• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RESHAT KRIPA: DEKLARATA PËR SHTYP NUK U BOTUA NË ASNJË NGA GAZETAT E TELEVIZIONET

March 29, 2013 by dgreca

SHQIPËRIA VENDI KU KATOVICA PO ZBATOHET ME PËRPIKMËRI – I KAM BËRË THIRRJE PD E LIDERIT TË SAJ TË KORIGJOHEN/
Intervistoi ELIDA BUÇPAPAJ/

PYETJE: A u botua Deklarata për shtyp – e Shoqatës tuaj Antikomuniste të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë – SHPREHIM INDINJATËN E THELLË QË PRESIDENTI I REPUBLIKËS DEKRETOI KANDIDATURA ME PREJARDHJE NGA REGJIMI, sepse kërkova sot me sy dhe nuk e pashë kund?
RESHAT KRIPA: Për sa i përket deklaratës së shoqatës atë ua dërguam gjashtë gazetave dhe pikërisht gazetave “Metropol”, “Republika”,“Standard”, “Koha Jonë”, “Telegraf” dhe “Shqip” si dhe katër televizioneve“Klan”, “Koha”, “URT”dhe “NTV” por deri më sot asnjëra nuk ka botuar apo transmetuar gjë. Sot u dërguam edhe një E-mail tjetër ku iu kërkojmë arsyen e mosbotimit. Jemi në pritje të përgjigjes. Vetëm gazeta “Telegraf” është përgjigjur deri tani. Sot ua kemi dërguar gjithshtu edhe gazetave “Tirana Observer” dhe “Kombëtare” si dhe “Zërit të Amerikës”. Edhe për këto jemi në pritje.

PYETJE. Në apelin që i bëni Kryetares të Kuvendit, vini re me keqardhje, se shkrimet tuaja nuk botohen në shtypin e Tiranës, keni ndonjë koment për këtë?
RESHAT KRIPA: Predispozicioni i shtypit të Tiranës për shkrimet e mia është shumë i paktë. Përveç gazetës “Metropol” dhe deri diku gazetave “55” dhe“Republika”, te të tjerat ka qenë shumë e vështirë. Këtë jua argumentoj me shembujt e mëposhtëm: Në vitin 2010, nisur nga i njëjti problem, bëra nje shkrim me titullin “A ka media të lirë në Shqipëri?” të cilin ua dërgova disa gazetave por asnjëra nuk e botoi. U detyrova ta botoj në mediat elektronike. Këtë shkrim po jua dërgoj edhe juve për ta patur parasysh se sa i lirë është shtypi te ne. Por kjo punë vazhdon edhe në ditët e sotme. Për mua është e pamundur të botoj një shkrim në gazetën “Panorama” pasi disa shkrime të dërguara njeri pas tjetrit nuk janë botuar. Pothuajse e njejta gjë është edhe me gazetën “Mapo”.

Në këtë gazetë kam botuar gjithsej dy shkrime. Më 24 maj 2011 u dërgova shkrimin “Kur do të shpëtojmë nga kthetrat e komunizmit?”, të cilin po ua dërgoj gjithashtu dhe zv/redaktori i saj më ktheu përgjigje ku më thoshte se shkrimi nuk ishte sipas parimeve të Bordit Drejtues të gazetës. I kërkova kush ishin këto parime dhe m’u përgjigj se ishte e kotë të zgjateshim. Gjithashtu po kjo gazetë nuk ka botuar shkrimet e mia : “A vriten poetët?” datë 11 gusht 2012, “Të përndjekurit politikë dhe qëndrimi i tyre ndaj zgjedhjeve”datë 20 shkurt 2013, “Sindroma komunizëm” datë 6 mars 2013 dhe shkrimi i fundit“Një thirrje Kryetares së Kuvendit” datë 26 mars 2013, shkrime të botuara në median tuaj.

Habia është se themeluesi i kësaj gazete, zoti Henri Çili, merr pjesë në një“Konvent딓Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të Përndjekurve Politikë” mbajtur këto ditë në Tiranë dhe nuk boton shkrimet e mia që bëjnë fjalë pikërisht për këto probleme.

PYETJE: Dje dekretet e Nishanit nuk u votuan, për shkak se Ilir Meta nuk i dha votat e tij, si e komentoni mos votimin e dekretit?
RESHAT KRIPA: Për çështjen e dekreteve nuk jam i qarte përse. Nuk besoj se duhet të jetë vetëm shkaku i votave të Ilir Metës. Një kopje të deklaratës ne ia dërguam zyrtarisht edhe zonjës Topalli. Pastaj mos harroni se në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve deputeti Enkelejd Alibeaj abstenoi po për arsyet që shprehnim edhe ne. Kështu që mund të jetë edhe kundërshtimi i një pjesë tjetër të deputetve demokratë shkaku.

PYETJE: Si e shihni faktin se PD sjell në organet më të larta të drejtësisë njerëz me hipoteka?
RESHAT KRIPA: Për problemin e sjelljes së njerëzve me hipoteka në organet e larta të drejtësisë kjo ka qenë një praktikë e vazhdueshme në këto vite të tejzgjatura “tranzicioni”. Kemi shembuj plot duke filluar që nga Fehmi Avdiu që u bë Kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe duke përfundur te këta dy të fundit që kanë qenë në Gjykatën e Lartë. Të tillë gjen plot edhe në Këshillin e Lartë të Drejtësisë apo në Prokuroritë ku si shembull do të sjellë famëkeqin Skënder Breca që edhe u dekorua nga ish Presidenti Topi apo Njazi Jahon dhe Fatmira Laskajn.

PYETJE: A nuk i shihni të tradhëtuara idealet e ish-të persekutuara nga ajo forcë politike që ka 22 vjet që jep premtime dhe kjo shtresë politike ka 22 vjet që u jep votën?
RESHAT KRIPA: Përsa i përket qëndrimit ndaj të përndjekurve politikë do ta ndaja në tre faza. Faza e parë është periudha 1992-1997 ku, për të thënë të vërtetën, u bë diçka në këtë drejtim, si në drejtim të arsimimit, punësimit dhe çështje të tjera të integrimit të tyre në shoqëri.

Faza e dytë është ajo e qeverisjes socialiste 1997-2005. Ajo është periudha më e errët për këtë shtresë. Pushimet në masë nga puna, ndërprerja e arsimimit me preçedencë, rikthim i kuadrove të vjetra në detyra të rëndësishme ishin karakteristikat kryesore të asaj periudhe.

Faza e tretë është kjo e periudhës së dytë të qeverisjes demokratike (2005-2013). Fillimisht u duk sikur diçka do të ndryshonte. U miratua një rezolutë për ndëshkimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist, ligj që nuk u votua nga socialistët. U miratuan disa ligje për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë, ku socialistët përsëri nuk morën pjesë dhe filloi zbatimi i tij. U hartua një ligj lustracioni që nuk u firmos nga ish Presidenti Topi dhe që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese me Fehmi Avdiun anëtar.

Të gjitha këto krijuan përshtypjen se gjithçka do të bëhej si në qeverisjen e parë të kësaj qeverie. Por nuk ndodhi kështu.

Rezoluta mbeti vetëm një letër pa vlerë. Nga të gjitha pikat e saj pothuajse nuk u realizua asnjë, vetëm miratimi i ligjit për dëmshpërblimin dhe ngritja e Komisionit për hetimin e krimeve të komunizmit. Por edhe këto sikur kanë ngecur në vend.

Në lidhje me ligjin e dëmshpërblimit nuk kanë përfunduar dy këste ende, megjithse kanë kaluar më shumë se katër vjet nga fillimi i zbatimit, ndërsa për çështjen e Komisionit ai deri tani merret vetëm me ceremoni përkujtimore dhe promovim librash të autorëve të përndjekur. Për të gjitha këto kam shkruar pothuajse në të gjitha shkrimet e mia.

PYETJE: Lideri i maxhorancës akuzon shpesh liderin e opozitës se në PS ka trashëgimtarë të PPSH, dhe kjo qëndron, por në rradhët e PD-së ka po ashtu trashëgimtarë të PPSH, siç është rasti i Ilir Rusmajlit, çfarë komenti keni?
RESHAT KRIPA: Përsa u përket akuzave të ndërsjellta që bëjnë liderët e maxhorencë dhe opozitës midis tyre, ato nuk janë gjë tjetër veçse një demagogji propagandistike në kuadrin e fushatës së zgjedhjeve parlamentare. Një miku im thoshte: Partia Socialiste është pasardhëse direkte e Partisë së Punës, ndërsa Partia Demokratike u ngjan shalqijve që nga jashtë duken të gjelbër por, po t’i çash, dalin të kuq. Kjo duket në shumë drejtime. Le të shohim qëndrimin që kanë këto ndaj nacionalizmit shqiptar. Bie në sy se të dy forcat politike synojnë ta kalojnë në heshtje këtë nacionalizëm, duke filluar historinë e vendit tonë, si dikur, që nga 29 nëntori 1944. Një gjë e tillë shfaqet në faqet e shtypit të të dy krahëve. Mjafton të përmend një rast të vetëm, figurën e liderit të Ballit Kombëtar, Mit-hat Frashëri. Kryetar i Kongresit të Manastirit dhe nënkryetar i Komisionit të Hartimit të Alfabetit, Ministër i Botores në qeverinë e Ismail Qemalit, Pjesmarrës i Konferencës së Paqes në Paris më 1920, Ambasador dhe plot detyra të tjera të rëndësishme. Çfarë është bërë për vlerësimin e kësaj figure? Asgjë. Asnjë përmendore, asnjë rrugë, asnjë shkollë, asnjë institucion shtetëror apo kulturor nuk mban emrin e tij. Mos vallë nuk e meriton? Përse? Sepse nuk duan. Me pak fjalë Shqipëria është vendi ku politika e Katovicës po zbatohet me përpikmëri.

PYETJE: Zgjedhjet po trokasin tek dera, çfarë mendimi keni për zhvillimin e tyre ?
RESHAT KRIPA: Për sa u përket zgjedhjeve mendoj se jemi në udhëkryq. Kemi vetëm dy alternativa. Nga njëra anë janë socialistët që, për të qenë realist, kanë qenë gjithmonë kundërshtarët tanë dhe të përndjekurit politikë nuk mund të bashkohen kurrë me ta. Nga ana tjetër demokratët të cilët karakterizohen nga një demagogji e madhe propagande duke realizuar vetëm fare pak. Forcat e tjera politike janë inekzistente në Shqipëri. Të tilla janë, për fat të keq, edhe partitë nacionaliste që pretendojnë se ruajnë parimet e partive të vjetra nacionaliste. Do të kishim dashur që të kishte një pol të tretë ku ndoshta mund të mbështeteshim por, për fat të keq ai nuk ekziston.

Një mundësi tjetër është bojkotimi i zgjedhjeve. Por cili do të ishte përfundimi i këtij bojkotimi? Në favor të cilit do të shkonte? Me siguri në favor të socialistëve dhe një gjë të tillë ne nuk e duam. Ndaj them se jemi në një udhëkryq. Ndaj kam kohë që në shkrimet e mia i bëj thirrje Partisë Demokratike dhe liderit të saj që të bëjnë korigjimet e duhura. Jemi në pritje por ditët po ikin dhe shenjat tregojnë se nuk do të bëhet asgjë në lidhje me ato që ne kërkojmë… Atëherë çfarë duhet bërë? Problemi mbetet dilemë. Jam kryetar i nje dege të rëndësishme të një shoqate të përndjekurish megjithatë, si i tillë, jam i detyruar të veproj sipas vendimeve që merr shumica e kësaj shoqate. Ndaj do të presim dhe do të vendosim.

Lidhur me këto tema mund të shkruash faqe të tëra, por mendoj se për sot mjafton me kaq për të krijuar një ide të qartë të pikpamjeve të mia. Përshëndetje miqësore

Filed Under: Interviste Tagged With: Elida Buçpapaj, interviste me Reshat Kripa, katovica, shqiperia

Intervistë e posacme me Kryeministrin e Kosovës zotin Hashim Thaqi, në New York

March 24, 2013 by dgreca

Thaci : Dialogu me Serbinë, shumë i rëndësishëm si për Kosovën dhe Serbinë, por “vetëm si dy shtete të barabarta dhe fqinje të mira”, që do ti kontribojnë vetëm paqes, sigurisë në Ballkan dhe rajon./

OKB: Gjatë pjesmarrjes në takimin e radhës në Këshillin e Sigurimit, mbledhjen e të 13-in, raportuese për Kosovën, Kryeministri i Kosovës zoti Hashim Thaqi, mbajti edhe disa takime lobuese për njohjen e Kosovës duke shfrytëzuar rastin e fjalës së tij në Këshillin e Sigurimit. Kryeminstri Thaqi para se të largohej i dha një intervistë të posacme korespondentit të Bota Sot, akredituar në selinë OKB në Nju Jork, Beqir Sina.

Në këtë intervistë Kryeministri i Kosovës Thaqi, flet për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, që po zhvillohet me ndërmjetësimin e Brukselit dhe faktorëve ndërkombëtar, arritjet e deritanishme të kësaj qeverie, si dhe për mbështetjen shumë të çmueshme që ka pasur nga miqt e Kosovës, sidomos nga SHBA-ja prej nga pavarësia e Kosovës,

Më tej ai flet për angazhimin në vazhdimin të këtyre vedeve që e kan njohur Kosovën, dhe janë anëtare të Përhërhershme të KS, për ndërtimin në Kosovë të një demokracie funksionale, për njohjet e ardhshme që do t’i bëhen Republikës së Kosovës dhe për shumë çështje të tjera, që e presin Kosovën, sidomos tash pas takimit të rradhës dhe dialogut dhe arritjes së marrëveshjeve siç është ajo që pritet të arrihet me 2 Prill, mes Beogradit dhe Prishtinës.

Dialogun me Serbinë, zoti Thaqi e vlerson dhe e quan shumë të rëndësishëm por “vetëm si dy shtete të barabarta dhe fqinje të mira”, që do ti kontribojnë vetëm paqes dhe sigurisë në Ballkan dhe rajon. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaqi i tha Bota sot, se ai pati një rast të mirë të paraqesë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, të gjitha arritjet e vendit të tij.

Në intervistën menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit në Nju Jork, zoti Thaqi tha se nga të gjithë u përshëndet fillimi i normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë dhe u dëshmua edhe një herë se Kosova si vend i pavarur e sovran, po prodhon më tepër paqe, stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe perspektivë euroatlantike.

Beqir Sina : Zoti Kryeministër, çfarë zhvillimesh të veçanta ka pasur në mes këtyre raporteve të fundit në takimet e rradhës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ?

Kryeministri Thaqi : Kosova gjatë kësaj periudhe por edhe dje në Këshillin e Sigurimit është prezantuar me përmbylljen e suksesshme me mbikqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë. Kjo rezulton me atë se sot kemi rreth 100 njohje zyrtare, edhe nga disa vende kryesore të Këshillit të Sigurimit, ku më shumë se gjysma e tyre e kan njohur pavarësinë e Kosovës.

Kështu, mund të them se Kosova në të gjitha aspektet për ditë e më shumë po forcohet duke marrë vendin që i takon. Ajo po rritë subjektivitetin e saj – ndërkombëtar. Me këtë rast dëshirojë të theksojë se “: Kosova kudo po prezantohet dhe merr pjesë si një vend i pavarur, i lirë dhe sovran!” Këtë e tregojë edhe në Këshillin e Sigurimit duke paraqitur një mundësi të re dhë të shkëlqyer të arriturave të Kosovës.

Dhe kjo në të gjitha rrafshet, qofshin ato poliitike, ekonomike e sociale, legjistative dhe ndërkombëtare.

Andaj kjo ishte një mundësi e mirë për Republikën e Kosovës, që të prezantojë arritjet që kemi pasur në këto muajt e fundit, janë arritje që janë vlerësuar nga e gjithë bashkësia ndërkombëtare; ishte një veçanti e një rëndësie të veçantë sepse numri i njohjeve të Kosovës po rritet gjithnjë e më tepër, Kosova po konsolidohet e forcohet çdo ditë, më tepër se gjysma e anëtarëve të OKB-së e kanë njohur Republikën e Kosovës.

Pothuajse, nga të gjithë u përshëndet fillimi i normalizimit të marrëdhënieve mes shteteve të Kosovës dhe Serbisë, arritjet ekonomike; gjithashtu duhet bërë më tepër për rend e ligj, por u dëshmua edhe një herë se Kosova si vend i pavarur e sovran, po prodhon më tepër paqe, stabilitet,bashkëpunim rajonal dhe perspektivë euroatlantike. Andaj dua të besoj fuqishëm se në të ardhmen jo të largët Kosova me këto hapa që është duke ndërrmarë, me reformat që është duke bërë, me normalizimin e marrëdhënieve dhe me ndërtimin e fqinjësisë së mirë edhe me Serbinë, do të lëvizë drejt perspektivës së sigurt europiane, drejt anëtarësmit në NATO, por edhe në organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Beqir Sina : A mendoni se kësaj rradhe pesha kryesore e takimit të 13-të, në KS, ra mbi rëndësinë e dialogut që keni zhvilluar ju me Kryeministrin e Serbisë Ivica Daçiç, ?

Kryeministri Thaqi : Dialogu për nomalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ka qenë me fokus të veçantë dhe presim që më 2 Prill të mbahet takimi vendimtar për arritjen e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Sërbisë, Mbasi kjo marrëveshje do t’i hap mundësi të reja shetiti të Kosovës në veçanti për njohjen e saj edhe nga pesë vendet e BE-së, për të lehtësuar kushtet e rrethanat edhe lehtësimin e rrethanave të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Sepse në rast të normalizmit të marrëdhënieve Kosovë, Serbi, edhe Rusia nuk do të ketë më asnjë argument justifikues, parandalues, apo penguar Kosovën që të integrohet në OKB.

Mua më vjen tepër mirë që tash për tash si thashë më lart shumica e vendeve të KS e kan njohur Kosovën dhe po japin kontributin e tyre në forcimin e shtetiti të Kosovës , institucionet e saj. Këto vende ashti si dje në mbledhjën e 13 të rradhës së Këshillit të Sigurimit, e kan mbështetur dhe inkurajur Kosovën në arritjet e saj. Janë vende të cilat bëjnë thirrje për një fqinjësi të mirë, mes Kosovës dhe Sërbisë, që unë mendojë se do të krijojë edhe kushte e rrethana të volitëshme dhe më të mira për paqe siguri dhe stabilitet.

Beqir Sina : Zoti Kryeministër , gjatë kësaj periudhe ku jeni më tepër të fokusuar : në çështjet e brendëshme, diplomacinë apo dialogun ?

Kryeministri Thaqi : Ashtu si në besedimet që kemi pasur gjatë dialogut tonë mes Beogradit dhe Prishtinës, edhe në këtë takim unë kam bërë të ditur, për çdo zhvillim të brendëshëm në Kosovë. Reformat demokratike, që kemi ndërmarr , për zhvillimin ekonomik, krijimin e kushteve më afirmative për të gjithë popullin e Kosovës, qofshin ato shqiptar, serb, boshnjak, romë, e të tjerë. Sikurse, në veçanti për komunitetin serb në Kosovë, që ato të ndikojnë në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

Këto të gjitha janë të përfshira në dialogun dhe prezantimet e mia, të cilat kan qenë dhe në fokusin e punës time në këtë dialog që ka nisur duke shprehur dhe mendimin tim të qartë se çdo përpjekje e Serbisë për të krijuar apo futur elemente të një “Republika Serbska” do të jenë papranushme, dhe të deshtuara.

Çfardo lloj forme autonomie do të jetë e pa pranueshme ashtu si do të jetë edhe çdo status special apo ndonjë angazhim për ndonjë plan tjetër Ahtisari 2. Këto e them edhe një herë jan absolutisht të papranueshme! Ngaqë, për Kosovën do të ketë vetëm respektim të plotë të Kushtetutës së saj dhe ligjit ku të gjitha do të jen të barabart para tij. Do të kemi një ligj për vetëqeverisjen e Kosovës, Dokumentin e Ahtisarit, dhe të gjitha dokumentat e standarteve më të larta të Bashkimet Europian – pra Brukselit.

Beqir Sina : Cila mendon se ishte qasja e Kryeministrit Daçiç, në parqitjen e tij para Këshillit të Sigurimit. A mendon se ai ka heq dorë nga retorika e më parëshme ?

Kryeministri Thaqi: Po natyrisht që ka një qasje krejt ndryshe, nga të mëprashmet e Kryeministrit Daçiç. Ne dihet që kemi pozicione dhe qëndrime krejtësisht të ndryshme, dhe natyrishtë kjo është noramale për të dy palët. Mbasi, ne përfaqësoim dy shtete të ndryshme. Por, mund të them se kësaj rradhe si gjatë dialogut por edhe në fjalën e tij para Këshillit të Sigurimit, Daçiç ka qenë krejt ndryshe nga ai që kemi parë më parë.

Në kuptimin e asaj që ka pasur “shumë pak reagime provokative” të paktën nga zhvillimet në Kosovës, dhe ju e vrejtët edhe në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit, dje ku ju ishit present. Kontraparti im nuk shfaqi dhe nuk dha ndonjë inisiativë të re, që do të hapte debate të tjera, mes tij dhe meje. Ai prezantojë qëndrimet e veta dhe unë të miat ashtu si dhe më parë, pa ndonjë ndryshim. Qëndrimet e mia me ato të Daçiçit jan aktualisht dieametralisht të kundërta.

Unë dua të besoj se Serbia do të detyrohet për me lëviz drejt fqinjësisë së mirë, dhe do të detyrohet edhe prej bashkësisë ndërkombëtare që të heqë dorë nga retorika, dhe politika e vjetër me Kosovën, e të fillojmë bashkëpunimin, partneritetin ndërshtetëror në vend të konfrontimit një shekullor që kemi pasur, pra deklarimet e zyrtarëve apo politikanëve të Serbisë janë deklarime të politikës ditore, ndërsa realiteti është krejt ndryshe.

Deri tani kemi arritur disa marrëveshje që në fakt e legalizojnë gjithë atë përkushtim tonin e në të njëjtën kohë është edhe konfirmim se Serbia gradualisht po e njeh shtetin e Kosovës se po njeh institucionet legjitime e demokratike të Kosovës.
Beqir Sina : Si ju duk udhëheqja e radhës së mbledhjes së 13-të, raportuese për Kosovën, nga një vend si Rusia, e cila nuk e njeh dhe e kundërshton pavarësinë e Kosovës. Një rasti i rallë gjatë kësaj periudhë mbedhjesh në KS, me Presidencën nga Rusia, e cila dihet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës madje e quan edhe të njëanëshme, sipas saj, A mendoni se pati ndonjë farë “ndikimi” presidenca e rradhës? apo ishte një “Copy Past” e Vitali Çurkin !

Kryeministri Thaqi : Rusia dihet me qëndrimet e saj të demostruara edhe në Këshillin e Sigurimit ajo i qëndron asaj për mos njohjen e Kosovës. Por, udhëheqja si Presidencë e rradhës nga Rusia, prej Ambasadorit të saj Vitali Çurkin, mendojë se edhe si në takimet e tjera të radhës në KS, nuk kan luajtur ndonjë rolë, kështuqë edhe kësaj radhe nuk kishte çfarë të më bënte përshtypje.

Kjo, natyrisht kuptohet se është si në kuptimin tonë por edhe në atë të Serbisë, duke e krahasur me atë se çafrë qëndrishmesh kan mbajtur ata në Këshillin e Sigurimit, me shtetet më të fuqishme . Presidenca e Rusisë, ka qenë më tepër e parë dhe e vlersuar në atë aspektin procedural që ndjek KS në ndrrimin e persidencave çdo gjashtë muaj. Pra, nuk pati mendojë ndonjë reflektim politik ose ndonjë ndikim në qëndrime.

Beqir Sina : A mendoni se takimi i sotëm solli ndonjë frymë të re më konstruktive të atyre vendeve që deri tash janë mohuese të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës ?

Kryeministri Thaqi : Mendojë edhe unë se mes Beogradit dhe Prishtinës nëpërmjet dialogut, por edhe me prezantimin e fjalimeve tona në KS, dje, ka nisur një fyrmë e re, dhe, një qasje tjetër në këtë këndëvështrim. Duket se të dy palët si Beogradi dhe Prishtina janë më relaksuese duke mos paraqitur inisiativa për të mos hapur debate përveçse atyre që jan hapur deri tani. Nuk ka më asgjë konfrontuese nësë gjërat nuk kan shkuar në drejtimin që kërkon të tërheqi secila palë. Ne jemi tani më shumë ofrues – dhe mirëkuptues sesa ndonjë qasje si në të kaluarën e konfrontimeve që ndodhnin.Dhe mendojë që ky përkushtim i yni tani do të ndohmojë edhe anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit, që të jenë më afirmativë, sidomos me njohjen për Kosovën.

Beqir Sina : A mund të jetë dialogu por edhe ky takim raportues i rradhës për Kosovën në KS, një paralajmërim se ” së shpejti Kosova do të jetë anëtare e Oragnizatës së Kombeve të Bashkuara” ?

Kryeministri Thaqi : Më lejo të them qysh në fillim të kësaj pyetje se nuk mund të bëjë prognoza se kur do të jetë Kosova anëtare e Kombeve të Bashkuara, dhe sa vende do të njohin tani apo më pasë. Kjo mund të ndodh ndoshta edhe me javë, muaj apo vite. Por, për një gjë siguroi popullin se Kosova në të ardhmen do të jetë anëtare me të drejta të plota e OKB-ës.

Beqir Sina : Ambasadoria e SHBA, Rosamry DiCarlo, tha dje në fjalën e saj para Këshillit të Sigurimit se : “Beogradi dhe Prishtina janë shumë afër marrëveshjes” por nuk përcaktoi se për çfarë marrëveshje bëhet fjalë. Pra, a mund të na thoni se për çfarë marrëveshje jeni shumë afër në se i refrohemi fjalës së ambasadores amerikane në OKB, zonjës DiCarlo ?

Kryeministri Thaqi : Dua të potencoi se jo vetëm 2 Prili që është i rëndësishëm në arritjen e marrëveshjeve , por gjatë këtyre bisedimeve ne kemi arritur 6-7 marrëveshje të tjera. Marrëveshje, që do të thoja nuk kan ndodhur kurrë më përpara, mes dy shteteve tona. Por, kjo është një vlersim që do ta kuptojmë të gjithë dhe duhet të angazhohemi të gjithë. Pra, kërkohet një mbështetje si nga faktori i brëndëshëm por edhe nga ai i jashtëm. Mund të them me përgjegjësi të plot se jemi drejt arritjes së marrëveshjes më dy prill por ende nuk kemi përcaktuar diçka që kemi për ta realizuar.

Ne kemi dëshmuar se jemi në rrugë të mirë për arritjen e marrëveshjes, jemi në rrugë të drejtë, ekziston vullneti për atë marrëveshje, natyrisht që nuk është e lehtë, Prishtina ka prezantuar ofertën e saj afirmative, për rend dhe ligj, për mundësi integruese për qytetarët serbë në veri, për sistemin e drejtësisë sipas ligjeve të Kosovës, për domosdoshmërinë e shpejtë të shpërbërjes së plotë të të gjitha strukturave të sigurisë të instaluara në Kosovë nga Serbia. Gjithashtu ne jemi për ndalimin e plotë të financimit të tyre nga Serbia, e në të njëjtën kohë duke respektuar gjithmonë kushtetutën e Kosovës, ligjet e Kosovës, ligjin për vetqeverisjen lokale, standartet europiane, dokumentin e presidentit Ahtisari, ne kemi ofruar thjesht një mekanizm të quajtur Assosacion i Komunave me shumicë Serbe, që do të formohej si mundësi për serbët, për t’u integruar më tepër, por ai Assosacion në asnjë rrethanë të mos ketë as karakter legjislativ, as ekzekutiv, as të pushtetit të tretë dhe as të zgjedhjeve të drejtpërdrejta.

Beqir Sina : Zoti Kryeministër, ju prisni që në fund të bisedimeve të merrni datën për fillimin e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit. Por, njëkohësisht prej jush është kërkuar edhe forcimi i luftës kundër krimit te organizuar dhe korrupsionit. Çfarë po bëhet në këtë kuadër?

Kryeministri Thaqi : – Ne jemi duke punuar maksimalisht me faktorin ndërkombëtar në këtë drejtim. Qeveria që udhëheq unë është qeveria që ka filluar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të gjitha dukurive të tjera negative. Natyrisht, se pluralizmi politik ka edhe reagime, çfarë mund të jenë sot.

Por, dua të theksoj se institucionet legjitime dhe demokratike duhet të vazhdojnë së funksionuara në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, në të njëjtën kohë të vazhdojmë bashkarisht me partnerët tanë ndërkombëtarë të punojmë me të gjithë potencialin që kemi.
Kosova tash e katërmbëdhjetë vite në fakt për sa i përket rendit dhe ligjit udhëhiqet prej ndërkombëtarëve në mandatin ekzekutiv. Gradualisht është duke e mbartur këtë autoritet tek vendorët dhe kjo luftë do të jetë e pakompromis me moton: Zero Tolerancë ndaj korrupsionit, ndaj krimit të organizuar dhe unë ftoj të gjithë partnerët tanë, gjithë spektrin politik, shoqërinë civile, mediat, t’i bashkangjiten kësaj përpjekjeje të qeverisë së Kosovës.
Jam i bindur se këtë betejë do ta fitojmë. Por, në të njëjtën kohë edhe idetë dhe konceptet politike janë të mirëseardhura për ballafaqim, gjithmonë duhet të kemi parasysh interesin e shtetit, duhet të kemi parasysh reformat evropiane që po i bëjmë bashkarisht.

Beqir Sina : Së fundi zoti Kryeministër me çfarë mesazhi po largoheni nga Nju Jorku ?

Kryeministri Thaqi : Largohem nga Nju Jorku, me një mbështetje të fuqishme që mora për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Këtë e kam konfirmuar edhe në takimin e djeshëm për Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, zotin Ban – kin Moon, i cili përtkrahu Kosovën, në rrugën e saj të paqes dhe të prosperitetit zhvillimeve dhe progresit që ka bërë Kosova gjatë këtyre viteve.(intervistoi:Beqir Sina)

Filed Under: Interviste Tagged With: Beqir Sina, Interviste, me Hashim Thacin

24 MARS 1999, NGJARJE E MADHE HISTORIKE PER KOSOVEN

March 24, 2013 by dgreca

Presidentja Atifete Jahjaga: NATO i hoqi pushtetin Serbisë nga Kosova/

Fillimi i bombardimeve të NATO-së kundër caqeve serbe, në historinë e re të Kosovës, është një nga ditët më domethënëse dhe kuptimplotë për lirinë e vendit, dhe paraqet krenari për të gjithë kosovarët, vlerëson presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Presidentja e shtetit ka nënvizuar se fushata e bombardimeve, rezultoi me kapitullimin e forcave serbe të sigurisë, që shënoi edhe largimin përfundimtar të pushtetit të Serbisë nga Kosova.
“Pikërisht sot para katërmbëdhjetë vitesh, Aleanca Veri-atlantike i nisi sulmet ajrore mbi caqet e caktuara në ish-Jugosllavi që rezultuan me kapitullimin e forcave të armatosura dhe me largimin përfundimtar të pushtetit të Serbisë nga Kosova”, thuhet në komunikatën që ka dërguar Presidenca të dielën.
Katërmbëdhjetë vjet pas këtij akti, kryetarja e shtetit thekson se ky veprim i Paktit Veri-Atlantik demonstroi se secili popull e ka të drejtën që të jetojë i lirë në tokën e vet, i barabartë dhe i dinjitetshëm.
“Ne sot jemi krenarë dhe ndiejmë falënderimin më të thellë për të gjithë ata burra dhe gra, ushtarë dhe oficerë të vendeve anëtare të NATO-s që dhanë kontributin e tyre të pakursyer që të ndalet gjenocidi mbi një popull dhe që në këtë pjesë të Evropës përfundimisht të mbretërojë paqja, që popujt dhe vendet të jetojnë në bashkëpunim dhe në mirëkuptim ndërmjet vete”, thuhet në komunikatë.
Aleanca më e fuqishme ushtarake në botë, më 24 mars të vitit 1999, pas negociatave disa mujore me Beogradin nuk kishte arritur që ta bindë atëbotë ish-presidentin e Serbisë, Sllobodan Millosheviq, të ndalë dhunën në Kosovë, dhe t’i tërheq trupat policore dhe ushtarake.
Andaj, NATO kishte vendosur që të nisë një fushatë ajrore për të arritur qëllimin e vet.
“Republika e Kosovës, një sukses i yni i përbashkët, sot është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, është shtet sovran dhe i pavarur, i ndërtuar në parimin qytetar dhe me shoqëri demokratike, në të cilën të gjithë njerëzit i gëzojnë të drejtat dhe liritë e barabarta, pa asnjë dallim.”
“Vendi ynë sot falë angazhimit të të gjithë qytetarëve, përkushtimit të të gjithë shoqërisë, po ndërton një shoqëri të drejtë, të mundësive të barabarta, një shtet me rend dhe sundim të ligjit dhe me perspektivë të qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”,
thuhet në komunikatën e presidencës.
Për 78 ditë me radhë, vendet e NATO-së nuk ndalën bombardimet, përderisa Serbia nuk pranoi kapitullimin.
Më pas, Serbia dhe Pakti Veri-Atlantik nënshkruan Marrëveshjen e Kumanovës, përmes së cilës iu mundësua hyrja e trupave paqeruajtëse si garantues për sigurinë në Kosovë.
Paralelisht, Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, si organi më i lartë vendimmarrës global-edhe pse nuk ishte pyetur për bombardimet-nxori Rezolutën 1244, e cila vendosi një misioni të përkohshëm të administrimit të Kosovës, UNMIK, deri në zgjidhjen e statusit të vendit.

Filed Under: Interviste, Kronike Tagged With: 24 mars 1999, Jahjaga, NATO, nga kosova, perzuri Sebine

Vlora Çitaku: Uashingtoni e Brukseli reflektojnë si Prishtina

March 23, 2013 by dgreca

Prishtina dhe Brukseli janë në të njëjtin pozicion, dhe ne presim që Beogradi të reflektojëdhe të pranojë marrëveshjen, e cila është në dobi të Prishtinës, të Beogradit dhe të së ardhmes evropiane të rajonit, thotë për Radion Evropa e Lirë, ministrja e Integrimeve Evropiane Vlora Çitaku.

RADIO EVROPA E LIRË- Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së është zhvilluar të premten debati i radhës për Kosovën, ku ende ka dallime mes palëve. Kurse, kemi edhe dialogun në Bruksel, i cili nuk është se po sjell rezultate?! Na thoni ju lutem se çka duhet pritur?

VLORA ÇITAKU-Është jashtëzakonisht e rëndësishme të potencohet se Kosova është e gatshme për marrëveshje, realisht ne kemi qenë të gatshëm për marrëveshje qysh nga 4 marsi, mirëpo është pala tjetër, është Serbia, ajo e cila nuk është ende në gjendje të kuptojë se realiteti ka ndryshuar, dhe marrëveshja në Bruksel nuk mund të reflektojë asgjë tjetër, përveç realitetit që e kemi tani – Kosovën e pavarur dhe sovrane.
Normalisht, që është proces i vështirë, normalisht që është proces shumë sfidues, është proces, i cili qoftë në opinionin publik në Serbi, apo në Kosovë, është përcjellë shpeshherë me shumë pikëpyetje, me shumë paqartësi, por është e rëndësishme që të potencohet se çfarëdo lloj marrëveshjeje të arrihet, do të jetë në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Ne kemi bërë ofertën tonë. Oferta jonë është substanca e Pakos gjithëpërfshirëse të presidentit Ahtisaari. Është e qartë që pala tjetër, përkatësisht Beogradi ka shqetësime, sepse sigurisht që kanë pritur shumë më shumë.
Fillimisht, kanë pasur projektin e ndarjes, pastaj projektin e krijimit të Republika Srpskas në Kosovë, pastaj projektin e krijimit të një nivelit të tretë të pushtetit. Por, për fat të mirë, edhe BE-ja, edhe SHBA-ja, edhe vendet kyçe anëtare të BE-së, e kanë refuzuar një platformë të tillë. Andaj, pozicioni i Kosovës dhe ai i BE-së në këtë fazë është identik.

RADIO EVROPA E LIRË- Sa jeni të sigurt se Prishtina nuk do të zmbrapset nga qëndrimi i saj?

VLORA ÇITAKU-Po e ripërsëris. Ne qysh nga 4 marsi, kemi qenë të gatshëm për marrëveshje. Pala kosovare është në konsultim të vazhdueshëm me partnerët kyç ndërkombëtarë. Dhe, unë dua të them hapur që nuk jemi palë të kundërta.
Përkundrazi Prishtina dhe Brukseli janë në të njëjtin pozicion, dhe ne presim që Beogradi të reflektojë, t’i kthehet realitetit, dhe të pranojë marrëveshjen, e cila në fund të fundit është në dobi të Prishtinës, është në dobi të Beogradit dhe është në dobi të së ardhmes evropiane të rajonit.

RADIO EVROPA E LIRË-Thatë se Beogradi duhet të pranojë marrëveshje…ose përndryshe çka do të ndodhë?

VLORA ÇITAKU-Ne nuk jemi ata, të cilët i takojmë kushtet dhe ndëshkimit që do të pasojë, por është e rëndësishme për të ardhmen evropiane të tërë rajonit. Beogradi nuk mund të ketë dy qasje kontradiktore. Një qasje pro-evropiane karshi Brukselit, dhe një qasje tërësisht anti-evropiane karshi Kosovës. Esenca e këtij procesi është që Beogradi, përkatësisht Serbia të detyrohet, të sillet në mënyrë evropiane me Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË-Të detyrohet?

VLORA ÇITAKU-Po normalisht, sepse ky është një proces, i cili është orkestruar, dizajnuar, dhe formësuar nga ana e BE-së për të përmbyllur njëherë e përgjithmonë një kapitull të errët të historisë.(Intervistoi Fatmir ALIU)

Filed Under: Interviste Tagged With: Fatmir Aliu, Interviste, Vlora Citaku

Shpetim Idrizi: Rezoluta, kusht i PDIU-s për koalicione zgjedhore

March 22, 2013 by dgreca

I ftuar në emisionin “Bugajski Hour”, të gazetari Janush Bugajski në “Albanian Screen” kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet Shpëtim Idrizi ka hedhur dritë mbi një sërë ccështjesh të rëndësishme, duke nisur që ka Rezoluta për Çështjen Çame e deri tek aleancat politike. I pytur fillimisht nga gazetari Bugajsi se cilit spektëri politik i përket PDIU, Idrizi është përgjigjur se PDIU është një parti kombëtariste,  jo ideologjike. Ndërkaq, përsa i përketë koalicioneve për zgjedhjet e 23 qershorit dhe lidhjes së tyre me votimin e Rezolutës, Idrizi është përgjigjur “Gjëja e parë që ne po vlerësojmë është qendrimi i partive politike karshi Rezolutës për shqiptarët e Çamërisë, padyshim është një kondicion i madh, çdo forcë politike kam parasysh dy të mëdhatë që nuk do ta mbështes këtë Rezolutë, absolutisht nuk do të afrohet që të kërkoj mbështetje apo bashkëpunim me ne.”

Tani është koha e “Intervistës me Bugajskin” dhe i ftuari ynë sonte është Shpëtim Idrizi, kryetari i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet! Mirëseerdhët në emision! Kam kënaqësi që jam këtu me ju! Dhe kam pyetje të shumta rreth partisë suaj dhe rreth çështjeve ku ju fokusoheni në Parlamentin shqiptar. Le t’ia fillojmë me një pyetje themelore. Siç thashë, pra, emri i partisë suaj është PDIU. A mund të na shpjegoni se çfarë do të thotë saktësisht kjo? Me fjalë të tjera, Drejtësi për kë, Integrim me çfarë dhe Unitet në gjirin e kujt? Çfarë përfaqëson, pra, specifikisht emri i partisë?
Së pari do të doja të shpreh kënaqësinë time personale të jem këtu përballë jush, në këtë emision shoë shumë të ndjekur dhe të veçantë për audiencën shqiptare, por dhe për të dhënë vizionin tonë si parti duke filluar edhe nga sigla e cila nuk ka vetëm simbolikë por ka brenda saj gjithë atë optikë dhe problematikë të madhe që partia jonë përfaqëson. Kur themi Partia për Drejtësi kemi parasysh këtu që një nga pikat themelore të programit tonë ka të bëjë me gjetjen e drejtësisë për shqiptarët e Çamërisë dhe sigurisht dhënia e drejtësisë për një ndër kauzat më të mëdha kombëtare shqiptare është nje nga gjërat kryesore që ne jemi dhe ekzistojmë si parti politike. Për Integrim sepse mendojmë se shumë nga të drejtat tona që bazohen mbi të drejtat e njeriut mbi të drejtat evropiane, do të realizohen përmes integrimit të Shqipërisë në BE që është një aspiratë e kahershme e gjithë kombit shqiptar, kam parasysh këtu dhe po perifrazoj dhe një nga rilindësit më të shquar shqiptar i cili thoshte se për shqiptarët dielli lind andej nga perëndon. Uniteti natyrisht që është i rëndësishëm dhe prandaj është edhe pjesë e siglës së partisë sonë. Ne mendojmë që kombi shqiptar një komb i cili ka qenë dhe është prezent prej mijëra vjetësh në historinë evropiane por edhe në civilizimin botëror por që i ndarë në pesë shtete ka nevojë të performoj dhe të ecë drejt një uniteti më të madh.
Faleminderit! Përpara se të hyjmë në çështjen e Çamërisë, më lejoni t’ju bëj një pyetje themelore mbi pozitën e partisë suaj në spektrin politik. A jeni të djathtë, të majtë apo jeni një parti apo lëvizje që ka në qendër një çështje të vetme?
Kjo është një pyetje e drejtë që unë vazhdimisht e kam hasur në studio televizive por që në fillim e kemi bërë të qartë që ne jemi parti kombëtariste, jemi parti jo ideologjike dhe jo thjesht vetëm se ideologjitë tashmë kanë rënë edhe në kuptimin klasik si filozofi të majta dhe të djathta, por ne jemi në qellimin tonë kryesor një parti e kauzave tona. Ne mendojmë se kauza të tilla patriotike kombëtare që janë pjesë e kombit shqiptar kanë nevojë që të jenë gjithmonë prezent në qendër të politikës shqiptare, të Parlamentit por edhe pjesë e maxhorancave. Pra në këtë kuptim ne mendojmë se jemi parti e qendrës e cila dora-dorës ezauron pjesë të programit të saj dhe natyrisht do të ketë edhe pozicionet e saj në varësi të mbështetjes që ajo merr për kauzat e veta.Më parë ju keni shërbyer nën një administratë socialiste si Drejtor i Përgjithshëm i Doganave. Kurse sot partia juaj është pjesë e qeverisë së koalicionit të udhëhequr nga demokratët, ku ju merreni specifikisht me çështjen kombëtare të Çamërisë. Pra, ky transformim nënkupton se në njëfarë kuptimi ju jeni politikisht elastik, sa i takon spektrit të djathtë apo të majtë.
Në një farë mënyre po. Por meqë po flasim për rrugëtimin tim personal sigurisht që unë kam bërë një rrugëtim për të gjetur vetveten gjatë këtyre 20 vjetëve. E kam filluar politikën nëse do ta quajmë kështu si student i dhjetorit. Në vitin 1990 unë kam qenë student i përfshirë direkt në lëvizjen studentore sigurisht me një bindje shumë të madhe që po kryenim rolin tonë për të ndryshuar atë sistem i cili e kishte zhveshur popullin shqiptar nga gjithçka, nga identiteti i tij, nga besimi tek zoti, nga demokracia, nga liria, dhe u nisëm të gjithë në një front të madh do të thoja popullor drejt demokracisë por sigurisht që asnjeri prej nesh nuk kishte shkollë nuk e kuptonte mirë se ku po shkonim por qëllimi jonë ishte shumë i qartë pra ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa, bashkë me parullat e para patriotike do të thoja atëherë ishte çështja e Kosovës. Unë jam përfshirë masivisht dhe direkt në këtë lëvizje studentore, kam qenë edhe një ndër formuesit e PD-së, kam qenë një ndër anëtarët e grevës së urisë, por jam larguar në një moment të caktuar nuk dua t’i hyj këtu historive personale pse u largova, realisht më larguan nëse do të jem më i sinqertë në këtë bisedë. Për një kohë të gjatë për mbijetesë dhe më vonë për instikt biznesi që në Shqipëri thonë që komuniteti çam e ka, jam marrë për disa vite me biznes, derisa në një moment të caktuar jam kontaktuar në mënyrë rastësore nga Fatos Nanon. Në atë kohë ishte kryetar partie, dhe fillimisht kam patur kërshërinë e parë për të njohur një person për të cilin kisha luftuar shumë për ta rrëzuar, por sigursht që zoti Nano njihet nga të gjithë si një njeri liberal, pa këto ngurtësimet të majta dhe të djathta, dhe pas një farë kohe më ka ftuar që të bëjë pjesë në administratën shtetërore, fillimisht si Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve prej rreth dy vjetësh, pastaj si Drejtor i Përgjithshëm i doganave, dhe në një moment të caktuar, në vitin 2005 më kërkoi që të kandidoja për PS-në. Realisht kam patur një moment shumë të madh hezitimi dhe mbaj mend që në kontaktet e para me zotin Nano i kam thënë që për shkak të këtij backgroundi nga vija që nësë dal i suksesshëm në administratë mos kërko të më fusësh në PS, jashtë vullnetit tim. Gjithsesi mendova që ky ishte fati im, i kam marrë gjithmonë si sfida edhe betejën e vitit 2005 ku për herë të parë u bëra deputet në një zonë direkte. Për herë të parë pas disa muajsh që kam qenë në Parlamentin shqiptar, mbaj mend që fjalimi im i parë ka qenë për të ngritur Çështjen Çame në Parlament dhe për të kërkuar pas 70 vjetësh një minutë heshtje për këtë tragjedi të madhe kombëtare të të gjithë shqiptarëve. Gjthsesi është një rrugëtim deri këtu fleksibël, por besoj se për Shpëtim Idrizin nuk ka më fleksibilitet, ka qenë një rrugëtim si ai guri që do të gjejë vendin e vet. Dhe unë sot e kam gjetur vendin tim, në shtëpinë time, në familjen time në kauzat që unë jam shumë i vendosur t’i përfaqësoj bashkë me shumë anëtarë të tjerë të komunitetit shqiptar të Çamërisë, jo thjesht për Çështjen Çame por në radhë të parë për një Çështje Kombëtare e cila fillon nga dinjiteti, fillon nga liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, fillon nga e drejta e pronës, dhe mbi të gjitha ka të bëjë me vendosjen në vend të një padrejtësie të madhe historike që me sa duket koha nuk e ka bërë që të kapsulohet por përkundrazi e ka nxjerrë akoma më tepër në pah në një komunitet i cili rritet në mënyrë progresive gjeometrike, por mbi të gjitha sot me një dakordësi shumë të madhe të shqiptarëve kudo që jetojnë, dhe mbi të gjitha të politikës shqiptare. Pra sot kryesisht partitë politike kryesore e kanë në themel Çështjen Çame. Ky ka qenë rrugëtimi im. Është një rrugëtim që e kanë bërë të gjithë, kush më shumë e kush më pak në kuptimin e gjetjes së vendit të vet në këto 20 vjet. Është një rrugëtim që tregon se kam kaluar shumë dhe më kanë maturuar dhe shpresoj shumë që këtë maturi dhe këtë përvojë timen politike ta vendos në funksion të kësaj gjëje që është e imja personale, e familjes sime e komunitetit tim por edhe më gjerë e gjithë shqiptarëve.
Ju pjesërisht u jeni përgjigjur pyetjes sime tjetër në lidhje me angazhimin për komunitetin çam, dhe në lidhje me sfondin e familjes suaj. Ka nga ata që thonë se ju përfitoni personalisht nga Çështja Çame. Si u përgjigjeni ju kritikave të tilla?
Nëse kthehemi në momentin aktual politik, ne ndodhemi para një fushate elektorale, ne kemi treguar që kemi qenë një parti që vazhdimisht ka qenë prezent në spektrin politik shqiptar, me një katërfishim të votave në zgjedhjet e fundit, sepse ne kemi qenë dy parti dhe jemi bashkuar dhe kemi katërfishuar votat kemi rreth 258 këshilltare në të gjithë Shqipërinë. E them këtë jo vetëm për të dhënë një përgjigje që kjo është matja jonë elektorale pasi janë votuesit ata që e vendosin, por besoj se në të gjthë ambientin politik publik shoqëror shqiptar këto tre katër- vitet e fundit kanë qenë koha e vendosjes së Çështjes Çame nga periferia në qendër të politikës shqiptare. Edhe parti politike si PS që nuk e ka pasur në program tashmë e ka bërë pjesë të rëndësishme të tij. Janë 250 aktivitete në funksion sensibilimit të opnionit publik brenda dhe jashtë Shqipërisë, por mund t’ju them se jemi parti që kemi dhe rezultate të prekshme. Kam parasysh faktin që për herë të parë ne presim këto ditë që të kalojmë një Rezulotë për Çështjen Çame në Parlamentin shqiptar, një shprehje për herë të parë e vullnetit politik të Parlamentit shqiptar, një Rezolutë e dizenjuar shumë mirë edhe me vëmendjen dhe instruksionin e studiove të specializuara. Në qoftë se do të më duhet të japë një përgjigje të kthjellët dhe ma lejoni këtë gjë, fillimisht në momentet e para gjeja ca kërkesa infantile që të çojmë lule në varret e të parëve etj, etj, kurse sot ne kemi një program të qartë dhe shumë të mirëmenduar kërkesash dhe të Zgjidhjes së Çështjes Çame. Kur fola për rekorde, ne kemi ndërmarrë një sërë nismash ligjore në Parlamentin shqiptar, kam parasysh këtu amendamentet që ne i bëmë ligjit për Censusin, amendamente të rëndësishme dhe të drejtpërdrejta që frenuan abuzimin e mundshëm që mund të bëhej me këtë proces i cili nga një proces i thjeshtë dhe ushtrimor për regjistrim pasurie, pronash etj riskohej që të kthehej në një betejë të madhe të influencave të fqinjve tanë për të krijuar minoritete të rreme në Shqipëri. Përtej kësaj nisma e dytë është Rezoluta për Çështjen Çame, pjesë e tragjedisë së popullsisë së Çamërisë është fakti që 20 % e saj është vrarë në një segment të ngushtë kohe, tre mijë në Greqi dhe tre mijë në territorin shqiptar. Pra në një varrezë masive 1 km në territorin shqiptar dergjen tre mijë veta anëtarë të familjeve tona, dhe për herë të parë ne do të ndërtojmë në këto muajt në vazhdim para qershorit një varrezë monumentale jo thjesht dhe vetëm një nderim njerëzor që ne kemi obligim karshi prindërve dhe gjyshërve tanë por mbi të gjitha një monument i madh kujtese, unë e kam quajtur Meka dhe Jeruzalemi i Shqipërisë i shqiptarëve të Çamërisë dhe më gjerë në mënyrë që tragjedi të tilla të mos përsëriten më. Kurse përsa i përket pyetjes direkte ne kemi vendosur shumë vonë që të bëhemi pjesë e qeverisjes në kuptimin e posteve. Nuk kemi një marrëveshje me PD-në por i kemi kërkuar që në radhë të parë Çështja Çame të hapet në mënyrë diplomatike në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë jo se kemi patur ndonjë avancim shumë të mirë, por për herë të parë kemi një ministër të Jashtëm i cili në mënyrë zyrtare ka hapur Çështjen Çame jo thjesht dhe vetëm si problem pronash të shqiptarëve por si një çështje politike dhe historike. Kemi kërkuar vlerësimin e figurave të shqiptarëve të Çamërisë, dhe njëkohësisht në qershor mbaron dhe një kompleks muzeal i dy prej korifejve shumë të rëndësishëm të Çamërisë siç është Hasan Tahsni dhe Bilal Xhaferri. Hasan Tahsini ka qenë një nga poliglotët e Perandorisë Osmane, krijuesi i parë i Universitetit të Stambollit, kurse Bilal Xhaferri ishte një ndër bilbilat e Çamërisë siç e quajmë i përsektuar nga regjimi komunist i kohës është detyruar që të arratiset nga Shqipëria, dhe duart e gjata të sigurimit shqiptar e kanë vrarë në SHBA.
Më lejoni të bëjmë një hap mbrapa! Sidomos për publikun tonë të huaj të këtij emisioni, a mund të na thoni shkurtimisht se kush janë çamët? Me fjalë të tjera, a është ky një identitet etnik, një identitet krahinor, një identitet historik? Si dallohen ata nga shqiptarët e tjerë?
Sigurisht që ne jemi pjesë e të gjithë shqiptarëve nga pikëpamja e kulturës, historisë etj, jemi të njohur dhe autoktonë në vendin tonë prej mijëra vjetësh mjafton t’ju kujtoj dy ndër historianët dhe shkrimtarët më të mëdhenj të lashtësisë, kam parasysh këtu Tukididin, në veprën e tij madhore “Lufta e Peloponezit” në vitin 270 para erës sonë i cili në momentin që dizenjonte helenët pra territoret helene i vendoste në pjesën perëndimore, në gjirin e Ambrakisë, Gjiri i Artës sot dhe thoshte që aty jetojnë barbarët do të thotë fiset johelene. Madje në kufijtë e helenëve dhe barbarëve në këtë rast janë shqiptarët e Çamërisë është vendosur edhe lumi i Akeronit, lumi i të vdekurve kur njerëzit lënë këtë botë me dy monedha të florinjta dhe kalojnë në botën tjetër, i vendosur pikërisht në këtë territor se ishte fundi i botës së tyre. Por dhe Straboni në librin “Gjeografia” i përcakton pikërisht këtu kufijtë e Greqisë. Përtej kësaj kam parasysh këtu faktin që në vitin 200 para erës sonë ka qenë shumë e njohur Lidhja e Mollosëve, e tre fiseve shumë të mëdha iliro-pellazge, Kaonët, Mollosët dhe pak më vonë kemi lidhjen epiriote, me Pirron e Epirit, motra e kryetarit të Lidhjes së Mollosëve ka qenë as më pak as më shumë nëna e Aleksandrit të Madh dhe për këtë nuk ka ndonjë diskutim, në histori dihet që është nga kjo pjesë e Epirit.
Mos harxhoni shumë kohë me historinë. Le të flasim sa më tepër mbi të ardhmen….
Doja të tregoja që prej mijëra vjetësh ekzistencë ky territor ka qenë në një kontinuitet shumë të madh johelenik, por iliro-pellazgo-shqiptar, derisa vijmë në momentin tragjik për të gjithë kombin shqiptar, ku jashtë Shqipërisë politike u la gjysma e saj. Në vitin 1913 Konferenca e Ambasadorëve, pas Luftës së I dhe të II Ballkanike dhe Luftës së I Botërore la jashtë territorin e Çamërisë dhe të Kosovës dhe një pjesë që sot është në Maqedoni. Dhe nese flasim për përmasat nga pikëpamje gjeografike në qoftë se Kosova është 10 e 800 mijë km katror, Çamëria është 9 mijë e 500 km katrorë. Karshi kësaj popullsie që u vendos nën autoritetin e Greqisë në vazhdimësi në mënyrë të planifikuar është bërë një gjenocid i filluar me spastrim etnik. Direkt sa u vendos nën administrimin grek asnjëherë nuk u lejua që ne të ruanim identitetin tonë kombëtar, pra flamurin tonë kombëtar, gjuhën shqipe, nuk ka patur kurrë shkolla, derisa vijmë në një moment që kemi shpërnguljen e parë të shqiptarëve të Çamërisë. Pas përfundimit të luftës greko-turke dhe me traktatin e Lozanës mbi shkëmbimin e popullsive turko- greke, gjysma e shqiptarëve të Çamërisë janë shpërngulur drejt Turqisë, në vitin 1923-1924, para 20 ditëve unë kam qenë në këtë zonë të Turqisë, dhe mbaj me vete emocione shumë të mëdha të dy pjesëve të të njëjtit komb që takoheshin pas 90 vjetësh, dhe asgjë nuk kishte ndryshuar midis nesh, dhe nuk kemi thjesht shpërngulje, por shpërngulje me vrasje dhe është gjenocide, dhe me vjen keq që në atë kohë nuk ka patur NATO apo media, por faktet historike janë aty. Siç ju thashë 20 % e popullsisë u vra në një fragment të ngushtë kohe dhe pjesa tjetër u shpërngul në drejtim të Shqipërisë. Babai im është një ndër ata që ka bërë këtë rrugëtim dhe atëherë ishte 2 vjeç. Pra shkurt kjo ishte çfarë ka ndodhur me shqiptarët e Çamërisë një komunitet i cili ka ruajtur shumë fort identitetin e vet historik, kulturor, dashurinë për vendin nga i cili është shpërngulur dhe që vazhdon prej 23 vjetësh të kërkoj të drejtat e veta bazuar në liritë dhe të drejtat e njeriut. Çfarë kërkojmë ne? Në radhë të parë kërkojmë atë që është humane dhe njerëzore, pra që shteti grek të kërkoj një falje të madhe publike për atë që ka bërë në kontesktin e kohës, e kanë bërë dhe e bëjnë përditë kombe të qytetëruara dhe shtete të qytetëruara, kërkojmë rikthimin e pronave. Sot pronat e shqiptarëve të Çamërisë mbahen peng me status të paqartë siç është Ligji i Luftës midis Shqipërisë dhe Greqisë apo diskriminim që kjo popullsi ka pësuar për shkak të kombësisë. Të shpërgulurit e Greqisë si ata që kanë qenë komunist si ata që kanë qenë kuesling, dhe Greqia ka patur pafund, në vitin 1978 dhe 1982 janë bërë dy amnisti për popullsitë e shpërngulura dhe kanë fituar të gjithë të shpërngulurit, refugjatë lufte t’i quajmë siç ishin edhe shqiptarët e Çamërisë, kanë fituar të gjithë të drejtat civile pronësore dhe të kthehen në shtëpitë e tyre. Por në këto aministi thuhet se përfitojnë shtetasit grek me kombësi greke, kursë shqiptarët e Çamërisë kanë qenë qytetarë dhe shtetas grek me kombësi shqiptare. Pra dhe përjashtimi nga kjo amnisti është bërë në kundërshtim me të drejtat e njeriut, në kundërshtim me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, me të drejtat e përbotshme me të cilat sot njerëzit tregojnë dinjitetin e tyre dhe marrin pjesë në demokraci dhe liri, pra mosdiskriminimi për shkak të racës, kombësisë dhe fesë. Në këtë rast ne jemi diskriminuar për shkak të kombësisë.
Pra, në mesin e kërkesave të popullësisë çame janë kthimi i pronave, njohja e asaj që ka ndodhur në fillim të shekullit 20 apo rikthimi në trojet e stërgjyshërve si vizitorë. A keni kërkesa territoriale apo kërkesa irredentiste, të cilët shkaktojnë gjithnjë frikë në rajon?
Besoj që është një pyetje që gjatë gjithë rrugëtimit jo të sotshëm politik të shqiptarëve të Çamërisë por në 23 vjet se në mbështetemi mbi një betejë shumë të madhe që ka bërë shoqata “Çamëria”, e para shoqatë pluraliste kombëtare në Shqipëri e themeluar ne vitin 1991, dhe asnjëherë në diskurin tonë politik të shkruar apo të folur ne nuk kemi kërkuar ndryshim kufijsh. Ne kërkojmë që të kthehemi aty ku kemi qenë madje, në momente të caktuara, ka patur një moment detant në kohën e mbretit Zog kur për shqiptarët e Çamërisë u diskutua për herë të parë që ata të merrnin statusin e minoritetit në Greqi, të hapeshin shkollat shqipe që janë normale sot në botën e qytetëruar, dhe pikërisht ne këtë kërkojmë të kthehemi në pronat tona dhe sigurisht të jetojmë me gjuhën tonë me të drejtat tona.
Dhe të bëheni qytetarë grekë?
Sigurisht në sensin që Greqia i ka kërkuar Shqipërisë që të mbante dyshtetësinë, edhe Shqipëria, shtetasit shqiptarë e kanë të drejtën të kenë dyshtetësi. Sigurisht që kjo është një e drejtë e jona dhe unë besoj në mënyrë indivuduale kush do të dëshironte të bëhej shtetas grek të kthehej në shtëpinë e tij dhe ta kishte këtë mundësi. Nuk e marr si bjerrje nga identiteti kombëtar në qoftë se shqiptarët e Çamërisë bëhen qytetarë grek sepse në fund fare bëhet fjalë që të jemi qytetarë evropianë, të paktën ne e konsiderojmë vlerë të gjithë komunitetin evropian, mund të kemi këtu diskutime sa të duash por në radhë të parë jam i bidnur se duhet të kthehemi me një shtetësi të dyfishtë dhe mbi të gjitha të ruajmë kulturën identitetin, gjuhën shqipe, shkollat shqipe në një vend të BE-së.
Çfarë do të ndodhte me popullatën greke që është ngulitur në këto vise të Çamërisë, sa i përket pronësisë dhe tokave që ata kanë marrë mbasi janë ngulitur dhe zhvendosur atje? Me fjalë të tjera, nëse ka kompensim për popullatën çame, çfarë ndodh me popullatën greke?
Ajo ç’ka ndodh sot pikërisht në Greqi me pronat e shqiptarëve të Çamërisë është se ata nuk janë hequr nga pikëpamja pronësore, por janë dhe ekzistojnë në përdorim të shtetasve dhe kolonëve kryesisht të ardhur gjatë viteve siç thamë të shkëmbimit të popullsisë dhe kjo është një tregues i qartë i hapësirës juridike që ekziston për çështjen pronësore të shqiptarëve të Çamërisë, pjesa tjetër e pronësisë mbahet nën sekuestro konservative, pra në ngrirje për shkak të ligjit të luftës që ekziston mes Shqipërisë dhe Greqisë. Në momentin që është vendosur ky ligj në vitin 1940, shqiptarët e Çamërisë nuk kanë qenë të afektuar prej tij sepse ishin shtetas grek, por në momentin kur në mënyrë masive dhe në bllok në fund të Luftës Civile greke, Greqia i hoqi kësaj popullsie si babait tim 2 vjeç ashtu dhe gjithë të tjerëve nënshtetësinë greke, për disa ata qenë me statusin e refugjatit të luftës, administroheshin nga UNDRA pjesë e OKB-së. Vetëm në vitin 1956, jashtë vullnetit të tyre prapë shteti komunist i kohës i dha nënshtetësinë shqiptare, në momentin që morën nënshtetësinë shqiptare ata u bënë pjesë e Ligjit të Luftës i cili është në fuqi e sot e kësaj dite. Pra heqja e Ligjit të Luftës që është pjesë edhe e Rezolutës sonë do të zhbllokonte të gjitha pronat tona të cilat siç ju thashë janë në përdorim dhe jo në pronësi të kolonëve të ardhur apo të atyre që janë vendosur në territorin e Çamërisë.
Ministri i jashtëm i Shqipërisë Panariti kreu një vizitë së fundmi në Athinë dhe ai shtroi atje Çështjen e Çamërisë. Si do ta shprehni shkurtimisht reagimin e qeverisë greke ndaj kësaj çështjeje?
Besoj se është një qendrim jorealist pavarësisht se ka bërë hapa para duke thënë se nga njëra anë Çështja Çame nuk ekziston dhe nga ana tjetër thonë mund të zgjidhen në mënyrë individuale pronësore. Këtu ka një lloj dikotomie do të thoja në sensin që Çështja Çame ose nuk ekziston dhe nuk kanë çfarë zgjidhje të japin në gjykata ose ekziston dhe ne jemi njerëz civil dhe dëshirojmë që kjo gjë të bëhet ndërmjet dialogut mes dy vendeve tona. Ne shqiptarët e Çamërisë jemi të bindur dhe besojmë shumë në institucionet e demokracisë. Ne besojmë shumë se jo vetëm një popullsie të tërë, dhe sot ne përbëjmë 10 % të shqiptarëve, por qoftë edhe një individi t’i shkelen të drejtat themelore ka sot institucione ku të drejtohen dhe nga pikëpamja e gjykatave ndërkombëtare dhe institucione që garantojnë liritë dhe të drejta e njeriut të cilat janë në etalon dhe në themel të një shtetit demokratik. E quajta jo realist sepse unë jam i bindur se marrëdhëniet Shqipëri- Greqi, për hir të së vërtetës tentoj të jenë të mira, por nuk janë aq të mira, nuk mund të zgjidhen duke harruar tragjedi të tilla të mëdha sepse jo vetëm që ne jemi prezent dhe nuk harrojmë por ne jemi të bindur që harresa nuk është zgjidhje, mosdënimi i krimit. Ne jemi gati të falim por jo të harrojmë, mosdënimi i një krimi, i një gjenocidi karshi një popullsie, qendron si vatër e hapur vazhdimisht dhe ja ku jemi pas 70 vjetësh dhe kërkojmë domosdoshmërinë që ne ta shohim këtë çështje me reciprocitet me dinjitet të njohim njëri- tjetrin me të mirat dhe të këqijat e historisë sonë ta kurojmë atë, dhe besoj se atëherë ne do të kemi marrëdhënie shumë të mira mes dy vendeve tona. Jam i bindur që ka një përpjekje pozitive në Greqi edhe nga disa historianë grekë. Fatkeqësisht dhe nga mënyra se si është ndërtuar Greqia është vendi i fobive të mëdha, është vend që është shumë mirë djep i civilizimit të qytetërimit botëror nga pikëpamja historike por besoj se Sokrati, Demosteni, Demokriti e të tjerë nuk do të ndjeheshin mirë sot jo me pasardhësit e tyre se nuk kanë lidhje këta, nuk janë as pasardhës të grekëve të lashtë jo vetëm nga pikëpamja gjuhësore se gjuha greke sot nuk ka asnjë lidhje me greqishten e vjetër Ballkani ka qenë gjithmonë i përzier, por mbi të gjitha mbi përqasjen humane civile të trajtimit jo thjesht dhe vetëm të shqiptarëve të Çamërisë. Greqia është i vetmi vend që ka përzënë të gjitha minoritetet atë hebre, sllavo maqedonas, është i vetmi vend që nuk pranoi minoritetet dhe besoj që kjo në radhë të parë nuk i ben nder vetë Greqisë. Gjithsesi jam i bindur se drejtësia është në krahun tonë dhe do ta ndihmoj dora-dorës Greqinë që të kuptoj që falja publike është njerëzore.
A po bën sa duhet qeveria shqiptare në marrëdhëniet me Athinën mbi Çështjen e Çamërisë? Ju jeni pjesë e qeverisë, a jeni të kënaqur me performancën e saj?
Ne jemi parcialisht në pjesë e qeverisë por nuk jemi në qeveri. Më duhet ta shpjegoj këtë me faktin që nuk kemi një marrëveshje të shkruar me PD-në, kemi vënë para saj disa kërkesa siç është Rezoluta, ngritja e Çështjes Çame, ndërtimi i Varrezave të Kllogjerit, ngritja e një kompleksi muzeal për Hasan Tahsnin dhe Bilal Xhaferrin, figura qendrore të shqiptarëve të Çamërisë, riaktivizimin e Traktatit të Miqësisë pjesë edhe e Rezolutës. Por në dy vjetët e fundit kemi marrë disa të ashtuquajtura poste sepse me duhet të them që për shqiptarët e Çamërisë diskriminimi ka vazhduar jo vetëm gjatë epokës së komunizmit por edhe gjatë kohës së këtyre 20 viteve demokraci si njerëzit më të papërfaqësuar. Dhe nëse flasim për qeverinë shqiptare, sigurisht jo vetëm kjo qeveri po asnjë qeveri nuk ka bërë sa duhet për Çështjen Çame. Kjo ka qenë arsye sepse shoqata “Çamëria”, vendosi në vitin 2004 të kthehej në një parti politike, politika shqiptare, partitë e mëdha do të thoja e kishin përdorur këtë komunitet si serbatorë votash por nuk kishin bërë pothuaj asgjë për Çështjen Çame përveç disa deklarimeve. Momenti i krijimit të partisë PDI ka qenë në vitin 2004 kur në mënyrë të paimagjinueshme sot, Parlamenti i shqipëtarëve, i Shqipërisë, rrëzoi apo nuk plotësoi kuorumin e nevojshëm për Çështjen Çame, se tani është përpjekja e dytë që bëhet për Rezolutën e shqiptarëve të Çamërisë. Ky moment ishte një lloj ndërgjegjësimi i komunitetit tonë për të kaluar nga një shoqatë në një parti politike për t’i dalë vet zot.
Ku qëndron tani puna me Rezolutën? A ka gjasa të miratohet?
Unë jam i bindur në mënyrë absolute që ajo do të votohet, para disa ditësh unë kam mbrojtur Rezolutën në Komisionin e Jashtëm. Besoj në ditët në vazhdim do të filloj diskutimi për të gjithë dokumentacionin e Rezolutës për ta kaluar, për ta bërë gati për në seancë plenare.
Pra, ju thoni se ka gjasa të miratohet përpara zgjedhjeve, apo pas tyre?
Padyshim përpara zgjedhjeve. Do ta quaja totalisht të paarsyetuar qendrimin e dy partive kryesore politike nëqoftë se do ta shtynin për në kalendat greke, dhe të mos kalohej në këtë legjislaturë siç është rënë dakord. Unë personalisht e kam lidhur fatin tim politik me këtë Rezolutë e cila ka qenë qellimi im kryesor bashkë me Varrezat e Kllogjerit duke thënë se në qoftë se Rezoluta nuk miratohet, do të japë dorëheqjen si kryetar partie na radhë të parë si pamjaftueshmëri dhe në radhë të dytë si një protestë e drejtpërdrejtë karshi dy partive të mëdha, të cilat e kanë në program Çështjen Çame, janë dakord me Çështjen Çame. Me të gjithë deputetët unë kam biseduar personalisht dhe sigurisht që e kanë një test të paarsyetuar por të madh për të kuptuar se sa kësaj radhë do të jenë nën influencën direkte dhe ndërhyrjeve direkte të shtetit grek dhe nuk po flas vetëm për këtë radhë. Mjafton t’ju kujtoj faktin se para disa kohësh ministri jonë i Jashtëm ka deklaruar në një media publikisht që ambasadori grek në Shqipëri i ka kërkuar në mënyrë direkte dhe zyrtare që te mos miratohej Rezulota çame. Llogarit sa normale ka qenë në këtë vend që shteti grek të ndërhyjë, t’i kërkoj palës shqiptare përveç ujrave varrezave, historira pa fund por edhe të mësoj të instruktoj apo t’i kërkoj politikës shqiptare që të mos miratoj një Rezolutë për Çështjen Çame. Pra nëse kjo ndodh, që shteti grek të jetë më i fortë për të interferuar në politikën shqiptare atëherë për mua personalisht do të jetë një gjë e pamenduar dhe nëse do ta dija përpara nuk do të adresoja në Parlament Rezolutën sepse ky nuk do të ishtë më Parlamenti i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Megjithëse bindja ime ka qenë që po i adresohem Parlamentit të Shqipërisë dhe për këtë arsye e kemi paraqitur Rezolutën.
Sa fleksibël do të jeni ju gjatë zgjedhjeve në lidhje me partnerët e koalicionit, si për fushatën elektorale ashtu edhe për periudhën kur pritet të formohet qeveria? A e keni ndarë mendjen se me cilat parti të mëdha do të jeni në koalicion?
Gjëja e parë që ne po vlerësojmë është qendrimi i partive politike karshi Rezolutës për shqiptarët e Çamërisë, padyshim është një kondicion i madh, çdo forcë politike kam parasysh dy të mëdhatë që nuk do ta mbështes këtë Rezolutë, absolutisht nuk do të afrohet që të kërkoj mbështetje apo bashkëpunim me ne. Por duke qenë i bindur se të dy krahët do të votojnë këtë projekt Rezolutë ne jemi duke eksploruar në të gjithë spektrin politik shqiptar duke analizuar të gjithë ata faktorë që do të maksimalizonin votën tonë dhe do ta përkthenin në mandate politike. Kodi jonë elektoral është një kod në start i deformuar, në valencën e votës së çdo shqiptari. Pra vota e shqiptarëve nuk ka të njëjtën vlerë në Kukës, Tiranë dhe në rrethe të tjera. Ky është një sistem i bërë me dakordësinë e dy partive të mëdha, që administrohet nga dy partitë e mëdha, në radhë të parë për të deformuar votën e shqiptarëve dhe në radhë të dytë për të zhdukur të ashtuquajturat parti të vogla. E thënë kështu kam parasysh që partitë e njohin tashmë terrenin se ku po veprojnë dhe do të gjejnë të gjithë rrugët e mundshme që atë që ua mohoi ligji elektoral me ndërhyrjen e dy partive të mëdha, ta gjejnë nëpërmjet korridoreve, hapësirave, aleancave të mundshme për të nxjerrë peshën reale specifike të përkthyer në mandate. Dhe PDIU është duke eksploruar në këtë ambient.
Do ju pyes tani përsa u përket partnerëve të mundshëm, sidomos për Çështjen Çame, ju keni shumë ngjashmëri me Aleancën Kuq e Zi, duke qenë se të dy këmbëngulni shumë për këtë çështje. A kanë ngjashmëri këto dy parti? Si mendoni ju? Mes partisë suaj dhe Aleancës Kuq e Zi? Jo vetëm për këtë çështje, por edhe për të tjera?
Në fakt më kujtohet kur krijova partine politike në 2009 e kisha shumë të qartë që jo vetëm do të mbështetesha mbi historinë tragjedinë, atë ndërgjegje të vrarë të një komuniteti të tërë, pra një nevojë absolute për një ndienjë patriotizmi identiteti të fortë dhe përkatësie por mbi të gjitha nevoja që kishte politika shqiptare për të patur një fill patriotik dhe e kam quajtur që në fillim edhe programin tonë patriotizmi pragmatist shqiptar. Rëndom më bëheshin pyetje në shtator të vitit 2009 se është e dalë mode, jashtë mode një parti patriotike nacionaliste pasi nuk ishte trendi i kohës, apo çfarë do të bëni ju se në Shqipëri ka 86 parti politike. Realisht kam menduar dhe mendoj ndryshe dhe në një farë mënyre më vjen që pas tre vjetësh kjo është bërë trendi i kohës. Pastaj diferencat janë të dukshme midis nesh, rrugët përqasja janë të ndryshme. Ku e gjeta këtë dedektim. Shqipëria nuk është më ajo e 20 e ca vjetëve më përpara. Ne sot jemi anëtar i NATO-s, janë liberalizuar vizat, kemi fatmirësisht një Kosovë të pavarur dhe sot kemi dy shtete shqiptare në Ballkan, pra i janë afruar peshës specifike shqiptarët, por ne kemi bërë edhe një rrugëtim shumë të madh në ndërgjegjësimin tonë. Në vitin 1991 për shkak të zhveshjes së madhe morale politike dhe ekonomike por edhe të ndalimit të besimit tek zoti që i kishte bërë sistemi komunist i kohës, shqiptarët iknin masivisht nga Shqipëria, duke urryer gjithçka shqiptare, ndërronin emrat, iknin për të mos u kthyer më. Pas 20 vjetësh shohim që ata kanë krijuar mirëqenien e tyre, fëmijët e tyre kanë bërë një rrugëtim ku po konkurojnë me vlerat e tyre, kam parasysh këtu pjesën e madhe të emigracionit shqiptar dhe ne kemi 33% në emigracion prandaj një nga pikat themelore të programit tonë është bërja e Ministrisë së Diasporës, por dhe shqiptarët që kemi këtu sot nuk janë më ata që kanë qenë më përpara. Kemi bërë një rrugëtim dhe kemi përfituar nga liria dhe demokracia, pavarësisht se mund të kemi diskutime pafund për politikën shqiptare, por siç thashë Shqipëria është një vend më i fortë dhe mbi të gjitha është një vend që ka kuptuar se rrugëtimi jonë drejt Evropës shkon nëpërmjet vlerave. Pra nuk e kanë parë BE-në, si një vend ku popujt, shtetet shkrihen humbin identitetin e tyre, përkundrazi shtetet hyjnë në BE apo NATO me vlerat e tyre, pra është një kolanë vlerash kombesh që futen aty brenda, nuk janë shtete që humbin identitetin. Shqipëria dhe shqiptarët e ndiejnë shumë fort identitetin dhe përkatësinë e tyre dhe kanë nevojë që t’i bashkohen kësaj kolane vlerash të popujve, me kë, me qytetërimin e tyre. Jemi prej mijëra vjetësh pjesë reale e Evropës me historinë tonë, me kulturën tonë, ne kemi dhënë shumë dhe sigurisht mbajtja e këtyre vlerave, është një ndër pikat e programit tonë. Ne kemi qenë kritik karshi ruajtjes së vlerave tona kulturore. Ne jemi popull me kulturë shumë të lashtë por padyshim ndjehem i keqardhur kur pjesë të mureve tre mijë vjeçare nuk ndodhën sot si në çdo vend të qytetëruar si diamante për muzeume por shqiptarët bëjnë akoma shtëpia me këto vlera. E thënë kështu edhe nëse do t’i kthehemi politologjisë që shtetet e dështuara janë shtetet pa identitet të fortë kombëtar dhe kam menduar dhe mendoj që identiteti kombëtar dhe besimi tek zoti janë dy gjërat kryesore që e formojnë njeriun. Pra identiteti kombëtar, respekti që ne duhet të kemi për Shqipërinë, për shqiptarët për shtetin shqiptar, për kombin shqiptar është në radhë të parë një respekt vlerash për veten tonë. Sot të rinjtë e ndiejnë këtë gjë e kanë të nevojshme këtë gjë sepse në një botë globale demokratike ata konkurojnë me vlerat e tyre, dhe ajo që kanë nevojë është ky identitet.
Po ju bëj një pyetje mjaft direkte. Në programin tuaj nacionalist, patriotik, e mbështesni bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës dhe ndoshta edhe të disa territoreve të tjera të banuara nga shqiptarët?
Në Kushtetutën e Shqipërisë falë një burri të mençur të urtë që quhet Sabri Godo, një ish-politikan i cili nuk jeton më por që ka lënë gjurmë, në preambulën e saj është e shkruar e zeza mbi të bardhë për të luftuar dhe për të punuar për aspiratën e kombit shqiptar për identitet dhe Bashkim Kombëtar. Sigurisht që ky nuk ka qenë për ne kali i betejes zgjedhore. Pra e shoh rritjen në mënyrë të paarsyetuar të diskutimit për kufij, apo për bashkime totalisht të parakohshme panevojshme, totalisht jo realiste. Asnjë parti politike nuk ka pretendime territoriale ndaj shteteve të tjera dhe rrugëtimi jonë është në BE. Por padyshim unë mendoj që shqiptarët duhet të punojnë dhe liderat shqiptarë jo si lidera territoresh por si lidera vizionarë për të ndier bashkë shqiptarët si komb, si kulturë, si histori për ta zgjeruar hapësirën shqiptare edhe në ekonomi. Pra të mos punojmë për një treg tre milionë shqiptarësh në Shqipëri, 2 milionë shqiptarësh në Kosovë, dhe më gjërë por të kemi një treg sa më të gjerë prej 7 milionë shqiptarësh. Të ecim në këtë rrugëtim, drejt këtij bashkimi që tenton t’i zhduk kufijtë shpirtëror, kulturor, ekonomik dhe rezultatet tona si shqiptarë kanë qenë gjithmonë kur kemi patur në krah aleatët historik siç janë SHBA-të. Falë tyre dhe presidentit Ëillson Shqipëria ekzistoi aq sa ishte. Falë mbështetjes së një kombi të madh si SHBA-të, bazuar në liritë dhe të drejtat e njeriut kemi një Kosovë të pavarur. Besoj se ne shqiptarët e kemi edhe të theksuar mirënjohjen por dhe koshiencën që rrugëtimi jonë drejtë të drejtave tona do të jetë bashkë me aleatët tanë, pra nuk mund të realizohet jashtë aleatëve tanë fatmirësisht të fuqishëm.
Meqë edhe kohën e kemi të kufizuar, a jeni dakord që shqiptarët kanë nevojë për një sens më të fortë identiteti të përbashkët, por në të njëjtën kohë, në vendet fqinje, duhet të jenë edhe qytetarë model? Me fjalë të tjera, njëfarë patriotizmi ndaj vendeve fqinje? Qoftë në Maqedoni, në Mal të Zi, Serbi apo Greqi?
Unë jam plotësisht i bindur, është edhe në literaturë që shtetet e dështuara pra jo funksionale janë shtete që nuk kanë identitet të fortë kombëtar sepse ka të bëjë në radhë të parë me përkatësinë e asaj qe quhet e përbashkët. Nuk duhet të shohim vetëm shtëpinë tonë, por dhe marrëdhënie të përbashkëta, territore të përbashkëta të cilat do t’i shohim si të shqiptarëve, do t’i respektojmë ato. Pra shqiptarët duhet të ruajnë indetetin kombëtar, ta ruajnë dhe ta kultivojnë atë kudo që janë në Greqi, në Maqedoni, Serbi, Mal të Zi, Preshevë, Bujanoc apo Kosovë, është një e drejtë që buron nga të drejtat themelore të njeriut, ku çdo njeri është i lirë në demokraci, të kultivojë gjuhën e vet, të ruajë identitetin e vet, flamurin e vet, dhe të kenë shkëmbime kulturore historike. Unë kam një përqasje tjetër dhe kur flas për komunuelthin ekonomik. Ne shqiptarët kërkojmë që të integrohemi në BE, dhe sigurisht është çështje standardesh apo është çështje kapacitetesh për të patur marrëveshje për të shkëmbyer me shtetet fqinjë. Hajde ta bëjmë këtë ushtrim, midis shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës, të rrisim kapacitetet tona dhe pastaj ta provojmë edhe me shtete më të avancuara sesa ne siç është BE. Do të thoja që është një ushtrim që na bën mirë të gjithëve dhe duhet parë kështu, ndaj dhe në programin tonë ne kemi komunuelthin ekonomik të shqiptarëve dhe nevojën që në mënyrë të programuar shteti shqiptar me atë të Kosovës duhet të ulen dhe të bëjnë programe të përbashkëta bashkëpunimi ekonomik, kulturor, sepse kjo në radhë të parë do t’i shërbej edhe rritjes ekonomike të vendeve të rajonit. Kosova pa daljen në Shqipëri do të ngelet si Maqedoni një vend i pazhvilluar sepse ne e dimë shumë që një shtet të ekzistoj ka nevojë për një pozicion të favorshëm gjeografik të mjafueshëm, për një numër popullsie të mjaftueshëm, dhe për resurse të mjaftueshme.
Po flisni për një federatë ekonomike apo një federatë politike, administrative?
Jam duke folur për një bashkim ekonomik, për një integrim të ekonomive të territoreve shqiptare le të themi, që do të bëjë një treg shumë më të madh një treg prej 7 milionë shqiptarësh. Nuk mund të flasim neve sot për të bërë referendum për bashkimin Shqipëri-Kosovë, e shoh totalisht të panevojshme, irracionale, jo të zbatueshme, se kanë bërë shqiptarët në Kosovë në vitin 1991 referndume të tilla, kur ne nuk po zgjidhim akoma krizën e patates, pra zgjidhjen në marrëdhëniet doganore mes dy shteteve tona, kush do e prodhoj, apo si do kaloj në barrierat doganore, pra ne kemi shumë gjëra të hapura të shtruara përpara. Duhet në radhë të parë që ekonomia e Shqipërisë dhe e Kosovës të kuptoj kush do të jetë profili i saj, kush janë avantazhët konkuruese të ekonomisë shqiptare, kush janë avantazhet konkuruese të ekonomisë së Kosovës dhe që ekonomitë tona të jenë kompetitive. Më lejoni t’ju them vetëm një fakt ne jemi në fushatë elektorale dhe sigurisht që inflacioni i premtimeve ekziston, por këtu ka lidëra politikë që tentojnë të vijnë në pushtet apo që do të jenë në katër vitet e ardhshme do të punësojnë nga 500 mijë, 600 mijë, 700 mijë deri në 1 milionë vetë në një popullsi prej 3 milionë e gjysëm banorësh kaq na nxorri Censusi. Çfarë duhet të themi ne kur para 6 muajsh në Francë, një shtet 75 milionësh në debatin mes Hollande dhe Sarkozy flitej për 100 mijë të punësuar në programet e tyre elektorale. Këta dy burra të mëdhënj debatonin në Francë 75 milionëshe që do fusnin 100 mijë veta në punë, në këtu me 3 milionë banorë bëjmë fjalë që po erdhi njëra apo tjetra do të punësojmë 700 mijë, 1 milionë veta. Për mua ka vetëm një rrugë reale të punësimit, bërja e tregjeve të mëdhaja, kompanitë shqiptare nuk duhet të prodhojnë vetëm për Shqipërinë por edhe për Kosovën edhe për Maqedoninë, tregje të dyfishuara, të trefishuara, ekonomi konkuruese. Dhe që ekonomia të jetë konkuruese ka nevojë për researche. Kush janë avantazhet e Shqipërisë, çfarë do të jetë Shqipëria? Do të jetë vend i turizmit? Sot ne themi do bëjmë turizëm, 20 metra, 10 km më tutje jepen leje për fabrike çimentoje. Mund të jetë edhe kështu por e gjitha duhet të vijë e studiuar. Ndaj thashë që ka nevojë për një diskutim të madh publik real, kush është profili ekonimik i Shqipërisë, kush janë avantazhet konkuruese. Të biem dakord për një moment që do të jetë turizmi atëherë shumë mirë investimet shtetërore të drejtohen drejt turizmit, sistemi fiskal të krijoj taks holliday për sistemin e turizmit dhe kështu jemi duke ndërtuar një gjë që me koshiencë të plotë, që këto janë avantazhet konkuruese, janë këto përqasjet tona. Gjuha shqipe është element unifikues dhe ne e kemi shumë të rëndësishme, ruajtja e një ndër vlerave më të mëdha që ka kombi shqiptar një ambienti shoqëror, vëllazëror me komunitetet fetare midis nesh, janë vlera që ne duhet t’i ruajmë t’i kurojmë t’i nxjerrim në pah dhe e gjithë kjo kolanë ka të bëjë me atë që ne e kemi quajtur patriotizmi pragmatist shqiptar.
Pyetja e fundit. Do i rikthehem edhe një herë Çështjes Çame, të cilët e prekëm pak më parë. Në arenën ndërkombëtare, ju e keni ngritur këtë çështje në organizatat ndërkombëtare, në OJQ-të ndërkombëtare. Cili ka qenë reagimi i tyre deri më tani?
Ajo që unë kam kuptuar është se shtete me fuqi propaganduese shumë të madhe siç kanë qenë fqinjët tanë, kam parasysh Greqinë edhe Serbinë kanë arritur që të përmbysin të vërteta të mëdha. Imagjinoni çfarë na ndodh ne shqiptarëve të Çamërisë, ku për rreth 70 vjet nuk është folur me propagandën e një shteti shumë të zhvilluar dhe që e ka patur shumë merak Çështjen Çame. Për ta kuptuar këtë gjë po ju marr shembullin e shtetit serb sot. Imagjinoni që para disa vitesh për shkak të krimeve të kryera në Kosovë, shteti serb ishte në një pozicion shumë të disfavorshëm ndërkombëtar, dhe pas disa vitesh me raportin e Dick Martit, me dorën e Serbisë dhe të Rusisë akuzohet Shqipëria dhe Kosova për trafik organesh apo për krime lufte. Pse ndodh kjo? Kombe me tragjedi të mëdha por shumë vitale si Shqipëria, herë- herë i zë amnesia, harresa. Jo më kot hebrenjtë kanë muzeun e holokaustit, jo vetëm për të respektuar atë çfarë ka ndodhur me këtë popullsi në mënyrë tragjike por që kjo të mos ndodh më në botën e qytetruar. Ndaj duam dhe ne dënimin e gjenocidit për shqiptarët e Çamërisë dhë vënien kapak me një falje, me faljen ju thashë juve, por nuk harrojmë. Shteti grek me aftësi dhe kapacitete shumë të mëdha propagandistike në raport me një komunitet të marxhinalizuar edhe në kohën e regjimit të Enver Hoxhës, ka bërë punën e vet duke thënë bashkëpuntorët gjermanë, se mund të ishte një popullsi që ka bashkëpunuar dhe nuk japin një fakt të vetëm, një fakt të vetëm, ndërkohë që dihet që në zonën e Çamërisë Batalioni Çamëria, çetat partizane ishin pjesë e partizanëve grekë. Për t’i vënë kapak po ju jap një argument, krimineli i cili masakroi në fund të Luftës së II Botërore pra në një moment lufte shqiptarët e Çamërisë, Napoleon Zerva në vitin 1956, pasi fituan forcat nacionaliste në Greqi ishte pjesë e qeverisë greke, dhe kanë qenë SHBA-të, Departamenti i Shtetit i cili ka bërë një protestë direkte ndaj shtetit grek duke thënë se ky njeri i cili është i akuzuar sepse masakrat e shqiptarëve të Çamërisë janë bërë në sy të misionit britanik dhe të aleatëve, se ka masakruar një popullsi të pafajshme dhe nuk mund të jetë ministër dhe ai njeri ka dhënë dorëheqjen nga ky fakt. Nga krahu tjetër sot në Igumenicë, është një permendore e madhe e Napoleon Zervës e cila është përmendorja e turpit, por ne shqiptarët e Çamërisë vazhdojmë të besojmë tek vlerat e demokracisë, tek të drejtat e njeriut, tek institucionet demokratike dhe po punojmë nën këtë flamur ta tregojmë kush është Çështja Çame, faktet për të. Po ju them vetëm një reagim të dikujt i cili më tha në kancelaritë evropiane por edhe më gjerë që është e jashtëzakonshme se si kjo histori nuk nijhet, ne nuk e dimë. Në këtë kuptim kemi akoma shumë punë për të bërë.

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Bugajski, rezoluta came, Shpetim Idrizi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 204
  • 205
  • 206
  • 207
  • 208
  • …
  • 213
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANNA KOHEN: Nuk harrroj vlerat humanitare dhe bujarinë e shqiptarëve
  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar
  • FREEDOM IN JANUARY 2026
  • “ALBLIBRIS”, NJË PREMTIM KADARESË QË E KREVA NË NËNTËDHJETËVJETORIN E TIJ
  • Përmendorja e Skënderbeut në Ulqin
  • Join us at Albanian Heritage Day at Yankee Stadium!
  • ABAS KUPI, AKTIVITETI POLITIK NË EMIGRACION DHE NË SHBA
  • Marksizmi, nostalgjia e sfumuar filozofike dhe praktike
  • U mbajt konferenca shkencore “Tish Daija në 100 vjetorin e lindjes”
  • NDËRROI JETË PJETËR LEKA IVEZAJ
  • LIRIA KA EMËR: UÇK
  • VENDI IM

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT