët jetonin vetëm me gjak njeriu dhe këtu në këtë kamp caktuan tre kurbanë. Vetëm se me një ndryshim se komunizmi dhe sigurimi i kishin perfeksionuar,kishin çuar përpara dy të dënuar me vdekje dhe të tretin e sakatuan me dru duke e thyer në mes. Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja do dënoheshin me pushkatim në birucat e degës së brendshme të Pukës për ti pushkatuar më pas në qytetin e Shkodrës ,në vendin e quajtur “antena e radios” në Kuç. Të gjithë e dimë tani se Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja me këmbënguljen time ,jo më pak dhe të familjarëve u gjetën dhe u vendosën atje ku u takonte, madje kane secili varrin e vet e jo më gropën e përbashkët si më parë në livadhin e antenës në kuç të Shkodrës. Edhe me këtë rast qeveritarët e sotëm nuk u ndjenë fare për varrimin e këtyre trimave të persekutuar përballë dikaturës.Ndërsa Sandër Sokoli i cili dha shpirt në sheshin para mencës midis dhimbjeve dhe gjakut që i rridhte në çimenton e zezë të oborrit ,është groposur tek varrezat 500-600m larg kampit në buzë të një përroi bashkë me 8 të vrarët në galeritë e territ të Qaf-Barit.Për të mësuar më shumë për revoltën e Qaf-Barit dhe për ata që dhanë jetën, si ndodhi dhe si përfundoi duhet të prisni se së shpejti del libri që unë kam pergatitur të ilustruar me fakte dhe faksimile. Ndryshe është problemi i Spaçit ,sado që familjarët të interesohen për të gjetur njerëzit e tyre te vrarë barbarisht e te groposur mizorisht,nuk mund të bëjnë asgjë pa ndihmën e shtetit. Shteti i cili është formuar nga bijtë e komunisteve dhe nga oficerë që në vitin 1991 morën mbi shpinë bustin e diktatorit për ta vendosur përsëri.Kërcënonin se do bënin kërdinë duke vrarë ata që do mundoheshin ti pengonin. Shteti i sotëm është i fryrë me komuniste e neokomunistë të cilët grabisin pasuri kombëtare e vazhdojnë të pasurohen me shpejtësi marramëndëse.Shteti i sotëm ka përkrahur dhe vazhdon të përkrahë sigurimin kryetar të shoqatave të Enverit, llumra te mbledhur per skrap,famkeq,hetues,operativ dhe kryetarë degësh të punëve të brëndshme,spiuna e bashkëpunëtorë informator të fëlliqur.Pushteti i sotëm krejt i përbërë me komunista e sigurimsa madje dhe me vrasësa siç është rasti i Librazhdit,spiun po,hajdut po,vrasës po, caktohet kryetar partie zv.prefekt.Ja kjo është partia demokratike që të pranon nëse ke këto kritere.Prokuroria e Librazhdit me pak ryshfet mbyll çdo lloj krimi po e pate kryer e nëse bënë pjesë në partinë demokratike.Të gjithë prokurorët e përgjithshëm e dinë këtë problem të Librazhdit por askush nuk ka kurajon të hapi ngjarje të vjetra.Kur vine ne atë karrike premtojne se do luftojne krimin,se toleranca do jete zero dhe të japin pershtypjen se do zbatojne ligjin e tajlonit (zjarrit ti pergjigjem me zjarre) ndërsa ne realitet bejne te kunderten.Vine shohin,pasurohen dhe ikin pa u ndjerë.
Pushofshi në paqe ju të rënët e burgut në Spaç dhe Qaf-Bari.Dhe mos t’ju ngelet merak,se sjeni gjallë se po të ishit gjallë e të shihnit sot ku jemi ne ju do kishit vrarë vehten.Pushofshi ne paqe ju të tjrë që ratë për nje shqipëri etnike dhe pa komunista,ne do ju kujtojme gjithmon.Mos kini merak o heronjtë e Spacit se unë nuk do te rresht së kërkuari dhe do tu gjej se ku u ka groposur komunizmi.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Bedri Blloshmi, Revolta e Spacit

Kristo Floqi, i harruari bashkëthemelues i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”

May 17, 2013 by dgreca

Nga Dalip Greca*/
Dr. Kristo Floqi është jo vetëm ndër themeltarët e Vatrës, por dhe inisiatori dhe drejtuesi i mbledhjes së parë për bashkimin e shoqërive shqiptare të Amerikës. Vërtetë se ishin Faik Konica dhe Fan Noli, ata që hodhën farën e bashkimit, por thirrjen për takimin e parë bashkues me 11 dhjetor 1911 e kishte bërë ai. Si editor i Diellit, Floqi i parapriu procesit të krijimit të Federatës, duke treguar dobitë e bashkimit e duke fshikulluar përçarësit. Edhe thirrja për takimin bashkues u hartua dhe u nënshkrua nga ai. Çuditërisht ai është përmendur pak ose aspak në faqet e Diellit, pasi e pat lënë Amerikën, dhe ishte i ndaluar rreptësisht të përmendej në literaturën komuniste të Shqipërisë. Nuk u shkrua fare për fatin e tij në burgjet e komunizmit, ashtu si dhe për fatin e shumë të tjerëve, mbi të cilët ra pa mëshirë gijotina e diktaturës, edhe pse kishin qenë shpirti i Vatrës dhe kishin luftuar aq shumë për Kombin. Paradoksi qëndron se me rastin e vdekjes së tij në Shqipëri, Dielli që ai editoi, nuk shkroi asnjë rresht!Të jetë kjo mungesë informimi apo një harresë siç kishte ndodhë me ish editorin e Diellit, Bahri Omari të pushkatuar, me komandantin e vullnetarëve shqiptarë të Amerikës, Aqif Përmeti, pushkatuar, me ish themeluesin tjetër të Vatrës, Kristo Kirkën, me Kolë Tromarën e të tjerë vatranë që dhanë shpirtin për çështjen Kombëtare?!
Kush ishte Kristo Floqi?/Pati lindur më 1976 në Korçë (është shkruar se ai ka lindur në fshatin Floq, por kjo nuk i përgjigjet së vërtetës sepse vetë ai në shënimet autobiografike pohon se ka lindur në Korçë.) I ati, Vasili, kishte lindur në Floq.Informacion japin për Floqin edhe studiuesit Robert Elsie dhe Hasan Hasani, ndërsa gazetari Fiqri Shahinllari në librin e tij’Lis në Shkëmb” sjell të dhëna interesante rreth Floqit, pasi ka shfletuar arkivin. Ndërsa Prof. Dr. Stilian Adhami, krahas studimit të kësaj figure sjell të dhëna e dëshmi të rralla. Kristo Floqi ishte i biri i Vasil Floqit, i cili pati katër djem dhe një vajzë; Dhimitrin, Kriston, Nikollaqin, Thanasin dhe Katerinën. Mbetën gjallë vetëm Kristo me Thanasin. Të dy studiuan për drejtësi.Mësimet e para Kristo Floqi i mori në Korçë, ndëkohë që studimet e mesme dhe të larta i kreu në Greqi. Diplomoi për drejtësi në Athinë, po aty e ushtroi profesionin e avokatit deri në vitin 1900. Më pas shkon në Korçë, ku hap zyrë avokature, më pas kaloi në Vlorë.Zotëronte disa gjuhë të huaja dhe shquhej që në rini për prirje letrare dhe publicistike.Veprimtaria politike, juridike, letrare dhe publicistike e Kristo Floqit përfshinë Shqipërinë dhe SHBA-në. Në kohën e para Luftës shkëlqeu, pas lufte kaloi një kalvar vuajtjesh e harrimi, ndërsa pasvdekja ishte injorim për këtë figurë kombëtare, mbuluar me pluhur harrese e terr.
Nga Vlora në SHBA/Është shkruar se Kristo Floqi erdhi në SHBA nga Turqia, ku kishte shkuar për të përvetësuar Turqishten, është shkruar edhe një variant tjetër, se ai kishte mbërritur në SHBA për arsye ekonomike dhe nevoja të Lëvizjes Kombëtare siç kishin shkuar Petro Nini Luarasi,Sotir Peci, Fan Noli, Faik Konica, Mihal Grameno, Kristo Dako e të tjerë. Asnjëra, as tjetra nuk qëndrojnë. Variantin e vërtetë e tregon vetë ai, në “Kujtime Historike- Formimi i Federatës Panshqiptare”Vatra”- botuar në nëntor 1937 në revistën “LEKA”. Kristo Floqi në vitin 1909 ishte avokat në Vlorë. Është koha kur ai e ka afirmuar veten në radhën e nacionalistëve që kërkojnë një Shqipëri më vete.Ishte ky shkaku i një përleshje mes një grupi nacionalistësh shqiptarë, ku kryesor ishte kristo Floqi dhe një grupi turkoshakësh, që bënin pjesë në Shoqërinë nacionaliste Turke me emrin “Itihat Ve Tereki”, që propagandonte një Turqi të re. Dy grupimet u përleshën paq, dhe autoritetet e pushtetit lokal “ua suallën shpirtin majë fytit”, siç kujton Kristo Floqi në shënimet historike të botuara më 1937 në Revistën “Leka”. Në këto rrethana grupimi i nacionalistëve shqiptarë menduan se kishte mbrritë rasti t’u tregonin vendin turkoshakëve dhe si hap të parë ndërmorën sulmin mbi zyrën e Post-Telegrafës së Vlorës. Aso kohe, Ismail Qemali ndodhej në Selanik. Grupi i nacionalistëve hyri në kontakt me Ismail Bej Qemalin dhe me të gjithë ata që ishin për inisiativën Kombëtare, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe u prezantuan situatën ku ndodhej Vlora dhe veprimet e tyre.Duke qenë zotër të postë-telegrafës, nisën shifërkëmbimin, duke përcjellë situatën e acaruar dhe ç’mund të bënin në atë situatë.I ndalën të gjitha telegrafet që zyrtarët lokal përpiqeshin të nisnin drejt eprorëve. Autoritet ushatarake u zemruan së tepërmi dhe rrethuan Postën, duke kërkuar dorëzimin e Postës, por nacionalistët shqiptarë kundërshtuan dhe nuk ua dorëzuan as shifrën.Situata u përkeqësua dhe forcat ushtarake u shtuan. Në këto rrethana rebelusit shqiptarë e lanë Postën dhe një pjesë kapërcyen detin dhe u hodhën matanë Adriatikut, ndërsa një pjesë tjetër u ngjitën maleve. Kristo shkoi në Cakran të Fierit nën kujdesin e Bektash Cakranit. Mirëpo edhe aty ishte vështitrë të qëndronin gjatë pa rënë në sy. Vendosën që ta linin Shqipërinë dhe të kalonin në Brindizi e që aty morën anijen drejt SHBA-ve.
Nga Bostoni në Salte-Lake City/Pas disa ditësh Kristo Floqi arrinë në Boston. Nuk bëhej fjalë për të ushtruar zanatin e avokatit sapo vuri këmbë në Amerikë. Vendosën që të hapnin një restorant në Boston duke shfrytëzuar klientelën shqiptare, që përbëhej kryesisht prej punëtorëve të fabrikave të Natick në Mass. Kur dukej se gjithçka po shkonte mirë, restoranti dha shenja falimentimi. Pas katër muajësh u detyruan që ta linin atë punë. Ç’të bënin? Nuk e dimë se ç’punë tjetër mund të ketë bërë Kristo me shokët me të cilët pat marrë rrugën përkëndej Atlantikut, por ai vetë shkruan në kujtimet e veta se”nevoja na shtërngojë të çajmë barakzi Shteteve të Bashkaura të Amerikës e të zemë vend në qytetin e bukur të Salt-Lake City të shtetit të Utah, pranë Kalifornisë”. Në Salt-Lake, Kristo kishte kunatin e tij, Kristo Poçi, i cili merrej me tregëti dhe punët i shkonin mirë. Aty punoi deri më 20 shtator 1911, pasi i erdhi një Ftesë nga Shoqëria Besa-Besën për të marrë detyrën e editorit të gazetës”Dielli”, post i cili ishte vakant pasi e kishte lëshuar Eftim Natse, para të cilit në atë post kishte qenë Konica.
Editor i Diellit/Shoqëria Besa-Besën,po kërkonte një editor të ri për gazetën e saj “Dielli”. Me propozimin e Kolë Rodhes dhe të Llambi Çikozit, ky post iu propozua pikërisht Kristo Floqit, i cili në atë kohë i kishte rregulluar problemet financiare dhe fitimet po i shkonin mbarë. Edhe pse pagesa që iu propozua nuk ishte kushedi çfarë, 50 dollarë në muaj, ai e pranoi detyrën për hir të çështjes kombëtare dhe bashkimit të kolonive shqiptare në SHBA.Përmes gazetës Floqi u bënte thirrje shqiptarëve që të bëheshin bashkë sepse kështu do t’i shërbenin më mirë kombit dhe do të ndikonin në krijimin e shtetit shqiptar. Mbresat e asaj dite, kur Kristo Floqi mori detyrën, na e përshkruan me nota mallëngjenjëse gazeta Dielli e Vjeshtës 1911 :”Të dielën që shkoi, më 17 të Vjeshtës, u mbajt meshë në Kishën e Shën Gjergjit në Boston prej të Përnd. At Naum Çere dhe At Damianit.Ishin mjaft shqiptarë prej Bostonit dhe fshatrave përreth. At Naumi meshoi fort bukur me me zën’ e tij të plotë e të begatshëm.Si tha Unigjillë, At Damiani mbajti një fjalë të shkurtër, por të bukur, duke përkthyer Ungjillë e duke prurë fjalën mbi çështjen Kombëtare. Pas priftit, nënkryetari i Shoqërisë Besa-Besën z. Vangjo Mille u ngrit dhe me një fjalë të mirë rekomandoi drejtorin e ri, z. Kristaq Floqin, i cili u prit gëzimërisht me një përpjekje duarësh të paprerë nga ana e dëgjonjësve. Pasandaj, z. Kristo Floqi u ngrit, duke marrë në duar kurorën e shoqërisë Besa-Besën si dhe dy kurorët e tjera të shoqërisë Arsimi dhe të Shqiptarëve të Cochituate-it, kaq të bukura të tria, mbajti një fjalë të gjatë, më tepër se një orë, ku çmoi vleftën e trimave djelmoshë, të cilët njëri pas tjetrit, ranë dëshmorë për nderin dhe famën e Atdheut. Fjala e drejtorit qe kaq e bukur, e lartër dhe pëllore në ndjenjë e në fantazi, sa e mallëngjevi të tërë popullin dhe ngjethi zemrat gjersa qanë me lot. Pas z. Kristo Floqi, u ngrit i njohuri atdhetar z. Kristo Kirka, i cili foli me një nxehtësirë të madhe për therorët e Përlindjes, duke përvëluar zemrat e djegura. Një përpjekje duarsh e fortë vërtetonte gëzimin që ndjenin dëgjonjësit. Më së fundi, me fjalë fort të hijshme e të pëlqyera, rekomandoi drejtorin tonë në popull, duke thënë se nga burra si Kristaq Floqi duhet të presë shumë kombi.Shqiptarët e Amerikës duhet t’i ndihin pa kursim në udhën e re në të cilën dëshiron të sjellë Shqiptarët dhe Kombin. Kësisoj mesha u krye duke lënë një përkujtim të pa harruar”.
Detyrën e editorit ai nuk e bënte vetëm duke qëndruar në zyrë, por shkonte atje ku ishin shqiptarët,konak më konak; katund më katund e qytezë më qytezë. Ai mbante konferenca dhe inkurajonte shqiptarët për patriotizëm. Qëllimi i konferencave ishte bashkimi i të gjitha kolonive shqiptare, me qëllim që shqiptarët e Amerikës të kishin një zë të bashkuar për Kombin e tyre.Në atë kohë në Amerikë egzistonin disa shoqëri shqiptare si: Më e madhja ishte Shoqëria Besa-Besën, më pas vinte Arsimi e Korçarëve, Dallëndyshe e New York-ut, Shoqëria Kombëtare e Worcesterit, Shoqëria Malli i Mëmëdheut dhe Përlindja e Jamestownit, Shoqëria Lidhja, Shoqëria Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Shoqëria Hylli Afërdita, Shoqëria Bashkimi, Shoqëria Mirëbërëse, Shoqëria Përparimi dhe Komiteti i z. Faik Konitza”Flamuri i Krujës”. Në konferencat që zhvillonte nëpër kolonitë shqiptare, Kristo Floqi shtronte idenë e një programi të përbashkët të shoqërive të bashkuara dhe dhënien fund të grindjeve dhe lokalizmave krahinore. Ai argumentonte se vetëm të bashkuar, do të arrinin që të forconin frymën kombëtare në SHBA. Floqi, arriti që për tre muaj t’i binte kryq e tërthor kolonive shqiptare dhe realizonte më shumë se 100 konferenca. Kur e pa se fara e bashkimit ishte hedhur, dhe se disa nga shoqëritë ishin të bindura se ishte koha për bashkim, dërgoi thirrjen për një takim të përbashkët.
Takimi historik i 11 dhjetorit në Boston, mungesa e Konicës/Në mirëkuptim me shoqëritë u la që takimi i parë të bëhej me 11 dhjetor 1911 në Boston. Atë ditë me qindra shqiptarë mbërritën në Boston dhe është pikërisht kjo ditë që çeli një epokë të re për Lëvizjen Kombëtare shqiptare në SHBA. Në kujtimet e tij, Kristo Floqi shkruan se “ Dita historike 11 Dhjetorit 1911 shënoi një periudhë të re për shqiptarët e Amerikës. Atë ditë arritën në Boston me qindra shqiptarë, si delegatë të shoqërive, por edhe individë. Salla e gjerë e hollit Rathbonne u mbush plot, sa shumë veta u shtrënguan të qëndrojnë më këmbë dhe qindra të tjerë mbetën jashtë”. Në mbledhje mori pjesë edhe Peshkop Noli. Ra në sy mungesa e “dekanit” të çështjes Kombëtare, Faik Konicës, i cili ishte padyshim figura më elitare e asaj kohe dhe një prej promotorëve të Lëvizjes Kombëtare. Artikujt e tij në Dielli i kishin bërë për vete shqiptarët e Amerikës, ndaj përfaqësuesit e shoqërive të ndryshme që kishin ardhë në atë takim historik, po habiteshin që mungonte aty shtylla e bashkimit. Kureshtjen e delegatëve e shoi Kristo Floqi, i cili u tregoi atyre letrën që kishte marrë nga Faik Konica dhe ua lexoi fjalë për fjalë.
Çfarë shkruante Konica në atë letër? E sjellim të plotë:
I dashur z. Floqi
E mora letërn tuaj sot pasdreke dhe ju kthej përhirime për fjalët miqësije dhe nderimi që më thoni. Për fat të zi jam fare i penguar të Djelën, se s’e dinja se kishit mbledhje dhe se do t’më ftojit dhe kështu u lidha gjetkë për pasnesër. Ato që më thoni për bashkimin janë të pëlqyera dhe pa dyshim duhet të bëhet në gjetshim një formulë të drejtë që ta mbarojmë pa prishur punët që kemi trajtuar gjer tani me shumë mundime. Kemi komitetin tonë këtu(Flamurin e Krujës) dhe nuk shohim ndonjë arsye që ta prishim. Është e udhës të prishen punëra pa rregull e pa program, por jo punëra të ndërtuara me kujdes. Besoj këto t’i peshoni dhe të më jepni të drejtë”.
Mbetem Juaji me besë,
FAIK KONITZA d.v
Letra duket se la një shije mosbesimi tek të pranishmit. Vetë Kristo Floqi shkruan se kjo letër ishte një justifikim për të mos ardhur, pasi njoftimi për mbledhjen bashkuse botohej në çdo numër të Diellit dhe Faikut i dërgohej gazeta. Mirëpo tashmë që ai nuk ishte më editor i Diellit, kur e pyesnin për gazetën, thoshte jo pa shpoti se nuk e lexonte më Diellin nga frika se mos harronte shqipen! Sipas interpretimit që i bën letrës, Kristo Floqi, dyshon se Konica e dërgoi letrën dhe s’shkoi vetë në takim ngaqë nuk ishte ai iniciatori dhe s’e nuk donte të sakrifikonte Komitetin e tij “Flamuri i Krujës”, që sipas Floqit kishte vetëm 10-12 anëtarë. Floqi e shkruan të zezë mbi të bardhë”Konica nuk donte që ta merrja unë bajrakun e bashkimit. Si ky, ashtu dhe Noli, qitnin gjithënjë pengime. Këto i kishin kuptuar shqiptarët e Amerikës dhe unë veçanërisht ua diktonja herë pas here me anë të Diellit, organit tonë”.
Në fakt Fan Noli, i ktheu përgjigje Kristo Floqit, se ai dhe miku i tij Konica, nuk ishin kundër bashkimit, përkundrazi, kishin punuar gjatë për bashkimin, por ata kërkonin një punë të pëlqyer dhe serioze, jo qesharake (Dielli 18 janar 1912). Nga ana e tij, ish editori i Diellit, Refat Xh Gurazezi, në ciklin e artikujve rreth historisë së Vatrës, të përmbledhur në librin “Historia e Federatës “Vatra”, e kundërshton Floqin, për të cilin shkruan: “Editori i fundit (sa Dielli ishte gazetë e shoq Besa-Besën), e gjeti të shtruar tryezën e bisedimit, idenë dhe planin për bashkimin e gjithë shoqërive shqiptare të Amerikës rreth një shoqërie të madhe kombëtare”.
Floqi, kryetar i mbledhjes historike/Në kujtimet e veta, Kristo Floqi pohon se për të respektuar Imzot Nolin, e propozoi atë për kryetar të mbledhjes, por Noli e refuzoi me argumentin se i takonte Floqit ai post sepse qe ai që inisiatori dhe organizatori. Propozimi i Nolit u hodh në votë dhe Kristo Floqi u zgjodh kryetar, ndërsa Llambi Kreshpani, sekretar. Pas fjalimeve, Marko Adams propozoi Komisionin historik për themelimin e Vatrës, ku renditi katër emra: Fan Noli, Kristo Floqi, Faik Konica dhe Paskal Aleks. Sipas propozuesit ky komision do të merrte përsipër organizimin e një Federate të madhe Panshqiptare në marrëveshje me të gjitha shoqëritë. Propozimi u gjet i pëlqyer.
Barra i mbeti Komisionit, i cili në mbledhjen e parë zgjodhi Fan S Nolin si sekretar. U njoftua çdo shoqatë që të dërgonte në qendër emrin e delegatit të vet. Floqi kujton se rekordi i parë që shpalli komisioni ishte: Të katër të nënshkruarit, të zgjedhur prej Asamblesë si Komision për të gjetur udhën e bashkimit të të gjitha shoqërive Shqiptare të SHBA, u mblodhën dhe vendosën: 1-Të pyeten të gjitha shoqëritë e kolonitë e tjera, ku nuk egzistojnë shoqëri, nëse u pëlqen një bashkim i përgjithshëm. 2- Si e dëshirojnë bashkimin, në formë qendrore, apo si një federatë? 3-Me çfarë soj qëllimit e dëshirojnë, me qëllim politik, letrar, apo me qëllim propagandë popullore? 4-Në rast se u pëlqen ky bashkim, kur mund të kenë zgjedhë delegatët e tyre për të ardhur në Boston e për të themeluar bashkimin.
Njëkohësisht u njoftuan se Komisioni i të katërve, zgjodhi për sekretar rev. At Fan Nolin me adresë P.O Box 2445, Boston, Mass, me të cilin do të mbahej korerspondenca. Mbledhja e afërme do të bëhej me 3 mars 1912. Poshtë njoftimit ishin vendosur katër emrat, që kanë hyrë tashmë në histori: F. Konitza, Kr. Floqi, At Fan Noli, P. Aleks.
Më pas, ai kujton se ishin zgjedhur edhe delegatët, përfaqësues fuqiplotë: Për Shoqërinë Besa-Besën Llambi Çikozi, për Shoqërinë Mirëbërse At Naum Çerja, për Shoqërinë Kombëtare të Worcesterit Kostika Treska, i cili u zëvendësua prej Kosta Vasilit, për Shqoqërinë Përlindja dhe Malli i Mëmëdheut të Jamestown Kostaq Kota, për Shoqërinë Dallëndyshja të New Yokut dhe Arësimi Kristo Kirka dhe për Komitetin Flamuri i Krujës Kolë Tromara.
Në mbledhjen e 24 marsit 1912, Floqi kujton se u mor vendimi që të hartohej Kanunorja.
Pas gjithë këtyre veprimeve duhej një emër për të pagëzuar Federatën. Floqi kujton: “Gjithësecili prej nesh organizatorë e delegatë, propozoi nga një emër, kush Plugu, kush Parmenda, një tjetër Kastrioti, një tjetër Skënderbeu, dikush Përlindja, por asnjë prej tyre nuk gjeti pëlqimin e të gjithëve. Më pas Fan Noli, hodhi mes pjesmarrësve emrin”Vatra”. U pamë sy më sy më njëri-tjetrin; jo se emri ishte i keq, por sikur nuk na goditi mirë në vesh, por Fan Noli me elokuencën e tij na dha disa sqarime e shpjegime të tjera sinjifikative e kështu na bindi të gjithëve dhe e pranuam me brohori e duartrokitje”. Konica në artikull të botuar në Diellin e 31 marsit 1922, e kundërshton këtë paraqitje të Floqit, kur shkruan:” Për emrin, formën federale, kanunoren, rregulloren, dhe shpirtin e parë të VATRËS, jam responsibël unë. Por e drejta është që Vatra, të cilën un’ e lashë çilimi shtatë muajësh, u rrit, u madhua, u bë një forcë nga Fan Noli dhe Vatranët e Amerikës, më 1915-1919, dhe në atë zhvillim unë s’kam patur asnjë pjesë”.
Më pas u hartu edhe Kanunorja, e cila u nënshkrua nga të gjithë.
28 prill, dita historike/Floqi kujton se 28 prilli 1912 ishte një ditë historike. Ai shkruan:” Dita e 28 prillit 1912 ka qenë dita e fundit e bisedimeve për VATRËN dhe kjo ditë mund të quhet “dita historike e krijimit të Vatrës” e cila kaq shumë i shërbeu Atdheut në kohërat e rrezikshme që pasuan më vonë, shërbime me të vërtetë patriotike që nuk mund të harrohen kurrë”. Kjo ditë është e fiksuar në Rekordin XI, që përmban zgjedhjen e Pleqësisë së Vatrës. U zgjodhën si pleq; Fan Noli, Llambi Çikozi, dhe Kristo Kirka. Si organizatorë për formimin e degëve u zgjodhën Faik Konitza, dhe Kristo Floqi, si kontrollorë Paskal Aleksi, Elia Tromara dhe Kosta Vasili. Puan më e vështirë u takoi dy organizatorëve të cilët duhej të shkonin koloni më koloni dhe të formonin degët e Vatrës. Floqi, duket se nuk ka qenë i kënaqur nga përzgjedhja që bëri Faik Konica, i cili sipas tij, zgjodhi ato koloni ose shoqëri, ku prania numerike e shqiptarëve ishte e madhe, ndërsa fshatrat ia la atij, Kristo Floqit. Ndoshta me subjektivizëm, ai ankohet edhe për rolin ndërmjetës të Nolit, i cili favorizoi Konicën. Floqi kujton se Konica zgjodhi krijimin e degëve në ” Lynn, Worcester, Manchester, Southbridge dhe të Central Falls. Fan Noli, si mik i Konicës, ofroi ndihëmn e vet, dhe mori përsipër që të organizonte degët në Boston, Natichk dhe të Cochituatetit. Kristo Floqit i mbetën degët; Milford So, Framingham, Marlboro, Hudson, Taunton, New Bedford, Bideford Me, Saco Me, Lewiston, Sanford, Augusta, NH, Concoder N. H, Franklin, Penacook dhe disa të tjera më të vogla. Refat Gurazezi edhe në këtë pikë e kundërshton Floqin.
Largimi/Komisioni i përkohshëm i Vatrës e bëri mbledhjen e parë pas themelimit më 2 korrik 1912 në Simonds Hall dhe aty u mor vendimi që të organizohej Kuvendi i Parë të dielën e 14 korrikut 1912. Mbledhja vendosi që të mernin pjesë në Kuvend edhe anëtarë të cilët do të përcaktoheshin nga sekretarët e degëve, por ata do të ishin vetëm dëgjues. Po kjo mbledhje i caktoi për detyrë Faik Konicës që të përgatiste vulën e Federatës, Llambi Çikozi, kishte marrë përsipër që të porosiste kopsat me monogramet F. S. V, dhe Kristo Kirka kishte marrë përsipër botimin e Kanunores në gjuhën shqipe. Kuvendi i parë u bë brenda ditës, edhe pse filloi në orën 1.00 të pasditës. Aty u zgjodhën; Faik Konitza sekretar i përgjithshëm dhe Editor i Diellit, Llambi Çikozi arkëtar i përgjithshëm, Kristo Kirka Menager i Diellit, Kristo Floqi, Paskal Aleksi, Vangjel Gjika dhe Josif Pani kontrollorë. Pa kaluar muaji nisën mosmarrveshjet mes zyrtarëve të Vatrës. Për të kthyer normalitetin, u hoqën tre kontrollorët, Kristo Floqi, Paskal Aleksi dhe Vasil Gjika. Më 11 gusht në vend të tyre u zgjodhën, Fan Noli, Andrea Kristo dhe Koli Caknaqi. Kristo Floqi u zemrua dhe shkoi në New York, ku nisi botimin e gazetës “Zëri i Popullit”.
Floqi shkrimtar, jurist, politikan/Pas kthimit në Atdhe Kristo Floqi iu kushtua avokaturës, letërsisë dhe politikës. Më 1919 ai drejtonte të përmujshmen”Agimi” në Shkodër, ku kishte hapur dhe zyrën e vet avokatore. Më 19 shtator 1920, për pak muaj ai është Ministër i Arsimit në Kabinetin e Iliaz Vrionit. Në legjislaturën e parë, 21 prill 1921 ishte deputet në Parlament. Ushtroi edhe detyrën e gjyqtarit të Diktimit. Floqi u shqua edhe në fushën e krijimtarisë letrare dhe publicistike. Poezitë e tij ishin plot tharm dhe i këndonin atdheut, dëshmorëve, natyrës së bukur, evokonin trimërinë dhe traditat shqiptare. Madje në vitet 1920-30 poezitë e tij ishin në pjesë të teksteve të Këndimit. Vëllimi i tij “Shkëndija ose Antologji shkollore” përmblidhte 105 vjersha, elegji, fabula. Elegjitë kushtuar Naim e Sami Frashërit, Themistokli Gërmenjit, Gani Butkës, Spiro Bellkamenit, Papa Kristo Negovanit, Ceno Sharrës, Meleq Frashërit, Mustafa Qullit, Çerçiz Topullit, Babë Dudë Karbunarës, Kolonelit hollandez Tomson, etj, ishin ndër më të pëlqyerat dhe recitoheshin nëpër festa a përkujtime. Floqi ishte ndër dramaturgët e zëshëm të kohës së vet dhe radhitet në historinë e lëvrimit të dramës shqiptare krahas Sami Frashërit, Mihal Gramenos, Nolit, Foqon Postolit etj. Drama më e pëlqyer e Floqit ishte “Fe e Kombësi”, që u shfaq nga shumë trupa teatrore në vitet ’30. Atij i përkasin edhe dramat “Pirro i Neoptolemit”, “Karl Topia”,”Skënderbeu n’Itali”, “Qypërllinjtë” etj. Ai ishte edhe një komedian jo pak i suksesshëm. Kristo Floqi është dalluar edhe në fushën e studimeve. Ai ka botuar një sërë tekstesh me karakter politik dhe juridik, historik e etnografik. Përmendim:” E drejta themelore”, “Elementë të Ekonomisë politike”, “Një predikim mbi patriotizmë dhe nacionalizmë”,”Kosovë-Serbi e Vjetër”-Studim etnografik, ku ai kundërshton mr fakte se Kosova nuk është Serbi e Vjetër.
Dënimi dhe harresa/Kristo Floqi pat një fund tragjik. Pasi u burgos nga vitet 1945-1950, ai vdiq në mjerim, i braktisur në vitin 1951.Asgjëkundi nuk u fol për vdekjen e tij, madje as në gazetën që kishte drejtuar vetë. Po përse u dënua Floqi? I vetmi faj i tij ishte akuza se kishte shkruar vargjet e Hymnit të Mbretërisë Shqiptare! Si per rastesi edhe muziken e kishte kompozuar nej vatran, Thoma Nassi. Për këtë arsye emri i tij u fut në rreth të zi dhe u damkos si “Armik i Popullit”! Ka ardhur koha që historia jonë kombëtare të shkruhet sipas fakteve dhe jo opinioneve.*(Dielli-arkiv)

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: bashkthemeluesi i vatres, editori i Diellit, Kristo Floqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 662
  • 663
  • 664
  • 665
  • 666
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT