• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Reçensë rreth monografisë “Prefektura e Elbasanit 1925-1939-aspekte politiko-administrative”, të Prof. Dr. Rudina Mita

May 29, 2024 by s p

Akademik Prof.dr. Beqir Meta/

Monografia e Prof. dr. Rudina Mita është një vepër shkencore serioze dhe me vlera të gjithanëshme shkencore e njohëse për Prefekturën e Elbasanit, gjatë njërës prej periudhave më të rëndësishme të historisë së saj, periudhës zogiste, kur shteti shqiptar njohu për herë të parë një proces konsolidimi, zhvillimi dhe reformimi të gjithanshëm. Në këtë kuadër dhe Elbasani, për të cilën autorja argumenton shkencërisht se pati një pozitë nga më të rëndësishmet midis prefekturave të tjera, njohu një zhvillim të dukshëm të jetës politike e shoqërore.

Në këtë studim të gjitha këto zhvillime janë paraqitur në mënyrë të argumentuar shkencërisht, ku spikat shfrytëzimi i gjërë dhe i thellë i burimeve arkivore, shtypit të kohës, kujtimeve të bashkëkohësve, si dhe literaturës së gjërë historiografike shqiptare dhe të huaj.

Studimi është i strukturuar mirë nga pikëpamja shkencore, ç`ka lejon parashtrimin e historisë së prefekturës Elbasan në të gjithë dimensionin dhe sferat e jetës shoqërore, si dhe në procesin evolutiv të saj, në përputhje me hapësirën kohore të marrë në studim prej autores. Aty gjen trajtesa interesante për shumë çështje, duke filluar me organizimin administrativ të prefekturës Elbasan dhe ndryshimet që kanë ndodhur në këtë aspekt në jetën e vendit dhe në këtë trevë në vitet 1925-1939; të dhëna për popullsinë, ndryshimet e ndodhura, përbërjen etnike dhe të besimeve fetare në këtë periudhë, zhvillimin ekonomik si atij bujqësor, industrial e zejatar, tregëtisë, komunikacioneve, etj.

Në këtë studim jepen të dhëna interesante dhe një tablo e plotë e pozitës fiziko-gjeografike të prefekturës së Elbasanit ku analizohen me mprehtësi avantazhet e saj si një krahinë e vendosur në zemër të territorit të shtetit shqiptar, me mundësi të shumta lidhjesh me veriun dhe jugun e vendit dhe nyja kryesore lidhëse e tyre.

Me të drejtë autorja ka arritur në përfundimin se kjo prefekturë ishte nga zonat më të nxehta në vend, për shkak të ndikimit të dy krerëve të fuqishëm politikë të saj, Aqif Pashë Elbasanit (Biçakçiut) dhe Shefqet Vërlacit, që të dy kundërshtarë politikë të Ahmet Zogut. Aqif Pasha që në fillimet e parlamentarizimit në Shqipëri, në qëndrimin e tij ndaj Ahmet Zogut u ndikua nga tendencat e këtij të fundit për të dominuar në jetën politike shqiptare, por dhe nga mbështetja e fuqizimi i tij gjithnjë dhe më shumë kohë mbas kohe. Ndërsa Shefqet Vërlaci, e mbështeti fuqimisht Zogun që nga krijimi i lidhjes familjare, fejesës së të bijës së tij Behije Vërlacit me të deri në ardhjen në pushtet të Ahmet Zogut. Kjo miqësi dhe lidhje, u prish pas ndarjes apo divorcit mes çiftit, gjë që nxiti një armiqësi të hapur mes tyre. Kjo, së bashku me analizën e mprehtë e të dokumentuar mirë, e ka bërë këtë studim tepër interesant, ku veçoritë e jetës politike janë dhënë të detajuara e në mënyrë objektive.

Në studim argumentohet se, me zhvillimin e politikave qeveritare, reformave me frymë oksidentale që ndërmori shteti në aspekte të ndryshme të jetës në vend, ndodhën ndryshime të rëndësishme që ndikuan në dretim të tejkalimit të trashëgimisë së periudhës osmane, pra procesi i deosmanizimit bëri hapa të rëndësishëm përpara. Autorja ka evidentuar angazhimin e popullsisë së kësaj krahine, veçanërisht kontributin e intelektualëve elbasanas që ishin në ballë të këtij procesi historik.

Pasqyrimi i biografive dhe veprimtarisë së përfaqësuesve të Elbasanit në parlamentin shqiptar të kësaj periudhe gjatë mandateve të tyre parlamentare është po kaq interesant.

Një risi përbën edhe analiza dhe përshkrimi që i bëhet zgjedhjeve të pleqësive të fshatrave. Po kështu edhe zgjedhjet për Bashkinë dhe institucionet e tjera lokale trajtohen mirë, të mbështetura në burime dokumentare arkivore dhe me mjaft interes për të hedhur dritë mbi qverisjen vendore e më gjërë në këtë trevë në këto vite. Këto materiale dhe analiza sjellin kontribut të vlefshëm për të kuptuar nivelin dhe natyrën e sistemit zgjedhor dhe të demokracisë lokale në këtë periudhë. Autorja përshkruan me detaje proceset zgjedhore, fushtatat elektorale në shkallë prefekture, procesin e kryerjes së zgjedhjeve, problematikat e shfaqura dhe rezultatet e votimeve. Me mjaft interes vlen të theksohet fakti se mënyra e realizimit të fushatave elektorale për zgjedhjet parlamentare dhe përzgjedhjes së përfaqësuesve të Elbasanit në Parlamentin shqiptar të këtyre viteve ishte e të njëjtës natyrë, shoqëruar dhe me parregullsi e incidente zgjedhore dhe indivitët e zgjedhur ishin të gjithë personalitete të fuqishëm, mbështetës të politikave qeverisëse të Zogut. (me përjashtim të Shefqet Vërlacit e krahut të tij mbështetës, pas prishjes së marrëdhënieve me kreun e Shtetit shqiptar)

Autorja ka pasqyruar situatën politike në krahinë pas rrëzimit të qeverisë së Nolit, sidomos spastrimin e politikës prej kundërshtarëve në administratën lokale, arsim, ushtri. Madje jepen të dhëna se si u eliminua fizikisht një prej figurave kryesore mbështetëse të Kryengritjes së Qershorit në këtë trevë, Shaban Blloshmi nga Bërzesta e Librazhdit. Por jepet edhe amnistia që bëri Zogu dhe rikthimi i të arratisurve, rikthimi i tyre në administratë, arsim, etj. Spikat shembulli i Ahmet Daklit, i cili pas amnistisë, u zgjodh kryetar i Bashkisë Elbasan. Këto analiza na japin një tablo se regjimi ndonëse ishte autoritarist përpiqej të ndiqte politika pajtuese e shtensionuese duke u ofruar bashkëpunimin shumë kundërshtarëve politikë.

Jepen zgjedhjet politike dhe deputetët e Elbasanit. Zgjedhjet ishin nën presionin politik të regjimit. Në zgjedhjet e para të vitit 1925 evidentohet ndikimi i xhandarmërisë, mosruajtja e fshehtësisë së votës, monitorimi i rreptë i zgjedhjeve, pjesëmarrja e ulët, etj. Evidentohet si risi fenomeni i disa kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e vitit 1934, të cilët kishin një qëndrim opozitar ndaj qeverisë për qëllime personale. Këtu spikaste rasti i Shefqet Vërlacit, i cili pavarësisht presionit qeveritar, në sajë të ndikimit dhe fuqisë pasurore që kishte u zgjodh deputet së bashku me ndonjë përkrahës të tij.

Interesante janë risitë e sjella për gjallërimin e papritur të fushatave për zgjedhjet lokale të vitit 1935 dhe atyre politike të vitit 1937, ku u shfaqën dy grupe konkurruese me emrat e vjetër “Popullorët” dhe “Pleqësorët”.

Evidentohet fakti se fuqia e konservatorëve në trevën e Elbasanit ishte më e madhe se e Popullorëve.

Një histori interesante përbën fushata për zgjedhjen e kryepleqve të fshatrave, ku u zgjodhën përgjithësisht persona që kishin fuqi ekonomike në lagje e katunde. Në studim jepen fenomene interesante në këto zgjedhje, si parregullsitë gjatë votimit, ndërhyrjet qeveritare, presioni nga individë të pushtetshëm në zonë.

Në kuadrin e jetës politike, autorja trajton dhe veprimtarinë e propagandën komuniste në Elbasan dhe masat e qeverisë për shuarjen e saj. Të dhëna interesante jepen mbi fillesat e lëvizjes komuniste në trevën e Elbasanit.

Si rezultat i formimit të mirë profesional, autorja ka konceptuar me realizëm gjithë situatën politike, ekonomike, sociale, kulturore, etj., dhe institucionet lokale në Elbasan, duke na dhënë dy tablo krejt realiste por të ndryshme: si karakterin autokratik të regjimit, ashtu edhe hapat pozitivë që u bënë në shumë sfera të jetës si stabiliteti politik, konsolidimi i shtetit dhe institucioneve shtetërore dhe jo vetëm, reformat progresive dhe me trend pozitiv, etj. Po ashtu, ajo analizon dhe argumenton me realizëm edhe dështimet apo mosarritjet në sfera të ndryshme të jetës lokale, të cilat lidhen sigurisht me politikën e përgjithëshme të regjimit.

Popullsia e Elbasanit përbën një komponet tjetër të këtij studimi ku jepen të dhëna me shumë interes për numrin e saj sipas komunave e fshatrave, rritjen e saj gjatë periudhës së qeverisjes së A. Zogut, përbërjen sociale të saj, etj. Po kaq interesante janë të dhënat mbi përbërjen fetare dhe praninë e grupeve etno-kulturore në zonën e Elbasanit. Për shembull të dhënat mbi vllehtë, vendbanimet e tyre dhe trashëgiminë kulturore. Jepen burime alternative lidhur me popullsinë, të cilat në disa raste kanë mospërputhje midis tyre, për shkak të mungesës së përvojës, mjeteve, cilësisë së nëpunësve, ndikimit negativ fetar, gjerësisë dhe karakterit të thyer të territorit, prapambetjes së madhe. Vështirësi pati edhe nga mungesa e të dhënave të sakta mbi banorët e komuniteteve arumune, egjiptiane dhe rome. Po kështu, u ndeshën vështirësi për regjistrimin dhe evidentimin e emigrantëve kosovarë që u vendosën në këtë rajon. Diagrama në rritje e popullsisë nga 84 mijë në vitin 1923 në 111 mijë në vitin 1930, tregon për një rritje të shpejtë me 27% brenda kaq pak viteve, çka është tregues i paqëtimit social dhe stabilitetit politik.

Organizimi administrativ në prefekturën e Elbasanit plotëson njohuritë tona mbi këtë aspekt dhe na jep të dhëna me vlerë për të kuptuar se si u stabilizua dhe u zhvillua jeta administarative në këtë krahinë, si dhe efektet pozitive që pati ajo për stabilizimin e vendit, por mbi të gjitha për progresin ekonomik, social, kulturor dhe arsimor të Elbasanit. Ky ishte një organizim adekuat që mundësoi progres dhe zgjidhi mjaft nga nevojat e popullsisë. Pasqyrohen përpjekjet dhe arritjet në shkallë lokale për krijimin e një administrate dhe shtetit ligjor. Jepen reformat administrative që synonin jetësimin e tij, funksionalizimin e pushtetit lokal dhe lidhjet e konsiderueshme me pushtetin qendror. Nga ana tjetër, autorja ka evidentuar edhe mangësitë, mungesën e përvojës dhe paaftësinë e nëpunësve të hallkave të administratës lokale. Centralizimi i pushtetit u realizua me efektivitet. Në administratë, autorja evidenton si prirjet për progres, ashtu dhe ndikimet negative, si kriteret politike në emërimin e nëpunësve, ndikimi i tarafëve, etj.

Autorja na ka dhënë të detajuar dhe në mënyrë konkrete trendin e zhvillimeve politiko-administrativo-ekonomike të këtyre viteve në prefekturën e Elbasanit, përpjekjet për të ndërtuar një politikë me orientim perëndimor, si në aspektet e qeverisjes politike, ashtu edhe të reformave që u ndërmorën në të gjitha fushat e jetës: ekonomike, agrare, administrative, në drejtim të emancipimit shoqëror, në zhvillimin e mëtejshëm të kapitalizmit dhe të borgjezisë shqiptare, në zhvillimin e arsimit, kombëtarizimin e institucioneve fetare, etj.

Janë dhënë specifikat e zhvillimit lokal politik dhe është evidentuar roli, ndikimi dhe kontributi që luajti kjo trevë dhe personalitetet elbasanase në jetën politike dhe në procesin e sendërtimit, konsolidimit dhe të funksionimit të shtetit shqiptar.

Një risi mjaft interesante është zbatimi në Elbasan i ligjit të vitit 1937 “Mbi ndryshimin e emrave të disa qyteteve, fshatrave, lagjeve, lumenjve, etj.”, “Për kombëtarizimin e toponimisë”, duke eliminuar emrat sllavë, osmanë, etj. Kjo gjeti përkrahjen e inteligjencës dhe të popullsisë së Elbasanit.

Evidentohet fenomeni i mbylljes së shtypit lokal në vitin 1925.

Pasqyrohet edhe aktiviteti i deputetëve elbasanas, evidentohen qëndrimet e tyre aktive në mbrojtje të interesave lokale të trevës, përkrahja e reformave progresive.

Duke përshkruar funksionimin e sistemit gjyqësor në Elbasan, autorja arrin në konkluzionin se ai ishte më i miri në historinë e sistemit gjyqësor në vend, i pavarur, apolitik dhe me nivel të lartë gjykimi.

Modernizimi i qytetit të Elbasanit është pasqyruar në mënyrë konkrete, ku spikat zhvillimi i Postë-Telegrafëve, ngritja e rrjetit telegrafik në gjithë prefekturën, futja e transportit postar me automobile, çka ishte një arritje madhore për kohën. Gjithashtu janë dhënë përpjekjet dhe rezultatet për elektrifikimin e qytetit të Elbasanit.

Po me kaq interes dhe shumë e vlefshme është tabloja e gjerë e zhvillimit të bujqësisë dhe industrive të ndryshme në Qarkun e Elbasanit. Me të dhëna konkrete paqsqyrohet si zhvillimi ekonomik ashtu edhe thellimi i rrugës kapitaliste të zhvillimit. Spikat këtu veçançrisht zhvillimi i olivikulturës dhe industrisë së vajit të ullirit dhe ngritja e disa fabrikave të tjera të industrisë së lehtë dhe ushqimore me rëndësi lokale e kombëtare, ku spikat ajo e duhanit, gjë të cilat pasqyrohen përmes diskutimeve dhe përcjelljes së problematikave të deputetëve elbasanas në parlamentin shqiptar të kë tyre viteve.

Reformimi i policisë dhe e xhandarmërisë paraqitet në mënyrë konkrete në Elbasan. Jepen ndihmat që i dha ajo popullsisë në aspektin humanitar, ndihma për parandalimin e fatkeqësive, modernizimin e jetës së kësaj prefekture, etj. Pasqyrohet me shembuj konkret se si ajo u shëndërrua me reformat e drejtuara nga oficerët anglezë në një forcë korrekte dhe efektive për mbajtjen e rendit dhe e respektuar nga popullsia lokale.

Si përfundim, vlen të theksohet se autorja Rudina Mita ka bërë një punë të madhe dhe voluminoze hulumtuese, duke arritur të na japë një vepër shkencore dinjitoze, e cila është shkruar me kulturë dhe një gjuhë të qartë akademike, është e mbështetur gjërësisht në burime dhe argumente shkencore shumica e të cilave janë autentike dhe produkt i një pune shumë serioze kërkimore. Mbi të gjitha, ajo ka arritur të konstruktojë me besnikëri dhe në thellësi jetën shoqërore, politike, aspekte të trajtesave në legjislativin shqiptar të jetës ekonomike, kulturore, arsimore, fetare të Elbasanit, të kësaj pjese të botës shqiptare, e cila ishte në një proces dinamik zhvillimi, të ndërtimit të një identiteti kombëtar me orientim evropian dhe të një shteti e strukturave qeverisëse lokale të konsoliduara që lejonin zhvillimin dhe progresin.

Aty kuptohen vështirësitë dhe sfidat madhore me të cilat u ndeshën elbasanasit për të ecur përpara në këtë rrugë, por edhe rezultatet mbresëlënëse që arritën ata si edhe dështimet, të cilat ishin kryesisht produkt i kohës kur ata jetuan.

Profesore Rudina Mita meriton përgëzimet më të zjarrta për këtë punë sa voluminoze aq edhe të dobishme.

Filed Under: Histori

Një foto e rrallë e Ismail Qemalit në Kongresin e Xhonturqve më 1902, në Paris

May 28, 2024 by s p

Nga Evarist Beqiri

Një foto e rrallë e Ismail Qemalit në Kongresin e Xhonturqve më 1902, në Paris

Nga Evarist Beqiri

Në fillim të shkurtit 1902, u mblodh në Paris, Kongresi 1-rë i Xhonturqve ose thënë ndryshe Kongresi i Opozitës Liberale Osmane. Fotografia që po sjellim është botuar në një nga revistat e përjavshme italiane më të lexuara të kohës “L’illustrazione italiana”, më 15 shkurt 1902. Në qendër të fotografisë gjendet Princi i kurorës Sabahaddin-i (Sabahedin) dhe në të djathtë të tij gjendet Ismail Qemal Bej Vlora. 

Njëkohësisht po publikojmë për herë të parë edhe artikullin për Kongresin Otoman, të publikuar nga gazeta franceze “Le Bloc”, i shkruar nga Xhorxh Klemanso (Georges Benjamin Clemenceau 1841-1929), më 22 shkurt 1902. Aty pasqyrohet edhe zgjedhja e Ismail Qemal në Komitetin e Përhershëm. Kjo gazetë përgatitej dhe botohej asokohe nga Xhorxh Klemanso, burrështetas francez, mjek dhe gazetar, i cili më pas do të bëhej edhe kryeministër i Francës.

Ismail Qemali kishte spikatur në qarqet intelektuale turke edhe në ato evropiane si përkrahës i parimeve liberale. Ai përkrahte parimin e decentralizimit të Perandorisë Osmane, respektimin e të drejtave kombëtare dhe rivendosjen e kushtetutës osmane. Ismail Qemal Vlora ishte një figurë kyçe si e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ashtu edhe e Revolucionit të Turqve të Rinj. Ismail Qemali, së bashku me eksponentë të tjerë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare si Ibrahim Temo, Dervish Hima, Jashar Erebara etj., u përfshinë në lëvizjen e Turqve të Rinj (Xhonturqve), duke pasur parasysh synimin e kësaj lëvizjeje për rivendosjen e kushtetutës së vitit 1876. Ata e shikonin atë si një mundësi për të realizuar të drejtat kombëtare shqiptare. Por, për shkak se Ismail Qemali i mbeti besnik vizionit dhe ideve të tij, ai u nda me Turqit e Rinj që në kongresin e zhvilluar në Paris më 1902, pavarësisht se ai ishte edhe një prej organizatorëve të tij. 

Ismail Qemali pas arratisjes së tij të bujshme nga Kostandinopoja më 1 maj 1900, vazhdonte të banonte në Bruksel, ndërkohë dy djemtë e Damat Mahmudit, – princi Sabahedin dhe princi Lutfullah nga familja perandorake osmane – u kthyen nga Egjipti dhe u ngulën me banim në Paris, ku dhe po bënin plane për të thirrur një kongres për të diskutuar situatën në Turqi. Ata shkuan në Bruksel, ku e takuan dhe e ftuan edhe Ismail Qemalin që të merrte pjesë në këtë kongres të liberalëve osmanë, që ishin në azil nëpër Europë. 

Ismail Qemali vendosi si kusht kryesor për pjesëmarrjen e tij në këtë kongres, që aty të përfaqësoheshin të gjitha etnitë e Perandorisë, në mënyrë që të formuloheshin dëshirat e të gjithë popujve. Kushtet e tij u pranuan dhe ai shkoi në Paris, ku u mbajt kongresi. Pas debatesh të gjata e të nxehta, shumica e Kongresit të Turqve të Rinj, e kryesuar nga princi Sabahedin dhe e përkrahur nga Ismail Qemali, dha pëlqimin t’u drejtohej një thirrje Fuqive për një regjim në përputhje me parimet e Kushtetutës së 1876. Ky organizim duhet të përfshinte të gjithë elementët etnikë në Turqi, duke u garantuar liri e drejtësi dhe mbrojtje të të drejtave kombëtare të tyre. Por një ndarje e thellë u shënua lidhur me çështjen e ndërhyrjes së huaj. Grupi, i kryesuar nga filozofi Ahmed Riza, i cili këmbëngulte për një pushtet qendror të fortë, e kundërshtonte me forcë çfarëdolloj ndërhyrje të jashtme. Kështu që midis Turqve të Rinj filluan të merrnin formë dy rryma kryesore, njëra që favorizonte nacionalizmin turk dhe tjetra otomanizmin liberal. 

Turqit e rinj përkrahnin idenë e pushtetit të qendërzuar, ndërsa kombësitë joturke si shqiptarët dhe armenët ishin për decentralizimin e pushtetit. Ideja që përkrahte Ismail Qemali ishte dhënia e autonomisë për kombësitë joturke në perandori. Ismail Qemali mori pjesë në kongresin e xhonturqve si shqiptar dhe ai kurrë nuk u bë xhonturk. Parulla e Ismail Qemalit ishte: “As me turqit e vjetër as me turqit e rinj, por të punojmë për vatanin.” Ismail Qemali ka bashkëpunuar me xhonturqit vetëm kur kjo ishte në interes të çështjes shqiptare. Ai kishte rezervat e veta ndaj krerëve xhonturq, ashtu si edhe krerët xhonturq kishin rezervat e tyre ndaj Ismail Qemalit. 

Megjithatë, xhonturqit kishin nevojë për burra shteti dhe njerëz të kalibrit të Ismail Qemal Vlorës. Ata i propozuan atij kryesimin e organit të tyre më prestigjioz të shtypit, gazetës “Osmanllë”. Ai nuk e pranoi propozimin, për arsye se, siç thoshin xhonturqit, “Ismail Qemali përpara çdo gjëje mendon për Shqipërinë.”. Sejfi Vllamasi, në librin “Ballafaqime politike”, shkruan se: “Ismail Qemali, i shquar si diplomat e patriot shqiptar, dhe me një prestigj të konsiderueshëm në Shqipëri e në Turqi dhe jashtë kufijve të perandorisë, peshonte rëndë. Për këtë shkak, xhonturqit e urrenin dhe ia kishin frikën.”.

Ismail Qemali e shikonte bashkëpunimin me Turqit e Rinj si pjesë e luftës së përbashkët të shqiptarëve dhe turqve për vendosjen e rendit kushtetues në Perandorinë Osmane. Por, nga ana tjetër, ai kërkonte të ruante pavarësinë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare nga lëvizja xhonturke. Ai nuk dëshironte që shqiptarët të identifikoheshin si turq, osmanë apo myslimanë. Siç do të tregonin më pas faktet, politika dritëshkurtër dhe nacionaliste e xhonturqve, vuri në rrezik jo vetëm ekzistencën e popullit shqiptar, por edhe vetë ekzistencën e pavarur të kombit turk, i cili shpëtoi vetëm falë revolucionit të udhëhequr nga Mustafa Qemali. 

Ismail Qemali e shikonte vijimin e bashkëpunimit midis turqve dhe shqiptarëve në luftën e përbashkët për ta futur Turqinë në rrugën e reformimit dhe njohjes së të drejtave kombëtare dhe autonomisë për popujt brenda Perandorisë, duke u dhënë atyre autonomi sa më të gjerë në përputhje me nenin 23 të Traktatit të Berlinit. Largpamësia politike e Ismail Qemalit shfaqet edhe në letrën e datës 18 tetor 1900, nga Brukseli, ku pasqyrohen mendimet e shprehura nga Ismail Qemali lidhur me të ardhmen e Perandorisë Osmane. Pavarësisht verbërisë proverbiale të xhonturqve, Ismail Qemali e kishte kuptuar që herët rrezikun që u kanosej shqiptarëve nga shpërbërja e Perandorisë Osmane. Nuk do të kalonte asnjë dekadë dhe parashikimet e Ismail Qemalit do të bëheshin realitet. 

Sytë nga Perëndimi

Ismail Qemali ishte një shqiptar, i cili i përkiste fesë myslimane. Si mysliman dhe anëtar i Perandorisë, ai ishte për ruajtjen e Perandorisë Osmane. Por njëkohësisht si shqiptar, ai mbështeste një qeverisje të decentralizuar, e cila do të bënte të mundur autonominë e Shqipërisë. Në grupin e xhonturqve të Ahmed Riza-it, ai shikonte jo vetëm tendencën për një qeverisje të centralizuar, por edhe dëshirën për dominim të elementëve turq në Perandori. 

Ismail Qemali përkrahte grupin e princit Sabahedin, pasi aty shikonte mundësinë për të fituar më shumë të drejta dhe liri për shqiptarët si grup etnik. Në këtë periudhë, aktiviteti i Ismail Qemalit fokusohej njëkohësisht te rrëzimi i sulltan Abdyl Hamidit II dhe në lëvizjen kombëtare shqiptare, e cila ishte duke fituar terren gradualisht. Prandaj, ai hartoi edhe një projekt për fillimin e një revolucioni kundër sulltanit nga provinca e Tripolitanisë. Ismail Qemali përkrahte decentralizimin e thellë të Perandorisë Osmane, dhe sigurimin e të drejtave të barabarta për të gjithë nënshtetasit pa dallim kombësie dhe feje. 

Ismail Qemali ishte mbrujtur me konceptet liberale, prandaj e shikonte të ndërlidhur zhvillimin ekonomik të vendit me depërtimin e kapitalit të huaj. Në lëvizjen kombëtare shqiptare ai përkrahu fillimisht autonominë kulturore dhe më pas autonominë politike dhe administrative nën Perandorinë Osmane. Këtë stad Ismail Qemali e shikonte të nevojshëm për mbrojtjen dhe konsolidimin e shtetit të ri dhe si pararendës të formimit të shtetit të pavarur shqiptar. 

Ismail Qemali mendonte se krijimi i një shteti shqiptar të fuqishëm do të pengonte shtrirjen e mëtejshme të sllavizmit në Ballkan dhe afrimin e Rusisë në Mesdhe. Kjo doktrinë qëndronte në themel të programit politik të Ismail Qemalit dhe po ky koncept qëndron edhe sot në themelet e aleancave strategjike të shtetit shqiptar. Ismail Qemali i drejtoi sytë e shqiptarëve nga Perëndimi. Ai nuk bënte pjesë në grupin e atyre që i kishin sytë nga Lindja dhe ndiheshin më tepër myslimanë dhe turq, sesa ndiheshin shqiptarë. Ai bënte pjesë në grupin e atyre shqiptarëve që e vendosnin kombin mbi fenë dhe mundësuan krijimin e kombit shqiptar mbi tri fe të ndryshme. Ismail Qemal Vlora u përpoq që ta përmirësonte Perandorinë Osmane, së cilës i shërbeu me zell dhe i kushtoi një pjesë të mirë të jetës së tij. 

Në fund, Ismail Qemal Vlora veproi njësoj si baballarët e kombit dhe hartuesit e Deklaratës së Pavarësisë amerikane në vitin 1776, të cilët pavarësisht se i kishin shërbyer Perandorisë Britanike, në fund e luftuan shtypjen e padrejtë dhe e udhëhoqën kombin e tyre drejt lirisë dhe pavarësisë. Thomas Jefferson deklaronte se: “Nuk ka njeri në Perandorinë Britanike që ta dojë më shumë se unë bashkëjetesën me Britaninë e Madhe. Por, në emër të Zotit që më ka bërë, më mirë vdes sesa ta lejoj këtë bashkim me ato kushte që propozon Parlamenti Britanik; dhe në këtë rast mendoj se përfaqësoj ndjenjat e Amerikës.”. Një ide e ngjashme do të vërtitej edhe në mendjen e Ismail Qemalit, për raportet turko-shqiptare, 136-vite më pas kur ai shpalli Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë…

Filed Under: Histori

“Srebrenica, damka e gjenoicidit për Millosheviç(ët)izmin”!

May 27, 2024 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Siç është mirënjohur, në 23 maj 2024, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së shpalli 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë. Sigurisht një akt shumë i vonuar por që i bën nder “institucionit të kujtesës„ si dhe vlerave të qytetërimit në mbarë globin.

E thënë më shkurt, nga 11 Korriku do njihet botërisht si data e gjenocidit të kryer në qytetezën e Srebrenicës (me rreth 30 mijë banore në vitet 90), ku u vranë më shumë se 8000 boshnjakë myslimanë, kryesisht gra, pleq, djem dhe vajza të moshës 12 deri 77 vjet. Masakra u krye në 11-18 korrik 1995 nga Ushtria Serbe nën udhëheqjen e gjeneralit famëkeq Ratko Mlladiq, para-ushtarakë të MB të Sërbisë, qindra vullnetarë rusë, etj! Shumë më herët se OKB-ja, Gjykata e Hagës e kishte shpallur gjenocid këtë masakër.

Rezoluta jo vetëm shpall gjenocidin në Srebrenicë por edhe u bën apel/kërkon vendeve anëtarëve: “dënimin pa rezerva të çdo mohimi ose veprimeve që i madhërojnë të dënuarve për krime lufte, si dhe të përfshijnë në programet arsimore fakte të vërtetuara gjyqësore për gjenocidin në Srebenicë”.

Sigurisht, Gjermania meriton mirënjohjen për iniciativën, si dhe 84 vendet demokratike, që e votuan këtë akt/Institucion fisnik “mos-harrese” ndaj 8000 të masakruarve në Srebrenicë si dhe për mesazhet që i përcollën botës së qytetëruar “kurrë më/never again” për paqen dhe të ardhmen euroatlantike të qytetarëve jo vetëm të ballkanin perëndimor: “e vërteta vonon por kurrë nuk harron”. E propozuar nga Gjermania (do të doja që bashkë-propozuese të ishte edhe RSh…), që ka vuajtur pasojat për krimet çnjerëzore të Hitlerit, i jep shumë vlerë dhe i bën nder shtesë leadershipitë Berlinit Zyrtar.

Nga ana tjetër, meriton damkosjen gjeopolitike lista e 19 vendeve, si Rusisa, Bjellorusia, Kuba, Mali, çuditërisht Hungarin (i vetmi vend i NATO/BE!), që e refuzuan rezolutën si dhe ndaj mëndjeve e ndryshkura jo vetëm në Beograd, Banja Luka, që nuk e lexuan si një mundësi për të shpëtuar të ardhmen euroatlantike të ballkanit nga oshilacionet e krimeve çnjerëzore të Millosheviçit si dhe interesat e Rusisë – Putiniste.

Në mënyrë të posaçme, e gjej delekuente dalldisjen z. Vučič që flamurit Serb në OKB e shpalosi mbi shpatullat/interesat e (mbi) pushtetit të Tij, por në fakt e poshtëroi kombin duke e unifikuar/shpërdoruar atë si leck të gjakosur nga një masakër kriminale të Millosheviçit dhe zullumqarët rreth tij!

Ndërsa për hartën 68 vendet abstenuese (Greqi, Sllovaki Qipro, pra 2 vende të NATO-s dhe 3 të BE-së), zhgënjimi nuk do të mjaftonte për të përshkruar shterpësinë e intuitës dhe përgjegjësive gjeopolitike për moralin dhe dinjitetin e shteteve respektive në interes të jetës, paqes dhe vlerave të qytetërimit?!

Në shtesë, në “kapacitetin e Ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonit dhe NATO-s, e çmoj në kohën e duhur që përtej tallavasë bollshevike jo vetëm në Beograd – Moskë – Banja Luka, të sjellë një përmbledhje mbi rrethanat dhe përmasat e masakrës së Srebrenicës; hartën e qëndrimeve pro dhe kundër si dhe mësime/mesazhe strategjike që përcjell nga kjo masakër çnjerëzore për ballkanasit dhe mbarë njerëzimin:

***

Në 1991, BRSS u shpërbë paqësisht (në dhjetor 91 Soviet Suprem u dha pavarësi 15 Republikave, përfshi Ukrainës). Ndërkohë në korrik 1991 ishte shpallur “i vdekur zyrtarisht” edhe Traktati Varshavës!

Ndërsa ish-Federata e Jugosllavisë, që për 40 vjet kishte përfituar në të gjitha aspektet nga asnjëanësia pragmatike e Titos: “as lindje as perëndim”. Vitet 90, e gjetën FY me një regjim ku e ku më të moderuar në raport me pronën, të drejtat e njeriut, besimin fetar si dhe ekonomikisht, krejtësisht tjetër p.sh me RPSSh të rraskapitur dhe të gjunjëzuar nga regjimi 45 vjeçar i Enver Hoxhës.

Por përkundër pritshmërive optimiste për oportunitetet gjeopolitike nga statusi asnjëanës, zgjedhjet e para pluraliste në 1990, i fituan ektremistët e Millosheviçit. Në mesin e 1991, Sllovenia, Kroacia dhe Maqedonia shpallën pavarësinë, ndërsa në vjeshtën e 1991 ushtria Serbe, rrafshoi Vukovarin dhe bombarduan si barbarë qytetin antik të Dubrovnikut!

Konflikti etnik dhe fetar në Bosnje – Hercegovinë mbetet më i përgjakshmi. Pavarësisht se pavarësia e B-H u njoh ndërkombëtarisht në prill 1992, ushtria e Gjeneralit famëkeq Karaxhiç, nuk e njohu dhe e mbajti të rrethuar Sarajevën për 1425 ditë (5 Prill 1992 – 29 shkurt 1996). Krimet e luftës arritën kulmin me masakrën e Srebrenicës (11-22 Korrik 1995), ku siç e sipëpërmendëm u vranë barbarisht 8000 burra, gra dhe fëmijë myslimanë. Kjo masakër jo vetëm damkosi përjetësisht si kriminel Millosheviçin dhe mbi 100 pasues të Tij, por ngriti edhe pikpyetje të forta zhgënjimi për pafuqinë e OKB-së (kaskave Blu), BE, etj.

Mbas ndërhyrjes së NATO-s, Marrëveshja e Dejtonit (14 dhjetor 1995), i dha fund luftës 4-vjeçare. Bosnje-Hercegovina u njoh si shtet i tre popujve dhe dy entiteteve, B-H dhe Republika Sërpska. Por disa strategjistë/kolegë të kohës, theksuan se: “kjo nuk ishte një paqe 100% e drejtë, por sigurisht ishte më e drejtë se vazhdimi i luftës”! Fatkeqësisht, koha ju dha shumë të drejtë. 30 vjet mbas Dejtonit – Vuçiçët/Dodikët e frymëzuar nga Putini, kërcënojnë statuskuonë gjeopolitike të B-H dhe të krejt rajonit.

Kosova, mbeti fushëbeteja e fundit e masakrës së Millosheviçit (1998 – qershor 1999), me mbi 15.000 të vrarë, 5000 të zhdukur dhe rreth 1 milion shqiptarë të dëbuar barbarisht nga trojet dhe pronat e tyre. Gjithësesi do të ishte e padrejtë mos të përsërisnim mirënjohjen kombëtare pasi: “pa ndërhyrjen e fuqisë ushtarake të SHBA/NATO/UK, një masakër ndaj shqiptarëve do kishte kaluar përmasat e Srebrenicës, ndërsa vetë çlirimi Kosovës ishte mision i pamundur”.

Pas luftës (1999), paqja pati më shumë se një “dekadë mjalti”, ku vendet e ballkanit (me histori të përgjakshme) në vend të luftës u përfshinë në garë kush do të anëtarësohej më shpejt në NATO dhe BE. Falë mbështetjes së SHBA, sigurisht edhe aspiratës dhe përpjekjeve nacionale: “Kroacia, Sllovenia, janë anëtare të NATO/BE. Shqipëria, Mal i Zi, MV në NATO-s”, bashkë me Serbinë (që do të pijë nga 4 nëna = Moska, Brukseli, Washingtoni, Pekini), presin te dera përmbushjen e standarteve të anëtaresimit në BE”! Kosova & B-H vijojnë përpjekjet dëshpërues drejt NATO & BE.

***

Lexim gjeopolitik i hartës pro dhe kundër gjenocidit të Srebrenicës:

Fatmirësisht, para dhe pas rezolutës kemi qëndrime, mbështetje dhe mesazhe të forta nga Washingtoni, Brukseli, Berlini, Londra, etj: “rezoluta nuk shenjëstron asnjë shtet anëtar dhe nuk ngarkon kurrësesi me përgjegjësi kolektive asnjë grup njerëzish (sigurisht as popullin Serb), ndërsa të gjithë e kemi detyrim t’i pranojmë faktet, ta mësojmë të vërtetën, t’i nderojmë viktimat si dhe t’i mbështesim përpjekjet për t’i gjetur dhe identifikuar viktimat dhe për t’i ndjekur dhe denuar autorët”.

Ndërsa për sa paqen dhe stabilitetin e ballkanit perëndimor, Aleanca Euroatlantike (USA/NATO/BE) ka paralajmëruar se: “nuk do të tolerohen përpjekjet për shpërbërjen e B-H si dhe mbeten të vendosur për mbrojtjen e marrëveshjes së Dejtonit dhe për të mos lejuar një luftë tjetër në Rajon”.

Për më qartë, Ambasadori i ShBA në OKB, z. Robert Wood, pas miratimit të gjenocidit për Srebrenicën, theksoi: “Rezoluta patjetër do të kontribuojë për të siguruar që gjenocidi i kryer nga forcat serbe në Srebrenicë në korrik 1995 nuk do të përsëritet më kurrë, ndërsa mirëpresim vendimin e Përfaqësuesit të Lartë për B-H për të ndaluar pjesëmarrjen në zgjedhje të personave që kanë kryer gjenocid”.

Nga ana tjetër, këto qëndrime do të mbeten një mesazh për të qetësuar cinizmin e Rusisë/Lavrovit i cili rezolutën në fjalë e cilësoi si: “shantazh për të nënështruar Serbët që t’u bashkohen saksioneve ndaj Rusisë”, si dhe kërcënoi se: “kjo do të shkaktoj pasoja në stabilitetin dhe paqen e Ballkanit”!?

Sigurisht, fushata kundër rezolutës në OKB-së udhëhiqet nga presidenti serb Vućič. Ish-Ministri i Milloshevicit bëri (por humbi) gjithçka për të penguar miratimin: “rezoluta për Srebrenicën do të thotë hapja e kutisë së Pandorës për paqen e ballkanit perëndimor”. Edhe politikanët serbë në B-H e paraqesin rezolutën si simbol të “turpit, frikës dhe trishtimit për çdo serb”? Kjo pasi Srebrenica, keq-përdoret për të përhapur frikën mbi popullin serb, nëse nuk ndjekin liderët politikë si Dodikun dhe Vuçiçin ?!

Ndërsa politikanët boshnjakë i’u referohen vendimeve të Gjykatës së Hagës, nga e cila dhjetra politikanë dhe ushtarakë të Republikes Srpska u dënuan për gjenocidin në Srebrenicë. Presidenti i Partisë të Veprimit Demokratik, Izetbegoviq, paralajmëroi OKB-në se të dënuarit për gjenocid në Srebrenicë glorifikohen si “heronj Serbë” nga politikanët dhe opinioni publik në RS, ndërsa në vetëdijen kolektive përpjekjet për të vendosur fajësinë individuale “perceptohet si thirrje për faj kolektiv të serbëve në B-H dhe Serbi”.

Gjithësesi, besoj se rikthimi i mendjeve të ndryshkura dhe investimi shtetëror i Beogradit te burimet e luftës së përgjakshme, mund të kënaq ektremistët, krimin e organizuar, oligarkët dhe ushtrinë e pushtetarëve të korruptuar, por pa asnjë diskutim është një thikë mbas shpines se paqes, masave të mirëbesimit reciprok dhe axhendës së integrimit Euroatlantik të 5 vendeve të rajonit. Ndërsa përkundër kësaj, rezoluta për Srebrenicën është: “një mundësi e re për t’u përballur me të vërtetën si dhe një shans i ri për të mbjellë frymën e mirëbesimit dhe bashkëjeteses paqesore mes popujve dhe vendeve të ballkanit perëdimor”.

***

Pesë mësime si dhe 5 mesazhe strategjike që mund të nxjerrim nga gjenocidi i Srebrenicës:

Së pari, mësimi uleritës: “nëse harrojmë, e keqja përsëritet edhe më mizorisht”. Neonazistët e Rusisë – Putiniste; Kim-Jongët e Azisë dhe Shtetet apo Organizatat, Terroriste; ushtarët/pasuesit e oshilacioneve të Millosheviçit në Beograd apo Dodikët e droguar nga interesat e Moskës dhe korrupsioni, jo vetëm po kërcënojnë sovranitetin teritorial të Ukrainës martire; paqen në lindjen e mesme, sigurinë dhe axhendën e integrimit të 5 vendeve te ballkanit perëndimor, por po sfidojnë seriozisht vlerat themelore, rendin global, fuqinë e aleancës Euroatlantike (USA/NATO/UK/BE) si dhe stabilitetin demokratik të shoqërisë njerëzore.

Së dyti, rezoluta për Srebrenicën do të shëbejë jo vetem si ilaç shërimi nga urrejtja shekullore por edhe si mundësi për t’u përballur me të vërtetën, ndërsa përgjegjësia për gjenocidin i mbetet makinerisë kriminale të Millosheviçit dhe kurrësesi e gjithë popullit Serb

Së treti, gjenocidi Srebrenicës mbetet ende si një këmbanë zgjimi për 32 vendet NATO-s, rrjedhimisht edhe për vendin tonë: “jo vetëm të mbështesim me deklarata diplomatike Ukrainën, NATO-n, SHBA-të, por në këtë betejë “për jetë a vdekje” me të keqen e përbashkët, të marrin përgjegjësitë, për të përmirësuar rrënjësisht Institucionin e mos-harresës, sistemin dhe kapacitetet e sigurisë në përballjen Neo-nazistët e rinj dhe sundimtarët e marrosur që po kërcënojnë më shumë se kurrë që nga Lufta e II-të Botërore, jetet njerëzore, rendin global, vlerat demokratike si interestat euratlantike.

Së katërti, sigurisisht Srebrenica, meriton të skalitet si gjenocid edhe për mesazhet aktuale dhe që mbeten të përjetshme për mbarë njerëzimin: “për lirinë, paqen, sigurinë, stabilitetin demokratik dhe vlerat themelore, do të na duhet të mos harrojmë kurrë. Për më tepër, ja vlen dhe duhet çdo ditë vigjilencë, solidaritet, pra duhet çdo ditë të punojme/luftojmë fortë, me përgjegjshmëri dhe sakrifica”!

Së pesti/fundmi, “falni por mos harroni (Forget but not forgive) që mbetet si “EPITAF” jo vetëm për B-H e masakruar, Kosovën e martirizuar si dhe për MV, Malin e Zi, Kroacinē, Slloveninë, Shqipërinë, si dhe vetë Serbinë që e paguan shumë shtrenjtë marrëzinë e Millosheviçit por edhe si mirënjohje e merituar për USA, NATO/GE/BE, që kontribuan (dhe vijojnë të mbajnë peshë kritike) aq shumë për paqen e rajonit, fatkeqësisht ende të mbërthyer nga oshilacionet e urrejtjes dhe gjakderdhjes shekullore.

* Autori, Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit Atlantikut, & ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Këshilltar i Presidentit, Zv/ShShPFA,

Përfaqësues Kombëtar i RSh në SHAPE/NATO.

Filed Under: Histori

THE AMERICAN REVIEW OF REVIEWS (1912) / PËRSE SHQIPTARËT JANË ME TURQIT NË LUFTËN BALLKANIKE DHE ÇFARË PRESIM NGA RUSIA? — LETRA E FAN NOLIT DHE NAUM CERES DREJTUAR SINODIT RUS NË SHBA

May 25, 2024 by s p


Fan Noli — Naum Cere
Fan Noli — Naum Cere

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 25 Maj 2024

“The American Review of Reviews” ka botuar, me 1 dhjetor 1912, në faqet n°737 – 739, letrën e hapur të priftërinjve shqiptarë në Boston, Fan Nolit dhe Naum Ceres drejtuar asokohe Alexander Hotovitzky-t, sinodit rus në Nju Jork, përmbajten e të cilës, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Austria dhe çështja shqiptare

Burimi : The American Review of Reviews, 1 dhjetor 1912, faqe n°737 – 739
Burimi : The American Review of Reviews, 1 dhjetor 1912, faqe n°737 – 739

Qëndrimi i Austro-Hungarisë ndaj situatës së re që është krijuar në Lindjen e Afërt nga veprimi i shteteve ballkanike është aq i paqartë saqë është evidente se rirregullimi i ndarjes territoriale të Gadishullit Ballkanik nuk mund të realizohet pa ndonjë ndërhyrje të jashtme. Arsyeja për këtë është përkujdesja e Monarkisë së Dyfishtë për interesat që ajo ka pasur gjithmonë në vendet që shtrihen midis kufirit të saj jugor dhe detit Egje dhe kufizohen me anën lindore të Adriatikut. Austro-Hungaria e ka konsideruar ndonjëherë atë pjesë të Gadishullit Ballkanik në perëndim të Serbisë dhe Bullgarisë dhe në veri të Greqisë si pak a shumë brenda sferës së saj të influencës ndërkohë që turku mbeti në Evropë dhe i nënshtrohej pushtimit të saj kur mund të vinte dita që ai të merrte largimin e tij.

Aq fort ishte kjo ide e rrënjosur në Ball Platz në Vjenë, saqë pas Kongresit të Berlinit, qeveria austro-hungareze i propozoi qeverisë britanike që Anglia të merrte përsipër organizimin e administratës civile të asaj që sot quhet Maqedoni, ndërsa Austria do ta pushtonte atë me trupat e saj. Ky propozim u refuzua menjëherë nga Qeveria Britanike dhe ngjarjet u lanë të ndiqnin rrjedhën e tyre, për të arritur në kohën e plotë në kushtet që shohim tani. Nisur nga ky fakt, qëndrimi i tanishëm ekuivok është i natyrshëm dhe ka një arsye shtesë në ekzistencën e Shqipërisë, e cila ka pak afinitete me fqinjët e saj lindorë.

Shqyrtimi i kësaj faze të fundit të çështjes ballkanike çon në shumë mundësi. Duke supozuar të jenë të vërteta raportet se Austro-Hungaria favorizon krijimin e një shteti autonom shqiptar midis Malit të Zi dhe Greqisë, rregullimi i kufijve të saj lindorë do të kishte më shumë gjasa të krijonte telashe serioze me Serbinë, e cila ka pushtuar pjesë të mëdha të territorit shqiptar, dhe ndoshta edhe me Bullgarinë. Që Rusia tashmë është e interesuar për çështjet shqiptare, dëshmohet nga burime të papritura, duke përfshirë zëdhënësit e të krishterëve shqiptarë në Kishën Ortodokse Lindore këtu në Shtetet e Bashkuara. Bëhet fjalë për një letër drejtuar dekanit të Kishës Ruse në Nju Jork nga priftërinjtë e të krishterëve ortodoksë shqiptarë të Bostonit. Një karakteristikë e dukshme është armiqësia e fortë e shqiptarëve ndaj grekëve.

Shqiptarët e krishterë dhe Lufta Ballkanike :

Një letër e hapur drejtuar sinodit rus,

Për asamblenë kishtare të Kishës Ruse në Amerikën e Veriut.

Etër dhe vëllezër të nderuar në Krishtin :

Në një letër që patëm nderin të merrnim nga i nderuari At Aleksandër Hotovitzky, Dekan i Katedrales Ruse të Nju Jorkut, na pyetën për disa informacione mbi qëndrimin e shqiptarëve të krishterë të Amerikës në luftën ballkanike. Ndonëse letra e shumë të nderuarit Dekan është pak a shumë e një karakteri privat, dhe megjithëse ai deklaron se me pyetjet e tij miqësore nuk ka për qëllim të ndërhyjë në asnjë mënyrë në pikëpamjet tona, ne e ndiejmë si detyrë, për të shmangur çdo interpretim të gabuar të qëndrimit tonë, të marrim të gjithë çështjen dhe të shpjegojmë hapur natyrën dhe shkaqet e politikës sonë. Nëse arrijmë t’i bëjmë të qarta arsyet tona, ndihemi të sigurt se Etërit më të nderuar të Sinodit të Shenjtë dhe nëpërmjet tyre Nëna jonë e Shenjtë Kisha Ortodokse dhe Kombi fisnik rus do të kuptojnë këndvështrimin tonë dhe do të respektojnë ndjenjat tona.

Burimi : The American Review of Reviews, 1 dhjetor 1912, faqe n°737 – 739
Burimi : The American Review of Reviews, 1 dhjetor 1912, faqe n°737 – 739

Shqiptarët e krishterë janë bashkuar me gjithë zemër me turqit dhe mbrojnë atdheun e tyre kundër pushtuesve të huaj. Shpjegimi i kësaj thënie është i lehtë për t’u dhënë dhe i lehtë për t’u kuptuar.

Mjafton të hapësh një hartë të Gadishullit Ballkanik për të parë se territori shqiptar është fushëbeteja e ushtrive greke, malazeze dhe serbe. Është e qartë për çdo studiues të politikës ballkanike se, nëse turqit humbasin, Shqipëria do të ndahet midis shteteve ndërluftuese ballkanike dhe do të marrë fund përgjithmonë. Ndër shqiptarët e të gjitha besimeve dhe partive politike mbizotëron ideja se kjo luftë nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të dërrmuar kombin shqiptar përpara se ai të jetë në gjendje të kundërshtojë agresionet kundër të drejtave të tij. Ky besim forcohet nga fakti se shtetet ballkanike i kanë shpallur luftë Turqisë pikërisht kur qeveria osmane, duke dashur t’i jepte fund një rebelimi të gjatë dhe të përgjakshëm, kishte njohur zyrtarisht kombësinë shqiptare dhe na dha të drejtën dhe lirinë për të rihapur shkollat kombëtare, të cilat ish-kabineti qeveritar i kishte mbyllur brutalisht. Me agresionin e tyre të beftë kundër Turqisë, aleatët ballkanikë ia kanë dalë të pengojnë shqiptarët të gëzojnë të drejta natyrore që nuk cenonin të drejtat e askujt tjetër dhe nuk mund t’i bënin askujt dëm. Marrëveshja midis qeverisë osmane dhe shqiptarëve shënoi fundin e një epoke të gjatë vuajtjesh morale dhe padrejtësish të jashtëzakonshme. Këto janë arsyet kombëtare të qëndrimit tonë. Ka edhe arsye të tjera të një karakteri tjetër.

Një arsye që i bën shqiptarët të hedhin fatin e tyre me turqit në këto rrethana, është ky fakt : së pari, se shtetet aleate ballkanike i kanë bërë në të kaluarën popullit shqiptar më shumë dëm se Turqia; dhe së dyti, se shqiptarët janë të bindur se do të merrnin një trajtim më të pamëshirshëm nga pushtuesit e krishterë se sa kanë marrë ndonjëherë nga duart e turqve. Ju i njihni mirë, nëpërmjet raporteve tona në të kaluarën, krimet e padëgjuara të prelatëve grekë në Shqipërinë e Jugut : A duhet të kujtojmë anatemimet solemne të marrë nga peshkopët grekë kundër gjuhës sonë kombëtare, shkishërimet e tyre masive të patriotëve shqiptarë ortodoksë, refuzimet e sakramenteve për arsye politike, ushtria e tyre e informatorëve që denoncuan para autoriteteve dhe rrënuan qindra familje nën sundimin e Sulltan Abdul Hamidit, bandat e tyre të kriminelëve që vranë me nxitjen e tyre laikë dhe klerikë, faji i vetëm i të cilëve ishte dashuria e sinqertë dhe e natyrshme për vendin e tyre ? Për të gjitha këto krime të peshkopëve grekë, ne thërrasim për të dëshmuar vetë bullgarët që kanë vuajtur nga duart e tyre po aq sa ne.

Një shembull se çfarë duhet të presin shqiptarët në rast të një fitoreje të krishterë jep veprimi i Serbisë pas traktatit të Berlinit, kur Serbisë i ishte dhënë një pjesë e territorit shqiptar. Ai shtet i krishterë e kreu punën e qytetërimit të territorit të aneksuar duke dëbuar 100.000 shqiptarë, duke konfiskuar pronat e tyre pa dhënë asnjë dëmshpërblim dhe duke shkaktuar mijëra të vdekur nga uria dhe të ftohti. Sfidojmë çdo patriot serb që njeh historinë e vendit të tij të mohojë këtë padrejtësi të rëndë dhe barbare.

Për malazezët, duket se ne e shpërblejmë me mosmirënjohje mikpritjen e bërë prej tyre ndaj refugjatëve gjatë kryengritjes së malësorëve shqiptarë, dy vjet më parë. E vërteta, megjithatë, është se mbreti i Malit të Zi është paguar nga xhonturqit dhjetë herë mbi çmimin e misrit të mjerë që u dha refugjatëve të mjerë dhe, sapo mori paratë, i detyroi kryengritësit shqiptarë të pranonin kushtet e xhonturqve dhe kështu të kthehen në shtëpitë e tyre pa asnjë garanci për sigurinë e tyre. Si dëshmi se shtëpia mbretërore e Malit të Zi nuk ka lidhje tjetër veç asaj të parasë dhe se pohimi i mësipërm nuk është shpifje, kërkojmë leje t’i kujtojmë mendjes së rusëve se, gjatë luftës ruso-japoneze, qeveria ruse, për shkak të vështirësive financiare, refuzoi subvencionimin vjetor për Mbretin e Malit të Zi dhe se një përgjigje, sa e pabesueshme aq edhe e urryer, erdhi nga Cetinje në formën e një dollie, të propozuar nga princi i kurorës Danilo për shëndetin e Admiralit Togo, dhe të ushtrisë dhe marinës trime japoneze…

Dhe, nëse do të ishin kaq mosmirënjohës ndaj Rusisë, e cila sakrifikoi miliona jetë dhe miliarda rubla për emancipimin e tyre, nuk mund të prisnim të ishin të drejtë ndaj shqiptarëve. Ata na akuzojnë në momentin e tanishëm se po mbajmë anën e turqve në luftën kundër të krishterëve. Për këtë deklaratë të ndyrë kemi një përgjigje të gatshme, të nxjerrë nga politika e tyre në të kaluarën. Këto shtete të krishtera, për të shuar kombësinë shqiptare, nuk u tërhoqën nga përkrahja me gjithë zemër Sulltanit të Kuq të rrëzuar dhe duke qenë, nën mbulesën e neutralitetit dashamirës, bashkëpunëtorë të ekspeditave të përgjakshme të xhonturqve kundër Shqipërisë. Për të mbrojtur atdheun tonë nga pushtuesit e huaj, ne besojmë se është detyra jonë t’i qëndrojmë besnikë një Sulltani, jeta e të cilit është e pastër dhe të mbështesim një qeveri që e ka trajtuar kombin shqiptar në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.

Ne duam, megjithatë, të bëjmë të qartë se ne nuk i kundërshtojmë shtetet aleate të Ballkanit për shkak të urrejtjes ndaj racave që i përbëjnë, por për shkak të politikës së tyre të padrejtë dhe pretendimeve të tyre arrogante për të qytetëruar gadishullin ilir. Ne i vlerësojmë virtytet e tyre, por shprehim keqardhje për faktin që ata po harxhojnë energjitë e tyre në një luftë të padrejtë, e krijuar vetëm për të kënaqur ambiciet e udhëheqësve të tyre dhe të “politikanëve” të tyre të vegjël të kafeneve. Detyra që ata vendosin para vetes është, sipas mendimit të të gjithë vëzhguesve të paanshëm, përtej fuqisë së tyre të përhershme dhe aftësisë morale. Është një fakt i njohur se qytetërimi i të krishterëve të shteteve ballkanike është shumë më inferior se ai i turqve. Kjo është po aq e vërtetë sa në rastin e kryqtarëve fanatikë të mesjetës në krahasim me arabët myslimanë, të cilët zotëronin një qytetërim shumë të zhvilluar. Bullgarët, grekët dhe serbët kryen në Maqedoni kundër njëri-tjetrit tmerre të një natyre të papërshkrueshme, për të cilat do të kërkohej kot në historinë turke. Ata do t’i përsërisin ato dhe do t’i hidhen në fyt njëri-tjetrit për plaçkën, nëse do të kenë sukses në luftën e tyre aktuale. Europa do të duhet vetëm të presë dhe të shohë. Por ne shpresojmë që kjo të mos ndodhë kurrë dhe që ushtria osmane t’i zmbrapsë këta pushtues ambiciozë dhe t’i qetësojë njëherë e përgjithmonë.

Këto janë me pak fjalë arsyet që i bëjnë shqiptarët të ndihen më të sigurt nën gjysmëhënën e turqve sesa nën kryqin jo të krishterë të shteteve aleate ballkanike. Shqiptarët mendojnë se kjo nuk është një luftë e krishterimit kundër muhamedanizmit, por një përpjekje e thjeshtë e grekëve dhe e sllavëve të rremë ballkanike për të zgjatur vijat e tyre kufitare kryesisht në kurriz të Shqipërisë. Turqit thjesht po bëjnë betejat tona. Populli ynë e kupton kaq mirë këtë, saqë kur i thirrëm për të shprehur mendimin e tyre në disa takime në Lindje dhe në Perëndim, ata miratuan njëzëri rezolutën për të harruar të gjitha ankesat e tyre kundër turqve dhe për t’i qëndruar pranë qeverisë osmane. Dhe jo vetëm kaq, por ata thërrisnin lutje për fitoren e ushtrive osmane. Si pasojë, ne u lutëm për suksesin e tyre, në Boston, Southbridge, Mass; Biddeford, Me.; Jamestown, N. Y.; dhe Akron, Ohio. Ne e pamë popullin tonë të qante kur iu lut Zotit për të kurorëzuar me fitore ushtritë e Sulltanit. Po këta burra do të na kishin vrarë me gurë dhe vetë patriotët shqiptarë myslimanë do të ishin të parët që do të kishin hedhur gurë nëse ne do të kishim bërë një përpjekje të tillë disa muaj më parë.

Ne bëmë të pamundurën, të nderuar Etër, që t’ju shpjegojmë qëndrimin e popullit shqiptar në këto rrethana dhe mendojmë se është sa logjik aq edhe paradoksal. E ndiejmë detyrën tonë të bëjmë maksimumin për të mbrojtur vendin tonë nga pushtuesit e huaj, në luftën e tij për jetë a vdekje. Ne jemi të sigurt se, si rusët bujarë, do të vlerësoni ndjenjat tona patriotike, edhe nëse pikëpamja juaj ndryshon nga e jona, dhe se simpatitë e kombit tuaj për shtetet aleate ballkanike nuk do t’ju pengojnë të bëni drejtësi për çështjen tonë. E sulmuar nga të gjitha anët nga të krishterët hipokritë dhe të pabesë, Shqipëria nuk mund të gjejë strehë më të mirë se flamuri i gjysmëhënës. Nëse Shqipëria do të dalë fitimtare nga kjo luftë, kombi ynë do t’i jetë thellësisht mirënjohës Sinodit të Shenjtë të Rusisë për njohjen në SHBA të një Kishe kombëtare shqiptare, që nesër mund të bëhet Kisha e Shqipërisë. Nëse humbasim dhe i mbijetojmë fatkeqësisë sonë kombëtare, do t’ju lutemi me përulësi që të na lini të kalojmë pjesën tjetër të jetës sonë të mjerueshme në një manastir rus të largët në Siberi.

Duke iu lutur Zotit për përfundimin e shpejtë të një lufte që ne e dëshpërojmë si të krishterë dhe priftërinj, ne mbetemi, shërbëtorët tuaj të respektueshëm dhe të bindur,

Priftërinjtë shqiptarë në Amerikë.

(Nënshkruar)

Fan  S. Noli

Naum V. Cere

Letra më sipër sugjeron shumë reflektime, një prej tyre është se Austria mund të mendojë se është në avantazhin e saj që të sjellë brenda kufijve të perandorisë së saj të përbërë një popullsi me fe të përziera, myslimane, katolike dhe ortodokse lindore, por racialisht një njësi dhe josllave. Duket sikur çështja shqiptare ka të ngjarë të marrë një tipar të rëndësishëm të ripërshtatjes që, çfarëdo kthese që mund të marrë, do të ndjekë ngjarjet e dy muajve të fundit.

Filed Under: Histori

“Shqiptarët dhe çështja ballkanike” e Zef Skiroit, një manifest për pavarësinë e Shqipërisë

May 25, 2024 by s p

Nga Rafael Floqi/

Kush është Zef Skiroi

Giuseppe Schirò (Zef Skiroi në shqip; lindi në Piana degli Albanesi, 1865 dhe vdiq në Napoli, 1927) ishte një albanolog, poet, gjuhëtar, publicist dhe historian i shquar arbëresh ndër figurat më të rëndësishme të lëvizjes kulturore dhe letrare shqiptare të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ai ishte profesori i parë universitar në Itali i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në Institutin Oriental të Napolit. Skiroi është përfaqësuesi më i madh i traditës kulturore e letrare shqiptare të Siçilisë, një nga mjeshtrit më të rafinuar të stilit në letërsinë shqipe, i cili la një prodhim të gjerë letrar. 

Midis fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillimit të shekullit të njëzetë, veprimtaria letrare e Giuseppe Schiros u vendos. Shkroi një lirikë të rafinuar e elegante, Mili e Hajdhia (1891), në një gjuhë të pastër e emblematike për shkrirjen e disa elementeve dialektore në një koinè. Krahas poemës idilike Mili e Hajdhia, me frymëzim popullor dhe Rapsodive Shqiptare, ai shkroi tregimin e trilluar në vargjet Te dheu i huaj dhe poemën e shkurtër Mino. Ndër veprat e tjera madhore të tij janë: Kënga e Liktorit, Këthimi dhe Këngë popullore shqiptare. Përmbledhja me poezi “Kënkat e luftës” e vitit 1907, e frymëzuar nga ideali i pavarësisë së Shqipërisë, që e vendos poetin ndër këngëtarët më të gjallë të Risorgimentos. Botimin Flamuri shqiptar dhe vëllimin ‘Shqiptarët dhe çështja ballkanike, të dyja të vitit 1904, i ua kushtoi të njëjtës temë. Rëndësi të veçantë kanë studimet e tij në fushën e filologjisë letrare dhe dialektologjisë vitet e kaluara në Napoli mbeten krejtësisht të jashtëzakonshme, që ku u emërua mësuesi i parë i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Istituto Regio Orientale, ku dha mësim nga viti 1900 deri në vdekje. 

Kontributi arbëresh për pavarësinë e Shqipërisë 

Por ajo që po ju paqesim ka një rëndësi të veçantë për kontributin e arbëreshëve në çlirimin e pavarësinë e Shqipërisë kanë filluar shumë herët më parë se vitet 1910-1912 u shoqëruan me një zgjerim dhe thellim të lëvizjes kombëtare shqiptare e kur lufta e armatosur e shqipëtarëve hyri në një fazë të re të zhvillimit të saj. Ndihmesë në çështjen kombëtare shqiptare dhanë dhe shqiptarët e Italisë (arbëreshët) për njohjen e kombit shqiptar. 

Shoqëritë atdhetare  si dhe komitetet apo klubet patriotike të formuara në Itali dhe kudo ku kishte shqiptarë në diasporë, do të kontribuonin për arritjen e synimit të përbashkët lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë nga sunduesi osman. E pikërisht para kësaj kohe ky intelektual patriot hartoi një libër mbi 400 faqe për historinë e Shqipërisë dhe fatin e shqiptarëve në italisht . “Gli albanesi e la questione balcanica”. Giuseppe Schiro’ Napoli: a spese dell’editore Ferd. Bideri më 1904. Nga e cila e pamë interesante t’u sjellim një pjesë nga kapitulli e parë që trajton të veçantat dhe karaterin laraman të besimit islam, një term i njohur më vonë tek shqiptarët, si reflektim i një besimi islam i vendosur nga pushtuesi. Qëllimi i Skiroit është ti pohojë evropës dhe italianëve se islami në Shqipëri është një fe e imponuar. 

Shqiptarët e konsiderojnë veten si vasalë të Turqisë, por jo nënshtetas të saj

Ka disa vite që çështja shqiptare i është imponuar Evropës, dhe megjithëse njerëzit që duan padrejtësisht besojnë se në Ballkan ekzistojnë dhe konkurrojnë për të ardhmen vetëm dy raca, ajo greke dhe ajo sllave; Megjithatë, ata me shpirt të pastër dhe me synime të pastra liberale që i janë përkushtuar studimit të problemit lindor, kanë deklaruar të gjithë hapur se Shqipëria, e pushtuar si një komb i bashkuar, nuk është zbutur kurrë nga turku, ashtu siç edhe nuk është nënshtruar, aspak nga romakët, as nga pushtuesit e tjerë në të kaluarën, dhe se deri tani, fiset e saj malore jetojnë pothuajse të pavarura nga porta osmane, të detyruar vetëm të dërgojnë disa kontigjenteve burrash kur i nevojitej Turqisë për luftë.

Nuk është aspak e rrallë, shkruan Dora e d’Istria, të gjesh njerëz që imagjinojnë se kombësia shqiptare u shua me Skënderbeun dhe se fjala “Shqipëri” nuk është gjë tjetër veçse një shprehje gjeografike. Por do të ishte shumë e çuditshme, nëse një popull, i cili dinte t’i rezistonte centralizimit bizantin dhe ndaj së cilit carët e frikësuar të Serbisë u detyruan të ndërrmirnin hapa të veçantë, që të bënte të mundur të qendronin nën dominimin e Sulltanëve, të cilët edhe deri në ditët tona po bëjnë më shumë për t’i nënshtruar kombësitë, sesa  t’ia bashkangjitin ato atyre osmane.

Faktet vërtetojnë jo vetëm se shqiptarët, me rezistencën e përbashkët pasive, kanë protestuar kundër asimilimit; por që nuk kanë humbur asnjë rast për të pohuar se e konsiderojnë Turqinë thjesht si një sovranitet të lartë, të cilit i dorëzohen si vasalë, por me të cilin nuk duan me asnjë çmim të shndërrohen në nënshtetas, duke ruajtur shpirtin e njeriut, që s’e braktisur kurrë tokën, ndryshon vazhdimisht vendndodhjen. 

Bektashinjtë shqiptarë dhe neveria e tyre për pushtetin osman

Tek bektashinjtë morali konsiston në të shijuarit, por pa dëmtuar askënd. Kënaqësia është në një gjë që fitohet gradualisht dhe hierarkia e rendit korrespondon me shkallët e kësaj shkence. Por ajo që i karakterizon bektashinjtë mbi të gjitha është pavarësia e tyre nga pushteti, neveria tradicionale ndaj turqve, pas persekutimit që pësuan nga Mahmudi II, dhe ndaj asaj që buron nga absolutizmi i familjes së Osmanit dhe fryma e vëllazërisë universale, ndaj së cilës nuk është i huaj eklekticizmi i tyre tolerant fetar.  Nuk është e pazakontë në fakt që mes ndjekësve të tyre ka edhe të krishterë, të cilëve nuk u kërkohet fare të heqin dorë nga besimi që shpallin, as nuk pengohen të praktikojnë ritet ortodokse apo katolike, pasi kanë marrë pjesë në ceremonitë shumë të shkurtra liturgjike bektashiane”.

Pse islami shqiptar nuk është islam safi 

Lidhja e shqiptarëve të tjerëve me islamizmin nuk i ngjan bindjes kokëfortë të muhamedanëve aziatikë. Në prag të festës së Shën Nikollës, myslimanët e Merkovcit djegin qirinj para imazhit të atij shenjtori, emri i të cilit është shumë i njohur në Shqipëri dhe reliket e të cilit, sipas traditës, u transportuan nga shqiptarët në Pulja, nga gryka e Bunës.

Po ashtu muhamedanët e Reçit dhe fisi Shkreli festojnë me të krishterët festën e martirit të lavdishëm të Mirës, ndërsa fiset e Ivoplicës në malin Maranaj, të përbërë nga të krishterë të përzier me muhamedanë  siç i përcakton Brunialti, përveç Shën Nikollës festonin edhe Shën Gjergjin madje dhe kur sëmuren, nxitojnë t’i dërgojnë të ndezin një qiri për të marrë shërimin prej tij. 

Si përfundim, shqiptarët që, të ekspozuar ndaj shtypjes së turqve janë më shumë dashamirës të lirisë sesa të besimit, dhe kur përqafuan fenë muhamedane, sipas Fallmerayer, e bënë vetëm për spekulime politike; por ata ruajnë gjithmonë të njëjtin karakter, gjuhë dhe zakone si bashkatdhetarët e tjerë. 

Vërtet, është diçka që ia vlen të kujtohet se shumë prej tyre, si në Shqipërinë e poshtme e të sipërme, janë vetëm myslimanë në dukje; ata e refuzojnë synetinë dhe dëshmojnë në mënyrën e tyre, origjinën e tyre pellazge, duke mbështjellë me të njëjtën përbuzje edhe boshnjakun mysliman, sllavin e krishterë dhe aziatikun që është bërë zotëria tyre. 

Muhamedanë të këqij dhe ushtarë të mirë

Pouqueville me të drejtë i quan ata ‘’muhamedanë të këqij si dhe ushtarë të mirë, të cilët praktikojnë ceremonitë e jashtme fetare në mënyrë të pakujdesshme; të cilët besojnë pak si te Profeti ashtu edhe te Jezu Krishti; të cilët me të vërtetë betohen më shpesh me emrin e të të dytit, sesa me besimin e tyre, në mënyrë që të vërtetojnë të vërtetën e asaj që thonë; ndërsa në përgjithësi banorët e Krujës në këtë rast luten gjithmonë tek katër shenjtorët (ungjilltarët), sepse janë burim i padiskutueshëm i së vërtetës; pasi myslimanët e Vlorës i referohen më së shumti librit të kuq, i cili është një Ungjill i lashtë i shkruar me dorë, i lidhur me kadife të kuqe.

Prandaj Camarda mendon se, pasi të bjerë “fuqia e turkut”, ata nuk do të vonojnë të ktheheshin në fenë e etërve të tyre, të mbrojtur prej tyre si dikur dhe deri tani, nga një pjesë jo e vogël e nipave të vet me kaq trimëri; dhe këtë e vërteton edhe princesha Elena Gjika.

Dëshmi për këtë kemi edhe në faktin se banorët e Shpatit, të rrethit të Elbasanit, midis këtij qyteti dhe Beratit, në vitin 1845 u deklaruan të krishterë, megjithëse deri atëherë kishin qenë në dukje ndjekës të vetislamizmit, vetëm kur zbritën nga malet si dhe me konvertimet e  fundit ata u kthyhen në të krishterë

Meqenëse shqiptari muhamedan nuk respektonte fare doktrinat, ritet dhe ceremonitë e besimit të ri që pretendonte se do t’i mbështeste. Osmanët i konsideronin atë me përbuzje për çështjet e fesë, duke e bërë, siç thotë Hugues, pothuajse sinonim emrin e shqiptarëve me të pafeve (kaurrëve); pasi është shumë e vështirë të dallosh, sipas Ciampollinit, nëse shqiptari mysliman është më shumë një ndjekës i Krishtit sesa i Muhamedit.

Për shqiptarët, osmanlinjtë, janë frikacakë, dhe pse ata i krahasojnë me qentë

Nga ana e tyre, shqiptarët, kur flasin për osmanlinjtë, i trajtojnë ata si frikacakë, u japin vetëm epitetin e qenve dhe shpeshherë atë të ndonjë kafshe tjetër më të ndyrë dhe shpesh kanë në gojë fjalën e urtë: “Osmanliu është mirë vetëm në sofër”. Prandaj përbuzja për çdo gjë që u vjen nga Kostandinopoja, si kërkesave  burokratike së së cilës ata i nënshtrohen pa dëshirë, por ata i qëndruan besnikë, si gegët e veriut, ashtu edhe toskët e jugut, jetës patriarkale të fiseve e të pleqësive si dhe epërsisë së kapedanëve të tyre të guximshëm.

Kjo përbuzje dhe tendenca e vazhdueshme për revolta del me ngjyra shumë të ndezura nga këngët popullore, që janë një jehonë besnike e ndjenjave të përbashkëta, që synojnë të kremtojnë historinë e Kombit, e cila që nga vdekja e Skënderbeut është reduktuar në një seri të pandërprerë zgjatimesh të vogla ngjarjesh katastrofike.

Për më tepër, është, për fat të keq, e vërtetë, sipas Chiarës, se shqiptarët, të rrëmbyer nga zjarri i luftës, “ndonjëherë e kanë ngatërruar entuziazmin e armëve për pavarësi, me lavdinë ushtarake me idenë e atdheut dhe të lirisë, shpatën me besimin. Por ideja e Atdheut nuk është aspak e çuditshme për ta, siç u ka pëlqyer të besojnë disave, dhe jo rrallë në këngë, Atdheu lartësohet mbi të gjitha dhe në disa prej tyre krahasohet me delikatesë me nënën, që jep qumësht për të ushqyer fëmijët e saj e për nusen që zgjon dashurinë dhe butësinë në zemër.

Dashuria për Atheun tek shqiptarët

Pouqueville vëren se shqiptarët janë plot entuziazëm për vendin e tyre dhe flasin për të vetëm duke e lartësuar mbi të gjithë të tjerët, dhe se megjithëse vendosen herë pas here në krahina të tjera, ata nuk i heqin kurrë sytë nga malet e Epirit.

Ata nuk i kujtojnë më privimet ndaj të cilave iu nënshtruan atje; nga rreziqet e përsëritura me të cilat u përballën, por më tepër nga pavarësia që gëzonin dhe nuk mund të harrojnë çatinë e rëna ku kanë lindur, shkëmbinjtë ku u endën, luginat ku kaluan fëmijërinë e tyre dhe shumë objekte të tjera që thonë shumë. për zemrën, veçanërisht të atyre që jetojnë në një gjendje të afërt me atë të natyrës.”

Saktësia e këtij vëzhgimi duket edhe më mirë nga fakti, se shqiptarët, të cilët kanë qëndruar në rajonet pjellore e të lulëzuara të Italisë jugore dhe Siçilisë për më shumë se katër shekuj, deri në ditët e sotme, me një mall të jashtëzakonshëm kujtojnë vendet e origjinës së tyre të lashtë dhe me një nostalgji të  pafund që të përlot, e manifestojnë në shumicën e këngëve tradicionale dhe popullore.

Në vendin e mërgimit të arbëreshëve ne nuk kemi mundur të ambientohemi në mënyrë të përsosur dhe pas një periudhe kaq të gjatë kohore, megjithë tregtinë e shpeshtë me elementin heterogjen me të cilin jemi të rrethuar, ne ruajmë gjithmonë gjuhën tonë, fenë tonë, ritet, zakonet tona, dhe thuajse pa dallim, në megjithë këtë Italinë tonë të dashur dhe mikpritëse, të gjithë ne në thelb ndihemi mjaft të huaj.

Ata e dinë mirë se sa shumë shqiptarët e duan tokën e tyre, po ashtu turqit, Austria, e cila prej kohësh përpiqet të bëjë propagandën e saj në mesin e gegëve, duke përfituar nga misionet katolike; Greqia, e cila, me çmimin e tjetërsimit të shpirtrave të atyre që e kanë dashur, pretendon të shtrihet jo vetëm në Thesali, por edhe në Maqedoni dhe Epir, megjithatë, nga përvoja e dhimbshme, se tani është bërë e pamundur ajo të zvarritet brenda; Malit të Zi, për të cilin sigurisht për shkak të virtytit të princit të tij u rezervohet një e ardhme e madhe midis sllavëve, por që me mirësitë e Rusisë dhe me bashkëpunimin e Fuqive të tjera, është zgjeruar në kurriz të Shqipërisë do t’ia dilte kollaj ta shuante plotësisht ndjenjat më të buta, më të thella dhe më fisnike që varen nga dashuria sublime ndaj atdheut dhe që ai rilidh, në ato toka ku arriti të siguronte qetësinë dhe të mbante drejtësinë; por që sidoqoftë nuk mund të fshihen, as nuk do të mund të harrojnë kurrë, se iu caktuan atij kundër të gjitha të drejtave dhe iu dorëzuan me shfaqjen më të papërshtatshme me forcë; dhe së fundi Serbia dhe Bullgaria, përpjekjet e të cilave për zgjerim, kur i konsideronin të dëmshme për të drejtat e tyre, populli ynë me gjithë energjinë e tij kundërshtonte vazhdimisht.

Prandaj, i pakonfirmuar, një ish [diplomat], i cili është i kënaqur të nënshkruajë emrin e tij, kohët e fundit deklaroi se “nuk ka popull në Ballkan që mund të mburret për të drejta më të mëdha për homogjenalitetin e përbërjen e kombësisë së vet sesa populli shqiptar.”

E vendosur në një masë kompakte (përveç në verilindje) në një tokë që e ka zënë që në kohërat parahistorike dhe që ka mundur ta mbrojë me beteja shekullore nga pushtimet e shumta që përshkonin gadishullin deri në skajin e Peloponezit, pellazgjiku shqiptar e ka ruajtur prejardhjen e tij, traditat e tij, vetëdijen për individualitetin e pastër, ndërsa racat e tjera indigjene, madje edhe ajo greke (siç e ka treguar tashmë shikuesi i …dhe tashmë është vërtetuar nga shkenca), të mbingarkuar nga presioni i emigracionit, përfundoi duke u ngatërruar në detin e madh sllav. 

Turqia, e paaftë për të nënshtruar me forcë fiset shqiptare, gjithmonë e ka përdorur me mjeshtëri fenë si mjet politik për t’i mbajtur ata në një gjendje lufte të vazhdueshme për atë pak që ka mundur të bëjë; por aq më tepër duke nxitur urrejtje, inat, hakmarrje dhe përçarje, ajo tashmë pothuajse ia ka dalë me qëllimin perfid për t’i shtyrë vëllezërit kundër vëllezërve dhe për t’i penguar ata të kuptonin njëri-tjetrin dhe të binin dakord për një veprim të përbashkët kundër dominimit të saj tiranik.

Por ka ardhur koha kur Shqiptarët, duke qenë të vetëdijshëm për grackat e armiqve të tyre, kanë lënë mënjanë zemërimin e tyre, duke njohur prejardhjen e tyre të përbashkët, për të mos u kthyer shumë prapa, tek bashkëluftëtarët heroikë të Skënderbeut, të cilët për shumë vite pasi luftuan dhe derdhën shumë gjak për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 78
  • 79
  • 80
  • 81
  • 82
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT