• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FPU: TAJAR DOMI “NJERIU I VITIT 2024” NË DIASPORË

October 25, 2024 by s p

NDERIMI – Një ditë pas inaugurimit të “Shtëpisë së shqiptarit”në Philadelphia

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

C:\Users\halil.rama\Desktop\Tajar Domi+BSH\Bijte e shqipes 1.jpg
C:\Users\halil.rama\Desktop\Tajar Domi+BSH\Bijte e shqipes 2.jpg
  • Petrit Zanaj, ish – kryetar i “Bijve të Shqipes” thotë se nderimi që i ka bërë Federata e Paqes Universale mikut e shokut tonë Tajar Domi, duke i dhënë çmimin “Njeriu i vitit 2024 në diasporë” është më se i merituar nga ai, por është edhe një nder i veçantë që i bëhet komunitetit shqiptar në Filadelfia. Kjo për faktin se në punën e jetën e  vetë, Tajari është mbështetur në traditën atdhetare të fisit Domi, të atdhetarit Harun Domi që solli abetaren e librat e parë shqip në vendlindjen e tij, në fjalën e urtë e të mençur dibrane e kukësiane…

Një ditë pas inaugurimit në Philadelphia të SHBA të Qendrës social-kulturore të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, ndërtesë historike kjo disa shekullore, ish-pronë e familjes së Ëilliam Penn që tashmë quhet “Shtëpia e shqiptarit”, Tajar Domi – ish kryetar për dy mandate i kësaj shoqate emërndritur, iniciatori kryesor për blerjen e kësaj ndërtese me donacione tërësisht nga vetë shqiptarët që jetojnë në Philadelphia, provoi emocionet e një tjetër ngjarjeje të rëndësishme. As që e kishte menduar se pikërisht në ditëlindjen e tij të 68-të, Federata e Paqes Universale Shqipëri do ta shpallte atë “Njeriu i vitit 2024 në diasporë”.

Me jehonën e festës së inaugurimit të Shtëpisë së shqiptarit, siç edhe vendasit preferojnë ta quajnë, e që do të shërbejë për strehën e re të shkollës shqipe “Gjuha jonë”, një sipërmarrje e kësaj shoqate që prej vitit 2004, si dhe të lajmit për riemërtimin e rrugës pranë kësaj godine me emrin e Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në këtë ditëlindje të veçantë do të ishin të pranishëm dhjetra personaliete të kësaj shoqate, familjarë, miq e të afërm të Z.Domi. E uruan ata përzemërisht Tajar Domin për kontributin e vyer qe i ka dhënë ndër vite komunitetit shqiptar që jeton në Philadelphia si Kryetar i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Dhjetra urime për mikun e mençur e të vyer që di të jetë kur të tjerët  kanë  nevojë për të;  për modelin e shkëlqyer që u përcjell brezave si një prind, bashkëshort dhe gjysh ideal. 

Në emërues të përbashkët me këto urime, edhe mesazhi i FPU që i dha këtë titull: “Jetofsh çdo ditë duke shijuar familjen e bukur që ke krijuar! Jetofsh sa më gjatë plot nder e dinjitet që t’u lesh brezave si pasurinë më të madhe mbiemrin Domi, mbiemër ky që respektohet brez pas brezi. 

Bac u kry! 

Çdo degë e pemës tënde familjare ta ketë fatin ta thotë këtë frazë në çdo ëndërr të realizuar! 

U kry edhe këtë vit kjo datëlindje me miq plot e çmime të merituara! 

Gezuar!”.

Petrit Zanaj, ish – kryetar i “Bijve të Shqipes” thotë se nderimi që i ka bërë Federata e Paqes Universale mikut e shokut tonë Tajar Domi, duke i dhënë çmimin “Njeriu i vitit 2024 në diasporë” është më se i merituar nga ai, por është edhe një nder i veçantë që i bëhet komunitetit shqiptar në Filadelfia. Kjo për faktin se në punën e jetën e  vetë, Tajari është mbështetur në traditën atdhetare të fisit Domi, të atdhetarit Harun Domi që solli abetaren e librat e parë shqip në vendlindjen e tij, në fjalën e urtë e të mençur dibrane e kukësiane…Ai vlerësoi si më dinamiken e më rezultativen periudhën që Tajar Domi drejtoi Shoqatën “Bijtë e shqipes”, duke e ngritur emrin dhe prestigjin e saj në nivele te tjera, kur “numri i anëtarëve gati u dyfishua, shkolla shqipe e rriti numrin e nxënësve të saj dhe reputacioni i shoqatës u rrit konsiderueshëm, sidomos me afrimin e një numri të madh të komunitetit kukësian në veprimtaritë e shoqatës….”.

DHJETRA PERSONALITETE NGA DIASPORA E SHQIPËRIA 

NË DITËLINDJEN E TAJAR DOMIT

C:\Users\halil.rama\Desktop\Tajar Domi+BSH\Bijte e shqipes 5.jpg
C:\Users\halil.rama\Desktop\Tajar Domi+BSH\Bijte e shqipes 7.jpg

Në këtë ditë të veçantë të jetës së tij, shumë më të bukur se çdo vit tjetër, Tajar Domi e shpreh lumturinë e pamatë, jo se e gjen më të rritur apo më të mençur, por sepse është me më shumë miq, shokë, farefis e bashkatdhëtarë, të cilët i japin  kënaqësi e dëshirë për t’i pasur sa më pranë. 

“Sot jam më i pasur, pasi këtu kemi bashkatdhëtarët tanë që kanë ardhur nga larg, për t’u bërë bashkë një ditë më parë në festën e madhe te ‘Shtëpia e Shqiptarit”, thotë i mallëngjyer Tajar Domi. Dhe ka të drejtë të ndjehet fatlumë që disa prej tyre i kishte sërish në këtë gëzim. Kanë ardhurt nga ASTI të Italisë, nga shkolla shqipe “Rruga e Shkronjave”, zoti Hasan Bulqari me zonjën e tij. I pranishëm edhe Mjeshtri i Madh Defrim Methasani – kryetar i Këshillit të Paqes për Tiranën, që i dha edhe më shumë madhështi kësaj feste me forcën e zërit  e me profesionalizmin e tij të spikatur, si edhe “Nderi i Qarkut Kukës”,  zv. Kryetari i Federatës së Paqes  Universale Shqipëri, z. Abdulla Domi që u bë një me “Bijtë e Shqipes”, duke i dhënë kësaj shoqate vlerësimin e merituar.

Ndërsa i ka falenderuar ata përzemërsisht, Tajar Domi u shprehu mirënjohje të thellë edhe dy miqve që vinin nga grupi i njohur “Flaka”i Tiranës”, zotërinjve Bajram Avdia e Mezan Resuli …. Po ashtu falenderoi poeten e mirënjohur Iliriana Sulkuqi që kaq shumë i ka dhënë jetë e dashuri me vargjet e botimet e saj vendlindjes dhe Diaspores në Amerike, duke e konsideruar si “Nënë Tereza e kohës tonë”. Prania e saj, si edhe e të gjithë bashkëpunëtorëve të tij, me të cilët kanë ndarë punët, gëzimet e shqetësimet në mbarëvajtjen e “Bijve te Shqipes”, si kryetarët e saj:  Llazar Vero, Petrit Zanaj, Sadik Elshani, Bujar Gjoka e Dritan Matraku dhe e anëtarëve të Këshillit Drejtues, miq e shokë të tjerë që formojnë mozaikun e shqiptarëve këtu në Filadelfia, padyshim që ja shtuan madhështinë kësaj feste ditëlindjeje të Tajar Domit.

Fati përsëri e deshi që në këtë ditë të veçantë festive të kishte këtu edhe motrën e madhe, Bulen me bashkeshortin e saj të ardhur si vizitor këto ditë, që sëbashku me familjen e vëllait të tij, Jakupit, qenë ata që i dhanë më shumë gjallëri festës, ashtu si dhe familjarët e tij, bashkëshortja Elhamja, Erioni me Enkeleten e Elion që zhurmon çdo ditë e më shumë, Arianiti me Arjolën dhe të voglën Aria që po rritet e që ia shtojnë jetën.

“SHTËPIA E SHQIPTARIT”, QENDËR SOCIALKULTURORE MULTIFUNKSIONALE

Ka të drejtë të ndjehet krenar dhe i nderuar, ish – kryetari më i suksesshëm i “Bijve të Shqipes” në Philadelphia, Tajar Domi, pasi pikërisht në këtë ditëlindje vlerësohet me titullin “Njeriu i vitit 2024 në Diasporë” nga Federata e Paqes Universale Shqipëri. “Është vërtetë një trofe që nuk e di nëse jam ai që e meritoj. Por ndjej detyrimin që ta falenderoj këtë institucion të paqes, për të cilin sigurisht vetë emri flet shumë. Sot kur bota po rrokulliset çdo ditë në tmerrin e luftës, përdorimi i fjalës Paqe dhe angazhimi ynë, i të gjithëve sëbashku për t’i dhënë jetë e kënaqësi çdo ditë që vjen pas, është një detyrim. Punët që ne i quajmë të vogla, por të bëra me dashuri të madhe, fjalët plot mirënjohje e jo veprimet inatçore që na ngarkojnë shpirtin nganjëhere, na bëjnë që të jetojmë në paqe e në lumturi. Prandaj e vlerësoj shumë këtë titull, që më vjen si një forcë e re për të qëndruar në frontin e njerëzve të paqes, të paqes nëpërmjet punës, mirënjohjes, kontributit në shoqëri këtu e në atdhe”, – tha ndër të tjera z.Domi në fjalën e tij përshëndetëse.

Pjesëmarrësit në këtë ditë feste madhështore shpërthyen në duartrokitje të fuqishme kur ai pohoi me gëzim të paparë: “U bëmë kështu bashkë si kurrë më parë, duke parë vetëm përpara, në realizimin e kësaj nisme. Rreth 500 familje e biznese shqiptare në Filadelfia e rreth saj, mes tyre edhe nga kombësi të tjera, shokë e miq nga shtetet e tjera të Amerikës, nga Kanadaja, Anglia e shtete të tjera të Europës, si dhe nga vendlindja jonë Shqiperia, dhanë ndihmesën e tyre sipas mundësive për ta pasur këtë ndërtesë historike, si ‘Shtëpi të Shqiptarit’, – thotë Tajari. Dhe ka të drejtë të ndjejë krenari legjitime sepse: Këtu në Qendrën social-kulturore të Shoqatës “Bijtë e Shqipes” fëmijët tanë nuk do të jenë të kufizuar në numër për të ndjekur shkollën shqipe me mësime në gjuhën tonë; fëmijët tanë, dashamirës të muzikës e sportit, do të kenë mundësi të grupohen e t’i realizojnë dëshirat e tyre; këtu nënat e gratë tona do të kenë mundësi të dalin me fëmijët e bashkëshortët e tyre për të shijuar një “kafe shqip” së bashku; këtu bashkatdhetarët tanë do të gjejnë më shumë informacion e ndihmë për punë e procese të tjera në departamentin për biznesin; këtu hoxha dhe prifti do të ndjehen edhe më shqiptar se gjer tani, në organizimet për nevojat e komunitetit; këtu rinia, por edhe grupmoshat e tjera do të kenë një ambjent të bukur e të përshtatshëm për organizime të ndryshme festive, shoqërore e familjare, ku biblioteka do të jetë shumë më e pasur dhe e shfrytëzueshme për çdo njërin që dëshiron; ku këndi i historisë dhe i trashëgimisë kulturore do të pasqyrojnë mjaft sende e objekte të kësaj fushe, jo vetëm për Shqipërinë por edhe për atdheun e dytë ku ne jetojmë, Amerikën… 

NJË EMËR PËRBASHKUES, NDËR MË AKTIVË TË SHOQATËS 

“BIJTË E SHQIPES” NË FILADELFIA

Gjatë një takimi verën e kaluar, miku im Enver Parllaku do më fliste me krenari të ligjshme për Shoqatën “Bijtë e Shqipes” që prej vitesh zhvillon një aktivitet intensiv në Filadelfia për promovimin e vlerave kombëtare shqiptare. Dhe ndër veprimtarët më aktivë të kësaj shoqate ai do të veçonte Tajar Domin, si kontributorin shembullor të saj. Këtë të vërtetë e pohon edhe shkrimtari kukësian Hys Hasa, i cili vlerëson potencialin intelektual, urtësinë, mençurinë e vizionin bashkohor të Tajar Domit, të shpalosura në përditshmërinë e tij si dhe në çdo aktivitet të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”.

tajar domi

Tajar Domi do të udhëhiqte  brezin e tretë të intelektualëve të trungut të tij familjar. Nga një dokumentar i mirëpërgatitur prej ikononës së dokumentarit televiziv Defrim Methasani, mësojmë se Tajari ka lindur më 14 tetor të vitit 1956 në Ceren të Kalasë së Dodës dhe ka shkëlqyer në të gjitha nivelet e shkollimit. Studimet e larta i mbaroi në Fakultetin e Veterenarisë të Universitetit Bujqësor të Tiranës në vitin 1980. Pas diplomimit punoi fillimisht në ish-kooperativën bujqësore dhe më pas, tre vite si mësues në Shkollën e Mesme Bujqësore të Cerenit. Në vitin 1991 zgjidhet Kryetar i Këshillit të Bashkuar Pluralist të Kalasë së Dodës dhe deri në vitin 1996 ishte zëvendëskryetar komune. Pas vitit 1997 vjen në Tiranë, dhe në harkun kohor të 7 viteve (1998-2005) punoi në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, ku la gjurmët e intelektualit shembullor, të profesionistit të spikatur e kuadrit korrekt. Në moshën 52-vjeçare (në vitin 2008) ishte përfitues i llotarisë amerikane dhe sëbashku me bashkëshorten Elhamen dhe dy djemtë Erionin dhe Arianitin jetojnë  në Fialdelfia të SHBA, ku kanë ndërtuar jetën e tyre të dytë. Gjithsesi, që nga dita që shkeli në tokën e premtuar, tik-taku i tij rrihte për atdheun, ndaj dhe u atashua në Shoqatën me emër partiotik e atdhetar “Bijtë e Shqipes”, kryetar i së cilës ishte për dy mandate. Pikërisht nga kjo shoqatë është vlerësuar si nderi i komunitetit për atë çfarë ai ka përfaqësuar me emrin e tij të spikatur, sepse Tajar Domi është një emër përbashkues i diasporës shqiptare në SHBA. 

Po, i tillë është ky pinjoll i fisit e familjes që qëndon me dinjitet në panteonin e vlerave. Nëse gjyshi i tij, Haruni, para 100 vitesh solli abetaret nga Bukureshti për shkollën shqipe të Kalisit, Tajari, në gjurmët e gjyshit ka dhënë dhe po jep kontribut real për shkollimin në gjuhën shqipe të fëmijëve të emigrantëve shqiptarë në Filadelfia-SHBA. Tajar Domi prej 14 vitesh punon mësues në shkollat publike në Filadelfia (Substitute Teacher in School District of Philadelphia) … Si kryetar i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, për katër vite e më pas si anëtar i Kryesisë të kësaj shoqate, ka dhënë dhe jep kontribut real në mirëfunksionimin e zgjerimin e Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë”, e cila prej rreth 20 vitesh po funksionon derë-hapur për trashëgiminë e gjuhës, kulturës e historisë tonë kombëtare, në komunitetin shqiptar të Filadelfias.

Prej 9 vitesh ai mban me krenari e dinjitet titullin “Ambasador për Paqen”, ndërsa është vlerësuar me Mirënjohje nga Këshilli i Qarkut Kukës.

Filed Under: Interviste

APOSTAZIA E MIGJENIT

October 10, 2024 by s p

Zija Vukaj/

Ka qenë Skënder Drini lexuesi i parë i kësaj eseje.

Meqenëse i kam kushtuar Migjenit një numër të konsiderueshëm esesh letrare, duke mos përdorur asnjë referim të mëparshëm prej askujt, duke dashur të jem i lirë të gaboj sipas mënyrës sime, e shoh veten t’i kthehem shpesh këtij autori. S’më interesojnë fare gjeneralitetet e asnjë shkrimtari. Kjo nuk duhet të jetë kurrë punë letrarësh të njëmendët. Ka punonjës të zejeve të tjera që duhet dhe mund të merren me jetën dhe çdo grimcë të një autori. Me miqtë e mi dua të ndaj këtë ese, për të cilën askush mund të mos jetë i mendimit me mua. Dhe kjo më pëlqen më shumë se përgëzimet.

Në dimensionin e mësimdhënësit mësuesi Migjen, ka disa çaste humori por mjaft të çuditshme me nxënësit e vet. Nxënësi dhe mësuesi shpalosin vetveten herë si objekte dhe herë si subjekte të njëri- tjetrit. Mësuesi është i gjithëdituri, shpjeguesi dhe shpëtimtari i situatës; nxënësi është objekti i tij. Nganjëherë edhe shkak humori. Por shpesh rolet këmbehen dhe mësuesi paraqitet i hutuar nga situata e paparashikuar dhe bëhet ai objekt humori. Te proza “Në sezonin e mizave” mësuesi shpall para nxënësve luftën me mizat, duke thënë: “… kush mbyt një mizë në pranverë, ka mbytë me mija miza që do të ishin pjellë nga ajo një, deri në verë. E kur një nga nxansit pyeti a duhet me mbytë mizën femën a mashkull, mësuesit nuk di si iu ngatrrue gjuha dhe mezi tha cilado qoftë, duhej mbytë.” Ky çast m’u kujtua këto ditë, kur edhe unë, si mësues u gjenda në një situatë paksa të ngatërruar ku më futën pyetjet e nxënësve të mi: “Si mendon ti, profesor, ka besuar Migjeni në Zot? Nëse po, cili ka qenë Zoti i tij?” Përgjigjja ime ishte e vagullt, pak rrëshqitëse, duke thënë se askush nuk e di mirë pastërtisht nëse është apo nuk është besimtar dhe të gjithë i kanë pak të ndërlikuara marrëdhëniet me Zotin dhe me besimin në tërësi. Së këtejmi, secili prej nesh ka një turbullirë për të shpjeguar ndërgjegjen e vet dhe aq më i vështirë, në mos i pamundur bëhet shpjegimi për dikë tjetër, qoftë ky tjetri edhe Migjeni. Thjesht kjo që bëra unë është një dalje dinake dhe elegante nga situata. Por jo vetëm kaq. Për ta zgjeruar argumentin dhe për t’i dhënë karakterin e përgjithshëm, aspekti i marrëdhënies së Migjenit me Zotin është mjaft problematik. Por është më problematik për lexuesin se sa për autorin. Lexues të ndryshëm, mësues e pedagogë me formime standarde apo të avancuara e kanë emërtuar me mënyra të ndryshme këtë marrëdhënie. Disa e kanë quajtur thjesht ateizëm, disa, gjasme më të avancuar dhe modernë, mohim konvencionesh, kurse i pari që e ka përcaktuar me gjysmë zëri, por në formë figurative si apostazi, ka qenë studiuesi Arshi Pipa. Apostazia është braktisja formale dhe e vullnetshme e individit nga feja e vet. Kjo mund të ndiqet pastaj qoftë nga bashkimi me një fe tjetër, qoftë nga afetaria. Që këtu ne mund të përpiqemi të arsyetojmë në mënyrë më të thjeshtë. Së pari, a dëshmon në mënyrë kohezive gjithë vepra e Migjenit apostazi? Apo fragmente të ndryshme japin përshtypje të ndryshme, gjë që flet më shumë për dinamikën e një procesi dhe gjendjeje të papërfunduar, e madje as të filluar, por të keqkuptuar nga lexuesi, sidomos mesatar. Dhe është e vërtetë se lexuesit mesatar dhe bashkë me lexuesin edhe mendimit kritik tradicional, me naivitetin, skematizmin, zhdanovizmin dhe cektësinë e tij Migjeni o i ka përvëluar gishtat, o i ka rrëshqitur duarsh. Mjafton të kujtojmë “diellin alegorik” e mjaft interpretime të tjera, që sot na bëjnë të skuqemi. Është folur shpesh për burimet filozofike të formimit të Migjenit, duke përmendur sidomos Niçen dhe ndikimi niçean është krejt i dukshëm. Ky filozof poet u bë frymëzim brezash të tërë dhe pozicioni i tij profetik ka qenë një lloj apostazie me rrjedhojë aderimin në një fe zjarrputiste të Zarathustrës, të mbinjeriut ose edhe të vetvetes si mëkëmbës dhe është e njohur kundërvënia e tij ndaj njerëzve dhe sistemeve të mendimit “pa dashuri për njerëzit, por me dashuri për Zotin”. Ndikimin e këtij filozofi në mënyrën e të menduarit tek Migjeni e dallojmë lehtësisht tek figuracioni poetik dhe veshja gjuhësore me sintagma të regjistrit biblik, të përdorura nganjëherë edhe si tituj: “Moll’ e ndalueme”, “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Zoti të dhashtë”, “Idhuj pa krena”, “Blasfemi”, “Rezignata” ose shprehje, si: “hokus-pokus”, “Zoti që kujdeset edhe për zogjtë e qiellit…”, si dhe një arsenal të tërë të fushës leksikore të fesë. Dhe në përgjithësi gjithë elementët e këtij arsenali, mbushur me kryqe, minare, paçavra ndër tempuj, hoxhallarë, murgesha që çojnë dashni me shenjtënt, sorra të smuta, trumcakë e prifën shikohen me përbuzje, ironi e përçmim. Dhe poeti del nga ky lloj lavazhi me dëshirën skandaloze prej Zarathustre: “Mos u lut për mue, se due pash më pash t’i bij ferrit.” Mos vallë ky aversion ndaj sendeve, objekteve dhe personazheve aksesorë të teatrit fetar është edhe aversion ndaj Zotit, divorci me Zotin, apostazia deri në heterodoksi e Migjenit? Dhe këtu na del si refren sërish thënia e Niçes: “pa dashuri për njerëzit, por me dashuri për Zotin”. Një gjë është e sigurt: Migjeni është i pozicionuar brenda njeriut. Këtë më së qarti e tregon dhimbja për njeriun, që fillon si dhimbje krenare dhe bëhet dhimbje pa kushte për vuajtjen e qenies njerëzore. Kjo dashuri për njeriun dhe kjo ndjeshmëri ndaj dhimbjes së tij marrin përmasat e një adhurimi thuajse fetar, ku kulti është tashmë njeriu dhe jo objektet tradicionale të kultit: “Merreni dhe çonie në qytet kët’ shtatore. (…) Kushtoniani atij që ka ma shumë merita për kët’ vend! Po, ndoj ministri a deputeti o ndokujt tjetër… E në rast se nuk gjeni ndonjë njeri që ka merita të mjaftueshme, atëherë kushtonia atij që ka merita ma pak: perëndisë klasike.” (“Bukuria që vret”) Dhe shtatorja nuk është pjesë e ikonografisë dhe as rekuizitë e objektit të kultit që nuk ka mundur ta bëjë kryefjalën e saj “perëndi klasike” të ketë efekte konkrete mbi njeriun dhe dhimbjen apo fatet e tij; shtatorja është trupi i fëmijës së ngrirë në kasollen e ftohtë fshatare. Dhe Zoti është lart, në sferat e epërme qiellore. Askund nuk shohim që autori ta ketë braktisur, por lidhjen me Zotin Migjeni nuk e sheh të mundur nga ndërmjetësimi i punonjësve të fesë dhe objektet e tyre. Për ta shqyrtuar më mirë mund të krahasojmë dy lutje të dy llojeve të ndryshme: lutjen e autorit, heroit lirik, drejtuar perëndisë pa medium te poezia “Lutje”: “Të lutem o perëndi,/ për një simfoni,/me tinguj t’argjantë/ e akorde t’artë. Të lutem o perëndi,/ për një simfoni-/ plot dashuni/ të nxehtë si te vasha gjitë/ kur vlojnë ndjesitë.” Dhe lutjet e murgeshës te “Kanga skandaloze”: “Prej lutjesh (jo tallse!) duel dhe në lutje prap po shkon…/ Lutjet i flejnë gjithkund: ndër sy, ndër buzë, ndër gishta./ Pa lutjet e saj bota kushedi ç’fat do kishte?/ Por edhe nga lutjet e saj ende s’i zbardhi dita.” Pra kemi një lutje njerëzore dhe një lutje hyjnore. E para ka freskinë dhe natyrshmërinë, hijeshuar bukur me afshin e trupit vajzëror deri në sensualitet dhe aromë tokësore. E dyta, lutje institucionale, rutinore, e mykur deri në zbehjen e tipareve dhe shpresave të njeriut, mishëruar në një ngjyrë gri vrastare, produkt i së cilës është zhgënjimi, pritja e kotë, vrasja e shpresave deri në devijacione perverse: “O murgeshë e zbehtë që çon dashni me shenjtënt, /që n’ekstazë para tyne digjesh si qiriu para lterit/ dhe ua zbulon veten… Smirë ua kam shenjtënvet: Mos u lut për mue, se due pash më pash t’i bij ferrit” Si poet me shpirt të lirë, të ri e vullkanik Migjeni revoltohet edhe ndaj Perëndisë. Që këtej mund të themi se edhe revolta është marrëdhënie. Por marrëdhënia si proces (marrje dhe dhënie) në raportin e Migjenit me Zotin nuk funksionon si e tillë. Zoti i Migjenit është një hyj që nuk përgjigjet. Dhe shpesh optika poetike dhe filozofike e Migjenit përqendrohet në boshllëkun e mospërgjigjes së hyut, gjë që pastaj pasqyrohet edhe në mungesën e plazmimit të vizionit të vërtetë hyjnor dhe konfondimi i monoteizmit me idolatrinë. Kjo shurdhëri hyjnore ka dhënë edhe surrealizëm. Madje mund të ketë dhënë surrealizmin e parë në letërsinë shqipe. Këtë operim artistik, që tek “Vetëvrasja e trumcakut”, Migjeni e quan kapërcim logjik, i bindur për vështirësinë e komunikimit me lexuesin e asaj kohe dhe të atij niveli, e gjejmë edhe tek idhuj pa krena. Dhe ky vizioni i idhujve pa krena mund të jetë alegoria jo vetëm e arsenalit të një idhujtarie tokësore, por mund të ketë të përfshirë edhe gjithë vegimet që burojnë nga teozofia e autorit, sepse në një etimologji të vetë termit të lashtë grek “idhull”, gjejmë rrënjën e fjalës “ide” (ἰδέα), duke përfshirë këtu edhe vetë idenë e Theos. “Një tufan i tmerrshëm i shembi idhujt. Disa i bani pluhun e disa i la pa krena. Tufani i tmerrshëm nuk fryni as nga nji anë e horizontit dhe as nga qiella, por duel nga zemra e dheut. E çdo gja që del nga zemra e dheut asht ose përkëdhelëse si andja ma intime, ose e tmerrshme si tufani që shemb idhujt. (…) Idhuj pa krena! Shëmtim i natyrës! (…) Kush mund të adhurojë të shëmtuemen? Kush mund të besojë në një zot pa krye?” Kjo skenë surreale e një teatri absurd, është finalja e një rrugëtimi të gjatë meditues në kushtet e një lëkundjeje të bazave të besimit. Ai tufan që shemb idhujt dhe nuk vjen nga jashtë, nga asnjë anë e horizontit, në fakt është vrulli i një bindjeje të re që del nga shpirti i poetit, për t’u plazmuar në formën e asaj që ne mund ta emërtojmë edhe si fillim apo rast apostazie.

Filed Under: Interviste

ENGJËJ QË DJALLËZOHEN NË TOKË…

September 28, 2024 by s p

Zija Çela/

– Fragment nga intervista me Bujar Hudhrin, president i “Onufrit” –

Pyetje: Le të ndalemi këtu. Ju përdorët fjalët: “Kur më shfaqet një vizion, që nënkupton mundësinë e një metafore…”. Në këtë fazë, mjaft shkrimtarë shprehen ndryshe: kur kam një ide, kur kam një gjetje, etj. Përse një vizion?

Përgjigje: Sepse shkëndija e parë ashtu më ndizet. Më shfaqet si një pamje në lëvizje, të cilën e shoh dhe e ndiej njëkohësisht. Por ka edhe “pamje” mashtruese, të atilla që skartohen. Çfarë më befason një herë dhe më nuk ndrit, përfundon në varrezën letrare që ka përbrenda çdo shkrimtar.

Siç më ndodh edhe e kundërta, kur konkurrojnë dy vizione njëherësh. Në këtë rast nuk ndërhyj në “dyluftimin” e tyre, i lë të ndeshen, duke i besuar fituesit, për të cilin ndoshta edhe vetë kam qenë më i gatshëm. Kështu më ka ndodhur me romanet “Apokalipsi sipas Shën Tiranës” dhe “Goja e Botës”. Shkrova të parin në fillim, pastaj të dytin, që ndërkaq ishte temperuar më mirë. Nganjëherë më duket sikur nuk jam unë që përftoj vizione, por janë ato që më gjejnë kudo të ndodhem. Shënimin e parë për “Arkipelagun Spiritus” e kam hedhur në bllok në aeroportin e Ljubjanës dhe e kam vazhduar në avion. Megjithëse, po shtoj kalimthi, nuk ka fluturues që shkrimtarin ta ngrejë atje, ku e çon fantazia.

Sigurisht, shkrimtari nuk është profet, por është patjetër vizionar. Ose, për arsye etike, po e formuloj më ndryshe: ai ka nevojë patjetër për vizione të së ardhmes. Ndoshta prandaj, duke shkruar për një trillim që po ndodh në roman, më ka rezultuar njëkohësisht se, në njëfarë mënyre, kam shkruar edhe për çfarë do të ndodhte në realitet. Me paralajmërime të së ardhmes, ndryshimi i sistemit etj., janë “Mali i tejdukshëm” (1989) dhe “Gjaku i dallëndyshes” (1990). Te “Gjysma e Xhokondës” (1992) personazhet vihen në kërkim të identitetit të tyre. Duke u ndier si “gjysmë njerëz”, ato shtrojnë pyetjen nëse atë gjysmën tjetër e kanë pasur ndonjëherë dhe e kanë humbur, apo s’e kanë pasur kurrë. Te “Banketi i hijeve”, që e kam shkruar në vitin 1996, banorët e Barabisë apo Barbarisë siç thirrej ndryshe, përshtasin si helikopter një mulli me helikë, e mbushin me municione dhe nisen për të bombarduar “armikun”, pra qytetin fqinj të komunitetit të përbashkët. Mirëpo në kushtet e një ere të fortë, të gjitha bombat bien mbi qytetin e tyre. Rreth dy vjet më pas do të vinin ngjarjet e’97-tës.

Besoj se edhe romanet e tjera i kam shkruar prej një vizioni fillestar metaforik. Subjekti i “Djallit Komik”, që u botua më 2018, bazohet mbi një sëmundje misterioze, sëmundje ngjitëse që kthehet në pandemi, prandaj në roman ka alarm, ka karantinë, ka forca policore në rrugë, ka maska, doreza, izolim të disa zonave, mbyllje kufijsh, kërkime për origjinën e virusit, hipoteza për vaksinën, etj. Quajeni si të doni, po e pranoj edhe unë si rastësi, por nuk mund të mohohet Covid-19 që përjetojmë edhe sot. Jo më kot njerëzimi i thirri kujtesës për tituj librash, filmash, etj. Autorë si Zhyl Verni, kanë arritur t’i paraprijnë edhe shkencës me veprat e tyre. Madje do të thosha se nuk ka vepër serioze pa një kumt serioz. Andaj, për ta përmbyllur pyetjen tuaj, po them se krahas ndjenjave, mjaft autorë ndoshta mund të flasin edhe për parandjenjat që kanë pasur duke shkruar një vepër. Në kuptimin figurativ, shkrimtarët janë si engjëj që kanë për të dhënë një lajm. Mirëpo, meqë lajmin nuk e japin drejtpërdrejtë por e manipulojnë letrarisht, janë engjëj që djallëzohen në Tokë. Këtu po kujtoj Kadarenë dhe pikë.

Filed Under: Interviste

Rasti Gracka, strategji serbe për simetrizimin e krimit

September 28, 2024 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Menjëherë pas përfundimit të luftës në qershor 1999, propaganda serbe, bashkë me miqtë e tyre kanë nisur një fushatë për të kthyer përmbys të vërtetën e asaj që ndodhi në Kosovë. Kjo dëshirë për revizionim pas çdo hetakombe është tashmë e njohur. Kjo është strategjia serbe, simetrizimi i krimit. Dhe kanë arritur njëfarë sukses forcat antishqiptare. Kanë arritur njëfarë suksesi duke vënë në veprim herë pas herë edhe shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët për arsye të ndryshme, zakonisht të papastra, vihen në këtë rol, sepse për ta janë shumë të çmuara dëshmitë e tyre.

Në këtë kontekst, Beogradi ka ndjekur strategjinë e mohimit të krimeve të organizuara nga shteti serb dhe njëkohësisht krimet e pandriçuara, si ai në fshatin Graçkë, prapa të cilit me shumë gjasë qëndron shteti serb si në rastin “Panda” të Pejës, t’i atribuohen shqiptarëve dhe UÇK-së. Një pjesë edhe e autorëve të huaj, duke dashur të krijojnë një lloj ekuilibri, relativizojnë këto fakte, ose për çdo gjë të keqe që ka ndodhur pas lufte t’ia lënë në përgjegjësi ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Natyrisht, ngjarje të tilla si në Graçkë e kanë dëmtuar kauzën dhe imazhin e Kosovës. Asnjë ngjarje që ka dërguar në drejtim të Beogradit nuk është ndriçuar nga gjyqësia ndërkombëtare.

Në vazhdim shkrimi im “Graçka, karta e fundit e Beogradit”, që u emetua si koment në TVSH me dhe u botua në gazetën “Zëri ditor i Kosovës” më 28 korrik 1999.

Filed Under: Interviste

Rrëfimi zhbirues i Lazër Stanit si dëshmi i origjinalitetit në prozën e shkurtër shqipe

September 26, 2024 by s p

Irena Kuka Dragoti/

(Përsiatje mbi veprën e tij “Kohë për nuse”)

Cila është koha e duhur për nuse?

Në adoleshencën time e dëgjoja shpesh mes të rriturve shprehjen ” Është koha për nuse tani bir ose është koha për nuse për filan djalë, a burrë që i kishte ndodh një fatkeqësi. Dukej sikur kjo kohë ishte e përcaktuar nga disa rregulla të pashkruara e kishte një limit si vijë e kuqe që nuk duhej kaluar sepse quheshe i mbetur dhe gërmohej për “ të metat”. Ky mendim më erdhi i pari, sapo më ra në dorë libri me tregime i Lazër Stanit “ Kohë për nuse”. Me krijimtarinë e Lazër Stanit pata një kontakt të shkurtër ne vitin 2016 e më pas rrjedha e jetës e largimi nga Shqipëria më shkëputi përkohësisht nga letërsia shqip. Më pas një mik i familjes më rekomandon krijimtarinë e tij e nuk ngurova….shqiptarçe me pak fjalë, të lexoj këtë libër , më tepër se të shijoj një krijimtari doja të vërtetoj fjalët e rekomanduesit. Pak kisha gjetur vehten së fundmi në prozën e shkurtër.

Shpesh kur filloj një libër përpiqem ta mbaroj sa më shpejt pasi leximi i së tërës jep një tablo më të plotë mbi autorin apo veprën e tij. Kjo ndodhi me prozën e Lazër Stanit . Intrigues rresht pas rreshti në tetë tregimet e tij aq sa kuptova se ky shkrimtar me sjellje modeste por me penë të magjishme i paska shërbyer letërsisës së vendit tim duke mos kërkuar asgjë mbrapsh prej tij, as minimumin e vëmendjes.

E them shpesh mes miqsh që nëse një vepër më përfshin në atë stad sa të më japë ndjesinë e të qenit personazh real për mua vlen , vlen shumë. A nuk duhet te jetë ky misioni i një vepre? Përpos kësaj a nuk kërkojmë vetbesimin e autorit të tretur në çdo rresht në mënyrë që të bindemi për origjinalitetin e tij.? Herë i drejtpërdrejtë në narrativën e tij dinamike e herë filozofik, herë në kufijtë e monografisë e herë në dimension kombëtar, Lazër Stani vjen i zhveshur me këtë vepër nga përfitimet apo joshja e ngutshme e lexuesit, herë- herë ndoshta i ndjekur dhe nga paragjykimet për të vërtetat e tij..

“Ne vazhduam të ecnim në errësirë nëpër një shteg të panjohur që nuk dihej se ku do na nxirrte shkruan autori në tregimin e tij “Të magjepsurit” duke rrëfyer në vetën e parë e duke aluduar se çdo fillim tregim nisur nga titulli do ishte i tillë një shteg plot të papritura. Titull ngacmues në çdo prozë dhe duket se perdja e syve që çelet tek njeriu pak para vdekjes, në botkuptimin e autorit ishte çelur shumë herët qysh në adoleshencë, për të parë më shumë se ata që e rrethonin , “tmerrin e ekzistencës njerëzore në sy” – thotë autori te tregimi “Përqafim në mort” ku është tejet therës ndaj ligësisë e llogarive të dashurisë dhe sarkastik ndaj injorancës dhe hipokrizisë e të jetuarit me të.

Tregimet e Lazër Stanit anojnë nga e pathëna më shumë, për ta bërë aktiv lexuesin duke shmangur shpjegime të tepërta e pa rënë në nihilizëm . Ndikohet emocionalisht nga realiteti pa u bërë idhujtar. Këte e tregon më së miri” Përqafim në mort” kur personazhin kryesor e sjell mospërfillës e krenar ndaj arrogancës . Ai nuk i jep dot shpjegim lumturisë nga injoranca.

Çdo detaj i natyrës në prozën e tij vjen në funksion të perceptimit të klimës së një shoqërie si një cikël dramatik. Duket sikur dhe vdekja vjen për të plotësuar fatin , duket sikur anarshia e mendimeve , paguximi i veprimeve kanë mbështetjen e fatit. Duket se autori vjen nga një jetë plot eksperienca, duket se narrativa e tij është ajo e një njeriu, që ishte një hap para kohës e vendit ku jetonte. Shpesh në disa tregime ndihet të jetuarit e ngjarjes kurse te “ Pianisti” e të tjera ngre krye fantazia e tij prej shkrimtari.

Shumë nga tregimet e tij përmbajnë dialogë platonianë me vehten, plot nëntekste që përhapin si rrathët në ujë, befasinë. Shpesh autorin e gjen të ngujuar në përmbajtjen e krijimeve të tij, letrarisht të vetëdijshëm për strukture jo të ngurtë e kapërcime të befasishme në to.

Kur Autori në prozën e tij i bindet fatit kjo nuk do të thotë se ai tërhiqet para tij, por eshtë thjesht liria e shpirtit të tij që nuk e mposht. Ndoshta vdekja e babait të Danielës u soll në tregim për të ndaluar një dashuri e cila mund të kishte triumfuar me gjalljen e tij. Ai nuk i jep fuqi demonësh njeriut por ligjeve të natyrës

Autorit i pëlqen të vihet përballë opinionit nëpërmjet heshtjes së tij. Ai mendon se heshtja i ka frutet më të ëmbla se poterja e kundërshtisë.

Në pamje të parë heshtja mund të duket si dorëzim psh te “ Pianisti”ku braktisja e Monikës , pranimi i ofertës së Pepes , martesa me të kundërtën e Monikës, Linën, por gjatë leximit lexuesi e takon heshtjen si vulosje të përbuzjes për vehten apo mëshirimin e epokës kur artistit i duhet të zgjedhë mes pasionit e mbijetesës, ku artisti shpesh mbetet peng i moskuptimit të tij nga ata që e rrethojnë. Një e evërtetë e ndërlikuar sjell dramë në kurriz të artit i cili gjithmonë ndërshkon veten jo ata që e lëndojnë. Shoqëria e para e më pas individi bën spektatorin para vrasjes së ëndrrës dhe artistit në shpirt.

Ajo që më bëri përshtypje në këtë vepër ishte mungesa e kohës së ngjarjeve përjashto tri tregime” Me sy të fiksuar pas një ylli” “ Idioti udhëton për Amerikë” dhe “Daiza Zaharia” duke na lënë të kuptojmë aftësinë gjithëpërfshirëse të shkrimtarit, dhe aftësinë për të evidentuar e psikologjisur në të gjitha kohët që ka jetuar. problemet më tipike…

Në tregimin“ Kohë për nuse” shohim që limiti i martesës dorëzohet mjedisit , dhe mjedisi ushqen gabimet njerëzore ku kënaqësitë seksuale kthehen në tragjedi shpirtërore brenda një familjeje. Në këtë prozë lexuesi kupton qartë problemet që ka familja e cila lundron ende mes patriarkalizmit e modernizimit të keqkuptuar. Familja mbetet gati për tu thërrmuar sa herë bie fjala për instiktin seksual. Pse ndodh kjo? Nënteksti i autorit ne tregim rendit arsyet nërpërmjet dialogëve baba-bir , nënë-bir e djalit me Zinën. Lexuesi kupton sa lehtësisht i thyeshëm eshte morali në një familje që në këmbë e mban absurdi i frikës nga paragjykimi.

Në prozën” Idioti udhëton për Amerikë” sheh të shembet një kështjellë frike mbi forcën e shtetit diktatorial nëpërmjet arratisë larg tij. Një titull metaforik që vërtet simbolizon sesa çmenduri ishte idea e arratisë. Njëjtë me personazhin udhëton një libër në rusisht dhe dëshira për të marrë frymë lirshëm . Ngjarja kalon sërish ne vetën e parë, në kohën e diktaturës ku autori duket se e njeh mirë. Pritja ka fuqi shkatërruese citon fjalët e Alfred Malokut, personazhi ynë teksa e pret të arratisen. Ajo kalon në limitet e vdekjes kurse koha është e pamjaftueshme për të pritur. Dy djem, njëri inxhinjer pyjesh kundra dëshirës e tjetri që mbaron për filozofi marksiste, në kërkim të lirisë, të mbushur me ëndrra e bagazh evropian duket sikur shpërfillin logjikën dhe pasojat e arratisë. Inxhinjeri fatsjellë nga libri” Idioti” arriti në

Amerikë ku fitoi lirinë por humbi përgjithmonë një mik që nga vonesa mbeti i lirë veç në shpirt dhe jetoi përgjithmonë në një vend pa liri.

Në tregimin” Me sy të fiksuar pas një ylli” autori rrëfen në vetën e tretë. Ai nuk mund të marrë përsipër të flasë për një dhembje, që nuk ia di peshën reale . Jep konceptin e lirisë përmes dëshirës së fundit për të parë qiellin. Liria ekzistonte atje ku ishte Zoti i tyre për të cilën pushkatuesit i thanë: “ thuaj psalmin e fundit, dhe pse zotit tënd i ka vdekur nëna”. Autori në këtë rrëfim sjell kohën e ngjarjes nëpërmjet nëntekstit , luftën ndaj fesë dhe mungesën e lirisë së shkrimtarëve . Diktatura e vënë në gojën e një pushkatuesi vjen më e egër se kurrë aq sa i tregon si medalje se është zoti i jetës, zot i lirisë së tyre. Ky rrëfim pa emra konkretë personazhesh mbështjell një regjim të tërë diktatorial ku makthi i saj fillon nga liria e fjalës e ndaj kujtdo. “Ne jemi komunistë jo vrasës”- tha më i madhi i skuadrës së pushkatimit duke i ofruar rrugën e ferrit ( të

Ishte gjallë) përpara shpirtit të lirë( vdekjes) . Askush nuk e shet qiellin për nëntokën.

Në librin e Lazër Stanit” Kohë për nuse” e shohim autorin në shumë role nga mjeku, te pianisti , nga adoleshenti plot ëndrra e dashuri tek studenti nga i arratisuri te shkrimtari. Duket sikur ka kapur hallkat e gjithë shoqerisë Është aftësi që gjithë kapërcimet e tij tematike ruajnë të njëjtën gjuhë të kuptueshme për lexuesin. Me një prozë të “endur” herë nga personazhi herë nga autori ,magjia vjen, si një bashkëlidhje e çasteve reale, me ato imagjinare plot denduri mendimesh, idesh, dhe figurash letrare.

Larmia narrative, të bind për një depërtim të ekuilibruar të autorit në thellësi të mendjes e shpirtit njerëzor. Narrativa në librin” Kohë për nuse” thur realitetin letrar, si dhe zbulon enigmën, na përcjell nga kufijtë e botës së brendshme të autorit, në botën e lexuesit. Nuk bëj dot qasje për stilin e tij, me autorë të tjerë pasi ne të tetë tregimet ai shfaq një stil vetjak origjinal, por them me bindje se proza e tij është prozë aktualitet.

Dialogu me veten në librin” Kohë për nuse” e sjell të plotë autorin në fjalë e artfjale,në strukturë proze dhe shprehitë e artikuluara, me një etikë e filozofi, si shenjë e tërheqjes së tij nga thellësia e vetëdijes dhe e pavetëdijes.

Në prozën” Daiza Zaharia” autori përcjell përpjekjet e diktaturës për të zhburrëruar Pjetrin, për të shkatërruar familjen e tij, besimin në Zot. Betejat absurde të diktatures ndaj fesë nuk kursyen as objekte e as përçues të saj si Antoni . Fati i njerëzve që e mbështetën fenë ishin njëjtë me atë të Pjetrit dhe Daizës por dhe fëmijës së palindur në barkun e saj.

Duke e futur veprën e Lazër Stanit , në rrafshet moderne dhe postmoderne nuk duhet lënë pa thënë se tregimet e librit të tij bartin replika të forta, ritmike dhe metaforike, të endura mjeshtërisht, prej frymëzimit origjinal të tij.

Brendia letrare e Lazër Stanit shoqërohet me karatere të besueshëm, me një rrëfim tërheqës e në shumë raste, me prani personazhesh që hyjnë si silueta e formësohen befasishëm “me penela” prej mjeshtri.

“ Kohë për nuse” do të thotë kohë e pjekurisë e maturisë dhe guximit për të përballur jetën

Mendoj se vepra e Lazër Stanit e ka atë pjekuri, maturi dhe guxim për të hyrë në shijet e çdo lexuesi.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 217
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT