• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kombi shqiptar përjetë mirënjohës kongresistit Engel

July 20, 2020 by dgreca

Nga Harry Bajraktari-*

Pas 30 vjetësh si anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel nuk do të rikthehet vitin e ardhshëm në Kongresin Amerikan.

Ky është një lajm i keq për komunitetin tonë, për kombin shqiptar, por edhe për zonën e tij zgjedhore, për shtetin e New York-ut, për Kongresin Amerikan dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për tri dekada tashmë, Engel ka qenë një mbështetës i të drejtave të njeriut, një amerikan i madh dhe një ligjvënës i shquar. Si Kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Kongresin Amerikan, ai është shquar si një mik i madh i popujve liridashës dhe demokracisë në botë.

Gjatë 30 viteve që ka shërbyer në Kongresin Amerikan, Engel është karakterizuar së pari nga dashuria e tij e madhe për Amerikën. Ka besuar gjithmonë se roli udhëheqës amerikan do ta bënte botën më të mirë dhe vetë popullin amerikan më të sigurtë. Gjatë gjithë karrierës ka treguar mbështetje për Izraelin, Kosovën, popullin shqiptar dhe të gjithë popujt në botë që u është mohuar një shtëpi dhe e drejta e vetëvendosjes.

Humbja e tij në zgjedhjet e fundit është sidomos e rëndë për shqiptaro-amerikan që e kanë dashur dhe janë mësuar që ta kontaktojnë sa herë që kombi ynë është përballur me kohë të vështira. Mirëpo, ky nuk duhet të jetë një moment vajtimi, por krenarie. Në demokraci, të gjitha karrierat politike janë të destinuara të mbarojnë një ditë. Sot, është dita që të vlerësojmë udhëtimin e jashtëzakonshëm në politikë dhe ndihmën historike që Engel dha për Kosovën dhe popullin shqiptar.

Gati 30 vjet më parë, kur Engel sapo kishte nisur punën si një kongresist i ri, trokita në zyrën e tij në Bronx, për t’i folur për vuajtjet e popullit të Kosovës. Ai nuk më njihte, por me priti me bujari dhe më dëgjoi me vëmendje. Ishte fillimi i një bashkëpunimi 30-vjeçar. Por edhe i një miqësie të madhe midis nesh. Më e rëndësishmja, ai nuk u bë thjesht mik me mua, po u bë mik me komunitetin shqiptar në SHBA. U bë një mbështetës i madh dhe i vendosur i lirisë dhe demokracisë në trojet shqiptare në Ballkan.

Në atë kohë, pak njerëz e dinin se ku ishte Kosova në Washington dhe politika zyrtare amerikane ishte ende kundër pavarësisë. Kongresisti Engel që nga fillimi deri në fund pati një besim të palëkundur te vetëvendosja e Kosovës si e vetmja zgjidhje. Në ato vite të para, shqiptarët e Kosovës ishin si shprehej ai vetë: “populli më i shtypur në Europë”. Shumë shpejt u dha me passion pas kësaj kauze që u bë diçka personale për të. Ai e vizitoi Kosovën disa herë, duke filluar nga viti 1993, kur ende vuante nën thundrën e regjimit fashist të Slobodan Millosheviqit. Në 1996, kongresisti Engel ngriti flamurin amerikan në mes të Prishtinës duke dhënë sinjalin se SHBA nuk e kishte harruar Kosovën duke u dhënë njerëzve shpresë dhe kurajo.

Në vitin 1998, pas vrasjes së Adem Jasharit u nis për në Kosovë, mirëpo, rojet ushtarake serbe nuk e lanë që të hynte në kufi. Atëhere kongresisti Engel mbajti një konferencë shtypi me gazetarët ndërkombëtarë që kishte marrë me vete dhe tha: “Millosheviqi nuk po na lë që të hyjmë sot në Kosovë, po shumë shpejt do të vijë dita kur do ta nxjerrim Millosheviqin jashtë nga Kosova dhe pastaj do të jemi ne që nuk do ta lëmë që të hyjë”.

Këto ishin fjalë profetike, sepse një vit më vonë vërtet Kosova ishte e çliruar, SHBA kishte udhëhequr NATO-n në luftë dhe vetë Engel kishte këshilluar ngushtë presidentin Clinton gjatë zhvillimeve që sollën çlirimin.

Unë pata nderin që bashkë me kongresistin Engel dhe një grup shqiptaro-amerikanësh e miq të komunitetit, të ishim nga delegacionet e para që vizitonin Kosovën pas çlirimit. Kishim me vete edhe Anthony Athanas në një udhëtim shumë emocional dhe të paharrueshëm për të gjithë. Ishim me Engelin në Kosovë, kurse Millosheviqi ishte jashtë dhe nuk guxonte të hynte.

Më vonë, ashtu si me Presidentin Bill Clinton, kongresisti Engel do të lobonte Presidentin Ë Bush për të njohur dhe mbështetur pavarësinë e Kosovës. Engel ishte nga zyrtarët e parë të huaj që vizituan Kosovën pas pavarësisë, si republika më e re në Europë.

Kam rreshtuar këtu një numër shumë të vogël të veprimtarive të shumta të kongresistit Engel gjatë viteve të tij në Kongres, por puna e tij ka qenë shumë më komplekse dhe voluminoze dhe do të kërkojë libra për t’u përshkruar.

Kongresisti Engel është themeluesi dhe drejtuesi i përhershëm i Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan, mjeti më i fuqishëm politik që kemi pasur që nga Noli dhe Konica.

Që në vitet e para si kongresist ai u bë një mbështetës i hapur i pavarësisë së Kosovës, shpesh duke qenë zëri i vetëm që e shqiptonte atë si e vetmja zgjidhje e pranueshme e konfliktit. Ishte ndër të parët që priti Ibrahim Rugovën në Washington DC, në 1991 dhe lidhi me të një miqësi që vazhdoi deri në fund të jetës së Presidentit të Kosovës. Me kolegët e tij, ai luajti një rol të drejtpërdrejtë në sigurimin e fondit të parë federal kushtuar posaçërisht Kosovës. Shuma prej 5 milionë dollarësh kishte në fakt një vlerë të paçmueshme. Ajo shpalli zyrtarisht angazhimin amerikan për Kosovën

Në 1994, ai drejtoi dëgjesën e parë kushtuar në mënyrë të posaçme Kosovës, në Komitetin e Dhomës për Çështjet e Jashtëme dhe së bashku me kongresistin Ben Gilman ushtruan presion mbi Administratën Clinton që të mbështeste më fuqimisht Kosovën kundër shtypjes nga Millosheviqi.

Ai udhëtoi në Kosovë, në prill 1993, dhe u kthye përsëri aty në korrik 1996, për të inauguruar hapjen e Zyrës Amerikane të Informacionit, të njohur nga populli si “Zyra Amerikane”. Ai ishte identifikuar me këtë projekt që nga fillimi dhe u deshën vite që të bëhej realitet.

Ai ngriti flamurin amerikan në mes të Prishtinës, në atë korrik 1996, duke ngritur bashkë me të peshë edhe zemrat e shqiptarëve të Kosovës, në një prej periudhave më të rënda për ta. Ishte koha kur shqiptarët ndiheshin të lënë në mëshirën e Millosheviqit pas Marrëveshjes përjashtuese të Dejtonit. E kam dëgjuar kongresistin Engel t’i referohej shpesh herë asaj si “Ambasada e parë e SHBA-së”, në Kosovë.

Me kolegët e tij të kaukusit, ai e detyroi Administratën Clinton që të kushtëzonte murin e jashtëm të sanksioneve ndaj Beogradit me zgjidhjen e situatës në Kosovë. Ai punoi shumë që të pengonte emërtimin zyrtar të UÇK-së si terroriste nga Administrata duke i shkaktuar një goditje të rëndë përpjekjeve të propagandës dhe lobimit serb.

Sugjerimet nga kongresisti Engel ishin kyçe në procesin kur Administrata Clinton shqyrtonte alternativat me të cilat mund të ndalte spastrimin etnik në Kosovë dhe mbështeti fuqimisht ndërhyrjen ushtarake në 1999. Ai udhëhoqi kolegët e tij në debate dhe rezoluta madhore në Kongresin Amerikan lidhur me luftën.

Pas çlirimit të Kosovës, u bashkua me ne në vizitën e parë të organizuar si grup në Kosovën e lirë për të shkatërruar keq nga lufta. U përqafuam me lot në sy, kur kaluam për herë të parë kufirin dhe shkelëm në tokën e lirë, vetëm pak javë pasi trupat serbo-jugosllave ishin larguar të mposhtur nga NATO.

Që atëhere, kongresisti Engel ka shkuar pothuajse çdo vit në Ballkan dhe ka vijuar punën e tij në dekadën që vijoi për të bindur Administratën Bush që të njihte pavarësinë e Kosovës. Dhe që prej pavarësisë ka lobuar nga një vend në tjetrin që të njohin republikën e re dhe organizatat e mëdha që ta pranojnë Kosovën si anëtare, përfshi këtu edhe Bankën Botërore, FMN-në, FIFA-n etj. Ai është ende duke lobuar për ne pranë Interpolit dhe UNESCO-s.

Pas pavarësimit të Kosovës, ai punoi ngushtë me një tjegtër agjensi qeveritare amerikane, Programin për Sfidën e Milleniumit, për t’i siguruar vendit të drejtën për të konkurruar për një paketë shume të madhe ndihmëse. Në vitet e fundit, Kosovës i janë akorduar 50 milionë dollarë për të përmirësuar furnizimin me energji dhe transparencën qeveritare. Dhe nëse gjithshka shkon mirë, shifra mund të shtohet me disa dhjetëra milionë të tjerë.

Muajin e kaluar, në 4 Korrik, kongresisti Engel udhëtoi përsëri në Ballkan. Ai iu bashkua Ambasadorit të SHBA-së në prerjen e shiritit për inaugurimin e ambasadës së re amerikane në Kosovë, për të cilën qeveria e SHBA-së investoi 280 milionë dollarë. Nuk ka dëshmi më të fuqishme të përkushtimit amerikan për Kosovës dhe synimit për prani afatgjatë në rajon sesa kjo seli moderne. Në fakt, ambasada është shenjuar si “ndërtesë e gjelbër”, një shembull frymëzues për të ndihmuar Prishtinën që të ecë në një drejtim më të ndjeshëm ndaj mjedisit.

Nga inaugurimi i korrikut 1996 në inaugurimin e korrikut 2019, kemi të njëjtin njeri, të njëjtin udhëheqës dhe mik, të njëjtën devotshmëri dhe përkushtim ndaj kauzës sonë. Nuk ka të dytë si kongresisti Engel.

Puna e tij nuk kufizohet te Kosova. Si themelues i Kaukusit të Çështjeve Shqiptare, ai u përqendrua menjëherë me problemet e demokracisë në lindje të Shqipërisë. Ndihmoi në jetësimin e Fondit Shqiptaro Amerikan të Ndërmarrjeve dhe ka punuar ngushtë me çdo qeveri shqiptare në 27 vitet e fundit.

Ai loboi shumë që Shqipëria të bëhej anëtare e NATO-s dhe u ftua personalisht nga Presidenti Ë Bush në ceremoninë e nënshkrimit në Washington DC.

Ai ka udhëtuar shpesh në Shqipëri, si vëzhgues zgjedhjesh, si pjesë misionesh faktmbledhëse, si dhe për t’u takuar me të gjithë udhëheqësit politikë të vendit përgjatë viteve.

Kongresisti Engel loboi që Presidenti Sali Berisha të ftohej në Shtëpinë e Bardhë, në 1995, si dhe për të siguruar ndihma për Shqipërinë gjatë dhe pas krizës së vitit 1997.Në mes të konfliktit të atij viti të rëndë, ndërsa Shqipëria rrezikohej të rrokullisej në luftë civile, ai udhëtoi për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara në negocitat e drejtuara nga ish-kancelari Franz Vranitzky, duke ndihmuar që të arrihej kompromisi politik që shpëtoi Shqipërinë. Më etj u angazhua që të garantoheshin paprekshmëria e kufijve dhe e integritetit territorial të Shqipërisë.

Kongresisti Engel ka punuar në vite me shqiptarë të Malit të Zi dhe ka vizituar vendbanime shqiptare atje, sidomos Ulqinin dhe Tuzin. Ai ka punuar me udhëheqësit e shqiptarëve të këtij vendi. Ai ka qenë shumë herë edhe në Maqedoninë e Veriut, ku ka zhvilluar marrëdhënie të rëndësishme bashkëpunimi me një numër udhëheqësish shqiptarë dhe ka ndihmuar që të sigurojë një përfshire më të madhe të shqiptarëve në qeverisje, nëpërmjet jetësimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Në ditën e tij të parë, si kryetari i ri i Komitetit të Dhomës për Punët e Jashtme, ai u takua me një grup shqiptaro-amerikanësh nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, për të diskutuar me ta pikëpamjet dhe aspiratat e tyre politike.

Në korrik, rrugës për në Prishtinë, ndaloi në Luginën e Preshevës, për t’u takuar me udhëheqës lokalë të komunitetit shqiptar në Serbi. Ai kërkoi nga ky komunitet prej kohësh i injoruar dhe harruar që t’ia shpjegonin shqetësimet dhe shpresat që kishin për të ardhmen e tyre politike.

Askush, ndonjëherë më parë, në historinë e gjatë të kombit shqiptar, nuk ka qenë kaq shumë i përfshirë, për një kohë kaq të gjatë dhe këtë nivel suksesi.

Ai është mbi gjithshka një njeri shumë i mirë dhe i përkushtuar ndaj familjes. Ai është miku im më i mirë në botë dhe ndjehem i bekuar që e kam njohur e kam punuar me të për 30 vjet.

Do të doja ta falenderoja sot kongresistin Engel për kontributin dhe përkushtimin e tij të madh për çështjen kombëtare shqiptare. Do t’i jemi përgjithmonë mirënjohës. Vitin që vjen, ai nuk do të jetë më anëtar i Kongresit, por do të vazhdojë të jetë, ashtu si edhe më parë, një Ambasador i madh i Popullit Shqiptar.

Zoti të bekoftë kongresisti Engel! Krenohemi me ju!

*Harry Bajraktari është themelues dhe botues i gazetës Illyria (1991-1998), një drejtues i komunitetit shqiptaro-amerikan, filantrop dhe përfitues i shumë çmimeve, duke përfshirë Nderin e Urdhrit të Kombit nga Presidenti i Shqipërisë, Medaljen Presidenciale të Kosovës për Meritat & Bardhë Thirrja Presidenciale e Shtëpisë për Amimin e Shërbimit.

Filed Under: Featured Tagged With: harry bajraktari, Kombi Shqiptar, Kongresisti Eliot Engel

MESAZH I FORTE I SHQIPTARO-AMERIKANEVE DREJT SHKUPIT

January 7, 2019 by dgreca

– Çfarë kërkuam në takimin Ballpërballë me Kongresistin Eliot Engel për Shqiptarët në Maqedoni?/

1 Engel-Kadriu– Pas një debati dy orësh lidhur me ndryshimet kushtetuese në Maqedoni, Zt. Gjonaj dhe Zt. Engel bashkë me të pranishmit e shumtë shqiptarë në Amerikë dërguan një mesazh të qartë në drejtim të Shkupit : pa inkorporimin e amendamenteve kushtetuese që kanë të bëjnë me çështjen shqiptare: preambulla, gjuha shqipe zyrtare dhe  përfshirja e shqiptarëve në diasporën e shtetit të Maqedonisë:  JO VOTIMIT TË NDRYSHIMEVE KUSHTETUESE!

Nga Iliaz KADRIU/ DIELLI/

Të shtunën pas dite, shumë përfaqësues të organizatave të ndryshme shqiptare , morën pjesë në një takim të rendësishëm me kryetarin e posazgjedhur të Komitetit për Punë të Jashtme në Kongresin Amerikan, kongresistin e njohur për shqiprarët Zt. Eliot Engel.
Në organizimin e Zt. Mark Gjonaj, këshilltar në distriktin e 13 të qytetit të N.Y. në restorantin ” Pasta Pasta ” në praninë e më shumë se 50 aktivistëve nga mbarë Amerika, në mesin e të cilëve merrte pjesë nga Chicago edhe kryetari i LDSHM- së Zt. Xhevat Prespa , ish kryetar i i Komunitetit Shqiptaro-amerikan dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Rugovës Zt. Ilaz Kadriu, pastaj Selim Ibrahimi, Daniel Shure, Ferki Bekteshi, e shumë të tjerë, i cili e prezantoi kongresistin dhe shkurtimisht e njoftoi se mbledhja kishte të bëjë me ndryshimet kushtetuese në Maqedoni dhe më situatën aktuale të shqiptarëve në Mal të Zi.
Pasi që çështja e ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni, ishte tepër urgjente, fjalën e morri Ilaz Kadriu, i cili i përshëndeti të pranishmit dhe në emër te të gjithëve, përzemërsisht Zt. Engel i uroi detyrën e re në kongres.
Fillimisht, Zt. Kadriu bëri një hyrje të shkurtër në krijimin artificial të këtij shteti pas Luftës së II botërore nga ana e Titos dhe se ky shtet në tërë kohën e ekzistimit të Jugosllavisë, ka qënë laborator i ekzaminimeve antishqiptare dhe se vazhdon akoma të sillet dhe të veprojë me hile dhe gjithmonë kundër popullit shqiptar.
Lidhur me momentin e ndryshimeve kushtetuese, në vazhdim, Zt. Kadriu në mënyrë të hollësishme dhe të detajuar, interpretoi dhe shpjegoi tekstualisht disa paragrafe të MP ku në mënyrë perfide diskriminohen shqiptarët dhe të drejtat e tyre e të qënurit shqiptar, duke cekur poashtu se shqiprarët në këtë marrëveshje janë jashtë loje.
Preambulla e marrëveshjes është e papranueshme për shqiptarët, pasi ajo e definon Maqedoninë si shtet njëetnik, pra si shtet i popullit maqedon, edhepse aty që kur është kurdisur toka, janë dhe do të jenë shqiptarët etnikë në trojet e tyre. Kjo gjë aspak nuk merret para sysh , kurse ndërkombëtarët e kanë plot gojën muktienicitet, multikulturalizëm, bashkëjetesë, etj., kurse në anën tjetër janë duke krijuar me hile dhe në bashkëpunim me servilët shqiptarë, një shtet njëetnik, një shtet maqedon, ku edhe shqiprarët do të quhen maqedonë, ku edhe shqiptarët do flasin një gjuhë në përqindje , edhepse janë një e treta e tërë popullsisë ku kemi: serbë, shqiptarë , bullgarë, maqedonë, turq, romë, vllehë, etj. Dhe kështu, shqiptarët do të bëjmë vetëvrasje duke humbur identitetin e tyre shqiptar.
Kur kemi të bëjmë me gjuhën shqipe, Zt. Kadriu i sqaroi kongresistit se shqiptarët kërkojnë që gjuha shqipe me alfabetin e saj të jet zyrtare në tërë teritorin e Maqedonisë dhe se kjo gjë aspak nuk dëmton palët tjera. Lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe Zt Kadriu tha se : në komunat shqiptare në Maqedoni, proceset gjyqësore zhvillohen në gjuhën maqedone edhepse të gjitha palët duke llogaritur edhe gjykatësin edhe prokurorin , janë shqiptarë. Këtu mund të shifet në çfarë derexhe jemi.
Një paragraf tjetër me rëndësi është edhe ai mbi diasporën ku shteti do të interesohet për diasporën maqedone . Këtu shqiptarët janë të përjashtuar dhe kërkojnë riformulimin ku thuhet se : shteti do të interesohet për shtetasit e saj maqedonë, shqiptarë dhe të tjerë.
Xhevat Sherifi nga LDSHM-ja ë informoi se dy parti Besa dhe Aleanca kanë paraqitur amendamente lidhur me këto çështje dhe në këtë drejtim, të dy përfaqësuesit gjer më tani janë shumë të matur dhe skeptik ndaj një votimi blanco.
Në pyetjen direkte të kongresistit : pse këtë gjë e lejojnë përfaqësuesit shqiptarë në koalicion qeveritar ? , zoti Kadriu i tha,se përfaqësuesit shqiptarë të DUI-t janë të korruptuar dhe të kriminalizuar që nga koha e Grujevskit i cili morri azil në Hungari. Prandaj prej tyre nuk pritet të avancojnë çështjen shqiptare.
Në, shqiptarët në Ballkan, në Evropë dhe në Amerikë, jemi për NATO dhe BE , por vetëm si shqiprarë, jo si maqedonë.
Shtetet në Ballkan janë krijuar nga grupet etnike, prandaj kjo kategori llogaritet e shenjtë dhe në në këtë nuk e japim.
Në diskutim morrën pjesë përfaqësues të shumtë nga trojet shqiptare , dhe gati të gjithë ishin të pajtimit që MP, kështu si është të mos votohet nga përfaqësuesit shqiptarë në Parlamentin e Maqedonisë.
Pra pas një debati dy orësh lidhur me ndryshimet kushtetuese në Maqedoni, Zt. Gjonaj dhe Zt. Engel bashkë me të pranishmit e shumtë shqiptarë në Amerikë dërguan një mesazh të qartë në drejtim të Shkupit : pa inkorporimin e amendamenteve kushtetuese që kanë të bëjnë me çështjen shqiptare: preambulla, gjuha shqipe zyrtare dhe përfshirja e shqiptarëve në diasporën e shtetit të Maqedonisë: JO VOTIMIT TË NDRYSHIMEVE KUSHTETUESE .
Dhe, këtë e votuan të gjithë të pranishmit, pa asnjë kundër.
Më këtë u bë e qartë, se diaspora është në përkrahje të plotë të deputetëve shqiptarë të cilët kërkojnë inkorporimin e amendamenteve kushtetuese lidhur me çështjen shqiptare në Maqedoni.
Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në Kongresin Amerikan, Zt. Engel , në fund të sesionit të parë të mbledhjes u zotua se do të bisedojë me ambasadorin Baily në Shkup dhe me përfaqësuesit relevantë për të gjetur mundësisht ndo një zgjidhje , gjithmonë duke theksuar se jemi vonë dhe se kjo punë me angazhimin dhe bashkëpunimin tonë, në t’ ardhmen mund të zgjidhet me sukses.
Pasi që përfaqësuesit nga Chicago duhej të fluturonin, u përshëndetën vllezërisht, kurse mbledhja vazhdoi sesionin e dytë lidhur me shqiptarët në Mal të Zi.

Filed Under: Politike Tagged With: Iliaz Kadriu, Kongresisti Eliot Engel, Mesazh i Forte, Shkupi

Kongresisti ​Engel kritikon opozitën: Dhuna nuk është zgjidhje

October 27, 2015 by dgreca

Ish-kongresmeni amerikan Eliot Engel, ka uruar Kosovën për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit duke e vlerësuar si një hap të rëndësishëm të Kosovës drejt të ardhmes europiane.
Në urimin e tij, Engel megjithatë shprehë keqardhje për gjendjen aktuale politike në Kosovë, duke thënë se opozita ka të drejtë të shprehë qëndrimet e saj, por jo me dhunë e gaz lotsjellës.
“Uroj Kosovën për nënshkrimin e MSA’së me Bashkimin Europian sot. Ky është një hap i rëndësishëm për rrugën e Kosovës drejt të ardhmes europiane dhe integrimit në NATO.
Megjithatë, më duhet të shprehë shqetësimin tim për situatëk aktuale politike. Së pari dhe gjithmonë, Dhuna nuk ka vend në politikë. Opozita ka të drejtë të shprehë pikëpamjet e veta dhe ato të dëgjohen nga qeveria. Por gazi lotsjellës dhe trazirat nuk kanë vend në sheshin publik dhe ato ndihmojnë dhe forcojnë pikëpamjet që do ta mohonin njohjen e Kosovës dhe prosperitetit që meriton.
Si një mik i kahmotshëm i popullit të Kosovës-të gjithë spektrit politik-i bëj thirrje të vazhdojë, të ruajnë qetësinë dhe të shprehin qëndrimet e veta në instituciuonet demokratike të Kosovës”, thuhet veç tjerash në mesazhin e Engel./B.Sina/

Filed Under: Opinion Tagged With: Kongresisti Eliot Engel, kritikon, opoziten

Elito Engel: Qeveria dhe opozita të bashkëpunojnë për interesa të përbashkëta

February 8, 2014 by dgreca

Kongresisti Engel: Çmimi nga Shqipëria është një nder për mua. Ndjehem mire që e ndaj këtë çmim me të gjithë miqtë e mi Shqiptaro – Amerikanë, të cilët vazhdimisht dhe me sukses kanë luftuar për demokracinë në Shqipëri, lirinë, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Pa mbështetjen e tyre të palodhur , kontributin e shqiptarëve të Amerikës,  rrugët për në Europë për këto vende do të kishin qenë shumë më të vështira/

WASHINGTON DC: Në një intervistë me gazetarin Beqir Sina nga Uashingtoni,  Kongresmeni democrat i Nju Jorkut Eliot Engel – Bashkë-kryetar i Grupit për Çështjet Shqiptare në Kongresin Amerikan foli për nderimin që i bëriPresidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.Presidenti i Shqipërisë dekoroi Grupin e Çështjeve Shqiptare me Medaljen e Flamurit Kombëtar, kurse Kongresmeni Robert Adelholt u nderua me Medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Siç dihet Grupi i Çështjeve Shqiptare, i kryesuar nga Kongresisti Eliot Engel është njëri prej disa organizimeve të tilla që funksionojnë në Kongresin amerikan dhe ka si qëllim të nxisë institucionet demokratike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe kudo ku jetojnë shqiptarët në Ballkanin Perëndimor, me besimin se një Ballkan i qëndrueshëm është në interes të të gjithëve. Grupi interesohet gjithashtu për përfshirjen e të gjitha vendeve të rajonit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Kogresisti Engel foli në këtë intervistë edhe për integrimin evropian të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe ka vlerësuar si shumë të miramarrëdhëniet midis SHBA, Shqipërisë dhe Kosovës.

Në një ceremoni që u mbajt dje pasdite në selinë e Kongresit, anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel tha se:“Shqipëria ka qendruar përkrah Shteteve të Bashkuara në Afganistan dhe në çështje të tjera. Edhe Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar përkrah Shqipërisë. Jam shumë i lumtur që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe mezi pres ditën kur ajo të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Puna që të gjithë ne kemi bërë së bashku ka ndihmuar për të forcuar lidhjet mes dy vendeve tona,”

Për më shumë ndiqni intervistën e plotë me kongresistin Eliot Engel me gazetarin  Beqir Sina,

Beqir Sina: Zoti Engel si do ta vlerësoni ju pjesëmarrjen e shqiptarëve në takimin Mëngjesin Kombëtarë të Lutjeve ?

Engel : Unë jam gjithmonë i lumtur për të parë miqtë e mi shqiptarë nga i gjithë rajoni që kan ardhur në Uashington DC , për të marrë pjesë në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve . Shumë shqiptarë kanë qenë tradicionalisht pjesë e kësaj ngjarje dhe është një kënaqësi që për çdo vit miqt e mi shqiptarë t’i presë në zyrën time në Capitol Hill.
Beqir Sina:   Kongresmen gjatë karjerës suaj ju keni marrë disa çmime dhe nderime, por si vlerëson çmimin e marrë nga Shqipëria, çfarë do të thotë ky Çmim i dhënë nga Presidenti i Shqipërisë zoti Bujar Nishani – për ju ?
Engel : Si Bashkëkryetar i Grupit për Çështjet Shqiptare në Kongres , unë jam i nderuar për të marrë çmimin e Presidentit Nishani në emër të Komitetit për Çështjet Shqiptare në Kongres. Unë jam një mik i vjetër i popullit shqiptar , dhe kam mbështetur pa u ndal çështjen shqiptare dhe kam qenë aty pranë komunitetit shqiptaro-amerikan , si me ardhjen e demokracisë në Shqipëri, por dhe me çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dhe me ecurinë e çështjes shqiptare në të gjithë Ballkanin . Më vjen mirë kur shikojë kombin shqiptarë që ka prosperuar dhe i shikojë shqiptarët sot duke shkuar drejt një të ardhme më të mirë drejt Europës .

Beqir Sina: Nëse do t’ia kushtoje dikujt tjetër këtë çmim , kush do të jetë ai ?

Engel : Do të ishte një nder për mua për të ndarë këtë çmim me të gjithë miqtë e mi Shqiptaro – Amerikanë, të cilët vazhdimisht dhe me sukses kanë luftuar për demokarcinë në Shqipëri dhe lirinë, çlirimin e pavarësisë për Kosovën . Sepse edhe pa mbështetjen e tyre të palodhur , kontributin e shqiptarëve të Amerikës,  rrugët për ato çfarë sipërcitove për këto dy vende do të kishin qenë shumë më të vështira . Beqir Sina: Shqipëria dhe Kosova a janë duke marrë atë që ata meritojnë në rrugën e tyre për integrimin e tyre në BE ?

Engel : Unë besoj se të dy vendet janë duke shkuar në drejtimin e duhur , por unë do të doja të shoh se gjërat do të lëvizinin edhe më shpejt . Në një përpjekje për të përmbushur standardet e Bashkimit Evropian (BE) , në Shqipëri, unë i inkurajoj të dyja palët – qeverinë dhe opozitën për të punuar së bashku në çështjet që i bashkojnë të gjithë shqiptarët . Tani që Shqipëria, ka mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme , unë shpresoj se i është hapur një shteg për anëtarësimin e saj në BE, që do të jetë i shpejtë dhe i qartë . Për Kosovën , ka pasur progres , edhe pse i ngadalshëm . Kosova përballet me pengesa të ndryshme nga ndonjë prej fqinjëve të saj . Unë ndjehem i sigurt se është koha që Kosovës, duhet ofruar hyrja në NATO-s, Partneritet për Paqe ( PfP ) dhe besoj se edhe në BE-. Porse ajo duhet të përqendrohet më shumë, dhe të shpenzojë energji për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të saj me BE , si dhe liberalizimin e vizave . Të dyja janë të rëndësishme për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit dhe të Evropës në përgjithësi . Beqir Sina:  A mendoni se edhe serbët e veriut të Kosovës do të integrohen me Kosovën drejt rrugës në BE-, apo do të qëndrojnë të ndarë, ashtu si po ndodh në veri të Kosovës, me Mitrovicën ?
Engel : Shumica e serbëve të Kosovës dihet se jetojnë në jug të lumit Ibër . Integrimi i tyre është tashmë në udhë të mbarë. Serbët, po shërbejnë sot në pozita të larta në qeverin e Kosovës . Ata janë duke drejtuar komunat e tyre dhe kanë marrë pjesë gjerësisht në zgjedhje . Ky është vetëm fillimi , por unë besoj se në të ardhmen , serbët në veri të Kosovës, do të ken më shumë avantazhe për një pjesëmarrje aktive në Kosovë dhe do të ndjekin shembullin e shumicës së serbëve që jetojnë në jug .
Beqir Sina: Kur ne flasim për integrimin evropian të shqiptarëve , ju edhe në dy termat e ish kryeministrit Berisha  keni përmendur shpesh se SHBA e kan ndihmuar Shqipërinë, për të marrë statusin e kandidatit për BE . Por në dhjetor edhe me ardhjen e qeverisë së re, Shqipërisë, nuk iu dha statusi i kandidatit të BE-së . Cili është komenti juaj ?

Engel : Unë jam duke parë se ka një përparim të pabesueshm që Shqipëria ka bërë në ndërtimin e një demokracie të fortë që nga rënia e komunizmit. Megjithatë, Shqipëria, ende përballet me sfida të mëdha që kërkojnë bashkëpunim dhe vëmendje nga të gjitha partitë në vend : “Qeveri, pozitë opozitë” . Për të dërguar një mesazh të qartë në BE-në, se Shqipëria, është gati për statusin e kandidatit , do të inkurajoja të gjithë shqiptarët që të punojnë së bashku për të përmirësuar klimën e tyre politike dhe ekonomike .

Beqir Sina: Së fundi , çfarë mesazhi do të donit të përcjellëni për gazetën tonë nga Uashingtoni ?

Engel : SHBA është dhe do të mbetet një mik i përjetshëm i popullit Shqipëtar në tërë Ballkanin , dhe unë dua t’ju siguroj se vendi ynë do të qëndrojë në mënyrë të vendosur me Shqipërinë dhe Kosovën në mënyrë që shqiptarët të vazhdojnë të zhvillojnë dhe të lulëzojnë si demokraci dhe më tej të integrohen në strukturat Euro-Atlantike .(Intervistoi:Beqir SINA)

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Beqir Sina, Interviste, Kongresisti Eliot Engel

Kongresiti Engel: Lëvizja e kufijve, biletë drejt konflikteve të së kaluarës

May 15, 2013 by dgreca

Nuk do të ketë ndarje të Kosovës, shkëputje të ndonjë pjese të saj dhe ky është një parim shumë i rëndësishëm”, thotë Eliot Engel, ligjvënës në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë. /

RADIO EVROPA E LIRË-Zoti Engel, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje me 19 prill për normalizimin e marëdhënieve. Por, palët kanë tejkaluar afatet për hartimin e planit të zbatimit të saj. A mendoni se procesi i normalizimit është në rrezik?
ELIOT ENGEL-Jo. Mendoj se kur keni një proces të tillë normalizimi, gjithnjë do të ketë gjëra që dalin në rrugë, do të ketë pengesa, por mendoj se të dyja palët janë të përcaktuara për një marrëveshje, gjë që e bën dhe ta zbatojnë atë.
Mendoj se gjërat do të jenë në rregull. Qartazi që kjo është një situatë serioze. Të dyja palët kanë dyshime nëse kjo është gjë e mirë. Por, mendoj se ky është një hap i domosdoshëm që duhet të ndërmerret dhe besoj se do të funksionojë. Bashkimi Evropian natyrisht është aty dhe Shtetet Bashkuara do të jenë gjithnjë në krah të popullit të Kosovës në çdo hap.
RADIO EVROPA E LIRË
Kongresmen, debatet brenda dhe jashtë Kosovës po vazhdojnë rreth çështjes nëse marrëveshja po krijon mundësi për krijimin e një mini-shteti apo një Republika Sërpska në pjesën veriore të Kosovës. A po ndodhë kjo?
ELIOT ENGEL
Jo. Këto janë negociata mjaft të vështira. Ka shumë opinione nga më të ndryshmet, kishte armiqësi për shumë vjet. Viti 1999 është ende i freskët në mendjet e të gjithëve, posaçërisht tek pala e Kosovës. Unë mendoj se kjo marrëveshje është e domosdoshme.
Mendoj se në një marrëveshje asnjë palë nuk merr çdo gjë që dëshiron.
Marrëveshja është kompromis dhe kompromisi nënkupton se njëra palë merr diçka nga ajo që dëshiron dhe pala tjetër diçka nga ajo që dëshiron. Dhe si rezultat, asnjëra palë nuk është tërësisht e kënaqur, por të dyja palët kuptojnë se kjo është në interesin më të mirë, sepse ata mund të lëvizin përpara, mund të lënë të kaluarën apo të përpiqen të kenë të kaluarën prapa dhe të shohin drejt së ardhmes.
Për mua është shumë e thjeshtë. A duan popujt e Ballkanit të shohin gjithnjë nga e kaluara, ku gjithnjë kishte gjakderdhje, luftëra dhe urrejtje shekullore, apo duan të shohin përpara dhe të përpiqen që të ndërtojnë një jetë më të mirë për të ardhmen e tyre apo jetë më të mirë për fëmijët e tyre.
Mendoj se në këtë marrëveshje Kosova ka përfituar, sepse për herë të parë, Serbia “de facto” e ka njohur Kosovën dhe qeveria e Prishtinës do të shtrijë kontrollin në tërë Kosovën. Nuk do të ketë ndarje të Kosovës, shkëputje të ndonjë pjese të saj dhe ky është një parim shumë i rëndësishëm.
Pra qeveria e Kosovës është përgjegjëse për tërë Kosovën, qoftë Mitrovica veriore, jugu apo cilado pjesë e saj. Në shkëmbim të kësaj, serbët në veriun e Mitrovicës do të kenë një shkallë të autonomisë. Mendoj se ky është një pazar i mirë, sepse mendoj që autonomia nuk është gjëja më e keqe në botë.
Ju e dini se Kosova kishte autonomi në sistemin e vjetër jugosllav. Ajo nuk funksionoi sepse Millosheviqi e rrënoi atë në vitin 1988. Por, nëse kjo është autonomi e vërtetë dhe BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët e njohin faktin që Kosova është një dhe jo e ndarë, jo e copëtuar, në shkëmbim të një forme të autonomisë për serbët, mendoj se është një marrëveshje shumë e mirë për Kosovën dhe qeverinë në Prishtinë.
RADIO EVROPA E LIRË
Në kuadër të pikëpamjeve të ndryshme, kolegu juaj nga Dhoma e Përfaqësuesve, ligjvënësi Dana Rohrabacher, hodhi idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si rrugë për zgjidhjen e konflikteve. Ju, me gjasë nuk pajtoheni?

ELIOT ENGEL
Unë nuk pajtohem. Më lejoni të them se kolegu im Dana Rohrabacher është njeriu shumë i arsyeshëm dhe mendoj se ai e ka në zemër interesin më të mirë të Kosovës. Unë kam punuar për shumë vjet me të dhe jemi miq.

Por, unë nuk pajtohem se ndarja e Kosovës është rruga që duhet ndjekur. Kosova është në Ballkan, ku nuk e dini ku është fundi. Nëse lëvizni kufijtë në Ballkan, nëse ndani Kosovën, çfarë do të ndodhë kur Republika Sërpska dëshiron të jetë pjesë e Serbisë, çfarë ndodhë kur pjesë të Maqedonisë duan të ndryshojnë, çfarë do të ndodhë me Bosnjën? Nuk do të kishte fund dhe kam frikë se nuk do të kishte zgjidhje edhe për njëqind vjet të tjera.

Unë më me dëshirë do të pranoja zgjidhje si kjo me marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të provoja të ndërtoja mbi të rrugën e përparimit drejt së ardhmes. Mendoj se nëse filloni të lëvizni kufijtë, do të jetë një biletë e sigurt drejt konflikteve të së kaluarës. Do të ishte biletë për palë të ndryshme që ndjehen të rrezikuara dhe duan të jenë në këtë apo anën tjetër të kufirit.

Nëse do të kishim mundësi të ndërrojmë pjesë të Kosovës me të Serbisë dhe nuk do të ndodhte asgjë, do të thosha, në rregull. Mbase është diçka që ia vlen të mendosh për të. Por, është e pamundur të ndodhë kjo pa pasoja për pjesë të tjera të Ballkanit dhe prandaj mendoj se ky nuk është një propozim i mirë.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Engel, në debatet në të cilët keni marrë pjesë bashkë me zotin Rohrabacher, ju keni bërë thirrje që Kosova të përfshihet në Evropë bashkë me fqinjët e saj për të shmangur krijimin e një “vrime të zezë” në Ballkan. Në disa raste zyrtarët në Prishtinë kanë kritikuar Brukselin për injorimin e arritjeve të Kosovës. A pajtoheni me këtë kritikë?
ELIOT ENGEL- Pajtohem më disa nga kritikat. Mendoj se atë çfarë ka bërë Kosova që nga shpallja e pavarësisë, është e mrekullueshme.
Mendoj se ka probleme, pa dyshim, të gjithë e dimë se ka probleme çdo vend dhe Kosova ka probleme si një shtet i ri. Por, mendoj se në përgjithësi Kosova ka përparuar dhe duhet të ecë përpara drejt së ardhmes. Mendoj se është me rëndësi që Shtetet e Bashkuara të qëndrojnë të përfshira.
E di se populli i Kosovës u beson Shteteve të Bashkuara dhe unë mendoj se nëse ia lëmë Evropës, nuk jam i sigurt që Kosova do të marrë çfarë meriton.
E di që nëse Shtetet e Bashkuara qëndrojnë atje do të kujdesen për popullin e Kosovës.
Kjo marrëveshje qartazi e vë Kosovën në rrugën drejt Bashkimit Evropian, po ashtu e vë Serbinë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Nuk më pengon nëse Serbia i bashkohet BE-së nëse edhe Kosova po ashtu i bashkohet Bashkimit Evropian. Nuk dua që Serbia të ketë mundësinë që të bllokojë Kosovën.
Mendoj se kjo marrëveshje nuk lejon që njëri vend ta bllokojë tjetrin. Mendoj se Bashkimi Evropian meriton përgëzim, për zonjën Ashton që punoi shumë, unë kam biseduar me të personalisht për situatën në Kosovë, në Serbi. Mendoj se Evropa po pret ditën kur të dyja Kosova dhe Serbia mund t’i bashkohen.
Sërish, mendoj se kjo është një marrëveshje shumë e mirë për popullin e Kosovës. A i jep Kosovës krejt çfarë ajo dëshiron? Jo. A është marrëveshje e përkryer? Jo. Por, këto veprime duhet të shihen si ecje përpara, prandaj mendoj se është marrëveshje e mirë, sepse, nuk ka rëndësi për mua nëse Serbia ka marrëdhënie formale diplomatike dhe e njeh Kosovën, por me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Serbia “de facto” e njohu të drejtën e Kosovës që të ekzistojë si një komb i pavarur.
RADIO EVROPA E LIRË-Më lejoni të përfundoj këtë intervistë duke ju kërkuar një pikëpamje për Shqipërinë dhe zgjedhjet e përgjithshme të muajit të ardhshëm, duke pasur parasysh fushatën e tensionuar dhe ndikimin që do të kenë këto zgjedhje në integrimet evropiane të Shqipërisë…

ELIOT ENGEL-Do të ketë ndikim shumë shumë të madh, e di që të gjithë i kanë sytë andej. Kishim një dëgjim javën e kaluar në Komitetin e Helsinkit për zgjedhjet në Shqipëri.
Shpresoj që zgjedhjet të ecin mbarë dhe shpresoj që kushdo që fiton të jetë fitues dhe të mos ketë mashtrime. Shqipërinë, e cila sot është një anëtare krenare e NATO-s, isha shumë i lumtur ta shihja duke hyrë në NATO dhe do të doja ta shihja që të anëtarësohet edhe në BE.
Bashkimi Evropian do t’i vëzhgojë këto zgjedhje dhe do të vendos nëse Shqipëria është kandidate për anëtarësim në BE, bazuar në masë të madhe në mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve.
Shpresoj që mosmarrëveshjet që ekzistojnë tani në Shqipëri në raport me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe mosmarrëveshjet tjera do të adresohen. Shpresoj që kushdo që fiton, të ketë një fitore që do të respektohet nga të gjithë.
Nuk mund t’i kemi konfrontimet që patëm para disa vjetësh, nuk mund të kemi një situatë në të cilën një parti politike nuk merr pjesë në kuvend, cilado parti politike qoftë ajo. Kushdo që zgjidhet duhet të marrë pjesë në kuvend.
Shqipëria duhet ta dëshmojë se e meriton t’i bashkohet BE-së dhe zgjedhjet do të zënë një pjesë të madhe në gjykimin e BE-së për kandidaturën e Shqipërisë. Unë mendoj se Shqipëria duhet të jetë kandidate.
Do të doja të shihja si Shqipërinë, ashtu edhe Kosovën, por për Shqipërinë këto zgjedhje janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe mbarë bota i ka sytë nga këto zgjedhje.(Arbana Vidishiqi)

Filed Under: Interviste Tagged With: eshte prove, Kongresisti Eliot Engel, marrveshja Kosove-serbi, njej kosoven, se Serbia

Artikujt e fundit

  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan
  • MË 4 SHKURT 2023 DO THEMELOHET DEGA E VATRËS NË CHICAGO
  • Bibla e parë
  • Portretizimi i Isa Boletinit sipas gazetës “Fremdenblatt”(1916)
  • Charles McGonigal…
  • Sopranoja Shqiptare Ermonela Jaho “Artisja e Vitit 2023” Sonte në Operën Metropolitan
  • ASLLAN BUSHATI: “DIKTATI I ADM-ve NË LUFTËN E FTOHTË E PAS SAJ”
  • Eksperimenti, Asociacioni/Bashkësia …!
  • Department of State Signals Pressuring Kosovo to Discuss the EU Proposal, Vucic “Drama Queen” Says President Osmani
  • ZGJEDHJET PRESIDENCIALE TEST PËR ATO PARLAMENTARE
  • Presidentja Osmani dekoroi me Medaljen Presidenciale Ushtarake komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Benjamin J.Correl

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT