• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“DIELLI” NË SHËRBIM TË ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE NË VITET E LUFTËS SË DYTË BOTËRORE*

February 8, 2013 by dgreca

“Vatra” dhe “Dielli” përbëjnë për shqiptarët një simbolikë të fuqishme. Ata zgjuan tek shqiptarët idenë e zjarrit e të dritës që do nënkuptonte flakë patriotizmi dhe rreze kulture. Një atdhetari, para 40 vjetësh, do t’i pëlqente ta përqaste “Vatrën” me Kongresin e Manastirit. ““Vatra” na mësoi me dashtë Atdhenë…/

 /SHKRUAN: Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu/

 Gjatë gjithë historisë së vet 100-vjeçare (1909-2009) gazeta “Dielli” realizoi një mision historik në shërbim të kombit shqiptar. Mund të thuhet me bindje të plotë se historia e “Diellit” është ajo e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Qysh prej themelimit të shtetit shqiptar “Dielli” ka përjetësuar në faqet e veta fatet e kombit. Duke luftuar me çdo mjet (me memorandume, me protesta, me shkrime, me të holla) “Dielli” shkëlqeu në mbrojtje të kufijve etnikë të kombit shqiptar. Ai e ngriti zërin kundër rreziqeve që i kërcënoheshin ekzistencës së shqiptarëve si komb e si shtet. “Dielli”, si shprehëse e mendimit dhe e veprimtarisë së “Vatrës”, e lartësoi atë si vatër të shqiptarizmës.“Vatra” dhe “Dielli” përbëjnë për shqiptarët një simbolikë të fuqishme. Ata zgjuan tek shqiptarët idenë e zjarrit e të dritës që do nënkuptonte flakë patriotizmi dhe rreze kulture. Një atdhetari, para 40 vjetësh, do t’i pëlqente ta përqaste “Vatrën” me Kongresin e Manastirit. ““Vatra” na mësoi me dashtë Atdhenë, shprehej ai, – Manastiri çeli rrugën e zhvillimit sistematik të letrave (germave) tona. Këto dy institute (“Vatra” dhe “Kongresi i Manastirit” – M.D.) na mësuan se kur shqiptari bashkëpunon me shqiptarin, nuk del gjë që t’ua ngatërrojë lamshat që t’ua pengojë rrugën”[1].

Me plot të drejtë “Dielli” është cilësuar si dekani i shtypit shqiptar sepse, që kur lindi e vazhdimisht, është vënë në shërbim të popullit shqiptar, duke predikuar “ungjillin” e kombësisë së tij. Ndaj “Dielli” ka shkëlqyer si diell mesdite, p-a re dhe pa perëndim. I tillë ka qenë “Dielli” në shërbim të çështjes kombëtare edhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Ky do të jetë dhe objekti i trajtesës sime në këtë konferencë.

*

*        *

          Lufta e Dytë Botërore për shqiptarët filloi në prillin e vitit 1939, kur Shqipëria u sulmua nga Italia fashiste. Që nga kjo kohë në faqet e gazetës “Dielli” u botuan shkrime, informacione e komente ku demaskoheshin jo vetëm propaganda italiane për të joshur shqiptarët, por u denoncuan qëllimet dhe planet italiane në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit ku jetonin shqiptarët.

Propaganda e fashizmit, duke shpërndarë harta të Shqipërisë që përfshinin edhe vendet e pushtuara nga fqinjët me kufij që shkonin në Janinë, Selanik, Manastir e Shkup, përgënjeshtrohej nga “Dielli”. Ky i fundit shprehte bindjen se, këto vende që shënuam më lart, pushtuesit nuk i kërkojnë se janë vende shqiptare dhe duhet t’i kthehen Shqipërisë, por kanë ndërmend t’i grabitin për vete, sikundër grabitnë Shqipërinë e lirë”[2].

Në vitet e para të pushtimit të Shqipërisë “Dielli”, me shkrimet e veta, i bënte një analizë të saktë e realiste situatës përpara së cilës ndodheshin shqiptarët, për t’i orientuar drejt ata. Me të drejtë pohonte “Dielli’ se “Shqiptarët edhe pse nuk e duan fashizmin s’kanë fuqi ta kundërshtojnë Italinë”. Në këtë mes luanin rolin e vet edhe një takëm shqiptarësh, që “Dielli” i quante “shpirtkalbur”, të cilët shiteshin për para, për t’i bërë varrin Shqipërisë. Nën ndikimin e këtyre njerëzve, populli shqiptar ishte i shtrënguar të vishte këmishën e zezë dhe të thërriste “rroftë” ky apo ai eksponent fashist”[3].

“Dielli” u kujtonte shqiptarëve se rekrutimi i tyre në ushtrinë italiane, duke i motivuar me sloganin se “Shqiptarët duhet të luftojnë për madhimin e vendit të tyre”, ishte një mashtrim i komandës italiane, qëllimi i së cilës ishte t’i çonte shqiptarët në vijën e parë të frontit të luftës, që të vriteshin për interesat e Italisë”. Dhe me të vërtetë kështu ndodhi me repartet shqiptare që u mobilizuan në frontin e luftës italo-greke, të cilët u vendosën në vijën e parë të sulmit, prandaj ato dezertuan pasivisht nga fronti i luftës.

Nga ana tjetër, “Dielli” bënte të qartë se, organizmat e administratës fashiste në Shqipëri nuk përfaqësonin shqiptarët, por një “të vetëthënë qeveri shqiptare”, me të cilën “Musolini kërkonte të zbuste popullin shqiptar dhe të gënjejë botën e huaj”. “Dielli” pohonte se edhe “bota e di fort bukur se sot s’ka Shqipëri, as guvernë shqiptare, por ajo është një koloni e vogël e Italisë”. Për rrjedhojë, për të gjitha sulmet që ndërmori Italia ndaj fqinjëve të Shqipërisë s’kishte faj as Shqipëria e as populli i saj”[4].

Duke vepruar në një vend të lirë, “Dielli” kishte të gjitha mundësitë që në faqet e tij, të mbronte jo vetëm interesat kombëtare të shqiptarëve, por edhe t’u ndriçonte mendjen atyre shqiptarëve që ishin mashtruar nga aparenca propagandistike e fashizmit, për të zbutur frymën atdhetare të qëndresës shqiptare.

Në situatën fillestare të paspushtimit të Shqipërisë, politika e fqinjëve dhe e Fuqive të Mëdha, sidomos ajo e qeverisë britanike, kundrejt pavarësisë dhe integritetit territorial të Shqipërisë, u shpalos me një qëndrim të dyshimtë. Në këto rrethana, emigracioni shqiptar në Angli, SHBA dhe në shumë vende të tjera, filloi të ushtronte presion ndaj qeverive të këtyre vendeve, që ata të pranonin dhe të mbështetnin, pa mëdyshje, rimëkëmbjen e pavarësisë dhe ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë.

Në vitin 1941 dhe sidomos gjatë vitit 1942, në adresë të diplomacisë britanike dhe të qeverisë së saj, u dërguan një sërë letrash, telegramesh, peticionesh e memorandumesh ku kërkohej të respektoheshin parimet e Kartës së Atlantikut. Midis tyre spikaste letra e mikes së Shqipërisë E. Durham, e cila kritikonte indiferentizmin e qeverisë britanike ndaj fateve të këtij populli dhe kërkonte me forcë respektimin e pavarësisë dhe të integritetit të Shqipërisë.

Emigracioni shqiptar në Amerikë konsideroi si detyrë të dorës së parë përkrahjen e përpjekjeve për formimin dhe njohjen ndërkombëtare të një qeverie shqiptare në mërgim. Krijimi i një qeverie të tillë konsiderohej, nga shumica e politikanëve shqiptarë, si një faktor themelor juridik e politik për ruajtjen e legalitetit dhe statusit juridiko-territorial të shtetit shqiptar. Nga ana tjetër, krijimi i një qeverie të tillë, do të ishte faktor organizimi e mobilizimi i shqiptarëve në luftën çlirimtare dhe do të siguronte mbrojtjen e  interesave shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Krijimin e një qeverie shqiptare në mërgim e bënte të domosdoshme edhe fakti se, vendet fqinje i kishin ruajtur qeveritë e tyre në mërgim, të cilat, jo vetëm po mbronin me efektivitet interesat e tyre kombëtare, por po kryenin veprimtari të ethshme politike e diplomatike, për realizimin e synimeve të vjetra aneksioniste ndaj Shqipërisë.

E para tentativë, për formimin e kësaj qeverie shqiptare në mërgim, u bë vetëm pak ditë pas sulmit italian kundër Greqisë, duke theksuar se ky sulm “e kishte shtuar urgjencën e çështjes”[5]. Në mënyrë të natyrshme, gjatë këtyre përpjekjeve duhej llogaritur Ahmet Zogu, mbartësi legjitim i sovranitetit të shtetit shqiptar.

Rrymat e ndryshme të emigracionit, të mbështetura në motive sa kombëtare aq edhe juridike, fillimisht e vlerësuan Zogun si pikë qendrore për krijimin e qeverisë shqiptare. Me të drejtë ai shihej si “përfaqësues legjitim i shtetit shqiptar” dhe “bartësi i vetëm i vazhdimësisë së tij konstitucionale”[6].

Një qeveri me A. Zogun në krye, gjykohej edhe si garanci jo vetëm për rimëkëmbjen e pavarësisë, por edhe për paprekshmërinë e kufijve në fund të luftës.

Në lëvizjen për krijimin dhe pranimin e një qeverie shqiptare në mërgim u përfshinë jo vetëm organizatat politike të emigracionit, të drejtuara nga Noli, Konica, Çekrezi, Zavalani por edhe grupime të tjera emigrantësh. Shqiptarët që punonin në industrinë e luftës së SHBA, me anë të një memorandumi, i kërkonin C. Hullit pranimin e një qeverie shqiptare në mërgim nën kryesinë e mbretit A.Zogu[7].

Me një mbështetje të tillë të emigracionit shqiptar, A.Zogu i kërkoi Forin Offisit britanik, në mars të vitit 1942, të njihej si kryetar shteti në mërgim, sepse pozita e tij ishte e njëllojtë me atë të mbretërve të Greqisë dhe të Jugosllavisë. Kjo kërkesë edhe pse do të përsëritej në qershor të vitit 1942, nuk u pëlqye nga Forin Offisi[8]. Por me sa duket qeveria britanike në këtë kohë nuk e kishte përcaktuar qëndrimin kundrejt Shqipërisë[9].

Veprimet e Zogut u mbështetën edhe nga Noli e Konica, dy krerët e emigracionit shqiptar, me vizitën e tyre në Departamentin e Shtetit, në nëntor të vitit 1942[10]. Gjatë bisedës ata argumentuan domosdoshmërinë e krijimit të qeverisë me A.Zogun në krye, si “personaliteti më i shquar shqiptar”. Noli e konsideronte rrezikun grek si faktor thelbësor që e bënte të domosdoshme njohjen e Zogut si kryetar i qeverisë shqiptare në mërgim.

Noli i shprehte C.Hullit shqetësimin se deklarata amerikane për pavarësinë e Shqipërisë, edhe pse ishte e shkëlqyer nga pikëpamja parimore, ishte e destinuar të mbetej në letër, në qoftë se nuk do të përforcohej (kjo deklaratë- M.D.) me garantimin e integritetit tokësor të Shqipërisë dhe me njohjen zyrtare të Mbretit Zog, si kryetar legjitim dhe logjik i qeverisë shqiptare në mërgim, së cilës t’i garantohej edhe një vend në Konferencën e Paqes.

Në se deri në dhjetor të vitit 1942 pengesë për krijimin e një fronti unik dhe të qeverisë shqiptare në mërgim ishte kundërshtimi i politikës britanike, me vdekjen e F. Konicës, u krijua dhe një pengesë e brendshme në emigracionin politik.

Organizata e fuqishme “Vatra” mbeti pa krerët e saj të shquar, tek të cilët Zogu gjeti mbështetje pa kushte. Noli, tashmë, kishte refuzuar të merrte pjesë zyrtarisht në jetën politike shqiptare. “Antizogistët” apo “republikanët” e Londrës dhe të SHBA, pas këtyre ndryshimeve koniunkturale, u tërhoqën nga pozicioni i mëparshëm, kur vetëm përkohësisht, kishin pranuar t’ua nënshtronin interesat e tyre politike, interesave kombëtare. Ata i përfshiu pasioni i mëparshëm i luftës kundër A.Zogut pa marrë parasysh pasojat që do të kishte ky qëndrim për çështjen shqiptare.

Megjithatë, Noli dhe Vatranët mbajtën, edhe pas kësaj situate, një qëndrim konsekuent. Është i njohur telegrami i Nolit dërguar C.Hullit pas botimit të deklaratës britanike, ku theksonte se, pikërisht për arsye të rrezikut grek dhe të ekuivokëve të deklaratës britanike, ishte e nevojshme që Shqipërisë i duheshin dhënë garancitë. Dhe një gjë e tillë bëhej duke njohur zyrtarisht një qeveri shqiptare në emigracion nën drejtimin e Mbretit Zog, me pranimin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara dhe me garantimin e integritetit territorial të saj.

Mjaft emigrantë shqiptarë të Amerikës i shprehnin bindjen Departamentit të Shtetit se “vetëm fronti i bashkuar shqiptar nën udhëheqjen e Mbretit Zog, ishte mënyra më efektive, për të ndihmuar Shqipërinë dhe Kombet e Bashkuara”[11].

Lëvizja e emigracionit shqiptar, për organizimin e luftës antifashiste në Shqipëri dhe për krijimin e qeverisë shqiptare në mërgim, vazhdoi të rritej edhe pas deklaratave të Fuqive të Mëdha, në dhjetor 1942. Mbështetjen ma të madhe kjo lëvizje me idenë e krijimit të një qeverie shqiptare në mërgim, e pati nga radhët e “Vatrës”, e cila kishte një traditë të gjatë në luftën kundër politikës aneksioniste greke.

Për Nolin, rreziku grek ishte faktori kryesor që e shtyu ta shihte shpëtimin e Shqipërisë në ruajtjen e trashëgimisë legale të saj, pra, në njohjen e përfaqësuesit të shtetit shqiptar, A.Zogut, ndonëse ky ishte kundërshtar politik i Nolit. Të shqetësuar për pozitën e Shqipërisë, në raport me vendet e tjera me qeveri në Londër dhe me ambasadorë në Uashington, Noli dhe Konica kishin arritur në përfundimin se, nuk mund të rrinin duarkryq, me arsyetimin se “Zogu mund të konsiderohej si një autoritet që paraqiste një shpresë, se mund të pranohej nga Aleatët, si përfaqësues i vazhdimit të shtetit të pavarur shqiptar. Rrjedhimisht, rreth tij, mund të krijohej një qeveri shqiptare në mërgim e cila mund të pranohej nga qeveritë amerikane dhe britanike, gjë që do të siguronte njohjen e Shqipërisë si komb i bashkuar dhe njohjen e pavarësisë dhe tërësisë tokësore pas luftës. Kjo do të pengonte e do të “thyente intrigat e pretendimet tokësore të qeverisë shoviniste greke e jugosllave në Londër”[12].

Nga ana tjetër, kundërshtarët e Zogut ose republikanët bënin përçapje që të krijonin një komitet kombëtar shqiptar, “Komiteti i Shqipërisë së Lirë”, në vend të një qeverie, duke pranuar që, ky Komitet, të kishte Zogun në krye. Ky Komitet, sipas republikanëve, e linte hapur çështjen e përcaktimit të formës së regjimit pas luftës.

Për Zogun përkrahja e kësaj ideje ishte vetëvrasje. Prandaj këmbëngulte në krijimin e qeverisë legale, të cilën e vlerësonte si garanci të pavarësisë dhe të integritetit territorial të Shqipërisë[13]. Pranimi i Komitetit në vend të qeverisë, do t’u mohonte shqiptarëve të drejtat e fituara gjatë 20 vjetëve të jetës kombëtare dhe pavarësisë, do të bënte që çështja shqiptare të shqyrtohej edhe një herë nga fillimi, pa patur asnjë siguri se rezultati do të ishte në interes të Shqipërisë.

Politika e lëshimeve britanike, për të mos cenuar pretendimet territoriale greke ndaj Shqipërisë, e përçau emigracionin shqiptar, lidhur me rrugët për të mbrojtur integritetin e Shqipërisë nga pretendimet e fqinjëve. Në këtë rreth vicioz të emigracionit shqiptar, një pjesë e mirë e shqiptarëve në vendet e lira, të kryesuar nga “Vatra”, ngulnin këmbë për pranimin pa kushte të Mbretit Zog, gjë që gjeti pasqyrim në faqet e “Diellit”[14].

Në këto rrethana, gjatë këtij debati, në emigracionin shqiptar u shpenzua mjaft kohë dhe energji, duke zbehur e zvarritur përpjekjet për të kundërshtuar propagandën dhe ofensivën diplomatike të qeverisë mbretërore greke në Londër dhe në Uashington.

Në verën e vitit 1944, kur fashizmi po merrte goditjet vendimtare, rreziku komunist po afrohej me shpejtësi. Ofensiva greke për aneksimin e Shqipërisë së Jugut po ashpërsohej dhe intensifikohej. Përpara këtij rreziku, shqiptarët e Amerikës, të mbledhur në një miting, miratuan një rezolutë për Fuqitë e Mëdha dhe Kombet e Bashkuara[15]. Rezoluta kërkonte njohjen zyrtare të qeverisë shqiptare në ekzil, ashtu si kjo qeveri kishte ekzistuar para 7 prillit 1939 dhe pranimi i Shqipërisë me të drejta të plota në OKB.

“Vatra” dhe “Dielli” mbështetën me konsekuencë krijimin e një fronti të përbashkët të shqiptarëve. Prandaj, në vitet e para “Vatra” kishte mbajtur qëndrim kritik ndaj politikës britanike. Për deklaratën e Edenit, dhjetor 1942 “Dielli” kritikonte faktin se ajo “u muar nga grekët si një ftesë dhe ata shpejtuan të përgatitnin dasmën për copëtimin e Shqipërisë. Deklarata e zotit Eden u përhap si një sëmundje ngjitëse në të gjitha anët dhe nuk la asnjë grek gjëkundi pa zënë. Këtu në Amerikë, grekomanët “epirotë” hapën kuletat dhe nisën përsëri nga avazi i vjetër, me shpresë që t’i mbushnin kokën popullit amerikan se shqiptarët janë grekë”[16].

Zhvillimi i ngjarjeve politike dhe ushtarake në Shqipëri, në fund të verës së vitit 1944, me epërsinë e forcave komuniste në drejtimin e vendit, ndikoi dhe në qëndrimin e një pjese të mirë të emigracionit shqiptar. Nisur nga interesat kombëtare, duke ndjerë thellë rrezikun dhe presionin grek në Shqipërinë e Jugut, “Vatra” dhe “Dielli” e mbështetën qeverinë e Enver Hoxhës, siç kishte kërkuar, më parë, krijimin e frontit të përbashkët shqiptar.

“Dielli” do të shkruante : “Lumturisht sot, Toskëria e ka një zot dhe kjo është qeveria provizore e Beratit. Edhe pse s’është njohur, ajo do të njihet. Ne prej së largu duhet të bëjmë ato që nevojiten: të kërkojmë njohjen e qeverisë provizore të Beratit dhe do të insistojmë që kësaj qeverie t’i jepet leje të dërgojë një delegacion në kryeqytetet e mëdhenj, duke nisur nga Uashingtoni”[17].

Në këtë qëndrim për zhvillimet politike në Shqipëri gjetën gjuhën e përbashkët organizatat e emigracionit shqiptar në Amerikë. Organizata “Shqipëria e Lirë” dhe “Vatra”, njera pas tjetrës, në gusht e shtator 1944, i kërkuan qeverisë amerikane të njihte qeverinë e Frontit NÇl të Shqipërisë.

Edhe Kishat Ortodokse Shqiptare të Amerikës, me anë të një telegrami drejtuar C.Hullit, i kërkonin njohjen e qeverisë së krijuar në Shqipëri. Këtë veprim e mbështeti dhe “Vatra”, me anë të presidentit të saj, Vasil Pani, i cili i parashtroi Eduard Stettinusit të njëjtat kërkesa për pranimin e përfaqësuesve të qeverisë shqiptare në Kombet e Bashkuara dhe në Konferencën e Paqes si dhe frenimin e përpjekjeve greke për copëtimin e Shqipërisë dhe garantimin e integritetit e pavarësisë së saj[18]. Faktor kryesor që ndikoi në qëndrimin mbështetës të Nolit dhe të “Vatrës” ndaj qeverisë komuniste ka qenë synimi për ta forcuar pozitën e Shqipërisë në raport me lëvizjet dhe pretendimet greke.

Në përputhje me këtë politikë të “Vatrës” ndaj ngjarjeve në Shqipëri, “Dielli” në faqet e saj i la hapësirë të konsiderueshme propagandimit të luftës së partizanëve si dhe thirrjeve për t’i ndihmuar ato me çdo mjet. “Dielli” publikoi lajme të ndryshme për situatën në Shqipëri si në fushën politike, ekonomike dhe arsimore e kulturore, duke i bërë jehonë, propagandës që bëhej edhe në Shqipëri, pa i bërë asaj pothuajse asnjë koment. Megjithatë, në faqet e “Diellit” gjeti pasqyrim edhe opinioni ndryshe, lidhur me reformat që nisën të zbatoheshin në Shqipëri në fushën e pronës dhe të kapitalit.

Është me interes një debat, i bërë lidhur me zhvillimin e reformës agrare, që u shpalos në programin e qeverisë. Kritika në këtë drejtim bëhej për faktin se këto reforma ekonomike ishin të parakohshme. “Le të sigurojmë lirinë e Shqipërisë më parë, pastaj reformat – thuhej në një shkrim të R.Xh. Gurrazezit, të 4 nëntorit 1944, te “Dielli”. “Le të sigurojmë qetësinë e brendshme duke mbledhur gjithë grupet ose partitë kundërshtare rreth një guverne të fortë. Pastaj do të vijë koha që të bisedojmë edhe për bërjen e reformës agrare”[19].

Duke ecur në rrugën e mbështetjes së qeverisë provizore të Shqipërisë, “Vatra” dhe “Dielli” kërkonin me insistim njohjen e saj nga Aleatët. Madje, në faqet e “Diellit” kritikohej ashpër kjo mosnjohje. “Ta quash këtë një padrejtësi, nuk është mjaft, duhet t’i japim emrin që meriton. Kjo është një tradhti e idealeve të Kombeve të Bashkuara. As më pak, as më shumë. Kjo tradhti duhet ndrequr sa më shpejt”[20].

Moto e punës së “Vatrës” dhe e “Diellit” në fund të luftës mbeti tradita e grumbullimit të ndihmave për shqiptarët e sapo dalë nga lufta. “Dielli” jepte njoftime për situatën e rëndë ekonomike në Shqipëri dhe krahas saj dhe pasqyrën e ndihmave të grumbulluara, duke i qëndruar konsekuente traditës se shqiptarët e Amerikës nuk ishin shkëputur nga hallet, shqetësimet e vuajtjet e Atdheut të tyre – Shqipërisë. Veprimtaria e “Diellit”, edhe në rrethanat komplekse të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, ku interferonin faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, mbeti si gjithnjë në shërbim të ç

 



* Mbajtur në Konferencën Shkencore të organizuar nga “Vatra”, me rastin e 100-vjetorit të botimit të “Diellit”, New Jork, 13 qershor 2009.

[1] Nga fjala e Karl Gurakuqit me rastin e 60-vjetorit të “Diellit”.

[2] “Dielli”, Boston Mass, 1 korrik 1940, Italianët tallen me popullin shqiptar.

[3]Po aty. Në “Dielli” përmenden emrat e këtyre eksponentëve të fashizmit Tefik Mborja dhe Ettore Mutti.

[4]Po aty, f. 2. “S’ka faj Shqipëria, as populli i saj”.

[5] Foreign Office, 371/24866. Kopje e letrës së Dervish Dumës dërguar Nolit dhe Nelo Dizdarit, kapur nga çensura britanike, 6 nëntor 1940. (Referencat arkivore sipas B. Meta në: “Tensioni greko-shqiptar (1939-1949”).

[6] FO.371/33109. Relacion i P. Dixonit mbi bisedën me Tajar Zavalanin , 3 korrik 1942.

[7]United States National Archives (USNA) DS.875.01/564.1/2. Memorandum i shqiptarëve që punonin në industrinë e luftës së SHBA, dërguar C.Hullit (pa datë).

[8] F.O. 371/33110. Raporte të A.Royanit mbi bisedat me Zogun , 24 qershor dhe 4 korrik 1942.

[9] F.O.371/33109/R4470/390/90. Shënime të Dixonit pas bisedës me T. Zavalanin , 3 korrik 1942.

[10] USNA.DS.F.W.875.01/427. Promemorje e Nolit dhe e Konicës pas vizitës në Departamentin e Shtetit, 19 nëntor 1942.

[11] USNA. DS.FW. 875.01/474. Tel. i Shaqir Bucos, Asat Hasanit, Mehmet Kinakolicit, Hysen Panaritit etj., dërguar C.Hullit, 28 dhjetor 1942.

[12] Behar Shtylla, Noli siç e kam njohur unë, Tiranë, 1997, f. 112.

[13] F.O.371/37 137. Kopje e letrës së Sotir Martinit drejtuar Tajar Zavalanit, 11 maj 1943.

[14] F.O.371/37/137. Letër e T. Zavalanit dërguar Miss Barkerit, 24 tetor 1943.

[15] F.O. 371/43555/R 179/71/90. Tel. dërguar A. Edenit nga Kryesia e Komitetit për Çlirimin e Shqipërisë (Christ Lepon, Petro Danushi, Christ Skurte, Ismail Emini, Angelo Peters) 9 qershor 1944.

[16] “Dielli”, 18 nëntor 1944. Toskëria sot.

[17]Po aty.

[18] USNA.DS.FW. 875.01/11-3044. Tel. i Vasil Panit dërguar Eduard Stettinusit, 11 dhjetor 1944.

[19] “Dielli”, 4 nëntor 1944. Le të sigurojmë lirinë e Shqipërisë më parë, pastaj reformat.

[20] “Dielli”, 2 dhjetor 1944. Lajme nga Shqipëria.

Filed Under: Histori Tagged With: ceshtja Kombetare, dielli, Muharrem Dezhgiu, Vatra

KURRË …MOS HARRONI !

February 7, 2013 by dgreca

NGA FRITZ  RADOVANI/

 6 SHKURT 1967- “REVOLUCIONI”  IDEOLOGJIK DHE KULTUROR/

 “…MEQENËSE KATOLIÇIZMI SHQIPTAR DHE NË VEÇANSI KLERI ISHIN PËNGESA MË E MADHE PËR TRIUMFIN E KOMUNIZMIT NË SHQIPËRI, QEVERIA NUK DO TË KURSENTE ASNJË PËRPJEKJE PËR T’I SHPARTALLUAR ATA”- Enver Hoxha, Selected Works, Vëllimi I-rë, fq. 438, Tiranë 1974./

 MBAS VITIT 1967…

VETEM NGA KLERI KATOLIK SHQIPTAR…

  Imzot ERNESTO M. ÇOBA (1913 – 1980)

■ Arrestohet në vitin 1976 dhe vdes në spitalin e burgut të Tiranës në vitin 1980.

 Don ZEF BICI (1919 – 1968)

■ Arrestohet në vitin 1967 dhe pushkatohet në vitin 1968

–Don MARK DUSHI (1920 – 1968)

■ Arrestohet në vitin 1967 dhe pushkatohet në vitin 1968.

 Don MARIN SHKURTI (1933 – 1969)

■ Arrestohet në vitin 1968 dhe pushkatohet në vitin 1969.

 –Don SHTJEFEN KURTI (1898 – 1971)

■ Arrestohet në vitin 1971 dhe pushkatohet në vitin 1971.

–Don MIKEL BELTOJA (1935 – 1974)

■ Arrestohet në vitin 1973 dhe pushkatohet në vitin 1974.

–Don PREKË NIKÇI (1921 – 1974)

■ Mbytet në guroren e Krujës…në vitin 1974.

 –Don MARK HASI (1920 – 1981)

■ Arrestohet në vitet 1946 e 1967, ban 20 vjetë burg, vdes në kampin e Ballshit 1981.

 –Don LAZER JUBANI (1925 – 1982)

■ Ka ba 10 vjet burg. Në vitin 1982 helmatiset nga një agjent i sigurimit të shtetit.

– Don LEC SAHATÇIJA (1906 – 1986)

■ Arrestohet në vitin 1976 dhe mbas 10 vjetësh në burgun e Tiranës, vdes nё 1986.

Don LAZER SHELDIJA (1928 – 1988)

■ Në vitin 1988, mbytet nga dy terrorist të sigurimit shqiptar në Bronx,New York.

 Don PJETER GRUDA (1922 – 1989)

■Arrestohet në 1946 e 1968, mbas 20 vjetësh vdes në kampin e Sarandës në 1989.

■ Janë arrestue, torturue, dënue, janë internue dhe ridënue deri në zhdukjen e plotë nder kampet e shfarosjes së Republikës Socialiste të Shqipnisë, këta Klerit Katolik Shqiptar, të perfshimë në këte Genocid të ashtuquejtun “Revolucion Ideologjik e Kultural”, vetem mbas vitit 1967:

  1. 1.      At Pjeter Mëshkalla, 25 vjetë burg.
  2. 2.     Don Mikel Koliqi, 38 vjetë burg dhe interrnim.
  3. 3.     Don Nikollë Mazrreku, 37 vjetë burg e interrnim.
  4. 4.     At Zef Pllumbi, 28 vjetë burg e interrnim.
  5. 5.     Don Simon Jubani, 26 vjetë burg.
  6. 6.     At Gegë Lumaj, 20 vjetë burg.
  7. 7.     At Gjergj Vata, ban mbi 10 vjetë burg…ashtu si pasusit…
  8. 8.     Don Frano Illija.
  9. 9.     Don Ndoc Sahatçija.

10. Don Nikollë Troshani.

  1. 11.  Don Zef Simoni.

12. Don Kolec Toni.

13. Don Ndré Krroqi.

14. At Anton Luli.

15. Don Ndoc Ndoja.

16. Don Gjergj Simoni.

17. Don Marjan Arta.

18. Fratel Gasper Jubani.

19. At Ferdinand Pali.

20. At Aleks Baqli.

21. At Leon Kabashi.

22. Don Martin Trushi.

23. Don Nikollë Pergjini interrnohet.

■ Mbas mbylljes perfundimtare të Kishave, Klerikëve tё dëbuen nga qelat e Tyne, ju plaçkiten veprat letrare dhe artistike, ashtu si Kishave ku Ata kanë sherbye. Iu ndalue me ligj çdo aktivitet fetar. Kanë jetue nder punë të vështira dhe me një perndjekje të vazhdueshme nga shteti.

■ Mbas vitit 1967, janë prishë e janë tretë të gjithë Eshtnat e Vorrezave të Kishave të Shqipnisë, tue fillue nga Katedralia qind e sa vjeçare.

■ Mbas vitit 1967 në Shqipni, nuk ka mbetë asnjë Kishë Katolike.

 ■ As ky terror e shfarosje…nuk quhet Genocid !?..

Papa Gjon Pali II- Pershndetë Popullin Shqiptar… –25 Prill 1993…/

 ■Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit…

 ■Drama e Juaj, Shqiptarë të dashtun, zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Evropian dhe asht  e domosdoshme që Evropa mos t’ Ju harrojë. Dhe në fakt ky duhët të jetë pikësynimi sot, me këthye shpejt fletën tue mos harrue atë që ka ekzistue, për me shikue përpara. Pikëpamje kjo, që në një prizem vështrimi asht e drejtë e madje, e domosdoshme, por me një kusht që me mbetë gjithmonë në kujtesën tonë ajo që ngjau në të kaluemen. Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikthye tek të njajtat gabime të përlotuna dhe asht shtegu ma i mirë për një proçes pajtimi të vërtetë…

 ■Një demokraci pa vlera, – kam shkrue në Enciklikën Centesimus Annus – mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapun ose të fshehtë, si po na e tregon historia…

 ■Në emnin tand Popull Shqiptar, po i drejtohëm këtu Komunitetëve Ndërkombëtare që ta këthejnë vëmendjen e tyne vepruese ndaj kërkesave të zhvillimit tand të përgjithёshëm. Vetëm kështu mund të mëkambët Paqa në këte zonë të Ballkanit, të përgjakun nga konfliktet vëllavrasëse të ulta e të pakuptim…

 Melbourne, Mars 2012.

Filed Under: Histori Tagged With: 6 shkurt 1967, Fritz radovani, mos harroni, revolucioni ideologjik

Histori e kishes ortodokse shqiptare

February 6, 2013 by dgreca

NGA AT NIKOLLA MARKU*

Me shkrirjen e patrikanes se Ohrit dhe kalimi i varesise se kishes ortodokse direkt nga Kostandinopoli, pas janarit te vitit 1767 (influencuar edhe nga rezultatet e lufterave ruso-turke) u vu re nje perpjekje fare e hapur per helenizimin e popujve te ballkanit duke shtuar numrin e shkollave greke dhe te qendrave te rendesishme fetare dhe didaktike si Voskopoja ku u hapen shkolla si « Akademia e Re » (nje institucion illuminist ne te cilen kontribuan greke, rumune-vllhe dhe shqiptare si Kavalioti )ne vitin 1744 apo shtypshkronja etj. Por patriotet fetare dhe njerez te ditur Shqiptare e shfrytezuan kete infrastrukture dhe kulture fetare per te prodhuar vepra per te ardhmen e kombit shqiptar sic ishte edhe fjalori tre gjuhesh i Kavaliotit i botuar ne Venedik me 1744. Keshtu Voskopoja u be nje qender iluminizmi , arti dhe atdhetarizme e . Po si devocion patriotik ne ndihme te kishes shqiptare erdhi edhe Ali Pashe Tepelena i cili ngarkoi mjekun e tij Vangjel Meksin te Perkthente Dhiaten e re per besimtaret shqiptare ne vitin 1819 deri 1827 per te vazhduar vone me perkthimet e Kristoforidhit te vitit 1872

Pushtimi osman dhe përhapja e islamizmit e demtoi rende fene e krishtere katolike apo ortodokse. Me rritjen e ndërgjegjes kombëtare në luftën kundër sundimit të huaj, nga shtresa e klerit vendës dolën disa figura të njohura si Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani të cilët luajtën një rol të rëndësishëm për kulturën shqiptare. Gjatë Rilindjes kombëtare nga rradhët e dy degëve të Krishtera pati klerikë që punuan për interesat e vendit e të kulturës kombëtare, si Papa Kristo Negovani, Ndoc Nikaj, Nikollë Kaçorri etj.
Ne fund te shekullit XIX dhe ne fillim te shekullit XX ,patriotet Shqipetare te mergimit, kryesisht ortodokse e kuptuan heret se per te kundeshtuar politiken dhe praktiken helenizuese te Greqise duhej nje Kishe Autoqefale Shqiptare.Tentativat e para per kete jane bere nga Nikolla Naco me orijgine nga ne Bukuresht por pa sukses.
E drejta ligjore per autoqefali i lindi Kishës Ortodokse të Shqipërisë qysh më 28 Nëntor 1912. Me shpalljen e pavarësisë nga Turqia, Kisha Ortodokse e Shqipërisë nuk mund të mbrohej më juridikisht nga Patrikana, e cila ishte nën juridiksionin e shtetit turk. Kjo kishte ndodhur edhe me popullsitë e tjera të Ballkanit që kishin qenë të pushtuara nga Turqia. Kështu, kishin shpallur autoqefalinë Kisha Ortodokse Greke, Bullgare, Rumune dhe Serbe, e cila e kishte fituar këtë të drejtë që në shek.XIII.
Në Amerikë kjo përpjekje filloi qysh në Maj te vitit 1907. Një shkak që i dha shtysë këtij problemi, ka qenë një ngjarje konkrete. Më gusht të vitit 1907, vdiq një djalë i ri, në qytetin Hadson. Kur trupi i tij u shpu ne Kishen Ortodokse ku zakonisht kryenin shërbesat e tyre shqiptarët ortodoksë, prifti grek refuzoi ti kryente sherebesen e permortshme pasi djaloshi njihej si nacionalist shqiptar dhe ishte “automatikisht i c’kisheruar” .
Për këte shkak, shqiptarët krijuan një shoqëri fetare në Shtator 1907, me emrin“Nderi Shqiptar” dhe zgjodhën një komision, që ai ta lidhte shoqërinë e Usterit me emigrantët e Natikut, Marlboros, Bostonit, etj. Ky ishte hapi i parë për një Kishe Ortodokse Shqiptare të pavarur në emigracionin e Amerikës.
Meqë shqiptarët nuk kishin një prift legal të dorezuar nga një peshkop, vendosën që të thërrisnin një prift nga Shqipëria.
Nga kandidatët fitoi F.Noli, i cili pas shume peripecish te stisura nga patrikana ,më Mars te vitit 1908, F.Noli u dorëzua prift i ligjshëm. Noli u shigurua prift nga tre peshkope nje rus , nje ukrainas dhe nje rumun.
Kjo ngjarje u prit me gëzim nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodheshin dhe pati jehonë të gjerë në të gjithë shtypin e kohës. Për të shkroi gazeta “Drita”e Sofjes, të cilën e nxirrte Shahin Kolonja, “Shpresa e Shqypnis”, si dhe gazeta të tjera shqiptare të Misirit dhe të Amerikës.
Meshën e parë në gjuhën shqipe, F.Noli e dha më 22 Mars 1908.
Pas kesaj ne Amerkike fillon ethshem ndertimi i Kishave ortodokse shqiptare kisha e Shën Kollit në Sauth Brixh, e cila perfundoi në vitin 1912.kisha e Shën Palit dhe e Shën Pjetrit në Filadelfia. Iniciativën e mori emigranti Stavri Seminaku nga Berati dhe prifti nga Rehova e Kolonjës at Naum Cerja. Në vitin 1919 u ngrit kisha e Shën Mërise në Natik.
Për nevojat e Kishës së re shqiptare e të pavarur, F.Noli përktheu me radhë nga viti 1908-1914, të gjithë librat kishtare të domosdoshëm “Sherbesat e Javes së Madhe”, Libri i Sherbesave të Shenjta”, “Libri i të Kremteve të Mëdha”,“Triodhi i vogel”, “Lutjesorja” dhe “Pesëdhjetëvjetorja e vogël”.
Të gjitha këto përpjekje për një Kishë Ortodokse Autoqefale Shqiptare, F.Noli i bëri me synimin e krijimit të një peshkopate ortodokse shqiptare në Amerikë, fronin e së cilës, në të ardhmen ta shpinin ne Shqipëri.
Një nga ngjarjet më të shënuara të Kishës Ortodokse Shqiptare ka qene Kuvend i dates 16 Mars të vitit 1919 ku u mblodh diaspora shqiptare e Amerikes Kanadase dhe Meksikes Kuvendi i kërkoi peshkopit rus t’u jepte mundësi që të formonin Peshkopatën Shqiptare të Amerikës dhe të dorëzonte peshkopin e tyre të parë. Për këtë qëllim u bënë shumë kërkesa edhe në kryepeshkopata të tjera. Peshkopi rus premtoi tri here që të dorëzonte F.Nolin peshkop dhe të tri herët u terhoq. Në rrethana të tilla më 26 Korrik 1919, në kishën e Shën Gjergjit në Boston, F.Noli iu drejtue të pranishmëve: “Kush e bëri peshkopin e parë fare?” Dhe populli iu pergjigj: “Të parin fare e bëri populli. Dhe mua populli të më dorëzojë se jam i pari fare për shqiptarët” – tha F.Noli.
Nga ana tjetër, Kuvendi i 30 Korrikut 1919 e shpalli Kishën Ortodokse Shqiptare të Amerikës kishë autoqefale dhe F.Nolin peshkop të saj.
Ndërsa në Amerikë ndodhnin këto ngjarje, në Shqipëri, e cila ishte bërë shesh lufte, mbizotëronin mitropolitët grekë, si Jakovi i Durrësit e pastaj i Korçës, Njoftime kishte se Në Shqipëri vepronin bandat terroriste greke të “kompanive të shenjta”, të cilat vranë Papa Kristo Negovanin në vitin 1904, terrorizuan popullsinë e Shqipërisë së Jugut në vitin 1914, vranë At Stath Melanin në vitin 1917.
Pas gjithë këtyre pengesave më në fund, më 28 Prill 1921 at Vasil Marku dha të parën meshë shqip në kishën e Shën Gjergjit në Korçë.
Ngjarja më e madhe për Kishën Ortodokse të Shqipërisë ishte mbledhja e një kongresi gjithëshqiptar në Berat, më 10 Shtator të vitit 1922 ku u aprovua nga kongresi që si qender e Kishës Autoqefale të Shqiperisë të ishte Korça.
Kongresi vendosi që gjuha e liturgjisë në Kishen Ortodokse Autoqefale Shqiptare të ishte gjuha shqipe.Kongresi i Beratit u mbyll më 19 Shtator 1922.
Më 21 Nëntor 1923, Sinodi I Pare I themeluar ne Berat shpalli F.Nolin kryepeshkop. Ceremonia u bë në kishën e Shen Gjergjit në Korçë.
Kështu, sikurse shkruan dhe F.Noli, pas 500 vjetësh u krijua Sinodi i Pare i Kishës Ortodokse Shqiptare qysh në vitin 1478, kur e gjithë Shqipëria (Arberia) ra nën sundimin osman. Ky Sinod i Shenjtë përbëhej nga Hireotheu, miropolit i Korçës dhe i Gjirokastrës, Kristofor Kisi, mitropolit i Beratit dhe i Vlorës, F.Noli, mitropolit i Durrësit dhe i Tiranës. Ky Sinod sipas F.Nolit, vijoi deri më 24 Dhjetor 1924, kur Fan Noli u detyrua të largohej nga Shqipëria.

Me përkrahjen e qeverisë, erdhi në krye te Kishës Ortodokse të Shqiperisë at Visarion Xhuvani, i cili u shpall kryepeshkop në këtë mënyrë. Në vitin 1929, ai u dërgua nga Sinodi dhe mitropoliti i tij tek Anastasi i Koshavacit.
Që aty u thirr në Tiranë dhe tok me peshkopin serb të Shkodrës, si dhe me dy peshkopë të tjerë, Evthim Ikonomin dhe V.Camcen (Agathangjelin), krijuan Sinodin e Dytë të Kishës Ortodokse Shqiptare me kryepeshkop Visarion Xhavanin. Patrikana Ekumenike e kundërshtoi këtë sinod Megjithëketë, duhet theksuar se V.Xhuvani u tregua shumë energjik. Gjatë kohës që ishte në krye të Kishës ai mblodhi Kongresin II gjithëortodoks në Korçë, më 16 Qershor 1929
Nën formulën: Kishe e lirë në shtet të lirë”, Kishë e ndarë nga shteti, u formulua neni 16 i Statutit ku thuhet: ”Kryepeshkopi, peshkopët, zëvendësit e tyre lokalë, Ikonomi i Madh Mitrofor, Sekretar i Përgjithshëm i Sinodit, si dhe ndihmësit dhe zëvendësit klerikë të Kryepeshkopit dhe peshkopëve, duhet të jenë prej gjakut dhe gjuhës shqiptare, si dhe të kenë nënshtetësinë shqiptare”.
Sinodi II i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërise, po i panjohur nga Patrikana Ekumenike u përbë nga: Kryepeshkop dhe peshkop i Tiranës dhe i Durrësit V.Xhuvani, imzot Camce, imzot Ambrozi, imzot Eugjeni. Më vonë ky sinod u plotësua dhe me Ikonomin e Madh, Mitrofor, at Vasil Markun.
Mbreti Zog gjate perpjekjeve per te krijuar nje stabilite politik ne Shqiperi ndoqi nje politike neutrale ne lidhje me besimet e ndryshme ne Shqiperi duke e ndare pushtetin nga feja , duke perkrahur autoqefaline e kishes ortodokse si edhe duke preferuar shqipetare ne drejtimine fese. Per tre vjet ai pat nje konflikt me shkollat katolike (1933-1936) te cilat I mbylli dhe pastaj I hapi prape. Kjo u be ne kuader te reformes arsimore.Ka interpretime se kjo levizje e Zogut u be edhe per te mbajtur nje ekuiliber fetar dhe per ti vene nje kufi ekspansionit te gjithanshem italian ne Shqiperi
Problemi atoqefalise u be nje nga temat kryesore edhe per mbretin Zog I clili dergoi minitrsin ortodoks Kota dy hetre ne Stamboll per te negociuar por edhe per te kercenuar.Në vitin 1933, qeveria e mbretit Zog bëri presion edhe ndaj Xhuvanit që ai të jepte dorëheqjen dhe u ngarkua Kristofor Kisi për të formuar Sinodin e Tretë te Kishës Ortodokse Shqiptare. U arrit që më 20 Shkurt 1937, qeveria shqiptare të niste delegatë për në Athinë K.Kisin dhe laikun Josif Kedhi.
Kështu, më 12 Prill 1937, Kishes Ortodokse Shqiptare iu njoh zyrtarisht varesia direkte nga patrikana dhe u shpall autoqefale. Dekreti i lartë kishtar, Tomi., iu dorëzua K.Kisit. Me këtë rast, Patrikana i dërgoi një mesazh Ministrit të Drejtësisë Thoma Orollogaj, Mbretit Zog dhe Kryeministrit Koço Kotta.
Tani e tutje, kjo kishë edhe juridikisht e në mënyrë kanonike, vendoste vetë për organizimin e saj, si për caktimin e peshkopëve dhe të peshkopatave, për përkthimin e liturgjisë dhe librave të meshës në gjuhën shqipe, etj.
Nga ana e saj, Patrikana ruante të drejtën e shpjegimit e të interpretimit të dogmës ortodokse dhe kërkoi që ndër të gjithë peshkopët e mundshëm të fronësuar nga Sinodi i shenjtë i Kishës Autoqefale të Shqipërisë, dy prej tyre të kishin, për këtë arsye, formim teologjik ortodoks në shkollat greke dhe të kishin jetuar jashtë vendit, dmth në Greqi ose në Malin e Shenjtë, për mjaft kohë. Ky ishte i vetmi kusht që vuri Patrikana Ekumenike.
Sinodi III i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, përbëhej nga Kristofor Kisi, kryepeshkop dhe mitropolit i Durrësit dhe i Tiranës, Agathangjel Çamçe, mitropolit i Beratit, Evllogji Kurnila, mitropolit i Korçës, Pandeli Kotoko, mitropolit i Gjirokastrës.

  • U dergua per Diellin nga AT NIKOLLA MARKU

Filed Under: Histori Tagged With: AT Nikolla Marku, Historia e Kishes, Ortodokse shqiptare

GREKËT E KANË PUSHTUAR EPIRIN ME TRASTËN E LYPSIT

February 5, 2013 by dgreca

Vetë grekërit, në revolucionin e tyre kundër turqëve, revolucion të cilin ata e fituan vetëm në sajë të trurit, të gjakut dhe të burrërisë së shqiptarëve, kur parashtruan kërkesat e tyre të para toksore, e vunë kufirin me ekstrem të veriut të Greqisë përtej Artës, në Agrino. Aso kohe atyre  do t’u delte shkuma një pëllëmbë mbi kurriz edhe sikur ta shihnin në ëndërr Shkumbinin tonë, -shtrirjen e kufijëve të Greqisë deri në Shkumbinin e Shqipërisë,-siç filluan të kërkonin më vonë,  kur u erdhi oreksi me të ngrënë./

NGA BILAL XHFERRI*/

…Grekërit, grekomëdhenjtë , grekofilët, grekomanët e të gjithë ngjyrave çirren e ngjiren për “Vorio Epirin” të cilin nga një përrallëz e kanë bërë gjallëz.  Po kush vallë e ngriti ndonjëherë zërin për Çamërinë, për ngjarjet tragjike të Çamërisë, për qytetet dhe fshatrat çame të bëra gërmadha, për krimet e grekëve mbi popullsinë e Çamërisë, për të vrarët dhe të masakruarit, për ata që u therën me thika si bagëti, të mbyllur në hajatet e xhamive, për ata që vdiqën udhëve  nga uria dhe nga të ftohtit e vitit 1944, për familjet çame të ndara e të shkatërruara, për çnderimet e shëmtuara, për pasuritë e humbura?

    Grekëve u erdhi dora tek veshi në mbarim të luftës së madhe botërore që kaloi. Po nuk ishte trimëria e tyre ajo që na mundi ne, ne na vuri poshtë fatkeqësia jonë. Çamët luftuan dhe u mbajtën si burrat për të mbrojtur vatrat e tyre. Ata nuk do ta kishin lënë vendin në qoftëse do të kishin patur ndihmë nga brenda Shqipërisë. Jo ndonjë ndihmë aq të madhe. Mjaftonte që komunistët, të cilët po delnin fitimtarë në luftën vëllavrasëse në Atdhe, të kishin dërguar nja dy batalione në Çamëri, sa për të ndaluar hovin e bandave greke që i ishin sulur asaj krahine krahëkëputur  e të izoluar. Kjo do ta kishte ndaluar rrënimin e Çamërisë dhe çamët do të ishin sot atje në vendin e tyre, siç janë kosovarët në vendin e tyre në Kosovë, pa pastaj le të bëhej si të bëhej. Mirëpo komunistët s’bëheshin merak për Çamërinë, ashtu siç nuk bëhen as sot e kësaj dite. Në atë kohë atyre u duheshin batalionet se donin t’i dërgonin në Kosovë që të kapnin kosovarët dhe t’ja dorëzonin Titos, që t’i shkonte në plumb me mijëra e mijëra…

                                       ***

….Grekërit e kanë pushtuar Epirin me trastën e lypsit. Ata kanë hyrë atje si argatë në tokat që u lëshoheshin nga shqiptarët, janë vendosur në ato toka si bujq dhe kanë mbetur atje. Gjatë mijëra vitesh hsitori, që nga Hesiodi e Homeri dhe deri tek Herodoti dhe Thuqididi, që nga Plutarku dhe deri tek Bajroni, historianët, studionjësit apo udhëtarët e ndryshëm, qofshin ata të huaj ose qofshin grek, e kanë njohur Epirin si një vend Jo Grek, si një vend Iliro-Pellazg në kohët antike dhe si një vend shqiptar në kohët moderne -, vend i banuar; kënd më kënd nga shqiptarët.

    Vetë grekërit, në revolucionin e tyre kundër turqëve, revolucion të cilin ata e fituan vetëm në sajë të trurit, të gjakut dhe të burrërisë së shqiptarëve, kur parashtruan kërkesat e tyre të para toksore, e vunë kufirin me ekstrem të veriut të Greqisë përtej Artës, në Agrino. Aso kohe atyre  do t’u delte shkuma një pëllëmbë mbi kurriz edhe sikur ta shihnin në ëndërr Shkumbinin tonë, -shtrirjen e kufijëve të Greqisë deri në Shkumbinin e Shqipërisë,-siç filluan të kërkonin më vonë,  kur u erdhi oreksi me të ngrënë. Se në ato kohëra , në ato gryka e në ato pllaja, vetëvetinte palla e atyre fustanebardhëve me opinga me xhufka, palla “…e atyre burrave zeshkanë, me të bardhat fustanella dhe të zinjët Jataganë”, siç u këndonte shqiptarëve Bajroni, poeti më i madh i botës në atë shekull…Po kohët ndërruan…U ulën malet…u ngritën brigjet…

          Gjatë këtyre kohëve, historia, fati, dhe rrethanat nuk kanë punuar për ne po duket se kanë qenë kundër nesh. Nuk do të vazhdojë kështu për jetë. Kohët, ashtu siç kanë ndrruar për të keqen tonë ashtu do të ndrrojnë për të mirën tonë. Malet nuk ulen vërtetë. Ata mbulohen me mjegulla e këto re mbi malet tona do t’i marrë ato tutje përsëri, atëhere bota do të verë re se malet janë atje ku ishin, të lartë e të përjetshëm.

*Fjala e mbajtur me 28 nëntor 1976 nnë Chikago, me rastin e Ditës së Flamurit, organizuar nag Lidhja Çame.

Filed Under: Histori

HISTORI- VATRA NE VITIN 1919

February 5, 2013 by dgreca

Sulmi i Grekeve ne jug, vdekja e Ismail Qemalit dhe “gerricja” e Mihal Gramenos tek Koha, delegatet e Vatres ne Zvicer Mithat Frasheri dhe Dr. Mihal Turtulli, Vatra dhe marredheniet me miqte angleze-Kolonelit Aubrey Herbert dhe Zojushës Edith Durham, Konferenca e Paqes dhe armiqte e Shqiperise Eleutherios Venizelos i Greqisë dhe Nikola Pashiqi i Serbisë…/

 Javën e fundit të Jenarit 1919, gazetat greke të New York-ut botuan një lajmë nga Athina që thosh se ushtëria greke hyri në Korçë, Permet, Delvinë, Frashër dhe vise të tjera te Shqipërisë së Jugës. Për atë shkak, u-thirr me telegram Komisioni i Vatrës në një mbledhje të posaçme me 30 të muajit që bisedoj mi sulmin e ri te Grekëve kundrë Shqipërisë, dhe se ç’munt të bënte Vatra n’atë krizë të re per Shqipërinë.

Më parë se të mblidhej Komisioni, Vatra hoqi një kabllogram në Romë dhe pyeti se ç’ish mendimi i guvernës italiane për rizaptimin e atyre viseve të Shqipërisë prej ushtërisë greke? Përgjigjia u-vonua, koha nuk priste dhe duheshin marë masat e nevojshme. Vonimi i përgjigjjes e vuri në dyshim Vatren dhe humbi besimin e saj në politikën e Italisë. Vatra desh të bënte qarje në Konferencën e Paqës në Paris kundrë Greqisë, po u-ndal shkaku se një protest i atilë munt të shkelte vëndimin e kuvendit të funtime që thosh se “duhet të jemi në mareveshje te mira me Qeverine Italiane.” Me ne funt, passi e shoshiti miaft çështjen, Komisioni vëndosi që të thirrej Këshilla Kombëtare në një mbledhje te posaçme për t’i dhënë funt atij problemi. Mbledhja e Këshilles u-vëndos të mbahej të Martën me 4 Shkurt, pesë ditë pas mbledhjes së Komisionit.

Me 27 Jenar 1919, u-raportua vdekja e Ismail Qemal Be Vlorës në Peruza t’Italisë. Zyrtarët e Vatrës, mbledhur të gjithë në zyrën e saj, u-ngritnë më këmbë dhe qëndruan dy minuta në heshtje si shenjë hidhërimi dhe zie për kujtim të tij. Vatra ngushëlloj me kabllogram Hetem Qemal Vlorën n’Itali për vdekjën e atit tij, i cili ngriti Flamurin Kombëtar në Vlorë me 1912, shpalli independencën e Shqipërisë dhe u-qojt Babaj i Kombit.

Dielli, në një artikull të shkurtër, tha ca fjalë të mira për Ismail Qemalin pas vdekjes së tij, të cilin e pat kundërshtuar dhe kritikuar ashpërisht për një kohë të gjatë. Me atë rast, Mihal Gramenua shkrojti në gazetën e tij “Koha” dhe e duguliti Diellin duke i hedhur këtë gur: “Vdis pa të të dua!” Ay koment i shkurtër po në vënt e zemëroj editorin e Diellit Bahri Omarin, i cili në përgjigjjen e tij përdori ca fjalë të dobëta kundrë Ngritesit të Flamurit dhe editorit të “Kohës.”

Me 4 Shkurt u-mbloth këshilla Kombëtare në zyrë të Vatrës, e thirrur me telegram se koha nuk priste. Mbledhja e Këshillës vazhdoj dy ditë, dhe mbajti pese sesione. Këshilla Kombëtare kish fuqin’e kuvendit, dhe caktonte politikën e Vatrës.

Pasi u shtruan për bisedim sulmi i ushtërisë greke në Shqipërin’ e Jugës dhe dyshimi i Komisionit të Qendrës mi politikën e qeverisë italiane kundrejt Shqipërisë, Këshilla vëndosi qe Vatra të vazhdonte politikën që caktoj kuvendi, gjer sa të kthjellohej mirë ajo çështje dhe të mos mbetej shkak për dyshim.

N’atë mbledhje u-leçitnë disa raporte diplomatike të delegateve të Vatrës n’Evropë dhe n’Amerikë. Dr. Mihal Turtulli, delegat i Vatrës në Svicrë, thosh në raportin e tij shkakun se përse ay nuk bashkohej me dekllaratën e Genevës të nënëshkruar nga 13 Shqipëtarë më 12 Tetor (1918) – natyrisht njerës me shumë a pakë zotësi si politikanë. Tekstin e dekllaratës as raportin e Dr. Turtullit nuk i kemi parë dhe s’dimë se ç’thoshin, dhe s’është çudi të kenë humbur, si shumë dokumenta të tjera historike. Kemi këtu mi këtë çështje vetëm një shenim të shkurtër të bërë nga sekretari i ahershëm i Vatrës.

Në Svicrë ish dhe Midhat Frashëri delegat i Vatrës bashkë me Dr. Turtullin, dhe në mbledhjën e Këshillës u-leçit në letrë e nënëshkruar prej të dyve. Delegatët e Vatrës për ca kohë s’ishin të lirë të vijin në Paris, ku ish mbledhur Konferenca e Paqës dhe po bisedohej fati i tërë botës; vetëm kryedelegati Mehmed Konitza udhëtonte midis Londonit dhe Parisit, ay kish miq të fortë Inglizët.

Në sesionin e mëngjesit të Këshillës, u-leçitnë dhe letrat e miqve Inglizë, të Kolonelit Aubrey Herbert dhe Zojushës Edith Durham, të cilët interesoheshin për punët e Shqipërisë aqë sa dhe çdo Shqipëtar i mirë, dhe këtë e patnë provuar me punë kurdoherë që ish nevoja për çështjen shqipëtare.

Me vendim të Këshillës Kombëtare në mbledhjen e saj, Vatra u dërgoj nga një kabllogram në Paris Presidentit Woodrow Wilson të Shteteve të Bashkuara; Georges Clemenceau, Kryeminister i Frances dhe Cairman i Konferencës së Paqës; Loyd George, Kryeminister i Bretanjës së Madhe; Baron Soninos, Ministër i Punëve të Jashtme t’Italisë, dhe Delegacies Japoneze. Vatra kërkoj prej tyre pranimin e Delegacies Shqipëtare në Konferencën e Paqës që të kërkonte independencën e Shqipërisë dhe të drejtat kombëtare të popullit shqipëtar. Delegacia shqipëtare përbëhej nga këta delegate: Turhan Pasha, Imzot Bumçi, Mehmed Konitza, Dr. Mihal Turtulli dhe Midhat Frashëri; tre të fundit ishin dhe delegatë të Vatrës.

Këshilla Kombëtare i dërgoj një kabllogram falënderimi nga an’e Vatrës Guvernës Italiane për njohjen e shpejtë të Qeverisë Provizore të Shqipërisë që u-formua në Durrës; dhe i lutej të përdorte influencën e saj për pranimin e Delegacies Shqipëtare në Konferencën e Paqës të Parisit.

Me vendim të Këshillës, të gjitha degët e Federatës Vatra dërguan nga një kabllogram në Konferencën e Paqës me anën e të cilëve kërkuan qasjen e delegacies shqipëtare n’atë Konferencë dhe të drejtat e popullit shqipëtar.

Këshilla vendosi që Fan Noli të shkonte në Paris dhe të përpiqej bashkë me delegatët e tjerë shqipëtarë për të drejtat e popullit shqipëtar. Vajtja e tij në Paris si delegat i Vatrës ish më tepër me qellim për të bërë batall propagandën e kryeministrit grekVenizellos i cili bërtiste në mes të Konferencës se “Shqipëtarët orthodhoksë janë Grekë dhe duan bashkimin e tyre me Greqinë”!

Fan Noli gjeti pengime të mbëdha, nuk mirtë dot pashaportë nga konsulli frenk për të shkuar në Paris. Vatra ngarkoj Kostë Çekrezin në Washington që të përpiqej me anë miqsh dhe të nxirte një pashaportë në Ambasadën Frenge për Fan Nolin, po që e pamundur. U-vëndos pastaj që të shkonte me anë t’Italisë, duke përdorur pashaporten italiane nga New York-u në Romë, dhe s’andejmi të vinte në Paris. Po dhe ajo nuk u-bë dot se nga Roma në Paris i duhej pashaportë frenge.

Duke parë se delegatët e Vatrës, më përjashtimin e Mehmed Konitzës, u-ndaluan të vijin në Paris, u-thirr prapë Keshilla Kombëtare në një mbledhje me rëndësi me 5 Mars 1919. Në sesionin e parë të Këshillës u-kënduan raportet e delegatëve të Vatrës n’Evropë dhe n’Amerikë, dhe në sesionin e dytë u-bisedua prapë puna e pashaportës për vajtjen e Fan Nolit në Paris.

Vatra i dërgoj një kabllogram Mehmed Konitzës në Paris, i cili kish qëndruar në Grand Hotel, dhe e pyeti se po të mos nxirej dot pashaporta për Fan Nolin, a ish nevoja të dërgonte Kostë Çekrezin në këmbë të tij? Përgjigjjen e Mehmed Konitzës nuk e dimë se nuk e kemi, dhe Kostë Çekrezi nuk vajti në Paris, këtë e dimë, kuptohet se s’qe nevoja për vajtjen e tij atje.

Këshilla degjoj më kujdes sekretarin Ndreko Stavron i cili këndoj kopjen e një memorandumi të bërë prej Zojushes Elsie Aubry e cila ja dorzojë Konferencës së Paqës atë memorandë për çështjen e Shqipërisë, dhe u-prit më duartrokitje nga anëtarët e Këshillës.

Në sesionin e dytë dhe te fundit, Këshilla Kombëtare aprovoj ndihmën e Vatrës prej 5,000 dollarësh për Pëshkopatën Shqipëtare të Boston-it që t’u bënte ballë propagandave të Grekëve të cilet përdorjin fenë për të ndarë Shqipëtarët më dysh dhe të copëtojin Shqipërinë.

Tamam një muaj pas mbledhjes së Këshilles Kombëtare, me 5 Prill u-mbloth Komisioni i  Qendrës që kqyri vepërimet e kryetarit të Vatërs dhe delegatëve të saj n’Amerikë te cilet u përpoqnë që Shqipëria t’ish nënë mandatorinë Amerikanë.

Kjo ish një punë e kottë, se Amerika s’munt të blinte belanë me para duke hyrë në punët e Ballkanit për syt’e bukura të Shqipërisë, një vënt i pashvilluar me një popull që s’kish parë qeverim të qytetëruar më parë dhe besonte në kanunin e Lekë Dukagjinit: grusht për grusht, – dhe ay që ish m’i zoti fitontë. U-fol më parë për mandatorinë italianë, po u-kuptua shpejt se po të vinte Italia dorën në Shqipëri ish shume zor që të shpetonte nga thonjt’ e saj.

Të gjitha ato manevra bëheshin nga e keqia, se u-duk sheshit që jeta e Shqipërisë si Shtet i lirë ish në rezik të math nga fqinjët e saj, gjë te cilën e kuptonte çdo njeri kur shikonte se të pakën delegatët shqipetarë nuk pranoheshin në Konferencën e Paqës të Parisit.

Eleutherios Venizelos i Greqisë dhe Nikola Pashiqi i Serbisë ishin dy diplomatë të fortë dhe armiq të betuar të Shqipërisë. Perveç asaj, ata kishin mik të fortë dhe Tigrin e Francës, George Clemenceau-n që i ndihmonte kërkimet e tyre, i cili kish zënë kyçin e punëve si Çairman i Konferencës së Paqës, dhe kish influencë miaft të madhe në qarket diplomatike. Përandaj s’duhet të nxitohemi në qertimet t’ona kundrë atyre që deshnë ta vijin fatin e Shqipërisë në një dorë të fortë të huaj për t’a shpetuar nga çakajt e Ballkanit, – e keqia bën të keqën, thotë fjala popullore.

Mbledhja e Komisionit vazhdoj dy ditë. Passi mbaruan bisedimet politike mi punët e Shqipërisë, Komisioni filloj nga veperimet mirëbërëse: ndihmuarjen e disa jetimëve shqipëtarë si ne New Bedford, Mass., dhe në Trebickë, një fshat i Vakëfeve në qarkun e Korçës.

Po çdo ndihmë nukë jepesh me sy mbyllur, kqyreshin mirë se a e meritojin atë ndihmë jetimët pastaj hapej arka e Vatrës, domethënë, diheshin se ç’kishin qenë prindërit e jetimëve. Për shëmbëll, në mbledhjen u-leçit dhe letra e një Shqipëtari që kërkonte ndihmën e Vatrës për jetimët e një njeriu nga Stratobërda, dhe Komisioni nuk e pa t’arësyeshme atë ndihmë.

Në mbledhjen e Majit 1919, Komisioni i Qendrës shikoj raportet e delegatëve të Vatrës n’Evropë, dhe e gjeti të pelqyer kthyerjën e Dr. C. Telford Erickson-it n’Amerikë nga Parisi, si pas vendimit të kolegëve të tij Mehmed Konitzës dhe Dr. Mihal Turtullit. Dr. Erickson-i qëndroj disa muaj në Paris si delegat i Vatrës; ay s’gjeti pengime nga francezët për vajtjën e tij atje se ish nënështetas Amerikan, kurse delegatët shqipetarë i ndaluan për ca kohë, me përjashtim të Mehmed Konitzës.

Muajin tjatër, pati prapë mbledhje Komisioni dhe vëndosi dërguarjen e një sume të hollash prej 10,000 dollarë me kabllogram kryedelegatit Mehmed Konitzës ne Paris. Për çdo sumë të hollash që u-dërgonte delegatëve, Vatra mirte hesap të shkoqur prej tyre dhe e dinte që çdo dollar harxhohej për çeshtjen kombëtare.

Atë muaj, Qershor 1919, erdhi Dr. Erickson-i në Boston nga Parisi, dhe u-mbloth Komisioni që dëgjoj shpjegimet e tij mi punët e Shqipërisë, të cilat nukë dukeshin aqë mirë kur ish ay atje. Ahere Vatra e dërgoj Dr. Ericksonin si delegat të saj në Washington.

Në mbledhjen e 4 Korrikut Komisioni kqyri hesapet e vitit, dhe i gjeti kështu: T’ardhurat, me gjithë të mbeturat n’Arkë nga kuvendi i shkuar, ishin $150,477.35. Të dalat e vitit ishin $58,182.90. Komisioni i shtroj kuvendit këto proponime: 1) Të themelohej një fond prej 100 gjer 300 mijë frangash ari prej Vatrës për propagandë kombëtare me anë të shtypit n’Evropë; 2) Të botohej një revistë frengjisht në Svicrë, 3) t’emëroheshin dy korrespondentë  të Diellit në Shqipëri.

Kuvëndi i Vatrës u-mbloth në Paine Memorial Hall, Boston, me 6 Korrik 1919. U-përfaqësuan në kuvent 42 degë me 69 vota, një votë për çdo 50 anëtarë; dhe nuk u-përfaqesuan 9 degë me 9 vota. Zyrtarë të kuvëndit u-zgjodhe këta: çairman Anastas Pandelli, sekretar Kosta Isaak, raporter Kristo Kaluçi dhe marshall George A. Katundi (të gjithë s’janë më).

Në sesionin e dytë, delegati i degës së Detroit-it Marko Adamsi proponoj të thërritesh Faik Konitza nga Evropa për kryetar të Vatrës. Ay proponim u-përkrah prej Ali A. Kuçit (nga Kuçi i Tomoricës), delegat i degës se New Florence, Pa., dhe u-pëlqye me-një-zë nga gjithë delegatët e kuvëndit.

Sekretari i kuvëndit këndoj një kabllogram të dërguar nga Parisi prej korrespondentit të Diellit N. Lakos i cili lajmëronte Vatrën për vdekjen e Zonjës Shahin Be Konitzës, e ëma e Mehmed dhe Faik Konitzës. Me proponimin e Kristo Kirkës, delegat i degës së Quincy, Mass., delegatët u ngritnë më këmbë dhe qendruan dy minuta në heshtje si shenjë zie për kujtim të saj. Për çudi, kur vdiq Nënia e tyre ranë këmbanat e kishëve dhe u mbyllë dyqanet e Grekëve atë ditë në Konicë  për nder të Zonjës.

Në sesionin e 14-të, kuvendi vendosi t’i ktheheshin të 100 dollarët Fan Nolit që i pagoj Vatrës nga xhepi i tij për hesap te broshurës frengjisht “L’Allemagne et L’Albanie”që shtypi Faik Konitza me 1915 në Lausanne të Svicrës. Konitza i dërgoj Vatrës 50 copë t’asaj broshure, Vatra nuk e nxori në shesh së fliste kundrë Gjermanisë dhe shumica e Vatranëve ishin pro-Gjermanë. Broshura fliste kundrë guvernës gjermane se ajo bënte pazarllëk me Greqinë që po t’ish se hynte në luftë me ane t’Aliatëve kundrë mbretërive t’Evropës së Qendrës, të mirtë Toskërinë. Kur s’dolli broshura në shesh gjer pas hyrjes së Amerikës ne luftë, delegatët në kuvendet e Vatrës kërkonin broshurën, ose paratë nga Konitza. Ahere u-ngrit Fan Noli që i dha 100 dollarë arketarit të Vatrës nga xhepi i tij, dhe u tha delegatëve: “Tani paratë i muartë, lëreni Faikun rehat i cili tëre jetën e tij ka punuar për Shqipërinë dhe kur i ngrënë kur i pa ngrënë!”

Besohet shkaku i asaj broshure e internuan Austriakët Faik Konitzën dhe e mbajtnë në Vienë gjer sa humpnë luftën.

Kuvendi vendosi që Vatra të shtypte libra shkollare për shkollat e mesme të Shqipërisë. Ay vendim i kuvëndit u-vu në vepërim një mot më von. Kuvëndi vëndosi që ndihmat për jetimët të mos priteshin. N’ate listë u-shtuan dhe jetimët e Vangjel Gjikës, i cili i sherbeu Vatrës si manager i Diellit.

U-vëndos me-një-zë nga kuvëndi që Vatra t’i lutej guvernës provizore të Durrësit t’emëronte një përfaqësonjës në Washington të dërguar zyrtarisht nga an’e saj.

Kryetar i Vatrës u-zgjoth Faik Konitza në sesionin e dytë të kuvendit. Zyrtarët e tjerë të Vatrës dhe te Diellit u-zgjodhë në sesionin e 19-të, kur afroj mbarimi i kuvendit. U-emërua Kol Tromara kryetar-zëvendes gjer sa të vinte Konitza nga Evropa. Bahri Omari u-hoq, dhe u-zgjoth Koste Çekrezi editor i Diellit dhe i Revistës “Adriatik”; dhe Andon Frashëri nëne editor.

Këshilla Kombëtare u-rizgjoth për vitin 1919-1920, e cila kish fuqin’ e kuvendit dhe bënte politikën e Vatrës. Kuvendi vazhdoj XXI sesione, u-hap me 6 dhe u-mbyll me 15 Korrik 1919. Kuvëndet e kohërave të shkuara të përsons for essentially anti-Comre parlamentare. Kjo i tërhiqte më tëpër shumë Vatranë që përpiqeshin kush të vinte më parë delegat në kuvënt.                  

Pas kuvendit u-bënë ndryshime në zyrtarët e Vatrës dhe të Diellit. Kuvendi zgjodhi Faik Konitzën kryetar dhe la Kol Tromarën zëvendës gjer sa të vinte Konitza nga Evropa, po ay nuk erdhi dot, dhe zëvëndësi ndenji një kohë fare të shkurtër dhe shkoj në Shqipëri. Ashtu mbeti Vatra pa kryetar, kë të zgjidhjin? Burrat e njohur si “udhëheqës” ishin të zënë më detyra të tjera. Nga ay shkak, Këshilla ngarkoj Komisionin të gjënte një zëvendëskryetar, dhe gjeti Kristo Kirkën.

Gjith’ashtu iku dhe Kostë Çekrezi nga Boston-i, i cili ish zgjedhur prej kuvendit editor i Diellit dhe i Revistës “Adriatik.” Çekrezi u-emërua përfaqësonjës i Vatrës në Washington për punët e Shqipërisë, bashkë me Dr. Ericksonin i cili u-zgjoth pakë muaj më parë. Dr. Ericksoni paguhej 500 dollarë rogë në muaj nga Vatra, dhe Çekrezi 250 dollarë në muaj.

Me ikjen e Çekrezit mbeti Dielli pa editor, dhe gazeta dilte e përditëshme. U-thirr prapë Bahri Omari që e drejtoj Diellin për pakë kohë. Passi iku dhe Omari, u-zgjoth Loni Kristua editor, i cili pat qenë dhe më parë editor i Diellit. Po ay nukë shkoj mirë me nëne-editorin, Andon Frashërin, dhe kur erdhi kuvendi tjater fitoj nënë-editori në zgjedhjet kundrë editorit; – këtu munt të meret me mënt se cili prej të dyve ka patur faj në grindjet e tyre.

Kur kish probleme me rëndësi që nuk u-jipte dot funt ose s’donte të mirte përgjegjësinë Komisioni, thërritesh mbledhja e Këshilles Kombëtare e cila thosh fjalën e fundit në punët e Vatrës. Në mbledhjen që pati në Shtator 1919, Këshilla vëndosi që Vatra të harxhonte 100,000 franga ari për të ndihmuar refugjatet shqipëtarë të “Korçës dhe Kosovës”. Këtu kuptohet se kanë dashur të thonë “qarkut të Korçës”, dhe Kolonja u-doq dhe u-gjakos nga Grekët më tepër se çdo krahinë tjatër t’asaj prefekture; me mijëra refugjatë Kolonjarë vanë ne ullinjt’e Vlorës, – shumë prej tyre vdiqnë atje.

Po më parë se të viresh në vepërim ay vëndim i Këshillës, u-pyetnë me kabllogram delegatët n’Evropë Mehmed Konitza dhe Dr. Mihal Turtulli se a munt të harxhohesh ajo sumë të hollash për atë qellim. Përgjigjja e tyre qe “Jo” – se ato të holla duheshin më tepër për të luftuar armiqt’e huaj të Shqipërisë, më tepër Grekët të cilët e luftojin Shqipërinë me anë të shtypit dhe të konferencave, dhe arma e tyre më e fortë që përdorjin qe feja, duke thënë se gjithë Shqipëtarët orthodhoksë “duan Greqinë”!

Në mbledhjen e Këshilles u-vendos t’i jepeshin 400 dollarë Mihal Gramenos për të shkuar në Shqipëri bashkë me gruan e tij. Vatra çmonte patriotizmën e Gramenos dhe menjëherë vuri në vepërim vendimin e Këshilles. Në shumë raste Mihal Gramenua e pat kundërshtuar Vatrën, më tepër për kritikat e editorit të Diellit kundre Ismail Qemalit, të cilin Gramenua e adhuronte si baban’ e kombit.Në mbledhjen e Këshilles Kombëtare u-këndua një letrë e dërguar nga “Parësia” e qytetit të Korçës, e cila kërkonte ndihmen financiare të Vatrës që t’a përdorte për të bërë “propagandë kombëtare” në qarkun e Korçës. Këshilla nuk e mori nër sy atë kërkesë, pati dyshim në përsonat që e dërgojin letrën, dhe e kuptoj se do të vijin humbur të hollat e Vatrës.Kërkime për ndihma financiare si ajo mirte dendur Vatra nga njerëz të ndryshmë, – të cilët gjëjin “shkake patriotike” për kërkimet e tyre. Të tillë njerës besojin se Vatra ish bankë, – i mblithte dollarët me lopatë, – dhe munt të ndihmonte çdo njeri që e quante vetën”atdhetar”! Kurse e tërë pasuria e Vatrës ishin nj’a tri a katër mijë anëtarë të cilët punojin rëndë nëpër fabrikat me rogë të vogëla dhe për dashuri të Shqipërisë e ndihmojin Vatrën me sa muntjin që të punonte për të fituar lirinë dhe të drejtat kombëtare të popullit shqipëtar.(Fragment nga “Historia e Federates Panshqiptare VATRA” e Refat Gurrazezit-Ne Foto: Refat Gurrazezi ne Seminarin e 60 Vjetorit te Diellit, NY)

 

Filed Under: Histori Tagged With: Histori, refat Gurrazezi, Vatra 1919

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 678
  • 679
  • 680
  • 681
  • 682
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT