• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BALADË DRITASH PËR ZORBËN

August 19, 2024 by s p

Viola Isufaj/

Në gjysmën e dytë të një shekulli plot pështjellime politike, të cilat nuk lanë pa prekur e dëmtuar trungun e letërsisë shqipe, bën jetë në errësi për t’u shfaqur më pas, në dritë, ky poet, i cili sjell një nga modelet më të pangjashme të shkrimit të poezisë moderne shqipe.

Pastërtia e pabesueshme në përdorimin e teknikave në realizimin e virtuoziteteve të tij poetike, e bën atë një klasik modern. Së bashku me: Camajn, Reshpjen, Podrimjen, Shkrelin, e të tjerë autorë të poezisë shqipe, ndonëse pa kontakte të drejtpërdrejta me ta, ai, po ashtu, përcakton modernitetin e vargut shqip bashkëkohor.

-Për poetin Zef Zorba, i cili është bërë i njohur për lexuesin pas vdekjes, është shkruar shumë pak.

Ismail Kadare (i cili ka shkruar edhe parathënien e vëllimit poetik Buzë të ngrira në gaz), hedh dritë mbi formacionin poetik të Zef Zorbës. Ai shprehet se Zef Zorba, duke qenë më i pashquari i poetëve, më i mbështjelli nga heshtja dhe nga terri, na shfaqet në të vërtetën, pamjen dhe përmasat e tij të tjera.

Këtu rri enigma e kulturës shqiptare për gjysmë shekulli-do të shkruante një tjetër figurë e letrave dhe studimeve shqiptare. Zbulimi nuk lidhet vetëm me vlerën, por më tepër me fenomenin: si është e mundur që një autor: poet, kaq i veçantë të krijojë për në gjysmë shekulli, i panjohur dhe i fshehur? –shpërfaqet habia e këndshme e studiuesit Sabri Hamiti. Zbulimi i Zef Zorbës poet, lëkund, sipas tij, kaq shumë evidenca, si shenja kolektive të sjelljes dhe kaq shumë kërkime personale, si krijime individuale në shqip. Studiues të tjerë e kanë konsideruar të errët e të mbyllur, hermetik e profetik poetin që nuk shkroi për lexuesin e kohës së tij, por për atë të së ardhmes.

-Poezia e Zorbës gjithnjë do të ngrejë një çështje të parë thelbësore: këtu kemi të bëjmë me një mekanizëm të hollë të thurimës poetike. Si funksionon ai mekanizëm? Me shqetësimin e vazhdueshëm për t’u kujdesur për të mos ta lënë esencën krijuese unike të këtij autori të humbë në konstatime e analiza, marrim përsipër ta shqyrtojmë nga afër, në mënyrë thellësore shkrimin e tij.

-Përmes zbulimit të lidhjes me Idromenot dhe në veçanti me Kolë Idromenon, i cili bëhet udhëheqës shpirtëror i Zef Zorbës, jemi orvatur të shpjegojmë njohjen dhe afeksionin e tij për artet figurative dhe krijimin e imazheve kryesisht ekspresioniste në poezi (imazhe, të cilat kemi menduar gjithmonë se meritojnë një studim të veçantë).

Zorba përfytyron e mendon harmonikisht në bazë të harmonisë së ngjyrave dhe imazheve, pikërisht falë prirjeve të lindura dhe rrethanave favorizuese: mësimeve të Kolë Idromenos. Pa asnjë dyshim, kjo është vepër shumë komplekse. Zef Zorba punoi për t’i shtuar poezisë, pikturës dhe muzikës saktësinë, hijeshinë, lakimin, ngjyrimin e përkryer të frazave. Moderniteti i tij lidhet me përthyerjet e dritës, ngjyrat, po aq me tingullin dhe modulimin, prandaj atë mund ta kuptojmë më mirë përmes një prerjeje muzikore dhe përmes një takimi me artet pamore. Në këtë studim jemi ndalur në mënyrë specifike te relacionet e veprës së tij me muzikën.

Pjesët e Fugave të fundit -cikli i katërt- do të emërtohen sipas tempit: Allegro, Andante Mosso, Lento, Largo dhe Alegro Furioso. Sakaq, edhe cikli i pestë që është poema Mbresat e rrugëve,

konceptohet me këto pjesë: Introduksion, Tema e fagotit, Tema e Ksilofon -kumbonëve, Tema e Instrumentave me perkusion, Tema e Violës, Parte concertante, Kadenca e Ksilofon –kumbonëve, Kadenca e fagotit, Kadenca e Violës, Kadenca e Instrumentave me perkusion, Ripressa, Stretta Finale.

I jemi afruar kështu lidhjes me artet figurative e cila duket se është sa genuine, e trashëguar aq dhe e kultivuar gjatë jetës, derisa dhe nëpër vargje pluskojnë nominalisht: një Idromeno, Van Gog, Shagal, Matis, ca Pikaso e Dali, e shumë akuaforte. Tituj të poezive së Zorbës në vëllimin Buzë të ngrira në gaz

shpalosen pikërisht në këtë mënyrë.

Madje edhe te cikli i fundit “Në zgrip”, ndiejmë takimin me muzikën; sidomos ai është i dukshëm në poezinë Një gozhdë, me ritëm rock, bazuar mbi aliteracionet vështrimore thik, thellë, thatë, -siç shpjegon autori, – e, së fundmi, pjesa Natën kur bie shi, – e konceptuar alla Ravel. Tituj të tillë janë domethënës, por natyra e domethënies së tyre lipset të tregohet. Kjo prirje për kërkim është veçanërisht e brishtë pasi ekzistojnë

rreziqet e analogjive të paarsyeshme midis arteve. Është plotësisht e vërtetë se pjesa dërrmuese e analogjive sipërfaqësore janë të çoroditura apo spekulative. Shumica e këtyre qasjeve konsiston në një përkthim të termave nga një art në një tjetër. Dhe të përshkruash një art me terma të artit tjetër është një trill retorik pa ndonjë rëndësi të veçantë. Mirëpo në këtë hulumtim nuk do jetë fjala për një përkthim të

tillë, as për muzikalitetin a harmoninë në vetvete, e cila mund të studiohet në çdo krijim artistik. Bëhet fjalë për një poezi tek e cila Muzika është cilësi fundamentale. Analogjitë këtu nuk janë të sipërfaqshme, po substanciale. Qysh në krye të herës mund të hetohen qartë ide muzikore-që janë aty për të formatuar një art-i cili aspiron kushtet e muzikës. Kemi punuar në këtë terren shumë të rrëshqitshëm për të bërë një analizë të hollë dhe konkrete të relacioneve muzikore në veprën e Zef Zorbës.

-Zorba konstituon një formë të veçantë të dijes në botën njerëzore. Në vargjet e vëllimit Buzë të ngrira në gaz do të evokohen: Monradi, El Greco, kanonet Mozartiane; aty do të citohen vargje të Alkeut, të Oscar Wild-it, -dhe do të ndihet një ritëm i ngjashëm me ritmin e Horacit: nuno est bibendum, nuno. Në fushë të filozofisë do të përmendet Kanti, teksa do të thirret Shekspiri te Merimangë me vargjet e tij turn back, dull earth/an find thy center out. Zorba do të përmendë gjithashtu, Martinin (i deleguar i Propaganda Fide) te Largo duke e shoqëruar me shënime etj. Ne jemi ndalur, prandaj, në mënyrën e përthithjes dhe shndërrimit të ndikimeve të huaja në tekstin e tij.

– Që nga thellësitë e shpirtit inteligjent, lind një poezi e re, që kullon traditën e truallit të vet dhe duke thirrur me pasion elemente nga tradita hermetike, sjell në dritë formulime thelbësore të papritura, fjalë të dala nga heshtja, nga thellësia e meditimeve. Këto fjalë, të zbuluara e të risuara në dimensionin e tyre semantik,

dëshirojnë të japin esencën e një pështjellimi sentimental. Zorba është i dashuruar me gramatikën esenciale të hermetistëve. Zhvendosjet analogjike dhe esencialiteti i fjalës janë aty për të shprehur të pashprehshmen. Përdorimi i shpeshtë i analogjisë, eliminon termin e përafërt (similitudën) për t’i dhënë imazhit efektin- rrufe. Na ka interesuar të studiojmë ato që mund të quhen: tkurrja e sintaksës, eliminimi total ose i pjesshëm i shenjave të pikësimit, zbërthimi shumë i fortë i pauzave, strukturat tipike të hermetistëve me pleonazmat tipike dhe metaforat e befta si dhe të tjera aspekte.

-Kujtesa në korpusin e Zorbës duket se del kryesisht në dy modele të dallueshme, të cilat shpesh ekzistojnë edhe njëkohësisht në të njëjtin tekst: si një mjet për të ngulitur një ndjenjë nostalgjie; dhe, nga ana tjetër, dhe më universalisht, si një mënyrë për ndërtimin e identitetit individual, historik dhe kulturor. Për këtë arsye, kur flasim për këtë personalitet, kujtesa shërben si një temë letrare me rëndësi jo të vogël, së cilës i kemi kushtuar një çështje më vete.

-Zorba është një personalitet poliedrik. Dashuria e tij e parë ka qenë teatri. Ai studion teknikat muzikore, vijon punën si llogaritar, gdhend, lexon, shkruan poezi, përkthen. Zorba ka sjellë përkthime të një cilësie shumë të lartë. Pasi ta paraqesim këtë kontribut shumë të vlershëm të Zorbës në përqafimin e kulturave të ndryshme, ndalemi në analizë të perimetuar të tekstit të përkthyer, deri në shtresat më të

pak të depërtueshme të tij. La pioggia nel pineto p.sh. është një simfoni poetike që përkthen në

fjalë tingujt e shiut. Shembujt dygjuhësh janë vënë përballë njëri- tjetrit, për të parë sesi imazhet pamore dhe tingëllimore, bashkëshoqërimi me ngjyra të freskëta e të pastra dhe tingujt, poema i krijon po aq “të ujshëm” edhe në gjuhën shqipe.

Kemi vijuar, prandaj, me simetritë sintaksore dhe marrëveshjet për asonancat dhe konsonancat për të cilat janë gjetur në shqipe fjalë jo vetëm më të njëjtin ritëm (numër rrokjesh e theksash) por mundësisht me të njëjtët tinguj. Më pas jemi thelluar me çështjen: metri dhe figurat retorike, duke u ndalur në marrëveshjet për vargjet trerrokësh, 6,7,8 dhe 9 rrokësh dhe me pesë llojet e rimave të përdorura, të transmetuara të gjitha në gjuhën shqipe.

– Veçimi, i lidhur pashmangshmërisht me poetikën e Zorbës, është dhe thelbi i fortë i letërsisë. Izolimi është gjithashtu mjeti themelor i leximit dhe i të shkruarit, i cili mund të gjurmohet në veprat e fshehura, ato që u krijuan për sirtarët,- gjithçka që nuk do të lexonim dot kurrë, por që rrezatojnë jashtë në botë, sot, gjithë bukuri. Jo thjesht veçimi ashtu sikurse vetmia është një nga temat themelore të gjendjes dhe të letërsisë së tij, por vepra e tij poetike është shkruar dhe lexuar në izolim për të mos u shtrirë në një audiencë përtej krijuesit të saj. Në këtë studim ndjekim me vëmendje sesi në vetmi ndodh udhëtimi në qendër të qenies, përmes së cilit ai është në gjendje të zbulojë disa aspekte të karakterit, personalitetit dhe ekzistencës. Zbulojmë disa prej formave të veçimit dhe i analizojmë me kujdes ato duke nxjerrë përmes sintezës koordinata të rëndësishme të kësaj vepre të cilat bëjnë jetën e tyre të pafundme, paradoksalisht, pikërisht prej izolimit.

-Çështja tjetër do të ishte në kuptimin më të gjerë, një çështje etike, morale: çfarë lloj njeriu banon poemën? Cili është nocioni i tij i jetës së mirë apo i vendit të mirë? Nocioni i tij i së keqes? Çfarë mban ai të fshehtë nga lexuesi? Çfarë fsheh madje dhe nga vetja e tij?

Zorba do të shikohet patjetër edhe si një personalitet etik, sikurse ishte. Për fat të keq, shkrimet për të janë të pakta ende. Ka një papërputhshmëri, një hendek të ftohtë midis rëndësisë së veprës së tij për sistemin tonë letrar dhe shkrimeve të pamjafta që gjenden për të. Duke qenë se nuk ka një libwr studimor deri më tani për veprën e tij, do të dëshironim dhe guxonim me kënaqësi dhe me drojë t’i kushtoheshim kësaj sprove të parë.

-Këtu do të ndërtohet njëkohësisht me analizat e tekstit edhe një jetëshkrim e Zef Zorbës dhe ndonëse asaj do t’i referohemi për aq sa hedh dritë mbi veprën e autorit, nuk do të mungojë interesi i brendshëm për biografinë e poetit në fjalë, pasi dëshmitë jetësore deri tashmë nuk kanë qenë të bollshme. Jeta e tij, e pa rënë aq shumë në sy, tashmë na tërheq e na thërret. Në disa shenja të tekstit të Zorbës, pikërisht aty ku duket se elementi i shprehësisë personale del mjaft i zbehtë, është zhytur thellë dhe ndërlikueshëm përvoja e tij jetësore. Ne do të hetojmë këto shenja të tekstit letrar që kondensojnë përvojën e tij jetësore dhe personalitetin e tij. Do të vëzhgojmë sesi ngjashmëritë opake dhe pasqyrat shformuese ristrukturojnë, transformojnë dhe integrojnë realitete të jetuara, dhe sesi në këtë integrim humbasin kuptimet ngushtësisht personale për të përftuar një material gjithënjerëzor.

Do të vëzhgojmë gjithastu, sesi, i zënë në pasionin eternal për dije dhe arte, artisti Zorba, ristrukturon dhe integron mendimet e tij, ndjesitë dhe sensualitetin në një formë poetike të veçantë e të mbresëlënëse, të brishtë dhe të ndjeshme, multivalente dhe të bukur në vetvete, në një vepër që rilind nga hiri i vet.

Filed Under: Interviste

Kryeministri Kurti: Programi për Diplomaci Qytetare është një nismë e jashtëzakonshme që bashkon profesionistë të rinj nga mërgata

August 16, 2024 by s p

Prishtinë, 15 gusht 2024/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e përmbylljes së programit për bursistët e gjeneratës së dytë në kuadër të Programit për Diplomaci Qytetare dhe mirëpritjen për bursistët e gjeneratës së tretë.

Në fjalën e tij, kryeministri tha se Programi për Diplomaci Qytetare është një nismë e jashtëzakonshme që bashkon profesionistë të rinj nga mërgata, duke ju dhënë mundësi dhe duke i frymëzuar ata të kontribuojnë në mënyrë aktive në zhvillimin tonë politik, ekonomik, shoqëror, kulturor, përderisa në të njëjtën kohë, forcon lidhjen e thellë të tyre me rrënjët kulturore me vendlindje dhe Kosovën tonë të dashur.

“Qeveria jonë prej kohësh ka luajtur një rol jetik në mbështetjen, por paraprakisht mirënjohjen e rolit jetik të mërgatës dhe atë si një segment kyç i strategjisë sonë kombëtare. Diaspora jo vetëm që kontribuon ndjeshëm në rritjen tonë ekonomike, por gjithashtu sjell njohuri të vyera, ekspertizë profesionale dhe perspektiva globale. Për më tepër, diaspora shërben si një urë lidhëse mes Kosovës dhe botës, duke promovuar më të mirat e vendit tonë në arenën ndërkombëtare”, u shpreh kryeministri.

Ai shtoi se nga gjenerata e parë, 80% e pjesëmarrësve kanë vazhduar punën në Kosovë, e ky trend tregon se po rritet. Nga 30% te gjenerata e parë, më shumë se 50% e pjesëmarrësve të gjeneratës së dytë kanë aspirata për të vazhduar angazhimin e qëndrimin këtu, disa prej të cilëve tashmë kanë nënshkruar kontrata për angazhim nga 1 shtatori.

“Gjatë këtij programi, kam pasur privilegjin që të takoj shumë nga këta individë të talentuar në raste të ndryshme. Përmes këtyre takimeve, kam fituar njohuri të drejtpërdrejta mbi të arriturat e tyre profesionale, sukseset dhe sfidat me të cilat ata përballen në angazhimin e tyre në Kosovë. Përkushtimi dhe vendosmëria e tyre janë vërtetë frymëzuese, dhe jam i sigurt se kontributet e tyre do të lënë një ndikim të përhershëm në vendin tonë.” tha kryeministri.

Filed Under: Interviste

Historia e Musinesë

August 14, 2024 by s p

Astrit Lulushi

(Përkthim nga anglishtja)/

Musine Kokalari (1917-1983) ishte e para shkrimtare dhe aktiviste politike në Shqipëri. E lindur në Adana në Turqinë jugore, në një familje me origjinë gjirokastrite, Kokalari fitoi një shije për librat dhe mësimin që në fillim të jetës, sepse vëllai i saj Vejsimi drejtonte një librari në Tiranë në mesin e viteve 1930. Në janar 1938, pasi ndoqi Institutin Nënë Mbretëresha në Tiranë, ajo mori një bursë për të studiuar letërsi në Romë dhe u diplomua atje në vitin 1941. Jeta në qytetin e përjetshëm i dha asaj një pamje kalimtare në një botë magjepsëse të krijimtarisë intelektuale dhe Qëllimi i vetëm i jetës pas kthimit të saj në Shqipëri ishte të bëhej shkrimtare. Në të vërtetë, në vitet 1941-1944 ajo botoi tre vëllime prozë, një arritje unike për një grua shqiptare të asaj kohe. Po aq i pazakontë ishte roli i saj politik gjatë Luftës së Dytë Botërore në përpjekjet për të themeluar një Parti Socialdemokrate Shqiptare. Me përfundimin e luftës, Kokalari drejtonte librarinë familjare dhe u ftua të bëhej anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, krijuar më 7 tetor 1945 që drejtohej nga Sejfulla Malëshova. Gjatë gjithë kësaj kohe, ajo u përhumbur nga vrasja e dy vëllezërve të saj, Mumtaz dhe Vejsim, më 12 nëntor 1944 nga partizanët komunistë dhe kërkoi sinqerisht drejtësi dhe ndëshkim. E lidhur ngushtë me themelimin e Partisë Socialdemokrate Shqiptare në vitin 1943 dhe mediumit të saj të shtypit “Zëri i lirisë”, ajo u arrestua më 17 janar 1946 në një epokë terrori të shoqëruar me rënien e Malëshovës, dhe më 2 korrik 1946 u dënua nga gjykata ushtarake e Tiranës me njëzet vjet burg si “sabotatore dhe armike e popullit.” Pesëmbëdhjetë vitet e ardhshme të jetës i kaloi në burgun famëkeq në Mat të Burrelit – e izoluar dhe nën mbikëqyrje të vazhdueshme – e persekutuar dhe i provokuar nga oficerët e burgjeve të varfër dhe të pashkolluar. E thyer, ajo u lirua në tetor 1961 dhe u punësua si pastruese e rrugëve në qytetin krahinor të Rrëshenit. Musine Kokalari, dikur një rrëfimtare e talentuar e përrallave dhe figurë politike në ngritje, u persekutua deri në fund të ditëve të saj. E sëmurë përfundimisht me kancer, iu mohua trajtimi i duhur deri në vdekjen e saj në vitin 1983. Në këtë tekst, të regjistruar fshehurazi në vitin 1972, Musine Kokalari tregon jetën e saj dhe përpjekjet për të themeluar një Parti Socialdemokrate, botuar në gazetën Zëri i lirisë, 1shkurt Tiranë,

1. Objektivi parësor i Partisë Socialdemokrate është sigurimi i drejtësisë sociale dhe lirisë politike.

2. Partia Socialdemokrate mban një qëndrim evolucionist përsa i përket kolektivizmit ekonomik.

3. Objektiva të tjera parësore të Partisë Socialdemokrate janë sigurimi i tokës së mjaftueshme për fermerët për të punuar dhe eliminimi i shfrytëzimit, spekulimeve dhe parazitizmit. Ai synon gjithashtu të sigurojë ushqim, strehim dhe nevoja të tjera për klasën punëtore për ta bërë jetën e tyre të jetueshme. Reforma agrare – do të ndërmerren hapat fillestarë për ndarjen e tokës. Partia do të përpiqet të zbatojë një skemë të sigurimeve shoqërore për t’i ofruar mbrojtje të gjitha shtresave të shoqërisë.

4. Liri politike nënkupton sigurimin e të drejtës së çdo qytetari për lirinë e fjalës, lirinë e mendimit, lirinë e shtypit, lirinë e iniciativës private dhe lirinë e votës (opozita parlamentare). Partia do të përpiqet të hedhë bazat për të kontribuar në edukimin demokratik të të gjitha shtresave të shoqërisë shqiptare dhe për t’i përgatitur ato për regjimin e ardhshëm, nën të cilin do të mbretërojë drejtësia sociale dhe liria politike. Arsyeja kryesore për kufizimet e lirive politike është mungesa e drejtësisë sociale.

5. Përsa i përket marrëdhënieve me kombet e tjera, Partia nuk do të udhëhiqet nga nacionalizmi i ngushtë egoist, por nga një patriotizëm i thjeshtë që përputhet me ndjenjat e respektit dhe dashurisë për kombet e tjera dhe do të mbështesë idenë e krijimit të një konfederate ballkanike sa më shpejt. sa më shumë që të jetë e mundur.

6. Një objektiv tjetër i Partisë është lufta kundër të gjithë pushtuesve për pavarësinë e Shqipërisë së bashkuar brenda kufijve të saj etnikë. Idealet e periudhës së Rilindjes ishin ende shumë të gjalla. Demokratët shikuan drejt tyre dhe gjetën thirrjen e tyre, pra idealet e evolucionit dhe përparimit. Njerëzit u ndërgjegjësuan për mundësinë e zhvillimit gradual. Megjithatë, paralelisht me këto ide, Revolucioni i Tetorit futi në Shqipëri ide të tjera revolucionare dhe grupe komuniste u shfaqën aty-këtu, ndonëse jo kudo në vend, të cilët u përmbaheshin parimeve të paqarta dhe jo uniforme. Pushtimi italian rezultoi në luftë më shumë se çdo gjë tjetër. Të gjithë ata që kishin emigruar nën Zogun, u kthyen në vend dhe donin të arrinin atë që të mundi në situatën e re. Ata ishin në favor të një lufte demokratike, të mbështetur nga aleatët, për ta bërë Shqipërinë një demokraci kushtetuese, në përputhje me pikëpamjet e të gjithë demokratëve në mbarë botën. Grupet komuniste ranë dakord dhe krijuan Partinë Komuniste Shqiptare, e cila mbështeti një luftë të armatosur të vazhdueshme dhe të pakompromis. Fati tragjik i demokratëve u la në udhëkryq. Ata ranë dakord me luftën e armatosur, por panë se Fronti, si forca drejtuese në vend, dominohej nga Partia Komuniste, e cila synonte marrjen e pushtetit. Elementi nacionalist përfaqësohej pak a shumë nga Balli Kombëtar, një organizatë heterogjene pa formë organizative specifike, por me një platformë të gjerë demokratike që e interpretonte të ardhmen e vendit si një demokraci parlamentare dhe jo nën komunistët. Ky grup njerëzish me prirje të ndryshme politike e konsideronte veten si patriotë të thjeshtë, pa asnjë kualifikim qoftë reformist apo të ngjashëm.

Komiteti qendror, i cili u përfol se ishte krijuar, u mblodh rreth figurës së Lumo Skëndos, djalit të Abdyl Frashërit, i cili përfaqësonte trashëgiminë e vendit, sepse ishte manifesti politik i Sami Frashërit që vazhdoi të frymëzojnë Shqipërinë demokratike. Kishte respekt të pafund për Lumo Skëndon. Ai ishte një figurë e njohur. Programi dhjetëpikësh i Ballit Kombëtar ishte mjaft demokratik.

Mbaj mend që fola me të një herë në librarinë e tij para se të hynte në ilegalitet. Ai u ankua se agjentët jugosllavë kishin hyrë në Shqipëri dhe po e merrnin vendin nga brenda. “Komunistët po mbahen duke u bërë premtime fshatarëve dhe punëtorëve të thjeshtë, Musine,” tha ai. “Jemi përballë mundësisë që gjithçka të shkojë në drejtimin e tyre dhe të ketë gjak. Unë jam kundër komunistëve, që po përhapin idetë e tyre këtu. “Mid’hat Bej”, i thashë, “ti flet vetëm për patriotizëm”. “Por kjo është çështja kryesore sot,” u përgjigj ai. “Nëse e marrim luftën apo presim taktikisht që të mos lëndohemi, është çështje patriotizmi. Komunistët nga ana e tyre përdorin patriotizmin dhe premtojnë se do të marrin pushtetin kur të çlirohet Shqipëria dhe kam frikë se do ta mbajnë këtë premtim”, shtoi ai. “Koha do ta tregojë,” u përgjigja. “Por fjala patriotizëm nuk mjafton për të frymëzuar fshatarët dhe punëtorët. Është thjesht një shpresë e kotë. Fjala patriotizëm, në thelb, i përket së shkuarës. E ardhmja kërkon ndryshime sociale dhe ekonomike që duhet të shkojnë paralelisht me patriotizmin.”

“Kur do të vesh sandale fshatare dhe do të shkoj fshat më fshat për ta shpëtuar fshatarin nga mjerimi dhe injoranca e tyre”, tha ai. “Por ju duhet ta thoni këtë tani, gjatë luftës. Ju duhet të vendosni stilolapsin dhe shpatën pas fjalëve tuaja.” “Rreziku kryesor janë komunistët,” tha ai. “E dini, nuk kam asgjë për të humbur sepse nuk kam asgjë përveç librarisë dhe disa sendeve personale që kam ndërmend t’ua lë trashëgimtarëve të mi. Por diktatura e kuqe do të jetë e pamëshirshme dhe lumenj gjaku do të rrjedhin. Do të ketë një masakër të vërtetë. Për mendimin tim, çështja nuk ishte aq te bashkimi i Ballit Kombëtar dhe Frontit Nacionalçlirimtar, por krijimi i një aleance demokratike bazë. Për këtë kam folur kur me Nehmije Xhuglinin (më vonë e njohur si Nexhmije Hoxha) dhe diskutuam se si të intensifikojmë luftën kundër pushtuesit. Unë sugjerova që ne mund të bashkoheshim në Frontin Nacionalçlirimtar jo si individë, por si një grup demokratik ose, më mirë akoma, si parti (socialdemokratët) që përfaqësonin rrugën e mesme që mund të tërhiqte forca të pavendosura dhe me ta, ne mund të bashkoheshim në një aleancë. me Partinë Komuniste si pjesë e Frontit Nacionalçlirimtar. Ajo nuk u pajtuan, duke thënë se nuk është koha për të krijuar parti të tjera, por për të luftuar pushtuesit. “Por cili është problemi?” Unë kundërshtova. “Ju jeni komunistë dhe merreni me çështjet sociale sipas koncepteve tuaja. Ne jemi demokratë dhe i trajtojmë çështjet sociale në mënyrën tonë, duke mos harruar sigurisht rëndësinë e luftës kundër pushtuesit”.

Takimet i bënim në shtëpinë e mësueses që merrte pjesë, si dhe Mefarete Frashëri, Afërdita Asllani dhe Gjokoroce. Tre të parët më mbështetën, ndërsa ky i fundit nuk tha asgjë. Në atë kohë punonim bashkë për të nxjerrë numrin e parë të një reviste të quajtur Gruaja Shqiptare. E kisha shkruar parathënien dhe kisha përgatitur një tregim të shkurtër të quajtur Hieja e djalit, por Nexhmije vazhdonte të bënte telashe. Ajo donte të ishte ajo që do të jepte të gjitha urdhrat që ne thjesht duhej të zbatonim, dhe të mos bënte asgjë tjetër. Kjo klimë ishte ajo që më shtyu përfundimisht të largohesha nga Fronti Nacionalçlirimtar përpoqa të bashkoheshim si grup dhe më pas të krijonim një Parti Socialdemokrate brenda tij, që të merrnim pjesë në luftën kundër pushtuesit. Në atë kohë, rastësisht hasa avokatin Skënder Muço, të cilin e kisha takuar te porta e burgut në vitin 1932. U njoha edhe me profesorin e letërsisë Isuf Luzaj dhe me gjuhëtarin e talentuar Selman Riza. Të gjithë ishin të shqetësuar për drejtimin që po merrte lufta, veçanërisht në rajonin e Vlorës, ku grupet e armatosura kishin filluar të debatonin me njëri-tjetrin dhe, sipas asaj që më thanë, komunistët i sulmonin dhe përpiqeshin t’i shpërndanin. Ndonëse të gjithë e respektonin Lumo Skëndon, ata dëshpëruan plogështinë e udhëheqjes së tij dhe donin organizim dhe unitet më të mirë. Në qarkun e Vlorës, autoriteti i Hysni Lepenicës, të cilit ata iu nënshtruan, konsistonte në përpjekjen për të gjetur një ekuilibër midis palëve që nuk pajtoheshin ose më mirë midis liderëve të tyre ambiciozë. E respektonin shumë, pasi njihej si modest dhe patriot. U qëllua dhe u vra në Grehot nga italianët.

Me këta burra, unë solla edhe një herë idenë e një koalicioni demokratik. Unë propozova që, duke u mbështetur në programin me dhjetë pika, të formojmë një Parti Socialdemokrate. Ata ranë dakord dhe, pas shumë debatesh, unë dhe Isuf Luzaj hartuam programin e partisë. Më pas zgjodhëm Skënderin për t’i marrë gjërat që andej. Unë shkova të bisedoja me Mid’hat beun, por ai nuk ishte aty, ndaj fola me Hasan Dostin, që ishte zëvendësi i tij. Dosti ishte një njeri i arsimuar, modest dhe i qetë, i cili vetë nuk tregoi ndonjë iniciativë të veçantë në këtë çështje, por thjesht tha se ishte dakord me çdo gjë që thoshte Mid’hat Beu dhe nuk shoi asgjë tjetër. E ngrita temën e themelimit të një Partie Socialdemokrate. Ai u përgjigj se Mid’hat Beut nuk i pëlqente kjo ide dhe nuk e miratonte. Unë kundërshtova se nuk kishim nevojë për miratimin e tij, sepse programi me dhjetë pika e parashikonte tashmë mundësinë. Më pas botuam një broshurë ku njoftonte krijimin e partisë. U zhvillua vetëm një takim, i cili u organizua nga Skënder Muço. U mblodhëm në një shtëpi në rrugën e Elbasanit. Fatkeqësisht, nuk më kujtohet emri i pronarit, cili ishte pjesëtar i Frontit. Rreth gjashtëdhjetë veta morën pjesë. Përveç të zotit të shtëpisë, ishte Qiriako Harito, anëtar i Frontit dhe shumë aktiv në të. Fjalën e hapjes e mbajti Skënderi. Ai shqyrtoi situatën, foli për luftimet e zhvilluara në qarkun e Vlorës, për domosdoshmërinë e bashkimit të popullit, për përpjekjet për të arritur një marrëveshje me Frontin për një luftë më intensive dhe për krijimin e një Partie Socialdemokrate (ne të katër ishim në grupin fillestar).

Kur ai mbaroi, më kërkuan të lexoja programin. Ishte një moment mjaft delikat. Pronari i shtëpisë foli: “Jemi anëtarë të Frontit, po punojmë, sakrifikojmë jetën. Ju thjesht po na përdorni si fasadë.” Ai ishte vërtet i zemëruar me idenë. Skënder Muço u ngrit me nxitim dhe u kthye nga ata të dy. “Epo, a do të na bashkohesh edhe ti në Partinë Socialdemokrate?” Qiriako Harito ishte në një pozicion mjaft të vështirë dhe i kapte fjalët. Shoku tjetër llomoti, duke vazhduar dhe dhe duke mos gjetur fund. Asnjë nga burrat nuk tha asgjë. Kështu u ktheva te Skënderi. “Ky është surogati i Sulo Kozelit dhe Sotir Polenës, të cilët më pyetën: “A je ti socialdemokrat?” “Po,” u përgjigja. “A keni shkaktuar përçarje në radhët tona?” pyetën ata. “Kush tha kështu? Ku është prova juaj?” u përgjigja unë. “Ju nuk keni luftuar,” thanë ata. “Ju nuk na dhatë mundësinë për të luftuar”, iu përgjigja unë. “Çfarë bëre, atëherë?” “Isha i zënë me shkrim. Kam botuar një libër për fëmijë.” “Nje liber?” u përgjigj i padituri Sulo Kozeli. “Lufta bëhet me penë dhe me shpatë. Ti përdor krahë, por nuk di të përdorësh stilolaps.” Më kthyen në qeli. Na dërguan në rrugën e Dibrës, ku më liruan, por më pas më arrestuan sërish. Këtë herë më vizitoi Beqir Balluku. Më 28 nëntor 1944, u lirova edhe një herë. Dy vëllezërit e mi të pafajshëm ishin vrarë. Isha në shtëpi gjatë çlirimit përfundimtar të vendit, por kisha frikë për jetën time. Kështu filloi tragjedia e një jetese demokratike nën diktaturën e proletariatit. Ajo shënoi fundin e periudhës së Rilindjes dhe të përpjekjeve demokratike të individëve humanë që donin të mbronin të varfërit, të mbronin punëtorët për t’i shpëtuar ata nga skllavëria fizike dhe intelektuale, për të mbrojtur dinjitetin e tyre njerëzor. Kishte filluar një epokë dhune dhe gjakderdhjeje që do të shkatërronte vetë konceptin e demokracisë; ishte koha e epshit për gjak.

Koncepti i ri i diktaturës së proletariatit, ndonëse fillimisht nuk u zbatua plotësisht, në periudhën e luftës dhe më pas u kontrast me konceptin e demokracisë progresive, iluministe. Ishte një pozicion oportunist i mbajtur nga shumë njerëz gjatë luftës antifashiste. Kampi demokratik, i përfaqësuar nga Balli Kombëtar, ishte tronditur, ndërsa Partia Komuniste që drejtonte Frontin Nacionalçlirimtar u përqendrua në një luftë të pandërprerë dhe të pakompromis me pushtuesit. Ata demokratë që u nënshtruan, iu bashkuan përpjekjeve të luftës dhe humbën rëndësinë e tyre politike, dhe ata që guxuan të ngriheshin në mbrojtje të pluralizmit politik shpejt u përballën me plumbin ose përfunduan në burg. Ata që mbetën me Ballin nuk luajtën më asnjë rol të rëndësishëm në luftë. Shqipëria kishte hyrë tashmë në fazën e pasluftës, në të cilën forcat e Lindjes dhe Perëndimit po përpiqeshin të ruanin pozicionet e tyre dhe grupet e brendshme nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të vendosnin për besnikërinë e tyre ndaj demokracisë perëndimore ose lindore. Njerëzit filluan të shqyrtonin se çfarë ishte në të vërtetë komunizmi dhe pyesnin fshehurazi (siç do të dilte më vonë) se çfarë drejtimi do të merrte Partia Komuniste dhe ata që udhëhoqën rezistencën, deri në çfarë mase do të pajtoheshin me njëri-tjetrin dhe me shokët e tyre sovjetikë. Me fjalë të tjera, se si marksizmi shkencor, i pavëmendshëm ndaj parimit të barazisë, do të funksiononte në një vend të vogël mes atyre që përpiqeshin për pushtet.

Më pas iu drejtova Sami Çeribashit: “Dhe po ju njerëz?” “Ne kemi lidhje me ata që janë ende duke luftuar në male.” “Pra, ju jeni në rezistencë, të katër, supozoj.” “Po, Shaban Balla, Çoku, Ali Kavaja dhe unë”. “Mirë. Ju keni forcat tuaja, objektivat tuaja, punët tuaja të brendshme. Unë nuk kam nevojë të di asgjë tjetër për ju. Unë jam një socialdemokrat. Unë kam shokët e mi dhe kemi një platformë dhe objektiva tona. Këto janë çështjet tona të brendshme. Të gjithë jemi mbledhur këtu këtë mbrëmje për të hartuar një shënim. Ne jemi një koalicion demokratik dhe duam të marrim pjesë në zgjedhje me parti të ndryshme. Pra, ne duhet të formulojmë një notë dhe t’u bëjmë thirrje aleatëve që të ndërhyjnë me qeverinë për të shtyrë zgjedhjet që ne të marrim pjesë në to. Nëse fitojmë apo humbim, do të vendosë populli”. “A jeni dakord,” e pyeta.

“Po,” u përgjigjën të gjithë me entuziazëm.

“Secili grup prej jush duhet t’i mbajë për vete idealet dhe sekretet e tij dhe të mos përfshihet në biznesin e të tjerëve.”

“Me të drejtë,” u përgjigjën të gjithë. Mora një stilolaps dhe formulova Shënimin.

Të katër zogistët, katër burrat e rezistencës, Musa Dizdari, një miku im me orientim socialdemokrat, dhe unë të gjithë firmosëm dokumentin. Për shkak se kisha insistuar që t’i mbajmë gjërat për vete dhe të mos përfshijmë njerëz të tjerë, shtova me shkrim dore edhe emrat e dy shoqëruesve të mi demokratë, duke menduar se nëse gjërat do të shkonin sipas planit, ata nuk do të ishin kundër kësaj. Nëse gjërat do të shkonin keq, ata nuk do të vuanin, dhe në të vërtetë nuk do të pësonin, sepse më vonë gjatë marrjes në pyetje deklarova se nuk kishin asnjë ide për koalicionin demokratik.

Një kopje të dokumentit Shaban Balla ua ka transmetuar anglezëve dhe një kopje tjetër amerikanëve. Unë fola me oficerin Palmer në një rast vetëm për të kërkuar mbështetjen e tij për këtë ndërmarrje nëse donin që zgjedhjet të ishin demokratike, siç pretendonin ata. Megjithatë, aleatët nuk ndërhynë fare me qeverinë. Ata heshtën. Ky do të kishte qenë një rast i vërtetë që ata të demonstronin se dëshironin zgjedhje shumëpartiake. E megjithatë, ata nuk bënë asgjë. Pse? Ndoshta sepse nuk donin që ne të arrestoheshim pasi do të na tregonin emrat. Reagimi i tyre ishte një gabim në çdo rast. Një nga një na arrestuan të gjithë dhe nuk mbeti njeri që të mbështeste idenë e shtyrjes së zgjedhjeve që ne të marrim pjesë në to. Tani na akuzuan për diçka shumë më të keqe: një komplot për të rrëzuar qeverinë. Nëse do të ishin plotësisht të sinqertë, anglezët dhe amerikanët nuk do ta kishin problem ta bënin të ditur se partitë demokratike nuk po lejoheshin të merrnin pjesë në zgjedhje. Ata kishin një dokument si dëshmi për ekzistencën tonë dhe zgjedhjet nuk ishin demokratike sepse partitë e tjera nuk morën pjesë.

Ata e humbën debatin publik dhe me heshtjen e tyre na bënë të akuzohemi për një krim të rëndë. Nuk dua të them se ne ishim viktima të tyre, sepse ishte vendimi im që të bëja një përpjekje të tretë për të formuar një Parti Socialdemokrate. Ata humbën sepse të tjerët punuan shumë drejt idealeve të tyre në mënyrë të organizuar; ata kishin luftuar dhe sakrifikuan. Epërsia e tyre morale ishte e padiskutueshme dhe e merituar, dhe rënia jonë ishte po aq e merituar. Shumë njerëz të mirë që erdhën pas nesh humbën jetën për asgjë. Më arrestuan më 23 janar 1946, menjëherë pas zogistëve dhe grupeve të rezistencës që u arrestuan më 10 janar. Hetuesi ngriti çështjen e Shënimit. Nesti Kerenxhi, Siri Çarçani, Edip Çuçi dhe Kadri Hazbiu ishin të përfshirë në akuzat e bëra ndaj meje. Nuk e kisha të vështirë të mbroja veten dhe ata u përpoqën shumë për të mbajtur akuzat e tyre për përpjekjen time për të rrëzuar qeverinë. Filloi marrja në pyetje. Më pyetën për Shënimin. Ata kishin folur tashmë me njerëz të tjerë para meje, por këta të fundit nuk kishin qenë aq të qartë sa të mbroheshin. E nisa si vijon: “Ne hartuam notën në emër të tre grupeve për t’ua dërguar aleatëve të cilët ju i lejuat të vëzhgonin votimin sepse supozohej të ishte demokratik. Ne e bëmë këtë që një koalicion demokratik me platformat e tij të ndryshme të prezantojë kandidatët e tij dhe që ne të marrim pjesë në zgjedhje, nëse ato mund të shtyhen për një kohë.

”Kurioz, – u përgjigj Nesti Kerenxhi, i cili ishte kreu i Sigurimit. “Ju vini nga një familje demokratike, antizogiste. Si arritët t’u bashkoheni këtyre monarkistëve?”

Ata nuk dhanë asnjë reagim, të pasigurt se çfarë duhet të thonë. “Ju u përpoqët të rrëzoni qeverinë,” thanë ata. “Jo, ajo që ne kërkuam ishte shtyrja e zgjedhjeve. Nuk kisha fare grup pas meje, vetëm dy burra. Si mund ta kishim rrëzuar qeverinë?”

“Ju po përdornit klasën në pushtet, duke përfituar nga forcat e tyre për të marrë drejtimin,” kundërshtuan ata. “Kjo nuk është e vërtetë. Unë as nuk e dija se çfarë forcash kishin. Po sikur të kishin shumë forca? Nëse nuk arritën t’ju likuidonin kur gjermanët ishin këtu, si mund ta bënin këtë tani?” “Ata, gjithashtu, ishin pas një shtyrjeje.” “Unë jam përgjegjës vetëm për atë që them vetë. Unë nuk mund të mbaj përgjegjësi për objektivat e njerëzve të tjerë. Nëse do të kishin mundur të rrëzonin qeverinë në pushtet, të jeni të sigurt se do të na fshinin edhe ne dhe idetë tona nga faqja e dheut.” “Pse nuk e dërguat notën qeverisë?” ata pyeten. “Ne nuk do të të kishim arrestuar.” “Nuk mund ta bënim këtë. Nëse do t’ia kishim dërguar notën qeverisë, njerëzit do të kishin pretenduar se ishte e gjitha e paracaktuar nga komunistët për të zbuluar se kush ishte pas grupit. Të gjitha grupimet dhe programet e tyre do të dilnin më pas. Nëse do të fitonin zgjedhjet, mirë, dhe nëse do të humbnin, gjërat do të përfundonin këtu. Me notën, ne donim të detyronim aleatët të mbanin një qëndrim. U dërguam shënimin me shpresën se do të shpallnin: “Në Shqipëri ka grupe që duan të marrin pjesë në zgjedhje. Zgjedhjet duhet të jenë të lira. Të gjithë duhet të lejohen të marrin pjesë.’ Por ata nuk e bënë këtë, dhe tani kam detyrën e vështirë të justifikoj përmbajtjen e shënimit.” “Ju po mbillni farat e përçarjes.”

“Aspak. Ne nuk drejtoheshim nga elementë brenda Frontit. Më trego personin që do të deklarojë se po nxisnim telashe! Ne donim që Fronti të udhëhiqej nga një parti, Partia Komuniste, ose Partia Socialdemokrate ose një tjetër. “Ne ishim ata që po luftonim”, thanë ata. “Kështu ishim edhe ne. Ndoshta jo me armë, por në mënyra të tjera. Ne nuk kemi bashkëpunuar me pushtuesit. Ju e dini mirë se unë nuk kam bërë asgjë kundër jush dhe as kam bashkëpunuar ndonjëherë me pushtuesit. Ju do të më dënoni, jo se jam fajtor për asgjë, por sepse ju komunistët nuk do të lejoni asnjë parti tjetër dhe për ta justifikuar këtë pretendoni se ne po përpiqeshim të rrëzonim qeverinë. Unë jam i pafajshëm. Unë nuk jam komunist dhe kjo në vetvete nuk është krim. Ju fituat zgjedhjet dhe unë kam përfunduar në burg. Më arrestove dhe thua se jam fajtor. Nuk mund ta pranoj këtë.” “A dëshironit të kishit ambientet tuaja botuese?” ata pyeten. “Po,” u përgjigja. “Por kush do të kishte bashkëpunuar me ju në këtë shtyp?” “Çfarë pyetje pa kuptim. A nuk mund të shtypim një gazetë? Nëse do të kishim fituar, do të kishim botuar një gazetë në të cilën njerëzit do të kishin shprehur mendimet e tyre. Më pas do të shihni se kush po shkruante. Ju kurrë nuk deklaruat se të gjithë duhet të ishin komunistë. Ju thatë se po mbroni shtypin e lirë.” “Dhe ju mbroni shtypin fashist.”

“Unë nuk jam fashist. Unë jam për një kulturë demokratike. Unë jam ndjekës i të nderuarit Sami Frashëri. Unë nuk jam komunist. Është diçka që nuk e kuptoj.” “Le ta përfundojmë këtë. Po të kishe dërguar notën në qeveri, nuk do të ishe arrestuar. Nuk e kishit menduar ndonjëherë se do të përfundonit në burg?” “Isha pothuajse i sigurt për këtë. Por të paktën e di pse jam në burg. Nëse jam dënuar gabimisht, do ta di edhe këtë.” Pozicionin tim e mbrojta edhe me shkrim. Prokurori i shtetit Gjon Banushi dhe gjyqtari Frederik Nosi përsëritën akuzat e tyre në gjykimin e zhvilluar në Gjykatën e Lartë dhe unë i mbrojta idetë e mia deri në fund. Gjyqi special filloi më 2 qershor. Kryetar i trupit gjykues ishte Frederik Nosi dhe prokuror i shtetit Nefzat Hasnedari. Filluan me grupin e Sami Çeribashit, pastaj monarkistët dhe në fund me mua. Gjykatësi pyeti: “Kush e shkroi shënimin?” “Musine bëri,” thanë ata. “A është e vërtetë kjo, Musine?” “Po,” u përgjigja. “Kush i shtoi emrat e tjerë?” “Musine,” u përgjigjën ata. “A eshte e vertete?”“Po, – iu përgjigja, – shtova emrat e të gjitha grupeve që donin të merrnin pjesë, me platformat e tyre politike”. “Por kishte katër persona në secilin grup, kështu që pse e bëtë të gjithë punën vetëm?” pyeti gjyqtari. “Katër ishin të mjaftueshme për secilin grup. Sa më pak ishin, aq më pak mund të përfundonin në burg. Por të gjithë ishin të lirë të merrnin pjesë.” Erdhi dita e llogarisë dhe unë e gjeta veten në bankën e të akuzuarve. Unë shkova përpara te mikrofoni. Gjyqtari Frederik Nosi më pyeti: “A i pranoni akuzat?” “Sipas logjikës tuaj politike, po. Sipas timeve, jo.” “Mjaft me sofizmat tuaja!” bërtiti Frederik Nosi. “Nuk ka kuptim të më pyesni mua atëherë. Lexo dokumentet e gjyqit, – deklarova i kënaqur me veten time dhe u ula në vendin tim. Fjalët përmbyllëse ishin të ashpra. Çfarëdo që diskutohej, më kthehej gjithmonë. Mendova se do të më dënonin me vdekje. Përveç kësaj, prokurori më akuzoi për mëkatet e të tjerëve Më pas erdhi dita që të akuzuarit të mbroheshin. Unë e refuzova avokatin dhe përgatita mbrojtjen time. Ata nuk e kishin idenë se çfarë po bënin. Prokurori më akuzoi se kisha krijuar një grup për të rrëzuar qeverinë dhe bëri thirrje që të më dënonin me tridhjetë vjet burg. Me fjalën në dorë, iu afrova mikrofonit dhe fillova të lexoj si vijon: “Këtu në këtë gjyq janë tridhjetë e gjashtë persona të akuzuar. Katër grupe, tre prej të cilave kanë vetëm një gjë të përbashkët – një shënim dërguar aleatëve në mënyrë që zgjedhjet të shtyhen dhe një koalicion demokratik të mund të marrë pjesë në to. Nuk bëhej fjalë për rrëzim të qeverisë. Ishte thjesht për zgjedhje demokratike.” Të dy gjyqtari dhe prokurori u ngritën në këmbë dhe më ndërprenë. “Ne nuk do t’ju lejojmë të vazhdoni me këtë mbrojtje.” “Nëse më ndaloni dhe nuk lejoni një të burgosur të mbrohet, unë do të ulem sepse nuk kam zgjidhje tjetër”, thashë. U ktheva në vendin tim. Menjëherë pas kësaj, oficeri Manoli erdhi dhe më konfiskoi mbrojtjen ia dhashë.

Më kërkuan një fjalë përmbyllëse. Kërkova drejtësi. Gjyqi zgjati 15 ditë. Në fund, gjykatësi më dënoi me njëzet vjet dhe më burgosën. Në burg kishte pak gra, kryesisht kriminelë të vegjël. Rregulloret filluan të zbatoheshin me ardhjen time. Vizitat nuk lejoheshin më në portë. Mund të flisje vetëm nga një dritare e vogël në vetë portën. Shumë njerëz erdhën për të më vizituar, por ata i linin vetëm anëtarët e familjes të flisnin me mua. Tre muaj më vonë, më izoluan në një qeli nën shkallët që të çonin në zyrën e drejtorit. Një nga të burgosurit, të cilin e shihja nga dritarja ime e vogël në oborrin e burgut, më tha se po merrnin në pyetje Xhemal Farkën për mua. e kuptova. Ai nuk tha asgjë për mua dhe unë nuk thashë asgjë për të. Në vitin 1947, kur u arrestuan deputetët, më vunë sërish në izolim. Jonuz Mersini erdhi nga komanda e përgjithshme për të më parë. “Fol,” urdhëroi ai. Unë iu përgjigja: “Çfarëdo që bëra është në transkriptin e gjyqit. Nuk kam asgjë tjetër për të thënë.” Vinte vërdallë edhe Kadri Hazbiu. Ai më tha: “Nuk po flet sepse ke frikë se do të të qëllojmë”. “Asnjë humbje. Do të jetë fundi i vuajtjeve të mia.” “Ti je ai që dëshiron të jesh në burg.” “Jam këtu pa e pyetur. Nëse je penduar që nuk më ke torturuar më herët, më ke akoma tani. Nëse doni të më qëlloni, unë jam në dispozicionin tuaj. Nuk ka kush të më mbrojë. Ju e keni mjekuar aktakuzën dhe mund të bëni çfarë të doni.”Më mbajtën në izolim ditë e natë në errësirë për një vit. Në tualet hasa në një gazetë dhe mësova se vendi ynë i kishte prishur marrëdhëniet me Jugosllavinë. Ishte mbajtur seanca e tetë plenare dhe më kishin thirrur të bëja një prezantim të shkurtër të platformës socialdemokrate. Në shtator 1948, më çuan nga burgu në një gjykatë speciale dhe u habita nga gjithçka që më akuzuan. Unë thashë se nuk e di se për çfarë po flisnin. M’u kujtua ajo që më kishte thënë dikur një oficer: “Nëse do t’i besojmë gjithçka që njerëzit thanë për ty, do të të kishim varur të paktën tre herë”. Në gusht të vitit 1949 në krye ishte Halim Xhelo. Me Erifilin më dërguan në burgun e Burrelit. Ishte kohë provokimesh. […] Unë dola nga burgu më 8 tetor 1961. Rrugës për në Rrëshen ndërruam automjetet katër herë, gjithmonë të shoqëruar nga të njëjtët dy policë. […] Nëna ime erdhi të jetonte me mua atje, por ne ishim shumë të izoluar nga të gjithë të tjerët. Ata nuk do të na thoshin më shumë se ‘përshëndetje’ dhe kaq ishte. Këtu filloi një epokë vuajtjesh dhe punës së rëndë. Dy vjet më vonë, nëna ime vdiq në Tiranë, ku kishte shkuar për një vizitë për disa ditë. Më dhanë leje 24-orëshe për të marrë pjesë në funeralin dhe e pashë të vdekur, për herë të fundit. […] Rrëshen, dhjetor 1972 [Ekstrakt nga: Si u formua Partia Social-Demokrate. Redaktuar nga Platon Salim Kokalari.

Foto: www.scienceandmediamuseum.org.uk

Filed Under: Interviste

Kalendar – Gazeta historike e Kosovës “Rilindja” nuk u ndal edhe kur e ndaloi Serbia okupatore…

August 7, 2024 by s p

-Mëngjesi i 8 Gushtit 1990 Kosovën e gjeti pa gazetën e vet tradicionale Rilindja, të vetmen të përditshme shqiptare në atë kohë që botohej në Prishtinë, në terrin e natës së gjatë të okupimit forcat serbe e kishin ndaluar në Shtypshkronjë. Por, gazeta historike Rilindja edhe kur u ndalua nuk u ndal…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 8 Gusht 2024/ Në Kosovë para 34 viteve edhe helikopterët e forcave okupatore të Serbisë me fluturime mbi Pallatin Rilindja në Prishtinë – shtëpinë e gazetës tradicionale shqiptare Rilindja ishin pjesë e shtetrrethimt. Në 8 Gusht 1990, gazeta Rilindja – në atë kohë e vetmja e përditshme në gjuhën shqipe e Kosovës nuk doli, natën ishte ndaluar dhunëshëm në shtypshkronjë, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënin shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën, e edhe pas ndalimit nuk u ndal…

As nuk ishte ndalur, gazeta Rilindja kishte dalur më shumë se një muaj përkundër masave të dhunëshme të Serbisë, që e përfshinin edhe ate në ditën e 5 Korrikut 1990 të suprimimit të institucioneve të Kosovës e mbylljes së Radio Televizionit të Prishtinës. “Okupim klasik”, ishte reagimi dhe kundërshtimi i Rilindjes në komentin në faqen e parë në ditën e 6 Korrikut. Beogradi, edhe pse në ditën e masave të dhunëshme kishte marrë vendimin, kurrë nuk arriti ta bëjë gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë”. Asnjë punëtor i gazetës Rilindja nuk e pranoi këtë, të gjithë e kundërshtuan dhe e hodhën poshtë. Kryeredaktor i gazetës Rilindja vazhdonte të jetë Nazmi Misini, i mbështetur nga punëtorët e ndërmarrjes, që nuk pranuan dhe kundërshtuan fuqishëm masat e dhunëshme të Serbisë.

Masat e dhunëshme pasonin 2 Korrikun historik 1990, kur në shtetrrethim dhe para snajperëve serbë, Kosova me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj shpallte Pavarësinë, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Në prag të ditës së Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të dielën e 1 Korrikut, në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja isha redaktori kujdestar për ngjarjet e ditës.

Në atë ditë të 1 Korrikut 1990 pjesë e sulmeve të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve ishte edhe një “referendum për Kushtetutën e re serbe” të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpallja e “shtyerjes” së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmërur për 2 Korrik, e për të cilën përfaqësuesit e popullit-delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për Deklaratën Kushtetuese…

“Shtyrja” shpallej si vazhdimësi e bllokimeve e ndërprerjeve të punimeve të Kuvendit të Kosovës…“Reprizë nuk do të ketë”, me këtë titull shkruajta komentin në mbështetje të delegatëve që të mbahet gjithësesi mbledhja e Kuvendit me axhendë vullnetin e kërkesat e popullit – Deklaratën Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës.

“Kuvendi i Kosovës është i popullit dhe në të mund të vendoset vetëm sipas vullnetit e kërkesave të popullit”, theksonte komenti që u botua në numrin e 2 Korrikut 1990 të gazetës Rilindja, e cila që nga faqja e parë kishte raportime e shkrime me tiujt “Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”, “Populli vendosë në Kuvendin e vet”, “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit”…

Raportohej se “vazhdojnë tubimet legale dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë” dhe se “kërkesë unanime” ishte që mbledhja e Kuvendit të Kosovës “të mbahet sot dhe të ketë në rend dite këkesat gjithëpopullore”. Poashtu raportohej se në Gjakovë përfundoi Kongresi i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili përkrahu delegatët e Kuvendit të Kosovës edhe për iniciativën për shpalljen e Kushtetutës së re të Kosovës, e cila Kushtetutë e Republikës së Kosovës e miratuar në 7 Shtator 1990 pasonte Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut të po atij viti.

Edhe në një film dokumentar të shfaqur në seancën solemne të Kuvenditë të Kosovës në 25 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese shihej gazeta Rilindja në duart e delegatëve, në mbledhjen para dyerëve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës të 2 Korrikut 1990.

Rilindja ishte me delegatët e Kuvendit të Kosovës në ngjarjen historike për të cilën raportoi gjerësisht me ekip gazetarësh e fotoreporterësh dhe kishte edhe redaksionalin tim me titull “Fillim i së nesërmes”, të botuar në ballinë në 3 Korrik 1990, ku theksonte se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota”…

Në ditën kur Serbia ia ndaloi Kosovës gazetën e vetme të përditshme në gjuhën shqipe Rilindja bëja edhe një shkrim rezistence e proteste. “Rilindja e popullit jeton edhe e pashkruar”, me këtë titull shkruaja reportazhin herët në mengjesin 8 Gushtit 1990 duke ecur rrugëve e shesheve të Prishtinës dhe duke përshkruar reagimin e popullit në nisjen e ditës pa gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja.

Me reportazhin e shkruar rrugëve më shumë në mendje e në fragmente me laps në një copë letre, përkundër ndalimit shkova në Pallatin Rilindja dhe pasi e daktilografova me makinë shkrimi nga redaksia e gazetës ngjita shkallëve të kateve më lart për te kryeredaktori i revistës për kulturë Fjala, Milazim Krasniqi.

I tregova reportazhin dhe idenë që bashkë me lajmet kryesore që do i merrnim nga terreni nga korrespondentët e gazetës Rilindja (në atë kohë isha redaktor-shef i korrespondentëve) t’i botonte në Fjala. Revistën Fjala, për herë të parë edhe si gazetë, e nxori që të nesërmen, pa pritur dyjavëshin kur dilte.

Në katër faqet e mesme me reportazhin dhe lajmet e ngjarjeve të ditës ishte “Rilindja e fshehur brenda Fjalës”, siç thonin shumë njerëz që e mbanin në duar e lexonin revistën që u botua e shtyp në tirazh rekord.

Botimi i shkrimeve-informacioneve të gazetarëve të gazetës së ndaluar Rilindja që e nisi së pari revista Fjala me shpeshtime daljesh edhe si gazetë vazhdoi edhe te revistat tjera – Shkëndija, Kosovarja, Zëri i Rinisë…dhe për të pasur informacione edhe në ndonjë ditë më shumë gjatë javës doli edhe ideja që të nisë të ridalë edhe revista Bujku, e cila ishte e përdymuajshme për fshatin e bujqësinë dhe kishte vite që nuk kishte dalë fare. Fjala, Shkëndija, Kosovarja, Bujku e të tjera revista ishin të Ndërmarrjes së Revistave, që ishte një nga gjashtë ndërmarrjet sa kishte Ndërmarrja Shoqërore e Përbërë Rilindja, pjesë e së cilës dhe më e madhja ishte Gazeta Rilindja…

Ishte 17 Janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës Bujku dolën disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor të revistës, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës Rilindja…

Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrë Bujkun, jo si revistë, por si gazetë dhe të përditshme “përkohësisht”.

Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persek…Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen që filloi të tronditë botën – fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”.

Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd – kryeqytetin e federatës së atëherëshme, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës Bujku shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen e ndaluar.

E nxjerrë pikërisht nga gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja, me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale, Bujku ishte gazetë e rezistencës, e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik.

Gazeta e përditshme Bujku doli deri në prag të vitit 1999, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.

Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme Rilindja në Prishtinë, duke punar nëpër shtëpitë e tyre, dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli nga 22 Shkurti derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova. Kryeredaktor i gazetës Rilindja që dilte në Prishtinë në kohë lufte në Kosovë ishte Binak Kelmendi, e para tij kryeredaktorë të gazetës Bujku, pas të parit – meje, ishin edhe Xhemajl Rexhepi, Ruzhdi Demiri, Hydajet Hyseni e Avni Spahiu.

Ekipi Rilindjes, ku ishim bashkë me korrespondentin në Maqedoni Bedri Sadiku, hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 Qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup, të cilën e solli prej atje korrespondenti i Zërit të Amerikës, Isak Ramadani bashkë me gazetarin tjetër nga Shkupi, Arben Ratkoceri.

Në faqen e parë, ku shkruhej se “Dje në orën 5.17 Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”, editoriali i Blerim Rekës kishte titullin “Normandizimi i Kosovës dhe kapitullimi serb”.

Në Kosovën e lirë, gazeta Rilindja u rikthye në Prishtinë dhe vazhdoi të dalë përditë, kryeredaktor fillimisht ishte Berat Luzha, pastaj Ramush Tahiri dhe i fundit isha unë.

Gazeta Rilindja nuk u ndal, vazhduam të punojmë e ta nxjerrim edhe kur administratori i UNMIK për të na bërë presion të largohemi na e ndali ujin në Pallat disa muaj dhe na jepte afate ultimative për vetëlargim, që nuk i pranuam. Edhe në ato kushte, gazeta Rilindja doli përditë deri në 21 Shkurt 2002, kur na ndalën edhe rrymën elektrike dhe pastaj na i mbyllën me grila hekuri të gjitha hyrjet në Pallatin e Rilindjes.

Gazetën Rilindja e dëbuan e mbyllën kundërligjshëm e padrejtësisht pak ditë pasi festoi 57 vjetorin, ditën e saj – 12 Shkurtin.

Në numrin festiv të Rilindjes së 12 Shkurtit 2002 në faqen e parë “‘Sundimi i Ligjit’ apo ‘Sundimi i Bandave’? Kosova Duhet të Vendosë”, ishte titulli i shkrimit ekskluziv nga Ambasadori Xhon Menzis, Shef i Misionit, Zyra e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

“Sot shënohet 57 vjetori i gazetës ditore ‘Rilindja’, gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në Kosovë”, niste ambasadori amerikan shkrimin-editorialin, ku mes tjerash theksonte edhe se, “si shef i misionit të Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë, unë e di mirë rolin që e ka ‘Rilindja’ në shoqërinë demokratike që është duke u krijuar në Kosovë”.

“Në këtë përvjetor të 57-të të gazetës ‘Rilindja’, e uroj Z. Behlul Jashari, Z. Ramush Tahiri dhe gjithë kolektivin për punën e mirë që e bëjnë me shkrimet mbi çështjet e ndërlikuara politike në Kosovë, shkrime këto të drejta dhe të balancuara. Nuk është punë e vogël të botohet një gazetë për 57 vite me radhë dhe ju mund të jeni krenarë që e keni arritur këtë. Ne duhet të punojmë së bashku duke përdorur fuqinë e penës, fuqinë e diplomacisë dhe fuqinë e opinionit publik në mënyrë që të sigurojmë mosndryshimin e vazhdimësisë së përparimit demokratik të Kosovës, dhe që sundimi i ligjit do të mbizotërojë gjithnjë mbi sundimin e bandave”, theksonte në përfundim të editorialit Ambasadori Amerikan Menzis…

Edhe pas dëbimit, përsëri Rilindja nuk u ndal, me punë nëpër shtëpia si në kohë lufte, për të ruajtur emrin e traditën e për të vijuar të jetë histori e Kosovës, doli në raste të veçanta me numra të jashtëzakonshëm e protestues, të kohëpaskohëshëm, edhe kur kishte festa.

Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së Pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e afër 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 Dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, në ballinë me kryetitullin e ëndërres dhe të ardhëmes: Kosova shtet në OKB. Dhe me paralajmërimin: Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë.

Pas 10 vitesh nga botimi i fundit i printuar në letër, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në ndërrim motesh – në mbrëmjen e 31 Dhjetorit 2018 të pritjes së 2019-tës, ridoli simbolikisht (botim digjital) për protestë dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim, sipas shembullit të gazetave në rajon e në botë që kishin status të njëjtë ndërmarrje shoqërore e që janë privatizuar e vazhdojnë të dalin…

Gazeta shqiptare tradicionale e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 79 viteve, në 12 Shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.

“Shkronja për Rilindjen dërgoi Tirana pasi në Shtypshkronjën e Rilindjes në Prizren nuk kishte shkronja të mjaftueshme të derdhura në plumb për shkrim në gjuhën shqipe”, kam shkruar në monografinë “Rilindja 60 vjet”, botuar shtojcë speciale e gazetës në 12 Shkurt 2005.

Në monografi theksohet se, “numri i parë i gazetës Rilindja, që kishte katër faqe, u radhit me dorë për rreth 72 orë dhe për këtë u deshtën katër arka shkronja shqipe të derdhura në plumb, që u sollën nga Tirana”.

“T’i përvishemi punës…”, ishte kryeartikulli në ballinë i numrit të parë të gazetës Rilindja, që mbanë datën 12 Fruer (Shkurt) 1945 e që kishte çmimin edhe 1 Lek, e që sipas shkrimeve Kosovën e përcaktonte si një vend të veçantë.

“Jehona e vendit” ishte rubrika, ku janë të botuara 6 lajme e informata nga Kosova, e të 4 lajmet e tjera janë të jashtë vendit nga fronte të ndryshme të Luftës së Dytë Botërore, që ende vazhdonte (Froni i Lindjes, i Perëndimit, i Jugosllavisë dhe ai i Italisë)…

Edhe pse pati dëbime e mbyllje të dhunëshme, gazeta tradicionale e historike Rilindja arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare.

Edhe sot, si në raste tjera pas ridëbimit e rimbylljes së gazetës Rilindja, e shohim të nevojshëm një sqarim për opinionin: Ndonjë portal që ka “huazuar” emrin, po edhe logon, nuk është as nuk mund të jetë gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila mund të ridalë vetëm në një proces të ligjshëm privatizimi, ku të gjithë punëtorët e saj realizojnë të drejtat e tyre, ashtu si është kërkuar edhe në shkresat drejtuar institucioneve të Kosovës.

Kërkesa për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila është themeluar si një organ i pavarur publik, në bazë Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e themeluar nga UNMIK – Misioni i OKB i pas luftës në Kosovë.

Në arsyetimin e kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 Shkurt 2014.

Ndërmarrja Shoqërore Gazeta Rilindja në vitin 2017 ka hyrë në procesin e likuidimit, gjatë të cilit punëtorët e saj kanë bërë kërkesat e tyre bazuar në ligje në Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, e edhe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës…

NGA ARKIVI I GAZETËS TRADICIONALE TË KOSOVËS RILINDJA:

VLERËSIMI DHE PËRKRAHJA E PRESIDENTIT HISTORIK RUGOVA PËR RILINDJEN EDHE NË INTERVISTA EKSKLUZIVE

“Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”, citoja kështu Presidentin Dr. Ibrahim Rugova në kryetitull të ballinës së gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në fundvitin 2002, në intervistën ekskluzive që kisha zhvilluar pas kthimit nga festimet në Vlorë të 28 Nëntorit dhe takimit që kishte me Sekretari Amerikan të Shtetit Igëllberger. Në Rezidencën Presidenciale në Velani – Prishtinë Presidenti Ibrahim Rugova mbante në duarë dhe në tryezë gazetën Rilindja botim special festiv për jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë…

“‘Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, e vlerësonte gazetën e rezistencës Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në funddhjetorin 2002 në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë, të cilën administrata e UNMIK e kishte dëbuar kundërligjshëm e padrejtësisht nga Pallati Rilindja në 21 Shkurt 2002.

Pjesa përmbyllëse e intervistës së gjatë botuar në gazetën Rilindja në 31 Dhjetor 2002 ishte kjo:

RILINDJA: Z. President, falemnderit për këtë intervistë për botimin special të gazetës “Rilindja” për Vitin e Ri. Kemi edhe një falënderim të madh për Ju zoti President i Kosovës për mbështetjen dhe angazhimet për një zgjidhje institucionale për gazetën tradicionale të Kosovës “Rilindja”, të cilës shpresojmë se së shpejti do t’i krijohen kushtet dhe mundësitë të rifillojë botimin e rregullt. Mendojmë që është një rast shumë i mirë që “Rilindja” të rifillojë botimin e rregullt në ditën e përvjetorit të saj të 58-të, më 12 shkurt 2003. Shfrytëzojmë rastin, dhe kemi nderin dhe kënaqësinë, që qysh tash t’Ju ftojmë në festën, në solemnitetin që do të bëjmë, edhe për Ditën e Rilindjes edhe për rifillimin e botimit të gazetës “Rilindja”.

PRESIDENTI RUGOVA: Unë ju kam premtuar përkrahje edhe më herët. Duhet të shikojmë, po flas praktikisht, si ta aktivizojmë gazetën, që ka një traditë. S’po flasim më shumë, e dimë të gjithë.

Pastaj, me emrin “Bujku”, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë, pra derisa bëmë edhe Televizionin Satelitor. Kjo ka qenë shumë e rëndësishëme. Pra, ishte një bazë e informimit në Kosovë. Dhe, një mirënjohje për ju dhe të gjithë ata që në këto vite të vështira punuan dhe mbajtën të gjallë informimin në Kosovë.

Duhet të shikojmë praktikisht si të aktivizohet gazeta “Rilindja”, t’i sigurohet vendi. Duhet të bisedohet dhe të shihen mundësitë. Edhe zyra ime për informim do të interesohet për këtë çështje; besoj edhe komisioni për media i Parlamentit, që është krijuar tash së voni, edhe institucionet e tjera. Duhet parë punën e statusit të “Rilindjes”. Ju mund të jeni si gazetë e pavarur, por duhet të shikojmë sa mund të ndihmoheni nga institucionet tona.

Është shumë mirë që gazeta “Rilindja” edhe në këto kushte gjatë kësaj kohe të fundit ka dalë me botime të kohëpaskohshme për ngjarje e data të rëndësishme, duke vazhduar të jetë histori e shkruar e Kosovës, dhe ruan në një mënyrë vazhdimësinë deri në rifillimin e botimit të rregullt.

RILINDJA: Z. President, Ju falënderojmë shumë për këtë përkrahje të madhe për “Rilindjen”. Shfrytëzojmë rastin, kemi nderin dhe kënaqësinë, që t’ Ju urojmë: Gëzuar Vitin e Ri 2003, më shumë shëndet, mbarësi, suksese për Ju dhe gjithë Kosovën.

PRESIDENTI RUGOVA: Urime, poashtu, edhe Juve, me shumë suksese dhe për punën që po bëni, për “Rilindjen”, që ta kemi së shpejti përditë. Falemnderit.

Gazeta Rilindja e ditës së 60 vjetorit të saj – 12 Shkurtit 2005 botonte edhe një intervistë tjetër ekskluzive me Presidentin Ibrahim Rugova me titulliun në ballnë “Pavarësia e Kosovës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe do ta qetësojë rajonin”.

Me rastin e pritjes që më bëri në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues – Kryeredaktorit Presidentit Rugova i dhurova Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të Rilindjes, punar me ar e argjend nga zejtarët e Prizrenit, qytetit ku ka dalë numri i parë i gazetës tradicionale e historike të Kosovës.

Presidenti Rugova uroi për Jubileun e gazetës Rilindja gjashtë dekada në jetën dhe në familjet e kosovarëve, duke u shprehur, mes tjerash:

“Unë Ju përgëzoj për këtë përvjetor Jubilar, pra 60 vjetorin e Rilindjes, dhe dëshirojmë që kjo gazetë sa më shpejtë të konsolidohet. Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Ne duhet të kemi edhe mjete të informimit të formave të ndryshme, mund të gjejë, ta ketë atë formën të një informacioni dhe prezentimi të çështjeve shtetërore, nëse nesër do ta pranojë Rilindja apo dikush tjetër. Dhe, gjithsesi do të gjendet në mozaikun e masmediumeve të Kosovës. Ne do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe do të ndihmojmë në këtë plan dhe do t’ju përkrahim. Rilindja është një gazetë që është një pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar zhvillimin e Kosovës në përgjithësi. Natyrisht, tash edhe Rilindja duhet të gjendet në këtë çështjen e tregut të mediumeve. Dhe, duhet t’i ketë ato të drejtat që i takojnë si shtëpi botuese, ose si shtëpi informacioni. Sepse ishte një gjigant i masmediumeve, i botimeve për atë kohë, e sot, tash, duhet ta gjejë rolin e vet si gazetë, e të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës. Prandaj, do të keni përkrahjen tonë dhe do të shikojmë gjitha mundësitë administrative si do të ecin.

Pra, Urime edhe një herë dhe Gëzuar!”

RILINDJA PËR 17 SHKURTIN HISTORIK 2008 TË PAVARËSISË SË KOSOVËS

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha, për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: Rilindja ju uron shpalljen dhe njohjen e Kosovës Shtet i Pavarur.

(Behlul Jashari – në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja nga Shtatori 1973 – gazetar, reporter i lirë, komentator, redaktor, kryeredaktor i parë-themelues i gazetës së përditëshme të rezistencës Bujku që nisi të dalë në 18 Janar 1991 dhe kryeredaktor nga Janari 2002 i gazetës Rilindja, e cila me numrin e fundit të shtypur ka dalë në 30 Dhjetor 2008…)

Filed Under: Interviste

FORCA E KARAKTERIT DHE LIDERSHIPI

August 5, 2024 by s p

Nga Evarist Beqiri/

“Një njeri duhet të bëjë atë që duhet – pavarësisht pasojave personale, pavarësisht pengesave, rreziqeve dhe presioneve – dhe ky është thelbi i dinjitetit njerëzor.” – John F. Kennedy

Lidershipi kërkon atë që Aristoteli e quante “përsosmëria e karakterit” (êthikai aretai) apo virtytet morale. Nëse do të vlerësojmë lidershipin e dikujt, kollona kryesore përbërëse e lidershipit individual është fuqia e karakterit të tij. Lidershipi është një kombinim midis fuqisë së karakterit dhe strategjisë. Në këtë kombinim karakteri merr më tepër rëndësi. Karakteri është thelbi i lidershipit. Zgjuarsia dhe strategjia ka rëndësinë e saj, por pa karakterin e fortë ato nuk të shërbejnë shumë. Ismail Qemali besonte se udhëheqësi duhet të jetë i drejtë dhe i duruar, në këtë mënyrë mund të qeverisë lehtësisht edhe në rajone të vështira si ato lindoret. Marrëdhënia e shëndetshme e besimit që ai arrinte të krijonte me popullsinë e vendit ku qeveriste, do t’i vinte në ndihmë edhe në momente të vështira të karrierës. Lideri duhet t’i luftojë gjithmonë padrejtësitë. Martin Luther King Jr. thoshte se: “Padrejtësia ndokund është një kërcënim për drejtësinë gjithkund.” Sjellja dhe qëndrimi që ne mbajmë janë shpirti i lidershipit. Ato dalin në pah, sidomos në situata krizash, kur marrja e vendimeve të caktuara vështirësohet. Lideri karakterizohet nga mbajtja e një qëndrimi, që e dallon atë prej kujtdo tjetër, përfshirë këtu edhe ndjekësit e tij. Sepse qëndrimi është ajo gjëja e vogël që bën dallimin e madh në të tilla raste.

Ismail Qemali shërbeu në Perandorinë Osmane në disa poste të larta. Për dyzet vjet me radhë, ai vuri në shërbim të Perandorisë zgjuarsinë e tij të madhe dhe karakterin e tij të drejtë. Përgjatë shërbimit publik, ai shfaqi integritet të rrallë. Më tepër se ç’preferonte titujt apo postet, ai ka parapëlqyer të thotë haptas mendimin e tij, duke vuajtur edhe pasojat…

Më 14 dhjetor 1891, Ismail Qemali u emërua në postin e guvernatorit të vilajetit të Bejrutit në Liban. Përgjatë kësaj periudhe ai do të shërbente edhe si Guvernator i Përgjithshëm ad interim i vilajetit të Sirisë në Damask. Ndërkohë, më 12 korrik 1892, atij i erdhi një telegram nga sulltani, ku i kërkohej të kthehej menjëherë në Stamboll, sepse do të ngarkohej me një mision të rëndësishëm. Pas qendrimit 8 mujor si guvernator i Bejrutit, ai u largua në fund të gushtit 1892. Populli i Bejrutit ndjeu keqardhje për largimin e Ismail Qemalit, por, nga ana tjetër, ata u gëzuan, sepse kujtuan se ai po thirrej për të marrë postin e Vezirit të Madh. Ata i dhuruan si kujtim një album, të veshur me ar dhe me gur smeraldi në mes. Albumi ishte i mbushur me fotografi nga vendi dhe monumentet e tij.

Kësaj periudhe i përket edhe rrëfimi i personalitetit të shquar libanez, diplomatit, shkrimtar dhe gazetarit Emin Arslan. Ai i përkiste një familje të shquare druzësh, të cilit mbajnë titullin e Emirit. Njëkohësisht Emin Arslan shërbeu si konsull i Perandorisë Osmane në disa shtete. Ai ka rrëfyer me detaje në një shkrim me titullin “Pikëllimet e dashurisë së humbur” të 12 korrikut 1913, në gazetën argjentinase “Caras y Caretas”, historinë e një dashurisë tragjike, të përkthyer në shqip nga Aurenc Bebja. Pjesë e kësaj historie dramatike është edhe Ismail Qemali, i cili asokohe shërbente si Guvernator i Përgjithshëm i Libanit.

Emin Arslan shkruan duke marr shkas nga fakti që gazetat po flisnin shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët, e veçanërisht për Ismail Qemal Beun, promotorin e pavarësisë së tyre dhe kreun e qeverisë së përkohshme: “E kam njohur shumë mirë këtë burrë shteti të shquar, ai më nderon me miqësinë e tij dhe e vlerësoj shumë. Kur u kthye në vendin e tij për të shpallur pavarësinë e tij, më dërgoi një letër në Buenos Aires duke rekomanduar katër emigrantë të varfër shqiptarë. Sa herë, pra, që gazetat na japin lajme nga Shqipëria, nuk mund të mos kujtoj një histori të pikëllimeve të dashurisë së humbur që kam parë dhe që më dha mundësinë të mësoj për karakterin fisnik të atij burri shteti.”

Historia flet për një vajzë shumë të bukur me emrin Leila, me të cilën familja e Emin Arslan kishin një miqësi të veçantë. Leila do të vuante disa fatkeqësi përgjatë jetës së saj. Arslan admiron bukurinë klasike dhe inteligjencën e rrallë të saj. Ai e krahason bukurinë e Leilës me kryeveprën e “Venus de Milo”, e cila gjendet në Muzeun e Luvrit në Paris.

Pas shumë peripecive dhe një jete të mbushur me dhimbje, Leila mbetet e ve në një moment shumë të vështirë të jetës. Kunati i saj, i preferuari i sulltanit dhe spiuni i tij, vjen dhe do që t’i heqë trashëgiminë Leilës. Askush nuk guxonte të mbronte çështjen e saj. Vetë gjykata kishte frikë mos shkaktonte zemërimin e kunatit dhe njëkohësisht të preferuarit të sulltanit. Sulltan Abdyl Hamidi nuk bënte shaka. Një fjalë dhe të dërgojnë në fund të Bosforit ose në fund të Saharasë, në Tripoli.

Emin Arslan shkon në qytet për t’i shprehur ngushëllimet zonjës Leila dhe për informuar të emën e tij lidhur me gjendjen e saj.

Me cinizëm kunati i saj i kishtë thënë Leilës: “Zonjë, ti je shumë e bukur për të pasur nevojë për pajë për burrin tënd të ri.” Të gjithë ishin të frikësuar nga kunati i fuqishëm dhe i frikshëm. Leila kërkonte të paktën, lëmoshën e paqes. Ajo kishte kaluar dhjetë vite të jetës së saj duke i shërbyer si infermiere bashkëshortit të sëmurë në shtrat.

Njëzetë e katër vjeçari i atëhershëm Emin Arslan, u prek thellësisht dhe tentoi që ta ndihmonte Leilën fatkeqe… Ai po ndihej shumë keq, duke e parë veten të pafuqishëm për ta ndihmuar shoqen e fëmijërisë, të cilën e donte si motër.

Sapo del nga shtëpia e Leilës, krejt papritur Emin Arslan ndeshet me karrocën e Guvernatorit të Përgjithshëm (Valiut) Ismail Qemal Beu, i cili njihej si një guvernator energjik dhe thuhej se ishte njeriu i besuar i Mid’hat Pashës, babait të Kushtetutës, dhe thuhej se edhe sulltani kishte frikë prej tij.

“Oh! Çfarë ideje, – mendon me vete ai. Nëse do të shkoja ta takoja dhe t’i shpjegoja situatën e Leilës? Ndoshta mund të jetë e dobishme. Në çdo rast, çfarë dëmi do të kishte? Çfarë mund të pësoja nga kunati?”

Ismail Qemali valiu (Guvernatori i Përgjithshëm i Bejrutit) ishte duke u kthyer në shtëpi. Në shtëpi kishte shumë njerëz që e prisnin. I trembur dhe pak i turpshëm Arslan ju kërkon ndihmësve të Ismail Qemalit që ti mundësojnë një takim me guvernatorin.

Më pas, ndihmësi i guvernatorit e çon në një sallon dhe e fton të takojë Shkëlqesinë e Tij. Ismail Qemali ishte ulur në fund të një salloni të madh, i mbushur plot me shtresën e lartë të qytetit. Sapo hyri brenda, Ismail Qemali u ngrit dhe e ftoi të ulet. Pasi i bëri paraprakisht disa pyetje Ismail Qemali i kërkoi Arslanit që ta sqaronte lidhur me arsyet e takimit. Arslani i kërkon që të bisedonin privatisht, gjë të cilën Ismaili e pranon. Ai e futi në kabinetin e tij të punës, u ul dhe i bëri shenjë të ulej dhe i thotë:

“- Le të shohim. Shpresoj që të mos jetë asgjë serioze.”

Me pak fjalë, Arslan i tregon në mënyrë të përmbledhur historinë e Leilës dhe se si, pasi kishte qenë viktimë e të shoqit për dhjetë vjet, ajo ishte e ve dhe tashmë viktimë kunatit të saj, një favorit i fuqishëm dhe me ndikim te sulltani.

Ismail Qemali e dëgjoi me vëmendje, pa e ndërprerë as edhe një herë. Emin Arslan merr guximin dhe i thotë:

“- Ajo grua e gjorë ka vetëm një shpresë, Shkëlqesi. Nëse Shkëlqesia Juaj e braktis, gjithçka do të marrë fund për të dhe për ne; sepse do të tregohet se të preferuarit dhe spiunët janë ata që na qeverisin.

– Ke të drejtë, – i thotë Ismail Qemali. – A je i sigurt për atë që më thua?

– Shkëlqesi, unë vij nga shtëpia e të vesë së varfër dhe nga buzët e saj mësova gjithçka që kam pasur nderin t’i them Shkëlqesisë Tuaj.”

Me dorën e rëndë, Ismail Qemali tundi një zile mbi tavolinën e tij dhe u shfaq një shërbëtor.

“- Thirr kapitenin,” – i tha Ismaili.

Një moment më vonë, kapiteni shfaqet, përshëndet ushtarakisht dhe pret.

“- Lërini të shkojnë menjëherë për të kërkuar X., dhe ta sjellin pa vonesë, urdhëroi guvernatori.”

Pastaj, duke u kthyer nga Arslan, i tha :

“- Shpresoj se do të guxosh të më thuash para tij atë që të ka thënë kunata?

– Sigurisht, Shkëlqesia Juaj, Zotëri.”

Ai shikoi mbi zyrën e tij dhe mori një kopje të “Revue des deux Mondes” nga Parisi.

“- Ja, – i tha Ismaili, – “argëtohu duke e lexuar atë, derisa të vijë kundërshtari yt.”

Ismail Qemali u largua dhe e la vetëm në zyrën e tij. Papritmas vjen i preferuari i sulltanit (kunati). Ai dukej i shqetësuar. Ismail Qemali e priti menjëherë dhe, duke qenë se dera ishte lënë hapur, Emin Arslan e dëgjoi të gjithë bisedën. Ismail Qemali përsëriti historinë e tij pothuajse fjalë për fjalë dhe e mbylli fjalimin e tij me këto fjalë:

“- Epo, unë ju kam thirrur për t’ju thënë këtë: nëse keni gjetur zyrtarë frikacakë ose të vetëkënaqur, nëse mendoni se do të gjeni gjyqtarë mjaft të poshtër që do t’ju lejojnë të plaçkitni një të ve të varfër si kjo, megjithatë ka dikë që e keni harruar dhe se ai nuk ka frikë prej jush, i cili është në gjendje të mbrojë të dobëtit dhe të braktisurit; dhe se ai dikushi jam unë. Ju më njihni mjaft mirë dhe e dini që unë bëj atë që them dhe se nuk ka fuqi në tokë që mund të më trembë. E kuptoni? Dhe tani shkoni dhe mbi të gjitha kujtoni se sa të jem gjallë do të jem gati t’ju ndjek deri sa të vihet drejtësia.”

I preferuari sulltanit (kunati), si të gjithë frikacakët që i dorëzohen forcës, tha duke belbëzuar se dallimi mes tij dhe kunatës ishte ekzagjeruar dhe për t’i vërtetuar Shkëlqesisë guverantorit se ishte keqinformuar, u largua menjëherë për të korrigjuar këtë dallim.

Në fakt, ai doli i zbehtë dhe duke u dridhur; dhe menjëherë dërgoi një mik për t’i bërë të ditur Leilës se nuk kishte asnjë kundërshtim dhe gjithçka u zgjidh pa asnjë vështirësi. Por, menjëherë pas kësaj, një thashethem qarkulloi në qytet se Ismail Qemali ishte tërhequr në Kostandinopojë dhe të gjithë u tronditën. Sepse, për herë të parë që nga koha e Mid’hatit, në vend ishte parë një zyrtar liberal.

Por, i preferuari i sulltanit (kunati) ishte betuar për hakmarrje dhe mori hak; sepse, sapo mbërriti në Kostandinopojë, ai i dërgoi sulltanit aq shumë raporte sekrete për rrezikun e pranisë së Ismail Qemalit në Bejrut, ku ai propagandonte idetë e Turqisë së Re, saqë sulltani përfundoi duke e lëvizur Guvernatorin e Përgjithshëm.

Disa kohë më pas, rreth viteve 1907-1908, Ismail Qemali dhe Emin Arslan do të gjendeshin në Paris. Arslan e fton që të vizitojnë Muzeun e Luvrit dhe e çon në sallën ku ndodhet statuja e “Venus de Milo”. Më pas Arslan e pyet:

“- E mbani mend, Shkëlqesi, vizitën e parë që ju bëra në Bejrut, pesëmbëdhjetë vjet më parë, kur ishit guvernator i provincës?

– A më kujtohet? Mendoj se po, – ia kthen Ismaili. Historia e asaj gruaje të ve, apo jo?

– Po, është ajo, – thotë Arslan. Është shprehja e saj magjepsëse e bukurisë, krenarisë, fisnikërisë dhe madhështisë.

-A e dini, – thotë Ismail beu, – se kjo histori më kushtoi postin? Nuk jam penduar kurrë, sepse ishte detyra ime të bëja drejtësi; Por tani pendohem akoma edhe më pak.”

Karakteristikë për liderët e mëdhenj është fakti që ata e trajtojnë cilindo sipas personalitetit dhe cilësive të karakterit. Ismail Qemali ishte njerëzor dhe i virtytshëm kurdoherë dhe me këdo. Ai ngjallte një ndjenjë respekti dhe besimi të thellë te bashkëpunëtorët e tij. Në kujtimet e tyre askush prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Ismail Qemalit nuk citohet të ketë folur negativisht për të pas vdekjes së tij.

Aftësitë e shkëlqyera të dëgjimit të Ismail Qemalit, i dëshmon edhe Emin Arslan në këtë histori. Ato e ndihmuan Ismail Qemalin që t’i kushtonte vëmendje të jashtëzakonshme ndjesive të kujtdo me të cilin komunikonte. Kjo përkujdesje ndaj tjetrit i jepte atij mundësinë të krijonte një raport në një nivel shumë të thellë emocional. Ai i fliste kujtdo me gjuhën e duhur, qofshin këta mbretër, kryetar shtetesh, politikan dinak apo fshatarë të thjeshtë. “Ismail Qemali,” – kujton Sali Hallkokondi, – “ishte në gjendje të fliste me njerëzit sipas moshës dhe formimit të gjithsecilit, edhe sipas cilësive të tyre morale: me të riun, me të moshuarin, me pleqtë, trimin e ngrinte lart, të druajturit i jepte kurajë.”

Ismail Qemali ishte kurdoherë i gatshëm për të mbajtur qëndrimin e duhur kundrejt së mirës dhe së keqes. Ai ishte i përgatitur për të sakrifikuar interesin vetjak dhe për të vuajtur pasojat që vinin nga mbajtja e qëndrimit të drejtë dhe të palëkundur. Ai i mbronte kurdoherë të dobëtit dhe të braktisurit që përballeshin me padrejtësi. Ai bënte atë që thoshte, dhe thoshte gjithmonë atë që bënte. Dhe nuk kishte asnjë forcë në tokë që mund t’a trembte.

Tipari më madhështor i njerëzve të mëdhenj, thotë Stefan Cvajg, është aftësia për të lënë mënjanë interesat vetjakë për hir të së mirës së përgjithshme. Ky ishte një tipar karakteristik i lidershipit të Ismail Qemalit, i cili shfaqet gjithmonë me konsekuencë. Dhënia e dorëheqjes me vetëmohim nga posti i kryeministrit, me qëllim për t’i dhënë fund përçarjes dhe anarkisë në vend, është vetëm një tjetër shembull i karakterit e fisnikërisë së shpirtit të tij bujar.

“Plaku i pavdekshëm,” – kujton Ali Asllani – “kish një zgjuarsi dhe një dijeni të thellë, ta merrte fjalën nga goja…Sytë e tij kishin shtatë drita…” Ai kishte aftësinë për të udhëhequr nëpërmjet forcës së shembullit, sepse “fjalët të mësojnë, ndërsa shembujt të tërheqin”. Por, fatkeqësisht këto tipare sublime të lidershipit të tij, rrallëherë janë kuptuar dhe zbatuar përgjatë historisë sonë kombëtare…

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 214
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026
  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi
  • “BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON
  • “Have You Listened to Radio Prishtina?”
  • Tribuni i lirisë, Major Abas Kupi u përkujtua në Krujë
  • KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”
  • Fan Noli, Federata Vatra dhe John F. Kennedy: Lidhjet e Diasporës Shqiptare me Politikën Amerikane dhe Demokracinë Globale
  • Today marks the 84th anniversary of the Voice of America
  • MËRGATA SHQIPTARE, NGA KUJTESË E SË KALUARËS NË SUBJEKT AKTIV
  • Përse duhet t’i lexojmë klasikët?
  • ANNA KOHEN: Nuk harrroj vlerat humanitare dhe bujarinë e shqiptarëve
  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT